MKRS të hënën prezanton konceptin zyrtar të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, do të bëjnë prezantimin e procesit përgatitor të deritanishëm dhe hapat e mëtejmë të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Ceremonia do të mbahet me 18 shtator 2023 (të hënën), ora 18:00, në Qendrën për Praktikë Narrative, në Prishtinë.

Po ashtu, në po këtë ngjarje, do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet MKRS-së dhe KOK-ut për procedim të mjeteve për mbulimin e pagesës për cedimin e të drejtave ekskluzive të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Prishtina 2030. / KultPlus.com

“Tumankuqja” vjen premierë në TKOB, bazuar në origjinalitetin e këngëve, valleve e kostumeve të krahinës së Çamërisë

“Tumankuqja” është premiera që do të çelë ndryshe sezonin e ri artistik për Ansamblin Popullor, bazuar në origjinalitetin e këngëve, valleve e kostumeve të krahinës së Çamërisë.

Këto xhevahire trashëgimie do të ngjiten në skenën e TKOB-së, jo vetëm nga Orkestra, Grupi i Valleve dhe Grupi Koral i Ansamblit Popullor, por edhe nga solistët e AP-së: Denisa Gjezo, Adela Bezhani, Malvina Likaj, Raimond Kllogjeri, Avni Miraka dhe Aranit Hoxha, kështu ka njoftuar ministrja e kulturës, Elva Margariti.

Me të ftuar special si Enkelejda Alushi dhe Hysni Alushi, Altin Malo dhe Grupi i Vallëve të të Rinjve të Çamërisë, nën drejtimin e Puen Bajramit, premiera vjen më datë 16 dhe 17 shtator, ora 20:00, në TKOB.

Biletat mund t’i merrni çdo ditë, në sportelin e TKOB-së, nga ora 10:00-14:00 dhe nga ora 16:00-20:00. / KultPlus.com

“Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”

Faik Konica, ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Është e vështirë të gjendet edhe një i dytë sot, thëniet e të cilit pas kaq shumë vitesh vazhdojnë të jenë kaq aktuale.

Nga: Frank Shkreli

Klasës politike aktuale shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve kudo, Faik Konica u thotë:

“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.

“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri”.

“Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.”

Gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim, Faik Konica do i këshillonte:

“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (‘Albania’ 16, 15-30 korrik 1898).

Për ata që thonë se 30-vjet post-komunizëm nuk mjaftojnë për të vendosur një demokraci të vërtetë perëndimore, Faik Konica u thotë:

“Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat.”

“Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij”. (‘Albania’ 11, 1898).

Për ata që rininë e quajnë “huliganë”, Faik Konica u thotë:

“Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve”. (‘Albania’ 5, 1905).

“Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara”.

Për ata që nuk kuptojnë ose nuk duan të pranojnë zemërimin e njerëzve, në kohë të vështira, Faik Konica u thotë:

“Si mos të dëshpërohesh në këtë vend, ku të pasurit nuk ndihmojnë dhe të varfërit nuk punojnë”?

Për opinionistët dhe analistët e TV-studiove të sotme shqiptare, Konica do të thoshte:

“Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest ‘të ndriçojnë opinionin publik’ as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle” (‘Albania’ 6, 1905).

 “Frikacaku i ka tërë karakteristikat, dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes.  I pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët”. (‘Albania’ 5, 1905).

“Ka njerëz që shitën nër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë”. (‘Albania’ 2, 1899).

“Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë. Por për mendjet e matura, të etura për të studiuar seriozisht një vend e një popull, nuk ka dhe nuk do të ketë veçse dy metoda në përdorim, jashtë së cilave gjithçka tjetër nuk është veçse mashtrim: metoda e parë ka të bëjë me ndërmarrjen e udhëtimeve për të bërë anketime të hollësishme e sistematike drejtpërdrejt në vend; e dyta, me leximin sa më shumë që të jetë e mundur të broshurave e librave të lidhura me çështjen konkrete, me qëllim që të arrihet nëpërmjet induksionit – përmes një morie dokumentesh, faktesh dhe pohimesh kontradiktore – të veçohet e vërteta dhe të koordinohet një tërësi pikëpamjesh të qarta e objektive” (‘Albania’ 6, 1905).

Akademikëve dhe studiuesve, Faik Konica u thotë:

“E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike”. (‘Albania’ 2, 1897).

Atyre që bëjnë sehir ndaj të këqiave të shoqërisë, urrejtjeve dhe armiqësive, Faik Konica u thotë:

 “Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë” (‘Albania’ 12, 1909).

“Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme”, (‘Albania’ 9, 1898).

Apologjetëve të komunizmit të Enver Hoxhës, 30-vjet post-komunizëm, Faik Konica u thotë:

“Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime” – “Nuk mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e lirisë, duke ruajtur njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë.  Për të pasur institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet mendimeve”. (‘Albania’ 5, 1907).

“Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë”. (Albania 1, 1897).

Përfaqësuesve të partive politike shqiptare, Faik Konica do u thoshte të mënjanojnë urrejtjet:

“Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar”. (‘Albania’ 2, 1904).

Atyre që po shkatërrojnë bukuritë e natyrës së Shqipërisë (Valbona, Vjosa) për përfitime ekonomike, Faik Konica u thotë mos urreni bukuritë që Perëndia u ka falur shqiptarëve:

“Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë”. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: 22 vetura të reja për të shpeshtuar vizitat në shtëpi për kujdes ndaj nënave dhe fëmijëve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mëngjesit e sotëm ka njoftuar se 22 vetura të reja do t’u shpërndahen komunave, për të realizuar dhe shpeshtuar vizitat mjekësore në shtëpi, për kujdes ndaj nënave dhe fëmijëve deri në moshën tri vjeçare. 

Këtë lajm, kryeministri e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin e tij social facebook dhe padyshim që lajmi është mirëpritur jashtëzakonisht mirë duke pas parasysh se sa shumë kanë nevojë nënat dhe fëmijët për kujdes më të shtuar.

“22 vetura të reja do t’u shpërndahen komunave për t’i realizuar e shpeshtuar vizitat mjekësore në shtëpi për kujdesin ndaj nënave dhe fëmijëve deri në moshën 3 vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë e ka planifikuar dërgimin e veturave për t’u shërbyer nënave e fëmijëve edhe në zonat e thella rurale”, thotë kryeministri. / KultPlus.com

‘Duaje trupin tënd grua’

Nga Ilire Zajmi

Duaje trupin tënd grua
është kryevepër arti
që nuk shitet në asnjë ankand të botës
është liria jote e fituar përgjakshëm në fushëbeteja
lufta e paqja e maskuar
burgu yt i përjetshëm
pasion i egër ëndërr burrash e shpupluar
bukuri e latuar Zotash lakmitarë
mallkim varrë dhimbje e plagë.

Grua moj, duaje fort trupin tënd
të bardhë, të zi, të butë, të vrazhdë, të lëmuar
të fortë, të brishtë, të lodhur, të pushuar.

Trupin tënd duaje fort o grua
është vula jote
identiteti yt
libër dëshirash.

Mbaje mend Grua,
Trupi është dashnori yt i parë dhe i fundit. / KultPlus.com

111 vjetori i lindjes së Sabiha Kasimatit, shkencëtarja shqiptare që u pushkatua nga regjimi komunist

Sot, përkujtojmë 111-vjetorin e lindjes të Sabiha Kasimatit (1912-1951, biologë dhe punonjëse shkencore.

Ajo lindi në Edrene (Adrianopol) të Turqisë Evropiane, në një familje nga Libohova. Më 1927 u kthye familjarisht në atdhe, u vendos në Korçë, dhe kreu Liceun Kombëtar. Punoi si mësuese në shkollën femërore të Korçës dhe në shkollën e mesme bujqësore amerikane të Kavajës (1931-1936).

Më 1936 filloi studimet e larta për biologji (dega e iktiologjisë) në Universitetin e Torinos. Më 1941 mbrojti doktoraturën dhe u kthye në atdhe. Punoi si mësuese e biologjisë në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë (1941-1945).

Gjatë vitit 1945 qëndroi për kurim në Torino. U kthye në atdhe dhe filloi punën si kërkuese shkencore në Institutin e Studimeve që me themelimin e tij (1946), ku u morr me studimin e peshqve të Shqipërisë.

Botoi disa artikuj shkencorë në revistën “Buletin i institutit të Shkencave”. Grumbulloi një material të pasur për iktiologjinë e Shqipërisë, mbi bazën e të cilit do të hartonte një monografi.

Më 20.02.1951 u arrestua lidhur me incidentin e bombës në ambasadën sovjetike bashkë me 21 persona të tjerë të arrestuar për të njëjtën ngjarje. U pushkatua pa u gjykuar, më 26.02.1951. / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë me fokus tek të rinjtë dhe liria e shprehjes

Sot është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. Tema e këtij viti është “Fuqizimi i gjeneratës së ardhshme” dhe fokusohet në rolin thelbësor të të rinjve në përparimin e demokracisë dhe garancitë që të kenë zë në vendimmarrje.

Një elektorat i angazhuar dhe i arsimuar mirë është në zemër të shoqërive të forta demokratike. Në mesazhin e tij, shefi i OKB-së, António Guterres fajëson përhapjen aktuale të dezinformatave që po “helmojnë diskursin publik, polarizojnë komunitetet dhe gërryejnë besimin në institucione”.

Duke pasur parasysh efektin e dëmshëm që mund të ketë informacioni i rremë tek të rinjtë, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë sivjet i kushtohet “Fuqizimit të gjeneratës së ardhshme” duke u fokusuar në rolin kritik të fëmijëve dhe të rinjve në sigurimin e demokracisë “sot dhe në të ardhmen”.

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë ofron një mundësi për të rishikuar gjendjen e demokracisë në botë, ku megjithë sanksionimin në ligj, liria e shprehjes kufizohet nga shume qeveri përqark globit. / KultPlus.com

Jacques Derrida: Kur preken sytë tanë, a është ditë apo është natë?

Shqipëroi: Lulzim Hoxha

Atëherë provova t’ia dal mbanë me “të”, më saktë, me “ta” – desha të them, t’ua bëj atyre pyetjen e mësipërme. Le të shohim pikësëpari, a mund të preken sytë e ta shtyjnë njeri-tjetrin duke u përkëdhelur si të ishin buzë? ç’pjesë e syve mund të krahasohet me buzët? Nëse dy vështrime shohin sytë e njeri-tjetrit, a mund të themi se sytë po preken? Ku degdiset vështrimi ndërkohë që sytë janë duke u prekur? Ndërprerja që e kthen vështrimin në sy është një ndërprerje e fshehur, e vulosur, e perceptuar, e shenjuar, e kompresuar dhe e shtypur, apo thjesht mohim intervalesh mes dy skajeve nga ku dalin shikimet? Nëse dy vështrime kanë kontakt me njeri-tjetrin, pyetja përherë mbetet nëse ata po e ledhatojnë apo po e godasin njeri-tjetrin dhe cili do ishte dallimi mes të dyjave?

Tani, së pari duhet të pranojmë se këto sy e shohin njeri-tjetrin.

Këta sy apo këto vështrime?

Përherë shkohet nga i pari për tek i dyti. Për dy vështrime lipsen më shumë se dy sy. Mandej ka edhe sy që nuk shihen më, apo sy që nuk janë parë kurrë. Kini parasysh se ka edhe nga ato gjallesa që jetojnë pa sy, e megjithatë kjo nuk do të thotë se këto gjallesa jetojnë gjithnjë pa dritë.

Mirëpo atje ku ne ndodhemi – si kjo mbrëmje – po bëhet gjithnjë e më errësirë. Na duhet të zgjedhim midis shkëmbimit të shikimeve me njeri-tjetrin dhe të parit njeri-tjetrin. Pra na duhet te vendosim: të shohim shikimin e tjetrit apo të shohim të parit tek ai?

Mirëpo nëse sytë tanë shohin shikimin dhe jo atë çka të parit e bën të dukshme, nëse ata besojnë se po shohin shikimin e jo sytë, nëse është kështu, nëse vërtet është kështu, atëhere ata po shohin asgjënë, në rast të tillë nuk mund të shihet gjë sepse asgjë nuk bëhet e dukshme. Me ikjen nga e dukshmja, sytë tanë fshihen pas natës. Ata janë gati të verbohen veç për të parë një shikim; ata i shmangen shikimit të asaj çka përfaqësojnë sytë e tjetrit duke iu drejtuar vetëm shikimit të tij/saj, pra shikimit tënd mbi tjetrin dhe jo shikimit që përfaqëson tjetri. Po gjatë këtij fragmenti, a është ditë? Dhe a i përket kohës ky fragment? Kohës në tokë? A është ditë në tokë apo është natë? A duhet kthyer në natë ky fragment, ta bëjë natën “të shfaqet” në mënyrë që ta shohë veten duke parë tjetrin apo që ta shohë veten teksa vërehet nga tjetri? Në mënyrë që të shohim atë që na sheh, ne nuk shohim atë çka për tjetrin është e dukshme por vetëm mprehtësinë e tij për të na vërejtur?

Nëse përgjigja do ishte “është natë” a nuk do dukej sikur sytë preken verbërisht dhe nuk shquajnë asgjë?

Por – ajo që vendosa ta quaj me pseudonimin “Pikëpyetja” – më kundërshtoi, ose ndoshta unë kundërshtova veten time: “ka raste kur vetëm në këtë mënyrë njerëzit munden ta dëgjojnë e ta kuptojnë njeri-tjetrin.”

Pikërisht kur shikimi im takohet me tëndin, unë i shoh të dyja, shikimin tënd dhe sytë e tu, dhe sytë e tu jo vetëm që më shohin por ato përfaqësojnë diçka timen. Duke t’u afruar unë mundem t’i prek, me lëkurë, buzë, apo edhe sy, qerpikë, vetulla; nëse vetëm do guxoja të të afrohesha në këtë mënyrë. Nëse një ditë do të guxoja…Të insistosh papushim përfundon duke përsëritur vazhdimisht: “në fragmentin kur sytë tanë preken – si të ishin buzë – a është ditë apo jemi duke banuar në terrin tonë të përbashkët?

Për aq kohë sa nuk më ke prekur me sy, për aq kohë sa nuk më ke prekur sytë – si të ishin buzë – nuk do jesh në gjendje të më thuash “një ditë…”, madje nuk do mund të më thuash as “Përshëndetje!”, “Lamtumirë!”, “Shihemi”, “Kujdesu për veten!”, ndërsa unë lutem që ti të jetosh më shumë e më gjatë se unë. Por kjo lutje tanimë më turpëron, sikur të pranoja që kam frikë – frikë se mos jem mbijetues dhe arrij ta duroj edhe vdekjen. Në pritshmërinë time e vetmja mundësi pajtimi me vdekjen, pra vdekjen time, varet nga pasuria e madhe shpirtërore që më është premtuar kur të mos i shoh më ata që kam dashur. Hezitoj veç ta paramendoj një ngjarje të tillë, madje për një çast mendova të shpik një histori, më saktë, meqenëse ne i dhamë lamtumirën historisë, nisa të përpiqem të shpik një histori të vërtetë. Një histori që zhvillohet natën, kur sytë tanë preken. Këtë histori: sado e pamundur të duket, mendoj se e kam deshifruar atë frazën anonime që ishte shkruar në një mur në Paris, a thua se kish udhëtuar deri atje përmes brigjeve të një tjetër gjuhe: “Quand nos yeux se touchent, fait-il jour ou fait-il nuit?” (“Kur preken sytë tanë, a është ditë apo është natë?”). 

Por le ta shohim çështjen nga një tjetër perspektivë, e ta shmangim kështu patetizmin apo teprinë kur themi një të vërtetë. Domethënia e prekjes, është trajtuar në argumentat e Aristotelit. Por deri në njëfarë pike, pasi ajo çka vijon të shfaqet nëpër argumenta, rrezikon të marrë formën e një teze “të kthjellët”. Ndonëse nuk është ky rasti, shpeshherë ndodh që “kthjellësia” e pohimeve të përmbajë një enigmë krejt më vete. Për shembull, së pari, megjithëse është e qartë, e dukshme apo “e kthjellët” se “organi” i prekjes është i brendshëm (interior); së dyti, se mishi nuk është veçse “mediumi” i prekjes; së treti, se “prekja ka për objekt jo vetëm atë çka është e prekshme, por edhe të paprekshmet”, gjithsesi na vijnë pyetjet se ç’do të thotë “interior”, “medium” apo “ndërmjetës” dhe mbi të gjitha se ç’kuptim ka te prekja një akses pa prekje. Si mund ta prekësh të paprekshmen? E shpërndarë në një numër të pafundëm formash e figurash, kjo pyetje është pikërisht obsesioni që e përndjek të menduarit për prekjen – që mund ta konceptojmë edhe si përndjekje të prekjes. 


Ne mund të prekim vetëm një sipërfaqe, pra mund të prekim lëkurën ose cipën e hollë të lëkurës që mbulon mishin, prekje të limitit të lëkurës – nga ku vjen shprehja “me prek cakun” (“touch the limit”) – por për nga përkufizimi, limiti, vetë limiti, është i privuar nga një trup. Caku nuk preket e as ai nuk e prek veten, caku nuk e lë veten që të preket, madje ky cak ka fuqinë që me vetëm një prekje, jo vetëm ta zhdukë atë që nuk i afrohet dot këtij caku por edhe atë që e ka tejkaluar këtë cak një herë e mirë. Tanimë, me këtë histori të prekjes, bëhet edhe më e vështirë të vendosim se çfarë të përfshijmë e çfarë të lëmë jashtë. Por risqe të tilla janë të prekshme, kur historia nuk është më e qartë, e dukshme, apo “e kthjellët” dhe nata është “shfaqur” mes nesh. /KultPlus.com


Filmi i ri nga Martin Scorsese vjen në kinema më 20 tetor

Regjisori i njohur Martin Scorsese ka publikuar trailerin e filmit të tij më të ri me titull “The Killers of The Flower Moon”.

Në këtë film luajnë yjet si Leonardo DiCaprio e Robert DeNiro, sipas Consequence.

Drama historike do të shfaqet në kinema më 20 tetor përmes Apple Studios.

“Killers of the Flower Moon” bazohet në një libër më të njëjtin emër që e ka shkruar David Grann.

Në film bëhet fjalë rreth vrasjeve të popullit vendas Osage në Oklahoma në vitin 1920. Vrasjet e këtyre njerëzve ndodhën pasi që në tokën e tyre u zbulua sasi e madhe e naftës. / KultPlus.com

Ndre Mjeda, ma i bylbylshmi za qi ka lmue kandjen e këndimit e kumtimit shqip

Ndre Mjeda gjas me ken e me met nji majë e ngjitun fort nalt në kreninë e shqipes dhe shqiptarëve. Nji ngadhnjyes i paepun i hyjnores qi zafill prej shpirtit të prushtë të atdhetarit. Kushtet e vështira ekonomike nuk e zhytën dot në terr shndritjen e një ylli që e pikasën jezuitët dhe panë tek ai tharmin e një shërbestari të devotshëm, amën e një zelltari të pashoq kushtimesh t’vyeme e aktet t’epërme shembëllimi.

Poeti Dom Ndre MjedaSpanjë, Itali dhe Poloni, ishte gjeografia e studimeve dhe formimit teologjike dhe dijetuese të Mjedës. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci, prej ku u dëbuar nga urdhni jezuit për mosbindje, duke u kthyer në vendlindje, Shkodër. Që në ag të vrulleve, qysh prej fillit të vullnesës së zjarrmimit të ngulmeve kushtruese e hopeve t’ngulta, u lidh me lëvizjen patriotike. Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësueseve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, përmes t’cillit ata ankoheshin kundër pushtetit osman. Poeti ngriti zanin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do ti kushtonte lirinë. Më 1902 Ndre Mjeda, arrestohet, por i shpëton nji syrgjynosje në Anadoll, kapërcyell të jetës së tij që e himnizon me poemthin, “I tretuni”. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift në famullinë e Kukël. Vitet e fundit shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, dhe vdiq më 1 gusht 1937 në këtë qytet.

Ndihmesa e shqipshkrimit

Ndre Mjeda, At Gjergj Fisha dhe Luigj GurakuqiNdre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë “Agimi” me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndrtyshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).

Mjeda dhe poezia

Me Mjedjen kemi një nga mendjet më të mëdha të kohës, njeriu që dinte pothuajse gjithçka për poezinë. Duhet të kujtojmë se ai nuk qe rob i rregullave të ngurta të vjershërimit, pasi siç shkruan “masa e plotëson poezinë, por nuk asht nji gja e domosdoshme e saj”. Kjo thënie ka vlerë të veçantë kur kemi parasysh një poet që ka kultin e formës: duhet kuptuar se, megjithëse mjeshtër i formës, ai nuk e ka kërkuar atë, ka qenë ideja që ia ka organizuar, duke u përftuar kështu katreni katërrrokësh me rimat ABAB, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCC, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCD etj. Botimi i veprës “Juvenilja” më 1917 pati fatin e veprave të dorës së parë, ato me të cilat mediokriteti i zakonshëm nuk hyn dot në marrdhënje: pra, nuk u shkrua për të. Gjergj Fishta ishte zëdhënës i letërsisë romantike kur do të donte (Hylli i dritës, 1921) që kjo poezi të vinte “më tepër prej zemrës se sa prej mendjes”. Mirëpo s`duhet harruar se në kulmin e postulatit romantik “poezia është shpërthim spontan i ndjenjave” (Wordsworth), John Keats thoshte se poezia është diçka “impersonale”, pa dashur të përmendim Edgar Alan Po e Charles Baudelaire, të cilët sollën shkëputjen e plotë nga kjo atmosferë.

Deputetët e pavarur në parlamentin e parë shqiptar, 1921. Në këmbë: Kolë Thaçi, Shuk Gurakuqi, Patuk Saraçi, Riza Dani, Maliq Bushati. Ulur: Osman Haxhija, Luigj Gurakuqi, Pandeli Evangjeli, Ibrahim Xhindi, Mustafa Kruja, Dom Ndre Mjeda, Spiro Koleka. Foto Kel Marubi.Që në shkulmet e rinisë ai do të hidhte sytë nga poezia, poemthi “Vaji i bylbylit” u botua me 1881. “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës ai i ka jo më pak shndritëse poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e papërfunduar.

Mjeda e kaloi gati gjithë jetën e tij si prift në krahinat e Shkodrës, veçojmë shërbesën 1906-1907 në famullinë e Kuklit.

Epilog

Ma i bylbylshmi za qi ka lmue kandjen e këndimit e kumtimit shqip. Kangën e zashme të amshtit dhe kandës, kurrkush nuk mujti me e ligjëru me atë amë hyjnie ma mirë se Dom Ndre Mjeda. Kurrkush, atëherë e dermsot, nuk ka mujt me e thuar me kaq amëlsi dhe finesë, më një shqipe t’kullueme zanin e shpirtit, kushtrimin e xanun vend thellë në të gjalltë e një prej figurave ma t’andshme të letërsisë shqipe, personaliteteve ma t’venosun të politikës, shërbestarit të devotshëm të fjalës së shenjtë dhe nacionalistit . Tash rrëmojmë në mbamendjen e kandës së shqipes në gjininë e ligjërimit të hyjnive, poezisë, e sandejmi munena me nxjerr shumë emna, shumë skalitës së asaj gegnishtë t’kulluet, të asaj finesse kumtuese, por s’pariherë na yshtena me e vu përpara në këtë pjedestal Ndre Mjedën. Buzëhollin e lirikës shqipe, zanin e patëdytë të kumbimit.

Kësisoj i nep za shpirtit për gjuhën shqipe, Dom Ndre Mjeda

Gjuha Shqype

Permbi zà qi leshon bylbyli

Gjuha shqype m’ shungullon

Permbi ere qi nep zymyli

Pa da zemren m’a ngushllon.

Nder komb’ tjere , nder dhena tjera

Ku e shkoj jeten tesh sa mot

Vec per ty m’rreh zèmra e mjera

E prej mallit derdhi lot.

Njikto gjuhe qi jam tui ndie

Jane te bukra me temel

Por prep kejo , si diell pa hije

per mue t’anave ju del.

Edhe zogu kerkon lisin

Mbi shpi t’arte ku rri me mbret

E shtegtari dishron fisin

Permbi vend qi s’asht i vet.

O Shqypni e mjera Shqypni

Plot me burra e trima plot

Ti’j dit’ishe , por lumnija

Qi ke pasun nuk à sot.

Nen njat toke qi t’a shkel kamba

Zan’ e t’mocmeve veshtro

Per bij t’tashem , porsi e ama

E t’korritunve, gjimo!

Nam e zà , qi kishe, t’treti

E vec turpi e marrja t’mbeloj

Per lumni vec kore t’mbeti

Qysh se fara e mire mbaroj.

Por gazmo nder gjith kto t’vshtira

Perse ende s’sharove kret

Dicka t’mbet nder ato t’mira

Mbas dymij e ma shume vjet.

T’ka mbet gjuha qi po ndihet

N’fush’ e n’mal qi ti zotnon

Gjith ‘ku hija e jote shtrihet

Ku shqyptari zàn’ e leshon.

Prei Tivarit e n’Preveze

Nji à gjuha e Kombi nji

Ku leshon dielli njato rreze

Qi vec tokae jote i di.

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi

Me zbardhe, Shqype zanin tàand

E ku i drinit à bunimi

Qi shperndahet kand e kand.

Geg e Toske, malci, jallia

Jan nji komb m’u da s’duron

Fund e maje nji à Shqypnia

E nji gjuhe t’gjith na bashkon.

Kjoft mallkue kush qet ngatrime

Nder kto vllazen shoq me shoq

Kush e dan me flek’ e shkrime

Ca natyra vet perpoq.

Kur nji burre u cue n Austri

E me sy gjithkund t’kerkoj

Gustav Meyer-i asht emni i tij

Emni i burrit qi t’madhnoj.

Porsi dielli tui flakue

Shperndan terin qi na mbelon

Njashtu Meyer-i tui kerkue

Kah ke dal po ta difton. 

/Albert Vataj / KultPlus.com

Makiaveli për makiavelizmin


Krimi im i vetëm qe ai se ua thashë të vërtetën, jo të vërtetën morale, por të vërtetën politike; jo të vërtetën ashtu siç duhej të ishte, por ashtu siç është, ashtu siç do të jetë çdo herë. Nuk jam unë ai që e themeloi doktrinën, atësinë e së cilës ma mveshin: atë e bëri zemra njerëzore. Makiavelizmi ka ekzistuar para Makiavelit. Nuk e keni kuptuar tërë mendimin tim. Njeriu ka më prirje nga e keqja sesa nga e mira. Gjithsecili synon të sundojë, dhe nuk ka njeri që nuk ka qenë shtypës, po qe se i është dhënë rasti; të gjithë ose pothuajse të gjithë, janë të gatshëm t’i flijojnë të drejtat e të tjerëve për hir të interesave vetjake. Në zanafillën e shoqërisë ekziston forca e egër dhe e shfrenuar, më vonë vjen ligji, me fjalë të tjera, prapë forca, mirëpo e përcaktuar në disa trajta. Çdo herë forca shfaqet para drejtësisë. Përndryshe, a nuk vëreni se edhe vetë fjala drejtësi në vetvete është e papërcaktuar sa s’ka më?! Ku fillon dhe ku mbaron ajo? Çdo gjë mund të jetë e mirë ose e keqe, varësisht nga ajo se për çka e përdorim dhe çfarë frytesh nxjerrim nga ajo: qëllimi i arsyeton mjetet. Po dhuna dhe dinakëria a janë gjë e keqe? Mirëpo duhet të përdoren, edhe mjaft bile, për t’i sunduar njerëzit, derisa njerëzit mos të shndërrohen në engjëj. /hejza/ KultPlus.com

Kjo është vetura elektrike me rrezen më të gjatë në botë, e zhvilluar nga studentët gjermanë

Pa ndihmën e energjisë diellore, studentët nga Universiteti Teknik i Mynihut (TUM) në Gjermani vendosën një rekord të ri botëror për makinën elektrike me rrezen më të gjatë në botë me prototipin e tyre “muc022” me një ulëse.

Vetura e tyre ka arritur të përshkojë 2,575 kilometra përpara se bateria të ishte plotësisht e zbrazur, transmeton Telegrafi.

Për ta arritur këtë, ekipi TUfast Eco modifikoi automjetin që ishte përdorur më parë në garat e tjera për makina elektrike efikase, duke u përqendruar në bërjen e tij sa më aerodinamike dhe sa më të lehtë, si dhe vendosjen e një baterie më të madhe me fuqi 15.5 kilovat-orë.

Makina peshon vetëm 170 kilogram dhe motori i vetëm elektrik sinkron me magnet të përhershëm ka një fuqi prej vetëm 400 vat./ KultPlus.com

UNESCO nuk do ta përfshijë Venecian në monumentet e rrezikuara

Venecia nuk do të përfshihet në listën e vendeve të Trashëgimisë Botërore në rrezik, vendosi të enjten një mbledhje e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të OKB-së, në kundërshtim me rekomandimet e mëparshme të ekspertëve të UNESCO -s .

Në fund të korrikut, Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s kishte propozuar përfshirjen e qytetit italian në listën specifike, duke përmendur “masat e pamjaftueshme” për të luftuar degradimin e zonës, veçanërisht për shkak të turizmit masiv dhe ndryshimeve klimatike.

Zhvillimi i mëtejshëm i Venecias, efektet e ndryshimit të klimës dhe turizmit masiv kërcënojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme në vlerën e jashtëzakonshme globale të vendit,” theksoi Qendra në raportin e saj.

Qyteti italian, i cili është ndërtuar në një grup prej 118 ishujsh të vegjël të ndarë me kanale dhe të lidhur me ura, u themelua në shekullin e 5-të dhe u shfaq si një fuqi e madhe detare në shekullin e 10-të, sipas UNESCO-s.

Venecia u shtua në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në vitin 1987 dhe është një nga qytetet më të vizituara në botë. Në periudhat e pikut, 100,000 turistë kalojnë natën atje, përveç dhjetëra mijëra vizitorëve që e vizitojnë çdo ditë. Ndërkohë rreth 50 mijë banorë jetojnë në qendër të qytetit, i cili gradualisht po shkretohet. Kohët e fundit, në fakt, shtretërit në dispozicion për turistët tejkaluan banorët e përhershëm të qytetit. /Abc news/ KultPlus.com

“L’Agenzia di Viaggi Magazine”: Shqipëria thyen rekordin për turistët e huaj

Shqipëria po regjistron nivele gjithnjë e më të larta në sektorin e turizmit, të cilat kanë nxitur të ardhurat ekonomike të vendit, në 6-mujorin e parë të këtij viti,  sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “L’Agenzia di Viaggi Magazine”.

Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (Instat), në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar ishte 3 396 932, me një rritje prej 33%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave tregojnë se, në 6-mujorin e parë të vitit 2023, shpenzimet e vizitorëve të huaj që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë kanë arritur në total 1,55 miliardë euro.

Shqipëria ka rezultuar si një nga destinacionet turistike më të preferuara këtë vit.

Për Bankën e Shqipërisë, shpenzimet për udhëtime jashtë vendit janë rritur me 37% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave, në tremujorin e dytë shpenzimet e të huajve arritën në 930 milionë euro, me një rritje prej gati 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022./Katror.info /KultPlus.com

Premiera e dokumentarit të Bekim Fehmiut do të shfaqet në Tiranë

Dokumentari i “Bekim Fehmiut” nga Valmir Tertini do të shfaqet premierë në Tiranë, shkruan KultPlus.

Filmi do të jepet më 21 shtator në Kinemanë Millennium.

Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.

Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali/KultPlus.com

Festivali i Dancit në Durrës, mbahet edicioni i 18-të

Skena e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, e improvizuar në një kantier ndërtimi ku ritmi, fuqia e lëvizjes dhe tingullit u shndërruan në një të vetme, mikpriti natën e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Dansit Modern dhe Kontemporan.

Ky edicion i 18-të i festivalit ishte dhe një homazh për një nga bashkëthemeluesit e tij, Tristan Sherifi, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë.

Mbrëmja e kaluar ngjiti në skenë shfaqjen e koreografit franko-tunizian Hamdi Dridi, e titulluar “Unë dëgjoj ju shihni”. Koreografi është frymëzuar nga lëvizjet dhe trupat e punëtorëve të. krahut në Tunizi. Edhe gjestet më të parëndësishme të kërcimtarëve-punëtorë shndërrohen në një vallëzim të pastër.

Festivali i dancit ka krijuar një traditë të përvitshme në Durrës dhe kthyer në një dritare të hapur për të shkëmbyer idetë dhe teknikat e reja në fushën e dancit botëror. Ai mbetet një projekt unik në vendin tonë, pasi përfshin një fushë të rëndësishme të artit skenik për të cilën nuk ka ende një aktivitet të ngjashëm./KultPlus.com

“Barbie” futet në grevë, në luftë për të drejtat e aktoreve

Margot Robbie mbështet grevën e sindikatës së saj, e cila ka rreth dy muaj që vazhdon dhe e tregoi duke marrë pjesë në marshimin që u zhvillua pasditen e së mërkurës në Los Angeles.

Robbie, e cila luajti në filmin me fitimin më të madh të vitit vetëm disa muaj më parë, u bashkua me aktorët e tjerë për të luftuar për të drejtat e tyre në një tubim SAG-AFTRA.

Aktorja mbante një pankartë teksa po ecte nga Netflix në Paramount Studios me protestuesit e tjerë në West Hollywood.

Aktorët dhe shkrimtarët e Hollivudit janë aktualisht të bashkuar në “grevën e tyre të dyfishtë” të parë në më shumë se 60 vjet, duke u zotuar të mbrojnë çdo punonjës në industri nga zëvendësimi i inteligjencës artificiale, ndër shqetësimet e tjera.

Pavarësisht se greva është tashmë në muajin e dytë, Margot u shfaq në humor të mirë. Menjëherë pas Margot ishte aktorja australiane Samara Weaving./abcnews.al/KultPlus.com

Restaurohet filmi Mësonjëtorja, prodhuar në vitin 1979 për shkollën e parë shqipe

Mësonjëtorja, filmi shqiptar ikonë, është rastauruar.

Kryevepra kinematografike e vitit 1979 pati një premierën mbrëmjen e së martës në ish Pallatin e Brigadave. Në rol Dafina, e interpretuar nga Roza Anagnosti, një grua e re e shkolluar kthehet në qytetin e saj, për të hapur shkollën e parë për vajzat. Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut, të cilët ç’kishërojnë dhe tentojnë të helmojnë xhaxhanë e saj, Stefan Bardhin si dhe i vënë flakën shkollës.

Filmi me regji të Muharrem Fejzos, skenar nga Natasha Lako, muzikë të Limos Dizdari dhe që mbart kujtimin e artistëve Gulielm Radoja, Ilia Xhokaxhi e Ilia Tërpini, tregon rezistencën e padiskutueshme të gjuhës tonë kombëtare vit pas viti.

E pranishme në këtë premierë mbesa e regjisorit Muharrem Fejzo rrëfen disa nga kujtimet e saj.

Filmi u restaurua nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit , platforma e artit Harabel dhe një institucion banker. Ai është një realizim-homazh për Rilindjen Kombëtare dhe përpjekjet e rilindasve për përhapjen e gjuhës shqipe./TopChannel/KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës, pas Prishtinës do të prezantohet sonte në Pejë, me dirigjent Memli Kelmendi

Kori i Filharmonisë së Kosovës, pas Prishtinës do të prezantohet sonte në Pejë, me dirigjent Memli Kelmendi.

Pas “Quo Vadis”, një konferencë ndërkombëtare e fuqizuar nga Choral Space në bashkëpunim me Korin Siparantum e cila grumbullon profesionistë të skenës muzikore korale nga anë e mbanë bota, koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës do të mbahet në kishën katolike “Shën Katerina”.

Repertori i sontëm ngërthen në vete veprat e kompozitorëve të njohur si Eric Whitacre, Frank Ticheli, Johann S. Bach, John Williams, Baki Jashari dhe shumë të tjerë./KultPlus.com

Pandeli Evangjeli, një nga veprimtarët më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot, Pandeli Evangjeli një prej politikanëve dhe veprimtarëve më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare. Qe pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris në mbrojtje të kolonisë së Bukureshtit. Pas ardhjes në Shqipëri, Evangjeli do të mandatohej si deputet i prefekturës së Korçës dhe më pas, si kryetari i parë i Parlamentit Shqiptar (prill 1921- 1922).

Seancat parlamentare që do të drejtonte, do të sillnin një revolucionarizim të kulturës politike. Krahas kërkesave për fqinjësi të mirë, në këto seanca u pranua për herë të parë nga deputët që të hiqej dorë nga titulli “bej”, që do të zëvendësohej me fjalën “zotëri”.

Shërbeu në postet kyçe të aparatit shtetëror:

  • Kryeministër (tetor 1921- dhjetor 1921); (1930-1935);
  • Kryetar i Senatit (1 qershor 1925- 7 qershor 1928);
  • Ministër i Jashtëm (korrik 1921- dhjetor 1921); (dhjetor 1922- shkurt 1924); (nëntor 1930- prill 1931).

Po ashtu, Evangjeli ka ndihmuar në hapjen e mësonjëtores shqipe të Korçës. U nda nga jeta më 14 shtator të vitit 1949./KultPlus.com

Shqipëria e vitit 1913 parë dhe rrëfyer nga Isadora Duncan, një balerinë dhe koreografe që bëri epokë

Isadora Duncan ishte vajza e një familjeje irlandeze e skoceze, e cila kishte emigruar në Amerikë në shekullin e XIX. Ajo lindi në 26 maj të vitit 1877, në San Françisko dhe e filloi jetën e vet artistike në moshën dhjetë vjeçare, çka në atë kohë ishte diçka e rrallë. Ajo udhëtoi nëpër Europë para se të revolucionarizonte artin e dansit, si, në Londër, Berlin, Vjenë e Paris. Më vonë, në Moskë, ajo do të njihej dhe me mjeshtrin e shquar rus Sergei Diaghilev si dhe regjisorin e teatrit Constantin Stanislavski.

Në jetën e saj ajo provoi njëherësh aventurën, lavdinë, dashurinë, vuajtjen dhe tragjedinë. Jeta e saj intime e lidhi atë me regjisorin Gordon Graig si dhe me industrialistin e mecenin Paris Singer, me pianistin karizmatik amerikan Walter Rummel, me aktorin hungarez Oscar Beregi dhe poetin rus Sergei Esenin, me të cilin u martua në vitin 1922. Ajo ishte mikesha e skulptorëve Rodin dhe Bourdelle, të cilët e vizatuan plot lizirëm; po kështu ajo ishte mikeshë e piktorit Van Dongen, e fotografit dhe piktorit amerikan Edward Sreichen, si dhe e artistëve të shumtë të epokës së saj.

Që nga viti 1900, në skenat pariziane ajo interpretoi vajzën Danaos, një nga Danaidet e mitologjisë greke. Muzikante e mirëfilltë, ajo kërcente me këmbë të zbathura, e shoqëruar me muzikë të Betovenit, Chopin, Cajkovskit, etj. Ajo i bëri veçanërisht të njohur publikut francez kompozimet e kompozitorit gjerman të periudhës klasike, Gluck. Këta dy artistë, që i ndante mes tyre një shekull, bashkoheshin, duke futur në artet e tyre respektive të natyrshmen dhe të vërtetën dramatike.

Kështu, Isadora Duncan do të revolucionarizonte dansin në dekadat e para të shekullit XX. «Arti im është një përpjekje, ku midis lëvizjeve, unë shpreh të vërtetën e qënies sime ».

1903: Udhëtimi i parë në Ballkan

Udhëtimin e parë të saj në Ballkan, Isadora Duncan e ndërmorri në vitet para shpërithimit të Luftrave Ballkanike. Ajo udhëtoi përgjatë brigjeve shqiptare, në Adriatik dhe në detin Jon, duke zbritur drejt Prevezës, (në territorin grek), ky qytet «turk» siç e quante ajo, dhe pastaj në Athinë e në Delf, në brigjet e Eubeas, ku ajo e bëri për vete publikun grek. Në Athinë, spektaklet e saj u bënë të famshme. E frymëzuar nga vallet e lashta greke, nga hyjnitë e Olimpit apo bakanalet e Dionisit, ajo i dha një frymë tjetër dansit të kësaj epoke. Endrra e saj ishte të shkonte në Misolongj, vënd i njohur për betejat tragjeike të suljotëve gjatë Revolucionit grek, vend ku ajo pa dhe varrin e lord Bajronit, i cili vdiq në këtë vënd martir. «Vëndi ka ende atmosferën tragjike të tablosë së Delacroix-së Greqia që po jep shpirt mbi gërmadhat e Misolongjit… A ka diçka më shumë prekëse sesa vdekja e Bajronit në këtë vend të pamposhtur?…”

1913: zbulimi i Shqipërisë

Eshtë rastësia që e solli Isadora Duncan të jetojë disa muaj në Shqipëri, në Santi Quaranta, Saranda e sotme. Në pranverën e vitit 1913, atëherë kur ajo përgatitej të intepretonte Ifigjeninë e Gluck-ut në teatrin e Châtelait në Paris, ajo u godit nga një tragjedi akoma më e tmerrëshme se ajo që do të intepretonte në skenën e atij teatri. Dy fëmijët e saj, viktimë e një aksidenti automobilistik, u mbytën në Senë. Jeta e saj artistike u ndërpre menjëherë. Bashkë me gruan e tij, Penelopën, vëllai i saj, Raymond Duncan, një intelektual dhe njohës i shquar i Epirit dhe i Greqisë antike, por dhe i Shqipërisë, i kërkoi që ajo të shkonte me ta në brigjet e Korfuzit, në Santa Quaranta, për të lehtësuar dhimbjen e madhe të saj.

Ja çfarë ka shkruar Isadora Duncan rreth kësaj periudhe:

«Nuk jam më e nevojshme për asgjë… po pres veç vdekjen. – Ti s’ke të drejtë të flasësh kështu, – i thoshte Raymond. – Pa mendon njëherë ata të mjerë në Santa Quaranta, ku nënat mbajnë në duart e tyre veç fëmijë të uritur. Turqit u kanë vrarë burrat dhe vëllezërit, u kanë djegur shtëpitë, u kanë vjedhur bagëtinë. Dhe ti s’mund të qëndrosh indiferente ndaj një tragjedie të tillë dhe të qash vetëm dhimbjen tënde. Atje duhen shpëtuar jetë njerëzish. Ata kanë nevojë për ty.”

Në një letër dërguar nga Korfuzi një mikes së saj, Elena, ajo i shkruante:

„Bashkë me vëllain tim Raymond, ne shkuam nëpër malet e Epirit, duke ecur 50 milje në ditë dhe duke fjetur në qiell të hapët, duke menduar e qarë për ata njerëz, në vënd që të isha në një dhomë e të mendoaj për ju. Ne vizituam qindra fshatra të djegura nga turqit; pamë ata njerëz të mjerë me shtëpitë dhe të korrat e shkatërruara. Nëse dikush nuk i ndihmon, ata do të vdesin nga skamja. Po përpiqem të ngremë disa streha për fëmijët. Ne do të kthehemi javës tjetër. Ah ata fëmijë, me ata sy aq të trishtë e të dëshpëruar, dhe ato gra që s’kishin ç’tu jepnin… »

Më pas, një miku të saj artist, Isadora i shkruante:

“Vëllai im Raymond dhe Penelopa pa patur asgjë me vete u nisën më këmbë për në Epir. Shkojnë drejt Janinës. Ç’kurajo! Mendojnë të kthehen pas një jave dhe do të më tregojnë për gjëndjen e saktë në të cilën ndodhen njerëzit dhe ai vend. Pastaj përmes një thirrje, ne do të përpiqemi të mbledhim fonde në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të mjerë. Ç’mendon ti? Thuhet se janë njëmijë familje që po vdesin urie. Dua të shkoj dhe unë që në një lloj mënyre t’i ndihmojmë ata fëmijë. Nese Paris Singer mund të vijë, do të ishte më thjesht, por edhe vetëm, do mund të bëja diçka. Këtu më thonë se janë peizazhe të njohura e të mrekullueshme. Do ëndërroja të ngrija atje një shkollë dansi, një vend ku të mblidheshin artistët… Po pres kthimin e Raymondit dhe do t’u shkruaj. Në vend që tu shkruaj këto fjalë boshe me frëngjishten time të keqe, do të doja tu dërgoja pamjen që kam përballë dritares, me hapësirën që hapet ballë detit. Përballë mund të shohësh gjer tutje tek malet, të cilët duken sikur përkunden në të kaltërtën midis tokës e qiellit, si në një imazh të “Tokës së Premtuar”. Ndonjëherë, duke admiruar këto imazhe, mendoj se ndoshta kam vdekur bashkë me fëmijët dhe se bashkë me ta kam hyrë në Parajsë. i ndjej shumë pranë meje. Dhe pastaj më kap dhimbja e tmerrshme fizike. Sytë e mi nuk do t’i shohin më ata. Duart e mia nuk do t’i prekin kurrë duart e tyre. Ende më shfaqen ato duart e tyre të dashura e të mjera që më përshëndesin nga makina që i mori me vete. E unë dua të klith nga dhimbja. Por në fakt, është jeta vetë që vuan…”

Jeta e përditëshme, midis Santa Quaranta-s dhe Korfuzit

Vëllai i saj, Raymond, shkonte shpesh në pazarin e Korfuzit. Një ditë, ai pati idenë të blejë thasë me lesh dhe ta sjellë në Santa Quaranta për ta punuar dhe për të ngritur një avlemënd për të punuar qilima. Në qytezën e mjerë ai vendosi një afishe: «Kush do të tjerë lesh, do të marr një drahmi në ditë». Një rresht i madh grash u krijua menjëherë. Më vonë, Rajmondi shkoi përsëri në Korfuz. Ai u kërkoi karpentierëve t’i bënin një tezgjah të madh. Për modele, Raymond-i kopjoi vizatime nga vazot e lashta të antikitetit. Buzë detit gratë punonin nën ritmin e këngëve. Këto mbulesa e qylyma të mrekullueshme, ai i dërgoi në Angli, në Londër, dhe me paratë e fituara ndërtoi një furrë buke që njerëzit të kishin bukë e të mos prisnin tu vinte nga Korfuzi.

Isadora Duncan kujtonte në kujtimet e saj:

«Shqipëria ishte një vënd i çuditshëm e tragjik. Atje është altari i parë i ngritur për Jupiterin, hyjninë e rrufeve, pasi dhe në dimër dhe në verë ka stuhi e rrebeshe… Me paratë që fitonin, ato gra të mjera blinin misrin që qeveria greke e shiste në port. Në Sarandë unë isha dëshmitare e shumë skenave tragjike. Një ditë, një nënë, ishte ulur rrëzë një peme me foshnjën e saj në krahë dhe tri-katër fëmijë të tjerë të vegjël i ngjiteshin rrotull, të urritur dhe pa mbrojtje. Shtëpia e tyre ishte djegur. I ati dhe i vëllai i saj ishin vrarë nga turqit, bagëtinë ua kishin vjedhur, prodhimet bujqësore ua kishin shkatërruar. Ajo nënë e mjerë ishte e vetme me fëmijët që i kishin mbetur. Pikërisht për këta fatkeqë Rajmondi shpërndante thasë me patate. Në kampin buzë detit ne ktheheshim të dërmuar nga lodhja. Por një lumturi e habitshme më depërtonte gjithë qënien. Fëmijët e mij kishin ikur njëherë e përgjithmonë, por tashmë kishte të tjerë fëmijë që vuanin dhe kishin uri. A nuk duhej të jetoja për ta?”

Në një intervistë dhënë një gazetari amerikan që takoi Isadora-n në Sarandë në vitin 1913, ndër të tjera, ajo kishte thënë:

“… Raymond-i bisedoi me ne rreth idesë së tij për ngritjen e një shkolle, e cila do të ishte rrjedhoje e kësaj pune. Atëherë u thirrën zdrukthtarë që përgatitën banga dhe dërrasa klase si dhe artizanë që ngritën tenda për ato gra, duke u mësuar që dhe ato të mund t’i ngrinin. Shpejt, një qytezë çadrash u shfaq papritmas mbi kodrinë. Përpjekjet tona dhanë si pasojë një shëmbull të mirë vlerash në këtë zonë të mrekullueshme, por dhe primitive, ku nuk ekzistonin shkolla dhe ku turqit, në ikje e sipër, i kishin djegur fshatrat dhe fushat e mbjella. Me vëllain tim, ne vizituam të paktën mbi 40 fshtra, ku gratë e fëmijët janë tashmë pa bukë dhe ushqimin e nevojshëm për të jetuar… Por ndërkohë, ne konstatuam gëzimin e përgjithshëm të njerëzve se pushtimi turk kishte marrë fund.”

Në kthimin e saj në Paris, vite me rradhë ajo do të ruante me dashuri imazhin e atyre grave të Sarandës, që aty buzë detit Jon, duke kënduar, tirrnin cohat e bardha. Frynte gjithnjë një fllad i lehtë. Një anije shquhej tutje në transparencën e qiellit të mëngjezit.

Ajo shkruante: „Kur shëndeti im u përmirësua dhe forcat më erdhën përsëri, jeta mes refugjatëve m’u bë e pamundur. Ka një diferencë të madhe midis jetës së një artisti dhe jetës së një shenjti. Jeta e artistit po zgjohej tek unë. Ndjeja se ishte e pamundur që me mjetet e mia të përballoja atë dallgë mjerimi që kishte pushtuar refugjatët shqiptarë… Një ditë ndjeva se duhej ta lija këtë vënd dhe t’i braktisja ato male, ato shkëmbenj të mëdhenj dhe stuhira. Penelopës i thashë: „Nuk mund ta shoh më këtë mjerim…“

Tekste të shkëputura nga romani i Luna Ramës, “Santa Quaranta” (Huajtur nga interneti) / KultPlus.com

Bija Jasiqi hapë ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë”

Artistja Bija Jasiqi që është e njohur për artin abstrakt do të prezantohet me ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të prezantohet me 16 vepra.

Bija Jasiqi përgjatë krijimtarisë së saj ka marr pjesë në shumë ekspozita, kurse me ekspozitën “Ecejaket e mia në pikturë” do të prezantohet me shumë ngjyra, duke pas në fokus edhe mbështetjen e gruas.

Kjo është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit.

Bashkëbisedim, ngjyra e verë ju presin në hapjen e ekspozitës së Bija Jasiqit. Ekspozita do të hapet më 20 shtator në ora 19:00 dhe do të rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com

Pianistja Ardita Statovci bashkë me talentet e rinj me koncert në Berlin, u vlerësua lartë nga të pranishmit

Në Berlin, Ambasada e Kosovës organizoi një koncert shumë të veçantë me pianisten e mirënjohur Ardita Statovci, së bashku me talentët e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Fortesa Jusufi, Andi Duraku, Lisa Sahatçiu, Melisa Ibrahimi dhe Rron Bakalli.

Koncerti u mbajt në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.

Loja e artistëve dhe i gjithë programi u vlerësua shumë lartë nga të pranishmit. Të mahnitur mbetën edhe dy personalitete të veçanta, Herbert Groeger, sponsor i Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina Prishtina dhe Johannes Neukirchen nga bordi i Young Euro Classic, një organizatë e rëndësishme për muzikantët e rinj.

Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe MPJ. / KultPlus.com

Rrëfimi i djalit të Kutelit: Im atë rebel, kritikoi regjimin e Zogut

Mitrush Kuteli nuk ishte vetëm një bankier i urtë, një personazh i qetë, por dhe një njeri rebel. Në 116-vjetorin e lindjes së prozatorit të madh shqiptar dhe në 80-të vjetorin e botimit të Poemit Kosovar dhe Poemi i Shëndaumit, i biri Pandi Pasko, foli për një tjetër karakter të të atit, atë të një njeriu antikomformist.

“Akuzat që i janë bërë Kutelit nuk kanë qënë asnjë bankare, lidhur me punën dhe kontributin e tij në sistemin bankar shqiptar. Ndryshe nga cfarë njihet si njeri i urtë, Kuteli ka qënë dhe një njeri rebel. Mos harrojmë librin e tij “Netë shqiptare” ku ai kritikon regjimin e Mbretit Zog. Ky libër u sekuestruar. Mendimi i tij kritik ishte shumë i ashpër. Nuk ishte e lehtë të shkruaje një libër si Netë Shqiptare dhe të tregoje për zullumet e sunduesve të atëhershëm të Shqipërisë”, tha Pandi Pasko, gjatë aktivitetit organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Netë shqiptare është vëllim me 8 rrëfime, botuar më 1938 në Bukuresht. Nga 1200 kopje sa kishte tirazhi i parë, 1000 u dogjën pa dalë akoma në treg, për shkak të një zjarri që shpërtheu në Kostancë. Vepra u bë e njohur kryesisht pas botimit të dytë më 1944. Për Kutelin si shkrimtar folën dhe Bashkim Kycuku, Alda Bardhyli, Ymer Ciraku, Leka Ndoja, Durim Caca./ Balkan Web / KultPlus.com