Gazeta zvicerane: Këta të rinj nga Cyrihu ndihmuan fitoren e Vetëvendosjes

“Vetëvendosje po feston një fitore të bujshme në zgjedhjet në Kosovë. Suksesi i saj është i lidhur ngushtë edhe me qytetarë të angazhuar nga Cyrihu, si Njomza Gutaj dhe Reis Luzhnica”.

Gazeta zvicerane “Tages Anzeiger” prezanton dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, shqiptarë por të rritur e të formuar në Zvicër, gjegjësisht në Cyrih. Përmes tyre ajo vë në pah kontributin që njerëz, kryesisht të rinj, si Njomza Gutaj dhe Reis Luzhnica, nga Zvicra kanë dhënë për  fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Në vazhdim, artikulli i përkthyer nga albinfo.ch, me pak shkurtime.

Fitorja e partisë së majtë Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare kosovare dihet që nga mesi i shkurtit. Në atë kohë, shkalla e fitores së partisë së Kurtit ishte rreth 48 për qind. Por kishte ende vota që nuk ishin numëruar. Ato të diasporës që arritën në Kosovë me vonesë dhe në disa raste u desh të numëroheshin disa herë. Vota nga Gjermania, nga Zvicra, nga qytete si Berna ose Cyrihu, ku shumë shqiptarë të Kosovës janë në shtëpinë e tyre, shkruan Tages Anzeiger, transmeton albinfo.ch.

Pothuajse 600,000 nga 1,9 milion kosovarë jetojnë jashtë vendit, rreth 170,000 prej tyre, në Zvicër. Shumë prej tyre kanë të drejtë të votojnë dhe po lundrojnë në valën e suksesit të partisë Vetëvendosje, ende të pakonsumuar.

Ndër ta bën pjesë edhe 36-vjeçarja Njomza Gutaj nga regjioni Zürcher Oberland. Kurti, me një rast ka thënë se donte ta shndërronte Kosovën në një mini-Zvicër, thotë Gutaj. “E tëra që mund të them unë është: të përvjelim krahët dhe t`ia mësyjmë punës”.

Suksesi i Vetëvendosjes është gjithashtu një sukses i grave. I grave si Gutaj, të cilat besojnë se vendi i tyre do të jetë funksional një ditë – i lirë nga korrupsioni, larg patriarkalizmit. Pjesa e votave grave në suksesin elektoral ishte rreth 60 për qind. Analistët politikë në Prishtinë flasin për një rebelim të grave kundër politikës së dominuar nga burrat.

Gutaj dhe familja e saj kanë emigruar në Bubikon të Zvicrës në vitin 1989. Mësuesi i shkollës fillore në atë kohë donte t’u bënte të qartë prindërve të saj, klasë punëtore se ata nuk kishin luksin që fëmijët e tyre të ndiqnin rrugën akademike, përcjell albinfo.ch. Por Gutaj provoi të kundërtën: pasi përfundoi një praktikë komerciale, ajo studioi për administrim biznesi në një universitet dhe tani punon si menaxhere eprore në një firmë të madhe këshillimesh në Cyrih. Ajo aktualisht po lufton në tre fronte: si këshilltare për ndërmarrjet, si nënë, kujdestare e vetme për vajzën e saj dhe si një person politikisht aktiv për vendin e prejardhjes.

“Prindërit tanë nuk kanë ardhur në Zvicër si emigrantë të pasur, por si refugjatë”

Vetëvendosje ka rreth 1000 anëtarë në Zvicër me tendencë të rritjes. Gutaj është prej tetë vitesh aktiviste e saj. Partia konsiderohet e krahut nacional, të majtë. Por Gutaj e përshkruan veten si të majtë-liberale. Edhe pse, në fakt, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me politikën, por me bindjet: “Për mua politika është vetëm një mjet për të arritur një qëllim”, shprehet ajo.

Dhe, kur Gutaj thotë “qëllimin”, ajo e ka fjalën për drejtësinë. “Prindërit tanë nuk kanë ardhur në Zvicër si emigrantë të pasur, por si refugjatë”, shprehet ajo. Pra, është një rastësi fatlume që ajo u lejua të jetonte në Zvicër. “Unë thjesht ndiej një detyrim të brendshëm për njerëzit në Kosovë, dinjiteti i të cilëve deri më tani është shkelur me këmbë.”

Me njohuritë e saj profesionale, Gutaj bën pjesë në grupin e synuar të qeverisë së re. Kurti thekson se ai dëshiron të kthejë në vend njerëz të kualifikuar nga diaspora. Një nga problemet më të mëdha në Kosovë është ikja e trurit. Bëhet fjalë për njerëz të rinj, të arsimuar mirë, të cilët largohen nga vendi për mungesë perspektive. Shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 55 për qind. “Shumica e tyre, thjesht duan të largohen për momentin”, thotë Gutaj. Ajo e kupton këtë. Edhe pse, nga ana tjetër, të rinjtë tani do të kishin mundësinë ta bëjnë më të mirë vendin e tyre.

E angazhuar në qeverinë Kurti 1

Gutaj kishte iniciuar vetë një projekt zhvillimi: Kur Kurti ishte Kryeministër për herë të parë në shkurt të vitit 2020, ajo kishte punuar për Ministrinë e Diasporës dhe ishte marrë me problemin se si talentet mund të kthehen në vend. Pas 50 ditësh, kishte ndërhyrë administrata amerikane e Donald Trump duke bërë që Kurti të hiqte dorë nga zyra e tij. E gjithë puna e saj përfundoi përkohësisht në kabinetin e dosjeve.

Por tani ka një mundësi të re. Megjithatë, Njomza Gutaj nuk dëshiron të emigrojë për momentin. Ajo madje ndoshta nuk dëshiron fare të kthehet atje për të jetuar përgjithmonë. Ndryshe nga Zvicra, Kosova sipas saj nuk ka mjaft diversitet. Por ajo viziton rregullisht Kosovën dhe kënaqet me vendin dhe njerëzit e saj.

Vizitat nga diaspora gjallërojnë ekonominë e vendit. Në përgjithësi, Kosova përfiton nga bashkatdhetarët jashtë vendit: remitencat nga diaspora përbëjnë 17 për qind të produktit të brendshëm bruto sipas shifrave aktuale. Megjithatë, ky realitet gjithashtu rrit rrezikun e varësisë, thotë Gutaj. “Po, edhe unë kam dërguar para atje”. Për shkollimin e ndonjë kushëriri, për shembull ose për një të afërm të sëmurë, por “jo për konsum të pakuptimtë”.

Kolegu i saj i partisë Reis Luzhnica po bën gjithashtu fushatë për pavarësinë e Kosovës. Ndërsa Gutaj në Vetëvendosje identifikohet më shumë me krahun ekonomikisht liberal, Luzhnica, politikisht shkon më tej, në të majtë. Sekretari 31-vjeçar i degës së Cyrihut në Vetëvendosje ka qenë anëtar i lëvizjes që nga fillimi. Në moshë shumë të re ai u lidh me Kurtin, ish-udhëheqësi i studentëve, i cili, edhe si politikan mbeti një lloj luftëtari i rrugëve. “Ai më ka bërë të shpresoj se diçka mund të bëhet me të vërtetë në Kosovë”.

Luzhnica dhe familja e tij janë larguar nga Prishtina në vitin 1992. Kishte nëntë vjet kur ai mundi të vizitonte të afërmit e tij në Kosovë për herë të parë.

PS e Zvicrës, si “parti motër” e Vetëvendosjes dhe mospajtimet e krahut liberal të PS

Ajo që kishte parë Luzhnica pas mikpritjes së ngrohtë në Kosovë ishte: infrastruktura e mjerueshme, shumë të papunë, korrupsioni. Ankesat rreth kësaj e kishin shtyrë atë të futej në politikë. Kështu, ai vazhdimisht udhëton në Kosovë për t’u takuar me familjen, miqtë dhe shokët e partisë, Vetëvendosjes.

Reis Luzhnica tani ka shtetësi të dyfishtë dhe drejton një punëtori shtypi në Altstetten. Është po kështu anëtar i Partisë Socialdmokrate (SP). Duke vepruar kështu, ai personifikon atë që partia më e madhe e Cyrihut aktualisht është duke propaganduar në mënyrë agresive: të përbashkëtat me partinë Vetëvendosje.

Në mes të shkurtit, PS ka miratuar një rezolutë në mbështetje të VV në Kosovë. Ndër të tjera, aty thuhet: “Vetëvendosje angazhohet për reformat demokratike, luftën kundër korrupsionit dhe për drejtësi sociale. Vetëvendosje është parti motër e PS Zvicrës”, transmetona albinfo.ch. Luzhnica thotë se ky hap drejt bërjes parti motër është kërkuar prej vitesh. “Unë jam i kënaqur që bashkëpunimi me kryesinë e re të PS funksionon aq mirë.”

Afërsia me Vetëvendosjen ishte, megjithatë, e diskutueshme për një kohë të gjatë brenda PS-së. Në qarqet liberale të PS-së, ishte dëshira e Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë, pika që i zemëronte. Kritikët e shohin këtë si një veprim nacionalist. Kishte ndodhur gjithashtu edhe hedhja e gazit lotsjellës në parlament nga deputetë të Vetëvendosjes.

“Kjo ka ndodhur më herët. Çështja e bashkimit nuk është në plan të parë, thotë Luzhnica. “Qëllimi ynë është ta bëjmë Kosovën shtet funksional dhe të pavarur”. Vetëm atëherë mund të bëhet hapi tjetër. “Shumica e popullsisë në të dy vendet e mbështet këtë ide, dhe unë e konsideroj veten si njërin prej tyre”.

Në ndërkohë, Reis Luzhnica dëshiron të promovojë më tej rrjetëzimin e Vetëvendosjes në Zvicër. Sa i përket PS-së, ai është kandidat i saj për asamblenë komunale, përcjell albinfo.ch. “E ardhmja ime është këtu. Por unë gjithmonë do të qarkulloj atje dhe këtu/albinfo.ch/ KultPlus.com

Ka vdekur dirigjenti i njohur James Levine

James Levine i njohur për punën e tij të madhe si dirigjent  i orkestrave më të mëdha të botës, duke e përfshirë atë të Munihut dhe të Bostonit, ka vdekur në moshën 77 vjeçare, raportojnë mediet e huaja përcjellë KultPlus.

James Levine, ishte mjeshtër, udhëzues i Operës Metropolitane për më shumë se 40 vjet dhe një nga dirigjentët më me ndikim dhe më të admiruar në botë, por karriera e tij përfundoi në një skandal mbi akuzat për sjellje të pahijshme seksuale.

Akuzat për abuzim seksual dhe ngacmim i dhanë fund karrierës së tij.

Ai vdiq në Palm Springs, Calif, në moshën 77 vjeç dhe vdekja e tij u konfirmua të mërkurën në mëngjes nga mjeku i tij Dr. Len Horovitz. Shkaku nuk është bërë i ditur menjëherë.

Pas hetimit të keqpërdorimeve seksuale nga Levine, me burra të rinj nëpër dekada të ndryshme, ai fillimisht u pezullua dhe më pas u pushua nga puna në 2018.

Para se të dilte skandali, ai ishte një mjeshtër i madh, për shtatë vjet duke filluar nga viti 2004, ai ishte drejtori muzikor i Orkestrës Simfonike të Bostonit, duke fituar vlerësime të larta gjatë sezoneve të tij fillestare për ringjalljen e këtij ansambli me famë, duke përkrahur muzikën bashkëkohore dhe duke porositur vepra të mëdha nga kompozitorë të gjallë./ KultPlus.com

“Enough Is Enough”, thënia e famshme e presidentit Bush provokon Alban Mujën, vepra do të përurohet në Tiranë

Presidenti George Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007 kishte deklaruar: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.

Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL do të përurojë veprën publike me titull “Enough Is Enough” nga artisti Alban Muja, këtë të premte, më 19 mars 2021, në orën 16:00 tek ura e këmbësorëve mbi lumin Lana, përballë OSHEE në Tiranë.

Kjo vepër vjen në kuadër të një projekti afatgjatë të Harabel që ka nisur përgjatë vitit 2020 dhe përmban një seri veprash arti të realizuara nga artistë bashkëkohorë, të cilat do të vendosen në hapësirat publike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.

Ky projekt ka si qëllim vendosjen e publikut në ndërveprim të afërt me artin bashkëkohor, si dhe krijimin e një dialogu të hapur mes hapësirës urbane dhe artit.

“Enough Is Enough” është vepra e dytë që bën pjesë në këtë projekt, i cili ka nisur me përurimin e veprës “Bukurshkrimi” të artistit Adrian Paci, në nëntorin e vitit të kaluar.

Koncepti “Enough Is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej Presidentit George Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.

E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra, që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë, e përbërë prej gërmave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është 17.5 metra e gjatë dhe secila gërmë 1,8 metra e lartë.

Pavarësisht kësaj, ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veçse prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon.

Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë; nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe por pa zhurmë. Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës.

“Enough Is Enough” është e pazakontë për të në formë, por një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun. Vendlindja është pikënisja e sigurtë e punës së Mujës, sikurse është dhe lufta, si një e vërtetë e jetuar e tij, por “Enough Is Enough” nuk është vetëm një monument i lidhjes së Kosovës me Shqipërinë, por edhe një eko e situatës së çdo refugjati sot në botë.

Në këtë kondvështrim, “Enough Is Enough” është edhe një akt politik universal që tejkalon territorin ku lind, një kundërvënie ndaj modeleve të sotme socio-politike që vendosin kufirin (territorial) përpara jetës së njeriut dhe të drejtës së tij për siguri dhe stabilitet. Synimi i veprës nuk është rikujtesa e luftës, por përqasja me pasojat e saj tek popujt e prekur dhe problematizimi i pushtetit si qëllim. “Enough Is Enough” vjen si kujtesë historike pas dy dekadash, e si e tillë mund të duket e vonuar, por ajo është pikërisht dëshmi e një bote që ndryshon pak, një thuajse artefakt i krizës së madhe refugjate që përjetoi Ballkani e që me sa duket pati pak impakt mbi sjelljen politike ndërkombëtare, duke qenë se bota sheh vazhdimisht lindjen dhe zgjerimin e zonave akute të krizave humanitare. Në këtë kontekst, Enough is Enough nuk vjen vetëm si përgjigjja që Presidenti Amerikan i dha statusit të pavarësisë së Kosovës, por edhe si vënie në pyetje e marrëdhënies afatgjatë mes pushtetit dhe lirisë së njeriut.

Alban Muja është një artist bashkëkohor kosovar që jeton mes Berlinit dhe Prishtinës. I ndikuar kryesisht nga proceset e transformimit shoqëror, politik dhe ekonomik në rajonin e gjerë përreth, ai shqyrton historinë dhe temat socio-politike dhe i lidh ato me pozicionin e tij në Kosovë sot. Disa prej ekspozitave të zgjedhura ku ai ka marrë pjesë janë : Muzeun Ludwig, Budapest; Muzeu Maxxi, Romë; Bienaleja e 3-të e Artit Industrial, Istria, Kroaci; Qendra Eksperimentale MOMus për Artet, Selanik; Muzeu i Artit Kumu, Talin; Muzeu i Artit Guangdong; Muzeu i Artit Bashkëkohor – Shkup; MeetFactory, Pragë; Forum Stadpark, Graz; Galeria James, New York; Galeria e Arteve e Qytetit të Lubjanës; Muzeu i Artit Zhejiang, Hangzhou; Muzeu i Arteve të Bukura, Split; Trieste Contemporanea; Muzeu i Artit Modern dhe Bashkëkohor, Rijeka; Galeria Kombëtare e Artit Zachęta, Varshavë; Ien Bienaleja e 2-të e Artit Bashkëkohor në strehën Atomike në Konjic, BiH; Galeria Škuc, Ljubljana; Galeria Kombëtare e Kosovës; Muzeu i Arteve të Bukura, Split; Galeria Gagosian, Beverly Hills; Galeria Kombëtare Sllovake; Staatliche Kunsthalle, Baden-Baden; Bienaleja e 28-të Grafike e Lubjanës; nGbK, Berlin; Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë; Bienalja e Cetinje dhe të tjerët. Muja në vitin 2019 përfaqësoi Pavionin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 58-të të Venecias me projektin e quajtur “Albumi Familjar”./ KultPlus.com

Paralajmëron Hoti: Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online

Situata pandemike është temë e ndjeshme për shumë nga ne, prandaj edhe Kryeminstri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar një bisedë me ministrin e Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, Valbon Krasniqi dhe zëvendësminstrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj.

Situata pandemike e cila filloi me 13 mars, 2020 e deri më 15 mars, 2021, ku Kosova regjistron rreth 77,827 raste me COVID-19, ku 65,060 persona fatmirësisht janë shëruar por 1,715 raste nuk patën fatin e tillë. Kosova gjithashtu është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka filluar procesin e vaksinimit, edhe pse kjo do të duhej të ndodhte në Shkurt. Hoti tregon se institucionet përkatëse janë duke i kryer përgatitjet e nevojshme, dhe sapo të vijë rasti, menjëherë do të filloi vaksinimi i qytetarëve.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti thotë: “Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite”./ KultPlus.com

Vëllezërit Bobani shkëlqejnë në lojërat ‘CrossFit Open Games’, Elioni kryeson në ranglistën botërore

Dy vëllezërit nga Kosova, Elion dhe Enis Bobani janë duke shkëlqyer në ‘CrossFit Open Games’.

Për atë që nuk e dinë se çfarë janë këto lojëra, lojërat ‘CrossFit’ janë një konkurs vjetor atletik. Atletët garojnë në një seri ngjarjesh në Lojëra të cilat mund të jenë në stërvitje të ndryshme, ku përbehen nga ushtrime të kondicionimit, metabolik, ngritje peshash dhe lëvizje gjimnastike, si dhe një seri aktivitetesh të tjera, si noti dhe çiklizmi, shkruan lajmi.net.

Në këto lojëra, dy vëllezërit Elion dhe Enis Bobani me punën dhe angazhimin e tyre, ia kanë dal të gjejnë vend edhe në ranglistën botërore.

Elioni momentalisht është kampion i Botës sepse bëri 605 përsëritje të ushtrimeve për 13 minuta e 23 sekonda.

Ndërsa, vëllai i tij, Enisi, zë pozitën e 31-të dhe ia doli të bëjë 394 përsëritje të ushtrimeve për 11:41 minuta.

Ranglista botërore për divizionin 16-17 vjeç./Lajmi.net/KultPlus.com

Ç’ bëre me vitet e tua, ku e varrose kohën tënde më të mirë

Fragmente nga autorë të mëdhenj, KultPlus ju sjell copëza nga Dostoevsky, Nietzsche e Camus

“Dhe pastaj pyet veten ku janë ëndrrat e tua. Dhe duke tundur kokën thua: Sa shpejt ikin vitet! Dhe përsëri pyet veten: Ç’bëre me vitet e tua? Ku e varrose kohën tënde më të mirë? Ke jetuar apo jo? Shiko i thua vetes, shiko se si bën ftohtë në këtë botë. Do të kalojnë të tjerë vite, dhe pastaj do të vijë vetmia e errët, do të vijë me shkop pleqëria e dridhur, e pastaj brenga dhe përmbysja. Do të zverdhet bota fantastike, do të mërdhijë, do të treten ëndrrat tuaja dhe do të bien siç bien gjethet e verdha nga drurët…”

– Fyodor Dostoevsky“Netë të bardha”

“Të rinjtë e duan atë që është interesante dhe e veçantë, për ta nuk ka rëndësi nëse ajo është e vërtetë apo e gënjeshtërt. Shpirtrat më të pjekur duan tek e vërteta atë që është tek ajo më interesante dhe e veçantë. Më në fund, njerëzit krejtësisht të pjekur, e duan të vërtetën edhe në atë që duket tek ajo e thjeshtë dhe lakuriqe dhe që i ngjall mërzi njeriut të rëndomtë, sepse kanë vënë re që e vërteta priret ta thotë me fytyrë e thjeshtësisë mençurinë e saj më të lartë.”

– Friedrich Nietzsche“Njerëzor, tepër njerëzor”

“Sapo ai iku, rigjeta përsëri qetësinë time. Isha i dërrmuar dhe u hodha mbi dyshekun tim. Mendoj se më kishte zënë gjumi pasi u zgjova dhe pashë yjet sipër kokës. Zhurmat e fshatit vinin deri tek unë. Aromat e natës, të tokës dhe të kripës freskonin tëmthat e mi. Paqja e mrekullueshme e kësaj vere të përgjumur futej tek unë si një vërshim i papërmbajtshëm. Në këtë moment që përkonte dhe me fillimin e agimit të ditës së re, ulërinë sirenat. Ato më njoftonin nisjen për në një botë tjetër, për të cilën nuk isha më indiferent. Për herë të parë, që prej shumë kohësh mendova për mamanë. E kuptova se përse në fund të një jete ajo kishte gjetur “një të fejuar”, se përse ajo kishte filluar të luante për të rifilluar edhe njëherë nga e para. Edhe atje, atje, përreth kësaj azileje ku shuheshin jetë, mbrëmja ngjante me një pushim melankolik. Kaq pranë vdekjes, mamaja duhet të jetë ndjerë e lirë dhe e gatshme për të rijetuar edhe njëherë gjithçka. Asnjë, por asnjë nuk kishte të drejtë të qante mbi të. Dhe unë gjithashtu u ndjeva gati për të jetuar përsëri. Sikur gjithë ky zemërim më kishte pastruar nga e keqja, më kishte boshatisur nga shpresa, përpara kësaj nate të mbushur me shenja dhe yje po i hapesha për herë të parë indiferencës së butë të kësaj bote.”

 Albert Camus“I huaji”./ KultPlus.com

Në skenën e madhe të Grammy Awards, Dua Lipa ndan sekuenca edhe nga Salla e Kuqe e Prishtinës (VIDEO)

Në prezantimin e Dua Lipës në Grammy Awards ku është prezantuar nëpërmjet një video,  ajo tregon se albumi i publikuar gjatë karantinës, Future Nostalgia, është një përmbledhje e kujtimeve fëmijërore te saja, ku nëpërmjet televizonit,  shikonte artistët e famshëm dhe i dukej porsi një pjesë e nxjerrë nga filmat vizatimorë.

Në këtë video që është prezantuar para miliona ndjekësve, këngëtarja e njohur ka treguar se ka lindur në Londër, por që është kthyer më pas në Kosovë, duke ndarë momente nga fëmijëria e saj, por edhe një performancë që kishte bërë në Sallën e Kuqe.

Dua Lipa njihet si një ndër këngëtaret që ka promovuar dhe vazhdon ta promovon vendin e saj, Kosovën, sikurse që ka vepruar edhe me eventin e fundit, duke ndarë sekuenca edhe nga Kosova në skenën e madhe të Grammy Awards. Dua Lipa në këtë mbrëmje sërish u shpërblyer me Grammy Awards, për albumin e saj “Future Nostalgia”.

Për të ndjekur çaste të performancës së saj, shikoni videon, nëpërmjet së cilës ajo ndjehet gjithmonë prezente, qofshin ato edhe momente të çmendura, thotë Dua./ KultPlus.com

Katër dilema rreth Konicës

Nga Mehmet Kraja

Dilema e parë

Në historinë e letërsisë tashmë është i njohur mendimi negativ që Konica kishte shprehur për Naimin. Ai thoshte “Naim Benë si atdhetar e kam kurdoherë lëvduar dhe ngrijtur në qellë; si shkronjëtor s’qe gjë; dhe si njeri ish i martuar me simotren e tija. Nuk dua të mburrem që jam një njeri i virtytshëm, po nga të pakta gjera q’i nderoj nga fundi i zëmrës është familja. Incesti më duket i ndyrë dhe i rrezikshëm për familje”. Pra, sikundër shihet, gjykimin për Naimin, Konica e shtrin në dy rrafshe, Naimi si poet dhe Naimi si njeri. Po e pamë këtë gjykim të Konicës nga kjo distancë kohore, na del e qartë, se ky konstatim për poezinë e Naimit mund të ketë mbështetje dhe në njëfarë mënyrë mund të arsyetohet, po të kemi parasysh faktin se Konica kishte një kulturë letrare evropiane, se në këtë kohë ai duhet të ketë lexuar poezinë e simbolistëve francezë dhe të tjerëve si ata. Pra, për kulturën letrare që kishte Konica, Naimi mund dukej një romantik i vonuar, madje i prapambetur. Mirëpo, në anën tjetër, Konica botonte revistën “Albania” dhe aty gjenin vend poezi të autorëve shqiptarë të asaj kohe, që nuk e kishin arritur as për së afërmi nivelin e Naimit. Për këtë Konica duhet të ketë qenë i vetëdijshëm, se Naimi duhej kundruar në kontekst të letërsisë shqipe dhe jo të zhvillimeve letrare evropiane. Ndërkaq, sa i përket gjykimit që i bën Naimit si njeri, argumenti që nxjerr paraqitet i diskutueshëm, sepse Konica, përveçse kishte një kulturë perëndimore, barte me vete edhe një trashëgimi orientale. Ai ishte bej dhe këtë ndonjëherë do ta theksonte me mburrje. Kjo traditë orientale, përfshirë rregullat e jetës dhe të marrëdhënieve brenda familjes, lejonte martesa të tilla, çfarë kishte bërë edhe Naimi. Përveç kësaj, nga bëmat jetësore të Konicës nuk është vështirë të kuptohet se ai nuk ishte ndonjë puritan, siç e thotë edhe vetë.

Atëherë, ku qëndron arsyeja e gjykimit të këtillë negativ për Naimin? Mendoj se janë dy arsye për këtë: E para, natyra prej të rebeluari e bën Konicën të prirë për të rrënuar mite dhe tabu. Duke marrë parasysh se çfarë thoshte, ta zëmë, Çajupi me rastin e vdekjes së Naimit, del qartë se Naimi që atëherë ishte identifikuar si poeti më i madh shqiptar, pra ishte bërë një mit, ishte idealizuar tej mase. Konica mund të mos i honepste panagjërikët e kësaj natyre dhe, duke qenë natyrë kundërshtuese, gjykimin për Naimin mund ta ketë shprehur duke u mbështetur mbi këtë predispozitë. E dyta, që mendoj që është më e rëndësishmja, kjo armiqësi e Konicës me Naimin lidhet me një incident politik. Nga një letër që Naimi dhe Samiu i shkruanin Murat Toptanit, mund të kuptohen dy gjëra esenciale: se Konica, me qëllim të shpërndarjes së “Albanias” në Shqipëri paska qenë i gatshëm t’i bënte koncesione të mëdha Turqisë dhe se Naimi në atë kohë bënte punën e censorit në organet e qeverisë turke. Që të dy nuk dalin shumë të lavdëruar në këtë punë. Por, është shumë e mundshme që Konica, me lidhje shumë të forta gjithandej në Shqipëri dhe Stamboll, duhet ta ketë marrë vesh se refuzimi për shpërndarjen e “Albanias” mund t’i kishte ardhur pikërisht nga Naimi. Dhe, për aq sa e njohim karakterin e tij, kjo duhet ta ketë tërbuar dhe ta ketë çuar deri në urrejtje. Mirëpo, për Samiun, i cili në letrën e përmendur ndan mendimin negativ për Konicën, thotë se ishte “një mëmdhetar i thellë që e kapërcen Spinozën”, gjë që bën të supozohet se Konica tërë mëkatin për mosshpërndarjen e “Albanias” në Shqipëri duket se ia kishte lënë Naimit.

Megjithatë, dilema mbetet: Përse, pra, Konica nuk e pëlqeu Naimin, sepse mendimin negativ për njërin nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe ai përsërit edhe më vonë, më 1937, kur kishin kaluar shumë vjet nga incidenti që përmendëm.

Dilema e dytë

Dilema e dytë ka të bëjë me fenë. Konica shprehet se shqiptarët nuk duhen ndarë sipas feve. Por, në një shkrim të vitit 1908, Konica thotë se shqiptarët duhet të bëhen të krishterë, që Evropa ta pranojë bërjen e Shqipërisë shtet. Është koha e trazimeve të mëdha në Turqi. Aleanca me xhonturqit shqiptarëve nuk iu solli asgjë të mirë. Siç do të shihet edhe nga Kuvendi i Gerçës, po edhe nga dëshmitë e tjera të kohës, paria shqiptare, përfshirë edhe një pjesë të intelektualëve, besonin fort se reformat e xhonturqve mund të çonin te një autonomi dhe pastaj, gradualisht, te bërja e shtetit shqiptar. Fundja, ideja e autonomisë vinte që nga Lidhja e Prizrenit. Ndër shqiptarët, siç dihet, nuk ishin të paktë ata që u zhgënjyen me xhonturqit. Nga ana tjetër, është krejt e besueshme se pavarësia e Shqipërisë nuk gëzonte një mbështetje në qarqet politike dhe diplomatike evropiane, nga frika se Shqipëria do të bëhej një “Turqi e vogël” në Evropë, siç thuhej atëherë. Konica, që i njihte mirë këto zhvillime, arrin te një zgjidhje e pamundshme, por që do të lërë gjurmë në mendimin politik shqiptar gjatë gjithë shekullit XX: që shqiptarët të bëhen të krishterë, në mënyrë që të gëzojnë mbështetjen e Evropës. Deri më tani mbetet e pasqaruar, pra një dilemë, nëse Konica u shpreh në këtë mënyrë i nxitur nga një situatë e rëndë politike, apo është kjo një bindje që ai do ta ushqejë edhe më vonë. Më sa kuptohet, Konica, ndonëse shkroi me pseudonime të ndryshme, nuk përvetësoi si të qëndrueshëm ndonjë emër që do ta largonte nga trashëgimia orientale, por, përkundrazi, ai e ruajti deri në fund të jetës titullin e kësaj trashëgimie, “bej”, madje edhe atëherë kur për këtë nuk kishte edhe shumë nevojë.

Por, megjithatë, dilema mbetet.

Dilema e tretë

Në librin “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, Konica bën përshkrime etnografike-historike të hapësirës shqiptare, që nga Konica e deri në veri të Shqipërisë, zonë pas zone. Venerimet e tij historike-etnografike asnjëherë nuk dalin jashtë territorit të përfshirë nga Shqipëria e Versajës, me përjashtim të vendlindjes së tij, Konicës, e cila kishte mbetur nën Greqi. Libri, sikundër e shpjegon vetë Konica, kishte pretendime të mëdha: duhej të ishte një letërnjoftim i Shqipërisë në botën perëndimore. Përse, pra, në këtë libër Konica hesht me aq ngulm për çdo gjë që del jashtë kufirit të Shqipërisë si shtet? Nëse kjo ka të bëjë me Shqipërinë dhe jo me shqiptarët, ashtu sikundër shihet nga titulli, atëherë, përse në libër përfshihet edhe Konica, në një kohë që viset e tjera të banuara me shqiptarët lihen anash? Dihej edhe atëherë se Kosova dhe viset e tjera të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë kishin rëndësi shumë më të madhe politike dhe kombëtare sesa Konica e tij. Pejën, Gjakovën, Prizrenin në një tekst të mëhershëm ai i quan “zemra e Shqipërisë”. Është e njohur se Faik Konica kishte dije politike dhe diplomatike dhe është e mundur që në libër donte t’iu ruhej implikimeve diplomatike. Po, përse Konica e tij po, ndërsa Kosova jo?

Pavarësisht se cilat kanë qenë arsyet, mbetet e paqartë, nëse koncepti i Konicës për Shqipërinë e këtillë vinte nga një bindje e përgjithshme se Shqipëria tashmë ishte bërë shtet i vetëmjaftueshëm, apo në krijimin e kësaj bindjeje vetë Konica kishte dhënë kontributin e tij të rëndësishëm. Sido që të jetë, që kjo bindje ishte e përhapur ndjeshëm tek intelektualët e Shqipërisë, pavarësisht ku vepronin ata, e dëshmon edhe teksti i Çabejt “Për gjenezën e literaturës shqipe” botuar te “Hylli i Dritës” më 1938-`39. Shprehimisht ai thotë: “Fytyrën gjeografike të Shqipërisë së sotme, me përjashtim të detit, e karakterizojnë në tërësinë e saj anët malore që e ndajnë nga shtetet fqinje”, duke pretenduar se kufiri i Shqipërisë, përveçse politik, ishte edhe kufi gjeografik, pra natyror. Konica shkon edhe një hap më tej: kufirin e Shqipërisë e sheh edhe si kufi historik dhe etnografik.

Pra, mbetet dilemë përse Konica ishte aq përjashtues rreth Kosovës, veçmas në një tekst që synonte të bëhej i përdorshëm për njohje të thelluar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botën perëndimore.

Dilema e katërt

Kjo dilemë ka të bëjë me raportet që kishte krijuar Konica me burra të ditur të Evropës, përfshirë këtu edhe Apolinerin. Ajo që është thënë deri tani rreth këtyre raporteve, mendoj se është tepër idealizuese dhe nuk i shpjegon disa gjëra. Studimet tona në këtë drejtim janë ndalur në një pikë: që të tregojnë se Konica ishte erudit, se me dije dhe kulturë mund të barabitej me figurat e shquara të letërsisë evropiane. Pa vënë në dyshim asgjë nga ajo që është thënë, mendoj se shqyrtimi i këtyre raporteve duhet të kapë edhe një dimension tjetër, pak më specifik dhe pak më të thelluar.

Është e ditur se, që në fillim të shekullit XIX, aventurierë të ndryshëm të botës perëndimore mësynë Lindjen, që atje të kërkonin, të gjenin dhe të shijonin kënaqësitë e jetës, në një botë që magjepste me ekzotikën e saj. Preteksti mund të ishte i ndryshëm, për poetët frymëzimi, për arkeologët historia, për tregtarët përfitimi. Por e vërteta është se bota mondane dhe koloniale e Evropës, e tëhuajësuar dhe e velur nga tradita e mbyllur, kërkonte të dilte nga sjellja në rreth. Ekzotika dhe potenca lindore joshën njerëz të ndryshëm, që të futeshin në aventura ndonjëherë të denja për analiza të libidos së tyre. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe prapa, Evropa Perëndimore u bë edhe mikpritëse veçmas e djemërisë lindore, të cilët u bënë frekuentues të rregullt të salloneve mondane të shoqërisë së lartë. Preteksti mund të ishte gjithfarësh, përfshirë edhe pasionin për aventurë, por në esencë ata krijuan lidhjet kulturore ndërmjet dy botëve.

Po e kundruam, tani, këtë rrethanë në kontekst të Konicës, është e kuptueshme se futja e tij në shoqërinë e lartë evropiane kishte në prapavijë edhe kontekstin që e përmendëm më lart. Konica ishte djalë i ri, i pashëm, ishte bej dhe vinte nga perandoria e madhe e Turqisë. Se ishte shqiptar, mund të kuptohej më vonë. Me këtë paraqitje, sikundër edhe me mprehtësinë dhe intelektin, ai do të përfitojë shumë: do të arrijë të bëhet i pranueshëm në shoqërinë e lartë. Thënë shkurt, do parë edhe njëherë, nëse marrëdhëniet e tij me Apolinerin vinin nga pasioni i dy njerëzve të ditur për poezinë dhe për gjëra të tjera që i preokuponin intelektualisht, apo ishin marrëdhënie që i tejkalojnë raportet intelektuale ndërmjet dy burrave. Dy janë arsyet që të nxisin dilemën: e para, mënyra si e përshkruan Konicën poeti i njohur (aty ka shumë ndjenjë dhe shumë më pak racionalitet) dhe, e dyta, vetë Konica sikur i hesht këto raporte, veçmas nga sytë e shqiptarëve. Nga ana tjetër, Apolineri thotë se largimi i Konicës ishte i befasishëm dhe është i bindur se nuk do ta shihte kurrë më, sikundër as letra nuk do të merrte më prej tij. Pse? Nga e dinte këtë Apolineri? Shpjegimi i mundshëm është se marrëdhëniet e tyre, që duket se nuk kishin qenë vetëm intelektuale, ishin prishur përfundimisht. Nga ana tjetër, mbyllja e kapitullit të aventurave evropiane të Konicës me një largim të përnjëhershëm në Amerikë, përveçse me politikë dhe me dijeninë se kontinenti i ri po bëhej qendër e re botës, lidhet edhe me dy fakte: e para, Konica tashmë kishte arritur një moshë jofunksionale për aventura, prandaj për ta mbyllur këtë kapitull duhej të zhvendosej në një kontinent tjetër; dhe e dyta, në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, shoqëria evropiane kishte pësuar ndryshime të mëdha dhe nuk e kishte as moralin, as mendësinë dhe as preokupimet e fundit të shekullit XIX. Prandaj, Konica kërkon dhe gjen një botë të re, një hapësirë të re dhe, natyrisht, një moral të ri. Dhe një vend ku mund të harronte dhe të ishte i harruar. Nëse ka qenë kështu e unë vetëm shfaq një dilemë se mund të ketë qenë edhe kështu, atëherë kësaj mendoj se i duhet shtuar edhe fakti se Konica assesi nuk duhet gjykuar për këtë, por vetëm duhet parë në dritë të plotë personaliteti i tij.

Në mbyllje

Studimet e thelluara për Konicën, për jetën dhe veprën e tij, mendoj se duhet të japin përgjigje edhe në këto dilema, por edhe në dilema të tjera, të cilat zakonisht ne nuk i sqarojmë, sepse jemi të prirur të ruajmë njëfarë “pastërtie morale” të personaliteteve historike dhe kulturore, duke bërë prej tyre jo vetëm njerëz të idealizuar, por të tillë që nuk shëmbëllejnë me njerëzit që kanë jetuar në këtë botë. Nëse insistojmë në sqarimin e dilemave të këtilla, tejkalojmë shkallën e tanishme të studimeve pozitiviste./ KultPlus.com

Reja e pazakontë që mbuloi qytetin (VIDEO)

Mediat botërore shkruajnë se populli i Argjentinës u befasua nga një re të çuditshme në formë tubi.

Ato nuk janë të zakonshme në Amerikën e Jugut, por mund të shihen edhe në Uruguaj.

Shumë qytetarë kapën celularët e tyre dhe regjistruan momentin për ta ndarë më vonë në rrjetet sociale. Lajmi u bë viral.

https://www.youtube.com/watch?v=Ox7csag71Mk&t=79s

Prezantohen projektet ideore për Sallën Koncertale në Prishtinë, fituesi shpallet pas një jave

Në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës sot u mbajt konferencë për media ku u prezantuan projektet ideore të cilat i janë përgjigjur konkursit për projektimin e Sallës Koncertale, shkruan KultPlus.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në fillim të kësaj konference ka potencuar që kjo është ndër të paktat herë ku në vend të privatizimit, një institucion publik ka blerë pronë dhe ka rritë pasurinë.

Tutje ai ka folur për diskutimet e shumta që janë ngritur për Sallën Koncertale, por sipas tij tashmë po bëhet më e mira e mundshme.

“Kemi pasur diskutime të shumta me arkitektë dhe në fund kemi vendosur detyrën projektuese, ideja ka qenë që të ruhet sa më shumë identiteti dhe memoria, por në anën tjetër sikurse edhe shumë qytete të tjera, posaçërisht në Evropë, ku investohet në ndërtesa, ruhet trashëgimia kulturore por bëhet intervenimi në atë  mënyrë që të kemi edhe memorien por edhe diçka që mund të përdoret për kohët moderne”, potencoi Ahmeti duke treguar për insistimin e tyre që t’i ruajnë vlerat e kësaj ndërtese.

“Ideja jonë është të vendoset për më të mirën dhe ta ndërtojmë po të njëjtën. Besoj që në momentin që vendos komisioni, ne do të shohim mundësinë buxhetore dhe ta vendosim për tender menjëherë në mënyrë që të fillojë ndërtimi menjëherë”, thotë Ahmeti.

Tutje gjatë konferencës u tregua që juria nuk do të jetë e Komunës së Prishtinës duke e mbrojtur veten nga ndikimet politike. Gjithashtu u tregua që pjesë e jurisë do të jenë edhe tre profesorë ndërkombëtarë, dy nga shoqata e arkitektëve dhe një anëtar të Komunës dhe  një nga Instituti për mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore.

Ahmeti para gazetarëve sot prezantoi tre propozimet që ju kanë ardhur me kohë dhe një propozim nga jashtë por i cili është në shqyrtim pasi nuk dihet nëse ka ardhur me kohë.

Përmes dy videove dhe maketave u prezantuan projektet ideore por pa u ditur se kush është kompania, sepse projektet janë dërguar me shifër.

“Mendoj që janë zgjidhje fenomenale”, u shpreh Ahmeti duke potencuar që nuk ka asnjë ndikim në këtë konkurs dhe përzgjedhjen e projektit.

Më pas nëpërmjet një ekrani u prezantuan projektet në fjalë.

“Garantojmë që përzgjedhja do të bëhet më e mira”, tha Ahmeti.

“Kam pritur numër më të madh të propozimeve, por jam shumë i kënaqur me këto që kanë ardhur. Besoj që javën e ardhshme do të bëhet përzgjedhja dhe do të ju njoftojmë për procedurat në vazhdim”, u shpreh Ahmeti.

Këto materiale do të publikohen edhe në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës, deri më sot nuk ka fitues dhe kjo gjë është në diskutim, e fituesi do të shpaloset pas një jave. / KultPlus.com

Fotomontazhi i artistit sirian, për pak orë u pëlqye dhe u shpërnda nga mijëra njerëz

Artisti Tammam Azzam i lindur në Damask në vitin 1980, u largua nga Siria në vitin 2011.

Disa vjet më vonë ai e publikoi fotomontazhin e tij ku e kishte vendosur pikturën ikonike të Klimt “The Kiss” në një ndërtesë të shkatërruar nga konflikti i armatosur në Siri, shkruan Klan Kosova.

Vetëm brenda 5 orëve, vepra e Azzam është pëlqyer nga mbi 20 mijë njerëz dhe është shpërndarë 14 mijë herë.

Kujtojmë se “The Kiss” është kryevepër e piktorit të mirënjohur austriak, Gustav Klimt.

Presidenti Joe Biden: Shpresoj që më 4 korrik do të festojmë edhe pavarësinë prej Covid 19

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka thënë se shpreson që Amerika mund të shënojë pavarësinë nga Covid 19, pikërisht më 4 korrik, nëse popullata vaksinohet, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.

Në konferencën e parë si president i SHBA-ve, ai ka thënë se do të urdhërojë të gjitha shtetet që të bëjnë vaksinimin e të rriturve deri më 1 maj.

Masat aktuale për anti Covid janë duke i dhënë përparësi moshave më të shtyra dhe personelit shëndetësor.

Biden ka thënë se nëse realizohet qëllimi, atëherë më 4 korrik do të jetë mundësia që familjet amerikane, bashkë me miqtë e tyre të festojnë në oborret e tyre me një gatim ose një Barbecue. / KultPlus.com

Mediumi izraelit: Kosova të hënën do ta hapë ambasadën në Jerusalem

Kosova pritet që shumë shpejt të bëhet vendi i radhës që hap një ambasadë në Jerusalem.

Madje “Israel Hayom“ka mësuar se diplomatët e vjetër nga të dy vendet do të marrin pjesë në ceremoninë e shënimit të hapjes së ambasadës që do të mbahet të hënën në Jerusalemin qendror.

Ky medium vë në pah faktin se të enjten, ministri i Jashtëm, Gabi Ashkenazi, si dhe kryeministri çek Andrej Babis ishin të pranishëm ndërsa Republika Çeke “pagëzoi” një degë të re të ambasadës së saj në këtë qytet.

Gjithashtu të enjten, thekson tutje ky medium, kryeministri Benjamin Netanyahu mbajti një samit me Babis dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban.

“Netanyahu vlerësoi të dy vendet për veprimin e hapjes së zyrave zyrtare në Jeruzalem dhe tha se Izraeli i vlerëson ‘ata që na ndihmojnë në skenën ndërkombëtare, siç bëjnë miqtë e vërtetë’”./ KultPlus.com

Ferrët e qilimave, Jakupi me Jipin po shndërrojnë lojën kompjuterike në qilima shqiptarë

Njëmbëdhjetë vjeçari Jip Ferri nëpërmjet një loje kompjuterike ka inspiruar babain e tij Jakup Ferrin, që ky i fundit të lidhë teknologjinë e fundit me traditën shqiptare në një projekt, dhe kjo ide tashmë ka futë vekun në punë, për finalizimin e këtij projekti që do të përfundojnë në qilima, shkruan KultPlus.

Artisti i njohur Jakup Ferri, i cili është i njohur për artin e tij të veçantë, ka treguar për KultPlus se djali i tij luan në një lojë kompjuterike e njohur si Animal Crossing, dhe dizajnet e kësaj loje që i bën Jipi për veshjen e karaktereve të cilat i luan, dalëngadalë po marin formën e artit, që për Ferrin nuk është hera e parë që e praktikon.

Pamje nga veshja e karaktereve në videolojëra nga Jip Ferri

“Jipi, djali im i luan disa lojëra kompjuterike, dhe e pash se si i dizajnonte sa me qejf e lehtë, edhe pse nuk është se i intereson shumë arti. E unë gjithmonë kam dëshirë që punët e mia të kenë një bazë, dhe mbi këtë fakt e pyeta edhe djalin tim se nëse është i gatshëm të nisim këtë punë bashkë”, ka treguar Ferri për KultPlus, i cili ka shpjeguar më tej se dizajnet e Jipit në këtë lojë, janë ndërlidhur në një linjë  me trashëgiminë e teknologjinë moderne, dhe kjo ide sot ka rezultuar me finalizimin e qilimit të parë, që janë duke u punuar nga disa gra në një fshat të Veriut të Shqipërisë.

Pamje nga qilimi i punuar, i bazuar në dizajnët e Jip Ferrit, qilima që janë duke u punuar në Veri të Shqipërisë

Të porositura tashmë 20 qilima me dizajnë të ndryshëm, Ferri tregon se një përvojë me qilimat e ka edhe me babain e tij, artistin e njohur Rexhep Ferrin, të cilën e patën realizuar para shumë viteve në Krujë.  

Jakup e Jip Ferri

Jakup Ferri i njohur si koleksionues i madh i gjërave të ndryshme që e provokojnë artin e tij, i njohur poashtu edhe për artin e tij të prezantuar në hapësira të ndryshme të artit, për projektin e fundit ka thënë që ende nuk e di formën e prezantimit të këtyre qilimave, pos asaj se dimensionet e këtyre qilimave janë prej dy metrave.

Jip Ferri

Ai ka treguar edhe në këtë intervistë se më shumë e gëzon fakti i krijimit të një projekti të ri, se sa që merret me shitjen e tyre, pasi që, sipas tij, nga krejt veprat e realizuara deri më tash, nuk është i sigurt se nëse 20 % e punimeve të tij i ka shitur, sepse nuk është i fokusuar shumë në këtë pjesë.

Ferri nuk e përjashton mundësinë për të vënë kontaktin edhe me përgjegjësit e kësaj videoloje, për ti njoftuar për ndërlidhjen që ka bërë me këtë projekt, e që pikënisjen e ka nga Jipi i tij./ KultPlus.com

Thirrje për Çmimin e BE-së për Integrimin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve

Bashkësia Evropiane ka hapë thirrjen për nominim për çmimin e BE-së për Integrimin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, 2021, shkruan KultPlus.

“Komunitetet e margjinalizuara ende përballen me forma të rënda të racizmit, diskriminimit, përjashtimit social dhe varfërisë. Përmirësimi i barazisë, përfshirjes dhe pjesëmarrjes së tyre vazhdon të jetë një prioritet kryesor për Komisionin Evropian dhe një kriter për progresin në rrugën e zgjerimit. Andaj që nga viti 2014, Çmimi BE-së për Integrimin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve ofron njohje, publicitet dhe mbështetje për modelet pozitive që tregojnë rezultate të prekshme në fushën e Integrimit të këtyre komuniteteve”, thuhet në njoftimin e kësaj thirrje.

Kurse çmimi dhe objektivi i tij, këtë vit çmimi i BE-së do të promovojë nisma private ose publike që kanë arritur një kontribut të jashtëzakonshëm në punësimin e qëndrueshëm të komuniteteve, si një mekanizëm për të dalë nga rrethi i përjashtimit. Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave të komuniteteve në fushën e punësimit do të jetë një dimension i rëndësishëm.

“Një panel i pavarur vlerësimi do të shqyrtojë aplikimet dhe do të zgjedhë fituesit e çmimit.

Të gjithë fituesit e çmimeve do të marrin njohje ndërkombëtare nëpërmjet ceremonisë së ndarjes së çmimeve, e cila, nëse e lejojnë kushtet, do të mbahet në Bruksel dhe do të fitojnë pjesëmarrje në një vizitë studimore në Madrid me temën “Aksesi në punësim për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët”.
Gjithashtu, të gjithë fituesit e çmimeve mund të marrin më tej mbështetje financiare deri në 7500 Euro”, thuhet në këtë njoftim.

Më tej bëhet e ditur se çmimi është i hapur për institucionet publike dhe private, ndërmarrjet dhe bizneset, punëdhënësit, (duke përfshirë por pa u kufizuar tek NVM-të, bizneset sociale, iniciativat e sipërmarrjes dhe iniciativat e tjera të punësimit); mësuesit, gazetarët, përfaqësuesit e kujdesit shëndetësor dhe shoqëria civile (organizata dhe individë). Të jenë të vendosur/rezidentë në Kosovë.
Konkurrimi është i hapur për nominime dhe për vetë-nominime.  Aktivitetet që do të vlerësohen me çmime (qoftë nëpërmjet një çmimi monetar dhe jo-monetar) duhet të kenë arritur rezultate, ose të kenë ofruar potencial të mirë për të kontribuar në rritjen e nivelit ose cilësisë së punësimit të komuniteteve të margjinalizuara.


Organizatorët kanë bërë të ditur se aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet formularit të dedikuar të aplikimit dhe duhet të jenë të lexueshëm, të qasshëm dhe të printueshëm.

KultPlus ju sjell më poshtë edhe kriteret tjera për mënyrën e aplikimit në këtë thirrje:


Një aplikim konsiderohet i vlefshëm, kur plotësohet siç duhet së bashku me Deklaratën e Nderit.
Aplikimet duhet të dorëzohen së bashku me dokumentacionin përkatës, të tilla si fotografi, videoklipe të shkurtra (maksimumi 5 minuta) ose të ngjashme.
Vetëm një aplikim mund të paraqitet për aplikant. Në rast të aplikimeve të shumëfishta, aplikanti do të skualifikohet.

Dokumentet mbështetëse:

– Videoklipe, fotografi;

– Publikime (fletëpalosje, broshura etj, të cilat promovojnë iniciativën /projektin);

– Linqe me faqet e internetit të lidhura me iniciativën / projektin (që do të përmenden në formularin e aplikimit)
– Mbulimin mediatik (nëse ka);

Gjuha:

Gjuha e përdorur si për aplikimet edhe për nominimet është gjuha angleze.

Dokumentet mbështetëse mund të jenë në gjuhë të ndryshme, megjithatë versionet në anglisht do të vlerësohen.

Afatet:

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve dhe nominimeve, së bashku me dokumentet e tjera përkatëse, është data 30 prill 2021, ora 23:59 me kohën lokale.

Paraqitja:

Dorëzimi i aplikimeve (nominimeve dhe vetë-nominimeve) do të kryhet nëpërmjet postës elektronike në adresën: [email protected].

Titulli i emailit duhet të përmbajë inicialet e aplikantit dhe shtetin e origjinës./ KultPlus.com



Ekspozitë për 40-të vjetorin e demonstratave të ’81, vendosen edhe themelet e monumentit për këtë kryengritje

Fotografi, aktgjykime nga procese të ndryshme, lajme gazetash dhe revistash legale dhe ilegale, raporte të shkrimeve nga media të huaja, pankarta dhe parulla ishin prezantuar brenda ekspozitës “Vullkani i Republikës”, ekspozitë kjo që është organizuar në Mensën të 40 vjetorit të demonstratave të vitit 1981, shkruan KultPlus.

Vizitorët e shumtë patën rastin të shohin nga afër dokumente që ishin shpërndarë gjatë viteve të 80-ta, gjithandej nëpër Kosovë.

Në këtë ekspozitë ishte e pranishme edhe ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Vlora Dumoshi, kryetarë të komunave të Kosovës, sikurse edhe përfaqësues nga parti dhe shoqata të ndryshme.

Kryetari i Këshillit Organizativ “Pranvera Shqiptare 81”, Hydajet Hyseni kujtoi dhe vlerësoi mundin e sakrificës së pjesëmarrësve në demonstrata. “Në të kaluarën shqiptare, marsi ka pasur një domethënie gjithmonë të veçantë. Ishte diçka mes acarit dhe pranverës që po vinte, mes dimrit dhe asaj që po sillte behari”, ka thënë Hyseni mes të tjerash për këtë ngjarje që filloi pikërisht në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, aty ku sot Agjencia Shtetërore e Arkivave bëri hapjen e ekspozitës.

Këto demonstrata erdhën si rrjedhojë e pakënaqësive që studentët kishin me masat e pushtetit. Duke mos u mjaftuar me kaq, situata kishte eskaluar dhe revolta ishte shtrirë nëpër rrugë të ndryshme të Prishtinës. Demonstrata ishte mirëpritur dhe ishte përkrahur edhe nga pjesa më e madhe e rinisë për të vazhduar shtrirjen e saj deri në momentin kur u bë demonstratë gjithëpërfshirëse për nga mosha, përkatësia sociale, dhe për nga synimet politike e cila nuk do të ndalonte deri në vitet 1999.

Kishte nisur si protestë por që brenda dy muajsh kishte kaluar në kryengritje. Sigurisht se pas kësaj ngjarjeje kishin pasuar edhe dënimet nga më të rëndat për pjesëmarrësit e kësaj demonstrate nga radhët e pushtetit jugosllav.  

Ndërkohyë, në këtë ekspozitë ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti i cili edhe ka dhënë lejen për ngritjen e monumentit,  që sot u hodhën themelet e tij. Arsyeja e vendosjes së këtij monumenti në ambientet pranë Qendrës së Studentëve në Prishtinë ishte pikërisht fillimi i këtyre demonstratave brenda ambienteve të mensës.

“Dilemat për vendosjen e monumentit ishin mes Qendrës së Studentëve,  Kuvendit të Kosovës dhe Qendrës së qytetit. Kudo që ta vendosnim nuk do të gabonim, sepse demonstratat e ‘81 kanë qenë bazë e shtetit të Kosovës. Jo vetëm nga çfarë u kërkua në ato demonstrata por ishin shenjë e një populli që jeton” ka thënë Ahmeti.

Në këtë event i ftuar ishte edhe Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Maqedonisë Fazli Veliu,  pasi që pjesëmarrës të kësaj lëvizjeje mbarëkombëtare kishin qenë edhe pjesëmarrës nga troje të tjera shqiptare.

Veliu kujtoi edhe veprën madhore të  Adem Demaçit  “Gjarpinjt e gjakut” që kishte një domethënie të veçantë për kombin. Pas fjalimeve që shënuan hapjen e kësaj ekspozite të pranishmit patën mundësinë të njiheshin më nga afër me këto dokumente të cilat shënojnë histori për popullin tonë.

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më datë 13 të këtij muaji./ KultPlus.com

Susan Sarandon: Dua të lidhem me dikë që është vaksinuar kundër Covid-19

Aktorja Susan Sarandon ka folur së fundmi për jetën e saj personale.

E ftuar në emisionin “Divorced Not Dead”, aktorja u shpreh që dëshiron të ketë një partner , por me një kusht.Ajo dëshiron që partneri i saj të jetë vaksinuar kundër Covid-19.

“Dua të njoh dikë që është vaksinuar për COVID-19.Nuk më intereson nëse është një burrë apo grua. Dua të them, unë jam e hapur për të gjitha moshat, me të gjitha ngjyrat. Dhe ato për mua, ato gjëra janë thjesht detaje.Por ajo që më intereson është dikush që dëshiron të jetë aventuresk”, u shpreh Susan.Ajo gjithashtu tregoi se nuk po kërkon të krijojë familje, pasi tashmë ka katër fëmijë të rritur./ KultPlus.com

Dorëzohet Spanja: Kosovës do t’ia respektojë të gjitha simbolet

Qeveria e Spanjës do të lejojë që Kosova të luajë me flamurin dhe himnin e saj në ndeshjen kualifikuese të futbollit për Botëror.

Kosovarët prisnin ndeshjen me Spanjën plot entuziazëm, sepse për kombëtaren që nisi para pak vitesh ndeshjet ndërkombëtare, Spanja paraqet një prej mbretërive të futbollit në Evropë.   

Mirëpo, Federata e Futbollit të Spanjës, përmes një postimi në Twitter tregoi se nuk do të ishte aq miqësore. Ata i referoheshin shtetit kosovar si “territor i Kosovës”.

E tash, mediumi spanjoll El Konfidencial shkruan se Spanja do ta presë Kosovën, duke ia respektuar të gjithë simbolet e shtetit të pavarur, transmeton Gazeta Express.

Mediumi shkruan se ky është një hap në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi Spanja, e cila bën pjesë në pesë shtetet e Bashkimit Evropian, që refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Ministria e Punëves të Jashtme të Spanjës, të cilën e citon mediumi, thotë se “politikisht kjo nuk e ndryshon pozicionin e Spanjës për Kosovën as edhe një centimetër”.

Në nëntor 2018, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërcënoi të përjashtonte Spanjën nga gara për vendosjen e pengesave në pjesëmarrjen e Kosovës, duke detyruar një përjashtim emergjent me garat Olimpike të mbuluara nga një dekret mbretëror i vitit 1982.

Mediumi spanjoll shkruan se tash janë FIFA dhe UEFA që e detyruan Spanjën të pranojë me vendosjen e të gjithë simboleve kosovare në Sevilje, ku do të luhet ndeshja.

Federata Spanjolle iu referohej Kosovës si “një territor” në rrjetet sociale, e kjo nxiti reagim të menjëhershëm nga rivali i saj i ardhshëm në fushë.

“Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kotë dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër”, shkroi federata kosovare në një komunikatë, të cilën e citon mediumi spanjoll.

Kosova është në grupin B për kualifikime në botërorin e vitit 2022, bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë  /Express/ KultPlus.com

Osmani: Në vitin 1981, refuzimi i pjatave në Mensën e Universitetit të Prishtinës, shënoi kthesë historike

Vjosa Osmani, presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës ka kujtuar 11 marsin, ditën kur ka filluar shpirti rebelues i studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët thyen pjatat në mes të Mensës së Studentëve, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj.

40- vjet më parë, më 11 mars 1981, refuzimi i pjatave në Mensën e Universitetit të Prishtinës nga rinia studentore e Kosovës, shënoi fillimin e demonstratave, të cilat ishin kthesë historike jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë.

Kjo revoltë “e bukës”, u shndërrua gradualisht në lëvizje rezistence për të drejta përmbajtësore politike për shqiptarët dhe shënoi fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Prej këtu, thirrja për Republikë u shndërrua në kauzë jo vetëm për përmirësimin e pozitës politike të shqiptarëve, por edhe për shtetin, të cilin sot e gëzojmë.

Ky shpirt studentor, mbajti gjallë përpjekjen për liri e pavarësi, për Republikën, të cilën e bëmë realitet dhe të cilën duhet ta forcojmë edhe më tej.

Si çdoherë studentët i kanë paraprirë ndryshimeve në Kosovë. Ky ndryshim tashmë është realitet, ndaj sikur dikur kur ishin studentët që na unifikuan në kërkesën tonë për shtet, sot kemi nevojë sërish për një unitet të tillë që ta forcojmë shtetin e Kosovës, ta lartësojmë imazhin e tij dhe ta bëjmë një vend perspektive për rininë tonë!/ KultPlus.com

Ne nënat e sotme, jemi edhe më heroina se nënat e gjyshet tona

Nga: Klodi Smajlaj

Sa herë që flitet për rritje të fëmijëve, në vesh më kumbojnë fjalët që ngrejnë lart heroizmin e nënave e të gjysheve tona. Një heroizëm aq i ekzagjeruar ndonjëherë, saqë kur i krahason bëmat e tua me të tyret, të duket vetja një nënë koti.

Në këtë post nuk kam ndërmend ta hedh poshtë heroizmin e tyre, veçse dua ta them me të madhe se ne, nënat e sotme, jemi edhe më heroina se nënat e gjyshet tona.

Është e vërtetë se nënat tona kanë pasur shqetësim të vetëm të na mbushnin barkun, në një kohë kur bukë kishte pak e fëmijë shumë, por të shkretat nëna të sotme janë në strapacim të përditshëm për t’u servirur fëmijëve të tyre ushqime me sa më pak toksina e sa më shumë bio. Janë në strapacim të përditshëm për t’u krijuar atyre sa më shumë variacion gatimesh në shtëpi, në mënyrë që ata të mos tundohen nga helmet e mbështjella si ushqime që shiten nëpër dyqane.

Është e vërtetë se nënat e gjyshet tona mundoheshin shumë duke i larë me dorë rrobat, por fati i tyre i madh qe se të gjithë fëmijët visheshin njëlloj. Atë që kishte njëri, e kishin të gjithë. Nënat e sotme vuajnë një presion të vazhdueshëm, që fëmijët u bëjnë në trajtë kërkesash. “O ma, shokët e mi kanë atlete firmato, unë vesh atlete 20 mijë lekshe!”, “O ma, shoqet e mia blejnë fustane ke Myslym Shyri, e unë vesh këto t’falmet”.

Një presion pa fund që të artikulohet në forma të ndryshme çdo ditë. E në fund të ditës, aq shumë t’i kanë përsëritur të njëjtat gjëra, saqë ti përfundon duke ndjerë keqardhje se nuk po ua plotëson dot të gjitha ashtu siç duan, ndonëse brenda vetes tënde e di se po bën maksimumin.

Është e vërtetë se nënat tona patën shumë fëmijë dhe kishin lodhje të madhe fizike duke u shërbyer, por ato nuk e njihnin lodhjen mendore. Ose e njihnin krejt pak. Nuk e dinin se çfarë ishte stresi, depresioni, bulizmi, bipolariteti. Nuk e kishin frikën e fundmuajit, të faturave, të qerasë, të kredisë, të heqjes nga puna. Asnjërën nga këto.

Nënat e sotme, përveç lodhjes fizike me turne, vuajnë mbi kurriz një lodhje tejet të madhe mendore. I lodh edhe lodhja mendore e fëmijëve. Duke qenë se i ka zënë mamllëku në epokën e internetit, ato janë të detyruara ndonjëherë, që të lexojnë me qindra faqe tekstesh psikologjike për t’u ardhur në ndihmë atyre.

Ja psh se ç’mund të heqë një nënë e adoleshentit të sotëm.

Adoleshenti i ngjan një mine me sahat, që ti ke frikë se do të shpërthejë nga çasti në çast. Ata që kanë vetë adoleshentë në shtëpi, e dinë se për çfarë po flas.

Me fëmijën tënd adoleshent zihesh duke ngrënë bakllava.

Le që ai zihet edhe me mizat që i fluturojnë vërdallë, se me krijesat me dy këmbë po e po.

Kur e ke ndërmend t’i qasesh për t’i folur për diçka, e studion një herë me kujdes nga larg, sheh se si e ka hënën, pastaj avash avaaash, i afrohesh me terezi. Me terezi ëëë, dhe gjithmonë duke mos e hequr nga skenari mundësinë e shpërthimit.

Adoleshenti i sotëm, duke qenë se është i bombarduar nga informacioni, e ka hobi’ që të vetëdiagnostikohet çdo ditë me nga një gjë të re.

Një ditë të thotë se është i stresuar, një ditë tjetër se ka rënë në depresion e pas dy ditësh se ka bipolaritet.

Pasi ia ke shpjeguar me qetësi se kjo është thjesht një fazë delikate që shoqërohet me luhatje emocionale e psikologjike, e që do të kalojë, të dy bini rehat për ca orë.

Të nesërmen, kur kujton se ai e ka harruar tashmë e se ujërat janë qetësuar, ai të vjen e të konfirmon me siguri të plotë, se jo vetëm që ka bipolaritet, por që na e paska edhe të tipit B.

E ti sërish, si nënë, si një qenie me një dashuri e durim të pamatë, ia nis argumentimit nga e para.

Ti e rinis sërish luftën nga e para me mijëra djajtë që i vërtiten fëmijës tënd nga brenda e nga jashtë.

Është një luftë që ngjan e pambarimtë e ku ty të duket se je e vetme.
Por jo! Sa herë që e gjen veten në situata të tilla, dije se me dhjetëra nëna rreth teje e me miliona të tjera në botë, po jetojnë të njëjtën gjë. Po vuajnë të njëjtën gjë. Po përpiqen për të njëjtën gjë.

Nënat tona ishin vërtet heroina se na rritën në fukarallëk. Por përtej kësaj, ato e patën shoqërinë në krah për edukimin e brumosjen tonë me vlera.

Ndërsa nënat e sotme, vërtet mund t’i rrisin fëmijët në bollëk, por e kanë krejt botën kundër kur bëhet fjalë për rrënjosje vlerash te ta.

E megjithatë, ato nuk dorëzohen, por përpiqen që t’i udhëzojnë të shtrenjtët e tyre në atë rrugë që është më e mira për ta. Dhe për mua, ky, pikërisht ky, është heroizmi i vërtetë! / KultPlus.com

“Nënat janë qeniet më të vështira për t’u kuptuar”

Fragment nga vepra “Kukulla” e shkrimtarit Ismail Kadare

Në prill të vitit 1994, im vëlla na lajmëroi nga Tirana se nëna ishte duke dhënë shpirt.

U nisëm të dy me Helenën, me avionin e parë nga Parisi, me shpresë për ta gjetur ende gjallë. Në të vërtetë ishte ende në jetë, por nuk kuptonte asgjë. Ndodhej në koma, në apartamentin e emtës sime, në rrugën “Qemal Stafa”, ku e kishin çuar disa javë më parë, për ta pasur më mirë në kujdes.

Kushëriri im i parë, Besnik Dobi, njeriu që e kishte çuar në krahë gjer tek e motra, pasi më shpjegoi perse e kishte parapëlqyer atë mënyrë bartjeje, për një distance aq të shkurtër, nga Rruga e Dibrës te fillimi i “Qemal Stafes”, shtoi fjalët: Veç kësaj, ajo ishte tepër e lehtë.

Në përpjekje për të sqaruar diçka më tepër, ai përsëriti pak a shumë të njëjtën gjë: e pabesueshme, sa e lehtë ishte! Do të thosha prej letre.

Si një kukull prej letre.

S’isha i sigurt nëse fjalët e fundit ishin të tijat, apo isha une që i kisha menduar, por pata ndjesinë se nuk u habita fort. Thua se të gjitha ato që dëgjoja i dija ndërkaq.

Një skenë e njohur, e përsëritur shpeshherë në banesën tonë, kur vajzat tona loznin kukullash me nënën, më kaloi nëpër mend. E durueshme rrinte midis tyre ndërsa ato i vinin në flokë gjithfarë fjongosh e karficash, pa harruar të përsërisnin: “nënë, mos lëviz!”.

Helenës, merrej me mend që i vinte zor nga një pamje e tillë, por vajzat nuk bindeshin. Nëna s’thotë asgjë, përsërisnin. Asaj i pëlqen, ç’ke ti?

E lehtë. Shkallët prej druri të shtëpisë, zakonisht të ndjesh me, nuk kërcisnin kurrë nga e shkelura e saj. Sepse ashtu si hapat, çdo gjë e kishte të lehtë: veshjen, të folurën, psherëtimën.

Në lagje, e më pas në shkollë, kishim mësuar gjithë ato vjersha për nënën. Kishte gjithashtu vjersha, madje dhe një këngë për ata që s’kishin të tillë, ku fjalët pa nënë përsëriteshin në atë mënyrë që ta këpusnin shpirtin. Nuk dija ndonjë nga shokët e klasës që të mos kishte nënë, ose ndoshta kishte të tillë, por nuk e tregonin. Sipas një shokut tonë, të mos kishe nënë ishte turp, gjë që një tjetër, nga klasa B., e kundërshtonte ngaqë, sipas tij, turp ishte të mos kishe baba. Dy nga shoqet tona, Ylberja me Ela Labovitin, qeshnin me të dy, ngaqë, sipas tyre, jo vetëm ngatërronin fjalën “turp” me “mëshirë”, por nuk kuptonin asgjë nga ato që flisnin.

Sidoqoftë, puna e nënës nuk ishte kaq e thjeshtë, domethë në mjaftonte ta kishe, se të tjerat s’kishin rëndësi. Mund të këndoje gjithë ditën nënë e dashur, nëna ime, më e mira në botë, sa erë e mirë që të vjen, e trululu e tralala, e prapë të mos ishe i kënaqur. Disa, pavarësisht se nuk e thoshin, mërziteshin, ngaqë, në krahasim me të tjerët, nënat e tyre iu dukeshin jo fort të reja, për të mos thënë plaka. Por as kjo s’dukej ndonjë hata në krahasim me rastin e shkollës së lagjes fqinje, ku kishte jo një, por dy nëna të ndara nga burrat. Ose rasti i Pano X., që erdhi duke qarë, ngaqë, rrugës për në shkollë, dikush i kishte thënë “bir i kurvës”, dhe nuk u qetësua veçse kur Ylberja me Ela Labovitin i kishin shpjeguar se kjo s’do të thoshte asgjë dhe se ata që përdomin atë fjalë me “k” për nënat e të tjerëve, mund ta kishin vetë mizën nën kësulë.

Shumë shpejt do ta kapja se unë gjithashtu kisha një problem me nënën, por ai ishte tepër larg nga ato që përmenda. Kishte të bënte kryesisht me lehtësinë, me atë që më pas do të më dukej si ana prej letre apo prej gipsi e saj. Në fillim turbull, pastaj përherë e më qartë po kuptoja se ato që pothuajse nuk mungonin kurrë në vjershat dhe këngët për nënat: qumështi, gjiri, aroma, ngrohtësia e amësisë, s’e kisha lehtë t’i gjeja tek ime më.

S’ishte punë ftohtësie. Dhembshuria e saj ndihej që larg. Kujdesi gjithashtu. Mungesa ishte gjetkë dhe, siç do ta kuptoja më vonë, kishte të bënte me pengesën e shfaqjes, e kapërcimit të një pragu që, me sa dukej, ajo e kishte të pamundur.

Shkurt, qysh herët e kam ndier se nëna ime, më shumë se atyre të vjershave, i ngjante një lloj vizatimi apo skicimi, prej të cilit nuk dilte dot. Edhe bardhësia e fytyrës së saj, sidomos kur vinte sqafill, siç ia kishte mësuar Kako Pinoja, stolisësja e famshme e nuseve të Gjirokastrës, shtëpia e së cilës ishte pothuajse ngjitur me tonën, pra, edhe bardhësia e saj kishte ngrirjen dhe moskuptimin prej maske. Më pas, kur gjatë një udhëtimi në Japoni do të shihja për herë të parë një shfaqje të teatrit tabuki, bardhësia e fytyrave të aktoreve do të më dukej si diçka e njohur. Ishte e njëjta e fshehtë si ajo e nënës sime, një mister prej kukulle, por pa tmerr.

Në të njëjtin stil, si në filmat vizatimorë, ishin lotët e saj. Në shumicën e rasteve nuk e kisha kuptuar arsyen e tyre. Ashtu siç nuk e kuptoja dot se si ishte e mundur që vite me radhë nuk e kisha ndier kurrë të hynte a të dilte në tualet, thua se nuk shkonte kurrë atje.

Nënat janë qeniet më të vështira për t’u kuptuar, më thoshte gjatë një darke në Paris Andrei Voznjesenski. Ishim të ftuar të dy me Helenën tek Alain Bosquet, kur, midis të tjerash, e pyeta diçka për ca vargje të tij që kishin bërë bujë, të shkruara në trajtë gjysmë anagrami. Midis tyre ishte një varg ku fjala nënë, rusisht mat (shoqëruar me shenjën zbutëse), përsëritej tri herë: Matmatmüt, kurse herën e katërt ishte vetëm gjysma e saj ma, e cila në fund të vargut, duke u bashkuar me shkronjën “t” të mat (nënës) së fundit, jepte fjalën tma, që do të thoshte terr.

Voznjesenski në atë darkë ishte në gjendje të rëndë shpirtërore, çka m’u duk se ndikonte në shpjegimin e vargjeve. Ka qenë takimi im i parë dhe i fundit me të, kështu që nuk m’u dha rasti të sqaroja më pas se ç’donte të thoshte. Shpjegimi kishte të bënte pak a shumë me lidhjen midis sintagmave nënë dhe terr,sipas të cilave, njeriu dilte nga barku i nënës si nga terri, dhe ky ishte një qerthull i pafund matma, nënaterr, ku nëna, ashtu si terri, mbetej e pazbërthyeshme.

Ndërsa për lotët e nënës e kisha vështirë të gjeja shkakun, për mërzinë e saj ishte e kundërta. Shkakun e thoshte vetë, madje me një shprehje që, pasi e kisha dëgjuar gjithë frikë herën e parë, sa herë që e kujtoja vazhdonte të më ngjethte mishtë: “më ha shtëpia!”.

Shumë shpejt e mora vesh që kjo ishte shprehja më e zakonshme për të thënë se mërziteshe në shtëpi. Mirëpo kjo nuk më pengonte që, sipas një xanxe që më kishte kapur njëfarë kohe për të zhbiruar kuptimin e fjalëve, ta mundoja veten me përfytyrimin se sa e tmerrshm’e ishte kur shtëpisë ku banoje mund t’i shkrepej një ditë të të hante.

2
Nëna, pavarësisht se mund të dukej e pazbërthyeshme për shumë gjëra, nuk e fshihte se shtëpia jonë nuk i pëlqente aspak.

Në një shikim të parë mund të dukej e shpjegueshme: një vajzë shtatëmbëdhjetëvjeçare hynte nuse në një shtëpi tepër të madhe. Donte apo s’donte, mendimi i parë, qoftë dhe i tërthortë, do të ishte se një shtëpi e tillë kërkonte shumë punë. Aq më tepër për një vajzë që, siç do ta merrja vesh më pas nga tregimet e motrave të saj, ishte qortuar shpesh për mungesë zelli për punë shtëpie. E sidomos aq më tepër që do të ishte nuse e vetme, pa asnjë shpresë për nuse të dytë, ngaqë im atë ishte djalë i vetëm dhe pa baba.

Shtëpia, përveç e stërmadhe, ishte e vjetër dhe hijerëndë. E si të mos mjaftonte kjo, vjehrra, gjyshja ime e ardhshme, përveç namit të gruas buzëhollë, kishte edhe atë të mençurisë. Do të duhej të kalonte mjaft kohë për të kuptuar arsyen e thellë se përse name të tilla për mençuri të tepërt e bezdisnin time më.

Kishte gjasë që të dukej se ftohtësia e parë midis nuses së re dhe vjehrrës të ishte shkaktuar nga mospërfillja, ose më saktë, nga mosmahnitja e nuses prej shtëpisë. Në të vërtetë, shkaku duhej të kishte qenë më i thellë dhe, në njëfarë mënyre i pashmangshëm.

Dihej se familjet gjirokastrite në çastin që lidheshin në krushqi, viheshin aty për aty, në një gjendje të re. Përveç aleancës së natyrshme të dy klaneve, në një mënyrë befasuese krijohej njëfarë shurdhimi, sidomos në periudhën paramartesore. Gjithë krekosja e njohur e shtëpive të vjetra, sedra, mburrjet, kotësia, kishin rast të shpaloseshin e të viheshin në peshore midis dy shtëpive, që do t’i bashkonte kurora e martesës. Në netët e gjata të dimrit, nuset e ardhshme, e po ashtu dhëndurët, do të dëgjonin gjithfarë romuzesh për palën tjetër, të tipit “mos kujtojnë ata se janë më të mirë se ne” e të tjera të ngjashme. Ishte një lloj lufte e ftohtë që vetvetiu i ngarkonte të dy palet, por sidomos nuset dhe vjehrrat e ardhshme, me ndjesi mohuese për njëra-tjetrën.
Nisur nga kjo, mund të thuhej se do të tregonte apo jo nëna ime e ardhshme shpërfilljen e saj ndaj shtëpisë së Kadarenjve, apo do të tregohej buzëhollë a jo gjyshja ime ndaj saj, ftohtësia midis tyre s’mund të shmangej.

Me kalimin e viteve, me shumë vështirësi do të merrja vesh, ose më saktë do të kujtoja se do të merrja vesh, kronikën e pakuptimtë të kinse mërisë midis Kadarenjve dhe Dobatëve.

Ajo që dukej e lehtë për t’u kapur, ndërlikohej papritur, aq sa vinte ora kur ngjante krejtësisht e pazbërthyeshme. Dhe më pas e kundërta: e mjegullta do të qartësohej befas, aq sa të gjithë do thoshin, ah, ja ç’na paskësh qenë kjo punë që ne të verbrit s’e shquanim dot.

Ngatërresa vinte nga pamundësia e çdo krahasimi midis dy klaneve. Niste nga shtëpitë, që ishin aq të ndryshme, saqë kurrsesi s’mund të besohej se i përkisnin të njëjtit qytet.
Sa ç’ishte e vjetër dhe hijerëndë shtëpia jonë, aq nuk ishte e tillë ajo e babazotit, siç quhej gjyshi nga nëna. Ishte e madhe, po s’kishte as qilarë të thellë, as stemë, as shkalla trillane prej druri, për të mos folur për dhoma të pabanuara, për burg, nënkalime të fshehta, mesore apo nënmesore (nëndivane) pa kuptim. Shtëpia e Dobatëve ishte ndoshta e tillë ngaqë ishte e veçuar, pa lagje apo rrugë, që, në njëfarë mënyre do ta detyronin të ngjante me të tjerat. Ishte në një zonë të zbrazët, përbri kështjellës dhe një përroi të rrëmbyeshëm. Në mungesë të fshehtësive, ajo kishte një truall të gjerë, që mund të merrej për kopsht dhe një nënshtëpizë midis truallit, që quhej odajashtë dhe ku banonte një familje romësh, shërbyes të dikurshëm të shtëpisë.

Në vend që njerëzit të ndreqnin disi drejtpeshimin e prishur mes dy shtëpive, ata e theksonin edhe më fort atë. Kadarenjtë dhe Dobatët, siç do ta merrja vesh më pas, ndryshonin nga njëri-tjetri më fort se shtëpitë e tyre. Ndryshimi kryesor që binte në sy ishte se, ndërsa shumica e klanit Dobi ishin në jetë, Kadarenjtë ishin të vdekur. Kur në këndet e shtëpisë gjeja herë pas here ndonjë fotografi të vjetër dhe vrapoja te gjyshja për ta pyetur kush ishte dhe ku ndodhej, përgjigjja e saj më zgjonte trishtim në shpirt. Po ky këtu? e pyesja pas disa ditësh, kur gjeja një tjetër fotografi, dhe përgjigjja ishte e njëjtë: s’është më në këtë botë.

Ndryshimet e tjera, si drurët, zogjtë, violinat e romët, bujqit grekë të ish-pronave të babazotit, tezet dhe ungjët, nuk ishin të pakta, por e keqja ishte se të gjitha ato ishin ca gjëra që s’krahasoheshin dot me tonat. A mund të krahasohej, për shembull, rënia e violinës, me dy dhomat ku s’na lejohej të hynim ose me hapsanën, siç quhej burgu? Për tezet dhe ungjët, për shembull, e kisha mbledhur mendjen se nuk mund të kisha, ngaqë, sipas gjyshes, edhe po të ishin do të quheshin halla dhe xhaxhallarë dhe do të ishin jo motra dhe vëllezër të nënës, por të babait, pra duhej t’i kishte pjellë gjyshja vetë.
(Më vonë, kur të dy ungjët shkuan për studime jashtë shtetit, njeri në Budapest e tjetri në Moskë, mungesa e të ngjashmëve te ne, më shumë se me ata vetë, lidhej me letrat që vinin prej tyre nga larg. Në shtëpinë tonë nuk vinin letra nga askush dhe kjo më dukej e natyrshme, ngaqë dihej se të vdekurit s’dërgonin të tilla.)

Kukulla (gjithmonë e më tepër bindesha se ky cilësim ishte përpjekur, në mos ta zëvendësonte fjalën “mama”, të kthehej në emër të dytë të saj), pra Kukulla, ndonëse e kishte vështirë të shprehej qartë, kishte qenë pak a shumë e ndërgjegjshme se do të përballej me shtëpinë e Kadarenjve, me gjithë ato dritare të larta, musandra, hajate, qilarë të fshehtë, qiellzana prej druri të gdhendur, së fundi me burgun e famshëm dhe me ata emra të tingëllueshëm: Seit Kadareja, Avdo Kadareja, Shahin Kadareja dhe, më të dëgjuarin midis tyre, Ismail Kadarenë, katragjyshin tim, që, siç më pëlqente ta kujtoja shpesh, ishte bërë i famshëm ngaqë përmendej në një këngë, jo se kishte vrarë turq, siç të shkonte mendja në çastin e parë, por për punë veshjeje, më saMtë, ndjekje të modës.

Kundër kësaj gumaje kërcënuese, Kukulla do të kishte ushtrinë e saj të drurëve, të zogjve, të violinave, të motrave e të ish-shërbëtorëve. Në pamje të parë ngjante naive dhe e brishtë, por kishte edhe ajo të fshehtën e saj. Kukulla që nuk dinte shumë gjëra, ishte në dijeni, me sa dukej, të asaj të fshehte, që mbulohej pas emërtimit zhgënjyes e të rëndomtë “gjendje ekonomike”: Dobatët ishin të kamur, çka do të thoshte të pasur, Kadarenjtë jo.

Në asnjërën nga dy shtëpitë nuk përmendej kjo gjë, thua se kishin bërë marrëveshje që secila palë të mbante maskën e vet. Me atë maskë, me paraqitjen kinse të përkorë në gjithçka, Dobatët do të mbulonin kamjen e tyre. Dhe të njëjtën gjë do të bënin Kadarenjtë, me maskën e tyre, atë të madhështisë së rreme, për të mbuluar të kundërtën: skamjen.

Aleanca qysh në fillimet e saj kishte qenë e gabuar. Kurse arsyeja e krushqisë s’ishte marrë vesh kurrë.

3
Sado që jam përpjekurtë përfytyroj mbërritjen e Kukullës nuse në vitin 1933, në shtëpinë e burrit, nuk kam arritur dot. Kishte gjithmonë një pengesë, një rënie mjegulle, ose në rrë- fimin e saj, ose në përfytyrimin tim. Pengesa niste qysh nga vetë rruga e përshkuar. Nuk e kisha vështirë ta sillja me mend karvanin e krushqve nga shtëpia e babazotit tek udha e madhe në këmbët e kështjellës, e më pas te qendra e qytetit “Qafa e Pazarit”, për të zbritur në rrugën e pjerrët të Varoshit. Pikërisht te shtëpia e Dr. Vasil Labovitit, atje ku më 1943 do të shtrohej një darkë e pakuptueshme me gjermanët, niste, bashkë me rrugën që të çonte te shtëpia jonë, surrealizmi. Shtëpia e do- ktorit, vajzën e të cilit e kisha në klasë, ishte e para. Më tutje ishte shtëpia ê Pavli Urës, një shoku tjetër të klasës, mbiemri i të cilit vinte nga një urë, e vërtetë ose e rreme, nuk kuptohej, që ishte poshtë saj. Nëtë vërtetë ishte një rrjedhë e madhe uji, që dilte nga një drejtim, por urë nuk kishte asgjëkund, madje as vetë Pavli Ura s’dinte si ta shpjegonte mbiemrin e vet. Ndër- kaq, disa hapa më tutje, mu përpara shtëpisë së Ficove, rrjedha e ujit ndërronte emërtim dhe nga “urë” bëhej “Përroi i Ficos”.

Shtëpia e Ficove, përveç që ishte e madhe, ishte ndoshta më e bukura e qytetit, çka për disa kishte qenë dhe arsyeja që kishte nxjerrë, siç thuhej, ministrin e Jashtëm më me nam të të gjitha kohërave në Shqipëri. Merrej me mend se sa e lehtë do të ishte për këtë shtëpi që, pas një nami të tillë, t’i jepte emrin e saj rrjedhës së ujit. Një pjesë e rrugës shkonte përbri saj gjer te shtëpia e Kako Pinos, e ëndërruar prej krejt nuseve të ardhshme të qytetit, e vogël, lirike e plot vazo lulesh, pothuajse ngjitur me tonën. Kurse përballë portave të dy shtëpive, i shtrembër, i mbrapshtë, i pangjashëm me asgjë, niste Sokaku i të Marrëve.

Kukullës, që nuk ishte pa kureshtje, duhet t’i kenë bërë përshtypje të gjitha këto. Megjithatë, përpara të panjohurave të tjera, ato ngjanin të zbehta. Nga tri kureshtitë e mëdha që e prisnin, burri, shtëpia dhe vjehrra, kishte gjasë që kjo e fundit të ketë qenë ajo që më së shumti i fuste frikën. Burrin e kishte parë vetëm një herë nga dritarja e shtëpisë pak përpara dasmës. Fotografinë e shtëpisë së saj të ardhshme e kishte sjellë një dite një kushëri i largët, bashkë me pëshpërimat që thuheshin për të. Ndër këto të fundit, më e mjegullta ishte çështja e burgut. Me sa dihej, shtëpia e Kadarenjve hynte ndër katër-pesë shtëpitë e rralla të qytetit, që kishte burg, çka për disa nuk ishte veçse një marrëzi, e për të tjerët lidhej me ca ide të dala mode qyshkur, për punë ligjesh, me fjalë të tjera, shteti kishte ligjet e tij, por shtëpia ato të saj, shkurt secili në punë të vet.
Enigma e vërtetë për Kukullën mbetej vjehrra. Përveç asaj që përmblidhej në ijalët e pamëshirshme: e mençur dhe buzë- hollë, ishte një veçanti e tretë, dalja ose jo nga shtëpia, hamendjet për të cilën nuk ishin fort të qarta. Ishte krijuar bindja se, edhe nëse zonja mëmë e Kadarenjve nuk e kishte shpallur ende moskapërcimin e portës, ishte në përgatitje e sipër.

Mosdalja nga shtëpia e grave të vjetra ishte një nga doket më të pashpjegueshme të qytetit. S’i dihej jo vetëm shkaku, por as zanafilla apo rasti që kishte shërbyer si shkak. Ndodhte një ditë që X grua shpallte se s’do të dilte më nga porta e shtëpisë dhe askush nuk pyeste: pse? apo, si kështu?

Ajo që dihej ishte se kjo mosdalje ishte në vetvete një lloj statusi, si të thuash, ngritje rangu, ose pjesë e një mondaniteti.

Nuk kam besuar se Kukulla do ta ketë vrarë mendjen fort për moskuptimin a kuptimin e thellë të mosdaljes së vjehrrës (ndoshta thjesht ka menduar se do të ishte mirë që ajo të dilte sesa të ngujohej në shtëpi), kurse në mëngjesin e parë pas dasmës në banesën e re, ndërsa bëhej gati të ngjitej te dhoma e madhe e pritjes, do të ketë ndier me siguri se as katrahura e dasmës, as nata e parë me burrin, por ajo paraqitje përpara jurisë së pamëshirshme të krushkave, do të ishte krusma më e vështirë për të. / KultPlus.com

Shqiptarja, shefe e hetimeve në policinë e Norvegjisë

Quhet Fadije Brahimi, jeton prej 30 vjetësh në Norvegji, është shqiptarja e parë që përfundoi universitetin 3-vjeçar për oficere policie në një nga institucionet arsimore më të larta policore në botë, transmeton albinfo.ch.

Brahimi ka arritur suksese të mëdha profesionale, pasi është vlerësuar me grada të larta në policinë norvegjeze, duke u emëruar së fundmi dhe përgjegjëse e sektorit të hetimeve në qytetin ku jeton.

Quhet Fadije Brahimi, jeton prej 30 vjetësh në Norvegji, është shqiptarja e parë që përfundoi universitetin 3-vjeçar për oficere policie në një nga institucionet arsimore më të larta policore në botë, transmeton albinfo.ch.

Brahimi ka arritur suksese të mëdha profesionale, pasi është vlerësuar me grada të larta në policinë norvegjeze, duke u emëruar së fundmi dhe përgjegjëse e sektorit të hetimeve në qytetin ku jeton.

Përveç saj, në universitetin ku edukohen oficerët e rinj në Norvegji, kanë filluar të studiojnë edhe femra të tjera shqiptare. /Albinfo.ch/ KultPlus.com

Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë…

Poezi e shkruar nga Andon Z. Çajupi.

Malet me gurë,
fushat me bar shumë,
arat me grurë,
më tutje një lumë.

Fshati për karshi
me kish’ e me varre,
rrotull ca shtëpi
të vogëla fare.

Ujëtë të ftohtë,
era pun’ e madhe,
bilbili ia thotë,
gratë si sorkadhe.

Burrat nën hije,
lozin, kuvendojnë,
pika që s’u bie,
se nga gratë rrojnë!

Gratë venë nd’arë,
dhe në vreshta gratë,
gruaja korr barë,
punon dit’ e natë.

Gratë në të shirë,
në të vjela gratë,
ikinë pa gdhirë,
kthenenë me natë.

Gruaja për burrë
digjetë në diell,
punon e s’rri kurrë
as ditën e diel.

O moj shqipëtarkë,
që vet’ e nget qetë,
edhe drek’ e darkë
kthehesh e bën vetë;

Moj e mjera grua,
Ç’e do burrë zinë
që ftohet në krua
dhe ti mban shtëpinë!/ KultPlus.com