Kurti pas takimit me pesëshen: U ofrua plani për ecje përpara – ndëshkimi i Serbisë, vendimtar për mospërsëritje të sulmit terrorist

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit që pati me pesëshen diplomatike ne krye me emisarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak dhe atë të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se prioritet dhe çështje kryesore për Kosovës është siguria e shtetit, qytetarëve, kufijve dhe territorit.

Kurti tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, “ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”.

“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Kurti tha se diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht, teksa emisarët diplomatik kanë udhëtuar për në Beograd ku do të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq./klankosova/KultPlus.com

Soprano 13-vjeçare! Elbasan, e zbuloi talentin falë gjyshes

Ende nuk i ka mbushur 13 vjeç, por me zërin e saj ka filluar të pushtojë skenat.

Deborah Ymerali studion flaut dhe piano në shkollën e muzikës në Elbasan, por gjyshja e saj zbuloi një talent të fshehur, talent të cilin edhe Deborah do të fillonte ta donte.

Talentin tim e zbuloi gjyshja ime e cila kishte tre vite që më nxiste që një mësuese profesioniste të më dëgjonte, Unë vetëm pas 3 vitesh vendosa të shkoja të më dëgjonte një mësuese dhe ja vlejti. Tashmë kam filluar të marr pjesë në koncerte. Koncerti im i parë në Itali ishte në Ragusa dhe i dyti në Trento. Jam vlerësuar me çmimin special dhe çmimin e tretë”- tha Deborah Ymerali.

Muzika ka përfshirë gjithë vogëlushen e cila tashmë duket e ka të qartë dëshirën dhe pasionin më të madh që do ta shoqërojë gjithë jetën.

I kam vënë një qëllim vetes, të bëhem një soprano dhe të kap skenat botërore. Më pëlqen sopranoja Diana Damrau me “Queen of dhe night” dhe sigurisht Ermonela Jaho e cila ka bërë emrin e saj me shumë sakrifica”- u shpreh 13-vjeçarja.

Me gishtat që plot delikatesë prekin pianon 13 vjeçarja shkruan të ardhmen duke ju përkushtuar pasionit të saj për muzikën. Prindërit dhe mësuesja e saj janë kujdesur që Deborah të përgatitet fort dhe të marrë pjesë edhe në koncerte kantoje për moshën e saj në vende të Europës./topchanel/KultPlus.com

233 vite më parë lindi romancieri francez Alphonse de Lamartine

Alphonse de Lamartine, me emrin e tij të plotë Alphonse Marie Louis nga Prat de Lamartine, i lindur në Mâcon më 21 tetor 1790  është një poet, romancier, dramaturg francez, si dhe një personalitet politik që mori pjesë në Revolucionin e shkurtit 1848 dhe shpalli Republikën e Dytë. Ai është një nga figurat e shkëlqyera të romantizmit në Francë.

Ai e kaloi fëmijërinë e tij në Burgonjën jugore, veçanërisht Milly2, i cili ushqeu frymëzimin e tij poetik, dhe u formua në kolegj në Lyon dhe Belley.

Ai udhëton për në Itali dhe zë një funksion ushtarak epemeral me Louis XVIII. Në tetor 1816, në një kurë në Aix-les-Bains, takimi me një grua të re të martuar, Julie Charles, shënon një pikë kthese vendimtare në jetën e poetit, por historia e tyre pasionante e dashurisë kthehet në tragjedi kur Julie, mbeti në Paris, vdiq në dhjetor 1817. Atëherë Alphonse de Lamartine shkroi poezitë e Meditimeve, koleksioni i të cilave u botua në 1820 dhe arriti një sukses të mrekullueshëm.

 Ai u martua në të njëjtin vit Mary Ann Elisa Birch, një angleze e re dhe mbajti pozicionin e sekretarit të ambasadës në Itali përpara se të jepte dorëheqjen në 1830. Ai botoi gjatë kësaj periudhe vepra të tjera poetike si, në 1823, Meditimet e reja poetike dhe Vdekja e Sokratit, ose përsëri, në Qershor 1830, Harmonitë Poetike dhe Fetare pasi u zgjodhën në Akademinë Franceze në 1823.

Poema e tij e fundit e shkëlqyer, Vreshta dhe Shtëpia është shkruar në 1857. Alphonse de Lamartine vdes më 1869.

Lirika e tij e kombinuar me një shprehje harmonike është cilësia e poezive të Lamartine, pjesa më befasuese e veprës së tij janë poezitë plot ndjeshmëri të frymëzuar nga Julie Charles, të gërshetuara me temat romantike të natyrës, vdekjes, etj.

Ishte mjeshtër i lirikës romantike dhe kampion i dashurisë, natyrës dhe vdekjes, Alphonse de Lamartine shënon një moment historik në historinë e poezisë franceze me muzikën e tij. Në të vërtetë “Revolucioni Francez i Poezisë mund të datohet në Meditimet Poetike të Lamartinës: kjo pllakë e hollë pati një efekt edhe duke shpërthyer dhe themeluar në ripërcaktimin e ngadaltë të poezisë që shekulli XIX”.

Ai mbetet i admiruar gjerësisht për fuqinë e gjenialitetit të tij poetik dhe pa dyshim numëron ndër poetët më të mëdhenj francezë të shekullit XIX./KultPlus.com

​Zvicra prodhon termocentrale solare nga pjatat e vjetra satelitore

Dy kompani zvicerane do t’i shndërrojnë enët satelitore të vjetruara në Alpe në panele diellore gjigante dhe në këtë mënyrë do të përfitojnë nga terreni malor për prodhimin e energjisë së gjelbër.

Është instalimi i dytë i këtij lloji në qytetin Leuk në kantonin e Valais për të kthyer një antenë të vjetër në një termocentral.

Të vendosura në një mal, panelet diellore do të marrin më shumë rrezet e diellit direkte, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, sesa nëse do të instaloheshin pranë zonave urbane me mjegull e më të ulët.

“Ish-enët satelitore janë ideale si sisteme të energjisë diellore”, tha CKW Group, një kompani e shërbimeve të energjisë që po bashkëpunon në këtë projekt me kompaninë lokale “Leuk Teleport and Data Center”.

Në njoftim thuhet se antenat mund të përshtaten në mënyrë fleksibël me diellin dhe kështu të prodhojnë më shumë energji elektrike sesa panelet konvencionale.

Një antenë e tillë mund të plotësojë nevojat energjetike të 25 familjeve, njoftoi CKW Group.

Antenat e mbuluara me panele diellore kanë një diametër prej 32 metrash dhe janë të vendosura në rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, gjë që u lejon atyre të marrin nivelin optimal të dritës së diellit edhe në dimër.

Në gusht të vitit të kaluar, qeveria zvicerane nisi një fushatë për të inkurajuar konsumatorët dhe kompanitë të kursejnë energjinë për të parandaluar mungesën e gazit dhe energjisë elektrike.

“Zvicra përballet me një sfidë të madhe: Deri në vitin 2050, do të ketë një mungesë prej rreth 50 teravat orë energji elektrike në vit,” tha Axpo Group, prodhuesi më i madh zviceran i energjisë së rinovueshme, në pronësi të CKW Group/rtv21/KultPlus.com

98 vite më parë lindi ‘Mbretëresha e Muzikës Latine’, Celia Cruz

Sot, janë bërë 98 vite nga lindja e artistes latine të shekullit XX, Celia Cruz.

Ursula Hilaria Celia Caridad Cruz Alfonso (21 tetor 1925 – 16 korrik 2003) ishte një këngëtare kubane dhe artistja më popullore latine e shekullit të 20-të.

Ajo mori një yll në “Walk Of Fame” në Hollywood. Presidenti i SHBA Bill Klinton i dha asaj Medaljen Kombëtare të Arteve në vitin 1994. Ajo ishte e njohur ndërkombëtarisht si “Mbretëresha e Salsa”, “La Guarachera de Kuba”, si dhe “Mbretëresha e Muzikës Latine”.

Ajo përgjatë karrierës së saj ka punuar shumë në Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Amerikës Latine. Leila Cobo nga Billboard Magazine dikur tha: “Cruz është padyshim figura më e njohur dhe më me ndikim në historinë e muzikës kubane dhe latine”.

Ajo ishte një ambasadore për shumëllojshmërinë dhe vitalitetin e muzikës së Havanëve të saj, dhe pas revolucionit kuban, ajo u bë simbol i lirisë artistike për mërgimtarët kubanë amerikanë. Ajo vdiq nga kanceri i trurit në vitin 2003./KultPlus.com

Me tingujt e ‘Bareshës’ përurohet shtatorja e Mbretëreshës së Muzikës, Nexhmije Pagarushës

Sot, në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës, në sfond me tingujt e ‘Bareshës’ është bërë përurimi i shtatores së Mbretëreshës së Muzikë Shqipe, Nexhmije Pagarushës, skruan KultPlus.

Ambasadori Qemajl Minxhozi, kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, këngëtarja Shpresa Gashi dhe përfaqësues të familjes sot bënë prerjen e  shiritit me rastin e përurimit të bustit.

/KultPlus.com

Pesëshja diplomatike takohet me Kryeministrin Kurti

Pesë emisarët evropiano-amerikan kanë mbërritur në ndërtesën e qeverisë, ku pritet të nisë së shpejti takimi me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Pesëshja diplomatike përbëhet nga emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsolav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretarin e ShBA-së, Gabriel Escobar, bashkë me këshilltarët e liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Takimi me Kurtin vjen gati një muaj pas agresionit të Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Ndërsa dje, kreu i qeverisë deklaroi se kërkesat dhe ofertat e tyre do merren vesh gjatë takimit që do ta ketë me ta.

“Çka do të kërkojnë e çka do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin e shoqërinë”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Pas vizitës që pesë emisarët do ta kenë në Kosovë, ata pritet që menjëherë ta vizitojnë edhe shtetin e Serbisë./klankosova/KultPlus.com

Virgjili, poeti i famshëm romak i cili flet për Ilirët dhe Ilirinë

Virgjili ishte një poet romak, i famshëm për shkrimin e Eneidas, dhe për prezencen e tij tek operat e Dante Alighieri. Në shkrimet e tij ai flet edhe për Ilirët dhe Ilirinë.

Virgjili lindi afër Mantovës në vitin 70. Virgjili studioi për retoriken dhe filozofinë në Romë. Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Napoli ndërsa vdiq në Brundisi gjatë kthimit të tij nga Greqia. Ndër veprat më të hershme të Virgjilit, më e rëndësishmja është “Bucolica” (Këngë baritore). Vepra të tjera të rëndësishme të këtij autori janë edhe “Eclogae” (Vjersha të zgjedhura), “Georgica” (Poem mbi bujqësin), dhe poema epike kushtuar Oktavian Augustit “Aeneis”

Virgjili në veprën e tij “Bacolica” shpesh përdor realizma të kohës në të cilën jetoi ndërsa në poemën “Georgica” mund të shihet dashuria e sinqertë e tij për natyrën dhe bujqësinë dhe bën përpjekje për të përgjithësuar njohuritë mbi ekonominë fshatare.

Në vepren e tij “Eneiden” (“Iliada” e “Odiseja” romake) tregon për peripecitë e udhëtimit të heroit trojan Eneas, i cili përpara se të arrinte në Lat për të formuar gjoja mbretërinë e tij në tokën latine qëndroi për pak ditë edhe në Butrint. Kjo poemë mbeti e papërfunduar dhe u botua vetëm pas vdekjes së autorit./KultPlus.com

Presidentja Osmani pret deputeten Kearns, kërkon të merren masa ndëshkuese ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, njëherësh kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. Kearns po qëndron në një vizitë në Kosovë me ftesë të Presidentes Osmani.

Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për deputeten britanike, Alicia Kearns, për përkrahjen e jashtëzakonshme për Kosovën dhe popullin e saj. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ngritur vetëdijën për rreziqet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor.

Takimi me deputeten Kearns u përqendrua në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.

Presidentja Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë.


Më tej, Presidentja Osmani tha se deputetja Kearns ka treguar vazhdimisht përkushtimin e saj për ta mbështetur Kosovën në afirmimin e të vërtetës, ndaj e ka falënderuar në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Deputetja Alicia Kearns është një avokuese e shquar për Kosovën, ndaj ne presim që edhe më tej, angazhimi i saj të jetë në funksion të prezantimit të gjendjes reale këtu, duke u mbështetur në argumente e fakte, ashtu siç bën vazhdimisht ajo”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërkaq deputetja Kearns, falënderoi Presidenten Osmani për ftesën dhe theksoi përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit./KultPlus.com

‘Bilbili i Kosovës’ rikthehet e bronztë në Pagarushë

Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha “ringjallet” sot në fshatin e saj të origjinës në Pagarushë të Malishevës, me shtatore bronzi.

Aktivitetet do të fillojnë që nga ora 10:00 me nderime te varri i saj në Pagarushë, me pas do të zbulohet bustit dhe në fund të Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë do të jepet një shfaqje kulturore e artistike.

Ky aktivitet organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë.

“Jetësimi i kësaj vepre të madhe po bëhet edhe falë kontributit të jashtëzakonshëm të banorëve të fshatit Pagarushë, miqve e dashamirëve të familjes së madhe Pagarusha, nga të gjitha trevat shqiptare, dhe për këtë, qeverisja jonë komunale u është mirënjohës thellësisht”, ka shkruar kryetari i komunës, Ekrem Kastrati.

E cilësuar si “Bilbili i Kosovës” Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 ndërsa u shua me 7 shkurt 2020. Ajo ishte një këngëtare dhe aktore shqiptare, ndërsa konsiderohet edhe si “mbretëresha e muzikës shqiptare”, e cila këndoi me përkushtim rreth 40 vjet.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Disa nga veprat e saj që kanë mbetur në antologjinë e këngës e interpretimit janë: “Baresha”; ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”,”Zambaku i Prizrenit” e shumë të tjera.

Kujtojmë, se shtatoren e Pagarushës e ka realizuar skulptori Agon Qosja./rtk/KultPlus.com

“Topi që shemb kështjellat më të forta është atdhedashuria”

Naim Frashëri ka qenë poet dhe shkrimtar shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe figura qendrore e letërsisë së Rilindjes, shkruan KultPlus.

Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve.

KultPlus sot ju sjell një nga shprehjet e tij të shumta kushtuar atdheut.

“Topi që shemb kështjellat më të forta është atdhedashuria.”/ KultPlus.com

Deklarata e Samitit ShBA-BE: Kosova dhe Serbia urgjentisht të zbatojnë pa kushte marrëveshjen

Pas samitit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, pjesëmarrësit kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku theksohet se Kosova dhe Serbia urgjentisht duhet të zbatojnë pa kushte marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe Ohër.

Në deklaratë, po ashtu theksohet nevoja që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet, raporton Klan Kosova.

Deklarata përmban 34 pika gjithsej dhe në pikën e tetë përmendet Kosova dhe Serbia.

“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen tonë për perspektivën e BE-së të rajonit. Të gjithë partnerët duhet të vazhdojnë të bëjnë reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre evropiane. Ne theksojmë nevojën që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe kthimit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Samitit ShBA-BE. /KultPlus.com

10 poetë shqiptarë botohen në revistën e njohur letrare “The AutoEthongrapher”

Poetja nga Kosova, Vlora Konushevci, ka njoftuar së fundmi se 10 poetë dhe 10 poezi të përkthyera nga ajo janë botuar në revistën letrare, “The AutoEthnographer“, shkruan KultPlus.

Konushevci, njoftoi për këtë lajm përmes një postimi në “Facebook”.

“Përpjekjet për promovimin e poetëve tanë në botën anglishtfolëse nuk shkojnë huq. 10 poetë dhe 10 poezi të përkthyme prej meje botohen në revistën letrare “The AutoEthongrapher”! Poetët: Halil Matoshi, Dije Demiri Frangu, Ilire Zajmi, Blerina Rogova Gaxha, Ardita Jatru, Enkeleida Ristani, Manjola Brahaj, Nora Prekazi, Ardiana Prishtina & Vlora Ademi. Urime poetëve!”, shkroi ajo mes tjerash.

“The AutoEthnographer”, është revistë letrare dhe artistike amerikane e vlerësuar me shumë çmime letrare, e cila i kushtohet paraqitjes së anës krijuese të autoetnografisë, një metodë e kërkimit cilësor që bashkon autobiografinë dhe etnografinë duke përdorur përvojën e jetuar si dëshmi për t`i eksploruar dukuritë kulturore.

Është anëtare e shumë shoqatave ndër tjera edhe e CLUMP (Komuniteti i revistave letrare dhe shtypit letrar), komunitet i qindra botuesve letrar, dhe krijimet e saj janë nominuar ndër të tjera për “Pen America” dhe “Pushcart Prize”. /KultPlus.com

Lirimi i Pantiqit, Sveçla: Kjo s’është drejtësi

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës që dha dorëheqje në nëntor, personi i akuzuar për sulmin me mjete shpërthyese në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicë, Dejan Pantiq, është liruar nga arresti shtëpiak, dhe masa e sigurisë është zëvendësuar me një dorzan prej 30 mijë eurosh, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook’, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani.

“Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”, ka deklaruar Sveçla.

Sipas tij, një pjesë e madhe e këtyre kriminelëve kanë vepruar në të njëjtën mënyrë.

“Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në veriun e vendit tonë e që sulmuan insitucionet e Republikës së Kosovës, Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”.

Sveçla gjithashtu shton edhe pjesën se veprat e Pantiqit dhe të tjerëve janë mjaft të rënda dhe sipas tij me këto vendime dëmtohet drejtësia dhe ligji.

“Po ashtu, veprat për të cilat akuzohen Pantiq dhe të tjerët nuk janë çfarëdo veprash. Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në veriun tonë dhe as drejtësisë. Përkundrazi, ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër. Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëqarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës”.

“Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”, ka deklaruar tutje Sveçla. /KultPlus.com

Rama takohet me deputeten britanike Kearns: Dëshmoi përkrahjen e pakursyer për Kosovën

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka takuar deputeten e Parlamentit Britanik, zonjën Alicia Kearns, shkruan KultPlus.

I pari i Prishtinës, thotë se virtytet që e lartësojnë njeriun më së shumti, në kohë të vështira, janë guximi dhe besnikëria ndaj së vërtetës.

“Në kohë të vështira, janë guximi dhe besnikëria ndaj së vërtetës virtytet që e lartësojnë njeriun. Zonja Kearns i dëshmoi këto me përkrahjen e pakursyer për të vërtetën e Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kryetarja e Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, e ka mbrojtur Kosovën nëpër shumë prej statuseve dhe paraqitjeve të saj që ka pasur së fundmi. /KultPlus.com

Solidariteti në hapat tuaj,”Vrapo Baba-dimër” maratona e kauzës madhështore

Uranik Emini

“Vrapo Baba-dimër” është një mini-maratone e jashtëzakonshme, ku kostumet e babadimrit bëhen një mjet i fuqishëm për të ndihmuar fëmijët e prekur nga leukimia, shkruan KultPlus.

Ky event është shndërruar nga një nismë e vogël në një event tradicional në Prishtinë.

Edhe këtë vit, “Vrapo Baba-dimër” do të organizohet më 10 Dhjetor, me ç’rast do të mbahet mini-maratona e njohur tanimë.

Organizatori Jusuf Islami, njoftoi për KultPlus se ky edicion i “Vrapo Baba-dimër” do të jetë më i veçanti ndonjëherë.

“Eventin Vrapo Babadimër e kemi organizuar para 8 viteve me 100 pjesëmarrës, ndërkaq gjatë këtij viti pritet të jenë rreth 3 mijë deri 5 mijë persona që do të marrin pjesë. Do të ketë një bashkëpunim më të madh me shkollat, nxënësit, Komitetin Olimpik, klube të ndryshme të sportit, prindër të ndryshëm që më kanë shënuar”, thotë mes të tjerash Islami.

Islami tutje njofton se për këtë event nuk është e caktuar një moshë që determinon pjesëmarrjen, të gjithë janë të ftuar, të gjithë ata që blejnë një kostum të babadimrit.

“Nuk ka moshë që e përcakton pjesëmarrjen. Nuk është e detyrueshme të vraponi patjetër, mundeni të vini dhe vetëm të qëndroni aty i veshur si babadimër, por patjetër duhet ta keni veshjen si babadimër, si kod i veshjes”, shpjegon tutje ai.

Në këtë event të madh, çdo hap që hedhim është një hap drejt shëndetit dhe shpresës për këta fëmijë.

“E kemi mbështetjen nga Komuna e Prishtinës dhe shumë e shumë biznese të tjera. Unë po shpresoj që do të kalojmë shumë mirë në këtë edicion. Vrapimi do të fillojë te “Katedralja” për të vazhduar deri te “Teatri Kombëtar i Kosovës”, ndërkaq do të vazhdojë edhe më tutje si maratonë për të tjerët. Mini-maratona humanitare do t’i ndihmojë fëmijët që janë në repartin e onkologjisë, që janë të prekur me leukimi. Jam shumë i lumtur që kjo kauzë po rritet çdo vit e më shumë, për mua mbetet një prej eventeve më të bukura që e ka Prishtina dhe Kosova”, përfundon Islami.

“Synimi kryesor është që për 10 vjetor të bëjmë të pamundurën në mënyrë që të sigurojmë 10 mijë pjesëmarrës në këtë event.

Mini-maratona do të zhvillohet më 10 dhjetor në Sheshin “Xhorxh Bush”.

Ndërkaq, çdo biznes që dëshiron të marrë pjesë në këtë event mund të shkruaj në organizatën jo-qeveritare “Vrapo Babadimër”. /KultPlus.com

Fenomeni Mira Murati e ulur pranë Bill Gates në 10 vjetorin e programit Code Tech Education

Inxhinierja shqiptare, Mira Murati e cila njëherësh është shefe e teknologjisë në kompaninë OpenAI ishte e pranishme në eventin e 10 vjetorit të platformës Code.org.

Por, ajo që zgjoi vëmendjen e të gjithëve është se shqiptarja ishte ulur në panel pranë themeluesit të Microsoft, Bill Gates.

“Mësoni sa më shumë që të jetë e mundur – bëjini gjërat … të përshtaten me mjetet e reja. Kodimi është më i arritshëm se kurrë më parë”, raportohet të ketë thënë Murati gjatë këtij eventi.

OpenAI është kompania që vitin e kaluar bëri bujë me lansimin e chatbotit me Inteligjencë Artificiale ChatGPT si dhe projekte të tjera me këtë teknologji.

Me lansimin e ChatGPT, shumë kompani të tjera teknologjike shtynë synimet për të lansuar gjithashtu mjete të ngjashme me AI sikurse Google, Meta dhe kompani të tjera. Sipërmarrësi Elon Musk gjithashtu po punon në një mjet të tillë. /KultPlus.com

“Designboom”: Piramida e Tiranës, monumenti i saporinovuar i Shqipërisë

E inauguruar në fillim të këtij viti në kryeqytetin shqiptar, Piramida e Tiranës e saporinovuar është hapur për publikun si një qendër e re kulturore, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “Designboom”.

Monumenti fillimisht shërbeu si një muze kushtuar diktatorit komunist, Enver Hoxha dhe më vonë qëndroi si një arkitekturë fantazmë që i mbushte njerëzit me emocione të përziera.

Pavarësisht nga e kaluara e saj e hidhur, struktura sot dëshmon një transformim dramatik.

Struktura prej betoni është riimagjinuar nga MVRDV, një nga kompanitë më të mira të arkitekturës në botë, si një skulpturë e hapur në një park të ri, shtëpia e një ansambli kutish shumëngjyrëshe, të shpërndara brenda dhe rreth ndërtesës origjinale që tani strehon kafene, studio, zyra, inkubatorë, festivale dhe klasa ku të rinjtë shqiptarë do të mësojnë falas lëndë të ndryshme teknologjike. /ATSH /KultPlus.com

Vjosa Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij të deritashëm dhe i uroi suksese në angazhimin e mëtejmë.

Me rastin e përfundimit të mandatit të tij, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Minxhozi për angazhimin e tij përgjatë viteve për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes të dy shteteve simotra.

Me këtë rast, ajo e vlerësoi bashkëpunimin, si dhe përkushtimin e ambasadorit Minxhozi për t’i përafruar edhe më shumë qytetarët e vendeve tona.

“Presidentja Osmani deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në unifikimin e politikës së jashtme mbetet prioritet, duke thënë se fuqizimi i vazhdueshëm i koordinimit diplomatik është interes jo vetëm i shteteve tona, por edhe i rajonit në tërësi. Në këtë frymë, Presidentja përmendi edhe nevojën e vazhdimit të thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve tona”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentes.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend e rajon, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, me ç’rast, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e Shqipërisë që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim.

Presidentja theksoi se shqiptarët në të dy anët e kufirit gjithnjë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten faktor stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik. /KultPlus.com

Sir Noel Malcolm në Prishtinë: Mbrojtja më e mirë është e vërteta

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në Bikliotekën Kombëtare të Kosovës, u nderua veprimtaria e historianit dhe shkrimtarit britanik, Sir Noel Malcolm, i cili me shkrimet e tij dha një kontribut të pashlyeshëm për Kosovën dhe shqiptarët, shkruan KultPlus.

Në një mbrëmje, ku ishte i pranishëm edhe vetë Malcolm, u dha filmi dokumentar mbi veprimtarinë e pashoq të Sir Noël Malcolm.

Ky film dokumentar, skenarin dhe regjinë e të cilit e ka bërë Mal Berisha, ndërsa producent ekzekutiv është Dr. Ahmet Ulaj, zbulon ndikimin që ka pasur vepra e autorit për një të vërtetë të munguar për historinë e Kosovës dhe shqiptarët, si dhe për ndërgjegjësimin e diplomacisë botërore për Kosovën.

Pas shfaqjes së filmit dokumentar mbi veprimtarinë e tij dhe kontributin për popullin e Kosovës, fjalën e mori Noel Malcolm, i cili me shaka tha se nga komplimentet e shumta që mori, iu duk vetja sikur kishte ardhë në funeralin e tij.

“Faleminderit që keni ardhur këtu për të marrë pjesë në takimin e sotëm dhe veçanërisht ju falënderoj për për filmin dokumentar. Ishte një eksperiencë pak e çuditshme për mua që pashë këtë film. Turpohem pak kur dëgjoj komplimentet e tilla. Kisha përshtypje se kisha ardhur gabimisht në funeralin tim, sepse komplimentet e tilla janë të përshtatshme për një funeral. Por, jam shumë mirënjohës. Si ka u thënë në fillim, kur kam shkuar librin, e kam botuar një vit para luftës. Besoj dhe shpresoj se libri kishte pak influencë mbi politikën e Perëndimit në një periudhë të krizës”, u shpreh Malcolm, i cili nëvijim shtoi se megjithatë ai mbetet vetëm një historian, sepse në shkallën shkencore, mbrojtja më e mirë është e vërteta.

“Shpresoj se kam shkuar të vërtetën për Kosovën”, përfundoi Malcolm.

Në këtë ceremoni fjalën e mori edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili u shpreh se profili i Noel Malcolm është po aq mahnitës sa edhe vepra e tij e shkruar.

“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë mbrëmje, duke e dashur të ndajmë me ju një episod besoj  shumë veçantë.Në mes të qershorit të vitit 1999 ku trupat e NATO-s hynë në Kosovë, mes mijëra fotografish që janë bërë në ato ditë të çlirimit në Kosovës, një ushtar norvegjez i KFOR-it, Kenet Andersen, e shkrepi një fotografi që mbase edhe nuk ka marrë shumë vëmendje,por të cilën e përmendi edhe Daut Dauti në këtë film. E kam fjalën për fotografinë në të cilën shihet një ushtar britanik, i ulur diku në Prishtinë, duke e lexuar librin “Kosova, një histori e shkurtë”, i shkruar nga Sir Noel Malcolm. Unë i kërkova stafit tim që ta shtypim dhe ta vendosim në një kornizë këtë fotografi për ta shikuar bashkërisht dhe për t’ia dhuruar zotit Malcolm, sepse pikëpamjen time kjo fotografi e ka fiksuar me një pamje leximin e historisë dhe bërjen e historisë njëkohësisht”, u shpreh ministri Kurti.

Më pas Kurti nuk la pa përmendur edhe ndikimin që pati libri ‘Kosova, një histori e shkurtër’, e Malcolm në pikëpamjen e publikut perëndimor.

“Vetëm pak ditë para se të bëhej këto fotografi, libri “Kosova, një histori e shkurtër” ishte ribotuar për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër, pasi që fillimisht ishte botuar në vitin 1998 e autori Sir Noel Malcolm, që sonte e kemi kënaqësinë dhe nderin e jashtëzakonshëm ta mirëpresim në Kosovë e në Prishtinë e të jetë këtu mes nesh, e kishte menduar ta shkruante këtë libër për publikun perëndimor me idenë që të rrëfente dhe sqaronte duke shpjeguar e të shpjegonte duke dokumentuar dhe argumentonte për Kosovën e cila ndodhej në prag të luftës dhe vërtet ky libër ndihmoi shumë për orientimin e publikut perëndimor, shumë të akademikë apo politikë në raport me të vërtetët e historikeve për Kosovën.Aq më tepër që Kosova një histori e shkurtër u shtrua pas një hulumtimi intensiv nëpër burime arkivore e botime dokumentare në studimet e historiografisë shqiptare dhe historiografisë serbe, si dhe nëpër botime ballkanike”, u shpreh në vijim Kurti.

Fjalën e mori edhe Mal Berisha, autori i filmit dokumentar mbi jetën e Sir Noel Malcolm. Berisha u shpreh se e cilëson këtë mbrëmje si një prej netëve më emocionuese të jetës së tij.

“Nëse një njeriu si unë, i cili ka jetuar që në fëmijërinë e vet me dashurinë, brengën, shqetësimin, gëzimet dhe hidhërimet që i ka dhënë Kosova, të cilën e ka dashur pa kushte, do t’i ishte dhënë kjo mundësi që ju më dhatë mua sonë, atëherë unë do ta quaj atë njeri të bekuar. Është një punë e cila e ka zanafillën e vetë që nis në një fshat të Malësisë të Gjakovës, metropolin e vjetër ku kam lindur dhe ku jam bekuar me të gjithë dashurinë për Kosovën nga gjithë familja ime dhe rrethi im familjar. Jeta solli që aty nga viti 2012-2015 të kisha nderin të shërbeja si ambasador i Republikës së Shqipërisë Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë asaj periudhe pata rastin të takoj shumë njerëz të shquar të atij vendi, por ai që ishte më i shquarit për mua dhe mendoj edhe për Kosovën ishte pikërisht Sir Noël Malkon”, u shpreh fillimisht Berisha.

Ai më pas foli edhe për atë që e bëri të realizojë këtë dokumentar.

“I bindur për vlerën e jashtëzakonshme të veprës së Ser Mal Malkolmit për një shqiptar mendova dhe besova se një film dokumentar për jetën dhe veprën e tij, i rrëfyer nga figurat më të shquar britanike akademike shqiptare, shqiptaro-britanike ose britaniko-shqiptare, ishte një detyrim dhe shprehje e mirënjohjes së thellë ndaj veprës së tij. Duke menduar edhe si ambasador, tash më në pension, thashë me vete se një dokument dokumentar i tillë do të shëbente edhe forcimit të marrëdhënieve të Kombit tonë me Mbretërinë e Bashkuar”, tha Berisha, i cili në vijim falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij dokumentari.

Ndërkaq, kjo ceremoni u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nën organizimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”./KultPlus.com

Pikëtakim i habitshëm mes Rimbaud dhe Migjenit

“Të thashë se poeti duhet të jetë një “profet”, pra duhet të bëhemi “profetë”… Poeti i kërkon të gjitha format e dashurisë, të dhimbjes, të çmendurisë. Ai i provon në vetvete të gjitha helmet për të ruajtur veçse thelbësoret…” A. Rimbaud.

Nga letra dërguar mikut të tij Paul Demeny, 15 maj, 1871.

Rimbaud, ky gjeni!…

Arthur Rimbaud (Rembo) u shfaq vonë në botën e poezisë dhe të kulturës shqiptare. Ai erdhi me vargje tronditëse, vezulluese e magjike. Por sapo u shfaq, e kuptuan se ky poet vinte nga universi i gjeniut. E përqafuan njëherësh. E kthyen në mit. Në vitet 20’-30’ të shekullit të kaluar, jo pak liceistë të Liceut Francez të Korçës, recitonin në shkollë vargjet e Rimbaud. “Anija e dehur” apo “Një stinë në ferr” i rrëmbente të rinjtë dhe i çonte larg, në detra të tjerë drite, magjie dhe tallazi. Rimbaud dhe Verlaine vinin bashkë; bashkë me idhullin e tyre Charles Baudelaire dhe poetët e tjerë simbolistë. Sa herë përkthehej Baudelaire, do të përktheheshin dhe poetët e “mallkuar”, Rimbaud e Verlaine; do të flisnin në shqip dhe poetët e rrugës e të jetës boheme, të dhimbjes dhe dramës njerëzore, të ngazëllimit dhe shpresës. Poetët e humbjes së madhe. Të gjithë donin ta dëgjonin sërish këngën e tyre, që edhe ata të përvijonin në botë të tjera, në një tjetër jetë, atë të pavdekësisë. Dhe nuk ishin pak ata që donin t’u përngjanin.
Migjeni, me “Vargjet e lira” dhe forcën e vargut të tij, ishte një lloj Rimbaudi shqiptar. Në një tjetër ndjesi, me mistiken dhe imazhin poetik. Në një tjetër rrafsh edhe Lasgushi kishte diçka nga vargu i poetit të madh. A nuk shkruante ai:

“Se s’dashuroja as unë as ti,
por dashuronte dashuria,
një dashuri, një fshehtësi,
më e fshehtë se fshehtësia”?

Alkimi e Verbit si te Rimbaud? Vargu mistik?… Ngjizmë e shpirtit, e agut me terrin, e plagës dhe dashurisë, e protestës së moskuptimit? E megjithatë, ai që i ngjante vërtet një Rimbaudi shqiptar ishte Migjeni, Millosh Gjergj Nikolla, i cili, ashtu si Rimbaud, vdiq tepër i ri, larg familjes së tij, në një spital, i vetmuar, i trishtuar, i rrethuar me dashurinë dhe përkujdesjen e një motre, si dhe ai; larg me vdekjen e paralajmëruar, nga e cila nuk mund të shpëtonte. Olga e tij ishte si një Vitalie e Rimbaud, si ajo vajza e përgjëruar e Ardennes, me fytyrën e paqtë, e cila i qëndroi pranë deri në çastet e fundit; ashtu si Rimbaud, edhe Migjeni u shua në një gjumë të thellë, të pafund, në një dhomë të sanatoriumit të Santa Peliçes. Madje dhe si krijimtari, edhe Migjeni shkroi poezi në pak vite. Edhe ai ishte një yll poetik, që u shua shpejt. Pak poezi, por tepër të fuqishme, tronditëse. Si Rimbaud edhe zemra e tij klithte: “Do ta godas me grusht malin!”… Ashtu si ai edhe Migjeni nuk e besonte perëndinë, Zotat. Ai ishte i dënuar nga Kisha, pasi në poezinë “Blasfemi”, djaloshi i ri kishte shkruar:

“Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe mjekra të hoxhallarëve
O sa engjuj të bukur, përpara derës së ferrit…”

Dhe së fundi, ashtu si Migjeni, që u dëshpërua thellë me librin e tij të parë “Vargjet e lira”, i cili u censurua menjëherë, edhe Rimbaud do të vritej në shpirt me një dhimbje të pafund, meqë ia kthyen krahët librit të tij të parë “Një stinë në ferr”, të cilën e çoi në Paris.
Padyshim që Migjeni do jetë frymëzuar nga poezia e Rimbaud, e cila, atë kohë, sapo ishte bërë e njohur në Shqipëri. Letrarët e parë, veçanërisht ata të Liceut Francez të Korçës, tashmë botonin përkthime nga Baudelaire dhe Rimbaud. Studenti i Grenoble, Dhimitër Shuteriqi, përkundej atëherë me vargjet e “Anija e dehur”. Migjeni duhet t’i ketë lexuar ato edhe në italisht. Dhe nga vetë vargu i lirë që përdorte, Migjeni i përngjante Rimbaud, me dëshirën për t’u shkëputur nga tradita poetike dhe për të qenë modern. Modern për një kohë të re, për një njeri të ri. “Duhet të jesh modern!”, shkruante Rimbaud, “…duhet një shoqëri e re”. “Të lindet njeriu”, shkruante më vonë Migjeni: “Na të birtë e shekullit të ri”. E habitshme gjithashtu edhe përafërsia e ndjesive që gjejmë dhe në dorëshkrimin e fundit të Migjenit, të shkruar në 27 korrik të vitit 1938, datë pas së cilës ai nuk do të shkruante më:

“Ku janë orët dhe muzat?
Shtajzovallet dhe zanat ku janë?
S’po flitet ma për vallet e tyre,
as për sytë e tyne,
që të shitojnë ose të bajnë fatbardhë, s’po flitet…”

(Fragment nga libri: “Rrugëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud”)

Poezia e Naim Frashërit kushtuar hapjes së mësonjëtores shqipe në Korçë

Poezi nga Naim Frashëri

O vëllezër shqipëtarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë! / KultPlus.com

Kjo është fotoja më e bukur panoramike e shkrepur me dron për 2023

José D. Riquelme nga Spanja është shpallur fituesi i Epson International Pano Awards 2023 për shkrepjen mbresëlënëse të disa fotografive panoramike.

Fotografia e tij me titull “Ura” kryesoi në kategorinë Natyrë/Peizazh i Hapur për pamjen e saj që lë pa frymë në peizazhin islandez.

“Pas mbi 12 vizitave në Islandë duke eksploruar vendet e saj magjike, gjatë një pushimi vendosa të ndryshoj këndvështrimin dhe të përdor dronin tim për disa shkrepje”, tha Riquelme.

“Për habinë time, kam kapur këtë imazh të pabesueshëm. Nga lart vijat formojnë një urë që kalon nga e majta në të djathtë, ndërsa në tokë forma abstrakte dalin nga uji i lumit që rrjedh nga akullnaja”.

Në konkursin e vitit 2023 janë dorëzuar 4414 foto nga fotografë nga 102 vende. Çmimet përfshinin para, si dhe pajisje nga sponsori i konkursit EPSON Australia.

Merche Llobera, gjithashtu nga Spanja, u shpall Fotografja Amatore e Vitit për një koleksion fotografish të botës nënujore. Çmime speciale iu dhanë fituesve të vendit të parë në fotografinë panoramike ajrore ose fotografinë panoramike me smartphone.

Përveç kësaj, kuratori i ekspozitës David Evans i dha një çmim të veçantë polakit Krzysztof Browko për fotografinë e tij të pabesueshme të një kishe në Slloveni të mbuluar nga mjegulla./KultPlus.com

“Kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur”

facebook sharing button

Poezia “Fjalët e Qiririt” nga Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com