Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, në bashkëpunim me Arkivën e Shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Departamenti i Manastirit, do të prezantojë ekspozitën e vëllezërve Janaki Manaki (1878-1954) e Milton Manaki (1880-1964), kuruar nga Dr. Luçjan Bedeni.
Koleksioni i tyre i ruajtur në Arkivin Historik të Manastirit, përmban 6702 negativë në xham, 2087 plan film dhe 1071 film rul, 7041 stampime fotografike, 3867 dokumente dhe 49 kamera dhe materiale të tjera ndërsa në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut ruhen një sërë filmash që ata realizuan me ‘Kamera 300’, prej së cilës njihen edhe si themelues të kinematografisë në Maqedoninë e Veriut.
Ekspozita i kushton një vëmendje e veçantë popullatave lëvizëse, përafërsive etnografike dhe ritualeve të ngjashme të popujve të Ballkanit, të cilët i gjejmë të pasqyruar në rrugëtimet e Manakëve në rajon.
Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe i realizuar në bashkëpunim me Arkivën e Shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Departamenti i Manastirit.
Ekspozita do të hapet më 21 korrik në ora 20:00./ KultPlus.com
Rita Ora ka publikuar dje albumin e saj më të ri dhe deri me tani është duke shkuar shumë mirë
Ajo është në vendin e dytë në Spotify dhe iTunes derisa suksesi është duke vazhduar prej që ajo sot e hodhi këtë album në shitje, i cili titullohet “You, and I”.
Por, derisa ajo tregonte për reklamat e albumit të saj të ri dhe vendet që shfaqeshin në një moment ajo është para një billboard.
Gjatë ndërrimit të reklamave shfaqet edhe tenisti serb Novak Gjokoviq derisa Rita bënë një reagim epik, sa interesant edhe qesharak.
Platforma shqiptare “Dua.com” ka nisur peticionin për njohjen e Kosovës si shtet në Google. Iniciativa është mirëpritur nga publiku dhe ka arritur të marrë mijëra nënshkrime.
“Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk ka qasje të plotë në platforma globale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur pavarësinë e Kosovës prej vitit 2008, por jo dhe korporatat e mëdha të këtij shteti”, thuhet në komunikatën e “Dua.com”.
Kjo nismë kërkon njohjen e Kosovës në produktet e Google si Play Store, Youtube, Google Analytics dhe të tjera. Iniciatori Eduard Luta ka thënë se zhvillimi i një biznesi në Kosovë ka sfida, sikurse njohja e vendit nëpër platforma gjigande teknologjike.
“Përvoja ime në zhvillimin e bizneseve edhe në Zvicër, e ka vënë në pah se me sa probleme bazike ballafaqohen kompanitë ne Kosovë”, ka thënë Luta./ rtk/ KultPlus.com
Kori Siparantum po vazhdon të shënojë sukses të madh në gara të ndryshme botërore, ku edhe në pjesëmarrjen e fundit në Republikën e Koresë ku po mbahen World Choir Games, janë shpërblyer me dy medalje të arta, shkruan KultPlus.
Për këtë sukses të radhës kanë njoftuar nga faqja zyrtare e këtij kori, dhe postimin e plotë të këtij kori e gjeni më poshtë.
Miq të dashur,
Ju njoftojmë se Kori Siparantum sot fitoi dy medale të arta në World Choir Games në Republikën e Koresë. Në kategoritë “Mixed Choir” dhe “Musica Contemporanea”, ne shfaqëm performancë të jashtëzakonshme dhe u vlerësuam me medale të merituara.
Ky sukses tregon potencialin tonë të madh dhe përkushtimin e anëtarëve të korit. Jemi tejet të lumtur për këtë sukses, dhe krenarë që përfaqësuam Kosovën në këtë garë prestigjioze.
Faleminderit për gjithë ju që mbështetni rrugëton tonë drejt suksesit./ KultPlus.com
Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabet e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.
– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!
– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!
– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!
– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!
– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!
– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!
– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,
– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!
– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…
– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…
– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…
– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…
– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!
– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!
– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija! / KultPlus.com
A i ke parë ndonjëherë fëmijët duke luajtur? Vallë a e ke dëgjuar tiktakun e shiut? A e ke ndjekur ndonjëherë fluturimin e një fluture? Vallë a e ke vështruar perëndimin e diellit? Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje. Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë. Çdo ditë e jeton gjithmonë duke rendur? Kur pyet veten kush je, a e dëgjon përgjigjen tënde? Kur dita mbaron shtrihesh në shtrat apo zhytesh në mijëra mendime? Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje. Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë. Ditët e tua rrjedhin shfrenueshëm? A i ke thënë ndonjëherë fëmijës tënd “e bëjmë nesër” Dhe në kotësinë tënde nuk e ke parë trishtimin? Nganjëherë për mungesë mirësjelljeje a e ke lënë një mik të dashur Të ketë vdekur pa e thirrur dhe pa i thënë lamtumirë? Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje. Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë. Kur ti rend tepër me ngutje për të arritur çfarëdo vendi, Ti humb gjysmën e zbavitjes për të arritur atje. Nëse je i shqetësuar, nëse rend gjithë ditën e lume Është njëlloj si të hedhësh jetën tënde në koshin e plehrave. Jeta është një rendje, por do jetuar dhe përjetuar me qetësi. Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar. / KultPlus.com
Para miliona fansave, ylli britanik Elton John përmbylli karrierën e tij 50 vjeçare në skenën botërore me afro 4600 performanca në mbarë botën. Në mbyllje të turneut të tij maratonë në Stokholm, Elton John dha mesazhin e lamtumirës.
“I gjithë shpirti im ka qenë të luaja për ju, dhe ju keni qenë absolutisht madhështor,” i tha ai audiencës në Tele2 Arena të Suedisë.
Elton John i bëri një nderim grupit dhe ekipit të tij aktual, disa prej të cilëve kanë qenë në turne me të për shumë vite.
“Ata janë vërtet të pabesueshëm dhe ata janë më të mirët, po ju them, më të mirët,” tha ai.
Ai filloi shfaqjen e tij me Bennie and the Jets dhe vazhdoi të performonte shumë hite të tjera, duke përfshirë Philadelphia Freedom, Tiny Dancer, Rocket Man dhe Candle in the Wind.
Turneu i tij, Farewell Yellow Brick Road filloi në Amerikën e Veriut në vitin 2018, dhe kjo ishte nata e tij e dytë e performancës në Stokholm. Ai luajti për më shumë se gjashtë milionë fansa, dhe një nga pikat kryesore ishte pjesa e tij kryesore në Festivalin Glastonbury muajin e kaluar.
Është një nga turnetë me fitimin më të lartë ndonjëherë. Revista Billboard raporton se është e para që arrin shitjet e biletave prej 900 milionë Dollarë. Koncerti i fundit, i cili zgjati dy orë u mbyll me këngën “Don’t Let The Sun Go Down On Me” kushtuar bashkëpunëtorëve të tij dhe ekipit që e ka ndjekur Elton John në të gjitha koncertet.Klan News/ KultPlus.com
Diaspora e Kosovës shfrytëzon Serbinë për të ardhur në vendlindje.
Meqë rregullat kanë hyrë në fuqi, mërgimtarëve që kalojnë nëpër Serbi u bëhet thirrje të kenë kujdes.
Do të ketë matje të kohës që kalohet në një segment të rrugës mes dy punkteve ku bëhet pagesa dhe pagesa e dënimit për tejkalim të shpejtësisë behet menjëherë në punktin e pagesës për autostradë, përcjell albinfo.ch.
Shpejtësia e lejuar në autostradat e Serbisë është 130km/h dhe dënimet janë të ashpra.
Shkojnë nga 25 euro deri mbi 1000 euro ose 15-60 ditë burg, shkruajnë mediat serbe.
Këto janë rregullat të cilat duhet t’u përmbahen mërgimtarët.
Suboticë – Nish (423 km); 3 orë e 31 minuta,
Beograd – Nish (237 km): 1 orë e 58 minuta,
Beograd – Suboticë (190 km): 1 orë e 34 minuta,
Beograd – Shid (109 km): 54 minuta.
130 km/h është shpejtësia maksimale e lejuar në autostradat në Serb
120 km/h është shpejtësia maksimale e lejueshme në autostradat në Serbi me anë të shenjave
Dënohen 3,000 dinarë (25 euro) për shpejtësi nga 120 në 140 km/h
Dënohen prej 10,000 dinarë (85 euro) për shpejtësi nga 151 në 160 km/h
100,000 dinarë (845), 15 deri në 60 ditë burgim, 15 pika ndëshkuese dhe nëntë deri 12 muaj pa licencë është dënimi për tejkalimin nga 201 deri 220 km/h.albinfo.ch/ KultPlus.com
Anija “Butrinti” e rojës bregdetare shqiptare, është angazhuar në një operacion shpëtimi për 55 emigrantë, që është realizuar në detin Egje së bashku me një anije turke dhe një greke.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi njofton se anija ‘Butrinti’, tregoi edhe një herë profesionalizëm të lartë në misionin e saj në ujërat e Egjeut, ku është stacionuar prej disa kohësh.
“Së bashku me një anije greke dhe një turke, ekipi i anijes ‘Butrinti’ shpëtuan 55 emigrantë nga një gomone në vështirësi. Në këtë operacion shpëtimi, efektivët e FA, treguan përkushtimin e palëkundur për parandalimin e humbjes së jetëve të njerëzve dhe gatishmërinë për të ndihmuar në situata të tilla emergjente”, shkruan Peleshi.
Kosova është adresë e shumë turistëve të huaj të cilët vizitojnë vendin për të eksploruar natyrën por edhe historinë, traditën e kulturën. Megjithatë, në pritje të vizitorëve të huaj vendi ende nuk ka ciceronë të licencuar.
Por pritja e turistëve në vendin tonë bëhet kryesisht nga shoqata të ndryshme. Rreziku në këtë pikë shpeshherë ekziston për shtrembërim të fakteve në mungesë të ciceronëve të licencuar. Nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës thonë se tashmë është hapur thirrja për licencimin e ciceronëve të cilët kanë kryer trajnime e që janë profesionalizuar.
Kosova ishte destinacioni i pavizituar më parë për dy turistet nga Anglia. Ato thonë se ajo që i solli më shumë këtu është historia.
“Kam ardhur nga Anglia, konkretisht nga Londra. Është hera e parë që vizitojmë Kosovën, kemi qëndruar për 5 ditë dhe sot të largohemi. Njerëzit këtu ishin mjaft të dashur, vendi këtu ishte i bukur dhe më shumë shpresa për të ardhmen. Ne kemi dëgjuar pak për historinë tuaj dhe për atë arsye kemi dashur të vijmë këtu sepse ndonjëherë kur dëgjon nga “jashtë” nuk mund tw marrësh tërë fotografinë apo ndoshta të bënë të ndihesh e frikësuar, por ne tani kemi mësuar shumë më shumë por që kemi ende shumë pyetje për të bërë”, tha turistja, Harry Cytbee.
“Njerëzit këtu shumë të ngrohtë, qyteti shumë i bukur dhe me shumë histori. Do të doja ta vizitoja përsëri vendin tuaj. Përveç Prishtinës, kam vizituar edhe qytetet e tjera, si Gjakovën, Prizrenin dhe Pejën dhe kemi kaluar shumë mirë”, tha turistja Tabithy Patson.
Por pritja e turistëve në vendin tonë bëhet kryesisht nga shoqata të ndryshme por jo edhe ciceronë të licencuar. Kjo ngrit edhe problemin me keqinformim.
Bekim Xhelili me profesion etnolog, ka disa vjet që ushtron edhe detyrën e udhërrëfyesit apo ciceronit turistik kulturor në territorin e Kosovës. Ai thotë se përgjatë tërë vitit, numri i turistëve të huaj që vizitojnë Muzeun Etnologjik shkon deri 20 mijë, por që sipas tij shqetësuese vazhdon të mbetet, keqinformimi nga ciceronët e huaj.
“Kemi pas rast kur kanë thënë se veç 60-70 për qind janë shqiptarë dhe pjesa tjetër janë serbë e komunitete tjera, se ne nuk jemi kundër komuniteteve tjera që janë në Kosovë por si informacion nuk është i saktë. Pastaj me pjesën e religjionit e sidomos pjesën e politikës si temë apo si fushë e ndjeshme që është në Kosovë, në rajon dhe Ballkan, për atë duhet ciceroni lokal”, tha Bekim Xhemili, ciceron.
Nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës, thonë se tashmë është hapur thirrja për licencimin e ciceronëve të cilët kanë kryer trajnime e që janë profesionalizuar.
“Kjo për neve është shumë e rëndësishme pasi unioni i turizmit e ka ngritur zërin që disa vite që të bëhet kjo, për shkak se ne kemi pasur ciceron nga shtetet e ndryshme të cilët e kanë elaburu, kulturën, historinë dhe traditën tonë ashtu siç kanë dashtë ata, pra e kanë devijua nga realiteti”, tha Baki Hoti, nga shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës.
Sipas udhëzimit administrativ, të gjithë ciceronët të cilët operojnë pa licencë nuk do të kenë mundësi të punojnë, në të kundërtën ata do të gjobiten./RTK/ KultPlus.com
Miss Shqipëria 2023 ishte edicioni i 25 i këtij kompeticioni bukurie që u zhvillua natën e mbrëmshme në sheshin “Italia” në kryeqytet.
Nën moderimin e Hygerta Sakos dhe jurisë së mirënjohur, ishte një spektakël i organizuar deri në detaje duke na dhuruar mjaft emocione.
Juria që akordoi çmimet për më të bukurat përbëhej nga Çilieta Çilaga, Altin Hazizaj, Aldona Elezi, “Miss Shqiperia 2022” Drita Ziri, Ermal Peçi, Arta Dade, Suzana Guxholli, Niko Komani, Inis Gjoni, Kastriot Caushi, Gent Shkullaku, Adelina Tahiri dhe Joni Peci.
Kurorën e “Miss Shqipëria 2023” ishte bukuroshja Sonia Sallaku ajo që e rrëmbeu. Gjithashtu çmime të tjera u ndanë edhe për bukuroshet e tjera të e pasarelës.
Erinda Kaca ishte vajza që u kurorëzua me çmimin “Miss Press”, çmimi i “Miss kinemasë” u rrëmbye nga bukurosja Kejsi Pëllumbi dhe Besarta Berisha mori çmimin “Miss turizmi”.
Gjatë mbrëmjes skena gjithashtu u elektrizua edhe nga tingujt e muzikës shqiptare nga këngëtarë të mirënjohur si Stine, vëllezërit Endri dhe Stefi Prifti, Kastro Zizo, grupi Energy Band, Stresi etj. Gjatë spektaklit u ndanë edhe disa çmime për bukuroshet e pasarelës.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se edhe vitin e ardhshëm shkollor 2023/2024, të gjitha tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të pestën do të shpërndahen falas, ndërsa nxënësit e klasave të gjashta deri në të nëntën do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak. Njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë së një pjesë e madhe e tyre nuk mund të përdoren, pasi janë të plotësuara nga nxënësit e vitit paraprak.
Edhe vitin e ardhshëm shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit ka vendosur që t’i shpërndajë falas librat për nxënësit nga klasat e para deri në të pestën, ndërsa nxënësit e klasës së gjashtë deri të nëntën do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak. Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën Ministria e Arsimit.
“Për vitin shkollor 2023-2024, nxënësit e klasave (I-V) do të pajisen me tekste të reja shkollore, ndërsa nxënësit e klasave (VI-IX) do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak, siç e përcakton edhe UA 213/2016. MASHTI ka filluar me procesin e grumbullimit dhe përgatitjes së të dhënave për numrin e nxënësve të cilët duhet të furnizohen me tekste të reja shkollore, për vitin shkollor 2023-2024, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Arsimit.”
Se tekstet shkollore për të gjithë nxënësit e Shkollës fillore të mesme të ulët duhet të sigurohen nga shteti e thonë njohës të arsimit. Xhavit Rexhaj, i tha Radio Kosovës së edukimi fillor është obligim i shtetit për arsye se disa prindër e kanë vështirë t’i sigurojnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
“ Shteti duhet të shpërndajë tekste shkollore, sepse edukimi i obliguar deri në klasën e nëntë është obligim i shtetit. Duhet t’i shpërndajë sepse disa prindër e kanë të vështirë t’i sigurojnë kushtet për mësim e sidomos kur rriten edhe çmimet e të tjera”, tha ai.
Ndërkaq, për sa i përket teksteve të vjetra ku drejtuesit e shkollave kanë kërkuar nga nxënësit që t’i kthejnë të gjitha tekstet nga klasa e parë deri në të nëntën, Rexhaj tha se disa prej tyre nuk mund të përdoren, për arsye se fëmijët gjatë procesit mësimore e kanë për detyrë t’i plotësojnë.
” Disa tekste mund të përdoren prapë, por disa të tjera nuk mund të përdoren psh: fletoret e punës dhe pjesa e librit që ka ushtrime është e pakuptimtë të kërkohet të përdoren prapë. Edhe këtu mendoj që është problem çështja e kulturës, çështja e keqpërdorimit të pronës publike. Konsideroj që këtu edhe shkollat nuk janë serioze sa duhet dhe nuk punojnë sa duhet në edukimin e fëmijëve për ruajtjen e gjerave publike”, tha Rexhaj.
Po ashtu, dhe Këshilli i Prindërve dhe vetë nxënësit, thonë se tekstet e shfrytëzuara nga gjeneratat paraprake nuk mund t’u hyjnë shumë në funksion, pasi që ato ose janë dëmtuar ose janë të papërdorshme, sidomos kur bëhet fjalë për fletoret e punës./rtk/ KultPlus.com
Ministri i Ministrisë së Bujqësisë Faton Peci ka dalë në pemishten me boronica të Vjollca Kurtit, e cila është përfituese e grantit 2022 në vlerë të 60 ijë eurove, shkruan KultPlus.
Kjo pemishte është në Vllahi të Mitrovicës dhe është një nga përfitueset e granteve të këtij institucioni. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministrit Peci. / KultPlus.com
Ka filluar mbjellja e fermave urbane në lagjen Ulpiana, mbjellje që u realizua bashkë me komunitetin e që është organizuar nga YARL (Youth are the real leaders) në bashkëpunim me OSCE (Misioni në Kosovë), Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike (Komuna e Prishtinës), Fakulteti i Bujqësisë dhe nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina”, projekt ky që synon të nxisë ndërgjegjësimin për mjedisin, sigurinë në ushqim dhe të promovojë mjedise urbane të gjelbra dhe të shëndetshme nëpërmjet gjithëpërfshirjes, shkruan KultPlus.
Me pjesëmarrjen e fëmijëve, personave me nevoja të veçanta, përfaqësues nga OSCE, Komuna e Prishtinës dhe kalimtarë të rastit, në mëngjesin e së dielës është bërë inaugurimi i fermave urbane, ku të gjithë pjesëmarrësit kanë mbjellë lule të ndryshme, dredhëza dhe fidanë, të cilët, nëpërmjet këtij aktiviteti kanë përçuar mesazhin se edhe në mes të qendrës mund të punohen ferma të vogla, për të cilat duhet një kujdes i vazhdueshëm.
Kosovare Sadiku Ahmeti, drejtoreshë e YARL, e cila është edhe nismëtare e këtij projekti ka thënë para të pranishmëve se ky projekt ka nisë qysh në vitin e kaluar, fillimisht me inaugurimin e këndit të lodrave për njerëzit me nevoja të veçanta, e deri te krijimi i fermave urbane, që ka ardhe si rezultat i komunikimit të përbashkët me komunitetin e lagjes Ulpiana.
“Është e rëndësishme se këto aktivitet krijojnë komunikim mes banorëve të blloqeve, dhe në të njëjtën kohë sjellin fermat nga viset rurale në ato urbane”, ka thënë Sadiku Ahmeti.
Sipas saj është një mundësi e mirë që në këtë projekt janë përfshirë gjenerata të ndryshme, dhe përpos mbjelljes është edhe një ngritje e vetëdijes për një ushqyerje të shëndetshme.
Ajo ka potencuar se me këtë rast janë inauguruar tri ferma, ferma për fëmijët, ferma për njerëzit me nevoja të veçanta dhe ferma për kultura të veçanta.
Aktivitetin e kanë përshëndetë edhe përfaqësues nga OSCE dhe Komuna e Prishtinës, ndërkohë në procesin e mbjelljes kanë ndihmuar dy studentë te Fakultetit të Bujqësisë.
Ferma urbane është inauguruar në afërsi të KultPlus Caffe Gallery, ku paraprakisht është krijuar edhe shtegu për personat me nevoja të veçanta, kështu duke ndërlidhë kultura të ndryshme në një vend, me qëllim të përmirësimit të kushteve për të gjithë komunitetin. / KultPlus.com
Harry Styles u godit në mënyrë tronditëse në fytyrë me një objekt fluturues ndërsa ishte në skenë gjatë koncertit të tij më të fundit në Vjenë, Austri të shtunën.
Interpretuesi i hitit “As It Was”, 29 vjeç, ishte duke shëtitur në skenë gjatë koncertit në Vjenë kur ndodhi incidenti i fundit – i cili u kap nga kamera në një video që tashmë është bërë virale në Twitter të shpërndarë nga Pop Crave.
Në videon prej 10 sekondash, ish-këngëtari i grupit One Direction po ecte përgjatë skenës kur papritmas një objekt i vogël fluturoi dhe shkoi pranë syrit të tij të majtë.
Styles u përkul menjëherë dhe hodhi dorën e tij në fytyrë.
Harry Styles gets hit in the eye by an object thrown at him during his concert in Vienna. pic.twitter.com/mD9kzFoQvG
Faik Konica lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë. Ai ishte zë i çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.
Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.
Ndër thëniet e Konicës, sot po veçojmë këtë:
“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”./ KultPlus.com
Selfixhe Ciu – Broja u lind vitin 1918. Ka qenë shkrimtare shqiptare dhe gruaja e parë shqiptare e cila botoi literaturë në Shqipëri. Më 28 nëntor të vitit 1935 botoi një poesi tek e përkohshmja “Populli”, me emrin e pendës “Kolombia”.
Selfixhja u lind në lagjen Varosh të Gjirokastrës, në gjirin e një familjeje të kamur qytetare, e bija e tregtarit grosist, Ibrahim Ciu. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, ku përfundoi shkollën e vajzave “Urani Bundo”. Njohu dhe u miqësua me Musine Kokolarin, gruaja e parë shqiptare e cila botoi një roman. U njoh me gazetarët e kohës, Nonda Bulkën, Petro Markon dhe Kolë Berishën.
Ajo ka studiuar në Firencë dhe më pas vijoi studimet në Grenoble, në Francë, ku njohu bashkëshortin e saj, Xhemal Brojën dhe bashkë me të hapën një dyqan me libra në Shkodër.
Njohja e saj me letërsinë kishte nisur që gjatë kohës së shkollës së vajzave “Urani Rumbos”, në Gjirokastër, duke grishur tek ajo dëshirën për të parë përtej. Firencja e asaj periudhe do ta shtonte më shumë pasionin për shkrimin te vajza që kishte nisur të shkruante që në moshën 17-vjeçare, duke zgjedhur një pseudonim interesant, Colombia. Poezinë e parë e botoi në revistën “Populli”, 28 nëntor 1935.
Ky shkrim do të ndiqej nga shumë të tjerë të botuar në revistat “Bota e re”, “Diana”, “Java”, “Drita”, “Shtypi”. Shkrimet e një gruaje nuk ishin diçka e zakonshme në Shqipërinë e atyre viteve, por ngjalli dhe shpresë tek letrarët e rinj. Vetë Selfixheja do të shkruante në kujtimet e saj: “shkruanim tepër të ndrojtura”, duke i quajtur skicat e para gati “si ditarë të rrëfimit të vetvetes”, po që ishin pasqyrë e shpirtit të saj të trazuar.
Shumë shpejt Colombia filloi të njihej në rrethet letrare dhe shkrimet e saj do të ndiqeshin me kureshtje. Aq sa në shtator të vitit 1937, publicisti F. Llagami në revistën “Java”, në rubrikën “Nga romani ‘Pse’ në ‘Sikur të isha djalë’ , deri te Colombia”, jo vetëm pranon qenien dhe talentin e saj si shkrimtare, por vlerëson dhe rolin e saj në letërsi.
Shkrimet e Selfixhesë nuk janë vetëm të ndjera, por dhe një shuplakë ndaj realitetit që e rrethonte. “Kombi ynë ka shumë mungesa, prandaj vajzat intelektuale nuk lypset të rrinë kaq indiferente, por të marrin pjesë në evolucionin e shpejtë të kombit tonë”, shkruan ajo. Në revistën “Bota e re” zëri i saj do të ngrihet në mbrojtje të lirisë së gruas. Në shkrimin e parë botuar në këtë revistë më 16 shtator 1936, ajo e sheh gruan si një krijesë të shtypur, “viktimë e përbuzjes dhe e shtypjes superiore të burrit”. Duke përfaqësuar të rejat më të përparuara të kohës, kishte besim se me luftë do të fitojnë të drejtat e mohuara “krah për krah me të rinjtë dinamikë”, të çliruar një varg të pambaruar të burgosurash që presin lirinë e dëshiruar”.
Mikeshë e ngushtë me Musine Kokalarin, dy vajzat nuk ndanë mes tyre veç vargjet për dashurinë dhe burrat, por dhe përpjekjet për emancipimin e çlirimin e vendit. Në kujtimet e saj ajo tregon se sa herë ndaheshin nga njëra-tjetra uleshin dhe shkruanin, për t’i dërguar më pas shkrimet në gazetën “Shtypi”. Jeta e Selfixhesë nuk do të ishte ajo për të cilën kishte kontribuar pas Luftës. Bashkë me familjen, ajo ishte internuar, por kjo nuk mundi të shuante atë shpirtin e ndjerë të gruas që ka të njëjtin vështrim përtej fotove sot.
Libri i parë i saj ishte një përmbledhje me poezi për fëmijë “Lule më lule” (1958). Ndërsa pas viteve ’90, ajo ulet e shkruan kujtimet, që sot janë një dëshmi e bukur e një jete jo të zakontë. Në të gjejmë jo vetëm lëvizjet e feminizmit në Shqipëri, por dhe fillesat e prozës femërore, dhe një anë tjetër të Luftës Nacional Çlirimtare, përmes njerëzve që e besuan atë.
Selfixhe Ciu – Broja në vitin 1998 botoi poezi në një libër dhe e quajti “Tallazet e jetës”.
Ajo vdiq në moshën 85-vjeçare, në vitin 2003, në Tiranë.
Përjetimet e saj mund t’i lexoni këtu: https://filolet.com/histori/kujtimet-e-selfixhe-ciu-broja.htm
Ka filluar zbatimi i projektit për lajmërimet në shtëpi për pensionistët që janë në dhe mbi 80 moshën 80-vjeçare si dhe për ata që për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht për vazhdimin e pagesës së pensionit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, ky shërbim tashmë ka filluar të zbatohet në të gjiha komunat e Kosovës.
“Ky shërbim ka filluar të zbatohet fillimisht në regjionin e Prishtinë (Komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Lipjanit, Podujevës, Obiliqit dhe Graqanicës), si pilot-projekt, nga muaji shkurt i këtij viti, duke qenë i kufizuar me moshën 85+. Ndërsa tani zgjerohet edhe në të gjitha komunat, si dhe përfshihen të gjithë pensionistët 80+ dhe secili pensionist që për shkaqe shëndetësore nuk mund paraqitet fizikisht”, thuhet në njoftimim e kësaj ministrie.
Sipas ministrisë, paraqitja e kërkesës për këtë shërbim bëhet në adresat elektronike si në vijim:
Ministria njofton se kërkesa mund të paraqitet individualisht nga pensionisti apo nga çdo preson tjetër që e paraqet në emër të pensionistit.
“Kërkesa duhet të paraqitet së paku 7 (shtatë) ditë para datës kur pensionisti duhet të lajmërohet fizikisht, pranë zyrave të Departamentit të Pensioneve. Kërkesat e tilla janë vlefshme vetëm nëse konfirmohet pranimi i shkresë elektronike kthyese, përndryshe kërkesa duhet të përsëritet”, thotë ministria.
Sipas Ministrisë së Financave, më kërkesë pensionistit duhet të paraqesin të dhënat si në vijim:
emri dhe mbiemri i pensionistit;
numri personal i pensionistit;
numri i telefonit të pensionistit (nëse ka – preferohet numër i mobilit);
numri i telefonit të një personi të afërt të pensionistit; dhe
adresa e banimit të pensionistit dhe përshkrimi shtesë lidhur me adresën.
Ministria njofton gjithashtu se pensionistëve të cilëve nuk ju aprovohet kërkesa për shkak të mos plotësimit të kritereve, duhet të vazhdojnë të paraqiten për lajmërim tek zyrat e pensioneve.
“Pensionistit do t’i konfirmohet që kërkesa është pranuar, dhe pas verifikimit të të dhënave sipas kritereve të përcaktuara më lartë, do të njoftohet për realizimin e vizitës përafërsisht 24 orë më herët, përfshirë këtu edhe ditët e vikendit”.
“Pensionistët të cilëve nuk ju aprovohet kërkesa për shkak të mos plotësimit të kritereve, duhet të vazhdojnë të paraqiten për lajmërim tek zyrat e pensioneve. Andaj, ftojmë pensionistët që i plotësojnë kushtet për këtë shërbim dhe të afërmit e tyre të shfrytëzojnë këtë shërbim”, thuhet tutje në njoftim.
Shteti më i ri në botë pritet të lindë pas pak. Sekretari i Ministrisë së Sportit kërkon nga trupa e Teatrit të Kosovës që të përgatisin një shfaqje teatrore solemne e cila do të jepet ditën historike të shpalljes së pavarësisë. Për festën e pavarësisë janë ndarë 2 milion euro. Trupa e teatrit ndjehen të privilegjuar dhe krenarë. Por ky ngazëllim ka edhe sfidat e veta. Pas ca kërkesave “estetike”, politikisht korrekte, trupa përballet edhe me dy “probleme” të paparashikueshme. I pari, dita kur duhet të shpallet pavarësia mbahet sekret dhe i dyti, në shfaqje duhet të përfshihet edhe fjalimi ende i pashkruar i Kryeministrit, të cilin ai do ta mbajë në parlament në ditën historike. Dhe derisa ekipi i teatrit fillon provat intensive, Xhejmsi, tekniku i skenës ka një projekt paralel. Ai fillon të konstruktojë një aeroplan me të cilin dëshiron të fluturojë rreth globit me qëllim që, në këtë mënyrë origjinale, të lobojë në shumë shtete të botës për njohje të shtetit të ri. Lajmi për datën e shpalljes së pavarësisë vjen papritur. Në mbrëmje, kabineti qeveritar, mysafirë nga NATO, UN, EU dhe diplomatë të tjerë, vijnë në Teatrin e Kosovës për të parë shfaqjen – epopenë kombëtare…
Me regji të Erson Zymberaj, e autor Jeton Neziraj, në Teatrin e Kumanovës-Drama Shqipe, shfaqet premiera e komedisë politike, “Fluturimi mbi Teatrin Shqiptar”, shkruan Alsat.
Kjo komedi politike, padyshim që ka marr ngjyrat e politikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa në të do të përfshihet edhe këndimi e vallëzimi.
Shfaqja pritet ta ketë premierën më 14 korrik, derisa në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Shkëlqim Islami, Mirsad Abazi, Egzona Salihu, Musa Isufi dhe Faton Ibrahimi.
Muzika është bërë nga Irena Popovic, skenografia Adrian Kadriu, koreografia Krenare Nevzati ndërsa kostumet nga Yllka Brada. / Alsat.mk/ KultPlus.com
Ne humbëm, sepse i thamë vetes që humbëm. Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur. Nëse do të jesh i lumtur, ji i lumtur. E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi. Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha. Ji i keq, por të paktën mos ji gënjeshtar, mashtrues! Unë mendoj se, nëse është e vërtetë që ka po aq mendje sa ka edhe koka, atëherë ka po aq lloje dashurie, sa ka edhe zemra. Pa e ditur se cfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur. Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë. Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria. Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten. Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore. Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit. A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien? Të gjithë familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, secila familje e palumtur është e tillë në mënyrën e vet. Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje. Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vogla. Kur e do dikë, ti e do ashtu si është, jo si do të doje ti të ishte. Muzika është gjuha e shkruar e emocionit. Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë. Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato. E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori. Mërzia: Dëshira për të patur dëshira. E gjithë dhuna konsiston në disa njerëz që detyrojnë të tjerët, nën kërcënimin e vuajtjes apo vdekjes, për të bërë atë që ata nuk duan ta bëjnë. Të gjitha ato që kuptoj, i kuptoj prej dashurisë. / KultPlus.com
Threads, aplikacioni i krijuar nga Meta për të rivalizuar Twitter-in, ka tejkaluar shifrën e 70 milionë regjistrimeve, duke “përmbysur” kështu peizazhin e rrjeteve sociale dhe duket se e ka tronditur Twitter aq sa tani po kërcënon me veprime ligjore kundër Metës.
Por teksa përdoruesit u regjistruan në Threads me shumicë, me disa prej tyre të etur për t’i shpëtuar kaosit të Twitter-it të Elon Musk, suksesi i papritur i aplikacionit të ri nga Meta mund të ngrejë shqetësime të reja.
Meta është kritikuar tani e disa kohë për dominimin e saj të tregut, dhe se akuzohet se ka tentuar që ta largojë konkurrencën duke kopjuar dhe “vrarë” aplikacionet rivale, raporton CNN, transmeton Telegrafi.
Tani disa ekspertë të konkurrencës dhe edhe disa përdorues të Threads shqetësohen se nëse rritja e aplikacionit të rri vazhdon në këtë shkallë, atëherë kjo thjesht mund të qojë në akumulim të çojë në akumulimin edhe më të madh të fuqisë dhe dominimit për Metan dhe drejtorin e saj ekzekutiv Mark Zuckerberg.
“Perspektiva e monopolit total nga Meta është shokuese” shkruan një përdorues. “Është një problem real për shoqërinë kur disa dhjetëra njerëz dhe kompani zotërojnë çdo gjë, në mënyrë që të mos ekzistojnë paradigma alternative që ata të mos i zgjedhin nga djepi”, tha një tjetër.
Twitter ka qenë gjithmonë më e vogël se platformat e Metas, por kishte tejkaluar ato me ndikim në teknologji, media dhe politikë. Teksa Twitter filloi të çalonte nën pronësinë e Musk, u shfaq një numër i aplikacioneve të vogla që dëshironin të merrnin pak nga magjia e saj.
Lansimi me sukses i Threads këtë javë vë në pah realitetin e pakëndshëm të ekonomisë moderne digjitale: Për të mposhtur potencialisht disa nga lojtarët më të mëdhenj në industri, mund të duhet të jesh vetë një gjigant.
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë? Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com
Uta Ibrahimi e cila sapo ka realizuar ngjitjen e fundit në Nanga Parbat, po planifikon ngjitjen e radhës në Majën K2 dhe Broad Peak, ngjitje këto që do të rrumbullakojnë finalizimin e 14 Majave më të larta të Botës, shkruan KultPlus.
Por sfidat që e përcjellin Utën e Maleve janë financat, edhe në ngjitjen e fundit ka pas pak mbështetje institucionale, por edhe në ngjitjen e radhës ajo ka po të njëjta probleme.
Nëpërmjet një postimi ajo ka bërë thirrje për mbështetje nga donatorë të ndryshëm me sloganin “Për vendin tem, për malet e mia”.
KultPlus ju sjell të plotë kërkesën e Uta Ibrahimit për ngjitjen e radhës.
The time has come – Ka ardh koha
Shok e shoqe,
Sado qe po behet e veshtire e me e veshtire me vazhdu projektin e ngjitjes ne 14 Majat me te larta te Botes, qysh ne aspketin fizik e ashtu edhe emocional e financiar, deri sot hala spo dorezohna … keshtu qe vendosa me vazhdu edhe ma tutje!
Pas ngjitjes ne Nanga Parbat, keto 3 dite te pushimit jon kon ma shume stres se sa gezim … me i gjet edhe nje cope te madhe te pareve per me pas mundesi me vazhdu ma tutje.
Per arsye te licencimit te Federatave, as mjetet e sponsoreve aktual ende nuk po arrij me i marr per me i pagu ekspeditat. E gjithashtu, mbeshtetja nga Ministria e Sportit kete vit ka qene me e vogla e mundshme, e keshtu krejt per fund, FALEMINDERIT secilit (secili e dini kush jeni) qe me keni huazu pare, keni hi ne KREDI per mu, keni dhan nga xhepi juj, krejt kursimeve te mia prej puneve te mia per shume vjet, shoket e mi ne Nepal, familja jem ne Kosove, shume njerzve te mire qe po donojne ne https://makeachamp.com/utaibrahimi/40348 une neser po nisem per me vazhdu edhe njeren nga andrrat me te medhaja, ngjitjes ne Majen K2 dhe Broad Peak. Nime xhepin e kom 0, po zemren e kom plot
Keshtu, po i afrohemi cdo dite e me shume finalizimit te projektit te 14 Majave me te larta te Botes.