Nga nesër, Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapet për publikun.
Orari i vizitave do të jetë i njëjtë sikurse në të kaluarën, e martë-premte nga ora 10:00 deri në 18:00, e shtunë dhe diel nga 10:00 deri në 17:00 dhe e hënë e mbyllur.
Vizitorët do të udhëzohen nga kujdestari i sallës për numrin e personave që mund të hyjnë në sallë, i cili është 2-3 persona për sallë.
Dy ekspozitat e ndërprera për shkak të pandemisë të cilat do të hapen tani janë:
Salla 1: Burim Gashi / Heshtje e rëndë
Salla 2: World Press Photo Exhibition 2019. /KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar një takim me krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi – kryetar dhe Eroll Salihu – sekretar, dhe ua ka kumtuar vendimin që kanë ndërmarrë institucionet për lejimin e aktiviteteve për vazhdimin e procesit stërvitor dhe të ndeshjeve të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në bazë të vendimit që ka lëshuar Ministria e Shëndetësisë, Federata e Futbollit të Kosovës duhet t’i përmbahet udhëzuesit të përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në institucionet publike dhe private.
Ministrja Dumoshi ua sqaroi krerëve të FFK-së se fillimisht lejohet që të startojë me përgatitje dhe gara Superliga e Kosovës, e pas disa javëve ligat e tjera. Ministrja porositi kryetarin Ademi e sekretarin Salihu që në përgjegjësinë e organizimit dhe menaxhimit që kanë për futbollin në Kosovë, të ndërmarrin të gjitha masat që parashihen për pastrimin dhe dezinfektimin e hapësirave ku do të zhvillohen aktivitetet e futbollit.
“Ne si ministri do të përcjellim me seriozitetin më të madh dhe nga afër se si po menaxhohet organizimi i stërvitjeve dhe i garave në futboll në këtë kohë pandemie dhe nëse ka ndonjë parregullsi do të ndërmarrim masa konform sugjerimeve të institucioneve shëndetësore dhe nëse është e nevojshme do të ndërpresim prapë garat nëse nuk respektohen këto masa”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.
Ministrja tha se ndeshjet duhet të zhvillohen pa shikues dhe të kihet kujdes maksimal që mos të jetë shkaktar sporti që edhe një person i vetëm të infektohet me COVID-19.
Nga ana tjetër, kryetari Ademi e ka falënderuar ministren Dumoshi për përkrahjen dhe mirëkuptimin e treguar sepse edhe ata si FFK kanë pasur kërkesa dhe afate të cilat i janë kërkuar nga UEFA se si do të vazhdojnë më tutje për zhvillimin e garave.
Ademi tha se me MKRS-në kanë pasur një bashkëpunim dhe transparencë. Ai e siguroi ministren Dumoshi se do të komunikojnë me secilin me stafin e secilit klub të Superligës dhe do t’ua kumtojnë vendimin dhe udhëzuesin si dhe do t’u shpërndahen materialet e nevojshme për pastrim e dezinfektim. Do t’u kërkohet klubeve që situatën ta kenë në kontroll në rend të parë mjekët e klubeve.
Ndër tjera, Ademi e ka njoftuar ministren edhe për hapat që kanë ndërmarrë FFK-ja për t’iu gjendur afër klubeve dhe sportistëve duke ua shpërndarë edhe mjetet e nevojshme financiare sipas rregullave që i parasheh UEFA.
Ndërsa, ministrja tha se shpreson që organizimi i futbollit në ditët në vijim do të shkojë sipas planit të paraparë dhe ky të jetë një sinjal dhe nismë që sporti t’i paraprijë rikthimit në normalitet në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com
Aktorët shkodranë të teatrit “Migjeni” zhvilluan paraditen e sotme një protestë simbolike për të shprehur kundërshtinë e tyre për shembjen e dy godinave në kompleksin e Teatrit Kombëtar në kryeqytet.
Përpara godinës së teatrit, të vendosur përkrah njëri-tjetrit në distancë mbanin pankarta me mbishkrimet “Unë jam teatri, trishtim kjo frikë”, “Poshtë diktatura.”
Aktorja dhe drejtorja e Teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka nuk e fshehu trishtimin duke e krahasuar shembjen e teatrit njësoj me prishjen e një xhamie.
Rita Gjeka: Se kam menduar kurrë. Gjithmonë kam thënë se janë fjalë por të bëhen vepra prej një artisti, vetëm ai momenti i shembjes që më del në ëndërr është njësoj sikur shemb kishat se këta e kanë forcën dhe vullnetit me i shemb kishat e xhamiat. Në fund të shpirtit tonë me teatrin kanë shembur një kishë dhe një xhami ku shkojmë dhe falemi, ku shkojmë dhe lutemi. E keqja e madhe është rinia e teatrit, ata nuk kanë shpresë, i kanë vrarë shpresën, do Zoti që sa më shpejt kjo shpresë të zgjohet. / KultPlus.com
Është ndarë nga jeta shkrimtari dhe gazetari i njohur Shkëlzen Zalli. Prej ditës së sotme ai do t’i mungoj programeve të Radio Tiranës dhe letërsisë shqipe për fëmijë.
Gjatë karrierës së tij, Zalli u bë shumë i njohur për emisionet e fëmijëve si “Mikrofoni i qershizave”, “Kolovajsa e pasdites”, “Në vallen e rritjes sonë”. “Radio Tirana” e ka kujtuar shkrimtarin dhe gazetarin e ndjerë me anë të një poezie të shkruar prej tij.
Disa nga titujt më të njohur të shkruar prej Zallit janë: “Gjergji takon Skënderbeun”, “Ditari i maces”, “Pësimet e Benit”, “Treni me gaztorë” etj.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, e gjithë lexuesve të krijimtarisë së tij.
“Shkëlzen Zalli, një nga autorët më përfaqësues të letërsisë për fëmijë është ndarë sot nga jeta. Ai do të kujtohet gjithnjë për kontributin e çmuar, përmes librave të pafund që i la bibliotekës së librit shqip”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Ka nisur sot faza e dytë e masave lehtësuese, përveç që është rritur lëvizja e lirë e qytetarëve, nga 4 orë në ditë, me mundësi daljeje 2 orë paradite dhe 2 pasdite, kjo në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit.
Ndërsa edhe një sërë biznesesh tashmë janë rihapur. Edhe trafiku urban e ndërurban nisi sot punë, por me masa.
Udhëtarët ashtu si edhe punëtorët e trafikut urban, duhet të jenë të pajisur me maska e doreza, e mbi 20 pasagjerë nuk lejohen, ku janë vendos edhe shiritat për të mbajtur distancën sociale.
E, jo të gjithë kanë të drejtë të udhëtojnë, vetëm ata që kanë leje specifike të punës me leje nga institucionet gjegjëse.
Indeksonline sjellë disa imazhe nga autobusi urban Prishtinë – Fushë Kosovë, ndërsa shohim se në ditën e parë, qytetarët po respektojnë masat nga Ministria e Shëndetësisë. / KultPlus.com
Gjersa gradualisht po i kthehemi normalitetit pas gjendjes së shkaktuar nga COVID-19, zyra e UNICEF-it në Kosovë po bën thirrje për vëmendje më të madhe për mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në mënyrë që ata të mos lihen në karantinë për pjesën tjetër të jetës së tyre.
Instalacioni i cili do të zgjasë nga data 17 deri më 25 maj është thirrje që u bëhet vendimmarrësve, shoqërisë civile, mediave dhe sektorit privat për përfshirje më të madhe të fëmijëve që jetojnë me aftësi të kufizuara.
Murat Sahin, Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë thekson se “sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, të gjithë fëmijët, pa dallim, kanë të drejta të barabarta. Na përket neve që t’i ndihmojmë ata që ta arrijnë potencialin e tyre të plotë. Është detyrimi ynë moral, ligjor dhe njerëzor.
Izolimi dhe distancimi shoqëror që të gjithë prej nesh po e përjetojnë në kohën e pandemisë së COVID-19 është diçka që fëmijët me aftësi të kufizuara e përjetojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Përderisa Kosova gradualisht i kthehet normalitetit pas situatës së shkaktuar nga COVID-19, është e rëndësishme që shoqëria të ndihmojë që të përfundojë izolimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara njëherë e përgjithmonë. Një normalitet i përshtatshëm, i ri dhe më i mirë për një shoqëri gjithëpërfshirëse për të gjithë.”
Zyra e UNICEF-it në Kosovë përmes këtij instalacioni po kërkon:
Përshtatjen e praktikave mësimore gjithëpërfshirëse për të përmbushur nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara
Caktimin e një numri adekuat të asistentëve të mësimdhënësve për fëmijët me aftësi të kufizuara në nivelin parashkollor dhe në shkolla.
Ndarjen e një buxheti të mjaftueshëm për transport falas të fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në objektet parashkollore dhe në shkolla.
Ofrimin e pajisjeve teknologjike dhe ndihmëse për të gjithë fëmijët në nivel parashkollorë dhe shkollor.
Përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të familjeve të tyre në aktivitete shoqërimi dhe aktivitete sportive.
Qasje për të gjithë në hapësira publike, shkolla dhe biznese.
UNICEF-i do të vazhdojë të mbështesë institucionet dhe komunitetet për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me personat dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, duke përfshirë këtu përmirësimin e ligjeve, ofrimin e shërbimeve me bazë në komunitet, stimujve dhe ndihmave sociale në para të gatshme në mënyrë që të drejtat e tyre të përmbushen.
Karrocat janë siguruar nga organizata HANDIKOS në Prishtinë. / KultPlus.com
1. – Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.
2- Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar.
3- Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk (ujk e shkuar ujkut).
4- Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh.
5- Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë.
6- Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…
7- Kombi (iliro-shqiptar) i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat.
8- Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare. /KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Shqipërisë nuk ka qenë në listën e monumenteve të kulturës.
Madje, në vitin 2007, ministri i Kulturës së qeverisë Basha asokohe, Bujar Leskaj, nuk e ka future as në listën e monumenteve të kulturës, kurse ekspertët e Institutit të Monumenteve të Kulturës atë vit e kanë cilësuar godinën e Teatrit si një “godinë pa vlera”.
Sipas këtij dokumenti, në listën e gjatë me 108 godina, janë përfshirë si monumente kulture edhe klinika mjekësore, ndërsa Teatri Kombëtar për kryeministrin Basha, zv. Kryeministrin Ilir Meta, si dhe për ministrin e asaj kohe Lulzim Basha, nuk meritonte të ishte në listën e monumenteve të kulturës.
Pra, nëse Teatri Kombëtar do të ishte future në listën e Monumenteve të Kulturës, sot objekti i tij nuk do të ishte shembur, ose nuk do të ishte shembur kaq lehtë aga autoritetet. / Gazeta Tema/ KultPlus.com
Mes lotësh ka qenë dje aktorja Ermira Gjata, e fotografuar me një pamje dhimbjeje të madhe në fytyrë, dje, teksa u shemb Teatri Kombëtar.
Ka qenë e bija e saj, e njohur nga të gjithë si Zhaku, ajo që postoi foton duke treguar me një shënim në rrjetet sociale se mëngjesi i së dielës nisi me të qara.
E emocionuar dhe me një dridhje të zërit, Gjata u shpreh se me atë vendim ditën e djeshme janë shembur rrënjët e identitetit.
“Kur pashë që fadroma po shembte Teatrin edhe tani kur e kujtoj emocionohem. Çfarë do t’i themi studentëve, të rinjve që kanë një ëndërr? Atyre që duan të bëhen aktorë? Edhe pse ata e dinë që në këtë Shqipëri është e vështirë të bëhesh aktor dhe pavarësisht kësaj kanë zgjedhur të ndjekin këtë rrugë. Atyre që u kam thënë që është tempull më i shenjtë i aktorëve, ajo godinë mbart rrënjë të identitet shqiptar, një kulturë e trashëguar prej 70 –vjetësh. Arroganca e këtyre njerëzve dërrmon çdo lloj emocioni dhe nuk duan t’ia dinë fare. Akoma shpresoj se mund ta rikonstrukturojnë”, u shpreh Gjata, në një intervistë për “ABC e Mëngjesit”. / KultPlus.com
Një ditë pas shembjes dhe tensioneve të forta të krijuara mes policisë dhe artistëve e opozitës, kryeministri Edi Rama e nis këtë të hënë me një mesazh për Teatrin Kombëtar.
Rama ka shkruar në “Facebook” se “Teatri i ri Kombëtar do ta ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje…”.
Postimi i plotë i Ramës:
MIRËMËNGJES😊
me projekt-idenë e Teatrit të Ri Kombëtar, konceptuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels🙏
Duke ju uruar një javë të mbarë, dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje… Përvoja na mësoi se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltuara e masakruara pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetra e dhjetra vite, do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë; publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë; Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera, një tjetër destinacion kulturor të përmasave europiane në çdo aspekt. / KultPlus.com
Zjarri ka kapluar një sipërfaqe të madhe të pyjeve në Malsinë e Rozhajës. Ky zjarr është shtrirë edhe më gjerë duke përfshirë fillimisht depon e drurëve e tutje edhe ndërtesën e shkollës fillore “Dacaj” në Dacaj të Rozhajës, përcjellë KultPlus.
Kjo njëherit ishte shkolla e vetme shqipe në këtë krahinë.
Në emër të kryesisë dhe anëtarësisë së shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi ka reaguar duke kërkuar përgjegjësi nga organet kompetente sepse sipas tyre kjo djegie është e qëllimshme sepse edhe më herët, nga qarqet antishqiptare, është tentuar të digjet e shkatërrohet, duke tentuar që në këtë mënyrë ta ndalojnë edukimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë të kësaj Malësie ende të pa asimiluar gjuhësisht.
KultPlus ju sjell reagimin e plotë të shoqatës “Kosova për Sanxhakun”:
Me dhimbje të madhe morëm lajmin e hidhur të Malësisë së Rozhajës, pyjet e së cilës janë përfshirë nga zjarri i shtrirë në dhjetëra vendbanime. Por edhe më të indinjuar jemi për lajmin shumë të hidhur për djegien objektit te shkollës së vetme shqipe të kësaj krahine. Dyshohet se parmbrëmë në orët e vona, se shkolla në Dacaj është thyer dhe i është vënë flaka.
Kërkojmë nga organet përgjegjëse shtetërore të rendit e sigurisë që sa më parë t’i zbulojnë shkaktarin përkatësisht autorin e mundshëm të kësaj zjarrvënie të qëllimshme me pasoja të mëdha për këtë shkollë, nxënësit, mësimdhënësit dhe për tërë banorët e Malësisë së Rozhajës, e cila iu ekspozua zjarrit të madh ku u dogjën pyje dhe shtëpi gjithandej.
Kërkojmë nga organet përkatëse një hetim të hollësishëm rreth djegies së shkollës në Dacaj e cila edhe më herët nga qarqet antishqiptare është tentuar të digjet e shkatërrohet, duke tentuar që në këtë mënyrë ta ndalojnë edukimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë të kësaj Malësie ende të pa asimiluar gjuhësisht.
Në kohën kur Mali i Zi vazhdon të provokohet në mënyra të ndryshme nga qarqet sernomadhe, qoftë edhe nga ato që fshihet pas veladonësh të priftërinjve, është mjaft e qartë që të njëjtat qarqe janë të preokupuara që të shkaktojnë probleme artificiale në vend, qoftë edhe duke ndërmarrur veprime drastike sikurse që është edhe djegia e objektit të Shkollës Fillore “Dacaj“ në Dacaj të Rozhajës, që e ka një histori të bujshme të arsimimit e të edukimit në gjuhën amtare shqipe të shqiptarëve të kësaj malësie.
Deklaratat dhe dëshmitë e mësimdhënësve të kësaj shkolle, na bëjnë të dyshojmë se objektit të shkollës i është vu zjarri me qëllim, andaj kërkojmë që urgjentisht të ndërmarrën masa për zbulimin e shkakut dhe autorit. Me zbulimin e autorit largohet dyshimi dhe duke qenë prore në favor të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërkulturor të popujve në këto hapësira, Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e sheh si çështje të ngutshme zbulimin e këtij rasti dhe dënimin e autorëve të mundshëm të kësaj zjarrvënie që nuk dogjën vetëm objektin e shkollës por dogjën sipërfaqe të tëra, objekte banimi dhe rrezikuan jetën e banorëve, dhe ky është një tentim mizor i helmimit të marrëdhënieve të njerëzve të një nën qielli e fati të përbashkët jetësor. / KultPlus.com
Vepra e re e piktorit shqiptar nga Linzi i Austrisë, Gazmend Freitag tregon “sozinë” e tij me të cilin ai i kaloi javët e karantinës. Që të dytë tani paraqiten para publikut me një ngjyrosje, të fortë dhe plot lëvizje. Dhe u përgjigjen katër pyetjeve që ua ka parashtruar shkrimtarja austriake, Monika Grill.
Monika Grill: Sapo keni përfunduar autoportretin tuaj të ri. Si të gjithë njerëzit, ju është dashur të ndiqni rregulloret e karantinës. Si ishte për ju, i vetëm në studio, pa mundësinë për të parë miqtë tuaj?
Gazmend Freitag: Kjo nuk është asgjë e re për mua. Unë gjithmonë pikturoj dhe e bëj vetëm. Por me siguri se ndjehem pak i vetmuar, sepse më pëlqen të takoj miq për një gotë verë të kuqe në mbrëmje.
Monika Grill: E mbaj mend autoportretin tuaj nga viti 2014. Çfarë ka ndryshuar për ju që nga ajo kohë?
Gazmend Freitag: Stili im është bërë më realist, më figurativ dhe gjithashtu më dramatik. Ngjyrat janë më të forta. Unë jam më i guximshëm. Për të qenë i sinqertë, më pëlqen shumë më mirë piktura e re. Dhe unë e ndjej saktësisht mënyrën sesi shikoj në të.
Monika Grill: A ndjeheni më i moshuar?
Gazmend Freitag: Jo, aspak. Por pamja ime tani është orientuar shumë më tepër për të ardhmen. Të kaluarën e kam përpunuar në mënyrë të pikturuar. Tani jam kurioz për atë që do të vij.
Monika Grill: Tani pyetja ime për sozinë tuaj: A e keni mbajtur distancën e caktuar dhe nuk keni infektuar njëri-tjetrin?
Sozia: Ne jemi sjell në mënyrë shembullore. Dhe u infektuam vetëm me entuziazëm dhe me shumë kolorite ngjyrash. / KultPlus.com
Komuniteti i muzeve në mbarë botën shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.
Dita Ndërkombëtare e Muzeut u jep mundësinë profesionistëve të muzeve të takojnë njerëz dhe t’i informojnë ata rreth sfidave me të cilat përballen muzetë.
Çdo vit, muzetë nga e gjithë bota janë të ftuar të marrin pjesë në Ditën Ndërkombëtare të Muzeut për të promovuar rolin e muzeve në të gjithë botën, duke krijuar veprimtari unike, falas dhe argëtuese rreth një teme që diskutohet në mënyrë specifike për këtë ditë të veçantë.
Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve ka themeluar këtë ditë në vitin 1977 për të rritur vetëdijen e publikut për rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë. Sivjet nuk pritet të ketë aktivitete me rastin e kësaj dite, për shkak të pandemisë me koronavirus që ka prekur pothuajse të gjithë botën. / KultPlus.com
Gazetari dhe analisti i njohur Alfred Lela u bë sot papritur njëri prej të ndaluarve nga policia në afërsi të Teatrit Kombëtar, ku shkoi me biçikletë nga zyra për të parë ngjarjet nga afër.
“Në zonën midis ministrisë së financave dhe asaj të brendshme u bëra dëshmitar i një ngjarje, ku një zonjë po i fliste një oficeri policie nga një largësi prej disa metrash jashtë rrethimit të zonës së sigurisë. “Si nuk ju vjen keq? Pse e bëni këtë?” – tha zoti Lela.
Aty një grup policesh femra, tregon ai, shkuan dhe e morën zonjën gjysmë zvarrë, e futën brenda rrethimit për ta arrestuar.
“Aty unë lashë mënjanë për një çast detyrën e gazetarit, u bëra njeri i zakonshëm dhe ju thashë policeve: “Po e arrestoni pa të drejtë, dhuna juaj nuk ka kuptim, se zonja nuk bëri asgjë. Po shkelni policimin korrekt” – shtoi zoti Lela.
Ai nuk arriti të mbaronte fjalinë, sepse 3-4 policë të tjerë i shkuan nga pas shpinee morën dhe e lidhën.
“Jam goditur disa herë me shkelma nga afër në trup dhe në kokë ndërkohë që ma vendosën fytyrën mbi asfalt. Ky qëndrim zgjati shumë, sepse nuk po gjenin dot pranga, kishin mbaruar prangat dhe po kërkonin pranga përmes radiove të njëri tjetrit” – tha zoti Lela.
Ai ka ende një një shenjë të kuqe në faqe prej asfaltit, ndërkohë që mori edhe 4-5 goditje në kokë.
Nga mbajtja e kokës mbi asfalt prej oficerëve të forcave operacionale me kapucë të zinj Lela ka edhe një dhembje të qafës dhe shembje të pjesës së pasme të kurrizit, që mbetet për t’u vizituar nga mjekët.
Ai tregon se si për shumë minuta të tjera policët e mbajtën përpara Teatrit Kombëtar, i cili po shembej, sepse nuk po vendosnin dot ku duhej ta dërgonin. Komunikonin me radio: “Ku ta çojmë? Nuk e di. Si t’ia bëjmë”, shtoi Lela, pastaj kërkuan një makinë dhe e shoqëruan me këmbë nga Teatri deri te një qendër tregtare përballë Akademisë së Shkencave.
“Unë nuk u thashë se jam gazetar, por ata e dinin shumë mirë se kishin vënë një gazetar nën vete. Nuk është e lehtë të mbash gjunjët e 7 policëve mbi shpinë. Hoqa dorë nga vetëmbrojtja si gazetar dhe mendova ta provoj deri në fund si qytetar këtë përvojë. Nuk u ankova asnjë çast dhe gjoja se nuk e dinin emrin dhe profesionin tim, vetëm kur më çuan te makina më pyetën si e ke emrin. Nuk u përgjigja asnjëherë” – tha gazetari Lela.
Por pasi e futën në makinë dhe në komisariat, policët u transformuan duke i thirrur “Zoti Lela, zoti gazetar, zoti analist”.
“Ata dinin të ishin etikë për një orë e gjysmë nëpër zyra, por në shesh nuk e bënë as me mua dhe as me të tjerët” – tha gazetari Lela.
Ai ironizoi lajmet e ditëve të pandemisë duke thënë se ishte “lajmi i mirë” që sot është dita e parë kur Shqipëria ka më shumë të arrestuar nga policia se sa të infektuar nga Covidi. “Natyrisht që është një lajm shumë i keq, sepse arrestimet u bënë për protestën në mbrojtje të një monumenti kulture, pjesë e një trashëgimie të përbashkët kombëtare. Këto arrestime janë një lloj vdekje dhe pandemie e shoqërisë demokratike” – tha zoti Lela.
Ai tha se ngjarja e vërtetë ishte shembja e Teatrit Kombëtar, jo arrestimi i tij. Arrestimet, tha ai, janë një lloj koronavirusi në trupin e demokracisë. “Janë 37 arrestime, që njoftoi policia, e ndërkohë po bëhen edhe shumë arrestime të tjera në disa rrugë e sheshe. Kjo nuk është pamja që duam të shohim te vetja jonë gjatë rrugëtimit drejt BE-së” – shtoi zoti Lelo.
Ai theksoi se Shqipëria ka një qeveri të supozuar se është zgjedhur demokratikisht dhe jo një pushtues.
“Fakti që shembja e Teatrit Kombëtar kryhet pa ardhur agimi, në një kohë hajdutëshe dhe tinëzash, në një kohë pandemie, kur lëvizja e njerëzve është e pamundur dhe e limituar lëvizja, protesta, grumbullimi, kjo tregon se ka diçka për të cilën ata që veprojnë kështu nuk janë të sigurtë” – thotë analisti Lela.
Ai kujtoi se institucione prestigjoze ndërkombëtare janë kundër shembjes, dhe folën deri ditën e fundit.
“Teatri Kombëtar i Shqipërisë u fut në galerinë e pasurive të rrezikuara nga Europa Nostra. Janë reagimet e komisioneres për kulturën në Parlamentin Europian, po ashtu reagime edhe nga individë dhe organizata të tjera. Problemi u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, por zyrtarët kanë edhe ngutin që të mos presin Gjykatën Kushtetuese, të paktën sa të dëgjonim fjalën e parë të një institucioni të ri të drejtësisë as reformës” – tha zoti Lela.
Ndaj sipas tij, të gjitha shenjat dhe dëshmitë të çojnë tek dyshimet e hedhura, që qarkullojnë prej kohësh.
“Ishte një gjë e padenjë, e padrejtë, që nuk duhej bërë. Nuk kemi as transparencë, as drejtësi, as dhënie kohe, as dëgjim të miqve ndërkombëtarë, as pritje të institucioneve të larta të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, sa për të dëgjuar të paktën a është apo jo kushtetues ky hap. Duke i përsëritur të gjitha këto shpesh, dhe megjithatë gjithçka na u shemb para syve” – theksoi zoti Lela.
Teatri Kombëtar u shemb! Ky ishte lajmi që gjeta sot në mëngjes, në ekranin e celularit tim, nisur me njoftimin e dedikuar, nga gjithë portalet. Nuk ka nevojë të them se si çdo njeri që e ka jetën të lidhur prej dekadash me këtë qytet, ndjeva jo pak keqardhje. Keqardhjen për një pjesë të historisë sonë, të shndrruar në një grumbull rrënojash. Keqardhjen për një pjesë të kujtesës personale, të zhdukur tashmë, si shumë pjesë të tjera të këtij qyteti. Ndaj vendosa të postoj në Instagram dhe Facebook një pamje të Teatrit te shembur me dedikimin që kishte lidhje vetëm me mua: “Iku edhe një pjesë e historisë së këtij qyteti”. Qytet të cilin unë besoj se e dua shumë dhe këtë dashuri nuk kam nevojë as ta ndaj me njeri dhe as të ma konfirmoje kërkush.
Nuk e prisja që inbox-i të më mbushej me qindra komente, ku një pjesë shfrynin se përse nuk ngrihemi ta rrezojme këtë diktature, përse nuk bëjmë thirrje për të burgosur Edi Ramen dhe të tjera shfrynin me po kaq mllef se po bëj lojën e opozitës dhe po mbroj një godinë tallashi që do bëhet më e bukur ca vjet më pas.
Meqenese humba jo pak orë për të kthyer pergjigje të dedikuara dhe s’ja dola dot, po mundohem të jap shikimin tim ketu.
E para, çështja e Teatrit ndahet në dy pjesë: në atë që lidhet me godinën dhe trashegiminë dhe në atë që lidhet me anën ligjore të transferimit dhe shembjes së saj. Po e nis nga e para.
Sot në mëngjes nuk është prishur Teatri Kombëtar. Teatri Kombëtar mund të mbledhe plaçkat e tij e të shkojë në një godinë tjetër. Mund të vijojë me vite të tjera të japë shfaqje e të ndërrojë breza aktorësh. Sot është prishur një godinë, ku që prej vitit 1945, në mos gaboj, operonte Teatri Kombëtar.
Godina, ose me mirë kompleksi, ka nisur të ndertohet në vitin 1938 me projekt të arkitektit italian Xhulio Berte dhe përfundoi në vitin 1940. Ai u quajt në atë kohë “Rrethi Skenderbeg” dhe shërbeu si zona e elitës kulturore dhe të emancipuar shqiptare. Në të u vendos jo vetem kinemaja dhe teatri, por edhe Instituti i Studimeve Shqiptare dhe u ngritën bari dhe restoranti më “in” i qytetit. Nuk po zgjatem me rolin historik të kompleksit, qe ishte qendra e jetës intelektuale të qytetit. Më 1944 ajo u quajt “Kinema Kosova”, ndërsa më 1945, Teatri Popullor. Më 1945 aty u zhvillua Gjyqi Special që çoi ne ekzekutim disa nga emrat e njohur të politikës dhe firmëtare të Aktit të Pavarësisë. Ende sot, disa i quajne patriotë e disa kolaboracionistë. Si çdo gjë në Shqipëri që nuk gjen konsensus.
Qe prej vitit 1945 Teatri ka pasur aty selinë e tij, e për një kohë edhe “Klubi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”. Që prej vitit 2000 u hodh ideja që godina nuk ishte më funksionale për një teatër, ndaj ai duhej të zhvendosej diku tjetër, ose të rindërtohej aty. Idenë e mbronte kryesisht Ministri i Kulturës Edi Rama. Për fat të keq, që atëherë, e deri dje, debati u fut në rrugë të shtrembër dhe krejt të gabuar. Me shumë se sa një debat për Trashegiminë Kulturore, ai u spostua si një debat mbi Teatrin Kombëtar.
Pra në vend që të ishte një debat për vlerat historike të godinës dhe lidhjen e saj me kompleksin arkitektonik të qendrës së kryeqytetit, u shndrua në një debat se si aktorët të kishin një sallë më të mire dhe u ftuan ata të flisnin për të.
E para, Teatri dhe godina janë dy gjëra krejt të ndara. Godina mund të mos vlente për teatër më dhe unë e besoj këtë. Por ajo mund të restaurohej dhe të shndrohej në muzeum të qytetit, të arkitekturës racionaliste apo të çdo gjëje tjetër. Të mbetej dëshmi e një kohe dhe një arkitekture që për mua, mbetet më interesantja në Tiranë. Me këtë llogjikë, se projektet e reja mund të jenë më magjike ne mund të shembim edhe xhaminë, edhe sahatin edhe kalanë dhe të ndërtojme godina moderne, por që nuk kane asnjë lidhje me trashëgiminë. Pra thënë ndryshe, përfshirja e aktorëve në këtë histori qe një absurditet. Aktoret mund të vendosin si duan sallën e Teatrit, por jo shembjen dhe zëvendësimin e trashëgimisë kulturore që ju takon gjithë shqiptarëve. Kjo do të ishte njësoj, sikur për shembjen e Teatrit të Kukullave, ish- parlamentit të parë, godinës më historike të Tiranës, të pyeteshin aktorët e tij. Pra, godina mund të mos ishte teatër dhe duhej transferuar që aty, por godina nuk kishte përse te prishej. Ajo ishte pjesë e këtij qyteti.
E dyta, shembja e godinës, duhet të na bëjë të reflektojme menjëherë dhe të shohim sërish listën e monumenteve të rëndësishme në vend. Është e patolerueshme që IMK nuk e ka përfshirë Teatrin në zonën monumentale në vitin 2007. Nga pakujdesia apo nga mendësia e viteve të komunizmit që arkitekturën racionaliste e shihte si fashiste. Nëse ne nuk bëjmë sa më parë një listë të mbrojtur dhe të votuar, nuk do jetë çudi që godina e Teatrit do pasohet nga të tjera. Zona e rrugës së Kavajës, ajo e Kalasë, Zona e Kodrës së Kuqe apo e Bllokut janë të mbushura me godina historike të kërcënuara. Ato mund mund të mbrohen rast, pas rasti, por me një ligj që mos ta ndryshojë më askush. Vlerën historike se përcaktojme dot as me opinion, as me kriter estetik personal, por me ligj. Unë nuk jam kundër zhvillimit modern të qytetit; as besoj se qyteti është shkatërruar nga 4 – 5 kulla ikonike të ndërtuara keto 30 vjet. E pëlqen apo jo arkitekturën e tyre. Unë mendoj se qyteti është rënduar nga mungesa e ligjit, nga mbi 60 mijë ndërtime pa leje që kanë mbirë si mostra në oborret mes pallateve, në kodrat rrethuese rrotull qytetit, në parqet e fushat e dikurshme, madje edhe në mes të rrugëve, duke e shndruar atë në një hibrid të cuditshëm. Dikush mund të dojë trashëgimine, dikush as pyet për këtë. Garancitë duhet t’i japë ligji. Jo pëlqimet personale!
Ana ligjore e problemit është një tjetër aspekt. Përderisa presidenti i qe drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe përderisa BE dhe struktura të tjera kishin kërkuar dialog, vendimi mund të merrej më vonë. Edhe Mbledhja e Këshillit Bashkiak mund të bëhej e hapur e me debat, që gjithsecili të njihte qëndrimin e anëtarëve të tij.
Ndërkohë, ideja e ngritjes së një teatri të ri, modern e funksional, është çështje që e vendos bashkia. Ajo ka tagrin ta marrë këtë vendim dhe mendimi im as vlen dhe as ndryshon asgjë. Por personalisht jam 1000 herë kunder ngritjes së një Teatri të ri, me kosto të larta ndërtimi dhe operimi, që nuk përputhet fare me nivelin e zhvillimit teatror ne vend. Jam kundër qe fondet publike të hidhen në një godinë të tillë, qoftë e projektuar edhe nga një prej arkitekteve më të rëndësishëm në Europë. Personalisht ky projekt s’më thotë asgjë, edhe pse ka të tjerë që e pëlqejnë atë.
Përgjigje e gjatë për gjithë ata që më kanë shkruajtur sot, por më e shkurtër se sa ajo që do doja të trajtoja në një rrethanë tjetër.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar orarin e ri të qarkullimit për qytetarët në fazën e dytë të masave lehtësuese në Kosovë.
Sipas këtij orari, që fillon nga dita e nesërme dhe zgjat deri më 1 qershor, qytetarët do të kenë mundësinë që të dalin dy herë në ditë nga dy orë. Dy orë paradite dhe dy orë pasdite.
Deri më tash qarkullimi i qytetarëve ishte i kufizuar në tri orë, në dy orare.
Në fazën e dytë të lehtësimit të masave është paraparë edhe hapja e disa bizneseve si dhe lejimi i qarkullimit të autobusëve urban dhe ndërurban.
Regjisori dhe shkrimtari rus Andrei Tarkovsky krahas arritjeve në kinema shquhet edhe për mendimet e tij të thella mbi jetën, njeriun dhe botën.
Në një video të shkurtër, të regjistruar në kohën kur Tarkovsky ishte në moshë të shtyrë, regjisori rus ofron disa këshilla shumë të vlefshme për të rinjtë. Më poshtë po i sjellim të transkriptuara dhe të përkthyera në gjuhën shqipe:
Personi që e filmon Tarkovskyn e pyet: Cka do të doje t’iu thoje njerëzve?
Tarkovsky përgjigjet:
“Nuk e di..mendoj se do t’iu thoja vetëm këtë: duhet të mësoheni të qëndroni në vetmi dhe të harxhoni sa më shumë kohë që të mundeni me veten tuaj. Mendoj se njëri prej gabimeve tek të rinjtë sot është përpjekja e tyre që të shkrihen në turma që janë të zhurmshme dhe nganjëherë edhe agresive.
Në opinionin tim, kjo dëshirë e të rinjve sot për t’u bashkuar në turmë, për t’i ikur kështu vetmisë, është një simptomë e rrezikshme. Secili duhet të mësojë që nga fëmijëria sesi të harxhojë më shumë kohë me veten. Kjo nuk do të thotë se ai duhet të jetë një vetmitar, por vetëm që të mos rritet i mërzitur me veten. Sepse njerëzit që rriten duke e urrejtur vetveten më duken njerëz të rrezikshëm”.
Agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters” ka shkruar lidhur me ngjarjen e sotme në Shqipëri, ku u shemb objekti i Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Reuters në artikull shkruan për përplasjen e protestuesve me policinë.
“Për më shumë se dy vjet, aktorët, aktivistët dhe opozita e kanë kontestuar planin e kryeministrit socialist, Edi Rama, për ndërtimin e një teatri të ri, duke thënë se ndërtesa e vjetër është pjesë e trashëgimisë së vendit dhe e akuzuan atë për praktika korruptive”, shkruan Reuters përcjell Klan Kosova.
Artikulli tutje flet për një numër të madh të forcave policore u vendos para agimit rreth teatrit dhe i larguan nga aty anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Më pas, buldozerët filluan ta shembnin ndërtesën, shpjegon ngjarjen se si ka rrjedhur në kryeqytetin shqiptar.
Objekti i ndërtuar më 1939 dhe i shndërruar në Teatër Kombëtar më 1945, e ka përçarë shoqërinë.
Sipas këtij artikulli shumë njerëz janë shprehur të zemëruar pse Rama ka vendosur që të veprojë në kohën e izolimit nga koronavirusi.
“Kjo nuk ka të bëjë me shkatërrimin e teatrit, por me rënien e demokracisë dhe lirisë. Ne jemi në një diktaturë”, dëgjohet duke thënë në një video në Facebook një anëtar i paidentifikuar i aleancës”.
Protestuesit u përleshën me policinë duke brohoritur “Poshtë diktatura”, gjë që rezultoi me arrestimin e 37 personave.
Një polic është dërguar në spital pasi u godit nga një protestuar, ndërsa një dëshmitar e ka parë edhe një protestues me lëndime në kokëm shkruan Reuters përcjell Klan Kosova.
Sot në Prishtinë është mbajtur një aksion simbolik në shenjë solidarizimi me artistët në Shqipëri, të cilët po protestojnë kundër shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar Shqiptar.
Aksioni ka nisur në ora 17:00 dhe është zhvilluar para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
Përafërsisht 50 persona kanë qëndruar para teatrit me maska dhe me pankarta në të cilat kishte mbi shkrime si: “Muret i shembni, por jo teatrin”, “Me teatrin” dhe të tjera.
Ky aksion është zhvilluar nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës.
Kujtojmë se sot (17 maj, 2020) në orët e hershme të mëngjesit, forca të shumta policore dhe mjetet e rënda të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë nisur punën për shembjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.
Policia është konfrontuar me grupin e artistëve që po mbronin Teatrin Kombëtar të cilët, së bashku me disa figura politike janë shoqëruar në komisariat, ndërsa zona është blinduar nga forcat e policisë. Klan Kosova / KultPlus.com
Grupi Replikë si një grup i aktivistëve të pavarur kosovarë të cilët refuzojnë të heshtin ndaj padrejtësive politike e shoqërore në Kosovë, sot ka ndërmarrë një aksion simbolik, shkruan KultPlus
Ata në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë kanë vendosur pankarta me mbishkrimin: Mundesh me konë edhe shqiptaredhedylber.
“Aktiviteti ka për qëllim të rikthesojë faktin se edhe shqiptarët janë pjesë e komunitetit LGBTIQ+”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Sot, më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, ne, grupet e aktivistëve/eve të pavarur Replikë dhe Dylberizm, kemi ndërmarrë një aksion rrugor duke vendosur në vende të ndryshme të Prishtinës pankarta me mbishkrimin: Mundesh me konë #EdheShqiptarEdheDylber
Aktiviteti ka për qëllim të rikthesojë faktin se edhe shqiptarët janë pjesë e komunitetit LGBTIQ+.
Për vite të tëra, shqiptarët besojnë fuqishëm se janë popull heteroseksual e veç me dy gjini. Nëse dikush nuk identifikohet brenda këtyre binareve, atëherë konsiderohen si “jo shqiptarë”. Është koha që këto mite të rrejshme e të dëmshme të zhduken, dhe të zëvendësohen me pranimin e faktit të thjeshtë që: munesh me konë Edhe Shqiptar edhe Dylber.
Shqiptarët LGBTIQ+ kanë qenë dhë do të jenë gjithmonë pjesë e shoqërisë shqiptare. Këngët e vjetra për dashurinë mes burrave shqiptarë, arshikëve dhe dylberëve, na tregojnë që homoseksualizmi nuk është diçka e re në kulturën tonë. Burrneshat shqiptare na tregojnë që gjinia jo gjithmonë është fikse: burrë/mashkull apo grua/femër, por që është konstrukt i normave në të cilat jetojmë. Këngët dhe legjendat e vjetra shqiptare për kalimin e Ylberit na tregojnë që ndryshimi i gjinisë/seksit nuk është çrregullim mendor, por është një rrugëtim i bukur për të jetuar jetën plotësisht si vetja.
Këto pankarta të vendosura nëpër rrugët kryesore të Prishtinës, janë përkujtim për neve si shoqëri, se qytetarët LGBTIQ+ meritojnë respektin dhe trajtimin e barabartë si çdo qytetar tjetër, çdo ditë, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo familje”.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur keqardhjen e tij për shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka krahasuar gjendjen e kulturës mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe ka thënë se arkiva e popullit duhet të mbesë e e paprekur.
“Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në Facebook.
Këtu keni statusin e plotë:
“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.
Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.
Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.
I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”.
Kur shqiptarët shembin trashëgiminë e kulturën kombëtare
Kur zyrtarët serbë të Prishtinës me 1957 urdhëruan shembjen e Kishës së Shna’ Ndout në qendër të kryeqytetit, punëtorë shqiptar nuk pranuan ta bënin këtë shëmti. Dolën punëtorët serbë dhe të etnive të tjera që e shemben kishën e Stakajve. Në Shqipëri ndodhi e kundërta, shqiptarët i shembën të gjitha kishat katolike, ose i shndërruan në depo e shtëpi kooperativistësh për argëtim të vulgut. Nuk pati rezistencë ndaj këtij vandalizmi komunistësh pro serb. Kur një oligark në Prishtinë kërkoi të shembej Teatri Kombëtar i Kososovës dhe mbi rrënojat e tij të ndërtohej një ndërtesë shumëkatëshe, brenda të cilit do të ishte edhe Teatri Kombëtar, shqiptarët e Kosovës e refuzuan propozimin e oligarkut. Në Shqipëri ndodhi e kundërta: klika qeverisëse e pranoi diktatin e oligarkëve, sot në mëngjes u shemb Teatrin Kombëtar para artistëve që përloteshin, të pafuqishëm t’u kundërviheshin policeve. Opinioni nga transmetimet televizive, shihte tmerr dhe nuk u besonte syve. Tirana po shpërfytyrohet në mënyrë të frikshme. Ç’ lloj shqiptarësh janë këta?
Shqiptarët e Prishtinës nuk pranuan ta shembin kishen e Shna’Ndout, nuk e shemben as Teatrin Kombetar. Pamje nga kisha e rrënuar me 1957.
Hodha nji sy në faqen e parë dhe lexova: Më shkrepi ta shkruej jetën time. Ky mendim më leu tue i pa fotografitë e ndryshme që të përfytyrojnë xha Simonin qysh në kohën e fëmijnisë. Përse të mos e shkruej?
Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu ndodh edhe me jetën.
Mbasandej kapërceva disa faqe e këndova: Mbasandej kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kushedi se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkue bukurinë e shokut të vet jo gjini.
Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që tue kundrue mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet të perces së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubëza vjeshash për ata që u kalojnë pranë, pa ditë se kanë plagosë randë disa zemra të strukura brenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm?
Oh, sa e sa sy vajzash, nga plasat e dyerve ose nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rinj me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, megjithëqe natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shumë se ata, i ka pajtue me ndjesitë e dashunisë. Pak ma andej, mbasi shfletova disa fletë, ndesha në këtë pjesë interesante: S’di se cfarë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje?
Grueja që poshtnohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që ti meritojë, ose të ketë interes apo frikë nga burri që nuk e këput atë lihej që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për ta shmangë cdo mosmarrveshje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të ba nji familje të lumtun , ata që do të martohen përpara se ta bashkojnë fatin e jetës lypet të jenë njoftë, t’i kenë pajtue karakteret dhe ta kenë dashunue njeni-tjetrin. Përndryshe, s’bajnë tjetër vecse krijojnë nji ferr për me e torturue veten dhe për t’i përcëllue në flakët e tij edhe fëmijët që do t’u lejnë. /KultPlus.com