Regjisori Ismet Sijarina i zhgënjyer: ‘U çum na e kishe po bojm filma’

Regjisori Ismet Sijarina në rrjetin social Facebook ka treguar zhgënjimin e tij me audiencën kosovare.

Ai është regjisor i filmit “Nëntor i Ftohtë”. Ky film që ka dy javë që po shfaqet në kinemanë “Cineplex”, e nuk e ka arritur shikueshmërinë e duhur, ani pse kinematë botërore u mbushën plotë për të shikuar filmin “Nëntor i Ftoftë”.

Ai ka shprehur pakënaqësi me mos përkrahjen e filmit të tij dhe shikueshmërinë e ulët, ani pse sipas tij, kinematë botërore u mbushën për ta parë atë.

‘Nentor i ftohte ka hyre ne javen e dyte prej kur ka filluar te ndahet me audiencen lokale, ne Cineplex.
I falenderoj krejt ata, qe ju rezistuan Blockbuster-ve, te reklamuar maksimalisht nga te gjitha mediat dhe e shikuan filmin “Nentor i ftohte”, i cili pati nje rrugetim shume te suksesshem nderkombetar.
Filmi jone, perveq mbeshtetjes se kolegeve permes rrjeteve sociale, fatkeqsisht nuk gjeti mbeshtetjen e duhur nga askush.
Ne gjysmen e dynjase i mbushem mega-kinemate, po kur te zbritsh ne Kosove, t’a kallxojn vendin.
Tybe edhe s’keni faj, u çum na e kishe po bojm filma!
E keni edhe njo 2-3 dite, MOS GABONI ME SHKU ME PA!!!
Nderkohe, filmi tanime i ka te konfirmuara dhjetra festivale tjera te medha ane e kend botes, rrjedhimisht edhe pse te injoruar nga brenda, do te vazhdojme te jemi te respektuar e te duartrokitur gjithandej neper bote.

Diten e mire!’

Edhe artistë të ndryshëm kanë bërë thirrje për ta parë filmin i cili ende po shfaqet në Cineplexx. / KultPlus.com

Me 30 nëntor, shfaqja nga Dino Mustafiq vjen në Kosovë

Dino Mustafić, regjisori nga Sarajeva e Bosnjës, vjen në PITF – Prishtina International Theater Festival 2018 si regjisori i shfaqjes “Nëna dhe fëmija”, një shfaqje që përfaqëson Shqipërinë.

Regjisori i teatrit dhe filmit Dino Mustafić, u lind më 6 korrik 1969. Ai diplomoi nga Akademia e Arteve në Sarajevë, në degën e regjisë dhe nga Fakulteti i Filozofisë në Sarajevë, dega e letërsisë së përgjithshme dhe bibliotekarisë. Ai ishte edhe drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit MESS në Sarajevë dhe poashtu regjisor i dokumentarëve (“Miracle in Bosnia” dhe shumë të tjerë), programeve muzikore dhe shfaqjeve teatrore. Filmi i tij i parë “Remake” sipas Zlatko Topçiqit, ka qenë një sukses i madh. Dino është shfaqur në festivalet e shumta ndërkombëtare të filmit në të gjithë botën, ku edhe fitoi çmime.

Filmi “Remake” u shpërblye si filmi më i mirë debutues, po ashtu mori shpërblime për aktorin më të mirë (Ermin Bravo) dhe për Paqen dhe Mirëkuptimin Kulturor në Festivalin e Filmit të Verës në San Francisko, çmimin ‘’Special Future’’ në Festivalin e Filmit në Munih dhe çmime të tjera në Berlinale.

Ai është nominuar për Çmimin e Artë të Tulipit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Stamboll, çmimin e madh në Festivalin e Filmit në Paris, çmimin e Lindjes së Perëndimit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary dhe Tigrin e Artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam.

Në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Novi Sad, në 2016, ai u shpërblye si ‘’Regjisori më i mirë’’.

Shfaqjen nën regjinë e Mustafić, keni mundësinë ta shihni të premten, më 30 nëntor 2018, nga ora 19.00, në Teatrin AAB “Faruk Begolli”. / KultPlus.com

Arbëreshët festojnë me potpuri e valle në Kulluri (VIDEO)

Arbëreshët e Kullurit kanë festë.

Në këtë video të marrë nga Hellenic Parliament TV. Από τόπο σε τόπο” (2018), Arbërorët e Kullurit nga Salamina këndojnë e kërcejnë me muzikë që të kënaqë shpirtin.

Në Greqi, arbëreshët u vendosën gjatë fundit të mesjetës dhe ishin element dominant i popullsisë në disa rajone të Peloponezit dhe Atikës deri në shekullin e 19-të.

Në këtë video, ata këndojnë dhe kërcejnë meloditë ‘Ti je luleja e malit’, ‘Ra kambana Ipapandisë’, ‘Kjo dita çë ishtë sot & Fleta e portokallesë’, ‘Ato çë venë ndë Pilo’ dhe ‘Valle dasme (ballo)’. Vërehet ngjashmëria me këngët e Jugut, me këngët nga Gjirokastra e nga Dibra shqiptare.

Migrimi i arbëreshëve në Greqi filloi në fund të shekullit të 13-të dhe mbaroi rreth vitit 1600. / KultPlus.com

Efi Gjika nesër përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion (VIDEO)

Vogëlushja Efi Gjika me këngën “Barbie”, të dielën mbrëma do të ngjitet në skenën e Junior Eurovision – Eurovizionit për më të vegjlit.

Gjika do të sjellë këngën “Barbie”.

Ajo dje ka realizuar provën e dytë të saj në skenë, ndërsa shihet shumë e lumtur dhe pozitive në këtë performancë.

Ajo është ndër favoritet për të fituar dhe ka shansa të dalë mirë në tabelën finale.
Efi ka nisur të këndojë qysh 6 vjeçare.

https://www.youtube.com/watch?v=2xTcJ-ZY_ps

Nesër, në Junior Eurovision Song Contest në Misnk, do të këndojnë fëmijë që janë zgjedhur nga shtetet pjesëmarrëse.
Kjo do të jetë hera e 16-të që mbahet Junior Eurovision. Për herë të parë këtë festival në vitin 2003 e ka fituar Kroacia, ndërsa vitin e kaluar fitoi Rusia.

Shteti që ka fituar më së shpeshti në këtë garë është Gjeorgjia, ndërsa Shqipëria pozitën më të mirë e pati në vitin 2015, kur Mishela Rapo u pozicionua në vendin e pestë. / KultPlus.com

Posterit të shfaqjes “Bordel Ballkan” i rivihet zjarri (FOTO)

Janë bërë më shumë se dy vjet prej premierës së shfaqjes “Bordel Ballkan”.

Në prill të vitit 2017, qysh para premierës, autori i tekstit, Jeton Neziraj ishte kërcënuar me vdekje. Pas disa ditësh i ishte vënë flaka posterit të shfaqjes me regji të hungarezit András Urbán, shkruan sot Koha Ditore.

Vënia e zjarrit posterit të kësaj shfaqjeje, që pas 20 reprizave është kthyer prapë këtë vit në repertor, është përsëritur.

Pas mesnatës të së enjtes, posteri i “Bordel Ballkan” ka marrë flakë. Një gjë e tillë është vërejtur tek në mëngjesin e së premtes. Menaxhmenti i TKK-së menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës.

“Rreth orës 10:00 të së premtes është hapur një rast zjarrëvënie në stacionin ‘Qendra’. Rasti ka ndodhur në sheshin ‘Skënderbeu’. Është djegur një pllakat reklamues i Teatrit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Florije Ahmeti.

‘Bordel Ballkan’ është bazuar në dramën e Eskilit “Orestia”. E zhvendosur në një kontekst të ri ballkanik – ‘Bordel Ballkan’ flet për një lloj çoroditjeje morale e shpirtërore, nga i cili vuajmë në këto anë. Drama shpërfaq një lloj besimi të rremë, të cilin ia veshim vetes si një rrobe e vjetër, e pas së cilës fshihemi, si duke dashur të tregojmë që ne jemi zotët e fatit tonë, që ne jemi qenie të vetëdijshme. E përkundrazi, kjo dramë, në tërësinë e saj, na dëshmon të kundërtën: që në neve gjendet një kod i thellë shkatërrimtar, për të cilin ne, kokëfortësisht, nuk jemi të vetëdijshëm. Autor: Jeton Neziraj, Regjisor: András Urbán

Aktorët:
Astrit Kabashi,
May-Linda Kosumoviq,
Adrian Morina,
Armend Baloku,
Semira Latifi,
Armend Smajli,
Shengyl Ismaili,
Arta Selimi,
Albulena Kryeziu-Bokshi,
Shpejtim Kastrati,
Ylber Bardhi,
Adhurim Demi
/ KultPlus.com

Televizioni japonez xhiron në terr medaljet e suksesit të Driton Kukës

Ditëvë të fundit, në Prishtinë reduktimet e energjisë elektrike janë të shpeshta.

Qytetarët në anën tjetër janë të revoltuar.

Madje, në po këtë terr dikujt i është dashur ndihma e një drite ekstra.
Driton Kuka, trajneri i Majlinda Kelmendit, ka treguar se si një ekip televiziv japonez ka ardhur në Kosovë dhe i është dashur të xhirojnë në terr.

“Populli po më doket po duron shumë!
Kompanitë përgjegjëse për rrymë po na testojnë durimin!
TV Nacional Japonez duke xhiruar medaljet e fituara në errësirë në Stërvitje kur u ndal rryma.
Tash me ja nis stërvitjet si Samuraja me qirinj,ose a është momenti që populli ti tregoj me protesta këtyre Kompanive që u ba teper!!
Foto e bukur e trofeve pa rrymë” ka shkruar Dritoni në rrjetin social Facebook.

Kuka nuk është vetëm trajner i Majlindës, krenarisë shqiptare, por edhe i emrave tjerë nga sporti që na kanë bërë krenarë në mbarë botën. / KultPlus.com

Sonte në Korçë hapet ekspozita ‘Street Life Balkans’ me 30 fotografë pjesëmarrës

Sonte në Korçë, në Muzeun Kombëtar të Arsimit, do të hapet një ekspozitë me 30 autorë e artistë nga Ballkani.

Ekspozita ndërkombëtare të fotografisë “STREET LIFE BALKANS” , ekspozitë e cila përmbledh 30 fotografë eminent të Balkanit në një përmbledhje fotografike, dhe artdashës tjerë nga i gjithë Ballkani.

Ky event organizohet në qytetin e Korçës, që ka një traditë shumëvjeçare dhe ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në kultivimin e artit fotografik. Ne vetëm po e vazhdojmë këtë traditë të mjeshtrit të madh Gjon Mili ose “Gjeniu Shqiptar”, siç e quante Henri Cartier Bresson. Korça, Dardha, Voskopoja na dha mjeshtërit e fotografisë si: Sotiri, Shuli, Dhimitri, Kaçuni, Burda… Fatmirësisht fotografia shqiptare ka një trashëgimi unike në regjion, jo vetëm si vlerë historike por edhe si arritje artistike. Dëshmi për këtë është Fototeka Marubi, një thesar kombëtar.

Një përzgjedhje prej 30 fotografësh të cilët do të ekspozojnë punët e tyre në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë, është përzgjedhur nga bordi kuratoriali i ekspozitës. GJON MILI DITËT E FOTOGRAFISË këtë vit paraqitet me konceptin: “ Momenti Zen, një përkushtim absolut”. Pra, në fotografi nuk është vetëm subjekti, por edhe vetë autori është prezent në to, energjia e të cilit reflektohet nga ajo. Kjo arrihet me përkushtim absolut, kur qenja e artistit gërshetohet me vendin dhe kohën në një moment “ZEN”.

Fotografë pjesëmarrës:

Burhan Ahmeti – Macedonia
Merih Akogul – Turkey
Boro Arsovski – Macedonia
Vasilis Artikos – Greece
Fatih Balkan – Turkey
Ernest Baba – Albania
Goran Boricic – Montenegro
Enver Bylykbashi – Kosova
Haris Calkic – Bosnia and Herzegovina
Igor Coko – Serbia
Fisnik Dobreci-Montenegro
Ardian Fezollari – Albania
Ahmed Hadrovic – Bosnia and Herzegovina
Dash Izairi – Macedonia
Amer Kapetanovic – Bosnia and Herzegovina
Ognjen Karabegovic – Croatia
Olga Karlovac – Croatia
Diana Maria-Romania
Zoran Marinovic – Croatia
Aleksander Mogilo – Bulgaria
Blaz Poljansek – Slovenia
Midhat Poturovic – Bosnia and Herzegovina
Vasil Qesari – Albania
Hazir Reka – Kosova
Serkan Turac – Turkey
Armand Sallabanda – Albania
Naim Shala – Kosova
Gent Shkullaku – Albania
Rozafa Shpuza – Albania
Imre Szabó – Serbia

Inva Mula dhe Lule Elezi, sonte me koncert në Slloveni

Dy emra të mëdhenj të artit shqiptar, Inva Mula dhe Lule Elezi, kanë bashkuar forcat për një paraqitje klasike muzikore.

Në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Slloveni, sot janë paraparë disa aktivitete.

Në ora 15:00 do të prezantohet libri “Albanese” me autor Shyqri Nimanin, në Pallatin Pretorian.

Në po këtë Pallat prej orës 17:00 do të ketë koktej rasti.

Në ora 18:00 do të mbahet Mesha në gjuhën shqipe dhe italiane – në Katedralen e Koprit.

Në ora 19:00, sopranoja Inva Mula dhe Lule Elezi në piano do të sjellin koncertin e tyre në Kopër të Sllovenisë.
Ngjarja në fjalë mban titullin “Monomenta Albanica Justinopolitana” dhe organizohet nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore ‘Iliria’.

Marrëdhëniet mes Kosovës e Sllovenisë kanë qenë gjithmonë të mira. Sllovenia e ka njohur Kosovën me 5 mars të vitit 2008 ndërsa në maj të po këtij viti Sllovenia ka hapur edhe Ambasadën e saj në Kosovë. / KultPlus.com

Besnik Krapi emërohet Drejtor i Prishtina Film Forum në PriFest

Besnik Krapi, aktor dhe producent filmi është emëruar të premten, me 23 nëntor, Drejtor i Prishtina Film Forum – plaformës regjionale të industrisë së filmit në kuadër të PriFest – Prishtina International Film Festival.

Ky vendim erdhi nga menaxhmenti i PriFest pasi Fatos Berisha, Kryesuesi i deritashëm i PriFORUM vendosi që të tërhiqet nga kjo pozitë për të vazhduar angazhimin e tij në zhvillimin e pjesës artistike të festivalit duke mbetur Drejtor Artistik i tij. Berisha e lë këtë pozitë pas një udhëheqje 10 vjecare që me sukses arriti t’a ngris PriFORUM në një platformë të rëndësishme për industrinë e filmit në Kosovë dhe rajon që ofron shumë përkrahje dhe është shndërruar në një vendtakim të rëndësishëm për filmbërësit Kosovar me përfaqësues të industrisë së filmit nga rajoni dhe Europa.

Vjosa Berisha, Drejtor Gjeneral i PriFest tha: “- Gëzohem që Besniku iu bashkua ekipit të PriFest duke marrë një përgjegjësi që të udhëheq një seksion të rëndësishëm të PriFest. Besniku ka qenë përkrahës i madh dhe mik i PriFest që nga fillimi. Duke qenë se kam punuar në projekte të tjera me te më parë, e njoh profesionalizmin e tij, vizionin dhe ambicjen. Kjo më bën konfidente që PriFORUM do të jetë në duart e një personi kompetent që do të vazhdojë të ndërtojë një rrugë të suksesshme për PriFORUM ashtu siç ka qenë nën menaxhimin e Fatosit deri tani. I gëzohem punës që do t’a bëjmë së bashku në PriFest si ekip duke ndarë idetë për ndërtimin e mëtutjeshëm të kësaj platforme industriale dhe duke realizuar një festival të suksesshëm që luan rol të rëndësishëm për shtetin tonë të ri dhe industrinë e filmit.”

Besnik Krapi ndihet i lumtur dhe I gatshëm të marrë detyrën e re: “- Më duhet të them se përveç se jam i nderuar me ftesën për të qenë udhëheqës i PriForum jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe në të njejtën kohë ndjej përgjegjësi të madhe për angazhimin tim në këtë pozitë. E them këtë sepse PriFest e në veçanti PriForum ka qenë dhe është një ndër faktorët e rëndësishëm në zhvillimin e industrisë tonë duke ofruar program, ekspertë dhe një derë të cilën Kosova dhe filmbërësit Kosovar e kane mëse të nevojshme për shkak të limiteve në perfaqësimin e prodhimit tonë ndërkombëtarisht. Shpresoj që me punën dhe kapacitetet e mia do të mund të kontriboj mjaftueshëm në rrugën të cilën Vjosa dhe Fatosi e kane filluar dhe arritën t’a ndërtojnë për një dekadë edhe përkundër vështirësive që i kanë pasur vazhdimisht. Shihemi në edicionin e 11të të PriFest i cili që tani duket se do të ketë mjaft risi dhe mundësi për filmbërësit vendor por dhe nga regjioni.”

Fatos Berisha i gëzohet ardhjes së Besnikut në udhëheqje të PriFORUM: “- Jam i lumtur që po ia dorëzoj detyrën e udhëheqjes së Prishtina Film Forum-it një kineasti i cili e njeh mirë industrinë filmike të vendit dhe rajonit, dhe i cili, jam i bindur se me energjinë dhe idetë e reja do të shtyej përpara këtë platformë regjionale filmike.”

E udhëhequr me sukses për 10 vite nga Fatos Berisha, platforma regjionale e zhvillimit të industries së filmit – PriFORUM është zhvilluar në kuadër të PriFest, duke u shndërruar në vendtakimin kryesor për filmbërësit, aktorët dhe profesionistët tjerë të industrisë së filmit nga Kosova dhe rajoni. Duke u pasuruar çdo vit me aktivitete, workshope, masterklasa, trajnime, dhe duke sjellur shumë ekspert ndërkombëtar të industrisë së filmit në Kosovë. PriFORUM ka arritur të bëhet një pjesë e rëndësishme e festivalit PriFest që ofron shumë përkrahje dhe mundësi promovimi ndërkombëtar për industrinë e fimit në Kosovë.

Edicioni i 11të i PriFest do të mbahet në korrik 16-22, 2019.

Biografia e Besnik Krapit

Besnik Krapi është njëri nga producentët më premtues në Kosovë. Në 2010 ai themeloi kompaninë e tij të produksionit të filmit duke prodhuar filma të shkurtër, dokumentarë dhe së fundi ka përfunduar filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave” (prodhim i Kosovës me bashkëprodhues Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë). Momentalisht është në fazën e zhvillimit të filmit të dytë të metrazhit të gjatë “Looking for Venera” nga Norika Sefa. Besniku ka punuar ne shumë bashkëprodhime në rajon dhe jashtë, përfshirë këtu filmin “Shok” të nominuar për Oskar nga Jamie Donoughue. Si producent i ri ka arritur të punojë me shumë regjisor të njohur përfshirë këtu Isa Qosja (Skype), Jamie Donoughue (Shok), Blerta Zeqiri (Martesa), Fatos Berisha (Cirku Fluturues), Florenc Papas (Open Door), Antoneta Kastrati (Zana), Edon Rizvanolli (Unwanted).

Bojken Lako dhe Xhevdet Bajraj bashkojnë forcat për Festivalin e RTSH-së

Bojken Lako vjen në edicionin e 57-të të Festivalit të Këngës me “Jeto jetën”.

“Kam sjellë një këngë që nuk është stil festivali. Është hera e parë që marr pjesë me një këngë të thjeshtë, të pa ngarkuar me tendenca.” – tregon Lako për “Mirëmëngjes Shqipëri”.

Muzikën, Bojkeni e ka realizuar vetë, ndërsa tekstin ja ka besuar poetit Xhevdet Bajraj. Por si erdhi ky bashkëpunim?

“Mendova të bëja diçka me profesorin Xhevdet Bajraj, të cilin kam patur fatin ta njoh personalisht. I kërkova të bënim një këngë me një tekst të tij.” Ky bashkëpunim ndodhi. “Jeto jetën” është një këngë dashurie. “Është një këngë që i kushtohet ndjesisë së puthjes së parë, gjërave naive dhe të pastra në marrëdhënien mes dy njerëzve.” – shpjegon Bojkeni.

https://www.youtube.com/watch?v=jHFRUt4UvSk

I pyetur në lidhje me prezantimin e këngëve përpara festivalit si në vitin e kaluar, kantautori ka një përgjigje: “Transmetimi i këngëve më herët nuk më pëlqen sepse humbet kurioziteti se çfarë do të sjellë një artist në festival.” Bojken Lako e ka prekur për herë të parë skenën e Festivalit të Këngës në vitin 1999, duke u prezantuar me krijime të veçanta siç është dhe ajo e këtij viti, një këngë pop – new R&B. / KultPlus.com

Grekët dhe shqiptarët, dhe shqiponja nga Sylvester Stallone

Një fotografi ku Sylvester Stallone shihet duke e bërë me duar shqiponjën, simbolin e shqiptarëve, ka ngjallur debat mes grekëve e shqiptarëve në rrjetet sociale.

Jo për herë të parë, debatet e tilla lindin kur ndeshen kulturat dhe secila palë pretendon se gjesti me duar dhe me shqiponjën herë është shqiptar, e herë është një gjest që i takon një kulture e tradite tjetër.

Sylvester Stallone është aktor i njohur ndërsa gjesti në fjalë ka të bëjë me ekipin e “Eagles” në Amerikë, në Super Bowl.

Personi që e ka shpërndarë fotografinë është grek dhe si duket ka provokuar, derisa shqiptarët janë përkujdesur që atij t`ia përkujtojnë faktin se ky gjest tek shqiptarët ka rëndësi të madhe dhe ndodhë shpesh, shoqëruar me krenari.

Ekipi futbollistik i futbollit amerikan Philadelphia Eagles kanë si simbol shqiponjën.

Në fotografinë e postuar nga Kotsios Kotskas, komentet kanë vërshuar duke treguar historinë shqiptare dhe shqiponjën si simbol të para më shumë se 100 vitesh, më herët se kur Shqipëria u bë shtet.
Stallone ka kohë që e përkrahë këtë ekip në forma të ndryshme dhe kjo fotografi tregon mbështetjen e tij për “Eagles”. Videoja dhe kjo fotografi janë realizuar në janar të këtij viti. / KultPlus.com

Odis

Ilnisa Agolli

Jemi mësuar të flasim për gjëra të përkohshme,
ndërsa asgjë nuk është më e përhershme se e përkohshmja

Këtë mendoj kur e vërteta rrotullohet rreth gjysmëasgjësë së një tjetër vdekje të vetes time
të cilën e përdhunoj njëjtë në thellësitë e kohës
duke mos zënë mend për atë që bëj
dhe e ul në meshën e mëngjesit me epshin e një manjaku që ngul në sytë e një gruaje
për pak tradhëti mbi banak
dhe ofruar alkol e rrëfim
pa përmendur emrin tënd

Një mashtrim pak a shumë
që më detyron të bërtasë kapriçon
Ndërsa dikush diku, qan për fatin e mjerë
apo të vërtetën rreth meje
e cila si një ortek nuk zbret dhe rritet,
por rrotullohet buzëve tek lut’ një emër
Odis!
Por askush nuk e di
nuk ka pse

Është kohë mëkatarësh dhe dhimbja ndjej se ka mbirë si fije bari në kopështin e një kishe që tregëtarët
nuk i kursyen kurrë ushqimet dhe këpucët
kundrruall pazarit për një ndjenje
apo vetmisë që humb gjithnjë tavolinës me rum, birrë dhe verë
Ndërsa bredhi dhjetorit
pa asnjë poç,
më merr me vete buzëqeshjen e marsit
dhe përkëdheljen e një burri të cilit
arsyeja që dashuron një grua,
e largon ndaj saj

Odis,
këtë mendoj ndërsa bëj sikur flas me gruan ngjitur dhe asgjë s’dëgjoj
Dhe të mendoj
teksa rrëkëllej gotën e fundit duke harruar se po i them sekretin tonë
që asgjë nuk është më e përhershme se e përkoshmja

Në Shkup hapet ekspozitë me fotografi nga Kongresi i Manastirit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mori pjesë në Festimet Qendrore të 110-vjetorit të Kongresit të Mastirit, të zhvilluara në Shkup.

Festimet e organizuara nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë përfshinin dhe prezantimin e një ekpozite të përgatitur nga DPA me dokumente dhe foto me momentet dhe personalitet që morën pjesë në Kongres.

Ekspozita u prezantua në prani të presidentëve Meta dhe Thaçi, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, si dhe përfaqësues të lartë të elitës politike e kulturore shqiptare në Maqedoni.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido theksoi se Kongresi i Manastirit është një ngjarje kulmore e para pavarësisë, që pasqyrohet në ekspozitë përmes dokumenteve dhe fotografive origjinale të ruajtura në AQSH. Espozita pati një interes të madh nga shqiptarët që banojnë në Shkup. / KultPlus.com

Inva Mula kujton për datëlindje nënën e saj, Nina Mulën

“Në çdo çast të jetës sime ti je prezent por sot është një ditë e veçantë ,ditëlindja jote ku të gjithë ne do dëshironim të kishim pranë për fjalën tënde të ëmbël, për këshillat e tua te çmuara , për çdo gjë të bukur që ti transmetoje me qenien tënde sublime”.

Me këto fjalë poshtë fotos ku vezullon portreti i artë i një gruaje jo më shumë se 30 vjeç, ku sytë e kaltër i flasin aq shumë, Inva Mula kujton në ditën e lindjes të ëmën, sopranon e njohur Nina Mula. Në foto është Nina në rininë e saj, me tiparet e bukura të një gruaje plot hire. E lindur më 23 nëntor të vitit 1931 në Izhevsk në Rusi, pas studimeve në Konservatorin P.I.Tchaikovsky në Moskë ku u njoh me studentin shqiptar Avni Mula, ajo do të udhëtonte drejt Shqipërisë që u bë atdheu i saj i dytë.

Në Tiranë ajo do të vinte në vitin 1957 dhe shumë shpejt do të emërohej soliste pranë TKOB-it në Tiranë, deri në vitin 1976. Prej vitit 1965 punoi si pedagoge e jashtme pranë Institutit të Lartë të Arteve, duke kaluar nëpër duar emrat më në zë të operistikes shqiptare. Gjatë aktivitetit të saj në TOB ka realizuar me shumë sukses një numër të madh rolesh kryesorë nga operat e kompozitorëve shqiptarë dhe nga literaturë botërore, po gjithashtu edhe një sërë koncertesh me një repertor të pasur dhe të larmishëm si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, si në Çekosllovaki, Rusi, Lituani, Ukrainë, Letoni etj.

Disa nga rolet janë ai i Rosinës në operën “Il Barbiere di Seviglia”, 1958, Norina në operën “Don Pasquale”, 1959, Drita në operën “Pranvera”, 1960, Tatjana në operën “Eugenji Onjegin”, 1961 Olimbia, opera “Lulja e Kujtimit”, 1961, Susana, opera “Le nozze di Figaro”, 1962, Michaela, opera “Carmen”, 1962, Leila tek “Peshkatarët e Perlave”, 1964, Violeta tek “La Traviata”, 1964 dhe 1972, Neda tek “Pagliacci”, 1964, Borëbardha në operën “Borëbardha” 1964, Gilda tek verdiania “Rigoletto” 1964, Mrika në operën “Mrika”, Mimi në operën “La Boheme” 1971, Donika tek “Skënderbeu”, 1968 etj.

Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, ndër të cilët me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të II, titullin “Artiste e merituar”, titullin “Mjeshtër i madh i punës”. Nina Mula do të kujtohet gjithmonë për kontributin e saj në operan shqiptare. / KultPlus.com

‘Të Harruarit’, për të angazhuar më shumë të moshuarit në ‘Shtëpinë e Pleqve’

Me 26 dhe 27 nëntor një aktivitet më ndryshe do të zërë vend në Prishtinë.

Punëtoria dhe ekspozita do të mbahen me datat 26 dhe 27 nëntor tek “Azili i pleqve” në Prishtinë duke filluar nga ora 13 deri ne ora 16.Ky aktivitet po bëhet për herë të parë dhe do të zgjasë dy ditë. Qëllimi i këtij projekti është të krijojmë mënyra te reja që edhe mosha e tretë të ketë mundësi të kalojnë kohën e tyre në mënyrë sa më produktive.

‘Mos të lejojmë që ne si individ, apo si shoqëri ti anashkalojmë personat e tillë. Kush më shumë nga këta persona e kanë të nevojshme të kenë një aktivitet apo një argëtim ne përditshmërinë e tyre që jo gjithmonë është e përmbushur’ shkruhet në konceptin e ngjarjes.

Aktiviteti do ketë fokus dhe shëndetin dhe mirëqenien e personave të azilit, ku do marrin këshilla nga spec. internistja – endokrinologjia.

Do japim disa leksione se çfarë është arti si punohet dhe do mundohemi se bashku te punojmë punime te ndryshme, gjithmonë duke pare dëshirën dhe vullnetin e tyre.

Aktiviteti do të zgjasë dy ditë, nga data 26 dhe me datën 27 do të keni mundësinë ta shihni ekspozitën e personave të azilit të pleqve duke filluar nga ora 14:00 ne sallën e azilit te pleqve ne Prishtine. / KultPlus.com

Për Sava Janjiq, po punohet për ndarjen territoriale të Kosovës sipas parimit etnik

Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, deklaroi se ka informata relativisht kredibile nga burime vendëse e ndërkombëtare se po punohet aktivisht në hollësitë e ndarjes territoriale të Kosovës sipas parimit etnik dhe se negociatat për këtë po zhvillohen në rrethe shumë të ngushta dhe në fshehtësinë më të madhe. Në një intervistë dhënë të përjavshmes NIN, Igumeni Janjiq tha kjo po ndodh në mënyrë që të ketë disa “elemente kozmetike të mbrojtjes për pjesën tjetër të popullsisë serbe që do të mbetet në anën tjetër të kufirit si dhe për disa manastire”, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se duke pasur parasysh kapacitetet institucionale dhe demokratike të Kosovës, nuk duhet të kesh imagjinatë shumë që ta marrësh me mend se si do të funksionojë e gjithë kjo, citohet të ketë thënë Janjiq.

Sipas fjalëve të tij, “qëllimi është që Kosova të përfshihet në sistemin e Kombeve të Bashkuara, e pastaj nuk do të kishte pengesa për bashkimin e Prishtinës me Tiranën”, ndërsa “në fund Serbia as që do të duhej të pranonte Kosovën”.

“(Serbia – v.j) Do të kufizohej me Shqipërinë , përkatësisht do të ndodhte ajo që presidenti i Serbisë edhe vetë e kishte thënë një kohë, “kufizimi midis serbëve e shqiptarëve” ka thënë Janiq.

Ai ka thënë se druan që “ modeli atesit dhe autokratr i shoqërisë i krijuar këtu pas Luftës së Dytë Botërore përjeton vetëm ndryshimet e jashtme, por në esencë nuk ndryshon”. / KultPlus.com

‘Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë’ nga Zvonimir Saksida po vazhdon të shfaqet në Prizren

Dokumentari “Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë” prodhuar nga Zastava Film në vitin 1972 me regji nga Zvonimir Saksida dhe i restauruar nga Instituti Nacional Audio-Vizuel i Frances – INA ende shfaqet në ekspozitën “Përnjëherë e mjegullt dhe e pashmangshme: Modernitetet 1945-1989” te Lumbardhi e cila do të jetë e hapur deri të dielën më 25 nëntor nga ora 10:00 deri në ora 18:00.

Saksida ishte regjisor dhe skenarist i njohur, i lindur në Slloveni ndërsa vdiq në Beograd në vitin 1998. Mes punëve tjera të tij janë edhe ‘Transport Equipments’, ‘Diverzanti’, ‘Diverzije na void in pod vodo’, ‘Krivajino gradbenistvo’.

Ekspozita ‘Përnjëherë e Mjegullt dhe e Pashmangshme: Modernitetet 1945—1989’ ka një qasje ndërdisiplinare: duke realizuar intervista të historisë gojore; mbledhur dhe arkivuar burime vizuele dhe eksploruar strategji të ekspozimit të historisë shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Prizrenit. Duke lokalizuar proceset e modernizimit dhe hapur trashëgiminë socialiste për lexime nga perspektiva të shumta, ekspozita eksploron kulturën dhe punën nga këndvështrimi i punëtorëve, duke i ruajtur kompleksitetet historike dhe shamngur reprezentime të thjeshtësuara të së kaluarës socialiste.

Ekspozita bazohet në hulumtimin e realizuar përgjatë Prizren Urban Memoryscapes, projekt tetë-mujor i formësuar si platformë edukative që pajisi dhjetë pjesëmarrës me metoda të hulumtimit të trashëgimisë kulturore dhe ekonomike. / KultPlus.com

Pianistja franceze Françoise Choveaux, pjesë e koncertit të Filarmonisë së Kosovës

Ambasada e Francës në Kosovë bën të ditur se pianistja dhe kompozitorja e njohur franceze, Françoise Choveaux, do të jetë në Kosovë nga data 24-28 nëntor 2018, dhe do të jetë pjesë e koncertit, i cili organizohet nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Francës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, zonja Choveaux do të mbajë një master klasë me studentët e muzikës të martën, më 27 nëntor nga ora 10:00 – 12:00 në lokalet e Orkestrës Filharmonike të Kosovës.

https://www.youtube.com/watch?v=hrl5-sAblO0

Po të njëjtën ditë, nga ora 18:00, në Aleancën franceze të Prishtinës (rr. Lah Nimani 15) ajo do të mbajë një takim me fêmijët dhe adoleshentët, ku do të flasë për karrierën e saj të pianistes.

Koncerti do të mbahet me datë 26 nëntor 2018, duke filluar nga ora 20h00, në Sallën e kuqe në Prishtinë. / KultPlus.com

Ministri Gashi: Themelimi i BKK-së sot përceptohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare të Kosovës

Sot, Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka shënuar ditëlindjen e saj. Biblioteka ka shënuar 74 vjetorin e themelimit. Në ceremoninë festive të shënimit të përvjetorit të themelimit të institucionit kryesor të librit në vendin tonë kanë marrë pjesë shumë personalitete.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili vlerësoi se është kënaqësi të festohet përvjetori i themelimit të BKK-së, duke reflektuar edhe mbi rolin e çmuar të këtij institucioni.

“Është për t’u vlerësuar iniciativa që ndërmerr BKK-ja për t’u përballur me sfidat e që përkrahet vazhdimisht prej anës sonë si ministri”, tha mes tjerash ministri Gashi.

“Për t’u siguruar që bibliotekat të luajnë në mënyrë efektive rolin e tyre në zhvillimin e qytetarëve të mirë informuar përmes qasjes së lirë dhe të pakufizuar në informacion, shërbimi duhet të financohet dhe drejtohet në mënyrë adekuate nga profesionistë të trajnuar me mbështetjen e personelit të duhur. Vetëm nëpërmjet stafit të trajnuar profesional, mund të sigurohen standardet e përmirësuara të shkrim-leximit dhe angazhimit demokratik që janë themeli i një shoqërie të begatë të shekullit 21”, vuri në theks ministri duke shtuar se me digjitalizimin e vazhdueshëm të kulturës po bëhet një integrim më i madh i institucioneve kulturore dhe bibliotekare.

“Bibliotekat kështu do të bëhen institucione të kujtesës si galeritë e artit dhe muzetë. Kjo sigurisht do të thotë se roli i bibliotekarëve do të ndryshojë”, paralajmëroi ministri duke potencuar se po vazhdon përpjekja dhe angazhimi në ngritjen e profilit të bibliotekës duke mëtuar të krijohet një besim për këtë institucion, për punën e vlefshme të tij.

Ministri Gashi u zotua se Qeveria e Kosovës nëpërmjet MKRS-së do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të bibliotekave në përgjithësi, ashtu siç edhe ka përkrahur shumë projekte për Bibliotekën, për librin e për kulturën në përgjithësi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tashmë është e përkushtuar në mbështetjen për realizimin e fazës së dytë të projektit “Kujtesa e Kosovës – Rrëfime nga 100 pleq e plaka” që ka grumbulluar 100 intervista të të moshuarve mbi 80-vjeç për të pasuruar historinë e shkruar të Kosovës të shekullit të fundit”, vuri në pah ministri dhe tha se edhe më tutje e kemi rritur kapacitetin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare, duke mbështetur sigurimin e klimakomorëve që kanë mundësuar kushte të favorshme për shfrytëzimin e hapësirave të bibliotekës nga lexuesi.

“Kushtet infrastrukturore aktuale të Bibliotekës Kombëtare kërkojnë vëmendje të shtuar për të siguruar mbarëvajtjen e duhur të veprimtarisë së bibliotekës si dhe konservimin e materialit që grumbullohet”, kujtoi ministri Kujtim Gashi. Ai u shpreh se “investimet që ne bëjmë dhe mbështesim për bibliotekën, gjithmonë shpaguhen me rolin që ato luajnë për edukimin dhe të ardhmen e vendit tonë”.

“Në kontekstin e sotëm, themelimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në vitin 1944, mund të perceptohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare të Kosovës”, ka vlerësuar ministri i MKRS-së, Gashi duke nënvizuar se ky institucion qendror bibliotekar gjatë këtyre 74 viteve vazhdon të grumbullojë dhe të ruajë kulturën dhe trashëgiminë e këtij shteti. / KultPlus.com

Prezantohet ekipi i Kosovës në Bienalen e Venecias, vepra do të ekspozohet në Arsenale

Republika e Kosovës po merr pjesë për herë të katërt në ekspozitën e 58-të ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia, ku perfaqësohet nga artisti Alban Muja.

Puna e tij është e influencuar nga proceset sociale, politike dhe ekonomike të transformimit në rajonin më të gjërë. Ai hulumton historinë dhe temat socio-politike dhe i lidhë ato me pozitën e tij në Kosovë sot.

Pavioni do të udhëhiqet nga Vincent Honore, një kurator i njohur francez i cili ka qendrën në Londër. Me një fokus të veçantë në ekspozita, ai përfshinë mënyra alternative të ekspozimit ku rëndësi të lartë ka angazhimi sa më i madh i audiencës, përmes projekteve ndërdisiplinare. Komisionerja e Pavionit të Kosovës në ekspozitën e 58-të ndërkombëtare të artit të Bienales së Venedikut që përfaqëson vendin është Arta Agani, Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Alban MUJA (i lindur më 1980 në Mitrovicë) është një artist vizual nga Kosova. Ai ka diplomuar në Bachelor dhe Master në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. I ndikuar kryesisht nga proceset e transformimit social, politik dhe ekonomik në rajonin e më gjërë, ai heton historinë dhe temat socio-politike, si dhe i lidhë ato me pozitën e tij në Kosovë sot.

Veprat e tij mbulojnë një gamë të gjërë mediash, duke përfshirë video instalime, filma të shkurtër, filma dokumentarë, vizatime, piktura, fotografi dhe performanca, të cilat janë ekspozuar gjërësisht në ekspozita të ndryshme grupore dhe individuale, duke përfshirë “Muzeun e Artit Kumu” Talin/ Estoni, “Muzeu i Arteve Guangdong’ Kinë, “Muzeu i Artit bashkëkohor” Shkup/ Maqedoni, “Meat Factory” Pragë/ Republika e Çekisë, Forum Stadpark Graz/ Austri, “James Gallery” Split/ Kroaci, “Trieste Contemporanea” Itali, Muzeu i Artit Modern dhe Bashkëkohor të Rijekës në Kroaci, Galeria e Arteve Zacheta Nationale e Varshavës Poloni, “Forumi Kulturor Austriak” Nju Jork,
“Galeria e Shkuc” Lubjanë/ Slloveni, “Galeria Kombëtare e Kosovës” Prishtinë/ Kosovë, “Myymala2 Gallery” Helsinki/ Finlandë, “Qendra e artit Bashkëkohor Stacion”, Prishtinë/ Kosovë, “Galeria e Nikodimit” Bucharesh/ Los Angjelos, “Ludvig Museum” Budapest/ Hungari, “Gagosian Gallery” Beverlli Hills, “Mardin Bienle” Turqi, “Staatliche Kunsthalle” Baden-Baden/ Gjermani, “Bienalja e dytë e artit bashkëkohor në strehën atomike në Konjic/ BeH, “28 Bienalja Grafike e Lubjanës” në Slloveni,”Galeria Kombëtare Sllovake”, “Muzeu i Artit Bashkëkohor të Vojvodinës”
Serbi, “Berlinale 60”, Gjermani, “Galeria Mestna” Lubjnë/ Slloveni, “NGBK”, BERLIN” Gjermani, “Brot Kunsthalle” Vjenë/ Austri, “Muzeu i Arteve” Goteborg/ Suedi, “Cetinje Bienale 5” Mali i Zi, “Galeria Nova” Zagreb/ Kroaci, etj.

Vincent HONORE është një kurator me qendër në Londër duke punuar kryesisht me artistët bashkëkohorë. Ekspozitat e tij tentojnë të propozojnë mënyra alternative të shfaqjeve dhe përvojës së artit për të rritur angazhimin e audiencës përmes projekteve ndërdisciplinare dhe performancave.
Honore është pjesë e ekipit kuratorial të cilët hapën Palais De Tokyo në Paris (2001-2004), ku ishte në krye të ekspozitave së bashku me udhëheqjen e të gjitha veprimtarive botuese (nga fabrikimi deri te shpërndarja) dhe përmbajtjes në internet. Si anëtar i departamentit kuratorial në Tate Modern në Londër nga viti 2004-2007, ai organizoi një numër të madh të ekspozitave individuale të artistëve bashkëkohorë dhe modern (Pierre Huyghe, Catherine Sullivan, Hans Hacke, etj), ekspozita konceptuale grupore dhe të organizuara, si dhe programe të edukimit.

Arta Agani – Komisionere

Arta Agani është drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Agani është gjithashtu profesoreshë e tipografisë në “Akademia Evolution” për Dizajnin dhe Komunikim në Prishtinë. Ka diplomë Master në Dizajn Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe ka diplomuar në Dizajn Grafik në UP. Agani ka një përvojë të madhe në kurimin e ekspozitave, mësimdhënies, si dhe menaxhimin e projekteve të ndryshme artistike. Agani ka njohuri të gjëra rreth arteve globale dhe lokale dhe pozita e saj e fundit në institucionin më të rëndësishëm kulturor në Kosovë është një mundësi e shkëlqyeshme për Aganin që të mbështesë zhvillimin e arteve Kosovare.

“Mali i harrum” premierë në kinemanë e kryeqytetit, në fokus pasiguria ekonomike

Filmi “Mali i harrum” me skenar dhe regji nga Ardit Sadiku vjen këto ditë nëntori premierë për publikun. Mbrëmjen e datës 29 nëntor premiera e filmit do të jetë në Cineplexx dhe në kinema Millennium në Shkodër. Në filmin e regjisorit Ardit Sadiku, tregohet se pasiguria ekonomike dhe humbja e pronës krijojnë jo pak probleme. Filmi ka në role aktorë nga Shqipëria dhe Kosova, pasi që është koproduksion mes Kosovës dhe Shqipërisë. Koproducent nga Kosova është Latif Hasolli njëherësh edhe Drejtor Fotografie i filmit.

Regjisori tregon se është një projekt kinematografik, që ka punuar jo pak dhe tashmë është në prag të premierës së filmit të tij më të fundit që vjen me titullin “Mali i harrum”.Në një reagim të tij para premierës së filmit regjisori Ardit Sadiku shprehet se vetë nga titulli, audienca do kujtohet për malin dhe do gjejë veten ose një të afërm, duke kaluar të njëjtat eksperienca.

“Humbja e pronës, ikja e brezit të vjetër dhe ardhja e brezit të ri janë një nga pikat kryesore të filmit. Dua që publiku të marri substancë dhe të ndihet i vlerësuar. Nuk kam bërë film që ta shikojë elita franceze, por kushdo”, shprehet mes të tjerave regjisori Ardit Sadiku. Por realizimi i filmit sigurisht që ka pasur vështirësitë e tij dhe kjo për regjisorin ka sjell një punë të madhe deri në përfundim të projektit. “Kam pasur vështirësi në pas prodhim sidomos me audio, ku duhej të krijonim dhe të regjistronim ambiente natyre, dhe efekte nga më të ndryshmet, kemi punuar goxha shumë, por ja kemi dalë me sukses kjo dhe fale punës së mjeshtrit të sound, Engert Keçi”, vijon regjisori Ardit Sadiku. Mbrëmjen e 29 nëntorit filmit vjen premierë në kinema dhe regjisori Sadiku tregon se për të shkruar skenarin gjithçka nisi kur takoi një të moshuar. “Ai nuk po gjete rehati pasi kishte mbetur pa shtëpi si rezultat i humbjes së pronës. Për shkrimin e skenarit më bënë përshtypje problemet e njerëzve, si pamundësia për të marrë vendime, pasiguria ekonomike, që i shkakton ankth dhe keqmenaxhimi i marrëdhënieve. Kjo temë lidhet me humbjen e pronës dhe u intrigova për ta realizua për një audiencë filmi”, tregon regjisori.

Aktorët në role

Filmi “Mali i harrum” sjell në role Xhevat Qorraj, Fatlume Bunjaku, Kastriot Shehi, Merita Gjyriqi, Agron Disdari, Igballe Qena, Agron Shala, etj. Në qendër të filmit “Mali i harrum” bëhet fjalë për një të moshuar në pension, që e gjen vendin jashtë shtëpisë nga djali tij i papunë. Pasi e humb pronën mbështetet te vajza edhe te dhëndri. Ata udhëtojnë në Alpe, ku dhëndri ka shtëpinë, por në një përpjekje për të gjetur edhe paqen shpirtërore. Regjisori Ardit Sadiku është kujdesur dhe për detaje të tjera të filmit të tij. “Filmi i vendos ngjarjet në ambient, me arkitekture tradicionale shqiptare për t’iu përshtatur asaj, që kisha menduar në film” tregon regjisori, që ka në role aktorë nga Kosova dhe Shqipëria. Regjisori shprehet se aktorët janë përzgjedhur me qëllim të jetësimit të skenarit sa më mirë, pasi është shkruar në dialektin geg. “Aktorët janë nga Veriu i Shqipërisë dhe Kosova për shkak dhe të skenarit në dialektin geg, pra personazhet ti përshtaten skenarit dhe ambientit”, pohon regjisori Sadiku. Vështirësitë nuk janë të pakta me filmat edhe pse sipas tij është një punë, që i fal kënaqësi. “Puna me filmat aq sa është e bukur është edhe e vështirë, por unë e shoh si detyrë më shumë se sa punë”, vijon regjisori Ardit Sadiku. Një vit më parë në Tiranë regjisori Ardit Sadiku solli premierën “Jetë Mes Ujërave”, që pati në role aktorë të njohur, por dhe emra të rinj.

Nga Julia Vrapi / KultPlus.com

Edon Muhaxheri hapë në Zvicër ekspozitën me alfabetin shqiptar të Naum Veqilharxhit

Në Cyrih të Zvicrës mbrëmë ëshë hapur një ekspozitë e veçantë.

Edon Muhaxheri, djali i ri i cili na bëri krenarë me projektin e tij me Alfabetin dhe Helvetikën Shqipe, ka hapur ekspozitë në Zvicër.

Në Galerinë e Artit Peyer, Muhaxheri ka sjellë Bredhin – Naum Bredhin, apo Naum Veqilharxhin, i cili ishte kundër çdo forme të dominimit ndërkombëtar në shqiptarë. Ai kësisoj kishte ardhur me idenë e një alfabeti unik për një gjuhë unike.

Në galeri gjithandej është shpalosur ky alfabet, alfabeti i harruar Vithkuq.

“U mahnita me kreativitetin e Naum Veqilharxhit. U shokova me faktin që askush nuk flet për këtë pasuri kombëtare. Fillova punën për identifikimin e shkronjave origjinale shqipe dhe zbërthimin e tyre në elemente tipografike – thjeshtëzimin deri në realizimin e tij përmes lëvizjeve më të thjeshta të dorës” tregon Muhaxheri.

Ekspozita e tij ka ardhur në Kosovë, më pas në Washington dhe tash edhe në Zvicër. / KultPlus.com

‘A e din se mund të vdes’ (VIDEO)

Ta fillojmë këtë të premte me retrospektivë.

Aida Barakun ka kohë e kohë që nuk e kemi parë në ekranin televiziv, por megjithatë do ta kujtojmë me një këngë të sajën.

“A e din se mund të vdes” është një këngë për dashurinë, nga Aida, një tekstshkruese dhe këngëtare e njohur shqiptare.

Aida dhe Armendi, të dytë kanë krijuar ndër vite këngë të fuqishme jo vetëm për vete por edhe për këngëtarët tjerë.

Sot po e sjellim këtë incizim të vjetër të Aidës duke kënduar një këngë të veçantë, krahas këngëve tjera që ajo i këndoi ndër vite. / KultPlus.com

Qollopite

Bejtexhiu Aleks Meksi në vitin 1895 në Janinë

O qollopite, që zbarth si bora,
lum kush të bëri, i lumtë dora,
lum kush të hëngri, i lumtë goja,
ngrohët, ngrohët.

Me djathë ardhur që nga vërria
me gjalpë mbytur kullon tepsia
hani se s’hahet
ftohët, ftohët.

O qollopite, o gjër i derdhur
o gjër i bukur, o gjër i sgjedhur
që në të vjetër.

O qollopite, kush të ka gjetur?
i ndrittë shpirti mu tek ka fletur.
hani! Mos thatë s’duam më tjetër?!

O qollopite, e ëmbël mjaltë,
as shumë e butë, as shumë e thatë,
po kërcëllitur.
E veselitur, e çgofojasur,
dhe e goditur sa s’ka të masur,
kush ha një copë nuk ka të fryjtur.

O qollopite, o pun’ o punë,
o trandafil, o paparunë
të ndenjëm rrotull me naze shumë
me plot gëzime.

Lëpini gishtërët, buzët i fshini,
Shihni, se ç‘duhet, apo nuk shihni?
Ma hani, ngopi! Po jot hërrime.

Gjëkundi djegur e përcëlluar,
po qe goditur e sbukuruar.
Si s’na e bëtë të fluturuar?
iku! S’e patë?
As avullonte, as nuk qe valë.
si furrëxhiu me gjithë djalë
e la si bëri nonjë vuratë?

Kjo nikoqirja doll’ e nderuar,
ma kish gatuar a s’kish gatuar!
dhe zoti Simo* rri i gëzuar
me buzë qeshur
se i bën gruaja gjë të qëruar,
si në gatime, në të hulluar,
futën përpara, llërën përveshur.

Janinë, 1895