Kantautori kosovar nga Madridi, Sylë Maxhera, publikon këngën e re “Mi Tierra”

Poeti dhe kantautori kosovar me banim në Madrid, Sylë Maxhera, sërish vjen pranë publikut artdashës me një krijim të ri muzikor ku është protagonist zëri i tij si këngëtar dhe muzika e teksti që burojnë nga shpirti i tij ngaherë i frymëzuar.

Kënga “Mi Tierra”, e kompozuar dhe kënduar në spanjisht nga Sylë Maxhera, i kushtohet mërgimit, mallit për atdheun, largësinë nga trojet atërore, që përkundër integrimit në realitetin e re në emigrim, përsëri nuk shlyhen dot nga kujtesa dhe mallëngjimi i autorit, por edhe i çdo emigranti tjetër që ka shkelur Perëndimin, në kërkim të një fati më të mirë, duke lënë mbrapa vendlindjen dhe njerëzit më të dashur.

Sylë Maxhera, së fundi promovoi në Prishtinë, në KultPlus Caffe Gallery, dy libra të rinj të shkruar prej tij, me titujt “Zana” dhe “Rrugëve të botës”, ndërsa tashmë krijimtaria e tij tejet e frytshme artistike, sërish ndërthuret midis letërsisë dhe muzikës, me projektin e tij të ri muzikor, përmes këngës “Mi Tierra”, një himni prekës kushtuar mërgimit, shoqëruar nga tingujt e kitarës, violina mahnitëse dhe zëri i autorit, njëherësh edhe këngëtar, që njësohet mrekullisht me shoqërimin e instrumenteve muzikore dhe fjalët e tekstit të kësaj kënge.

Sylë Maxhera është ndër artistët e rrallë shqiptarë, që krijon qoftë në letërsi (poezi dhe prozë), qoftë ne muzikë, në të dyja gjuhët, në shqip dhe spanjisht, dhe kjo krijimtari e larmishme artistike dygjuhëshe, bën të mundur që ky poet muzikant, të shndërrohet në urë kulturore midis Kosovës dhe Spanjës, sidomos kur kemi parasysh mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës akoma nga Spanja.

Ky është teksti i kësaj kënge i përkthyer në shqip:

TOKA IME

E lashë tokën time pa e ditur fare

Se një ditë do t’më mungojë

Qava e qava aq sa munda

Kur e pashë tokën time se si vuan

Sa shumë e dua, më mungon aq shumë

Për tokën time vuaj unë

Sa shumë e dua, në çdo çast

Për tokën time t’bukur,  zemra më rreh

Në këtë vend,  ku gjendem unë 

Jam  emigrant, ku t’shkoj nuk kam

Shtëpinë e ke, këtu të gjithë më thonë

Por toka ime e bukur ti mua më mungon

Sa shumë e dua, më mungon aq shumë

Për tokën time vuaj unë

Sa shumë e dua,  në çdo çast

Për tokën time t’bukur, zemra më rreh

Autor: Sylë Maxhera./ KultPlus.com

Botërori i Fitnessit, shqiptarja Gentiana Beqa shpallet kampione bote

Në Korenë e Jugut po zhvillohet Botërori i Fitnessit. Kampione në kategorinë “Wellnes” u shpall spotistja shqiptare, Gentiana Beqa.

Në Korenë e Jugut po zhvillohet Botërori i Fitnessit. Kampione në kategorinë “Wellnes” u shpall spotistja shqiptare, Gentiana Beqa. Tanimë vajza kuqezi do marrë pjesë edhe në kategoritë “Wellnes Fitness” dhe “Over All” për të kërkuar suksesin absolut në këtë event. Prezent në ceremoninë e dorëzimit të medaljes ishte edhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli.

“Sportistja shqiptare, Gentiana Beqa u shpall Kampione Bote kategoria “Wellnes” në Kampionatit Botëror të Fitnessit, Kore e Jugut. Në ceremoninë e medaljeve ishte i pranishëm edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar z. Fidel Ylli, i cili pati nderin t’i jepte kupën kampiones së Botës. Beqa do të garojë dhe në kategorinë “Wellness Fitness” -168 cm dhe kategorinë “Over All” për t’u shpallur kampione absolute”, njofton KOKSH./ KultPlus.com

Në 77 vjetorin e lindjes, shkrimtari i njohur Ibrahim Kadriu sjell kompletin me dhjetë vepra

Shtëpia Botuese “Faik Konica” ka botuar kompletin me dhjetë vepra të shkrimtarit të njohur Ibrahim Kadriu, shkruan KultPlus.

Ky botim është prezantuar në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë së shkrimtarit Ibrahim Kadriu.

Në këtë komplet të veprave, KultPlus ka mësuar se janë këta tituj: “Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”.

Pas publikimit të kompletit të veprave të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, shkrimtari dhe publicisti Jusuf Buxhovi ka thënë se Ibrahim Kadriu është njëri ndër shkrimtarët më të dalluar të letërsisë sonë bashkëkohore.

“Ibrahim Kadriu është njëri ndër shkrimtarët më të dalluar të letërsisë sonë bashkëkohore, me një opus të gjerë, veçmas në prozë, me dhjetëra romane, ndër cilët gjithsesi duhet dalluar “Misioni rus” i përkthyer në disa gjuhë si dhe “Kalorësi i Karadakut”, që trajtojnë tema të një dimensioni të veçantë socio-historik. Kompleti prej dhjetë veprave, pa mëdyshje se paraqet një përfaqësim autorial të punës dhe angazhimit gjashtëdhjetëvjeçar të shkrimtarit, por kjo nuk lë anash edhe veprat tjera të shumta të Kadriut, të cilat zënë një vend të merituar në sfondin e gjithmbarshëm të letërsisë shqipe”, ka thënë Buxhovi./ KultPlus.com

Dua Lipa përmend ‘Kështjellën’ e Ismail Kadaresë gjatë fjalimit në The Booker Prizes (VIDEO)

Gjatë fjalimit në The Booker Prizes që u mbajt në Londër, këngëtarja shqiptarë me famë botërore foli për pasionin e saj ndaj leximit.

Ndër të tjera Dua e përmendi njërin nga librat e Ismail Kadaresë, Kështjella, duke pohuar se ky libër i ka ndihmuar të mësoj më mirë gjuhen shqipe, e nder të tjera Dua shtoj që përmes Kadaresë ka mësuar rreth rezistencës shqiptare.

Për më shumë gjejeni videon e plotë.

Fakte dhe dokumente për jetën e Nënës Terezë në ekspozitën e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës

“Zemra ime ka një dashuri të madhe me ardhë në Shqipëri me motrat e mia e me sjell këtë dashuri dhe këtë paqe“ është një ndër paragrafët e letrës së shkruar nga Gonxhe Bojaxhiu Nënë Tereza vite më parë, letër që ishte në mesin e letrave, fotografive dhe dokumenteve që u prezantuan në ekspozitën e përbashkët mes arkivave të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ekspozitë kjo që u prezantua në shenjë të 25 vjetorit të vdekjes së Nënës Terezë, shkruan KultPlus.

Brenda një hapësire të rrethuar me 16 pllaka me mbishkrime, dokumente e fotografi të ndryshme në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës shpërfaqen këto dokumente, fotografi e letra që sjellin Nënën Terezë edhe më afër, e krejt kjo ndjesi e afërt me Nënën Terezë mund të përjetohet deri më 21 tetor, kur edhe do të mbyllet kjo ekspozitë.

Ideja për realizimin e një ekspozite të tillë kushtuar Nënë Terezës lindi thuajse para një viti, edhe pse hulumtimet për këto dokumente kanë filluar para pesë viteve, kanë bërë të ditur organizatorët.

Sipas tyre, hulumtimet janë realizuar në Shkollën e Mesme të Shkupit, ku edhe ka mësuar Nënë Terezë.

Muzafer Bislimi nga Arkiva Shtetërore e Maqedonisë së Veriut ka thënë për KultPlus se Nëna Terezë është shqiptare, pavarësisht faktit se Nëna Terezë i takon gjithë botës.

Secila pllakë përmban në vete fotografi e mbishkrime të ndryshme nga jeta e Nënë Terezë, si misionere nëpër botë, gjetje të të dhënave për familjen e saj, nderimet e figurës, pjesë nga shkollimi i saj, çmimet e fituara e shumë dokumente tjera.

Mirëpo për dallim nga herët tjera, kjo ekspozitë sjell hulumtime me zbardhje të dokumenteve të pa publikuara më parë siç janë: Kërkesa e miratuar për pasaportë nga Kryesia e qytetit të Shkupit për Nënë Terezën me datë 17 shtator 1928, pasqyrimi i gjithë anëtarëve të familjes Bojaxhiu dhe mirënjohjet nga organizatat ndërkombëtare.

Të pranishëm në hapje të kësaj ekspozite ndër të tjerë ishin edhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi, profesori i historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës Jahja Drancolli, ku ky i fundit u shpreh i bindur se këto hulumtime sjellin përmirësime të duhura dhe fakte, sikurse është edhe dokumenti nga Vatikani, ku në atë dokument shkruhet se Nëna Terezë është shqiptare./ KultPlus.com

Filmi i parë për ilirët me premierë në Prishtinë, Fatmir Spahiu: Ky është projekti i parë ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë

Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, do të prezantohet edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Fatmir Spahiu, ekskluzivisht për KultPlus ka treguar se premiera e këtij filmi për Kosovë do të jetë në Cineplexx më 28 tetor.

Producenti Spahiu ka thënë më tej se ky film është i veçantë për faktin se është projekti i parë ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë.

“Ky është projekti i parë ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë. Do ta citoja anëtarin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kroacisë Ranko Matasovic.  “Ata që flasin gjuhën shqipe, mund të kuptojnë shumë fjalë nga ilirishtja e rikonstruktuar vetëm për film””, ka thënë Spahiu duke cituar edhe akademikun Matasovic.

Fatmir Spahiu i cili përpos punës së producentit ka edhe një rol të në këtë film, ka thënë së është shumë i lumtur për numrin masiv të aktorëve pjesëmarrës në këtë projekt.

“Illyricvm” është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët. Në këtë film është përfshirë një kastë e madhe e aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyqi, Kushtrim Hoxha, Ilir Prapashtica, Rina Krasniqi, Bujar Ahmetaj, Dukagjin Podrimaj, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Ali Demi, Fatmir Spahiu, Selman Lokaj,Gani Morina

“Illyricvm” premierën botërore e ka pas në Festivalin e Pulës në Kroaci, kurse në Prishtinë do të prezantohet prej 28 tetorit, ku pas kësaj date më pas edhe do të jetë në repertorin e kësaj kinemaje.

“Illyricvm” është bashkëprodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUNDVIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme. / KultPlus.com

Dedikuar te gjitha grave të fjongos rozë

Arjola Zadrima

Hesht,
mbylli sytë.
Ndigjo veç zhurmat e sendeve,
një derë që përplaset,
një cicërimë zogu,
një muzikë e hershme.
Hyr në vetëdijen tande,
ndjej si koha shkon
dielli perëndon mbas Taraboshit,
Buna rrjedh e bajuklat notojnë
kundër rrymës.
Çliro frymën,
qetësohu, mendo.
Dy sy reflektojnë qënien tande të lumtun,
ti që je porti ku kam ankorue shpirtin
hapi krahët , më përqafo.

Tash zgjohu, puliti sytë
lene zemrën më rrahë,
JETO./ KultPlus.com

Ministria e Arsimit: Të shtunën mbahet mësimi

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se këtë të shtunë do të mbahet mësimi për nxënësit e klasave 1-8.

“Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive MAShTI e ka rishikuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 dhe i ka njoftuar me kohë të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit në lidhje me këto ndryshime. Bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Sipas MAShTI-t, çdo diskutim për mos mbajtje të mësimit, është qëllimkeq dhe tendencioz.

“Muajt në vijim mund të ketë çrregullime potenciale që mund të shkaktohen nga problemet e furnizimit me energji elektrike andaj, çdo diskutim për mos mbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq e tendencioz”.

Gjatë një muaji të grevës, sipas MAShTI-t, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi, apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor, të cilat duhet të zëvendësohen.

“Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave. MAShTI kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç e parasheh kalendari i rishikuar”, thuhet tutje.

Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikqyrë zbatimin e kalendarit të vitit shkollor.

“Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive për sigurimin e organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit në arsimin parauniversaitar, presim që komunat të sigurohen për realizimin e kalendarit shkollor duke filluar nga kjo e shtunë”./ KultPlus.com

Hera

Sibel Halimi

Nuk të linda për t`u kujdesur ti
për mua
Kur unë s`do të mund të të shoh
Nuk të linda për ta plotësuar
amësinë time
Të kërkuar nga të tjerët…
Nuk të linda për ta kënaqë dëshirën
për puthjet
që sot të shumta i shkrep mbi ty…
Nuk të linda për ta projektuar veten
në kthjelltësinë e syve tu të
padjallëzuar
plot jetë e dashuri…
Nuk të linda për ta dhënë emrin
sipas diktatit
Të kushedi se kujt
Të linda HERA
Për ta parë lirinë tënde/ KultPlus.com

Besianë Musmurati: E hapëm konkursin për 25 psikologë shkollorë

Në “Ditën Botërore të Shëndetit Mendor”, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit për Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati ka njoftuar se kjo drejtori tashmë ka hapë konkursin për pranimin e 25 psikologëve shkollorë, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e drejtoreshës Musmurati.

Po, shëndetin mendor dhe sigurinë në shkolla e kam shumë seriozisht! Sot e hapëm konkursin për punësimin e 25 psikologëve shkollorë dhe dëgjuam kërkesat e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve të Prishtinës. Nuk do ta lëmë asnjë shkollë pa psikolog! Një zotim i përmbushur për të jetësu planin për siguri në shkolla.

Sot, saktësisht në “Ditën Botërore të Shëndetit Mendor”, po zotohemi se nuk do të ndalemi në përmirësimin e ambienteve shkollore së bashku me Këshillin e Nxënësve dhe Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës. Çdo shkollë duhet të jetë miqësore për të gjithë pa përjashtim./ KultPlus.com

Shqiptari lë pa fjalë jurinë e “The Voice of Germany: Dua të përfaqësoj Kosovën në Eurovizion

Leonardo Kryeziu është këngëtari shqiptar që ka befasuar jurinë në “The voice of Germany”, madje njeri prej tyre është ngritur në skenë për të kënduar me të.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi emocionet e këtij momenti, duke u shprehur shumë i lumtur.

“Mendova që nuk do ktheheshin. Edhe në hotel natën kam fjetur nja 2 orë, ka pasur shumë zhurmë dhe doli mirë audicioni. Ndonjëherë në jetë duhet me prit. Ndonjëherë ‘coach’ në The Voice nuk i dihet kur e shtypin, e mbajnë edhe suspancë. Kam pritur deri në fund dhe vazhdova e doli mirë”, tha Leonardo.

Më tej, ai shtoi se ka dëshirë të prezantojë Kosovën në Eurovizion.

“Kam dëshirë të përfaqësoj Kosovën në Eurovizion. Unë nuk e di si funksionon konkurimi. Unë këndoj në anglisht, por jam fleksibël sepse këngët i shkruaj vetë. Unë shkruaj edhe në gjermanisht, edhe në shqip, por në anglisht më vijnë më lehtë”, theksoi Kryeziu./ abc

Nobelistja e letërsisë Annie Ernaux mund të lexohet edhe në gjuhën shqipe

Annie Ernaux është ndër shkrimtaret më të rëndësishme franceze të letërsisë bashkëkohore. Është nderuar me shumë çmime letrare, ndër të cilat “Marguerite Duras”, “Prix de la langue française” dhe “Premio Strega Europeo”, shkruan KultPlus.

Nga Shtëpia Botuese “Dudaj” janë botuar tre libra të kësaj shkrimtareje: “Kujtime vajze”, “Pasion i thjeshtë” dhe “Vendi i babait”.

Annie Ernaux ka lindur në Lilebonne në vitin 1940 dhe është një nga zërat me autoritet në skenën kulturore franceze. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në të gjithë botën

Një nga librat e përkthyer në shqip nga shkrimtarja Annie Ernaux është libri “Kujtime vajze” i cili është botuar nga Shtëpia Botuese “Dudaj”.

Romani “Kujtime vajze”, është një reflektim i fuqishëm mbi shkrimin dhe një epokë thelbësore ekzistence, i cili flet për kujtimet e një vajze të vitit 1958.

Në librat e saj ajo ka zbuluar një metodë të re dhe mundësinë që të jep autobiografia për ta shndërruar rrëfimin e jetës në një instrument kërkimi social, politik dhe ekzistencial./ KultPlus.com

Shqipëria diskuton për Kosovën në Komitetin e Olimpiadës Ballkanike të Informatikës

Nga 3 deri më 8 tetor në Rumani zhvillohet  Olimpiada Ballkanike e Informatikës. Gjithashtu gjatë këtyre ditëve në Bukuresht është mbajtur edhe takimi i Komitetit të Olimpiadës Ballkanike të Informatikës (Balkan Olympiad on Informatics – BOI).

Pjesë e Olimpiadës ishte edhe Shqipëria. Drejtuesja e Shqipërisë, Hatixhe Bilibashi, e hodhi si pikë diskutimi edhe përfshirjen e Kosovës në këtë olimpiadë. Sigurisht është një rrugë e gjatë për të përfshirë edhe Kosovën si pjesë të BOI por disa hapa konkretë duhet të fillojnë dhe nga vetë Kosova. Sipas rregullit, Kosova duhet të aplikojë për Olimpiadën Ndërkombëtare të Informatikës (International Olympiad of Informatics – IOI) që të mund t’i jepet e drejta të aplikojë pastaj në Olimpiadën Ballkanike të Informatikës.

Në ndërkohë gjatë viteve të ardhshme Kosova mund të kërkojë nga shtetet organizuese të jetë pjesëmarrëse dhe e ftuar si “mysafire” (“Guest”) për t’u përgatitur dhe fituar përvojën e pjesëmarrjes dhe si anëtare zyrtare më vonë. Të njëjtin shembull e ka ndjekur Italia ku për rreth 5 vite ka qenë pjesëmarrëse si “Guest” dhe gjatë këtij viti u pranua me votime nga anëtarët e Komitetit të Olimpiadës Ballkanike të Informatikës për t’u përfshirë zyrtarisht dhe u bë anëtare e këtij komiteti.
Shqipëria e siguron pjesëmarrjen në BOI të fituesve në nivel kombëtar përmes Albanian ICT Academy dhe STEM Hub të cilat janë partnere të Shoqatës së Informatikës nga Kosova./ KultPlus.com

Rizvanolli: Hapet thirrja për t’i ndihmuar qytetarët me pajisje për ngrohje gjatë dimrit

Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se është hapur thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente ekonomike për ngrohje për qytetarët.

Sipas saj, këto pajisje kanë vlerë prej gjashtë milionë eurosh.

“Subvencionimi i efiçiencës së energjisë përmes kësaj thirrje ju mundëson qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efiçiencës, që ndikon direkt në: (i) reduktimin e kërkesës për energji/ energji elektrike  dhe (ii)  rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë”.

PAJISJET TË CILAT DO TË SUBVENCIONOHEN

  • Pompë termike
  • Pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë (kondicioner/ klimë eficiente)
  • Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket)
  • Stufa individuale me biomasë

Klikoni KËTU për ta shkarkuar thirrjen publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët./ KultPlus.com

Sylë Maxhera promovon librat “Zana” dhe “Rrugëve të botës”

Elvi Sidheri

Poeti dhe muzikanti Sylë Maxhera, mbrëmë, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, promovoi dy librat e tij të rinj, Zana dhe Rrugëve të Botës.

Ky autor me krijimtari të pasur letrare dhe muzikore, si përherë vjen nga Madridi, kryeqyteti i Spanjës, ku jeton prej disa dhjetëvjeçarësh, për të sjellë në Prishtinë artin e tij të shkruar, kësaj radhe në formën e dy librave të krijuar së fundmi, të cilët i përkasin fushës së poezisë, mjeshtëria e tij parësore në letërsi, dhe prozës, një risi për Sylë Maxherën, e palëvruar më parë prej tij në shqip.

Zana, novela e re në prozë nga ky shkrimtar, na ofron një histori prekëse, ky ndjenjat e fuqishme dhe dashamirësia njerëzore, fatmirësisht përmbyllin një cikël vuajtjesh që përndryshe do të kishin pasur një fund të dhimbshëm, kurse Rrugëve të Botës, përbën vazhdimësinë në vargje, të frymëzimit poetik të poetit Sylë Maxhera, i cili përmes disa librave të tjera të mëparshëm, ngaherë është shprehur me bukuri të rrallë poetikisht.

Ndërkaq, pas novelës në prozë, të titulluar Los Inocentes (Të Pafajshmit), të botuar në Madrid disa muaj të shkuara, një krijimi origjinal të tij në prozë, të shkruar drejtpërdrejt në spanjisht, gjithsesi, sikundër e theksuam më sipër, sprova e tij në prozë, përbënte edhe risinë e veçantë të këtij autori në shqip, nëpërmjet novelës Zana.

Për ta kremtuar këtë ngjarje të vyer letrare, dhe gjithashtu edhe vetë autorin e këtyre dy librave, ishin mbledhur njerëz të ndryshëm të letrave dhe artit nga Prishtina, Tirana, e jashtë trojeve shqiptare, miq e dashamirës të autorit, Sylë Maxhera.

I pari që e mori fjalën për ta nderuar autorin, dhe njëherësh për të folur lidhur më dy librat e tij të rinj, në mënyrë tejet shtjelluese dhe të kthjellët, ishte Dan Ibrahimi, një ndër poetët më burimorë dhe të spikatur në skenën e poezisë së Kosovës në ditët e sotme, po ashtu edhe redaktor i novelës Zana.

Vlerësimet, këndvështrimet dhe përshkrimet e Dan Ibrahimit, u ofruan të pranishmëve frymëzimin e duhur për t’i njohur mëtëjshëm këto dy botime, krahas edhe vetë krijimtarisë së deritanishme të autorit, Sylë Maxhera, duke ngjallur më tepër kërshërinë për këtë poet, falë këtyre fjalëve dhe këndvështrimit tejet profesional.

Më pas fjalën e mori miku i autorit, shkrimtari dhe përkthyesi shumëgjuhësh Elvi Sidheri, i cili u përqendrua në kontributin e Sylë Maxherës në gjallërimin e jetës letrare të Prishtinës me praninë e tij dhe poezitë, prozën e muzikën e lëvruar pareshtur prej tij.

Më tutje, nuk munguan të pranishmit në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, të cilët dëshiruan të thoshin fjalët e tyre për autorin dhe dy librat e tij, duke nisur nga botuesi Hajdar Fejzullahu, i shtëpisë botuese Lena Graphic, që nuk i kurseu fjalët më të mira për Sylë Maxherën, ashtu sikundër edhe poeti dhe botuesi Lan Qyqalla, botuesi më i vjetër në Kosovë, Abdullah Zeneli, i shtëpisë botuese Buzuku, me humorin e tij ironik si gjithmonë, etj.

Për autorin dhe letërsinë e muzikën e tij, folën po ashtu edhe gazetarja e njohur e Radio Kosovës, autore e disa librave me intervista të kolosëve të letrave shqipe, Vera Pelaj, dhe gazetari e fotografi artistik anglez Marc Perry, i cili e vlerësoi autorin, Sylë Maxhera, për dimensionet multikulturore të krijimtarisë së tij.

Mbrëmja vazhdoi mes muzikës, tingujve të kitarës, haresë dhe atmosferës artistike, duke u shpërfaqur më tutje edhe ana muzikore e Sylë Maxherës, i cili gjithashtu shquhet edhe për lëvrimin e pandalshëm në muzikë, si kitarist, tekstshkrues e këngëtar tejet i zoti.

KultPlus ishte si përherë mikpritës i këtij aktiviteti mirëfilli artistik, duke u shndërruar sërish në vendin e duhur ku artistët t’i gëzohen artit të tyre, duke u ndier si në shtëpinë e tyre./ KultPlus.com

Me interpretimin e këngëve të viteve të 90-ta do të shënohet edicioni i nëntë nga Tony Drum Studio

Edhe këtë vit do të organizohet koncerti i 9-të i Albanian 90’s, i cili do të mbahet më 17 tetor në Teatrin Oda, shkruan KultPlus.

Koncerti i cili tashmë është bërë dhe traditë që po mbahet tash e 9 vjet në Kosovë është në përfundim të të gjitha përgatitjeve dhe është gati që të mbahet edhe këtë vit.

Organizatori i këtij koncerti, Faton Aliu tha për KultPlus se koncerti Albanian 90’s, i cili do të mbahet këtë vit, ka për qëllim promovimin e bateristëve të rinj të Tony Drum Studio dhe do të synojë të interpretojë muzikën e viteve ’90-ta.

Për KlutPlus Aliu tha se arsyeja pse kanë zgjedhur konkretisht muzikën e viteve 90 është se gjeneratat e reja nuk janë shumë të informuar me muzikën e këtyre viteve.

“Arsyeja pse tema e këtij koncerti është muzika shqiptare e viteve 90-ta është fakti që gjeneratat e reja nuk janë të informuar mirë. Po ashtu këngët do të rikthehen në versione më moderne, mirëpo duke e ruajtur origjinalitetin e tyre”, ka thënë Aliu.

Përpos që bateristi do ketë rolin kryesor ashtu si në koncertet e kaluara, këtë vit orkestra është shumë më e madhe, me dirigjenti Arbnor Gashi, orkestra nën udhëheqjen e Artan Elshanit, nën vokalet e Agim Gërguri, Bekim Hallaqi, Arbër Krasniqi, Vesa Kelmendi, Dafina Bytyqi, Erza Qerkini, Rita Hyseni dhe Labinot Reqica.

Koncerti do të nisë në orën 19:00 në teatrin Oda dhe nën moderimin e Vlora Merovcit, konceptin e Fion Aliut, kurse drejtues dhe producent gjeneral: Faton Aliu.

Ky koncert është mbështetë nga Komuna e Prishtinës dhe Radio Telvizioni i Kosovës./ KultPlus.com

“Baresha” e Nexhmije Pagarushës përkthehet edhe në gjuhën angleze

Kënga e famshme “Baresha” e Nexhmije Pagarushës tashmë është përkthyer edhe në gjuhën angleze, shkruan KultPlus.

Përkthimin e tekstit “Baresha”, e kompozuar nga Rexho Mulliqi dhe me tekst që ishte shkruar nga shkrimtari Rifat Kukaj e ka realizuar Boiken Abazi.

Baresha / The shepherdess

Nga cikli përkthime të shkurtra të lirikës së këngës shqiptare (Prishtinë) / Short translations of lyricism in Albanian songs (Prishtina)

The shepherdess

Hey I’ve grown up,

Amid these mountains,

Lambs and sheep alongside,

Thickets where nightingales reside,

After the bell, joy and games,

As my eagle sways.

(Chorus 1)

Oh, wind plays with grass oh nani nani,

Oh come girls and play oh nani nani,

Oh the field is delighting oh nani nani,

Oh the white flower’s laughing oh nani nani,

Oh, the mount trembles what’s the fuss?

A shepherdess parted from us,

Oh, the mount trembles what’s the fuss?

A shepherdess parted from us

(Chorus 2)

Oh, wind plays with grass oh nani nani,

Oh come girls and play oh nani nani,

Oh the field is delighting oh nani nani,

Oh the white flower’s laughing oh nani nani,

Oh, the mount trembles what’s the fuss?

Shepherdesses play on open grass,

Oh, the mount trembles what’s the fuss?

Shepherdesses play on open grass

na-ni-na-ni-na-ni-na…

na-ni-na-ni-na-ni-na…

Hey many bells are resounding,

Babbling’s heard through the creek high,

The snowy mountain in the sky,

Love in mountains comes with yearning,

Today a flute is burning!

(Chorus 1/2)

Oh, wind plays with grass oh nani nani,

Oh come girls and play oh nani nani

Oh the field is delighting oh nani nani

Oh the white flower’s laughing oh nani nani

Oh, the mount trembles what’s the fuss?

A shepherdess parted from us,

Oh, the mount trembles what’s the fuss?

Shepherdesses play on open grass.

***

Hej kam rrit shtatin,

Ndër këto male,

Bashk’ me qingja e me dele,

Dhe bylbylat ndër zabele,

Mbas kumonës lojë e gezime,

Si shqiponja ime

(Refreni 1)

O era lun me barin o nani nani,

O eni shoqe t’lozim o nani nani,

O fusha gaz po m’veshet o nani nani,

O lule bardh’ po qeshet o nani nani,

O dridhet mali, çka u ba?

O një baresh’ prej nesh u nda,

O dridhet mali, cka u ba?

O një baresh’ prej nesh u nda.

(Refreni 2)

O era lun me barin o nani nani

O eni shoqe t’lozim o nani nani

O fusha gaz po m’veshet o nani nani,

O lule bardh’ po qeshet o nani nani

O dridhet mali, cka u ba?

O një baresh’ prej nesh u nda,

O dridhet mali, cka u ba?

O lujn bareshat në shulla

na-ni-na-ni-na-ni-na…

na-ni-na-ni-na-ni-na…

Hej po tingllojnë shumë kumona,

Po gurgëllon prroni malore,

Lart në qiell bjeshka me bore,

N’bjeshk’ dashnia vjen me malle,

Sot nji fyell u kalle!

(Refreni 1/2)

O era lun me barin o nani nani

O eni shoqet t’lozim o nani nani

O fusha gaz po m’veshet o nani nani

O lule bardh’ po qeshet o nani nani

O dridhet mali cka u ba?

O një baresh’ prej nesh u nda.

O dridhet mali cka u ba?

O lujn bareshat në shulla

na-ni-na-ni-na-ni-na…

na-ni-na-ni-na-ni-na…/ KultPlus.com

“Hajde të puthi”, qytetari ngacmon seksualisht një të mitur

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj një personi për ngacmim seksual.

Sipas njoftimit të prokurorisë i dyshuari e kishte ndjekur me biçikletë të miturën duke i thënë “Hajde të puthi”.

“I dyshuari G.P.,  e ngacmon seksualisht të dëmtuarën e mitur, e cila derisa ishte në shoqëri të dëshmitares së mitur, i dyshuari i ndjek nga pas me biçikletë, dhe tërë kohës të dëmtuarës i ishte drejtuar me fjalët “Hajde të puthi”, “Hajde afrohu”, e fjalë të tjera degraduese dhe poshtëruese, dhe pasi që e dëmtuara e mitur së bashku me dëshmitaren e mitur takojnë babin e  kësaj të fundit,  në ato momente i dyshuari largohet ne drejtim te pa njohur”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit ndaj të dyshuarit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim./ KultPlus.com

Karl Lagerfeld, tema e “Met Gala 2023”

Bota e modës po nderon të ndjerin Karl Lagerfeld. Muzeu Metropolitan i Artit njoftoi të premten se tema në Met Gala, do të jetë Karl Lagerfeld: Një linjë e bukurisë.

Njoftimi u bë në studion e fotografive të Lagerfeld në Paris, Francë, për të cilën gazetari Derek Blasberg vuri në dukje se ka mbetur “i paprekur” që nga vd8kja e tij në 2019.Ekspozita e ardhshme do të shfaqë 150 dizajne të Lagerfeld nga Chanel, Balmain, Patou, Fendi, Chloe dhe linjën e tij personale. Pjesët do të shoqërohen me skica të Lagerfeld.

Gala vjetore zhvillohet të hënën e parë të majit dhe është një mbledhje fondesh për Muzeun Metropolitan të Artit . Ekspozita do të hapet për publikun më 5 maj dhe do të mbyllet më 16 korrik 2023.

Lagerfeld u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare. Stilisti punoi për shtëpi të ndryshme evropiane të modës, duke përfshirë Balmain dhe Chloé. Ai u bë drejtori kreativ i Fendi në 1965 dhe  drejtor kreativ në Chanel në 1983. Ai rivitalizoi markën legjendare franceze të themeluar nga Coco Chanel në një fenomen ndërkombëtar që u bë mishërimi i elegancës, luksit dhe magjepsjes./ KultPlus.com

Fund tetori

Poezi e shkruar nga Maya Angelou.
Përktheu: Orjela Stafasani

Butësisht
gjethet e vjeshtës
përhapin poshtë tingullin
e metaltë të vdekjeve të vogla
dhe qiejt, të velur
nga perëndimet e kuqërremta,
nga agimet e trëndafilta
mbështillen pandërprerë
në një pëlhurë të hirtë dhe kthehen
në të zezë
për rehati.
Vetëm dashnorët
e shohin vjeshtën
si shenjë e fundit e ndarjes
si gjest i ashpër që paralajmëron
ata që nuk do të alarmohen
se ne fillojmë të ndalemi,
në mënyrë që t’ia nisim
sërish./ KultPlus.com

Suedezi Svante Paabo fiton Çmimin Nobel për Mjekësi

Shkencëtari suedez, Svante Paabo, ka fituar Çmimin Nobel për Mjekësi, për shkak të zbulimeve të lidhura me evolucionin njerëzor.

Ky çmim, ndër më prestigjiozët në botën shkencore, është ndarë nga Asambleja për Nobel e Institutit Karolinska në Suedi dhe ka vlerën e 900.357 dollarëve amerikanë.

Me Nobelin për Mjekësi nis sezoni i ndarjes së çmimeve Nobel në fusha të ndryshme, përfshirë atë për paqe, letërsi, fizikë, kimi dhe ekonomi, shkruan Evropa e Lire.

“Ai ka mbetur pa fjalë, ka qenë shumë i lumtur”, ka thënë Thomas Perlmann, Sekretari i Komitetit të Nobelit në fushën e mjekësisë, i cili ia ka kumtuar Paabos lajmin.

“Ai më ka pyetur nëse mund të ndante lajmin me dikë, nëse mund t’i tregonte dikujt, dhe unë i thashë se është në rregull. Ai ka qenë tej mase i gëzuar për këtë çmim”.

Paabo, djali i biokimistit, Sune Bergström – po ashtu fitues i Çmimit Nobel – është vlerësuar për transformimin e studimit të origjinës njerëzore, duke krijuar qasje tjera që mundësojnë analizimin e ADN-së nga gjurmët arkeologjike dhe paleontologjike.

Në mesin e studimeve të tij përfshihet edhe ajo e një gjeni të neandertalëve, që shpërfaq lidhjen mes qenieve njerëzore që nuk ekzistojnë më dhe njeriut të ditëve të sotme./ KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili e viziton për herë të parë Kosovën që prej kur shteti ynë është anëtarësuar në këtë organizatë.

Bashkë me presidentin Infantino, në delegacion ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ai i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamet Sejdini Kosova është anëtarja e 210-të e FIFA-s, për të cilën gjë Presidentja Osmani e ka falënderuar presidentin Infantino, ngase që në Kuvendin e parë të kësaj organizate, prej kur ai mori drejtimin e kësaj organizate, e vendosi në agjendë pranimin e Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Fadil Vokrrit për pranimin në UEFA dhe FIFA. Sipas saj, Kosova tashmë është anëtare e FIFA-s, porse ka nevojë për ndihmë në aspektin infrastrukturor sportiv, duke përmendur këtu stadiumet e reja të nevojshme për sportistët kosovarë. Në takim me presidentin Infantino, Presidentja Osmani ka diskutuar mundësitë për stadiume të reja si dhe për projekte të tjera investuese në infrastrukturën sportive. Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e FIFA-s për sportistët e rinj të Kosovë dhe përmendur klubin e vajzave të vogla në futboll, të cilat sipas saj kanë nevojë për infrastrukturë të qëndrueshme. Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e ekipeve kosovare në garat ndërkombëtare. / KultPlus.com

Keqpërdori seksualisht persona nën 16 vjet, Gjykata Themelore e Ferizajt e dënon me tri vjet

Policia e Kosovës ka arrestuar në mëngjesin e sotëm një person me iniciale I.LL të moshës 39 vjeçare,  i cili ishte kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Ferizaj, për vepër penale “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare”.

KultPlus ju sjell të plotë komunikatën e Policisë së Kosovës.

Komunikata e plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Arrestohet një person i kërkuar në Ferizaj
Policët e stacionit në Ferizaj nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, sot në orën 09:30 në Ferizaj kanë arrestuar personin e kërkuar me inicialet I.L (M/K) i moshës 30 vjeçar.
Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale ‘’ Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare’’  me dënim burgimi prej tri ( 3 ) viteve.
Pas kompletimit të dokumentacionit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.
Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me realizimin e urdhëresave të gjykatës ndaj personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës.
Me respekt./ KultPlus.com

Reagon presidenca: Nuk ka pas kërkesë nga presidentja Osmani që të merr me vete Dua Lipën në takimin me Joe Biden

Disa nga mediet më Kosovë kanë publikuar një lajm, që sipas tyre posedojnë një letër të presidentes Vjosa Osmani që i ka drejtuar presidentit të ShBA-ve Joe Biden, ku po sipas medieve, në këtë letër përpos që ka kërkuar takim me Biden, presidentja Osmani ka siguruar Biden që me vete do ta merr edhe këngëtaren e famshme Dua Lipa.

Mirëpo për këtë publikim ka reaguar këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina i cili ka demantuar këto lajme. Ai ka thënë se të gjitha letrat e presidentes Osmani, drejtuar presidentit Biden janë publike dhe se asnjëherë letrat e presidentes nuk kanë pas një përmbajtje të tillë.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Bekim Kupinës.

Demant

Presidentja Osmani asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i ka dërguar letër Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në të cilën thotë se do ta marrë me vete edhe Dua Lipën në takim. Të gjitha letrat e Presidentes dërguar Presidentit Biden janë publike dhe ato asnjëherë nuk e kanë pasur një përmbajtje të tillë.

Prandaj, raportimet e tilla nga disa mediume, janë të pavërteta./ KultPlus.com