Qendra për Hapje dhe Dialog ftoi të gjithë artdashësit të zbulojnë koleksionin “Imago Mundi” në bibliotekën e COD-it.
Katalogët e koleksionit të artit bashkëkohor “Imago Mundi”, një nismë vizionare nga Luciano Benetton, tashmë janë të disponueshëm për lexuesit në bibliotekën e COD-it. Ky koleksion unikal përmbledh vepra të artistëve të afirmuar dhe në zhvillim nga mbarë bota, duke reflektuar një mozaik kulturash dhe identitetesh vizuale.
“Imago Mundi” është një udhëtim artistik përgjatë paralelit 42, që përshkon historinë, kulturën dhe ndikimet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, nga Europa në Azi, nga Gjeorgjia në Mongoli, nga Rusia në Japoni. Në bibliotekën e Kryeministrisë gjenden katalogët e koleksionit nga: Turqia, Spanja dhe Mongolia. Në faqen online të COD-it, ky arkiv ndërkombëtar arti, vlerësohet si një pasuri që pret për t’u lexuar, parë dhe reflektuar./atsh/KultPlus.com
Tom Holland është “shumë i emocionuar” që do të vishet sërish si Spider-Man, personazhi i preferuar i çdo lagjeje, por ai është “shumë i entuziazmuar” për vazhdimin e ardhshëm për një arsye të veçantë.
Në një intervistë të fundit, Holland shpjegoi se filmi i ri, i katërti në serinë e MCU-së, i titulluar “Spider-Man: Brand New Day”, do të shënojë një rikthim te forma e vjetër e serive, pas asaj që pandemia e Covid-19 pengoi ekipin e filmit në mundësitë që kishin për realizimin e filmit të fundit, “Spider-Man: No Way Home” (2021).
“Mendoj se ishim shumë të kufizuar në atë që mund të bënim në filmin e fundit për shkak të Covid. E xhiruam të gjithë filmin në skena të mbyllura,” tha Holland. “Tani, do të kalojmë në realizimin e vjetër të filmit dhe do të xhirojmë në lokacione reale.”
Ai shtoi se një nga këto lokacione do të jetë Gllasgou, Skoci, ku produksioni do të fillojë së shpejti.
“Do të përdorim rrugët e Gllasgout për këtë pjesë të madhe të skenës që po e përgatisim,” tha ai.
Holland gjithashtu theksoi se “luajtja e Spider-Man është si të kalosh kohë me një mik të vjetër,” dhe se xhirimi i filmit të ardhshëm do të jetë “si të bëje përsëri ‘Spider-Man 1’ (2017, ‘Spider-Man: Homecoming’).”
“Ka kaluar kaq shumë kohë që kur e kam bërë këtë që do të duket si një freskim. Mendoj se fansat do të jenë shumë të emocionuar me atë që po përgatisim.”
Ndërsa Holland pranoi se pati disa sfida kreative gjatë realizimit të “No Way Home,” këto nuk ndikuan aspak në suksesin e jashtëzakonshëm të filmit në kutitë e shitjeve, filmi i tretë i serisë arriti të grumbullonte 1.9 miliardë dollarë në mbarë botën.
Ky sukses ndoshta lidhet me faktin se filmi riktheu aktorët që luajtën Peter Parker aka Spider-Man në dy seritë e mëparshme, Tobey Maguire dhe Andrew Garfield.
“Spider-Man: Brand New Day” pritet të dalë në kinema në verën e vitit 2026./CNN/KultPlus.com
Në fund të çdo gushti, fshati Vajzë i Vlorës, vendlindja e poetit Ali Asllani, kthehet në një qendër të gjallë të kulturës, artit dhe mikpritjes shqiptare.
Edhe këtë vit, nga data 22 deri më 24 gusht, ju ftojmë në “Vajzë Fest – Art, Film, Trashëgimi”, një festë që ndërthur me mjeshtëri traditën me frymën bashkëkohore, kujtesën me rininë krijuese.
Artistë të njohur, kineastë, muzikantë, piktorë dhe figura publike do të sjellin në Vajzë një energji të re përmes tre ditëve plot ngjarje: shfaqje filmike e teatrore, ekspozita arti, poezi, muzikë polifonike, valle popullore, cirk, muzikë bashkëkohore dhe aktivitete të dedikuara për fëmijët.
Një nga risitë e këtij edicioni është “Dita Olimpike”, e cila do të zhvillohet në Parkun Arkeologjik të Amantias, nën kujdesin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Kjo iniciativë sjell një frymë të re në një vend me histori të lashtë, si një rikthim simbolik i shpirtit të lojërave antike.
Për të rinjtë e apasionuar pas aventurës dhe natyrës, do të ketë ecje në shtigjet malore, kampingje nën yje, netë me zjarr rrethues dhe muzikë live, duke krijuar kujtime dhe miqësi që zgjasin.
Eksplorimet do të shtrihen në disa nga perlat natyrore dhe historike të zonës: Ujvara e Rasalit, Ura e Bratajt, shpellat e Velçës, Beuni historik, dhe rrënojat mbresëlënëse të Amantias.
Pjesë e pandashme e kësaj përvoje do të jetë edhe kuzhina vendase. Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatime tradicionale, mish të pjekur, bulmet të freskët, raki dhe verë vendi, të ofruara në shtëpi mikpritëse, stenda të improvizuara, apo në lokalin piktoresk pranë Shpellës së Bletës, ku natyra dhe qetësia krijojnë një atmosferë magjepsëse.
“Vajzë Fest” është rezultat i përkushtimit të Shoqatës së fshatit Vajzë, në bashkëpunim me Bashkinë Selenicë dhe banorët vendas, të cilët besojnë se trashëgimia shqiptare ka ende shumë për të treguar./KultPlus.com
Këtë vjeshtë, artistja e njohur Marina Abramović do të sjellë në skenë një shfaqje provokuese që bashkon seksin, ritualin dhe mbinatyroren, përmes një rikrijimi skenik të riteve erotike ballkanike.
Balkan Erotic Epic (2025) është vepra më e re e saj, e porositur nga Factory International – organizata kulturore me bazë në Manchester, Angli, që organizon edhe Manchester International Festival.
Shfaqja do të ketë premierën më 9 tetor në Aviva Studios dhe do të qëndrojë në skenë deri më 25 tetor.
Me mbi 70 performues, kjo do të jetë vepra më e madhe e Abramović deri më sot, dhe për koreograf ka koreografin shqiptar Blenard Azizaj, i cili do të jetë edhe pjesë e performancës.
Balkan Erotic Epic është e rrënjosur në folklorin dhe zakonet e lashta ballkanike, duke eksploruar tema si dëshira, spiritualiteti dhe trupi.
Përmes 13 skenave të koreografuara dhe vignetave interaktive, performuesit – kërcimtarë, këngëtarë dhe muzikantë – do të shpalosin një përvojë të thellë emocionale dhe fizike.
Pamja nga arkiva e Marina Abramovic
“Në kulturën e sotme, gjithçka erotike e etiketojmë si pornografi,” tha Abramović në një deklaratë për shtyp. “Balkan Erotic Epic është vepra më ambicioze e karrierës sime. Kjo më jep mundësinë të rikthehem tek rrënjët dhe kultura ime sllave, të shoh pas tek ritualet e lashta dhe të përballem me seksualitetin në lidhje me universin dhe pyetjet pa përgjigje të ekzistencës sonë. Me këtë projekt, dua të shfaq poezinë, dëshpërimin, dhimbjen, shpresën, vuajtjen – dhe të reflektoj mbi vdekshmërinë tonë.”
Ritualet që do të performohen përfshijnë skena si “Riti i Pjellorisë”, ku performuesit do të përdridhen mbi tokë si një thirrje për pjellori, apo “Të Frikësosh Perënditë”, që rikrijon një rit ku njeriu zhvesh trupin ndaj qiellit për të larguar stuhitë. Në një tjetër skenë të titulluar “Masazhimi i Gjirit”, gratë performuese do të realizojnë gjeste simbolike për të “zgjuar tokën” pranë vendeve të varrimit, sipas njoftimit për shtyp.
Abramović do të mbajë një ligjëratë më 11 tetor në Aviva Studios, për të shënuar premierën botërore të shfaqjes. Pas kësaj, Balkan Erotic Epic do të udhëtojë në vende të tjera, duke nisur nga Barcelona në janar 2026.
“Kjo vepër e re performative ofron një mundësi që nuk duhet humbur për publikun – për të përjetuar kapitullin e radhës të jetës krijuese të Abramović: e guximshme, përfshirëse dhe në një shkallë krejt të paprecedentë,” tha John McGrath, drejtor artistik dhe CEO i Factory International. Ndërkohë, Abramović ka në plan edhe projekte të tjera, përfshirë lançimin e një projekti të ri NFT, për të cilin foli në The Artsy Podcast./ KultPlus.com
Në mesin e talenteve që po përfaqësojnë me krenari Kosovën në Kampionatin Evropian për grupmoshën U16 (Divizioni B) në Shkup, një emër ka tërhequr vëmendjen e specialistëve të basketbollit evropian: Diar Libusha. Ky 15-vjeçar nga Peja, me një gjatësi mbresëlënëse prej 2.02 metra, po konsiderohet si një nga talentet më të mëdha të gjeneratës së re dhe një shpresë për të ardhmen e basketbollit kosovar.
Libusha, që luan në pozitat 3 dhe 4, është një kombinim i rrallë mes fuqisë fizike dhe lëvizshmërisë në fushë. Në debutimin e tij në arenën evropiane, kundër Holandës, ai shënoi 9 pikë për vetëm 18 minuta lojë, duke u dalluar si një nga lojtarët më efikas të ekipit kosovar. Por, performanca e tij nuk ka qenë vetëm në aspektin ofenziv. Diari është treguar i shkëlqyer edhe në mbrojtje, duke fituar duele të rëndësishme dhe realizuar bllokime të sakta, si dhe ka demonstruar një aftësi të jashtëzakonshme për të lexuar aksionet e lojës, një cilësi që është tepër e çmuar nga trajnerët dhe ekspertët.
Gjatë sezonit të fundit me klubin e tij, KB Borea, Libusha ka treguar një përkushtim të palëkundur, duke luajtur përkatësisht me ekipet U16, U18 dhe seniorët, dhe duke realizuar një mesatare prej rreth 20 pikësh për ndeshje në kampionatin e rregullt. Ai ka qenë një faktor kyç në arritjen e skuadrës U16 në finalen e kampionatit kombëtar, ku ata arritën vendin e dytë.
Për Kosovën, prania e Diar Libushës dhe të rinjve të tjerë në arena ndërkombëtare është një simbol i rritjes dhe forcimit të basketbollit në vend. Diari është një shembull frymëzues, pasi është i vetmi basketbollist nga Peja që ka marrë ftesë për të luajtur në dy ekipet përfaqësuese U16 dhe U18 për vitin 2025. Pjesëmarrja e tij në këtë garë ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve, të cilët shohin tek ai një të ardhme të ndritur në nivele evropiane dhe botërore.
Kosova, megjithëse e vogël në sipërfaqe, ka treguar se mund të ofrojë talente të mëdha, të cilët mund të garojnë me sukses në arenën ndërkombëtare. Përmes paraqitjeve të tilla, si ajo e Diar Libushës, po ndërtohet një bazë e fortë për një të ardhme më të ndritur të basketbollit kosovar, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe pasionit të rinisë shqiptare për sportin. Në një grup të fortë me skuadra si Kroacia, Ukraina, Holanda, Danimarka dhe Islanda, qëllimi i ekipit kosovar mbetet një paraqitje dinjitoze që do të mbështesë rritjen e mëtejshme të basketbollit në Kosovë dhe promovimin e këtij sporti në arenën evropiane./KultPlus.com
Kalaja e Argjirosë për të gjashtin vit radhazi magjepset nga ritmet e “Çeço Fest”, duke shënuar në kujtesën kulturore të vendit edhe një tjetër përvojë që nuk harrohet.
Duke filluar nga mbrëmja e 8 gushtit qyteti i Gjirokastrës do të jetojë nën meloditë e festivalit, për të përjetuar edhe njëherë magjinë e muzikës elektro.
Publiku do të ketë mundësinë të shijojë dy ditë intensive me performanca të paharruara nga artistë të njohur, gjë që edhe provon se ky festival për një kohë të gjatë është kthyer në “shtëpinë” e DJ-ve, dhe admiruesve të muzikës, duke mos i dëshpëruar asnjëherë me atë çka ofron dhe shfaq.
Flamur Golemi, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, e cilësoi këtë festival si një tjetër fundjavë të paharrueshme:
“Vera vazhdon me ritëm, energji dhe emocion”, shkroi kryebashkiaku në rrjetet sociale.
“Çeço Fest” do të sjellë muzikë pa fund, spektakël drite dhe një atmosferë elektrizuese në zemër të qytetit të gurtë, aty ku tradita takohet me ritmet moderne për një përvojë të paharrueshme./KultPlus.com
Ruki Kondaj është me profesion mjeke, por aktiviteti i saj është shtrirë për shumë vite në ruajtjen e vlerave të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare në Kanada, e cila prej viteve të 90-ta jeton atje.
Ruki Kondaj është një prej figurave shqiptare që është shndërruar në urën e komunikimit mes figurave të njohura shqiptare me atë kanadeze, e cila shumë shpesh ka prezantuar artistë shqiptarë para audiencës kanadeze, duke i prezantuar shumë shpesh edhe brenda parlamentit kanadez.
Por puna më e madhe që vlerësohet të ketë bërë Ruki Kondaj është ai i miratimit të ligjit të trashëgimisë shqiptare në Kanada, kontribut që ka bërë krenarë shumë shqiptarë që jetojnë në Kanada.
Dhe për kontributin e saj në shumë dimensione, Ruki Kondaj brenda këtij viti është dekoruar me medaljen e Kurorëzimit të Mbretit Charles III, ceremoni që është mbajtë në Kanada, medalje që e ka vërtetuar angazhimin e saj nëpër vite, por që sipas saj është motiv për të vazhduar edhe më tutje për promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore para popullit të Kanadasë./ KultPlus.com
Me vargjet “You bring me joy…”, Rita Ora vjen me një këngë që ngroh shpirtin dhe frymëzon zemrën. “Joy”, balada më e re e artistes me rrënjë shqiptare, u publikua sot si pjesë e kolonës zanore të “Love Is Blind: UK” në Netflix .
Kënga flet për gjetjen e gëzimit në ndjenjat e sinqerta, në lidhjen e thellë mes dy njerëzve dhe në çastet që na rikujtojnë sa bukur është të duash dhe të jesh i dashuruar.
Me këtë këngë, Rita Ora nuk sjell thjesht një melodi, ajo sjell një ndjesi, një gjendje shpirti, që përputhet në mënyrë të përsosur me atmosferën e “Love Is Blind: UK”, një spektakël që flet për dashurinë e vërtetë përtej dukjes./KultPlus.com
Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, prej shekullit XIII shenjon historinë e bukur shqiptare dhe rrëfen trashëgiminë tonë kulturore.
Ky manastir është pjesë e Mitropolisë së Apolonisë dhe Fierit, ku ka një komunitet të madh besimtarësh ortodoksë, të cilët pak ditë më parë kremtuan me madhështi “Shpërfytyrimin e Shpëtimtarit”, “Metamorfozën”, ose siç e thotë populli “Shën Sotirin” (5 dhe 6 gusht).
Besimtarët morën pjesë në “Mbrëmësoren e Madhe” dhe ritualin e bekimit të pesë bukëve.
Në zonë janë të shumta kishat dhe manastiret të shpallura Monumente Kulture.
Gjatë një vizite në Fier, nuk duhen lënë pa vizituar tre nga manastiret më të famshme të ortodoksisë shqiptare, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore dhe njëri prej tyre është Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, brenda Parkut Arkeologjik Apoloni. Dy të tjerët janë Manastiri i Ardenicës, i shekullit XI si dhe Manastiri i Shën Kozmait në Libofshë (1815), vend pelegrinazhi nga banorët e zonës por edhe nga besimtarë përtej kufijve.
Këta janë manastire me gjurmë të figurave të shquara të historisë shqiptare dhe me arkitekturë bizantine. Por edhe kishat shekullore më të famshme myzeqare, si Shën Gjergji (Libofshë, 1767) dhe Shën Kolli (Libofshë, 1777) kanë gjurmë të artistëve më të shquar të artit bizantin: Shpataraku, Zografët dhe Çetirët./atsh/KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës si një epiqendër e zhvillimit kulturor dhe arsimor të vendit po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.
Në një postim në rrjetet sociale, faqja zyrtare e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ka ndarë foto nga vizitat e vizitorëve të huaj, por edhe të mërgimtarëve, që e vlerësojnë si një qendër me rëndësi të madhe kulturore dhe arsimore.
“Gjatë këtij viti, Biblioteka ka pranuar një numër rekord vizitorësh, mijëra persona e kanë vizituar deri më tani, duke e kthyer atë në një vend shumë atraktiv dhe turistik për vizitorët.
Një pjesë e këndshme e këtyre vizitave është edhe Këndi Amerikan, që funksionon si pjesë integrale e BKK-së, duke ofruar një ambient miqësor, modern dhe tërheqës për vizitorët.
Përmes vizitave të shumta dëshmohet se Biblioteka Kombëtare e Kosovës luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor.” – shkruhet në postimin e fundit të faqes zyrtare të Bibliotekës./KultPlus.com
Kreu i Tesla-s, Elon Musk, ka paralajmëruar CEO-n e Microsoft, Satya Nadella, se OpenAI do të “hajë” kompaninë e tij të gjallë, pikërisht në ditën kur kompania e drejtuar nga Sam Altman lançoi GPT-5 në platformat e saj.
“Sot, GPT-5 është lançuar në platformat tona, përfshirë Microsoft 365 Copilot, Copilot, GitHub Copilot dhe Azure AI Foundry,” tha Nadella. “Është modeli më i avancuar deri tani nga partnerët tanë në OpenAI, duke sjellë përparime të fuqishme në arsyetim, kodim dhe biseda, të gjitha të trajnuara në Azure.” Nadella theksoi se ishin vetëm dy vjet e gjysmë që kur CEO i OpenAI, Sam Altman, u bashkua me të në Redmond për të paraqitur GPT-4 në Bing, dhe tha se përparimi që ka ndodhur që atëherë ishte “i pabesueshëm”.
“Shpejtësia e përparimit po rritet çdo ditë dhe mezi pres të shoh çfarë do të bëjnë zhvilluesit, bizneset dhe konsumatorët me këtë arritje të fundit,” shtoi ai.
Në përgjigje të komenteve të Musk për “humbjen” e Microsoft nga OpenAI, Nadella tha: “Për 50 vjet, njerëzit kanë tentuar dhe kjo është ajo që e bën argëtuese! Çdo ditë mëson diçka të re dhe inovon, bashkëpunon dhe konkurron. Jam i emocionuar për Grok 4 në Azure dhe pres me padurim Grok 5!”
Cursor AI, një editor kodi i fuqizuar nga AI bazuar në Visual Studio Code, gjithashtu konfirmoi integrimin e GPT-5, duke e quajtur atë “modelin më inteligjent të kodimit që ekipi ynë ka testuar” dhe e lansoi falas “për momentin”.
Musk, që mbështet platformën AI Grok, shtoi: “Përveç asaj që Grok 4 Heavy është ende AI më i fuqishëm.” Më herët, Sam Altman tha se ai ndihej “i pafuqishëm” pasi GPT-5 zgjidhte pa gabime një problem të vështirë me e-mailin që ai kishte luftuar. Në një intervistë për një podcast, Altman e përshkroi këtë përvojë si një “ndjenjë të çuditshme”, duke parë shpejtësinë dhe saktësinë e AI.
Duke testuar GPT-5, ai tha se ishte “i frikësuar” dhe e krahasoi momentin me Projektin Manhattan. Ai citonte fizikantin Robert Oppenheimer dhe sugjeroi se GPT-5 mund të kishte “efekte të përhershme” në një shkallë të ngjashme, megjithatë jo në një kuptim shkatërrues.
OpenAI të enjten lançoi ChatGPT-5 falas për të gjithë përdoruesit, duke premtuar përmirësime “të rëndësishme” të mundësive të AI ndërkohë që konkurrenca globale në këtë sektor intensifikohet. Altman e quajti GPT-5 “qartësisht një model që është inteligjent në përgjithësi” dhe një “hap të rëndësishëm” drejt inteligjencës artificiale të përgjithshme, megjithëse ende nuk mëson në mënyrë të vazhdueshme. Ai krahasoi progresin ndërmjet versioneve: GPT-3 ndihmon si një nxënës të shkollës së mesme, GPT-4 si një student universiteti dhe GPT-5 si një ekspert me titull PhD.
Modeli i ri shkëlqen në detyra autonome “agjent” dhe “kodimin me vibrim”, i cili gjeneron aplikacione sipas kërkesës dhe është dizajnuar të jetë më i besueshëm./ndtv/KultPlus.com
Sot bëhen 34 vjet nga një prej episodeve më dramatike të historisë moderne shqiptare, eksodi i madh i 8 gushtit 1991, kur anija tregtare “Vlora” mbërriti në portin e Barit, Itali, e mbushur me më shumë se 20 mijë shqiptarë të dëshpëruar.
Kthyer nga Kuba me një ngarkesë sheqeri, “Vlora” u përfshi nga turma njerëzish që synonin t’i shpëtonin izolimit dhe varfërisë së skajshme në Shqipërinë e asaj kohe. Fillimisht e kishte kursin drejt Brindizit, por përfundimisht u drejtua në Bari. Aty, autoritetet italiane, të papërgatitura për një mbërritje të tillë masive, vendosën të strehojnë emigrantët në stadiumin “Della Vittoria”.
Kushtet ishin të vështira: mungesë ushqimi, ujë, pasiguri dhe tension i vazhdueshëm. Brenda dy javësh, rreth 17,400 prej emigrantëve u kthyen në Shqipëri, ndërsa vetëm rreth 1,500 arritën të dorëzonin kërkesa për azil, transmeton KultPlus.
E megjithatë, përtej pamundësive institucionale, qyteti i Barit dhe banorët e tij u treguan të ndjeshëm dhe humanë. Kryebashkiaku i kohës, Enrico Dalfino, do të mbahej mend për fjalët e tij të ndjera: “Janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Nuk mund t’i kthejmë pas… jemi shpresa e tyre e vetme.”
Gjatë viteve, mediat kanë sjellë në vëmendje shumë prej tregimeve të atyre që ndodheshin atë ditë në bord, rrëfime të forta, të mbushura me emocione, frikë, por edhe me një dëshirë të pashuar për jetë më të mirë. Ato histori mbeten dëshmi të gjalla të një kapitulli të dhimbshëm, por edhe të guximshëm, në rrugëtimin e shqiptarëve drejt lirisë dhe dinjitetit.
Sot, më 8 gusht, kjo datë kujtohet si një moment reflektimi, për të mos harruar kurrë sakrificën e atyre që lanë gjithçka pas, me shpresën e vetme për një të nesërme më të mirë përtej detit./KultPlus.com
“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun.
Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.
Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.”/KultPlus.com
Për herë të dytë radhazi organizohet festivali i kajakut “Kayak Fest 2025” në liqenin e Batllavës.
Ky festival sportiv do të mbahet nga data 8 deri 10 gusht në Liqenin e Batllavës, duke ofruar një përvojë të paharrueshme për të gjithë adhuruesit e sporteve ujore.
‘Kayak Fest 2025’ synon të promovojë kajakimin si një aktivitet rekreativ dhe sportiv në Kosovë, duke ofruar mundësinë për të gjithë pjesëmarrësit që të përjetojnë emocionet dhe adrenalinën e këtij sporti
Festivali do të përfshijë aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat dhe nivelet e aftësive, duke filluar nga sesionet e trajnimit për fillestarët, garat për profesionistët, deri te aktivitetet argëtuese për fëmijët.
Liqeni i Batllavës, i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe ujërat e qeta, ofron kushtet ideale për zhvillimin e një festivali të tillë. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të eksplorojnë mjedisin e bukur përreth liqenit, të marrin pjesë në aktivitete sociale dhe të shijojnë një atmosferë festive.
‘Kayak Fest 2025’ do të mbahet nga data 8 deri 10 gusht 2025, në Liqenin e Batllavës, te Plepat. Ky festival pritet të tërheqë qindra entuziastë të kajakimit nga Kosova dhe rajoni, duke ofruar një hapësirë për ndarjen e përvojave dhe për krijimin e lidhjeve të reja në komunitetin e kajakut.
Organizatorët e festivalit kanë planifikuar një program të pasur me aktivitete që do të përfshijë gjithashtu gara emocionuese, muzikë, kamping, ekspozita të pajisjeve të kajakimit, si dhe ushtrime rreth teknikave dhe sigurinë në kajakim.
Për fëmijët do të ketë zona të veçanta lojërash dhe aktivitete edukuese për të nxitur dashurinë e tyre për natyrën dhe sportet ujore.
Për më shumë informacion mbi ‘Kayak Fest 2025’ dhe për të bërë regjistrimin, vizitoni faqen zyrtare të festivalit ose kontaktoni organizatorët përmes rrjeteve sociale. Mos e humbisni këtë mundësi unike për të përjetuar emocionet e kajakimit dhe për të qenë pjesë e një eventi të madh sportiv në Kosovë./KultPlus.com
Sipas revistës britanike “Mirror”, Shqipëria po fiton zemrat e udhëtarëve britanikë si një alternativë e shkëlqyer për Maldive, po aq e bukur, por tepër më e përballueshme.
Artikulli nënvizon ujërat kristal të Ksamilit, rezorte të mrekullueshme dhe natyrë të paprekur, dhe kjo me kosto shumë më të ulët se në destinacione të njohura.
Ky lloj ekspozimi në mediat britanike, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit turistik ndaj Shqipërisë. Artikuj të ngjashëm në “Mirror”, “Metro” dhe “Daily Mail” e përmendin Ksamilin dhe Vlorën si destinacione kryesore për pushime verore me buxhet të ulët.
Artikulli i “Mirror” e vendos Shqipërinë hartën e destinacioneve më të kërkuara për pushime të përballueshme, por të paharrueshme. Duke e cilësuar Shqipërinë si “Maldive të Evropës”, media britanike jo vetëm që i hap derën një audience të re vizitorësh, por edhe ndihmon në krijimin e një imazhi modern e tërheqës për vendin tonë. Ky lloj promovimi ndërkombëtar, i mbështetur nga bukuria natyrore dhe mikpritja shqiptare, mund të shndërrohet në një motor të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik dhe kulturor për vitet që vijnë./KultPlus.com
Më 8 gusht 1929 lindi në Delvinë Sabri Godo, një nga figurat më të shquara të kulturës, letërsisë dhe jetës politike shqiptare. Shkrimtar, publicist, studiues i historisë dhe personalitet i angazhuar në zhvillimet kombëtare, ai la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e vendit.
Sabri Godo hyri në letërsinë shqipe me vepra që mbahen si kryevepra në prozën dhe romanin historik. Me një gjuhë të pastër dhe një stil të matur e të menduar, ai solli tek lexuesi figura të mëdha të historisë shqiptare, si në romanin “Ali Pashë Tepelena” apo “Skënderbeu”, ku mjeshtërisht ndërthurte faktin historik me frymëzimin artistik. Vepra e tij është një thesar kulturor ku historia nuk është vetëm rrëfim i së shkuarës, por mësim dhe udhërrëfyes për brezat, transmeton KultPlus.
Përveç letërsisë, Godo ishte aktiv edhe në jetën politike të vendit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në vitet ’90, si një nga themeluesit e Partisë Republikane dhe si deputet e përfaqësues i qytetarëve në Kuvend. Me qëndrimet e tij të balancuara dhe mendimin e kthjellët, ai fitoi respektin e miqve dhe kundërshtarëve.
Në kujtesën kolektive, Sabri Godo mbetet një shembull i njeriut që nuk u mjaftua vetëm me suksesin personal, por punoi gjithë jetën për të pasuruar mendimin dhe shpirtin e shoqërisë. Sot, në përvjetorin e lindjes së tij, kujtojmë jo vetëm shkrimtarin dhe politikanin, por edhe intelektualin e përkushtuar ndaj Shqipërisë.
Ai u nda nga jeta më 3 dhjetor 2011, por trashëgimia e tij letrare dhe qytetare vazhdon të frymëzojë. Sabri Godo mbetet një zë i gjallë në historinë tonë, një kujtesë se dashuria për atdheun dhe e vërteta e shkruar me penë janë armët më të forta që mund t’i lëmë brezave./KultPlus.com
Një botim i ri pritet të dalë nga shtypi në ditët në vijim, duke sjellë për herë të parë një studim të thelluar mbi figurën e Pietro Marubbit, themeluesin e studios së parë fotografike në Shqipëri dhe një nga figurat më të rëndësishme të artit pamor të shekullit XIX.
Libri titullohet “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipni” dhe është rezultat i 12 vjetëve kërkime të autorit Dr. Luçjan Bedeni, si pjesë e punës së tij doktorale,shkruan KultPlus.
Botimi sjell dokumente dhe të dhëna të panjohura më parë nga arkivat italiane, ruse, turke, kroate dhe britanike, që hedhin dritë mbi identitetin, jetën dhe rrugëtimin e Marubbit nga Italia në Dalmaci, Greqi dhe më pas në Shkodër, ku ai do të vendoste themelet e një tradite fotografike që do të ndikonte brez pas brezi.
Libri përfshin gjithashtu një rishikim kritik të rolit të Marubbit në artin pamor shqiptar, duke e paraqitur atë si më shumë se një fotograf – si arkitekt, piktor, mësues dhe vizionar, që solli një formë të re të të parit në shoqërinë shqiptare të kohës.
Redaktuar nga Dr. Primo Shllaku dhe i pajisur me dizajnin grafik të Nita Salihu Hoxhës, botimi përgatitet nga “Studio Permanent” dhe do të dalë në shtyp nga “Viprint”.
Ky libër pritet të jetë një referencë e re e rëndësishme për studiuesit e historisë së artit, fotografisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare./KultPlus.com
Një nga figurat më të mëdha të fotografisë dokumentare në Evropë, Gianni Berengo Gardin, ka ndërruar jetë sot në Gjenova, në moshën 94-vjeçare, njofton “Adnkronos”.
I lindur më 10 tetor 1930 në Santa Margherita Ligure, por i rritur në Venecie – qyteti që e konsideronte të vetin – Berengo Gardin nisi rrugën e fotografisë në rininë e tij dhe kurrë nuk u nda më prej saj. Gjatë shtatë dekadave të punës së tij, ai krijoi një arkiv monumental me mbi dy milionë negativë, duke dokumentuar jetën italiane me një sy empatik, të ndershëm dhe shpesh ironik, por kurrë cinik.
Fotot e tij bardh e zi tregojnë puthje të fshehta, gra punëtore, fëmijë në lojë, arkitekturë industriale, jetën në trenat e stërmbushur dhe fytyrat e panjohura të një Italie që ndryshonte. Ai nuk deshi kurrë ta quante veten artist: “Unë jam një zejtar. Nuk dua të interpretoj, dua të tregoj”.
Berengo Gardin ishte i pranishëm në ekspozita dhe institucione ndër më prestigjiozet në botë – nga MoMA në New York, Reina Sofía në Madrid, deri te Biblioteka Kombëtare e Francës dhe MAXXI në Romë. Ai botoi mbi 260 libra dhe realizoi mbi 360 ekspozita personale.
Krahasuar shpesh me Henri Cartier-Bresson, ai thoshte me modesti: “Unë jam Willy Ronis italian. Por me krenari ruaj një dedikim nga Cartier-Bresson: ‘Për Gianni Berengo Gardin me simpati dhe admirim’. Të kesh admirimin e tij do të thotë që mund të vdesësh në paqe.”
Sot, ai iku në paqe duke lënë pas një trashëgimi që do të ndriçojë akoma përmes dritës së bardhë e zi./KultPlus.com
Maurice Tillet, i njohur më mirë si Engjëlli Francez, ishte një legjendë e mundjes në vitet 1940. I lindur në Rusi në vitin 1903, Tillet zhvilloi akromegali, një sëmundje e rrallë që zmadhoi kockat e tij, duke i dhënë tipare të fuqishme dhe të veçanta – ato që më vonë e bënë ikonë të ringut të mundjes.
Por pas kësaj pamjeje të fuqishme fshihej një njeri i qetë dhe i zgjuar. Tillet fliste disa gjuhë, kishte studiuar jurisprudencë dhe letërsi, dhe ishte i njohur për natyrën e tij të matur jashtë ringut.
Shumë fansa besojnë se Tillet ishte frymëzimi real për Shrek-un – një teori që nuk është konfirmuar kurrë zyrtarisht, por që bëhet e vështirë për t’u mohuar sapo të shohësh ngjashmërinë./KultPlus.com
E përditshmja franceze “Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve kulturore më të mira për të vizituar në një udhëtim të organizuar.
Nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës te thesaret e Rilindjes Italiane, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri, këto destinacione ofrojnë një ndërthurje të peizazhit dhe kulturës.
Cilat janë destinacionet më të mira kulturore për udhëtime të organizuara?
1-Shqipëria dhe Thesaret e UNESCO-s
2-Një shëtitje në zemër të Uashington DC, Merilendit dhe Virxhinias
3-Salzburg: Mozarti dhe Shkëlqimet e Salzkammergut
4-Madhështitë e Saksonisë: Dresden dhe Leipzig, dy qytete të artit dhe historisë
5-Firence, toka e mjeshtrave: Ekspozita “Fra Angelico” dhe Thesaret e Rilindjes
Shqipëria dhe thesaret e UNESCO-s
Zbuloni këtë udhëtim në Shqipëri
Shqipëria, një perlë e vërtetë e fshehur e Ballkanit, joshëse me pasurinë e historisë së saj dhe diversitetin e peizazheve të saj.
Nga Tirana në Gjirokastër, nëpërmjet Beratit dhe Butrintit, ky udhëtim ju çon në gjurmët e qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në këto toka: ilirët, grekët, romakët dhe osmanët.
Një vizitë në një vend ku autenticiteti kombinohet me shkëlqimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Shqipërinë nuk do ta zbuloni vetëm përmes monumenteve të saj.
Ajo jeton në mikpritjen e popullit të saj, pasurinë e traditave të saj dhe shijet e gastronomisë së saj.
Shijoni një byrek krokant, dëgjoni polifonitë shqiptare të listuara në UNESCO dhe eksploroni tregjet e gjalla – ku ndërthuren aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale.
Këto janë vetëm disa nga përvojat që e bëjnë këtë udhëtim të paharrueshëm.
Shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Krujës, një performancë vallesh popullore apo zbulimi i vreshtave lokale janë të gjitha momente që dëshmojnë autenticitetin dhe ngrohtësinë e kësaj toke mikpritëse./atsh
WhatsApp po shumë mundësi do të prezantojë një funksion të ri që do të lejojë përdoruesit të zgjedhin cilësinë e automatikisht shkarkimit të fotografive dhe videove.
Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për ata që kanë kufizime në ruajtjen e të dhënave ose që përdorin lidhje interneti me shpejtësi të ulët.
Nëse jeni pjesë e programit beta të WhatsApp për Android, mund të keni mundësinë të aktivizoni këtë funksion duke shkuar te Settings > Storage and data > Media upload quality. Në këtë seksion, do të shihni një opsion të ri të quajtur Auto-download quality, ku mund të zgjidhni midis dy opsioneve:
Standard quality: Kjo do të shkarkojë përmbajtjen mediatike në cilësi të ulët, duke kursyer hapësirë dhe të dhëna. HD quality: Kjo do të shkarkojë përmbajtjen mediatike në cilësi më të lartë, duke përdorur më shumë hapësirë dhe të dhëna.
Nëse zgjidhni “Standard quality” për shkarkimin automatik, do të keni ende mundësinë të shikoni përmbajtjen në cilësi HD manualisht, nëse ajo është ende e disponueshme në serverët e WhatsApp.
Aktualisht, ky funksion është në fazën e testimit dhe është i disponueshëm për disa përdorues të beta programit në Android.
Nuk ka një datë të saktë se kur do të bëhet i disponueshëm për të gjithë përdoruesit, por pritet që gjatë javëve të ardhshme të shpërndahet për një numër më të madh përdoruesish.
Nëse dëshironi të merrni pjesë në programin beta për të testuar këtë funksion, mund të regjistroheni përmes Google Play Store. Pas regjistrimit, mund të shkarkoni versionin beta të WhatsApp dhe të provoni funksionet e reja para se ato të bëhen të disponueshme për të gjithë./KultPlus.com
Kam dashur, po dua tani më me zjarr, Kam qene shërbyes, tani jam një skllav, Me ç’zell kam shërbyer këdo! Por befas më ndezi kjo mike besnike, Dhe nis ma shpërblen çdo dhimbje fisnike, Për mua s’ka tjeter si kjo!
Besova, tani besoj me pasion! Në shkon jeta mbarë a barra ngarkon, Besimi prej teje s’mërgohet! Po ngryset kaq shpesh, po erret e nxin, Shtrëngon kaq brenga, rreziku arrin, Por qielli nis prap kthjellohet!
Kam ngrënë, tani po ha sa për tre, Më ndriti krejt shpirti e zemra më rreh, Gjithçka e harroj mes dëfrimi! Rinia më zjen bërtas e gajas, Kam mall që të shtrohem ndër vene plot gas, Ngjeroj, më shijo fort ushqimi!
Kam pirë më parë, tani s’le sapllak, Dhe vera na ngre, na bën me çakmak, Dhe gjuhen na gjidh nga zinxhirat! Nga vozat po zbrazet e rrjedh me rrëmbim, Na ndez kaq dëshira, na ngjall kaq besim, S’na ndalin hendeqet, rrepirat!
Në valle jam hedhur, në valle marr zjarr, Asnjë shilarthar dhe asnjë valltar S’erdh rrotull në valle si flutur! Dhe kush shumë lule ia doli të thure, Dhe kurrë s’i ndau, s’i shkeli në turr, I mbeti kurora e bukur!
Ta thurim kuroren! Mos kini ngurrime! Kush merr trëndafilin plot vese e shkëlqime E çjerr vec pak gjemi i mprehtë. Si dje edhe sot shkëlqejnë fort yjet, Por larg mjaft i rrijnë kujt frikshem ul kryet Dhe ngrys po gjithnjë po në jete!/KultPlus.com