Të martën, më 24 shtator, nga ora 18.00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery do të përurohet libri i autores Lumnije Berisha, me titull “Zëra Hibrid”.
Ky libër sjell në kujtesën e lexuesve personazhe nga sfera të ndryshme jetësore.
Libri “Zëra Hibrid”, i autores Lumnije Berisha, i përket një zhanri shumë të veçantë të gazetarisë. Mbase profesioni i autores, si gazetare, e ka nxitur atë që t’i botojë në një libër intervistat e realizuara me personalitete të rëndësishme shqiptare që jetojnë në Kosovë, Shqipëri si dhe në Diasporë.
Libri “Zëra Hibrid”, ofron një perspektivë të pasur të identitetit kombëtar dhe shoqëror të Kosovës dhe Shqipërisë, duke sjell një panoramë të pasur të krijimtarisë dhe kontributit të personaliteteve të shquara shqiptare në fushat e kulturës, letërsisë, politikës dhe gazetarisë.
BIOGRAFIA Lumnije Berisha u lind në Dardanë (ish Kamenicë). Studimet për gazetari i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kurse studimet Master në drejtimin “Komunikim Masiv dhe Gazetari”, i përfundoi në Kolegjin AAB, ku mori titullin MA me temën “Qasja e Institucioneve dhe e Mediave ndaj Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë”, e cila në vitin 2018 u bë libri i saj i parë. Që nga viti 2013 Berisha është autore e emisionit “Për një Botë më të Mirë” në Radio Kosovë, ku trajton tema sociale. Gjithashtu, një periudhë kohore e ka drejtuar edhe emisionin “Kaleidoskop”, po në Radio Kosovë, në të cilin ka trajtuar tema të ndryshme me personalitete të shquara shqiptare. Lumnije Berisha ka ndjekur edhe trajnime të ndryshme nga të cilat ka marrë licenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2021 ka botuar librin “Pikturë me fjalë”, i ribotuar në po të njëjtin vit. “Zëra Hibrid”, është libri i saj i tretë, në të cilin shpalosë rrëfime të thella dhe të pasura nëpërmjet intervistave me një gamë të gjerë personalitetesh shqiptare. Në këtë libër lexuesit njihen me një panoramë të gjallë të botës së tyre./ KultPlus.com
Java Kulturore Britanike vazhdoi aktivitetet e saj me masterclass-in nga Mike Figgis. Në Qendrën e Artit “Agimi”, ishin të pranishëm me këtë rast, kineastë të rinj e të apasionuar ndaj kinematografisë për të ndjekur ligjërimin e regjisorit, skenaristit e kompozitorit britanik, Figgis.
Mike Figgis erdhi për një seminar rreth realizimit të filmave me buxhet të limituar dhe pajisje minimale. Eventi ngjalli interes tek gjenerata e ardhshme e kineastëve dhe ishte një shkëmbim i vlefshëm njohurish midis industrisë së filmit në Mbretërinë e Bashkuar dhe asaj shqiptare.
Mike Figgis dha nga përvoja e tij e vyer, si një regjisor që është kandiduar 2 herë për çmimin Oscar, me veprën e tij “Leaving Las Vegas” (1995).
Falë Javës Kulturore Britanike, të rinjtë mundën të bashkebisedonin me një artist që ka nxjerrë dhjetra prodhime si në kinematografi ashtu edhe në televizion. Figgis përveç regjisë ka shkruar një pjesë të madhe të skenarëve që ekranizohen, si dhe ka shkruar muzikën për pjesën më të madhe të tyre./atsh/KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare e Pagave të Barabarta, e cila përfaqëson përpjekjet e kahershme drejt arritjes së pagës së barabartë për punë me vlerë të barabartë.
Kjo ditë bazohet më tej në angazhimin e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe kundër të gjitha formave të diskriminimit, duke përfshirë diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.
Në të gjitha rajonet e botës, gratë paguhen më pak se burrat, me diferencën gjinore të pagave të vlerësuara në rreth 20 %, në rang global. Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave vazhdojnë të frenohen për shkak të marrëdhënieve të pabarabarta historike dhe strukturore të pushtetit midis grave dhe burrave, varfërisë dhe pabarazive dhe dizavantazheve në aksesin ndaj burimeve dhe mundësive që kufizojnë aftësitë e grave dhe vajzave.
Progresi në ngushtimin e këtij hendeku ka qenë i ngadaltë. Ndërsa paga e barabartë për burrat dhe gratë është miratuar gjerësisht, zbatimi i saj në praktikë ka qenë i vështirë./atsh/KultPlus.com
Filmi i metrazhit të gjatë “Pikë uji” tashmë është propozuar për garën e Oscar, garë në të cilën do të merr pjesë Shqipëria, shkruan KultPlus.
Filmi me skenar dhe regji të Robert Budinës e me prouducemte Sabina Kodra sjell një histori të Aidës (Gresa Pallska), e cila është një grua në karrierë, por që jeta e përplasë me një problem familjar, problem pastaj që shpërfaqë fuqinë e politikës, drejtësisë…
Në këtë film, përpos Gresa Pallaskës me role të tyre janë përfshirë edhe aktorët: Arben Bajraktaraj, Adem Karaga, Gerhard Koloneci, Kodjana Keco, Paolo Iancu, Henri Topi…
Se janë propozuar për të garuar për Oscar, është bërë e ditur nga EraFilm Production, njoftim që e sjellim të plotë në vijim.
Jemi jashtëzakonisht të lumtur të njoftojmë se filmi “Pikë Uji” është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar! Për ne, ky është vlerësimi më i madh që mund të marrësh nga vendi yt.
Falënderojmë me mirënjohje të thellë:
– Aktorët dhe ekipin tonë të dedikuar që punuan me pasion dhe përkushtim – falë jush ky moment është bërë realitet!
– QKK-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe besimin!
– Komisionin përzgjedhës për përgjegjësinë e jashtëzakonshme që na kanë dhënë.
Është hera e tretë që një film nga ERAFILM do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë skenë të madhe ndërkombëtare! Kjo arritje na mbush me krenari të thellë dhe na motivon të japim gjithçka për të çuar përpara kinemanë shqiptare në nivel ndërkombëtar. Robert BudinaSabina Kodra Gresa Pallaska Gresa Pallaska OfficialGerhard Koloneci Adem Karaga Klodjana Keco
Një prej filmave të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, u shfaq sot në Kryesinë e Kuvendit, në kuadër të Forumit për Ukrainën. Për këtë veprimtari u përzgjodh dokumentari “Intercepted” (Të përgjuarit).
“Të përgjuarit” është një dokumentar, prodhim i vitit 2024. Ai rrëfen shkatërrimin e Ukrainës prej luftës, duke e sjellë këtë përmes tablove të gjata. Ndërsa anën njerëzore, dokumentari e rrëfen përmes telefonatave të ushtarëve me familjet, duke zbuluar një botë paralele. Tingulli dhe imazhi përballen me njëri-tjetrin.
Përpara se të shfaqej filmi, përshëndetën forumin edhe drejtori ekzekutiv i festivalit, regjisori Kujtim Çashku si dhe prof. Theodore S. Orlin, president nderi i festivalit.
“Kam qenë në Kiev dhe kam kuptuar se, duke ndjekur dronët dhe raketat e shumta brenda 2 orëve, kuptova se ato binin në trupin e Evropës. Asnjëherë zjarri që shihet në shtëpinë e tjetrit, nuk duhet menduar se nuk do të vijë edhe në shtëpitë tona”, u shpreh Kujtim Çashku.
Ndërsa prof. Orlin tha se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë është një tragjedi e shekullit të 21-të dhe mund të jetë ndër gjërat më domethënëse të këtij shekulli. Sipas tij, nëse Ukraina nuk do të fitonte, ky do të ishte një shkatërrim për rendin ndërkombëtar, për të cilin kemi punuar shumë.
“Kjo nuk është hera e parë që shohim një film për Ukrainën. Por kësaj here jemi të shqetësuar për kombin e Ukrainës”, u shpreh Orlin./atsh/KultPlus.com
Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit”, Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Ushtarake, organizoi një aktivitet përkujtimor në bibliotekën “Musine Kokalari” në Tiranë.
Tema e këtij aktiviteti ishte: “Rreth historikëve të Brigadave Sulmuese të krijuara në shtator 1944”, duke vlerësuar kontributet e jashtëzakonshme të figurave historike në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në këtë diskutim folën prof. Bernard Zotaj, Gani Elezi, Ledio Xhoxhi, Hysni Mullalli, Vjollca Trebicka.
Aktiviteti përkujtimor kontribuoi në ruajtjen e kujtesës kolektive për sakrificat dhe heroizmin e popullit shqiptar.
Qeveria ka miratuar projektvendimin për shpalljen e 2024-ës, si viti mbarëkombëtar i festimeve të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit dhe gjithashtu ngritjen e Komisionit Shtetëror për organizimin e festimeve gjithëvjetore për 80-vjetorin e Çlirimit. Në kuadër të tij po organizohen aktivitete te shumta artistiko-kulturore./atsh/KultPlus.com
Më 18 shtator 1947, regjimi komunist orkestroi një proces gjyqësor kundër “çadrës” së spiunazhit amerikan në Shqipëri.
Qe vendosur që të zhvilloheshin dy gjyqe, një i hapur dhe një i mbyllur “për gjykimin e disa elementëve armiq, mbeturina të fashizmit, të spiunazhit të huaj, fraksionistë..etj, si edhe mbi qëndrimin dhe masat ndaj atyre teknikëve që dalin të implikuar në procesin gjyqësor”.
Akuzat ngriheshin kundër Harry Fultz-it, që sipas regjimit përdorte kontaktet e tij si drejtor i Shkollës Teknike, në kuadër të një aktiviteti spiunazhi.
“Nga procesi dalin të implikuar shumë teknikë. Një kategori e tyre mund të futen edhe në burg. Një kategori duhet të këshillohet. Një kategori që mund të vëzhgohet. Njerëzit tonë duhet të përfitojnë për të krijuar agjentë. Ka nga ata që do të transferohen ose do të pushohen”, shkruhet në dokumentin e ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit.
Nëpërmjet tekstit ilustrues, mësohet se në përgatitjen e gjyqit do të përcaktohej edhe ndërmarrja e masave të karakterit politik. Nga punimet e gjyqit u dënuan me vdekje Beqir Çela, Riza Alizoti, Paollo Sagioti, Andrea Tarasconi, Sulo Klosi dhe Agathokli Xitomi./atsh/KultPlus.com
Milan Kundera është një shkrimtar çek që shkoi në mërgim në Francë në 1975, duke u bërë një shtetas francez i natyralizuar në vitin 1981.
Kunderas iu hoq shtetësia çekosllovake në vitin 1979; ai mori nënshtetësinë çeke në vitin 2019. Ai “e sheh veten si një shkrimtar francez dhe këmbëngul se vepra e tij duhet të studiohet si letërsi franceze dhe të klasifikohet si e tillë në libraritë”.
Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura nga librat dhe punimet e shkrimtarit.
Por kur të fortët ishin shumë të dobët për të lënduar të dobëtit, të dobëtit duhej të ishin aq të fortë sa të largoheshin.
Dy njerëz të dashuruar, të vetëm, të izoluar nga bota, kjo është aq e bukur.
Nuk mund të matet dashuria e ndërsjellë e dy qenieve njerëzore me numrin e fjalëve që shkëmbejnë.
Kur zemra flet, mendja e sheh të pahijshme të kundërshtojë.
Burimi i frikës është në të ardhmen dhe një person i çliruar nga e ardhmja nuk ka asgjë për t’u frikësuar.
Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.
Budallallëku i njerëzve vjen nga të paturit një përgjigje për gjithçka, risia në gjithë këtë është të paturit një pyetje për gjithçka.
Dëshira jonë për rregullsi përpiqet ta kthejë botën e njerëzve në mbretërinë e inorganikes, në të cilën gjithçka ecën përpara dhe vepron sipas një rendi jopersonal. Dëshira për rend është, në të njëjtën kohë, një dëshirë për vdekje. Sepse jeta është një ndryshim i përhershëm i rendit.
Një person që dëshiron të largohet nga vendi ku jeton është një person i palumtur.
E vetmja gjë që ajo tha kur ai e liroi nga përqafimi i tij ishte: “Ti nuk e di sa e lumtur jam që jam me ty”. Kjo ishte ajo që natyra e saj e rezervuar e lejoi të shprehte.”
Ne kurrë nuk mund të dimë se çfarë të dëshirojmë, sepse, duke jetuar vetëm një jetë, nuk mund ta krahasojmë atë me jetët tona të mëparshme dhe as ta përsosim në jetët tona të ardhshme.
Sepse në këtë botë çdo gjë është e falur paraprakisht dhe për këtë arsye gjithçka lejohet në mënyrë cinike.
Nuk ka perfeksion, vetëm jetë.
Dashuritë janë si perandoritë: kur ideja mbi të cilën bazohen shkatërrohet, ato gjithashtu zbehen.
E vetmja marrëdhënie që mund t’i bëjë të lumtur të dy partnerët është ajo në të cilën sentimentalizmi nuk ka vend dhe asnjëri nga partnerët nuk pretendon për jetën dhe lirinë e tjetrit.
Nuk do ta dimë kurrë pse e acarojmë njëri-tjetrin, çfarë është ajo që na bën të sjellshëm apo qesharak. Imazhi ynë është misteri ynë më i madh.
Një libër i ndaluar në vendin tuaj do të thotë pafundësisht më shumë se miliarda fjalë të nxjerra nga universitetet tona.
Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës.
Sepse nuk ka asgjë më të rëndë se dhembshuria. As dhimbja jonë nuk peshon aq e shumë sa dhimbja që ndjen me dikë, për dikë, një dhimbje e intensifikuar nga imagjinata dhe e zgjatur me njëqind jehona.
Ekziston një pjesë e caktuar e të gjithëve ne që jeton jashtë kohës. Ndoshta ne bëhemi të vetëdijshëm për moshën tonë vetëm në momente të jashtëzakonshme dhe shumicën e kohës jemi pa moshë.
Shansi dhe vetëm shansi ka ë një mesazh për ne. Çdo gjë që ndodh nga nevoja, gjithçka që pritet, e përsëritur ditë pas dite, është e heshtur. Vetëm rasti mund të na flasë.
Po, është një fakt i njohur për ty: je si vdekja, merr gjithçka.
Unë nuk isha hipokrit, me një fytyrë të vërtetë dhe disa të rreme. Kisha disa fytyra sepse isha i ri dhe nuk e dija kush isha apo doja të isha.
Të qeshësh është të jetosh thellë.
Njeriu është përgjegjës për injorancën e tij.
Të jetosh është të jesh i lumtur: të shohësh, të dëgjosh, të prekësh, të pish, të hash, të urinosh, të defekosh, të zhytesh në ujë dhe të shikosh qiellin, të qeshësh dhe të qash.
Në sipërfaqe, një gënjeshtër e kuptueshme; poshtë, e vërteta e pakuptueshme.
Për fat të mirë, gratë kanë aftësinë e mrekullueshme për të ndryshuar kuptimin e veprimeve të tyre pas ngjarjes.
Ndonjëherë ju vendosni për diçka pa e ditur pse, dhe vendimi juaj vazhdon nga fuqia e inercisë. Çdo vit bëhet më e vështirë të ndryshosh.
Tomas nuk e kuptoi në atë kohë se metaforat janë të rrezikshme. Metaforat nuk duhen anashkaluar. Një metaforë e vetme mund të lindë dashuri.
Lumturia është dëshira për përsëritje.
Testi i vërtetë moral i njerëzimit, testi i tij themelor…përbëhet nga qëndrimi i tij ndaj atyre që janë në mëshirën e tij: kafshëve.
Sa më e madhe të jetë paqartësia, aq më e madhe është kënaqësia.
Të rebelohej kundër lindjes së një gruaje asaj i dukej po aq budallallëk sa të krenoheshe me të.
Vlera e një qenieje njerëzore qëndron në aftësinë për të zgjeruar veten, për të dalë jashtë vetes, për të ekzistuar me dhe për njerëzit e tjerë.
Pa e kuptuar, individi e kompozon jetën e tij sipas ligjeve të bukurisë edhe në kohët e fatkeqësisë më të madhe.
Unë kam një vullnet të fortë për të të dashur në përjetësi.
Kjo ditë është themeluar me qëllim që t’i shtyjë njerëzit që të përqendrohen më shumë në mënyrën se si ata mund të respektojnë të tjerët.
Kjo do të thotë që t’u kushtoni më shumë vëmendje të dashurve tuaj, mirëpo në përgjithësi merret si një arsye shtesë që t’i trajtoni njerëzit me mënyra më të sjellshme.
Nuk ka ndonjë rregull mbi të cilin kjo ditë shënohet, kjo gjë varet nga ju, rrethi dhe nevojat tuaja.
Natyrisht, respekti është diçka që duhet të na shoqërojë gjithë vitin, por kjo ditë duhet t‘ju frymëzojë që të mendoni më shumë se si silleni me njerëzit rreth jush. / KultPlus.com
Më 18 shtator 1958, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë u dha premiera e operas “Berberi i Seviljas”, e kompozitorit italian Xhoakino Rosini.
Dirigjent: Mustafa Krantja. Regjisor: M. G. Gevorkian. Skenograf: Shadan Toptani. Mjeshtër Kori: Vangjo Nova. Konti Almaviva: Maliq Herri, Zihni Berati; Don Bartolo: Haxhi Tafaj, Hysen Pelinku; Rosina: Andromaqi Haderi, Nina Mula, Hamide Stringa; Figaro: Avni Mula; Don Basilio: Lukë Kaçaj, Mentor Xhemali; Fiorelo: Koço Timko, Shaban Kapllani; Berta: Shpresa Nishani, Dhimitra Keta; Oficeri: Lefter Besho, Fuat Merko, Gaqo Zdruli; Noteri: Shaban Kapllani, Muhamet Tomorica. Dekoret punuar nga: Hasan Reçi. /KultPlus.com
Keni nevojë për pushime? Përfitoni nga rënia e çmimeve të shtatorit dhe bëni një udhëtim të përballueshëm përpara Krishtlindjeve, shkruan Simon Calder në të përditshmen britanike “The Independent”.
Udhëtimi për një javë në bregdetin e Adriatikut të Shqipërisë në nëntor ofrohet me një kosto prej 160 euro për person.
Çmimet kanë filluar të bien gjatë muajit shtator – me paketat e pushimeve të disponueshme për 355 euro ose më pak.
Në vjeshtë dhe në fillim të dimrit, një arratisje në Mesdhe, Adriatik ose Atlantik do të ishte zgjedhja ideale.
Një paketë gjithëpërfshirëse në Turqi është e disponueshme për vetëm 60 euro në ditë dhe një javë në bregdetin e Shqipërisë kushton 160 euro.
Ekspertët e udhëtimeve kanë zgjedhur Shqipërinë, Greqinë, Spanjën, Turqinë dhe Portugalinë – si destinacionet e duhura për të udhëtuar për pushime – paketat e të cilave përfshijnë fluturimin, transportin dhe akomodimin.
“The Independent” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve më të bukura – për të përfituar nga rënia e çmimeve të shtatorit dhe për të bërë një udhëtim të përballueshëm përpara Krishtlindjeve.
Shqipëria
Shqipëria është një nga perlat e Evropës me plazhe të pacënuara dhe bukuri natyrore.
Për pushime të lira dimërore vizitoni Shqipërinë në nëntor.
Fluturimet gjatë këtij muaji kushtojnë 36 euro me “Wizz Air” nga aeroporti i Lutonit.
Një autobus nga aeroporti i Tiranës për në qytetin bregdetar dhe resortin kryesor të Durrësit kushton 6 euro.
Qëndrimi për një javë në hotelin me katër yje “Zanzi” kushton 224 euro.
Për pushime dimërore pranë Adriatikut do të shpenzoni më pak se 24 euro në ditë, ose 160 euro për person për një javë./atsh/KultPlus.com
Dhe kur zemra të të rënkojë si traktor i vjetër, E tym të të shpërndajë ngado, Dhimbje zinxhirësh ti do kesh patjetër, Por ti mos ik, dhe mos u dorëzo!
Dhe kur këmbët të të rëndohen porsi shkëmbi, Dhe një hap të mos hedhësh dot si njeri, Dhe kur gjer në shpirt dhimbja të të dhëmbi, Ti mos u dorëzo, përsëri!
Edhe kur mesin të ta shtrëngojnë gjarpërinjtë, Dhe të të kafshojnë e helmojnë ngado, Dhe kur trupi të të ndizet si thëngjijtë, Ti prapë mbahu, e mos u dorëzo !
Edhe kur koka të të gjëmojë si tërmeti, Si miliona djaj të mbledhur ngado, Sikur nga gjithçka të të mbetet veç skeleti, Ti mbahu fort, dhe mos u dorëzo!
Kur të japësh dhe frymën e fundit, E veç një grimë ajri të kesh në mushkëri, Ti mos u jep prej lodhjes dhe mundit, Dhe mos u dorëzo, përsëri!
Edhe kur të ta fusin trupin në tabut, Dhe të të mbulojnë paq me dhè të zi, Ti prapë thuaji vdekjes : – Ç’më ha një mut ! Mos u jep, dhe kthehu përsëri!
Italia është një vend i bukur me plazhe të mrekullueshme, vargmale të mëdha malore, qytete mahnitëse mesjetare dhe kuzhinë të jashtëzakonshme, sipas një artikulli të botuar në revistën “The Travel”.
Megjithatë, të gjitha këto mund të jenë të pavlefshme – në krahasim me vendet e tjera më të qeta evropiane që janë gjithashtu alternativa më të lira si Shqipëria, e cila ndodhet më në jug të kontinentit.
Shqipëria është një vend ballkanik që krenohet me natyrën e pacenuar, plazhet mahnitëse, qytetet e mrekullueshme, historinë interesante, përballueshmërinë dhe vendasit miqësorë.
Mikpritja në Shqipëri nuk mund të krahasohet me një vend si Italia, pasi familjariteti dhe personaliteti që ndajnë shqiptarët vendas është i jashtëzakonshëm.
Në vend që të zgjidhja vendet tipike për pushime si Italia, vendosa të shkoj në zonat turistike dhe të pacënuara të Shqipërisë për të parë se çfarë ofronte vendi i bukur.
Riviera Shqiptare është një alternativë më e përballueshme krahasuar me Bregun e Amalfit dhe vargmalet malore të Italisë.
Vendi i vogël ballkanik është një version i pazbuluar, më i lirë por po aq mahnitës sa Italia.
Shtatë arsye pse duhet të vizitoni Shqipërinë në vend të Italisë:
1-Plazhet në Shqipëri janë shumë më të qeta se ato të Italisë
Në Shqipëri do të keni mundësinë të gjeni plazhe tepër të qeta – që janë po aq mahnitëse sa ato në Itali.
Bregdeti jugor i Shqipërisë është një nga zonat e mia të preferuara për t’u vizituar gjatë verës.
Gjatë muajve të ngrohtë, zgjidhni gjithmonë plazhet e Ksamilit dhe Sarandës në vend të bregdetit të Amalfit në Itali.
Ndërsa Shqipëria po pret një numër në rritje turistësh, plazhet e njohura janë ende të qeta nëse i vizitoni në kohën e duhur të ditës.
Ksamili dhe Saranda janë plazhe të ngjashme me Karaibet, me rërë të artë dhe ujëra të kristalta.
Plazhi Itan Kryeziu është plazhi më i qetë që mund të vizitoni në bregdetin jugor.
Plazhi i Dhërmiut është gjithashtu një tjetër plazh i qetë – krahasuar me plazhet në Evropë.
Mund të jetë pak më i ngarkuar me vendasit, por këtu mund të bëni zhytje fantastike.
Hiqni dore nga bregu i Amalfit dhe drejtohuni në Rivierën Shqiptare për pushime më të qeta dhe më shumë jetë ujore në plazh.
2-Malet e Shqipërisë janë më piktoreske se alpet e Italisë
Alpet shqiptare janë epike dhe nuk krahasohen me asnjë tjetër në Evropë, përfshirë Italinë.
Italia ofron ecje dhe pamje mahnitëse malore, duke përfshirë malin Etna dhe Monte Baldo.
Megjithatë, ato nuk krahasohen me natyrën e pacënuar të maleve veriore shqiptare.
Alpet Shqiptare mund të ofrojnë më shumë për turistët që kërkojnë ecje të qeta dhe peizazhe të pacënuara.
Bjeshkët e Nemuna janë pjesë e Evropës Juglindore dhe një tipar domethënës i Shqipërisë veriore.
Vizita ime e parë në qarkun e Kukësit, ku ndodhen Alpet Shqiptare, ishte gjatë vjeshtës kur temperatura ishte e rehatshme 24 gradë Celcius.
Ju mund të shihni malet përreth bujtinave në Valbonë dhe të bëni ecje në mëngjes kur moti është ende i thatë dhe i butë.
Peizazhi alpin që kalon rrugës për në fshatin e vogël, Kukaj ngjan me atë të Zvicrës apo Alpet Italiane.
3-Shqipëria ka vendasit më miqësorë
Shqipëria ofron mikpritjen më të mirë në Evropë dhe vendasit e buzëqeshur janë në çdo cep.
Nëse do të më duhej të thoja një karakteristikë për Shqipërinë, do të ishte se vendi ka disa nga vendasit më miqësorë që kam takuar ndonjëherë.
Fillimisht, mendova se vendasit në kryeqytetin e Tiranës do të ishin më pak miqësorë dhe do të kishin më pak kohë për të biseduar.
Megjithatë, stafi në kafene dhe dyqane ofroi të njëjtën mikpritje si njerëzit në qytetet dhe fshatrat e vogla të Shqipërisë.
4-Shqipëria është dukshëm më e përballueshme se Italia
Një ndryshim i madh midis Italisë dhe Shqipërisë është përballueshmëria.
Ndërsa çmimet e turizmit rriten gjithmonë për shkak të kërkesës dhe inflacionit, Shqipëria është dukshëm më e lirë se Italia.
Gjithçka, duke filluar nga akomodimi dhe restorantet tek dyqanet dhe kafenetë – ofrohen çmime të ulëta që do t’ju inkurajojnë të ktheheni në Shqipëri për pushimet tuaja të ardhshme.
5-Mënyra e jetesës në Shqipëri është më e qete se ajo në Itali
Jetesa shqiptare është e pakrahasueshme, ju mund të përjetoni më pak stres dhe një përvojë relaksuese udhëtimi kudo që të shkoni.
Mënyra e jetesës së Shqipërisë është ndryshe nga kudo tjetër në Evropë. Është më e qetë se Italia dhe ka një ndjenjë kulturore unike.
Sigurisht, plazhet në Itali ofrojnë një atmosferë pak më të qetë, por qytetet janë krejt e kundërta.
Qytetet e Romës dhe Firences janë të bukura, por stili i jetesës ishte kaotik. Ndërsa, në Shqipëri kudo që shkoni do të ndiheni të freskët dhe të relaksuar.
E gjithë eksperienca e udhëtimit në Shqipëri është më e qetë dhe pa stres. Është e jashtëzakonshme se sa relaksuese dhe qetësuese është kultura shqiptare.
6-Shtigjet e ecjes në Shqipëri janë të pakrahasueshme
Mos u habisni nëse jeni i vetmi person në vende të paarritshme në Shqipëri.
Ndërkohë që Italia dhe Shqipëria ofrojnë mundësi të pabesueshme, unë preferoj xhevahiret e fshehura të Shqipërisë.
Mungesa e zhurmës dhe turizmit në këto vende të pazbuluara do të ofrojnë një përvojë që nuk do ta gjeni askund në Itali.
Vizitoni Kanionin e Osumit në Berat, i cili është një nga shumë pikat interesante në Shqipëri.
Mos u çuditni nëse vizitoni vende të tjera në Shqipëri dhe jeni i vetmi person atje; është një ndjenjë magjike.
Perlat e tjera të fshehura që duhet të vizitoni në Shqipëri – përfshijnë Parkun Kombëtar të Valbonës, Parkun Kombëtar të Thethit dhe Syrin e Kaltër.
7-Peizazhet e Shqipërisë janë më të larmishme se ato të Italisë
Shqipëria ofron peizazhe të larmishme – nga plazhet mahnitëse deri te malet e larta.
Shqipëria është kryesisht e pacënuar dhe ofron peizazhe unike.
Vendi ballkanik është një perlë e fshehur për adhuruesit e natyrës, dhe peizazhet janë më të larmishme se ato të Italisë.
Peizazhet e Italisë janë të mrekullueshme, por të mbuluara me ndërtesa turistike, ndërsa, në Shqipëri, shumica e peizazheve janë mahnitëse, të qeta dhe tërheqëse.
Drejtohuni në bregdetin jugor për te eksploruar plazhet përgjatë Rivierës Shqiptare.
Ata që kërkojnë xhevahire unike përgjatë bregdetit duhet të shkojnë në plazhin e Gjipesë për limanet e tij të fshehura mes shkëmbinjve të lartë gëlqerorë.
Koha ideale për të vizituar këtë plazh është gjatë perëndimit të diellit.
Në veri mund të gjeni edhe majat e thyera të maleve me shumë pak turistë. Vendasit mund t’ju udhëheqin, ose ju mund të eksploroni zonën vetëm./atsh/ KultPlus.com
Autori shqiptar, Ben Blushi, ka njoftuar se së shpejti do t’i promovojë librat “Komploti” dhe “41 sekrete” në Preshevë.
Autori me anë të një shkrimi në “Facebook” ka thënë se mezi pret të bashkëbisedojë me lexuesit që e pëlqejnë letërsinë e tij.
“Mezi pres te jem në Preshevë, të mërkurën pasdite i ftuar nga Biblioteka e Qytetit për të marrë pjesë në një bashkëbisedim me lexues dhe qytetarë të interesuar për letërsinë time dhe me gjerë”, ka shkruar Blushi në llogarinë e tij në Facebook./ KultPlus.com
“Fije” në tablo pikture është një ndër ekspozitat e reja në jetën artistike. Piktori Andi Hila ekspozoi këto ditë shtatori 19 punët e tij në galerinë FAB.
Fije bari, bimë të harlisura apo dhe të shkreta, në muzg të stinës së tyre, janë pamjet që paraqiten në pikturat e artistit.
Piktori trego se këto punë të realizuar për 6 vite, për herë të parë janë pjesë e një ekspozite personale të tij ndërsa tregoi dhe pse zgjodhi këtë temë.
“Këtë herë jam ndal te fija e barit që është më e thjeshta por dhe më sublimja. Shpesh harrojmë të voglën dhe merremi me luksin”,-tha artisti Andi Hila.
Frymëzimi I artisti nisi që në kohën e pandemisë, pasi asokohe gjeti kohë për veten. Në 19 punët e piktorit, vetëm në njërën është njeriu.
“Unë dje e vëzhgova se vetëm në njërën pikturë kishte njerëz. Nuk është një shkëputje prej njerëzve por diçka rrjedh natyrshëm”,-tha Hila.
Ndërsa Edison Çeraj shprehet se në pikturat e Andi Hilës ai gjen vazhdimësi dhe ekuilibër, ku ruhen elemente të traditës së pikturës në thurimën e një tipologjie dhe estetike bashkëkohore. Andi Hila është gjithashtu dhe autor i disa ekspozitave personale realizuar në Galerinë e Arteve Shkodër, Tulla Center, Muzeun Historik Kombëtar.
Ekspozita në galerinë FAB do të qëndroj e hapur deri më 19 shtator./euronews/ KultPlus.com
30 artistë do të jenë pjesë e ekspozitës “Ura Kulture: Dialog Artistik” që do të prezantohet në Selanik të Greqisë, qe për drejtoreshë artistike ka Majlinda Kelmendin, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë synon të adresojë njohjen dhe prezantimin e artit dhe kulturës në një kontekst ndërkombëtar, këtë rrallë në Selanik Greqi.
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, dialogu ndërkulturor është esencial për ndërtimin e urave dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet kombeve. Kjo ekspozitë synon të nxisë këtë dialog përmes bashkëpunimit artistik.
Koncepti i “metaxí” rrjedh nga fjala greke që do të thotë “në mes” ose “ndërmjet”. Ky term i referohet një hapësire të përkohshme ndërmjet dy gjendjeve ose realiteteve të ndryshme. Në kontekstin e filozofisë dhe artit, “metaxí” simbolizon një hapësirë tranzitore ku ndodh dialogu, shkëmbimi dhe ndërveprimi. Kjo hapësirë ndërmjet kulturave është një terren i pasur për krijimin artistik dhe kuptimin e ndërsjellë. “Metaxí” përfaqëson hapësirën ku kulturat takohen dhe ndërveprojnë.. Kjo nxit kuptimin dhe respektin e ndërsjellë. Ky projekt është një mundësi unike për të prezantuar dhe për të promovuar artin dhe kulturën, ku nëpermjet dialogut synojmë të nxisim një kuptim dhe respekt të ndërsjellë, duke krijuar një platformë për artistët e rinj për të prezantuar dhe për të promovuar veprat e tyre.
Mbushen plot 35 vite nga ndarja nga jeta e Artistit të Merituar Enver Birko (1935 – 1989), një nga pionierët e artit koreografik shqiptar, me një karrierë të pasur prej më shumë se 40 vjetësh.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit solli në kujtesën e publikut disa nga momentet e rëndësishme të jetës dhe karrierës artistike të artistit.
Birko e nisi rrugëtimin e tij artistik në vitin 1950, si pjesë e grupit të valleve në Filarmoninë Shqiptare. Ai qëndroi aty deri në krijimin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957, ku u bë një ndër interpretuesit më të shquar.
Me pasionin dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm, Enver Birko fitoi zemrat e publikut shqiptar. Lëvizjet e tij të gjalla, teknika e përsosur e interpretimit dhe shkathtësia në skenë ishin të papara. Publiku mbeti i mahnitur nga harmonia dhe rrjedhshmëria e lëvizjeve të tij, ku plastika e trupit, duarve dhe këmbëve, përshkonte një rrugëtim dinamik drejt kulminacioneve të valleve popullore.
Nën interpretimin e tij të shkëlqyer dhe të trupës së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, vallet e mjeshtrave si Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli dhe Agron Aliaj, të cilat ishin të pasura dhe të larmishme, fituan madhështi dhe një cilësi të re artistike.
Jeta e tij e gjatë artistike është e pasuruar me një sërë vlerësimesh, përfshirë medalje, çmime dhe titullin e nderit “Artist i Merituar”. Enver Birko ishte shembull jo vetëm në artin e tij, por edhe në jetën e përditshme, si një njeri korrekt, i qeshur, i çiltër dhe me shpirt të madh. Ai ishte një prind i përkushtuar dhe virtytet e tij si person e përforcuan edhe më tej madhështinë e figurës së tij artistike./atsh/ KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sonte është shënuar një moment i veçantë për kryeqytetin– rinovimin e fontanës ikonike të “Pallatit të Rinisë”.
Me këtë rast Kryetari Rama është shprehur se më shumë se rinovim, është një rikthim i përjetimeve që lidhen me të kaluarën e Prishtinës.
shumë qytetarëve tanë për dekada me radhë.
Sonte shënuam një moment të veçantë për qytetin tonë – rinovimin e fontanës ikonike të “Pallatit të Rinisë”.
Më shumë se thjesht një rinovim, ky është një rikthim i përjetimeve që lidhen me të kaluarën e Prishtinës sonë.
Prandaj, sonte e kthyem jo veç një fontanë të bukur, por edhe kujtimet që ajo u’a ka dhënë aq shumë qytetarëve tanë për dekada me radhë./ KultPlus.com
Ka sy që shohin – ka sy që ëndërrojnë ka sy që thërrasin – ka sy që presin, ka sy që qeshin – gazmorë përherë, ka sy që qajnë – me qarje dhimbjeje, disa nga brenda – nga jashtë disa të tjerë.
Ata janë si lulet – që toka i nxjerr. Sytë e tu jeshilë, – Tereza ime e pavdekshme, ata që më mbërthejnë – si dora jote prej bari, më shikojnë, ëndërrojnë, – thërrasin, presin, më qeshin ëmbël – gazmorë përherë, më qajnë vajtimtarë – me qarje dhimbjeje nga brenda tokës, – nga jashtë saj ndonjëherë.
Në sytë e tu unë lind, – sytë e tu më besojnë, unë jetoj në sytë e tu – diell në timen sferë, në sytë e tu unë vdes, – shtëpia dhe shtegu im, sytë e tu janë varri im – janë toka ime përherë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka përfunduar procesi restaurues në shtëpinë e familjes Vetimi, e cila gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit.
Ministri Çeku me anë të një shkrimi në “Facebook” ka bërë të ditur se pas restaurimit ky objekt është i gatshëm për banim.
“Edhe një projekt i përfunduar. Shtëpia e familjes Vetimi që gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit tashmë është restauruar dhe e gatshme për banim.
Vazhdojmë ta mbrojmë në mënyrë efektive trashëgiminë kulturore të vendit tonë”, ka shkruar Ministri Çeku./ KultPlus.com
Qyteti antik i Butrintit vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj edhe gjatë muajit shtator.
Parku arkeologjik i Butrintit ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve të huaj në Butrint, të cilët nuk i ka ndalur as moti i keq me shi për të vizituar këtë qytet antik 20 km larg Sarandës.
‘Nga Butrinti i bukur në çdo stinë, ku vizitorët në grupeve të organizuara, me interes trashëgiminë kulturore vijojnë shëtitjet të pashqetësuar”, thuhet në postimin parkut arkeologjik të Butrintit.
Ky park vijon të jetë një nga atraksionet më të vizituara turistike edhe gjatë këtij viti në Shqipëri. Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëra vjeçare ngjall kuriozitetin e turisëve nga vende të ndryshme të botës.
Në Butrint gjatë këtij viti janë kryer gjithashtu sondazhe arkeologjike në gjurmën e “Portës Arkeologjike” të hartuar në kuadër të projektit “Qendra e Vizitorëve në Butrint”, Brenda Kufirit Parku Arkeologjik Kombëtar i Butrintit.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit./atsh/ KultPlus.com
Rikthehet International Dance Festival of Tirana në edicionin e 3-të me artistë e koreografë nga e gjithë bota, në një platformë ku trandicionalja takohet me kontemporanen.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja sipas të cilit ky edicion çel siparin me “Liqenin e Mjelmave” për dy net me radhë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, vendosur në skenë nga koreografi i mirënjohur Angelin Preljocaj, premirë në Shqipëri.
Koreografi Preljocaj, në një kombinim të kryeveprës muzikore të Çajkovskit me aranzhime më bashkëkohore, i jep jetë këtij monumenti të repertorit klasik.
Besnik ndaj veprës origjinale, Preljocaj e vendos historinë e princeshës së mjelmave në qendër të problematikave të kohës sonë.
Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor në Tiranë është një mundësi e shkëlqyer për të shijuar lëvizjen, kreativitetin dhe frymëzimin, ku bashkohen artistët dhe të apasionuarit e kërcimit nga e gjithë bota në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm kulturor./atsh/ KultPlus.com
Ambasadori Jeff Hovenier, në ceremoninë e mbajtur për shënimin e 25 vjetorit të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), ka thënë qeveria e ShBA-së është e palëkundur në mbështetjen e saj ndaj Kosovës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Hovenier ritheksoi se qëndrimin e Qeverisë së ShBA-së për Kosovën.
“E bëj sepse nuk mendoj se është shumë e rëndësishme për të mos pasur keqkuptime apo keqinterpretime të qëndrimit të ShBA-së. Më 2008, ShBA e njohu Kosovën si shtet të pavarur e sovran. E bëmë këtë mbi bazën e përkushtimit të fuqishëm nga autoritetet e Kosovës në atë kohë që do të t’i implementojnë përkushtimet e bëra në Planin e Ahtisaarit për themelimin e një shtetit demokratik, multi-etnik dhe gjithëpërfshirës. Qëndrimi i ShBA-së nuk ka ndryshuar, është i palëkundur dhe nuk do të ndryshojë”, potencoi ambasadori amerikan, raporton Klankosova.tv.
“Ne nuk e pranojmë si të vërtetë asnjë përpjekje që vë në pikëpyetje statusin e Kosovës apo institucioneve të tij. Më lejoni të jem i qartë: Kushtetuta e Kosovës është legjitime dhe jemi krenarë për rolin tonë në mbështetje të popullit të Kosovës teksa e zhvilluan atë. Më lejoni të jem i qartë: Institucionet e shtetit të Kosovës janë krejtësisht legjitime dhe jemi krenarë që kemi ndihmuar në krijimin dhe konsolidimin e atyre institucioneve, përfshirë edhe asistencën nga NDI dhe partnerët tjerë”, deklaroi Hovenier.
Më tej, ai
“Dua të ritheksoj edhe një pikë kyçe: premtimi i Kosovës është si shtet i pavarur, sovran e multi-etnik, me mbrojtje të veçantë për të drejtat e pakicave, dhe jemi krenarë me rolin që kemi luajtur për të ndihmuar partnerët e Kosovës për të avancuar këtë vizion, dhe vazhdojmë përpjekjet tona për të punuar me qeverinë aktuale në kërkim të bashkëpunimit më të afërt për të parë se ky vizion është realizuar. Vizioni ynë mendoj se është shumë i qartë: Kosova gëzon një shoqëri në të cilën të gjithë qytetarët jetojnë në kushte të dinjitetshme dhe të sigurta, përfshirë edhe ato nga komunitetet pakicë”.
“Dua të jem i qartë: Ne kemi qenë pjesë e procesit tuaj për të ndërtuar dhe mbështetur një shtet të suksesshëm, sovran, demokratik, multi-etnik. Përkushtimi ynë ndaj kësaj është e palëkundur, është e çeliktë. Një nga manifestimet më të mira për këtë është mbështetja jonë ndaj NDI-së dhe partneriteti ynë për të parë atë që po arrihet”, tha ai, teksa falënderoi NDI-në për punën e saj dhe përfaqësimin e ShBA-së në mënyrën më të mirë të mundshme në Kosovë.
Qeveria e ShBA-së, tha Hovenier, ka histori të vjetër të bashkëpunimit me NDI.
“I ka ofruar rreth 40 milionë dollarë për të mbështetur programe dhe aktivitete në Kosovë për këtë periudhë. Puna e NDI në Kosovë është efiçiente dhe ka pasur ndikim të madh në zhvillimin e demokracisë”.
“Qeveria e SHBA është krenare që përmes NDI ka mbështetur popullin e Kosovës për një shtet sovran dhe demokratik dhe të avancojë në trajektoren e paevitueshme për të marrë vendin që i takon në Evropë dhe anëtarësimin në BE dhe NATO”, potencoi ambasadori Jeff Hovenier. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të Bashkisë së Prrenjasit mori pjesë dhe përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në Festivalin Internacional të Folklorit dhe Paqes që u zhvillua në Agropoli në Itali këtë fillimjavë.
Në këtë event morën pjesë ansamble nga vende të ndryshme nga Europa, mes të cilave edhe nga qytetet italiane si nga Napoli, Siçilia, Agropuli etj.
Artistët nga Bashkia e Prrenjasit kanë përjetuar emocione pafund dhe krenari të papërshkueshme gjatë konkurimit pasi çdo performancë e tyre në skenë është mirëpritur e duartrokitur gjatë.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Prrenjasit e përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e XI të Festivalit të Folklorit dhe Paqes në Agropoli të Italisë dhe në fund të këtij eventi u nderua me Çmimin e Madh të Festivalit Internacional të Folklorit dhe Paqes në Agropoli, Itali.
Gjithashtu një vlerë e shtuar, e cila i dha më shumë identitet përformancës së ansamblit ishin veshjet tradicionale të zonës së Prrenjasit, të cilat morën vëmendje të jashtëzakonshme mes shumë grupeve folklorike pjesëmarrëse të festivalit, duke u vlerësuar me trofeun “Kostumografia më e mirë”.
Ardit Facja, zyrtar i Bashkisë Prrenjas e cilësoi sukses të jashtëzakonshëm paraqitjen e Ansamblit të Këngëve e Valleve në të gjitha aspektet dhe këtë e tregon jo vetëm vlerësimi që ju bë me Çmimin e Madh por edhe jehona që ju bë në mediat italiane punës së koreografit Valter Hana, drejtuesit të muzikës Elton Turtulli,, nstrumentistëve Çelnik Cani, Fatos Turtulli e Olsi Laçka.
Gjatë qëndrimit në Itali, Ansambli i Këngëve dhe Valleve i Bashkisë Prrenjas u prit edhe nga Kryetari i Bashkisë së Agropolit Roberto Mutalipassi.
Në këtë takim artistët nga Prrenjasi u njohën edhe me kulturat e të gjithë vendeve pjesmarrëse. Përveç shkëmbimeve artistiko-kulturore së shpejti do të ketë bashkëpunim me Bashkinë e Agropolit dhe në fusha të tjera./balkanweb/ KultPlus.com