Përurohet Fjalori Enciklopedik i Kosovës, projekti më i rëndësishëm i Akademisë së Shkencave

Gili Hoxhaj

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sot është përuruar Fjalori Enciklopedik i Kosovës, me kryeredaktor akademik Mehmet Krajën. Kjo vepër shënon njëherit edhe projektin më të madh dhe më të rëndësishëm të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Në dy vëllime me 1,818 faqe, janë përfshirë tekstet e rreth 6,000 zërave, të hartuar nga 506 autorë, një vepër kolektive e hartuar nga profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë, artistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes: gjeografi, histori, ekonomi, shkenca politike dhe juridike, albanologji, arkeologji, shkenca sociale, mjekësi, shkenca të natyrës dhe shkenca teknike, letërsi, informim, muzikë, arte figurative dhe arte skenike, sport dhe trashëgimi kulturore.

Redaksia qendrore e këtij fjalori përbëhet nga akademikët Pajazit Nushi, Ali Aliu, Zeqirja Ballata, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha dhe Fejzullah Krasniqi.

Redaktori i këtij fjalori, akademiku Ali Aliu, e cilësoi atë një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, ndërsa hapë rrugë edhe për krijimin e enciklopedisë shqiptare.
“Akademia jonë fitoi një përvojë në këtë fushë edhe me monografinë “Kosova” që ishte një hyrje për një projekt më të madh siç është “Fjalori Enciklopedik”, i cili u realizua brenda gjashtë vitesh me një punë kolektive. Ky fjalor mund të jetë edhe një dëshmi që pas kësaj pune të suksesshme, pas kurorëzimit të tij, Akademia ka hapur rrugë vetvetes në enciklopedinë shqiptare. Edhe këtu mund të ketë gabime dhe besoj që Akademia do të ketë mundësi të krijojë një bërthamë për t’i evidentuar të gjitha vërejtjet”, u shpreh Aliu.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Nexhat Daci, derisa falënderoi redaktorët e kryeredaktorin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, theksoi se ky është projekti më i madh që ka botuar Akademia e me të cilin është krijuar paradhoma më e mirë për krijimin e një enciklopedie të përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë.

“Historia e Akademisë po përseritet por në një nivel më të lartë dhe produktiv. Në vitin 2000 isha kryetar dhe bëmë shumë përgatitje dhe insistime që të shkruajmë historinë shqiptare, dy akademitë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë. Shumë herë përfaqësuesit tanë shumë eminentë shkuan në Tiranë por fatkeqësisht nuk hasëm në përkrahjen e duhur dhe u bë vetëm një pjesë e historisë shqiptare, ajo e një periudhe tjetër historike dhe e një sistemi tjetër politik. Kësaj radhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës e realizoi projektin më të madh të kësaj Akademie me shumë mundim por edhe me shumë sukses, andaj përgëzimet e mia shkojnë për të gjithë redaksinë, veçmas për akademikun Kraja”, u shpreh Daci në fjalën e tij, ndërsa tutje tha se shpreson fuqishëm që kësaj radhe do të jetë i sukseshëm synimi për ta bërë enciklopedinë shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri dhe jo dy enciklopedi të ndara, pasi rrethnat kanë ndryshuar dhe kapacitet janë shumëfishuar në nivel cilësor.

Krejt në fund fjalën e mori kryeredaktori i “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës”, Mehmet Kraja, i cili tha se finalizimi i këtij fjalori ka përfshirë një maratonë që përfshin pesë vite të një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm.

Në mungesë të përvojës, ai tha se atë e kanë ndërtuar duke mësuar së bashku.

“Të gjithë në njëfarë forme kemi qenë skeptik se do të realizohet ky projekt por nuk kemi dyshuar në përkushtimin tonë, kemi qenë të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat do të ballafaqohemi. I falenderoj për fjalët e mira që i thanë për punën e kryeredaktorit por më duhet t’ju them menjëherë se kryeredaktori ato falënderime i përcjellë tek një ekip i cili ka qenë i jashtëzakonshëm. Ka qenë vërtetë një maratonë që jo të gjithë kanë pasur të njëjtën kurajo dhe qëndrueshmëri por megjithatë për pesë vite kemi bashkëpunuar si kurrë më parë dhe për këtë u jam mirënjohës redaksisë qendrore që më ka mbështetur në çdo rrethanë, pastaj 24 redaktorëve të fushave dhe anëtarëve të redaksive të fushave dhe 506 autorëve të teksteve”, tha në fjalën e tij Mehmet Kraja.

Ai tregoi se puna e fjalorit ka kaluar në faza të ndryshme, duke filluar nga identifikimi i fushave, i lëndës që duhej të përfshihej, pastaj përzgjedhjes dhe klasifikimit të kësaj lënde, mbledhja e atyre të dhënave dhe përpjekja që për herë të parë të krijohet një standard i prezentimit, respektivisht i shkrimit të enciklopedisë.
“Pas përdorimit të gjerë që do të ketë fjalori, identifikimi i lëndës enciklopedike dhe krijimi i një baze të të dhënave duhet të jetë arritja më e rëndësishme e këtij botimi. Pas botimit vjen faza e studimit publik e vërejtjeve dhe kritikave që duhet marrë parasysh, në mënyrë që botimi i ardhshëm të jetë më i plotë dhe pa gabime që mund të evidentohen”, u shpreh Kraja.
“Në fund nga kjo foltore më lejoni t’ju them, ejani ta bëjmë enciklopedinë e Kosovës”, tha Kraja.

Botimi do të shpërndahet në të gjitha institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, në biblioteka dhe redaksitë e mjeteve të informimit, në mënyrë që informacioni dhe të dhënat në përdorim për Kosovën dhe botën shqiptare të dalin më të plota dhe më të sakta / KultPlus.com

Gjashtë rregullat për të qenë një dëgjues i mirë

Filozofi dhe psikologu Erich Fromm, i cili vdiq në vitin 1980 duke i lënë botës libra dhe studime që edhe sot zgjojnë kureshtjen, në librin “Arti i Dëgjimit” e shpjegoi mirë të dëgjuarit, proces që ai e quajti si art të komplikuar dhe tek i cili arrihet me vështirësi.

Në “Artin e Dëgjimit”, libër me 400 faqe që për herë të parë nisi të shkruhej në vitin 1974, ai përmendi gjashtë rregullat për të qenë një dëgjues i mirë.

Para se ti zbulojmë ato, Fromm thoshte se “dëgjimi është një art, sikur kuptimi i një poezie”.

-Rregulla elementare për ta praktikuar këtë art është koncentrimi i plotë në njeriun që po dëgjon, dëgjuesin.
-Ai duhet të jetë i liruar nga ankthi, asgjë nuk duhet të kalojë nëpër mendjen e tij derisa po e dëgjon dhe kupton tjetrin.
-Dëgjuesi i mirë duhet të ketë imagjinatë të lirë që mund të shprehet me anë të fjalëve.
-Një dëgjues i mirë duhet të ketë ndjenjë prekshmërie nga përvoja e personit tjetër dhe duhet të jetë i fortë mjaftueshëm që atë përvojë ta përjetojë sikur t’i ketë ndodhur atij.
-Kushti për këtë ndjeshmëri dhe prekshmëri është aspekt i rëndësishëm për kapacitetin për të dashur. Ta kuptosh tjetrin ose tjetrën do të thotë ta duash, jo në kuptimin erotik por në sensin e arritjes së atij personit duke rrezikuar dhe tejkaluar këtë rrezik që mund ta humbësh veten.
-Të kuptosh dhe të duash janë dy gjëra të pandara. Nëse janë të ndara, dera e kuptimit është e mbyllur dhe do të mbetet e tillë.

Në libër Fromm përmendë dhe e elaboron më shumë artin e të dëgjuarit për një jetë më të mirë dhe më të shëndetshme. / KultPlus.com

Antigona e kujton Muharrem Qenën në përvjetorin e vdekjes

Vajza e tij e ka kujtuar sot në mëngjes me një gjest që nuk krahasohet me emocionin e vërtetë.

Antigona Qena, vajza e Muharrem Qenës, sot e ka kujtuar legjendën e artit shqiptar, në përvjetorin e vdekjes.

“Momenti shkrihet në kujtime,mallëngjyese në një ditë si kjo.
Një jetë e pasur nuk shuhet,vetëm se admirohet, por … sa herë lagjës kalojë nuk mundem pa u pikëllu…” ka shkruar Antigona Qena.

Me 25 shtator të vitit 2006 Muharrem Qena ndërroi jetë në Prishtinë.

Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. / KultPlus.com

Çfarë do të preferoje, një djalë apo një vajzë?

Andrei Tarkovsky

Çfarë do të preferoje, një djalë apo një vajzë?…
T’u plotësohen ëndërrat e tyre të vërteta
që t’u besojnë atyre, dhe
që të mund të qeshin me pasionet e tyre
dhe mbi të gjitha
që të kenë besim te vetja
dhe që të jenë të pambrojtur si fëmijë
sepse dobësia është forcë
ndërsa, forca është asgjë
kur lind, njeriu është i dobët dhe delikat
kur vdes, është i fortë dhe i ashpër
ashtu si pema: e ëmbël
dhe elastike teksa rritet
dhe pastaj kur vdes
është e thatë dhe e fortë
ashpërsia dhe forca janë bashkëudhëtarë të vdekjes
dobësia dhe elasticiteti
Shprehin freskinë e ekzistencës
Ajo ç’ka është e ashpër nuk do të fitojë.

Përzgjodhi dhe përktheu nga anglishtja – Enkeleda Suti

Burimi: Dokumentar përkushtuar poetit më të madh rus, Andrei Tarkovsky, 1983, nga Donatella Boglivo

Pritja që iu bë Ibrahim Rugovës në kthimin e tij pas çlirimit të Kosovës

Adnan Merovci që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës, ka kujtuar momentin kur pas luftës, ky i fundit ishte kthyer në Kosovë.

“Kthimi i Presidentit RUGOVA në Kosovë pas çlirimit! Foto: Ura e kryqëzimit të rrugës Ferizaj-Gjilan 1999”, ka shkruar Mervoci në Facebook.

Kujtojmë se Ibrahim Rugova, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet jugosllave, ishte marrë nga rezidenca e tij për t’u dërguar në Beograd në një takim me presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobolan Milosheviq.

Takimi kishte ngjallur jo pak reagime kundërshtuese në Kosovë.

Pas këtij takimi, Rugova ishte larguar për në Itali.

Me të përfunduar lufta, ai ishte kthyer në Kosovë. / KultPlus.com

‘The Kosovo War’, libri me fotografitë e masakrave dhe tmerrit në Kosovë

Ekspozita e tij me fotografitë nga lufta e fundit në Kosovë është e bukur, por edhe e tmerrshme. Mizoritë serbe janë në secilën fotografi e cila dëshmon vuajtjen e shqiptarëve dhe luftën e gjenocidin e bërë nga serbët.

Fotografitë e Wade Goddard kësisoj do të jenë pjesë e një libri – “The Kosovo War” apo Lufta e Kosovës.

Goddard, 49 vjeçar, ishte njëri prej fotografëve ndërkombëtarë që e përcolli luftën në Kosovë. Libri i tij do të botohet me rastin e 20-të vjetorit të fillimit të luftës së përgjakshme në Kosovë.

Goddard është i njohur me tmerrin dhe vrasjet e masakrat, pasi e ka përcjellë edhe një pjesë të luftës në Sarajevë.
Goddard sot jeton në Dubrovnik, atje ku deri në fund të tetorit është e hapur ekspozita e tij me fotografitë nga lufta e fundit në Kosovë.

Këto janë disa prej fotografive që janë të përfshira në këtë libër që mbetet si dokumentim tjetër i gjenocidit dhe luftës që shqiptarët e përjetuan jo shumë kohë më parë nga forcat serbe. / KultPlus.com

Të uroj kohë …

Elli Michler

Nuk të uroj një dhuratë çfarëdo,
të uroj thjesht atë që shumë veta nuk e kanë.
Të uroj kohë, për t’u argëtuar dhe për të qeshur;
nëse do ta përdorësh mirë, mund të fitosh diçka.

Të uroj kohë, për të vepruar dhe për të menduar,
jo vetëm për veten tënde, por edhe për t’ia dhuruar të tjerëve.
Të uroj kohë, jo për të nxituar e për të vrapuar,
por kohë për të qenë i lumtur.

Të uroj kohë, jo vetëm për ta kaluar,
unë të uroj kohë për të pushuar,
kohë për t’u habitur dhe kohë për të besuar
e jo thjesht për ta parë në orë.

Të uroj kohë për të numëruar yjet
dhe kohë për t’u rritur, për t’u pjekur.
Të uroj kohë për të shpresuar përsëri dhe për të dashuruar.
Nuk ka kuptim të kapesh pas së shkuarës.

Të uroj kohë për të gjetur veten,
për të jetuar çdo ditë, çdo orë si një dhuratë.
Të uroj kohë edhe për të falur.
Të uroj të kesh kohë, kohë për jetën.

Arsimtari e rrah brutalisht nxënësin në klasë (VIDEO)

Rrahja e nxënësve nga mësimdhënësit, nëpër shkolla, vazhdon të jetë përditshmëri. Jo më larg se sot, një e tillë ka ndodhur në një nga shkollat e Preshevës.

Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale shihet se si një arsimtar rrah nxënësin në klasë.

Kjo ngjarjes është filmuar nga nxënësit e klasës me telefon.

Sipas përshkrimit kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Leran të komunës së Preshevës.

Rrëfimi frymëzues i regjisores kosovare e cila luftoi me leukeminë

Që nga muaji mars i këtij viti ajo është ballafaquar me një sëmundje aspak të lehtë, por Arlinda Morina, regjisore filmash, për asnjë moment nuk është dorëzuar.

Artistja që të gjithë e njohim me emrin Liki e që karakterizohet për energjinë dhe talentin e dashurinë ndaj filmit, artit në përgjithësi, ka vuajtur nga sëmundja e leukemisë (leukemia plasma cell).

“Lajmin për llojin e sëmundjes fillimisht ma kanë fshehur familjarët, sigurisht nga frika se si do të reagoj. Por unë si regjisore që jam, në baza të lojës që u luajke ndaj meje kuptova që kisha diçka të rëndë si sëmundje.

Me konsultimin mes vete, shoqëria dhe familja vendosën të më tregojnë, ndërsa vendosën që këtë ta bëjnë përmes vëllait tim të madh, i cili ofrohet e më zë të butë më thotë:

Nuk e ke sëmundjen e lehtë, është pak më shumë se grip. E shikova dhe asgjë nuk i thashë. Ai më tregoi se kisha leukeminë, për një moment çdo gjë në shikimin dhe dëgjimin tim filloi të jetë më e ngadaltë. Ai tutje më tha se duhet të trajtojmë me kimioterapi. Ndërsa unë mora forcën dhe ia ktheva: A kemi kushte për këtë terapi, ai më tha po me plot siguri. Unë ja dhashë dorën dhe i premtova që do ta përballoj kimioterapinë. Thjeshtë fillova ta marr me ‘humor’, dhe sëmundjes ia shkurtova emrin, ia lashë ‘LEO’”, rrëfen ajo.

Sëmundja përveç që e ka bërë të fortë shpirtërisht, ia ka ndryshuar edhe jetën. Ndërsa tregon se përkrahja më e madhe për të ka qenë familja e saj.

“Jeta ime ka ndryshuar shumë. I kam larguar gjërat e dëmshmë për mua, nisur nga ushqimi, pijet e deri tek njerëzit. I kam hapur sytë më shumë dhe e jetoj jetën vetëm për vete. Familja ime më ka përkrahur me krejt shpirtin dhe mundësitë materiale. Shoqëria më ka motivuar me çdo fjalë me çdo gjë që ka pasur mundësi. I jam shumë falenderuese që nuk kanë kursyer asgjë për mua”.

Arlinda qysh prej kur e ka kuptuar sëmundjen, nuk e ka fshehur aspak atë, madje ajo çdo ditë në rrjete sociale ndan imazhe e thënie motivuese, shkruan Indeksonline.

“Të keqën fillimisht duhet ta pranosh, ndalesh e thua; unë vuaj nga ky problem. Në momentin që e pranon vjen forca nga brenda trupit tënd që fillon të luftojë. Mesazhi im është se jeta është një lojë që mbaron sikur të gjitha lojërat e tjera, prandaj mundohu të jesh lojtar profesionist që të marrësh një çmim meritor“, thotë ajo.

….

Dhe… Arlinda ia doli. Vetëm para pak orësh ajo ka shkruar: “Analiza e biopsisë me doli mirë s’kam ma LEO më duket e mbyta, faliminderit Zotit, familjes sime, shoqërisë dhe doktorëve e motrave medicionale për kujdesin që më kanë ba, ja dola luftës me Leon.”

‘Takimet Muzikore të Dy Botëve’ nisin edicionin e 12 në Kalanë e Gjirokastrës

Grupi polifonik “Ergjëria” dhe artisti i njohur slloven Marko Hatlak çelën edicionin e XII të festivalit ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” në kalanë e Gjirokastrës.

Për 12 vjet rresht shoqata “Argjiro”, që organizon festivalin po vazhdon të promovojë vlerat e trashëgimisë kulturore, duke ndërthurur muzikën klasike dhe atë tradicionale. Drejtoresha artistike e festivalit Ilda Mara bën me dije se “Takimet Muzikore…” këtë vit do të udhëtojnë nga 21 shtatori deri në 10 tetor, nga kalaja e Gjirokastrës, në Shkodër, në Vlorë e në Tiranë. Edicioni i 12 i festivalit “Takimet Muzikore të dy Botëve” organizohet këtë vit nën ombrellën e Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore. Janë pesë koncerte, pesë vende që mbartin histori presin artistë nga skenat më të famshme evropiane dhe asaj vendase. Ndalesa e parë ishte kalaja e Gjirokastrës me koncertin aty ku tradita takohet me klasiken. Drejtoresha e shoqatës “Argjiro” Ilda Mara thekson se sllogani këtë vit do të jetë: trashëgimia jonë, aty ku e kaluara takon të ardhmen. “Festivali “Takimet Muzikore të Dy Botëve” ka krijuar një traditë, dhe prej 12 vjetësh ne promovojnë vlerat dhe trashëgiminë tonë kulturore. Ne synojmë të ndërgjegjësojmë brezat për historinë tonë dhe atë të Evropës, traditën dhe kulturën e secilit dhe forcimin e përkatësisë në një hapësirë më të madhe si ajo evropiane. Trashëgimia kulturore na lejon ne të kuptojmë të shkuarën dhe të hedhim sytë nga e ardhmja”, shprehet Ilda Mara. Me ndalesën e parë në kalanë e Gjirokastrës, në një atmosferë të ngrohtë muzikore u prezantuan këngët më të mira gjirokastrite dhe ato labe, të përzgjedhura me mjeshtri nga grupi polifonik “Ergjëria”.

Artistët në “Takimet Muzikore të Dy Botëve”

Grupi “Ergjëria” është grup artistësh i njohur. Mbas vitit 1995 grupi i Gjirokastrës u nda në dy, “Ergjëria” dhe “Argjiro”. Grupi “Ergjëria” nga 2006 në vazhdim, duhet thënë se me gjithë ndërrimet e herë pas hershme të pjesëtarëve, është një nga më të konsoliduarit të polifonisë gjirokastrite dhe këngës labe në përgjithësi,dhe qëndron në majat e polifonisë shqiptare. Me dinjitet ka përfaqësuar këngën labe në të gjitha aktivitetet, që ka marrë pjesë si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Disa nga shtetet që ka dhënë koncerte grupi “Ergjëria” janë Greqia, Danimarka, Suedia, Izraeli etj. Artisti slloven Hatlak për pesëmbëdhjetë vjet ka performuar solo në koncerte, dhe ka ndarë skenën me shumë artistët të njohur si solo, ansamble, orkestra dhe dirigjentë, të cilët e kanë çuar në qasjen e tij unike dhe të padiskutueshme. Zhanret muzikore që ai lëvron janë – tango, etno, barok dhe kontemporane. Pas diplomimit në Konservatorin e Muzikës dhe Baletit të Ljubljanës, ai vazhdoi studimet e tij në Gjermani – në fillim në Weimar dhe më vonë në Wurzburg ku mbaroi studimet pasuniversitare nën kujdesin e profesorit të njohur Stefan Hussong. Projektet me të cilat merret po aktualisht janë Marko Hatlak Solo, Stefan Milenkovich dhe Marko Hatlak Tatar, Marko Hatlak & Funtango, duetin Marko Hatlak – Karmen Pecar Koritnik, Kapobanda, klasa muzikore për fëmijë nga Bach në Tango. Koncerte të rëndësishme në të shkuarën, përmendim në 2014 ka performuar në Young Euro Classic Festival në Admiralspalast, Berlin. Po në vitin 2014 ka zhvilluar ture muzikore në SHBA dhe Kanada, shumë koncerte dhe klasa solo në Toronto, Ottawa, Uashington, Indianapolis. Koncerti i dytë i festivalit do të jetë në Shkodër, në Qendrën Arka, më datë 29 Shtator, ora 19 :00, për të vijuar më tej me koncerte në qytetin e Vlorës si dhe Tiranën.

Katër fytyra publike në përkrahje të Fushatës për Mjedis në Kosovë

Aktori Vedat Bajrami, bllogerja Rita Saraçi, notuesi Lum Zhaveli dhe alpinistja Arineta Mula janë katër personazhet të cilat do të jenë fytyra të Fushatës për Mjedisin, e cila do të nisë të hënën në Kosovë.

Organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Zyra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian, Fushata do të nisë në Prishtinë për të vazhduar edhe në qytetet tjera, derisa personazhet publike do të ndihmojnë në katër fushat kryesore të Fushatës, shkruan KultPlus.

Fushata do të fokusohet në ujë, ajër, energji dhe në menaxhim të mbeturinave. Katër personazhet do të përkujdesen të ndajnë përvojën e tyre me audiencën në Kosovë, për tregimet e suksesit në fushat ku ata veprojnë dhe ku mbrojtja e ambientit për një jetë më të shëndetshme ka shumë rëndësi.

Kjo është fushata e dytë pas asaj për arsim cilësor e cila u zhvillua nga muaji maj deri në qershor.

Fushata do të hapet me 24 shtator, në ora 10:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Historia e Hyrë Eminit, dëshmores nga Ferizaj

Hyrë Emini ka lindur në Ferizaj, në një familje me traditë të pasur kombëtare, e ardhur më herët nga fshati Maçitevë e Therandës.

Si mijëra familje të tjera shqiptare, edhe familja e Hyrës, në vitin 1958 kishte marrë rrugën e shpërnguljes së dhunshme për në Turqi. Mirëpo, për arsye të ndryshme, pas arritjes në Maqedoni, ajo nuk arrin të vazhdoj më tej dhe atje qëndron deri pas rënies së xhelatit antishqiptar serb, Rankoviq, kur kthehet në Kosovë dhe vendoset në fshatin Neredime të Ferizajt. Më vonë, kjo familje vendoset në qytetin e Ferizajt.

Shkollimin fillore, Hyra e kreu në qytetin e lindjes, sikurse edhe shkollën e mesme-Gjimnazin. Gjatë shkollimit të mesëm, ishte shpallur nxënësja më e dalluar në Ferizaj. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku po ashtu ishte studente me sukses të dalluar. Në fakultet, Hyra njohu dhe krijoi lidhje të ngushta me shumë studentë, ndër të cilët edhe me pjesëtarët e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasani e Hyrie Veliu. Si organizatore e manifestimit të fundit, në fillim të vitit 1994, ajo arrestohet nga sigurimi shtetëror serb i Ferizajt dhe dënohet për kundërvajtje, me dy muaj burg. Një pjesë të këtij dënimi e vuan në shtëpinë ndëshkuese të në Lipjanit, kurse pjesën tjetër, në burgun e Pozharecit, në Serbi.

Në fillim të viteve ’90, Hyra ishte angazhuar edhe në kuadrin e Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mirëpo me kohë ishte tërhequr nga kjo organizatë, pasi ishte bindur në shterpësinë dhe kotësinë e politikës së pacifizmit nënshtrues që po udhëhiqej nga LDK-ja.

Duke qenë tashmë vazhdimisht nën vëzhgimin e sigurimit shtetëror serbe, Hyra detyrohet t’i ndërpres studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’i vazhduar në atë të Tiranës. Mirëpo, edhe në Tiranë Hyra nuk i kishte vënë studimet në plan të parë. Këto studime ajo do t’i përfundoj vetëm pasi të mbaronte lufta e armatosur në Kosovë, ku mori pjesë në frontet e saj.
Më 29 Korrik të vitit 2001 në Tanushë të Gostivarit ra dëshmore.

Burimi: @albanian.women

Unë dua të jem ti

Rainer Maria Rilke

Unë dua të ëndërroj ëndrra të qeta
Dhe me shkëlqimin e tyre të stolis si me dredhëza odën time në pritje.
Unë dua të marr me vete bekimin e duarve të tua në duart e mia dhe në flokët e mi në natën time

Nuk dua t’u flas njerëzve
Që jehonën e fjalëve të tua
(që dridhet si një kumbim mbi të miat dhe ua pasuron tingullin)
Të mos e humb dhe nuk dua ta shoh më diellin e mbrëmjes në asnjë dritë
Për të ndezur në zjarrin e syve të tu mijëra viktima zëpake…

Unë dua të lindem në ty
Si lutja e fëmijëve në mëngjesin e zëshëm e brohoritës
Si raketa mes yjeve më të vetmuar
Unë dua të jem ti.

Gjermanishtja kërkohet si gjuhë e dytë e huaj në Gjimnazin e Pejës

Nxënësit e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, por edhe prindërit e tyre kanë ngritur shqetësimet për mungesën e mësimit të gjuhës gjermane, e cila nuk figuron si gjuhë e dytë e huaj e as që mbulon të gjitha paralelet e kësaj shkolle.

Gjimnazistët e kontaktuar nga “Koha Ditore” e shohin më të nevojshme mësimin e gjuhës gjermane sesa atë frënge.

“Gjuha gjermane për ne sot po duhet më shumë sesa ajo frënge, sepse me gjuhë gjermane ke mundësi më të mëdha edhe për të studiuar jashtë, si në Gjermani apo Austri, por edhe për punë”, flasin disa nxënës për gjuhën që me më dëshirë e kishin mësuar.

Për këtë çështje prindërit edhe kanë mbajtur takim këtë muaj në shkollë për të shikuar mundësinë e përgjigjes pozitive të shkollës në kërkesat e tyre, që fëmijët të mësojnë gjuhën gjermane e jo gjuhën frënge, e cila si lëndë është gjuhë e dytë e huaj në gjimnaz, pas gjuhës angleze. / KultPlus.com

‘Gravité’ nga shqiptari Angelin Preljocaj mahnitë audiencën në Francë

Artisti dhe koreografi shqiptar me famë në Francë, Angelin Preljocaj, ka realizuar kësisoj premierën botërore të projektit të tij më të ri.

Në kuadër të edicionit të 18-të të Bienales së Vallëzimit në Lion të Francës, “Gravite” ka ardhur e formësuar nga dora e Preljocajt.

Baleti “Gravite” reflekton mbi raportin mes trupave dhe gravitetit, duke vënë në pikëpyetje fuqinë e trupit për lëvizje. Pas shfaqjes në Bienalen e Vallëzimit në Lion, baleti do të jetë nga data 3-6 tetor edhe në Grand Theatre de Provence, shkruan KultPlus.

Në skenë, 12 vallëtarë testojnë limitet me trupin e tyre.

“Këta vallëtarë duan të kërcejnë aq shumë saqë kemi krijuar ‘pika’ të reja të gravitetit. Është një përzierje mes vallëzimit bashkëkohor dhe klasik” tregon Preljocaj.

Preljocaj ka inskenuar edhe punë të tjera në Francë dhe gëzon famë në këtë shtet. Mes baleteve tjera janë edhe “Siddharta”, “Un funambule”, “The Rite of Spring”. / KultPlus.com

Shfaqjet nga Kosova, pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit në Tiranë

Shfaqja “Kaligula” me regji të Kushtrim Koliqit do të jetë pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit në Tiranë.

Shfaqja vjen me datë 24 shtator në kuadër të këtij festivali që këtë vit është një prej ngjarjeve kryesore të teatrit në Shqipëri.

Melihate Qena, Ard Islami, Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Armend Baloku dhe Allmir Suhodolli janë pjesë e shfaqjes e cila konsiderohet si drama më e fuqishme e Kamysë e cila në qendër të saj ka Perandorin romak që udhëhoqi Romën e që njihet në histori për çmenduritë dhe mizoritë e tij.

Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, i cili fillon nesër mbrëma, do të vijnë shfaqje të ndyshme nga teatro të ndryshme shqiptare, nga Fieri, Shkodra, Tirana, Prishtina, Elbasani e qytete tjera.
“Kaligula” do të shfaqet me 24 shtator, në ora 18:00 në Sallën e Universitetit të Arteve, shkruan KultPlus.

Me datë 28 shtator në festival vjen edhe shfaqja “Ata që ikin”, nga Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren. “Ata që ikin” vjen me regji nga Kushtrim Bekteshi.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli.

Drama trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë, nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Poshtë e gjeni në tërësi programin e këtij edicioni, që përfundon me 30 shtator. / KultPlus.com

Urime dita e parë e vjeshtës!

Në hemisferën veriore të planetit Tokë, sot në orën 4:29 të mëngjesit ka nisur dita e parë e stinës së vjeshtës.

Vjeshta do të zgjasë 89 ditë, deri në 3 minuta pas mesnatës së 22 dhjetorit, kur edhe fillon stina e dimrit.

Moti në Kosovë sot është kryesisht me diell, ku temperaturat maksimale arrin deri në 29 gradë Celsius.

Në momentin kur vjeshta shtriu sundimin në hemisferën veriore të Tokës, në atë jugore fillon pranvera.

Vjeshta nis në momentin kur Dielli, në rrugëtimin e tij gjatë vitit pret ekuatorin qiellor dhe niset në hemisferën qiellore jugore. Atë ditë Dielli lind saktësisht në lindje, ndërsa perëndon saktësisht në perëndim, disa dhe nata janë të barabarta dhe zgjasin nga 12 orë. Kjo ditë quhet sanatadita vjeshtore ose ekuivoku vjeshtor. Në gjysmësferën jugore të Tokës nis pranvera.

Profesionalisht dhe saktësisht, ardhja e vjeshtës përkufizohet se moment kur qendra e diskut të Diellit arrin në deklinacionin zero, ndërsa rektalizimi i Diellit është rreth 12 orë. / KultPlus.com

Akademia Evropiane e Filmit, edhe me tre anëtarë nga Kosova

Regjisori Ismet Sijarina, drejtoresha e fotografisë Sevdije Kastrati dhe producenti e aktori i njohur Fatmir Spahiu janë tre anëtarët e rinjë nga Kosova që kanë marrë ftesë nga Akademia Evropiane e Filmit të jenë pjesë e saj.

Kjo ftesë vjen pas suksesit të filmit “Nëntor i Ftohtë“ i cili do të shfaqet premierë botërore javën që vjen në festivalin e famshëm të filmit në San Sebastian në Spanjë.

“Në rrafshin personal dhe profesional anëtarësimi në EFA është një arritje e madhe. Është nderë të jesh pjesë e elitës kinematografike evropiane. E falenderoj Qendren Kinematografike të Kosovës, për nominimin që më ka bërë.”- u shpreh regjisori Sijarina.

Ndërsa aktori Spahiu tha që: “Kjo ftesë është shpërblim për punën dhe sfidat që kanë profesionet tona, jamë shumë i lumtur dhe ndjehem i privilegjuar.“

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Ceremonia e Çmimeve Evropiane të Filmit sivjet do të mbahet në Sevilla (Andalusia) të Spanjës në dhjetor të këtijë viti. EFA ka mbi 3,500 anëtarë nga mbarë evropa, ku prej tyre Kosova ka 25 anëtarë. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandumi për zhvillimin arkivor dhe digjitalizimin e dokumenteve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në takim Kryeshefin e Agjencisë Shtetërore të Arkivave Ramë Manaj.

Në këtë takim, Gashi dhe Manaj kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare për projektin “Mbështetja për zhvillimin e veprimtarisë arkivore dhe ngritja e kuadri profesional arkivor”. Memorandumi do të zbatohet gjatë vitit 2018, projekt për të cilin MKRS do të investojë me vlerë financiare prej 8 mijë euro.

Qëllim i këtij memorandumi është krijimi i dokumenteve elektronike dhe aplikimi i normave bashkëkohore për zhvillimin e mëtutjeshme të veprimtarisë arkivore. Po ashtu, ky projekt do të mbështetë ngritjen dhe aftësimin e kuadrit profesional arkivor të angazhuar në Agjencinë Shtetërore të Arkivave por edhe të kuadrit arkivor në arkivat ndër komunale. Ku aktivitet gjithsesi ka mbështetje të plotë ne Ligjin për Arkivin Shtetëror dhe Standardet Ndërkombëtare te Arkivistikës.

Gashi, thuhet në komunikatë, ka vlerësuar se me nënshkrimin e këtij memorandumi kemi vazhduar më tutje mbështetjen për institucionin më të rëndësishëm të ruajtjes dhe mbrojtjes së dokumenteve shtetërore të cilat i mbesin si histori gjeneratave që vijnë.

Ndërkaq kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave, Manaj, e falënderoi ministrin për përkrahjen që ai po jep për institucionin që ai udhëheq dhe vënien e tij ndër prioritetet e ministrisë.

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës mban akademi për Adem Demaçin

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka mbajtur sot akademi letrare për veprimtarin e shquar Adem Demaçi.

Biblioteka kombëtare “Pjetër Bogdani” ishte vendtakimi i shumë shkrimtarëve dhe personaliteteve të shquara kosovare për të kujtuar e nderuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Demaçi.

Shyqri Galica, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, hapi akademinë me një minutë heshtje për të vazhduar më pas me një jetë përshkrim të shkurtër për ikonën e rezistencës kombëtare. Galica përshkroi me fjalë të mëdha heroizmin, atdhedashurinë, urtësinë, guximin dhe sakrificën e shkrimtarit, tashmë të ndjerë, Demaçi.

akademi kishte edhe karakter garues, pasi që u zgjodh punimi/poezia më e mirë kushtuar “Mandeles shqiptar”. Me këtë rast, autorët e 30 poezive më të mira lexuan punimet/poezitë e tyre, të cilat konkurruan për punimin më të mirë. / KultPlus.com

Fjala e poetit Lulzim Tafa me rastin e marrjes së çmimit ‘Mihai Eminescu’

Poshtë është fjala e poetit Lulzim Tafa me rastin e marrjes së Çmimit Ndërkombetar në Festivalin e Poezisë “Mihai Eminescu” në Rumani.

E nderuara Juri e Festvalit,
të dashur kolegë,
poetë e lexues të poezisë,
zonja e zotërinj!

E pranoj këtë çmim, duke qenë i nderuar me vendimin e kësaj Jurie të respektuar që këtë çmim të ndaj për mua. Poezi kam filluar të shkruaj si fëmijë, jam rritur me poezinë dhe po plakem me të. Unë gjithmonë i kam qendruar besnik poezisë. Në jetë kam bërë edhe punë të tjera, qoftë si profesor, por edhe punë menagjeriale çfarë është edhe pozita e Rektorit, por edhe aktivitete të fushës së të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së kafshëve, por, duhet ta theksoj se edhe kur kam vepruar në fusha të tjera, unë gjithë jetën time kam frymuar si poet. Jam ndier poet dhe vazhdoj të jetoj si i tillë.

Ky çmim më bënë nderë mua dhe letërsisë që i takoj. Unë i takoj letërsisë së Kosovës, letërsisë shqipe të Kosovës. Administratorët e festivalit më thanë se unë këtu do të jem nën logon Shqipërisë, edhe kjo më bënë nderë, sepse letërisa shqipe është një dhe unë i takoj asaj letërsie. Vendi prej nga vij unë, pra Kosova, ka shumë poetë të mirë të cilët, po ashtu, me krijimtarinë e tyre janë të njohur për lexuesin në Evropë e më gjerë. Unë si fëmije e mësova misionin që ka një poet, pra jo vetëm për të bashkuar fjalë që kurrë më përpara nuk kanë qenë bashkë njëra me tjetërn, por edhe për t’i thënë gjërat bukur, njësoj si kur shkruan për dashurinë, gëzimin e jetën, njesoj si kur shkruan për trishtimin e vdekjen, e rëndësishme që ajo të thuhet bukur . Unë gjithmonë bëjë përpjekje që ta bëjë këtë, prandaj e vlerësoj shumë këtë çmim. Ky çmim më jep më shumë siguri.

Gjatë krijimtarisë sime më shumë se tridhjetë vjeçare, kam marr edhe çmime të tjera, madje çmimin e fundit e kam marr nga komuniteti malazez, një komunitet pakicë që jeton i respektuar në vendin tim, në motivacionin e çmimit të tyre, që e mbanë po ashtu emrin e njërit prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë së Malit të Zi, përveç motivit letrar ata kishin futur edhe angazhimin tim për paqe dhe afirmim të të drejtave të pakicave, dhe kjo më gëzoj, po aq sa edhe motivacion për letërsi.
Vendi im para pak vitesh ka dalë nga një luftë e përgjakshme. Unë edhe atëherë kam qenë poet, kam shkruar për lirinë dhe paqen. Një ditë një konvoj militarësh erdhën dhe dogjën shtëpinë time, edhe pse unë nuk isha luftëtar, unë isha poet. Ma dogjën biblotekën, librat, dorëshkrimet, fotografitë, kujtimet. Secili prej jush e di çdo të thotë për një poet t’i digjen dorëshkrimet, t’i digjen librat. Unë shkruaja për lirinë, ata që m’i dogjën librat një ditë ikën nga vendi im, ndërsa unë vazhdova të shkruaj përseri për lirinë dhe paqen. Këtë e bëj edhe sot.
Fatkeqësisht shumë shkrimtarë të ballkanit në kohën e luftës u bënë krah i politikës. Në vend që të punonin për paqe ata i fryenin zjarrit të luftës. Ndodhi që një poet nga Ballkani të gjykohet dhe dënohet për krime kundër njerzimit në një Gjykatë Ndërkombëtare. U Gjykua dhe u dënua sepse ra në kundërshtim me vlerat e njerëzimit, në kundërshtim edhe me vlerat që ka letërsia.

Unë sot krijoj dhe punoj për të promovuar këto vlera qoftë si poet, qoftë edhe si një jurist, loboj që të kemi ligje më të mira që mbrojnë dhe avancojnë jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të kafshëve dhe të gjitha krijesave të Zotit në planetin tonë, edhe pse kjo në Ballkan nuk është e lehtë. Shpeshherë edhe jam paragjykuar.

Pse është i rëndësishmë ky çmim për mua ?

E para sepse e ndanë një juri kaq kompetente, e dyta sepse më jepët në njërin prej festivaleve më të rëndësishme që mbahen në kontinenentin tonë, pastaj sepse e mban emrin e Mihajl Emineskut, kolosit të madh jo vetëm të letërsisë rumune, por edhe të letërsisë botërore, ngase është e vërtetë se ne u takojmë letërsive që përfaqësojmë, por vlerat që përfaqëson letërsia janë universale. Ky festival ka shume vlera.
Ju Faleminderit

Lulzim Tafa

Saimir Strati vjen me ekspozitë personale në Suharekë

Njeriu që renditet i pari ndër artistë në Librin Guiness sa i përket thyerjes së rekordeve me mozaikët e tij, vjen me ekspozitën e tij personale në Suharekë, të hënën, më 24 shtator 2018, në Qendrën e Rinisë “Shtëpia e Fellbahut”.

Saimir Strati së fundi, herën e 10-të kur theu rekordin botëror për mozaikun më të madh me kapëse letrash, e bëri në Prishtinë. Ai nxorri fytyrën engjullore të Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Terezë me kapëse letrash duke e çuar vlerën e Kosovës dhe Prishtinës një hap më tej.

Në edicionin e sivjetmë të festës së FESTAR-it në Suharekë, Strati ka vendosur që të shfaqë punët e tij mahnitëse për publikun e gjerë kosovar.

Për më tepër, Saimir Strati vjen pothuajse çdo vit në Koloninë e Artistëve në Suharekë, duke i dhënë një dozë më të madhe famoze kësaj feste. / KultPlus.com

Dokumentari mbi Arkanin do të shfaqet në Sarajevë

Do të fillojë sonte edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar – Al Jazeera Balkans në Sarajevë.

Filma të ndryshëm nga Ballkani do të vijnë në këtë edicion që do të përfundojë me ndarjen e çmimeve, me datë 25 shtator.

Last Minute Cinema është programi i veçantë i festivalit ku do të shfaqen pesë filma, mes tyre edhe historia e Dragoslavës – një grua e cila fjaloset me burrin e saj dhe ka një jetë të komplikuar me tre nipër e mbesa, apo edhe historia e Esad Lanzo i cili kthehet në Bosnjë, aty ku 25 vite më parë ka kryer një krim për të cilin ka kaluar kohë në burg.

Në programin zyrtar konkurrues, vjen një dokumentar mbi Mafinë serbe dhe Arkanin e Tigrat e tij vrastarë, një tjetër rreth të rinjve nga Rusia e Ukraina të cilët gjenden në një situatë të pazakontë në kohën e rritjes së tyre, dhe një documentar tjetër interesant mbi njerëzit që u zhdukën e u vranë në kohën e regjimit të Assadit në Siri.

Dokumentarët janë realizuar nga regjisorët e Ballkanit por edhe nga regjisorët e shteteve tjera evropiane.
Festivali organizohet nga Al Jazeera Balkans në bashkëpunim me Al Jazeera Institute në Doha dhe Al Jazeera Media Network. / KultPlus.com

Bebe Rexha performon në America’s Got Talent (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha ka performuar mbrëmë në America’s Got Talent – spektaklin e gjetjes së talenteve të muzikës në Amerikë.

Shqiptarja e njohur dhe një prej këngëtareve e tekstshkrueseve më aktive në Amerikë, ka performuar këngën e saj më të re “I’m a Mess” ndërsa më pas në skenë i është bashkuar Glennis Grace për të kënduar së bashku “Meant to Be”, përcjellë KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=exqt3_Pbm54

Glennis ishte një prej konkurrenteve të këtij edicioni të AGT por nuk arriti të fitonte. Glennis për më tepër është nga Holanda dhe para disa vitesh ka kënduar në Eurovizion për Holandën, duke mos arritur të kualifikohej për në finale.

Bebe Rexha, në anën tjetër, po vazhdon me sukseset e saj në Amerikë. Ajo këtë vit ka nxjerrë edhe albumin e saj “Expectations”. / KultPlus.com