“O Flamur gjak, o flamur shkabë, o vënd e vatr’ o nën’ e babë”

Poezi nga Fan Noli.

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.

‘Nëna ime kishte vetëm një fustan’

Fustani

Poezi nga Ardita Jatru

Nëna ime kishte vetëm një fustan
e lante natën dhe e thante pranë furnelës.
Ditën e vishte me aromë të re
Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë
Nuk desha ta kishte një të dytë
Unë ashtu e njoha
me fustanin me lule rozë,
deri te gjunjët.
Kur e bleu një këmishë mëndafshi të verdhë
e preva copash natën më gërsherë
dhe mbusha xhepat.
Nëna heshti dy ditë
e unë gëzohesha nga brenda
që ajo vishte prap të njëjtin fustan
dhe i përsësija vetes,
se dua ti ngjaj.
Tani kam filluar të kuptoj nënën.
Pikëpyetjet e atëhershme i zgjidha,
nga dalin ofshamat
kam filluar të kuptoj
dhe vetëm pse copëtohej,
pse luftonte vetëm.
Fundja pse duhej të kishte një fustan.
Për të gjitha këto, kuptoj një gjë,
rritem dhe i ngjaj asaj
por me fustane të ndryshme
luftoj vetë i dytë
dhe sitnët e mia thinjen para pasqyrës./ KultPlus.com

Që të jeni në kujtimet e fëmijëve tuaj nesër, duhet të jeni në jetën e tyre sot

Një fëmijë hyn në shtëpinë tuaj dhe bën aq zhurmë për njëzet vjet, e cila është e vështirë të durohet. Pastaj, largohet duke e lënë shtëpinë aq të heshtur sa që mendoni se do të çmendeni.

– Ndërsa përpiqemi për t’u mësuar fëmijëve tanë gjithçka për jetën, fëmijët tanë na mësojnë se çfarë është jeta

– Që të jeni në kujtimet e fëmijëve tuaj nesër, DUHET të jeni në jetën e tyre sot!

– Një njeri me të vërtetë i pasur është ai që, fëmijët e të cilit vrapojnë në krahët e tij kur duart e tij janë bosh.

– Mos i mësoni fëmijës tuaj se si të bëhet i pasur. Mësoje se si të bëhet i lumtur … Pra, kur të rritet, ai do të njohë vlerën e gjërave, jo çmimin e tyre …

– Mendoj se na intereson më shumë të lëmë një planet më të mirë për fëmijët tanë sesa fëmijët më të mirë për planetin tonë.

– Një vajzë pesëvjeçare pyeti vëllain e saj më të madh: “Çfarë është dashuria?” Ai u përgjigj: “Dashuria është që ti të vjedhësh çokollatën time nga çanta ime dhe unë të vazhdoj ta vendos në të njëjtin vend …”

– Çdo baba duhet të kujtojë, se një ditë, djali i tij do të ndjekë shembullin e tij dhe jo këshillën e tij!

– Ju e kuptoni se fëmijët tuaj po rriten kur ata ndalojnë t’ju pyesin se nga kanë ardhur, dhe nuk pranojnë t’ju tregojnë se ku shkojnë.

– Pas çdo fëmije që beson në vetvete është një i rritur i cili e ka besuar më parë këtë.

– Një fëmijë ka nevojë për…
 një zemër të duruar për ta dëgjuar atë
 dhe jo një mendje të ndritshme për ta kritikuar atë
 për krahë të hapura që e pranojnë atë, 
 dhe jo sy të rreptë që i shohin gabimet e tij
 duart e sjellshme që e drejtojnë
 dhe jo një zë i fortë që e urdhëron.


– Fëmijët: Ju kaloni dy vitet e para të jetës duke i mësuar ata të ecin dhe të flasin. Pastaj kaloni 16 vitet e ardhshme duke u thënë atyre të ulen dhe ta qepin.

– Çdo fëmijë është një artist. Çështja është se si të mbetet një artist në rritje.

– Dhurata më e mirë që mund tu bëni fëmijëve tuaj, janë rrënjët e përgjegjësisë dhe krahët e pavarësisë.

– Fëmijët kanë nevojë më shumë për standarde se sa kritika.

– Mos harroni se fëmijët, martesat dhe lulet pasqyrojnë llojin e kujdesit që ata marrin.

– Kam kuptuar se mënyra më e mirë për tu dhënë këshilla fëmijëve tuaj, është për të zbuluar se çfarë është ajo që ata duan dhe pastaj të këshillosh ata të bëjnë.

– Ka disa gjëra që fëmijët nuk bën që t’i dinë, sepse sapo t’i mësojnë ato, nuk do të jenë më fëmijë.

– Fëmijët janë ende simbol i bashkëjetesës së përjetshme të dashurisë dhe detyrës.

– Tre gjëra i bëj mirë: punë, gabime dhe fëmijë.

– Bijtë besojnë në virtytin e nënave të tyre, dhe vajzat gjithashtu, por më pak.

– Një fëmijë të cilit nuk nuk i lejohet të respektojë prindërit e tij, nuk do të ketë respekt të vërtetë për asnjë.

– Vetëm fëmijët e dinë se çfarë ata janë duke kërkuar.

– Fëmijët nuk duhet të dëgjojë sharje, sepse vetëm në këtë mënyrë duke u rritur do të fitojnë dinjitetin.

– Fëmijët janë kureshtarë. Fëmijët vëzhgojnë milingonat ndërsa të rriturit i shkelin.

– Nuk kam takuar kurrë ndonjë që nuk kishte shumë fëmijë të zgjuar. Pyes veten se si humbet e gjithë kjo zgjuarsi në moshën e rritur.

– S’është vështirë të bëhesh baba, por vështirë është të jesh baba.

– Ashtu si në dashuri, edhe në marrëdhëniet e fëmijëve me prindërit, më i dobët është ai që do më shumë.

– Fëmija i parë është vazhdimësia e kukullës së fundit.

– Fëmijët janë gjykatësit tanë të ardhshëm.

– Pija që nuk të mërzitet kurrë është uji; fruti që nuk të mërzitet kurrë është fëmija.

– Shërbimi më i madh që mund t’u bëjë fëmijëve një baba është të dojë nënën e tyre.

– Fëmija është libër në të cilin lexojmë dhe në të cilin duhet shkruar.

– Jepini fëmijës më shumë liri: le të vrapojë, le të kërcejë, le të jetë i lirë, le të luajë dhe të argëtohet, le të mos jetë asnjëherë në qetësi.

– Babai duhet të jetë shok dhe person i besuar, e jo tiran i fëmijëve.

– Fëmijët njihen me fatkeqësitë përmes njerëzve.

– O, vite të lumtura. Kush nuk do edhe një herë të bëhet fëmijë!

– Fëmija është i vetmi që përjeton botën në mënyrë të vërtetë, të gjitha të tjerat janë artificiale.

– Rroba e shqyer korrigjohet, por fjalët e ashpra thyejnë zemrën e fëmijës.

– Grindjet e prindërve me fëmijët nuk është mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhjen, por njohja e shkakut çon në një zgjidhje.

– Dashuria e vërtetë për fëmijën do të na tregojë se si t’i ndihmojmë ata me qetësi dhe dashuri, për t’u bërë njerëz të lumtur dhe të balancuar.

– Qëllimi më i madh në një botë që ndryshon vetëtimthi duhet të jetë përgatitja e fëmijëve në ndryshim.

– Gjëja më e këndshme që mund të na ndodhë është të dëgjojmë qeshjen e një fëmije.

– Të rriturit nuk e dinë se një fëmijë mund të japë një këshillë të mirë edhe në rastin më serioz.

– Shpirti shërohet kur jeni pranë fëmijëve.

– Si është e mundur, në aq pak kohë, që një fëmijë që i frikësohej errësirës të bëhet një adoleshent i cili dëshiron të qëndrojë gjithë natën jashtë?

– Nëse i vlerësojmë fëmijët tanë, duhet t’i adhurojmë prindërit e tyre.

– Kur prindërit bëjnë shumë për fëmijët e tyre, fëmijët nuk bëjnë shumë për veten e tyre. 


– Kur kupton më së fundi se babai juaj zakonisht kishte të drejtë, tashmë keni rritur një djalë i cili është i bindur se babai i tij zakonisht nuk ka të drejtë. 


– Askush nuk mund të dijë kuptimin e jetës, kuptimin e botës, derisa të ketë një fëmijë, dhe pastaj e gjithë bota ndryshon. Asgjë nuk mund të jetë ajo që ishte më parë.

Për një adoleshent, nuk ka asgjë më të bezdisshme në këtë botë sesa një prind.

Mosha e adoleshencës është faza e fundit e jetës që gëzon kur dëgjon se thirrja telefonike është për ju.

Një fëmijë, vetëm nëse ndihet mirë mund të mendojë si duhet.

Prindërit shpesh flasin për brezin e ri sikur të mos kishin të bënin me të.

“Asgjë nuk është më e dashur për një baba se sa vajza e tij.”

“Gjëja më e rëndësishme që prindërit mund t’u mësojnë fëmijëve të tyre është se si të përparojnë pa ata.” 

Nëse prindërit kanë të drejtë të kenë fëmijë, dhe fëmijët kanë të drejtë të kenë prindër.

“Të gjithë të mëdhenjtë dikur ishin fëmijë … por vetëm pak prej tyre e mbajnë mend.”

Nuk ka nevojë më të madhe për fëmijërinë sesa mbrojtja prindërore.

Kur një baba i jep djalit, qeshin të dy. Kur një djalë i jep babait, qajnë të dy.

Të gjithë fëmijët, përveç meje, rriten.

Fëmijët fillojnë të duan prindërit e tyre, pas një kohe i gjykojnë, dhe rrallë, nëse ndonjëherë, i falin.

Fëmijët janë pasuri e njeriut të varfër.

Për të kuptuar dashurinë e prindërve tuaj, bëni fëmijët tuaj.

I drejti e mëson fëmijën të tregojë të vërtetën gjatë gjithë jetës së tij.

Kini kujdes këtë thënie proverbiale: Fëmijët dhe të çmendurit tregojnë të vërtetën. Përfundimi: Njerëzit e mëdhenj dhe të mençur nuk e thonë kurrë atë.

“Mirësia e babait është më e lartë se mali, dashamirësia e nënës është më e thellë se deti”.

Një divorc nuk është i mirë, por nuk është dhe tragjedi.
Tragjedi është të rrish në një martesë fatkeqe dhe të kalosh tek femijët tuaj mesazhin e gabuar sa i përket dashurisë dhe familjes.


Fëmija më i thjeshtë që shkon në shkollë sot është i njohur me të dhënat për të cilat do të jepte jetën e tij Arkimedi.

Çdo fëmijë na sjell një mesazh se Perëndia nuk është zhgënjyer ende nga njeriu.

Anaharsis kur u pyet se për çfarë arsye nuk bën fëmijë, ai tha: Sepse i dua fëmijët.

Fëmija juaj nuk është prona juaj. Do ta konstatoni më së voni kur të përpiqeni ta shisni.

Gjëja më e vështirë që të rinjtë duhet të përballen sot është të mësojnë mënyra të mira pa i parë ato.

Fëmija i parë i çdo gruaje është vazhdimi kukullës së fundit të saj,

Jetim nuk është vetëm një fëmijë që nuk ka një prind, por edhe një që nuk ka interesin e prindit.

Për fat të keq, nuk mund të bëhemi më si fëmijët. Por, në vend të kësaj, ne duhet të kujdesemi që fëmijët të bëhen si ne.

Kur fëmija i parë qau për herë të parë, të qeshurit u nda në një milion copa, dhe të gjithë kërcenin afër. Ky ishte fillimi i zanave.

Që të bëhen njerëz të mirë, fëmijët tuaj, shpenzoni dy herë më shumë para për ta dhe dy herë më shumë kohë.

Për fëmijët, dashuria është sinonim me kohën që u kushtoni.

Asnjë fëmijë nuk lind me një libër në krahë. Është detyrë e familjes ta vendosë librin në krahët e fëmijës.

Deri në moshën pesë vjeç, fëmijën tuaj ta keni si mbret, deri në të pesëmbëdhjetat si një shërbëtor, pas të pesëmbëdhjetave, si mikun tuaj.

Mos i burgosni fëmijët me dijen tuaj, sepse në kohë të tjera ata kanë lindur

Një nënë dikur i tha djaloshit të saj të vogël se Perëndia i bën njerëzit të mirë. Dhe ai u përgjigj: “Unë e di për Perëndinë, por ndihmojnë shumë dhe nënat”

Çdo brez thotë se sakrifikon jetën e tij për fëmijët. Përfundimisht, cili brez do të jetojë?

Të pasurit nuk kanë fëmijë, vetëm trashëgimtarë.

Prindërit u mësojnë fëmijëve të flasin, fëmijët u mësojnë prindërve të tyre heshtjen.

Tejkalimi i mbi-mbrojtjes prindërore është një lloj tjetër abuzimi.

Nëna ime e bukur u godit për vdekje me thikë, 47 herë, pse policët nuk e morën babain?

NATË
Shkruar nga: Elif Shafak

Nënën time me 14 vjet e bënë nuse, me 19 kurban. Nëna ime e bukur që rrezatonte me buzëqeshje, u godit për vdekje me thikë, 47 herë. Ishte mbrëmje, errësirë. Natë. Ishte e vetmuar. Por jo e heshtur. Bërtiste. Qau vëllai. Ende foshnjë, 1.5 vjeç; me sy të rritur nga lemeria, poshtë të cilëve dy liqe të zi e të pafund. Bërtita. Nëpër rrugicën tonë. Nëpër shtëpi, kulme, stacion policie, gurë kalldrëmi bëri jehonë ulërima ime. Nuk dëgjuat?

Besoj nuk dëgjuat pasi nuk erdhët. Asnjë nga ju.

Nuk erdhi askush. As fqinjët, as xhaxha policët. As politikanët që vizitojnë mahallën tonë gjatë zgjedhjeve, as gazetat që shkruajnë nga distanca, as agjentët e patundshmërive që caktojnë çmim për shtëpinë tonë të rrënuar. Askush. Po thonë Stambolli ka mbi 10 milionë. Gjiganti që është. Si mund të jetë një qytet kaq i dendur me njerëz që jetojnë ngjitas dhe njëkohësisht kaq i vetmuar, i braktisur si shkretëtirë. Habitem.

Dajaku po vazhdonte nga orët e hershme të mëngjesit. Para syve tanë. Me të kapur babai për flokësh e goditi me kokë në tavolinë. Doli një tingull i plotë, i çuditshëm. Si toka kur çahet. U ça dhe rashë brenda, nga turpi dhe dhembja. Zemra m’u thye në mes. Rodhi një pikë gjaku nga balli i nënës dhe njollosi dantellën e bardhë mbi tavolinë. Në moment u mendova. Si do ta lante atë njollë nëna ime? Sërish do përpiqej; me sapun, deterxhent, ujë të ngrohtë; lythe në gishtërinj, të çara në duar; nëna ime pastronte njollat e gjakut të vet nga rrobet, çorapet e saj.

U mbylla në qoshin e dhomës. Kafshova gjuhën. M’u kyç gjuha. E shkelmoi babai; e goditi nënën në shpinë, në bark. Brenda barkut të saj po rrihte një zemër e vogël, një vëlla a një motër për mua. Po qe vajzë do ta quanim Gylizar, e djalin Jusuf. Babai nxorri shkopin. I hollë e i gjatë. Shkopi që e kishte sjellë në shtëpi për të na disiplinuar. Pas çdo lazdrimi e provonim shijen e tij. Një copë e lëkurës së nënës gjendet në atë shkop, fijet e flokut ende i ka të ngjitura aty.

Pse policët nuk e morën babain? Si nuk ndërhynë fqinjët? Pronari i marketit, kasapi, perimeshitësi, tezet, xhaxhallarët… Ku kishin humbur? Kaq shumë u frikësuan gjithë ata njerëz nga marrrëzia e një burri? Domethënë një njeri i vetëm arrin ta mund gjithë qytetin? Vërtetë?

Ra muzgu. Babai nuk u qetësua. Tik-takët e orës së murit u ndalën, babai nuk u ndal. Ishte natë. Ishte e vetmuar. Por jo e heshtur. Qau pa pushuar, derisa ra e këputur mbi kolltuk. Mbeti aty pa marrë frymë. Një ditë kisha parë një kukullë që po flinte në bërllog. Pa njërin krahë, me këmbë të këputura; edhe nëna ishte bërë si ajo kukullë, krahët i lëviznin në boshllëkun e ajrit. Vaji i vëllait nuk pushonte. As të sharat e babait. Nuk i dëgjuat? Aq të trasha ishin muret që na ndajnë?

Pastaj na mori për dore babai, “Ejani shpejt” na tha. Shkuam në polici. Vëllai me pelenë të papastruar, ten të irrituar dhe lukth të zbrazët. Edhe unë kisha uri, nuk e thashë nga frika. “Çfarë ke bërë kështu” i thanë policët babait. “Nuk të dhimbsen këta fëmijë? Kush do të kujdeset për ta?”

Vetëm në atë moment e kuptova. Nëna nuk ishte më. Nëna ime e bukur që rrezatonte me buzëqeshje, me 14 vjet nuse, me 19 kurban./KultPlus.com

Shënohet 16-të vjetori i Isopolifonisë në UNESCO

Bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh, në 16-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në UNESCO.

16 vjet më parë, në 25 nëntor 2005, isopolifonia popullore shqiptare u shpall “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, e mbrojtur nga UNESCO. Ndaj kjo datë është një ditë historike, për mbarë trashëgiminë kulturore shqiptare, por dhe për vetë Shqipërinë.

Në aktivitetet e organizuara nga bashkia është promovuar isopolifonia dhe vlerat e traditës popullore, folklorit, veshjeve dhe kostumeve popullore.

Kryetari i bashkisë, Flamur Golemi tha se “në muajin korrik festuam 16-vjetorin e përfshirjes së Gjirokastrës së gurtë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore, çka ka mundësuar një kujdes të vazhdueshëm në vite për restaurimin dhe rijetëzimin e vlerave arkitektonike të trashëguara në breza si dhe promovimin e qytetit, për zhvillimin e suksesshëm të turizmit”.

“Prej 16 vitesh edhe isopolifonia jonë popullore, kjo vlerë e jashtëzakonshme e folkut shqiptar është vendosur në vendin që meriton, në listën e kryeveprave të botës shpirtërore të njerëzimit, duke mundësuar pasurimin dhe mbajtjen gjallë të saj, si një ndër simbolet e rëndësishme kombëtare”, theksoi Golemi.

Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “do të vazhdojmë të mbështesim promovimin dhe transmetimin në breza të folkut, etnografisë, veshjeve tradicionale sepse vlerat e traditës sonë popullore janë një aset i paçmuar kombëtar por edhe një pikë e fortë për zhvillimin e turizmit në Gjirokastër”.

Për dy ditë me radhë në Gjirokastër po zhvillohet  Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i IsoPolifonisë, organizuar nga bashkia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale. Pjesëmarrës në këtë festival janë 17 grupe të interpretimit të polifonisë dhe përshëndetës me rreth 250 artistë popullorë, duke shpalosur vlerat më të arrira të folkut dhe traditës shqiptare./atsh

Polici me prejardhje shqiptare, shpallet “Polici i vitit” në Teksas

Bëhet e ditur, se shqiptar, Gëzim Pollozhani është shpallur si “Officer of the Year” nga qyteti i Fort Worth-it në Teksas, që ka kuptimin e policit më të mirë të vitit.

Thuhet s ai është dhe një prej drejtuesve të bordit pranë Qendrës kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Texas, shkruan albinfo.ch.

Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit ai u vizitua dhe u nderua me mirënjohje edhe nga policia shqiptare e Republikës së Shqipërisë./ KultPlus.com

Dokumente të çmuara bullgare mesjetare në lidhje me Arbërinë dhe arbërorët

Mesjeta e hershme arbërore mund të zbardhet e hulumtohet thelbësisht edhe duke shfrytëzuar arkivat e fqinjëve tanë, veçanërisht arkivat dhe dokumentet mesjetare bullgare, ku viset arbërore përmenden qysh herët në histori, gjatë përshkrimit të viseve ku shtrihej sundimi bullgar, falë vulave dhe lejeve përkatëse mbretërore, apo gjithashtu edhe librave të ndryshëm fetarë të kohës, siç do të keni mundësinë të lexoni në tre shembujt e mëposhtëm:

Në një dokument të rrallë të shkruar në vitin e largët 1230, të quajtur “Karta e Dubrovnikut” (“Дубровнишка Грамота” në origjinal), ku perandori bullgar Ivan Asen II u njeh tregtarëve raguzanë të drejtën e tregtisë në viset nën sundimin e tij, gjejmë një frazë me interes madhor për arbërorët, kur thuhet tekstualisht në bullgarishten e vjetër “или в ꙁемꙙ арбанаскѫѫ”, domethënë “në tokën e arbërorëve”. E veçanta e kësaj dëshmie, është se ndërkohë tërë viset e tjera cilësohen veç si “rajone”, me termin e vjetër “хѡрѫ”, ndërsa vetëm për arbërorët përdoret ciësimi “Toka e Arbërorëve”. Gjithashtu në këtë kartë përmendet një tjetër trevë arbërore, Devolli, si rajon, në cilësimin “или в дѣвѡлскѫѫ хѡрѫ”, ndonëse këto vise të tjera arbërore për disa shekuj ndodhen nën sundimin bullgar.

PS: Në foto shfaqet Karta e Dubrovnikut, ku kam rrethuar qëllimisht frazën “или в ꙁемꙙ арбанаскѫѫ”, “në tokën e arbërorëve.

Ky dokument gjendet në Librarinë e Akademisë Ruse të Shkencave në Shën Peterburg.

Duke vijuar me dëshmitë e mesjetës së hershme për arbërorët nga koha e sundimit të perandorit bullgar Ivan Asen II, në kishën e “Dyzet Martirëve” në Veliko Tërnovo të Bullgarisë, gjendet një shtyllë, ku sërish në vitin 1230 (si në “Kartën e Dubrovnikut”) janë skalitur emrat e Arbërisë (Toka e Arbërorëve) dhe Durrësit (“ЗЕМѦ АРБАНАСКѪ” dhe “ДРАЧѢ”).

Ky zbulim quhet “Търновски надпис”, në shqip “Mbishkrimi i Tërnovos”, dhe është zbuluar në vitin 1858, kur akoma kisha brenda të cilës ndodhet ky mbishkrim, ishte shndërruar në xhami nga turqit.

Në foto, teksti i këtij mbishkrimi, ku kam rrethuar fjalët Arbëri dhe Durrës, dhe shtylla ku është skalitur ky mbishkrim.

Ndërsa sakaq në Bibliotekën Kombëtare të Rusisë, në Shën Peterburg, mes 35 milionë librave, gjendet edhe një libër tepër i veçantë, i gjetur në fshatin Herbeli në Maqellarë të Dibrës në Shqipërinë e sotme, në vitin e largët 1873 nga folkloristi dhe etnografi nga Bosnja, Stefan Verkoviç. Ky libër në pergamenë i shkruar në cirilikisht, përbëhet nga 241+4 faqe, quhet “Triodi i Herbelit” (Орбелски Триод) dhe i përket gjysmës së dytë të shekullit XIII, ndërsa hamendësohet se është shkruar nga njëfarë prifti Petre (siç shënon vetë autori në libër). Bëhet fjalë për një libër liturgjik kushtuar periudhës së Kreshmës në kishat ortodokse. Kjo vepër e rrallë që i përket Shkollës së famshme Letrare të Ohrit, askund nuk përmendet (as në muzeun ku ndodhet në Shën Peterburg) se është gjetur në Shqipëri, duke u mbuluar nga pluhuri i harresës gjithashtu në rrethet shkencore edhe të vendit tonë. Përkundër gjuhës apo alfabetit të përdorur (latinisht, greqisht apo cirilikisht), çdo libër i gjetur dhe mundësisht shkruar në Shqipëri në mesjetën e hershme, nuk meriton kurrsesi të shpërfillet.

Dokumente të zbuluara dhe të përkthyera nga gjuha e vjetër bullgare mesjetare në shqip nga:

ELVI SIDHERI

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh./ KultPlus.com

Videoklipi që sjell muzikën dhe natyrën shqiptare, Elita Hoxha sjell këngën “Mallëngjimi” (VIDEO)

Elita Hoxha sapo ka publikuar këngën e njohur “Mallëngjimi”, këngë kjo e Muharrem Qenës, por kësaj radhe kjo këngë ka të përfshira edhe bukuritë e natyrës shqiptare, për ti përmbledhë pasuritë shqiptare në art e natyrë, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë edhe njoftimin e produksionit të këtij projekti.

Muzikë dhe Natyre SHQIPTARE!

Kënga legjendës Muharrem Qena “Mallēngjimi”

SHQIPËRIA- Ky kopësht shkëmbor i Evropës juglindore

Asgjë më e bukur se ky përkufizim nuk i përshtatet asaj që dua të them dhe kësaj që po e shfaqë sot para jush miq të nderuar!

Në vigjilje të 28 Nëntorit Festes së Flamurit dhe të njëvjetorit të Shoqërisë Bjeshkatare Alpiniste Mountain hikers, themeluar nga Elita Hoxha & Agon Rama, ja ku lindi edhe klipi i parë i projektit “Vendi im”, në të cilin jo vetëm pasqyrohet puna, përkushtimi, pasioni e sakrificat gjatë rrugëtimit të tyre njëvjeqar, por edhe dëshira e pakufishme e tyre e cila u shëndrrua në mision, që hap pas hapi e shteg pas shtegu të eksplorojnë dhe të përqojnë tek të gjithë të tjerët këto bukuri përrallore, shpesh të pashkelura, që vet Zoti ja fali tokës shqiptare!

Dhe nuk mund të mos e kujtojmë në çdo orë e çast që është gjaku i dëshmorëve e martirëve dhe loti i nënave të tyre që peshon sa vet këto bjeshkë të lashta, që ja mundësuan Rinisë tonë të mrekullueshme që të frymëzohen thellë duke i shkelur të lirë e pa frikë nga askush këto Alpe e fusha të gjëra shqiptare!🙏

E gjithë rruga për të ardhur deri këtu dhe për të gjetur kaq shumë bashkëudhëtar të apasionuar pas natyrës, nuk ishte aspak e lehtë, por vullneti ishte më i fortë se hezitimi ,guximi më i fortë se frika dhe dashuria më madhe se vështirësitë që sjellë çdo aventurë! Dashuria është dëshira për tu ushqyer shpirtërisht, është gjetja e rrënjëve për ekzistencë! Dhe ku ka dashuri më të madhe se të shkelësh dhe të filmosh në Kosharen me peshe te madhe historike, në shkëmbet e pyjet e gjelbëruar përreth lumit te Valbonës, tek liqenet e bukura te Jezeres, ne shtigjet e maleve dhe fushave te Plaves e Gucise,ne Syrin e Kalter te Thethit, ne Rugovë të Pejës tek maja perrallore e Hajles, ne majen e Pashtrikut, në Vuthaj të malësisë ,Radavc e deri te bukuritë përrallore në majën e Shkelzenit, e cila ngritet mbi çdo gjë duke qenë e mahnitëshme dhe marrëzisht e amshueshme!

Janë këto bjeshkë të larta sa vet qielli, që i japin shpirtë zemrave tona e hov imagjinatës! Janë hirë për pikëllimin e zemrave të plagosura por asnjëherë të dorëzuara të nënave të atyre që ende nuk u gjetën dhe që ende trokasin në ndërgjegjën tonë, të nënave me zemrat e tyre të hekurta të cilave ju dedikohet edhe ky projekt! 🙏

Dhe për fund, i gjithë ky kolorit i këtyre pamjeve të jashtëzakonshme nuk ka se si ndërlidhet më bukur se me këngën e pavdekshme “Vendi im”, këngë kjo e kënduar nga Soprano Elita Hoxha, nën ekzekutimin maestral të kitaristit Endrit Xërxa dhe violinistit Dalvin Mamusha, incizuar dhe masterizuar nga Rron Sadiku, produksioni video dhe montazha nga Agon Rama.

Le të jetë ky realizim i yni, një dhuratë nga zemra edhe për të gjithë adhuruesit e muzikës tonë të madhërishme e të bukur.

E madhërishmja na prekë të gjithëve, kurse e bukura na magjepsë!

Muzika jonë i ka të dyja!

Me rrespekt e dashuri:

Edmond Hoxha./ KultPlus.com

“Atëkohë u hapën odat e burrave edhe për gratë e vajzat, shqiptarët u pajtuan e u afruan”

Toplica Badivuku ka sjellur në rrjete sociale rrëfimin e saj për Çettën, teksa rrugëtimit human të faljes së gjaqeve ajo iu bashkua si 15 vjeçare.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Adelina Toplica Badivukut:

Në jetë kam taku shumë njerëz, po janë disa kujtimi për të cilet nuk vdes kurrë. Jo-rastësisht kanë qëlluar të jenë të dy në këtë fotografi të shkrepur në Drenicë në vitin 1990. I bashkoi një ideal- po ai ideal që me solli edhe mua në këtë fotografi Levizja për Faljen e Gjaqeve.

Të dy I takova kur ju bashkova karavanit të pajtimit si 15 vjeqare. Atëkohë u hapën odat e burrave edhe për gratë e vajzat – shqiptarët u pajtuan e u afruan me njeri tjetrin si pregaditje për shtrëngatën që na priste. Sa herë ka ndodh, që natën vonë, kur kishim edhe nga 10 orë te ulur në një odë, baca Anton ti thërriste zotit të shpisë, urtësisht : “qohu hé burrë, mos ja falsh dorasit, falja gjakun rinisë, zgjatja dorën e pajtimit kësaj vajze të re, fale për ardhmerinë e saj e të rinjëve te Kosovës”.

Ateherë une e pergjumur pritsha te ngrihej ai në këmbë dhe me lot në sy, ma zgjaste mua dorën ta falte gjakun, shpesh për djalin a vëllaun e vetëm.

Sa akt human, I madhërishem!

Sot në ditēlindjen e bacës Anton, kjo fotografi ma kujtoj ate njeri të rralle. Dhe afer tij bacen Elez Zogaj, shtëpia e të cilit në Komoran, na bani konak me muaj te tane te gjithëve.

I pavdekshëm kujtimi për të dy . / KultPlus.com

“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”

Faik Konica lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë. Ai ishte zë i çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Ndër thëniet e Konicës, sot po veçojmë këtë:

“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”.

Konica vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Washington./ KultPlus.com

Mos i thuaj vajzës që ‘është e derës huj’

Nga Marigona Jahaj

Gratë nuk mund t’i mbrojmë nga dhuna ose vdekja duke shkruar në rrjete sociale, duke marrë pjesë në sfida në Instagram ose duke bërë zhurmë disa ditë pas një vrasjeje.

Gratë i mbrojmë kur në familje e ndryshojmë të menduarit, dhe i mësojmë fëmijët që jeta e vajzave dhe grave vlen njëlloj si ajo e djemve dhe burrave.

Pra, të dashur prindër: Rritini dhe edukojini vajzat aq të forta, që të bahen të pavarura.

Në vend që t’i thuash «shuj, ti je çikë s’ban me folë», mësoje që zëri saj është i rëndësishëm dhe që fjala e lirë vlen për vajzat ashtu si për djemtë.

Në vend që ta mësoni vajzën «m’i ba punt e shpisë se do t’shkon te burri», fiksoja në kokë që shkollimi dhe karriera është me rëndësi për mos me qenë e varur nga dikush.

Mos i thuaj vajzës që «është e derës huj», por mësoje që ajo është një pjesë e familjes, që ajo ta dijë se gjithmonë e ka një mbështetje dhe një vend të sigurt në shtëpinë tuaj. Mësoje që familja do të luf-tojë bashkë me të nëse dikush nuk e respekton, e bën të ndihet pa vlerë ose ia kufizon lirinë.

Mos i thuaj vajzës që nuk i takon trashëgimia, por mësoje që nuk i mohoet e drejta e pronës – që ajo të ketë pavarësi dhe siguri ekonomike edhe nëse shteti nuk i ofron ndihmë.

Kështu i rrisim vajzat të forta dhe me plot vetëbesim dhe siguri. Kështu i mbrojmë ato! / KultPlus.com

Një vit nga vdekja e Maradonës

25 nëntor 2020, ora 17:30, nga Argjentina shpërndahet lajmi se Dieago Armando Maradona ka ndërruar jetë. Ishte një pasditë e ftohtë në Champions League. 25 nëntori do të jetë një ditë e pakëndshme për Maradonët dhe për të gjithë tifozët e futbollit.

Ai nuk ishte vetëm një legjendë, ai nuk ishte një person i thjeshtë, për shumë njerëz ai ishte zot.

Në kto 365 ditë ka patur homazhe të panumërta që i janë bërë në mbarë botën, Buunos Aires, Napoli dhe në shumë cepa të tjerë të globit të cilët kanë kujtuar figurën e një djali kontrovers, të shkëlqyer në fushën e futbollit dhe që la në gjurmë në të gjitha kuptimet në botën e futbollit.

Disa çështje të hapura:

Për momentin, çështja për një neglizhencë të mundshme mjekësore të shtatë profesionistëve të implikuar në një “vrasje të thjeshtë” të mundshme është ende e hapur në gjykatë.

Trashëgimia e tij është kthyer në një luftë të pamëshirshme që sapo ka nisur mes avokatit të tij, Matias Morla, tashmë pronar zyrtar, me motrat Maradona, vëllezërit e yllit, ish-gruaja e tij e vetme, Claudia Villafane dhe pesë fëmijët e tij të njohur./ KultPlus.com

Driton Kuka dhe Distria Krasniqi në konkurrencë për më të mirët e vitit 2021, votimi online (LINK)

Federata Ndërkombëtares e Xhudos ka hedhur votimin online për të zgjedhur më të mirët e vitit 2021.

Në konkurrencën e trajnerëve, Driton Kuka është në mesin e pesë trajnerëve më të mirë.

Sa i përket garuesve, në garë është Distria Krasniqi.

Votimi është online dhe një votë juaja për Dritonin e Distrian është një nder më shumë për Kosovën si shtet./Indeksonline/ KultPlus.com

Votimi bëhet KËTU

Një dhuratë për Rita Orën, Jusuf Buxhovi i dhuron librin “Kosova”

“Kosova”, libri i gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi do të jetë edhe në bibliotekën e Rita Orës, shkruan KultPlus.

Buxhovi është takuar me babain e Rita Orës, Besnikun, ku edhe i ka dhuruar këtë libër.

Më poashtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Buxhovit.

Çfarëdo çasje për te Rita ORA, këngëtarja jonë me famë botërore, tashmë ikonë e identietit kulturor dhe shtetëror të Kosovës, kalon nëpërmes lidhjeve të saj me gjyshin, Besim Sahatçiu – regjisorit të njohur të brezit të artë të krijuesve, që me veprat e tyre artistike e shkencore, ndërtuan identietin institucional të shtetësisë së Kosovës.

Këto ditë, me të birin Besnikun, që jeton në Londër, përpak evokuam kujtime nga ajo kohë. Me këtë rast, shkëmbyem edhe libra. Nga Besniku mora monografinë “Besim Sahatçiu – një jetë për ekranin dhe skenën”. Ndërsa nga unë, me dedikim për Rita Orën, mori “Kosovën” në anglisht./ KultPlus.com

Dhuna

Poezi nga Erich Fried

Përkthyer nga Lis Bukuroca

Dhuna nuk fillon,
kur një njeri tjetrin ngulfat.
Ajo fillon kur njëri thotë:
“Unë të dua:
ti më takon mua!“
Dhuna nuk fillon,
kur të sëmurët vriten.
Ajo fillon kur njëri thotë:
“Ti je i sëmurë:
Ti duhet të bësh atë që them unë.”
Dhuna fillon,
kur prindërit
sundojnë fëmijët e tyre të dëgjueshëm.
Dhe kur papët dhe mësuesit dhe prindërit
kërkojnë vetëpërmbajtje.
Dhuna sundon atje, ku shteti thotë:
“Për të luftuar dhunën,
nuk duhet të ketë më dhunë,
përveç dhunës sime.”
Dhuna sundon
ku dikush, apo diçka
është shumë e lartë,
ose shumë e shenjtë,
për t’u kritikuar.
Ose, ku kritikës nuk i lejohet të bëjë gjë
por vetëm të flasë.
dhe shenjtorët ose të mëdhenjtë
mund të bëjnë më shumë sesa të flasin.
Dhuna sundon aty ku thuhet:
“Ty të lejohet përdorimi i dhunës!“
Por edhe aty ku thuhet:
“Ty nuk të lejohet përdorimi i dhunës!”
Ligji Themelor i Dhunës
thotë:
“E drejtë është ajo që ne bëjmë.
Dhe çfarë bëjnë të tjerët
ajo është dhunë.”
Dhuna sundon atje,
ku ajo burgos kundërshtarët e saj
dhe shpif ndaj tyre
si nxitës të dhunës.
Dhuna ndoshta nuk mund kurrë
të mposhtet me dhunë,
por mbase jo gjithmonë
pa dhunë.
Ti
Aty ku nuk ka liri
je ti liria
Aty ku nuk ka dinjitet
je ti dinjiteti
Aty ku nuk ka ngrohtësi
Ku nuk ka afërsi të njeriut me njeriun
je ti afërsia dhe ngrohtësia
Zemra e botës së pa zemër
Buzët tua dhe gjuha jote
janë pyetje dhe përgjigje
Në krahët tu dhe në prehrin tënd
është diçka si qetësia
çdo e „detyruarpërtëikur“ prej teje
shkon te rikthimi
Ti je një fillim i së ardhmes
Zemra e botës së pa zemër
Ti nuk je një artikull besimi
dhe as filozofi
as rregullore dhe as pronë
në të cilën kapet njeriu
Ti je një njeri i gjallë
ti je një grua
dhe mund të lajthitesh dhe të dyshosh dhe meqenë e mirë
Zemër e botës së pa zemër

Erich Fried është lindur më 6 maj 1921 në Vjenë, vdiq më 22 nëntor 1988 në Baden-Baden, Gjermani. Ishte poet, shkrimtar, eseist dhe përkthyes gjerman nga Austria. Ka publikuar mbi dyzetë vepra me poezi, tregime, një roman dhe ese.

Ai konsiderohej në qarqe konservatore dhe të djathta si problematik. Një nga poemat më të famshme të tij është “Was es ist”, e cila konsiderohet si një model shembullor i poezisë moderne dhe është bërë pjesë integrale e librave të leximit, në të cilat bëhet fjalë për dashurinë.

Veprimtaria e tij ngërthen kryesisht vargje lirike. Fried konsiderohet një nga përkthyesit më të rëndësishëm të Shekspirit, pasi ai arriti për herë të parë të transferonte lojërat e fjalëve dhe neologjizmat e dramaturgut anglez me kuptim të plotë./ KultPlus.com

“Vera Andrron Detin” do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kairo

“Vera Andrron Detin” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kairo.

Filmi “Vera Andrron Detin” i Kaltrina Krasniqit, do të jepet edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Kairo.

Kështu, shënohet një sukses i radhës i filmave vendor, premierat e të cilëve po jepen gjithandej në Festivale Ndërkombëtare.

Festivali i cili shënon 43 vjetorin dhe mbahet nga 26 nëntori deri më 5 dhjetor.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./ KultPlus.com

Ma gjeni një gru që s’di ç’asht dhuna

Poezi nga Valbonë Bajrami

Ma gjeni një gru n’vendin tem që nuk i ka jetu

një nga njëzet e tetë strofat e Sylvia Plath

njëzet e tetë ditë t’përsërituna

derisa jeta t’i sprovon nandë shpirta e ndalon ciklin

me marr guxim me lëshu za

krejt n’liri

ma gjeni një të vetme pa zemërim

që e ka pa jetën në dritë syni

e s’di se ç’asht’ dhuna

-fizike, mendore, materiale-

një ma gjeni, që ka thye mite

s’përputhet me traditat

se ç’asht’ gru e mirë, e ndershme

sipas hireve që tjetër kush i ka thurë për mu e ty

ma gjeni një të vetme për lapidar

me kujtu, me i frymëzu

të nandë shpirtat buzë vdekjes

ma gjeni një

një të vetme

një për be që nuk asht’ zonja Lazarus. / KultPlus.com

Sonte në KultPlus Caffe Gallery, Nagip Tashi do të prezantojë 15 mozaikë të figurave kombëtare

15 mozaikë të realizuara nga Nagip Tashi, nga Tërrnoci i Bujanocit, sonte do të ekspozohen në KultPlus Caffe Gallery.

Zdrukthëtari Nagip Tashi, i cili artin e ka pasion tash e 20 vite, disa nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare por edhe ndërkombëtare i ka sjell nëpërmjet mozaikut, vepra të cilat do prezantohen para artdashësve, shkruan KultPlus.

Mozaikët janë të punuara në dru, kryesisht me arrë, bung, ah, frashër…

Nagip Tashi, përpos 20 mozaikëve që tashmë i ka në atelienë e tij, ka realizuar edhe dy instalacione: Neë Born dhe Shtëpinë e Pavarësisë.

Në KultPlus Caffe Gallery do të prezantohen mozaikët në kuadër të ekspozitës personale “Distanca”, ku përfshinë figura nga arti dhe politika: Bekim Fehmiu Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Adem Demaçi, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Hadi Shehu, Leze Qena, Muharrem Kadriu, Llukman Halili, Abdurrahman Shala, Ridvan Qazimi- Vaja, Ibrahim Kodra dhe Barac Obama./KultPlus.com

Letra që Ernest Hemingway i dërgoi Petro Markos

Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:

“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:

– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!

– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”. /KultPlus.com

‘Nëse dëshironi të dini se sa e civilizuar është një shoqëri, shikoni se si i trajtojnë gratë’

Dhuna ndaj gruas ka qenë pothuajse gjithmonë e pranishme, ndërkaq shkaktarët që e nxisin këtë sjellje janë të shumtë, e që zakonisht nuk lidhen direkt me viktimën.

KultPlus ju sjell një thënie shumë të njohur nga Bacha Khan që i dedikohet gruas dhe kulturës së një shoqërie. Ku sipas tij, këto dyja nuk funksionojnë dot pa njëra tjetrën.

-Nëse dëshironi të dini se sa e civilizuar është një shoqëri, shikoni se si i trajtojnë gratë. / KultPlus.com

Majlinda Bregasi, pjesë e “FICTION FEST”-edicioni i katërt

programin e edicionit të katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do të jetë prozatorja e rëndësishme dhe profesoresha e gjuhësisë, Majlinda Bregasi.

Ajo është shkrimtare, gjuhëtare dhe dokumentariste.

Është shkolluar në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Firencës, ku ka vijuar studimet e doktoraturës dhe post-doktoraturës në Gjuhë dhe Letërsi Evropiane dhe Studime Amerikane. Është profesoreshë e gjuhës italiane dhe latine në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 2015 boton romanin e saj të parë “Ikje” (Botimet Koha),  që nderohet me çmimin “Anton Pashku” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Ky roman është përkthyer në gjuhën bullgare me mbështetjen e Tradukit.  

Romani i dytë “Fillimi i një fundi”, 2017 (Botimet Koha), u përkthye në gjuhën italiane dhe u botua në Itali nga LFA Publishing House me titullin “Manoscritto”

Romani “Gërsheti i prerë”, 2019 (Botimet Koha), ishte kandidat për Çmimin Evropian për Letërsi, 2020.

Bregasi është autore e një numri të gjerë studimesh shkencore mbi komunikimin, analizën e diskursit politik, si dhe autore e monografisë “Përtej debatit politik”, 2015, që është studimi i parë në gjuhën shqipe i teorisë së analizës së bisedës.

Gjithashtu, është autore e disa filmave dokumentarë,  si “Pompei- një udhëtim në kohë”, “Francesco Cangiullo”, “Kodi i jetës”, “Gjama e maleve”, “Rrno për me tregue”, “Pesha e fjalës”, “Bohemi i fundit” etj.

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.

Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.

Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.

Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.

Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës./ KultPlus.com

Lytfije Ferri, mbesa e heroit Jakup Ferri

Mitrovicë, 1940

Halla ime LYTFIJE FERRI, e bija e Omerit, njërit nga 5 bijtë e heroit kombëtar Jakup Ferri.
Fal bukurisë së saj mitrovicasit e quanin “Mona Liza e Ferrajve”.
U martua me esnafin e respektuar mitrovicas Enver Dedinja me të cilin i kishte 4 fëmijë: Ismetin, Myberan, Didaren dhe Xhelalin.

Burimi: Naser Ferri

Jakup Ferri ishte një udhëheqës ushtarak patriot nga Plava dhe anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Familja Ferri i takon fisit Kuçi ndërsa rrjedhë nga Luhari i Malsisë së Shkodrës, prej nga kishte dalë i pari i familjes, Gjergj Prentashi me një vëlla dhe ishin vendosur në Podgoricë./ KultPlus.com

Ibrahim Kadriu në edicionin e katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST”

Në programin e edicionit të katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do të jetë shkrimtari dhe prozatori i njohur shqiptar, Ibrahim Kadriu.

Ai u lind në Zhegër në janar të vitit 1945. U shkollua në Zhegër (filloren) në Gjilan (Normalen) dhe në Prishtinë e kreu Fakultetin Filozofik, Albanologjinë. Që nga ditët e fillores ka shprehur interesim për letërsinë, ndërkaq më 1962 i ka të botuara krijimet e para në revistën “Jeta e Re”, për të vazhduar më tutje me botime edhe në revista e gazeta tjera, ndërkaq më 1969 botoi librin e parë me poezi me titull “Netët e Karadakut”, për të vazhduar viteve tjera me botimet e librave (poezi e prozë), të shumtat për fëmijë. Më 1968 u punësua në të përditshmen e dikurshme “Rilindja”, fillimisht gazetar e reporter i lirë e më tutje redaktor i kulturës. Në këtë detyrë u gjet edhe kur forcat policore serbe e ndërprenë gazetën “Rilindja” dhe revistat e gazetat tjera që dilnin në gjuhën shqipe. Pas luftës në detyrën e redaktorit u caktua te gazeta “Zëri”, ku ishte i angazhuar edhe në fejtonistikë. Që nga 1968, kur botoi librin e parë e deri më sot, ka publikuar mbi tetëdhjetë vepra, poezi, prozë, humor, udhëpërshkrime, dokumentarë. Prej tyre 34 romane. Mbi veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut janë publikuar shtatë libra, kurse veprat e tij deri tash (përmbledhje poetike dhe romane) janë botuar në nëntë gjuhë: greqisht, turqisht, italisht, suedisht, serbisht, frëngjisht etj. Për arritje në fushën e letërsisë është nderuar me shumë çmime, në mesin e të cilave edhe me Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për veprimtari jetësore.

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.

Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.

Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.

Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.

Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com

“Run for Sharr”, dokumentari që shpërfaqë shkatërrimin e Parkut Kombëtar “Mali i Sharr”

Run for Sharr”, dokumentari që shpërfaqë shkatërrimin e Parkut Kombëtar “Mali i Sharr”.

Mbrëmë në Kino Armata është mbajtur shfaqja e dokumentarit “Run for Sharr”. Realizimi është bërë bërë nga Fondacioni “Utalaya” dhe ËËF Adria ndërsa është xhiruar në gusht të vitit 2021 gjatë maratonës 4-ditore me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.

Protagonistja e mbrëmjes, vrapuesja dhe alpinistja e njohur, Uta Ibrahimi, bashkë me alpinistë të tjerë, gjatë maratonës 4-ditore kanë kapur bukuritë e malit duke nxjerrë në pah pasojat e sjelljes së papërgjegjshme që kanë çuar deri në degradim të Parkut.

Uta Ibrahimi pas shfaqjes së dokumentarit tha që ai duhet të shërbejë për të mbrojtur Sharrin nga shkatërrimi që po i bëhet.

“Ndërtimet në zonën e mbrojtur, ndërtimi i hidrocentraleve pa kurrfarë planifikimi, prerja e drunjve e gjuetia ilegale duhet të ndalen”, tha ajo duke bërë me dije se vetëm në 5 vitet e fundit janë prerë 20 mijë metra kub dru.

Në këtë mbrëmje morën pjesë edhe ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Pjesëmarrja e ministrit Çeku dhe përfaqësuesve të tjerë të institucioneve në shfaqjen e këtij dokumentari vjen si përkrahje e projekteve të tilla përmes të cilave tregohet rëndësia e aktiviteteve rekreative në natyrë duke dhënë mesazh të qartë se mbrojtja e natyrës është qenësor për zhvillimin e një vendi./ KultPlus.com