Filmi ‘Everybody Knows’ do ta hapë Festivalin e Filmit në Kanë (VIDEO)

Filmi “Everybody Knows” do të jetë filmi që do ta hapë këtë vit Festivalin e Filmit në Kanë.

Penelope Cruz dhe Javier Bardem janë bashkuar për rolet kryesore në film.
Filmi me regji nga Asghar Farhadi, në gjuhën spanjolle, me datë 8 maj shfaqet në Kanë, dhe është pjesë e garës për Palmën e Artë.

“Everybody Knows” (Të gjithë e dinë) tregon historinë e Laurës, që largohet nga Buenos Aires për në fshatin e lindjes në Spanjë. Një bashkim familjar do ta sjellë një të kaluar e të harruar që më pas do të bëjë gjërat të ndryshojnë zhvillimin e tyre.

Cate Blanchett, aktore e njohur, do të jetë presidente e jurisë së Festivalit.

Me datë 12 prill do të bëhet i ditur programi në tërësi i Festivalit të njohur në Francë. / KultPlus.com

A t’mungon nji vlla?

E shkruar nga Liridon Mulaj.

A t’mungon nji vlla?
A t’mungon biri i gjinit tand?
A t’mungon nji mik?
Shok, qi ndoshta n’qiell prehet.
Paj n’fund t’fundit nji krah me shfrye mallin…
nëse t’mungon.
Hajde m’përqafo!
Jam njeri si ai dhe unë.
Biri, vllai, shoku miky yt kam me u ba.
Edhe nëse nuk i përngjaj, mbylli sytë, tuj imagjinu zemrën tande atje ku rreh.
E prehu n’krahët e mi.
Edhe unë si yt bir…jam biri i dikujt!

“Kur të gjithë më shanin në rrugë pse kisha qethur kokën”

Këngëtarja Aurela Gaçe gjithnjë është dalluar për stilin e saj të veçantë në dukje e veshje.

Ndërsa sa i përket karrierës së saj muzikore, ajo ndër vite ka tundur skena të vendeve të ndryshme me performancat e saj.

Ajo së fundmi ka publikuar një fotografi që e kujton imazhin e saj para dy dekadave. Kjo fotografi e shkrepur në vitin 1998 dhe e tregon Aurela Gaçen me kokë të qethur ndërsa lidhur me dukjen e saj në atë kohë, ajo ka treguar reagimet e trysninë e publikut lidhur me stilin e saj.

“Koha kur të gjithë më shanin në rrugë (Se s’kishte Facebook e Insta) pse kisha qethur kokën. Pse vishesha si doja, pse lyhesha si doja”. Tani mbas 20 vjetësh? Kollaj. I bën block dikujt që të shan. Po atëherë? E kisha përballë gjithë trysninë e mendjeve të ngushta … por edhe unë mangut s’ja kam lënë askujt”, ka shkruar këngëtarja Aurela Gaçe në postimin e saj./ KultPlus.com

Zbulohet ekipi që do ta shoqërojë Eugent Bushpepën në Eurovizion

Janë zbuluar emrat që do t’i bashkohen Eugent Bushpepës në skenën e Festivalit të Këngës – Eurovizion, që do të mbahet në fillim të muajit maj.

Nga emrat që janë bërë të ditur së fundmi Eugentit në skenë do t’i bashkohen Greta Radovani dhe Erinda Agolli. Po ashtu, atij do t’i bashkohen edhe Denis Hima – kitarist, Besnik Nikolli – basist dhe bateristi Gerti Hima.

Eugenti është një këngëtar dhe kompozitori i zhanrit rock që vjen nga Rrësheni i Shqipërisë. Ai ka kënduar fillimisht në Festivalin e Këngës në vitin 2008, ku është paraqitur me një duet me Rovena Dilo, ku ata u vendosën në vendin e 12-të nga gjithsej 20 këngëtarë pjesëmarrës, shkruan KultPlus.

Kënga “Mall” do të performohet në gjysmëfinalen e parë të këtij viti në Eurovision Song Contest, që do të zhvillohet në Lisbonë këtë maj, me datë 8 saktësisht në natën kur këndon Eugenti.

Shqipëria debutoi në Festivalin e Këngës në Eurovizion në vitin 2004. Shqipëria pati sukses me paraqitjen e parë me “The Image of You” të Anjeza Shahinit, duke lundruar nëpër gjysmëfinale në vendin e katërt dhe përfundimisht arriti të jetë në vendin e 7-të në finalen e madhe. Shqipëria ka qenë pjesë e Festivalit të Këngës në Eurovizion çdo vit që nga debutimi i tyre, duke e bërë kështu vitin 2018 paraqitjen e 15-të me radhë.

Rona Nishliu deri sot mban pozitën më të mirë për shqiptarët në Eurovizion, në finalen e Eurovizionit në vitin 2012-të. / KultPlus.com

5 prill 1992, dita kur nisi rrethimi i Sarajevës

5 prilli shënon ditën e parë kur nisën trazirat e asaj që do të konsiderohet më pas Saga e Sarajevës, që zgjati 1425 ditë dhe ku humbën jetën rreth 10 mijë qytetarë të Sarajevës.

Forcat serbe do të masakronin e vranin gjithçka që dilte para syve të tyre.

Saga e Sarajevës është rrethimi më i gjatë që ka ndodhur në një kryeqytet ndonjëherë, shkruan KultPlus.

5 prilli i para 25 vitesh ishte dita kur do të niste një periudhë terri për Sarajevën. Me këtë galeri të fotografive po i kujtojmë disa momente të Sarajevës së Bosnjës.

Rrethimi dhe praktikisht lufta brenda në kryeqytet zgjati deri me 29 shkurt 1996.

Besa Luzha flet për Chopin Piano Fest Prishtina, festivali i cili nisë sonte

Alberina Haxhijaj

Sonte mbrëma, me fillim prej orës 20:00 do të hapet edicioni i radhës i CHOPIN PIANOFEST PRISHTINA. Edicioni i nëntë i festivalit do të sjellë nga 5 deri me 24 prill koncerte, masterklasa e ligjërata të ndryshme, traditë kjo të cilën festivali e ndjekë vit për vit, gjithmonë drejt perfeksionit dhe ngritjes së nivelit muzikor.

KultPlus ka takuar Besa Luzhën, pjesë e këtij Festivali, e cila jep më shumë detaje rreth koncertit, risive por edhe problemeve aty këtu me të cilat ballafaqohet një festival me traditë si CHOPIN.

CHOPIN hapet sonte, me fillim prej orës 20:00 me instrumentistin Vasco Dantas Roch nga Portugalia.
Për më tepër zbuloni nga intervista e Besa Luzhës për KultPlus.

Jemi në prag të edicionit të ri të “Chopin PianoFEST Prishtina”, cilat do të jenë risitë e këtij edicioni?
Chopin Piano FEST Prishtina me fizionominë e vet të veçantë ka për fokus artin e performimit pianistik me formatin tashmë standard të programit: koncertet recitale solistike, bashkëpunimet kamertale në mes të pianos dhe instrumenteve të tjera ose zërit (këndimit) dhe kurorëzimi i festivalit me bashkëpunimin e pianistëve të shquar me orkestrën duke performuar kryevepra të repertoarit për piano e orkestër.
Risitë janë gjithmonë në aspektin stilistik, teknik dhe artistik që sjellin artistët e ndryshëm, shumë nga ta me përvojë tashmë të gjatë të performimit në kryeskenat botërore, por edhe talent të rinj performues, fitues të çmimeve ndërkombëtare dhe mundësia për prezantim edhe të artistëve të ndryshëm nga Kosova.

Festivali veçohet për programin të cilin e sjellë, cilat janë veçantitë e programit këtë vit?
Në aspektin programor, secili artist ka lirinë të propozojë programin, veprat e dashura për të dhe për publikun. Prof. Lejla Pula si presidente dhe drejtoreshë artistike e Festivalit ka punën më të madhe në këtë drejtim sepse gjatë gjithë vitit paraprak kontakton me artistë të ndryshëm dhe bashkëbisedon me ta e kujdeset që programi të jetë sa më i larmishëm.
Ajo që shpaloset është përmbyllja e një pune të madhe me kujdes të përzgjedhjes me finesë. Pianisti protugalez që hapë festivalin, Vasco Dantas Rocha, sjellë vepra nga Chopin, Liszt, e meqë sivjet janë disa përvjetorë të rëndësishëm, do të kemi një program me vepra të Debusy-së për piano (07.04) nga pianisti Francez Jerome Granjon me rastin e përvjetorit të 100 të Debusy.

Pianisti Austriak Gotlieb Wallisch (09.04) sjellë një program të mrekullueshem nga Haydn, Liszt, Schubert, Brahms. Dueti nga Kroacia (Lovre Marusic dhe Latica Anic) me 10.04 sjellin kryevepra të repertorit për violoncel dhe piano. Më 12 prill pianistja nga Maqedonia Marija Gjoshevska poashtu sjellë program të bukur për piano solo kryesisht nga Chopin.

Koncerte të tjera vijnë nga 14 prilli e deri në fund të festivalit, për të cilat do të njoftohen shikuesit dhe lexuesit me anë të rrjeteve sociale dhe vetë gazetës KULTPLUS.

Bëhen tetë vite që kur filloi rrugëtimi i këtij festivali, sa ka qenë kjo e vështirë?
Rrugëtimi ka qenë mjaft i vështirë, pa sallë të duhur, me përkrahje financiare gjithmonë të pamjaftueshme për një program të këtillë të pasur me dhjetëra koncerte të nivelit më të lartë artistik. Por kemi vazhduar dhe për çdo vit po bëhet më i lehtë. Sidomos pasi vitin e kaluar e inauguruam sallën e re të Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, së paku problemin e sallës e këmi zgjedhur.Por mendojmë se me përkrahje më të madhe nga institucionet mund të sjellim edhe më shumë artistë, edhe më shumë risi, edhe më shumë vlera.
Rrugëtimin tonë e bëjnë më të lehtë partnerët tashmë tradicionalë të Festivalit, Raiffeisen Bank Kosova, Minsitria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Z-Mobile.
Kemi përkrahjen edhe simbolike të ambasadave prej nga vijnë artistët, e shumë me vlerë është përkrahja e miqve të festivalit që me shërbimet e tyre mundësojnë realizimin e gjithë këtij organizimi.
Krejt organizimi do të ishte i mangët pa përkrahjen e madhe që i japin festivalit mediat, të shkruara dhe televizive që promovojnë çdo mbrëmje, informojnë qytetarët, intervistojnë artistët dhe marrin përshtypjet e tyre për festivalin, për Kosovën. Përkrahja e mediumit tuaj KultPlus që në mënyrë të gjerë raporton për çdo aspekt të festivalit është shumë me vlerë dhe për këtë jemi falënderues. I gjithë bashkëpunimi është si një zingjir me shumë hallka dhe secila ka vlerën e vet dhe mungesa e cilësdo hallkë do të shkaktonte çrregullim në gjithë organizimin.

Çfarë nënkupton për Kosovën të pasurit e një festivali që është edhe pjesë e Federatës Internacionale të Asociacioneve të Chopin-it?
Duhet thënë me këtë rast se Asociacioni Kosovar i Chopin-it si anëtar i UNESCO-s përmes anëtarësisë në Federatën Internacionale të Shoqatave të Chopin-it (IFCS) i jep vlerë të shtuar edhe dimension ndërkombëtar qe afirmon dhe avanson imazhin kulturor të Kosovës si një realitet i çmuar dhe me shumë vlerë.

Mendoni se janë falënderuese institucionet për organizimin e një eventi të tillë?
Dua të shpresoj që janë, por e di që publiku entuziast është falënderues. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur të ndalin në rrugë në shkurt, ose edhe në janar dhe pyesin kur do të mbahet Chopin Festi, cfarë të re ka sivjet, etj. Kjo na shtyn, na motivon të vazhdojmë përkundër vështirësive.

Akoma nuk kemi një sallë koncertale, sa po ndikon kjo në zhvillim e jetës kulturore, në mbajtjen e Chopin PianoFEST Prishtina dhe a e konsideroni problemin si neglizhencë të institucioneve?
Fakti i trishtë se Prishtina akoma nuk arrin të ketë një SALLË KONCERTALE adekuate ku do të mund të mbaheshin festivalet e këtij zhanri, neve si organizatorë por edhe si artistë muzikorë na bën të ndjehemi të zhgënjyer me mos vlerësimin ndaj punës së palodhshme të këtij komuniteti dhe vlerave që ka sjellë ai për shoqërinë tonë në këto 18 vite.
Paraqitjet e dhjetëra artistëve të arrirë muzikorë, mysafirëve të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë nga mbarë bota që vijnë dhe performojnë si dhe talenët e rinjë të shumtë që paraqiten parreshtur në skenën tonë do të duhej të jenë nxitje dhe përkushtim të fortë për ta pëfunduar më në fund sagën e ndërtimit të një salle adekuate koncertale në kryeqytetin tonë!

Kur jemi të salla koncertale, ku do të mbahet festivali sivjet?
Mundësia e mrekullueshme që u paraqit vitin e kaluar, me shëndërrimin e një salle të bukur e të rinovuar, ndonëse jo me destinim fillestar për koncerte, mu në mesin e KAMPUSIT UNIVERSITAR, e zgjodhi një problem të madh vetëm përkohësisht dhe kështu Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare të Universitetit të Prishtinës, tashmë është bërë shtëpi e dashur dhe e ngrohtë për komunitetin muzikor. Universiteti i Prishtinës me inaugurimin e përbashkët të kësaj salle në vitin e kaluar, u bë partneri ynë kryesor institucional duke ofruar krjimin dhe prezantimin e vlerave artistike në përputhje edhe me misionin e këtij institucioni. Koncertet fillojnë në orën 20.00 dhe janë të gjitha gratis për të interesuarit.
Ju mirëpresim.

Historia e Lokes Hanë erdhi sonte nga Dia Morina dhe Zgjim Zyba

Gili Hoxhaj

Duke zbritur shkallëve të Lapidariumit të Muzeut të Kosovës, sheh plot njerëz që janë mbledhur për të parë ekspozitën “sikur Hana”. Brendësia e Lapidariumit është e errët por drita është e mjaftueshme për të parë gjashtë fotografi të digjitalizuara e në formatin bardhë dhe zi. Nga larg ato të japin ndjesinë e pjesëve të ndryshme e të vjetra të Kosovës por nëse fotografitë shikohen nga afër, ideja kalon përtej kësaj. Ekspozita flet për një pjesë të rëndësishme të historisë së një gruaje, si dëshmi e fuqisë së saj në kohë, e si frymëzim për të nxjerrur edhe shumë rrëfime të tjera.

“Që të shkruhet një histori nuk mjafton që ajo të ndodhë. Gjurmët që le dhe interpretimi i narracionit janë tejet të rëndësishme për ta bërë vetë historinë. Kjo ekspozitë i bën të dukshme atributet e gruas që asnjëherë nuk i kemi shkruar e as thënë me zë”, është mbishkrimi i antropologes Zanita Halimi që qëndron në xhamat e Lapidariumit, e si i tillë është një ftesë për të zbuluar ekspozitën që u hap sonte e më shumë si një ftesë që kësaj historie t’i bashkohen edhe ato të tjerat që pa u treguar janë bërë pjesë e harresës.


Dia Morinën dhe Zgjim Zybën i ka bashkuar një personalitet i familjes së tyre.

Në trungun e tyre familjar, ata kanë një personalitet që i lidh dhe ky personalitet është një grua, rrëfimi për të cilën i ka fascinuar në çdo fjalë e ka bërë që ata ta ndjejnë praninë e saj edhe sot.
Duke qenë se prekim në atë pjesë të historisë familjare, kjo nënkupton që po flitet për një grua që e ka dëshmuar fuqinë e saj shumë dekada më herët.

“Lokja Hanë”, është katragjyshja e Dia Morinës dhe Zgjim Zybës. Ata janë rritur me rrëfimet për të, e këto rrëfime i sollën përmes një personaliteti tjetër që është Salë Zyba, zëri i së cilës dëgjohet në muze.

Fjalët e kësaj gruaje dëshmojnë për historinë e një gruaje tjetër, veprimtaria e së cilës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e saj. Siç shprehet antropologia Zanita Halimi, përmes historisë së Lokes Hanë kuptojmë që ka edhe plot histori të grave të tjera që janë shquar për guximin, dijen, largpamësinë, thellësinë e mendimit për të zgjidhur situata të vështira jo vetëm të familjes por edhe me gjerë.

Drejtori i Muzeut të Kosovës – Skënder Boshtrakaj në ceremoninë hapëse të ekspozitës tha se kjo është më shumë se një ekspozitë e kthim mbrapa në histori, është një rrëfim personal dhe përfaqësues që e nxjerr në pah Loken Hanë dhe histori të shumë lokeve të tjera që kanë dhënë kontribut në jetën e tyre dhe jetën e të tjerëve edhe në rrethana të vështira.

“Ky është një rast i mirë që ta kthejmë vëmendjen tek disa histori të mbuluara nga harresa ndonjëherë edhe me injorancë dhe pse jo ta kthejmë vëmendjen tek gruaja. Unë nuk pritoj ta them se kjo dekadë e Pavarësisë së Kosovës e ka emrin Femër sepse kjo dekadë shënohet me suksesin e emrave të femrave”, u shpreh Boshtrakaj, i cili tha se kjo shërben edhe si thirrje që femrën ta lëmë të lirë që ta tregojë potencialin e saj.

Zanita Halimi tha se rezultati i kësaj ekspozite tregon më së miri se si mund të funksionojë aritisti së bashku me etnologun dhe antropologun që t’i zbardhin disa histori me të cilat rriten e nuk konsiderohen si të rëndësishme.
“Jemi rritur në vende me prirës të vendit, ku personalitetet kanë qenë gjithnjë burra dhe asnjëherë nuk kemi dëgjuar por ndonjë histori të dikujt që e ka përfaqësuar vendin dhe ka qenë grua. Kjo histori personale mund të shërbejë si thirrje që sa më shumë ngjarje të tilla të dokumentohen”, u shpreh antropologia Halimi.
Brenda Lapidariumit janë të vendosura gjashtë fotografi, të cilat përmbajnë nga një grua, të cilat qëllimisht janë rrethekuar. Fotografitë janë marrë nga arkivi i shtetit dhe janë digjitalizuar nga fotografi Arben Llapashtica. Arsyeja përse këto fotografi shpalosen në këtë ekspozitë është për të treguar se secila nga këto gra mund të ketë një histori që duhet shpalosur sot.

Lokja Hanë është katragjyshja e Die Morinës nga ana e nënës, e katragjyshja e Zgjim Zybës nga ana e babait. Dia e cila është rritur me historitë e një gruaje të fuqishme që i ka takuar një brezi të familjes së saj, e ka menduar shpesh publikimin e historisë së saj por duket që niveli artistik i Zgjimit ka qenë shtysa kryesore që kjo ekspozitë të shpaloset sonte në këtë format.

Rrëfimi i saj vjen përmes audios që mbesa e Lokës Hanë, 84 vjeçare, e sjellë përmes kujtesës së saj të freskët. Die Morina tregoi se rrëfimi i saj e tregon Loken Hanë si një grua që ka bërë tregëti.
“Ne jemi rritur me historitë si ara e Lokës Hanë, toka e Lokës Hanë dhe kjo audio që e kemi në ekspozitë, është mbesa e Lokës Hanë e që ne e thërrasim Halla Salë, që i ka 84 vjet dhe e ka kujtesën shumë të freskët sa i përket Lokes Hanë. Në bazë të asaj çfarë ajo e kujton atë, okja Hanë ka qenë një grua që ka bërë biznes, ka blerë arra në Pranverë dhe i ka shitur ato në një stinë kur ato kanë kushtuar me shtrenjtë dhe me ato para ka blerë mal”, tregoi Die Morina për KultPlus.

Tregëtia me arra nuk ka qenë e vetmja me të cilën Lokja Hanë është angazhuar, dhentë kanë shërbyer si një formë tjetër e tregtisë për të. Sipas rrëfimeve për të ajo ka blerë dhentë dhe ka përfituar edhe nga qumështi e leshi i tyre. Një pjesë e historisë së saj lidhet edhe me Kalin e Shalës, thuhet se ajo pjesën më të madhe të rrugëve i ka ecur me anë të atij kali. Kur ajo me kalin e saj kalonte nga fshati Grekoc i Suharekës në fshatin tjetër Bukosh, banorët e asaj anë kur i dëgjonin gjurmët e kalit në mbrëmje, e dinin që ajo ishte Lokja Hanë që po kthehej nga dita e saj e punës.

“Për kohën në të cilën ajo ka jetuar jo çdokush ka pasur kalë të shalës, e aq më pak një grua dhe me atë kalë ka shkuar nga Suhareka, aty ku është sot Brezovica, atje ajo ka shitur punën e saj që e ka bërë gjatë pranverës dhe gjatë kohës në të cilën ajo ka punuar”, u shpreh Die Morina.

Artisti Zgjim Zyba tregoi për instalacionin e audios i cili rrethohet me gjashtë zmadhues, e që e kanë refleksin e gjashtë fotografive, e këpucët e vendosura i përkasin fillimit të shekullit 20, kështu për të dëshmuar që gruaja ka qenë shtyllë e familjes.

“Ne si pasardhës jemi munduar që t’i tregojmë këto histori me anë të rrëfimit të hallës së babait tim, Salë Zyba e cila na ka inspiruar gjithnjë që përmes artit ta nxjerrim në pah rolin e grave”, tregoi Zyba.
Kjo ekspozitë do të jetë pjesë e koleksionit të ekspozitës bazë që është hapur në Muzeun e Kosovës për nderë të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. / KultPlus.com

Rreze Kryeziu promovoi sot librin ‘Goca e Kaçanikut’

Alberina Haxhijaj

Rreze Kryeziu, muzikologe, sot ka promovuar në kryeqytet librin “Goca e Kaçanikut”.

Në kuadër të Festivalit DAM, Rrezja erdhi me një krijim të radhës, kësaj radhe të botuar në formë libri.

Opera e parë nacionale në Kosovë, “Goca e Kacanikut”, e kompozuar nga Rauf Dhomi, i ka lënë gjithmonë mbresa muzikologes Rreze Kryeziu. Një arsye për këtë është edhe fakti se pikërisht kjo vepër muzikore ka shërbyer për një studim më të detajuar për temën e saj të diplomës, në nivelin master.

Mirëpo ky punim i cili është cilësuar i guximshëm dhe serioz pikërisht nga mentorja e saj Stefanija Leskova Zelenkovska tashmë është botuar dhe gjendet edhe si libër.

“Mund të konstatoj se autorja Rreze Kryeziu Breznica e ka realizuar këtë libër me përgjegjësi dhe punë të madhe. Me rëndësi të veçantë janë pikëpamjet e argumentuara të saj estetiko-sociologjike për krijimin dhe shfaqjen e veprës operistike, duke parë rëndësinë e problematikës, posaçërisht të rëndësishme për zhvillimin e muzikës operistike dhe vërtetimin për nevojën apo rëndësinë e hapjes së shtëpisë së operës”, sqaroi tutje Stefanija Leskova Zelenkovska e cila i ftoi sidomos të rinjtë që të lexojnë librin pasi që përmban histori dhe fakte interesante të mbledhura.

Rreze Kryeziu Breznica tregoi se ky libër i dedikohet profesorit të saj Engjëll Berisha gjersa u shpreh se do të vazhdojë punën e saj për evidentimin e asaj se çfarë ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë në komunitetin artistik në Kosovë.

“Ky libër që është botuar sot është shkruar para nëntë viteve dhe nuk kam dashur ta ndryshoj asnjë fjali. Për nëntë vite çdonjëri nga ne zhvillohet më shumë dhe shpesh herë mbesim të pakënaqur me atë që kemi bërë më herët. Mirëpo kjo isha unë, kaq kisha njohuri dhe aftësi në atë kohë dhe për këtë arsye e kam lënë ashtu siç ka qenë. Duke marrë parasysh se muzikologjia siç e dini është hapur vetëm një herë në kuadër të Fakultetit të Arteve dhe nga ajo herë kam diplomuar unë, nuk ka qenë aspak e lehtë që të vazhdoj udhëtimin tim si muzikologe, sidomos pas humbjes së profesorit tim Engjëll Berishës. Mirëpo sot jam këtu dhe këtë libër ia dedikoj profesorit dhe të rinjve, pra studentëve, duke dashur që kjo të ju shërbejë në të ardhmen”, tha ajo.

Libri shpalosë një rishikim të shkurtër historik mbi operat dhe kushtet e krijimet të tyre duke vënë theksin te opera “Goca e Kaçanikut”. Ky libër shpalos edhe mosekzistimin e kushteve për performancën e zhanrit të operës që është reflektuar negativisht në interesimin e kompozitorëve vendas, e që ka rezultuar me vetëm dy vepra me opus të një kompozitori, të krijuara në vitet 1972 dhe 1984. Pikërisht në këtë kontekst Rrezja bën edhe krahasime me veprat e para operistike dhe me formimin e shtëpive operistike te vendet fqinje.

Gjithashtu libri ofron edhe një pikëpamje mbi biografinë e kompozitorit Rauf Dhomi si dhe një studim pikërisht mbi veprën “Goca e Kaçanikut”. Analiza e veprës bazohet në materialet ekzistuese, partitura dhe ekstrakte të pianos, plus hulumtim të intervistave të realizuara të kompozitorit. / KultPlus.com

Sivjet bëhen 140 vjet nga dëbimi i shqiptarëve prej veriut të Gegërisë

Shqiptar Oseku

110 000 njerëz u dëbuan me dhunë nga 740 vendbanime prej Nishit e teposhtê, për t’u sajuar ajo që Beogradi asokohe e quante zyrtarisht “Serbia e Re”. Pastrimi final u bë në dhjetor 1878, ku mijëra kufoma fëmijësh, pleqsh e grash mbushën hendeqet skaj rrugëve të golgotës. Midis tyre ishin dhe kufomat e nënës dhe katër vëllezërve e motrave minorene të gjyshit tim, dëbuar nga qyteza e Vranjës.

Gjyshi im, i vetmi mbijetues nga farefisi, u rrit në Gjakovë nga një tjetër familje ikanakësh që kish shpëtuar. Ai u mbiquajt Ahmet Muhaxheri, nga arab. “refugjat”, llagap të cilin plaku e mbajti gjer në vdekje. Këtē llagap e ruajnē sot edhe mijëra banorë tjerē nē Kosovē e Maqedoni, pasardhës të ikanakëve nga Serbia e Re.

Gjenocidi më 1877-1878 nisi ciklin e dhunës dhe urrejtjes mes dy popujve, që vazhdon gjer sot. Ajo që shokoi mediat e kohës ishte barbaria ndaj civilëve që kishin ndenjur mënjanë luftimeve. Aq shtazarak qe abuzimi i shqiptarëve sa kishte oficerë të lartë serbë që dhanë dorëheqje, midis tyre edhe një gjeneral i dekoruar ushtrie.

Shumë intelektualë serbë të kohës kishin paralajmëruar se krimi ndaj civilëve shqiptarë do të krijonte armiqësi shekullore mes fqinjësh. Por serbët u yshtën nga diplomacia ruse që të mos përsërisnin “gabimin” e Rusisë. Ato zona do të bëheshin “Kaukazi i Serbisë”, thuhej, ndaj më mirë të dëboheshin gjithë shqiptarët. Të sajohej Serbia e Re etnikisht homogjene, pa shqiptarë muslimanë.

Diplomacia ruse pērdori kartēn fetare në mënyrë shumē cinike. Ajo bindi Portën e Lartë të mos kërkonte kthim të ikanakëve në trojet e veta, me argumentin se këta “do ta forcojnë elementin musliman” në vilajetin e Kosovës. Në anën tjetër rusët bindën, madje financuan me kredi, kolonizimin serb të Serbisë së Re, “për të forcuar atje elementin kristian”. Rusia pra cyti qëllimshëm serbët kundër shqiptarëve, duke i zhytur dy palët në një det gjaku e urrejtje qindvjeçare, me kalkulimim e ftohtë se ky krim do ta lidhte Serbinë pas qerres ruse përgjithmonë.

Përdorimi i kartës fetare pruri ato resultate që kish menduar Rusia, deri në pikën e fundit.

Nishi, qyteti më i madh i trevave të Serbisë së Re, që para pastrimit etnik kish 40 përqind serbë, katër vjet më vonë kish 80 përqind serbë. Sot atje më nuk ka këmbë shqiptari.

Dëbimi i shqiptarëve muslimanë ngjalli urrejtje ndërfetare nē Kosovë, ka raste të dokumentuara kur u sulmuan vendbanime e faltore kristianësh ortodoksë, por edhe katolikë, që nuk kishin faj për krimet e shtetit serb.

Dhe Serbia mbeti e mbërthyer në detyra gjenocidale, e urryer dhe e përbuzur nga të gjithë fqinjët, këlysh i Rusisë në Ballkan edhe sot e kësaj dite.

Burimi: Stefanović, Djordje (2005). “Seeing the Albanians through Serbian eyes: The Inventors of the Tradition of Intolerance and their Critics, 1804-1939”.

Uta Ibrahimi sonte niset për në Himalaje

Uta Ibrahimi, gruaja shqiptare që bëri historinë pasi u ngjit në Everest e në Manaslu, sonte po niset për në Himalaje.

Uta ka treguar se është në gjendje të mirë se dhe po e presin sfidat e radhës, 14 majat e Himalajave.

Ajo me anë të një statusi ka treguar më shumë detaje për rrugëtimin të cilin e nisi sonte.

Maja Lhoste 8,516 metra, maja e 4-të më e larta në botë, do të jetë maja e parë, synim i Utës.

Ja çfarë thotë më shumë Uta Ibrahimi.

Përsëri në Himalaje ~ pas ngjitjes historike të majës #Everest8848 dhe #Manaslu8163, sot po udhëtoj për Himalaje, në tentim për të ngjitur maja të tjera, në kuadër të projektit madhorë për ngjitjen e ’14 Majat e Himalayave’

Maja Lhoste 8,516 metra, maja e 4-të më e larta në botë, do të jetë maja e parë që do të tentoj të ngjitem në këtë ekspeditë.

Jam mirë fizikisht dhe psiqikisht. Gjithë këto muaj ushtrim intenzive, vrapim sindhe ushtrime në CrossFit Prishtina më japin besim që këtë herë do të provoj edhe një maje tjetër, menjëher pas ngjitjes në Lhotse, e që ky projekt varret prej përgjigjjeve prej donatorëve potencial.

Kjo ekspeditë u bë e mundur kryesisht falë përkrahjes financiare të donatorëve individualë, sponzorëve të ngushtë dhe njerëzve dashamirës e adhuresve të alpinizmit.
Si në çdo ekspeditë tjetër dhe këtë herë nisem me besim te plotë dhe më e përgatitur se asnjëherë, për të valuar flamurin e shtetit të Kosovës dhe atij të zemrës – Shqipërisë, në majat më te larta të rruzullit tokë.

Ngjitjet e mia janë ngjitjet e popullit tim. Nëpërmjet ekspeditave të mia promovoj shqiptarinë dhe malet tona. Si alpiniste femër dua të ngre vetëdijen edhe për çështjet gjinore në shoqërinë tonë. Dua të motivoj sa më shumë vajza që të arrijnë të ngjiten në male dhe maja.

Deri më tani ekspedita është mbështetur nga: 103 përkrahës në Platformën Kosova Ideas, Bonevet, Baruti, Ekipi i Agjencive të OKB-së në Kosovë- UNKT, Komuna e Gjilanit, Bashkia Tiranë, Gekos, Birra Puka, Kontakt shpk, Turkish Airlines, Butterfly Outdoor Adventure, Soma, Sonder, Villa Gërmia, Sofra dhe donacione të tjera të nga persona privat. Ndërkohë, për herë të parë një ekspeditë e tillë përkrahet nga Salomon, kompani internacionale e cila në mesin e shumë atletëve në botë, këtë herë, për herë të parë po përkrah atlet nga Kosova si dhe me shumë përkrahje nga gjithë komuniteti bjeshkatar nga gjithë shqiptaria!

Me dashni
Uta <3

Albin Kurti e kujton Martin Luther King Jr në 50 vjetorin e vrasjes

Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes dhe pjesë e Kuvendit të Kosovës, sot e ka kujtuar 50 vjetorin e vrasjes së aktivistit Martin Luther King Jr.

Kurti me një status në Facebook ka treguar pak për Luther King Jr, por edhe ka treguar se ai nuk ishte vetëm aktivist, por edhe universalist, por universalen e ndihmonte të realizohej duke çliruar më së pari popullin dhe kombin e vet.

Ky është statusi i Kurtit për këtë përvjetor.

Pesëdhjetë vjet më parë në Memfis të Tenesisë u vra veprimtari i shquar i çlirimit dhe i barazisë, Martin Luther King Jr.

Shumë fjalë nderimi janë thënë e do të thuhen për M.L. King Jr., e unë nuk dëshiroj të zgjatem. Veçse dëshiroj të theksoj dy elemente.

Dr. King shpesh përmendet si udhëheqës i lëvizjes për të drejta të barabarta civile, në një kohë kur afro-amerikanët jetonin të diskriminuar edhe ligjërisht. Mirëpo, të drejtat formale afro-amerikanët i mbërritën në vitet 1964-65. Çfarë bëri Martin Luther King Jr. atëherë, a u ndal? A u mjaftua ai me abrogimin e ligjeve diskriminuese dhe me arritjen e të drejtave formale për popullin e tij? Jo.

Martin Luther King Jr. në atë kohë planifikoi hapin e dytë të lëvizjes së tij, atë të rrugës drejt barazisë shoqërore e ekonomike. Pra, ai nuk mbeti thjesht një aktivist i të drejtave njerëzore, në kuptimin e dikujt të depolitizuar apo apolitik. Jo, ai ishte thellësisht politik. Nuk ishte moralizues, ishte organizator. Një ditë para se të vdiste, ai ishte pjesëmarrës në grevat dhe protestat e punëtorëve të pastrimit në Memfis, që ishin kryesisht afro-amerikanë. Por ai nisi të organizohej gjithnjë e më shumë edhe bashkë me punëtorët e të papunët e bardhë. Nuk u kufizua në një çështje të ngushtë përfaqësimi të një komuniteti, por u angazhua gjerësisht në shoqëri.

Pra, edhe pse sot njerëzit lexojnë pak, është mirë të dihet se MLK nuk ka qenë figurë politike njëdimensionale.

Ai ka qenë aktivist i të drejtave civile, por edhe veprimtar politik radikal.

Ai ka qenë pacifist dhe ithtar i mosushtrimit të dhunës ndaj asnjë njeriu, mirëpo ai nuk i është bindur urdhrave të policisë për t’i ndalur marshimet paqësore që më pas kanë eskaluar në përplasje.

Ai ka qenë universalist, por universalen e ndihmonte të realizohej duke çliruar më së pari popullin dhe kombin e vet.

Ai ka qenë për të drejta formale e barazi ligjore, por kur e arriti këtë e vazhdoi betejën edhe për barazi përmbajtësore, shoqërore e ekonomike.

Ai ka qenë udhëheqës i afroamerikanëve, punoi e luftoi konkretisht për ta, por nuk kërkoi izolimin e tyre, përkundrazi punoi për ndërtimin e një lëvizjeje të shtresave të varfra, pavarësisht racës.

Ai ishte klerik i krishterë, që u frymëzua prej një besimtari hindu, siç ishte Gandhi, dhe bashkëpunoi me një mysliman, siç ishte Malcolm X. Dhe në lëvizjen e tij politike bashkëpunoi me njerëz të të gjitha feve e me ateistë. Ai nuk toleronte, ai bashkëpunonte. Bashkëpunimi ishte shumë më i mirë se toleranca.

E respektojmë kujtimin dhe traditën e Martin Luther King Jr., dhe e përkujtojmë me këtë citat të tijin: “Paqja nuk është thjesht mungesa e dhunës. Paqja është prania e drejtësisë”.

‘Ku ke babën me t`ndimue, ku ke nanën me derdhë lot’

Poezi e Ndre MJEDËS, e vitit 1902, kur u arrestua dhe gati u internua në Anadoll nga qeveria e Stambollit për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare.

I MBETUNI

Edhe shtaza po gazmohet,
Edhe bari mungullon;
N`shend natyra gjith po çohet,
Vec ti, i mjeri, po gjimon.

Kang`e valle tui bashkue
Shend prej gojet gjithkush qet;
Veç i vorfni tui dertue
Porsi i huej a n`gjinie t`vet.

Tui ankue per t`zeza t`veta
Për gjith derë tui lypë kërset;
Për të t`dhimtun kërkund s’gjeta:
Porsi i huej a n`katund t`vet.

Lodh` e unshëm, kur vjen nata,
N`prehën t`nanës me shkue kujton;
Edhe nana i diq e ngrata,
E kush t`vorfnin s`e ngushllon.

Bab`, oh! babë! sa herë ndo`j trimit
Do me i thanë tui derdhun lot;
Por për’ tene a fjalë trishtimit,
A nji fjalë që përmend kot.

Për dhe t`vet dalë n`ushtrie
Rrebtë qëndroi i jati e diq;
Sot i vorfni askund nji shpie,
Nji copë buk s’e gjen nder miq.

Ah! ti njomë, o njomë e mjera,
Dit` e natë qe po vajton:
Kund nder miq nuk t`çilet dera,
Kërkush vajin s t`a pajton.

Dit`e natë pa buk e shpie
Shkote i vorfni andej e këndej,
E prej t`pasunish zotnie
Një fjalë t`mirë kërkush s’ja kthej.

Ku ke babën me t`ndimue?
Ku ke nanën me derdhë lot?
Ty gjith robi t`ka harrue,
Kërkush s`do me t`dalun zot.

Tui rae bor, tui frye murrlani,
Mjet dy vorreve si`j lis,
Afër gropës që vet`e bani,
Djali i vorfën u molis.

Afër nanës u shtrue me fjetun,
Afër babës kërkoi pushim;
Kurgja t`ngritin s’ka me e gjetun,
T`xet e t`ftoftë s’kan me pas ndrrim.

Me njata që veç e doshin
Trupi i t`vocërrit pushoj;
E n`lumnie që ata po gzoshin
Shpirti i njomës fluturoj.

‘Carmen’ vjen për pasionin dhe dëshirën për liri njerëzore

Alberina Haxhijaj

Koreografja Natalia Osipova pas realizimit të shfaqjes komedi “Vasha e Braktisur” është kthyer në Prishtinë për të sjellë shfaqjen “Carmen” së bashku me Trupën e Baletit të Kosovës , shkruan KultPlus.

Shfaqja ‘Carmen’, e kompozuar nga Georges Bizet, muzikën e të cilit do ta përdorë edhe Trupa e Baletit për premierën në Prishtinë, sjellë historinë e një ushtari në Spanjë i cili joshet nga ciganja Carmen. Në Prishtinë kjo histori dashurie vjen e rrethuar edhe nga dëshira për të qenë i lirë, një dëshirë kjo të cilën koreografja e ka hasur të kosovarët gjatë qëndrimit këtu.

Natalia Osipova tregoi se është shumë e lumtur që është rikthyer për herë të dytë në Teatrin Kombëtar të Kosovës si koreografe. Ajo ka treguar se gjatë kohës sa kishte qëndruar në Kosovë herën e parë kishte menduar se cila do të ishte mënyra më e mirë që të sjellte një shfaqje që do të përfaqësonte e përthekonte ndjenjat e saj për Kosovën dhe ndjenjat që i ka vënë re tek populli në Kosovë. Në këtë mënyrë koreografia e kësaj shfaqje është bazuar pikërisht në këto elemente.

“Tema e shfaqjes nuk është vetëm për dashurinë dhe as për Carmen, pasi në këtë shfaqje kam vendosur shumë ndjenja të lirisë të cilat përkojnë me situatën e popullit tuaj dhe shfaqen në jetën e secilit nga ne. Ne nuk jemi të mbyllur në kafaze edhe pse dekori i kësaj shfaqje janë kafazet të cilat prezantojnë burgun e jetës që po jetoni çdo ditë këtu. Sa më shumë që po e njoh popullin e Kosovës aq më shumë po ua jap gjithë dashurinë që kam, që ju të jeni më të lirë edhe pse jeni të pavarur”, është shprehu ajo duke theksuar kështu që ‘Carmen’ nuk shfaqë vetëm dashurinë por edhe lirinë, lëngimin për liri.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës – Ahmet Brahimaj, u shpreh krenar për punën e trupës gjersa theksoi problemin me kanalizim që ka pasur teatri e që ka ndikuar edhe në mbarëvajtjen e shfaqjes.
“Kjo shfaqje ishte planifikuar më parë me koreografen . Ne po vijmë përsëri me ‘Carmen’ por kjo është më ndryshe pasi koreografja e ka kthyer atë në një shfaqje më moderne. I falenderoj të gjithë anëtarët e ekipit të kësaj shfaqjeje të cilët kanë punuar pa pushim. Ne kemi probleme të llojllojshme por këtë herë kemi pasur probleme me kanalizim, pastaj as ngrohja qendrore nuk po funksionon. Por ne nuk kemi pasur kohë për tu ndalë dhe as për të pritur për hapje të tenderëve. Ky ka qenë problem i komunës pasi që kanalizimi është bllokuar përballë teatrit”, u shpreh Brahimaj duke falënderuar ekipin pikërisht për shkak se kanë arritur që të realizojnë koreografinë e shfaqjes përkundër këtyre peripecive.

Balerina Teuta Krasniqi e cila do të luajë rolin ‘Carmen’ tregon se kjo shfaqje është teknikisht shumë e vështirë dhe është e veçantë pasi që pasqyron kërkesën për liri.

“Shfaqja e parë e realizuar me këtë koreografe ka pasur një stil krejt tjetër kurse kjo kërkon shumë disiplinë. Pastaj koreografja ka bërë diçka më të veçantë duke theksuar lirinë e popullit tonë por edhe të secilit person pasi që të gjithë kanë nevojë që të jenë të lirë. Gjithë kjo është bërë në një mënyrë më moderne dhe shfaqja është shumë dinamike”, tha ajo.

Kjo shfaqje ka qenë një përvojë mjaft e veçantë edhe për balerinin Kreshnik Musolli dhe për balerinin Sinan Kajtazi. Kajtazi i cili do të paraqitet në rolin e Don Jose theksoi se puna së bashku me koreografen e cila është me prejardhje nga Rusia dhe përfaqësuese e kësaj kulture edhe në Francë, ndikon në promovimin e punës së Trupës së Baletit edhe jashtë vendit.

Premiera e shfaqjes ‘Carmen’ do të jetë nesër mbrëma, me 5 prill, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Nesër mbahet sesioni informativ rreth projektit “Kultura për ndryshim”

Të enjten më 5 prill në Prishtinë mbahet sesioni informativ lidhur me aplikimin për grante në fushën e kulturës që u lansua më 26 mars nga projekti „Kultura për ndryshim“.

Projekti “Kultura për ndryshim“ financohet nga BE dhe menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë, ndërsa zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.

Thirrja për projekt propozimet është pjesë e projektit 3 vjeçar (2018-2021) “Kultura për ndryshim”, i cili synon të mbështesë forcimin e organizatave kulturore në mbarë Kosovën, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të përkrahin ndryshimet shoqërore dhe zhvillimin njerëzor.

Thirrja e parë për propozime në fushën e kulturës ka për qëllim forcimin e sektorit kulturor në Kosovës përmes përkrahjes së projekteve kulturore të qëndrueshme si dhe përkrahjes së aktiviteteve të organizatave kulturore e artistëve që promovojnë kreativitetin, gjithë-përfshirjen sociale dhe bashkëpunimin kultutor lokal apo ndërkombëtar. Të drejtë aplikimi kanë organizatat kulturore në Kosovë, institucionet publike të kulturës dhe artistët individual.

Thirrja është e ndarë në 3 “lote”, apo fusha, të cilat dallojnë nga madhësia e granteve të ofruara. Konkretisht, lotët janë të ndara në grante deri 5,000 EUR, 10,000 EUR dhe 20,000 EUR. Afati për aplikim është 18 prill 2018.

Projekti “Kultura për Ndryshim” synon të rritë kapacitet dhe të forcon operatorët kulturorë në Kosovë përmes grant-dhënies dhe ngritjes së kapaciteteve të organizatave kulturore në Kosovë, duke mbështetur zhvillimin e kulturës në zonat jashtë kryeqytetit të Kosovës, dhe veçanërisht në mesin e operatorëve kulturorë që vijnë nga komunitetet e margjinalizuara. Projekti po ashtu do të mbështes operatorët kulturor nëpërmjet rrjetëzimit dhe promovimit që synojnë lidhjen e iniciativave Kosovare me bashkëpunuesit potencial brenda dhe jashtë Kosovës.

Për më shumë informata për ftesën për aplikim, vizitoni ueb faqen e Qendra Multimedia në www.qendra.org (ndër-faqen Kultura për Ndryshim). Dokumenti “Udhëzimet për Aplikantët” përmban informata më të hollësishme për procedurat e aplikimit dhe informata tjera, si dhe në faqen e Facebook të Qendrës Multimedia.

Për informata shtesë për projektin dhe thirrjen mund të kontaktoni Arif Muharremi në [email protected], apo nëpërmjet telefonit në +37744108737.

Promovohet libri rreth instrumentistit Astrit Stafa, në kuadër të DAM Festivalit

Alberina Haxhijaj

Dita e sotme e Festivalit DAM në Prishtinë i është dedikuar promovimit të librave duke sjellë kështu promovimin e librit “Virtuoziteti dhe muzikaliteti i jashtëzakonshëm përmes telave”, shkruar nga Mimoza Kurshumlia e që i kushtohet punës së artistit Astrit Stafaj.

Qëllimi i këtij libri është që të njihet më shumë ky artist i cili po shkëlqen në skenat shqiptare dhe më gjerë. Ai po ashtu njihet për një gjithëpërfshirje të instrumenteve me tela, nga ato klasike deri tek ato tradicionale e orientale.

Shkrimtarja e librit, Mimoza Kurshumlia, ka sjellë një vështrim mjaft të detajuar për aktivitetin dhe aftësitë interpretuese të Astritit. Ajo tregoi se libri është titulluar “Virtuoziteti dhe muzikaliteti i jashtëzakonshëm përmes telave”, pikërisht për shkak se ky artist është njohës dhe interpretues shumë i mirë i kësaj kategorie të instrumenteve, shkruan KultPlus.

“Libri i cili është punimi im i parë në vete përmban biografinë e një super talenti tonë në instrumente me tela, i cili shquhet edhe si multi-instrumentist në instrumente me tela të cilat i ka studiuar me shumë përkushtim”, tha autorja duke treguar se në këtë libër është paraqitur biografia e artistit duke përfshirë çmimet dhe mirënjohjet, por edhe historia e instrumenteve në të cilat ai luan, duke mos harruar edhe materiale të cilat i kanë shkruar kritikë të tjerë e gjithashtu edhe artikuj nga mediat e ndryshme. Në fund të librit është edhe një CD me interpretime nga vetë instrumentisti Stafaj.

Astrit Stafa i cili edhe ishte i pranishëm në promovim falënderoi Festivalin DAM për hapësirën që po u ofron të gjithë artistëve për të shpalosur muzikalitetin e tyre.

“Në ditët e sotme është mjaft e vështirë të merresh me art duke marrë parasysh se në çfarë kohe jemi duke jetuar. Megjithë këtë sa i përket librit mund të them se kjo ka qenë një nismë e mirë në organologjinë muzikore, pra të instrumenteve folklorike në përgjithësi. Kështu artistët e ri do të kenë mundësi që të shohin se në vendin e tyre ka pasur muzikantë të zotë, kompozitorë e kështu më radhë. Gjenerata jonë e ka marrë një rrugë shumë të drejtë, promovimin e artistëve sa janë gjallë, kështu ata i gëzojnë sukseset e tyre sa janë gjallë dhe jo pasi që të ndërrojnë jetë”, tha artisti për të cilin u promovua libri.

Më të përfunduar promovimi i librit, Astrit Stafa filloi të bënte atë që bënë më së miri. Ai solli një interpretim të shkurtër duke dëshmuar se interpretimin në instrument e merr si një detyrë e cila shërben për të dhuruar emocione, gjë e cila nuk mësohet në shkolla por lind dhe ndjehet përbrenda artistit. / KultPlus.com

Mos ejani në Shqipëri

Ervin Qafmolla

Viktima të diskriminimit në çmime, përndjekjes selektive nga policia, racizmit absurd, plaçkitjes dhe hajnisë sezonale nga parazitët e kësaj ane të kufirit, shqiptarët e Kosovës duhet ta bojkotojnë Shqipërinë këtë vit nëse u ka mbetur sadopak respekt për veten.

Shqipëria i merr kosovarët për të mirëqenë. Një pjesë e banorëve të saj sillen sikur pushuesit, vizitorët, sipërmarrësit apo edhe udhëtarët e rastësishëm nga Kosova duhet ta kenë për nder që vijnë këtu. Si rrjedhojë, është normale që kosovarët të keqtrajtohen me shërbim arrogant, çmime që me raste 10-fishohen, përçmim dhe përtallje apo edhe racizëm të shprehur haptas.

Ka arsye përse sillen kështu. Gjatë vitit 2017, Shqipërinë e vizituan mbi 1.7 milionë kosovarë. Si rrjedhojë, nga kjo anë e kufirit janë mësuar me para nga Kosova, të lehta dhe të garantuara çdo vit. Si rrjedhojë, tarifat vajtje-ardhje në rrugën arna-arna, prej 10 euro për veturat, 22.40 euro për autobusët dhe mikrobusët, 5 euro për motoçikletat (pa llogaritur 32.40 euro për kamionët e mesëm dhe 45 euro për të rëndët) përfaqësojnë një makineri që prodhon para.

Por, kjo tarifë rrugore, me gjasa më e larta në rajon, është në vetvete absurde duke qenë se për çdo litër karburant të blerë në Shqipëri paguhen 24 lekë ekstra si taksë qarkullimi. Ndaj dhe tarifa patriotike është vendosur pikërisht aty ku mjel më shumë, duke cenuar komunikimin rrugor mes dy vendeve, marrëdhëniet ekonomike dhe njerëzore. Ndaj dhe kosovarët duhet të kundërpërgjigjen.

Ata kanë shumë më tepër muskul për ta kontrolluar humorin e sivëllezërve të tyre nga kjo anë e kufirit. Mjafton të mos harrojnë se totali i vizitorëve të huaj në Shqipëri gjatë vitit që shkoi ishte 5.1 milionë. Kjo do të thotë se vizitorët nga Kosova përbënë rreth 33 për qind të totalit. Pra, në çdo të tre të huaj që vizituan vendin, një ishte nga Kosova.

Kjo do të thotë se duke mos ardhur në Shqipëri për pushime, por duke shkuar diku tjetër, pushuesi i mesëm kosovar ka ndikim të jashtëzakonshëm mbi të ardhurat, punësimin, investimet, mbi vetë ekonominë e Shqipërisë.

Ndaj, kjo është ora e hakmarrjes ndaj këtij vendimi të fundit, i cili tejkalon çdo poshtërim tjetër të konsumuar tashmë, dhe qëndron si gëlbazë mbi fytyrën e çdokujt prej jush që lini Kosovën për të pushuar në Shqipëri, apo për të kaluar këtu edhe një fundjavë të vetme.

Pas bllokadave tregtare të njëpasnjëshme, vonesat historike në projektet e përbashkëta dhe premtimeve populiste që ta fyejnë inteligjencën, qeveria e Shqipërisë tani ju vuri edhe një taksë patriotike.

Kjo është pështyma që merrni në surrat me komplimentet e Qeverisë së Shqipërisë dhe tregtarëve të karburanteve, vetëm sepse deshët “vëllezërit dhe motrat” tuaja. Por, të padenjë për këtë dashuri, këtë nostalgji patriotike, disa prej nesh do vazhdojnë t’ju përçmojnë, vjedhin, keqtrajtojnë dhe shpikin mënyra novatore për t’ju plaçkitur në mënyrë të ligjshme.

Në këtë pikë kthese, në këtë shpërthim të shëmtisë dhe hipokrizisë së çdo deklarate patriotike bërë nga një qeveri, ju duhet të kundërpërgjigjeni në mënyrën më pasive të mundshme – thjesht duke mos na vizituar – dhe duke falimentuar kështu arrogancën e një pjese të bregdetit shqiptar, si dhe duke dëmtuar lehtas edhe ekonominë e Shqipërisë në mënyrë që të ketë reflektim.

Sepse ne jemi popull i çuditshëm, që gjatë kemi qëndruar në diktaturën e tmerrshme të vetes, ndaj respektojmë vetëm forcën, nderojmë vetëm autoritetin, kuptojmë vetëm gjuhën e agresionit. Në emër të patriotizmit, duhet të na ushqeni këtë ilaç, në mënyrë që të na shpëtoni ne nga vetja dhe veten tuaj nga ne.

Dikush mund të thotë që nuk vlen të ndëshkohet një popull për gabimet e një pakice. E vërtetë, por ku ishte ky popull kur u vendos tarifa? Ku ishte kur hyri në fuqi? Sa prej Durrësit, Tiranës apo Vlorës shkuan t’u bashkohen protestave të banorëve të Kukësit? Sa bënë diçka kurdo dhe kudo? Ndaj, ne meritojmë gjithçka.

Kështu, kur në fillim të vitit që vjen të paraqiten statistikat për turizmin e Shqipëri dhe të rezultojë që vizitorët nga Kosova kanë qenë më pak se 800 mijë vetë, që të ardhurat nga turizmi kanë rënë me rreth 20 për qind, dhe që marifetçinjtë e vegjël në zonën e plazheve qendrore-veriore kanë falimentuar si mizat, vetëm atëherë do mësojmë t’ju respektojmë.

Shkoni në Ulqin ku ka gjithashtu shqiptarë, dhe ku besoj trajtimi është më i mirë se në Shqipëri. Ndëshkojeni arrogancën dhe arbitraritetin e këtij vendi për një vit që t’i vijnë mendtë për shumë të tjerë. Një sakrificë e vogël por me përfitime të mëdha dhe afatgjata.

Sigurisht që ‘patriotët’ e kurdisur nga zyrat përkatëse qeveritare, analistët e ulluqeve dhe folklorikët prozaikë që vërtisin kujtime nga ujërat e zeza ku janë larë pa e ditur, do nxitojnë ta quajnë tradhti kombëtare këtë ide. Por s’prish punë se tashmë na është trashur lëkura me akuza nga ata që e shesin atdheun për ndonjë honorar apo më keq, për ndonjë rrahje supesh.

Ndaj, duhet bërë gjëja e duhur. Bojkotojeni Shqipërinë këtë vit, në mënyrë që të gjithë këta mosmirënjohës nga kjo anë e kufirit, vitin që vjen t’ju shtrojnë qilimat e kuq dhe në nderin tuaj të derdhin rrugëve shampanjë dhe ahengje.

Le të vuajmë të gjithë nga pak sot që të mësojmë të respektohemi më shumë nesër. / Telegrafi / KultPlus.com

Gregory Charette solli magji tingujsh përmes pianos në Festivalin DAM

Gili Hoxhaj

Dam Festival mbrëmë solli dy koncerte brenda një nate. Pas shumë tingujsh të instrumentisteve vendore e zërave të solisteve të ansamblit vokal “Zanat”, në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare u ngjit dirigjenti Gregory Charette.

Për publikun i cili e ka përcjellur në vazhdimësi Festivalin “Dam” dhe koncertet e Filharmonisë së Kosovës, tashmë emri i dirigjentit amerikan nuk është i panjohur. Brenda këtij viti, ai ishte ndodhur dy herë përballë Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ku kishte dirigjuar lojën e tyre. Kësaj here ai ishte ulur pranë pianos, me anë të së cilës do t’i dhuronte më shumë se një orë lojë pianistike publikut të Dam Festivalit, i cili mbrëmë arriti natën e gjashtë koncertale. Ndriçimi në sallë shkonte duke u zbehur, për t’u përqendruar tek laramania e tingujve, që herë vinin me një ritëm më të ngadaltë e udhëtonin ngadalë brenda ambientit, për të vazhduar në disa çaste në lëvizje më të shpeshtuara, e tinguj më të gjallë.

Gregory Charette aktualisht punon si profesor në Konservatorin e Amsterdamit ndërsa shquhet si dirigjent i cili është thellësisht i përkushtuar në promovimin e muzikës së re. Ai është drejtor i kolektivit të muzikës bashkëkohore Oerknal. Përvoja e tij lidhet edhe si mjeshtër i dirigjimit orkestral në Holandë, gjë që ia ka mundësuar atij edhe bashkëpunimin me shumë orkestra të ndryshme profesionale në Holandë.

Ai interpretoi 11 etyde për piano të kompozitorit amerikan Philip Glass, muzika e të cilit ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në fund të shekullit 20. Këto etyde, Glass i kishte kompozuar për vete ndërsa i kishte interpretuar në piano.

“Ai i shkroi këto etyde për piano, në mënyrë që t’i ushtronte, ato kanë mënyra të ndryshme te të shprehurit, disa janë më të gjalla e disa në mënyrë më medituese”, u shpreh Charette. Para se ta mbante koncertin, gjatë ditës Charette për studentët e muzikës mbajti një ligjëratë rreth Philip Glass dhe repertorit muzikor që ai krijoi. Shembull, ata që e kanë parë filmin “The Hours” kujtojnë mirë pjesët muzikore të cilat i ka krijuar Philip Glass.

Charette u shpreh për KultPlus se interpretimi në piano para publikut këtu, i dhuroi një ndjenë edhe më të afërt dhe një ndjeshmëri më të madhe. Ai tregoi përvojën e tij në këtë interpretim.
“Ne, në anglisht kemi një fjalë “pendesë”, kur ju duhet të pendoheni për gabimet e juaja, mendoj se çdo dirigjent duhet të interpretojë ashtu siç interpretova unë sonte sepse kur unë dirigjoj, unë kam para vetes disa muzikantë të mirë të cilët bëjnë të gjithë punën, e krejt çka unë bëj është t’u tregoj kur ata janë gabim, kështuqë për mua është një ndjeshmëri më e madhe dhe një frikë më e madhe”, tha kompozitori dhe dirigjenti Gregory Charette.

Ai tha se audienca këtu është gjithnjë e ngrohtë, ndërsa shtoi se shpreson që gjatë kësaj nate kanë arritur që përmes muzikës sado pak ta sfidojnë shijen e publikut, duke u ofruar diçka që është më ndryshe nga ajo çfarë ata janë mësuar ta dëgjojnë.

Duke qenë se dirigjenti Charette gjatë qëndrimit këtu po i ndjekë nga afër koncertet e DAM Festival, ai tregon për KultPlus se ky festival është i mrekullueshëm por që duhet të gëzojë edhe më shumë përkrahje për shkak të rëndësisë që ka për komunitetin në Kosovë.

“Ky festival është i mrekullueshëm, ajo çfarë bëjnë organizatorët është mbresëlënëse dhe ka nevojë për më shumë përkrahje sepse një festival si ky dhe Festivali i Filmit në Prizren janë dy mënyrat më të mira për t’i mbledhur njerëzit në Kosovë. Për shkak të liberalizimi të vizave lëvizja është shumë e vështirë kështu që organizime si këto janë më të vërtetë esenciale”, pohon Charette.

Festivali DAM do të vazhdojë rrugëtimin e tij muzikor me koncertin e radhës që do të mbahet këtë të diele, me datë 8 prill, ku publiku do të ketë mundësi të dëgjojë koncertin e korit “Hpd Slavulj” nga Kroacia.

Koncerti i radhës do të mbahet po ashtu në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës krijon grup punues për të luftuar ngacmimet seksuale

Pas rastit të fundit të raportuar për ngacmim seksual në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, menaxhmenti i UP-së sot ka konfirmuar se do të krijojë një grup punues për të luftuar këtë dukuri brenda universitetit.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se, “menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, ju informon se menjëherë pas raportimeve të para lidhur me dukurinë e ngacmimit seksual në UPHP, ne kemi ftuar stafin akademik nga programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në UPHP, që të formojmë një grup punues për trajtimin e kësaj dukurie”, transmeton Koha.net.

Më tutje në komunikatë thuhet se grupi punues në ditët në vijim do të dalë me plane konkrete për hartimin e politikave dhe planit të veprimit në adresimin dhe trajtimin e dukurisë së ngacmimit seksual në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Po ashtu, në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Drejtues të UPHP-së, paraparë për nesër në ora 15:00, pika 2 parasheh shqyrtimin e mekanizmave për adresimin dhe parandalimin e ngacmimeve seksuale. Pas mbledhjes, KD do të dalë me një komunikatë për media lidhur me këtë çështje. / KultPlus.com

‘Mos i mësoni djemtë të rrinë duarkotë, mo u këndoni vetëm këngë trimash’

“Mo i mësoni djemtë të rrinë duarkotë, mo u këndoni vetëm këngë trimash! Çupani, mo i merrni kocet ndërgojë, se jemi fëmra vetë! Jemi na që i bëjmë “burra për për të na rrahur bijat tona”. Mësojini evletërit t’u bëjnë pak hyzmet, se o xhane, nuk vetëm marrëm (nuse), po edhe japëm (çupa)! Jemi na, a të keqen unë, që rrisëm diejtë që nga barku e deri sa dalën në Udhën e Madhe! Bëjuni tok, o jetë, se po nuk deshëm njëra-tjatrën, xvarrë do na heqën e vërvitën, derisa të mbyllëm sytë! Jepuni sisë e mbillni respekt! Hë të keqen nëna!”

AFËRDITA THANASI

Si sot para 26 vitesh u shkrep fotografia e tmerrshme në luftën e Bosnjës

Saktësisht si sot, para 26 vitesh, është realizuar fotografia e tmerrshme në luftën e Bosnjës.

Ron Haviv ishte ai që e shkrepi.

Srdjan Golubovic, i njohur si DJ MAX, e godiste në kokë të vdekurën myslimane Tifa Sabanovic në rrugët e Bijeljina në Bosnjë.

Golubovic nuk është akuzuar asnjëherë dhe ndoshta po shëtitë nëpër rrugët e Beogradit pa qenë fajtor dhe i dënuar për krimin e bërë.

Fotografia mbetet ndër fotografitë më të tmerrshme që vijnë nga Lufta e Bosnjës.

Ron Haviv ishte paralajmëruar të mos fotografonte të vdekurit por megjithatë ai rrezikoi dhe pos këtij momenti, fotografi amerikan ka kapur edhe momente tjera me fokusin e aparatit.


RON HAVIV

TIME magazine, aty ku edhe u publikua fotografia, e ka vendosur atë në mesin e 100 fotografive më me influencë në botë, fotografi ikonike që ndryshuan botën. / KultPlus.com

Anës lumenjve

Poezi nga FAN NOLI

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.

Ku e lam’ e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjer-mileti
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur?

Se ç’e shëmpnë derbederët,
Mercenarët dhe Bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës!

Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’ as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’ u-mpaka,
Se ç’ u-çora, se ç’ u-mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.

Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
Endërronj pa funt, pa shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.

Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet Beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta,
Dhe kudo gjëmon trumbeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
Më bën djal’ e më bën trim,
Më jep forc’ e më jep shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi një herë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur
Brohorit me bes’ e shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.

Dedikimi

Poezi nga Izet Sarajliç. Përktheu Faslli Haliti

Unë të dedikoj sytë e mi, buzët e mia, dhëmbët e mi.
Poezitë? Ç’të bësh me poezitë e mia të shkruara, sepse s’dija të heshtja?
Ç’ të bësh me poezitë e mia që nuk mund të të duan?
Sa bukur është që ne s’jemi as zogj as adhurues në muzg
dhe s’kemi flatra, por krahë.
Gjëja e fundit që na pret nuk mund të jetë vdekja jonë,
sepse dëshirat e gjakut tonë diku duhet të vazhdojnë.
Ti je një grua e vogël,
Një e vogël grua je, ti
dhe një gusht i pavdekshëm të ka sjellë në baladat e mia.
Rri me dashurinë time të dua të mbijetosh me gjithçka timen
Reniet e pikëllueshme, me të gjitha transformimet e mia.
Rri afër syve të mi.
Do të mbijetojmë ne vetë,
jo vetëm në tumën e varreve tona,
sepse ne kemi ditur, e kemi ditur, të butë dhe krenar,
duke u larguar nga thikat dhe granatat duke vrarë engjëjt brenda vetes,
kemi vazhduar të mbetemi engjëj.
Pasardhës, na kërkoni ndonjëherë duke ndjekur një fije të kuqe,
vetëm trupat tanë do të shtrihen nën tokën e heshtur,
por shkelni ngadalë,
që të mos plagosni buzët tona,
dhe të mos shtypni vështrimet tona të vdekura.

Zhdukja e dhimbshme e Prishtinës së ‘pinjollëve’

NGA TRASHËGIMIA KULTURORE E PRISHTINËS

ZHDUKJA E DHIMBSHME E PRISHTINËS SË “PINJOLLËVE”

Pjesët e Prishtinës së vjetër (që intenzivisht filloi të shkatërrohet pas LIIB ) kishin rezistuar me mund të madh deri në vitin 1999 kur dukej që shpëtuan nga komunistët dhe hordhitë militare e paramilitare serbe por pas vitit 1999 fal mungeses së kontrollit institucional dhe kaosit urbanistik shumë objekte të trashegimisë u zhduken.
Në rrugën Vellusha (tash Bajram Kelmendi) para disa vitesh u rrenua shtëpia e vjetër qytetare e familjes Begolli (Beyollu-pronari i fundit ishte Hamdi Beyollu, punonjes i TV Prishtina) me çardak, me tavana në drugdhendje dhe me kopsht të rregulluar dhe në vend të saj u ngrit një godinë monstruoze banimi.

NASER FERRI / Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history

Çfarë pritet të ndodhë me nxënësit e “Gylistanit”?

Rrjeti i institucioneve shkollore “Gylistan” që prej vitit 2000 është duke e ushtruar veprimtarinë arsimore në Kosovë, raporton KTV .

Pas arrestimit të zyrtarëve të këtij rrjeti javën e kaluar, zyrtarë të mbetur të këtyre institucioneve kërcënuan me mbyllje të shkollave.

Por zyrtarë të kolegjit “Mehmet Akif” thanë se do t’i rikthehen procesit mësimor, pavarësisht se ditë më parë kërcënuan se do ta pezullonin atë. Pezullimi i mësimit, sipas drejtorit të kolegjit “Mehmet Akif”, do të ishte një ofendim për prindërit dhe mësuesit, të cilët iu besuan shumë këtyre institucioneve dhe mësimi, sipas tij, do të vazhdojë, ani pse janë mjaft të lënduar.

Nazmi Mulluz thotë se nxënësit që mësojnë në këto shkolla nuk kanë nevojë të frikësohen, pasi Erdogani krejt çështjen e ka me mësimdhënësit e jo me nxënësit. Sipas tij, 7 nxënës të shkollave Gylistan të Kosovës kanë vazhduar studimet e larta në Turqi dhe askush nuk iu ka bërë problem.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë thënë se këto shkolla i plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore për mësim dhe as që bëhet fjalë për mbylljen e tyre.