Festivali gjerman i heavy metal i bën homazh Ozzy Osbourne

Organizatorët e festivalit të muzikës heavy metal ”Wacken Open Air”, në Gjermaninë veriore nderuan legjendën e ndjerë të rokut Ozzy Osbourne me një shfaqje me dron mbi skenën kryesore.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, fjalia “Ozzy, ne të duam” ndriçoi qiellin e natës pas performancës së fundit të ditës.

Homazhi u shoqërua nga kënga e Osbourne “Mama, I’m Coming Home”, e ndjekur nga himni i Black Sabbath “Paranoid”.

Në të njëjtën kohë, imazhet e Osbourne u shfaqën në ekranet gjigante të festivalit.

Këngëtari ikonik britanik dhe ylli i reality show-t vdiq më 22 korrik në moshën 76 vjeç.

Si bashkëthemelues dhe vokalist i ”Black Sabbath”, Osbourne u vlerësua gjerësisht për ndihmën në përcaktimin e zhanrit heavy metal.

”Black Sabbath” u formua në Birmingham në fund të viteve 1960.

Vetëm disa javë para vdekjes së tij, Osbourne, i cili kishte luftuar me sëmundjen e Parkinsonit vitet e fundit, dha një koncert lamtumire në qytetin e tij të lindjes.

”Wacken Open Air”, i cili zhvillohet në një fshat me vetëm 2 000 banorë, konsiderohet si një nga festivalet më të mëdha të heavy metal në botë./ atsh/ KultPlus.com

Dua Lipa me rikthim triumfal në Prishtinë, Sunny Hill nis rrugëtimin me koncert të përmasave botërore

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e kaluar, Prishtina u kthye në qendrën e muzikës ndërkombëtare, teksa filloi festivali i shumëpritur Sunny Hill Festival, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon. Në një atmosferë elektrizuese, skena i takoi rikthimit të këngëtares që ka bërë krenare çdo shqiptar nëpër botë, Dua Lipa, shkruan KultPlus.

Qyteti u përfshi nga një valë emocionesh dhe pritjeje. Radhë të gjata makinash dhe turma të mëdha njerëzish që lëviznin drejt vendit të ngjarjes, dëshmonin se ky ishte më shumë se një koncert, ishte një kthim në shtëpi, një festë kombëtare. Me mijëra duar në ajër dhe me zemra që rrihnin në të njëjtin ritëm, publiku e priti me padurim yllin shqiptar me famë botërore.

Prej orës 17:00, skena e Sunny Hill Festival u bë vatër e një parade artistësh të njohur dhe të dashur për publikun. Performanca të fuqishme dhe shumëngjyrëshe u sollën nga emra si Deezy, Art Lokaj & TNM, Kida, Sienna Spiro, Edis dhe Tayna,  të cilët krijuan imazh të zjarrtë për atë që do të vinte më pas, hyrja triumfale e Dua Lipës, yllit që ka bërë krenar çdo shqiptar nëpër botë.

Dua Lipa e nisi koncertin me këngën ‘Training Season’, duke e ndezur atmosferën me një performancë madhështore dhe skenografi unike. Koncerti vazhdoi njëtrajtshëm me ‘End of an Era’, ‘Break My Heart’, ‘One Kiss’, ‘Watcha Doing’, ‘Levitating’ dhe  ‘These Walls’.

Pas këtyre performancave erdhi edhe momenti kulminant i mbrëmjes, ku Dua Lipa ftoi në skenë babain e saj, Dukagjin Lipën, solistin e grupit të njohur ‘Oda’ dhe bashkëthemelues i festivalit. Dy breza, dy gjenerata artistësh, u bashkuan në një interpretim të veçantë të këngës ‘Era’ nga grupi legjendar ‘Gjurmët’. Ky moment bashkoi edhe publikun, ku së bashku kënduan të gjithë njëzëri.

Pas këtij momenti, Dua Lipa u rikthye sërish me hitet e tjera ‘Maria’, ‘Physical’, ‘Hallucinate’ ,’Falling Forever’, ‘Happy for You’ dhe ‘Love Again’. Me ‘Be the One’, u rikthye në një nga sukseset e para që e prezantuan Dua Lipën me skenën botërore, duke krijuar një moment të ndjeshëm dhe nostalgjik.

Ky koncert, ndryshe siç do të mund të ishte rëndom koncerti i ndonjë nga yjeve të tjerë botërorë në Prishtinë, erdhi shumë më ndjeshëm për këtë publik, marrë parasysh lidhjen që ka me yllin Lipa. Kohë pas kohe ndër performance, Lipa u fliste publikut të saj në gjuhën shqipe.

Në një moment ajo falëndëron të gjithë për pjesëmarjen, teksa edhe flet për festivalin.

‘Është kënaqësi me pasë mundësi me kriju një festival, për vendin tonë. Tash janë bërë gjashtë edicione të këtij festivali, e çdo vit po bëhet mirë e më mirë’, tha Lipa teksa falënderoi të gjithë ata që e bëjnë të mundur realizimin e këtij festivali.

Spektakli dhe madhështia e këtij koncerti vijoi me super-hitet ‘New Rules’, ‘Dance the Night’ dhe ‘Don’t Start Now’, performance këto që ndezën skenën dhe bënë që publiku të këndojë e të vallëzojë pa pushim.

Ndërkaq, ky koncert përfundoi me ‘Houdini’, një fund magjik për një natë të paharrueshme, që shënoi rikthimin e yllit Dua Lipa në skenën e Prishtinës.

Ndërkaq sot, publiku i Sunny Hill do të ketë mundësinë të dëgjojë perfancën e Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainte, Pint, Ledri dhe Headie One. Ndërkaq,  ylli kryesor i mbrëmjes do të jetë këngëtaro Shaën Mendes./KultPlus.com

Helsinki shembull i sigurisë rrugore, asnjë vdekje nga aksidentet gjatë vitit 2024

Në një kohë kur vdekjet nga aksidentet rrugore në Bashkimin Evropian kanë rënë me 3% në vitin 2024, ato vazhdojnë të jenë tragjedi të përditshme në zonat metropolitane.

Megjithatë, Helsinki ka regjistruar një arritje të jashtëzakonshme, asnjë vdekje në rrugë gjatë gjithë vitit.

Sipas Politico, në vitin 2023 në qytetet e BE-së ndodhën 7,807 vdekje në rrugë, me Berlinin që regjistroi 55 viktima dhe Brukselin nëntë, transmeton Gazeta Express.

Megjithëse Helsinki është një nga kryeqytetet më të vogla të BE-së, me rreth 690,000 banorë, zona metropolitane e tij ka një popullsi prej afro 1.5 milionësh, të cilët përdorin çdo ditë të gjitha mjetet e transportit publik dhe privat.

Sipas Ronni Utriänen, inxhinier trafiku në Drejtorinë e Mjedisit Urban të qytetit, ky sukses është rezultat i një sërë faktorësh, por më i rëndësishmi është ulja e kufijve të shpejtësisë. Ai citon të dhëna sipas të cilave rreziku i vdekjes së një këmbësori përgjysmohet nëse shpejtësia e makinës bie nga 40 në 30 km/h. Për këtë arsye, që prej vitit 2021, autoritetet vendosën kufizime më të ulëta shpejtësie në shumicën e zonave të banuara dhe në qendrën e qytetit.

Masat u mbështetën nga instalimi i 70 kamerave të reja për kontrollin e shpejtësisë dhe një strategji policimi që ndjek politikën kombëtare “Vizioni Zero”, e cila synon eliminimin e të gjitha vdekjeve dhe lëndimeve serioze në rrugë.

Sipas të dhënave nga Liikenneturva, agjencia kombëtare e sigurisë rrugore e Finlandës, vdekjet në rrugët e Helsinkit janë në rënie të vazhdueshme që prej fillimit të kësaj strategjie.

Një transformim urban përtej statistikave

Autoritetet e Helsinkit janë përpjekur gjatë pesë viteve të fundit të ripërsërisin “mrekullinë” e vitit 2019, kur për herë të parë nuk u regjistrua asnjë vdekje e këmbësorëve apo çiklistëve në rrugët e qytetit.

Sipas Utriänen, kjo arritje është rezultat i një strategjie afatgjatë zhvillimi urban, të mbështetur në të dhëna dhe dizajn inteligjent të hapësirave publike. Në shumë pjesë të qytetit, rrugët janë ngushtuar, janë mbjellë pemë dhe është krijuar një mjedis që nxit kujdes më të madh nga shoferët. Kjo ndjesi vizuale e kompleksitetit urban e bën më të vështirë lëvizjen me shpejtësi të lartë në zonat e banuara.

Në të njëjtën kohë, Helsinki ka investuar ndjeshëm në infrastrukturën për këmbësorë dhe çiklistë, duke ndërtuar një rrjet shtigjesh biçikletash prej mbi 1,500 kilometrash. Transporti publik është përforcuar me automjete pa karbon dhe është siguruar financim nga Banka Evropiane e Investimeve për ndërtimin e një linje të re tramvaji.

Statistikat flasin vetë

Utriänen tha se përmirësimet në infrastrukturë dhe planifikimin urban kanë ndihmuar në uljen e përdorimit të makinave, çka ka sjellë një rënie drastike të aksidenteve të rënda. Ndërmjet viteve 2003 dhe 2023, numri i lëndimeve në trafikun rrugor në qytet ra nga 727 në vetëm 14.

Model për Bashkimin Evropian

Suksesi i Helsinkit nuk ka kaluar pa u vënë re në Bruksel, ku Komisioni Evropian po bën presion mbi shtetet anëtare për të përmbushur objektivin e vendosur në vitin 2018: uljen me 50% të vdekjeve në rrugë deri në vitin 2030.

Komisioneri i Transportit, Apostolos Tzitzikostas, theksoi më herët këtë vit se shumica e vendeve anëtare nuk janë në rrugën e duhur për ta arritur këtë qëllim. Por modeli i Helsinkit tregon se me politika të zgjuara, veprim konkret dhe përkushtim të qëndrueshëm, vizioni për rrugë pa viktima është i realizueshëm.

Kurti në hapjen e DokuFest-it: Kultura si forcë për zhvillim dhe edukim

Nën dritat e Kalasë së Prizrenit dhe pranë rrjedhës së lumit Lumbardh, është hapur zyrtarisht edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest. Në praninë e qindra artdashësve, festivali më i njohur i filmit në Kosovë nisi rrugëtimin e tij me një program të pasur që do të zgjasë nëntë ditë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë ngjarje si një motor të fuqishëm zhvillimi, duke theksuar ndikimin që DokuFest ka jo vetëm në fushën artistike, por edhe në atë kulturore, ekonomike dhe edukative. “Ka dëshmuar qëndrueshmëri ekonomike, shoqërore e artistike. Është një organizatë që lidh zhvillimin kulturor me zhvillimin lokal”, u shpreh Kurti, përcjellë KultPlus.

Këtë vit, festivali sjell mbi 100 filma nga rreth 50 vende të botës, të ndarë në shtatë kategori garuese dhe të shfaqur në tetë kinema të ndryshme të qytetit. Përmes programeve të edukimit dhe përfshirjes në shkolla, DokuFest po ndihmon në rritjen e brezit të ri të kineastëve në vend.

Kryeministri theksoi gjithashtu rritjen e përkrahjes institucionale për festivalin gjatë katër viteve të fundit, duke vlerësuar organizatorët për punën dhe pasionin e tyre.

Prizreni tashmë ka hyrë në një atmosferë magjike që vetëm DokuFest di të krijojë./KultPlus.com

Stili i veshjes së Elisabet II/ Ekspozita me 200 veshje ikonike të Mbretëreshës

Mbretëresha Elisabeth II në Britani të Madhe, edhe pse është ndarë nga jeta vijon të tërheqë vëmendjen. Një ekspozitë kushtuar stilit të përjetshëm të saj do të hapet në 2026 në Galerinë e Mbretit në Londër. Aty do të shfaqen mbi  200 veshje ikonike të Mbretëreshës, shumë prej të cilave nuk janë parë kurrë më parë nga publiku

Stili i veshjes së Elisabet II/ Ekspozita me 200 veshje ikonike të

Në vitin 2026, në Galerinë e Mbretit në Londër, do të hapet ekspozita më e madhe që i është kushtuar stilit të Mbretëreshës Elisabet II, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj.

Ekspozita, titulluar “Queen Elizabeth II: Her Life in Style”, do të shfaqë mbi 200 veshje ikonike të Mbretëreshës, shumë prej të cilave nuk janë parë kurrë më parë nga publiku.

Një nga elementet më të spikatura të ekspozitës do të jetë fustani i famshëm i vitit 1956, krijuar nga Sir Norman Hartnell, një nga stilistët më të njohur të kohës.

Fustan i artë, i zbukuruar me qëndisje dhe perla, do të ekspozohet së bashku me veshje të tjera mbretërore që pasqyrojnë shijen dhe elegancën e Mbretëreshës gjatë viteve

Ekspozita do të hapë dyert në pranverën e vitit 2026, me datat dhe mundësinë e blerjes së biletave që do të njoftohen në nëntor të vitit 2025.

Ky është një mundësi unike për të udhëtuar nëpër historinë e modës dhe stilit të një prej figurave më të njohura të shekullit të 20-të.

Në vitin 2023 u hap një ekspozite e veçantë për mbretëreshën Elizabeth dhe qentë e saj.

DJ Fatboy Slim ‘e bëri’ pjesë të Sunny Hill, reagon Rita Ora: Mirëserdhe në vendlindjen time

DJ i famshëm britanik Fatboy Slim mbrëmë gjatë performancës së tij në festivalin Sunny Hill ka prezantuar para publikut edhe një këngë të këngëtares me famë botërore, Rita Ora.

Në një prononcim për media Fatboy Slim tha se me këngëtaren Rita Orën kishte qenë pak më i afërt sesa me Duan. DJ gjithashtu tha se priste një mesazh nga këngëtarja Ora.

Pas pak kohe Rita Ora bëri një postim publik në Instagram, duke i uruar mirëseardhje atij në vendlindjen e saj.

“Mirëserdhe në vendlindjen time, miku im”, ka shkruar këngëtarja Ora.

Aura e Çikës plot hire

Aura e Çikës plot hire

Pal Shtufi


Kaluan tri ditë që Prishtina është mbushur me njerëz të huaj e vendas, të cilët qarkullojnë rrugëve të saj dhe tërë Kosovës. Ecin vajza e djem të ri, duke u puthur pranë shtatoreve të Ibrahim Rugovës, Zahir Pajazitit dhe Nënës Terezë. Rini në elementin fantastik të saj. Rini, që kur sheh harenë e tyre, të vërshojnë lot gëzimi.

Prishtina ka festën e këngës. Prishtina ka festën e Çikës. Çika jonë është vetë festa! Është aura që rri pezull mbi qiellin e Prishtinës.

Dua Lipa është më shumë se këngëtare. Ajo është një formim ekselent i njeriut që ka respekt e dashuri për prindërit dhe atdheun e saj, të cilin e bartë gjithmonë me vete.

Dukagjinit, përbotshëm një falënderim – jo vetëm për mrekullinë e quajtur Dua, por më shumë për përkushtimin e tij për Prishtinën. Për mos-harresën. Për Sunny Hill-in, që po rritet e po bëhet gjithnjë e më i madh. Një atdhedashuri e pashembullt. Një largpamësi për t’u admiruar.

Dua, flutura jonë, tërë bekimet e Arbërisë rafshin mbi ty, hirësi!/KultPlus.com

Presidentja Osmani pret zyrtarin amerikan: Bashkëpunimi me SHBA-të, prioritet strategjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur sot në një takim zyrtar Zv. Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve, David A. Baker.

Në një postim në rrjete sociale, Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara, duke u shprehur se kur Amerika qëndron përkrah Kosovës, vendi është më i fortë, më i sigurt dhe më i zhvilluar, transmeton KultPlus.

Ajo ritheksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe industrinë e mbrojtjes, të cilën e vlerësoi si një mundësi me përfitime të ndërsjella.

Presidentja theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik, ndërsa nënvizoi se mbështetja amerikane në këtë proces është thelbësore./KultPlus.com

Shawn Mendes ndez natën, Mochakk sjell afterparty-n: Ja çfarë pritet sonte në Sunny Hill Festival

Atmosfera elektrizuese e Sunny Hill Festival vazhdon me natën e dytë, më 2 gusht, ku emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare dhe vendore do të marrin skenën dhe do të sjellin një përvojë të paharrueshme për publikun.

Festivali nis nga ora 14:00 në The Next Stage, me performanca nga DJ Bana Zahiti dhe Bletapërtace, të cilët do të hapin mbrëmjen me ritme të freskëta verore, shkruan KultPlus.

Pas orës 17:45, vëmendja zhvendoset në Sunny Hill Stage, ku do të ngjiten një sërë artistësh të njohur: Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainté, Pint, Ledri dhe Headie One.

Në kulmin e natës, do të performojë një nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore, Shawn Mendes, që pritet të sjellë një show të jashtëzakonshëm për fansat që kanë mbushur Prishtinën nga e gjithë bota.

Por mbrëmja nuk përfundon aty, në mesnatë hapet C4 Stage, ku do të nisë afterparty me performanca deri në orën 05:00 të mëngjesit. Pjesë e skenës do të jenë Sugar Rush, Artssassin, Uran B., dhe DJ-i brazilian Mochakk, i njohur për setet e tij unike dhe energjinë e jashtëzakonshme që sjell në çdo performancë.

Sunny Hill Festival po vazhdon të përmbushë pritshmëritë, duke e kthyer Prishtinën në një pikë takimi të muzikës botërore dhe një skenë që s’guxon të mungohet./KultPlus.com

‘Si është të shpenzosh 10 milionë dollarë për një çantë dore’, sipas njeriut që e bëri

Shitja rekord e çantës së parë Birkin të Hermès ishte një nga ankandet më të jashtëzakonshme të kohëve moderne. Muajin e kaluar, një përballje me nëntë ofertues nisi me një ofertë prej 1 milion eurosh, duke e bërë menjëherë çantën më të shtrenjtë të të gjitha kohërave. Kur ofertat arritën në 6 milionë euro, duartrokitje spontane shpërthyen në sallën, zakonisht të përmbajtur të Sotheby’s në Paris. Pas rënies së çekiçit të ankandit në 7 milionë euro, që do të thotë se me tarifat e përfshira, blerësi anonim në telefon do të paguante ekuivalentin e 10.1 milionë dollarëve, shpërthyen ovacione.

Në anën tjetër të telefonit, mbi 6,000 milje larg, biznesmeni japonez Shinsuke Sakimoto po përpiqej të përpunonte guximin e asaj që sapo kishte bërë.

“Ishte blerja më e shtrenjtë që kam bërë ndonjëherë për një send të vetëm,” tha Sakimoto, CEO i kompanisë së rishitjes së luksit Valuence Holdings, në intervistën e tij të parë të madhe që nga kjo shitje historike. “Ishte shumë emocionuese, por më bëri të ndihesha keq në stomak.”

Biznesi i Sakimoto-s lidhet, të paktën pjesërisht, me çantat e dorës të përdorura. Ato që kompania e tij rishet mund të kushtojnë shumë më pak se Birkin origjinale, por shpesh arrijnë mijëra dollarë. Megjithatë, 43-vjeçari mbetet një blerës i pazakontë për një nga objektet më të kërkuara të modës, një prototip i dizajnuar për ikonën britanike Jane Birkin, që më vonë u bë simbol luksi.

Ish-futbollist në ligën e parë japoneze, Sakimoto luajti disa ndeshje profesionale para se të largohej nga klubi dhe të tërhiqej në moshën 22-vjeçare. Ai hapi dyqanin e tij të parë të rishitjes së luksit në Osaka në vitin 2004, pasi kishte punuar më parë në biznesin e të atit, përpara se të themelonte kompaninë Sou (që më vonë u bë Valuence) shtatë vjet më vonë.

Sakimoto ruan një konkurrencë të brendshme që ai e lidh me të kaluarën e tij si sportist. Duke rrëfyer ankandin 10-minutësh nga zyra e tij në Tokio, ai i përshkroi ofertuesit e tjerë si “aite” (kundërshtar) dhe “teki” (armik). Edhe kur ofertat po i afroheshin kufirit të tij maksimal, ai i kërkonte përfaqësueses së tij në telefon që të përgjigjej menjëherë.
“Kthehu brenda tre ose pesë sekondash,” kujton ai t’i ketë thënë. “Duhej të isha agresiv.”

“Ishim pothuajse në kufirin maksimal, por në ato pak minuta po strategjizonim se si të krijonim presion psikologjik te kundërshtarët dhe t’i detyronim të dorëzoheshin.”

Natën para ankandit, Sakimoto e kishte parë në ëndërr dy herë se kishte fituar ofertën.
“Hymë në këtë proces me shumë besim,” tha ai. “Dhe në një farë mënyre, na zgjodhën zotat e modës për të zotëruar Birkin-in e parë.”

Por përtej romantizmit të ëndrrave që bëhen realitet, kjo ishte një lëvizje e mirëfilltë investimi. Blerjet në ankand janë kthyer në një strategji të zakonshme PR për korporatat (si rasti i sipërmarrësit të kriptovalutave Justin Sun që bleu veprën e artit me banane të Maurizio Cattelan për 6.2 milionë dollarë dhe më pas e hëngri). Tek e fundit, pronari teknik i çantës Birkin është Valuence, jo CEO-ja i saj personalisht, dhe vlera e kompanisë bazohet në kthimin e investimeve.

Sakimoto llogarit se publiciteti i krijuar nga ankandi i muajit të kaluar do të gjenerojë “disa miliardë jen”, ose një shumë me tetë shifra në dollarë, si “vlerë reklamuese” gjatë dekadës së ardhshme.
“Ishte e sigurt që oferta fituese do të thyej rekordin, që do të thoshte se do të raportohej në mbarë botën,” tha ai, pa bërë shumë përpjekje për të idealizuar motivin. “Të gjithë ranë dakord dhe e kuptuan se ky ishte një investim i mirë.”

Edhe pse planet e sakta ende nuk janë zbuluar, kompania shpreson ta vendosë çantën e saj në ekspozim publik. Mijëra njerëz e panë atë kur u ekspozua nga Sotheby’s në Nju Jork para ankandit të fundit. Ajo ka qenë më parë pjesë e ekspozitave në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork dhe në Victoria & Albert Museum në Londër.

“Qëllimi i fitimit të kësaj vepre arti nuk është që të bëhet pronë personale e të pasurve, por të krijohet një model i ri pronësie, që kompani si e jona dhe shoqëria të ndajnë së bashku,” tha Sakimoto, duke shtuar:
“Dëshirojmë ta ruajmë atë për të ardhmen dhe ta ndajmë me të gjithë.”

Historia e këtij prototipi nuk ka të bëjë vetëm me simbolin e luksit që lindi, por me mënyrën se si ai u krijua. Jane Birkin vetë konceptoi dizajnin gjatë një takimi të rastësishëm me presidentin e Hermès, Jean-Louis Dumas, në një fluturim për në Londër në vitin 1984. Pasi sendet e saj ranë nga çanta Kelly (një nga modelet e mëparshme të Hermès), ajo propozoi një çantë më të madhe e më pak të strukturuar.

“I thashë: ‘Pse nuk bën një çantë që të jetë katër herë më e madhe se Kelly, që mund ta lësh hapur?” i tha ajo Christiane Amanpour të CNN-it në vitin 2020. Dumas i kërkoi ta vizatonte idenë, kështu që ajo e skicoi atë në një qese për të vjella të avionit.

Hermès e krijoi dhe ia dhuroi Birkin-it të parën prej tyre. Ndërsa më vonë modeli u prodhua në ngjyra dhe materiale të ndryshme, çanta e saj ishte prej lëkure të zezë të thjeshtë, me inicialet “J.B.” të gdhendura. Ajo kishte gjithashtu një palë gërshërë të vogla të varura në rrip, pasi Birkin dëshironte të mbante thonjtë gjithmonë të shkurtuar, sipas Sotheby’s. Aktorja, e cila vdiq në vitin 2023, tha se e kishte përdorur çantën pothuajse çdo ditë nga viti 1985 deri në 1994, kur e shiti për të mbështetur kërkimet për HIV/AIDS.

Sakimoto pranon se nuk ka qenë adhurues afatgjatë i Birkin. Por ai tha se pa ngjashmëri mes misionit të saj dhe atij të kompanisë së tij.
“Sa më shumë hulumtova për jetën dhe qëndrimet e Jane Birkin, aq më shumë kuptova sa interesante ishte ajo,”tha ai.
“E ndjeva që kisha një lidhje shumë të fortë me këta njerëz, dhe rolin e tyre si ambasadorë apo shpërndarës vlerash, që përputhen vërtet me filozofinë e biznesit të kompanisë sonë.”

Kjo filozofi është e përqendruar rreth qarkullimit dhe ripërdorimit. Valuence pohon se bizneset e saj të rishitjes dhe riciklimit vetëm në një vit kanë shmangur 5.3 milion ton emetime karboni dhe më shumë se 70 miliardë galonë ujë të shpërdoruar duke ulur kërkesën për veshje, bizhuteri dhe mallra luksi të reja.

Dhe si simbol më i mirë i kësaj filozofie sesa një çantë 41-vjeçare që vazhdon të jetë funksionale, pavarësisht përdorimit të përditshëm për gati një dekadë?/CNN/KultPlus.com

Rupert Everett: ‘Më larguan nga Emily in Paris, për mua ishte një tragjedi’

Aktori britanik Rupert Everett ka zbuluar së fundmi se nuk do të rikthehet më në serialin e njohur të Netflix, “Emily in Paris”. I njohur për rolin e Giorgio Barbieri, drejtori i një firme dizajni të brendshëm, që u shfaq në një episod të sezonit të fundit, Everett tha se është larguar nga seriali pa paralajmërim.

“Më pushuan. Bëra një skenë në sezonin e fundit dhe më thanë: ‘Vitin tjetër do të flasim,’” tha ai gjatë një interviste në festivalin ndërkombëtar të filmit Marateale në Maratea, Itali.
“Prita që të më telefononin, por në fund, nuk ndodhi kurrë, dhe thjesht më pushuan.”

Everett shtoi se industria e filmit ka qenë gjithmonë e vështirë:
“Bota e spektaklit është gjithmonë shumë e vështirë, nga fillimi deri në fund. Kur shkruajnë skenarin, mendojnë se të duan, por pastaj gjërat ndryshojnë dhe humbasin personazhin tënd. Nuk e di pse.”

Për aktorin, kjo përvojë ishte veçanërisht e dhimbshme:
“Për mua, ishte një tragjedi,” tha ai.
“Qëndrova në shtrat për dy javë sepse nuk mund ta kapërceja.”

Megjithatë, Everett mbetet aktiv në projekte të reja. Sipas IMDb, ai ka disa filma në zhvillim, përfshirë komedinë “The Liar” ku luan përkrah Jeff Goldblum. Ndërkohë, fansat mbeten me shpresë se ai do të rikthehet në rolin e tij të dashur George Downes në një vazhdim të mundshëm të filmit të njohur të vitit 1997, “My Best Friend’s Wedding”./CNN/KultPlus.com

Në ndjekje të legjendës naziste, leje zyrtare për kërkimin e ‘Trenit të artë’

Një përparim i rëndësishëm mund të jetë bërë në kërkimin shumëvjeçar të “trenit të artë të Hitlerit”, trenit legjendar që, sipas gojëdhënave, është i ngarkuar me ar, stoli dhe madje edhe me “Dhomën e Ambrës”, një kryevepër artistike me një vlerë të përllogaritur deri në 300 milionë euro.

Që prej vitit 1945, qeveri, forca ushtarake dhe gjuetarë thesaresh në Poloni kanë kërkuar pa ndërprerje për këtë tren misterioz, i cili besohet se u zhduk në kaosin e fundvitit të Luftës së Dytë Botërore. Tashmë, vëmendja është përqendruar në veri të vendit, në zonën Dziemiany, ku autoritetet kanë dhënë zyrtarisht leje për kryerjen e shpimeve dhe sondazheve arkeologjike.

Zyra për Mbrojtjen e Monumenteve ka miratuar kërkimet në një bunker të dyshuar të periudhës naziste. Një zëdhënës i Zyrës Rajonale deklaroi se vendndodhja mund të jetë një depo e fshehtë gjermane. “Disa spekulojnë se mund të jetë edhe Dhoma e humbur e Ambrës,” tha ai.

Sipas Jan Delingowski, ish-oficer radioje në flotën tregtare, në fund të vitit 1943 nazistët ngritën një terren stërvitor për njësitë SS në atë zonë. Ai e lidh këtë aktivitet edhe me figurën e errët të Erich Koch, një prej zyrtarëve më famëkeq të regjimit nazist.

Dokumente të deklasifikuara nga Instituti i Kujtesës Kombëtare tregojnë se shërbimi sekret polak dhe KGB-ja sovjetike kanë qenë të interesuara për Koch, me shpresën se ai do të zbulonte vendndodhjen e “trenit të artë”.

Një dëshmi interesante vjen nga një i burgosur që e takoi Koch në vitet ’80. Ai pretendon se nazisti i tha vendin ku ishte fshehur thesari. Sipas këtij rrëfimi, treni kishte devijuar nga itinerari i tij drejt lumit Oder dhe kutitë me pasuri ishin fshehur në një bunker të kamufluar mbi një kodër, pranë një liqeni dhe në afërsi të ish-barakave të SS-ve.

Kërkimet e mëparshme në këtë zonë kanë zbuluar një strukturë murature të vjetër, një rezervuar i ndërtuar me tulla, duke i dhënë më shumë peshë teorive që qarkullojnë prej dekadash.

Nëse zbulimi konfirmohet, ai mund të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme arkeologjike të shekullit – jo vetëm për vlerën materiale të thesarit, por edhe për ndriçimin e pjesëve të errëta dhe ende të pashpjeguara të fundit të Luftës së Dytë Botërore./KultPlus.com

Pas restaurimit, Kisha e Shën Marisë rihapet për besimtarët dhe vizitorët

Kisha e Shën Marisë në Mamurras, Kurbin, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, është rikonstruktuar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.

E ndërtuar rreth shekullit XI, kjo kishë bizantine lidhet me figura historike si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe bashkëshortja e tij Donika, të cilët thuhet se e kanë frekuentuar për meshë dhe ceremoni fetare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot se falë partneritetit mes ministrisë, programit EU4Culture dhe agjencisë së Kombeve të Bashkuara UNOPS, objekti i kultit është rikthyer në gjendjen e tij autentike.

“Kisha e Shën Marisë në Mamurras, një perlë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kurbinit, ndërtuar rreth shekullit XI, e ku Gjergj Kastrioti e Donika thuhet e vizitonin për meshë apo kremtimin e ceremonive fetare. Pas dëmtimeve nga tërmeti i 2019-s, falë partneritetit të MEKI-it me EU4Culture dhe UNOPS, kjo kishë bizantine është rikthyer si simbol i historisë, harmonisë fetare dhe turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ministri Gonxhja.

Restaurimi i kësaj kishe është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e kthyer atë në një destinacion të vizitueshëm për vendas dhe të huaj njëkohësisht./atsh/KultPlus.com

Armend Rexhepagiqi sjell një natë magjike muzike në Kalanë e Ulqinit më 5 gusht

Koncert i paharrueshëm në Kalanë e Ulqinit, Armend Rexhepagiqi do të performojë më 5 gusht.

Nën qiellin veror dhe mes mureve shekullore të Kalasë së Ulqinit, të martën më 5 gusht, pritet të mbahet një nga mbrëmjet më të veçanta të sezonit, këngëtari i mirënjohur Armend Rexhepagiqi do të mbajë një koncert të hapur për publikun, duke sjellë emocione dhe muzikë të paharrueshme.

Koncerti fillon në ora 21:30 dhe hyrja është falas. Ngjarja organizohet në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës”, i cili tradicionalisht mbledh bashkë shqiptarët nga mbarë bota për të festuar kulturën, muzikën dhe lidhjet e përjetshme me vendlindjen.

Organizator i këtij aktiviteti është Komuna e Ulqinit, me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës, Organizatës Turistike dhe Qendrës për Kulturë. Atmosfera pritet të jetë magjike, me tingujt karakteristikë të Rexhepagiqit që do të jehojnë nën dritat e kalasë dhe emocionet e publikut që çdo vit mbush këtë ngjarje me jetë./KultPlus.com

Projekti që nxjerr në dritë monumentet e harruara, ‘Triada e Trashëgimisë së Arbërit’

Organizata mjedisore ‘REC Albania’ ka zhvilluar projektin “Triada e Trashëgimisë së Arbërit”, duke organizuar një eksperiencë të paharrueshme kampingu në Kepin e Rodonit, një prej siteve të restauruara në kuadër të programit EU4Culture.

‘REC Albania’, e njohur për angazhimin e saj në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes këtij projekti ka sjellë në vëmendje disa prej monumenteve kulturore dhe natyrore të shpesh të anashkaluara. Ndër to përfshihen Kisha Manastir në Rubik, Ura e Kurçajt dhe Kisha e Shën Ndout në Kepin e Rodonit. Projekti ndërthur edukimin, turizmin e qëndrueshëm dhe ndërgjegjësimin mjedisor, duke përfshirë të rinjtë dhe komunitetet lokale në procesin e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë.

Kjo nismë realizohet me mbështetjen e programit të granteve EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Triada e Trashëgimisë së Arbërit” synon jo vetëm të rikthejë vëmendjen te këto thesare historike dhe natyrore, por edhe të ndërtojë ura mes brezave të rinj dhe trashëgimisë së tyre kulturore përmes përvojave gjithëpërfshirëse dhe ndërgjegjësuese./atsh/KultPlus.com

Krijuesi i ‘Peaky Blinders’ do të shkruajë filmin e ardhshëm të James Bond

Amazon MGM Studios ka konfirmuar se Steven Knight, krijuesi i serialit të famshëm “Peaky Blinders”, do të jetë skenaristi i filmit të ardhshëm të James Bond. Filmi, i cili aktualisht është në zhvillim, do të drejtohet nga regjisori i “Dune”, Denis Villeneuve. Ky projekt vjen pas tërheqjes së producentëve afatgjatë të serisë, Barbara Broccoli dhe Michael G Wilson, të cilët u larguan në shkurt.

Në një intervistë Knight tha: “Ka qenë gjithmonë në listën time të dëshirave dhe është fantastike të jem i ftuar për ta bërë, mezi pres të filloj.”

Ai shtoi: “Shpresoj që, duke qenë fans i Bond për kaq shumë vite, kjo të më jetë përvetësuar dhe të jem në gjendje të krijoj diçka që është njëkohësisht e njëjtë por ndryshe, më e mirë, më e fortë dhe më e guximshme.”

Megjithatë, Knight nuk dha asnjë detaj mbi aktorin që do të luajë rolin e 007 në filmin e ardhshëm. Daniel Craig u tërhoq nga roli në vitin 2021 pas pesë filmave si James Bond, dhe që prej atëherë ka pasur shumë spekulime mbi pasardhësin e tij.

Aktorët britanikë Aaron Taylor-Johnson dhe James Norton janë përfolur si kandidatë kryesorë, ndërsa emri i aktorit irlandez Paul Mescal është gjithashtu përmendur si një mundësi.

I pyetur për këtë, Knight tha: “Kjo është një pyetje shumë, shumë e mirë, dhe është një për të cilën nuk mund t’ju jap përgjigje.” Ai nuk sqaroi nëse kjo ishte për shkak se nuk e di ende, nuk lejohet ta zbulojë, apo sepse ende nuk është marrë një vendim.

Knight është ndoshta më i njohur për shkrimin e dramës fituese të BAFTA-s në BBC One, “Peaky Blinders”, me protagonist Cillian Murphy. Seriali, i vendosur në Birmingham pas Luftës së Parë Botërore, zgjati gjashtë sezone dhe aktualisht po përshtatet në një film për Netflix.

Në vitin 2004, ai u nominua për Oscar për skenarin e filmit “Dirty Pretty Things”, me aktorët Chiwetel Ejiofor dhe Audrey Tautou. Ai është gjithashtu krijuesi i serialit të vitit 2024 në BBC One, “This Town”, vendosur në Coventry në vitet ’70 dhe ’80, i cili fitoi një çmim nga Royal Television Society.

Punët e tjera të Knight përfshijnë filmin “Spencer” të vitit 2021, me Kristen Stewart në rolin e Princeshës Diana, i cili i solli asaj një nominim për Oscar.

Filmi më i fundit i James Bond, “No Time to Die” i vitit 2021, u shkrua nga Neal Purvis, Robert Wade, Cary Joji Fukunaga dhe Phoebe Waller-Bridge.

Duke folur për procesin e përzgjedhjes për filmin e ri, Knight tregoi: “U ftaova në një takim me [producenten] Amy Pascal, nuk e dija për çfarë ishte, dhe shumë shpejt e kuptova dhe u emocionova shumë dhe u bëra shumë shpresëplotë.”

“Më pas ndiqet një proces ku bëhen disa takime, diskutohen disa ide dhe pastaj mësohet nëse e ke marrë.”

“Pra, unë e kam mësuar prej kohësh, por u shpall mbrëmë – që është fantastike.”

Ai pranoi se është një detyrë me “shumë presion”, por shtoi: “Duhet të bësh atë që bën, dhe ta bësh sa më mirë që mundesh.”

Filmi më i ri i Bond po prodhohet nga Amy Pascal dhe David Heyman, ndërsa revista prestigjioze e industrisë së filmit, Variety, ka sugjeruar se publikimi i tij mund të ndodhë në vitin 2028./BBC/KultPlus.com

‘You lived a movie’: Rikthimi i paharrueshëm i Dua Lipës në skenën kosovare

Faqja zyrtare e Sunny Hill ka ndarë një moment epik pas performancës së Dua Lipës në Prishtinë, duke e përshkruar koncertin si një përvojë të paharrueshme.

Me fjalët “YOU LIVED A MOVIE”, postimi shpreh emocionin dhe madhështinë e mbrëmjes ku artistja jonë ndërkombëtare ndezi skenën në një rikthim të jashtëzakonshëm në vendlindje. Me falënderime për magjinë që solli në shtëpi dhe për historinë që shkroi sërish, Sunny Hill e shpall natën e 1 gushtit 2025, një moment që do të kujtohet gjatë në zemrat e publikut dhe të gjithë Kosovës./KultPlus.com

Alexander Graham Bell, shpikësi i telefonit, që u bë zëri i dashurisë për nënën dhe gruan e tij të shurdhër

Duhej një ironi fati që të kishte një Alexander Graham Bell. Që ai të kishte nënën dhe gruan të shurdhra, që ai ta kthente në një sfidë personale, krijimin e objekteve të dëgjimit, mes të cilave, ai që fitoi famë botërore do të ishte telefoni.

Nëse nuk e dinit, ja ku e mësuat, se gjithçka e atij telefoni që keni në dorë, ati mjeti komunikimi që ju bashkon me njerëzit dhe po e bën botën gjithnjë e më të vogël, është në sajë të këtij burri, të kësaj mendjeje, të këtij shpirti trazimtar, që i ndëshkuar nga fati të kishte dy njerëz të shtrenjtë me probleme serioze dëgjimi, të sillte në jetë magjistarin e komunikimit në distancë, telefonin.

Alexander Graham Bell (3 mars 1847 – 2 gusht 1922) ishte një shkencëtar, shpikës, inxhinier dhe inovator skocez, që është vlerësuar për shpikjen e telefonit të parë praktikë dhe për bashkëthemelimin e Kompanisë Amerikane të Telefonisë dhe Telegrafisë (AT&T) në 1885.
Babai, gjyshi dhe vëllai i Bellit, kishin qenë të gjithë të lidhur me punën e oratorisë dhe fjalimeve, dhe si mamaja ashtu dhe gruaja e tij ishin shurdhe, duke e ndikuar thellësisht punën e jetës së tij. Kërkimet e tij mbi dëgjimin dhe fjalimet e çuan atë më tej në eksperimentimin me mjete dëgjimi që kulminikuan në shpërblimin e Bellit me patentën e parë amerikane për telefonin në vitin 1876.

Bell e konsideronte shpikjen e tij më të famshme një hyrje në punën e tij të vërtetë si shkencëtar dhe refuzoi të kishte një telefon në studion e tij. Jetën e tij të mëvonshme e shënuan shumë shpikje të tjera, duke përfshirë punën e tij inovatore mbi telekomunikimet optike, hidroplanet dhe aeronautikën. Megjithëse ai nuk ishte një nga 33 themeluesit i National Geographic Society, ai gjithashtu kishte një ndikim të fortë në revistë ndërsa shërbente si presidenti i dytë nga 7 janari i vitit 1898 deri në vitin 1903.

Puna e tij u ndërtua mbi punën e Hermann von Helmholtz, i cili kishte arritur të përçonte tingujt zanore duke përdorur një akordim kontrapion pirun. Bell kuptoi se kjo nënkuptonte mundësinë e komunikimit të të folurit të artikuluar. Pushimi i madh i Bell erdhi pas përdorimit të një fonautografi, i cili vizatonte formën e valëve të zërit në xhamin e tymosur duke gjurmuar dridhjet e tyre. Më pas ai shpiku një mënyrë për ta shndërruar këtë lëvizje në ndryshime të rrymës elektrike, e cila më pas, në fundin marrës, mund të shndërrohej përsëri në zë./AlbertVataj/KultPlus.com

“Njëqind Vjet Vetmi”, rikrijimi filmik i Netflix që solli magjinë e Macondos në ekran

Pas më shumë se pesë dekadash nga botimi i saj dhe pasi vetë autori e kishte refuzuar për një kohë të gjatë çdo adaptim filmik, vepra madhështore e Gabriel García Markez, “Njëqind Vjet Vetmi”, ka marrë jetë në ekran përmes një produksioni ambicioz të Netflix.

Seriali, i publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar, ka ngjallur entuziazëm të madh te lexuesit, kritikët dhe shikuesit në mbarë botën, duke sjellë për herë të parë në format audiovizual historinë e familjes Buendía dhe qytetit legjendar të Macondos.

Realizuar në gjuhën spanjolle dhe i xhiruar pjesërisht në Kolumbi, seriali ka ruajtur me përpikëri frymën poetike dhe kaotike të romanit, duke përfshirë elementet e realizmit magjik që e kanë bërë këtë vepër një monument të letërsisë botërore, duke publikuar 8 episoda më 11 dhjetor të vitit 2025, prej 16 të planifikuar. Regjia, skenografia dhe muzika janë vlerësuar për qasjen besnike, por edhe krijuese, ndaj atmosferës së veçantë të librit.

Familja e Gabriel García Markezit kanë qenë të përfshirë ngushtësisht në procesin e prodhimit, duke përcjellur ruajtjen e integritetit artistik të veprës.

Kjo ishte hera e parë që trashëgimtarët e autorit dhanë leje për një përshtatje filmike të “Njëqind Vjet Vetmi”, pasi vetë Markezi kishte qenë gjithmonë skeptik ndaj mundësisë së rikthimit të librit në një medium vizual.

Rezultati ka qenë një sukses i madh kritik dhe kulturor, një serial që jo vetëm i bën nder origjinalit, por edhe u jep jetë imazheve që për dekada kanë jetuar vetëm në imagjinatën e lexuesve. Me këtë adaptim, Netflix ka realizuar jo thjesht një projekt ambicioz, por një ngjarje artistike që shënon një moment të rrallë ku letërsia dhe kinemaja takohen në mënyrë të denjë./KultPlus.com

Enigma e Mesopotamisë

Në librin “The Mesopotamian Riddle”, gazetari dhe shkrimtari amerikan Joshua Hammer sjell një rrëfim të gjallë dhe plot ndërlikime për përpjekjet shekullore për të deshifruar gjuhët dhe shkrimet më të hershme të njerëzimit, ato të Mesopotamisë së lashtë.

Një nga episodet më të paharrueshme të këtij rrëfimi është zbulimi i bërë në fillim të viteve ’60 të shekullit XX nga George Smith, i cili në rrënojat e bibliotekës së djegur në Ninevë gjeti një fragment të historisë së Utnapishtimit, një mbret i mirë që shpëtoi nga një përmbytje e madhe duke ndërtuar një anije, shekuj përpara rrëfimit të Noes. Ky tekst është pjesë e Epit të Gilgameshit dhe ishte shkruar me shkrim kuneiform, një sistem gërmimesh trapezoidale mbi pllaka balte, i krijuar përmes një kallami të mprehur.

Në qendër të librit janë tre figura që u përfshinë në garën për të deshifruar kuneiformin:
Henry Rawlinson, një ushtar britanik dhe punonjës i Kompanisë së Indisë Lindore, që punoi mbi mbishkrimet shumëgjuhëshe të Behistunit në Iranin perëndimor. Ato përmbanin të njëjtin tekst në persishten e vjetër, elamisht dhe akadianisht, dhe nëse deshifrohej njëra, të tjerat mund të kuptoheshin më lehtë. Rawlinson përdori kallëpe papier-mâché për të riprodhuar shkrimet dhe pretendoi se ia doli të deshifronte tekstin, ndonëse shumë nga përfundimet e tij u sfiduan më vonë.

I dyti ishte Austen Henry Layard, një arkeolog praktik dhe këmbëngulës, që punoi me Rawlinsonin dhe bëri zbulime të rëndësishme në rajonet e lashta mesopotamike.

I treti, Edward Hincks, një pastor irlandez dhe njohës i hebraishtes, vuri re ngjashmëri të thella midis teksteve kuneiforme dhe tregimeve biblike. Edhe pse shpesh i anashkaluar nga bashkëkohësit, ai më vonë mori vlerësimin që i takonte për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në këtë fushë.

Hammer i përshkruan këta tre si një “pas de trois herë miqësore, por shpeshherë kontradiktore”. Libri është i mbushur me histori dytësore, që nga Lufta e Krimesë dhe uria e patateve në Irlandë, te rivalitetet perandorake mes Rusisë dhe Britanisë, deri te zbulimi i Pompeit dhe zakonet e magëve zoroastrianë, duke e bërë rrëfimin një mozaik të pasur të historisë, politikës dhe filologjisë.

Në mes të kësaj pasurie tematike, qëndron sfida e deshifrimit: një përpjekje për të kuptuar simbolet që ngjajnë me gjurmë zogjsh, por që ruajnë historinë e shkruar të qytetërimeve të para. Hammer na kujton se përballë kohës, ajo që mbetet, më shumë se pergamena apo letra, janë pllakat e baltës dhe përpjekjet e njerëzve për t’i lexuar ato./KultPlus.com

Sarah Jessica Parker shpall fundin emocional të “And Just Like That…”, një epokë që mbyllet pas më shumë se 25 vitesh

Pas më shumë se dy dekadash histori, personazhe dhe ndjesi të paharrueshme, ekipi po i jep fund rrugëtimit të tij me përfundimin e sezonit të tretë dhe të fundit të serialit spinoff “And Just Like That…”. Lajmin e dhanë të premten aktorja kryesore Sarah Jessica Parker dhe krijuesi, skenaristi e regjisori Michael Patrick King.

“And just like that… tregimi i vazhdueshëm i universit ‘Sex And The City’ po përfundon,” shkroi King në një deklaratë të postuar në llogarinë zyrtare të serialit në Instagram. “Teksa po shkruaja episodin e fundit të sezonit të tretë të ‘And Just Like That…’, u bë e qartë për mua se ky mund të ishte një vend i mrekullueshëm për të ndalur.”

Vendimi për të mbyllur serinë, sipas King, u mor në bashkëpunim me Sarah Jessica Parker, e cila është edhe producente ekzekutive e serialit, si dhe me drejtuesit e HBO, Casey Bloys dhe Sarah Aubrey.

Parker ndau një mesazh emocional dhe poetik në rrjetet sociale për t’i dhënë lamtumirën serialit dhe personazhit të saj ikonik, Carrie Bradshaw, të cilën e portretizoi për herë të parë në vitin 1998.
“Carrie Bradshaw ka dominuar ritmin tim profesional për 27 vite. Mendoj se e kam dashur më shumë se të gjitha. E di që edhe të tjerët e kanë dashur ashtu si unë. Janë frustruar, e kanë kritikuar, por edhe e kanë mbështetur,” shkroi ajo ndër të tjera. “MPK dhe unë, siç kemi bërë edhe më parë, e pranuam së bashku: ky kapitull është i përmbyllur. “AJLT” ishte vetëm gëzim, aventurë, puna më e bukur dhe më sfiduese bashkë me një talent të jashtëzakonshëm prej 380 personash, përfshirë gjithë aktorët e shkëlqyer që u bashkuan me ne.”

“And Just Like That…” ishte kapitulli më i fundit dhe shpesh diskutues, që përfshin serialin origjinal fitues të çmimit Emmy, përfunduar në vitin 2004, dhe dy filma artistikë që pasuan më vonë.

Postimi i Parker përfshinte një përzgjedhje fotosh nga e gjithë rruga e këtij udhëtimi televiziv, nga karakteret kryesore si Miranda (Cynthia Nixon) dhe Charlotte (Kristin Davis), deri te Samantha (Kim Cattrall), që u shfaq edhe me një cameo në sezonin e dytë të “AJLT”. Pamjet përfshinin gjithashtu momentet e Carries me Stanford (Willie Garson, tashmë i ndjerë), Mr. Big (Chris Noth) dhe Aidan (John Corbett), si dhe personazhet e reja të “AJLT”, Seema (Sarita Choudhury) dhe LTW (Ari Nicole Parker), të cilat Parker i quajti “dy lidhjet më hyjnore të reja”.

Në postimin e tij, King shtoi se ata vendosën të mos e njoftojnë menjëherë lajmin për t’i lënë hapësirë argëtimit të sezonit. “Nuk donim që fjala ‘final’ të mbulonte kënaqësinë e shikimit të sezonit,” shkroi ai.

Seriali do të përfundojë gjatë dy të enjteve të ardhshme me një finale të ndarë në dy pjesë, duke shënuar përmbylljen e një epoke që ndikoi thellë në televizion, kulturë dhe breza të tërë shikuesish./CNN/KultPlus.com

Korbi

Poezi nga Edgar Allan Poe

Një mes-natë të bezdisur
Tek këndonja i zalisur
Disa pralla dhe magjira
Të një shkence të harruar,
Tek dremitnja i kapitur
Befas vjen një e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmi derë t’odës sime.
“Dikush është, thashë, jashtë
Që troket mi derën time –
Vetëm kjo, dhe asgjë më.

Ah, e mbanj nër ment fort mirë,
Ishte dimr’ i ftoht’ i ngrirë,
Dhe n’oxhakun shkrump të nxirë
Urët shuheshin në hi.
Desha të gëdhihej dita,
Se më kot nga librat prita
Të më ngushëllonte drita
Për të lumurën Lenore,
Vajz’ e rrallë dhe rezore,
Q’i thon Engjëjtë Lenorë,
Përmi dhe pa emër më.

Era frynte që përjashta,
Rrihte perdet e mëndafshta
Dhe më ngjethte dhe më derthte
Tmerre që s’i ndjeva kurrë.
Dhe tani që të pushonte
Zemr’ e mjerë që lëftonte
Goja po më belbëconte,
“Dikush do të hynjë brenda;
Nonjë vizitor i vonët
Që kërkon të hynjë brenda.
Kjo do jet’ e asgjë më.

Mblodha veten menjëherë
Edhe frikë më pa ndjerë:
“Zot, i them, a Zonjë, fajin
Ndjemani, ju lutem shumë,
Se për Zotin po dremitnja,
Aq’ e hollë ish trokitja,
Aq’ e lehtë ish goditja
Përmi derë t’odës sime
Sa me-zi ma zuri veshi.”
Dhe e hapa derën sheshit,
Errësir’ e asgjë më.

Syrin thellë n’errësirë
Shumë ndenja në drithtirë,
Endërra duke shikuar
Që njeri s’ka ëndërruar;
Mirpo nat’ e errët heshtte
Edhe tjatër gjë s’më theshte
Veç një emër që më deshte
Pëshpëritur si “Lenore!”
Këtë un’ e pëshpërita,
Dikush m’u –përgjeq: “Lenore.”
Vetem kjo, dhe asgjë më.

N’odë prapë me të kthyer
Shpirti ndezur, zemra thyer
Përsëri vjen një trokitje
Pak m’e fortë se më parë.
“Pa dyshim pa fjalë thashë
Dikush është aty jashtë,
Duhet vajtur, duhet parë
Që të zgjidhet ky mister.
Hesht, moj zemër e zhuritur,
Që ta zgjith këtë mister.
Era ësht’ e asgjë më.”

Hap ahere xhamën time
Kur me shumë fërfëllimë
Brenda hyn një Korb i mvrojtur
Madhështor i kohës vjetër.
As u-fal as përshëndoshi,
As bën tjatër punë boshi
Po si zot më shkon trimoshi
Dhe qëndron mi derën time –
Ngjitet mi një bust Pallade
Mun mi derë t’odës sime –
Ngjitet, rri, dhe s’bën gjë më.
Më zu gazi, më shkoi tmerri
M’atë Korb të zi si Ferri,
Që po mbahej aq’ i rëndë
Aq’ i lartë dhe i thom:
“Ndonëse je perce-prerë,
S’ka dyshim, je trim i ndjerë,
Korb i mvrojtur, i vrerosur,
Arratisur zall më zall;
Thua-m’mrin tëntë me nam
Anës detit Plutonian!”
Thotë Korbi: “Kurrë më.”

U-çudita fort, pa masë
Kur dëgjova Korb të flasë
Ndonëse ajo përgjigjie
S’kishte as kuptim as lidhje;
Se asnjë s’munt të më thotë
Që nonjë njeri në botë
Gjer tani ka parë shpendë
Mun mi derë t’odës tij,
Shpend’ a shtazë mi statujë
Mun mi derë t’odës tij,
T’emëruar “Kurrë më.”

Mirpo Korbi rrinte shtruar
Përmi bustin e latuar
Dhe thosh vetëm atë fjalë
Që nga shpirti plot me flagë.
Asnjë pendë më s’lëviste
Asgjë tjater s’murmuriste,
Edhe zemra më thërriste:
“Miqt’ e tjere ikn’ e shkuan;
Nesër edhe ky do t’ikë
Si dhe shpresat që m’u-shuan.”
Thotë Korbi: “Kurrë më.”

I habitur nga përgjigja
Që më dha kur nuk e prisnja,
“Pa dyshim, kjo fjalë, thashë,
Esht e vetëma që di,
Q’e mësoj nga i-zot’ i mjerë,
Derë-mbyllur, derë-sterrë,
Që e ndoqi, e dogji zia,
Dhe e shojti lebetia.
Gjer sa vaj’ i shpresës tij
S’qe veç dëshpërim i zi
Dhe kurrë, kurrë më.”

Edhe Korbi më mbërtheu
Dhe në gas buzën ma ktheu.
Shpejt, pra, një kolltuk rotova
Edhe derës iu-afrova;
Dhe i ndenjur ëndërronja
Dhe me mendjen po kërkonja
Që të gjenja, të zbulonja
Ç’desh të theshte Korb’ i zi,
Korb’ i mvrojtur, i vrerosur
Arratisur zall më zall
Me dy fjalët “Kurrë më.”

Këtë desha të çkoqitnja
Po as fjale nuk i flisnja
Korbit që me sy prej prushi
Zemrën si me zjarr ma mbushi;
Kështu rrinja i trallisur,
Pshtetur kryet mi përkresën
Kadifeje të qëndisur
Që e ndritte llamba sipër,
Mi të cilën ah, e mjera
Do mos pshtetet më përsipër
Do mos pshtetet kurrë më.

Era u-dent përmi qilimet
Me temjan nga Serafimet
Që u tingëllinin zilet
Posht’ e lart në dysheme.
“Ja, me Engjëj, mor i mjerë,
Të çoj Zoti këtë herë
Prehje, prehje dhe nepenthe
Të harrosh Lenorën lart.
Pi, gëlltit këtë nepenthe
Dhe harro Lenoren lart!”
Thote Korbi: “Kurrë më”

“Profet, thashë, nëmë-rëndë,
Po profet, qofsh djall a shpëndë!
Qoftë, se të çoj shtërgata
A Shejtan’ i Ferrit zi,
Të përhumbur, të patrembur
Tek ky vend i shkret’ i dhembur
Tek ky burg me tmerr i shembur,
Thuaj-më, vërtet, të lus:
A ka në Gallad ballsam?
Thuaj, thuaj-më, të lus!”
Thotë Korbi: “Kurrë më.”

Profet, thashë, nëmë-rëndë
Po profet, qofsh djall a shpëndë!
Për një Qjell dhe Perëndi
Që po lusim un’ e ti,
Thuaj-m’i zemrës që mban zi
A do shoh n’Eden të shenjtë
Vajzën a do kap të shtrenjtë,
Q’i thon’ Engjëjtë Lenore,
Vajz’ e rrallë dhe rezore,
Q’i thon’ Engjëjtë Lenore?
Thotë Korbi: “Kurrë më.”

Mbyll-e gojen, dreq a shpendë!
Ngrihem dhe thërres më këmbë,
Çporru prapë mu në djall,
Në Skëterrë dhe në zall!
Pendë mos më shkunt të zezë
Të më rrej’ e të më ndezë,
Mos ler shenjë të gënjeshtrës
Që më the, po shko prej derës!
Nxir-m’a qipin tënt prej zemrës
Thyej qafën jashtë derës!
Thotë Korbi: “Kurrë më.”

Edhe Korb’ i zi i humbur
Qëndron edhe i patundur
Mi të zbetin bust Pallade
Mun mi derë t’odës sime.
Edhe syte i shkëndritin
Si prej djajsh që ëndërritin
Edhe llamba që ndrit sipër
Ia heth hien përmi dhe;
Shpirti im nga ajo hie
Që valon atje mi dhe
Do mos ngrihet – kurrë më./KultPlus.com

Përktheu dhe përshtati në shqip Fan S. Noli

“Rame Lahaj & Friends”: Një Natë Gala për të kuruar shpirtin në zemër të Prishtinës

Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj International Opera Festival” (RLIOF) po mbyllet me një natë gala madhështore, sot, më 2 gusht, në sheshin qendror të Prishtinës. “Rame Lahaj & Friends”, një mbrëmje muzikore e konceptuar si kulmi i gjithë festivalit, sjell një përjetim unik nën qiellin e hapur, ku muzika operistike takohet me emocionin kolektiv të një publiku të etur për art të vërtetë.

Krah tenorit Rame Lahaj, do të ngjiten në skenë sopranoja e famshme gjeorgjiane Nino Machaidze, një yll i skenave si La Scala dhe Metropolitan Opera, si dhe bas-baritoni italian Dario Russo, i njohur për mjeshtërinë e tij në interpretimin e repertorit klasik italian. Nën drejtimin e dirigjentit të shquar Roberto Rizzi Brignoli dhe të shoqëruar nga Orkestra e Operës së Kosovës, nata gala premton një repertor të fuqishëm, emocional dhe frymëzues.

Kjo mbrëmje e veçantë mban të gjallë moton e festivalit: “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” – një mesazh për përbashkim përmes artit, ku zëri bëhet urë mbi dallime, ndarje dhe paragjykime, si dhe kjo natë gala jo vetëm e demokratizon përvojën operistike, por edhe e shndërron qytetin në një teatër të hapur për të gjithë, ku opera nuk është privilegj, por pasuri e përbashkët.

Kjo natë përmbyllëse nuk është vetëm një koncert, është një deklaratë kulturore. Është dëshmi e mundësisë që Kosova jo vetëm të konsumojë artin botëror, por edhe ta krijojë atë, ta eksportojë dhe ta kthejë në identitet të vetin. Prandaj, “Rame Lahaj & Friends” është shumë më tepër se një natë e bukur operistike, është një akt krenarie, një gjest mirënjohjeje dhe një ftesë e hapur për të ëndërruar pa kufi.

Në një kohë kur arti shpesh sfidohet nga realitetet e ditës, RLIOF dhe nata e tij gala mbeten dëshmi se kultura është forca më e butë, dhe më e fuqishme, që kemi për t’u bashkuar si shoqëri. Në këtë frymë, Prishtina më 2 gusht nuk do të jetë vetëm kryeqyteti i Kosovës, por për një natë, kryeqyteti i operës./KultPlus.com

Pse Statuja e Lirisë është në qendër të luftërave kulturore në SHBA

Një pikturë e artistës së njohur amerikane Amy Sherald, e cila rishfaq Statujën e Lirisë si një grua afrikano-amerikane transgjinore, ka ngjallur një debat të ashpër në Shtetet e Bashkuara mbi kuptimin dhe përdorimin e simboleve kombëtare. Sherald, e njohur më parë për portretin zyrtar të Zonjës së Parë Michelle Obama në vitin 2018, u përball me presion për të hequr veprën e saj “Trans Forming Liberty” nga një ekspozitë e ardhshme në Smithsonian’s National Portrait Gallery, një institucion i financuar nga shteti. Në vend që të tërhiqte pikturën, Sherald zgjodhi të anulojë të gjithë ekspozitën, duke e cilësuar situatën si “kulturë censure”.

Që nga shfaqja e saj për herë të parë më 1886, Statuja e Lirisë ka qenë arenë debati. Fillimisht, ajo u kritikua si nga feministet që e panë përfaqësimin e lirisë me figurën e një gruaje si hipokrizi, ashtu edhe nga konservatorët që shqetësoheshin për nxitjen e emigracionit. Megjithatë, figura e saj mbeti një simbol i fuqishëm për ata që kërkonin strehë dhe shpresë në Amerikë.

Amy Sherald i jep këtij simboli një interpretim të ri: figura e modelit, Arewà Basit, artiste me ngjyrë që identifikohet si trans-femme jo-binare, është paraqitur me një fustan ngjyrë ultramarin dhe flokë ngjyrë rozë neon, mbi një sfond periwinkle. Në vend të pishtarit të famshëm, ajo mban lule Gerbera, një simbol i gëzimit dhe shpresës, që kujton figurën paqësore por sfiduese të Banksy-t, “Flower Thrower”.

Sherald përdor teknikën e saj të veçantë të pikturimit në nuanca gri, duke sfiduar perceptimet për racën dhe identitetin. Ajo synon që piktura të jetë një hapësirë për ata që janë margjinalizuar dhe të cilëve u është mohuar njerëzia. Në një deklaratë, ajo tha se vepra “ekziston për të mbajtur hapësirë për dikë që është politizuar dhe shpërfillur”. Ky mesazh bie në rezonancë me poezinë e Emma Lazarus të gdhendur në statujë, që fton “turmat e lodhura që kërkojnë të marrin frymë të lira”.

Por në një klimë politike gjithnjë e më të polarizuar, një interpretim i tillë has në rezistencë të fortë. Në fillim të vitit, Presidenti Donald Trump nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv që njeh vetëm dy gjini, mashkull dhe femër, dhe ndalon financimin për projekte që, sipas administratës së tij, “ndajnë amerikanët në baza racore ose promovojnë ideologji të papajtueshme me politikat federale”. Ky urdhër u shoqërua me një tjetër, që kërkon nga institucionet kulturore federale të paraqesin një version “të pandarë dhe heroik” të historisë amerikane.

Në këtë klimë presioni, organizatorët e ekspozitës së Sherald u tërhoqën nga përfshirja e pikturës, pas një takimi me Nënpresidentin JD Vance, i cili, sipas një burimi anonim, shprehu shqetësime për natyrën “woke” të veprës. Sherald zgjodhi të mos e sakrifikojë lirinë e shprehjes për ekspozitë publike, një qëndrim që i dha pikturës më shumë vëmendje dhe jehonë sesa në çdo galeri.

Ndërkohë që debatet për simbolet kombëtare intensifikohen, ekspozita të tjera, si ajo në Independence National Historical Park në Filadelfia, janë vënë në qendër të rishikimeve federale. Informacionet për skllavërinë, brutalitetin ndaj skllevërve dhe trajtimin e amerikanëve indigjenë janë tashmë në pikëpyetje, pasi autoritetet kërkojnë që çdo ekspozitë të reflektojë një narrativë “pozitive dhe bashkuese”.

Por, ashtu si struktura elastike që Gustave Eiffel krijoi për Statujën e Lirisë, e ndërtuar për të duruar tërmete e stuhitë, edhe vetë kuptimi i “lirisë” mund të jetë po aq i qëndrueshëm dhe i ndryshueshëm me kalimin e kohës. Kjo pikturë, edhe pse u përjashtua nga një hapësirë publike, i shton një tjetër shtresë kuptimi dhe provokimi një simboli që prej kohësh ka qenë arenë betejash kulturore.

Ndoshta më shumë se kurrë, pyetja nuk është më çfarë është Liria, por kush ka të drejtë ta përfaqësojë atë./BBC/KultPlus.com