Ramë Lahaj publikon datat e “Ramë Lahaj International Opera Festival”

Tenori i njohur Ramë Lahaj që po realizon tash e dy vjet Ramë Lahaj International Opera Festival ka publikuar datat e edicionit të tretë të këtij festivali, shkruan KultPlus

Tashmë është konfirmuar se edicioni i sivjetmë do të zgjasë për dhjetë ditë dhe se edicioni i këtij viti do të mbahet përgjatë muajit korrik.

Data 21 shënon hapjen e këtij edicioni, kurse do të zgjasë deri më 31 korrik.

Ende nuk është publikuar lista e mysafirëve pjesëmarrës, por duke iu referuar edicioneve të shkuara, edhe këtë vit pritet të kemi artistë të njohur të skenave të mëdha operistike./ KultPlus.com

Osmani shtrëngon duart me Zelenskyn: Askush nuk e kupton dhimbjen tuaj më mirë se ne

Presidentja Vjosa Osmani po merr pjesë në samitin e dytë të Komunitetit Politik Europian në Moldavi.

Derisa u realizua fotografia familjare e liderëve pjesëmarrës, presidentja Osmani shtrëngoi duart dhe shkëmbeu disa biseda me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili po ashtu është duke marrë pjesë në këtë samit.

Për këtë takim të shkurtë që pati, Osmani ka shkruar edhe në Twitter.

“Në kohërat kur është e rëndësishme se ku qëndroni, unë i shpreha solidaritetin tonë të plotë Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës. Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë”.

Bekim Fehmiu për “Variety” më 1993: Nuk është e lehtë të jesh shqiptar në Serbi

Nga: Aurenc Bebja

Revista “Variety”, më 14 prill 1993, në faqen 75 ka botuar intervistën e gazetares Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun. Shkrimi është si më poshtë.

“I vetmi superyll i vërtetë i dalë ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit, Bekim Fehmiu, është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollivud – si plejboj amerikano-jugor te ‘Aventurierët’ e ‘Paramount’-it më 1970.

Ai ishte gati për një kalim në Hollivud, pasi u bë yll ndërkombëtar me ‘Mbledhësit e puplave’. Ky shans i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u largua.

Dy dekada më parë Fehmiu e vizitoi botën si superyll i ardhshëm. Tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, si shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.

Kur ‘Mbledëshit …’ morën çmim të madh në Kanë, dhe një audiencë amerikane më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentisit, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të te ‘Edipi mbret’, por një angazhim tjetër e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit panë ‘Mbledhësit …’ dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave – Dax Xenos te ‘Aventurierët’.

Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga ‘Mbledhësi i lumtur’ në një fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtët të realizuar deri në atë kohë – dështoi; Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.

‘Gabimi i madh i Gilbertit ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit të Harold Robbins’, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa në kohë. ‘E bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Luftën dhe Paqen’’.

Si 57 vjeçar, Fehmiu jeton në kryeqytetin serb, në Beograd. Edhe ai luajti rregullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe pavarësisht se ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960’70, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte – nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.

‘Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin’, tha Fehmiu për ‘Variety’. ‘Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu’.

Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. ‘Duhet të bësh punën tënde në çdo mënyrë që mundesh’.

Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është aktor i ri në ngritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. ‘Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë, shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse kjo është e nevojshme”. /Darsiani/

Bekim Fehmiu (foto e vitit 2008, e bërë nga Fahredin Spahija)

Në datëlindjen e yllit shqiptar Bekim Fehmiu

Bekim Fehmiu u lind me 1 qershor 1936 në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës. Njihet më së miri në filmat I Even Met Happy Gypsies (1967), Protst (1967) dhe The Adventurers (1970). Ishte i martuar me Branka Petric. Vdiq më 15 qershor, 2010 në Beograd.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

U martua Branka Petric dhe kishte dy djem. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. Në të gjithë hapësirën ballkanike është gati në përmasat e një miti. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen” – shprehet ai.

Kishte studiuar në Universitetin e Beogradit për film prej vitit 1956 deri me 1960 me prof. Mata Milosevic.

Si yll i filmit në ish-Jugosllavi dhe në përgjithësi në gjithë Evropën, Fehmiu fitoi çmime për film dhe një përkrahje të përzemërt nga gjithë populli shqiptar. Debutimi i tij në tregun amerikan me një rol tejet të rëndësishëm nuk ishte edhe shumë i suksesshëm për të, megjithatë figura e tij prej aktori mori përmasa të mëdha me role në filmat e tjerë dhe mbeti në kujtesë për shumë kohë.

Jeta e tij u zhvillua mes Beogradit, Prishtinës e Prizrenit.

Filmat në të cilët luajti Bekim Fehmiu: “The Odyssey”, “The Deserter”, “Ready for Anything”, “Special Education” etj.

Lidhur me vdekjen e tij ka supozime të ndryshme, njëra prej tyre ishte se kreu vetëvrasje në apartamentin e tij me revole, megjithatë nuk u konfirmua asnjëherë. Kur vdiq Fehmiu ishte 74 vjeç./ KultPlus.com

Ismail Kadare i ftuar nderi në edicionin e 25-të të Panairit të Librit në Prishtinë

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare do të jetë i ftuar nderi në edicionin e 25-të të Panairit të Librit në Prishtinë, që do të nisë më 6 qërshor, shkruan KultPlus.

Për pjesëmarrjen e Ismail Kadare ka njoftuar botuesi i Shtëpisë Botuese “Onufri”, i cili a detajuar edhe për takimin e Kadaresë me Besian dhe Edon Zenelin që janë edhe organizatorë të Panairit të Librit në Prishtinë.

Më poshtë po ju sjellim njoftimin e plotë të Hudhrit.

Me Besian dhe Edon Zenelin, djemtë e shkrimtarit dhe botuesit të njohur, Abdulla Zeneli. Biseduam me ta, si përfaqësuas të shoqatës së botuesve të Kosovës, për detajet e fundit për ceremoninë e hapjes së Panairit të 25-të të Librit në Prishtinë, ku shkrimtari ynë i shquar do të jetë i ftuar nderi.

Bar Juvenilja, e mërkurë, 31 maj 2023./ KultPlus.com

Transfero studimet në Universum dhe merr diplomë të fuqizuar nga Universiteti më i madh në SHBA!

Universum, po ndryshon arsimin në Kosovë përgjithmonë! UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. 

Të gjithë studentët të cilët diplomojnë nga Universum International College – UNI, do të pajisen me diplomë “Fuqizuar nga Arizona State University”.

Përmes këtij partneriteti, mund të përfitojnë edhe studentët nga institucionet tjera të cilët i TRANSFEROJNË studimet në Universum dhe të marrin diplomë të fuqizuar nga Arizona State University.

Transfero të gjitha provimet nga universiteti paraprak përfito 30% zbritje & shkëmbim semestral në njërin nga 221 Universitetet Partnere në 26 shtete të BE-së me BURSË të plotë.
ASU për të tetin vit radhazi, renditet në vendin e parë për inovacion nga US News & World Report, duke dalë para MIT, Stanford dhe Harvard.A dëshironi edhe ju ti transferoni studimet në Universum, ti ndjekni ligjeratat me orar fleksibil pa shkëputje nga puna dhe pastaj ti vazhdoni ato jashtë vendit me bursë të plotë. Shiko programet e akredituara për studime në UNI-Universum International College https://bit.ly/uni_asu/ KultPlus.com

Protesta për albanologjinë, do të bashkohet me Akademinë e Shkencave

Akademia e Studimeve Albanologjike e përbërë nga 106 studiues pritet të shkrihet e të bashkohet me Akademinë e Shkencave brenda datës 31 dhjetor.

Ky projektvendim i propozuar nga Ministria e Arsimit që pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave ka mbledhur këtë të martë para institucionit me rëndësi kombëtare në ruajtjen e historisë dhe gjuhës shqipe, përfaqësues të organizatave me në fokus arsimin për të kundërshtuar VKM-n që sipas tyre është e pakonsultuar me senatin akademik siç e parashikon ligji i arsimit të lartë.

“Kjo është e paligjshme. Ata nuk kanë arsye për ta mbyllur, por duan ta kthejnë kërkimin shkencor në “part-time” se kështu thotë ligji i akademisë së shkencave nuk ka studime të përhershme por të përkohshme”, tha aktivisti Gentjn Serjani.

Mbyllja e Akademisë së studimeve albanologjike për aktivistët është alarm që vë në rrezik pavarësinë e kërkimit shkencor, duke e cilësuar si një ditë zie për lirinë akademike, ndaj ata kërkojnë që vetë akademikët të ngrenë zërin për të mos lejuar VKM-n të miratohet.

“Ne kemi parë godina të rrëzohen, tani po shikojmë akademinë, studiuesit më të mencurit. Nuk duhet të lejojmë që ky institucion që gëzon autonominë të mos pyetet. Duhet ti shpëtojmë këto ishuj edhe pse në dukje të vegjël por me rëndësi për identitetin”, tha Migen Qiraxhi.

Projektvendimi dikton që të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Akademisë Albanologjike t’i kalojnë Akademisë së Shkencave.

Edicioni i shtatë i “Festivalit të Kitarës”, personalitete botërore në program

Festivali i Kitarës ka arritur në edicionin e 7-të të tij dhe entuziazmi për këtë event tërheqës muzikor është në rritje. Edicioni i sivjetshëm vazhdon traditën e përkushtimit ndaj muzikës, si dhe mbështetjen ndaj talenteve të reja. Ky festival është i njohur për promovimin e muzikës së kitarës në të gjitha  formatet dhe stilet e saj. Nga flamenco deri tek klasike, jazz-i dhe rock-u, audienca do të ketë mundësinë të shijojë një varg performancash të talentuara nga muzikantët më të mirë të kitarës.

Drejtori Artistik i Festivalit, Dr. Denis Bizhga u shpreh se festivalet muzikore janë institucione artistike që promovojnë ngjarje artistike dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e kulturës dhe një turizmi muzikor.

Pjesëmarrës në këtë edicion të festivalit do të jenë personalitete të njohura të botës së kitarës. Njëri prej tyre është Marko Battaglia, një virtuoz i kitarës nga Italia.

Battaglia do të performojë në 3 qershor në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë.

Në 6 qershor në Krujë, duo nga Danimarka Gantriis-Zimmermann do të ofrojë një udhëtim magjepsës nëpër një hartë muzikore të botës, ku muzika popullore dhe këngët e vendeve të ndryshme riinterpretohen ose aranzhohen në atë mënyrë që të lindë muzika e re, frymëzuar nga traditat.

Nga Viena, duo Pavlova – Böhm sjell në 16 qershor në Elbasan dhe 17 qershor në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë “Danub Impressions”.

“Danub Impressions” sjell një përvojë të rrallë muzikore, e cila shkon përtej vetëm për të dëgjuar tingujt, por edhe për të shijuar historinë, kulturën dhe lidhjet e muzikës me mjedisin ku është krijuar.

Për të mbushur festivalin me magjinë e tij,  kitaristi i famshëm Jose Maria Gallardo del Rey do të performojë në 1 korrik në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë.

“Udhëtimi i gjatë drejt natës”, nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Teatri Kombëtar i Kosovës shfaq premierën “Udhëtim i gjatë drejt natës” nga Eugene O’Neill më 31 maj 2023.

Shfaqja portretizon familjen Tajron, udhëtimin e tyre emocional në sfidat e varësisë dhe pasojat e saj të thella. Xhejms Tajron, babai, lufton me alkoolizmin ndërsa gruaja e tij, Meri, përbal- let me varësi nga morfina. Djemtë e tyre, Xhejmi dhe Edmund, gjithashtu luftojnë me alkoolizmin dhe sëmundjen e tuberku- lozës. Në këtë shfaqje me emocione të fuqishme, familjarët përbal- len me njëri-tjetrin dhe demonët e tyre të brendshëm, duke i shpërfaqur veprimet, keqardhjet dhe gabimet e tyre të kaluara dhe të tanishme. Ndërsa mesnata afrohet përmes tiktakeve të orës, tensionet rriten, sekretet zbulohen dhe realiteti i thellë i situatës së tyre bëhet i pamohueshëm. “Udhëtim i gjatë drejt natës” shërben si një kujtesë prekëse për fuqinë shkatërruese të varësisë, jo vetëm për individin, por edhe për familjen. Poashtu shpërfaqë rëndësinë jetike të ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit në përballje me varësinë, duke theksuar nevojën për komunikim të hapur dhe sinqeritet të palëkundur për ta mposhtur atë. “Udhëtim i gjatë drejt natës” ndriçon rrugën drejt shërim- it dhe ofron një mesazh të fuqishëm shprese në mes të netëve më të errëta.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre do të paraqiten aktorët: Ernest Malazogu, Arta Selimi, Allmir Suhudolli, Don Shala e Florije Bajoku.

Me autor rë Eugene O’Neill e me regji të Ilirjana Arifit kjo shfaqje vjen nën dramaturgjinë e Zoga Çeta Çitaku, me skenografi të Bekim Korçës, kostumografe- Njomza Luci, kompozitor- Memli Kelmendi dhe ekipi tjetër përcjellës i shfaqjes./ KultPlus.com

Edhe pak ditë na ndajnë nga hapja e Panairit të Librit “Prishtina 2023”

Me moton “Libri triumfon”, me 6 qershor hapet edicioni i 23-të i Panairit të Librit, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës ndërsa mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës.

Këtë vit marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00. Panairi do të mbyllet më 11 qershor në orën 18:00. Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë./ KultPlus.com

Shkrimtarja e njohur Lea Ypi në Universitetin e Tetovës

Shkrimtarja  e njohur Lea Ypi do të jetë mysafire e Universitetit të Tetovës, më 31 maj në ora 11:00, shkruan KultPlus.

Lea Ypi është një prej figurave më kuptimplote e botës akademike shqiptare edhe pse funksionon jashtë botës shqiptare. Ajo është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe profesoreshë e filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Ajo është diplomuar për filozofi dhe letërsi në Universitetin La Sapienza dhe ka përfunduar doktoraturën në Institutin Universitar Evropian.

Me studimet e saj ajo ka marrë disa çmime ndërkombëtare. Lea Ypi është zgjedhur ndër dhjetë mendimtarët më të mirë në botë sipas Prospect Magazinë 2022. Ka dhënë mbi njëqind leksione si e ftuar, duke përfshirë Universitetin e Çikagos, Princetonit, Yales, Harvardit, Stanfordit, Kembrixhit, Oksfordit, Parisit, Romës, Frankfurtit, Berlinit, Pragës, Uppsalas, Barcelonës, Oslos, Montrealit, Torontos, Pekinit, Kiotos dhe Melburnit.

Lea Ypi është bërë e njohur së fundi edhe si autore e një libri që del jashtë kornizave të profesionit të saj primar. Libri i saj autobiografik “Free”, ose në shqip “Të lirë”, ka zgjuar interesim të madh kudo ku është botuar dhe hedhur në treg. Libri është botuar në anglisht, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare dhe është vlerësuar lartë nga kritika ndërkombëtare./ KultPlus.com

Ekspertët paralajmërojnë: Inteligjenca artificiale mund ta sjellë zhdukjen e njerëzimit

Një grup ekspertësh, përfshirë drejtuesit e OpenAI dhe Google Deepmind, kanë paralajmëruar përmes një deklaratë të përbashkët se inteligjenca artificiale mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit.

Dhjetëra ekspertë të kësaj industrie e kanë mbështetur deklaratën e publikuar në faqen e internetit të Qendrës për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale.

“Zbutja e rrezikut të zhdukjes nga inteligjenca artificiale duhet të jetë prioritet global, krahas rreziqeve të tjera si pandemitë dhe lufta bërthamore”, thuhet në këtë deklaratë.

Sam Altman, shefi ekzekutiv i OpenAI që krijoi ChatGPT, Demis Hassabis, shefi ekzekutiv i Google DeepMind, dhe Dario Amodei, nga kompania Anthropic, kanë mbështetur këtë deklaratë.

Në mesin e nënshkruesve ishte edhe Geoffrey Hinton, i ashtuquajturi “kumbara i inteligjencës artificiale”. Hinton, krijues i disa nga teknologjive bazë për sistemet e inteligjencës artificiale, kishte paralajmëruar edhe më parë për rreziqet nga inteligjenca artificiale.

Megjithatë, disa ekspertë besojnë se frika që inteligjenca artificiale mund të çojë deri në zhdukjen e njerëzimit është jorealiste.

Shqetësimi i tyre më i madh ka qenë ideja e të ashtuquajturës inteligjencë e përgjithshme artificiale (AGI). Ky koncept përshkruan momentin kur makinat të bëhen të afta të kryejnë funksione të një game të gjerë dhe të mund ta zhvillojnë programimin e tyre vetë.

Frika është se njerëzit nuk do të kenë më kontroll mbi inteligjencën artificiale, gjë që ekspertët kanë paralajmëruar se mund të ketë pasoja të tmerrshme.

Kjo deklaratë e fundit e përbashkët vjen dy muaj pasi miliarderi Elon Musk dhe të tjerë kërkuan një pauzë në zhvillimin e një teknologjie të tillë derisa të verifikohet siguria e saj. /REL

Biletat 2 euro, për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve në Cineplexx!

Cineplexx organizon event për 1 Qershor, ku ka përgatitur një program të përzgjedhur të filmave të animuar dhe çmim special të biletës prej vetëm 2€.

1 Qershori apo Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve do të festohet edhe në Cineplexx në të dy kinematë, Prishtine dhe Prizren ku eventi fillon nga ora 11:30. Përveç çmimeve speciale, gjithashtu do të ketë aktivitete për fëmijë si face painting dhe dhurata mundësuar nga Migros Group.

Këta janë tre filmat për fëmijë që do të shfaqen gjatë kësaj dite me çmim special

The Super Mario Bros. Movie

Gjatë udhëtimit të tyre, vëllezërit Mario dhe Luigi ndahen aksidentalisht ku Mario zbret në Mbretërinë e Kërpudhave dhe Luigi në ishullin lundrues të banuar nga Bowser i ligë. Me ndihmën e Princeshës Peach, Mario bëhet gati të përballet me Bowser-in e gjithëfuqishëm për të shpëtuar vëllain e tij dhe për të ndaluar Bowser për të pushtuar botën.

 Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Puss in Boots: The Last Wish

Maqoku në qizme zbulon se pasioni i tij për aventurën ka bërë të vetën: ai ka djegur tetë nga nëntë jetët e tij. Ai nis një udhëtim epik për të gjetur legjendën e “Dëshirës së Fundit” dhe për të rikthyer nëntë jetët e tij.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTUhttp://(https://www.cineplexx-ks.eu/movie/Puss-in-Boots-The-Last-Wish/)

Billie Eilish shpërthen ndaj komenteve për pamjen e saj: Lërini gratë të ekzistojnë

Billie Eilish po përballet me kritikët që me sa duket kanë një problem me mënyrën se si stili i saj ka evoluar gjatë viteve.

21-vjeçarja fituese e çmimit Grammy postoi një seri fotosh në Instagram gjatë fundjavës dhe shkroi: “Kam kaluar 5 vitet e para të karrierës sime duke u fshehur absolutisht nga ju budallenjtë që isha si djalë dhe për veshjen që kisha. Dhe vazhdimisht më thuhet se do të isha më e mirë nëse do të sillesha si një grua.”

“Tani kur ndihem mjaftueshëm rehat për të veshur ndonjë gjë femërore apo të përshtatshme, ndryshova dhe jam e shitur”, vazhdoi mbishkrimi mbi një foto të saj. “Dhe ‘çfarë i ndodhi asaj’ ‘ o Zot nuk është e njëjta Billie ajo është si të tjerët’ bla bla bla.”

Eilish vazhdoi duke iu drejtuar me “idiotët e vërtetë”.

“Lërini gratë të ekzistojnë!” shtoi ajo.

Eilish vazhdoi me më shumë postime.

“FAKT GAZMOR! a e dinit se femra është shumëplanëshe!!!!!??? tronditëse apo jo?? besoni apo jo femrat mund të jenë të interesuara për shumë gjëra”, ka shkruar ajo.

“Edhe se feminiliteti nuk barazohet me dobësi???!!!! O zot i madh?! çmenduri apo jo? kush e dinte”, shtoi ajo. “Dhe gjithashtu krejtësisht e padëgjuar dhe e çmendur të duash të shprehesh ndryshe në periudha të ndryshme.”

Eilish i tha revistës Elle në vitin 2021 se humbi 100,000 ndjekës të mediave sociale pasi ndau një tjetër look.

“Njerëzit i mbajnë këto kujtime dhe kanë një lidhje,” i tha ajo botimit. “Por është shumë çnjerëzore.”/Top Channel

HOLLYWOOD, CALIFORNIA – FEBRUARY 09: Billie Eilish attends the 92nd Annual Academy Awards at Hollywood and Highland on February 09, 2020 in Hollywood, California. (Photo by Amy Sussman/Getty Images)

Unë, biri yt Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

CNN renditi Shqipërinë mes 12 destinacioneve turistike/ Rama: Eksperiencë unike për 2023

Kryeministri Edi Rama, ka ndarë mëngjesin e sotëm me anë të një postimi në “Facebook”, artikullin e CNN, ku Shqipëria quhet “Perlë Mesdhetare”. 

Rama bashkangjitur me postimin ka shkëputur një pjesë nga artikulli i CNN, ku gjigandi mediatik botëror e rendit Shqipërinë mes 12 alternativave për t’u vizituar këtë verë, si destinacion i turizmit të qëndrueshëm, mes bregdetit fantastik, natyrës dhe trashëgimisë kulturore, duke ofruar eksperiencën unike të pushimeve për vitin 2023.

Tirana me mural për Lionel Mesin

Artisti argjentinas me famë botërore Maximiliano Bagnasco po realizon në një prej fasadave në kryeqytet portretin gjigand të Lionel Mesit, që konsiderohet edhe si lojtari më i mirë i botës dhe nga shumë si më i miri i të gjitha kohërave.

Muralja e Mesit do jetë te godinat e reja të konvikteve tek Farmacia 10 në kryeqytet, ndërsa po tërheq çdo ditë kureshtjen e qytetarëve të shumtë që kalojnë aty.

Maximiliano Bagnasco është një emër i njohur në fushën e artit, ndërsa ka dhe rreth 300 mijë ndjekës nga e gjithë bota. Në Itali ai njihet për muralen gjigande me portretin e Maradonës në Napoli teksa pushtoi faqet e gjithë mediave ndërkombëtare.

“Mural Fest Tirana” është një nga aktivitetet më të veçantë që zhvillohet në kryeqytet si nismë e Drejtorisē së Dekorit nga Bashkia e Tiranës dhe kuruar nga Shoqata Kulturore VIZart.

Vitet e fundit Tirana po i ofron qytetarëve dhe vizitorëve të huaj një pamje tjetër, ku fasadat e mureve në disa rrugë, janë zëvendësuar me murale, të cilat i kanë dhënë pamje tjetër kryeqytetit.

Elbenita Kajtazi: Nuk mund të jesh fëmijë pa trauma nëse je rritur në Mitrovicë

Sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi ka shpreh shqetësimin e saj për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ajo ka kujtuar përjetimet e saj me qytetin e lindjes dhe se zhvillimet e fundit në Mitrovicë, sipas Kajtazit kanë ndikuar që përsëri ti kthejnë ankthin.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Elbenita Kajtazit

Dje telefonova babin dhe e pyeta ,” babe çka po ndodh në Mitrovicë ? ” , ai u përgjigj, ” kurgjo qika jeme, jemi msu ne tash e 24 vite historia e njejt, mos u shqetëso ti hiq”…

Unë prap se prap dje ndjeva ankth, përjetova sulm paniku, dhe gjithë traumat fëmijërore u kthyen prap. Nuk mund të jesh fëmijë pa trauma nëse je rritur në Mitrovicë./ KultPlus.com

Lea Ypi: “Mrizi i Zanave” më bëri të zbuloj një pjesë të Shqipërisë që nuk e dija që ekzistonte

Shkrimtarja e njohur shqiptare Lea Ypi që tashmë është shndërruar në një shkrimtare bestseller në shumë gjuhë të huaja ka vizituar Agroturizmin “Mrizi i Zanave” në Fishtë të Shqipërisë, e cila nëpërmjet rrjeteve sociale ka shkruar se është mrekulluar me ekipin e Mrizit të Zanave, dhe sipas saj, po ky vend e bëri që të zbuloj një pjesë të Shqipërisë, që sipas saj nuk e dinte se ekzistonte.

KultPlus ju sjell të plotë postimin e saj origjinal.

“Anais, ti më topit”, dashuria e fshehtë e Henry Miller

Letra që shkrimtari kontravers amerikan Henry Miller i shkruan të dashurës Anais:

“…Pa mundur që ju ta vinit re, unë jetoja vazhdimisht me ju. Por kisha frikë ta pohoja – druhesha se mos trembeshit. Sot kisha ndërmend t’ju çoja gjer te dhoma për t’ju treguar akuarelët e mi. Por m’u duk diçka aq e fëlliqur t’ju çoja në atë dhomë mjerane hoteli. Jo, nuk mund ta bëjë këtë gjë. Ju do të më çoni ndokund – në koliben tuaj, siç e quani. Çomëni atje, që të mund t’ju marrë në krahët e mi.

Dhe gënjej, Anais, kur them që nuk dua t’ju adhuroj. A e prisnit që t’jua thosha këtë gjë? Kur pash filmin e Pagnol-it, Mariusin, ëndërroja për ju – ju jeni si ajo anija që niset në det, e vela i keni plotësit të shpaluar, ndërsa drita e diellit ju lazdrohet në trup…

…Anais, nuk di se si ta përshkruaj atë çka përjetoj. Jetoj në pritje të përhershme. Ti vjen dhe koha rrjedh si në ëndërr. Pikërisht kur ikën, bëhem përnjëmend i vetëdijshëm për praninë tënde. Por atëherë është tepër vonë. Ti më topit…” / KultPlus.com

Parathënia e librit “Shteti i dështuar- udhëzues për çarjen e Rusisë” nga Janusz Bugajski

(E përktheu: Ridvan Bunjaku)

Që nga përfundimi i draftit të hershëm të këtij libri në janar 2022, Kremlini u përpoq t’i arrinte disa objektiva përmes pushtimit të zgjeruar të Ukrainës. Ai synonte ta zëvendësonte qeverinë në Kiev me një regjim pro-Moskovit, ta siguronte neutralitetin e përhershëm ndërkombëtar të Ukrainës dhe ta demonstronte aftësinë ushtarake të Rusisë në mënyrë që të ndalonte çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s. Ai gjithashtu kërkoi ta përfundonte zhvillimin e Ukrainës si model i qëndrueshëm për shtetësi të suksesshme, demokraci pluraliste dhe rritje ekonomike. Brenda vendit, Presidenti Vladimir Putin u përpoq ta çimentonte trashëgiminë e tij si një “mbledhës” i tokave ruse dhe rindërtues i perandorisë, pasi mandati i tij në detyrë pas vitit 2024 mbeti i pasigurt. Dhe me kushtet ekonomike në Rusi që tashmë kanë stagnuar mes frikës zyrtare në rritje të trazirave publike, një luftë e suksesshme kundër Ukrainës kishte për qëllim ta mobilizonte mbështetjen për regjimin, pavarësisht nga kushtet ekonomike. Frika e Rusisë nga dështimi i shtetit ishte faktor kyç që e bindi Kremlinin ta nisë një pushtim në shkallë të plotë dhe të përpiqet ta përsërisë konsensusin e Krimesë. Zgjerimi i jashtëm kishte për qëllim ta maskonte çarjen e brendshme në rritje.

Në një nivel më të thellë, të zbuluar në fjalimet e ashpra false historike të Putinit në prag të pushtimit, Moska e sheh Ukrainën si kërcënim ekzistencial për Rusinë. Pushtimi nuk ishte thjesht çështje e kapjes së territorit të Ukrainës, kontrollit të qeverisë së saj dhe vendim-marrjes për aleancat e saj ndërkombëtare. U bë një luftë për diçka shumë më të thellë – identitetin dhe historinë. Pjesa më e madhe e historisë dhe identitetit të Ukrainës është shtrembëruar ose përvetësuar nga Moska, dhe ringjallja e Ukrainës i ka ekspozuar themelet e brishta të shtetit rus. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës u bë një përpjekje e dëshpëruar për ta shpëtuar historinë e saj të brishtë dhe identitetin e ngatërruar multietnik dhe perandorak. Në mënyrë paradoksale, identiteti i Rusisë është vënë në pikëpyetje më tej nga lufta kundër Ukrainës, e cila e ka forcuar solidaritetin ukrainas dhe i ka larguar më tej ukrainasit nga rusët. Ky akt flagrant agresioni e nënvizoi gjithashtu imperativin e dekolonizimit për t’i rikthyer brezat e shtypjes shtetërore dhe rusifikimin e kombeve indigjene brenda Federatës Ruse.

Në nivel ndërkombëtar, statusi i vetë Rusisë mund të ketë nevojë të rishqyrtohet në çdo zgjidhje të pasluftës, duke e përfshirë heqjen e mundshme të vendimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1991 për ta njohur Federatën Ruse si “shtetin pasardhës” të Bashkimit Sovjetik. Sanksionet dhe izolimi i gjerë ndërkombëtar ka të ngjarë të mbahen derisa forcat ushtarake të Rusisë ta evakuojnë Ukrainën dhe do të kenë pasoja të rënda afatgjata për aftësitë ushtarake, performancën ekonomike dhe stabilitetin politik të Rusisë. Më e rëndësishmja, Evropa po largohet nga varësia nga nafta dhe gazi natyror rus dhe po gjen burime alternative të energjisë, pavarësisht nga sanksionet e saj ndaj Rusisë.

Moska llogariti keqas se forcat e armatosura të Ukrainës do të shpërbëheshin shpejt dhe se përgjigja perëndimore do të ishte e dobët dhe përçarëse. Pavarësisht humbjeve të konsiderueshme të trupave dhe pajisjeve, Kremlini nuk i pranon dobësitë e tij dhe Putini mund të përdorë ende rezerva të konsiderueshme ushtarake në një luftë afatgjatë, ndërsa i pluhuros qytetet në Donbas për t’i dëbuar mbrojtësit ukrainas. Kremlini mund ta shpallë fitoren pas kapjes së oblasts (rajoneve) Donetsk dhe Luhansk dhe pjesëve të mëdha të oblasts (rajoneve) Kherson dhe Zaporizhzhia. Putini do të mund të pretendonte se “operacioni i kufizuar ushtarak” ishte arritur duke e maskuar paaftësinë e Rusisë për ta marrë ndonjë qytet të madh. Ai mund të llogarisë se Perëndimi do ta mbështeste një armëpushim edhe nëse kjo është në dobi të Rusisë, sepse do ta parandalonte një konfrontim të drejtpërdrejtë me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Moska më pas do të priste që sanksionet të lehtësohen në mënyrë që të mund ta rivendoste ekonominë e saj dhe ta rindërtonte ushtrinë e saj në përgatitje për një tjetër sulm ushtarak ndaj Ukrainës.

Megjithatë, deri në verën e vitit 2022, ishte e qartë se Kremlini nuk do të jetë i suksesshëm në “neutralizimin” e Ukrainës dhe një luftë afatgjatë do t’i ekspozojë më tej dobësitë e brendshme të Rusisë. Lidhur me aftësitë ushtarake të Rusisë, analiza perëndimore ka qenë kryesisht formaliste, me vëmendje të pamjaftueshme ndaj moralit, etikës, kompetencës, niveleve të trajnimit dhe arsimimit, korrupsionit sistematik, raportimeve të falsifikuara, tensioneve ndëretnike dhe keqtrajtimit të rregullt të trupave. Kjo rezultoi në një dështim për t’i parashikuar mangësitë ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Megjithëse shteti shpërndau burime për ta modernizuar ushtrinë, shumë nga ato para u zhdukën në rrjetet e korruptuara të Rusisë me koston e pajisjeve, mirëmbajtjes dhe logjistikës. Mangësitë e mëdha në reformën ushtarake janë ekspozuar qartë, duke e përfshirë një trupë të paaftë nënoficerësh (non-commissioned officer, NCO), koordinim të mjerueshëm ndërmjet njësive, komandë dhe kontroll të dobët (command and control, C2), dështime të municioneve, komunikime të pasigurta, joefikasitet logjistik dhe të furnizimit, padisiplinë, mbulime dhe kriminalitet.

Një pjesë e konsiderueshme e burimeve ushtarake të Rusisë është vendosur në konfliktin ukrainas dhe perspektivat për riarmatim të madh do të zvogëlohen në një ekonomi tkurrëse. Kompleksi ushtarako-industrial i Rusisë është vënë në shënjestër të sanksioneve perëndimore dhe nuk do të jetë në gjendje të prodhojë sisteme kryesore të armëve pa importe të teknologjisë nga Perëndimi për t’i kompensuar humbjet e rënda të pësuara në Ukrainë. Moska nuk mund t’i plotësojë me shpejtësi qindra tanke dhe mjete të tjera të blinduara që janë shkatërruar ose kapur në Ukrainë. Dhe pa satelitë të rinj për t’i zëvendësuar pajisjet e saj të vjetra, aftësitë e Rusisë për grumbullimin e inteligjencës do të bien më tej dhe do t’i dobësojnë operacionet e ardhshme ushtarake.

Viktimat ushtarake të Moskës në luftë tregojnë se jo-rusët dhe banorët ruralë janë dukshëm të mbipërfaqësuar, kryesisht sepse ushtria u ofron popullatës më të varfër perspektiva karriere dhe e kapërcen stigmën e të mos qenit rusë. Moska gjithashtu ka kërkuar ta shmangë fajin për çdo krim lufte ndaj pakicave kombëtare në ushtrinë ruse në ndjekjen e saj tradicionale të një qasjeje “përçaj dhe sundo” për t’i liruar rusët etnikë nga gjenocidi. Megjithatë, vendosja e kombeve të tjera si mish për top në një luftë të huaj do ta intensifikojë zemërimin kundër Moskës dhe humbjet ushtarake në Ukrainë do t’i bëjnë forcat e armatosura ruse më të prirura ndaj konflikteve, rebelimeve dhe braktisjes nga ajo pjesë e korpusit të oficerëve që nuk përbëhet nga rustë etnikë. Ata do të pyesin gjithnjë e më shumë pse duhet ta sakrifikojnë jetën e tyre për imperializmin moskovit. Kthimi i dhjetëra mijëra veteranëve ushtarakë të traumatizuar dhe të zhgënjyer në shoqërinë ruse do ta kriminalizojë më tej vendin dhe do t’i rrisë mundësitë për dhunë kundër institucioneve shtetërore dhe konflikte të armatosura më të përhapura. Nëse Kremlini e shpall një mobilizim masiv, do ta vendoste Rusinë në një gjendje lufte, do ta përkeqësonte frikën dhe zemërimin në shoqërinë ruse, do ta rriste numrin e viktimave të luftës dhe do ta varfëronte më tej ekonominë.

Në frontin ekonomik, sanksionet ndërkombëtare do të kenë një sërë efektesh negative. Edhe pse para luftës, Rusia pretendonte rreth 640 miliardë dollarë në valutë të huaj dhe rezerva ari, pjesa më e madhe e tyre mbahej jashtë shtetit dhe u ngri nga sanksionet. Rusia u shkëput nga tregjet perëndimore të kapitalit dhe u bë e paaftë për të marrë hua; dhe në korrik 2022, ajo teknikisht dështoi në borxhin e saj të jashtëm. Ekonomia ruse pritet të tkurret deri në 15 për qind gjatë vitit 2022 dhe standardi i jetesës për shumicën e qytetarëve ka të ngjarë të bjerë në nivelet sovjetike të para vitit 1980. Një rritje dramatike e papunësisë pritet pasi kompanitë private ruse mbyllen dhe qindra ndërmarrje të huaja janë larguar nga vendi. Rritja e shpenzimeve shtetërore për luftën do ta zvogëlojë prodhimin në sektorët civilë. Megjithëse papunësia ka mbetur e fshehur nga largimet e vonuara nga puna dhe shtyrjet e përkohshme të pagave, miliona punëtorë do ta gjejnë veten të tepërt në pjesën e fundit të vitit 2022. Përveç kësaj, largimi masiv i të rinjve dhe të arsimuarve do të vazhdojë. Mungesa e ushqimeve dhe e ilaçeve do të përshpejtohet, inflacioni do të rritet dhe shumë prodhues do ta ndërpresin prodhimin për shkak të mungesës së komponentave nga jashtë.

Kontrollet perëndimore të eksporteve do ta pengojnë Rusinë nga importimi i inputeve jetike si mikroçipet për sektorët e saj të prodhimit, qofshin ato ushtarake apo civile. Rrjetet e transportit të vendit do të fillojnë gjithashtu të prishen pasi kontratat e sektorit të aviacionit, sistemet rrugore dhe hekurudhore bëhen gjithnjë e më të rrënuara dhe të uritura nga investimet, fabrikat e makinave të ndërtuara nga kompanitë perëndimore mbyllen dhe zinxhirët e furnizimit prishen. Edhe shtetet joperëndimore si Kina nuk janë të gatshme të investojnë në projekte të mëdha energjetike dhe tranziti, ndërkohë që Rusia mbetet nën sanksionet ndërkombëtare. Ndërprerja e lidhjeve me kompanitë perëndimore të energjisë do ta lërë Rusinë pa teknologji të fundit në shpimin dhe kompresimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke e penguar kështu zhvillimin e fushave të reja energjetike dhe infrastrukturës. Për më tepër, mungesa e fondeve të huaja do të kontribuojë në prishjen e disa projekteve dhe madje investitorët kinezë e kanë reduktuar interesin e tyre për depozitat e energjisë në veri të Rusisë.

Vështirësitë ekonomike do ta përkeqësojnë gjithashtu tjetërsimin rajonal, me një potencial për shpërthime sociale në qytetet dhe qytezat më të vogla, ku kostot ekonomike të luftës dhe sanksioneve kanë qenë më të theksuara. Edhe lidhjet fizike midis Moskës dhe shumë rajoneve do të preken pasi disa aeroporte rajonale janë mbyllur për shkak të më pak avionëve dhe uljes së kërkesës së konsumatorëve. Ndërsa subvencionet e Moskës bien, shumicës së rajoneve do t’u mungojnë rezerva të mjaftueshme për t’i mbështetur ekonomitë lokale dhe shërbimet sociale. Buxhetet rajonale do të vuajnë pasi u bëhen kërkesa në rritje për ta mbajtur publikun të qetë duke e kontrolluar inflacionin dhe duke ofruar shërbime thelbësore. Ndërsa ekonomia tkurret, guvernatorët më largpamës do të kërkojnë t’i mbrojnë pozicionet e tyre dhe t’i parandalojnë trazirat lokale duke mbajtur burime dhe pagesa për Moskën. Pa eksporte në shkallë të gjerë të energjisë, buxheti thjesht nuk mund t’i përballojë shpenzimet e nevojshme për ta mbajtur federatën të paprekur. Shumë prej rajoneve të Rusisë do të kërkojnë të ardhura alternative për të mbijetuar, qoftë duke e kufizuar shfrytëzimin nga Moska të burimeve të tyre natyrore ose duke iu drejtuar shteteve fqinje për lidhje të drejtpërdrejta ekonomike. Ndërsa buxheti i vendit shterohet dhe të ardhurat e tij nga energjia bien, çdo nxitje për të qëndruar në federatën e dështuar do të zvogëlohet me shpejtësi dhe brishtësia e shtetit rus do të bëhet gjithnjë e më transparente.

Në frontin politik, lufta kundër Ukrainës nuk arriti ta rivendoste “konsensusin e Krimesë” në mbështetje të regjimit. Spastrimet politike do të përshpejtohen në të gjitha institucionet shtetërore për t’i çrrënjosur ata që e kundërshtojnë luftën dhe politikat e regjimit të Putinit. Ndërsa lufta vazhdoi të tërbohej me perspektivën e rritjes së opozitës vendase, regjimi i ka bërë përgatitjet për vendosjen e ligjit ushtarak dhe kufizimin e mëtejshëm të fjalës dhe lëvizjes së lirë. Duke u përballur me humbjen në Ukrainë dhe në skenën ndërkombëtare në përgjithësi, Putini mund t’i kërkojë kokat e turkut duke i synuar pakicat fetare dhe etnike. Kjo mund t’i thellojë ndarjet etnike dhe të gjenerojë konflikte të reja.

Kundërshtimi i publikut ndaj luftës në Ukrainë ka qenë i dukshëm në një lëvizje nëntokësore në rritje të rezistencës që e përfshin hakerimin e faqeve mediatike pro Kremlinit, shmangien e obligimit për luftë për meshkujt e rritur (draftit ushtarak), kërcënimet me bomba telefonike dhe sulmet me zjarrvënie ndaj komisariateve ushtarake ku kryhet shërbimi i draftit ushtarak (obligimit për luftë). Për më tepër, një numër në rritje i ukrainasve në Rusi, përfshirë ata të zhvendosur nga lufta e vitit 2022, do të bëhen më të vetëdijshëm kombëtarisht dhe do ta kundërshtojnë Kremlinin. Përveç kësaj, lëvizjet për çlirim kombëtar janë gjallëruar në pjesë të ndryshme të federatës; për shembull, në maj 2022, aktivistët indigjenë që përfaqësonin gjashtë lëvizje kombëtare e njoftuan krijimin e Lidhjes së Kombeve të Lira – një platformë politike për dekolonizimin e popujve indigjenë në Federatën Ruse dhe fitimin e sovranitetit të çdo kombi.

Moska e ka një histori të gjatë të mashtrimit të perëndimorëve dhe të përshkrimit të perandorisë së saj si të pathyeshme. Në një mishërim të mëparshëm perandorak, komunizmi sovjetik dhe internacionalizmi socialist supozohej të siguronin shpëtimin për të gjithë njerëzimin derisa u ekspozuan si mashtrim që nuk funksionon. Rusia e sotme e ka krijuar një imazh të statusit të fuqisë së madhe, fuqisë ekonomike dhe fuqisë ushtarake që po shpërbëhet në Ukrainë dhe po e zbulon se vetë struktura shtetërore qëndron në themele që po kalben. Sipas analistëve perëndimorë, në prag të luftës, dezinformimi shtetëror i Rusisë ishte i sofistikuar dhe bindës. Në realitet, ai nuk arriti ta bindte askënd jashtë një grupi të ngushtë besimtarësh të vërtetë se Moska po e zhvillon një luftë të drejtë të “denazifikimit” në Ukrainë. Përpjekjet për ta kontrolluar narrativën kanë dështuar për shkak të ekspozimit të hershëm të synimeve të luftës së Kremlinit nga shërbimet e inteligjencës perëndimore dhe nga një fushatë efektive e informacionit nga qeveria ukrainase dhe shoqëria civile. Në mënyrë të ngjashme, aftësitë shumë të lavdëruara të luftës kibernetike të Rusisë duken të ekzagjeruara, pasi Ukraina ishte dukshëm e përgatitur mirë për çdo ndërprerje digjitale të infrastrukturës së saj kritike. Një tjetër dobësi e dukshme ka qenë rënia e operacioneve të inteligjencës ruse, siç është evidente në dështimet për ta parashikuar shkallën e rezistencës së armatosur të Ukrainës.

Ngërçi ushtarak i Rusisë ose humbja në Ukrainë do ta zbulojë dobësinë e natyrshme të Kremlinit, dhe rezistenca ukrainase dhe suksesi do t’i frymëzojë kombet e nënshtruara në Federatën Ruse që të kërkojnë autonomi dhe pavarësi. Sanksionet ekonomike gjymtuese që i rrëzojnë standardet e jetesës do të provokojnë trazira publike, revolta rajonale dhe luftëra për pushtet brenda dhe ndërmjet elitave të ndryshme. Si një tregues i ankthit të regjimit, Moska mund ta shfuqizojë çdo zgjedhje të drejtpërdrejtë të guvernatorëve rajonalë në të gjitha subjektet federale, nga frika e votimit protestues dhe perspektivës së kandidatëve jo besnikë që kalojnë përmes sistemit ekzistues të filtrave. Gjersa sanksionet e dobësojnë më tej ekonominë, shumë guvernatorë do të ekspozohen gjithashtu ndaj pakënaqësisë në rritje të publikut dhe kundërshtimit politik lokal. Intensifikimi i betejave politike në një ekonomi në kolaps do të kulmojë në thyerjen e shtetit dhe shfaqjen e entiteteve të reja që do ta refuzojnë projektin perandorak delirant (deluziv) të Moskës.

Në një skenar të tillë në zhvillim, NATO nuk duhet të ndërhyjë ushtarakisht nëse territori i saj nuk shkelet; por mund të inkurajojë dhe zhvillojë lidhje politike, ekonomike dhe të sigurisë me shtetet e reja që dalin nga një perandori ruse e shkatërruar. Pavarësisht nga dështimet e saj në rritje, Moska ka ende mjete të mjaftueshme ushtarake për t’i dëmtuar fqinjët e saj dhe rënia e shtetit mund të nxisë operacione më të dëshpëruara dhe më të rrezikshme kundër interesave perëndimore. Megjithëse Kremlini nuk do të jetë në gjendje t’i rindërtojë aftësitë e tij ushtarake konvencionale për ta sfiduar një NATO të bashkuar, veçanërisht nëse mbahen sanksione të rrepta ndërkombëtare, ai mund të përdorë ende fuqi të konsiderueshme për t’i sulmuar fqinjët më të vegjël. Prandaj, Aleanca duhet të përgatitet për një sërë përgjigjesh, nga parandalimi dhe mbrojtja deri te angazhimi aktiv ushtarak, në mënyrë që ta frenojë nga përhapja çdo pasojë shkatërruese të çarjes së afërt të Rusisë.

Janusz Bugajski

4 korrik 2022

Burimi:

Bugajski, Janusz. “Failed State. A Guide to Russia’s Rupture.” Washington, The Jamestown Foundation (2022).

Romani “Lindur së prapthi” sjell në një bashkëbisedim Rita Petron e Ag Apollonin

Rita Petro ka sjell së fundi romanin e saj më të ri “Lindur së prapthi” e që për një promovim po e sjell edhe në Prishtinë, përkatësisht në librarinë “Dukagjini”, shkruan KultPlus.

Një jnjë njoftim për medie thuhet se prezantimi i këtij romani do të bëhet nëpërmjet një bashkëbisedimi mes Rita Petros e Ag Apollonit, më 30 maj në ora 18:00 në Librarinë Dukagjini.

Rita Petro e njohur ndryshe edhe si Rita Filipi, në vitin 1980-1984 ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Më 1993-1994 është specializuar në Universitetin e Athinës për Filozofi dhe  Kulturë Greke. Është bashkautore në tridhjetë e gjashtë tekste shkollore të gjuhë shqipes dhe letërsisë shqipe dhe aktualisht është drejtoreshë e shtëpisë botuese të ALBAS.

Një roman i ri me një projeksion të fortë autobiografik, për një kohë që është e fshehur në vetëdijen e secilit prej nesh dhe na dikton shpeshherë mënyren se si e shohim të tashmen tonë.

Disa vepra të tjera të saj janë: “Vargje të përfolura”, “Shija e instikntit”, “Vrima” etj./ KultPlus.com

Punime mirëmbajtjeje në rrënojat e Hamamit në Sllatinjë të Skraparit

Gjatë muajit maj, DRTK-Berat ka ndërhyrë me punëtorët e mirëmbajtjes në pastrimin e bimësisë së ulët (barëra, ferra etj) dhe të lartë (lojfat) në rrënojat e hamamit Monument Kulture, Kategori e I, në fshatin Sllatinjë, Skrapar.

Pas pastrimit, rrënojat e hamamit u dokumentuan me anë të fotografimit, skicimit dhe rilevimit të objektit në vend.

Duhet thekuar se, nga sa është mundur të gjurmohet nga eksperti i veprave inxhinierike të ndërtimeve të vjetra ing.Valter Shtylla, “kjo banjë është e vetmja e këtij lloji në vendin tonë e ndërtuar në fshat, që ruhet ende”.

Hamamet si ndërtesa që lidhen me kulturën fetare dhe mbajtjen e një higjene trupore sa më të pastër, kanë vlera të veçanta në suazën e arkitekturës osmane në Shqipëri.

Hamami në fshatin Sllatinjë (Skrapar) është mjaft i frekuentuar nga turistët gjatë sezoneve. Hamamet e Sllatinjës ndodhen pranë fshatit me të njëjtin emër në afërsi të qytetit të Çorovodës.

Monumenti është një ndërtim i përiudhës osmane ku spikasin format arkitekturore në përdorimin e kupolave, ku si kalim nga ambjent kuadratik për në kupolë shërbejnë trompat parabolike në qoshe.

Nga gjendja në të cilën paraqitet monumenti është pak e vështirë të lexohen qartë pjesët përbërëse të ambjenteve të ndryshme.

Ende duken gjurmët e trompave parabolike në qoshe të ndërtuara nga përzierja e gurëve të dimensioneve të vegjël me copa tullash dhe llaç gëlqereje./ ATSH/ KultPlus.com

Historia e Ferdonije Qerkezit edhe në Vjenë, Artan Korenica fton vjenezët në tavolinën e nënë Ferdonisë

Pas prezantimit të ekspozitës në Kosovë, fotografi Artan Korenica ekspozitën “Mirë se vini në tavolinë” do ta prezantojë në Vjenë, prezantim që do të bëhet për disa data në muajin qershor, shkruan KultPlus.

Më poshtë, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Korenicës.

Kemi nderin t’ju ftojmë në ekspozitën “Mirë se vini në tavolinë” të artistit Artan Korenica, e cila për herë të parë udhëton jashtë Kosovës për të sjellë pranë nesh historinë e nënës Ferdonije Qerkezi, e cila, sikurse edhe familjarë të tjerë të panumërt në Kosovë, pas gati një çerek shekulli akoma pret të dijë për fatin e katër fëmijëve dhe burrit të saj, të cilët u rrëmbyen me dhunë nga regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ju presim të vini dhe të uleni në tavolinën e nënës Ferdonije Qerkezi, e cila përmes qëndresës së saj, në dhimbje shpirtërore të papërshkrueshme, pasqyron gjithë popullin e Kosovës, të vuajtur historikisht, por duke avokuar paqësisht dhe parreshtur për drejtësinë e cila akoma nuk është vënë.

E hapur:

03/06/23 10:00 – 18:00

04/06/23 10:00 – 18:00

05/06/23 10:00 – 21:00

06/06/23 10:00 – 21:00

07/06/23 10:00 – 18:00

Hyrja falas!/ KultPlus.com