Në dekadat e fundit, fatkeqësitë natyrore me të cilat përballet njerëzimi, sa vijnë dhe shtohen duke marrë qindra-mijëra jetë njerëzore si pasojë e forcës shkatërrimtare të natyrës.
Por, a është Covid-19 një armik natyror i njerëzimit apo është vetëm një bumerang i sjelljes njerëzore ndaj natyrës?
Këto foto të shkrepura japin përgjigjen e duhur të kësaj pyetje!
Nga shifrat e publikuara thuhet se është ajri i ndotur që vret në mënyrë “të heshtur” rreth 4,2 milion jetë çdo vit në shkallë globale.
Por, siç dhe shihet kjo pandemi ka sjellë një të mirë, atë të pastrimit të “mjegullës vdekjeprurëse”. /tch/ KultPlus.com
Në këto ditë pandemie po ju sjellim disa vargje të shkëputura nga poezia e Nolit, ‘Anës lumenjve’, vargje këto që ngjallin shpresë për një të ardhme më të mirë.
”Se pas dimrit vjen një verë, që do kthehemi njëherë, pranë vatrës, pranë punës, anës Vjosës, anës Bunës”
Poezi nga Fan Noli
Anës lumenjve
Arratisur, syrgjynosur, rraskapitur dhe katosur po vajtonj pa funt, pa shpresë, anës elbë-s, anës spree-së. ku e lam’ e ku na mbeti, vaj-vatani e mjer mileti, anës detit i palarë, anës dritës i paparë, pranë sofrës i pangrënë, pranë dijes i panxënë, lakuriq dhe i dregosur, trup e shpirt i sakatosur.
se ç’e shempnë derbederët, mercenarët dhe bejlerët, se ç’e shtypnë jabanxhinjtë, se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë, se ç’e pren’ e se ç’e vranë, Ç’e shkretuan anembanë, nënë thundrën e përdhunës anës vjosës, anës bunës.
Çirem, digjem i vrerosur, sakatosur, çarmatosur, as i gjall’, as i varrosur, pres një shenj’ e pres një dritë, pres me vjet’ e pres me ditë, se ç’u tera, se ç’u mpaka, se ç’u çora, se ç’u mplaka, lark prej vatrës dhe prej punës, anës rinit, anës tunës. Çakërdisur, batërdisur, përpëlitur dhe zalisur, ËndËronj pa funt, pa shpresë, anës elbë-s, anës spree-së.
dhe një zë vengon nga lumi, më buçet, më zgjon nga gjumi, se mileti po gatitet, se tirani lebetitet, se pëlcet, kërcet furtuna, fryhet vjosa, derdhet buna, skuqet semani dhe drini, dridhet beu dhe zengjini, se pas vdekjes ndriti jeta dhe kudo gjëmon trumbeta. ngrehuni dhe bjeruni, korini dhe shtypini, katundar’ e punëtorë, që nga shkodra gjer në vlorë!
ky ilaç e ky kushtrim më bën djal’ e më bën trim, më jep forc’ e më jep shpresë, anës elbë-s, anës spree-së. se pas dimrit vjen një verë, që do kthehemi njëherë, pranë vatrës, pranë punës, anës vjosës, anës bunës.
arratisur, syrgjynosur, raskapitur e katosur, brohoras me bes’ e shpresë, anës elbë-s, anës spree-së. / KultPlus.com
Vivien apo jeta jeton me Prishtinën e Kosovën dje e nesër rrinë zgjuar në andrrat e dashnive tona rrugëve me kalldërme e autostradave të reja proteston rebele flokëve e syve të heroinave të braktisura me pahir Mileniumit të ri në Ballkan e gjetiu kurrë e braktisi njeriun e thjesht një shtatore boheme në çdo skutë të shpirtit rock and roll shqip e Vivien Violeta na fal për ikjen pa fjalë…/ KultPlus.com
Facebook do të shtojë edhe një emotikon te butoni për pëlqime dhe reagimet e tjera që aktualisht ekzistojnë.
Bëhet fjalë për emotikonin “Hug (përqafime)”, shkruan The Next Web, transmeton KultPlus.
Ky emotikon do të thotë se ju mund të “tregoni mbështetjen tuaj” për miqtë dhe familjarët gjatë kësaj periudhe të pandemisë.
Deri më tani është përdorur emotikoni “Love (dashuri)” për këtë, porse “përqafimi” është më direkt dhe i tregoni se kujdeseni për atë person më tepër se sa për postimin.
E në Messenger, Facebooku nuk është duke e përdorur të njëjtin emotikon, porse aty po e përdor një zemër të purpurt. / KultPlus.com
Vota mund të jetë edhe “tirani e gishtave” thotë Karl Poper, mjet që përherë, në situata të krizave, është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet nga populistët për pushtet. Ky fenomen, ma mirë se kudo, kuptohet nga “Ferma e kafshëve” e Orvellit dhe gatishëmria e grixhës që duke i shkuar pas Oskarit, “zgjidhjen” e kthen në “problem”! / KultPlus.com
Shkaku i pandemisë Covid-19 që e ka kapluar gjithë globin tokësor, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis informon se festivali FemArt 8 do të shtyhet për datat 15 – 20 tetor, 2020.
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt për të 8-ën herë radhazi në Prishtinë, Kosovë nga data 15 – 20 Tetor, 2020 ( 6 ditë) me moton “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!”. FemArt është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës për tetë vite, thuhet në komunikatën për media.
Për çdo vit FemArt angazhon mbi dyqind gra artiste dhe aktiviste nga e gjithë bota që shfaqin punën e tyre kreative përmes shfaqjeve teatrale, filmave, dokumentarëve, leximeve skenike, arteve vizuale, ekspozitave, performancave në rrugë, koncerteve, promovime librash, ligjëratave, poezive, punëtorive, panele diskutimesh, konferenca dhe prezantime, murale dhe shumë forma të tjera arti.
FemArt – Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon. Programi do të përzgjidhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe të drejtave të njeriut.
Për hapjen e thirrjes zyrtare, për aplikimin e pjesëmarrëseve, artisteve dhe aktivisteve nga vendi dhe nga mbarë bota, me punët e tyre artistike, ne do t’ju informojmë me kohë. / KultPlus.com
Pas një trajnimi të shpejtë prej tri ditësh, princeshë Sofia e Suedisë iu bashkua radhëve të ekipeve mjekësore suedeze, në krizë të plotë shëndetësore në lidhje me koronavirusin e ri, njofton Oborri Mbretëror, transmeton KultPlus.
Prej ditës së enjte, princesha 35-vjeçare është asistente vullnetare e personelit shëndetësor në Spitalin “Sophiahemmet” në Stokholm.
“Si presidente nderi e “Sophiahemmet”-it, ajo dëshiron të ndihmojë në këtë krizë në Suedi”, tha Margareta Thorgren, zëdhënëse e Oborrit Mbretëror.
Princeshë Sofia i është bashkuar familjes mbretërore pasi u martua me Princin Carl Philip, në vitin 2015.
Suedia ka zgjedhur një qasje origjinale ndaj COVID-19 duke mos e kufizuar popullsinë e saj.
Autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për përgjegjësi qytetare, distancim shoqëror, zbatim të rreptë të rregullave të higjenës, izolim në rast simptomash.
Ndër masat më të rrepta të marra deri tani janë ndalimi i tubimeve të më shumë se 50 personave dhe ai i vizitave në azilet e pleqve.
Sot, mbretëria skandinave regjistroi 13 226 raste të konfirmuara me COVID-19, përfshirë 1 400 vdekje. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri paraqiten me një qëndrim të përbashkët për vëmendjen ndaj shkencës, kulturës dhe arteve në kushtet e distancimit social për shkak të pandemisë COVID-19.
Në një njoftim për shtyp, Akademia e Shkencave (ASH) bën të ditur se, “Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri janë duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19 në gjithë botën. Shoqëria e sotme, e kërcënuar nga një rrezik që kurrë nuk është njohur më parë, po e kupton më mirë se sa të rëndësishme janë për fatet e saj, sot dhe në të ardhmen, shkenca, kultura, artet dhe ndërkomunikimi”.
Sipas ASH-së, meritojnë mirënjohjen dhe mbështetjen tonë në mënyrë të veçantë të gjithë ata njerëz të dijes që gjenden në vijën e parë të rrezikut, ballë për ballë me pandeminë, duke luftuar ditë për ditë me të keqen: mjekët dhe infermierët, të cilët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetë njerëzore. Shkenca dhe bota intelektuale po qëndrojnë me dinjitet përballë fatkeqësisë botërore, duke kërkuar rrugë e zgjidhje për t’u kthyer sa më parë në normalitet.“Jemi të detyruar të zgjedhim të keqen më të vogël: të pranojmë distancimin shoqëror për të zvogëluar dhe mbajtur nën kontroll përhapjen e pandemisë, me qëllimin parësor mbrojtjen e jetës, megjithëse e dimë mirë se kjo ka rrezikuar dhe do të rrezikojë përkohësisht ndërkomunikimin në shkencë, kulturë dhe art”.
“Shqipëria dhe Kosova, si gjithë të tjerët në botë, janë vënë përballë një rendi dhe forme të re komunikimi intelektual, ku të rrezikuara nuk janë vetëm jetët e njerëzve apo ekonomitë, por edhe shkenca, kultura dhe arti me gjithë përbërëset e tyre. Në një mënyrë gati të padukshme dhe larg vëmendjes së opinionit, çdo vlerë shkencore e kulturore po relativizohet, po humb peshën e vet, po humb funksionin shoqëror dhe emancipues, duke u shtyrë gjithnjë e më shumë në periferi të zhvillimeve shoqërore; po bëhet e pavërejtur dhe e panevojshme, duke u kthyer në veprimtari sekondare”, theksohet në njoftim.
“Duke e ditur dhe duke e parandier se pasojat e kësaj pandemie do të jenë afatgjata; synojmë të tërheqim vëmendjen e opinionit kulturor që të qëndrojë i përbashkuar dhe të angazhohet për të mos lejuar një erozion të pritshëm intelektual. Qëndrimi ynë është që, ashtu siç nuk duhen pritur fatkeqësitë dhe traumat e mëdha natyrore për të kuptuar rëndësinë e shkencës, kulturës dhe ndërkomunikimit, ashtu nuk duhet lejuar që në një të ardhme të afërme ato të gjenden sërish të rrezikuara nga harrimi. Shkenca, arti dhe kultura jonë kombëtare tashmë kanë krijuar një fond veprash me vlerë identitare, të cilat duhen ruajtur dhe kultivuar.
Ne gjithashtu tërheqim vëmendjen se bashkëpunimi e komunikimi ndërkulturor e ndërshkencor nuk duhet të pësojë siç kanë pësuar gjithnjë në rrethana krizash, por duhet të intensifikohen, me idenë se një njësi monolite intelektuale është më e qëndrueshme dhe më e përgatitur për sfidat e ardhshme, duke përfshirë edhe përballjen me ndryshimet globale, të cilat janë të pritshme në rrethanat e krijuara.Ne nuk do të reshtim së kërkuari emancipim kulturor të vazhdueshëm, hapësirë për vlerat e reja në të gjitha fushat e krijimtarisë shkencore dhe artistike, bashkëpunim institucional në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, bashkëpunim dhe njohje me kulturat e tjera, vlerësim të merituar të arritjeve fondamentale kulturore dhe shkencore dhe përsosje më të madhe të përbërësve themelorë të identitetit tonë, siç është gjuha, historia dhe trashëgimia.
Ne kërkojmë që, edhe në këtë rrethanë, kur na duhet frymëzim për këtë betejë të pashembullt dhe na duhet ta gjejmë forcën e fitores, t’u kthehemi vlerave tona themelore identitare, traditës tonë më të mirë dhe idealizmit tonë kulturor dhe kombëtar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Akademisë së Shkencave. /atsh/ KultPlus.com
18 prilli njihet si Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, në respektimin e të drejtave bazë të pacientëve.
Të drejtat bazë të pacientëve të njohura ndërkombëtarisht afirmojnë dhe garantojnë ushtrim efektiv të tyre nga individët për mjekësinë parandaluese, aksesin në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin, respektin për kohën e pacientëve, të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim, etj.
Kremtimi i kësaj dite ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve se kanë të drejta në kujdesin shëndetësorë, por edhe përçimin e mesazhit tek institucionet se duhet të respektohen të drejtat e garantuara me legjislacion, transmeton kp.
Por këtë vit kremtimi i kësaj dite ka një kuptim tjetër, pasi që e tërë Evropa po përballet me pandeminë COVID-19. / KultPlus.com
KultPlus ju sjell një këngë shumë të njohur, e cila është kënduar nga shumë këngëtar të ndryshëm ndër vite.
‘Hala s’të ra ndër mend’ është një këngë që i këndohet dashurisë, ndërkaq sonte këtë këngë mund ta dëgjoni nën interpretimin e mahnitshëm të Mazllom Mejzinit.
Mazllom Mejzini njihet si kantautorë i afro 80 këngëve popullore dhe atyre të lehta, instrumentiste, dhe këngëtar i njohur jo vetëm ne Kosovë dhe viset gjithë Shqiptare por edhe më tej.
Mazllom Mejzini ishte anëtarë i shoqërisë muzikore “Bajram Curri” e themeluar në vitin 1949 ne krye me Ibrahim Zherken.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
https://www.youtube.com/watch?v=Ovnck4ld9_A
Hala s’të ra ndër mend Dashninë moj që kem pasë. :I I: T’kërkova gemb mbi gemb Shumë hoqa për me t’pa! :I O i lumi un-o për ty, Ore zambaku i bardhë! I: Sa fort më ke pëlqy’ Si ma mirë lulja në rrem. :! Ref.: I: Oj vjollcë me pika Je për dashni. Se n’zemër u fika N’kujtim po rri. :I Kur t’bojsh me u mërzitë Moj zemër moj e ngratë. Për vajzën pa u rritë Ashiku kjanë ditë e natë. Dashnia m’ka molisë Kund malli yt o s’po m’len. Pse je moj tuj m’braktisë? Vendi s’po m’zihet vend! Ref.: Oj vjollcë me pika Je për dashni’. Se zemër u fika N’kujtim po rri. / KultPlus.com
Së fundi Komuna e Gjilanit ka premtuar internet falas për qytetarët, duke bërë kështu që për këtë dukuri të reagoj edhe ministrja e arsimit, shkruan KultPlus.
Hykmete Bajrami ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku ka potencuar se të gjithë duhet të ndjekin shembullin e qytetit të Gjilanit.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Bajramit.
”Të ndiqet shembulli i Gjilanit
Komuna e Gjilanit ka vendosur të ofrojë internet falas për gjithë qytetarët e saj. Ky projekt përveç tjerash siguron qasje në mësimin në distancë pothuaj për të gjithë, një hap i jashtëzakonshëm, për të rritur edhe më shumë pjesëmarrjen në mësimin online, sidomos për pjesën e shoqërisë në kushte të rënda financiare. Presim që edhe komunat tjera të ndjekin shembullin e Gjilanit dhe të ofrojnë internet pa pagesë në këtë kohë pandemie. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovavcinit do të qëndrojë afër secilit nxënës, studentë, prind, mësues, arsimtar e profesor. Do të ndihmojë edhe komunat me aq sa ka mundësi buxhetore. S’do të kursejmë asgjë për të kaluar sa më lehtë COVID-19.” / KultPlus.com
I dekoruar, në vitin 1917 me Kryqin e Artë të Kurorës nga Madhërija e Tij Perandori Karl, për punën e tij shëmbullore si mësues e aktivist në Vjenë dhe Koloninë Shqiptare në Zarë.
Nga Pjeter Logoreci
Ndër ditët e tetorit të vjetit 2010, ndërsa isha i angazhuar me nxjerrjen dhe riatdhesimin e eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, nga varreza qëndrore e Vjenës në kishën e Shën Luçisë në Durrës, rashë në kontakt me disa dokumenta që i shihja për herë të parë, të cilat me ngjallën kureshtjen për ti analizuar dhe për tu informuar më shumë rreth tyre.
Për të përfunduar dokumentacionin e transferimit të eshtrave jashtë Austrisë, duheshin kryer disa formalitete e proçedura shtetërore të veçanta nga administrata austriake. Së pari duhej që të kontrolloheshin regjistrat e inventarit të varrezës qëndrore (sipas datlindjes apo ditës së vdekjes së Kaçorrit), e në mënyrë të veçantë, libri i inventarit të bllokut ku gjindej varri i shqiptarit, ndër faqet e të cilit u gjend një dokument (vertëtim / mandat pagesë) që vërtetonte pagesen e taksës për jetë, të asaj copë tokë ku ishte varrosur atdhetari Nikollë Kaçorri.
Sipas ligjit austriak, për çdo copë tokë të përdorur si varr, administratës së varrezave, i duhej paguar taksa e truallit, përndryshe ky truall i jepej në përdorim përsonave të tjerë për varrime. Për këtë arsye, gjë që vërtetohej nga dokumenti origjinal që kisha përpara, këtë taksë të dëtyrueshme për varrin e atdhetarit shqiptar Nikollë Kaçorri, e kishte paguar me datën 31 Maj 1917, Z. Nikolaus Rotta me profesion mësues i gjuhës shqipe në Vjenë, i cili kishte nënshkruar kontratën për të paguar shumën mujore prej 100 Krone-sh. Ky akt i pashoq njerëzor e atdhetar, më nxiti të bëj kërkime të matejshme për të mësuar se kush ishte Nikolaus Rotta, për tu informuar mbi jeten e tij. Sipas dokumenteve dhe informacioneve të bashkohësve, Kola pat shumë kontakte dhe kujdesej për Imzot Nikollë Kaçorrin gjatë qëndrimit të tij për kurim në Sanatorium në Vjenë si dhe ndihmoj shumë në organizimin e ceremonisë funebre të ish nënkryetarit të qeverisë së parë Shqiptare, Kaçorrit.
Nikolaus Rotta ose Kolë Rrota, i lindur në qytetin e Shkodres me 22 gusht 1880, ishte djali i parë i familjes me tradita qytetare e atdhetare të Gjush Rrotës. Shtëpia prindore, ku u lind Kola, ndodhej asokohe në rrugicën e Gurakuqëve, mu përballë shtëpisë ku jetonte Luigj Gurakuqi, me të cilin Kola e vëllezërit e tij kaluan fëmijërinë e patën miqësi vëllazërore. Nëna e Kolës, Marie Vjerdha, bijë nga një familje e njohur shkodrane, ndikoj shumë në edukimin atdhetar të 4 vllezërve. Kola ishte ma i madhi ndër vëllezërit. Mbas Kolës erdhën në jetë Simoni, Ndoci (At Justini) e Gjoni, të cilët Gjushi si burrë arsimdashës i shkolloj. Kolën e dërgoj së pari në Kolegjin Françeskan të Shkodres, e më pas në Kolegjin Jezuit të Shën Françesk Saverit të këtij qyteti. Sipas shënimeve që ka lënë nipi i tij, i ndjeri Rafael Rrota, prindët e dërguan Kolen, në fillim të shekullit të 20, në Klagenfurt të Austrisë ku ai kreu studimet e larta.
Vitet mbas studimeve e gjejnë Kolën mësues ndihmës të gjuhës shqipe në shkollën e Mati Logorecit në Prizren (1905) e më vonë, me kërkesën e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, vëndoset si mësues në mes arbëreshëve të Zarës (Dalmaci), ku kishin punuar më parë Pashkë Bardhi dhe Ndue Paluca. Nga viti 1913, Kola punoj si ndihmës i Gjergj Pekmezit, i cili ishte asokohe këshilltar në Ministrinë e Jashtme të Austrisë për çështjet shqiptare, si dhe këshilltar e kujdestar i shqiptarëve që studionin në Austri apo që vinin në Vjenë për nëvoja të ndryshme shëndetësore.
Në Austri, Kola kishte mjaft njohje dhe kontakte me studiuesit gjermanishtfolës të gjuhës shqipe si M. Lambertz, A. Stotz, F. Manek. Ai ishte shumë aktiv në jetën politike, kulturore e sociale të komunitetit studentor si dhe ishte një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të shoqërisë “Dija” që u krijua me 27 dhjetor të vitit 1904 në Vjenë nga Gjergj Pekmezi e Hilë Mosi. Kola shkruante në “Kalendarin e Shoqërisë” nën inicialet K.R. Ai ishte i apasionuar mbas folklorit shqiptarë dhe mblidhte thënie të urta e fjalë të reja nga krahinat e ndryshme të Ballkanit ku banonin shqiptarë etnike. Në maj të vjetit 1913, gjatë kohës që ndodhej në Borgo Erizzo, Kola përfundoj së punuari librin e tij “Albanische Sprüche und Redensarten” i cili përmban 800 fjalë të urta, si dhe shprehje popullore shqipe. Libri që ishte frut i nji pune shumë vjeçare, ka 56 faqe, është punuar në gjuhën shqipe e gjermane dhe u botua në Vjenë në vitin 1914.
Në fundin e vitit 1917, Kolë Rrota dekorohet nga Madhërija e Tij Perandori e Mbreti Karl me Kryqin e Artë të Kurorës, për aktivitetin e tij si mësues e aktivist i dalluar në Vjenë si dhe në Koloninë Shqiptare në Zarë. Gazeta “Vllaznija” e Vjenës e datës 2 dhjetor 1917 shkruan me këtë rast: “Madhnija e Ti Perandori e Mbreti Karl e nderoj bashkëpuntorin t´onë Professor Kolë Rroten me Kryq t´artë të meritimit me Kunorë. Jo vetëm tash në Vjenë si profesor i gjuhës shqipe n´Institut të Gjuhëve të lemit të Lindjes, por edhe ma përpara si mësues i Kolonisë Shqiptare n´Arbëreshë afër Zadre (Zara) ku Rrota u përpoq kurdoherë për të mirën e popullit të vet, qi e ka aq fort për zemër. Po e përgëzojmë pra zemërsisht bashkëpuntorin t´onë për këtë nishan (medalje) të bukur e me ne kanë me u gzue për të saktë të gjithë ata që kanë nderin me e njoftë mikun e bashkëpuntorin tonë”.
Mbas këtij lajmi, po në këtë gazetë, vjen falenderimi që Kola shkruan për bashkëatdhetarët me 8 dhjetor e që u botua me 11 dhjetor 1917:… Mbassi mjerisht s´po jam i zoti me u falë nderi veçanërisht gjithë atyne miqve, dashamirëve e nxansave, qi patnë mirësinë me m´përgëzue në rasë të nderimit t´em, po u lutem me i pelqye në ktë mënyrë falnderjet e mija ma të nxehtat e ma të përzemërtat për kujtim të dashtun qi kanë për mue. Nji falenderje të veçantë drejtimit të “Vëllaznisë” e “Postës së Shqipnisë”.
Me angazhimin e Gjergj Pekmezit në Komisinë Letrare të Shkodres, Kola zuri vendin e tij duke dhënë mësimin e gjuhës shqipe në Institutin Diplomatik të Vjenës, deri mbas luftës së parë botërore. Në vitin 1922, me hapjen e konsullatës së parë shqiptare në Vjenë, Kola u emrua Sekretar i Konsullatës ndërsa Konsull ishte Gjergj Pekmezi, i cili qëndroi në këtë detyrë deri në vjetin 1924, kur u zëvendësue nga Konsulli i ri Nush Bushati. Aktiviteti i Kolës në Konsullatë vazhdoj deri me 1926. Mbas këtij viti, ai vendos të kthehet në atdhe për të ju kushtuar jetës private e familjes. Mbas emrimit të Gjergj Pekmezit si Profesor për gjuhën shqipe në Institutin për gjuhët Indogjermane në Universitetin e Vjenës në 1928-të, Kolë Rrota kthehet përsëri në Austri, por kësaj rradhe me detyrën e Konsullit të Shqipnisë në Vjenë, si edhe merr përsipër kujdesjen ndaj shqiptarëve që studionin e kuroheshin në Austri.
Me vdekjen e Gjergj Pekmezit në 1938-ten, Kolë Rrota ngarkohet me drejtimin e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Institutin e gjuhëve Indogjermane në Universitetin e Vjenës deri sa doli në pension, mbas mbarimit të luftës së dytë botërore. Edhe mbas daljes në pension ai vazhdoj të ishte aktiv duke shkruar artikuj e studime mbi gjuhën shqipe. Kola ka vazhduar të mbajë kontakte të rregullta me familjen e tij në Shkodër me anë të letërkëmbimit, që nga viti 1960. Nipi i tij Rafaeli, i biri i piktorit të shquar Simon Rrota ka shkruar: “Unë Rafaeli kam vazhdue me pasë letërkëmbim me axhën Kolë, tue fillue nga mesi i vitit 1960, mbasi në atë periudhë baba Simon nuk ishte në gjendje me i shkrue. Në letrat qi unë i dërgojshe atij, e vejshe në dijeni mbi ecurinë e smundjes së babës Simon, e ma vonë me 1964-en e informojshe edhe për axhën, Pater Justinin. Në përgjigje të letrave, ai më falenderonte gjithmonë e më porosiste qi mos me e harrue atë, mbasi ishte në moshë të madhe. Letra e fundit e axhës Kolë mban datën 10.02.1965, vetëm 5 ditë para se të vdiste.
Gjatë qëndrimit të përhershëm në Austri, Kola udhëtoj vetëm 4 herë për në Shqipëri. Të parën herë në qeshor të 1905-sës, për të vizituar familjarët mbas tërmetit katastrofal që ra në Shkodër. Në vitet 1929 e 1932, ai erdhi me shërbime në Tiranë, si punonjës i Ministrisë së Jashtme, e të katertën herë më 28 nëntor 1937, i ftuar nga shteti shqiptar në funksionin e Konsullit në Austri për kremtimin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë. Kola ishte martuar dy herë. Gruaja e tij e parë Maria Jiriczek vdiq në vjetin 1940 e dëshprueme nga humbja aksidentale e djalit të vetëm që e pat me burrin e parë. Ai kaloj disa vjet në vetmi deri sa vendosi të martohej për së dyti me Marianne-n, e cila ka vdekë 3 vjet mbas tij. Kola nga të dy martesat nuk ka pasur fëmijë. Ai vdiq në Vjenë me 15 shkurt 1965 në moshën 85 vjeçare. U varros në varrin e familjes së bashkëshortes Maria Jiriczek.
Madhështia, personaliteti e atdhetarizmi i Kolës Rrotës me zgjuan dëshirën për të lokalizuar dhe vizituar varrin e tij, një ndërmarrje shumë e vështirë që më kushtoj përpjekje disa vjeçare. Por këmbëngulja më shpërbleu dhe pas shumë pengesash, me orientimin e administratës qëndrore të varrezave të Vjenës, në vitin 2011 gjeta dhe isha i pari shqiptar që vizitoj varrin e atdhetarit Kolë Rrota. Varri ndodhet në varrezën e famëshme në Grinzing, në Gruppin 8, Radhën 1, Numërin 5.
Vjenë, me 16.04.2020 / KultPlus.com
Përshkrimi i fotove:
Kolë Rrota me gruan e parë Marien dhe të birin e saj.
Anëtarë të shoqërisë “Dija” në Vjenë. Në mes Gjergj Pekmezi, nga e majta e tij Anton Paluca, nga e djathta e tij në këmbë Kolë Rrota
Pjeter Logoreci pranë varrit të Kolë Rrotës ne Vjenë.
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi.
Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Sot, KultPlus e rekomandon njërin nga romanet më të njohura të letërsisë gjermane, autor i të cilit është Patrick Süskind.
Romani mban titullin ‘Parfumi’ dhe është romani i parë i shkrimtarit, roman ky i cili gëzoi një sukses të madh gjatë rrugëtimit të tij në botë.
Në këtë vepër trajtohet historia e Xhovani–Batista Grenuijit, e një vrasësi serial që do të vrasë njëzet e pesë vajza të reja. Por shkaku i këtyre vrasjeve nuk është as shthurja dhe as sadizmi. Në të vërtetë, Grenuiji “nxjerr” parfum nga këto vajza të reja, për të përpunuar pak e nga pak parfumin absolut, atë të cilit nuk do t’i bëjë dot ballë asnjë, por edhe që do ta bëjë mbajtësin e tij zot të të gjithë njerëzve që do t’i afrohen. Grenuiji i urren njerëzit dhe do që t’i ketë të gjithë në dorë. Për këtë i duhet një parfum, që do ta krijojë nga erërat e mbledhura nëpërmjet lyerjes me parfum të vajzave të reja të vrara.
Ky roman eksploron shqisën e të nuhaturit dhe lidhjet e saj me kuptimet emocionale që barten nga aroma.
Ky roman nuk është dosido, nuk është një histori e zakonshme e ndonjë personazhi psikopat, ky roman shpalos një histori komunikimi, identiteti dhe morali të shpirtit njerëzor.
“Një nga zbulimet më magjepsëse të këtyre viteve të fundit. I mrekullueshëm! Një kryevepër”, thuhej në kritikën e San Francisco Chronicle. / KultPlus.com
Le të zbulojmë se kush është Pablo Neruda. Historia e një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, i cili. Ka marrë çmimin prestigjioz Nobel për letërsinë.
Pablo Neruda është padyshim një nga personazhet më me ndikim të shekullit XX. Përveç që ishte një pikë referimi e letërsisë së Amerikës Latine, ai ishte politikan dhe diplomat dhe luftoi për Kilin, vendlindjen e tij. Poeti lindi në Parral, me emrin Ricardo Eliécer Neftalí Reyes Basoalto, më 12 korrik 1904. Prindërit e tij. José del Carmen Reyes Morales dhe Rosa Neftalí Basoalto Opazo, ishin punonjës hekurudhe dhe mësuese. Nëna e tij vdiq nga tuberkulozi kur Pablo ishte ende fëmijë.
Interesimi i Pablo Nerudës për letërsinë dhe poezinë erdhi me adoleshencën dhe mbi të gjitha falë inkurajimit të poetes Gabriela Mistral, e cila ishte profesorja e tij. Edhe pse babai i tij ishte kundër këtij pasioni, nga mosha gjashtëmbëdhjetë vjeç poeti filloi të botojë shkrimet nën pseudonimin Pablo Neruda. Emri u zgjodh në nderim të shkrimtarit Jan Neruda, me origjinë nga Republika Çeke, dhe për të mos lejuar që babai i tij ta pengonte të realizonte ëndrrën e tij. Në moshën njëzet e tre vjeç, pasi kishte botuar tashmë vëllimin e parë në vargje të quajtur Crepuscolario, Neruda u transferua në Birmani.
Iu desh të lëvizte për të ndjekur një karrierë diplomatike si konsull. Në vitet e kaluara në Azinë Juglindore ai u martua me bankieren holandeze Maryka Antonieta Hagenaar Vogelzang dhe vazhdoi të shkruajë poezi. U kthye në Kili pasi kishte mbajtur rolin e konsullit në Buenos Aires, Barcelonë dhe Madrid. Në vitin 1945 ai u bë senator i Partisë Komuniste të krahinave kiliane të Antofagastas dhe Tarapacás. Për shkak të një mosmarrëveshje me Presidentin Videla ai u detyrua të largohej nga vendi në 1949 dhe të jetonte në mërgim.
Më 21 tetor 1971 ai u bë poeti i tretë i Amerikës së Jugut, pas profesores Gabriela Mistral dhe Miguel Ángel Asturias, i cili u dekorua me Çmimin Nobel për letërsinë. Rreth dy vjet më vonë, kur qeveria e Augusto Pinochet u krijua në Kili, Pablo Neruda vdiq në Santiago de Kili më 23 shtator 1973. Vdekja e tij është ende e mbështjellë me mister: raportet zyrtare thonë se ai vdiq për shkak të një tumori, por shumë besojnë se poeti ishte viktimë e një vrasje të urdhëruar nga Pinocheti. / bota.al/ KultPlus.com
Pandemia e koronavirusit ka detyruar miliona njerëz të qëndrojnë në karantinë, duke iu mundësuar atyre më shumë kohë të lirë. Dhe shumë njerëz po përdorin këtë kohë për të mësuar një gjuhë të huaj.
Kompania për mësimin e gjuhëve Duolingo, ka parë rritjen e trafikut në “nivele të larta”, sipas Michaela Kron, menaxher i marrëdhënieve me publikun në Duolingo.
Në nivel global, regjistrimet e reja u rritën me gati 108% nga 9 marsi deri në 30 mars. Për SHBA, pati një rritje edhe më të madhe, me rreth 148%. Kompania nuk pranoi të ndajë sa përdorues të rinj u regjistruan, por Kron tha që ishte “miliona”.
Një studim i kryer në Luksemburg dhe i botuar nga Akademia Amerikane e Neurologjisë, zbuloi se ata që flasin më shumë se dy gjuhë mund të kenë më pak të ngjarë të kenë probleme me kujtesën si Alzheimer dhe dementia. Një studim tjetër, i bërë në Universitetin e Chicikagos, zbuloi se përdorimi i një gjuhe të huaj gjatë marrjes së vendimeve rezultoi në zgjedhje më racionale dhe më pak emocionale.
Pesë gjuhët e huaja që po mësohen gjatë kësaj kohe:
Gjermanisht për anglishtfolësit
Ky kurs u ofron folësve autoktonë anglezë një mundësi për të mësuar rreth kulturës, shprehjeve dhe fjalorit gjerman.
Numri i nxënësve aktualë: 8.18 milionë
Anglisht për folësit portugezë
Ky kurs u ofron folësve vendas Portugez një shans për të mësuar në lidhje me strukturën e fjalive angleze, fjalorin dhe kulturën amerikane
Numri i nxënësve aktualë: 11.1 milionë
Frengjisht për anglishtfolësit
Ky kurs u ofron folësve autoktonë anglezë një shans për të mësuar rreth lidhjeve të foljeve franceze, idiomat dhe kulturën.
Numri i nxënësve aktualë: 14.4 milionë
Spanjisht për folësit anglisht
Ky kurs u ofron folësve autoktonë anglezë një shans për të mësuar në lidhje me kuzhinën Spanjolle, lidhjen e foljeve dhe shprehjet.
Numri i nxënësve aktualë: 25.8 milionë
Anglisht për folësit spanjollë
Ky kurs u ofron folësve autokton spanjoll një mundësi për të mësuar rreth gramatikës, fjalorit dhe idiomave në gjuhën angleze.
Numri i nxënësve aktualë: 28.6 milionë/ Business insider/ KultPlus.com
Kafshët në mbarë botën duket se po përshtaten mirë me jetën pa njerëz gjatë shpërthimit të koronavirusit.
Edhe luanët janë duke shijuar paqen dhe qetësinë, tregon një seri fotografish të reja nga Parku Kombëtar Kruger i Afrikës së Jugut.
Imazhet tregojnë një krenari të luanëve që qëndrojnë në rrugë, në dukje të pashqetësuar nga prania e fotografit, Richard Sowry të CNN, transmeton KultPlus.
Në një ditë normale, zona do të ishte e zënë me turistë, por parku Kruger është mbyllur që nga 25 marsi, si pjesë e bllokimit mbarëkombëtar të Afrikës së Jugut për të luftuar koronavirusin. / KultPlus.com
Violeta ishte një prej këngëtareve më të famshme të viteve 80-të e 90-të, një artiste avangarde dhe shumë e veçantë për nga stili i saj.
Për ta njohur më shumë muzikën e Violetës, po i sjellim këtu dhjetë prej këngëve të saj të cilët i përzgjodhëm pa ndonjë kriter, por duke dashur të eksplorojmë më shumë në trashëgiminë muzikore që ajo e la pas vetes, si soliste por edhe pjesë e bashkëpunimeve me këngëtarë tjerë.
https://www.youtube.com/watch?v=p5eMQmFSogI
Pas suksesit me këngë dhe si moderatore për programe të fëmijëve në “Radio Prishtinë”, filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ultë të muzikës. Si rezultat i angazhimit të saj, ajo shpërblehet me mirënjohe në festivalin e fëmijëve “Akordet e Kosovës”. Njëkohësisht, Violeta intepretoi më se 40 këngë për fëmijë, dhe luajti zërin e personazheve në radio-dramat për fëmijë. Violeta nga adhuruesit e vegjël shikohej si shembull i rebelimit artistik.
https://www.youtube.com/watch?v=X0dQe-O2B2U
Violeta për publikun e gjërë shqiptarë u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës moderne të kohës “Vivien” rreth vitit 1984. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi dy here Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”. Violeta gjithashtu ishte e angazhuar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe aty punoi deri në uzurpimin e kësaj qendre nga forcat e armatosura serbe. Pas okupimit të RTP-së ajo mbeti e pa angazhuar deri sa pranoi ftesën si reportere lufte pranë disa agjencive dhe televizioneve të huaja, si “News Network”, “WTN”, “Sky NEWS” etj.
https://www.youtube.com/watch?v=1LDS_6MMXCE
Ndërkohë Violeta punësohet në Radio Televizionin Publik të Kosovës, shkruan tekste këngësh dhe kompozon për këngëtarë të vijës së saj artistike. Gjatë punës së saj në RTK, ka pregatitur disa emisione dokumentare, si “Loja e heshtjes”,” Azizia”, “Linda”, “Joliria në liri”, etj. / KultPlus.com
Figura të famshme botërore kanë dhënë kontributin e tyre për mantel bardhët, në ndihmë të luftës kundër Covid-19, shkruan KultPlus.
Të shumtë kanë qenë edhe shqiptarët me famë botërore që kanë ndihmuar në luftën kundër kësaj pandemie.
Grimeri shqiptar me famë botërore, Mario Dedivanoviq, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Instagra, ka njoftuar se ka dërguar një numër të madh të maskave për stafin mjekësor në njërin nga spitalet e New York-ut.
New York-u njëherit është edhe vendi më i prekur nga pandemia në gjithë Amerikën.
Në postimin e tij Mario shprehet tejet mirënjohës për punën që mjekët po e bëjnë, duke i cilësuar ata si heronjë të vërtetë.
“Dita 34. Asgjë nuk mund të shprehë mirënjohjen time për heronjtë në vijën e parë, dhe të gjitha mënyrat me të cilat ata po punojnë pa u lodhur për të trajtuar pacientët dhe për të mbajtur të sigurtë New Yorkun. Doja të kontribuoja në një farë mënyre dhe bisedova me miqt e mi @element_packaging për të parë se çfarë mund të bëjmë. Sot ne dhuruam qindra maska në @montefiorehealthsystem në Bronx, një spital që është duke u kujdesur shumë për xhaxhain tim pasi u diagnostikua me COVID-19. Ne gjithashtu dhuruam maska të fytyrës në @mountsinainyc dhe Spitalit Universitar të Brooklyn. Mos të harrojmë kurrë se si profesionistët tanë të kujdesit shëndetësor kanë vendosur jetën e tyre në rrezik për ne gjatë kësaj kohe. Ne ju duam ju” , shprehet Mario në postimin e tij në Instagram. / KultPlus.com
Dy heronjë të stafit mjekësor kanë ndarë momentin prekës kur më në fund takohen me vajzën e tyre 6 vjeçare pasi kaluan 3 javë të ndarë për shkak të koronavirusit, transmeton KultPlus.
Amanda dhe Ryan Holland, nga Ayr, Scotland, u filmuan teksa takojnë Kalishah, të veshur nga koka te këmbët me pajisje mbrojtëse. Çifti, të cilët punojnë pranë njëri-tjetrit në spital, thanë se ishte vendimi më i vështirë i jetëve të tyre që ta ndanin familjen dhe ta dërgonin vajzën e tyre te gjyshërit.
Të dy ata u shprehën se ishin të dëshpëruar për të takuar të bijën. Daily Mail ka siguruar edhe një video të këtij momenti prekës. / KultPlus.com
“Le Siècle” ka botuar, të shtunën e 25 marsit 1911, në ballinë, intervistën ekskluzive me patriotin dhe publicistin e njohur shqiptar, Dervish Himën, të zhvilluar asokohe në Kostandinopojë, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Letër nga Turqia
Intervistë me Dervish Himën, shefin shqiptar
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
(Nga korrespondenti ynë i veçantë)
Kostandinopojë, 12 Mars.
Dervish Hima, i strehuar në Evropë, për tetëmbëdhjetë vjet nën regjimin e vjetër, pranoi të na shpjegonte se çfarë është “çështja shqiptare”, zakonisht pak e njohur për publikun. Mysliman, i lindur në Shqipërinë e Mesme, në Ohër, ai studioi në Turqi. Drejtori i gazetës Shqipëtari (L’Albanais), ai e botoi këtë gazetë në Bukuresht, Romë, Paris, Gjenevë apo Bruksel sipas nevojave të momentit, sepse ai u dëbua nga Roma dhe Bukureshti me kërkesën e Abdyl-Hamidit. I dënuar për një fjalim disi të ashpër nga Turqit e Rinj (Xhonturqit), disa muaj pas rivendosjes së Kushtetutës, ai u burgos për pesë muaj. Gjatë robërisë së tij mori një mbështetje të përgjithshme si nga evropianët ashtu edhe nga osmanët. Aktualisht në Kostandinopojë, ku boton përsëri “Shqipëtarin”, ai vazhdon propagandën e tij.
“Lëvizja shqiptare, më thotë Dervish Hima, fillon vetëm në 1876. Programi ynë përmban një pikë thelbësore për ne :të kemi një alfabet të veçantë dhe, si rrjedhojë, shkolla kombëtare.Këto kërkesa, të një rëndësie krejtësisht shkencore, do të ishin të pakuptueshme pa njohurinë e gjeografisë sonë politike.Tri fe përbëjnë popullsinë tonë : ortodoksë, katolikë, myslimanë ku secili merr një edukim në përputhje me bindjet dhe traditat e tij.Disa tendenca separatiste mund të ishin shfaqur midis bashkëqytetarëve tanë të kthyer drejt Papës, Kalifit ose Patriarkut.Nacionalistë të bindur, komuniteti gjuhësor na u shfaq si mjeti i parë dhe më i fortë për të forcuar bashkimin midis tre grupeve tona.Prandaj nuk është aspak arbitrare, siç është shkruar kaq shumë herë, për të vendosur një raport midis kësaj pyetjeje të alfabetit dhe kryengritjeve të ndryshme shqiptare.Çështja e vetë alfabetit është e një rëndësie të madhe, pasi duke e pranuar, e tregon veten mbështetës të vendosur të decentralizimit, një ide që deri tani është hedhur poshtë nga Turqit e Rinj.
U desh Traktati i Shën Stefanit që të zgjohej ndjenja jonë kombëtare.Ideja për një Bullgari të Madhe që do të depërtonte deri në Shqipërinë e Mesme, solli reagime te disa prej bashkatdhetarëve tanë që formuan Lidhjen e Prizrenit.Një numër i anëtarëve të tyre u dërguan te Z. Waddington në kongresin e Berlinit. Delegati francez pati një simpati të vërtetë ndaj nesh. Simpati që e hasëm edhe pranë Anglisë dhe të gjithë atyreve që luftonin kundër përparimit të racës sllave.
Që atëherë programi ynë filloi të marrë formë. Qysh në shekullin e 18-të, në Shkodrën e Shqipërisë, pati një lëvizje letrare midis priftërinjve katolikë shqiptarë të shkolluar në Romë ose Venecia.Por kjo lëvizje, shumë e kufizuar, nuk përfshinte tërë popullsinë.Më 1879, disa shqiptarë patën idenë e themelimit të një shoqërie letrare në Kostandinopojë për të punuar për zhvillimin e ndjenjës kombëtare te ne.Sami bej Frashëri u ngarkua nga komiteti i kësaj shoqërie për hartimin e një alfabet shqip, nevoja e të cilit u njoh zyrtarisht nga Abdyl-Hamidi.Vepra jonë lulëzonte kur një lëvizje e kundërt u nxit nga shteti osman, dhe patriarkana greke për të shkatërruar idetë nacionaliste shqiptare.Bënë gabim, për mendimin tim, se të dy e imagjinonin se do të vinte një ditë kur ne do të donim pavarësinë tonë politike nga Turqia;dhe pavarësinë tonë fetare, për sa i përket ortodoksëve shqiptarë.Popullsia jonë është shumë e vogël sa që hipoteza e ndarjes sonë të mundshme nga Perandoria Osmane të merrej seriozisht.
Ku do të rekrutonim një ushtri që të ishte në gjendje për të fituar pavarësinë tonë ? Jo më shumë sesa në vitin 1879 kemi pasur tani prirje të tilla.
Sidoqoftë, pothuajse të gjithë anëtarët e kësaj shoqërie letrare shqiptare u dëbuan në 1884, në Tripoli ose në Azinë e Vogël;disa u strehuan në Bukuresht, ku tregtarët shqiptarë të qytetit mbështesnin me ndihmën e tyre financiare shtypshkronjën dhe gazetën, organ i interesave tona.Anëtarët e vjetër të shoqërisë vazhduan të shkruanin nën pseudonime dhe një numër i madh i veprave shqiptare mundën të shtypeshin në Bukuresht.
Emrat e disa prej këtyre anëtarëve janë të mjaftueshëm për të treguar se çfarë elite kishte vendi ynë midis djemve dhe mbrojtësve të tij :Shem Sedin, Sami beu, Naim bej Frashëri, Mehemet Ali bej Vrioni, Ferid pasha (ish-vezir i madh), Ismail Qemal beu, Abedin pasha (ish-guvernator i Arkipelagut), Turkan pasha (aktualisht ambasador në Shën Petersburg), Taksim hoxha (meteorolog i shquar), të gjithë këta janë myslimanë. Të krishterë si Vasa pashai (ish-guvernatori i Libanit), Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhis ishin gjithashtu midis mërgimtarëve.
Pastaj erdhi regjimi kushtetues. Deri atëherë nuk kishte asnjë mospajtim midis latinizimit dhe arabizimit të shqiptarëve. Unë pretendoj në çdo paanshmëri se për shkak të Turqve të Rinj ne nuk biem më dakord për këtë pikë të fundit.Turqit e Rinj trajtuan si kaur (katolikë) të gjithë ata që do të shkruanin duke përdorur alfabetin latin; ata gjetën mbështetës midis klerikëve, duke deklaruar se Kurani nuk mund të shtypej me shkronja latine, dhe se favorizimi i një lëvizje të tillë do të ishte një mëkat.
Pjesa konservatore e shqiptarëve vendosi për alfabetin arab dhe elementët progresistë që gjendeshin në mesin e popullit luftuan për shkrimin latin.Madje dhe në kryeqytet, këto dy grupe, në Parlament, ishin qartësisht armiqësore me njëra-tjetrën.
Kjo dëshmon, sidoqoftë, fuqinë e palës pro-latine, e cila përfshin në mesin e saj jo vetëm deputetë të krishterë shqiptarë, por dhe një shumicë të myslimanëve, mendja e ndritur e të cilëve ka qenë në gjendje t’u rezistojë imagjinatave të tmerrshme të mëndjeve të thjeshta, të bëra nga kundërshtarët tanë.Në krye të këtyre deputetëve pro-latinë janë Ismail Qemali, pastaj Esat pasha, Ali Hajdar bej (Jakova), Aziz pashë Vrioni (nga Berati), Hamdi beu (i Çamërisë), Shahin bej Kolonja, Nexhib bej Draga, Mufid beu, Hasan beu, Mishei efendi, Mahmud Polo efendi, Fuad pasha (Prishtina), Hasan Basri bej.
Dy deputetë janë asnjëanës : Hafiz Ibrahim efendiu (nga Peja) dhe Murteza efendiu.
Pala pro-arabe, më pak në numër, përfshin : Riza beun (nga Shkodra e Shqipërisë), Shaban pashën (nga Peja), Jahja Alia Jasi Bej (turk por deputet nga Shqipëria), si dhe Wasif efendiun (nga Manastiri), Haxhi Aliun (nga Elbasani). Së fund, dy prej tyre po kërkojnë një terren pajtimi; këta janë Said efendiu (nga Shkupi) dhe Shefqet efendiu (nga Dibra).
Jo vetëm që partia pro-latine fiton nga numri dhe cilësia e anëtarëve të saj, por ajo gjithashtu fiton nga veprat që ka botuar dhe nga mbështetja e gjuhëtarëve evropianë si Petersen në Kopenhagë, G. Meyer, dhe i ndjeri L. Benlov, etj.Akoma më mirë, për përhapjen e ideve të tyre, shqiptarët pro-latinë krijuan gazeta deri në Amerikë : Flamuri dhe Dielli. Albania është një revistë e botuar në Boston, ku jetojnë afro 30.000 shqiptarë.Në Egjipt botohet Shkreptinia (Rrufeja – L’Eclair).Ndërsa për sa i përket vetë Shqipërisë, janë botuar gazeta të ndryshme si : Lidhja Ortodokse, Korça, Bashkimi, Koha.Liria botohet në Selanik dhe Shqipetari në Kostandinopojë.Një kolegj i formimit të mësuesve (Normalja) qe themeluar në Elbasan, por ai u mbyll nga autoritetet.Sapo është formuar një shoqëri letrare shqiptare në Kostandinopojë, në modelin e asaj të vitit 1879.
Ndërsa pro-latinët kanë bërë përparim të madh, ende nuk është realizuar një vepër te shqiptarët pro-arabë, megjithë kërkesat për përkthyes të bëra nga Ministri i Arsimit Publik.
Me pak fjalë, ne duam për Shqipërinë një ligj decentralizimi si ai për të cilin po mendohet në këtë moment për Jemenin.Ne gjithashtu bëjmë thirrje që t’u jepet fund këtyre dërgesave të qëllimshme të zyrtarëve shqiptarë në Azinë e Vogël dhe më gjerë.Ky është një gabim në programin e Turqve të Rinj, një burim acarimi për bashkatdhetarët tanë të brengosur nga mungesa e besimit të treguar ndaj tyre nga regjimi i ri.Nëse shqiptarët do të ishin armiqësorë ndaj këtij regjimi, do të ishte aq e lehtë për ta të dëmtonin qeverinë si në vendin e tyre ashtu edhe atje.Nga ana tjetër, neve na dërgojnë zyrtarë që nuk e njohin gjuhën tonë, zakonet tona dhe që nuk mund të kenë asnjë kontakt me popullin.Kështu i ndodhi Mazhar beut, guvernatorit të përgjithshëm të Kosovës, i cili qe shkaku i trazirave të vitit 1910.Ishte kryesisht ai që krijoi këtë konfuzion të dëmshëm, midis alfabetit shqip me shkronja latine dhe arabe.
Kryengritja e vitit 1910 nuk ishte një reagim kundër regjimit të ri të Xhonturqve, por kundër keqadminstrimit lokal.Këtë reagim mori parasysh qeveria qendrore, duke marrë kështu në konsideratë këto keqkuptime.Talaat beu, atëherë Ministër i Brendshëm, u nis për të bërë një hetim në Shqipëri;por për të mos e kompromentuar situatën e partisë Bashkim dhe Progres, ai largoi Mazhar beun vetëm tre muaj më vonë, duke e emëruar atë guvernator të përgjithshëm në Andrinopojë.
Ne shpresojmë që udhëtimi i Madhërisë së Tij do të inaugurojë, në Shqipëri, një epokë drejtësie dhe drite (zhvillimi).Ky udhëtim është i mirëpritur si një shenjë e pajtimit midis shqiptarëve dhe turqve.Ne besojmë se, me kalimin e kohës, qeveria do të ndryshojë vrazhdësinë e politikës së saj ndaj nesh.Shqipëria do të jetë roje besnike e Perandorisë në detin Adriatik dhe do ta mbrojë atë nga të gjitha rreziqet që mund t’i vijnë nga ana tjetër e detit.Por qeveria duhet të krijojë shkolla kombëtare dhe shkolla të përbashkëta për të tërhequr, arsimuar dhe fituar besim tek të rinjtë tanë. Nuk ekziston asnjë lloj industrie te ne.Hakmarrja (Gjakmarrja) ende mbretëron në Shqipëri dhe për t’u ushqyer me prodhime të gjuetisë, për t’u mbrojtur kundër plaçkitësve dhe të tjerëve, është e domosdoshme që malsorët tanë të kenë armë.
Vetëm për këtë qëllim ata po përpiqen të gjejnë pushkë dhe jo me idenë e një revolte.Aq më tepër, gati 2 deri në 3.000 shqiptarë janë strehuar në Mal të Zi, i cili u ofroi atyre azil.Ka një rrezik këtu për qeverinë turke dhe ne jemi duke pritur që ajo të ndërmarrë hapa për t’i lejuar që të gjithë këta refugjatë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Është thënë se Shqipëria nuk është kurrë e qetësuar (në paqe).Kjo do të vijë me kalimin e kohës dhe akoma më shpejt kur qeveria e re xhonturke të kuptojë interesat e saj !”
Këto janë deklaratat që më bëri Dervish Hima. Më duhet të them të vërtetën se ekziston te ai një sinqeritet i padiskutueshëm dhe një përpjekje e vërtetë drejt paanshmërisë.
Fotografi i agjencisë franceze të lajmeve, AFP, Yasuyoshi Chiba fitoi çmimin prestigjioz të fotografisë ”World Press Photo” për vitin 2020.
Fotoja tregonte imazhin e një të riu që recitonte një poezi midis protestuesve në Sudan, i cili, për jurinë simbolizonte “shpresën”.
”Me karakterin e saj poetik, fotografia që mori këtë çmim, më e mira në konkursin e ‘World Press Photo’ ilustron fuqinë e rinisë dhe artit”, thanë anëtarët e jurisë.
Yasuyoshi Chiba, një fotograf japonez me qendër në Nairobi, gjithashtu fitoi çmimin e parë në kategorinë “Informacion i përgjithshëm, vetëm imazh” me të njëjtën foto./ atsh / KultPlus.com
Ministria e Kulturës ka ndërmarrë një nisëm mjaft interesant për të apasionuarit e kulturës dhe historisë në këtë situatë pandemia nga COVID-19.
Duke qëndruar në shtëpi secili nga ne vetëm me një klik mund të udhëtojë virtualisht dhe të njoh historinë interesante të muzeve të të gjithë botës.
Ministria e Kulturës ka publikuar booklet-in kulturor, me aktivitete artistike që mund t’i realizoni nga shtëpia, informacione dhe kuriozitete, e plot fusha të tjera të cilat ju ftojmë t’i zbuloni online.
Ministria e Kulturës ka vënë dispozicion të çdokujt që dëshiron të argëtohet virtualisht përmes kulturës këtë link: https://bit.ly/34vigs5.
Në këtë link është lista e muzeve, kopshteve zoologjike dhe atraksioneve të tjera nga vende të ndryshme që mund të vizitohen virtualisht nga shtëpia.
Shijoni këtë udhëtim virtual mes historisë, kulturës dhe mistereve që fshehin këto muze nga ai i Ana Frankut në Holandë, deri tek Galeria e Arteve në Uashington. / KultPlus.com
Kryeministri Rama tha se agjenci turistike mendojnë se Shqipëria është vendi ku mund të bëhet turizëm këtë verë, pasi nuk ka probleme me COVID-19, por ne do ecim me kujdes.
Në lidhje me periudhën e turizmit dhe lehtësimit të masave për turizëm, Rama tha se “kemi pas disa interesime nga Itali, Çekia, Japonia për turizëm, dhe agjenci të rëndësishme turistike mendojnë se Shqipëria është vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë se praktikisht nuk ka probleme me COVID. Marrja e këtij vendimi është një barrë shumë e madhe, nuk di çfarë të them tani se do shikojmë dhe të tjerët”.
“Pra, do ecim me kujdes duke parë dhe të tjerët, por ne nuk jemi Reali, Barcelona, por ne do bëjmë atë që mundemi me forcat që deri tani nuk na kanë lënë në baltë dhe na shohin si shembull dhe po thonë, si po ia dalin kaq kollaj”, tha ai. /atsh/ KultPlus.com