Papa Françesku: Shqipëria, një vend me histori të lashtë dhe të lavdishme

“Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”.

Të dashur vëllezër ipeshkvij e meshtarë,

vëllezër e motra,

me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen juve, që keni ardhur këtu me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit tuaj kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Përshëndes me mirënjohje të pranishmit dhe, me mendje, edhe gjithë shqiptarët, në atdhe e në vende të tjera të botës, të cilët, në emër të lidhjeve të lashta të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit. Në këtë kuadër, më pëlqen të kujtoj se 50 vjet më parë, Shën Pali VI deshi të presë një përfaqësi të shqiptarëve.

Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj. Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.

Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.

Pas vdekjes së heroit dhe pas pushtimit të Shqipërisë, shumë shqiptarë preferuan të emigrojnë dhe shumë prej tyre u vendosën në Itali, në qendër të gadishullit e në jug, sidomos në Kalabri e Sicili, duke u dhënë jetë Rretheve kishtare shqiptare të Ungrës, të Horës së Arbëreshëve dhe të Grotaferratës.

Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se heroi kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës.

Për arsye të rëndësisë së veçantë të figurës dhe të veprës së gjithanshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kuptohet më së miri pse Shqipëria ka dashur ta shpallë këtë vit, “Vit mbarëkombëtar të Skënderbeut”.

Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke e dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil.

Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në kohën e vet. Ai, duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdorur nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri, kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim.

Siç pata rastin të pohoj, me rastin e vizitës sime në Shqipëri, “klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin” (Takimi me autoritetet, 21 shtator 2014: Insegnamenti II, 2 [2014], 271). Ajo tregon se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë. Gatishmëria për t’i konsideruar ndryshimet si rast për dialog, vlerësim e njohje të ndërsjelltë, favorizon gjithashtu, zhvillimin e udhëve shpirtërore të vërteta e bëhet shembull i vlefshëm, për t’u parë me interes të madh në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, themeluar mbi respektimin e dinjitetit të njeriut.

Duke përkujtuar me mirënjohje shenjtorët martirë, që e dëshmuan fenë me çmimin e jetës, si edhe shën Terezën e Kalkutës, me kënaqësi, i jap Bekimin Apostolik secilit prej jush, këtu të pranishëm, familjarëve tuaj dhe gjithë popullit shqiptar. Një favor, mos harroni të luteni për mua. Faleminderit.

Femën

Poezi nga Erenestina Gjergji Halili

T’kqyri me flok’t prishuna,
me rrathin e synit pa mblùem,
me teshën e gjumit t’pâ bâmë,
e t’rroki dashninë.

T’kqyri flok’t e mbledhuna,
e rrathin e synit mblùem,
teshën e gjumit ndrrùem,
e t’qafi sojninë.

E di se ti sa mali bân,
si ti e di dhimtën e barkut,
hapin ta ndij pa randùe,
Njifná, pa m’njoftë mùe,
se un’ jam si ti, femën,
ti si un’, grùe/KultPlus.com

Jep dorëheqje zv/ministri: Në Ministri nuk kishte ujë as letra tualeti

Zëvendësministri i Arsimit që u emërua në këtë detyrë më 31 tetor dha dorëheqjen papritmas ditën e enjte. Taulant Muka, i cili zëvendësoi Ervin Demon, pasi u akuzu për plagjiaturë, ia dorëzoi dje dorëheqjen ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dhe kryeministrit Edi Rama.
Ai shpjegoi mbrëmë në studion e “Ora News”, arsyet e largimit ndërsa tha se në ministri kishte një mungesë të theksuar menaxheriale. Duke filluar që nga uji i pijëshem deri tek letrat e tualetit që nuk kishte gjëkundi, Taulanti u shpreh se i duhej të paguante nga rroga e vet, kafetë që pinte stafi. Ai tha se gjeti një zyrë bosh në aspektin e dokumenteve.

Më poshte reagimi i Taulant Mukës:

“Taulanti kur filloi në punë gjeti një zyrë bosh në aspektin e dokumenteve. Unë mbaj mend kryeministrin dhe zotin Braçe që thoshin që zyrat ishin bastisur. Unë kisha karrigen dhe tavolinat, por nuk kisha përmbajtjen brenda. Ka qenë një zyrë bosh. Pulti i televizorit ishte marrë dhe letra higjienike ishte marrë. Informacioni nuk ishte dhe pavarësisht kush vjen zv.ministër, axhenda vazhdon, dokumentacioni duhet të qëndrojë. Nuk ka një protokoll.

Zv.ministri nuk është një person kushdo, ka një detyrë të rëndësishme në çfarëdolloj ministrie që qëndron. Taulanti kudo ku ka punuar në botë, në momentin që fillon punë, ka një axhendë 10- ditore e përgatitur nga struktura; takohet me pjesën juridike që i tregon gjithë ciklin e punës. Taulanti nuk është mësuar me këtë lloj modeli dhe vjen nga një kulturë tjetër. Ka një mungesë menaxheriale. Në Ministrinë e Arsimit nuk ka ujë të pish dhe kafetë e kujtdo që të vinte në zyrë do t’i blinte Taulanti me rrogën vetë. Rroga e Taulantit nuk të vlen vetëm për kafe dhe ujë. Unë shkova me një mision. Mision kisha arsimin cilësor dhe rikthimin e dinjitetit të universiteteve shqitpare dhe shkencore,” shpjegoi Muka.

Dua Lipa në CNN: Kosovarët nuk e praktikojnë islamin, por kanë traditë myslimane

Ylli shqiptar i muzikës në Britani, Dua Lipa, ishte e ftuar për intervistë në televizionin CNN, ku rrëfeu eksperienca interesante nga jeta e saj dhe shprehu mendime për çështje të ndryshme.

Në një pjesë të intervistës, ajo foli edhe për përkatësinë fetare të kosovarëve.

Dua thotë se kosovarët nuk e praktikojnë islamin, por më shumë kanë traditë myslimane, transmeton Insajderi.
“Janë tradita familjare. Edhe unë praktikoj të njëjtat tradita myslimane”, ka thënë Dua.
Ajo ka folur edhe për refugjatët nëpër botë, duke treguar se edhe vetë ajo ishte refugjate në Angli.

“Askush nuk e lë vendlindjen me dëshirë. Unë e di se çfarë do të thotë pasi e kam përjetuar duke ardhur në Britani të Madhe. Kam qenë me fat që kam ardhur në Londër dhe kam plotësuar ëndrrat. Unë e di që ka shumë fëmijë që mund të përjetojnë këtë ndjenjë”, ka ylli shqiptar.

Më tej, ajo u pyet nga gazetarja Becky Andresonin nëse zgjedh më para Prishtinën apo Londrën.

Muzeu i Kosovës hap ekspozitën kushtuar Skënderbeut

Ekspozita do të jetë e hapur nga sot deri më 6 dhjetor Muzeu i Kosovës sot hap ekspozitën “Moti i Madh” kushtuar Heroit të Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Ekspozita përmban statute, replika, gravura të autoreve të ndryshëm me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita do të jetë e hapur nga sot deri më 6 dhjetor./KultPlus.com

Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se sa i vdekuri

Shkrimtari, gazetari dhe publicisti Eduardo Galeano i cili ishte i njohur me krijimet e tij fillimisht në Spanjë, e më pas i përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës, shumë shpesh ka pasë deklarata të fuqishme, të cilat përkojnë edhe me ditët e sotme. KultPlus ka shkëputë këtë deklaratë që ka të bëjë me vdekjet, dasmat, dukjen e diturinë.

Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri, ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria.
Jetojmë në kulturën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen./KultPlus.com

Tre vëllezërit tregtarë çamë dhe fundi i tyre në vendin e nanës

Raimonda Shundi rrëfen historinë e rrallë të tre vëllezërve tregtarë. Si u përballën ata, tre çam të sofistikuar me realitetin komunist, dhe vetësakrifikimi i njërit prej tyre për hir të vendasve të varfër.

Raimonda Shundi Dervishi

Ekonomisti i studiuar jashtë i transferosajuar si magazinier në Shqipëri ka një histori sa vetmitare aq edhe përgjithësuese për tu rrëfyer. I gjatë, i urtë, i mençur, zemërgjerë, beqar dhe super elegant. Çami që studioi ekonomi në vendin fqinj Itali; shpërngulja nga gjenocidi në Greqi e gjeti rreth të 30 vjeçar. Ky ishte Hamdiu, fati i të cilit e solli të vijonte jetën në Shqipërinë halleshumë. Tre vëllezërit e shkolluar jashtë (Francë, Itali), gjetën një Shqipëri konfliktuale dhe agresive (për shkak të politikave), sidomos ndaj tregtarëve dhe çamëve ne veçanti, të cilët ishin sefte në këtë vend. Çamët falë punës dhe kursimeve, së bashku me tragjedinë komunitare, sollën edhe traditën dhe pasuritë e tyre bashkarisht. Të trishtuar nga dhimbja në vendin ku lindën e sidomos nga braktisja e gjithçkaje që kishin krijuar deri në atë ditë, mbërritja në Shqipëri i bëri që të ishin nën vëzhgimin e pushtetit të ri Shqiptarë, si gjahu i preferuar, e për t’i zhvatur florinjtë e mbetur me kërcënimet apo presionet tipike proletare. Edhe në Greqi, mjete të tilla përdoreshin nga vendasit për t’u zhvatur para në këmbim të lirimit të familjarëve të burgosur. Por, i njëjti fat po i priste edhe në vendin e dytë.
Tre vëllezërit Zeqirjai, Resul Zeqirjai (pedagog historie në Universitetin e Tiranës), Hamdi Zeqirjai dhe Avdul Zeqirjai (më i madhi) ishin djemtë e lakmuar për të qenë pretendentët e dhëndurëve të ardhshëm për vajzat e ndrojtura Tiranase. Të studiuar, elegant, punëtorë dhe me klasin e europianit, vëllezërit po shihnin alternativat e jetesës në vendin e ri. Resuli, i cili studimet i kreu për histori në Francë e Itali, mundi të përfshihej në sistemin Akademik Shqiptar. Shkollën e mesme e kreu te “ Zosimea”, aty ku edhe Ismail Qemali kreu gjimnazin, për të vijuar më pas me shkollat perëndimore. Në Shqipëri fillimisht Resuli ishte një nga pedagogët e historisë në Universitetin e Tiranës, më pas në gjimnazin Qemal Stafa dhe në vitin 1965 në institutin Vojo Kushi. Ndërsa vëllezërit e tij nuk e patën kaq fat. Spostimi në Shqipëri e gjeti familjen Zeqirjaji (po jo vetëm) dhe djemtë në kushtet e një emigranti të studiuar me ambicie të projektuara në vendet e lira të zhvilluara, me status të mirë financiar dhe ëndrra e projekte të shumta për t’i realizuar. Florinjtë gjithmonë mbaheshin të fshehur për të mos u diktuar nga “miqtë” e rinj, pasi kjo do t’i çonte në konfiskim e në asgjë.
Gjatë kohës së studime në Itali, mundën të sjellin me vete edhe një makineri që bënte çorape e triko. Makinë e cila mundësoi edhe rritjen e të ardhurave në Shqipërinë e pak-gjësë. Shkolla ku vëllezërit punonin, nuk u jepte mjaftueshëm për të realizuar jetën që ata kishin bërë dhe dëshironin të jetonin. Kjo dopjo- jetë duhej bërë në fshehtësi, pa u diktuar nga pushteti sy-e-vesh popullorë. Shumë herë u spiunuan nga “miq” ziliqarë, por pasi u ndihmuan nga të tjerë miq, mundën t’ia hedhin. Disa herë ndërruan vendin e florinjve, e po kaq herë zhduknin makinerinë e çorapeve që mbathte Tiranasit, pasi rrezikohej jo vetëm konfiskimi por edhe dënimi (aktivitet privat). Resuli u martua më një familje me emër në Tiranë, por edhe ata ishin kulakë e si të tillë, të shënjestruar nga pushteti i ri popullorë. Avdiu u martua me një grua nga zona e tij dhe mundi të ishte pjesë e arsimit të cilkit të ulët, deri në spostimin në qytetin e Rrogozhinës si kuadër i specializuar. Kjo ishte metodë tipike e shpërndarjes së kuadrit në Shqipërinë e pak-shkolluar. Ndërsa Hamdiu ekonomisti zemër gjerë, nuk mundi të realizonte asgjë nga ato që pati planifikuar, madje edhe më keq se kaq: Vëllai i tij Resuli, pasi i shpëtoi disa herë kontrolleve në shtëpi për florinjtë e fshehur, në njërin prej tyre, u gjet i papërgatitur dhe u kap për t’u dënuar më pas me burg, pasi fillimisht i konfiskuan floririn e gjetur. Pedagogu mundi të dalë pas rreth një viti nga burgu, tashmë më i kujdesshëm se më parë. Ndërsa Hamdiu ekonomist, në Shqipëri bëri punën e magazinierit, ku furnizonte të gjithë vendin me zarzavatet dhe ushqimet e përditshme.

Hamdi Zeqirjai, heroi i heshtur
Nga këtu puna nis të bëhet problem. Si përgjegjësi kryesor mbi furnizimin me zarzavate të të gjitha dyqaneve, Hamdiu ndeshej shpesh me varfërinë dhe mos-pagimin e mallit të tërhequr nga magazinat qendrore, ndaj nisi të bënte një sy qorr e një vesh shurdh për të ndihmuar këtë kategori. Pra, nisi të ishte mik me shtresën më të pamundur. Por e mira e tij nxiti pëshpëritësit dashamirës të shtetit të ri; të vëzhgonin se çfarë ndodhte me produktet e pronës së përbashkët. Pasi dyshimet u vërtetuan, Hamdiu arrestohet dhe burgoset. Kur vëllezërit përpiqeshin të ndihmonin të vëllanë, ai i qetësonte duke i thënë: “Rrini rehat, nuk kamë lënë njëri nga pas”. Hamdiu që deri atëherë nuk mundi të krijonte histori sentimentale pasi stili dhe kërkesat e tij ishin specifike, kalimi i viteve bënë që ky hendek të thellohej, duke e izoluar më shumë nga ajo çka jetonte përditë. Vetmia dhe mendja e hapur bënë të krijonte botën e tij, të pacenuar nga pisllëku komunist. Shtëpinë e kishte tek sheshi “Çajupi”, përballë me ish-ekspozitën, në zonën pranë Bllokut. Kur e burgosën, është e njohur thënia e tij në gjyq, teksa familjarët tentonin t’i ulnin dënimin në këmbim të florinjve : “Unë dua ta bëj dënimin tim deri në fund, nuk kam bërë asgjë për të më falur askush. Njerëzit s’kanë të hanë dhe unë doja t’i ndihmoja. Ndërsa ai që më spiunoi, qoftë i mallkuar”. Dhe vërtetë; dënimi nuk iu ul dhe vdiq në burg rreth moshës 55 vjeçare. Ende nuk dihet a mbërriti mallkimi deri tek spiuni i tij./shekulli

Njësimi i alfabetit, gurthemeli për njësimin e gjuhës dhe të kombit shqiptar

Ndër katër ngjarjet kombëtare më të mëdha historike, gjuhësore e letrare, kulturore e arsimore, shtetformuese, të cilave u janë referuar dhe do t’u referohen studiuesit e historisë, të gjuhësisë, të letërsisë e folklorit, të didaktikës dhe kulturës janë pa dyshim, Kongresi i Manastirit (1908), i cili, me mënjanimin e alfabeteve të tjera shprehu në mënyrë të qartë idenë dhe vullnetin e shqiptarëve se uniteti i alfabetit, uniteti i gjuhës dhe uniteti i kulturës kanë qenë dhe janë kërkesa që përligjin dhe e bëjnë funksional unitetin politik të kombit.

Kështu e nis shkrimin Shezai Rrokaj në Gazetën Shqiptare kushtuar 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, që u shënua dje.

Frashëri do të pohonte te “Gjuha shqip”, se “Kombetë mbahenë me gjuhëtë, një komb që e humbet gjuhënë e vet është i humburë dhe harruarë … (dhe se)… xhdo shqiptar, i madh e i vogël të mësojë këto shkronja e të munjë të shkruanj’ e të këndonjë gjuhën e ti, që ka mësuarë me qumështit e s’ëmësë’.

Është i njohur fakti se Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje politiko-shoqërore, e cila u karakterizua nga një përpjekje e gjithanshme emancipuese me synime të qarta për shkëputje politike si dhe nxjerrjen nga prapambetja arsimore e kulturore nëpërmjet bashkimit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.

Ngjarja e dytë është Kongresi i Elbasanit (1909) dhe hapja e Shkollës Normale të Elbasanit (1909) për mësimin e gjuhës shqipe. Vendimet e tij kishin të bënin me mbrojtjen e gjuhës dhe vënien në zbatim të alfabetit të Manastirit.

Në zbatim të vendimeve të Kongresit të Manastirit dhe Kongresit të Elbasanit ishte hapja e Shkollës Normale për mësimin e gjuhës shqipe. Mësimi i gjuhës shqipe dhe masivizimi i shkollës ishin bërë kërkesë e e ditës dhe vendimet kishin të bënin me mbrojtjen e gjuhës dhe zbatimin e alfabetit të Manastirit, me përgatitjen e mësuesve, hartimin e teksteve për mësimdhënien në gjuhën amtare në të gjitha lëndët dhe kategoritë e shkollave. Ky ishte një hap tjetër i rëndësishëm drejt njësimit të gjuhës shqipe.

Profesor Mehmet Çeliku e vlerëson Kongresin Kombëtar të Elbasanit si “një ngjarje e rëndësishme kulturore, arsimore e politike, ai është kongresi i shkollave shqipe dhe i gjuhës shqipe, është kurorëzim i luftës së gjatë të Rilindjes Kombëtare shqiptare për identitet kulturor shqiptar.

Ngjarja e tretë është Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës, e cila hedh për herë të parë themelet e një politike gjuhësore, në kuptimin teorik të këtij koncepti, po të mbajmë parasysh se për herë të parë kemi një mbështetje institucionale nga Komanda austro-hungareze me synime të qarta në këtë drejtim. R. Elsie thekson se Komisia Letrare Shqipe u ngrit prej austro-hungarezëve “…me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral, për të vendosur në lidhje me çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit, si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.”

Komisia ishte një projekt madhor për një politikë gjuhësore, e cila do të krijonte një sinergji midis institucioneve qeverisëse të kohës dhe plejadës së intelektualëve, me qëllim kodifikimin e drejtshkrimit dhe unifikimin e variantit letrar që do të përfaqësonte gjuhën e administratës, të shkollës, të shtypit, të literaturës në tërësi dhe të kulturës së mbarë kombit.

Kjo politikë gjuhësore në dobi të formësimit të shtetit të ri shqiptar jepet në mënyrë të qartë nga S. Çeka, kur pohon se “Parimi dhe zbatimi i dialektit historik të Elbasanit dhe përgjithësimi i tij në qeveri me kulturë shkollore të truallit tonë asht nji përparim i paçmuar dhe nji … çap për bashkimin politik dhe letrar të dy copave të pashqitshme të Veriut dhe të Jugës.”

Ngjarja e katërt e rëndësishme është Kongresi i Drejtshkrimit (1972) dhe gjithë hapat e mëtejshëm për të realizuar gjuhën e njësuar, si një vepër ku kombi do të realizojë për shtetin a shtetet e tij një konvergjencë gjuhësore njësuese kryesisht në administratën publike, në shkollë dhe në media. Natyrisht, në harkun e këtyre ngjarjeve madhore dhe në përmbushje të synimeve të tyre ka pasur përpjekje të tjera të rëndësishme dhe me arritje të pamohueshme, si: Shoqëria e Stambollit (1879), Shoqëria “Bashkimi” (1899) dhe Shoqëria “Agimi”(1901), Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920), Kongresi Arsimor i Tiranës (1922), Kuvendi i Parë i Studimeve Albanologjike (Tiranë, 1940), Instituti i Studimeve Shqiptare (Tiranë, 1940), Instituti i Gjuhësisë (Tiranë), Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (Prishtinë, 1968).

Ajo që i bashkon këto ngjarje është fakti se çështja gjuhësore nuk ka qenë qëllim në vetvete dhe për vetvete; ajo shërbente si mjet për një qëllim më të madh: njësimi i alfabetit ishte një fillim për njësimin e gjuhës si mjet, për të mbërritur mandej te njësimi i kombit nëpërmjet shkollës, letërsisë e kulturës, me qëllim që të vihej më mirë në qarkullim dija kombëtare shtetformuese, si pronë e bashkësisë, për të realizuar unifikimin vetëdijes si komb; një vetëdije e brendshme në gjithë rrugëtimin prej Rilindësve tanë e këtej.

Ndaj mund të pohohet pa mëdyshje se qysh prej Kongresit të Manastirit çështja e njësimit të alfabetit dhe gjuhës nuk ka qenë qëllim në vetvete. Me ndonjë përjashtim, kjo çështje ishte e lidhur ngushtë me kërkesën e njësimit kombëtar dhe të autonomisë, sepse programi i lëvizjes kombëtare është i lidhur me procesin e formimit të ndërgjegjes kombëtare dhe të unitetit kombëtar’. I përmbahemi mendimit se kjo sinergji e unitetit të alfabetit, të gjuhës dhe kulturës në shërbim të unitetit të kombit është një politikë gjuhësore, herë në trajtën e përpjekjeve sporadike të qarqeve të caktuara qysh prej rilindësve e herë si një angazhim shtetëror prej Komisisë e në vazhdim. Pavarësisht nga veçanësitë dhe kushtet historike që kanë ndikuar në qëndrimet përkatëse ajo që i bashkon këto ngjarje historike është larmia e pjesëmarrësve dhe formimeve të tyre si: studiues e krijues në gjini të ndryshme, apo edhe patriotë, shtetarë, fetarë etj.

Prej Kongresit të Manastirit e këtej nis një rrugëtim pa kthim drejt:

Së pari, eliminimit nga diskutimi i alfabeteve arabo-turk e grek dhe zgjedhja e alfabeteve me bazë latinishten. Kjo zgjedhje ishte padyshim më pak një vazhdim tradite të autorëve të vjetër sesa një shprehje vullneti për të qëndruar larg alfabeteve me të cilët lidheshin vendet që synonin të na asimilonin a të na copëzonin. Një alfabet larg fqinjësisë territoriale e larg alfabetit të pushtuesit ishte një garanci më shumë për një autonomi dhe një pavarësi kombëtare.

Së dyti, zgjedhja e dy alfabeteve në Kongres tregonte se do të duhej ende kohë që klubet të hiqnin dorë nga ndasitë, copëzimet dhe kaosi grafik për t’u përfshirë gradualisht në një lëvizje unitare kombëtare në kuptimin e gjerë. Siç do të shihet më tej, edhe pse me dy alfabete, Kongresi jo vetëm i dha fund larmisë grafike të deriatëhershme, por edhe shërbeu, në vijim të Lidhjes së Prizrenit, si një fillesë për një funksionim të kombit në tërësinë e elementeve që e përbëjnë atë.

Së treti, është pak e besueshme që zgjedhja e dy alfabeteve të jetë bërë për të shprehur a respektuar bashkësinë veri/jug e ca më pak atë fetare në myslimanë e të krishterë. Faktori i jashtëm, i cili është përdorur si argument diskutimi nga studiuesit për të dhënë interpretime të ndryshme, lidhet më shumë me përdorimin praktik të shtypshkronjave, që asokohe mbështeteshin në karakteret latine.

Së katërti, njësimi i alfabetit ishte një fillim për njësimin e gjuhës si mjet për të mbërritur te njësimi i kombit nëpërmjet shkollës, letërsisë e kulturës, që do të vinin më mirë në qarkullim dijen kombëtare si pronë e bashkësisë për rritjen e vetëdijes njësuese.

Kongresi i Manastirit u dha shqiptarëve përfundimisht një alfabet latin, i cili ua ktheu përfundimisht syrin nga Perëndimi, i largoi ata prej kthetrave të turqve dhe lakmive territoriale të fqinjëve. Nga vetë natyra e saj, gjuha shërbeu si mjet për formësimin kombëtar. Një alfabet, një gjuhë pa thyerje të mëdha dialektore, një shoqëri shqiptare e emancipuar, që duhej të zgjohej dhe të bashkohej nëpërmjet shkollimit dhe kulturimit, mbeten sot e gjithë ditën, prej Rilindësve në kohët e moderne, rruga si duhet të bëheshin dhe do të formësoheshin Shqipëria dhe shqiptarët.

Edhe në kohët e sotme debatet nuk kanë vënë në diskutim vetëdijen arkëtipike të njësimit gjuhë-komb. Ato kanë qenë kryesisht të lidhura me bazën dialektore të gjuhës së njësuar, pas pohimeve në Kongresin e Drejtshkrimit (KD) për të ashtuquajturën bazë mbidialektore të gjuhës letrare, për kriteret e zbatuara për normën drejtshkrimore, për lidhjen e gjuhës së njësuar me sistemin komunist, për pasurimin, rishikimin, zëvendësimin e saj a krijimin e një standardi tjetër etj. Këto debate kanë mbetur të mbërthyera hera-herës në një mendësi akuzuese, pa mundur të jepen zgjidhje racionale normative për gjuhën shqipe, e cila, si një dukuri dinamike, ndryshon e larmohet, duke iu përshtatur rrethanave shoqërore të reja e ku, si në çdo gjuhë tjetër merr trajtën e një gjuhe në përdorim.

Sot është koha që problemet e gjuhës së njësuar të kundrohen nga këndvështrimi i gjuhës në përdorim, i cili është përcaktues për normën e çdo gjuhe. Si shumë studiues të tjerë, mendoj se një debat dobiprurës për çështje të caktuara për gjuhën e njësuar, larg shigjetimeve, i mbështetur kryesisht në studiues dhe në institucione, mund të na shpjerë drejt dhënies së disa zgjidhjeve në fushë të drejtshkrimit, pas të cilave lipset një politikë planifikuese gjuhësore mbarëkombëtare.

Nga ana tjetër, i përmbahem, gjithashtu, mendimit se me gjithë diskutimet e debatet gjuha e njësuar, edhe pse ende në proces formësimi, e mbrojti gjuhën shqipe prej “krisjes gjuhësore”, ipso facto edhe “krisjes kombëtare”, që po realizohej gradualisht për shkak të copëtimit gjeopolitik të kombit në disa shtete, e ku shqipja, sikundër vetë shqiptarët po formonin një arkipelag gjuhësor pa mundësi komunikimi brenda etnike prej një “ishulli” gjuhësor tek tjetri. Njësimi i gjuhës nëpërmjet një gjedheje njësuese për shqipfolësit ishte antidoti më i efektshëm për të parandaluar zhvillime gjuhësore në kahje diverguese e me gjasa që, në një kohë të pritshme, diversiteti gjuhësor, kulturor, ekonomik e politik mund të sillte një “përzierje gjuhësore” aty ku shqipja ishte nën ndikimin e gjuhës së shtetit tjetër (serbishtes, maqedonishtes, gjuhës malazeze).

Pra, me gjithë problemet e komunikimit brendakombëtar dhe të njësimit shtetëror gjuha e njësuar ka funksionuar pëlqyeshëm në disa veprimtari shoqërore si: në letërsi, në shkencë, në shkollë, në administratë e në lëmenjtë e tjerë të kulturës kombëtare në trojet etnike ku jetojnë shqiptarët. Ajo u përdor në trevat etnike të shqiptarëve si mjeti më i rëndësishëm integrues kombëtar i shqiptarëve të shpërndarë në disa njësi administrative shtetërore. Ndërkaq jeta e shqiptarëve kudo ku jetojnë, nga ajo kohë gjer sot, ka ndryshuar shumë dhe krahas këtyre ndryshimeve janë rritur dukshëm edhe prurjet e reja letrare e shkencore dhe jeta e përgjithshme kulturore e tyre.

Parimi i kompromisit të natyrshëm brenda bashkëveprimit ndërdialektor midis ish- varianteve të shqipes letrare dhe jo vetëm, prej Rilindjes Kombëtare e këtej, ka ndikuar pozitivisht në njësimin e gjuhës shqipe, duke qenë i efektshëm për zhvillimin e përgjithshëm të standardizimit të saj.

Aspiratat e përgjithshme të shqiptarëve orientohen drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe paralelisht drejt bashkimit kombëtar. Kjo gjë kërkon në radhë të parë që shqiptarët medoemos duhet të kenë një gjuhë të njësuar të vetme, por dhe funksionale e të zbatueshme në të gjitha viset etnike ku ata jetojnë. Sot gjuha e njësuar është mjeti kryesor për mbrojtjen e identitetit të njësuar kombëtar edhe përballë trysnisë së gjuhëve dhe kulturave të huaja në periudhën e shoqërisë globale që po jetojmë.

Prirja e përgjithshme (por jo vetëm) për ndërhyrje drejtshkrimore në standardin tonë vjen prej disa faktorësh ndër të cilët veçojmë: dinamizmin e zhvillimit të vetë standardit që lidhet edhe me ndryshimet e sistemit dhe ndryshimet gjeopolitike, kryesisht në dy dekadat e fundit. Por edhe vetë Kongresi i Drejtshkrimit (1972), i cili me gjithë punën e konsiderueshme, të bërë nga studiuesit dhe institucionet, nuk mund të mbyllte gjithçka plotësisht dhe drejt për arsye të mosnjohjes plotësisht të të gjithë arealit gjuhësor të trevave shqipfolëse, që vinte nga gjendja e pamjaftueshme e studimeve dialektologjike të kohës, të cilat nuk ishin gjithmonë konverguese, për shkak të copëtimit politik të kombit tonë. Nga ana tjetër, me gjithë punën e palodhur të studiuesve tanë, përgatitja teorike vuante defektet e izolimit dhe të mungesës së një shkolle teorike gjuhësore ad hoc. Gjithashtu, Kongresi i Drejtshkrimit i la shumë çështje të hapura për t’u ndjekur në dinamikën e mëtejme të zhvillimit të gjuhës. Por, nëse në kohën e KD disa vendime u morën edhe në emër të një idealizmi kombëtar pragmatik, për shkak të copëtimit gjeopolitik të kombit, sot shqiptarët lëvizin lirshëm në arteriet e kombit dhe bashkë me ta edhe gjuha e tyre. Kombi dhe gjuha e tij e njësuar nuk është më një ëndërr, një aspiratë, por një realitet i prekshëm, i përditshëm, i provuar dhe në proces formësimi, ndaj dhe zgjidhjet duhet të marrin parasysh këtë realitet të ri.

Prirja globale integruese ndërkombëtare ka sjellë vetiu edhe prirjen integruese kombëtare. Në këto kushte shqiptarët nuk mund të kenë dy standarde gjuhësore e as nuk mund të nisin nga e para një të ri. Zgjidhja e vetme është zgjerimi dhe përmirësimi i këtij standardi drejt gjithëgjuhës. Kjo do të thotë se standardi duhet të pranojë natyrshëm për nevojat e veta prurje nga gjithëgjuha, kryesisht nga trevat jashtë kufirit politik të Shqipërisë. Nga ana tjetër, është e domosdoshme sot që të ndërtohen politika gjuhësore që mundësojnë shtrirjen e gjuhës së njësuar në tërësinë e shqiptarëve brenda kombit, me qëllim që shqiptarët të arrijnë një kohezion më të shpejtë shpirtëror e gjuhësor dhe një komunikim me frekuencë më të lartë në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, edukative etj.

Romani i Arben I. Kastratit në Panairin e Librit në Tiranë, do të bëhet edhe film

“I dashuri unë” është romani i aktorit, regjisorit Arben I. Kastratit që është prezantuar në Panairin e Librit në Tiranë, roman i cili është nominuar edhe për çmimin Kadare, shkruan KultPlus.

Me botues “Artini”, ky roman shtrihet në periudhën e luftës në Kosovë, ku personazhi kryesor, i cili është edhe aktor, i ndjekur nga paramilitarët serb, hyn në kinemanë e qytetit të fshihet. Në arkivin e kinemasë, që kishte vite që nuk funksiononte, ai gjen shumë filma.

Mbrëmjeve, kur NATO-ja bombardonte caqet militare serbe, ai ulej dhe shikonte filma. Duke shikuar filmat, kujton ngjarjet kryesore politike, duke u kthyer në retrospektivë…

Romani është adaptuar skenar filmi dhe xhirimet e filmit fillojnë në shtator të vitit 2019./KultPlus.com

Arta Dobroshi me rol kryesor në filmin “Emili”

Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë ku me rol kryesor është aktorja kosovare Arta Dobroshi, shkruan KultPlus.

Me regji të Ajola Daja, ky film ka një kastë shumë të përzgjedhur të aktorëve, të cilët tashmë janë duke rrumbullakuar karakteret e tyre para kamerës. Vetë Ajola Daja ka treguar për KultPlus se filmi “Emili”, ka nisë xhirimet më 5 nëntor dhe xhirimet do të mbyllen për 25 ditë, kurse xhirimet tashmë janë duke u realizuar në Tiranë.

“Filmi flet për Emili, e cila është e abuzuar nga bashkëshorti, dhe e njëjta kërkon ta marr djalin e saj 6 vjeçar. Në mungesë të autorizimit të babait për djalin e vogël, Emili duhet të përballet me vjehrrën e saj”, ka thënë Daja për KultPlus.

Përpos Arta Dobroshit, e cila në këtë film edhe e luan rolin e Emili, në këtë film me rolet e tyre lujanë aktorët: Lulzim Zeqja, Noel Miraka, Luiza Xhuvani…

Për vendimin që Arta Dobroshi të bartë rolin kryesor të këtij filmi, regjisorja Daja e ka shpjeguar me faktin se vetëm ajo ia sillte ndjesinë e personazhit të Emili. “Më ngjante me Emilinë, dhe mendoja se mund ta bënte të gjallë Emilinë në mënyrën më të mirë” ka thënë Daja.

Mirëpo, edhe për aktorët e tjerë ajo ka potencuar se janë përputhur fiks me personazhet që ka pasur në kokë. “Është duke funksionuar perfekt”, ka thënë Daja mbi këtë film që është i mbështetur nga QKK./KultPlus.com

Jam malok, do jesh ne gjak me mua!

Luela Myftari

I.

Unë jam malok. Do hyj n’gjak me Velinë. Sot protestoj te para Bashkisë se do më prishin shtëpinë. Një javë protestova pranë shtëpisë, por fadromat ishin po prapë aty. Nuk ikën. Erdha këtu në vitin 1993. Gjeta një fushë. Vura tabelën “Tokë e xanun”, se atëherë nuk dija me fol gjuhën e televizorit, dhe nisa me ndërtu. Llaç e tulla, ditë e natë. Me lekët që solli djali që nisa me maune në Angli, nuk haja, po ama ndërtoja. Pas një viti kisha jo një kat, por dy. Bëra edhe dy fëmijë të tjerë se atë në Angli s’po e shihja me sy, e lekë s’po më sillte më si dikur. Ishte fejuar me një të huaj e paratë që sillte ai një ditë do shteronin. Kur vëllai erdhi t’më takonte një vit të ri, në 1999-ën, e pa që jetoja si mos më mirë. Donte edhe ai një cep në Tiranë. Ngjit me mu, nxorra të njëjtën tabelë që kisha shkru për vete. Për mu kish qenë fatlume ajo “Tokë e xanun”. Shelbsirat sot, dun me ma prish mu shpinë, e me ndërtu rrugë. Edhe vllaut dun me ia prish, por at do e qesin prej shpijet me edukatë e me lekë në dor. Mu jo. Se s’paskam legalizim. Po kam kalamaj mor…

II.

Unë banoj këtu që në 1999. Erdha me pa vllaun. Ai nxorri tabelën “Tokë e xanun”, kurse unë ndërtova. Për një vit kisha dy kate. Një ditë takova një demokrat me kollare. Ishte shumë demokrat, gati për liri: “bëj çtë duash, sa tkesh mundci, sa tdush mjep, unë do tmbluloj”. M’tha hidh katin e tretë dhe dokumentet për legalizim. I dhashë një dorë lekësh atij, e tpaktën tani e kam shpinë me dokumente. Do më nxjerrin jashtë me një dorë lekësh që s’bëjnë as gjysmat e atyre që kam hedh 20 vite aty në vilë po, hajt mo, jam pak më mirë se im vëlla. Ai e hëngri tani, do të hyjë edhe në gjak. Edhe unë kam fëmijë, edhe unë du më shumë lekë. Dëmshpërblimi është qesharak. Skam nxjerrë njeri nga shpia. Unë s’ja kam zënë pronën kujt, shtetit ia kam zënë. Shteti Berishs, mtha mjep sa tdush, ndërto sa tdush. Unë më në kulla me arinjtë nuk iki me fjet. Po m’merr tre kate shpi, tre kate du.

III.

Unë jam malok. Me mu ky shtet është n’gjak n’qofse s’mjep lekë. Kam hedh 100 milion aty, m’len m’u me gisht ngojë, ky shtet shelbsirë. Du lekët që kam hedh se iki unë. Me m’u është ngjak. Tashi u kujtu ky shtet? Ku ishte pronari kur vuna aty “Tokë e xanun”? Flejte gjum. Se mbrojti pronën e vet. Pa le të vijë në Valbonë, ndonjë me mprek token, e therr. Unë erdha ndërtova, pronari erdhi i herë. Pastaj s’e pash më. M’hodhi ngjyq. M’plasi, unë e kisha vra me m’prek tokën, ai u kujtu pasi kisha bo edhe shpin. Shumë vonë u kujtu. Tash o emja.

IV.

Jam malok. Me mu je ngjak me mprek shpinë. O shpaja ime ajo oj taj. S’pys për dekomenta. E kaloj rrugën me semafor, tash po dun që t’kaloj urën. Po për i urë, mprish shpin? Ore, kaq po them, kalamajt nrruge po i qis, n’shkollë s’po i çoj se do mbrojmë shpinë. Jam malok, s’e liroj, se e kam xan i herë, e s’mtha gja kurrkush”.

Edhe ju zotëri, malësor jeni?

V.

Malok, jam. Se vetëm malokët kanë zënë tokat. Mgjej një nga jugu Shqipnis që do me ndërtu. Ata rrin me i vend, s’kan ambicje. Unë desha me iI rrit fmijt n’qytet. Kaq. S’kam të drejtë unë t’i rris n’qytet? Erdha e zuna, m’erdhi pronari. I bleva tokën. S’kam dy, tre kate si kto malokt e tjerë. Po kam dokumentet e tokës dhe legalizimin e pronës së ndërtuar mbi të. Tani që do e prishin do më japin një dëmshpëblim leshi. Kjo qeveri leshi. Po s’bëhemi dot shtet social ne. I hedhim njerëzit në rrugë. Mua që kam ble edhe tokën edhe pronën e kam legalizu, mjapin një dëmshpërblim qesharak. Tjetrit që thjesht e ka tlegalizume, një dëmshpërblim edhe më qesharak. Kurse ati që ska as tokë, as pronë, asgjë.

Heu dreq! Po ku ishin kta kur ndërtonin malokt e mi. Apo mbushën xhepat e na lanë. Heu dreq! Ku janë tani që një shoqëri të varfër si e jona, i flakin njerëzit në rrugë.

Dy milion mor burrë jemi. Dy million, sa një lagje n Nju Jork. Po si mor, flitet për kulla nmes Tiranës e nji kull, tna përmbledhë tgjithëve se ndërtojnë ktej nga Astiri? Bushi, Obama e Trumpi me i gradacelë na përmblidhte tgjithve. Po s’o shtet social ky. Tflak nrrugë.

VI.

Jam malësore. Studiova në Angli. Vërtet shkova me maune, por u ktheva si zonjë.. me projekte në kokë. Pronën time në Valbonë do ta bëj një vend mikpritës për të gjithë,për miqtë e mi nga Londra e për të gjithë ata që e duan natyrën. Valbona është një mrekulli. Për të do derdhja gjak.

FTESË PËR APLIKIM PËR GRANTE PËR START-UP

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bazuar në Planin e Veprimit për Punësimin e të Rinjve 2018-2020 fton të rinjtë që kanë përfunduar trajnimet për ndërmarrësi në kuadër të Fondit Rinore nga MKRS të aplikojnë për grante për ndërmarrësit. Objektivi kryesor i Programit është që të sigurojë mundësi për të rinjtë e papunë për ta nisur një veprimtari biznesi.

Shuma e grantit
Skema e Ndërmarrësisë do të sigurojë ndihmë me grante në vlerë prej 3,000 deri 5,000 Euro për çdo plan biznesi të zhvilluar me sukses që është miratuar në kuadër të procesit të përzgjedhjes.
Veprimtaritë prioritare
Përparësi (por nuk kufizohen) do të kenë këto veprimtari prioritare të biznesit:
• Industria e përpunimit dhe paketimit të ushqimit;
• TIK krahas me kontraktimin e jashtëm të proceseve të punës dhe sektori i qendrave të mbështetjes për konsumatorë;
• Industria e përpunimit të metalit;
• Industria e tekstilit;
• Turizmi;
• Industria e përpunimit të drurit;
• Ofrimin e shërbimeve.

Idetë e biznesit që nuk janë të pranueshme për të marrë pjesë në Program janë:

• të gjitha llojet e veprimtarive në kuadër të sektorit primar të bujqësisë;
• veprimtaritë me patundshmëri, lizing;
• veprimtaritë financiare dhe të sigurimeve dhe veprimtaritë që përfshijnë bixhozin;
• prodhimi i pijeve me përmbajtje të lartë të alkoolit dhe rakisë;
• prodhimi i produkteve të duhanit;
• prodhimi dhe shpërndarja e armëve;
• prodhimi duke përdorur teknologji që çojnë në ndotje të mjedisit (si ndotje të ajrit, tokës etj.).
• bizneset joformale nuk do pranohen për aplikim.
Shpenzimet e pranueshme
Shpenzimet e pranueshme që mund të mbulohen nga paratë e grantit duhet të shfrytëzohen për zbatimin e planit të biznesit dhe mund të përfshijnë:
• qiramarrjen e lokaleve për zyre apo veprimtari të biznesit;
• blerjen e materialeve për rinovim apo përshtatje të lokaleve/objekteve për biznesin;
• blerjen e makinerive, mjeteve dhe pajisjeve, si dhe softuerit dhe aseteve të tjera jo të prekshme;
• blerjen e lëndës së parë para nisjes dhe materialeve të harxhueshme
; • pagat dhe mëditjet, dhe shërbimet e tjera të nevojshme të specializuara;
• promovimin dhe reklamimin e veprimtarive.
Kufizimet për shpenzimet e pranueshme
: • deri në 30% të grantit mund të shfrytëzohet për rinovimin e objektit (vetëm për veprimtari hoteliere lejohet deri në 50%);
• blerja e lëndës së parë mund të mbulohet vetëm një herë, si blerje e njëhershme e stokut fillestar; • pagat dhe mëditjet mund të mbulohen deri në tre muaj pas fillimit të biznesit, bazuar në pagën minimale në Kosovë, pjesa tjetër e pagës duhet të mbulohen nga vetë biznesi; (paga nuk llogaritet për pronarin e biznesit);
• reklamat mund të mbulohen vetëm për tre muajt e parë pas nisjes së veprimtarisë, dhe nuk mund të kalojnë më shumë se deri në 10% të totalit nga granti.
Shpenzimet e papranueshme që nuk mund të mbulohen nga granti përfshijnë:
• blerjen e patundshmërive (tokë, ndërtesa, etj.)
• blerjen e mjeteve transportuese që nuk do të shfrytëzohen drejtpërsëdrejti për veprimtarinë e biznesit të propozuar;
• çdo shpenzim që nuk është i lidhur me biznesin e propozuar;
• shpenzimet e bëra para lidhjes së kontratës për grantin.
Shpenzimet e papranueshme në kuadër të grantit mund të mbulohen nga kontributi personal i aplikantit ose forma tjera të financimit si kredit etj. Buxheti total tentativë i paraparë për skemën e granteve është 450,000 Euro dhe përmes tij planifikohet të përkrahen deri 100 grante për start-up.
Aplikuesit mund të aplikojnë me një (1) Plan Biznes në kuadër të kësaj thirrje dhe vetëm për një (1) nga veprimtaritë prioritare. Aplikanti i aprovuar duhet ta përdorë grantin brenda gjashtë (6) muajve nga data e nënshkrimit të kontratës për grant.
Kriteret Specifike
Në mënyrë që aplikacioni të konsiderohet i kompletuar dhe të hyjë në fazën e vlerësimit nga aspekti përmbajtjesor, aplikuesi duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta minimale të parapara me dispozitat në vijim:
• të dorëzojnë brenda afatit të thirrjes Planin e Biznesit;
• të dorëzojë të dhëna e aplikuesit (CV, kopjen e letërnjoftimit dhe kopjen e certifikatë së trajnimit për ndërmarrësi);
• i gjithë dokumentacioni duhet të përmbaj një kopje fizike një (1) origjinal me dy kopje identike duke përfshire dokumentacionin mbështetës: gjithsejtë në tri (3) kopje identike.
Në rast të dështimit për të përmbushur ndonjërin nga kriteret e përgjithshme dhe specifike, aplikacioni do të konsiderohet i pakompletuar dhe si i tillë nuk mund të kualifikohet për mbështetje financiare.
Kriteret e vlerësimit nga aspekti përmbajtjesor:
Me rastin e vlerësimit të Planeve të Biznesit për rritjen e punësimit përmes zhvillimit të ndërmarrësisë do të vlerësohen me sa vijon:
• Realizueshmëria financiare e biznesit;
• Burimet në dispozicion për biznesin;
• Stafi;
• Njohuri e llojit të biznesit;
• Analiza e Tregut
Plani i Biznesit duhet të dorëzohet vetëm në formularin e paraparë, i cili së bashku me Udhëzuesin për Aplikim për grante për start-up, janë në dispozicion në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (www.mkrs-ks.org). Aplikacionet duhet të dorëzohen personalisht në një origjinal dhe dy kopje identike, në një zarf të mbyllur te Zyra e Arkivës në MKRS. Mbi zarf duhet të shkruhet si me poshtë.
– Programi i granteve për ndërmarrësi
– Emri dhe mbiemri i aplikuesit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sheshi Nëna Terezë; Zyra e Arkivës, Nr. 22; 10000, Prishtinë, Republika e Kosovës
Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është deri më 22 Nëntor 2018, ora 15:00.
Të gjitha çështjet që lidhen me ftesën publike për grante mund të sqarohen në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: [email protected]

Nëna, pasqyra e një djali plot vlera

Thonë se fëmijët janë pasqyra e prindërve, por thonë gjithshtu se një burrë është gjithçka që nëna e tij mundi të bënte me të!


Po e nisim me këtë shprehje për t’ju treguar sa rëndësi keni ju në rritjen dhe edukimin e djalit tuaj! Ju si nënë keni një impakt shumë domethënës në sjelljen e fëmijës tuaj sepse mbi të gjitha askush më mirë se ju nuk e kupton atë.

Si ndikon nëna tek djali i saj?

– Djemtë që kanë një marrëdhënie të mirë me nënën janë emocionalisht të fortë dhe kanë më pak probleme me sjelljen. Nëse djali dhe nëna nuk do të kenë një marrëdhënie të fortë mes tyre ata do të shfaqin sjellje agresive gjatë jetës.
– Fëmija do të jetë emocionalisht i pavarur. Një djalë që ka një marrëdhënie të mirë me nënën do të jetë një mashkull me shumë vetëbesim, një mik dhe partner i mirë.

– Djali juaj do të jetë i shkëlqyer në mësime. Nëse nëna do të tregojë interes në arsimimin dhe edukimin e tij ai do të dalë me rezultate shumë të mira në shkollë, gjë që do të ndikojë edhe në jetesën e tij.

– Nëse keni një marrëdhënie të mirë me djalin tuaj ai do të jetë më i aftë të kontrollojë sjelljen e tij. Aftësia e tij për të kontrolluar mendimet do të jetë më e lartë po ashtu edhe aftësia e tij e vetëkontrollit.
– Ata nuk besojnë në stereotipat gjinorë. Nuk pretendojnë të tregojnë forcën e tyre përmes dhunës dhe nuk kanë frikë të qajnë. Shoqëria e tyre zgjat shumë.

– E respektojnë femrën. Ai e respekton partneren e tij dhe rolin e saj në familje, por edhe femrën në përgjithësi pasi nuk e konsideron figurën e mashkullit sipër asaj të femrës.

– Janë më pak të prirur për sjellje të rrezikshme. Marrëdhënia e tyre me nënën do të ketë ndikim edhe në zakonet e këqija që fëmija mund të marrë.

– Nëna do të jetë për të një shoqe, guidë, mësuese e të gjitha rrugëve që të çojnë drejt suksesit.

– Nëna e mëson djalin e saj si të ketë një komunikim më të mirë me të tjerët. Nëse ajo do të flasë me fëmijën e saj për çdo gjë, do ta mësojë djalin e saj ta konsiderojë diskutimin si diçka shumë me rëndësi, e madje edhe si një mënyrë për të shprehur frikën që mund të ketë./ spektrum.al

Në këmbanarën e Katedrales “Shën Nëna Terezë”, mozaiku i Gjergj Kastriotit, inaugurimi të shtunën

Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, këtë të shtunë, më 10 nëntor 2018, organizon meshë dhe koreodramë për Gjergj Kastriotin – Skënderbun në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, në kuadër të shënimit të Vitit Jubilar 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, njoftojnë nga Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Mesha e shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza, të cilës do t’i prijë SH. T. Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në koncelebrim me meshtarë, rregulltarë, me pjesëmarrje të rregulltareve, besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë, do të nisë në ora 11:00, kurse pas meshe, rreth orës 12:00 do të bëhet inaugurimi i mozaikut të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili është i vendosur në këmbanarën e Katedrales.

Kurse në ora 12:30 do të paraqitet një koreodramë mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, nga koreografi Xhemal Berisha, nën interpretimin e Ansamblit Arbëresha (Misioni Katolik Shqipar Sirnach – CH). Në këtë shfaqje do të ndodh një takim i Gjergj Kastriotit me Nënë Terezën. Koreodrama mbahet në Sallën e Qendrës “Pjetër Bogdani”, e cila gjendet në ambientet e Katedrales.

Kur nisa fushatën punoja kamariere, kongresmenja më e re që hyri në historinë amerikane

Alexandria Ocasio-Cortez është një emër e cila hyri në historinë e Amerikës duke u bërë kongresmenja më e re, në moshën 29-vjeçare.

Dje u mbajtën zgjedhjet e Kongresit në Amerikë dhe disa nga fituesit kanë thyer barrierat, ndërsa u zgjodhën mbi 100 gra.
Kjo është hera e parë që ajo kandidon dhe e nisi fushatën ndërsa punonte si kamariere. Në qershor në zgjedhjet për kongresin në disa qarke ajo fitoi 57% të votave dhe madje fitoi edhe një qark për të cilën nuk synoi të kandidonte.

Vajza e një emigranti nga Puerto Rican, Ocasio-Cortez ka bërë fushatë për çdo gjë, nga heqja e ligjeve të emigracionit te universitetet publike falas. Ajo gjithashtu ka punuar më parë si një organizatore për fushatën presidenciale të Bernie Sander.

“Kur e nisa mendoja se nuk do ta fitoja. Sidomos kur isha në fillim, ka shumë njerëz , që thonë “Kush je ti? Je thjesht një kameriere duke kandiduar për Kongres”. Kjo ishte e vërtetë. Kush mendoja se isha unë? Kur kaq shumë njerëz ta thonë këtë, mund të zhytesh. Shoqëria jonë i ul njerëzit në sasinë e parave që ata bëjnë dhe pozicionin e tyre profesional, që është shumë demoralizuese. E dija që unë isha një edukatore, e dija se isha organizatore … E dija se ajo që po bënim ishte e drejtë. Gjithmonë kam qenë e bindur se ajo që po bëja ishte gjëja e duhur. Por më duheshin muaj, muaj dhe muaj për të bindur veten dhe për të bindur të tjerët se isha zgjedhja e duhur”, tha Alexandria për “Elle”.

Edi Rama shkon në kinema, lihen jashtë gazetarët e kulturës dhe Ndriçim Xhepa

Të dielën në mbrëmje në orën 20:00 në Kinema Millenium u shfaq premiera shqiptare filmit “Delegacioni” të Bujar Alimanit, fitues i “Grand Prix” në kinema Millenium. Filmi shfaqej në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë TIFF. Të shtunën në drekë, zëdhënësja e festivalit, Genta Ramadani, përmes një grupi në ‘Whatsapp’, ju shkruan gazetarëve: “Me këtë rast po ju njoftoj që nesër në ora 20:00 shfaqet premierë filmi ‘Delegacioni’, nga Bujar Alimani. Pas filmit ka sesion pyetje & përgjigje. Jeni të ftuar me kënaqësi, por do ju lutesha konfirmim pasi vendet në kinema Millenium janë të limituara”. Zëdhënësja merr konfirmimet nga gazetarët e kulturës dhe në vijim njofton për filma të tjerë në festival. Por parapremiera e “Delegacionit” u shndërrua në një skenë fyese për të ftuarit dhe familjarët e ekipit të filmit. Ardhja e kryeministrit në kinema trazoi ujrat. Në fillim me preteksin se protokolli i shefit të qeverisë nuk lë të hyjë asnjë gazetar të paakredituar, më pas me pretekstin se nuk keni bileta, e më pas nuk keni ftesa, gazetarët e ftuar nuk u lanë të hyjnë në sallë. Askush nuk ishte në gjendje të shpjegonte saktësisht se çfarë po ndodhte. Vetë zëdhënësja e festivalit ngrinte duart lart me shpjegimin se edhe ajo sapo ishte vënë në dijeni dhe nuk kishte se çfarë zgjidhje të jepte.

Megjithatë, gazetarëve u tha të presin se do të mund të bëhej diçka. Grupi i reporterëve u mblodh jashtë kur befas, në krah të tyre mbërrin i irrituar aktori Ndriçim Xhepa. As ai nuk ishte lënë të futej nga hostess e kinemasë, sepse nuk kishte biletë. Irritimi i Xhepës solli menjëherë jashtë Agron Domin organizator i festivalit dhe Ilir Butkën kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Të dy i kërkonin Xhepës të hynte në sallë, sepse interpreton në filmin që shfaqej, por ai tanimë i fyer refuzon.

“Nuk hyj brenda se nuk kam biletë. E kam parë filmin tre herë, nuk dua ta shoh më. Do rri jashtë të pi një kafe”. Ndërkaq, Ilir Butka dëgjohej të thoshte se ia kish dhënë biletën e tij kryeministrit, e Agron Domi, premton t’i japë Xhepës, biletën e tij. Xhepa refuzon, ata i luten, e tërheqin për krahu, tanimë bashkë me hostess-en e kinemasë që ka dalë nga dera që u përplas të gjithëve. Gazetarët janë përkrah, shohin çdo gjë, dëgjojnë çdo gjë, madje edhe e xhirojnë skenën. Xhepa pranon të hyjë pas lutjeve, i kërkohet ndjesë dhe i thuhet “se nuk e njohën”. Qesharake! Nuk njohën Ndriçim Xhepën. Gazetarët thërrasin Agron Domin për të ditur se çfarë do bëhet me ta, por ai nuk dëgjon. Vrapon brenda. Kryeministri ka hyrë, ministrja e Kulturës po ashtu, shfaqja duhet të nisë. Ç’rëndësi kanë gazetarët?! Pak minuta më vonë, dëgjohen duartroktije. Ne jemi ende jashtë duke pritur që dikush të na sqarojë, se çfarë do bëhet me median. Asgjë. Pas duartroktitjeve, Genta Ramadani del dhe vjen pranë tyre. Kërkon ndjesë dhe ofron keqardhjen e saj me shumë edukatë. Por gazetarët nuk kanë mbërritur në kinema për të gjetur aty keqardhje. Gazetarët thotë ajo, nuk mund të hyjnë gjithësesi. As ato që sigurojnë ftesa nuk lejohen më. Filmi vijon, teksa media ndalohet. Jemi para një situate të turpshme dhe qesharake.

Pra, qeveria nuk jep fonde për festivalin, festivali del në media të ankohet, por kur shefi i qeverisë vendos të shfaqet në festival gazetarëve të ftuar, festivali (apo kush?! Sepse nuk morëm kurrë një përgjigje) u ndalon hyrjen duke ricikluar qasjen negative të vetë kryeministrit ndaj mediave.

Gazetarëve të akredituar, festivali nuk u kishte bërë gati badge. E nëse media është një entitet i madh, që shkon deri te pronarët dhe marrëdhëniet e tyre me qeverinë, festivali u ndaloi hyrjen gazetarëve të kulturës, që nuk janë më pjesë e një entiteti të madh (dhe kësisoj pothuaj anonim) me dy raporte- janë gazetarë që drejtuesit e festivalit i njohin personalisht, emër për emër prej vitesh. Me gjasë, siç ndodh rëndom, faji do hidhet degë më degë, nga ‘protokolli’ i kryeministrit te hostess-et e kinemasë që ndaluan dhe aktorin e filmit që shfaqej, Ndriçim Xhepa, mandej te produksioni i vetë filmit. E vërteta është që filmi shfaqej në një festival, zëdhënësja e të cilit prej së shtunës kishte kërkuar konfirmime për gazetarët që do ishin të pranishëm- për çka faji i mbetet atij që fton e të mbyll derën duke ta përplasur surratit. Por po, ne kemi qeverinë që meritojmë, sepse lëmë jashtë Ndriçim Xhepën për të futur brenda shefin e qeverisë; dhe po ne kemi qeverinë e shtetin që meritojmë, sepse lëmë jashtë gazetarët për të futur kryeministrin pas të cilit vrapojmë.
Me gjasë ditët në vijim media e vetme që do e ndjekë TIFF do jetë “ertv”, drejtuesi i së cilës mirëpret çdo ofertë të pakërkuar, si kjo e një festivali që bëhet shpurë e tij.

Çka përndryshe nuk do të përbënte asnjë problem për t’u pajisur vetë me biletë secili gazetar nëse paraprakisht do i ishte thënë ta bënte. Por kur gazetarët ftohen për një film dhe sesion pyetje&përgjigje dhe konfirmojnë, për të lënë të lirë rradhën e tyre në kinema si besnikët e festivalit e si përcjellësit e lajmeve, ftesa dhe orët e humbura në oborrin e betontë me duart e ngritura lart të zëdhënëses, janë kategoria ZH e një festivali filmi. Sepse kategoria përcaktohet jo veç prej filmave, por edhe prej këtyre raporteve me median dhe vetë imazhin e një festivali. Mendojeni pak që prania e Emanuel Makron në Kanë të lërë gazetarët jashtë. Tingëllon absurde. Po! Po! (E di që) TIFF nuk është Kana, Rama nuk është Makron, unë nuk punoj për ‘Hollywood Reporter’ dhe Shqipëria nuk është Franca- kjo që ndodhi të dielën e bëri më të qartë. Por ai kuartet i ç’harmonizuar më lart tregon qartë pse ne jemi këtu ku jemi e ata atje ku janë.

*Titulli origjinal: “DELEGACIONI”/ Festivali i filmit si shpurë (ofertë) e pakërkuar e kryeministrit
http://www.gsh.al/2018/11/06/delegacioni-festivali-filmit-si-shpure-oferte-e-pakerkuar-e-kryeministrit/?fbclid=IwAR3f72chJI8dD19tq83jevuRx2zliTsO2Cgt15xuYsvIlclyOIz9LVYTY3c

Fatmiri e Mimosa dhe parfumi i tyre “Versuit” që lindi nga dashuria

Fatmir Kastrati me bashkëshorten e tij, Mimosa Alimehaj, kanë lansuar në Cyrih parfumin e ri me emrin “Versuit”, në të cilin kanë investuar mund dhe dashuri të madhe

“Versuit” është një emër të cilin Fatmir Kastrati e kishte ruajtur me fanatizëm për 16 vite.
31-vjeçari me prejardhje nga Karaçeva e Kosovës ka vendosur ta nxjerrë nga arkivi emrin “Versuit” dhe së bashku me bashkëshorten e tij, Mimosa Alimehaj, me prejardhje e Lybeniqit të Pejës, kanë emërtuar parfumin e tyre që është lansuar, mbase si produkt i parë i këtij lloji, “Made in Switzerland”.
Aroma më e re për femra, e lansuar nga Fatmiri dhe Mimosa, ka dalë në shitje ndërsa ëndrrën e tyre dy bashkëshortët e rinj e kurorëzuan në një event të organizuar në Cyrih me miq dhe shokë të tyre.
“E kam ruajtur me vite këtë emër duke ëndërruar se do të bëj ndonjëherë ndonjë koleksion rrobash me emrin tim `Versuit`”, rrëfen Fatmiri, i cili prej vitesh vizaton plane në sanitari.

Dashuria e shkrirë në emrin e parfumit

Por, historia e këtij emri ka edhe dashuri brenda. Fatmiri i kishte shpallur Mimosës martesë në ishujt Maldive dhe gjatë rrugës e kishin zbuluar idenë e tyre për të bërë bashkë një parfum të tyre në Zvicër.
“Personi i parë që i kam treguar për emrin `Versuit` ishte Mimosa”, tregon Fatmiri.
Pastaj fillon edhe konkretizimi i idesë: hapja e firmës, dhe patentimin e emrit në shumë vende të botës: SHBA, Japoni, Rusi, Kinë, Evropë etj.
“Natë e ditë punuam duke bërë dizajne, vizatime dhe në vitin 2017 e kam braktisur punën për t’iu përkushtuar produktit të ri”.

“Aromën e kemi gjetur në Zvicër. Ajo pra është `Made in Switzerland` dhe na ka marrë shumë kohë, gati dy vjet deri sa e kemi finalizuar produktin për tregun zviceran”, thekson Mimosa, emri i së cilës ka vulën në parfum, e që nuk e shohin të gjithë po vetëm njerëzit e verbër (Sistemi Braille).
Nuk është vetëm emri, parfumi i tyre ka edhe një lidhje me Mimosën. “Versuit” ka aromë nga lulja mimozë, një lule që rritet në pemë dhe është e njohur si pemë mëndafshi persike.
“Tashmë janë realizuar kontaktet e para me shitoret e specializuara për parfum dhe bizhuteri.
Fatmiri dhe Mimosa mbase mund të jenë çifti i parë shqiptar në Zvicër që ka prodhuar një produkt të këtillë “Made in Switzerland”.

“Të gjithë na kanë inkurajuar për guximin dhe na kanë premtuar se do të na mbështesin në biznesin tonë”. Mimosa dhe Fatmiri shpresojnë te miqtë e shokët, tek bëjnë gati porositë e para të parfumit të tyre..
“`Versuit` është parfum i pastër, pa përzierje tjera”, krenohet çifti shqiptar duke pretenduar edhe tregun jashtë Zvicrës: Evropë dhe SHBA.
Çifti do të na befasojë edhe me produkte tjera
Linja me emrin “Versuit” nuk do të përfundojë vetëm në një parfum femrash. Mimosa dhe Fatmiri kanë edhe plane tjera, që nuk ngurruan t’i zbulojnë për albinfo.ch.
“Nëse e bëjmë një parfum burrash nuk do të dalë i njëjtë. Ky produkt ka një histori, ka një moment dhe është kurorëzim i një dashurie”, thotë Mimosa, me profesion infermiere-asistente e mjekut.
Vizatimet në plane për sanitari i ndihmuan Fatmirit që të dizajnojë dhe koleksionojë formën e parfumit, po edhe linjën e koleksioneve tjera.
Befasi do të ketë edhe në të ardhmen. Shumë shpejt do të hasni edhe koleksione rrobash në Zvicër, po edhe në kozmetikë, po me të njëjtin emër “Versuit”.

Parfumi “Versuit” mund të porositet online: www.versuit.ch./albinfo.ch

Shtatë fazat e dashurisë së vërtetë

Shumë persona ngatërrojnë dashurinë e vërtetë me fluturat që ndiejnë në stomak në fillim të një marrëdhënieje. Por fluturat zhduken shpejt dhe ia lënë vendin debateve dhe qartësimit të ideve.

“Dashuria i përket së shkuarës”, thonë gabimisht disa persona, duke mos e ditur se dashuria e tyre në fakt sapo ka nisur dhe është në hapat e para.

Përkushtimi reciprok dhe durimi janë shenjat më të rëndësishme të dashurisë. Këto shtatë fazat e një dashurie të vërtetë do të të tregojnë se pse dashuria nuk lind menjëherë:

1. Periudha e ëmbëlsisë

Kjo fazë zgjat maksimumi një vit e gjysmë. Në këtë periudhë ,në trupin e të dashuruarve ndodhin reaksione kimike që u japin atyre kënaqësi, lumturi dhe eufori. Partneri/ja u duket një person ideal dhe çdo defekt i tyre është i padukshëm. Në këtë fazë nuk duhet të marrësh vendime për gjëra të mëdha, sepse mund të ndodhë të pendohesh së shpejti për to.

2. Faza e ngopjes

Pjesa me fluturat në stomak dhe me ndjesinë e euforisë largohet. Nuk ndjen më të njëjtën gjë kur sheh partnerin/en të vijë në shtëpi. Fillon ta shohësh atë pa e mburrur dhe nis të sillesh në mënyrë shumë të natyrshme.

3. Faza e mërzitjes me partnerin/en

Në këtë fazë nisin të qartësohen më mirë mendimet, marrëdhënia, dhe ndjenjat. Tashmë e sheh partnerin/en në çdo aspekt dhe kupton se nuk të pëlqen shumë. Pikërisht në këtë moment shkatërrohen shumë lidhje, duke harruar se më vonë këta persona do të nisin një marrëdhënie të re dhe sërish duhet të kalojnë nëpër këtë stad.

4. Faza e durimit

Nis të reduktohet buzëqeshja, të fiket shkëndija e pasionit në çift. Partnerët në çift nisin të kuptojnë se çdo mosmarrëveshje apo diskutim ka një fillim dhe një fund. Nis midis tyre durimi. Nëse të dy mësojnë siç duhet të jenë të durueshëm, lidhja e tyre do të forcohet akoma më shumë.

5. Faza e respektit

Të dy personat në lidhje nisin të mendojnë jo vetëm për nevojat e tyre, por edhe për nevojat e personit tjetër. Pikërisht në këtë moment mund të thuhet se po lind dashuria e vërtetë, pasi gjithçka që ekzistonte më parë, ishte thjesht pëlqim. Në këtë moment mund të thuhet se të dy personat nisin ta duan njëri-tjetrin, pasi i kanë kaluar thuajse gjithë fazat e vështira të një marrëdhënieje.

6. Faza e miqësisë

Partnerët bëhen më të afërt, i besojnë njëi-tjetrit dhe mbështeten tek njëri-tjetri për çdo gjë. Kjo është një rrugë e drejtë që të çon akoma më tepër drejt dashurisë së vërtetë.

7. Faza e dashurisë së vërtetë

Nevojitet shumë kohë, përpara se dy persona të thonë se e duan vërtet njëri-tjetrin, por në momentin që arrijnë në këtë fazë, ata mund t’i kalojnë më me lehtësi vështirësitë që u vë jeta përballë, mund ta kalojnë lehtësisht egoizmin dhe krenarinë e tyre. Ka një rritje personale për të dy partnerët dhe së bashku me këtë rritje, rritet edhe dashuria e vërtetë mes tyre./Bota.al

SOURCEBOTA.AL

“Frozen 2” do të publikohet në këtë periudhë

Në vitin 2019, publikohet pjesa e dytë e filmit të animuar “Frozen” Anna, Elsa dhe Olaf do të rikthehen në ekranet televizive, raportojnë mediat botërore. Filmi “Frozen” ishte publikuar në vitin 2013 dhe që atëherë kishte zëra se kur do të dal pjesa e dytë e filmit.

Mirëpo, tashmë pritja mori fund sepse pjesa e dytë e “Frozen” do të publikohet më 22 nëntor të vitit 2019, shkruan rtv21.tv Madje, kënga që këndohet në film “Let It Go” u bë himn i krishtlindjeve dhe një këngë shumë e dashur për fëmijët dhe të rriturit anë e mbanë botës.

Kur nuk mundesh më as të ëndrrosh

Poezi nga: Jevrem Bërkoviq
Përktheu: Lulzim Tafa

Askujt asnjë fjalë për sëmundjet e mushkërive
Të bindin se i shëndoshë as që ke lindur
Të dëbojnë atje në bjeshkë të vetmosh
Të ofrojnë ankth mëngjes e mbrëmje
Ta ndalojnë diellin, shiun dhe erën
Vetë gjeje ilaçin tënd, e ilaç për ty nuk ka.

askujt asnjë fjalë për sëmundjet e kresë
derisa të mundesh mos e prano
askujt asgjë nga zymtësia jote
shiko yjet, në thellsitë e qiellit
për kokën krejt një është
se ku po e çon në ato çaste.

askujt asnjë fjalë për sëmundjet e zemrës
këtu askush askujt nuk mund t’i ndihmojë
as në vendlindje mos shko që të shërohesh
atje së pari në zemër të therrin
I ndërsejnë mbi ty tufa qensh
E zemra e ka vështirë kur e lehin.

Askujt asgjë për sëmundjet e syve
Si ata sheh edhe kur të verbohesh
Gjeografia nuk ndërron shpesh
Pylli është i njëjti derisa është
Nëse të vjen keq për detin, dëgjoje.
Njerëzit mos i kujto, e di ti si janë

Askujt asgjë për sëmundjet e trupit
Venitesh! Venitu dhe mos u anko.
Kujto Ana Kareninën si vajzushë
Dhe kur nuk mundesh më as të ëndërrosh
Nëse asgjë nuk ke sjellë nga Lufta,
Këtu është revolveri i shtëpisë ose thika./KultPlus.com

7 letrat e dashurisë më të bukura të të gjitha kohërave

Kryeveprat më të mëdha letrare kanë pasur si protagoniste dashurinë. Lumenj ndjenjash janë derdhur, duke bërë të rrjedhin fjalë të paharrueshme. Njerëz të mëdhenj, artistë, shkencëtarë: “I gjithë universi i bindet dashurisë”.

Ja përse në vite, kujtohen për të tjera arritje dhe suksese, por nga sirtarët e jetës së Einstein, Johnny Cash, Beethoven, Winston Churchill dhe shumë të tjerëve, dalin edhe letrat e dashurisë që u kanë shkruar të dashurave të tyre.

Një sondazh në Angli ka zgjedhur më të bukurat, ku ndoshta mungojnë ato që mund të presim, shkruan revistaclass. I bën mirë zemrës megjithatë, të lexosh këto radhë për të rizbuluar dhe kuptuar që kjo ndjenjë, është kaq e thjeshtë për t’u provuar, kaq e thjeshtë për t’u shprehur.

Johnny Cash gruas së tij June Carter Cash (1994)
“U plakëm dhe u mësuam të rrimë bashkë. Mendojmë njëlloj. Komunikojmë me mendje. E dimë çfarë do tjetri pa qenë nevoja ta kërkojmë. Ndonjëherë njëri e nevrikos tjetrin. Ndoshta ndonjëherë e marrim tjetrin të mirëqenë. Por herë pas here, si sot, mendoj për ne të dy dhe e kuptoj sa me fat jam që ndaj jetën me gruan më fantastike që kam takuar në jetë”.

Winston Churchill gruas Clementine Churchill (1935)
“E dashura ime Clemmie, në letrën që më dërgoje nga Madras kishe shkruar gjëra që për mua janë shumë të rëndësishme, që ta kisha bërë jetën më të bukur. Nuk mund ta them çfarë kënaqësie më dha kjo, sepse ndihem gjithmonë tmerrsisht në borxh me ty, nëse lejohet që në dashuri të bëhen të tilla llogari”.

John Keats i shpreh dashurinë Fanny Brawne (1819)
“Nuk mund të jetoj pa ty, harroj çdo gjë, por kur të shoh, jeta duket sikur ndalet, nuk shoh asgjë tjetër. Më ke përthithur”.

Ernest Hemingway, Marlene Dietrich (1951)
“Nuk arrij të përshkruaj sesi sa herë që të përqafoj, ndjehem në shtëpi”.

Napoleone Bobaparte, Josephine de Beauharnais (1796)
“Që kur të kam lënë, jam gjithmonë i trishtuar. Lumturia ime është pranë teje. Sjell gjithmonë në kujtesë përkëdheljet e tua, lotët e tu, ngrohtësinë tënde të dashur. Magjepsja e së pakrahasueshmes Josephine Kindle ndez një zjarr dhe një flakë të pashuar në zemrën time”.

Richard Burton, Elizabeth Taylor (1964)
“Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht të të shohin ty. Ti nuk e kupton, natyrisht , EB, sa e bukur dhe tërheqëse ke qenë gjithmonë dhe sesi ke fituar një vlerë më shumë mirësie të veçantë e të rrezikshme”.

Mbreti Enrico VIII, Anna Bolenas (1527)
“Po guxoj të të kërkoj të ma thuash prerë çfarë mendon për dashurinë tonë. Nevoja më shtrëngon ta di përgjigjen tënde, duke qenë që kam një vit që jam plagosur nga dashuria dhe ende nuk jam i sigurt nëse kam apo jo një vend në zemrën tënde”.

Një njeri nuk quhet i mençur vetëm sepse flet, por nëse ai është i qetë, i dashur dhe i patrembur, atëherë

Nëse keni dashur t’i keni shprehjet më të bukura të Buddhas në një artikull të vetëm, atëherë ky postim të ju pëlqejë.

Por fillimisht duhet ta dijm se kush ishte burrë i madh i njohur si Gautama Buddha?
Buddha ishte një mësues shpirtërorë i cili ka jetuar në Indi, diku mes shekullit të gjashtë dhe të kartërt para lindjes së Krishtit.

Filozofia e tij e ka themeluar religjionin e quajtur “Budizëm” dhe i cili priret të kundërshtoj shumë nga ato të cilat ne në perëndim i kemi mësuar.Pas shumë viteve të shpenzuara në meditime, ai e kuptoi se fiksimi dhe lakmia dërgojnë në palumturi. Ai besonte se ndriçimi ose “Nirvana” arrihet kur mendja bëhet e mëshirshme, e çliruar nga fiksimet dhe e fokusuar në të tashmen.

Ai e shpenzoi të gjithë jetën e vetë duke i mësuar të tjerët se sit a çlirojnë veten nga dhimbja dhe ta jetojnë një jetë të mëshirshme, pa frikë dhe plotë kënaqësi.

Më poshtë i keni 25 thëniet më të bukura nga Gautama Budhha:
Mbi të tashmen
“Mos rro në të kaluarën, mos ëndërroo për të ardhmen, por fokusoje mendjen në të tashmen.”
“Sekreti i shëndetit për mendjen dhe trupin nuk qëndron në vajtimin për ta kaluarën e as në brengosjen për të ardhmen, por në të jetuarit mençurisht dhe me zell në të tashmen.”
Mbi arritjen e ndriçimit
“Askush nuk na ruan neve. Askush nuk mundet dhe askush nuk duhet. Ne vetë duhet ta ecim shtegun.”
“Një njeri nuk quhet i mençur vetëm sepse flet përsëri e përsëri; por nëse ai është i qetë, i dashur dhe i patrembur, atëherë ai me të vërtetë mund të quhet i mençur.”
“Dëlirësia ose papastëria varen nga vetë personi. Askush nuk mund ta njollosë ose ta pastrojë dikë tjetër.”
“Ashtu sikur gjarpëri që e zhvesh lëkurën e vetë, ashtu edhe ne vazhdimisht duhet të zhvishemi nga e kaluara jonë.”
“Paqja vjen nga brenda. Mos e kërko atë nga jashtë.”
“Lumturia kurrë nuk do të vijë tek ata që dështojnë ta vlerësojnë atë që tashme e kanë.”
Mbi dashurinë
“Dashuria e vërtetë lind nga mirëkuptimi.”
“Ti, vetë, më shumë se sa çdokush tjetër në univerz, e meriton dashurinë tënde.”
Mbi mendjen
“Asgjë nuk është me pabindur se sa një mendje e padiciplinuar, ndërsa asgjë nuk është me e bindur se sa një mendje e diciplinuar.”
“Ne jemi të formësuar nga mendimet tona; ne bëhemi ashtu siç mendojmë. Kur mendja është e çiltër, kënaqësia të përcjell si një hije e cila kurrë nuk të braktis.”
Mbi zemërimin
“Ju nuk do të ndëshkoheni për zemërimin tuaj. Ju do të ndëshkoheni nga zemërimi juaj.”
“Të mbash zemërim është njësoj sikur të kapësh një thëngjill të nxehtë me qëllimin që ta hudhësh në drejtim të dikut tjetër, por jeni ju ai që digjeni.”
Mbi dhembshurinë
“Nëse dhembshuria jote nuk e përfshin edhe veten tënde, atëherë ajo nuk është e plotë.”
“Me qindra qirinjë mund të ndizen nga flaka e një qiriu të vetëm, dhe prap jeta e atij qiriu nuk do të pakësohet. Lumturia kurrë nuk zvogëlohet duke u shpërndarë.”
“Urrejtja kurrë nuk mund të mposhtet me urrejtje. Urrejtja mposhtet me dashuri. Ky është një ligj i pandryshueshëm.”
Mbi mendjen
“Më e mirë se njëqind fjalë boshe, është një fjalë e vetme që sjell paqe.”
“Cilatdo fjalë që ne i shqiptojmë, duhet të përzgjidhen me kujdes sepse njerëzit i dëgjojnë dhe ndikohen nga to, për të mirë ose për të keq.”
Mbi idetë
“Një ide e cila është zhvilluar dhe është vënë në veprim, është shumë më e rëndësishme se sa ideja që ekziston vetëm si ide.”
Mbi vuajtjen
“Dhimbja është e sigurtë, vuajtja është opsionale.”
“Duhet të kesh dhembshuri për të gjitha krijesat, si ato të pasurat ashtu edhe ato të varfërat; secila nga ato i ka vuajtjet e veta; disa vuajnë tepër shumë, disa tepër pak.”

Dua fiton tre çmime në Spanjë

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ka fituar tre trofe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Los 40 Music Awards” në Madrid të Spanjës.

Për këngën “New Rules”, Dua është shpërblyer me çmimet Artistja më e mirë ndërkombëtare, Albumi më i mirë ndërkombëtar dhe Kënga më e mirë ndërkombëtare.

Para se t’i merrte këto çmime, Dua shkëlqeu në një fustan shumëngjyrësh derisa parakaloi në tepihun e kuq të ceremonisë.

Mos ma puthni bebin!

Jam prekur shumë sot nga postimi i dy prindërve (Presley Trejo dhe Elias Trejo), të cilët vendosën të ndajnë historine e tyre, pikërisht pasi humbën bebin e tyre nga ‘puthja e vdekjes’. Bëhet fjalë për HSV 1 apo Herpes Simplex Virus.

Tek të rriturit, nuk përbën shumë problem, pasi sistemi imun i një të rrituri, e lufton shumë mirë. Por jo sistemi imun i një bebi apo fëmije të vogël. Ju mund ta keni këtë virus dhe mos ta dini. Kështu që, larg bebit, sidomos me puthje, e sidomos puthjet plot pështymë! Këto puthje e përhapin shumë shpejtë virusin që prek trurin e femijës.

Epo të humbasësh fëmijën, nga një tekë e plakave apo njerëzve që vdesin të kullufisin faqet e bebave, për mua është e papranueshme!
As buze, as duar që kushedi çfarë kanë prekur, jo afër fytyrës së fëmijës. Është fëmija im, unë e kam lindur, unë kam duruar dhimbjet e lindjes, unë e kam sjellë në jetë, unë e ushqej me gji dhe unë vendos, që të mos ma puthni bebin! Ndaç le t’ju ngelë hatri, ndaç le të prekeni, besomëni, nuk ma ndjen fare! Edukohuni që fëmija, foshnja, bebi, nuk puthen dhe pikë!

Shpresoj të ndërgjegjësoheni sado pak!

Autore: Diola Dosti Baftiu