Agjenda e aktiviteteve për ditën ndërkombëtare të muzeve

Dita Ndërkombëtare e Muzeve përfaqëson një moment unik për komunitetin ndërkombëtar muzeor. Çdo vit, kjo datë shënohet përmes aktiviteteve dhe ngjarjeve kreative me qëllim të ngritjes në pah të rëndësisë dhe rolit të muzeve si institucione që i shërbejnë shoqërisë, zhvillimit të saj dhe ndërtimit të paqes.

Tema e caktuar ICOM për vitin 2021 është: “The future of Museums: Recover and Reimagine”/ “ E ardhmja e muzeve: Rijetësimi dhe Riimagjinimi” duke propozuar tek muzetë, profesionistët muzeor dhe komuniteti që të krijojnë, imagjinojnë dhe të ndajnë përvoja të reja të (bashkë-) krijimit të vlerave, modele të reja të punës për institucionet kulturore dhe zgjidhje inovative për sfidat e tashme sociale, ekonomike dhe mjedisore.

Me qëllim të shënimit të kësaj dite të rëndësishme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës, kanë organizuar një agjendë me aktivitete të ndryshme.

Më datën 18 Maj, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 12:00 do të ekspozohen punimet e pjesëmarrësve, në kuadër të aktivitetit “Arka Arkeologjike dhe Etnologjike”, i cili është zhvilluar në bashkëpunim me Festivalin e Muraleve në Ferizaj.

Ditën e mërkurë, më 19 Maj, gjithashtu në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 12:00 do të promovohet ekspozita e veçantë e koleksionit të figurës qendrore të trashëgimisë muzikore folklorike të ndjerit Shaqir Hoti./ KultPlus.com

Muzeu i munguar

Shkruan Atdhe Arifi

Sot është dita Ndërkombëtare Muzeut dhe fatkeqësisht ende nuk e bëmë një muze të denjë, me vlera historike meritore që trajton dhe rikujton ato që kemi përjetuar si shqiptarë të Kosovës, nën trysnitë për gjenocid, spastrim etnik dhe eksod.

Muzeu është ndërtuar si një simbol në shoqërinë perëndimore që nga Rilindja. Ky simbol është kompleks dhe shumë-shtresor, duke vepruar si shenjë e dominimit dhe çlirimit, të të mësuarit dhe kohës së lirë. Si vende për ekspozitë, përmes koleksioneve, shfaqjeve dhe ndërtesave, muzetë ndërmjetësojnë shumë nga vlerat bazë të shoqërisë. Por këto janë subjekt i kontestimit, dhe muzeu mund të shihet gjithashtu si një vend për politikën kulturore.

Në shoqëritë post-koloniale, muzetë kanë ndryshuar rrënjësisht, duke u reinventuar nën trysninë e shumë forcave, të cilat përfshijnë role dhe funksione të reja për muzetë, racionalizëm ekonomik dhe lëvizje drejt një aksesi më të madh demokratik. Kuptimi i Muzeut analizon dhe shqyrton marrëdhëniet midis muzeve dhe publikut të tyre. ‘Muzetë’ janë kuptuar shumë gjerësisht, për të përfshirë galeritë e artit, vendet historike dhe shtëpitë historike.

‘Marrëdhëniet me publikun’ gjithashtu kuptohen shumë gjerësisht, duke përfshirë ndërveprimet me artefaktet, ekspozitat dhe arkitekturën, të cilat mund të analizohen nga një sërë perspektivash teorike. Këto përfshijnë studimet e kulturës materiale, komunikimin masiv dhe studimet mediatike, si dhe teoritë e të mësuarit dhe studimet kulturore. Analiza e marrëdhënieve të muzeut me publikun e saj e zhvendos theksin nga muzeu si tekst në studime të bazuara në marrëdhëniet e trupave dhe vendeve, identiteteve dhe komuniteteve.

Rëndësia historike dhe kulturore e Muzeut të munguar të luftës

Kosova ka histori që duhet dokumentuar. Por, deri tash kësaj historie lufte e sakrifice, rezistence, dhimbjeje e rezilience, humbjeje e shkatërrimi, masakrave e gjenocidi nuk iu kushtua një institucion që tregon se çka ka përjetuar populli ynë. Kur vetë shqiptarët nuk po i kujtuakan, si t’i kujtojnë të tjerët. Ose nëse shqiptarët i paskan harruar, pse mos i harrojnë edhe të tjerët.

Fatkeqësisht, sot në Prishtinë ende nuk ka së paku një muze të denjë, i cili do të tregonte aparteidin dhe terrorin që regjimi i Beogradit e ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë shekullit që e lamë pas, po sidomos gjatë viteve 90-ta. Gjatë gjenocidit serb në Kosovë, u vranë mijra njerëz, mbi 6000 të zhdukur në rrethana të paqarta, ende mbi 1600 persona të pagjetur, rreth 20 000 gra të dhunuara.

Sot qeveria serbe mohon krimet e kryera në Kosovë, ndërkohë qytetarët mbajnë vetëm kujtimet e përvojat individuale e brenda familjes. Si rrjedhojë, sikurse çdo vend i botës që tregon historinë e vet, edhe populli shqiptar i Kosovës ka nevojë të lë gjurmë të historisë së vet në një institucion siç është muzeu historik. Por, në rastin tonë kjo nuk mjafton. Populli jonë ende ka plagët e freskëta pasi që shumë krime mbeten të paevidentuara, prandaj është e rëndësishme të krijohet qendra për hulumtimin e krimeve të luftës. / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Muzeut

Komuniteti i muzeve në mbarë botën shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.

Dita Ndërkombëtare e Muzeut u jep mundësinë profesionistëve të muzeve të takojnë njerëz dhe t’i informojnë ata rreth sfidave me të cilat përballen muzetë.

Çdo vit, muzetë nga e gjithë bota janë të ftuar të marrin pjesë në Ditën Ndërkombëtare të Muzeut për të promovuar rolin e muzeve në të gjithë botën, duke krijuar veprimtari unike, falas dhe argëtuese rreth një teme që diskutohet në mënyrë specifike për këtë ditë të veçantë.

Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve ka themeluar këtë ditë në vitin 1977 për të rritur vetëdijen e publikut për rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë. Sivjet nuk pritet të ketë aktivitete me rastin e kësaj dite, për shkak të pandemisë me koronavirus që ka prekur pothuajse të gjithë botën. / KultPlus.com