Tu e kerkue veten

Nga Lulzim Tafa.

Kam dalë sot
Me kry n’dorë
Veten me e lypë
Udhëve
ku e kam pas lanë
pak dashni
e do dhembje
udhëve të vjetra
të shtrume mall
Buzëve të amëla kujtimi
syve
Ku jam fshehë
Puthjeve
ku jam dehë

Kam dalë sot
Veten me e lypë
Shikoj n‘diell
jam n’ tokë
A n’qiell

Kam dalë sot veten me e lypë
Po ku jam
Kërkah
Nuk jam.

kam dalë sot veten me e lypë
Nëse nuk e gjej
Edhe pak
shumë
Kam me u dëshprue
Kam me ja nisë përmallshëm
Me knue
Si me vajtue.

Për kosovarët, BE ofron bursa studimi në Evropë edhe për fushën e kulturës

Programi për studime në master në kuadër të Young Cell Scheme këtë vit ofron edhe bursa studimi në Evropë, në fushën e kulturës.

Kultura i është shtuar listës së bursave që do të jepen për drejtimet juridik, administratë publike, shëndetësi dhe ekonomi.

Në këtë program mund të aplikojnë të gjithë të rinjtë e Kosovës, deri me 3 dhjetor të këtij viti. Aplikacionet do të hapen tek me 12 nëntor.

Tetë bursa do të ndahen për kulturë dhe për shëndetësi së bashku, 16 për juridik, 8 për Administratë Publike dhe 8 për ekonomi.
Programi implementohet bashkë nga Bashkimi Evropian në Kosovë si dhe Ministria e Integrimit Evropian.
Për të studiuar jashtë vendit është e nevojshme njohuria e mirë e gjuhës angleze.

Për më shumë informata rreth programit ku për herë të parë futet edhe kultura, ndonëse në një numër më të vogël të bursave, klikoni në linkun këtu. / KultPlus.com

Kastro Zizo pretendon të kandidojë për kryetar të qytetit

Njihet për deklaratat e drejtpërdrejta.

Kastro Zizo ka pak ditë që ka publikuar projektin e tij më të ri, në duet me Suelën.

Këngëtari ka qenë i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, ku ndër të tjera u pyet edhe se a do t’i hyjë politikës.

“Nuk po flas për në bashkinë e Tiranës, por e kam fjalën që mund të kandidoj për Përmetin. Të gjithë e dinë që unë jam me prirje të majta dhe mund ta shikoj që të kandidoj si kryetar bashkie atje për LSI. Por nuk mund të flas ende pa folur me zonjën Kryemadhi apo me kryesinë e kësaj partie” ka thënë ai./ KultPlus.com

Dëmtohet puna artistike e Eliza Hoxhës në qendër të Prishtinës

Puna artistike e Eliza Hoxhës në oborrin e Kampusit të Universitetit të Prishtinës është degraduar.
Vepra që është pjesë e bienales ‘Muslim Mulliqi’ organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, në oborrin afër Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë është vandalizuar nga njerëz të panjohur.

Artistja me anë të një reagimi në rrjete sociale ka shprehur mllefin e saj me një gjest të tillë.
“Kisha pas shumë qejf me hy ne kokên e personit që e ka bo këtë akt, veç me mujt me kuptu logjikën dhe knaqêsinë që mundet me ja dhanë një gjest i tillë…. Fort bre koka munduuuuu …. Fort… Garant orgazêm ka përjetu … Sa gjynah! Njê vepêr që zyrtarisht është pjesë e një bienaleje të rêndësishme me emrin e Muslim Mulliqit – organizuar nga Galeria Kombêtare e Kosovês – e vendosur në hapësirê publike pêr ta afru artin te komuniteti – dhe e degraduar ne pikê të ditës në qendër tê qytetit…Çka me thanë?!..” ka shkruar Eliza.

Satelitët janë bërë inspirimi i fundit i Elizës në fushën e artit pamor por duket se ndonjë qytetari nuk i ka pëlqyer një instalacion i tillë dhe vepër e tillë artistike në mes të qytetit. / KultPlus.com

Dino Mustafiq po e bën gati shfaqjen ‘Jugori’ në Shkodër

Në teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës ka filluar puna për vënien në skenë të dramës “Jugori”. Vepra e autorit gjerman Fassbinder do të vijë premierë në skenën teatrore nga regjisori i njohur Dino Mustafic. Kjo vepër teatrore, që do të vijë në fillim si premierë te teatri “Migjeni” ka angazhuar artistë nga Tirana dhe Shkodra. Në skenë në role do të jenë aktorët e trupës së teatrit “Migjeni”, por dhe më gjerë. Në dramën “Jugori” mes aktorëve përmendim Nikolin Ferketa, Rita Gjeka, Merita Smaja, Jozef Shiroka, Pjerin Vlashi, Linda Jarani, Nensi Bakalli, Simon Shkreli, Tristan Halilaj etj.

Asistent regjisore në dramë është Melisa Becovic, skenograf Sadik Spahija, koreografia Gjergj Prevazi dhe kostumografe Rita Spahija. Për koreografia Gjergj Prevazi ky bashkëpunim me regjisorin Dino Mustafic vjen në vijim dhe të veprave të tjera, që janë vënë në skena të ndryshme në Shqipëri, por dhe në shtete të tjera. Janë rreth 14 bashkëpunime që Prevazi ka me regjisorin e njohur Dino Mustafic, si në Maqedoni, Bosnjë, Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Shqipëri. Vepra përcjell mesazhe të forta për shoqërinë tonë. Edhe pse ngjarjet zhvillohen në Gjermani, ajo është aktuale dhe për shtete të tjera. Në dramën e autorit gjerman Fassbinder, që quhet “Jugori”, në qendër të saj është një refugjat. Në vepër është diskriminimi si një nga fenomenet me të cilat po përballet Europa edhe në ditët e sotme.

Për pjesëmarrësit kjo vepër që pritet të jetë në skenë ka lidhje dhe me Shqipërinë, pasi shumë shqiptarë kanë emigruar jashtë. Vepra i vendos ngjarjet në Gjermani, dhe në tërësinë e saj e tregon diskriminimi jo vetëm për arsye të individëve me kombësi të huaj, por dhe për arsye të besimit fetar, individualiteteve të ndryshme kulturore, etj. Drama “Jugori” që muajin që vjen do të jetë premierë në skenën e teatrit të qytetit të Shkorës dhe ka bërë bashkë artistë të njohur, zbërthen krizën e shoqërisë gjermane edhe jo vetëm në raport me të huajt. Kush është i huaji dhe çfarë quajmë të huaj? “Jugori”, sepse nuk ka identitet që vjen nga një shtet i përcaktuar, por që vjen nga jugu i Europës.

Aktiviteti me teatrin

I lindur në Bosnje, Dino Mustafic, e ka lidhur jetën herët me skenën. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, dhe është drejtor i një festivali ndërkombëtar teatror MESS, që mbahet në Sarajevë prej gati 20 vitesh. Në skenën e Teatrit Kombëtar ai solli një nga veprat më të vështira të Peter Shaffer “Equus”, që autori e shkroi në vitin 1973.

Në qendër të veprës është historia e një psikanalisti, i cili ka një magjepsje patologjike nga kuajt. Historia është e bazuar në një ngjarje të vërtetë, mbi një krim që një 17-vjeçar kishte bërë duke verbuar gjashtë kuaj. Me këtë vepër Shaffer kërkon të ndërtojë arsyet që e çuan adoleshentin drejt një krimi të tillë, por me vështrimin e një psikologu. E vendosur në shumë teatro të botës, kjo dramë konsiderohet si një vepër e karaktereve të forta psikologjike.

Një vit më parë në Tiranë ai solli në skenë edhe shfaqjen “Mamaja dhe fëmijë” shkruar nga Jon Fosse. Por edhe më herët regjisori Mustafic ka bashkëpunuar me teatrot shqiptare. Me Teatrin Shqiptar në Shkup ka ngjitur në skenë shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës ka ngjitur në skenë veprën teatrore “Rock’N’Roll”. Po ashtu, sërish në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup, ka sjellë shfaqjen “Opera për tre grosh”. Në aktivitetin e tij regjisori Dino Mustafic, që tashmë ka nisur punën me teatrin e Shkodrës do të sjell premierën teatrore “Jugori”. / Julia Vrapi / KultPlus.com

Distria Krasniqi e vendos flamurin e Kosovës mbi atë të Serbisë

Xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në garën ndërkombëtare Grand Prix në Tashkent të Uzbekistanit.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka publikuar një fotografi në të cilën shihet flamuri i Kosovës duke valuar mbi atë të Serbisë, garuesja e të cilit shtet fitoi medaljen e bronztë.

Edhe dy xhudistët tjera të Kosovës, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kanë siguruar finalet dhe do të luftojnë për të artën.

‘UNUM’, festivali që do t’i sjellë muzikë elektronike Ranës së Hedhun

Shqipëria tashmë ka marrë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë. Alternativat e ndryshme në turizmin e aventurës, bregdeti dhe çmimet e lira janë vetëm disa nga arsyet që portalet e huaja raportojnë se po tërheqin turistë, nga Europa dhe jo vetëm. Përveç natyrës, edhe eventet kulturore po tërheqin turistë. Në portalin broadwayworld.com është njoftuar një festival i ri që do të organizohet në Shqipëri.

Ndryshe nga herët e tjera, ku të tilla organizime janë bërë në rivierë, këtë herë festivali do të bëhet në plazhin e Shëngjinit.
Prej 31 majit – 2 qershor 2019, në bregun shqiptar do të zhvillohet një festival i ri i muzikës elektronike në natyrë “UNUM”, njofton portali. UNUM në latinisht do të thotë “Një”.

Duke kombinuar muzikën, rërën, pishat, detin dhe malet, festivali do të mbahet në Rana e Hedhun, në qytetin e Shëngjinit, në bregdetin idilik të Shqipërisë.
Shqipëria është një vend i vogël në Evropën Juglindore me brigjet e Adriatikut dhe Jonit, pasi kalon nga Alpet Shqiptare.

Riviera Shqiptare është panorama e fundit e paprekur në Evropë. Rana e Hedhun ndodhet në cepin veriperëndimor të vendit.
Në plazhin e Ranës së Hedhun, një plazh unik, edhe emri i festivalit merr kuptim. Muzika dhe skena vijnë së bashku si një ëndërr.
Megjithatë ky nuk do të jetë festivali i vetëm që do të zhvillohet në Shqipëri. Në datat 12-19 qershor 2019 do të organiziohet edhe festivali Kala në Dhërmi për herë të dytë në Shqipëri. Biletat për të marrë pjesë në këtë festival kanë të përfshirë edhe akomodimin. Për turistët nga Londra ato varjojnë nga 50 deri në 150 paund.

Një vit më parë Kala u zhvillua në fund të qershorit (20 – 27 qershor) në pesë vende në Dhërmi, kryesisht me hotele me bare buzë detit. Në dispozicion u vunë 2,000 bileta, kështu që kishte mjaftueshëm hapësirë në plazh, ujë të pastër si kristal, si dhe restorante të qeta (linguinet me fruta deti te restorant Luciano ishin më të pëlqyerat).
Biletat e festivalit përfshinin paketat e akomodimit, nga shtëpizat e plazhit, B & B te hotelet luksoze, të gjitha brenda rrezes së zhvillimit të festivalit. / KultPlus.com

Hashim Thaçi në Paris në promovim të librit për të

Presidenti Hashim Thaçi e sheh të mundshme arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Thaçi, pas takimit me presidentin Vuçiq, tashmë ka mbërritur në Paris nga Brukseli, ku ka thënë se sheh dritë në fund të tunelit dhe ka thënë se pret arritjen e marrëveshjes pavarësisht vështirësive, transmeton KTV.

“Cila është alternativa përpos paqes dhe marrëveshjes me Serbinë? Lufta, tragjedia, mirëkuptimi, marrëveshja, apo ndërtimi i një muri mes Kosovës e Serbisë përgjatë kufirit?,” ka pyetur Thaçi, që ka marrë pjesë në promovimin e librit të Jacques Baudouin, ish-këshilltar i ish-Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner.

Thaçi ka shtuar se pavarësisht pengesave e vështirësive, ai mbetet i përkushtuar në këtë proces. Me arritjen e marrëveshjes, përveç njohjes nga Serbia, presidenti Thaçi tha se presin që edhe 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë, të hiqet vetoja ruse kur të aplikohet për anëtarësim në OKB si dhe në shaka i ka thënë ish-kryeadministratorit Kouchner, zëvendësimin e rezolutës 1244.

Përndryshe Thaçi e Vuçiq, pritet të takohen të dielën në kuadër të ceremonisë për shënimin e Ditës së Armëpushimit të Parë në Luftën e Parë Botërore.

Mariza Ikonomi ka vendosur të mos i kushtohet karrierës së saj në Shqipëri

Këngëtarja shumë e dashur për publikun shqiptar, Mariza Ikonomi, ka bërë një shkëputje të plotë nga muzika kohët e fundit.

Por mëngjesin e sotëm në “Wake up”, ajo ka treguar për arsyet e këtij largimi.

“Kisha nevojë për një shkëputje dhe bëra diçka ndryshe. Udhëtova në gjithë Europën Veriore ku edhe këndova. Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe po e mendoj që ta ribëj. Janë ca gjëra që thjesht ndodhin e nuk dimë ta themi pse. Unë e ndjeja që duhet të shkëputesha, e madje ndjej që ende duhet të shkëputem madje edhe më gjatë.”- ka treguar Mariza.

Ajo ka vendosur të mos i kushtohet karrierës së saj në Shqipëri për momentin, ndërsa veçoi si një përvojë të veçantë, eksperimentimet me teatrin që ajo ka pasur mundësinë të bëjë në udhëtimet në Europë.

‘Nëse je 35 vjeç e më shumë, mos ik nga Shqipëria’

Nga Kozeta Kurti

Nëse je 36 vjeç e më shumë, mos ik nga Shqipëria…

…sepse e ke jetuar fëmijërinë duke shtrënguar dorën e gjyshes tënde, teksa ngrihej natën për të mbajtur rradhën e vajgurit, të qumështit e çdo çikërime tjetër për ta mbajtur frymën gjallë… ; sepse ke parë nënën tënde të ziejë çarçafë me kazanë të mëdhenj, me furnella me fitilë të nxirë, ku në mungesë të detergjentit, përdorej soda e bukës; sepse s’ke bërë kurrë dush, por ke tharë e ngrirë si qen i braktisur rrugësh, duke u larë me kanaçe e me sapun pesëmbëdhjetë lekësh; sepse ke parë veten të veshësh rrobat e dala boje të vëllait apo motrës më të madhe, ngaqë askush nuk ka pasur mundësinë të të blinte një bluzë të re për ditën e parë të shkollës;

Nëse je 36 vjeç e më shumë, mos ik nga Shqipëria, përveçse në rastet kur gjithçka ke pasur e ke , i ke gjetur qyl, ke lëpirë sahane, je shitur ,je blerë, ke spiunuar dhe tani ke mbetur “pa punë”. Mos ik nga Shqipëria nëse ke qenë në shkollë për të marrë dije e jo diplomë; mos ik nga Shqipëria, nëse je rrëzuar qindra herë, nuk je dorëzuar, por je ngritur sërish dhe ke gjetur veten, sepse sidoqoftë, nëse punon, mbase sot jo, por nesër po, mund ta blesh një biletë për të shëtitur në Europë, për të parë edhe bibliotekën, edhe teatrot, edhe arenat, edhe muzumet… për t’i parë o 36 vjeçar/e e më shumë, sepse për të mësuar për to, me një klik, e në sekonda, ti shkon atje ku do, ndryshe nga prindërit tanë që gjymtoheshin dollapëve e skutave, duke lexuar fshehurazi.

Nëse je 36 vjeç e më shumë, mos ik nga Shqipëria, se veç frikacakët zgjedhin t’i ikin problemit ; as mos i dëgjo ata që thonë: “duro edhe pak”! Mos duro, por mblidh një, ca, shumë, 36 vjeçarë të tjerë dhe kërkojini llogari Berishës, Ramës, Metës, Bashës, kryqëzoni ata që ishin e mos lejoni të tjerë që do vijnë, por këtë mos e bëni duke ikur, as duke diskutuar kafeneve: kujt ja mban më shumë hatrin kryeministri, Blendi Fevziut, Eni Vasilit, Rudina Xhungës apo ku di unë se ku tjetër shkon për intervista. Askush s’mund të kërkojë llogari për atë që ndodh, nëse nuk kontribuon vetë i pari; Karta e telefonit dhe thesi me miell nuk do ta shpëtojnë jetën e askujt, thjesht do ta zgjasin në mënyrë të mundimshme edhe pak ditë, edhe pak javë… ndoshta një sakrificë më shumë për urinë sot, në këmbim të dinjitetit nesër, ja vlen për ta provuar.

Nëse je 36 vjeç e më shumë mos ik nga Shqipëria, sepse nuk të pëlqen ajo që sheh në televizior, sepse ti e di mirë që televizioni në këtë vend e ka patur shkëlqimin dhe besueshmërinë e: “e tha televizori” dhe kur e thoshte televizori, s’e luante topi. Mos ik, po eja dhe më thuaj mua të parës: s’dua ta shoh më në televizor se çfarë thotë qeveria në tëitter, se kam profil vetë dhe mund ta ndjek, por dua të di, jo si vuajnë, por si argëtohen njerëzit në Maliq, në Rubik, në Ishëm a gjetkë. S’e ka fajin Shqipëria për llumin e ofruar në mediat tona; dhe as publiku nuk e ka! Ai merr atë që i jep., tjetër punë nëse zgjedh për të të ndjekur apo jo.

Nëse je 36 vjeç e më shumë, mos ik nga Shqipëria, për t’u kthyer një ditë, kur të kuptosh se ka ardhur koha jote. Koha nuk vjen me llambën magjike të Aladinit; kohën, vendosur në kontekstin social e bëjnë njerëzit; nëse ti ikën dhe pret që koha të vijë vetë, kurrë s’ka për të ndodhur. Ose ik dhe mos u kthe! Dhe mos fajëso askënd, vendin, për më tepër, përpara se të pyesësh vetën në pasqyrë: po ti, çfarë bëre?

Edhe Bebe Rexha ndezë skenën në Victoria’s Secret Fashion Show

Mbrëmë në spektaklin e Victoria’s Secret Show, ku vajzat më të bukur parakaluan në pasarelën e një prej emrave më të njohur të modës, performoi edhe Bebe Rexha.

Shqiptaret gjithandej po na bëjnë krenarë me performancat e tyre.

Rexha mbrëmë, njëjtë sikur Rita Ora, u shoqërua nga modelet e njohura derisa solli hitet e saj në skenë.

Akademiku Mehmet Kraja: Nuk kemi menduar që viti i lindjes së Rugovës do të ishte gabim

Akademiku Mehmet Kraja, mbrëmë i ftuar në një emision televiziv në T7 tregoi më shumë për Fjalorin Enciklopedik i cili u kritikua për gabimet e shumta.

“Ne si shoqëri nuk jemi perfekte, jemi shoqëri e gabimeve, dhe një Fjalor kaq shumë voluminoz unë e kam ditur që do të ketë gabime” ka treguar Kraja.

Ai ka kaluar nga një pyetje në tjetrën duke treguar për ndodhitë rreth Fjalorit dhe çështjeve që pasuan.

Ai ka thënë se përzgjedhja e redaksive ishte e nivelit të lartë dhe se gjithçka ka kaluar nëpër disa redaktura e lektura para se të dalë në shtyp.
“Nuk kemi menduar që viti i lindjes së Rugovës do të ishte gabim” ka thënë Kraja derisa ka treguar në një punë të tillë dhe në një hartim të këtij Fjalori është normale të ketë edhe lëshime të tilla, pasi para pak ditësh u tregua se viti i lindjes së Ibrahim Rugovës ishte gabim.

Kraja ka folur edhe për reagimin që i bëri profesorit Blerim Latifi, i cili u ankua se pse u botua ky Fjalor në print në kohën e modernitetit të dixhitalizimit online.

“Pushteti nuk ishte kriter për të qenë pjesë e fjalorit. Fjalori ka qasje pozitive” ka treguar mes tjerash Kraja. Pjesa e dytë e emisionit ka qenë më e fokusuar në deklaratat e Krajës rreth situatës politike në vend. / KultPlus.com

Performanca e Rita Orës në ngjarjen e Victoria’s Secret Show (VIDEO)

Rita Ora mbrëmë ka performuar në Victoria’s Secret Show në Mahnattan.

Ora ka shkëlqyer me veshjen e saj si dhe me zërin e saj. Bella Hadid, Gigi Hadid e Adriana Lima kanë qenë disa prej modeleve që kanë parakaluar në këtë ngjarje të madhe për modën.

Ipeshkvia e Kosovës sot promovon tre libra për Skënderbeun

Ipeshkvia e Kosovës sot e nesër do të zhvillojë disa aktivitete me të cilat shënon 550 – vjetorin e kalimit në amshim të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Sipas programit, sot, më 9 nëntor 2018, në orën 19:00 do të bëhet promovimi i 3 librave të rinj për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun:

1. Alassandro Serra, “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut“ – prezanton Prof. Domenico Morelli, nga Roma; 2. “Gjergj Kastrioti – Skênderbeu ‘Atleta Christi’ – përzgjedhje studimesh të klerikëve katolikë” – prezanton Dr. Gjon Berisha; dhe 3. AB. Lorenzo Ignacio Thjulen, “Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve. Bashkëbisedim midis Gjegj Kastriotit dhe Karlit tê Madh” – prezanton Prof. dr. Xhavit Beqiri.

Promovimi i librave do të mbahet në sallën e Rezidencës së Ipeshkvisë, e cila gjendet pranë Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Nesër, më 10 nëntor 2018, në Katedrale do të mbahet mesha dhe koreodrama për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Mesha e Shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza nis në orën 11, ndërsa do të udhëhiqet nga SH. T. Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv, me meshtarë, rregulltarë e rregulltare, besimtarë dhe njerëz vullnetmirë.

Pas meshës (rreth orës 12:00) do të bëhet inaugurimi i mozaikut të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili është i vendosur në këmbanaren e Katedrales, kurse nga ora 12 e 30 minuta Koreodrama mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, nga koreografi Xhemal Berisha, nën interpretimin e Ansamblit Arbëresha (Misioni Katolik Shqipar Sirnach – CH). Në këtë shfaqje do të ndodhë një takim i Gjergjit Kastriotit me Nënë Terezën.

Koreodrama mbahet në Sallën e Qendrës “Pjetër Bogdani”, e cila gjendet në ambientet e Katedrales, thuhet në njoftimin e Zyrës së Ipeshkvisë së Kosovës. / KultPlus.com

Aktorja Kumrije Hoxha dhe kostumografja Samka Ferri sonte dolën në pension

Aktorja e njohur Kumrije Hoxha, ajo e cila jetësoi shumë role në filma e teatër, e ku së fundmi mori edhe detyrën e udhëheqëses së drejtorit, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, detyrë këtë të cilën e mbajti vetëm dy javë, tashmë ka dalë në pension, shkruan KultPlus.

Bashkë me aktoren Kumrije Hoxha, sot në pension doli edhe kostumografja Samka Ferri.

Samka Ferri është e dashur për të gjithë aktorët, pa i dalluar ata të teatrit dhe të filmit, pasi pothuajse të rrallë janë ata që nuk kanë pasur rastin të veshin pikërisht kostumet e kësaj kostumografe e cila i ka mbushë mbi 37 vite përvojë pune. Samka Ferri ka realizuar kostumet e mbi 150 shfaqjeve dhe të mbi 10 filmave të metrazhit të gjatë.

Aktori Armend Smajli ka njoftuar për pensionimin e dy zonjave që tashmë janë bërë pjesë e historisë së teatrit dhe filmit tonë, duke u shprehur falënderues për kontributin e tyre.

“Aktorja Kumrije Hoxha dhe Kostumografja Samka Ferri sonte dolen formalisht ne penzion! Dy artiste, dy zonja te historise se teatrit dhe filmit tone! Kumi dhe Samka, falemnderit shume per trashegemine qe po e leni dhe kontributin e juaj te cilin e presim edhe ne vitet ne vazhdim!”, ka shkruar aktori. / KultPlus.com

Gazeta zvicerane godet rëndë: Kosova ka arsimin më të dobët në Evropë

Gazeta prestigjoze zvicerane “Neu Zurcher Zeitung”, sot ka publikuar një shkrim rreth gjendjes së arsimit në Repbulikën e Kosovës. “Shkollat më të këqija në Evropë”, është titulli i këtij shkrimi të gazetës zvicerane kushtuar arsimit në Kosovë. Sipas këtij shkrimi e gjithë kjo vjen si pasojë e elitës politike kosovare dhe politizimi të personalit nëpër shkolla, transmeton Gazeta Express.

Në letër, e ardhmja duket premtuese. Që nga fillimi i vitit shkollor, të gjitha shkollat fillore në Kosovë kanë miratuar një plan program të ri modern.

Ai përdoret gjithashtu diku tjetër në Evropë. Por realiteti është më ndryshe: librat shkollorë të cilëve u referohet ky plan program ende nuk janë botuar dhe shtypur.

Duke marrë përbazë studimin e Pisas të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim si pikë referimi, Kosova ka shkollat më të këqija në Evropë.

Në lexim, në matematikë ose në shkencat natyrore, në të gjitha disiplinat, nxënësit kosovarë kanë dalë më keq të gjitha shkollat në pjesën tjetër të Evropës.

“Duhet të bëjmë më shumë,” thotë Liridon Maliqi. Ai është drejtor i shkollës fillore publike “Qamil Batalli” në Prishtinë. Ai ishte i vetëdijshëm se ka shumë për t’u përmirësuar në shkollat e Kosovës, por rezultatet e Pisës ishin shumë të këqija dhe befasuese.

Më shumë se 700 fëmijë ndjekin shkollën e Maliqit. Infrastruktura nuk lë asgjë për të dëshiruar.

Klasat janë të mëdha dhe me dritë të mjaftueshme, në çdo ballë të murit varet një ekran i sheshtë. Ekziston edhe një palestër dhe një kuzhinë shkollore, e cila përgatit një drekë të lirë për studentët.

Por vështirë që ndonjë shkollë tjetër në Kosovë të ketë një infrastrukturë moderene sikurse të shkollës “Qamil Batallli”.

Ka ende shkolla ku fëmijët duhet të mësojnë në ndërrime sepse nuk ka hapësirë të mjaftueshme për shkollë.

Infrastruktura shkollore është përmirësuar ndjeshëm që nga përfundimi i Luftës së Kosovës në vitin 1999 – falë mbështetjes financiare ndërkombëtare, shkollat janë rehabilituar ose rindërtuar.

Drejtori i shkollës, Maliqi, gjithashtu sheh zhvillime pozitive pavarësisht rezultateve të dobëta të Pisës, shkruan NZZ, transmeton Gazeta Express.

“Kurrikula e re është një hap i rëndësishëm për ne”, thotë ai, duke shtuar se “Në dhjetë vjet mund të krahasojmë me Gjermaninë”.

Por jo të gjithë ndajnë këtë optimizëm.

“Duhet të jemi të shqetësuar,” thotë Dukagjin Pupovci. Ai është themeluesi dhe drejtori i Qendrës për Arsim në Kosovë, një OJQ e angazhuar në përmirësimin e sistemit arsimor kosovar.

“Shkollat në Kosovë kanë një problem të cilësisë”, thotë ish-profesor i matematikës në Universitetin e Prishtinës.

Ai do të thotë mbi të gjitha cilësinë e mësuesve dhe trajnimin e mësuesve. Kështu, nuk kontrollohet në mënyrë të mjaftueshme se si mësimdhënësit hartojnë mësimet e tyre.

Askush nuk duhet të japë llogari nëse nuk punon mirë: “Nuk di ndonjë mësues i cili është shkarkuar për punë të keqe”, thotë Pupovci.

“Më së shumti, ndoshta, nëse nuk ishte në vijën politike të kryetarit të bashkisë”.

Kryetarët e komunave janë përgjegjës për emërimin e drejtorëve të shkollave në komunitetet e tyre. Si rezultat, kur plotëson një pozicion të hapur, kërkesat kualitative për një kandidat rregullisht zbehen, thotë Pupovci.

Më të rëndësishme janë lidhjet politike apo familjare.

Veçanërisht e dukshme është mungesa e menaxhimit të cilësisë në Universitetin e Prishtinës, universiteti më i madh në vend. Organizata joqeveritare lokale Orca pas një hulumtimi erdhi në përfundimin se 72 për qind e profesorëve në universitet nuk i përmbushin kriteret minimale për gradën e tyre akademike.

Sipas aktivistëve të Orcës, rektori i ngarkuar i Universitetit të Prishtinës duhet gjithashtu të ketë botuar artikuj në revista të dyshimta shkencore dhe nuk kanë qenë mjaft të kualifikuar për t’u promovuar në profesor, sipas kushteve të përcaktuara në statutin universitar . / KultPlus.com

Grue

Nga Erenestina Gjergji Halili

Grue,
mos e len tempullin tand t’shembet,
mos i len kolonat t’rrëzohen n’dhe,
grue,
pa tempullin tand, nuk ka qiell e tokë,
pa tandin tempull, s’ka me pasë as nè.

Grue,
ti je lira e mâ t’çmueshmes melodi,
je ti bërthama, qi tretet me rrit pemë,
grue,
kuqlimin e gjakut tand ia fal prandimit,
lulëkuqen e agut m’e rritë farë gëzimit.

Grue,
Gjâ mâ t’hijeshme s’ka kqyrë njaj sy,
je bulëza, fryma, buka,shenjtnia n’ty.
Grue!
Tempulli i kohnave, bâmun dy!

Shpend Ahmeti prononcohet rreth Yll Rugovës

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka arsyetuar shkarkimin e drejtorëve të tij që vinin nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij Prishtina është shumë më e madhe se çdo ego e inat politik, dhe se nuk mund të sakrifikohet kryeqyteti për çështje personale.

Gjatë vizitës që i ka bërë sot Pallatit të Rinisë, Ahmeti tha se nuk do të ketë koalicion me PDK-në.

“Situata në relacion me Lëvizjen Vetëvendosje është bërë e paqëndrueshme. Ka 5 muaj që i kam dërguar ofertë zyrtare me numrin më të madh të drejtorive komunale. Përveç që nuk kanë dhënë përgjigje, ata kanë vazhduar me sulme të përditshme të aktivistëve, por dhe komunikata zyrtare. Të njëjtën kohë nuk e kanë votuar asnjë propozim të cilin e kam dërguar, përkundrazi, kanë bërë edhe shumë gjëra të tjera. Nuk mundem të sakrifikojmë Prishtinën për shkak të inateve e egove personale”, tha Ahmeti, raporton KP.

Ndërsa, për drejtorin e Kulturës në Prishtinë, Yll Rugova, të cilin nuk e ka shkarkuar, Ahmeti ka thënë të mos jetë në dijeni nëse ka dal në punë sot.

Sipas tij është çështje e Rugovës se a do të qëndrojë apo jo në kabinetin qeverisës.

“Unë po e them në qoftë se ai e sheh partinë më të rëndësishme se Prishtinën në rregull, është vendim i tij, unë iu kam dhënë çdo rast që të punojnë, asgjë personale me asnjë prej drejtorëve, thjesht po e them është bërë e paqëndrueshme për punën”, tha Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës po ashtu mohoi se ish drejtori i Telekomit, Gent Begolli pritet që të bëhet nënkryetar i kryeqytetit, pasi që siç tha Ahmeti nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ana e partnerit të koalicionit, AAK.

Drejtorët e shkarkuar nga ana e Shpend Ahmetit, sot në një konferencë për media nuk ka pasur guxim që t’u del përballë atyre por shkarkimin e ka bërë nëpërmjet mediave.

Ndërsa Rugova ka lënë të kuptohet se nuk do të jetë më drejtor pasi që sipas tij prej ditës së djeshme VV është larguar nga komuna e Prishtinës.

‘Dhe të dua ty, dhe kam frikë nga ty…’ (VIDEO)

Yllka Kuqi sot është këngëtare e zhanreve më të ndryshme muzikore.

Në të kaluarën, ajo krijonte këngë tjera. Një prej tyre është “Dhe të dua ty” të cilën e këndoi në Festivalin Kënga Magjike dhe më pas e solli në një version tjetër me Ardit Gjebrenë.

Me këtë këngë ajo nuk e fitoi festivalin në vitin 2004, por zemrat e fansave të saj.

Kënga është një baladë fantastike e cila u mishërua bukur me zërin e veçantë të Yllkës.

Po e sjellim sot këngën dhe tekstin e saj, në të dy versionet, Yllka vetëm dhe Yllka në duet me Ardit Gjebrenë. / KultPlus.com

Nuk di perse te dua zemër kaq shum
Fjalet qe ti me thua me ven ne gjum
Endrrat vetem prr ty me flasin
Dhe te dua ty dhe te dua ty dhe te dua vetem ty
Dhe te enderroj zerin ta degjoj dhe te puth te perqafoj

REF.
Dhe te dua ty dhe kam frike nga ty
Nje medyshje qe nuk di perse nuk dua ta them
Here jam nje me ty,here jam larg nga ti
E ti largohesh here me dukesh sikur vjen
Jo… une nuk e di perse dyshoj
Sa qudi

Netet yjet ne zemra vijne e pergjojne
Tingujt nga zemra dalin dhe na ngacmojne
Kenget vetem per ty me flasin

Dhe prane teje qendrroj
Dhe ne sy te shikoj
Dhe per ty enderroj
Dhe te puth e kam frike mos te zgjojë
Se kur kthehesh serish une pendohem ta dish
Dhe te dua te dua dyfish

REF.
Dhe te dua ty dhe kam frike nga ty
Nje medyshje qe friksohem un ty do ta thm
Here jam nje me ty,here jam larg nga ti
E si nje dallge ne zemren time iken e vjen

Dhe te dua ty dhe kam frike nga ty
Nje medyshje qe nuk di perse nuk dua ta them
Here jam nje me ty,here jam larg nga ti
E si nje dallge ne zemren time iken e vjen

Sa qudi

Vasfije Krasniqi: Muajin tjetër do të shkoj në Hagë

Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunimit në luftën e fundit në Kosovë, e cila para pak javësh dha një intervistë ku edhe e tregoi historinë se si ndodhi dhunimi ndaj saj, muajin tjetër do të udhëtojë për në Hagë.

Në dhjetor ajo do të qëndrojë në Hagë derisa po udhëton në vende të ndryshme për të përfaqësuar gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit që serbët zhvilluan në Kosovë.
Tregimi i saj ka arritur deri në Korenë e Jugut.

Në Twitter, Vasfije Krasniqi ka treguar se do të jetë në Hagë.

“Është një ngjarje ku jemi ftuar prej Nobelistit Denis Mukwege. Unë dhe gratë tjera do të flasim në seanca të ndryshme me udhëheqësit evropianë. Jemi 16 shtete të ndryshme pjesëmarrëse” tregon Vasfija për KultPlus.

Tregimi i Vasfijes para pak javësh u shoqërua me një mbështetje masive nga qytetarët e Kosovës gjithandej, të cilët e përkrahën nismën e Vasfijes që gratë e dhunuara në luftën e fundit në Kosovë të dalin haptazi me tregimet e tyre, ta largojnë këtë dhimbje nga zemra dhe të mos shtypen nga shoqëria për diçka që iu ndodhi atyre, por do të mund t’i ndodhte secilit e secilës në kushte lufte. / KultPlus.com

Kongresmeni mbështetës i kosovarëve, prapë merr votat e amerikanëve

Kongresmeni Eliot Engel, një përkrahës i madh i shqiptarëve, është rizgjedhur prapë në Shtëpinë e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kongresmeni është një demokrat nga Bronksi, ndërsa partia e tij po provon të marrë votat e mjaftueshme në mënyrë që të kundërshtojë Donald Trump.

“Me një shumicë, ne mund të kërkojmë llogari nga Trump por edhe mund t`i shtyjmë përpara çështjet si shëndeti, të drejtat e refugjatëve, të drejtat e grave, institucionet tona demokratike dhe të tjera çështje me rëndëi” ka thënë Engel.

Engel është zgjedhur kryetar i ri i Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit të ShBA-ve dhe mbetet një prej mbështetësve më aktivë të Kosovës për dekada të tëra. / KultPlus.com

42 shtete në Eurovizion, me Kosovën ndoshta 43

Janë gjithsej 42 shtete të cilat do të dërgojnë këngët e tyre në Eurovizionin e vitit 2019-të.

Sot, faqja zyrtare e Eurovizionit ka treguar se do të jenë 42 shtete që do të marrin pjesë në Eurovizion Song Contest 2019, që do të mbahet në Izrael.

Shqipëria është në mesin e kësaj liste. Gjermania mban rekordin për pjesëmarrjen e 63-të vitin tjetër, ndërsa Greqia do të marrë pjesë për herë të 40-të.

19 shtete do të kenë mundësi ta fitojnë Eurovizionin për herë të parë.

Letonia e Lituania do të marrin pjesë për herë të 20-të në garë, derisa San Marino do të marrë pjesë në garë për herë të dhjetë.

Nuk dihet ende nëse ky numër do të ndryshojë, me ardhjen e shteteve tjera. Vitin e kaluar ndodhi që numri të ndryshonte, e një gjë e tillë mund të ndodhë edhe vitin tjetër. Për Kosovën, do të votohet në EBU – Unionin e Transmetuesve Evropianë, dhe kësisoj ekziston mundësia që Kosova të debutojë në Eurovizionin vitin tjetër ose në vitin 2020-të.

Shumë fansa po shprehen të zhgënjyer me largimin e Bullgarisë nga Eurovizioni i vitit 2019-të. / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita ‘Përnjëherë e Mjegullt dhe e Pashmangshme: Modernitetet 1945—1989’

Gjysma e dytë e shekullit XX në Kosovë ka qenë një periudhë e ndryshimeve radikale kulturore, e shënuar më shumë fillime të reja; identitare dhe të tjera. Qytete moderne janë krijuar, nxitur nga arkitektura moderniste, urbanizimi masiv dhe monumentet e Luftës së Dytë Botërore. Kjo periudhë e transformimit të shpejtë po ashtu ka sjellur zhvillim intelektual, kulturor dhe industrial, e njohur si “koha e artë”. Kjo periudhë nuk ka zgjatur shumë, por ende qëndron në themel të kujtesës institucionale të Kosovës.

Ekspozita Përnjëherë e Mjegullt dhe e Pashmangshme: Modernitetet 1945—1989 ka një qasje ndërdisiplinare: duke realizuar intervista të historisë gojore; mbledhur dhe arkivuar burime vizuele dhe eksploruar strategji të ekspozimit të historisë shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Prizrenit. Duke lokalizuar proceset e modernizimit dhe hapur trashëgiminë socialiste për lexime nga perspektiva të shumta, ekspozita eksploron kulturën dhe punën nga këndvështrimi i punëtorëve, duke i ruajtur kompleksitetet historike dhe shamngur reprezentime të thjeshtësuara të së kaluarës socialiste.

Ekspozita bazohet në hulumtimin e realizuar përgjatë Prizren Urban Memoryscapes, projekt tetë-mujor i formësuar si platformë edukative që pajisi dhjetë pjesëmarrës me metoda të hulumtimit të trashëgimisë kulturore dhe ekonomike. Pjesëmarrësit punuan me burimet e mbledhura në mënyre interaktive, për të krijuar një arkiv digjital, një ekspozitë, një publikim, dhe mbi të gjitha, për të krijuar dije rreth komuniteteve të tyre. Gjatë gjithë kohës, ata u njoftuan me një periudhë që ka luajtur rol kritik në formimin e identitetit kulturor dhe urban të Prizrenit.

Projekti është ideuar përmes partneritetit mes Fondacionit Lumbardhi dhe Iniciativës për Histori Gojore, në bashkëpunim me Ambasadat Franceze dhe Gjermane. I nisur me një thirrje të hapur për pjesëmarrës në mars 2018, Prizren Urban Memoryscapes është përbërë nga punëtori mbi metodologjinë e historisë gojore, arkivim digjital dhe kurim të historisë bashkëkohore. Pas asaj, gjetjet e hulumtimit janë kontekstualizuar në një seri të punëtorive dhe takimeve, ku edhe ekspozita e morri formën e vet përfundimtare.

Prizren Urban Memoryscapes mbështetet nga Fondi Kulturor Franko-Gjerman, Ambasada Franceze, Ambasada Gjermane dhe Komuna e Prizrenit.

Për ty

Brunilda Zllami

Në heshtjen e pisët të mbytur nga lumi
…I fjalëve të thëna e të pathëna
……Mendova për ty
Në tisin e errët të një nate
…Që fshihte dashuri e mëkate
……Mendova për ty

Në sytë e fjetur të Botës
…Që dhe në dasmën e saj vesh fustan të zi
……Mendova për ty
Kur para syve të mi u shfaqe ti
…Jetova për ty

Kur bota të shembet e të rilindë përsëri
…do jem aty
……Për ty
…Vetëm për ty!