Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të grupit Labour Friends of Kosovo nga Mbretëria e Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim një delegacion të grupit Labour Friends of Kosovo nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët i ka uruar për fitoren e partisë së tyre në zgjedhjet e fundit.

Sipas Osmanit, themelimi i këtij grupi është një moment i rëndësishëm në raportet ndërmjet të dy shteteve dhe se do të luaj rol të rëndësishëm në partneritetin e qëndrueshëm midis të dy shteteve.

Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për përkushtimin e palëkundur në mbështetjen e Kosovës, si dhe angazhimin e vazhdueshëm për paqe dhe stabiliteti në rajon.

“Me Laburistët erdhi liria”, ka cituar Osmani fjalët e ish-kryeministrit Tony Blair në vitin 1999, ndaj në këtë kontekst ka potencuar domosdoshmërinë e vazhdimit të mbështetjes së Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar.

Sipas saj, një Kosovë e sigurt dhe e qëndrueshme kontribuon drejtpërdrejt në një Evropë më të sigurt. Andaj, ka potencuar që në fushën e bashkëpunimit bilateral, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë duhet të ketë fokus të veçantë.

Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të ndërsjellë dhe në dobi të qytetarëve në të dy shtetet./ KultPlus.com

Edith Durham: Pastërtia shtëpiake e shqiptarit, shembull për të tjerët

Edith Durham për shqiptarët

“Ai është zakonisht artizan i shkathët dhe punon në mënyrë industriale. Gati e tërë prodhimtaria e qëndistarisë së bukur nga ari e Ballkanit është vepër shqiptare. Kostumi madhështor i Oborrit të Malit të Zi ishte krijimtari e rrobaqepësve shqiptarë. Shumica e argjendarëve të Ballkanit, gjithashtu, janë shqiptarë apo me prejardhje shqiptare. Dhe, mjaft e çuditshme- siç thotë Mis Durhami – shumica e formësimeve artistike që akoma bëhen nga ata u përngjajnë ornamenteve të gjetura në varreza parahistorike, sa që së bashku shkathtësia dhe stolia duket se janë trashëguar nga ilirët e lashtë. Ajo pastaj vazhdon duke pohuar se pastërtia shtëpiake e shqiptarit mund të jetë shembull për shumë të tjerë.” / KultPlus.com

Erza Muminoviq fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos U-23

Xhudistja kosovare, Erza Muminoviq, ka fituat medaljen  e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos U-13, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka bërë Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nëpërmjet një postimi në Facebook.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të MKRS-së:

Erza Muminoviq ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos U-23, që po mbahet në Pila të Polonisë.

Urime Erzës dhe Federatës së Xhudos së Kosovës. Shumë suksese tutje./KultPlus.com

“Djali” me regji të Erson Zymberit premierë në Teatrin e Gjilanit: Secili shikues do të largohet i tronditur

Era Berisha

“The Son” është një film dramë i vitit 2022 me regji nga Florian Zeller nga një skenar i shkruar nga vetë ai dhe Christopher Hampton. Filmi bazohet në shfaqjen skenike të Zeller të vitit 2018. “The Son” pati premierën botërore në Festivalin e 79-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ndërkaq një adaptim i ri dhe i veçantë është duke u bërë gati të vihet në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit e që vjen si projekt individual i Ernest Zymberit, me mbështetjte të MKRS-së dhe organizatës Anamour. Bëhet fjalë për shfaqjen teatrore “Djali” me regji të Erson Zymberit, i cili synon që secilin shikues ta bëjë të largohet i tronditur nga kjo shfaqje, por mbushur me një reflektim për të kuptuar thellësinë e asaj se çka do të thotë të jesh njeri, shkruan KultPlus.

Në qendër të shfaqjes kemi një familje që përpiqet të ribashkohet pasi është shpërbërë. “Djali” përqendrohet tek Pjeri, jeta e të cilit me foshnjën dhe partneren e tij të re përmbyset kur ish-gruaja e tij shfaqet në derën e tij për të diskutuar djalin e tyre Nikolasin, i cili tani është adoleshent. I riu ka muaj që mungon në shkollë dhe është shumë i shqetësuar. Pjeri përpiqet të kujdeset për Nikolasin ashtu siç do të donte që babai i tij të ishte kujdesur për të. Megjithatë, punët nuk i ecin mbarë.

“Djali” vjen si thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne. Regjisori Zymberi ka zgjedhur “Djali-n” për shkak të temës universale dhe prekëse që trajton lidhur me marrëdhëniet familjare dhe vuajtjet e brendshme që shpesh janë të padukshme për të tjerët. Kjo histori duket se e ka sfiduar si regjisor sepse e ka “ftuar” që të eksploroj ndjeshmërinë njerëzore dhe komunikimin e heshtur që, ndonëse i pashprehur, është i thellë dhe emocionalisht i ngarkuar. Pra, kjo është një histori që i përket gjithkujt dhe, në të njëjtën kohë, ndan një intimitet unik për çdo individ dhe familje.

Ajo se çka e ka ngacmuar regjisorin Zymberi për ta vënë në skenë “Djali-in”, është pikërisht tema që synon të shpaloset nëpërmjet tekstit. Shfaqja përbën një eksplorim të veçantë të delikatesës së shpirtit të një të riu që përpiqet të artikulojë dhimbjen e tij përmes një bote që nuk arrin ta dëgjojë.

“Kjo vepër më ngacmoi sepse nuk ka të bëjë thjesht me një marrëdhënie të tensionuar prind-fëmijë, por me atë përballje universale ku çdo individ gjendet mes dëshirës për t’u kuptuar dhe pamundësisë së të tjerëve për të hyrë plotësisht në botën e tij. Kjo është një histori e thellë, ku ndjenjat më të brishta dhe të ndërlikuara shprehen në çdo heshtje, në çdo shikim dhe në çdo lëvizje të ngathët mes personazheve”, ka thënë regjisori Zymberi.

Autori i filmit/shfaqjes, Zeller, ka një tendencë për të dhënë dritë mbi çështjet e shëndetit mendor dhe qasja regjisoriale e regjisorit Zymberi vihet mbi thellimin në atë humnerë të fshehtë që qëndron mes dhimbjes dhe moskuptimit, ku personazhet janë të kapur mes dëshirës për të ndihmuar dhe pafuqisë për ta bërë këtë.

“Po punojmë për të krijuar një atmosferë ku çdo detaj – qoftë ai një dritë e zbehtë, një heshtje e gjatë apo një lëvizje e përmbajtur – të përcjellë ankthin dhe trishtimin që mbush çdo cep të skenës. Synoj që kjo shfaqje të jetë një përvojë teatrale për publikun, ku ata të mund të ndihen pjesë e barrës emocionale që të gjitha këto ndjenja sjellin. Është një lloj zhanri, stili a teatri që i ngjan shfaqjes sime Gishti (që e kam punuar në 2015, në Teatrin Kombëtar të Kosovës), e që po i rikthehem prapë. M’paska marrë malli për këtë teatër”, shpalos ai.

Janë gjithsej pesë personazhe brenda shfaqjes (Pjeri, Ana, Nikolasi, Sofia, Doktori), dhe konsiderohet që çdo karakter në “Djali-n” është një univers emocional në vetvete. Pjeri (Kushtrim Qerimi) një prind që kërkon të jetë mbështetës, është një figurë që ka ndërtuar një mur për të mbrojtur veten nga dhimbja; Ana (Safete Mustafa-Baftiu), nga ana tjetër, është thellësisht empatike, por e konsumuar nga paaftësia për të “shëruar” birin e saj. Nikolas (Yzeir Meha), i mbështjellë në një botë që as vetë nuk e kupton plotësisht, është pasqyrë e të gjithë atyre që ndihen të zhytur në mjegullën e depresionit. Sofia (Tringa Hasani) përfaqëson indiferencën e botës së jashtme, dhe Doktori (Florent Salihu) është kufiri i ashpër mes ëndrrës dhe realitetit.

“Aktorët i përzgjodha me shumë kujdes, me shumicën preh tyre kam punuar disa herë, dhe i njoh shumë mirë, përveç aktorit që luan djalin (Yzeirit) të cilin e kam parë së fundmi në një shfaqje dhe i cili më ka dhënë shumë energji dhe e kam dalluar menjëherë për rolin e Djalit”, tregon Zymberi.

Kur flasim për vështirësitë me të cilat është përballur deri më tani, regjisori Zymberi thotë se ajo kryesorja ka qenë kapja e asaj balancë të brishtë mes vuajtjes dhe bukurisë së heshtjes. Pasi kjo është një vepër që kërkon një ndjeshmëri të veçantë për t’i dhënë çdo fjalë dhe çdo heshtje kuptimin e vet, po punohet intensivisht për krijimin e një ndjenje bashkëpunimi dhe kuptimi mes aktorëve, ku çdo lëvizje dhe çdo shikim është plot kuptim dhe ngarkesë emocionale. Në këtë vepër, komunikimi është aq i rëndësishëm sa edhe moskomunikimi.

Provat për “Djali-n” tashmë kanë filluar dhe po jepet shumëçka nga secili për të arritur në drejtim të premierës, që do shfaqet më 22 nëntor. Ekziston një përkushtim i madh i aktorëve, dhe sipas regjisorit Zymberi, ata janë zhytur thellë në emocionet e personazheve të tyre. Besohet që secili prej tyre ka kaluar përtej skenës, duke u bërë një me ndjesinë e rolit. Momentalisht, ata janë në një fazë ku çdo provë sjell diçka të re dhe të papritur, që kontribuon në ndërtimin e një përvoje unike për premierën.

Kompleksitetet familjare shpeshherë njihen si tabu në vendin tonë. Regjisori Zymberi synon që shfaqja të jetë një pasqyrë e ndershme e realiteteve tona të brendshme.

“Në vendin tonë, shpesh përpiqemi t’i shmangim këto tema të vështira, por në këtë shfaqje, ndjej që është koha për t’i hapur këto dyer dhe për të treguar se edhe ne jemi të brishtë, edhe ne kemi dhimbjet tona të fshehura. Kjo vepër është një thirrje për të pranuar që ndjesitë njerëzore nuk duhet të fshihen; ato janë pjesë e natyrshme e jetës”, thotë ai.

Për regjisorin Zymberi, pritet që kjo shfaqje të shpalosë tek publiku një ndjesi të thellë të lidhjes emocionale që ngrihet mbi çdo element të skenës.

“Shfaqja është krijuar në mënyrë të tillë që çdo spektator të ndiejë barrën dhe bukurinë e brishtë të ndjenjave njerëzore. Ata do të përjetojnë një përvojë ku emocioni i pashprehur, vuajtja dhe gëzimi bashkohen në një të vetme”, përfundon Zymberi.

“Djali” është projekt i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me bartës Ernest Zymberi./ KultPlus.com

Edhe dashuria mund të vdes

Poezi nga Federico García Lorca

Sa të rëndë janë ditët.
Në asnjë zjarr nuk mund të ngrohem,
nuk më qesh më asnjë diell,
gjithçka është bosh,
çdo gjë është e akullt e pa mëshirë
madje edhe të shtrenjtat yje të qarta
më shikojnë pa ngushëllim,
qysh kur kam kuptuar në zemrën time,
që edhe dashuria mund te vdesë./ KultPlus.com

Nëntori i Festave, Rama: Ngjyra kuqezi në aktivitetet kulturore dhe sportive në shkolla

Nxënës dhe mësues nga shkolla të ndryshme të vendit kanë organizuar aktivitete festive në kuadër të Festave të Nëntorit.

Një ndër to ka qenë edhe gara për Kupën e 80-Vjetorit të Çlirimit në shkollat e vendit, ku ekipet e volejbollit dhe futbollit po përballen për të fituar trofeun që mban peshën e këtij përvjetori historik për vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një fotoalbum nga aktivitetet e organizuara në shkollat e vendit.

“Nëntori i Festave vjen me ngjyrat kuqezi në shkollat tona, me ekspozita, aktivitete kulturore dhe sportive në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit dhe Ditës së Pavarësisë”, u shpreh Rama.

Atmosfera e festave të 28-29 Nëntorit ndjehet në çdo institucion arsimor të vendit, ku po organizohen aktivitete të ndryshme me ngjyrat kuqezi./atsh/KultPlus.com

Shkrimtari dhe poeti Eqrem Basha sot feston 76 vjetorin e lindjes

Eqrem Basha, poet, prozator, skenarist e akademik, u lind më 15 nëntor 1948 në Dibër, Maqedoni, ku kreu shkollën fillore dhe të mesmen.

Në vitet 1967-1971 studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve botoi tregime, vjersha dhe kritikë për film e televizion. Më 1972 punon në gazetën Rilindja, në të cilën shkruan për artet figurative. Nga janari i vitit 1974 deri më 5 korrik 1990 (kur u përjashtua me dhunë) punoi në TV Prishtina, në fillim redaktor i redaksisë së dramës, kurse në fund redaktor përgjegjës i Programit Kulturo- Artistik. Gjatë kësaj periudhe (në vitin 1992 në Arl dhe në vitin 1994 në Paris) disa herë qëndron në Francë me punë në projekte përkthimesh të dramaturgjisë frënge, kurse pas kthimit kryen punën- redaktor i kulturës në revistën javore Koha.

Në vitin 1994, bashkë me Gani Bobin, Rexhep Ismajlin dhe Shkëlzen Maliqin, themelon shtëpinë botuese Dukagjini të Pejës, ku edhe sot është redaktor përgjegjës. Ka marrë pjesë në shumë takime letrare dhe në festivale ndërkombëtare të poezisë (Paris, Bruksel, Amsterdam, Varshavë, Lion, Die, Grënobël, Leuven, Lodeve, Seyni, Bukuresht, Konstancë, Vjenë, Grac, Gjenevë, Stavanger, Barcelonë, etj.), në festivale filmi e televizioni, në tryeza dhe debate ndërkombëtare.

Basha shkruan tregime, romane, vjersha, skenarë për film e TV, radiodrama dhe kritikë për artin figurativ. Përkthen nga frëngjishtja, italishtja dhe nga gjuhët sllave.

Eqrem Basha është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ku u zgjodh në vitin 2004. / KultPlus.com

118 vjet nga vdekja e Gavril Dara i Riu, autori i veprës së njohur “Kënga e sprapsme e Balës”

Gavril Dara i Riu ka lindur në Palac Adriano të Sicilisë, më 8 janar 1826. Studimet i kreu në Seminarin arbëresh të Palermos. Vite më vonë mbrojti doktoraturën në drejtësi.

Më 1858 botoi fletoren letrare “Palingenesi” (përtëritja e jetës) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”, e cila botohej në Romë. Më 1864 shkroi një poemë prej 1300 vargjesh, e cila titullohej “Ana Maria“.

Pasioni i tij ishte poezia dhe folklori. Kështu ai ka lënë në dorëshkrim veprën “Kënga e sprapsme e Balës”, e cila është botuar e plotë në vitin 1906. Gavril Dara është marrë me gjuhësi, filozofi dhe arkeologji.

Ai ka vdekur në Girgeti, më 15 nëntor të vitit 1885. / KultPlus.com

124 vite nga lindja e Tahir Dizdarit, folkloristi dhe studiuesi i turqizmave në gjuhën shqipe

Tahir Dizdari është një figurë e shquar e shkencave albanologjike, ndër të vetmit që studioi fjalët turke në gjuhën shqipe. Ai ka lindur në Shkodër më 15 nëntor 1900 dhe mbylli sytë në Tiranë më 9 maj 1972.

Mësimet e para i mori në vendlindje dhe u vu re një prirje e tij ndaj gjuhëve të huaja.

Punoi në administratë, iu kushtua krijimit dhe funksionimit të administratës së re shqiptare, më 1929 botohet “Ligja e katundarive dhe e komunave”, ku luajti një rol kryesor në përpilimin e saj, një vepër që, duke bërë fjalë mbi formimin, organizimin dhe funksionimin e organeve lokale, hedh bazat e strukturave administrative të qëndrueshme e moderne. Më vonë, më 1935 boton broshurën “Udhëhjekës për konferenca”. Më 1930 qe dalluar për organizimin e regjistrimit të popullatës. Për këtë mori një përgëzim të veçantë: “Duke iu transmetue mesazhin e N. M. Tij Mbreti, ju përgëzoj për gjithë aktivitetin e ndihmën që treguat në veprën e kryeme për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”.

Po kështu në revistën “Ekonomia Kombëtare” lexojmë se Ministria e Ekonomisë Kombëtare e përgëzoi Dizdarin nënprefekti i Fierit për organizim garash hipizmi me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë.

Si monarkist dhe mbështetës i Mbretit Zog, Dizdari mori pjesë në qëndresën e armatosur kundër pushtimit italian të Shqipërisë në prillin e 1939. Duke e ditur qëndrimin e tij pro-zogist dhe përfshirjen në pritjen me armë të italianëve në Gomsiqe, u arrestua dhe u internua nga autoritetet fashiste. Me qeverisjen mike me gjermanët pas kapitullimit italian, iu rikthye studimeve mbi orientalizmin dhe shkrimeve në shtypin shqiptar.

Në maj të vitit 1945 bëhet bashkëpunëtor i gazetës “Bashkimi” dhe në tetor bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë viteve 1946-1951 merret me skedimin e fjalorit dhe me folklor. Në vitet 1946-1949 shëtit nëpër gjithë Shqipërinë, merr pjesë dhe në aksionet e rinisë, duke mbledhur nga goja e popullit material folklorik dhe etimologjik. I dorëzon Institutit të Folklorit një material të pasur prej 800 faqesh të daktilografuara.

Në shkurt të vitit 1951 arrestohet dhe mbahet për disa muaj në hetuesi në lidhje me të ashtuquajturën “bombë” në Ambasadën Sovjetike, por lirohet për mungesë provash. Fitoi pafajësinë në pikëpamje juridike, por jo nga ana politike. Pasojat do të tronditnin krejt jetën e tij dhe të familjes. Do të nxirrej nga shtëpia private, gruaja do t’i transferohej në Kukës me punë si mami. Një familje e tillë me “njollë” në biografi s’lejohej të jetonte në Tiranë (edhe fëmijët më vonë do të shpërndaheshin me punë, kush në Veri e kush në Jug). Në këto kushte ai do të detyrohej të flinte në një dyqan librarie e bukinistike, që kishte hapur që më 1952.

Në buletinin USHT (seria shkencore-shoqërore) e viteve 1960 dhe më vonë në Buletinin “Studime filologjike” (vitet 1964-1966) fillon botimi i një pjese të fjalorit të ardhshëm. Merr pjesë aktive dhe diskuton në të tri konferencat e studimeve albanologjike, që u zhvilluan në Tiranë në vitet 1962, 1968 dhe 1969.

Instituti i Gjuhësisë, duke i parë më së fundi aftësitë e Dizdarit, veçanërisht vlerën e fjalorit, i kapërceu rezervat në biografi dhe vendosi ta angazhojë në punë si bashkëpunëtor i vjetër shkencor në sektorin e leksikologjisë, duke filluar nga viti 1965 dhe deri më 9 maj 1972, kur ndërroi jetë.

Prof. J.Nemeth i Akademisë Hungareze të Shkencave e vlerëson veprën e Dizdarit, si një material jashtëzakonisht të pasur dhe me vlerë. Njëkohësisht shprehet, se në asnjërën prej gjuhëve të gadishullit të Ballkanit, nuk janë mbledhur elementët turk, në mënyrë kaq të përsosur.

Gjatë vitit 1944 boton në gazetën “Bashkimi i kombit” rubrikën “Pyes vetveten”, rubrikë që vazhdon në gazetën “Bashkimi” në vitet 1945-1946 me pseudonimin Hijekakeqi. Gjatë vitit 1944, po në gazetën “Bashkimi i kombit” ushqen me material rubrikën gjuhësore “Fjalë iranishte në gjuhën shqipe” me pseudonimin Bishtiqindija. Boton studimet toponomastike “Kraja” në gazetën “Bashkimi i kombit” dhe të “Katër Balët” në revistën “Bota e re”. Po kështu, gjatë vitit 1944 botoi artikujt me karakter satirik, “Bishtmbledhësit e cingareve” dhe “Me këta miq që janë sot” në “Bashkimin e kombit”. Pat vazhduar të shkruajë artikuj të ndryshëm në shtypin periodik, si në revistat “Kultura islame”, “Bleta”, etj.

Puna e tij e madhe dhe voluminoze 30-vjeçare (1941-1971) përfundoi me përpilimin e veprës madhore “Orientalizmat në gjuhën shqipe”, të cilën në dorëshkrim e depozitoi pranë Institutit të mësipërm. Pak kohë para se të vdiste, dorëzoi në atë institucion dorëshkrimin e punimit tjetër të gjatë në leksikografi me titull “Fjalë të pambledhura nga fjalorët e deritanishëm”.

Pak ditë pas vdekjes nga Instituti francez me prestigj “Colege de France” i erdhi ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e XXIX Ndërkombëtar të Orientalistëve, që do të mbahej në Paris më 1973./ KultPlus.com

Mbi 180 poezi në konkursin e poezisë “KultStrofa”, ceremonia më 22 nëntor

Mbrëmë është mbyllë thirrja për konkursin mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa” thirrje që ka pranuar mbi 180 poezi nga shtete të ndryshme të rajonit, Evropës dhe nga ShBA-të, shkruan KultPlus.

Ky konkurs vazhdon të mbetet një prej konkurseve më të kërkuar të poetëve në nivel mbarëkombëtar, ku për këtë edicion kanë ardhë poezi nga poetë të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, shteteve të ndryshme të Evropës dhe të ShBA-ve.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe njëherit themeluese e këtij konkursi që sivjet po shënon edicionin e shtatë është shprehë të jetë e lumtur me arritjet e shumta të poezive, e cila ka paralajmëruar edhe për ceremoninë kryesore të kësaj ngjarje të madhe kulturore

“Ceremonia e edicionit të shtatë të KultStrofa” do të mbahet më 22 nëntor në KultPlus Caffe Gallery, ku pritet të jetë një mbrëmje e ngrohtë poetike”, ka thënë Pajaziti, e cila ka njoftuar se kjo mbrëmje do të shoqërohet edhe me performancën e “Dhjetorit” dhe Bekës, njëherit edhe fituesit e Festivalit të RTK-së.

Ceremonia e kësaj mbrëmje do të mbahet prej orës 19:00 ku edhe do të shpallen dhjetë finalistët e edicionit të shtatë, sikurse që do të shpërblehen edhe tri poezitë kryesore të këtij edicioni, vendi i parë, i dytë dhe i tretë.

Poezitë e këtij edicioni do të vlerësohen nga juria profesionale në përbërje të: Entela Kasi, kryetare e jurisë, Lulzim Tafa dhe Vlora Konushevci.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Edicioni i shtatë i KultStrofa mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte./ KultPlus.com

Ruzhdi Ibrahimi triumfon në “Geneva Photo Awards 2024” me një foto ikonike

Albert Vataj

Fotografia shqiptare ka rrëmbyer lavdi në një tjetër përballje dinjitoze. Në një nga aktivitetet më prestigjioze ndërkombëtare, në “Geneva Photo Awards 2024”, ajo ka ardhur me punë të fuqishme dhe është larguar, jo vetëm me fitore, por edhe me një zë që ngre arti pamor dhe shpirtja shqiptare.

Në ekspozitën ndërkombëtare, ku fotografë nga gjithë bota ballafaqojnë punët e tyre më të mira, për një vlerësim dhe çmim, ka qenë fotografi shqiptar, Ruzhdi Ibrahimi, i cili jeton dhe punon në Basel, i cili fitoi vendin e tretë për fotografinë e tij të veçantë “Ballë përballë.” Ky çmim e vendos Ibrahimin ndër artistët më të dalluar të këtij konkursi prestigjioz.

“Ballë përballë”, më shumë se një foto e jashtëzakonshme, mesazhi që përcjell imazhi, merr një kuptim dhe vlerësim të disafishtë, pasi bëhet fjalë për një shqiponjë që sfidon një dhelpër. Shqiponja, shpendi ynë i flamurit dhe simboli ynë kombëtar, në këtë moment të fiksuar nga Ruzhdi Ibrahimi, tregon jo vetëm një çast të natyrës së egër, shpërfaqë gjithashtu mesazhin e betejave të pafundme që shqiptarët kanë patur dhe triumfuar në dhelpëri që janë bërë dhe bëhen fatit tonë historik.

Ruzhdi Ibrahimi, jo vetëm ka fituar me një foto të tillë një trofe, por ka arritur të realizojë një imazh ikonik, që meriton të jetë shumë më shumë se foto, një shprehje e natyrshme e ndeshjes dhe triumfit, e asaj që përfaqëson fati ynë. Ky fokus mund të jetë i rastësishëm, por nuk mund të lexohet vetëm si një ligjësi e jetës së egër.

Fotografia “Ballë përballë”, e cila ka tërhequr vëmendjen e publikut edhe gjatë pjesëmarrjes së saj në “Fokus Award 15” është një punë artistike që shpreh një emocion të thellë dhe një histori të fortë, si një film që i mbetet mendjes, e pse jo edhe si një përfytyrim që del nga imagjinata.

Fotografitë e Ruzhdi Ibrahimit kapin momente të rëndësishme, përmes së cilave ai përcjell një mesazh të qartë dhe një emocion të ndjeshëm kombëtar. Vizitorët e Photo Awards Geneva u ndalën për ta admiruar këtë vepër, duke e konsideruar një nga më të mirat e ekspozitës.

“Ruzhdi Ibrahimi ka arrit një sukses të madh për fotografinë shqiptare, duke fituar vendin e tretë në Geneva Photo Awards 2024 me fotografin e tij “Ballë përballë”, Ky çmim është një njohje e talentit dhe përkushtimit të tij, duke e vendos atë ndër artistët më të dallum të konkursit. Kjo arritje jo vetëm që përfaqëson suksesin e tij personal, por gjithashtu ndihmon në ngritjen e zarit të artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare të artit pamor.”, shkruan në një postim në Facebook, miku dhe kolegu i tij, Jetmir Troshani.

Ky aktivitet, kjo fotografi, kjo fitore e fotografit shqiptar, është gjithëpoaq mbështetje dhe inkurajimi për fotografët e “Jetës së Egër”, është një zë i fuqishëm në mbrojtje të natyrës dhe botës së egër, të habitatit të tyre, që kërcënohet nga shkatërrimi./KultPlus.com

Së shpejti premiera e filmit dokumentar “SENSEI: Driton Toni Kuka, Made in Kosova”

Më 26 nëntor do të shfaqet premiera e filmit dokumentar “SENSEI: Driton Toni Kuka, Made in Kosova” nga regjisori Vranin Gecaj, i cili pasqyron rrugëtimin e trajnerit të xhudos, Driton Kuka.

“Ky film dokumentar sjell për audiencën historinë e jashtëzakonshme të një legjende të sportit kosovar, e cila ka frymëzuar breza të tërë sportistësh dhe ka shkruar një kapitull të veçantë në historinë e xhudos dhe sportit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Përmes pamjeve dhe rrëfimeve emocionuese, dokumentari përshkruan përpjekjet e tij për të ngritur standardet e xhudos në Kosovs dhe arritjet e tij që kanë sjellë shumë medalje në Kosovë.

Premiera do të mbahet në Kino Armata në Prishtinë./KultPlus.com

Ekspozitë mbi persekutimi komunist ndaj hartuesve të alfabetit shqip

Në kuadër të shpalljes së 22 nëntorit, festë zyrtare kushtuar Kongresit të Alfabetit, Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit, në bashkëpunim me IN, “Muzeu i Alfabetit të gjuhës Shqipe – Manastir”, hapën sot në qytetin e Manastirit (Bitola), në Maqedoninë e Veriut, ekspozitën me temë: “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”.

Në këtë cikël të përkujtimit të Kongresit të Manastirit, personaliteteve dhe familjeve të tyre, kontribuues të Rilindjes Kombëtare, kjo ekspozitë trajton atë pjesë të historisë për të cilën është heshtur për vite me radhë.

Ekspozita paraqet dokumente, dëshmi dhe dosje hetimore gjyqësore që do të shfaqen për herë të parë për publikun.

Kjo ekspozitë synon një formë të veçantë edukative për mësuesit, të rinjtë dhe nxënësit për të njohur të vërtetën e së shkuarës së atyre që kontribuuan për gjuhën dhe historinë e Shqipërisë, por që shumë prej tyre, gjatë diktaturës, u shpërblyen me persekutime dhe harresë./atsh/KultPlus.com

Përfundon dezinfektimi, “Onufri” i hapur për publikun

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo bëri me dije sot se përfundoi procesi i dezinfektimit dhe mirëmbajtjes së arkitekturës së drunjtë në Muzeun Ikonografik “Onufri”.

Ky proces i bazuar në protokolle të caktuara, kryhet në fundvjeshtë, me qëllim parandalimin e shumimit të parazitëve të drurit gjatë ciklit të tyre të depozitimit, përpara rënies së temperaturave në stinën e dimrit.

“Kujdesi ndaj pasurisë së trashëgimisë kulturore është me rëndësi të madhe dhe detyrim ligjor për institucionin tonë”, u shpreh kryetari i bashkisë Berat, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” tashmë është i vizitueshëm në oraret përkatëse të sezonit dimëror.

Deri në përfundim të vitit 2024, ditët e hyrjeve pa pagesë janë:

– 28 Nëntor, Dita e Pavarësisë (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– 29 Nëntor, Dita e Çlirimit (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– E diela e fundit e çdo muaji të vitit (vetëm për shtetasit shqiptarë)./atsh/KultPlus.com

“PranverArt” ekspozon punët e 51 artistëve në GAT

Galeria e Artit Tiranë (GAT) çeli mbrëmë edicionin e 15-të të ekspozitës “PranverArt” nga një grup i njohur artistësh.

“PranverArt” është një grupim artistik i themeluar në pranverën e vitit 2010. Ideja e këtij emërtimi lidhet me një kujtesë të hershme, të ekspozitës “Pranvera”, që në vitin 1972 tentoi të bëjë diçka ndryshe nga standardet e ngurta e të rrepta të asaj kohe, regjimi i së cilës edhe e dënoi këtë lëvizje.

Këtë vit, edicioni i 15-të i “PranverArt” realizohet nën organizimin e piktorit Llazar Taçi dhe skulptorit Maksim Bushi.

PranverArt është mirëpritur nga GAT me një numër më të madh pjesëmarrësish si dhe me qëllimin e vazhdueshëm të galerisë për të promovuar emra të rinj në artin shqiptar.

Ky edicion i “PranverArt”, i çelur më 14 nëntor, do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 30 nëntor dhe do të ekspozojë veprat e 51 artistëve./atsh/KultPlus.com

Edith Durham: Gjuha shqipe flitet që nga fushat e Kosovës e deri te Gjiri i Artës, pa dyshim gjuha e ilirëve të lashtë dhe e Lekës së Madh

Editimin e kishte bërë i mirënjohuri J.A.Hammerton, ndërsa ishte botuar nga “The Amalgameted Press Lίmίted” në Londër. Kërkimet e këtij rasti Nimani i botoi në mars të vitit 2007 në të përmuajshmen “Albanica” dhe mes të tjerash shpjegon detaje mbi atë pjesë të këtij vëllimi enciklopedik që lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë.

Siç shpjegon Nimani vëllimi i parë i cili fillon nga faqe 1 deri në faqen 78, nga Abisinia deri te Perandoria Britanike përfshin edhe kapitullin që lidhet me Shqipërinë (Albania) fillon nga faqja 46 dhe përmbyllet me faqen 63. Pra, janë 18 faqe, 18 fotografi dhe 1 hartë, të gjitha në bardhë e zi. 15 faqe janë shkruar nga Mary Edith Durham, ndërsa 3 faqe të tjera nga H.T.Montague Bell.

Kapitulli më voluminoz ai me titull “Më i vjetri dhe më i veçanti i popujve të Ballkanit” është shkruar nga M.Edith Durham, autore e librit “High Albania”. Ndër të jera Durham shkruan: “Rreth vitit 600 para erës sonë ata u pushtuan dhe mbase u ndikuan gjerësisht nga keltët, nga veriu. Nga ky trung kelto – ilir ka prejardhejn shqiptari modern. Kështu, ai është banori më i vjetër i Gadishullit Ballkanik dhe fakti se ai ka mbijetuar pushtίmin dhe sundimίn e njëpasnjëshëm të romakëve, bullgarëve, serbëve e turqve dhe mbeti shqiptar, dëshmon mjaftueshëm ndjenjën e tij të fuqίshme kombëtare.

Asnjë pushtues nuk ka pasur sukses në kredhjen e tij”. Miss Durham pastaj shkruan se secili fis ka shenjtorin e vet mbrojtës dhe se festat kremtohen në mënyrë madhështore. Kostumet popullore me të gjitha zbukurimet femërore dhe mashkullore krijojnë pamje të paharrueshme. Lufta i ka shfarosur këto troje dhe e ka lënë popullatën e uritur të shketëruar, të plaçkitur radhazi nga malazezët, serbët, bullgarët dhe austriakët. Periudhat e volitshme shqiptarët i shfrytëzonin për rindërtimin e fshtrtave të djegura dhe normalizimin e jetesës.

Në vazhdim, Miss Durham përshkruan jetën e qytetarit gjithandej në Shqipëri, i cili ushtron një jetë shumë më ndryshe nga bashkatdhetari i tij fshatar. “Ai është zakonisht artizan i shkathët dhe punon në mënyrë industriale. Gati e tërë prodhimtaria e qëndistarisë së bukur nga ari e Ballkanit është vepër shqiptare. Kostumi madhështor i Oborrit të Malit të Zi ishte krijimtari e rrobaqepësve shqiptarë. Shumica e argjendarëve të Ballkanit, gjithashtu, janë shqiptarë apo me prejardhje shqiptare. Dhe, mjaft e çuditshme- siç thotë Miss Durham-shumica e formësimeve artistike që akoma bëhen nga ata u përngjajnë ornamenteve të gjetura në vαrreza parahistorike, sa që së bashku shkathtësia dhe stolia duket se janë trashëguar nga ilirët e lashtë. Ajo pastaj vazhdon duke pohuar se pastërtia shtëpiake e shqiptarit mund të jetë shembull për shumë të tjerë.

Kishat dhe xhamitë së bashku mund të gjenden në qytetet më të mëdha. Meqë turqit kishin pushtuαr Shqipërinë në fund të shekullit XV, shqiptarët vite me radhë kërkonin ndihmë nga Evropa e krishterë dhe posaçërisht nga Venediku. Askush nuk erdhi dhe në shekullin XVIII Islami filloi të përhapej në Shqipëri ashtu sikur edhe në trojet e tjera të Ballkanit. Por shqiptarët e vënë racën para religjionit dhe të krishterët me myslimanët u bashkuan të luf.tonin turqit për pavarësi.

As që është myslimani shqiptar fαnatik”. Në vijim Durham shkruan mbi martesat e përziera të shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë përkundër urdhrave të klerikëve, se anëtarë të të dyja religjioneve mund të gjendeshin ndonjëherë në një familje. Shumë fise janë të përziera dhe të krishterët dhe myslimanët kanë të njëjtat zakone kombëtare të trashëguara nga lashtësitë: ora-shpirti që shkreptin si zjαrri natën; shtriga-që mund të zvogëlohet sa miza, që përbirohet nëpër vrimë çelësi dhe që thith gjα.kun e vik.tίmës së saj.

Ka fshatarë në Shqipëri të cilët mund të shërojnë sëmundje të caktuara dhe kirurgë shumë të shkathët, të cilët mund të bëjnë ope.racίone, sepse ata i kuptojnë trajtesat antiseptike. Vërtet, duket se kjo mënyrë praktikohej në Shqipëri para se të njihej në Angli. Sipas Nimanit, “përqëndrimi i Durham fokusohet në të dhënat relevante mbi gjuhën e shqiptarëve, me ç’rast, ndër të tjera, shkruan se gjuha shqipe flitet që nga fushat e Kosovës e deri te Gjiri i Artës, se është pa dγshim gjuha e ilirëve të lashtë – të folurit maqedonisht e Aleksandrit të Madh. Vetë Straboni (nga shek.I i kohës sonë) na tregonte se të dy popujt (ilirët dhe maqedonasit) flitnin të njëjtën gjuhë. Ndaj kësaj gjuhe shqiptari, qoftë i krishterë apo mysliman, ndjen krenari me ngazëllim dhe ngulmim që përmban diçka heroίke”

Në vijim Durham shkruan se serbët, grekët dhe turqit më kot u përpoqën ta shkatërronin gjuhën shqipe. Serbët dhe malazezët kanë aneksuar mijëra e mijëra shqiptarë dhe kurrë nuk u kanë lejuar të kenë një shkollë apo të shtypin një letër në gjuhën e tyre amtare. Durham shkruan: “meqë shqiptarët e krishterë të jugut i takojnë Kishës Ortodokse, një peshkop grek këtu madje njëherë kishte shkishëruar gjuhën shqipe dhe priftërinjtë thoshin se ishte e padobishme të lutej në shqip meqë Krishti nuk e kupton atë. Nga ana tjetër, turku e dënonte me pesëmbëdhjet vjet burgίm çdokënd i cili ligjëronte apo botonte në gjuhën shqipe të ndaluar.

Por shqiptari i patundshëm i botonte librat e tij jashtë vendit dhe i fuste brenda fshehurazi me vështirësi dhe rrezik. Shqiptari mësoi dhe mbeti shqiptar. Kur kishte mundësi ai i kryente studimet në Vjenë apo Paris. Shumë studentë u arsimuan në Robert College nga amerikanët”. Ndërkaq, kapitulli i dytë për Shqipërinë, është shkruar nga H.T. Montague Bell, editor i “The Near East” (Lindja e Afërt). Ai e titullon “Rritja e Shtetit Fëmigjetur të Evropës” artikullin e tij.

“Pasardhës të arianëve të parë ardhacakë dhe të ilirëve, trakasve apo epirotëve të kohëve klasike, shqiptarët janë raca më e vjetër në Evropën Juglindore. E njëjta ndarje e përcaktuar mirë, e cila e copëzoi vendin që moti mes mbretërive të Ilirisë dhe të Molosisë mund të gjendet sot në lumin Shkumbin (rruga Via Egnatia, arterie e madhe romake ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit), duke i ndarë dy pjesët kryesore të popullatës. Por, përkundër dallimeve mes tyre në religjion, dialekt dhe institucione shoqërore, shqiptarët gjithmonë kanë mbajtur një racë – si veçanti të vetëdijes kombëtare dhe qartas janë dalluar nga racat e tjera të Gadishullit Ballkanik”. Në vijim Bell, shkruan mbi push.тimet e njëpasnjëshme të trojeve shqiptare dhe luf.tërave për liri. Pastaj parashtron fakte mbi vendin, pushtetin, tregtinë dhe industritë, komunikimet, religjionin dhe arsimimin, qytetet kryesore- të cilat kishin këtë numër të banorëve: Durrësi (5000), Shkodra (32.0000), Elbasani (13.000), Tirana (12.000), Gjirokastra (12.000), Korça (8.000), Vlora (6.500). Ad.Pe.

Shqiptarët raca më e vjetër në Europën Juglindore H.T. Montague Bell H.T. Montague Bell, ishte editor i “The Near East” (Lindja e Afërt). Nga tre faqet e shkruara prej tij ne vëllimin enciklopedik kemi shkeputur kete pasazh: “Pasardhës të arianëve të parë ardhacakë dhe të ilirëve, trakasve apo epirotëve të kohëve klasike, shqiptarët janë raca më e vjetër në Evropën Juglindore. E njëjta ndarje e përcaktuar mirë, e cila e copëzoi vendin që moti mes mbretërive të Ilirisë dhe të Molosisë mund të gjendet sot në lumin Shkumbin (rruga Via Egnatia, arterie e madhe romake ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit), duke i ndarë dy pjesët kryesore të popullatës. Por, përkundër dallimeve mes tyre në religjion, dialekt dhe institucione shoqërore, shqiptarët gjithmonë kanë mbajtur një racë – si veçanti të vetëdijes kombëtare dhe qartas janë dalluar nga racat e tjera të Gadishullit Ballkanik”.

Shqiptarët, populli më i vjetër e i veçantë i Ballkanit Mary Edith Durham Gjithandej në gjysmën lindore të Gadishullit Ballkanik- në Bosnjë, Serbi, Mal të Zi dhe në Shqipëri- janë gjetur mbetje të një populli shumë të hershëm në var.reza parahistorike. Ata e punonin bronzin me shkathtësi dhe ishin ndër të parët në Evropë që punonin dhe përdornin hekurin. Origjina e tyre ka humbur në të kaluarën. Rreth vitit 600 para erës sonë ata u pushtuan dhe mbase u ndikuan gjerësisht nga keltët, nga veriu. Nga ky trung kelto – ilir ka prejardhejn shqiptari modern. Kështu, ai është banori më i vjetër i Gadishullit Ballkanik dhe fakti se ai ka mbijetuar pushtimin dhe sundimin e njëpasnjëshëm të romakëve, bullgarëve, serbëve e turqve dhe mbeti shqiptar, dëshmon mjaftueshëm ndjenjën e tij të fuqίshme kombëtare. Asnjë pushtues nuk ka pasur sukses në kredhjen e tij. Si rrjedhim, në mesin e shqiptarëve ende gjejmë gjurmë të disa kostumeve më të hershme evropiane.

Sikur malësorët skotlandezë, shqiptarët ishin popull fisnor. Këto fise në një kohë të hershme formuan dy grupe, nën princër të ndarë. Këto grupe akoma mund t’i përcaktojmë në Gegë të veriut dhe në Toskë të jugut. Ata janë një dhe i njëjti poull, flasin të njëjtën gjuhë shqipe. Gegët, ndërkaq, jetojnë në një tokë shumë më të αshpër dhe në kështjellat natyrore të maleve kanë ruajtur disa zakone të moçme se sa Toskët e jugut. Në malet veriore sistemi fisnor ende mbahet me të vetë, dhe përkundër shtypësve dhe pushtuesνe fisanakët sundonίn vetveten sipas ligjit dhe dokeve të lashta të pashkruara, të bartura nga një periudhë e largët dhe të administruar nga të vjetrit e fisit në këshillin solemn. Shqiptari i veriut ka shfaqur më tej këmbënguljen e tij të fuqίshme me ç’rast numri i madh i fisanakëve i ka mbetur besnik Kishës Romane Katolike.

Shqipëria ishte krishtëruar në një kohë shumë të hershme. Shkodra ishte Ipeshkvi e Patrikanës së Romës disa shekuj para se serbët dhe bullgarët paganë ishin konvertuar, dhe përkundër shtypjes së ushtruar ndaj tyre gjatë kohës kur Shqipëria e Veriut ksihte rënë nën dominimin serb në Mesjetë, Shqiptarët e Veriut janë në mesin e shumë pak popujve të Ballkanit, të cilët qëndrueshmërisht refuzuan t’i bashkoheshin Kishës Orthodokse Lindore.

Kishat dhe xhamitë së bashku mund të gjenden në qytetet më të mëdha. Meqë turqit kishin pushtuar Shqipërinë në fund të shekullit XV, shqiptarët vite me radhë kërkonin ndihmë nga Evropa e krishterë dhe posaçërisht nga Venediku. Askush nuk erdhi dhe në shekullin XVIII Islami filloi të përhapej në Shqipëri ashtu sikur edhe në trojet e tjera të Ballkanit. Por shqiptarët e vënë racën para religjionit dhe të krishterët me myslimanët u bashkuan të luf.tonin turqit për pavarësi. As që është myslimani shqiptar fαnatik. / KultPlus.com

394 vite më parë vdiq astronomi Johannes Kepler

Johannes Kepler (27 dhjetor te vitit 1571 Gjermani) ishte një astronom, matematikan, astrolog, filozof natyror dhe shkrimtar gjerman në muzikë. Ai është një figurë kyçe në Revolucionin Shkencor të shekullit të 17-të, më i njohur për ligjet e tij të lëvizjes planetare dhe librat e tij Astronomia nova, Harmonice Mundi, dhe Epitome Astronomiae Copernicanae. Këto vepra gjithashtu dhanë një nga themelet për teorinë e Njutonit të gravitetit universal.

Kepler ishte një mësues matematike në një shkollë seminari në Graz, ku ai u bë një bashkëpunëtor i princit Hans Ulrich von Eggenberg. Më vonë ai u bë asistent i astronomit Tycho Brahe në Pragë, dhe përfundimisht matematikan perandorak i Perandorit Rudolf II dhe dy pasardhësve të tij Matthias dhe Ferdinand II.

Ai gjithashtu dha matematikë në Linz dhe ishte këshilltar i gjeneralit Wallenstein. Për më tepër, ai bëri punë themelore në fushën e optikës, shpiku një version të përmirësuar të teleskopit përthyes (ose Keplerian) dhe u përmend në zbulimet teleskopike të Galileo Galileit të tij bashkëkohor. Ai ishte një anëtar korrespondues i Accademia dei Lincei në Romë.

Kepleri jetoi në një epokë kur nuk kishte dallim të qartë midis astronomisë dhe astrologjisë, por kishte një ndarje të fortë midis astronomisë (një degë e matematikës brenda arteve të lira) dhe fizikës (një degë e filozofisë natyrore).

Kepleri gjithashtu përfshiu argumente dhe arsyetime fetare në punën e tij, të motivuar nga bindja dhe besimi fetar se Zoti e kishte krijuar botën sipas një plani të kuptueshëm që është i arritshëm përmes dritës natyrore të arsyes. Kepler e përshkroi astronominë e tij të re si “fizikë qiellore”, si “një ekskursion në metafizikën e Aristotelit”, dhe si “një shtesë e On the Heavens të Aristotelit”, duke transformuar traditën e lashtë të kozmologjisë fizike duke e trajtuar astronominë si pjesë e një fizikë matematikore universale.

Ai vdiq më 15 nëntor 1630 në Regensburg të Gjermanisë/KultPlus.com

80 vjet nga vdekja e Edith Durham, studiuesja e cila tregoi interes të veçantë për kulturën dhe traditën shqiptare

Etnografe dhe publiciste angleze, studiuese e popujve të Ballkanit dhe mike e shqiptarëve.

Në fund të shekullit të XIX , Edit Durham kaloi disa vite duke udhëtuar në Ballkan. Një nga vendet, të cilat ajo vizitoi ishte dhe Shqipëria. Ajo tregoi një interes të veçantë për kulturën e traditën shqiptare, si dhe duke u fokusuar në çështjen shqiptare. Ajo shkruajti disa libra rreth Ballkanit dhe për Shqipërinë, nga të cilët “High Albania” (Shqipëria e Epërme), ku paraqet mjaft të dhëna etnografike mbi Shqipërinë e asaj kohe.

Një nga veprat e saj është gjithashtu edhe “Brenga e Ballkanit”, ku na jep një pasqyrë të gjerë për Shqipërinë dhe shqiptarët, doket dhe zakonet e tyre.

Edit Durham mbrojti të drejtat dhe interesat e shqiptarëve, duke mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, si dhe pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. / KultPlus.com

Kronika homeriane e ngjarjeve

Nga Agim Byci

Libri i Gjakovës i shkrimtarit e historianit tashmë shumë i njohur e produktiv Jusuf Buxhovit është roman që mbështetet mbi fakte historike, nga koha e pushtimit të Gjakovës nga ushtritë serbe dhe malaziase nga dimri i vitit 1912 deri te ai i vitit 1916. Personazhët e kohës së pushtimit (Tregimtari, Prifti, Fallxhesha, dervish Lani e Hyrije Hanëmi e ndonjë tjetër), nëpërmes përjetimeve e përvojës së tyre, nga mësimet e mbamendjet, bisedat e të dhënat, duke u ndërlidhur me fytyrat e ndritshme historike si Skendebeu, Aleksandëri i Madh, Shën Angjelina, Gjon Nikollë Kazazi e tjerë, shprehin në tërësi identitetin e popullit dhe rrjedhën e ngjarjeve të kohës, por dhe të shekujve të mëparshëm.

Jusuf Buxhovi është historian që njeh me saktësi rrjedhën e ngjarjeve. Është gjeograf që njeh vendin, lokalitetet, marshutat e ushtrive malazeze e serbe; është topograf në përshkrimin e paraqitjen e vendndodhjen e lokaliteteve në harta, si Esnafet e Terzive e Tabakëve, ura e Namazxhasë dhe e Taliqit, xhamia e Hadumit, kulla e Begut dhe e Drenit, Çabrati, mëhalla e Qylit, e Gecës dhe e Qerimit, lumenjtë Krena, Ereniku e Drini; është psikolog në rrjedhjen e mendimeve shpirtërore nga mendja, vetëdija e ndërdija në mënyrë transcendntale duke reflektuar dimensionin psikologjik shpirtëror, historik e politik, fetar e kombëtar, gjëra këto që janë të nevojshme për mirëqenien e për shpresën, për jetën e për besimin. Kjo është një formë e pjekur dhe e fisnikëruar e vetëdijës, e kuptimit të të vërtetave universale. Ky dimension është mënyra e të menduarit shpirtërisht, është paraqitja dhe identifikimi i qëllimit dhe i shkakut të veprimit, është metafizikan në paraqitjen dhe shpjegimin e veçorive të veçanta e reale të kohës duke përfshirë ekzistencën e banorëve të Gjakovës, të viseve përreth, të mundësive e nevojave të domosdoshme jetësore, të hapësirës e kohës së ngjarjeve, të shkaktarëve dhe ndërrimeve në mes tyre dhe mendjes. Jeta është manifestim i aktivitetit,e bashkë me materjen janë idetë e mendjes. Në këtë drejtim e ndërlidh aspektin shpirtëror të vlerësimit të ngjarjeve e mendimeve, që janë pjesë e jetës, kohës e hapësirës. Kjo metafizikë Tregimtarit i jep ndjenjën e madhërishme të vetëdijësimit.

Tregimtari

Tregimtari që në fillim të librit, në shkëndijat e qetësisë e rehatisë të dashurisë shpirtërore me Fallxheshën, në bisedat e thella e çasjet ndaj gjendjes momentale të vendit para ardhjes së ushtrive pushtuese kupton, se fuqinë e besimit mund të kthejë në besim të fuqisë, se forca e vetme i ka mbetur ndriçimi i shpirtit, kur e padukshmja e nxjerr në pah të dukshmen, që me meditim e biseda mundohet t’ia kthejë shpirtit përmasat e ndriçimit dhe të arrijë qetësinë shpirtërore, mendore e fizike në kohën e tmerrshme të jetës së pasigurtë e të mundësisë së zhdukjes.

Ai është i verbër. Ka mbetur jetim për shkak se prindërit mbetën viktima të kohës së vështirë e të luftës. Megjithatë është i pavarur, është mbret i vetvetes dhe nuk ndikohet nga asnjë individ, qoftë nga pushteti apo nga religjioni. Terri syve ia krijoi në brendi dritën e ndritshme të verbësisë. Ai posedon një forcë të mbinatyrshme të futjes skofiare në shpirtin e tjetrit. Një superfuqi e superndjenjë. Dëshira për të ditur, vullneti për t’i kuptuar dukuritë e rrethanat e domosdoshme e shumë të rëndësishme jetësore, e bëri të zhvillojë shqisën e gjashtë. Kjo shqisë është e lidhur me gjithçka që e rrethon, që e tangon, që e bën ta kuptojë rrezikun e jetës së vet e të popullit. Kur është vetëm, në qetësi të plotë, mediton transcendentalisht duke kuptuar rëndësinë e shqetsimit, shqetsimi për ndodhi, për të papritura dhe për pasigurinë e qenies kombëtare. Mendimet i filtrohen dhe i dalin të thukta, që qarta e të mprehta. Duket se vetë verbëria ia ka shkaktuar zhvillimin e shkathtësive e aftësive të shqisave tjera për ta kurorëzuar fuqinë shpirtërore të shqisës së gjashtë.

Me fuqinë e meditimit, njohurive e imagjinatës i sjell para vetes llojet e ngjyrave që i ka parë dhe memorizuar në kujtesë. Tani i shfaqen në ekranin e mendjes. Një mënyrë e tillë rrjedh edhe me njohuritë dhe i mendimet që i kullon me sitën e brendësisë së shpirtit për t’i demaskuar ato të botës reale të njerëzve që mendojnë e gjykojnë me mendjelehtësi e pa përgjegjësi.

Kjo fuqi e mendimit shkon edhe më larg. Është shoshitje e peshore e mendimeve, e historisë, e ngjarjeve dhe e rrethanave që i ka përpara ia përkujtojnë luftërat e kryqzatave që kanë vazhduar me shekuj, ku janë vrarë e prerë njerëz të pafajshëm, e që kurrën e kurrës, e as tani nuk ka ndodhur asgjë pos të keqes, vuajtjeve e mjerimit. E si gjithnjë, mbretëron gënjeshtra perfide se luftohet në emër të Zotit.

Mendjen ia brejnë dhjetra e qindra pyetje e dyshime filozofike, psikologjike, fetare, politike, historike, kombëtare, e që mundohet të japë shpjegime: Si të shpëtohet vendi e trevat e përziera me besime? Kush do të fitojë: fuqia e pafuqisë apo pafuqia e fuqisë? Si të vihet harmonia e besimeve mes tyre? Si të ruhet përbashkësia e shpirtit në bazë të besimit të rrënjëve të dashurisë, si thoshte shenjëtorja Angjelinë? A është i lehtë apo i rëndë mëkati? A janë mëkate të brendshme apo të jashtme, me dëshirë apo pahir, me dhunë apo me interes? Si të fisnikërohet shpirti? Si të parandalohet e liga e pushtetit djallëzor e nëse jo, si t’i kundërvehemi? Si do të jemi në hartat e reja? Pse vriten njerëz të pafajshëm në emër të mësimeve të profetëve? A duhet ta bekohet dhuna e gjakderdhja? A bëhen luftërat në emër të Zotit? A jep urdhër Zoti për shkatërrime, vrasje e masakra? Pse duhet të jemi mollë për kusuritje? A është e natyrshme, e arsyeshme dhe njerzore që mbijetesa të bëhet në emër të besimit, të përshtatjes, laramanisë, heshtjes? Të kujtojmë luftën e Qerbelasë e të mos derdhim gjak pakuptim që na shpie te vëllavrasja në emër të besimeve. E shumë e shumë pyetje e hamendje, përgjigjet e të cilave mundohet t’i përcaktojë vetëm me fuqinë e shpirtit, që e përshkon qenien tonë gjatë jetesës mbi dy mijë vjeçare.

Me këto mendime e mundon veten e nuk gjenë qetësi, ngase i kujtohet se do të pasojnë përsëri dyndjet, më së pari nëpër kufirin amë, e pastaj nëpër kufinjtë e huaj për t’u shpërndarë nëpër vende të huaja. Dhe tërë kjo bëhet për të ikur e për të shpëtuar familjen dhe trashëgimtarët që do të mbesin e do ta ruajnë farën e trashigimisë. Dhe kjo ikje bëhet duke pasur parasysh Kuranin, Biblën apo librat e shenjtë, çfarëdo qofshin.

Tregimtari ka besim në të mirën, në dashurinë e madhërishme qiellore, në hyjrorën njerëzore. Si njeri i ditur e me përvojë duhet të veprojë duke u bazuar në mendimet që kullohen e lindin nga shpirti. Dashuria lind nga shpirti i nënës, ashtu si mendon nëna në jetën pa dhunë, pa vrasje e pa gjakderdhje.

Tjetër është bota reale në të cilën jetojmë e veprojmë, e tjetër është bota shpirtërore eTregimtarit. Tregimtari i verbër, por i sheh dhe i ndien më thellë si jetën, ashtu edhe ngjarjet me pasojat që prodhojnë. E njerëzit e botës materiale objektive i shohin veprimet e veta si normale e nuk e dinë se fati tyre është në duart e armikut dhe se në botën e njëmendtë, ku janë të pranishme fatet e tyre, pësimet e vuajtjet, nuk i shohin.

Fallxhesha

Fallxhesha si interpretuese e shenjave e ka aftësinë që me anë të shqisave, në mënyrë vizuele, auditive dhe të prekjes të komunikojë e të kuptojë shenjat, t’i interpretojë e t’i transferojë te njerëzit. Dihet se tërë universi është i mbushur e i stërmbushur me shenja. Shenjat varen se si i percepton, i determinon dhe i interpreton. Fallxhesha, për fat, ka një dell të veçantë të njohjes së tyre. Gjithçka në jetë e në botë është e mundshme: fakti, ngjarja dhe mundshmja. Prandaj edhe subjekti semiotik mund të jetë fiksional, për shembull, Shën Angjelina, si objekt i pjesëshëm i objektit të tërsishëm – universit.

Si Tregimtari, por edhe personazhet bashkëbiseduesë Shën Angjelinën e përkujtojnë si grua, si mëmë, si shenjtëreshë, si simbol i dashurisë, i mëshirës, i paqes dhe i besimit. Këto virtyte njerëzore, shpirtërore e besimtare e kishin bërë të çmohet shumë në dinastinë e burrit, por ajo çmohej e nderohet si e shenjtëreshë edhe në mbretëritë e shtetet perëndimore.

Shenja e përfundimit të romanit, të ngjarjes, të fatit të ushtrive okupuese, të personazheve që duken e paraqiten si normalë, ne si lexues i marrim si normalë. Janë shenja që tregojnë mundësinë e shfaqjes së ngjarjes e të momentit historik, ngase janë në relacion me ne, me gjakun, traditën e mendësinë tonë.

Fallxheshën e frikëson e dukshmja e kohës që ka përpara dhe i krijon pasiguri në rrjedhjen e ngjarjeve të kohës, por e di çka është e domsdoshme për mbijetesë, kështu që me llojet e fallit e me parashikime u rrit besimin tjerëve se do të vijnë ditë të mira, por tash duhet ta ruajnë njëri-tjetrin e të jenë të bashkuar. Ndoshta, në njëfarë mënyre falli i saj i mbronte banorët nga të panjohurat, nga ngjarjet e skenarët e pushtuesve me orekse gllabëruese tinzare e dredharake.

Por Fallxhesha ka edhe një të metë. E mundon mëkati që ka pasur dashuri të palejueshme e mëkatare me Shyqëri Agën. E mundojnë edhe tjerët të përfshirë në mëkate të ndryshme, por ka shpresë të madhe se do të kemi një zgjidhje shpëtimi që na shpie te lira njerëzore.

Të dy, Tregimtarin e Fallxheshën i kishte bashkuar dhuntia e gjuhës së shenjave, meqë ishin në gjendje t’i jepen fuqisë së shpirtit me anë të ndriçimit të mendjes.

Deri sa bota shpirtërore e Fallxheshës është paranormale, e Tregimtarit është mbinatyrore, ngase i bredh ndjenja e fisnikërisë shpirtërore. Shpirti si kategori e tretë metafizike, si ndjenjë lëviz e përshtatet në njëmendësinë objektive dhe gjërave mundohet t’i japë kuptim të mirëfilltë hyjror e shpirtëror.

Prifti

Prifti mundohet të gjejë frymën e vërtetë të mëmës-dhe e dheut-mëmë, se kur është në pyetje mëmëdheu duhet të dëgjohet thirrja e gjakut që shpreh thelbin e origjinës. Atëherë, s’kemi nevojë të pyesim çfarë do të ndodhë me ne, a duhet të dorëzohemi që të mos derdhim gjak apo të gjejmë mënyra qëndrese? Prifti e heq mëdyshjen nga vetja kur kujton bisedat me Tregimtarin e dervish Lanin, por edhe nga fjalët e porositë e stërgjyshërve, se ushtritë okupuese me plane sekrete, me “dorën e zezë” veprojnë e bëjnë vrasje të udhëheqësve, të familjeve, gra pleq e fëmijë të krishterë,- për t’i fajësuar ata të besimit mysliman, për të krijuar grindje e hakmarrje mes shqiptarëve mes veti. Dredhi e skenarë të njëjtë bëjnë kur e përdhosin xhaminë ditën e festës së Bajramit dhe fajin ua lënë të krishterëve. Tashmë Prifti është i sigurtë, se fuqia e gjakut në përputhje me dijen e gjakut e mbron veten. Gjaku nuk bëhet ujë kurrë, as nuk falet kurrë.

Prifti e dervish Lani janë simbole të harmonisë së amshueshme që e begatisin dhe e madhërojnë mendjen e shpirtin e qenies arbërore. Është edhe rasti i gjuhës së përbashkët e priftit ortodoks dhe dervishit bektashian, pasi dezertoi nga ushtria malazeze. E kjo frymë e ide duhet të ruhet në zemër e të kultivohet në të ardhmen, si virtyt më i lartë kombëtar e njerëzor, zatën kjo është porosia ‘se feja e shqiptarit është shqiptaria”. Dhe këtë vlerë e besim duhet mbrojtur me pikat e fundit të gjakut, se sot e përgjithmonë jemi vëllezër, nga gjaku, rraca e gjuha.

Dervish Lani

Dervish Lanin e shqetësojnë ngjarjet e përparshme dhe këto të fundit dhe ia trondisin shpirtin e mendjen. Më përpara përmbahej se do të flasë, si do të flasë, çka duhet të thotë e si duhet ta thotë. Më pastaj, pas bisedave me Tregimtarin, pas meditimeve para kubesë fiton fuqinë e besimit, e cila i jep shpresë përmbajtjes të durimit si ndjenjë e veçantë që ka marrë edhe nga mësimet e sheh Brahës. Më vonë, me rrjedhen e ngjarjeve dhe shtimin e dhunës e terrorit nga ushtritë pushtuese është i bindur, se kur zullumi trashet e s’mund të durohet më – pason hakmarrja dhe vijnë thikat në shprehje, prandaj mendon se kështu ndalet gjakderdhja dhe dëbohen pushtuesit.

Mëdyshjet e hamendjet rreth tezave e antitezave, gjaku i dijes e dija e gjakut, fuqia e besimit dhe besimi i fuqisë, e mundshmja dhe e pamundshmja, e keqja e brendshme dhe e jashtme, dhe mësimi i sheh Brahës: Durimi si kundërvënie dhe kundërvënia si durim, se durimi duhet të ketë qëllim e mllefi nuk duhet të harxhohet kot e mend, çojnë kah rruga që njëherë e përgjithmonë ta ndajmë shapin nga sheqeri. Prandaj qëllimi dhe ekzistenca janë alfa e omega e jetës dhe ekzistencës.

Por besa e dhënë para kubes së sheh Fajës nuk e lë të qetë dervish Lanin pa u hakmarrë ndaj pushtuesve, sepse për këto skenare kishin biseduar shumëherë më parë. A duhet të durojmë tutje? A i shërben durimi – mbijetesës? A është mbijetesa e denjë apo e padenjë, dhe a ka çmim? I mendon bisedat, pyetjet e hamendjet e Tregimtarit: A është qartësia shpirtërore e mendore e matur dhe a përshtatet me rrethanat? Athua hakmarrja e pamatur do ta ndihmojë ndërprerjen e dhunës? Tëra këto i sillen në kokë, e në fund vendos të veprojë e t’i mprehë thikat me fedainjtë e vet.

Si Tregimtari, ashtu edhe bashkëbiseduesit e dijnë se duhet të kemi shumë kujdes të ruhemi nga e keqja e brendshme apo e jashtme, ngase të dyja prodhojnë fatkeqësi. Tashmë është bindur edhe Prifti, edhe dervish Lani se nuk duhet të derdhim gjak pa arsye, edhepse kemi lidhjen e gjakut apo të vetëdijesohemi se jemi vëllezër të një trungu. Është fatkeqja dhe e kobshmja e jonë, që lind nga vuajtja, mjerimi dhe dhuna. E kjo u shkon për shtati pushtuesve, të cilët i zgjedhin pakurrizorët, laramanët, matrapazët e puthadorët dhe i vendosin në krye të qeverisjes së qytetit. Shahinin e Shyqri Agës e caktojnë zëvendësprefekt, ndërsa ata që e shoqëroni, e që ishin bixhozxhinjë, pijanecë e fajdexhinjë i caktojnë nëpunës, prijës të fshatrave duke munduar ta bindin botën për politikën e drejtë dhe përkujdesjen njerëzore. Por ashti i madh i futur në gojë, siç e parasheh Fallxhesha në fundin e fillimit është asht që ua zë frymën e vdesin duke qitur shkumë nga goja. Tashmë të gjithë e dijnë se njerëzit e sojit të Rremë Batarjes shfrytëzojnë rastin e kohën e mjegulltë, ngase mendojnë dhe binden se fuqia e pushteti përcaktohen nga fati, prandaj këtu, si Rremë Batarja dështojnë dhe mbesin në kujtesë si tradhëtarë e kodoshë. E fati i tij u pa kur si çanaklëpirës u var për këmbë në nevojtoren publike, afër varrit të Maxharr Pashës.

Këta janë njerëz që kanë gjak të papastër, që nuk e pranojnë fuqinë e gjakut, por tellallojnë për gjakun e dijes, kjo do të thotë se si kameleonë e ndryshojne besimin e besimit.

Hyrije Hanëmi

Hyrije Hanëmi përvidhet me vshtirësi nga kufiri që kishte ndarë qytetin dhe shkon në Angli. Ajo e harxhoi tërë pasurinë, por fuqia e shpirtit, vetëdija e gjakut, e gjuhës dhe e prejardhjes nga loza e Aleksandërit të Madh e di se për çfarë e harxhon e çfarë duhet të bëjë e si duhet të veprojë, jo me fjalor mllefi e lufte, por me fjalë, me fakte e me vepra artistike. Kishte përvoja jetsore e profesionale. Kishte njohuri për gërmimet arkeologjike që bëheshin te Ura e Fshenjtë. Kishte edukatë e vlera perëndimore, ngase kishte jetuar në shumë shtete, kishte thithur njohuri e kulturë. është një zonjë me dijen e fuqisë së antikës e të madhështisë, edhe me fjalë edhe me mendime, por edhe me piktura kishte lënë gjurmë, besa atje që ishte aktive kishte bindur rrethin artistik në Angli për lashtësinë e prejardhjes, për Dardaninë antike, si një djep i qytetërimit.

Por ka edhe nënpersonazhe në epizoda e fragmente si Shaban Paja: “Dollapë, dollapë është dynjaja, kronisti Can Lejçi me shënimet e mbledhura me kujdes, Dile Patarrocja me Riza Probën e Taphoneve e tjerë.

Kjo është historia e Gjakovës në një periudhë të caktuar prej më se 3 vite, por kjo periudhë ka qenë e pranishme edhe në ngjarjet historike e luftarake të kësaj toke arbërore në shekujt e mëparshëm në forma të ndryshme.

Pse pikërisht Gjakova? Sepse ishte djepi i trimërisë e kulturës. Ishte Gjon Nikollë Kazazi, Sylejman Vokshi e shumë tjerë. Ky është qëllimi kryesor i të gjitha ushtrive që erdhën në tokën dardane. Maxharr Pasha që tentoi të bindë Gjakovën për ndarje e nënshtrim. Nëse nuk binden, atëherë pasoj fushata e ndjekjes e vrasjes së trimave, atdhetarëve e pishtarëve. Ky vend ishte Gjakova. Kur ndahej e shkatërrohej Gjakova me njerëzit e dijshëm, atëherë ndahet edhe një krah i shqiponjës. Qëllimi i ushtrive pushtuese, cilat do qofshin, është vetëm pushtimi, e këtu përkatësisht ndarja e popullit në tokën arbërore, në ndarje fetare dhe ndarje shpirtrore e kulturore. Kështu ushtria ruse veproi me Murin e Berlinit duke e ndarë Gjermaninë në dy pjesë. Kështu bënë edhe ushtritë ortodokse dhe e ndanë Gjakovën në dy pjesë, por muri i ndarjes së Gjakovës nga lumi Krena ka zanafillën e ndarjes para murit të Berlinit. Libri i Gjakovës ka edhe vlerë universale, nga se kjo histori ndodh edhe në kohën e sotme në shumë shtete, pothuajse në të gjitha kontinentet, nga Lindja e Afërt deri te Ukraina.

Nga Libri i Gjakovës duhet të nxjerrim mësime, të kthjellemi nga gongu, që të mos na përsëriten e të kthehen si bumerang. Mos t’i harrojmë dredhitë e Beogradit, që, që nga Procesi i Berlinit me propaganda e dezinformata dhe me ndihmën e ortodoksisë ruse e greke, Serbia fitoi të drejtën ndaj tokave të shqiptare. Të kuptojmë njëherë e përgjithmonë propagandën e shpifjeve e intrigave të tyre, që me ndihmën e laramanëve e lolove mundohen që edhe tutje të arrijnë qëllimet e veta. Të mbajmë mend e mos t’i harrojmë pasojat, rrënojat, dëbimet masive, përçarjet, vëllavrasjet e vrasjet gjakatare. Aty shihet qartë shpirti i egër e mendja e çmendur e ushtrive pushtuese, që gjoja erdhën për të na çliruar dhe për të vendos rendin e qetësinë, e nga ana tjetër në mënyrë perfide e mashtruese me dhunë na ndërrojnë besimin fetar duke realizuar planet e vjetra të shkatërrimit, djegjes së shtëpive, dëbimeve, e ata që nuk e braktisin vendin – vriten e masakrohen, duke filluar nga njerëzit e shquar nga paria e vendit e deri te prijësit e besimeve fetare.

Në Librin e Gjakovës, për Gjakovën që është “Zemra e Dardanisë” tregohet historia e popullit përmes shënimeve e fakteve, mbamendjes e dokeve tradiocionale që nga shënimet antike të Herodotit e deri te Gjon Nikollë Kazazi, se udha e Zotit dhe e historisë sonë shpjegohet në gjuhën amtare dhe Naim Frashëri që paraqet gjakun e dijes, që na udhëheq, na mëson, na lartëson e na përgatit mendjen për pavarësi e shtet të lirë.

Personazhet e romanit i mban kujtesa historike kush janë, nga vijnë e çfarë gjuhe flasin.

Pra, fryma e shpirtit, mendimet trascendentale, mësimet e sheh Fajës e Brahës, burimet e të dhënave të Priftit, kuptimi i besimit, i gjakut, i mëmësisë, i rracës, i gjuhës dhe i origjinës e shpiejnë kah përfundimi i librit, i ngjarjeve të Gjakovës, se “Shpëtimi vjen nga fuqia të menduarit dhe mbretëria e tij e përhershme… Të tjerat janë mashtrime”.

E për të kuptuar këtë më mirë, Jusuf Buxhovi, si Tregimtar e shpjegon kështu: një njeri mund të veshë rrrobe të ndryshme, por nuk mund të ndryshojë origjinën, as tiparet e rracës, as gjininë, sepse ato i takojnë gjakut të tij të origjinës, pra është përgjegjësi e gjakut e vetëm e gjakut, që është përgjegjësi i vetëm i qenies sonë dhe si i tillë mban çelësin e vet…

(Kumtesë e paraqitur me rastin e promovimit të librit në Gjakovë, më 07.11.2024 në kuadët të jubilieut të Mitingut të Poezisë )./KultPlus.com

Sanja Iveković shpalos arkivin personal në “Shtëpia e Grave”: Kurrë nuk kam takuar njerëz kaq entuziastë si në Prishtinë

Era Berisha

Mbrëmë Galeria Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur “Shtëpia e Grave”, ekspozitën vetanake dhe arkivin personal të artistes Sanja Iveković. E ndarë në dy pjesë, ku njëra është përzgjedhje e veprave të artistes e kuruar nga Hana Halilaj me ç’rast përfshihen pesëdhjetë vjet të praktikës së saj, ndërkaq tjetra pjesë shpalos një ekspozitë arkivore të bazuar në hulumtimin e arkivit të Ivekovićit, e kuruar nga Ivana Bago. Këto dy kuratore kanë bashkuar fuqitë e tyre për të prezantuar një arkiv që të rrëmben brenda një rotacioni të bukur ekspozimi, shkruan KultPlus. 

Pioniere e videos, performancës dhe artit konceptual në Jugosllavi gjatë viteve 1970, artistja Iveković njihet për shqyrtimin feminist të marrëdhënieve gjinore përbrenda Jugosllavisë socialiste dhe tranzicionit post-socialist. Ajo ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb në vitin 1970, kur nisi t’i ekspozonte veprat e saj. Ka ekspozuar punën e saj në ekspozita të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare (Bienalen e Parisit, Bienalen e Sao Paolo, Manifesta, Documenta, Bienalen e Liverpoolit, Bienalen e Stambollit, Bienalen e Pragës dhe të tjera), dhe video-veprat dhe video instalimet e saj janë shfaqur në festivale të shumta ndërkombëtare të videove (Ljubljanë, Berlin, Gjenevë, Paris, Montreal, Los Anxhelos, Lokarno, Tokio, Hagë, Osnabrück, Bon, Dessau, etj). Kurse, mbrëmë të pranishmit kanë pasur rastin që ta njohin nga afër punën e vetë artistes, e ndoshta edhe më mirë se që e njeh ajo veten, gjë të cilën e ka potencuar edhe gjatë hapjes së ekspozitës mbrëmë në Prishtinë. 

Në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës që nisi në orën 19:00, drejtorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani-Berisha e mori fjalën fillimisht për të falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe tutje shprehi kënaqësinë e saj që artistja Sanja Iveković po ekspozon në Prishtinë. 

“Sonte kemi kënaqësinë ta hapim ekspozitën e artistes së njohur ndërkombëtare Sanja Iveković, kuruar nga Ivana Bago dhe Hana Halilaj. Nuk ka qenë aspak e lehtë për me e sjellë Sanjën këtu, duk e ditë agjendën e saj, mirëpo me mbështetjen e bordit të Galerisë Kombëtare dhe me insistimin e Hanës, kemi arritur me e sjellë dhe jemi shumë të lumtur që po e hapim këtë ekspozitë me të cilën do të ndaheni shumë të kënaqur”, thotë ajo. 

Hana Halilaj, kuratore e ekspozitës “Shtëpia e Grave”, ka thënë se janë rreth pesëdhjetë vite karrierë të artistes Sanja që janë prezantuar brenda ekspozitës, e njëra ndër to që shpaloset për herë të parë është vepra “Shtëpia e grave” që është realizuar në një punëtori të cilën Sanja e ka bërë në vitin 2004 në Pejë. 

“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur në këtë ditë të ftohtë. Kemi kënaqësinë të prezantojmë ekspozitën ‘Shtëpia e grave’ nga Sanja Iveković, e cila ndahet dhe prezanton dy qasje të ndryshme. Një pjesë e kuruar nga unë në pjesën e poshtme të Galerisë dhe pjesa tjetër në katin e sipërm vjen e kuruar nga Ivana. Ekspozita prezanton rreth pesëdhjetë vite karrierë praktike të Sanjës dhe shqyrton në mënyrë feministe, marrëdhëniet gjinore, politikat dhe pabarazitë gjinore. Qysh nga periudha jugosllave e pastaj në trazincionin post-socialist, ekspozita prezanton disa nga veprat që vijnë për herë të parë si “Shtëpia e grave” që është realizuar në një punëtori të cilën Sanja e ka bërë në vitin 2004 në Pejë, kur ka qenë edhe për herë të fundit në Kosovë. Kemi nderin që të prezantojmë veprën e saj, njëzetë vite më vonë në Galerinë Kombëtare.”   

Ivana Bago, kuratore e ekspozitës “Shtëpia e Grave”, ka thënë se ekspozita vjen si një histori për artisten Sanja dhe veprën e saj, por edhe si një histori që tregon një rrëfim për të gjithë periudhën e viteve shtatëdhjetë, të ndodhura në Jugosllavi. 

“Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe dua të filloj duke falënderuar Hanën që më ftoi të bëj këtë ekspozitë këtu. Ekspozita është rezultat i bashkëpunimit tim të gjatë me Sanjën dhe hulumtimit tim mbi punën e saj, hulumtimit të arkivit të saj personal. Këtë ekspozitë e prezantuam në Zagreb vitin e kaluar, si pjesë e retrospektivës së Sanjës në Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe jam shumë e lumtur që Prishtina është lokacioni i dytë ku u prezantuam së bashku me ekspozitën e Hanës. Mendoj se është shumë gjë e bukur, sepse ekspozita ofron dy këndvështrime të ndryshme mbi veprën e Sanjës, nga dy historiane arti. Ekspozita përqendrohet në periudhën e viteve shtatëdhjetë, duke bashkuar veprat e Sanjës dhe brenda do të gjeni fotografi, gazeta, artikuj, shënime të Sanjës, libra, katalogë. Ekspozita tregon historinë e studimeve të Sanjës në Akademi, zhvillimin e saj si artiste pamore, udhëtimet e saj nëpër botë. Pra, është një histori për Sanjën dhe veprën e saj, por edhe një histori që tregon një rrëfim për të gjithë periudhën e viteve shtatëdhjetë, të ndodhura në Jugosllavi. Një gjë që e lidh Zagrebin me Prishtinën, e kam gjetur në hulumtimet e mia për periudhën e viteve shtatëdhjetë, por nuk do të them se çfarë është. Fatkeqësisht, në atë kohë nuk kishte shumë lidhje Zagrebi me Prishtinën, të paktën jo për sa i përket skenës artistike që Sanja ishte pjesë. Ka qenë një kënaqësi për të vendosur këtë ekspozitë këtu. Të gjithë punonin aq shumë dhe të gjithë ishin në humor të mirë gjatë gjithë kohës. Është vënë një energji e mirë në këtë ekspozitë.” 

Sanja Iveković, artistja që hapi ekspozitën vetanake, nuk e zgjati shumë, mirëpo gjeti kohën që në gjuhën shqipe t’i lexoj dhe falënderoj gjithsecilin që ka punuar për këtë ekspozitë. Ajo e vlerësoi lartë punën e secilit prej tyre. 

“Dua ta mbaj shkurt. Nuk do të flas për ekspozitën sepse do ta shihni. Ishte një përvojë jashtëzakonisht e bukur dhe shumë emocionuese për mua. Unë kam udhëtuar shumë nëpër botë dhe kam një retrospektivë të tërë, por kurrë nuk kam takuar njerëz që janë kaq entuziastë, kaq të këndshëm, kaq të dobishëm si këta në Prishtinë.” 

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit që ishin në një numër të madh me padurim po hynin brenda dalëngadalë. Sytë e tyre patën shumëçka për të parë. Fotomontazh në pllakë, printim me ngjyra kromogjene, printim dixhital të biografive të heroinave partizane që ishin pjesë e Frontit Antifashist të Grave të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, performancë/fotografi e një aksioni që zhvillohet në ditën e vizitës së presidentit Tito në Zagreb, video me ngjyrë e zë që shfaq vetë artisten teksa aplikon grimin në fytyrën e saj për të shfaqur një motiv përsëritës, skica lapsi që kritikojnë premtimet boshe politike, kallëpe gipsi të fytyrave në stenda metalike, video tjetër me ngjyrë e zë që artistja shpalos nëpërmjet një xhirimi të masazhit të fytyrës për të treguar të pathënat e standardeve të bukurisë pastaj edhe print dixhital të posterave të reklamave të modës mbi të cilat janë biografitë e disa grave që i kanë mbijetuar abuzimit në familje. 

Ekspozita “Shtëpia e Grave” ballafaqon audiencën me një serë montazhe, imazhe, tekste, fotografi personale, letra, postere ekspozitash, faqe të revistave, video-dokumentime, libra të artistëve. Pra, është parë e shpalosur e gjithë jeta e Sanja Iveković, artistja e cila vjen me një qasje eksperimentale dhe shumë të larmishme, duke shpalosur kështu detaje nga arkivi personal i saj që shfaqin realitete historike dhe politike të cilat ajo i ka përjetuar. 

Një nga pjesët më të bukura e të ndjeshme të ekspozitës qe nxjerrja nga arkivi i transkriptimit të një letre që ishte e shkruar nga artistja Sanja Iveković për babin e saj (Hrvoje Iveković), më 1 nëntor të vitit 1978. 

“I dashur baba, 

E mora letrën tënde në Toronto, por fatkeqësisht ritmi i jetës ka ndryshuar dhe është përshpejtuar aq shumë, saqë rrallëherë po gjejmë kohë për të shkruar. Tash që jemi rehatuar aq sa kemi mundur në këtë vend, nis periudha e punës për programin tonë të ekspozitave e cila është shumë kërkuese. Me shumë gjasë deri në shkurt do të na ndryshohen dhe thellohen ndjeshëm përshtypjet tona për këtë vend, por me siguri gjashtë muaj nuk do të jenë të mjaftueshëm për ta kuptuar vërtetë këtë kulturë tjetër, e cila ka (ose më saktë, thuajse nuk ka) histori tjetër. Ajo që vazhdon të jetë fakti më “i pakuptueshëm” për çdo europian është sigurisht raporti me përmasat e këtij vendi, i cili është më i madh se Europa jonë e shkretë. Idenë e hapësirës, që ne zakonisht e konceptojmë si diçka të kufizuar, thjesht nuk ekziston këtu në të njëjtin kuptim të fjalës. Një vend po aq i madh sa Europa, e me një popullsi që barazohet me atë të Jugosllavisë, është më shumë një “vend” sesa një shtet, më shumë një term gjeografik sesa kombëtar. E shijuam shumë udhëtimin tonë me autobus prej bregut lindor (Toronto) deri te bregu perëndimor, në Vancouver, që zgjati plot tri ditë e tri net. (Fatkeqësisht, nuk është mënyra më komode për të udhëtuar, por neve po na duhet të kursejmë para, andaj ishte e vetmja mundësi e mundshme). Tash që kemi qenë në V. për një javë, po arrijmë t’i dallojmë mentalitetet dhe zakonet që janë krejt të ndryshme prej “një bregu” në tjetrin. Ashtu si klima që është krejt e ndryshme, edhe V. dhe Toronto janë dy botë të ndryshme. Një krahasim që duket dhe që përshtatet në një farë mase, për shembull, është midis Zagrebit dhe Splitit. Teks T. është një qytet tipik kontinental, njerëzit janë mjaftë introvertë, qyteti është dukshëm i mbushur me kapital që ndihmon zhvillimin e biznesit, kështu që luksin e sheh kudo (edhe pse ka zona më të varfëra ku jetojnë kryesisht emigrantët), V. është një port tipik në det me të gjitha anët e mira dhe të këqija të një qytet porti. Njerëzit këtu janë më të hapur, më të shoqërueshëm dhe ritmi i jetës është shumë më i ngadalshëm. Pamjet e trishta të grave dhe burrave të dehur, indianëve të droguar dhe mjerimin e vërtetë nuk e gjen në T. Nga ana tjetër, ja nisëm vërtetë ta shijonim natyrën e bukur – megjithëse mund të themi që kemi gjithçka, këtu kjo farë “gjithçkaje” vjen në sasi të kufizuara dhe vetmia e peizazhit (qoftë kodra apo stepa) është frikshëm madhështore. Sa i përket banimit dhe mikpritjes, të rinjtë me të cilët kemi kontakte janë më shumë se të përzemërt. Kjo është ndoshta një nga të paktat vende ku një i huaj (përfshirë edhe neve) nuk ka pse dhe nuk ndihet si i huaj, sepse banorët e këtij vendi janë vetë të huaj. 

             Shumica dërrmuese e banorëve të V. janë vetëm emigrantë të gjeneratës së dytë. Anglishtja jonë nuk është fare më e dobët se e tyrja, kështu që na ka ndodhur disa herë që na kanë pyetur nga cila pjesë e Amerikës jemi. Sa i përket artit tonë, kemi pasur ftesa të jashtëzakonisht të përzemërta poashtu, kështu që nganjëherë pothuajse po ndihemi sikur këtu e vlerësojnë punën tonë më shumë se në vendlindje (“Nemo prohpeta…”). Përvec faktit që, sipër përllogaritjeve aktuale, do të kemi rreth 10 performanca (këtu nuk po i llogarisim ligjëratat në kolegje dhe universitete), gjë që është edhe sfidë e madhe po dhe një mundësi për në për të punuar (gjë që nuk mundemi ta bëjmë në shtëpi sepse na duhet ta fitojmë bukën e gojës), dhe që paguhet (75-100 për një ekspozitë apo ligjëratë). Në të njëjtën kohë, po kemi në dispozicion të gjithë pajisjet (video, etj.), dhe lloj-lloj pajisjesh që rrallëherë mund t’i gjejmë në ndonjë institucion në Europë. Nga ana tjetër, po shihet që mungesa e historisë (përfshirë historinë e artit) ndihet në mungesën e artit vërtet të rëndësishëm, si dhe të artistëve të mëdhenj. Në këtë fushë, mund të themi se kemi pasur dhe vazhdojmë të frekuentojmë mendje shumë më të mëdha të nivelit botëror. Me shumë gjasa, ekziston një raport krejtësisht i ndryshëm për gjërat në fushën e shkencës, ku paratë dhe kushtet e punës kanë rëndësi të madhe, dhe “qëllimet” janë shumë më të qarta. Por në fushën e artit, pasuria dhe standardet e larta nuk janë garanci për cilësinë e ideve, madje, shpesh, mundësitë e mëdha dhe lira e zgjedhjes shpesh dalin si elemente kundërproduktive. Edhe pse Kanadaja ka një sistem disi të ndryshëm nga SHBA dhe më shumë para investohen në kulturë (inkurajohen degë të ndryshme që eksperimentojnë me paranë shtetërore), i gjithë sistemi, kësisoj edhe kultura, bazohet në një kuptim tipik amerikan të artit – si show business. Kjo do të thotë që qëllimi i padiskutueshëm i artistëve është ta argëtojnë publikun dhe të jenë interpretues të mirë në skenë (qoftë ajo skenë politike, teatri, ose muzeu/galeria – ose një festë private). E kjo, sigurisht, lidhet me një mungesë të plotë të ndërgjegjësimit politik dhe një nivel të lartë injorance. Standardet europiane, sipas të cilave një shkencëtar, shkrimtar, apo artist i madh është (kryesisht) edhe një element progresiv i shoqërisë, thjesht nuk janë vlera të pranueshme këtu. Ose, më saktë, një qëndrim i tillë dekurajohet në të gjitha mënyrat e mundshme (përmes medias, mjeteve të propagandës, etj.), sepse shtylla kryesore e shoqërisë, në fund të fundit, janë paratë. Ndoshta po më kupton, nuk mund të them që jam plot entuziazëm për këtë botë të madhe, ashtu siç nuk mund të them që jam e zhgënjyer nga ajo që kam parë dhe përjetuar këtu. Sigurisht, për këdo që është thjesht duke udhëtuar nëpër një vend (dhe që gjithashtu pritet ngrohtësisht nga ai vend), është gjithmonë më e lehtë të marrësh pozicionin e një gjykuesi objektiv dhe të “dashurosh dhe urresh pa vuajtur”. Në të vërtetë, duket se pozicioni më ideal për çdo të ri do të ishte – të jetë i huaj në çdo vend. Më duket se në atë rast do të fillonim të mendonim shumë për atë që jemi si njerëz dhe më pak për veten tonë si banorë të ndonjë zone të globit. Shpresoj arrin t’i kuptosh gjërat për të cilat të shkruajta në këtë mëngjes me shi në Vancouver. Më shkruaj në adresën e V. Me shumë gjasa do të jemi këtu deri më 15 dhjetor, dhe pastaj do të vazhdojmë në San Francisco dhe ndoshta në Los Angeles, pastaj përsëri në Toronto, më pas Montreal etj. 

Të dua, S. 

P.S Pasi ta lexosh këtë letër, ndaje edhe me familjen Martinis… ose te Nëna, sepse e di që lajmet nga ne priten me padurim dhe koha është e shkurtër… Marta të përshëndet.”

“Pikëtakimet: Dokumente në Krijim e Sipër, 1968–1982” (fillimisht prezantuar në Zagreb në vitin 2023) kuruar nga Ivana Bago dhe “Përkohësitë e Shpresës” kuruar nga Hana Halilaj, përthekojnë trashëgiminë fuqizuese të artistes Iveković dhe njëkohësisht synohet që të përdoren si frymëzime në trajtimin e realiteteve të ndërlikuara të periudhës pas-jugosllave dhe përtej saj. Ndërlidhja e punës së tyre ka ardhur nën titullin “Shtëpia e Grave”, që mbrëmë u shpalos krejt këndshëm në Galerinë Kombëtare të Kosovës. 

Ekspozita “Shtëpia e Grave” është realizuar me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Partnerë: MSU Zagreb, Rijeka MSU, MFA. Po ashtu, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 janar të vitit 2025./ KultPlus.com 

44 488 faqe dorëshkrimesh të Kadaresë ekspozohen në COD, një jetë krijimi që në moshën 11-vjeçare

 Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë janë shfaqur këtë mbrëmje për herë të parë për publikun në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë.

Këto dorëshkrime janë ekspozuar në formën e një instalacioni poliedrik, buajtur me shumë nderim në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog.

Hapja e ekspozitës u zhvillua mbrëmjen e sotme me praninë e shumë dashamirësve të shkrimtarit të njohur botërisht, Ismail Kadare, familjarëve të tij por edhe autoriteteve shtetërore.

Mbrëmja u hap nga drejtore e COD, Jetona Koçibelli e cila tha se vendekspozimi i këtyre dorëshkrimeve riskicohet prej prezencës e peshës së veprave të ekspozuara si një pallat i ëndërrave të dëshiruara e të lëna përgjysmë prej Kadaresë, e që tashmë, si u shpreh ajo, na ngelet ne t’i rrugëtojmë siç duhet.

Ekspozita shpalos dorëshkrimet e shkrimtarit shqiptar bashkëkohor më të njohur në botë, Ismail Kadaresë me 44 488 faqe, ku përfshihen romane të pabotuara, poezi dhe skica, që përshkruajnë një jetë krijimi që në moshën 11-vjeçare dhe deri në fund të jetës.

Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, drejtori i së cilës, Ardit Bido u shpreh se Ismail Kadare ishte një shkrimtar që gjithë veprën e tij ngre lart shqiptarinë, një element që e gjen në vazhdimësi në veprën e tij.

Vajza e Kadaresë shprehu mirënjohjen për DPA dhe COD që organizuan ekspozitën në vijim të dhurimit që familja Kadare bëri të këtyre dorëshkrimeve. “Ndjesi e re t’i shoh këtu pasi jam mësuar t’i shoh nëpër kartona e nëpër dollape. Mundësi që t’i kenë brezat e ardhshme, pasi është si kronikë e rrugëtimit të kombit shqiptar”, u shreh ajo ndërsa ndau një poezi me të pranishmit që e cilësoi si një testament të shkruar herët.

Kjo ekspozitë përbën mundësi të rrallë për të eksploruar botën e panjohur të Kadaresë: veprat dhe shënimet që ndriçojnë procesin e tij krijues. Çdo faqe dorëshkrimi është një udhëtim në mendimin dhe artin e tij, ku secila ide dhe reflektim shpërfaqet në mënyra të reja e të befasishme.

Ekspozita me dorëshkrimet e Kadaresë, foto: Agim Dobi./atsh/KultPlus.com

Poetika e dritës dhe shprehshmëria e ngjyrave në pikturën e impresionistit francez, Claude Monet

Unë pikturoj si një zog këndon. Doja përsosmëri dhe shkatërrova atë që ishte e mirë. Mbase i kam borxh lule që jam bërë piktor”, përkufizon Monet në fjalët e tij që davarijnë mjegullën e shpërfaqin magjiken e kirjimit.

Claude Monet është konsideruar si “forcë shtytëse e Impresionizëm”. Vendimtare për artin e piktorëve Impressionistë, ishte kuptimi i efekteve të dritës në ngjyra lokale të objekteve, si dhe efektet e ballafaqimit të ngjyrave me njëra-tjetrën. E gjithë karriera e Clode Monet, si një piktor është dorzan këtij ngulmi. Krejtçka ai kumtoi rrekej në ndjekje të këtij qëllimi fondamental të artit, si akt sublim estetik, si mjet komunikimi dhe si doktrinë. Claude Monet i kushton jetën e tij kërkimit të hijeve të ngjyrës së qiellit, reve dhe shiut që kapi me penelatat e tij pa u shqetësuar të përfaqësojë realitetin ashtu siç është në të vërtetë, por më tepër sesi mund të shfaqet në një formë eterne shprehëse .

Monet besonte se vetëm pa e përpunuar figurën mund të rikthehen përshtypjet vizuale të perceptuara nga sytë tanë, atë të cilat rregullojnë në mënyrë efektive cilësinë e dritës në kanavacë, duke marrë parasysh sezonin, kohën dhe kushtet atmosferike.

Claude Monet u lind më 14 nëntor 1840 në Paris. Fëmijëria e tij rrjedh në portin e Le Havre, ku babai drejton një dyqan furnizimesh detare. Që kur ishte fëmijë ai tregon një talent të veçantë artistik dhe në moshën 15-vjeçare ai fillon të pikturojë, duke përdorur teknikën e lapsit dhe qymyrgurit, realizon disa karikatura të personaliteteve të njohura që ai u shet në dyqanin e të atit dhe i dhurojnë një reputacion të drejtë.

Ai do të vazhdojë të punojë në ato karikaturat, duke e pasuruar teknikën me futjen e efekteve të lehta dhe përdorimin e ngjyrave pastel. Më pas, vizatimet e karikaturave do të zëvendësohen me portrete që janë pasuruar nga një hetim psikologjik depërtues.
Në vitet që kaloi në Le Havre, ai u takua me piktorin Eugène Boudin i cili shënoi në mënyrë të dukshme stërvitjen artistike të Monetit, duke e inkurajuar atë të kuptojë gjallërinë dinamike të natyrës që mund të portretizohej vetëm në vend dhe për këtë arsye rekomandoi pikturimin ” en plein air”. Prekja spontane nuk mund të riprodhohet kurrë në një atelier. Ai e mëson atë se duhet të ketë gjithmonë në mend përshtypjen e parë që lind në të, në vizionin e temës që do të pikturohet dhe, vetëm më vonë, të marrë në konsideratë detajet e tjera, pa rënë kurrë në gabimin e futjes së sendeve të tjera.

Artisti duhet të vëzhgojë me kujdes natyrën dhe të kuptojë të gjithë pabarazinë e instancave. Në fund ai mund të hedhë në kanavacë të gjitha ndjenjat që janë ngritur nga thellësia e shpirtit të tij, të rrjedhura nga ky vëzhgim i përpiktë. Vetëm në këtë mënyrë subjekti i pikturuar mund të transmetojë gjallërinë e emocioneve të mbyllura në shpirtin e artistit.

Vetë mjeshtria e Monetit mund të konsiderohet pararendës i impresionizmit në pikturën e tij.

Kur Boudin, i goditur nga penelata ekspresive e djalit, kupton që nxënësi i ri e ka tejkaluar shumë zotërinë, i kërkon që të largohet nga Le Havre dhe të transferohet në Paris, për të qenë në gjendje të përballet me artistë të tjerë të rinj, në kërkim të formave të reja teknike .

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Monet tashmë e kupton, një vit para se të shkonte në Paris, se ai filloi të “shihte” dhe “pikturonte”, asokohe ai citon: ” Në atë moment sytë e mi u hapën dhe unë fillova ta kuptoj vërtet natyrën”.

Ai ndjek këshillat e mësuesit të tij dhe në 1859 vendoset në Paris me një bagazh artistik që do të karakterizojë të gjithë prodhimin e tij të përqendruar në një rritje të vazhdueshme që vjen në jetë në përshtypjen e parë vizuale, ai shtjellon impulset përmes një filtri shpirtëror për të mundur të shtyhet më vonë kanavacë e imazheve të reja.

Dhe në kryeqytetin e kulturës, ku jeton në shtëpinë e një tezeje, merr pjesë në ” Brasserie des Martyrs” ku takohet me artistët më të rëndësishëm të kohës. Refuzoni mësimet akademike; temperamenti i tij, i lirë nga skemat e paracaktuara dhe që synon kapjen e momentit të fluturimit, e çon atë të refuzojë çdo studim të kiaroskuros i cili, sipas tij, zbrit direkt e emocionit vizual. Sidoqoftë, babai i tij kundërshton këtë zgjedhje dhe e detyron atë të ndjekë kurset e mbajtura në Akademinë Suisse dhe nga piktori Gleyre. Askush nuk do të përfitojë nga mësime të tilla, të vendosura të ndjekin ato që sugjerojnë instinktet e tij, por ai do të miqësohet me Pissarro, Renoir dhe Sisley.

Ai endet midis periferive pariziane dhe takon ata artistë të refuzuar nga Salloni me të cilët do të krijojë një lidhje të fortë njerëzore dhe artistike që do t’i bëjë ata më vonë për të krijuar së bashku në një pasurim të ndërsjellë të stileve dhe ideve pikturuese. Njeh gjithashtu piktorët Corot, Manet, Delacroix, Coubert dhe poetin Baudelaire.

Më 1860 u detyrua të ndërpresë veprimtarinë e tij artistike për shkak të luftës në Algjeri në të cilën ai ishte i hipnotizuar nga ngjyrat e vendit. Një vit më pas ai u la i lirë nga shërbimi dhe u kthye në Paris.

Pas kësaj, hapet një rrugë e hulumtimit ekspresiv që do të shoqërojë tërë jetën e artistit.

Chiaroscuro do të zhduket plotësisht së bashku me vizatimin perspektiv; rruga për në revolucionin impresionist tashmë është duke u zhvilluar. Paleta e tij do të fillojë të ndriçohet dhe vëmendja e artistit do të përqendrohet në studimin e dritës dhe kontrastit midis ngjyrave plotësuese. Ngjyrat që, kur vendosen krah për krah, përforcojnë njëra-tjetrën dhe krijojnë hije, duke arritur kështu një rezultat të shkëlqimit të madh.

Pa braktisur kurrë “en plein air”, Monet inkurajon piktorët e tjerë të eksperimentojnë me gjuhën pikturuese impresioniste, në mënyrë që të arrijnë të përftojnë peizazhe që nga statiku bëhen dinamike përmes përfshirjes së brendshme të artistit në ndryshimet e pandërprera të dritës, rrjedhën e vazhdueshme të jetës së përditshme kadenciale, nga një mori momentesh unike.

Vitet nga 1865 deri në 1866 janë jashtëzakonisht të paqarta; artisti krijon vepra interesante që janë të mirëseardhura nga publiku dhe pothuajse të gjithë kritikët.
Vitet që do të tregojnë pikën vendimtare impresioniste të Monet, fillojnë menjëherë pas martesës me Camille dhe në pikturat që piktori do të prodhojë nga viti 1870 e në vazhdim, do të jetë e mundur të kuptohet ai stil i pakuptueshëm i një piktori jashtëzakonisht volitiv, i gatshëm për të sfiduar jurinë e Sallonit. / KultPlus.com

Dhe dashuria shpërtheu në këngë


Poezi e shkruar nga Else Lasker-Schüler.

Mbrëmja puthte mistershëm
Landrën që çelej.
Ne luanim e ndërtonim tempujt Apollo
Dhe kalamendeshim të mallëngjyer
Mes njëri-tjetrit.
Dhe qielli i natës përhapte aromën e tij të zezë
Në valët e gufuara të ajrit të qullur.
Dhe shekujt gremiseshin
Dhe rrafshoheshin
Dhe rreshtoheshin serish madhërisht
Drejt intrigash vezulluese.
Ne luanim me fatin gazplotë,

Me frytet e parajsës së majit,
Dhe në arin e egërsuar të flokëve të tu të kërleshur
Këndova mallin tim të thellë
Britmë,
Ashtu si një zog i zi i pyjeve të errët.
Dhe qiej të rinj ranë përposh
Të papritura, aroma të ëmbla të egra;
Ne shqyem mbulojat
Dhe bërtitëm!
Të dalldisur nga mushti i erërave.
Unë lidhesha me jetën tënde,
Gjersa ajo zhbëhej e tëra,
Dhe pastaj sërish merrte trajtë
Dhe sërish zhbëhej pastaj.
Dhe dashuria shpërtheu në këngë,
Në dy simfoni të egra!/KultPlus.com

’Skena e Klarinetës’ vjen këtë vit me edicionin e saj të tretë

OJQ Noricum Culture, në përkushtimin e saj për të zhvilluar dhe promovuar kulturën muzikore, po sjell edicionin e tretë të kampanjës së mirënjohur “Skena e Klarinetës”. Ky edicion përmban një seri prej 12 koncertesh që do të luhen në 12 shkolla të muzikës në Kosovë dhe Shqipëri, duke e bërë këtë aktivitet një urë bashkimi ndërmjet talenteve të rinj nga të dyja vendet.

Në skenë do të ngjiten studentët e talentuar nga Universitetet e Arteve “Hasan Prishtina” dhe “Haxhi Zeka”, të cilët do të ndajnë me publikun talentin dhe pasionin e tyre për muzikën. Ky turne unik i koncerteve synon të nxisë bashkëpunimin, shkëmbimin kulturor dhe rritjen e dashurisë për muzikën klasike ndër të rinjtë.

Kryetari i Noricum Culture, Norik Nushi, u shpreh për KultPlus se ‘Skena e Klarinetës’ mbi të gjitha ka për qëllim që të fuqizojë artistët e rinj dhe të ndërtojë ura të reja kulturore.

“‘Skena e Klarinetës’ është më shumë sesa një seri koncertesh, është një platformë që fuqizon artistët e rinj, frymëzon komunitetet dhe ndërton ura të reja të mirëkuptimit kulturor. Bashkohuni me ne për të mbështetur talentet e rinj dhe për të shijuar një eksperiencë të paharrueshme artistike”, u shpreh Nushi duke ftuar mes tjerash ndjekësit që të përcjellin faqet e Noricum Culture në Facebook dhe Instagram për të qenë të informuar rreth datave të koncerteve.

Vendet e shfaqjes janë:
“Lorenc Antoni” Prizren,
“Prenk Jakova” Prishtinë,
“Halit Kasapolli” Pejë,
“Tefta Tashko” Mitrovicë,
“Prenk Jakova” Gjakovë,
“Çesk Zadeja” Ferizaj,
“Shkolla e Muzikes” Gjilan,
“Faik Sylka” Rahovec,
“Shkolla e Muzikes” Kamenicë,
“Tefta Tashko” Vushtrri,
“Jan Kukuzeli” Durrës dhe
“Prenke Jakova” Shkodër./KultPlus.com