“Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore”, libri i Ndue Ukaj në Panairin e Librit në Tiranë

Ndue Ukaj është prezantuar me librin e tij më të ri, që tashmë e ka prezantuar në Panairin e Librit në Tiranë, shkruan KultPlus.

“Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore”, titullohet libri i Ndue Ukaj që është botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”.

Shtëpia Botuese “Onufri”, ka nxjerrë një përshkrim mbi botimin e këtij libri:

Shkrimtari Ismail Kadare, nën diktaturë dhe pas rënie së saj, ka shkruar letërsi të këndshme, plot jetë dhe gjallëri, për njeriun, raportet e tij me politikën, historinë, me një fjalë, ai ka shkruar letërsi, të bazuar “te dashuria, nderi, dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, te vuajta, te dramat jetësore, etj.”, siç thoshte William Faulkner. Me këto elemente, vepra e tij, përbenë një botë të pafund të bukurisë së gjuhës, imagjinatës dhe mendimit.
Artin e Kadaresë e shquan një forcë tërheqëse e jashtëzakonshme estetike, ku kumbojnë melodi të bukura e dridhmuese dhe një gjuhë artistike sublime, kurse ajo që i mban të lidhura veprat e tij, është shumëllojshmëria temave, motiveve, rrëfimeve dhe stileve, si dhe toni madhështor narrativ, ku del në pah talenti dhe fuqia kreative, nëpërmes tekstit të pasur estetik dhe kulturor.

* * *

Ndue Ukaj (1977) shkruan poezi, prozë, kritikë letrar dhe publicistikë.
Libri me poezi “Godo nuk vjen”, u laureua me Çmimin Kombëtar ”Azem Shkreli” për librin më te mirë me poezi të botuar në vitin 2010, kurse në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, “Ditët e Naimit”, u laureua me çmimin për poezinë më të mirë. Ka fituar edhe çmime tjera.

Ka botuar librat:
“Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, (2004), studim;
“Ujëvarat e metaforave”, (2009), poezi;
“Godo nuk vjen” (2010), poezi;
“Arka e shpëtimit” (2012), poezi;
“Gjithmonë diçka mungon”, (2017), poezi;
“Krijimi i dashurisë”, (2017), përmbledhje e përzgjedhur poetike dhe botuar nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit; 2017.

Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, spanjisht, italisht, rumanisht, finlandisht, kinezisht, suedisht, turqisht dhe janë botuar në revista dhe antologji të poezisë.
Ukaj është anëtar i PEN-it në Suedi./KultPlus.com

I jepet lamtumira e fundit Arzana Krajës

Sot në orën 14:00 në varrezat e kryeqytetit u bë varrimi i regjisores Arzana Kraja.

Qindra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit regjisores së njohur.

Familjarët kanë njoftuar poashtu se dyert e familjes do të jenë të hapura për ngushëllime në lagjen Ulpiana D9, pranë klinikës “Fati im, shkruan rtv21.tv

Regjisorja e filmit “Fusha e Mëllenjave” është gjetur e vdekur dje në banesën e saj në lagjen Kalabria në Prishtinë./KultPlus.com

Ky rrëfim duhet të lexohet nga të gjithë mësuesit

Një ditë, një i ri takon një të moshuar. -Më mbani mend? -Jo. -Kam qenë nxënësi juaj. – O gëzohem. Si je? Me çfarë merresh tani? -Jam bërë mësues. -Gjykon se je i mirë në punën tënde? -E vërteta është po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaja.

Kurreshtar i moshuari, pyet të mësoj se çfarë i mbeti në mendje që e frymëzoi në këtë shkallë saqë donte ti ngjante. Dhe i riu i rrëfeu historinë e mëposhtme: -Një ditë një nxënës i klasës që ishte dhe shoku im, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur që mbante në xhep. Nuk ju përmbajtja tundimit dhe e vodha. Pas pak vuri re që i mungonte ora nga xhepi dhe menjëherë njoftoi profesorin që na jepte mësim atë moment në klasë, dhe ishit ju. Ju në vazhdim, iu drejtuat klasës dhe thatë: – Ora e një nxënësi të kësaj klase u vodh në këtë orë mësimi. Kush e vodhi, ju lutem ta kthej menjëherë. – Kur mendova turpin e poshtërimit përpara gjithë shokëve të mi të klases, nuk guxova ta dorëzoja. Pastaj ju mbyllët derën, na thatë të qëndrojmë të gjithë në këmbë sepse do kontrollonit xhepat e gjithë nxënësve derisa ta gjenit. Por vendosët një kusht. Të gjithë duhet ti kemi sytë mbyllur të mos shikojmë fajtorin. Dhe kështu u bë. Kur arritët tek unë, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por vazhduat të kërkonit në xhepat e të gjithëve dhe kur mbaruat thatë: «Dhe tani mund të hapni sytë, Ora u gjend!» Nuk zutë emrin tim në gojë dhe as më tërhoqët vërejtje mënjanë. Prisja të më qortonit dhe të më bënit moral, por as këto nuk ndodhën. Atë ditë, ju shpetuat dinjitetin tim. Ajo ditë, ishte dita më e turpshme e jetës sime dhe më dhatë me mënyrën tuaj një mësim të fortë. E kujtuat tani rastin z. Profesor? -Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ka diçka që nuk më kujtohet, dhe ai je ti, sepse dhe unë i kisha sytë e mi mbyllur kur ju kontrolloja të gjithëve./KultPlus.com

Mirë kish me qenë edhe me vdekë në shtrat

Murid Barguti

Mirë kish me qenë edhe me vdekë në shtrat
Mbi një jastëk të pastër
Rrethuar nga miqtë tanë.

Mirë kish me qenë edhe me vdekë kur
Duart t’i kishim mbledhur mbi gjoks
Të zbrazëta e të zbehta
Pa shenja, pa pranga, pa flamuj
Dhe pa peticione.

Mirë kish me qenë me pasë një vdekje të dlirë e të përkryer
Pa çarje në këmishë
Pa shenja në brinjë.

Mirë kish me qenë me vdekë
Me një jastëk të bardhë e jo me dysheme poshtë fytyrës,
Me duart që pushojnë në duart e më të dashurve
Rrethuar prej infermieresh e mjekësh të kujdesshëm
Pa asgjë për t’u shqetësuar përveç hijeshisë së lamtumirës
Pa e vrarë mendjen për historinë
Duke e lënë këtë botë ashtu siç është
Duke shpresuar se ndonjë herë tjetër, dikush tjetër
Ka me e pru ndryshimin./KultPlus.com

Historiani dhe shkrimtari Buxhovi me tri vepra premierë në Panairin e Tiranës

Në Panairin e librit në Tiranë, historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi paraqitet me dy vepra historiografike: “Kosova I-VIII” dhe “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”. Vepra e parë (Kosova) shfaqet e kompletuar me tri vëllimet e fundit (VI,VII dhe VIII). Ndërsa “Maqedonia”, si vëllim i parë i trinitetit mbretëror ilir bashkë me Dardaninë dhe Epirin, që pritet të kryhen së shpejti.

Në fushën letrare, Buxhovi shfaqet me “Trilogjinë gjermane” të përbërë nga romanët: Vdekjet e Kolonelut, Kujtimet e zonjës von Braun dhe Kodi i dashurisë.

Veprat historiografike gjenden në shtandin e botuesit “Faik Konica”. Ndërsa ato letrare në shtandin e botuesit “Pena” nga Prizreni./KultPlus.com

Dua Lipa me album të ri, kjo është fotografia e coverit (FOTO)

Dua Lipa nëpërmjet një fotografie ka njoftuar se është duke punuar në një album të ri, shkruan KultPlus.

Ajo sapo ka publikuar një fotografi nga një fotosesion, ku ka njoftuar se është fotosesion për fotografinë e coverit të albumit të saj më të ri.

Dua Lipa po konsiderohet si një ndër yjet më me ndikim në fushën e muzikës dhe industrisë së modës, duke shënuar një sukses të madh./KultPlus.com

Elbenita Kajtazi përkah emrave të mëdhenj në 100 vjetorin e Festivalit të Salzburgut

Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi sapo ka njoftuar për një sukses të radhës, e cila në vitin 2020 do të prezantohet në një festival tejet prestigjioz, shkruan KultPlus.

“Programi i festivalit të Salzburgut për sezonin veror 2020 sapo doli, dhe jam e stërlumtur që në mesin e emrave botëror radhitet edhe emri im si pjesë e dy koncerteve me 25 dhe 26 korrik 2020. E veçanta e këtij edicioni është 100 vjetori i themelimit të këtij festivali dhe ndjehem e privilegjuar dhe e nderuar që do ta reprezantoj Kosovën në një festival me renome botërore që ka një traditë një shekullore”, ka njoftuar Kajtazi.

Ajo poashtu ka shtuar se prezantimi i saj do të jetë nën dirigjimin e Riccardo Minasi, kurse në këtë paraqitje ajo do të prezantohet me veprat e kompozitorëve: Mozart, Haydn, Beethoven. /KultPlus.com

Pamje të rënda, sulmohet pjesëtarja e komunitetit LGBTI në rrugët e Tiranës (FOTO)

Pjesëtarja e komunitetit transgjinor e quajtur Anxhela është sulmuar ditën e sotme nga një trup personash.

Kjo është bërë e ditur në fotografitë e publikuar në rrjetet sociale nga miqtë e saj.

Dyshimet e sulmit ndaj saj janë pas pjesëmarrjes në paradën e fundit të lezbikeve në Tiranë.

“Në vijim të zbardhjes së ngjarjes, u bëjmë thirrje autoriteteve ligjzbatuese të identifikojnë sa më shpejtë autorët dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.

Pamjet e mëposhtme janë treguesi më i shëmtuar i realitetit me të cilin komuniteti LGBTI e kryesisht ai transgjinor përballen në Shqipëri. Ne nuk do të heshtim!”, thuhet në njoftimin në Facebook.

Uebfaqja e “TIKS. APP” ishte jashtë sistemit, por kaq bileta janë shitur për ndeshjen Kosovë-Angli

Sot në orën 16:00 ka filluar shitja e biletave për ndeshjen e shumëpritur, Kosova – Anglia.Kosova – Anglia është takimi i fundit që kombëtarja e Kosovës e zhvillon në kuadër të ciklit kualifikues për ‘Euro 2020’, shkruan Insporti.

Pak çaste më parë, ueb-sajti në fjalë u kthye në sistem, derisa është parë se biletat në tribunat P2, P3 dhe P4 janë shitur.

Pezullohet shfaqja e Mustafa Nanos, qytetarët irritohen prej titullit

Analisti i njohur njëherësh gazetari, Mustafan Nano kishte programuar këtë javë që të jepte një shfaqen e tij “One man show”, në Teatrin Migjeni të Shkodër.

Shfaqja e Muç Nanos e cila është dhënë edhe për publikun kryeqytetas titullohet “Nuk ka kurva në këtë botë”.
Korrespondenti i ‘Panorama’ njofton se kjo shfaqe ishte lajmëruar për qytetarët e Shkodrës në faqen zyrtare të Teatrit Migjeni në Facebook.

Por ky njoftim ka ngjallur mjaft reagime të qytetarëve, të cilët e kanë quajtur si ofendues titullin e shfaqjes së gazetarit Nano.

Mësohet se pas reagimeve, Drejtoresha e Teatrit Migjeni, Rita Gjeka ka vendosur të pezullojë shfaqen e cila ishte e programuar për ditën e sotme.

Replikat në Facebook

Shpëtim Sh. : Me e bojkotu teatrin atë natë. Ky ordiner që ban dallime kahinore nuk ka vend në Shkodër.

Eltjana Sh: Hajde titull, hajde!! Një teatër publik nuk duhet me e leju një shfaqje të tillë. Çfarë do qoftë mesazhi që përcjell.  (P.S ky pseudoaktor duhet me qenë non grata)

Arben R: Ky person dhe gjoja-shfaqjet e tij janë një palaçollëk i turpshëm, një denigrim i gruas duke i përmendur alternativa të turpshme vetëm se është grua. Ky mitoman i pagdhendur nuk plotëson kriteret minimale të formimit për të dalë para publikut me tema të ndjeshme si kjo. STOP këtij sharlatani.

Luftë gjykatash mes Blerta Zeqirit dhe Blerim Gjocit, gjykata nuk i jep të drejtë Blerim Gjocit

Filmi “Kthimi” me regji të Blerta Zeqirit ishte mollë sherri në mes regjisores dhe Blerim Gjocit, i cili në atë kohë udhëhiqte Festivalin e Filmit të Shkurte “Nine Eleven”, shkruan KultPlus. Gjoci, pretendonte se autor i filmit duhej të njihej festivali, brenda të cilit ishte krijuar filmi, dhe poashtu pretendonte se edhe çmimet do të duhej ti takonin organizatorit, për të cilin edhe kishte paditur Blerta Zeqirin.

Kjo e fundit, nëpërmjet rrjeteve sociale ka njoftuar që kërkesëpadia nga “Nine Eleven”, është refuzuar si e pabazë, e cila ka dhënë edhe shpjegimet për këto probleme në mes Zeqirit dhe Gjocit. KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Blerta Zeqirit.

Pas 7 vitesh, më në fund u arrit drejtësia, duke u refuzuar si e pabaze kërkesëpadia që “Nine Eleven” ka ngritur kunder meje lidhur me çmimet e filmit të shkurtër “Kthimi”.

OJQ “Nine Eleven”, e kryesuar atëbotë nga Blerim Gjoci (poashtu kryetar i VAPIK), në vitin 2012 pat ngritur padi kundër meje duke kërkuar që unë ta pranoj organizatën si autore të filmit dhe t’ia kthej çmimet që filmi kishte fituar nëpër festivale, përkundër faktit që të gjitha festivalet në fjalë e kanë konfirmuar me shkrim që çmimet i takojnë regjisores. Si rezultat i këtij konflikti, Blerim Gjoci e mbylli veprën në sirtar, duke mos e lënë të shfaqet në shumë raste dhe për herë të parë në histori të Akademisë Europiane të Filmit, duke e tërhequr edhe nga nominimi për çmimin vjetor të filmit më të mirë të shkurtër europian të kësaj akademie prestigjioze (kjo gjithashtu ishte hera e parë që një film i shkurtër kosovar u nominua për filmin më të mirë të shkurtër europian). Arsyeja e tërheqjes ishte që Gjoci si producent, edhe pse në të vërtetë nuk e kishte kryer punën e producentit gjatë bërjes së filmit, dëshironte të ishte pranuesi evetual i çmimit në rast të fitores në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në vitin 2012. Akademia Europiane e Filmit i kishte shkruar qartazi atëbotë që rregullorja e tyre e cekë që në rast të filmave të shkurtër shpërblimin e pranon regjisorja e jo producenti.

Edhe pse e tërë kjo kohë ka qenë shumë e vështirë për mua, edhe pse në momentin kur ka ndodhur e kam ndjerë si pengesën më të madhe që më ka dalë ndonjëherë në punë e jetë, nga thellësia e zemrës jam falënderuese për secilin send, sidomos për faktin që të mos ishte ky rrugëtim, nuk do të mesoja shumë gjëra që kam mësuar, që kanë të bëjnë me punën dhe relacionet në punë, por edhe nuk do ta shihja mirësinë, profesionalizmin dhe njerëzoren e shumë njerëzve që më kanë ndihuar në këtë betejë. Njëri prej tyre është edhe avokati im Kujtim Kerveshi (Kërveshi and Partners Law Firm), i cili me zemër të mirë dhe në emër të drejtësisë më ka përfaqësuar në këtë rast dhe ndihmuar ta sjellim drejtësinë në vend.

Shpresoj që kjo përvojë, sado e hidhur për mua dhe e dëmshme për kinematografinë tonë, sidomos në një kohë kur ishim duke i marrë këmbët nëpër botë, të shërbejë si shembull i rregullimit të relacioneve në mes producentëve dhe autorëve të filmave të shkurtër, por edhe të gjatë.

Për fund, regjisoret dhe regjisorët e rinj do t’i kisha këshilluar që të kenë kujdes për vendosjen e emrave të producentëve në filmat e tyre të ardhshëm, pasi që një vendim që gjatë bërjes së filmit mund të duket i thjeshtë dhe i pasherr, pas përfundimit të tij mund të ketë pasoja të mëdha./KultPlus.com

Lansohet traileri i fimit ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji nga Fatos Berisha (VIDEO)

Filmi i gjatë artistik ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji nga Fatos Berisha dhe me producente Vjosa Berishën do ta ketë premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit në Tallin të Estonisë, përcjellë KultPlus.

Cirku fluturues është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të 90tave e një grupi aktorësh nga Kosova të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

Në rolet kryesore luajnë: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani, dhe Velibor Topić. Ndërsa në rolet dytësore: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj.

Producente e filmit është Vjosa Berisha, dhe me bashkëprodecentë Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka, dhe Fatos Berisha.

Drejtor i fotografisë – Almir Ðikoli, montazher – Vladimir Pavlovski, dizajner i setit Arben Shala, kompozitor – Ognen Anastasovski, dhe kostumografe – Desantila Lika.

‘Cirku Fluturues’ është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë, dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore. / KultPlus.com

Zija Çela: Dyzet vjet më parë, Dritëroi më mori me vete në Kosovë

Shkrimtari Zija Çela ka ndarë me ndjekësit e tij një përvojë të paharruar kur kishte shkuar në Prishtinë, dyzet vjet më parë. Ai kujton Agollin dhe Rugovën, sikurse që përmend faktin se përgjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes Lidhjes së Shkrimtarëve të Tiranës dhe asaj të Prishtinës, ishte ndalë rryma, dhe kjo ceremoni e nënshkrimit ishte realizuar nën dritën e kandilit.

Më poshtë e keni shkrimin origjinal të Çelës.

Dyzet vjet ma pare, ne vitin 1979 kisha botuar romanin “Nje vere pa lamtumire”. E ku ta dija une se do te kisha edhe “nje dimer pa lamtumire”?! Driteroi me mori me vete ne Kosove, ne perberje te delegacionit, ku do te nenshkruhej marreveshja mes Lidhjes se Shkrimtareve nga ana e Tiranes dhe Shoqates se Shkrimtareve nga ana e Prishtines. Agolli dhe Ibrahim Rugova me kandil nenshkruan sepse, cuditerisht, ne ate zyre te vogel ku u ndodhem, u ndal rryma elektrike.
Me duket se te nesermen mbrema ndoqem ne teater Sofren e Poezise, me vargje te Nolit. Ne salle binte ne sy nje grup maturantesh. Pikerisht keta te rinj e te reja, mbasi mbaroi shfaqja, me kerkuan te bashkohesha me ata. Mirepo aso kohe, kur dilje pertej kufijve, nuk lejohej qe asnje anetar i delegacionit te shkeputej nga grupi. Ia tregova Driteroit kerkesen e maturanteve dhe ai, pa nje pa dy, tha: “Shko, Zija.”
Ajo nate e 3 nentorit ne Prishtine me ka mbetur e paharrueshme. Nata kur beme gjithashtu aq fotografi, sa nuk po na dilnin dinaret e mbledhur se bashku per t’i paguar. Por fotot, ashtu si nje kujtim ne vargje, sidoqofte do te arrinin tek une. (Te dielen pres Halim Brecen me te tjere, per ta perkujtuar ne Tirane ngjarjen e atehershme.)
Prej atij udhetimi shkruajta e botova tregimin “Mermeri qe pikon”. Jane aty stalaktiti dhe stalakmiti prej mermeri te Shpelles se Gadimes, te njohur ndryshe si Romeo e Xhuljeta. Prej nje force te pandalshme terheqese, ata jane nisur ne drejtim te njeri-tjetrit per t’u takuar. Dhe tregimi, ndryshe nga tragjedia e Shekspirit, ka perfundimin se shpirtrat qe duhen nje dite behen bashke./KultPlus.com

Modelja Angjela Martini edhe me libër, promovimi në Panairin e Librit në Tiranë

Fotot: Hauteliving

Modelja e njohur shqiptare Angjela Martini do të prezantohet me librin e saj të parë në Panairin e Librit në Tiranë, shkruan KultPlus.

Vetë modelja ka treguar për këtë promovim të librit, të cilin e ka titulluar “Love, hope, light”, dhe për të cilin do të zbret në Tiranë,  për të dhënë autografe për ata që do të blejnë librin.

Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Dudaj”, dhe Angjela Martini do të jetë në këtë Panair më 13, 14 dhe 15 nëntor./KultPlus.com

Një baladë mënxyre (Astrit Deharit)

Shukrije Gashi 

Më lejoni të vallzoj me valsin e vdekjes bukur
madhrishëm e vertikalisht
tej pragut tjetër
jam dashuaruar në dhimbjen njerëzore
ç’moti edhe nesër
kurrë s’do tua shohë më surratin
hijenave me fytyrë njeriu
që kundërmojnë gjak djaloshi
të njomë vrarë me pahir
në ditën që veç hijenat
atë e pane
Veshur me këmishën e trishtit
po ndihem e fortë vetëvetja
Miq më lejoni të çmendem sonte
t’i shkulë flokët në valsin e vdekjes
një baladë mënxyre
më është ngjitur në shpirt
e po ma zë frymën
po më pëlqejnë lotët dhe ofshamat
zëshëm
nuk po e ndjejë më dëshirën për jetuar
rrethuar me çakej… /KultPlus.com

Mos dashuro kurrë një burrë që po vdes

Courtney Elizabeth Macaulay

Kurrë mos dashuro një burrë që po vdes.
S’duhet me e ba.

Mos e tako të përngjashmin shpirt,
veçmas at’ që s’mundet,
gëzim me t’dhanë.

Mos dizenjo kusheçfarë t’ardhme.
As plane lypen me të.

Mos e shko kohën n’vetmi.
As vitet në heshtje me i lanë.
Mos u pendo se duhej
të dëgjoje ma shumë,
e të flisje ma pak.

Kurrë mos e bëj mik
një burrë që po vdes.
Sepse ai po vdes
e ti nuk mundesh me e rujt.

E do të kthehesh në kafshë e plaguar,
n’tërbim,
rezistencë e kotë,
ndaj botës së rrënuar.

Mos ia jep shpirtin
një burri që po vdes,
Drita e tij do të feksë
edhe më e shndritshme;
Bukuria e tij do të jetë
krejt e pastër;
Mendja e tij do të jetë
aq e shtypëse;
E mirësia e tij ka me qenë
veç përunjëse.

Po re n’dashni,
me burrin që po vdes,
ai ka me vdekë.

Mungesa e tij ka me mbushë,
botën përjetë.

Dhe ti
nuk do ta ndalësh ma,
vajin.

Flutura Açka tregon për ndjekësit e saj nw facebook, për poezinë “Mos dashuro kurrë një burrë që po vdes”, e cila shpjegon se kjo poezi është shkruar nga poetesha e re afrikanojugore, Courtney Elizabeth Macaulay, e cila, sipas Açkës, ajo ka ndarë me ditët më të vështira të jetës së familjes së Açkës. . “Poezinë e ka shkruar në ato orë që ndaheshim nga djali ynë, Jerin van den Brink”, ka shkruar Açka. Më poshtë e keni reagimin e plotë të Açkës.

Poezia “Mos dashuro kurrë një burrë që po vdes”, është shkruar nga mikesha e ngushtë e tim Biri, poetesha e re afrikanojugore, Courtney Elizabeth Macaulay, e cila ndau me ne në Utrecht të Holandës, ditët më të vështira të jetës sonë. Poezinë e ka shkruar në ato orë që ndaheshim nga djali ynë, Jerin van den Brink. Qysh në çastin që e kam takuar për herë të parë, një ditë të nxehtë në fundin e dhjetorit të vitit 2012 në Cape Town, kur ajo më zgjati një tufë poezish të saj, kam menduar se po takoja një Ingrid Jonker të re, poeteshën e mrekullueshme afrikanojugore, poezitë e së cilës më kishin magjepsur përherë. Ky përngjasim m’u bë edhe më i fortë gjatë viteve. Në shenjë të mirënjohjes së thellë ndaj saj, e kam përfshirë poezinë e saj në vëllimin tim “Roja i dritës” në përkthimin tim në shqip, me urimin që një ditë ajo do ta thyejë drojën e pasigurisë e t’i sjellë Afrikës së Jugut, mbase edhe lexuesve të poezisë, kudo që të jenë ata, një Ingrid Jonker të re.
Në udhëtimin tim të gjatë disajavor këtë vjeshtë në Rusi, një udhëtim të planifikuar me tim Bir kohë më parë dhe që po ia kushtoj atij, u takova në Shën Petërburg sërish me Courtney – e cila tani është edhe Bija ime. Ajo jeton në një qytet rus në rrëzë të Uraleve, pasi për të bardhë si ajo, Afrika e Jugut nuk është më aq bujare. Ajo më dhuroi këtë libër, i cili, siç shënon ajo, ka frymëzuar George Orwell të shkruajë romanin epokal “1984”, një libër që ia kam dhuruar dikur tim Biri dhe që bashkë me “Ferma e kafshëve” e frymëzoi për një ese. Këtë libër që më dhuroi Courtney, do ta lexoj sot në emër të tim Biri, ai do ta kishte mbaruar po sot. /KultPlus.com

Ai ishte nxënës i tmerrshëm: Dhjetë fakte interesante për Pablo Pikason

Më 25 tetor 1881 lindi Pablo Pikaso, piktor dhe skulptor spanjoll (vdiq në vitin 1973).

Pikaso, Henri Matisse dhe Marcel Duchamp konsiderohen si tre artistët të cilët me mënyrat e tyre origjinale në artet plastike në dekadat e para të shekullit të 20-të, janë përgjegjës për zhvillime të rëndësishme në pikturë, skulpturë dhe artin e qeramikës.

Bashkë me Georges Braque e themeloi Kubizmin. Duke refuzuar të kthehet në Spanjë gjatë regjimit të Frankos, ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Francë.

Veprat e tij më të shquara janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe “Guernika”.

Shpesh herë punët e Pikasos kategorizohen në periudha. Në vitet e parë të shekullit të 20-të e ndante jetën mes Parisit dhe Barcelonës, kur nisi edhe një marrëdhënie me Fernande Olivier, me të cilën u bë objekt i shumë faqeve rozë në gazetat e kohës.

Pasi fitoi famë dhe pak pasuri, Pikaso e la Olivier për Marcelle Humbert, të cilën ai e thërriste Eva. Dashurinë për të ai e shprehu në shumë prej veprave të tij kubiste.

U martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra. Në 1918 u martua me balerinën Olga Kholhlova, e cila e integroi piktorin në shoqërinë e lartë. Por jeta e tyre ishte një luftë e vazhdueshme. Jeta e lartë që dëshironte Olga binte ndesh me jetën boheme të piktorit. Gjatë kësaj kohe pati edhe një lidhje të fshehtë me 17-vjeçaren Maria Therese Walter. Gjithsesi qëndruan ligjërisht të martuar deri në vdekjen e balerinës në vitin 1955.

Fotografja dhe piktorja Dora Maar ishte gjithashtu një shoqe dhe e dashur konstante e Pikasos. Pas çlirimit të Francës pati një tjetër lidhje me një studente të re arti Françoise Gillot, me të cilën pati dy fëmijë. Ajo u nda prej tij për tradhti. Më tej pati të tjera të dashura edhe pse në një moshë të thyer.

Gjatë luftërave ai mbajti një qëndrim neutral, duke refuzuar të luftojë në njërën, apo tjetrën anë. Edhe pse nuk e komentonte asnjëherë një gjë të tillë, e grishte ideja e të qenët pacifist.

Pikaso ishte jashtëzakonisht pjellor në artin e tij. Numri i përgjithshëm i veprave që ai ka prodhuar arrijnë në rreth 50 mijë.

Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej kohësh në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri, para vitit 2010, kur pikturat e tij u bënë pjesë e një ekspozite në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Koleksioni prej 71 veprash, (me vlerë prej 26 milionë dollarësh), përveç Pikasos, kishte punime në kanvas nga artistë të tillë si; Paul Klee, Renee Magritte, Marc Chagall, Piet Mondrian, Francis Bacon, Anthony van Dyck, dhe Guido Reni, Andy Warhol etj. Këto piktura, pronë e koleksionistit italian Francesko Martani, u ekspozuan në Shqipëri, më 2010, në kuadër të veprimtarive kulturore gjatë muajit të miqësisë italo–shqiptare.

Pikaso është pagëzuar Pablo Diego Jose Francisco de Paula Juan Nepomuceon Maria de los Remedios Cipriano de la Santisima Trinidad Martyr Patricio Clito Ruíz y Picasso, sipas disa të afërmve të tij. Emri Pikaso i vjen nga e ëma, Maria Pikaso y Lopez. Babai quhet Jose Ruiz Blasco.

2- Ai lindi më herët

Pikaso pati një lindje kaq të vështirë dhe ishte një bebe kaq e dobët kur lindi, sa mamia mendoi se mos kishte lindur para kohe. Ajo e la në tavolinë që të kujdesej nëna e tij. Ishte xhaxhai i tij që i vuri emrin Don Salvador, që e shpëtoi. Ai thotë: “Doktorët në atë kohë i thanë se nuk do të mbijetonte, por ai ia doli shumë mirë. I fryva duhan në fytyrë dhe menjëherë ai reagoi”.

3- Fjala e parë: laps

Pikaso duket se ka lindur artist. Fjala e parë ishte laps, “piz”, shkurtimi në spanjisht. Babai i tij, Ruiz, një profesor arti dhe artist, e arsimoi në këtë fushë duke filluar nga mosha 7 vjeçare. Ruiz u zotua se do të hiqte dorë nga piktura, pasi në moshën 13-vjeçare, Pikaso ia kishte kaluar për mjeshtëri.

4- Vizatimi i parë i Pablos

Në moshën 9-vjeçare, Pikaso përfundoi pikturën e parë, “Le Picador”, një burrë që kalëronte një dem. Piktura e parë në moshë madhore quhet “First Communion, ku portretizohet babai, nëna dhe motra e vogël, të gjunjëzuar në altar. Pikaso ishte 15 vjeç kur e përfundoi.

5- Pikaso ishte nxënës i tmerrshëm

Për këtë nuk ka dyshim, Pikaso ishte brilant, nga ana artistike. Ai ishte shumë vite më para se shokët e klasës, edhe pse ishin katër ose pesë vite më të vjetër se ai. Por Pikaso shpesh sillej keq dhe dënohej. Atë e nxirrnin nga klasa dhe e linin të ulur në stol në fund të klasës.

6- Puna e parë e Pikasos

Pikaso e nënshkroi kontratën e parë në Paris me një shitës arti, Pere Menach, i cili ra dakord ta paguante 150 franka në muaj (750 dollarë sot).

7- A e grabiti Pikaso Mona Lizën?

Në të vërtetë, jo, por në vitin 1911, kur Mona Liza u grabit nga muzeu i Luvrit, policia mori shokun e Pikasos, poetin Guillaume Apollinare, në polici. Apollinaire i vuri gishtin Pikasos si të dyshuar, kështu policia e mori në pyetje edhe atë. Të dy më vonë u liruan.

8-Kubizmi: Plot me kuba të vegjël

Në vitin 1009, Pikaso dhe artisti francez, Georges Braque, themeluan lëvizjen e artit, kubizmin. Në të vërtetë, ishte kritiku francez i artit, Louis Vauxcelles, që fillimisht e quajti “kuba të çuditshëm”, pasi vuri re se Pikaso dhe Braque pikturonin piktura “plot me kube të vegjël.

9- Pikaso ishte Don Zhuan

Duke qenë se ishte artist i njohur, Pikaso kishte shumë sukses me vajzat. Në të vërtetë pati shumë të dashura. Ja një liste e shkurtër e më të njohurave. Fernande Olivier, Marcelle Humbert, Marie-Thérèse Walter, Dora Maar, Françoise Gilot.

10- Makina e Pikasos

Kjo nuk është me saktësi makina e tij, por e ka një histori. Para tre vitesh, mekaniku Andy Saunders nga Dorset, Angli, e konvertoi makinën e tij “Citroen 2CV” në një vepër arti të frymëzuar nga Pablo Pikaso. Saunders e quajti makinën “Picasso’s Citroen”, sepse dukej më e bukur nga sa ishte fillimisht. 

Markel Capo, piktori që i sheh kullat e Malësisë si gra

Suadela Balliu – Kullat e gurta dhe të hirta, simbol i mbrojtjes aq edhe i izolimit. Kulla e gjakmarrjes, e pushkëve në frëngji që i bëjnë sytë katër dhe dyert e drunjta që ruajnë jetë aq sa edhe burgosin.  Djem që bëhen burra dhe burra që bëhen pleq, duke e parë horizontin me përmasat e një katrori të vogël…Vetëm gratë, ato janë të përjashtuara prej izolimit të kullave, po aq sa edhe prej identitetit burrëror të kanuneve malësore.

Por një kullë më e madhe, ajo e shoqërisë patriarkale, i ngujon gratë prej shekujsh, duke i parë të brishta e të thyeshme si kukulla kristali. Pikërisht me këtë metaforë ka dashur të luajë piktori i ri Markel Capo, në ciklin e tij të titulluar “Ku(k)llat” –gra në formë kullash apo kulla në forma femërore, që hapin dyert në simbole erotikë dhe i kthejnë frëngjitë e ngushtë në gjinj të bollshëm. Jo vetëm një rivizitim i traditës, por edhe shpalosje e botës konsumeriste që vazhdon t’i shohë vajzat dhe gratë si kukulla, duke e bërë të besojë rrejshëm se është e pazonja për të mbajtur më shumë peshë në rolet e shoqërisë.

“Figura e femrës vjen e fortë  e qëndrueshme;  e gurtë,  në këmbë,  e sigurt edhe pse e nëpërkëmbur”, rrëfen piktori pogradecar, ndërsa shton se është shumë i dhënë pas folklorit shqiptar, duke e ripropozuar për publikun me elementë modernë.Elementi femëror është temë qendrore e pikturës së të riut, që vjen si një shkrirje mes romantikës dhe natyrës ëndërrimtare, aq edhe tipareve të feminizmit. “Unë e vlerësoj shumë figurën femërore, jam rritur nga një nënë e mrekullueshme dhe nga kjo ndjesi fillon gjithçka, edhe piktura edhe ndjeshmëria në të.” – zbulon Capo.

Figura femërore e vendosur në sfondin etnografik është element dallues i punës së piktorit, ndërsa zbulon se është duke punuar mbi një cikël të ri, sërish i qendërzuar te figura femërore,  të cilin e ka titulluar  “Kurorë guri”. Portrete femërorë në pamje të parë të brishta dhe ëndërrimtare që mbajnë në krye peshën e botës, të interpretuara nga piktori në formën e kështjellave. “Ky cikël pikturash vjen si një fuqi e jashtëzakonshme, një femër, një motër,  një nënë, bukuria që mban shekuj në  shpatulla, kujtojmë këtu Rozafën, kurorëzuar me gur si një mbretëreshë me të gjithë fuqinë dhe peshën që  mbajnë shekujt e sakrificës. Femra shqiptare është  më  e fortë se vetë  guri.” –kështu ka dashur të shohë piktori, i cili krahas pikturës në vaj, akuarel, vizatime e skica, punon edhe në qeramikë, ku në objektet e punuara prej duarve të tij vijnë simbole kulturore dhe etnike, po aq sa edhe portrete e profile femërore.

“Është pjesë e krijimtarisë sime, nuk e ndaj dot folklorin nga puna ime, pastaj a e realizoj në pikturë, qeramikë apo dru.  Kjo  është pjesë e nevojës për t’u shprehur.”Edhe pse i dashuron çiftelitë dhe xhamadanët, qeleshet dhe xhubletat, gurët e kullave dhe natyrën e pazbutur të veriut, sërish frymëzimin e gjen në liqenin e vendlindjes së tij, Pogradecit.

Kur nuk pikturon, Markel Capo këndon. Nuk është profesionist në fushën e muzikës, por në punët e bëra me zemër dorëzohet i gjithi. Punon me fëmijët me Sindromën Down dhe ka realizuar edhe një këngë, frymëzuar prej tyre, të titulluar “Si unë”. “Jam pjesë e Down Syndrome Albania si vullnetar.  Koha e shpenzuar me ta  është e çmuar dhe marr shumë  dashuri në këmbim.”, thotë, ndërsa shton se kënga, e para e tij, ishte një mesazh për t’ia përcjellë botës se fëmijët me një kromozom më tepër janë njësoj, si ne të gjithë.

Karriera e tij artistike sapo ka nisur dhe siç rrëfen në fillime të gjithë mbështeten tek të mëdhenjtë e artit,  për të hedhur hapat e parë. “Në fakt unë jam në kërkim të vazhdueshëm të përcaktimit të  stilit tim;  jam pothuajse në eksperiment me vetveten”, përfundon ai, ndërsa e përkufizon krijimtarinë e tij si moderne, por me elementë të fortë tradicionalë.

Ndoshta është një fazë e parë eksperimentale kjo e përkthimit të kullave në gra qëndrestare dhe të lira, paturp për të shfaqur hapur seksualitetin e tyre duke i dekonstruktuar elementët e fenomenit shekullor, duke i ripropozuar këto simbole, të mbetura aq të pakta në numër sa për të shërbyer si relikte të organizimit shoqëror të dikurshëm shqiptar, ku kulla që dikur tregonte status dhe pasuri , u shndërrua në qëndresat e fundit të mbrojtjes së jetës së njeriut, të të kursyerit të derdhjes së gjakut për hir të një kanuni, të moskuptuar si duhet.  Kullat janë gratë dhe gratë nuk janë kukullat që shoqëria e dominuar nga burrat mot dhe sot përpiqet t’i lyejë, veshë e të luajë fijet e padukshme që ka lidhur mbi rolin e tyre.

Kështu është dukur mbretëresha e Halloween, Heidi Klum 12 orë për këtë dukje (FOTO/VIDEO)

Heidi Klum njihet si mbretëresha e Halloween, e cila njihet edhe për ndejën e madhe që e realizon për këtë mbrëmje tash e sa vite me radhë, shkruan KultPus.

Ajo për edicionin e sivjetmë është prezantuar me një dukje shumë të veçantë, për të cilën ka shpenzuar 12 orë.

KultPlus ju sjell fotografi dhe video nga dukja e Heidi Klum./KultPlus.com

Shekulli i mbrapsht shqiptar si preukopim letrar

Theksime nga fjala hyrëse në promovimin e “Trilogjisë gjermane” në KultPlus

Ngjarjet historike si dhe historia si ngjarje përherë kanë qenë edhe vokacion krijues. Por, kjo, vazhdimisht ka “tensionuar” raportet midis tyre, ngaqë krijimtaria është munduar dhe mundohet pareshtur që faktet historike t’i kthejë në fakte jetësore, ndërsa historiografia ka pretenduar dhe pretendon që realitetet jetësore t’i trajtojë si fakte historike. Mund të thuhet se në këtë “konfrontim” të pandalshëm, fitues shfaqet krijimtaria, ngaqë ngjarjet që i trajton ajo, si fakte jetësore, kthehen në kujtesë shpirtërore, në monument të përhershëm, siç ka ndodhur me veprat madhore “Iliadën”, “Eniden”, “Luftën dhe paqen” dhe të tjera nga antikiteti e deri te koha jonë. Ndërsa vokacioni historik mbetet përherë i pasigurt, ngaqë u nënshtrohet fitimtarëve, despotëve dhe diktatorëve, të cilët pretendojnë ta kthejnë historinë në “monument” të regjimit apo të ideologjisë për nevoja politike, gjë që jo rastësisht, çdo gjeneratë kërkon me të drejtë rishqyrtime, që edhe si të tilla mbesin të paqëndrueshme.
Natyrisht se edhe “Trilogjia gjermane” me veprat “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e Zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, shfaqet si projekt letrar, i cili mbetet në kornizat e klishesë, ku faktet e caktuara historike, nëpërmes imagjinatës, kthehen në fakte jetësore.

Pa hy në aspektin e vlerësimit letrar të këtij prosedeu, që nuk i takon autorit, por lexuesve, megjithatë, autori, me këtë rast, ndjen nevojë që ky projekt letrar të përcillet me disa informacione udhëzuese, në mënyrë që të kihet parasysh se ngjarjet që shtjellohen në këtë vepër lidhen me faktet e caktuara historike, ku madje, shumë nga personazhet, ndonëse në vorbullën imagjinativ, vinë nga historia, siç janë edhe ngjarjet mbi të cilat mbështetet edhe trungu i veprës, gjë që kanë ndikuar që projekti të quhet “Trilogjia gjermane”, që më të drejt hap edhe pyetjen hipotetike rreth këtij emërtimi.

Natyrisht se edhe këtu rol vendimtar ka historia dhe pretendimi që nëpërmes fokusimit imagjinativ, të nxirren në pah ngjarje që ndërlidhen me ato fakte historike, ku lidhjet kulturore dhe politike të shqiptarëve me gjermanët, sidomos ato nga shekulli kaluar e deri më sot, luajtën një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe politike të shqiptarëve, nga zhvillimet që çuan të lindja e shtetit shqiptar, ndonëse të cunguar (me Kosovën dhe Maqedoninë e mbetur nën sundimin jugosllav) e deri te ato që mundësuan krijimin e shtetit të Kosovës, si një realitet i ri në raportet politike dhe shtetërore në rajon në përputhje me interesat e Perëndimit, për ç’gjë, NATO-ja përdori edhe ndërhyrjen ushtarake në vitin 1999, e ku Gjermania ishte partneri kryesor i këtij veprimi.

Në këto realitete, gjithsesi se implikimi i faktorit politik gjerman në jetën politike dhe shoqërore të shqiptarëve është emblematik, jo vetëm për atë se në krye të shtetit shqiptar caktohet Princ Vidi, misioni i të cilit do të përfundojë pas gjashtë muajsh kur do të fillojë Lufta e Parë Botërore, por edhe për atë se Berlini dhe Vjena, do të jenë referencë e të gjitha zhvillimeve që ndikuan suksesin ose mossuksesin e botës shqiptare midis dy luftërave botërore, gjatë luftës së dytë botërore, kur do të bëhet edhe bashkimi i përkohshëm por i pjesshëm shqiptar, e deri te zhvillimet që çuan te shfaqja e shtetit të Kosovës.

Ky zhvillim, gjithsesi do të ishte i thatë, pa aspektet jetësore nëpër të cilat kaluan lidhjet midis dy popujve, të përcjella me drama, po edhe tragjedi të shumta, ku gjithsesi për autorin me interes të veçantë kanë qenë ato që kanë nxjerrë në pah dimensionin e emancipimit të brendshëm shqiptar të ndikuar prej tyre, emancipim ky që në disa faza të caktuara historike, është përcjellë edhe me fatkeqësi dhe tragjedi nga anatema e “fashizmi” ( pas luftës së dytë botërore, po edhe më vonë).

“Trilogjia gjermane” vendoset mbi këto raporte dhe mbi këto anatema. Andaj, nuk është e rastit që edhe shumica e personazheve, në përputhje me këtë “mallkim” pësojnë në forma të ndryshme, siç pësojnë gjithë ata që janë pjesë e këtyre lidhjeve e ku del në pah edhe fakti thuajse absurd, se në disa faza, gjermanët e përfshirë në jetën shqiptare (veçmas vullnetarët e shumtë që erdhën në mbrojtje të Princ Vidit, po edhe më vonë), shfaqen më idealist dhe më të përkushtuar për mbrojtjën e kauzës shqiptare se sa vetë shqiparët, shumë prej të cilëve, madje, siç dihet luftojnë edhe kundër shtetit shqiptar dhe përiqen ta kthejnë edhe rrotën e historisë prapa me çka del në pah edhe simbolika e shekullit të mbrapsht shqiptar.

Ky realitet jetësore, sado tragjik, megjithatë, ndërton dramën e brendshme shqiptare në dy fazat vendimtare të shtetndërtimit (atë të shtetit shqiptar nga 1912-1945) dhe të Kosovës, nga 1991-1999, së cilës është dashtë t’i paguhet çmim i madh, por që ka mbajtur të gjallë frymën e projekteve politike dykahëshe: për çlirim nga dhuna e ideologjisë komuniste si dhe çlirim nga pushtuese shekullor. Ky realitet jetësor, po ashtu, përkundër përpjekjeve të njohura për kthim prapa, sië ishin ato “duam babën” dhe të ngjashme, nacionalizmin shqiptar, e ka kthyer në binarët e qytetërimit evropian dhe të përkatësisë së tij, ku shëmbëllesa gjermane ka luajtur një rol të veçantë, jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë politik për t’i përballuar vështirësitë historike, që në disa faza kanë qenë identike…/KultPlus.com

Shpend Ahmeti: Halloween ka përfunduar, ju lutem mos i dëmtoni autobusët

Mbrëmjen e së enjtes, kur edhe është shënuar në shumë pjesë të Kosovës festa e Halloween, në Prishtinë, është sulmuar një autobus i linjës urbane, shkruan KultPlus.

Por një sulm i tillë ka vazhduar edhe sot, ku autobusët e linjës urbane janë gjuajtur me ve. Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës së Prishtinës ka reaguar nëpërmjet facebook, i cili ka bërë thirrje që mos të dëmtohen autobusët.

“Vazhdon gjuajtja me vezë e autobusëve edhe sot. Halloween ka përfunduar. Ju lutem mos i dëmtoni autobusët. Policia është në patrullim dhe çdo rast do të lajmërohet”, ka shkruar Shpend Ahmeti./KultPlus.com

Anatomi e një anatomie femërore letrare

Elvi Sidhiri

Në hapësirën letrare shqiptare, e së shpejti përtej saj, vjen libri “Anatomy of a Kosova Woman’s Soul” i shkruar me një stil krejt unik, aq më tepër në anglisht, nga Vlera Kastrati, që krahas spikatjes në muzikën e epërme Jazz, tashmë nis edhe rrugëtimin e saj padyshim gjithaq të suksesshëm në letërsi, me këtë libër që do lexuar për të kuptuar shumëçka për Kosovën e disa dhjetëvjeçarëve të fundit, por njëkohësisht dhe universin femëror, në një formë tejet origjinale, të çiltër e mjeshtërore.

Kur një ditë, do të nisja leximin e këtij libri, do të më kujtoheshin vitet e shkuara, pikërisht në agun e studimeve të mia të hershme në spanjisht, kur do të lexoja për kryearkitektin e historisë së Spanjës dhe Katalonjës, Antoni Gaudi, mendje gjeniale gjurmëlënëse në tërë infrastrukturën futuristike e përrallore të Barcelonës së shekullit të fundit, që përmendet edhe nga autorja në faqet e këtij libri.

Pse gjithë kjo preambul pra?

Sepse ky libër është pak a shumë një Sagrada Familla e autores, që shton kate, strukturë e vlera në çdo rishikim e ripërpunim të tij me kalimin e kohës, ashtu si edhe kisha qiell-mëtuese barcelonase vazhdon të ndërtohet e lartësohet drejt qiellit gjatë jetës e pas vdekjes së beftë të arkitektit të saj gjenial, edhe sot e kësaj dite.

Ashtu si Gaudi, autorja synon të papërfytyrueshmen përmes faqeve të librit të saj; nëse Gaudi rrekej të kapte qiellin me shpirtin e tij të skajshëm dhe imagjinatën pafre, autorja derdh në këtë libër çdo ndjenjë që ia përshkon qenien e saj, duke sendërtuar një ndërthurje krejt njësore nuancash të larmishme emocionale që e joshin lexuesin menjëherë dhe nuk i ndahen kërshërisë së tij gjer në rreshtin e fundit.

Për një lexues të gjinisë mashkullore veçanërisht, ky libër do të shërbente edhe si një manual për të depërtuar (aq sa i kemi kapacitetet fundja, si meshkuj!) së paku në paradhomën e shpirtit, logjikës dhe, pa pretenduar shumë, ndoshta, pse jo, edhe në zemrën e një femre.

E këtu, pashmangshëm na rivjen në mendje titulli i këtij libri “Anatomy of a Kosova Woman’s soul”.

Një anatomi femërore do të mjaftonte për ta shndërruar sipërmarrjen e shkruarjes së një libri të tillë, qoftë edhe nga një femër me një botë të pasur shpirtërore, kulturore, mendësore e praktike, siç është autorja e tij, në një ushtrim të denjë për “Mundimet herkuliane” të mitologjisë.

E sakaq, kur kjo anatomi letrare, sociale, sa edhe shpirtërore, ndijore e emocionale, ku ngërthehen pazgjidhshëm ndjenja, pritshmëri, shtysa, shpresa, ndjeshmëri e mungesa jetësore, fokusohet në një grua kosovare, gjithçka koklavitet edhe më tepër, duke marrë njëkohësisht trajta të reja krejt specifike.

Është një rrugëtim i gjatë, disa dhjetëvjeçarësh nëpër labirintet e jetës, synimeve, prirjeve më intime, shtysave më të papërmbajtshme, sa edhe të strukura thellë në nënndërgjejgje, të autores, një anatomi e çiltër, pa sofizma, pa metafora të paqena, e prekshme njëlloj si brishtësia e karakterit të vendosur të autores (nuk është kundërthënie kjo!), realiste, e mirëqenë dhe e përthithshme qoftë edhe nga lexuesi më profan në këto tematika kaq delikate.

Një rrugëtim nëpër universin femëror të autores, në dyzimet e saj qenësore, në dritëhijet e dashurueshmërisë së saj, në qëmtimin e saj të botës mashkullore, në daljen e saj të përhershme jashtë stereotipeve për gjininë e saj në mjedisin e saj jetësor maskilist e tradicional.

Gjithçka ndërkaq, e kundruar plot finesë përmes prizmit të ngjarjeve, tragjedive, shtypjes, dhunës, privimeve dhe vështirësive pafund ku do të zhytej vendlindja e autores paralelisht me përçapjet e saj emocionale, shtegtimet e saj frymëzuese, mësymjet e saj nëpër skajet e pashkelura të horizonteve të veta mendësore, e gjithçka tjetër që hasim në këtë libër.

Autorja pranon të dalë ballazi kundruall lexuesit, por ajo zgjedh të shpërfaqë gjënë e saj më të shenjtë e të paarritshme qoftë nga njerëzit, qoftë nga ngjarjet, situatat apo rrethanat që atë e shoqërojnë gjatë jetës dhe lexuesit gjatë përparimit nëpër kapitujt e këtij libri.

Ajo pranon kaq guximshëm ta shpërfaqë tërësisht shpirtin e saj, duke nxjerrë në pah, në këtë “Agora” letrare e shpirtërore që kaq vetvetiu mishërohet në këtë libër, krejt shtresat përbërëse të botës së saj shpirtërore, duke i analizuar ato një më një, duke gjetur shkakun, cytjen, nxitjen, arsyen apo komën emocionale të çdo ngjyrimi të ndjenjave të saj kundrejt dashurisë, mjedisit jetësor, qytetit të vet, shoqërisë, kulturës, prapambetjes, pushtuesit, pranisë ndërkombëtare, botës së qytetëruar ku ajo ndjen se përket e në veçanti, MUZIKËS.

Sepse ky është një “Libro in musica” siç do të thoshin miqtë tanë italianë.

Një libër i përshkuar nga muzika pra. Një libër i shkruar me muzikë, i krijuar me muzikë, i mbështetur te muzika dhe i mbyllur me muzikë nga një njeri që muzikën, artin, krijueshmërinë, i ka për sinonim të vetvetes në kuptimin më parësor të mundshëm.

Letërsia pra, shkrimi, ky libër, përbën veç një grykëderdhje tjetër për frymëzimin e autores që vërtitet brenda qenies së saj pandalshëm në kërkim të gurgullimeve të reja, i formësuar herë me shkronja alfabeti, herë me tekste nota muzikore, herë përmes tingujve të zërit të saj grishës ndër këngë.

Një libër që të pushton e të bën pjesë të çdo mendimi, ngjarje, historie, mëdyshje ekzistenciale, trazimi jetësor apo emocional, dridhme, dënese, ligështimi, shprese, kënge apo ndjenje të shprehur në secilën faqe të tij.

Një rrugëtim, jo më kot. Një udhë drejt tunelit dhe dritës në fund të tij. Dritëz aspak utopike, që në krye të disa dekadave na shpie larg, atje ku letërsia bëhet këngë, ku ndjenjat bëhen mendime, ku shtysat bëhen akte të pakthyeshme, ku Sagrada Familla e këtij libri tanimë resht së qeni një objekt kulti në ndërtim, dhe befas e shohim të shndërruar në një faltore të shenjtëruar, me fjalë të tjera, në një libër të plotë e të përfunduar.

Një libër femëror që çdo mashkull do të donte ta lexonte. Një libër i shkruar në gjuhë të huaj për t’u shkëputur ndoshta sa më shumë emocionalisht nga uni shqiptar, por një libër që do ta bënte çdo të huaj ta kuptonte shqiptaren dhe universin e saj krejt qartësisht, një libër i mbrujtur në muzikë, ndjenja e “Vlera”. /KultPlus.com

“Zonjat që bëjnë Shqiptarinë” me Mbrëmje Gala në Tiranë

Shkruan Flora Nikolla

Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të takohen në një mbrëmje simbol Gala, në natën e 12 dhjetorit në një nga hotelet më tradicionale të kryeqytetit shqiptar, në Mak Albanian Hotel, për t’i dhënë nderim, një grupi zonjash që punojnë sot në të gjithë botën e globalizuar pavarësisht kombësisë shqiptare tashmë e ndryshuar në amerikane, franceze, italiane, austriake, gjermane apo malazeze, maqedonase, etj. Ka një të veçantë këtë here dhe shumë të rëndësishme, sepse e gjithë kjo mori vendesh nga i gjithë rruzulli ynë, do të nderohet me një emër shumë të madh që quhet Shqiptari, në emër të një kuptimi të madh që quhet: sukses!

Kjo nuk ka të bëjë me nacionalizëm dhe as më shumë me ndonjë patetizëm të rastësishëm!!! Kjo ka të bëjë me një nderim që institucionalizohet për herë të parë me një çmim të madh që nderon zonjat tona në një botë globale, ku ato me dinjitetin dhe personalitetin e tyre, kane ditur të krijojnë suksesin kudo janë. A nuk është kjo një krenari legjitime për të gjithë ne? A nuk duhet ne të mos harrojmë se si shqiptarë dimë të krijojmë sukses, të paktën të plotë jashtë trojeve tona? A nuk duhet vallë që në ditët tona, të mos komentojmë në sharje jetët tona andej e këndej dhe as të komentojmë me grimca hakmarrje jetët e të tjerëve, por më buzëqeshje ti themi, bravo suksesit ???

Albanian Excellence, ka një mision fisnik për të treguar suksesin tonë të përbashkët shqiptar dhe që në vitin e saj të shtatë, ka arritur të ketë së bashku mbi 1000 histori suksesi të të dy gjinive. Po zonjat e suksesit, si nisi ky rrugëtim ?- me të drejtë do të pyesni ju. Rrugëtimi i suksesit të zonjave nis një ditë tetori të vitit 2016, në Manhattan , Nju Jork, kur u nënshkrua Memorandumi, “Të qenit grua në shekullin e XXI “. Firma e parë ? Presidenti i asaj kohe Bujar Nishani që ishte prezent në një mbrëmje Gala të paharruar në Symphoni Space ku u promovua libri “Zonjat shqiptare në Nju Jork “. Ja kështu me këtë ngjarje të madhe e të mbarë nisi ky rrugëtim yni me zonjat shqiptare kudo janë. Më pas ??? Më pas me, “Peticioni për viktimat e dhunës seksuale të Luftës në Kosovë në vitin 1999” , nënshkruar në Nju Jork në qershor të vitit 2018, në Galanë e mrekullueshme “Zonjat që bëjnë Shqipërinë” në dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë kur u botua libri “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, për të vijuar në muajin prill të vitit 2019, me Konferencën Ndërkombëtare , “Vlera e të qenit grua në shekullin e XX”, në Tiranë dhe në Shkodër kur u botua libri, “Në botën e bukurisë” dhe kur u krijua Aleanca Globale e Gruas së suksesit shqiptar, me librin dhe ekspozitën ndërkombëtarë “121 foto në 121 jetë suksesi”, në muajin qershor në Presidencën e Republikës me prezencën e Presidentit Ilir Meta, si simbol i kombit, për të qenë së bashku gjatë muajve, korrik, gusht, shtator, tetor, në një ekspozitë plot me mesazhe fisnike në Strugë (Maqedonia e Veriut), në Pogradec, në Preshevë (Republika e Serbisë) në Patos , Prishtinë dhe në Ulqinin e bukur.

A nuk është një odise e mrekullueshme dhe fisnike e gjithë kjo ? A nuk është një prolog i bukur nata e 12 dhjetorit në këtë parakalim të pandalshëm vlerash të zonjave tona shqiptare kudo janë? Shumë kemi nderuar dhe respektuar në emër të vlerës. Ka qenë shumë kënaqësi, ka qenë dhe tepër lodhje, emocion, ka qenë shumë punë dhe shumë përkushtim dhe dashuri. Po ja ku jemi !!! Nata e 12 dhjetorit po afron …!!! Ne të gjitha duhet të jemi bashke dhe më afër … pavarësisht se kush do të marrë nominalisht titullin Zonjë që bën Shqiptarinë…! Duhet të jemi së bashku sepse emërues të përbashkët kemi suksesin dhe dinjitetin tonë. Ndaj them se : 12 dhjetori do të jetë një natë simbol për disa mijëra zonja shqiptare që dinë të bëjnë sukses . 12 dhjetori do të jetë një natë shembulli për më të mirën e të qenit grua, në mjekësi, arsim, estetikë, art, kulturë, shkencë, biznes, filantropi, media … , politikë, e pa fund mund të vijoj kështu…!!! 12 dhjetori do të jetë një natë emblemë e zonjave shqiptare, pavarësisht se nuk mund ti kemi të gjitha së bashku , e për ti thënë : Faleminderit për koontributin e tyre në shqiptari !!! Ndaj ju drejtohemi me zemrën plot për t’ju thënë: Mirë se të vini, Ju Zonjat e suksesit mbarëshqiptar në Natën e Madhe të 12 dhjetorit në Tiranën e të gjithëve !!!/KultPlus.com

Grimeri kosovar transformohet për Halloween, nga një burrë shndërrohet në grua (FOTO)

Arbër Bytyqi, grimeri kosovar ka postuar në rrjetet sociale transformimin e tij për festën e Halloween, shkruan KultPlus.

Ai ka ndarë me ndjekësit e tij një fotografi, para dhe pas grimit, ku shihet një transformim i madh, nga një burrë me mjekër i shndërruar në një grua mjaftë tërheqëse. KultPlus ju sjell pamjet e postuara nga vet grimeri kosovar Arbër Bytyqi./KultPlus.com