’Zjerm’ jehon në Prishtinë, Shkodra Elektronike elektrizon skenën në hapjen e edicionit të 13-të të FemArt

Flonja Haxhaj

Në një mbrëmje që përçoi emocione, kujtesë kulturore dhe energji bashkëkohore, edicioni i 13-të i festivalit FemArt filloi me një performancë që kapërceu kufijtë e një koncerti tradicional.

Shkodra Elektronike, pas paraqitjes dinjitoze në Eurovision 2025, ndaloi mbrëmë në Prishtinë për të dhuruar një perofmancë të jashtëzakonshme që erdhi si një udhëtim i thellë estetik e muzikor ku trashëgimia muzikore shqiptare u përkthye në një gjuhë të re, atë të muzikës elektronike, shkruan KultPlus.

Të veçantë në paraqitje e në këndim, Shkodra Elektronike ngjalli emocione që e kapluan publikun që nga tingulli i parë, në koncertin që erdhi si një simbiozë mes muzikës së vjetër shkodrane dhe asaj elektronike.

“Po të jemi bashkë ne të dy”, “Turtulleshë” dhe “Vaj si kenka ba dynjaja” nuk u interpretuan, por u përjetuan si fragmente të identitetit shqiptar, por të risjellë në stilin e veçantë të Shkodrës Elektronike.

Momenti kulmor i mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Zjerm”, tashmë e kthyer në një himn të muzikës së vjetër me ritme të reja, që i tejkalon brezat dhe kohën. Salla u ndez në një valë të përbashkët emocionesh, duke e bërë këtë performancë të paharrueshme.

Më pas, me këngët “Askund” dhe “E lirë”, Shkodra Elektronike krijoi një udhëtim emocional përmes nostalgjisë dhe muzikës moderne. Çdo tingull, çdo varg, u prit me entuziazëm nga një publik që nuk e ndali duartrokitjen dhe vallëzimin nën tingujt e muzikës elektronike.

Ndërkaq, si një surprizë për publikun prishtinas, Shkodra Elektronike solli për herë të parë këngën “Stuhi”, një krijim i ri që u mirëprit me entuziazëm dhe e tregoi fuqinë krijuese të grupit.

E krejt në fund,  nën kërkesat e pandërprera të publikut, koncerti u mbyll me një rikthim të “Zjerm”, që përmbylli në mënyrën më të mirë të mundshme këtë mbrëmje të paharrueshme.

Pas koncertit ku i dha publikut një eksperiencë të paharrueshme, për KultPlus foli këngëtarja Beatriçe Gjergji, e cila shprehet e lumtur për koncertin, e sidomos për mirëpritjen që merr gjithmonë nga publiku i Prishtinës.

“Një gjë fantastike që ka ndodhur sonte është që djemtë dhe vajzat që ishin në publik, nuk kanë këndu vetëm këngën ‘Zjerm’ por kanë kënduar edhe këngë që kanë dalë edhe para disa javës dhe kjo gjë fantastike. E kjo mbështetje na ka dhënë forcë qysh në momentin e parë, është e domosdoshme për njerëzit si ne që hipim në skenë, sepse pa njerëz nuk jemi askushi, e me publikun e Kosovës ndjehemi më të fortë dhe kemi një krah më të fortë”, u shpreh Gjergji për KultPlus.

Po ashtu, pas koncertit foli edhe pjesëtari tjetër i Shkodrës Elektronike, Kolë Laca, i cili u shpreh se gjithmonë, publiku i Prishtinës i ka pritur akoma më mirë se sa që e kanë imagjinuar.

“Publiku kosovar gjithmonë na ka surprizuar për të mirë. Gjithmonë ka qenë akoma më mirë se sa që e kemi imagjinuar. Edhe sonte ishte e njëjta gjë, një dashuri, një dhuratë që nuk do të harrojmë. Sot kemi dhënë edhe disa këngë që nuk janë të publikuara, por që do t’i publikojmë në fund të vitit. Është emocionale se si e mirëpriti gjithë publiku koncertin e sotëm”, theksoi Laca për KultPlus.

Ndërkaq, pas kësaj hapje, për KultPlus foli edhe drejtoresha e FemArt, Zana Hoxha, e cila konsideron këtë koncert si një hapje spektakolare dhe një muzikë që i ngjason konceptit të festivalit.

“Ishte një hapje spektakolare, e paimagjinueshme, sepse festivalet feministe e kanë atë paragjykimin e vet dhe këtë e kemi thyer sonte, natyrisht me një grup I cili ndan mesazhe shumë të ngjajshme me neve. Jam jashtëzakonisht e lumtur që kemi pasë privilegjin me pasë Shkodrën Elektronike, po edhe me shënu këtë ditë të çlirimit të Prishtinës bashkë me Komunën e Prishtinës dhe me FemArt. Unë jam besimtare e ithtare e madhe e partneriteteve. Nuk besoj në ndasi, besoj në bashkim. Bashkimi dhe diversiteti janë vlerat e FemArt, kështu që sonte kjo natë ishte me të vërtetë ai shembulli më i mirë i diversitetit edhe i bashkëpunimit”, theksoi Hoxha, duke shtuar më tutje, se kjo meritë i përket Shkodrës Elektronike dhe publikut që ishte prezent.

Ndërkaq, për gjashtë ditë me radhë, nga 16 deri më 21 qershor 2025, FemArt do të jetë një hapësirë e shenjtë për krijim, kujdes, dashuri dhe shërim – një festival ku arti nuk është vetëm spektakël, por mjet për të prekur të pathënat, për të gjetur forcë në brishtësi dhe për të imagjinuar liri të reja./KultPlus.com

“Diku thellë në ty e shoh një qershi, sa herë të shikoj në sy” (VIDEO)

Tekste të shumta lirike gjetën jetësimin në tingujt e muzikës, shkruan KultPlus.

E tillë është edhe kënga “Një grusht qershi” kënduar nga grupi Gjurmët.

Gjurmët janë grup kosovar i muzikës rok, të cilët shënuan periudhën e lulëzimit të tyre përgjatë viteve 1980-1986.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Një grusht qershi”:

Era ja përkdhelë hapin e…
E bëhet sikur nuk më sheh
Sa bukur i paska ra
Fustani i kuq o me dantela

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

Ç’të paska hije kjo gërshetë
Sdi pse behësh sikur nuk më flet
Sikur të të kisha pranë
Nji grusht qershi do a kisha dhanë

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o / KultPlus.com

Wikipedia po tërhiqet nga një plan për të testuar përmbledhjet e artikujve me inteligjencë artificiale

Platforma njoftoi më parë këtë muaj se do ta testonte këtë funksion në rreth 10 përqind të përdoruesve në versionin celular të faqes së internetit, por reagimi nga redaktorët ishte larg të qenit pozitiv. Fondacioni Wikimedia (WMF) ndryshoi planet e tij dhe anuloi testin.

Një redaktor shkroi: “Vetëm pse Google ka prezantuar përmbledhjet e saj të inteligjencës artificiale nuk do të thotë që ne duhet t’i tejkalojmë ata. Ju lutem sinqerisht të mos e testoni këtë – në celular apo diku tjetër. Do të shkaktonte dëme të menjëhershme dhe të pakthyeshme për audiencën tonë dhe reputacionin tonë si një burim relativisht i besueshëm dhe serioz.”

Vërejtjet nuk ishin të drejtuara vetëm ndaj vetë idesë – redaktorët kritikuan gjithashtu organizatën jofitimprurëse për përjashtimin e komunitetit nga faza e planifikimit.

“Ju gjithashtu thoni se ka pasur një ‘diskutim’ rreth kësaj, gjë që është qesharake, sepse ‘diskutimi’ për të cilin po flisni ka pikërisht një pjesëmarrës – postuesin origjinal, i cili është gjithashtu një punonjës i WMF-së”, shkroi një redaktor tjetër.

Fondacioni Wikimedia i tha Engadget se po “eksploronte mënyra për ta bërë Wikipedia-n dhe projektet e tjera të Wikimedia-s më të arritshme për lexuesit në mbarë botën”.

“Si pjesë e këtij eksperimenti, përmbledhjet u gjeneruan nga modeli Aya me burim të hapur i zhvilluar nga Cohere. Qëllimi ishte të matej interesi për një veçori të tillë dhe të na ndihmonte të merrnim në konsideratë se cili lloj sistemi i moderimit të komunitetit do të ishte më i përshtatshmi – për të siguruar që njerëzit të mbeten një faktor kyç në vendimmarrjen se çfarë informacioni shfaqet në faqe”, shtoi WMF./KultPlus.com

Vdes inxhinieri i Apple që influencoi zhvillimin e kompjuterëve modernë

Inxhinieri i shquar i Apple i cili luajti një rol jetik në zhvillimin e kompjuterëve modernë është ndarë nga jeta. Bill Atkinson, i cili ishte pjesë e ekipit të parë të zhvillimit të Macintosh pranë Apple, vdiq në moshën 74 vjeçare pasi vuajti nga kanceri i pankreasit sipas një postimi bërë në rrjetin social Facebook më 5 Qershor.

Kontributi i tij në Apple dhe kompjuterët Macintosh konsiderohet fundamental sidomos në zhvillimin e elementëve të ndërfaqes së përdoruesit është është shiri i menusë, klikimi i dyfishtë dhe mjeti i selektimit.

Por puna e tij është më e thellë sepse është përgjegjës për krijimin e gjuhës së dizajnit që influencoi Apple në ditët e para. Trashëgimi i tij përfshin krijimin e MacPaint, një aplikacion që i tregoi botës sesi sistemet e bazuara në grafika dukeshin në një kohë kur sistemet e bazuara në tekst ishin normalitet.

Atkinson ishte një prej tre themeluesve të General Magic, një kompani e softuerit dhe elektronikës që furnizoi produkte për Motorola dhe Sony në fund të viteve 90. /PCWorld Albanian/KultPlus.com

‘E ftohtë dhe e ashpër’, poezia e trishtë e Franz Kafkës

“E ftohtë dhe e ashpër” është një nga poezitë më të bukura të autorit Franz Kafka. Poezia ndërtohet mbi bazën e kontrastit, ku autori i quan të ftohtë dhe të ngrirë njerëzit, ndërkohë ambientin e konsideron tëndriçuar e me gjallëri në periudhën e festave të fundvitit.

Është një nga “panorama” normale të kohëve tësotme, ku atmosfera gjallëruese e festave jo gjithmonë shkon paralel me problemet dhe streset e çdokujt në përditshmëri. Ama nëfund, çdokush pajtohet me realitetin dhe i lë ngjarjet të rrjedhin natyrshëm (autori në strofën e fundit me foljet “sheh” dhe “mbështetet” pranon pikërisht realitetin, edhe pse të trishtë).

“E ftohtë dhe e ashpër”
E ftohtë është dita sot dhe e ashpër.
Retë të ngrira,
erërat zvarritin të ftohtit.
Të ngrirë edhe njerëzit.
Hapat jehojnë si metal
mbi pllakat e bakrit
dhe retë vështrojnë
liqene të bardhë.

Në qytetin e vjetër janë ngritur,
shtëpiza krishtlindjesh me drita
dhe dritare shumëngjyrëshe që shohin,
në sheshin e vogël me borë.
Një burrë ecën heshtur,
në sheshin me borë me dritë hëne
dhe hijen e tij të madhe e fryn
era mbi shtëpizat.

Njerëz që kalojnë ura të errëta,
shkojnë me nxitim në meshë,
me dritat verbuese në duar.
Në qiellin gri kalojnë re,
mbi kishat,
me kambanare gjysmë të errëta.
Dikush, që mbështetet në mur,
sheh ujin e natës,
me duart e tij në gurët e lashtë./ KultPlus.com

’Chatroom’ me regji të Erson Zymberit, premierë në Teatrin e Gjilanit

Teatri i Gjilanit sjell premierën e shfaqjes ‘Chatroom’, vepër e shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh, përcjell KultPlus.

E shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh dhe me regji nga Erson Zymberi, kjo vepër sjell në qendër gjashtë adoleshentë që takohen në një chatroom online. Ajo që nis si një bisedë e zakonshme mes të panjohurish, shndërrohet shpejt në një lojë të rrezikshme mendore, ku fjalët e shkruara marrin formën e dhunës më të pastër psikologjike.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë:

📣 PREMIERË – CHATROOM | nga Enda Walsh, regjisor Erson Zymberi

📅 21 & 22 Qershor | 🕗 Ora 20:00
📍 Teatri i Gjilanit

Aktorë: Elton Tahiri, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu, Rinesa Behluli, Drin Berisha

Skenograf: Bekim Korça, Kostumografe: Njomëza Luci, Dizajni i dritave dhe video artist: Burim Baftiu

Për shfaqjen:
Në një kohë kur bisedat virtuale zëvendësojnë kontaktin njerëzor, dhe vetmia shpesh maskohet pas ekraneve të ndritshëm, Chatroom është një dramë therëse dhe urgjente që eksploron errësirën psikologjike të adoleshencës moderne.

E shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh dhe me regji nga Erson Zymberi, kjo vepër sjell në qendër gjashtë adoleshentë që takohen në një chatroom online. Ajo që nis si një bisedë e zakonshme mes të panjohurish, shndërrohet shpejt në një lojë të rrezikshme mendore, ku fjalët e shkruara marrin formën e dhunës më të pastër psikologjike.

Chatroom nuk është thjesht një kritikë e botës digjitale – është një vëzhgim i mprehtë i mungesës së ndërlidhjes së vërtetë mes njerëzve. Pavarësisht se bashkëbiseduesit janë në të njëjtin qytet dhe moshë, ata janë të ndarë nga një distancë e frikshme emocionale dhe morale.

Në thelb, Chatroom është një pasqyrë e gjeneratës digjitale – e mbingarkuar me informacione, por e varfër në ndjeshmëri. Është një thirrje për ndërgjegjësim: për të kuptuar fuqinë e fjalës, për të zbuluar përgjegjësinë që mbart komunikimi – qoftë ai i shkruar apo i heshtur.

Chatroom është një dramë që na thërret të shohim më thellë – përtej ekraneve, përtej maskave, përtej heshtjes.

Shfaqja është produksion nga Elton Tahiri dhe vjen premierë në Teatrin e Gjilanit më 21 dhe 22 qershor nga ora 20:00.

Audienca: + 16/KultPlus.com

82-vjetori i lindjes së Ukshin Hotit, përkujtohet nga Kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka bërë përkujtimin e 82-vjetorit të lindjes së profesor Ukshin Hotit. Ai e ka përshkruar Hotin si një mendje të rrallë dhe një figurë të rëndësishme për kombin shqiptar.

“Profesor Ukshin Hoti është një figurë dhe mendje e papërsëritshme. Aq e thellë për nga mençuria, aq e gjerë për nga dija dhe aq e lartë për nga idetë saqë ne e kemi obligim t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes tekstet e tij në mënyrë që të ngrihemi në nivel të detyrës kombëtare dhe historike për të ecur përpara për Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar në përgjithësi”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai është shprehur se asnjëherë nuk do të rreshtim së kërkuari të vërtetën e drejtësinë dhe gjithmonë do të jemi krenarë e mirënjohës për trashëgiminë e tij politike e kombëtare./KultPlus.com

Flamur Maloku prezanton antologjinë e re poetike kosovare

Pas një pune të gjatë dhe përkushtuese, është finalizuar një antologji e re e poezisë shqipe në Kosovë, e përgatitur nga Flamur Maloku. Kjo vepër përmbledh krijime poetike të autorëve të ndryshëm dhe vjen si rezultat i një procesi të kujdesshëm leximi, përzgjedhjeje estetike dhe redaktimi profesional.

Maloku ka theksuar se përgatitja e antologjisë ka qenë një sfidë e vërtetë, që ka kërkuar angazhim të madh dhe vendimmarrje të vështira, përfshirë edhe refuzime të domosdoshme gjatë përzgjedhjes së poezive.

Antologjia është përgatitur në bashkëpunim me një ekip të përbërë nga emra të njohur të fushës së letërsisë dhe kritikës letrare. Kryeredaktor i projektit është Prof. Dr. Bajram Kosumi, ndërsa në këshillin redaktues kanë kontribuar Prof. Dr. Merxhan Avdyli, Prof. Dr. Behar Gjoka, Prof. Dr. Zeqir Kadriu dhe Ma. Enis Reçica.

Për realizimin e kësaj antologjie ka dhënë mbështetje financiare edhe Komuna e Fushë-Kosovës, e cila, sipas Malokut, ka treguar një angazhim të veçantë në përkrahje të kulturës dhe letërsisë.

Antologjia pritet të jetë një kontribut i rëndësishëm në pasurimin dhe promovimin e poezisë shqipe në Kosovë./KultPlus.com

Krasniqi dhe Fazliu sjellin dy medalje për Kosovën në Botërorin e Xhudos

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se Kosova ka përfunduar me sukses Kampionatin Botëror të Xhudos, duke fituar dy medalje falë paraqitjeve të shkëlqyera të Distria Krasniqit dhe Laura Fazliut.

Distria Krasniqi siguroi medaljen e argjendtë, ndërsa Laura Fazliu fitoi medaljen e bronztë – e dyta në karrierën e saj në këtë garë prestigjioze. “Me qetësi dhe vendosmëri, ajo u ngjit sërish në podiumin e shkëlqimit, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe forcën e kampionëve tanë,” ka shkruar Kurti.

Me këto dy medalje, Kosova arrin në dhjetë numrin e përgjithshëm të medaljeve botërore në xhudo, që është dyfishi i medaljeve olimpike të fituara deri tani.

Kurti ka përgëzuar xhudistet, trajnerin Driton Kuka, Federatën e Xhudos dhe të gjithë komunitetin sportiv për suksesin./KultPlus.com

‘Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh’

Në vijim mund të lexoni disa thënie për jetën, miqtë dhe dashurinë.

“Asgjë nuk e damkos një shpirt të mirë dhe një zemër të ëmbël më shumë sesa të jetosh mes njerëzve që nuk mund ta kuptojnë atë.”

“Mos lejoni që vështirësitë tuaja t’ju mbushin me ankth, në fund të fundit vetëm në netët më të errëta yjet vezullojnë më me shkëlqim.”

“Jeta përbëhet nga dy ditë, njëra krah teje e tjetra kundër teje. Pra, ditën që është krah jush mos jini arrogantë ose të pamatur, dhe ditën kur është kundër jush të jeni të durueshëm, të dyja ditët janë provë për ju.”

“Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh.”

“Kur bota të ul në gjunjë, je në pozitën e përsosur për t’u lutur”

“Një refuzim i këndshëm është më i mirë se një premtim i gjatë.”

“Gruaja është një krijesë delikate me emocione të forta që është krijuar nga Zoti i Plotfuqishëm për të marrë përsipër përgjegjësinë për edukimin e shoqërisë dhe lëvizjen drejt përsosmërisë. Zoti e krijoi gruan si simbol të bukurisë së Tij dhe t’i jepte ngushëllim partnerit dhe familjes së saj. ”

“Ai që i beson botës, bota e tradhton.”

“Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka.”

“Një vëlla është si ari dhe një mik është si diamanti. Nëse çarje ari mund ta shkrini dhe ta bëni ashtu si më parë. Nëse diamanti plas, kurrë nuk mund të jetë si më parë ”.

“Durimi siguron fitoren.”

“Përgojimi pas shpine është përpjekja e atij që nuk është në gjendje ta bëjë më mirë veten e tij.”

“Mos e pëlqeni te vetja juaj atë që nuk ju pëlqen te të tjerët.”

“Një njeri i mençur gjithmonë ka diçka për të thënë, ndërsa budallait gjithmonë i duhet të thotë diçka.”

“Sigurisht që heshtja ndonjëherë mund të jetë përgjigjja më elokuente.”

“Nuk është kurrë vlera e ujit, por etja, nuk është kurrë vlera e jetës, por vdekja dhe kurrë nuk ka pasur të bëjë me miqësinë, por me besimin.”

“Kini kujdes të mos flisni shumë, sepse rrit gabimet dhe shkakton mërzitje.”

“Kujdesuni për gjuhën tuaj njësoj siç kujdeseni për arin dhe argjendin.”

“Ushqimi i trupit është ushqim, ndërsa ushqimi i shpirtit për të ushqyer të tjerët.”

“Nuk ka prehje për personin që ka zili dhe nuk ka dashuri për personin që ka sjellje të këqija.”

“Duhet të jesh i përulur, pasi është një nga [format më të mëdha] të adhurimit.”

“Të mos kesh një gjë është më pak poshtëruese sesa ta lypësh.”

“Ju jeni zotëruesi i asaj që thoni derisa ta shqiptoni, pasi ta nxirrni atë, ju jeni rob i saj. Ruani gjuhën tuaj siç ruhet ari dhe paraja. Një fjalë mund të sjellë turp dhe mbarimin e një lumturie.”

“Ndershmëria do t’ju udhëheqë drejt mirësisë dhe mirësia do t’ju ftojë në parajsë.”

“Është njeri më i mençur dhe më i ditur ai që këshillon njerëzit të mos e humbin shpresën dhe besimin në mëshirën e Zotit dhe kjo të mos e bëjë atë shumë të sigurt dhe të bindur për imunitet nga Zemërimi dhe Ndëshkimi i Tij.”

“Armiqtë tanë nuk janë çifutët ose të krishterët, armiku ynë është injoranca jonë.”

“Nëse sytë e një femre përloten për një burrë që e shtyp atë, atëherë engjëjt do ta mallkojnë atë me çdo hap që ecën.”

“Miqtë tuaj janë tre dhe armiqtë tuaj janë tre. Miqtë tuaj janë: shoku juaj, miku i mikut tuaj dhe armiku i armikut tuaj. Armiqtë tuaj janë: armiku juaj, armiku i mikut tuaj dhe miku i armikut tuaj.” / KultPlus.com

Rilind Gërvalla, drejtori i RTK-së njofton për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK: Është hapur gara 

Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla ka njoftuar se tashmë janë duke u bërë përgatitjet për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës së RTK-së, dhe se për këtë edicion tashmë është hapë gara. 

“Te nderuar krijues te veprave muzikore, eshte hapur gara per kenget pjesemarrese ne edicionin e trete te Festivalit te Kenges ne RTK!

APLIKONI!”, ka njoftuar Gërvalla. 

Ndërkohë, është publikuar edhe linku se ku mund të aplikojnë krijuesit e veprave muzikore.

https://www.rtklive.com/sq/page.php?ID=37&fbclid=IwY2xjawK-R8dleHRuA2FlbQIxMQBicmlkETFDY2JyeFJOOEtEckpFdGhiAR5lyZ5G-6Lm6l4E6UEug51wbhUbBf5jhKafngj5-BJwf91e1T2xsDPoPxMo9Q_aem_oZSYfs-Dfg1tUDokU9v85Q

Edicionin e parë të këtij festivali e ka fituar La Fazani kurse atë të dytin Endrit Krasniqi. / KultPlus.com 

Tirana shpallet zyrtarisht “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”

Tirana do të jetë mikpritëse e një prej eventeve më të rëndësishme rajonale të vitit,  ALForum 2025, i cili do të zhvillohet nga 18 deri më 20 qershor në kryeqytetin shqiptar. Forumi organizohet nga Fondacioni Anna Lindh, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Ky forum ndërkombëtar shënon edhe shpalljen zyrtare të Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025, një titull prestigjioz i dhënë nga Fondacioni Anna Lindh dhe Bashkimi për Mesdheun.

Gjatë tri ditëve të forumit, rreth 1,000 pjesëmarrës nga 43 vende të rajonit euro-mesdhetar,  përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, media, të rinj liderë, institucione dhe figura me ndikim,  do të diskutojnë dhe ndajnë ide për forcimin e bashkëpunimit, dialogut ndërkulturor dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.

Në program përfshihen 6 sesione plenare, 100 sesione paralele, 27 performanca artistike dhe aktivitete për rrjetëzim mes pjesëmarrësve. Me moton “Frymëzojmë dijen, nxisim veprimin, bashkojmë kultura”, ALForum synon të krijojë një hapësirë për bashkëpunim të thelluar, ku pjesëmarrësit ndihen të dëgjuar, të frymëzuar dhe të pajisur për të kontribuar në transformimin e rajonit.

Tirana, me skenën e saj të gjallë kulturore dhe shpirtin e hapur të dialogut, përforcon pozicionin e saj si një qendër mesdhetare për bashkëpunim ndërkulturor dhe ide progresive./atsh/KultPlus.com

Dashni e vjetër (VIDEO)

Une nuk jam më
kënga e dhimbshme qe ty t‘ka prek
Unë nuk jam më
Guri n‘stomak prej cillit ke hjek

S‘jom as telefoni qe me nerva e ke thy
Jam dashnia e vjetër
Qe po vdes per ty

Zemra ime a po vjen
Unë nuk kam asnjë problem
Me ta thon edhe një her
t’pres një-mi vjet

Nuk ka ndodh asgjë e re
Vendin tënd ende e ke
Jam dashnia e vjetër
Qe dikur t‘ka nxeh

Unë nuk jam më
Numri i panjohur qe të thrret
As fush beteje
Paqja e përjetshme qe te pret

Dhoma e ngushllimeve per ty une nuk jam më
Jam dashnia e vjeter
Qe ne gjujnj t‘ka ra

Zemra ime a po vjen
Unë nuk kam asnje problem
Me ta thon edhe një her
t‘pres një-mi vjet

Nuk ka ndodh asgjë e re
Vendin tënd ende e ke
Jam dashnia e vjeter
Qe dikur t‘ka nxeh

Dhoma e ngushllimeve për ty une nuk jam më
Jam dashnia e vjetër
Qe ne gjujnj t‘ka ra

Zemra ime a po vjen
Une nuk kam asnjë problem
Me ta than edhe nje her
T’pres një-mi vjet

Nuk ka ndodh asgjë e re
Vendin tënd ende e ke
Jam dashnia e vjeter
Qe dikur t‘ka nxeh./ KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e Glenda Jackson, fituesja e çmimit ‘Oscar’

Aktorja dy herë fituese e çmimit Oskar dhe ish-deputetja laburiste Glenda Jackson ka ndërruar jetë para dy vitesh, në moshën 87-vjeçare, sipas agjentit të saj.

Aktorja luajti si Mbretëresha Elizabeth I në dramën e BBC-së Elizabeth R.

Politika ishte gjithmonë e rëndësishme dhe aktorja hoqi dorë nga aktrimi për t’u bashkuar me Dhomën e Komuneve si deputete e Laburistëve në veri të Londrës nga viti 1992 deri në 2015.

Ajo më vonë u kthye sërish në ekran dhe fitoi një Bafta për rolin e saj të rikthimit në dramën televizive Elizabeth Is Missing në 2020.

Dy herë fituesja e Oscar para se të sëmurej përfundoi xhirimet e “The Great Escaper” në të cilin luajti me Michael Caine./KultPlus.com

Zogaj në listën e aplikimit për “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit

Shqipëria ka aplikuar për programin ndërkombëtar “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit, një nismë që vlerëson fshatrat që kanë ruajtur identitetin, trashëgiminë dhe natyrën e tyre, duke zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme.

Një nga 6 fshatrat që janë në listën që përfaqëson Shqipërinë është Zogaj, në Shkodër. Ndërsa 5 fshatrat e tjerë do të zbulohen në javët në vijim.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se “Zogaj, fshati i peshkatarëve dhe artizanëve që me thesaret e tij natyrore, kulturore e mikpritjen e rrallë, është në listën e 6 fshatrave që përfaqësojnë Shqipërinë në aplikimin për “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit”.

Ky program promovon fshatrat e të gjithë botës, të cilat janë destinacione të turizmit të qëndrueshëm dhe mbështesin traditat, kulturën apo asetet natyrore përkatëse.

Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine. Ai kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut.

Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët.

Gjashtë fshatrat përfaqësojnë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e Shqipërisë rurale: nga majat e thepisura deri tek fushat pjellore e nga gurët e lashtë tek ngjyrat e jetës së përditshme.

Shqipëria konkurron mes 65 shteteve, me plot 270 fshatra, që garojnë për titullin “Fshatrat më të mirë turistikë”./KultPlus.com

Poezi e fuqishme nga Ukshin Hoti

Poezi nga Ukshin Hoti

Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi,
nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti.
Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni,
malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.

N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë,
si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë,
m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë,
m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.

As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë,
s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë.
Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë,
do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.

Nëpër troje ku punën kam hedhë,
emra trimash mbush pagëzimi,
por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet.
Emrin e trimit e mban dhe amfibi.

Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj,
dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë,
kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë.
Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.

Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët,
u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej.
Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët
që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.

Se shumësia juej në trishtim të shkurtër
ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe.
E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët,
ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.

Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte,
në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli.
N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte,
Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri./KultPlus.com

‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka’

Poezi nga Andon Z. Çajupi

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e shkrimtarit të njohur, Naum Prifti

Dy vite më parë ka vdekur në moshën 91-vjeçare shkrimtari Naum Prifti.

Naum Prifti është një nga emrat më të shquar të letërsisë shqiptare dhe krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie.

Shkrimtari Prifti lindi më 7 Mars të vitit 1932, në Rehovë të Kolonjës.

Disa nga veprat e tij më të njohura janë “Njerëz të kësaj toke”, Erë mali, erë fushe”, Grirja e shpirtit” etj./KultPlus.com

Fragmente nga Ukshin Hoti

“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”

“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”

“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”

“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.”

-Ukshin Hoti/ KultPlus.com

Mirëmëngjesi nga Prishtina pa lumë

Serafina Lajqi

Mëngjesi vjen si duhmë armature
pa freski,
pa prekje,
veç zhurmë ndërtimesh
që mbijnë nga çdo qoshe.

Unë, me sytë ende në gjumë,
pi kafen në një filxhan të çarë
duke soditur qytetin tim
pa lumë,
pa qetësi,
pa gjelbërim.
Veç ndërtesa që rriten,
si pemë pa rrënjë.

Fqinjit mund t’ia shtrëngosh dorën
nga ballkoni.
Ka kaq shumë dritare,
por pak njerëz brenda.
Ka kaq shumë banesa,
por askush nuk mbjell një pemë.

Këtu, shpresa ecën me sandale të lira,
një qese plastike në një dorë,
një diplomë që s’vlen në tjetrën.
Studentët fluturojnë me teori,
por harrojnë ku preket toka.

Trotuaret janë plot
me mbetje qeni, 
sufllaqe të papërfunduara,
zëra që flasin me vete,
dritë semaforësh
që s’respektohen.
Unë ec ngadalë,
duke kërkuar një copë bukuri të braktisur.

Ka shumë libra,
por pak lexues.
Shumë dritë,
por pak diell.
Shumë xhama,
por pak dritare që hapen.
Shumë zëra,
por pak fjalë që prekin.
Më merr malli për një lulekuqe
jo në murale,
por në dhe.

Prishtina ime e zhurmshme,
ku nata vishet me takë dhe grim,
ku gotat shkëlqejnë më shumë
se sytë e atyre që pinë.
Drita nuk është më dritë
është reklamë,
ndriçim që fsheh boshësinë,
vezullim që të lodh kujtesën.

Ti, qytet që më mban gjallë
por kurrë të plotë
më jep ujë në shishe
dhe ajër me ngjyrë hiri.
Mbeturinat s’i mbulon askush 
as turpi.
Veç disa gra të përkulura,
me shami të bardha,
mbledhin trishtimin
në thasë të zinj.

E megjithatë,
kur djemtë më thërrasin “mami” në mëngjes,
dhe drita hyn mes perdeve të zverdhura,
unë e dua prapë këtë qytet,
me gjithë inatin tim,
me gjithë pluhurin,
me gjithë mungesën.

Se është imi.
Si trupi im.
Pa lumë.
Pa lule.
Por me jetë.
Dhe me zë.

17.06.2025./ KultPlus.com

Agim Vinca kritikon emisionet televizive për gabimet e shumta: Kur gabimi bëhet rregull  

Agim Vinca

Mbi përdorimin e gabuar të foljes “jap” (me dhanë)

Folja “jap” është folje kalimtare, e cila ka një larmi formash bazë dhe një denduri të lartë përdorimi. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (2006) thuhet se “jap” ka format bazë “jap, dhashë, dhënë” dhe kuptimet: 1. i dorëzoj, i zgjat a i vë përpara dikujt një gjë për ta marrë, për ta pasur të tijën, për ta përdorur etj. i fal dikujt një gjë timen. 2. kuptim i figurshëm; e pajis me diçka; dhuroj: i dha një gotë ujë; i dha qumësht; i dha dorën; i dha një tufë lule; na ka dhënë një roman të bukur; i dha shkollë (dije); jap jetën (gjakun) flijohem, bëhem theror; jap kokën (shpirtin) e do shumë. 3. në ligjërimin bisedor: fejoj ose martoj vajzën me dikë: e ka dhënë në shtëpi (në familje) të mirë; kanë dhënë e kanë marrëkanë lidhje krushqie. 4. ia besoj a ia ngarkoj diçka; ia bëj të ditur: i jap një detyrë (një rol); dha lajmet; dha sqarime; i jap leje; jap llogari. 5. në ligjërimin bisedor. nis të bëj diçka shpejt a me vrull; i bie a e qëlloj dikë: i dha një grusht (një shuplakë): i dha dru (dajak) e rrahu; i dha dërrmën e dërrmoi. 6. nxjerr, prodhoj; arrij diçka; veta III krijon, formon, shkakton a shfaq diçka: dha shumë bereqet; jep qumësht (lopa). 7. kuptim i figurshëm. nis menjëherë e me fuqi; lëviz diçka me vrull; shpërthej: ia dha vajit; ia dha vrapit. 8. krijoj lehtësi a mundësi për të bërë diçka, lejoj të bëhet a të ndodhë diçka (edhe në një varg njësish frazeologjike): i jap shkak (rastin); i jap dorën e ndihmoj; i jap udhë (diçkaje) e zgjidh; i jep jetë; i jep gjallëri e gjallëron; i jap zemër (dikujt) e nxit; i jap ndihmë e ndihmoj; i jap dritë e ndriçoj; i dha shkollë e shkolloi; i dha fund e përfundoi. 9. shtroj (një drekë a darkë); organizoj e bëj (një shfaqje, një koncert etj.); bëj a krijoj diçka: dha një darkë (një pritje); dha shfaqje; kaq jep ai. 10. në ligjërimi bisedor; ngas një mjet udhëtimi; vë në lëvizje diçka: i jap makinës (veturës); jepi shpejt (majtas). 11. në ligjërimin bisedor; përcaktoj çmimin e diçkaje a moshën e dikujt; paguaj me çmimin që dëshiroj: sa jep ti?; i dha shumë (pak); sa vjet i jep atij? 12. si pasthirrmë;përdoret për të nxitur dikë: jepi, forca!; jepini, burra!

Në mënyrën dëftore, kjo folje del si vijon:

E tashmja: jap, jep, jep, japim, jepni, japin; E pakryera: jepja, jepje, jepte, jepnim, jepnit, jepnin; E kryera e thjeshtë: dhashë, dhe, dha, dhamë, dhatë, dhanë; E kryera: kam dhënë, ke dhënë, ka dhënë, kemi dhënë, keni dhënë, kanë dhënë; Më se e kryera: kisha dhënë, kishe dhënë, kishte dhënë, kishim dhënë, kishit dhënë, kishin dhënë; E kryera e tejshkuar: pata dhënë, pate dhënë, pat(i) dhënë, patëm dhënë, patët dhënë, patën dhënë; E ardhmja: do të jap, do të japësh, do të japë, do të japim, do të jepni, do të japin etj.

Për ta “thjeshtuar” punën, nuk po i japim trajtat e kohëve të tjera të foljes: E ardhmja e përparme etj. 

Përdorimi i gabueshëm i foljes jap (me dhanë) në Kosovë ka marrë dhenë. Në jetën e përditshme, në biseda, në media, në Kuvend, në tubime publike, në emisione radiotelevizive, nëpër librari, në biblioteka… Edhe në instancat më të larta shtetërore e në institucionet më prestigjoze kulturore, arsimore dhe shkencore, pothuajse kudo. 

Për çdo ditë dëgjojmë: “Kemi me japë…”, “mundesh me e japë…” , “… Filani ka japë…”, “e japa një provim”, madje edhe në përcjellore: “duke japur”, “duke i japur” etj. etj.

Po japim disa shembuj konkretë, që i kemi regjistruar herë pas herë në emisionet televizive dhe në medien tjetër.

Moderatorja e emisionit shumë të ndjekur të RTV Dukagjini, “Radar”, e zonja në punë të vet, bie vazhdimisht në grackën e këtij gabimi: “Kemi me japë (në vend se do të japim ose kemi me dhanë) edhe një shpërblim”; “Të falënderoj për kontributin që ke japë (në vend se që ke dhënë); “i falënderoj edhe prindërit e tu për edukatën që ta kanë japë (të kanë dhënë)”. (Radio Dukagjini, emisioni Radar, 30. 6. 2017). I njëjti gabim rishfaqet edhe në një emision tjetër: “Për edukatën që i kanë japë prindërit fëmijës” ose, siç thuhet shpesh gabimisht: “fëmiut”! (TV Dukagjini, 14 mars 2025).

 “Fan Noli ka japë kontribut të madh…” (RTK, 28. 2. 2018).

Ka edhe shumë shembuj të tjerë, që vrasin veshin, si: “Mundesh me e japë (në vend se mund ta japësh ose me e dhanë) mendimin tënd”, dëgjohet për çdo natë në debatet e shumta televizive, madje edhe në mënyrë më të  vrazhdë: ”Çka po do me t’japë tjetër?!”.  

Një gazetar zhurmaxhi bërtet nga ekrani sa i ha zëri: “Kanë dështu edhe partitë e tjera, por kanë japë dorëheqje!…”. Domethënë, ato paskëshin “japë”, kurse ky ose kjo s’po jepka!

Më 2 prill, në Ditën botërore të autizmit, në programin e mëngjesit, ndoqa një emision kushtuar kësaj sëmundjeje. Mjeku i ftuar në studion e KTV-së (në të vërtetë ishte mjeke), thoshte: “Informatat që prindi na ka japë…”, në vend se “Informatat që prindi na ka dhënë…” etj.

Një mjek tjetër, mik imi, profesor universiteti, pasi i flas për një ekzaminim mjekësor, më thotë: “Diagnoza që ta ka japë mjeku nuk është e saktë…”. 

Shembujt e mësipërm tregojnë se krahas sëmundjes gjithnjë e më të përhapur të autizmit, ekziston edhe autizmi gjuhësor, kaq i përhapur në mediet tona të shkruara e elektronike.

Gjuhëtarët tanë më shumë merren me gjëra periferike, çfarë është, fjala vjen, edhe përdorimi i fjalës media (në njëjës) dhe medie (në shumës), sesa me masakrimin që i bëhet foljes “jap”!

Edhe presidentja e Kosovës, zonja Vjosa Osmani, e cila në përgjithësi e flet mirë gjuhën (shqipen letrare), e bëri këtë gabim ditë më parë. “… M’ka japë kënaqësi takimi me ju” (me fëmijët), tha në emisionin “Në kurthin e Piter Panit”, të moderuar nga Alketa Vejsiu dhe të emetuar më 6 qershor 2025 në TV KLAN. 

Shihet se ka rënë nën ndikimin e mjedisit, sepse gabimi që përsëritet shpesh bëhet rregull!

Kështu po ndodh në Kosovë me përdorimin e foljes “jap”, veçanërisht në kohën e kryer: “kam japë”, për “kam dhënë”!

Kam pritur që për këtë dukuri të shëmtuar të reagonte ndonjëri nga gjuhëtarët tanë, sepse gabimet nuk ndreqen pa i korrigjuar, por një reagim i tillë deri më sot ka munguar./ KultPlus.com

Rama: Lumi i Shalës, turistët shijojnë ndër eksperiencat më magjike të pushimeve

Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Lumi i Shalës në Shkodër, ku siç u shpreh ai, turistët shijojnë një nga eksperiencat më magjike të pushimeve në Shqipëri.

Në këtë atraksion të jashtëzakonshëm të turizmit, në veri të Shqipërisë, turistët zgjedhin të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin./atsh/KultPlus.com

Dashuri e vështirë

Poezi nga Luis Garcia Montero

Kush e di në më ka parë ajo ndonjëherë kështu,
kush e di në më ka parë ndonjëherë njeri, kaq përtokë,
kaq të ftohtë në këtë kënd. Por era
kujtoi se unë isha gur
dhe trupin tim donte të shpërbënte.

Po të mundja të të takoja,
kushedi në do mund të takohemi ndonjëherë, unë do të di
të sqarohem me ty.

Por klubet e hapur dhe të mbyllur,
rrugët netëve dhe ditëve,
stacionet pa njerëz,
lagjet e tëra me banorët e tyre, dritat,
telefonat, hapat dhe ky kënd,
nuk dinë gjë, se ku je ti.

Dhe kur era kërkon të shkatërrojë
më kërkon te porta e shtëpisë tënde.

Unë ia përsëris edhe erës,
po qe se do mundem të të takoj,
po qe se ti më shfaqesh, unë do të di
të sqarohem me ty.