‘Ah, sikur të ngrihem edhe unë në këmbë për ta pritur me indiferencë shpatën e vdekjes në qafën time’

Nga Moikom Zeqo

Në vitin 2003 unë, shkruesi i këtyre rreshtave shkova në manastirin e Cetinjës. Më priti kryemurgu i cili quhej Peter. Kërkova të shihja kokën e Mehmet Pashë Bushatlliut. Mbas disa ngurimeve plot mosbesim më çoi tek arka ruajtëse. Kishin kaluar 213 vjet. E hapi arkën. Pashë vetëm një kafkë të nxirë si një fildish i zi. Vetëm dhëmbët kërcënues zbardhnin. Doja ta fotografoja. Por kryemurgu reagoi gati me zemërim. Ishte e ndaluar ta fotografoja. Pse? Është e ndaluar. Ndjell fatkeqësi. S’duhet fotografuar. Bestytni? Aspak! S’lejohet ta fotografojë askush. Ja e patë, mos kërko më tepër. Ç’rëndësi ka ta fotografosh? Mjaftohu me kaq! Ah!

E dija historinë e vitit 1893 të mbretit të Saksonisë, Frederikut që e pa kokën e Mehmet Pashë Bushatlliut në manastirin e Cetinjës. Më mirë mos ta kisha ditur këtë histori. Ndjeja në vetvete një dyzim. Mbreti gjerman, shkencëtar i hajthëm dhe i përkorë i botanikës kishte një shpirt delikat, deri diku poetik. Në 1893 natyrisht unë s’kisha lindur (askush s’mund të përfytyronte se do të lindja). Për një trill të historisë unë pashë kokën e njëjtë që pa edhe mbreti.

Kryemurgu më tha ndër të tjera se isha i vetmi shqiptar që kisha kërkuar ta shikoja kokën në fjalë. Mundet që kujtesa pamore e mbretit (tashmë të vdekur) të të ishte e përafërt (ose autentike) me kujtesën time. Por unë s’isha mbreti gjerman. Për më tepër isha shqiptar. S’e honeps dot patetikën e kotë, as emocionet e harlisura dhe idiote. Kafka e pashait shqiptar në fakt është e padallueshme në anonimatin e kohës. Një simbol paradoksi i kronikës para tri shekujsh. Gjithsesi kjo kafkë tmerruese më kujton (na kujton) skenën emblematike të Hamletit me kafkën e gastorit Jorik. Historia është Hamleti.

Një Hamlet kolektiv (ndoshta dhe providencial) që mban kafkat e të gjithëve në amshim. Pra edhe vetë kafkën time. Ah, sikur të ngrihem edhe unë në këmbë për ta pritur me indiferencë shpatën e vdekjes në qafën time. Ah!

Durrës, 17 shtator 2003 / KultPlus.com

Regjisori Luan Kryeziu fton aktorët për audicion për filmin “Loja e jetës”

Regjisori Luan Kryeziu ka hapur audicion për aktorët për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Loja e jetës”, përcjellë KultPlus.

Kërkohen aktorë për rolet kryesore, rolet përkrahëse meshkuj, femra dhe fëmijë. Mosha e kërkuar 9 deri në 60 vjeç.

Filmi është kooproduksion Kosovë – SHBA, ndërsa xhirimet planifikohen në USA, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni.

Për tu bërë pjesë e filmit të ardhshëm, ju duhet të dërgoni portfolion tuaj me të dhënat, bashkangjitur CV-në, showreel dhe tri fotografi në e-mail [email protected]. / KultPlus.com

Sulmohet Konsullata e Kosovës në Kopenhagë, vidhet flamuri

Objekti ku ndodhet Konsullata e Kosovës në Kopenhagë është sulmuar sot, me ç’rast është vjedhur flamuri i Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila e ka dënuar ashpër këtë sulm.

“Objekti ku ndodhet Konsullata e Republikës së Kosovës në kryeqytetin danez është sulmuar të hënën, me ç’rast është hedhur, dhe më pas edhe është vjedhur nga vandalët flamuri i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Siç njofton MPJD’ja, bazuar në vëzhgimin e situatës nga Konsulli i Kosovës në Kopenhagë, vandalizmi ishte i organizuar, pasi dorasit kishin me vete edhe mjetet e nevojshme per të kryer vandalizimin dhe për t’iu qasur flamurit.

Konsullata e Kosovës ka njoftuar menjëherë Policinë daneze, ndërsa Ambasada e Republikës së Kosovës ka shkruar një Notë Verbale për autoritetet daneze dhe ka kërkuar që sa më shpejtë të identifikojë autorët e këtij vandalizimi dhe ata të dalin para drejtësisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konsideron se fakti që Kosova sulmohet në prezencën e saj diplomatike, dëshmon edhe njëherë se puna e institucioneve dhe misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës është pengesë për agjendat e dikujt”, thuhet në komunikatë.

Reagimi i plotë i MPJD’së:

Prishtinë, 15 qershor 2020 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin vandal ndaj Konsullatës së Republikës së Kosovës në Kopenhagë, Danimarkë.

Objekti ku ndodhet Konsullata e Republikës së Kosovës në kryeqytetin danez është sulmuar të hënën, me ç’rast është hedhur, dhe më pas edhe është vjedhur nga vandalët flamuri i Republikës së Kosovës. Bazuar në vëzhgimin e situatës nga Konsulli i Kosovës në Kopenhagë, vandalizmi ishte i organizuar, pasi dorasit kishin me vete edhe mjetet e nevojshme per të kryer vandalizimin dhe për t’iu qasur flamurit. Me këtë rast, Konsullata e Kosovës ka njoftuar menjëherë Policinë daneze, ndërsa Ambasada e Republikës së Kosovës ka shkruar një Notë Verbale për autoritetet daneze dhe ka kërkuar që sa më shpejtë të identifikojë autorët e këtij vandalizimi dhe ata të dalin para drejtësisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konsideron se fakti që Kosova sulmohet në prezencën e saj diplomatike, dëshmon edhe njëherë se puna e institucioneve dhe misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës është pengesë për agjendat e dikujt.

Angazhimi ynë nuk do ndalojë, pavarësisht akteve të tilla vandale. Prandaj, si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, inkurajojmë të gjithë diplomatët që të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës së tyre, duke avancuar interesin e Republikës së Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj. / KultPlus.com

Filmat pretendent për ‘Oscar’ duhet t’i përmbushin kriteret e shumëllojshmërisë

Organizatorët e ceremonisë së famshme shpërblyese “Oscar”, kanë bërë të ditur se do ta formojnë një grup i cili do ta përpilojë një listë të rregullave të shumëllojshmërisë, të cilat filmbërësit pretendent për t’u shpërblyer me çmim akademik, duhet t’i ndjekin.

Sipas Akademisë së Arteve dhe Shkencës, qëllimi i këtij grupi është të krijoj mundësi të shumëllojshmërisë dhe udhëzime të gjithëpërfshirjes të cilat kineastët duhet ndjekur, nëse duan që puna e tyre të ketë të drejtë konkurrimi për “Oscar”, transmeton KultPlus.

Akademia e cila ndër vite është kritikuar për vlerësimin e më pak filmave të krijuesve të komunitetit afrikano-amerikan, ka deklaruar që ky veprim dhe disa ndryshime tjera që pritet të ndodhin se shpejti, e përfaqësojnë një fazë të re 5-vjeçare e cila ka për qëllim ta promovojë shumëllojshmërinë në industrinë e filmit.

Rregullat e reja të konkurrimit nuk vlejnë për projektet filmike të cilat pritet të nominohen për ceremoninë e ardhshme “Oscar”, që do të mbahet në vitin 2021.

Kritikat ndaj organizatorëve të shpërblimeve kryesore kinematografike u ashpërsuan dukshëm në vitin 2015, kur edhe u krijua hashtagu #OscarsSoWhite, i krijuar në formë të protestës për përfshirjen vetëm të filmbërësve, aktorëve dhe producentëve të bardhë, në kategoritë shpërblyese të kësaj ceremonie.

Në mesin e masave të reja të imponuara së fundmi nga Akademia, është edhe garantimi i përfshirjes së 10 projekteve filmike në garë për çmimin “Filmi më i mirë”, duke iu mundësuar kështu më shumë filmave që të nderohen me shpërblimin më prestigjioz të industrisë.

Hollywoodi është në qendër të kritikave për mungesë të shumëllojshmërisë dhe portretizim të racizmit në ekran të madh, që nga fillimi i protestave anembanë botës të shkaktuara nga vrasja e George Floydit. / KultPlus.com

Ulëm tarifat e biletave të muzeve dhe parqeve arkeologjike

Ministrja e Kulturës Elva Margariti deklaroi sot se “tarifat e biletave të muzeve dhe parqeve arkeologjike janë shumë më të ulëta se viti që shkoi dhe kjo është një ndër masat për nxitjen e turizmit kulturor”.

E ftuar në një studio televizive, Margariti u ndal te masat që janë marrë për nxitjen e  turizmit kulturor në situatën e pandemisë.

Ajo theksoi se “nga data 18 maj janë hapur muzetë dhe parqet arkeologjike, ndërkohë që kemi dalë me tarifa të reduktuara”.

“Jemi të bindur që duhet gjithmonë e më shumë të promovojmë turizmin lokal dhe duhet të mbështesim bizneset e vogla dhe të gjitha njësitë akomoduese që mendojmë se kanë kaluar një periudhë tejet të vështirë”, tha ajo.

Margariti u shpreh se “nga janari 2020 kishim rritur tarifat, por bëmë një hap mbrapa duke sakrifikuar arkën e mirëmbajtjes së Ministrisë së Kulturës, për të shtuar sa më shumë turistët”.

“Nga ana tjetër paketat online janë një shërbim i ri që krijon mundësinë për të programuar edhe vizitat nëpër site. Kemi shtuar çdo të diel të muajit falas. Menduam që kjo do të ishte impakt pozitiv”, u shpreh ajo.

Margariti tha se monumentet e kulturës kanë nevojë për mirëmbajtje dhe se është më rëndësi që të shtohet ndërgjegjja qytetare. “Ky është një vit i vështirë. Fokusi ishte që të shtojmë sa më shumë shërbime, një nga mënyrat për të sjellë më shumë vizitorë. Kemi marrë hapa konkretë për rimëkëmbjen e muzeve pas tërmetit duke miratuar një fond të posaçëm për restaurimin e tyre. Biletat nuk janë ato që sjellin të ardhurat më të mëdha, por janë dyqanet e muzeve të cilat mund të sjellin 3-fishin e të ardhurave dhe fokusi është në këtë drejtim, të krijojmë një brendim unikal për të gjithë këto dyqane”, tha Margariti.

Margariti komentoi edhe shkatërrimin e një prej monumenteve në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, ndërsa theksoi se çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë. Ajo shtoi se “është miratuar projekti për restaurimin e saj”.

“Gjatë pandemisë ka ndodhur ky akt, sipas hetimeve të policisë është një akt vandal. Ne po vazhdojmë me hetimet, çështje është në Prokurori. Kemi miratuar projektin e restaurimit dhe shumë shpejt do të procedojmë më fillimin e restaurimit”, u shpreh Margariti.

Margariti shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos. “Ishte një zë kritik, i fort, me kontribut pozitiv me gjithë kritikat e tij për çështjet e artit dhe kulturës. Kemi bërë së bashku një takim vetëm disa muaj më parë në Galerinë e Arteve dhe përtej atyre çështjeve që ai i trajtonte gjithmonë si një person artdashës gjetëm një dialog të mirë”, tha ministrja./ atsh/ KultPlus.com

Stan Dragoti e James Belushi të veshur si arvanitas në Hollywood

Dy artistët shqiptarë me famë botërore në një fotografi me fustanellën shqiptare në vitin 1985.

James Belushi dhe Stan Dragoti, dy artistët e mirënjohur shqiptarë të Hollywood-it, kishin veshur kostumet arvanitase dhe ishin shfaqur në këtë fotografi fantastike në vitin 1985. Fotografia është publikuar në Gazetën “Illyria”.

Stan Dragoti është vlerësuar nga Shqipëria me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Në kohën e luftës së Kosovës, Stan Dragoti ishte një nga intelektualët shqiptaro-amerikanë më aktiv në mbrojtjen e të drejtave të kombit të tij. Stan Dragoti është me origjinë nga Dragoti i Tepelenës.

Ai është i biri i Asllan Dragotit, veprimtarit të shquar të Vatrës, mbështetësit të Fan Nolit. Rrënojat e shtëpisë së tij janë ende në fshatin tepelenas të origjinës. Stan Dragoti vdiq para disa viteve në moshën 86 vjeçare në Los Angeles.


James Adam Belushi, lindi më 15 qershor të vitit 1954 në Çikago (Ilinois), është aktor amerikan i kinematografisë, teatrit dhe televizionit me prejardhje shqiptare.

Fëmijërinë e rininë i kaloi në Veaton (Ilinois). Është fëmija i tretë nga katër fëmijët e Adem dhe Agnesë Belushit. Babai i tij, Ademi, emigroi në SHBA, duke lënë vendlindjen fshatin Qytezë në vitin 1934, në moshën 15 vjeçare. Ndërsa nëna e tij, Agnesë Belushi, lindi në SHBA, bijë e një emigranti shqiptar. Vëllai i tij më i madh ishte i madhi John Belushi, po ashtu aktor i famshëm i skenës së Hollywood-it dhe shoqërisë në SHBA./ KultPlus.com

Mbyllet Galeria Kombëtare, dy punëtorë rezultojnë pozitiv me Covid19

Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se do të qëndrojë e mbyllur deri më 25 qershor, pasiqë dy punëtorë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, shkruan KultPlus.

Në njoftimin për media për këtë arsye edhe hapja e ekspozitës “Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit” nga AAVK shtyhet edhe për një javë dhe hapet për vizitorë te enjten e ardhshme, 25 qershor.

”Meqë në stafin e GKK I kemi tanimë dy raste aktive me COVID-19, sipas rekomandimit të IKSHP, hapësirat tona qëndrojnë mbyllur për stafin administrativ dhe teknik si dhe për vizitorë derisa të përfundojë periudha e izolimit preventiv, në fund të kësaj jave. Për këtë arsye, hapja e ekspozitës “Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit” nga AAVK shtyhet edhe për një javë dhe hapet për vizitorë te enjten e ardhshme, 25 Qershor.

Ju dëshirojmë shëndet, me shpresë se së bashku do ta kalojmë krizën!’”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të Galerisë Kombëtare në Facebook. / KultPlus.com

Si të lexohen porositë e Kongresit të Berlinit, edhe sot pas 142 vitesh

Nga Enver Zhinipotoku 

– Një vështrim rreth veprës “Kongresi i Berlinit 1878” i Jusuf Buxhovit, botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2008.

Meqë para dy ditësh u shënua fillimi i punës së një ngjarjeje që ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme në historinë politike e territoriale shqiptare, Kongresi i Berlinit (13 qershor – 13 korrik, 1878), desha të flas për dy konstatime me peshë, të cilat përveç shumë tjerash i gjejmë në veprën madhore të Dr.Jusuf Buxhovit, gazetar veteran dhe shumëvjeçar i Rilindjes në Gjermani, historian, shkrimtar dhe veprimtar politik, njëri ndër themeluesit kryesor të LDK-së më 23 dhjetor 1989, të cilat fakte përmbysin gjithë historiografinë tonë për këtë ngjarje, të yshtur nga propaganda pansllave dhe komuniste.
Studimet e Buxhovit dhe burimet e mirëfillta arkivore origjinale, e rrëzojnë tezën se ky Kongres gjoja është organizuar “për ndarjen e trojeve shqiptare” dhe së dyti se “udhëheqësi i tij, Kancelari Otto von Bismarck, paska thënë për shqiptarët se nuk janë tjetër, pos një nocion gjeografik!!!”
“Kongresi i Berlinit 1878” është tezë e tij e magjistraturës, e mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, kur ai ishte korespondent i përhershëm i gazetës “Rilindja” në Gjermani, kur si njohës i gjuhës gjermane kishte shfrytëzuar të gjitha burimet dhe dokumentet arkivore për të mbështetur faktet relevante për këtë ngjarje, e cila me vendimet e saj kishte sjellë përfundime për fatin dhe fatkeqësinë e shumë popujve dhe gjeostrategjinë botërore.
Paqja e Shën Stefanit ( mars 1878) me atë që solli, dridhi me të drejtë fuqitë evropiane, për ngjalljen e pansllavizmit në territoret që i sundonte deri në këtë kohë Perandoria Osmane. Anglia, Austro-Hungaria, Italia e Bullgaria, i frikësoheshin ndikimit pansllav rus për interesat e tyre në Ballkan. Thirrja dhe mbajtja e Kongresit të Berlinit, shmangu luftën e pashmangshme midis Rusisë cariste dhe pjesës tjetër të Evropës, pra midis pansllavizmit dhe europianizmit. Gjermanisë iu besua thirrja dhe menaimi i këtij Kongresi dhe në radhë të parë Bismarckut, si njeri i fuqishëm që kishte bashkuar 300 landet gjermane si udhëheqës i Prusisë në një shtet të vetëm. Ç’është e vërteta, Kongresi ratifikoi vendimet e paqes së Shën Stefanit, që Turqia duke u tërhequr nga pjesa lindore e trojeve shqiptare, të njohura si “Sanxhaku i Nishit”, ato troje i pushtoi Serbia dhe i ratifikoi ky Kongres që i njohu Serbisë Pavarësinë më 28 qershor 1878, por pati meritën se duke e reviduar Paqen e Shën Stefanit, e ndali Turqinë në kufijtë e sotëm të Serbisë dhe depërtimin pansllav në Kosovë e Vilajetet tjera shqiptare e pengoi edhe 34 vjet, deri më 1912. Kjo është merita e vendimeve të këtij Kongresi, tel të cilit i bie edhe studiuesi Buxhovi, e nuk e përfillin studiuesit e deritashëm.
Gjermania u zgjodh për organizimin e Kongresit, sepse ajo ende nuk ishte e involvuar në çështjet ndërkombëtare, e cila sa ishte bashkuar nën udhëheqjen e Bismarckut (1871) dhe si e paanshme u propozua të luante këtë rol.
Historiografia komuniste, e mbrujtur me petkun pansllav, u ka dhënë shpjegime jo të drejta kësaj ngjarjeje, të cilat i sqaron me fakte dhe bindshëm studiuesi Buxhovi në studimin e tij kompetent e të gjithanshëm. Sipas Buxhovit, Kongresi i Berlinit nuk ishte organizuar, as për të ndarë, as për të stimuluar ndarjen e trojeve shqiptare, në kohën kur “Turqia si e sëmura e Bosforit” siç quhej, po tërhiqej nga Rumelia e Ballkani. Kongresi ishte thirrur për të ruajtur qetësinë Fuqitë e Mëdha në raport me Rusinë që po forcohej me ndikimin në Ballkan pas tërheqjes së Turqisë, sipas vendimeve të Paqes së Shën Stefanit. Këtë dimension të forcimit të pansllavizmit, Rusisë e Serbisë dhe dyndjes së tyre në trojet shqiptare, propaganda komuniste e dirigjuar nga Moska e Beogradi nuk e ka theksuar fare. Këtë karrem për këso shpjegimesh, e ka hëngër edhe shteti ynë amë në shpjegimet e historisë shqiptare për rolin e Kongresit të Berlinit, se ai gjoja i ka fajet për ndarjen e trojeve shqiptare!!!
Është e vërtetë se në Kongresin e Berlinit, në seancën e tretë më 28 qershor 1878, Serbisë i është njohur pavarësia duke përfshirë edhe territoret shqiptare që i kishte pushtuar në Sanxhakun e Nishit në dhjetor 1877- janar 1878 duke i përzënë shqiptarët nga trojet e tyre nga mbi 700 fshatra e qytete më 10.900 km katrorë, por ky Kongres është meritor që “e detyroi” Turqinë që të qëndronte e të mos tërhiqej nga Ballkani edhe 34 vjet, deri më 1912, (të merremi vesh jo për të mbrojtur e ruajtur trojet shqiptare, të cilat Serbia dhe fqinjët tjerë i pushtuan posa u tërhoq Turqia), por Fuqitë e Mëdha për të ruajtur paqen, në ndërkohë që Anglia dhe Austro-Hungaria nuk ishin të gatshme për tu përballur me invazionin pansllav në Ballkan. Pra, sipas studiuesit Buxhovi, po të mos ishte organizuar Kongresi i Berlinit si korrigjim i Paqes së Shën Stefanit (3 mars 1878), Rusia me Serbinë do ta pushtonin edhe Kosovë dhe Vilajetet tjera shqiptare deri në Adriatik. Pra, Kongresi i Berlinit dhe vendimet e tij ( 13 qershor-13 korrik 1878) e detyruan Turqinë të mbetej në Ballkan edhe plotë 34 vjet, derisa Fuqitë e Mëdha të pozicionoheshin për interesat e veta.
Se kjo është e vërtetë, tregoi koha pas vitit 1912, kur Turqia e shkordhur nga pushtimet e gjata pesëshekullore, u detyrua të tërhiqet nga Ballkani dhe të gjitha Vilajetet e shtetit etnik shqiptar që përfshinin diku mbi 80 mijë km. katrorë, u pushtuan thuaja në tërësi në tetor 1912 dhe më vonë ky pushtim u zyrtarizua nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në dhjetor 1912- janar 1913.
Edhe pse Shqipëria shpalli pavarësinë më 1912, me 28.000 km. katrorë, e shpëtoi LPB dhe grushti i fortë i Presidentit amerikan Woodrow Wilsonit në Konferencën e Paqes në Paris 1919, nga copëtimi i sërishëm në bazë të “Traktatit të fshehtë të Londrës”, 1915, midis Italisë-Greqisë dhe Serbisë dhe për këtë 5 vite më vonë, pardje 100 vjet në Paris u vra Esad Pashë Toptani, në emër të tradhtisë, si eksponent proserbë!
Prandaj, sadoqë pjesët lindore të trojeve shqiptare të Sanxhakut të Nishit 10.900 km. katrorë iu dhanë Serbisë pas luftës ruso -turke të viti 1876, ku Rusia doli fituese për të rritur invazionin pansllav deri në Adriatik që ishte dhe mbetet pasion pushtues pansllav, thirrja e Kongresit të Berlinit për të korrigjuar vendimet e Paqës së Shën Stefanit, nga Fuqitë e Mëdha ( kuptohet për interesat e tyre), ku edhe shqiptarët gjetën interesat e tyre, ishte një lloj “shpëtimi nga më e keqja. Thuaja njësoj sikur intervenimi në Kosovë më 1999, për interesa gjeostrategjike amerikane, ku u mpleks edhe interesi ynë i shpëtimit kombëtar.
Një tjetër element, që poashtu duhet përmendur si sqarim, të cilit i ka fryrë propaganda pansllave e nxitur nga Moska e Beogradi, është fakti që e sqaron bukur studiuesi Buxhovi në veprën e tij madhore. Është trumbetuar mbi një shekull nga propaganda ruso-serbe, të cilën propagandë mjerisht e kemi gëlltitur edhe ne shqiptarët, sidomos shteti amë se gjoja, pas Kongresit, kur është pyetur udhëheqësi i tij Bismarcku, se ndaj shqiptarëve janë bërë padrejtësi të mëdha, ai gjoja paskësh thënë: “Kush janë shqiptarët, kur paraqesin vetëm një kuptim gjeografik dhe asgjë tjetër?!”
Bazuar në materialet arkivore dhe protokollet origjinale (20) dhe 64 paragrafet e vendimeve të Kongresit, thotë studiuesi Buxhovi, duke shfletuar edhe 12 librat që flasin për jetën e Bismarckut, botuar ndërmjet viteve 1924-32, askund nuk mund të haset kjo thënie, e as ndonjë vlerësim i kësaj natyre, që historiografia serbe e greke, për arsye na propaganduese me të cilat ato janë të mbushura plotë e përplot, e kanë lanësuar, por të pranuara edhe nga disa autorë shqiptarë, të mbështetur në burimet greke e serbe.
Pra, sipas historianit e studiuesit Dr. Jusuf Buxhovi, vendimet, qëllimet dhe efekti i Kongresit të Berlinit si ngjarje me peshë për historinë botërore dhe veçmas atë shqiptare, duhet të lexohen dhe kuptohen ndryshe nga propaganda serbo-sllavo-greke, e edhe ajo që i vihet në gojë Bismarckut që ta ketë thënë për shqiptarët poashtu. Kjo e fundit madje, sqaron Buxhovi duhet kuptuar si pykë e futur për përçarjen midis gjermanëve e shqiptarëve, sepse siç dihet historikisht, të vetmit mbrojtës të interesave shqiptare asokohe, ishin gjermanët dhe Austro-Hungaria, kur Turqia, e mundur nga shumë plagë të sundimit të gjatë pesëshekullorë po tërhiqej nga Ballkani, duke i lënë trojet tona në gojën e ujqërve, fqinjëve tonë të pamëshirshëm. / KultPlus.com

Sot është ditëlindja e James Belushit, aktori hollivudian me prejardhje shqiptare

James Adam Belushi ose Jim Belushi, lindi më 15 qershor të vitit 1954 në Çikago (Ilinois), është aktor amerikan i kinematografisë, teatrit dhe televizionit me prejardhje shqiptare. 

Fëmijërinë e rininë i kaloi në Veaton (Ilinois). Është fëmija i tretë nga katër fëmijët e Adam dhe Agnesë Belushit. Babai i tij, Adami, emigroi në SHBA, duke lënë vendlindjen fshatin Qytezë në vitin 1934 në moshën 15 vjeçare. Ndërsa nëna e tij, Agnes Belushi, lindi në SHBA, bijë e një emigranti shqiptar. Vëllai i tij më i madh ishte John Belushi, po ashtu aktor i famshëm i skenës së Hollivudit dhe shoqërisë në SHBA.

Belushi studioi në universitetin e Ilinoit të quajtur Southern Illinois University Carbondale dhe u specializua në degët e Artit: Të shprehurit dhe Teatri.

Nga viti 1977 deri më 1980-in, Xhimi punoi së bashku me grupin teatror të Çikagos të quajtur: The Second City. Gjatë kësaj periudhe prezantohet si deputant në televizion më 1978-ën, në: Who’s Watching the Kids po ashtu kishte disa pjesëza në serinë: Brian De Palma’s The Fury.

Roli i tij i parë i gjatë ishte në filmin: Michael Mann’s Thief (1981). Që nga 1983 deri më 1985, shkroi dhe mori pjesë në programin e mbrëmjes së shtunës: Saturday Night Live. Kulmin e famës së tij, drejt rolit kryesor e arriti me rolet ndihmëse në: About Last Night dhe Salvador (të dy më 1986). Luajti role në filmat:Real Men (1987), The Principal (1987), Red Heat (1988), K-9 (1989), Taking Care of Business (1990), Mr. Destiny (1990), Royce (1994), Retroactive (1997).

Po ashtu Xhimi, punoi në filmat vizatimor. Një ndër sinkronizimet, është edhe ai në filmin vizatimor Geppetto, një version i filmit artistik Pinokio.

Sipas prezantimeve të tij në skenën e shoqërisë amerikane, dhe në përgjithësi me intervistat e tij, ai mburret me prejardhjen e tij. Në një intervistë të dhënë ZDF (Radio Televizion Shtetëror Gjerman), ai flet me kënaqësi për vizitën e fundit të tij me të atin në vendlindje. Ai thotë se “kur, isha në vendlindjen e babait, nga të gjitha anët shikoja si në pasqyrë, figurën time, të gjithë më dukeshin të njëjtë si unë”.

Në vitin 2001 Xhimi luan në serialin According to Jim rolin kryesore me Courtney Thorne-Smith. / KultPlus.com

Intelektuali dhe politikani mediokër

Shkruan: Labinot Kunushevci

Shikoni kush janë njerëzit më të famshëm, më publik dhe më të pranishëm në media, në një shoqëri krize si Kosova: intelektualët dhe politikanët mediokër. Nuk janë intelektualët vizionarë, as politikanët e përgjegjshëm, as artistët kreativë, as autorët e ideve dhe mendimeve të shëndosha, as sportistët e suksesshëm, as personalitetet e elitës kritike, as mësimdhënësit e devotshëm, as studiuesit e shkencave shoqërore, as inovatorët e rinj, as shkencëtarët e rinj. Hapësira publike dominohet nga debatet e kota, të shndërruara në monologe, ku objekt diskutimi nuk është problemi qytetar, por problemi personal. Qytetari dhe problemi i tij i standardit të mirëqenies është në margjina të debateve. Ndërsa qendra janë inatet personale, paragjykimet dhe linçimet, ofendimet dhe sharjet, akuzat pa fakte, konfliktet obsesive, gjuha hakmarrëse dhe korruptive.

Sepse aty janë sharlatanët, injorantët, analistët banalistë, dhe siç do të thoshte Kadare, mbretëria e idiotëve, që e bën shumë të vështirë diskutimin me ta. Madje ata janë njerëz, demagogë, të pakurrizorë, që imponohen në debate dhe janë në gjendje edhe të paguajnë për të marrë pjesë në emisione që i shtohet popullariteti. Me injorancë të zbresin në nivelin e tyre dhe të mundin me përvojën e tyre prej injoranti. Kur nuk ka vepra konkrete, ka retorikë, thoshte Konica. Pra, ata nuk flasin për vepra dhe projekte, por për kauza dhe heroizma të parealizueshme, folk-patriotike, që u krijon lumturi të rrejshme, për mbijetesë politike dhe publike. Derisa me diskursin që krijojnë, tregojnë se shteti është më shumë meritë e tyre se e qytetarëve, prandaj edhe e kanë monopolin ekskluziv paradoksal, duke e trajtuar shtetin si pushtet dhe si emra pushtetarësh, jo si institucion dhe vetëdije institucionale.

Aq shumë rrahin gjoks, thuajse historia fillon me ta, se janë të papërsëritshëm dhe të pazëvendësueshëm, me sakrifica të panjohura më parë, si misionarë të shenjtë. Edhe pse promovohen si intelektualë dhe elitë politike, janë cenuesit më të mëdhenj të lirisë intelektuale dhe pluralizmit politik. Lirinë e projektojnë si iluzion dhe fiksion, mashtrim real, duke e instrumentalizuar me propagandë dhe lajme të rrejshme dhe me rrena pa lajm. Pasoja: qytetari i manipuluar, që sillet në rrethrrotullim pa gjetur udhëkryqin orientues.

Të pushtetshmit e projektojnë parajsën, por qytetarët e shijojnë ferrin. Ata e mohojnë krizën, papunësinë, varfërinë sepse gjykojnë nga pozicioni i tyre luksoz i komfortit dhe nga rehatia e militantëve dhe klientelës së priveligjuar, ndërsa nuk zbresin afër qytetarëve që të shohin standardin e ultë të mirëqenies dhe mjerimin që përjetojnë. Vetëlavdërohen në media për mospunën e tyre, ndërsa lavdia dhe cilësia e jetës së qytetarëve s’kanë asgjë të përbashkët. Në statistika dhe deklarata e reduktojnë dhe minimizojnë problemin qytetar, ashtu që të krijojnë iluzionin se ata po punojnë, se gjendja shoqërore është më e mirë falë tyre, duke fshehur, mohuar e margjinalizuar kategori, fenomene dhe raste të caktuara të mjerimit socio-ekonomik.

Kështu ata e trajtojnë qytetarin si injorant, të padijshëm, idiot, që nuk i kupton politikat dhe analizat e tyre, që nuk e vlerësojnë realitetin në mënyrë të drejtë, që janë mosmirënjohës ndaj ”kontributeve megalomane” të tyre, që janë abuzues të të mirave publike, që e keqpërdorin lirinë që ”të fuqishmit” e kanë krijuar.

Diploma, ceremoni, simbolika, zhurmë, folk-patriotizëm, pushtete të paligjshme, sensacion, obsesion, iluzione. Shumë mediokëra, pak intelektualë.

A e përcakton diploma vlerën e intelektualit? A duhet të ketë intelektuali domosdoshmërisht diplomë universitare? Është integriteti dhe personaliteti i tij moral dhe profesional, standardi i tij i punës krijuese dhe kritike, zëri dhe guximi në kundërshtimin e dukurive negative, marrëdhënia e tij me publikun përmes fakteve, vizioni i tij për të ardhmen, thyerja e indiferencës dhe inferioritetit, idetë e tij origjinale, të menduarit me kokën e vet, apo siç do të thoshte historiani francez Jacques Le Goff – aftësia e tij për të përcjellur mendimet e tij tek të tjerët – ato që e bëjnë atë intelektual. Pra, është një konglomerat dhe kolorit i madh i vlerave dhe mendimeve, të mishëruara dhe të përthyera me nuancat dhe ngjyrat më të mira.

Jo çdo profesor apo person që bartë titull akademik është intelektual. Dikush bartë titull profesori, titull akademiku, me gradat më të larta, por ka zero kreativitet, nuk është në hap me trendet e reja, nuk merr asnjë vlerësim serioz nga qarqe shkencore, vazhdon të kultivojë mënyra primitive të punës dhe komunikimit, ndonëse krekoset me zyrën e tij në universitet prej kapadaiu. Ndërsa qasja e tij me studentin është injoruese, autoritare. Nuk flitet për bashkëpunim dhe interaktivitet. Se sa vështirë është të komunikosh me disa profesorë që vuajnë nga kompleksi i superioritetit, tregojnë vetë studentët.

Mos të flasim për angazhimin e stafit akademik – bashkëpunëtorëve dhe asistentëve në universitet sepse aty i bëjnë shkeljet më të mëdha ligjore, profesionale, morale e procedurale. Kjo është arsyeja e betejës time juridike publike me Universitetin e Prishtinës, në vitin 2017, në rastin e shkeljeve të konkursit për asistentë, të cilin, në vitin 2018, e konstatoi Inspektorati i Arsimit.

E kushedi se si i kanë arritur ata tituj! Autoritet i rrejshëm publik! Lavdi e pamerituar! Privilegje të vjedhura! E sa pak vlerësohen dhe çmohen autodidaktët, aty ku intelektuali mediokër, i veshur me petkun e akademikut, konsumohet si kult, i glorifikuar, që thellon iluzionet e njerëzve. Kosova është një koloni klasike në mentalitetin e elitës fallse që është vetëpromovuar pasi e ka krijuar sistemi. Dija dhe rezultati nuk mund të shlyhet, edhe pse ata thonë se nuk e shohin, se është meritë e tyre. Por nëse një person është këmbëngulës, atë askush nuk mund ta dekurajojë. Ajo që e dallon atë prej tyre është puna.

Ndërsa fama, lavdia, protagonizmi dhe privilegji mbesin ambiciet e përhershme të këtij soji të profesorëve. Diskursi kërcënues, nxitja e konflikteve, gjuha e varfër dhe e ndotur, spekulimi dhe konspiracioni, janë mënyrat e tij të komunikimit. Kriza dhe qetësia sociale, mungesa e kritikës, më së shumti i konvenojnë intelektualit mediokër. Por koha do t’i thyejë iluzionet. Në shoqëritë me standard të dobët intelektual dhe kulturor, iluzionet janë të pathyeshme. Ato janë ushqim i rrejshëm për ngopje të rrejshme. Derisa iluzionet dhe heriozmat – heronjtë e rrejshëm – projektohen dhe konsumohen si shtylla identiteti.

Njohim dy tipe të intelektualëve, që studiuesi Ibrahim Berisha i shpjegon në librin e tij ”Urtia e pafuqishme”: duke qenë pjesë e korrupsionit etik, intelektuali humbë integritetin e tij, të cilin mbase edhe mund ta ketë pasur përpara se të bëhej edhe vetë pjesë e shkatërrues i vlerave ligjore dhe morale në shoqëri. Intelektuali i korruptuar vendimmarrës është vetë pushteti i paligjshëm. Një hajn i respektuar me emër, por pa ngjyrë e identitet profesional publik. Ndërsa intelektuali humanist kërkon parimin e së drejtës që mund të përmbledhet në moton: Të sillesh ndaj të tjerëve sikur do të sillen të tjerët ndaj teje. Këtë parim, më shumë se të tjerët, intelektuali e ka edhe mision që ta përcjellë në komunikimet publike.

Pra, intelektuali vlerësohet në bazë të sistemit të vlerave që ai përfaqëson dhe manifeston, në bazë të strukturës së thellë të të menduarit të tij etik, që në asnjë rast nuk guxon të jetë e korruptuar, në bazë të qasjes që ai ndërton në raport me dukurinë e korrupsionit sepse ai mund t’i jap hov zhvillimit dhe legjitimimit të tij në sferën, institucionet dhe komunikimin publik, duke deformuar standardet etike dhe ligjore. Intelektuali mediokër voton qeveritarë të korruptuar, bashkëpunon me sekserë politikë, kamufllohet si institucionalist, ndërsa lufton vlerat

institucionale dhe në asnjë mënyrë nuk mund të bashkëjetojë me ligjin, derisa i arsyeton veprimet e veta joetike dhe e refuzon përgjegjësinë morale publike.

Në shoqërinë e krizës, në modelet atipike kulturore, aty ku zbatimi i ligjit nuk është kulturë, aty ku mungon kontrolli shoqëror dhe ku elita e rrejshme është e obsesionuar me përfitimin e paligjshëm, krimi më i rrezikshëm është krimi i jakave të bardha, term i paraqitur për herë të parë nga Edwin Sutherland në vitet ’40-të. Ndërsa Susan Shapiro, 50 vite më vonë, në një artikull të botuar, në rishqyrtimin që ai i bën këtij koncepti, tregon që kriminelët me jakë të bardhë shkelin normat e besimit, vjedhin pa dhunë dhe bëjnë vjedhje pa shkelje.

Pra, në njërën anë, shfrytëzojnë qetësinë sociale, mungesën e vetëdijes, masës kritike dhe kontrollit shoqëror, keqpërdorin besimin apo iluzionin e njerëzve, dhe në anën tjetër, trioja e guximshme dhe e paligjshme intelektual-politikan-biznesmen, aq e ka sofistikuar strategjinë, saqë korrupsioni i tyre politik, ekonomik, etik, gjuhësor, nuk vërehet lehtë, edhe pse në paraqitje mund të duken ”zotërinj me jaka të bardha”! Politikani merr vendime të paligjshme dhe i mbulon me forcën e pushtetit, intelektuali i ”arsyeton” dhe ”racionalizon” për opinionin e rrejshëm publik me gjuhën e tij sa korruptive ideore po aq propagandistike manipuluese, ndërsa biznesmeni oligark i kapitalizon duke i shndërruar në monopole të pathyeshme, ku shprehur metaforikisht, vetëm një grup i vogël prej tyre e ndanë ”kulaçin” bashkë. Ky model funksionon në Kosovë kohë të gjatë.

Intelektuali mediokër me gjuhën e tij i thur lavde demokracisë dhe e konsideron veten kontribues në të, ndërsa me veprimet bën të kundërtën – rrënon vlerat themelore të tij – me lakminë e shfrenuar, me gjuhën e korruptuar, me krenarinë e tepruar, me përvetësimin e paligjshëm të synuar, me imazhin human të kamuflluar, me burro-centrizmin e modeluar, me provincializmin e mishëruar, me oportunitetin dhe servilitetin politik të treguar, me logjikën fisnore të organizuar, me lirinë intelektuale dhe shpirtërore të shkatërruar dhe me sjelljen atipike të adoptuar.

Ndërsa intelektuali jomediokër dhe human është kritik i realitetit komformist, i cili rrallë gjendet në një ambient kulturor komformist si Kosova. Intelektuali përpiqet t’i sheshojë keqkuptimet, paragjykimet, dilemat dhe konfuzionet e shoqërisë, për t’iu ofruar alternativat dhe idetë e tij kritike.

Heshtjen dhe oportunitetin e intelektualëve në një shoqëri të krizës, shkrimtari i ndjerë Xhemail Mustafa, do ta quante katandisje morale të intelegjencisë. Kështu ai e titullon shkrimin e tij të botuar në rubrikën e kulturës, në revistën ”Rilindja”, më 27 shkurt të vitit të vështirë ’89-të, si reagim pas grevës së minatorëve, kur shkruan për oportunitetin e intelektualit protojugosllav, shkrim që bashkëpunëtori i tij, Ibrahim Berisha, e sjellë për publikun më 2 qershor 2020, në ditën kur nga shembja e dheut ndërruan jetë dy minatorë në minierën e Artanës.

Me shumë shkas, në mesin e dhjetorit të vitit 2017, pasi që intervista ime e realizuar me profesor Ibrahim Berishën për trashëgiminë e kolonializmit në Kosovë u përzgjodh si një nga shkrimet më të mira promovuese për Kosovën nga Ministria e Punëve të Jashtme, përkthyer e botuar në 17 gjuhë të botës, Berishës ia bëra një dhuratë të veçantë, në prani të miku të tij, shkrimtarit Bajram Mjekut, në një nga kafiteritë e kryeqytetit, portretin e Xhemail Mustafës, të punuar nga piktori i talentuar Dardan Shala. Sepse e kishte pasur bashkëpunëtorin dhe mikun më të ngushtë deri në momentin kur u vra.

Mustafa, me mendjemprehtësinë kritike, guximin dhe integritetin e tij prej intelektuali të rrallë, me argumentet kokëforta dhe qëndrimet e palëkundura, por edhe nga indinjata e thellë e tij që buronte nga shpirti fisnik dhe mendimi human, kritikon indiferencën e intelektualëve të kohës karshi grevës së minatorëve, në një situatë, siç e quan ai, apokaliptike. Intelegjencia krijuese e

vendit, pjesa dërrmuese e intelektualëve që betohen shpesh në humanizëm, në demokraci dhe në ”lirinë e shpirtit e të mendjes”, thoshte Mustafa, këto ditë ranë në një provim të rëndë moral, që për intelektualët dhe inteligjencinë e njëmendtë, s’ka dyshim, është rënia dhe pësimi më i rëndë. Po bëhen shtatë ditë të tëra që kur minatorët e Trepçës gjenden në galeritë e thella e të ftohta të nëntokës, kurse pjesa dërrmuese e intelegjencisë së vendit heshtë, rri dhe bën sehir me një dramë të paparë njerëzore, me një tragjedi, e cila tashmë u kualifikua si ”dhembje dhe si trup” i Jugosllavisë. Të vetmit ata që u solidarizuan me grevën dhe dramën e minatorëve ishin asociacionet dhe intelektualët, intelegjencia krijuese dhe ajo politike sllovene, thotë Mustafa. Dramën e minatorëve dhe të të gjithë atyre pak njerëzve që po solidarizohen me ta e quan dramë të njëmendtë njerëzore. Kurse heshtjen dhe indiferencën e pjesës dërrmuese të intelegjencisë së vendit e quan dramë të moralit të tyre intelektual, dramë të një identiteti të shprishur nën presionin e konjukturës së burokracisë politike dhe asaj nacionale.

Praktika e mediokërve politikanë për t’u paraqitur dhe qenë intelektualë të mëdhenj dhe e mediokërve intelektualë për të qenë politikanë të mëdhenj, është e keqja që vazhdon të ndodhë, shijen së së cilës e ndjejnë dhe e njohin më së miri të rinjtë e arsimuar, thoshte Ibrahim Berisha, kur shpjegonte fenomenin e intelektualit në shoqëritë e krizës.

Pra, nuk është intelektual ai që heshtë përballë dukurive negative dhe anomalive shoqërore, përballë diskriminimeve që vijnë nga pushtete dhe sisteme politike, as ai që asnjëherë nuk merr guximin të shkruajë apo reagojë publikisht. Shoqëria nuk është e lirë nëse nuk ka liri intelektuale, nëse intelektualët i ka të heshtur, të izoluar, inferiorë, indiferentë, të shantazhuar, komformistë e oportunistë. Intelektuali nuk është peng i iluzioneve, as nuk projekton iluzione.

Intelektualit nuk i mungon guximi e as dija për t’u ballafaquar me problemin, me pushtetin, me autoritetin dhe me sistemin e padrejtë, kur këto cenojnë interesin publik. Ai e thotë fjalën e vërtetë dhe jeton për të vërtetën, për idealin dhe gjithmonë ka një vizion të mbështetur në projeksione reale të mundësive dhe kapaciteteve.

Në shoqëri ka njerëz që nuk kanë një diplomë universitare, por kanë integritet të lartë, kanë inteligjencë, mbajnë përgjegjësi, kanë ide të shëndosha dhe racionale për zgjidhjen e problemeve dhe kontesteve. Në anën tjetër, politikanë mediokër, që bartin tituj akademik, por kanë defekte në personalitetin e tyre, kanë një komunikim publik të deformuar, një gjuhë korruptive. Nëse bëjnë ndonjë punë të dobishme, e bëjnë vetëm në prani të kamerave, për hir të kamerave. Jashtë syrit të kamerës nuk dinë çka është kontributi publik, interesi qytetar, ndihma humane, sepse jetojnë për sensacionin, për obsesionin, për lavde dhe krekosje publike, të cilat i gjejnë vetëm në kamerat publike.

Me humor të zi e me sarkazëm të thellë, me 10 qershor të këtij viti, në një orë përgatitore shkolle në Prishtinë, disa semi-maturantëve që kishin nota të dobëta, analfabetë funksional dhe tepër indiferentë ndaj mësimit, u thash se ju keni gjasa të bëheni ministra dhe politikanë të ardhshëm në Kosovë, nëse nuk ndryshon realiteti. Ndërsa ju tjerët – semi-maturantë të shkëlqyeshëm – do të mund të punoni për ministrat analfabetë funksional, t’ua shkruani statuset dhe deklaratat, t’iu shërbeni me një pagë të vogël, si asistentë apo shërbëtorë. Andaj ndryshojeni këtë realitet dhe mos e lejoni!

Politikani dhe qeveritari analfabet, edhe pse ia zë vendin ekspertit, ai prapë bëhet i nevojshëm për të sepse i duhet ndihma dhe asistenca profesionale. Shumica e politikanëve në Kosovë nuk kanë aftësi të shkruajnë një deklaratë pa i bërë dhjetëra gabime e lëshime, jo vetëm drejtshkrimore, por edhe përmbajtësore, logjike e konceptuale. Jo rrallë herë i ngatërrojnë konceptet. Madje ata as nuk e njohin gjuhën konceptuale. Shpeshherë i tradhëton gjuha.

Shumë politikanë që i shohim sot si fantazma në televizione, dikur ishin gazetarë, analistë, pjesë e organizatave të ndryshme, me një kritikë të hollë, por u frikësuan, u shantazhuan, u korruptuan, dhe u bën pjësë e qeverisë, zunë vende nëpër zyra të ministrive, dhe iu korruptua zëri dhe argumenti kritik.

Politikani mediokër, kur bëhet zyrtar i lartë qeverie, nuk zhveshet nga diskursi dhe gjuha partiake. Pra, vazhdon të flasë si militant partiak i veshur me petkun institucional sepse tek ai nuk ekziston dallimi, as në praktikë e as në vetëdije, midis institucionit dhe partisë, midis zyrtarit apo rolit institucional dhe militantit partiak. Kjo mendësi politike e partizon shtetin. Sidomos institucionet, përveç mundësive të përfitimit të paligjshëm me tenderë, subvencione, terminale e monopole, trajtohen prej politikanit mediokër edhe si resurse elektorale. Prandaj kemi fenomenin e punësimit të anëtarëve të partive politike në institucione shtetërore të Kosovës, si resurs për të zgjeruar potencialin elektoral të partisë. Institucioni trajtohet për krijimin apo shtrirjen e klientelës. Ku një president apo kryeministër, me mendimin e tij për veten, tregon që nuk mjaftohet me kompetencat kushtetuese të rolit, por me tejkalimin e kompetencave, rolit të vet, i jep elemente autoritare, si një kapo që kontrollon institucionet, me sjellje arbitrare. Dhe me këtë mentalitet dhe logjikë të funksionimit, korrupsioni bëhet i pashmangshëm dhe shumë i lehtë, në mënyrë klandestine. I lehtë për t’u bërë, i vështirë për t’u ndëshkuar.

Për qëllimet dhe ambiciet e veta oportune, intelektuali mediokër nuk heziton t’i keqpërdorë dhe të operojë me konceptet: Zoti, morali, parimi, e shenjta, e mira, e drejta, e barabarta. Kur takohet me profesorë, paraqitet si ”erudit i dijes”; kur takohet me ateistët, paraqitet si laiki më i madh; kur takohet me besimtarët, paraqitet si njeriu më i devotshëm; kur takohet me anarkistët, e shanë shtetin dhe institucionet; kur takohet me zyrtarët e shtetit, paraqitet si institucionalist.

Në shoqëritë e krizave politike dhe kulturore, kur ndodhin tragjedi dhe fatkeqësi familjare, ato keqpërdoren dhe instrumentalizohen për qëllimeve rivaliteti politik nga kundërshtarët politikë, në vend se të trajtohen në mënyrë humane dhe ligjore përmes institucioneve. Nuk ka as respekt minimal për procedurat ligjore. Pra, një politikan a zyrtar mediokër, aq është johuman, saqë nuk heziton ta përdorë ndjeshmërinë e një prindi kur e humbë fëmijën e tij në një situatë tragjedie, pa respektuar dinjitetin dhe privatësinë familjare, për ta sulmuar një kundërshtar politik apo për ta projektuar fajin apo shkakun e tragjedisë tek kundërshtari politik, ku kjo – tragjedi – përdoret si mjet konfrontimi politik. Prandaj çdo herë e më shumë, në kontekste të raporteve të tilla politike të deformuara, më bind fjala e Vangjel Koçës, se forma e qeverimit është një grindje të çmendurish.

Heshtja është e barabartë me marrëzi, thoshte dramaturgu anglez Pinter Harold, në esenë e tij ”Të jesh intelektual sot”. Përveç kësaj, mundësi tjetër e intelektualit, sipas Harold, është të protestojë, duke menduar se lufta për një botë më të mirë është më e rëndësishme se fusha e krijimtarisë së tij apo të vëhet në funksion të pushtetarëve dhe të rrijë e të bëjë sehir, se si pafundësisht keqpërdoren vlerat e punës së tij.

Sprova e intelektualit sot qëndron në presionet që rëndojnë mbi të sepse pushteti, diktatura, autoritarizmi, ka një armik: intelektualin kritik. Pra, atë intelektual që edukon gjenerata të reja, që operon me fakte dhe të vërteta, që mundohet të kultivojë ideale, që nxitë mendimin kritik dhe origjinal, që thyen iluzionin dhe kultin e liderit të glorifikuar, që i reziston çdo forme të presionit, joshjes, shantazhit e korrupsionit dhe që nuk i frikësohet reagimeve dhe kundërshtimeve. / KultPlus.com

Amaneti i Moikom Zeqos: Më varrosni në Tiranë

Moikom Zeqo, shkrimtar, studiues, ish-deputet në Parlamentin shqiptar në vitet ’90, autor i skenareve për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor, i studimeve arkeologjike dhe të historisë së artit, është ndarë sot nga jeta.

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur vuante nga leuçemia akute. Mësohet se amaneti i Moikom Zeqos ishte që të varrosej në Tiranë. Po ashtu, shkrimtari i mirënjohur ka kërkuar që homazhet për lamtumirën e fundit për të të mbahen në Muzeun Historik, ku ai ka qenë drejtues nga 1997 deri në vitin 2005. Ashtu siç ishte dëshira e tij, homazhet për Zeqon do të bëhen pikërisht te Muzeun Historik.

Zeqo është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, gjermanisht. /27.al/ KultPlus.com

Roboti

Tregim nga Nerimane Kamberi

Sot mëngjes po i përngjaj një karikature që e ka ngjitur biri im në mur, në dhomën e tij, e më të cilën kam qeshur shpesh. Do të mundesha ta vazhdoj vizatimin, te poshtë, pjesën e trupit, të mos e lë vetëm këtë portret qesharak, ta përshkruaj me vija të holla mpirjen e çdo gjymtyre, ndjenjën që herë po shtangem, herë po më lëviz trupi, gjë që në gjendje normale do t’i kishte ngjarë ritmeve të para të një vallëzimi latino, por lëvizjet janë pa kontroll, e tash ndihem si një marionetë, një palaço i trishtë. Shikoj edhe njëherë karikaturën, duke e kthyer kryet me shumë mundime. Megjithatë arrij të buzëqesh, madje edhe të qesh.

Kur ishte e vogël, ajo gjithmonë qeshte, në ship, në shkollë, në oborr të saj, edhe kur rrëzohej gjatë lojërave të pafajshme kur i lëndonte gjunjtë dhe i rridhte gjaku deri poshtë çorapeve të bardha, edhe kur e kthente fytyrën kah mësuesja, qeshte, kaq. Kalonte. Ajo qeshte edhe kur prindërit grindeshin, shpeshherë duke bërë shumë zhurmë, dhe kur kojshitë vinin te dera për t’u ankuar kundër “këtyre të huajve pa edukatë e të mjerë.” Në fotot e klasës, atëherë kishte shumë nxënës në shkollat e fshatrave, ajo ishte e vetmja që qeshte, ashtu, si i kërkonte drejtori-fotograf, edhe pse nuk i kishte rrobat e bukura, ndoshta edhe ishte fustani i njëjtë me atë të fotografisë së vitit të kaluar, e prapë do të donte t’ia paguante mësuesja fotografinë, por sivjet ajo ishte rritur, i kishte fituar vetë paratë, ia kishte blerë bukën një plake te hyrja e banesës, një ditë edhe qenin ia kishte shëtitur. Në fund të ditës, ia kishte dhënë një grusht karamele- një e kishte hëngër menjëherë se i kishte shumë qejf- dhe dy para të hekrit. I kishte shti menjëherë në kutinë e saj kur ruante gjëra të vogla por të vlefshme për të.

E bëri një kafe më të madhe se ditëve të tjera dhe e zgjati kohën e pirjes së saj. Edhe ashtu trupi nuk donte t’i lëvizte. Nuk do të shkonte në punë sot edhe pse sa e kishte rifilluar pas dy muajsh mbylljeje, duke u fshehur nga një vrasës tinëzar, që zgjidhte si Sfinga antike viktimat e saj, pa mëshirë, e ditën e nuk e ditën përgjigjen në enigmën e saj. E gjatë atyre ditëve apo netëve, të strukur në shtëpitë e tyre, njerëzit kishin kohë të mendonin për enigmën e jetës, e ta mendonin edhe vdekjen. Ajo sot nuk do të shkonte në punë, ku të gjithë e kishin harruar se ç’kishte ndodhur, nuk e shihnin jetën, nuk e mendonin vdekjen.

Ajo kishte qeshur edhe kur dashuria e saj e parë e kishte braktisur ashtu, pa arsye, ndoshta se e donte tepër dhe kishte frikë se një ditë do të mund të mos e donte, as ai atë, as ajo atë. Ajo kishte qeshur edhe kur e kishte nënshkruar dokumentin, pa presion, pa shpërblim, ku ajo pranonte t’i bëheshin eksperimente, të shndërrohej në robot. / KultPlus.com

155 nga lindja e Ndoc Nikajt, autori i romanit të parë në shqip

Ndoc Nikaj, lindi në qytetin e Shkodrës më 15 qershor 1865. Mësimet fillore i bëri në Arqipeshkvinë e Shkodrës dhe në Seminarin Papnor, të udhëhequr nga etërit jezuit. Studimet e larta i kreu në Romë, duke u shuguruar për meshtar në vitin 1888.

Botimet e tij të para datojnë në kohën kur ishte student në Romë. Në vitin 1888 do të shkruante romanin me titullin “Marcja”. Ky roman njihet gjithashtu si romani i parë i shkruar në shqip, njofton Muzeu Historik Kombëtar.

Në vitin 1897, Faik Konica do të fillonte të botonte në Bruksel, gazetën e përkohshme “Albania”. Që në fillesë, dom Ndoc Nikaj bashkëpunon pothuaj rregullisht me artikuj me përmbajtje politike, shoqërore dhe atdhetare. Në revistën Albania ai do të shkruante me pseudonimin “Nakdomonici”.

Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari përfshin më shumë se 30 vepra me përmbajtje të ndryshme. Vepra më e rëndësishme e tij është “Historia e Shqypnis”, botuar në Bruksel më 1902. Disa nga veprat e tij do të ishin: “Marcja e Turkis” (1902), “Historija e Turkis” (1902), fletorja “Koha”, “Bashkimi”, “Besa Shqiptare”, “Bleta e re” (1912), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa I, 1913, Pjesa II, 1913), “Libri i Blertë i Italis” (1915), “Kndime të Para” (1915), “Përmbledhje e historis së Shqypnis për shkolla” (1917), “Bukurusha” – roman historik (1918), “Ulqini i marrun” – roman historik (1918), “Kalendari”, “Shqyptari” 1914, etj. Në vitin 1910 hapi shtypshkronjën e parë publike në Shkodër.

Shtypshkronja quhej “Nikaj”, dhe në të botoheshin gazeta, vepra letrare dhe tekste shkollore. Gjithashtu, puna e parë e kësaj shtypshkronje, ishte shtypshkrimi i fletores së Ndoc Nikajt, fletores së parë politike të botuar në shqip me 1910-tën me emrin “Koha”. Ky periodik, do të vijojnte të botohej edhe 11 vite më vonë, deri më 1921.

Në 9 shtator të vitit 1946, u arrestua me akuzen si pjesëmarrës ne kryengritjen e Postribës dhe dënohet me 5 vjet burg. Për shkak të moshës së thyer vuan dy vjet e gjysmë të dënimit. Vdes në moshën 86 vjeçare në vitin 1951, në Shkodër dhe varroset në varrezat e Rrmajt. / KultPlus.com

Bekim Fehmiu për gazetën Vreme: Për shkak të besës, shqiptarët kanë paguar me kokë

Bekim Fehmiu, një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë, në vitin 2001 ka dhënë një intervistë për gazetën serbe “Vreme”. Aty ai ka biseduar edhe për besën, virtyt ky që dallon te shqiptarët.

“Jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët, besa është vlera më e lartë etike njerëzore. Besa ishte më e fortë se cilado qoftë marrëveshje. Për shkak të besës, shqiptarët nëpër histori kanë paguar me kokë edhe për shkak të lajthitjeve të veta. Besa ishte tipari që cilësoi shqiptarët dhe i bëri ata të çmueshëm në raport me botën që rrethonte ata…”, ka thënë ai.

Gjurmët e Bekim Fehmiut në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare janë të mëdha. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odiseu”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra. Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Në anën tjetër revista njëjavorshe “Vreme” u publikua për herë të parë më 29 tetor në vitin 1990. Shumica e stafit në gazetën me qendër në Beograd, ishin gazetarë nga Politika dhe NIN. Ajo karakterizohet si “një revistë pa gënjeshtra, urrejtje ose paragjykim” dhe ka kundërshtuar mobilizimin nacionalist për luftërat jugosllave. / KultPlus.com

Presidenti Meta për Moikom Zeqon: Trashëgimia që la pas, piketa për të ardhmem e kombit tonë

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për Moikom Zeqon i cili u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 71-vjeçare.

Mesazhi i plotë i Presidentit Meta në Facebook:

Thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë.

Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë.

Ngushëllimet më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje.

Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara!/ KultPlus.com

Dumoshi: Kujtimi për Bekim Fehmiun do të jetë i përhershëm

Sot bëhen dhjetë vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut, aktorit shqiptar me famë botërore, i cili la gjurmë në kinematografinë botërore e shqiptare. Bekimi me talentin e tij të pashembullt në aktrim arriti të depërtojë në skenën ndërkombëtare të filmit.

Numri i roleve në të cilët ka luajtur ai është shumë i madh. Në secilin rol që është angazhuar, Bekimi i ka dhënë vlerë të shtuar secilit film dhe përkushtimi e angazhimi me shpirt në secilin rol që ka jetësuar e kanë bërë të famshëm Bekimin, me të cilin jemi rritur, jemi gëzuar, jemi emocionuar e kemi qenë dhe do të jemi përherë krenar.

Mbeten të paharruara performancat e tij filmike në “Mbledhësit e Puplave”, “Odissea”, “Avanturieri” e shumë e shumë projekte të tjera që mbeten kryevepra të kinematografisë.

Unë si ministre dhe institucioni të cilin e udhëheq, e përkujtojmë dhe nderojmë figurën e Bekim Fehmiut dhe ndjehemi jashtëzakonisht keq që për shkak të rrethanave të pandemisë COVID-19, nuk mund ta shënojmë përvjetorin e tij të vdekjes ashtu siç e meriton Bekim Fehmiu me trashëgiminë që la pas. Organizimi i ndarjes së çmimit i cili është i përcaktuar me rregullore, do të bëhet në një formë tjetër ditëve në vijim.

Ne e kujtojmë me pietet dhe nuk do të harrojmë kurrë Bekim Fehmiun, në artist kaq të madh që popujt do ta ëndërronin ta kishin.

I paharruar do të jetë emri i tij dhe ne do ta kujtojmë, vlerësojmë dhe nderojmë gjithmonë figurën dhe emrin e të madhit Bekim Fehmiu.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
/ KultPlus.com

Sot 12 vite më parë hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës

Kushtetuta e Republikës se Kosovës u miratua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi me 15 Qershor 2008.

Më parë Kosova ishte qeverisur nga një Kornizë Kushtetuese e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshilit të Sigurimit të OKB dhe e ratifikuar më 2001 që i mundësonte Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes disa kompetenca të rezervuara ndaj Përfaqësuesit special të Sekretarit Gjeneral të Kombeve të Bashkuara.

Qeveria e Serbisë, që e konsideron Kosovën si pjesë e territorit të saj sovran dhe refuzon pavarësinë e saj, nuk e pranon këtë kushtetutë. Këto moskuptime dhe vënie në pyetje të sovranitetit filluan në fund të shekulli të 20të me ndarjen e Jugosllavisë, në të cilën Serbia bënte pjesë.

Në Kosovë për herë të parë u kalua Ligja Kushtetuese më 1968. Vite më vonë, më 1974, u miratua Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Më 1990, u nxor Kushtetuta e Kaçanikut e Republikës së Kosovës, ligj ky që nuk arriti të zbatohet në tërësi për shkak të okupimit serb. Pas Luftës Çlirimtare u adoptua Korniza Kushtetuese, ligj i përkohshëm për vetëqeverisje, kurse më 2008, pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, hyri në fuqi Kushtetuta moderne e Republikës së Kosovës.

Një draft i Kushtetutës së re ishte përgatitur dhe publikuar në prill të 2008-ës. Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani Ahtisarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk do të largohet nga Kosova në një të ardhme të afërt, sepse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk e ka terminuar misionin e tij. Meqënëse kushtetuta e re nuk do të përforcohet në Enklavat Serbe të Kosovës, hyrja në fuqi e saj në pjesët e dominuara me shqipëtarë dërgon tek një de-facto ndarje e Kosovës.

Preambula thotë:

Ne, Populli i Kosovës, Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet; Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit; Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social; Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje; Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në Botë. Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike; Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kushtetuta gjithashtu thotë se “Republika e Kosovës nuk do të ketë pretendime territoriale, dhe nuk do të synoj bashkim me asnjë vend ose pjesë të një vendi.”, ky është një mesazh i qartë ndaj pretendimeve irredentiste (bashkim me Shqipërinë, ose aneksimin e zonave shqiptare brenda territorit të Serbisë). Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene. / KultPlus.com

Autostrada Biennale prezanton kuratoret e edicionit të tretë

“Autostrada Biennale” ka prezantuar Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza nga Berlini si bashkë-kuratore për edicionin e tretë, i cili do të mbahet nga korriku deri në shtator të vitit 2021 në Kosovë, njofton KultPlus.

‘AUTOSTRADA BIENNALE nuk do të shtyhet por do të mbahet gjatë verës së vitit 2021. Për më tepër, bienalja do të trajtojë drejtpërdrejtë atë se sa na ka bërë pandemia të mendojmë për qytetet tona, hapësirat përreth nesh, çkafit do të mund t’i rikthehemi, çfarë mund të lëmë pas dhe sa i nevojshëm është arti në kohë pasigurie.’, thuhet në komunikatën për media.

AUTOSTRADA BIENNALE filloi nga vendilindja e saj, Prizreni, në vitin 2014 (edicioni i parë në 2017) themeluar nga një ndjenjë e mungesës, e nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe hapjes ndaj botës. Ajo u formësua si një pikë lidhëse dhe si një rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor. Pandemia na ka bërë që t’a rimendojmë modelin e bienales dhe për këtë ne jemi shumë entuziastë për të qenë partnerë me dy kuratore të pavarura, të cilat do të punojnë edhe më tej me identitetin tonë: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur.

AUTOSTRADA BIENNALE, një organizatë e re e themeluar nga artistë dhe pedagogë në vendlindjen e tyre, Prizren, na dërgon në një udhëtim të jashtëzakonshëm”, shkruajnë Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna ëarsza. “Sot është koha për të imagjinuar një tjetër të nesërme: si të ndërtojmë ura arti përtej ekraneve dhe kubeve të bardha në publik; si të vazhdojmë të jemi kurreshtar; si të gëzohemi dhe si të bashkëndjejmë; si të jemi të afërt me artin dhe artistët; si të praktikojmë çasjen translokale; si t’a përqafojmë shqetësimin për të ardhmen e paparashikueshme dhe të ëndërrojmë përtej saj.

Udhëtojmë me Autostrada Biennale në një rrugë drejt rrjeteve komplekse të ndërvarësisë mes vete, dhe me jetë të tjera me të cilat e ndajmë planetin. Autostrada Biennale do t’u përgjigjet rrethanave dhe peisazhit politik, do të dërgojë sinjale tymi nga këtu – atje, do të prodhoj kënaqësi të përbashkët përmes mësimit dhe veprimit asimetrik. Ne jemi më shumë se të ngazëllyer për të ndërmarrë këtë udhëtim, duke filluar nga Prizreni, një nga qytetet më multietnike dhe multikulturore të Evropës.”

Övül Ö. Durmusoglu është kuratore e pavarur dhe shkrimtare, profesoreshë e angazhuar dhe bashkë-udhëheqëse e programit në Graduate School në UdK në Berlin dhe profesoreshë e angazhuar në HfBK në Braunschëeig. Ajo vepron në mes të krijimit të ekspozimit dhe programimit publik, gjuhëve të ralla dhe energjive kolektive, zhytjeve të zakonshme dhe kozmologjive politike. Övül ka qenë kuratore në Steirischer Herbst; ka bashkë-kuruar seksionet e ndryshme të Istanbul Biennial ne edicionin e 10, 13 dhe 14; dhe ka organizuar Programe Publike për dOKUMENTA (13). Është me origjinë nga Ankaraja dhe jeton në Berlin.

Joanna Warsza është drejtoreshë e programit CuratorLab në Universitetin e Arteve Konstfack në Stokholm, kuratore e pavarur dhe redaktore e interesuar për mënyrën se si funksionon arti në aspektin politik dhe social jashtë kubeve të bardha. Ajo ishte drejtoreshë artistike e Public Art Mynih më 2018, kuratore e pavijonit të Gjeorgjisë në Biennalen e 55-të të Venedikut dhe kuratore e asociuar e Biennales së 7-të të Berlinit dhe redaktore e disa librave. Është me origjinë nga Varshava dhe jeton në Berlin.

Në prill të vitit 2020, Övül dhe Joanna inicuan ekspozitën “Die Balkone: Life, Art, Pandemic and Proximity” në dritare dhe ballkone të rrethit Prenzlauer Berg të Berlinit, ku të dyjat edhe jetojnë.

Autostrada Biennale do të prezantohet në verën e vitit 2021 në të dy format, atë analoge dhe dixhitale. / KultPlus.com

Bekim Fehmiu e kishte lënë testament që kjo poezi të recitohej në mbledhjen komemorative

“Njeriu këndon pas luftës” nga Dushan Vasiljev, për të cilën Bekim Fehmiu e kishte lënë testament që të recitohej në mbledhjen komemorative në Prishtinë.

Unë kam shkelur në gjak deri në gju
Dhe ëndrra më nuk kam.
Motra ime është shitur, nënës flokët e thinjur ia kanë prerë
Unë nuk kërkoj hise në këtë botë lavire dhe të baltosur.
Unë jam i etshëm për ajër, qumësht
Dhe për këtë vesë të bardhë mëngjesi.
Unë kam shkelur në gjak deri në gjunjë
Dhe nuk kam ditur pse?
Vëllanë armik të madh e kam quajtur
Dhe jam sulur në errësirë përpara duke klithur
Dhe atëherë edhe Zoti, edhe njeriu, edhe istikami
Fluturojnë në ferr.
Dhe sot i qetë shikoj se si cikërrimtari zgjeban
Të dashurën grua ma përqafon
Se si vërshima pullazin ma shpartallon
Dhe nuk kam dëshirë e as fuqi që t’i hakmirrem.
Oh, më jepni vetëm një grusht ajër dhe qumësht
Dhe pakëz vesë,
Vesë të bardhë mëngjesi
Të tjerat i paqit për nder. / KultPlus.com

Moikom Zeqo: Statusi i kulturës gati zero, artistët janë njerëzit më të varfër

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo ka ndërruar jetë sot në mëngjes, në moshën 71-vjeçare, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila vuante prej disa vitesh.

Në janarin e vitit 2019, studiuesi edhe dijetari Moikom Zeqo analizoi kulturën për vitin që lamë pas. Sipas tij, kumtesat që u mbajtën në Vitin e Skënderbeut ishin nivel i dobët, por edhe arkeologjia, teatri edhe artet pamore nuk kanë pasur kulme.

2018-ta në art është konsideruar një vit debatesh, që la pezull shumë çështje. Artistët e Teatrit Kombëtar vazhdojnë të presin ndërtimin e godinës së re. Artistët e arteve pamore pas mbylljes përfundimisht të ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” (edicioni i XXIV-të), por edhe me nisjen e rikonstruksionit të Muzeut Historik (2019), dita-ditës kanë më pak mundësi për ekspozim.

Spektaklet muzikore, që kanë në qendër muzikën joserioze kanë lënë në hije këngëtarët e mirëfilltë. Këto, por jo vetëm studiuesi edhe dijetari Moikom Zeqo për “ReportTV’ i analizon nën këndvështrimin e një kritiku, që i ka parë edhe ndjekur nga afër aktivitetet.

“Nuk mund të jap një përgjigje prej specialisti për gjithçka, sepse nuk jam. Natyrisht që e kam përjetuar vitin 2018 gjerësisht në aspektin kulturologjik. Mund të them se ka pasur një aspekt kulturologjik lidhur me Vitin e Skënderbeut, kam ndjekur sesionet shkencore. Kumtesat ishin në një nivel më të ultë se në vitin 1968, që u bë 500-vjetori i lindjes së Skënderbeut”, Moikom Zeqo, studiues.

Për profesorin sa i përket jetës kulturore, jeta e teatrit nuk ka kulme, përpos që ka probleme të caktuara dhe konflikte.

“Jeta e teatrit ka një shkëlqim kur promovohen artistë, emra, personalitete. Takova mikun tim, Robert Ndrenikën, e pyeta a ka ndonjë talent? “Ka disa”, tha, “por kërkojnë regjisorë edhe kushte që mungojnë”. Nuk mendoj se ka ndonjë shkëlqim teatri, ka përpjekje, por jo shkëlqim të madh”, tha Moikom Zeqo, studiues.

Sa i përket fushës së albanologjisë, Zeqos i vjen keq, që arkeologjia shqiptare është në një nivel të mjeruar.

“Jo vetëm që nuk përbëjnë gërmime, por as studime. Nuk ka revista për të botuar studime”.

Sa i përket kinematografisë, ka disa filma me metrazh të shkurtër, por në këto 30 vite ai nuk di që të ketë një film që ka masivitet.

“Janë filma që shfaqen midis vet kineastëve, por kjo mua më shqetëson shumë, se janë 28 vite, edhe nuk janë pak. Ky shqetësim imi nuk ka të bëjë me karakterin kritizer që mund të kenë disa njerëz, se mua nuk më intereson kjo çështje, më intereson zhvillimi. Nuk beson se aspektet e tjera siç është restaurimi i monumenteve, që ndonjëherë mburret kjo Ministria jonë e Kulturës, mburret kot në mënyrë euforike”.

Flet edhe për shtimin e leximit të librit, bibliotekave të lagjeve apo botimeve ndalet tek panairi i Librit

“E pashë Panairin, ka shumë libra, por janë libra për konsumatorë të niveleve mesatare. Libra të rëndësishëm nuk ka. Kjo ndodh edhe me çmimet që ne japim, që shumë herë janë klientelesite, sipas njohjeve apo jurive që bëjnë promovimin e njëri-tjetrit. Nuk shoh ndonjë zhvillim për vitin që lamë pas”.

Artet pamore janë më të ndërlikuara, por Zeqo veçon ekspozita të suksesshme të Gazmend Lekës, të Marc Chagall-it, ndërsa ekspozitat e tjera që janë hapur, për të kanë një nivel horizontal edhe një lloj ngjashmërie të stileve të artistëve me njëri-tjetrin, sepse nuk kanë shpalosje të krijimit të personaliteteve.

“Janë ekspozita të bëra nga artistë të para viteve ’90. Ku janë artistët e rinj? 28 vite janë shumë. Të gjitha këto janë konvencionale edhe unë kriticizmin tim duhet ta shikoj në zhvillimin e artit në përgjithësi. Por në Shqipëri mjedisi frymëzues për artistët është shumë i akullt,më shumë ngrohtësi mund të gjesh në ekspozita që bëhen jashtë vendit se këtu. Komuniteti i piktorëve kanë shumë grindje me njëri-tjetrin, këto ekzistojnë kudo në botë, por këtu ka një frymë asgjësuese. Duhet që të ketë frymë stimuluese të artit”.

Nga na tjetër e quan skandal çështjen e spektakleve muzikore.

“Spektaklet muzikore janë për të qarë hallin, tallavaja apo muzika e incizuar. Harxhohen shumë lekë e bëhen video marramendëse, aq sa gjithçka duket surrelae. Kur ka ndonjë vepër serioze, siç është Simfonia e Aleksandër Peçit për Skënderbeun, nuk promovohet”.

Studiuesi shprehet se rinia quhet në mënyrë perzhorative, rina e Facebook-ut, por kjo nuk është e vërtetë!

“Ka edhe njerëz shumë inteligjentë që duan të krijojnë personalitet të vërtetë shkencorë-artistikë. Fryma e përgjithshme mbetet brenda parabolës së Facebook-ut. A do të ketë forca për të ndryshuar këtë status quo, besoj se po. Por, sot për sot shikoj një lëvizje prej llumi, jo prej lëvizje të një lumi heraklitian. Ne kemi një lloj ngadalësie të madhe, që na ka bërë që të ngadalësohen edhe konceptet. Duhet të kishim artistë të rinj, historianë të rinj, shkrimtarë të rinj, që duhet ta zhvillonim këtë. Që rinia mos të bjerë në batakun e largimit, por të ketë shpresë. Kur rinia bie në batakun e një shprese, që nuk e arrin, ajo kthehet në një anti-shpresë edhe rinia ikën. Statusi i kulturës është gati zero. Njerëzit e kulturës janë njerëzit më të varfër, nuk botojnë dot as librat e tyre, ndërkohë që duhet të stimulohen nga shteti”, e mbylli Zeqo.

Studiuesi i sheh gjërat shumë serioze, pasi për kulturën shqiptare nuk janë ditët e arta, megjithatë ai shpreson në forcat e brendshme të njerëzve të këtij vendi, se gjerat do të vijnë drejt përmirësimit. / KultPlus.com

Kurti: Moikom Zeqo përmes kujtimeve tona do të rrojë me ne, përmes librave të tij edhe pas nesh

Për vdekjen e Moikom Zeqos, njeriut që kulturës dhe artit shqiptar i la gjurmë të mëdha, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një statusi të tij shprehi një adhurim dhe përulje të madhe për figurën e Zeqos, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Kurtit.

”[6/15, 05:03] Moikom Zeqo: Përshëndetje!
E paimagjinueshme, Moikomi na la!

(Moikomi na la! Nuk po e kuptoja. Moikomi fliste për veten?!)

[6/15, 05:04] Moikom Zeqo: Jam Lida, e shoqja, që po ju shkruaj.

(Nuk po e përcillja mesazhin. Mbrëmë kisha në duar librin e tij të fundit: Centauri i fundit.)

Moikomi është shkrimtari ynë që ka shkruar e lexuar tejet shumë, si rrallë ndonjë tjetër. Nuk do të ketë pasur kohë për tjetër gjë. I tretur midis librave për të ringjallur ato. Mënyrë, shpejtësi ekzistence. Në tri kohë: prej librit, te biseda, te shkrimi. Vinte prej emrave të personazheve, te titujt e librave, te biografitë e shkrimtarëve. Endej nëpër rrënoja si nëpër skenografi të pafundë. Ndoshta profesioni i parë ia kishte ushtruar këtë cilësi prekjeje të emrave si të ishin gjëra të thyeshme, si sendet e lashtësisë. Bota e merrte në të thënat e Moikomit një distancë skene dhe ti ishe me të bashkë në sallë, në sallën e skenës së botës. Gjithë llojet e emrave kalonin në skenë, të montuar sipas një stili surrealist.

Unë, ndoshta ne, pra edhe të tjerët, e shihnim si të ishte narratori. Aq i veçantë saqë i vetmuar, por gjithnjë solidar saqë bashkë-aktivist. Me dije të gjerë ngaqë kureshtar porsi fëmija më kureshtar. Me kulturë të thellë ngaqë i mësuar nga veprat kulmore artistike.

Kështu u krijua ai si enciklopedi e gjallë – nga historia antike dhe qytetërimet e lashta jashtevropiane te romanet e gjuhës të shekullit XX, pasion i pandërprerë. Edhe i sëmurë punonte e mendonte njësoj. Sëmundja e tij e rëndë ishte e pavërejtshme. Moikom Zeqo ishte shkrimtar i ethshëm.

Ishte ministër kulture, deputet kuvendi, drejtor muzeu. Para së gjithash ishte lexues që studion, kjo specie në zhdukje. Mbi të gjitha ishte shkrimtar që lexon, ky zanat i shpërfillur.

“Kalorësit Dardanë” është ndër librat e parë që kam lexuar si fëmijë. Kosovën e ka dashur shumë dhe aktivisht. Lëvizjen tonë posaçërisht. Ka ardhur shpesh në Prishtinë. Interesohej vazhdimisht, na këshillonte privatisht e na mbështeste publikisht.

Përmes kujtimeve tona do të rrojë me ne. Përmes librave të tij do të rrojë edhe pas nesh.” / KultPlus.com

Flutura Açka për vdekjen e Moikom Zeqos: Sot, të gjithë jemi gdhirë më të varfër

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo ka ndërruar jetë sot në mëngjes, në moshën 71-vjeçare, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila vuante prej disa vitesh. Vdekja e tij ka lënë të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, shkruan KultPlus.

Shkrimtarja Flutura Açka, përmes një statusi në Facebook ka shprehur dhimbjen e saj për humbjen e Zeqos e ku statusi t ja ka bashkangjitur edhe poezinë “Ka një mrekulli të vdekjes” të Moikom Zeqos.

“Sot, të gjithë jemi gdhirë më të varfër

Pusho në paqe, Moikom! Ti mendje brilante.

Një i urtë i patëdytë, që i bëri shërbimin kombit deri në fund, ndër të paktët që nuk kërkoi kurrë, që dha shumë dhe që do t’i mbetemi borxh po aq shumë…

Një nga intervistat e tij të fundit e dha ne sallën e Teatrit Kombëtar, pak javë para shembjes.

Poezi e Moikom Zeqos:

Ka një mrekulli të vdekjes

Ka një mrekulli të vdekjes të sakte si ligjet
kur trupat tanë do të shpërbëhen në elemente
të natyrës,
ndoshta do të takohemi si ujëra nëntokësore,
si humus e kripëra te rrënjët e një bime,
që ajo të lulëzojë e të hapi petale
e të mahnitë gjithçka me bukurinë anonime.
Do të na lulëzojë eshtrat…
Ajme! Po shpirtrat vallë?
Si krijesa ajri do të enden nëpër re,
përherë të dy ndarë dhe asnjëherë një!” / KultPlus.com

Dita Botërore e Parandalimit të Abuzimit ndaj të Moshuarve

Abuzimi me të moshuarit është një çështje sociale globale që ndikon në shëndetin dhe të drejtat e personave të moshuar në mbarë botën, prandaj meriton vëmendjen e të gjithëve.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në rezolutën e saj 66/127, caktoi datën 15 qershor si Ditën Botërore të Parandalimit të Abuzimit ndaj të Moshuarve.

Abuzimi me të moshuarit është një formë dhune që përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i rasteve të abuzimit me të moshuarit parashikohet të rritet sepse shumë vende kanë popullsi me plakje të shpejtë.

Është parashikuar që deri në vitin 2050, popullsia globale e njerëzve mbi 60-vjeç do të jetë më shumë se dyfish, nga 900 milionë në vitin 2015 në rreth 2 miliardë, me shumicën dërmuese të të moshuarve që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Nëse përqindja e viktimave të abuzimit me të moshuarit mbetet konstante, numri i viktimave do të rritet shpejt për shkak të plakjes së popullsisë, duke arritur në 320 milionë viktima deri në vitin 2050.

Format e abuzimit me të moshuarit janë ai fizik, emocional, psikologjik, seksual dhe financiar.

Kontaktet e shpeshta me të moshuarit mund të ndihmojnë anëtarët e familjes të vlerësojnë statusin e tyre shëndetësor, kushtet e jetesës, cilësinë e kujdesit dhe mirëqenien emocionale. Në disa raste duhet të kryeni vizita çdo ditë, dhe në pamundësi të vizitave mund të kryeni telefonata./ KultPlus.com

Dhjetë vjet nga vdekja e aktorit Bekim Fehmiu

Sot mbushen dhjetë vjet nga vdekja e një prej aktorëve më të mëdhenj shqiptarë me famë botërore, Bekim Fehmiu.

Gjurmët e tij në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare nuk janë të vogla. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë. / KultPlus.com