Drita dhe jeta! Ti je Fillesë Ti je Bota Ti je Bukuri Dashuri Ti je Univers Ti Je ne Bijtë e bijat Ti je ylli që ndrit netët e zeza Ti je Fryma Ti Dashuria pa kushte Ti ke atë zemër që përshkon tanë gjëndjen Ti yll që i jep dritën errësirës Ti e shenjta E shtrenjta E bukura jonë Pa ty; bota bie e kthehet poshtë Shuhet Siç bien gradaçielat apo qiell gërvishtje prej qelqi Ama, mother, nënë, Yll në errësirë , dritë Ti je, Fillimi Përtej asgjë …. Shtator 2024/ KultPlus.com
Qendra për Art Bashkëkohor ka zgjedhur finalistët Mimoza Sahitin, Luiza Thaqin dhe Dion Zeqirin për çmimin ‘Artistët e së nesërmes 2024’.
Anëtarët e jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë takuar më 26 shtator 2024.
Pas shqyrtimit të dhjetë aplikimeve nga artistët që plotësonin kriteret e çmimit dhe pas diskutimeve të gjera, juria zgjodhi njëzëri tre finalistët, bazuar në propozimet e tyre premtuese dhe vlerësimet e punës së tyre deri më tani.
Tre finalistët ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.
Me imazhet e thjeshta dhe ngacmuese, eksplorimi i patrembur i Mimozës për gjendjen e gruas sjell një cënueshmëri të brishtë që ofron një rrëfim thellësisht personal por universalisht politik. Arti i Mimoza Sahitit, i rrënjosur në vizatim dhe pikturë, eksploron marrëdhëniet dinamike midis botëve tona të brendshme dhe mjedisit të jashtëm i cili ndryshon vazhdimisht. Puna e saj luan me idenë e hapësirave “të ndërmjetme” dhe formave të papritura që ato marrin, duke u zhytur thellë në përvojën njerëzore. Me një përzierje unike të humorit dhe dramës, ajo vë në dyshim se çfarë do të thotë të jesh njeri, duke shtyrë vazhdimisht kufijtë e mënyrës se si ne e shohim, ndjejmë dhe kuptojmë artin dhe shoqërinë.
Fokusi kritik i Luiza Thaqit në strukturat shoqërore dhe ndikimin e tyre ekologjik prek çështjet që variojnë nga pronësia e tokës së grave në Kosovë deri te çështja e të drejtave të tokës të të vendosurve/kolonistëve në mbarë botën, duke e bërë punën e saj thelbësore në debatet urgjente socio-ekologjike të ditëve të sotme. Nëpërmjet punës së saj, ajo vë në pikëpyetje dhe sfidon se kush ka çasje në tokë dhe pse, duke theksuar betejat më të thella sociale dhe politike në funksion. Duke rimenduar pronësinë e tokës, Luiza na fton të rimendojmë vetë konceptin tonë për shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe se si mund t’i formësojmë ato në mënyrë më të barabartë.
Angazhimi i artit të Dion Zeqirit me forcat e padukshme – entitetet që e rrethojnë dhe përbëjnë ekzistencën tonë – përmes materialiteteve dhe mediumeve të ndryshme prezanton një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet ndërmjet fizikes dhe jofizikes. Zeqiri ju tërheq me fuqinë e tij të shqetësuar, pothuajse të nënvlerësuar; ai eksploron se si mendja dhe trupi ndërveprojnë në mënyra që duken të njohura dhe janë poashtu turbulluese. Nuk ka të bëjë vetëm me atë që është, por edhe me atë që mungon – dhe shkëputjen mes të dyjave me që vazhdon të jetojë me ty. Është subtile por me ndikim, mbresëlënëse për mënyrën se si ju bën t’i shihni gjërat ndryshe.
Anëtarë të jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë Julieta Aranda, artiste, bashkëthemeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Dr Vjollca Krasniqi, sociologe, Profesoreshë e Asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Lulzim Zeqiri, artist, që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Ekspozita e çmimit Artistët e së nesërmes 2024, me artistët e nominuar Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, do të hapet më 1 nëntor 2024.
Fituesit do t’i shpërblehet një program rezidencial artistik dy mujor në New York, SHBA, në Residency Unlimited nga maji deri në qershor 2025 dhe një ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2026.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon të gjithë artistët kosovarë që aplikuan për çmimin Artistët e së nesërmes 2024 për punën dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon jurinë e çmimit Artistët e së nesërmes 2024 për punën dhe bashkëpunimin e tyre.
Mbështetësit kryesor të Çmimit Artistët e së nesërmës 2024 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë./ KultPlus.com
Gati 20 mijë vizitorë admiruan thesaret e Muzeun Kombëtar “Onufri” gjatë muajit shtator.
Sot, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja vlerëson interesin në rritje për pasurinë e jashtëzakonshme të artit ikonografik në Muzeun Kombëtar “Onufri”.
Interesi i madh për këtë trashëgimi, shprehet Gonxhja, ka bërë të mundur që vetëm gjatë muajit shtator gati 20 mijë vizitorë të kenë admiruar thesaret që mban ky muze.
Koleksioni i Muzeun Kombëtar “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.
Nën dyshemenë e absidës më 12 gusht 1968 u zbuluan dy kodikët e famshëm të Beratit, “Kodiku i Purpurt i Beratit” (“Codex Purpureus Beratinus”) i shek. VI pas Krishtit dhe “Codex Aureus Anthimi” i shek. IX pas Krishtit.
Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Nju Jork, takoi studentë nga Kosova, Shqipëria e mërgata, të cilët aktualisht studiojnë në disa nga universitetet më prestigjioze të “Ivy League” në Shtetet e Bashkuara.
Osmani në agjendën e saj të ngjeshur përgjatë kësaj jave me takime të shumta, gjeti kohën dhe për mërgatën tonë.
“Nga studimet e politikave deri te neuroshkenca, këta studentë mishërojnë thelbin e rinisë sonë: potencialin e pakufishëm”, u shpreh ndër të tjera Osmani.
Teatri Kombëtar i Kosovës nesër sjellë në skenë premierën “Makbethi” të William Shakespeare, me regji Qëndrim Rijanit, shkruan KultPlus.
Shfaqja “Makbethi” vjen e realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.
Aktorët të cilët luajnë në këtë shfaqje janë: Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi dhe Yzeir Meha.
Pjesa tjetër e stafit është si në vijim: Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku, Skenograf: Valentin Sfetozarev, Kostumografe: Maca Papuçevska, Kompozitor: Trimor Dhomi, Orkestra: Filharmonia e Kosovës, Koreograf: Artan Ibërshimi, As. Regjisor: Erleta Regjepi, Video: Rehan Abdulovski, Operator i audios: Arben Aliu, Video operator: Bujar Bekteshi, Inspicente: Nazmije Krasniqi dhe Dizajni i dritave: Mursel Bekteshi.
Premiera e shfaqjes jepet më 1 tetor 2024, në 20:00, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, të rinjtë e Kryeqytetit kanë zhvilluar vizita në disa prej objekteve ikonike të Komunës së Prishtinës.
Drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi ka thënë se kjo vizitë e të rinjëve të kryeqytetit së bashku me drejtorin e shoqatës GUIDEKS, Muamer Sivrikoz, e rikujton edhe njëherë rëndësinë e edukimit të të rinjëve lidhur me vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, të reflektojmë mbi vlerat e jashtëzakonshme të pasurisë kulturore që trashëgojmë nga brezat e mëparshëm. Këto objekte, të pasura me histori dhe kulturë, na kujtuan se sa e rëndësishme është të ruajmë dhe promovojmë trashëgiminë tonë për brezat e ardhshëm. Trashëgimia kulturore nuk është thjesht një kujtim i së kaluarës, por një burim i përhershëm frymëzimi për të ardhmen”, thuhet në shkrimin e drejtoreshës Halimi në Facebook./ KultPlus.com
DAM Festival ka njoftuar se do të organizojë një Super Koncert me artistët Francesco Tristano dhe Pascal Schumacher, në Atelienë e Pallati i Rinisë, shkruan KultPlus.
Ky koncert me program dinamik do të prezantohet nga pianisti i famshëm luksemburgas Francesco Tristano i shoqëruar nga perkusionisti i jashtëzakonshëm luksemburgas Pascal Schumacher – së bashku me instrumentistë kosovar si Rron Bakalli – violinë, Pleurat Doli – violinë, Lirdina Kukaj – violë, Fjolla Asllanaj – violonçel, Feriz Feka – kontrabas dhe Albin Abazi – bateri.
Ky interpretim është mbështetetur nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, në partneritet me AMC Corporation, Pallatin e Rinisë dhe Filharmoninë e Kosovës.
Koncerti para publikut do të prezanohet më 30 shtator 2024, në ora 19:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com
Ndoshta ajo që arriti të bënte me romanin “Don Kishoti i Mançes” në letërsinë botërore do të ishte shumë më shumë se sa ai ishte gaditur në këtë sipërmarrje. Në atë kohë letërsia ndodhej në një taban të ashpër dhe tejet të ngurtë. Tematika dhe larmia e personazheve dhe ngjarjeve po vuante një lloj shterrimi. Nevoja për të vënë dorë në diçka që kishte shfaqur shenja dekompozimi ishte gjithnjë e më emergjente. Ndërsa askujt nuk i kishte rënduar në shpirt kjo situatë e shterruar e letrave dhe krijimtarisë. Një i prerë për luftë dhe aventura, më shumë se për penë, “ngre shpatën” dhe godet litarin që mban të tendosur velën e asaj anijeje të pakur që vijonte të lundonte në një detë të paanë. E përplas këtë pushtues të ujrave për shkëmbinjtë e brigjeve dhe kurajos, dhe me çfarë arrin të dalë në breg nis të ringre një anije tjetër, një anije më të shpejtë dhe më sfiduese për stuhitë dhe detet e ashpra të letërsisë që e presin kërcënueshëm. Cili është ai që guxon kaq shumë? Po, është Miguel de Servantes Saavedra, ai që do të hyjë në historinë e letërsisë botërore si nënshtruesi i kalorësiakes përmes satirës. “Don Kishoti i Mançes”, ishte kjo kryevepër e paarritshme fikshën që do ta ngjiste këtë spanjoll me mish e me shpirt në panteonin e famës.
Miguel de Servantes vdiq në Madrid më 22 prill si dhe u përcoll për në amshim më 23 prill duke u varrosur në një manastir triniteti si një françeskan. Është pikërisht 23 prilli i keqpërdorur si datë që në shumë hamendësime konsiderohet si datëvdekja e shkrimtarit. Shkaku i vdekjes së tij, në bazë të Antonio López Alonso, një mjek, i cili ka shqyrtuar dokumentacionin e mbijetuar deritani, ishte diabeti 2 dhe një cirozë së mëlçi. Aludime të ndryshme bëjnë fjalë që ky përkeqësim i shëndetit të Servantes erdhi si rezultat i konsumit të tepruar të alkoolit në vitet e fundit të jetës. *** Miguel de Servantes Saavedra u lind më 29 shtator 1547 dhe vdiq më 22 prill 1616. Në historinë e letërsisë dhe tekstshkrimet për autorin, orvatet ta mbamendin atë si një novelist, poet dhe dramaturg i njohur. Deri në vitin 1605 kur atë e kishte lënë takati dhe mbi vete mbante inatet e të pamundurave që cyt mosha e thyer, është fjala për një burrë 58-vjeçar, ai rroket prej një suksesi të paimagjinueshëm që i sjell romanin, “Don Kishoti i Mançes”. Servantes veç historive me femra, aventurave, deri tek pengmarrja nga një tufë mercenaresh algjerianë të komanduar nga një shqiptar, kishe shkruar, ose më saktë ishte ballafaquar me veten e tij të dështuar krijuese. Asaj pjese të krijimtarisë së Servantes nuk i’u kthye askush as për ta riparë, as për ta rivlerësuar, për ta lënë këtë emër të lidhur vetëm me “Don Kishotin e Mançes”, të cilin ai e bëri me dy pjesë. Nga kritika, “Don Kishoti i Mançes” konsiderohet romani i parë modern europian dhe më i mirë i shkruar ndonjëherë. Ndikimi që pati në gjuhën spanjolle ka qenë aq themeltar sa u etiketua si “Gjuha e Servantesit”. Gjithashtu, ky roman pati një ndikesë rrapëllitëse në periudhën e bashkëkohësisë dhe përmbysjen e epokës së famës kalorësiake duke i transkriptuar këto heronj në personazhe grotesk. Kësodore arrijmë të kapim fillin e një pene inatçore, marazin e një burri me të shkuar shumëngjyrëshe dhe goditjen që pësoi nga rrufeja e famës, pod, ku ndodhet edhe sot e asaj dite. Gjithqysh ai arriti të shkruante një faqe shkëlqimtare në historinë e letërsisë dhe të sillte në jetë një emblemë filozofike dhe psikologjike, siç ishte “Don Kishoti i Mançes”. *** Nëpër jetëshkrimet për shkrimtarit thuhet se Miguel de Servantes Saavedra, fëmija i katërt një mjeku, fillimisht regjistrohet në marinën tregtare spanjolle, por shpejt flota që e paguante përfshihet në njësitë luftarake. Servantes i ri shkëlqen si ushtarak. Ai plagoset tri herë në fushatat kundër otomanëve, më rëndë në betejën historike të Lepantos, një nocion gjeografik në Gjirin e Korintit, në Greqi. Pas pesë vitesh shërbim, atë e lejojnë të kthehet në atdhe, në Spanjë. Për shërbimet e tij të vyera ndaj kombit, Servantes sapo ishte graduar me titullin “ushtar elitar” dhe në kthim kishte me vete edhe 2 letra për Mbretin Filip II të Spanjës. Të dyja letrat, që Servantesi i ruante me kujdes, kishin vlerën e rekomandimit, me qëllim që mbreti të çmonte atë që ai kishte bërë në luftë. *** Pas pesë viteve të robërisë, Servantes u çlirua, falë negociatave të etërve të trinitetit. Më 27 tetor, ai mbërriti në Valencia, i dobët. I ati kishte për të shitur të gjithë pasurinë dhe shkurorëzuar nga të gjitha nderet për t’i dhënë lirinë. Përvoja ishte një pikë kthese në jetën e tij, si dhe referenca të shumta për tema të lirisë dhe robërit shfaqen në punën e tij. Servantes u kthye nga Algjeri i zhytur në borxhe për shkak të haraçit të paguar për lirimin e tij. Për të fituar të holla, ai vendosi të ishte kontingjent lufte. Ai shkoi në Portugali dhe mori pjesë në betejën e “Azores Las” në 1582. Një vit më vonë, ai u kthye në Spanjë me dorëshkrimin e një romance, “La Galatea” dhe ndoshta pjesën e parë të “Persiles y Segismunda”. Ai gjithashtu solli disa shënime për biografinë e tij. Gjatë këtij viti ai u bë babai i Isabel de Saavedra, një vajzë që kishte me një zonjë të aristokracisë së Lisbonës. Më 12 dhjetor, 1584, 37- vjeçari Miguel de Servantes Saavedra ishte martuar me Katalina Dona de Palacios Salazara. Martesa e detyruar e Servantes për të kërkuar një punë funksionoi dhe në 1588 ai siguroi një pozitë si një zyrtar i qeverisë në jug të Spanjës, rekuizimi gruri dhe vajit të ullirit për fushatën e Armadës së pamposhtur. Posti i tij i ri i dha atij mundësinë për të mësuar zakonet dhe shprehitë e zakoneve, traditave nga Sevilje që ai përshkroi tek Don Kishoti. Ai u arrestua dy herë në Sevilje për marrje posedimin e materialeve që i përkitnin Katedrales Sevilje-së. Këto përvoja justifikojnë legjendë që pjesa e parë e Don Kishotit ishte shkruar në burg. Qëndrimi i tij në Sevilla ishte një periudhë e fatkeqësive për Servantes. Fat i tij nuk ishte më i mirë në letërsi. Në vitin 1595, ai fitoi çmimin e parë (tre lugë argjendi) në një konkurs poeme, dhe tre vjet më vonë, kënga e tij El entierro del Rey Felipe II en Sevilla ka marrë një vëmendje, edhe pse pjesa tjetër e poemave të tij do të mbeten të pabotuar. *** Xhaxhai i tij Alonso de Quesada Salazar thuhet se ka shërbyer si yshtje frymëzuese për të formësuar karakterin e Don Kishotit. Gjatë 20 viteve të ardhshme Servantes bënte një ekzistencë nomade, duke punuar si një agjent blerje dhe si një tagrambledhës. Ai vuajti falimentimin dhe u burgos të paktën dy herë (1597 dhe 1602) për parregullsitë në llogaritë e tij. Midis 1596 dhe 1600, ka jetuar kryesisht në Sevilje. Në vitin 1606, Servantes u vendos në Madrid, ku ka mbetur për pjesën tjetër të jetës deri në të shuar më 22 prill 1616. *** Romani “Don Kishoti” i të madhit Miguel Serantes, gjeniut të letërsisë spanjolle, që bashkon në mënyrë krejt të natyrshme prirjen fantastike me shpirtin realist, del në dritë në periudhën kur romani kalorësiak e kishte humbur plotësisht joshjen dhe vëmendjen e lexuesit të kohës. Ai e solli këtë fikshën si një kundërvënie e fuqishme ndaj mentalitetit spanjoll mbi romanin kalorsiak, mbi këtë roman që ishte i molepsur nga figura të glorifikuara heronjsh të vendosur në situata të ekzagjeruara dhe që lëvizin në një botë eksploduese pasionesh dhe ngërthyer mes intrigash dhe aventurash të pabesueshme. “Don Kishoti” nëtërësinë e vet rreket të ironizojë prirjeve kalorsiake, si dukuri shoqërore dhe historike të Spanjës. Servantesi zgjedh pikërisht një “hero” si Don Kishoti, një personazh sa grotesk aq dhe kompleks, për ta vendosur përballë ngjarjeve dhe situatave të fryra dhe shpesh herë absurde, për të realizuar dhe përmbushur aventura të çmendura, të cilat e pozicionojnë si romanin e pare antiroman në historinë e letërsisë, kurse Don Kishotin si të parin antihero në këtë lëm. Gjithqysh kjo kryevepër e vuri Servantesin në një radhë me përfaqësuesit e tjerë të mëdhenj të Rilindjes europiane për ta sjellë deri në ditët tona si një rast i veçar dhe emblematik i tekstshkrimit. Nëse kombi gjerman mburret me Gëten, ai angles nuk ka nguruar ta vendos në kreshtën më të lartë të krenarisë, tragjikomedianin më të madh të të gjitha kohërave, Uilliam Shekspir, edhe Spanja te Miguel de Servantes Saavedra ka të shëmbëllyer elementin më përfaqësues të kombëtares./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka folur për ndjenjën dhe përjetimet e një refugjati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 24 shtator në Clinton Global Initiative në New York.
Ajo para të pranishmëve ka thënë se njerëzit e Kosovës e kanë dashtë lirinë dhe këtë nuk ka mundur askush t’ua mohojë e ndalojë pa marrë parasysh se sa e gjatë ishte rruga për këtë.
“Të jesh një refugjatë të formon si person, por edhe profesionalisht për të gjithë jetën. Dhe të inspiron në vete për nevojën që t’i shërbesh vendit tënd, njerëzve të tu dhe njerëzimit në botë”.
“Unë e di që jemi shtet i vogël por fuqishëm e besoj se ndikimi i jonë në botë nuk duhet të përkufizohet me madhësinë gjeografike apo vendndodhjen. Por për historinë që kemi për të thënë, historia e Kosovës është ajo që shfaq partneritetin, fuqinë e aleancave, dhe fuqinë e demokracisë”.
“Dhe tregon e asgjë nuk mund të qëndrojë në rrugën e njerëzve që dëshirojnë të jenë të lirë, asgjë pa marrë parasysh sa e vështirë është rruga, dhe pa marrë parasysh sa gjatë, gjithmonë ti do të jesh aty. Askush nuk mund të ndalojë njerëzit që duan të jenë të lirë”, ka thënë Osmani.
29 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Mungesën dhe Shpërdorimin e Ushqimit.
OKB bën thirrje të ndalojë shpërdorimi, në të mirë të popullsisë dhe planetit.
Reduktimi i humbjeve të ushqimit dhe shpërdorimi është thelbësor në një botë ku numri i njerëzve të prekur nga uria është rritur ngadalë që nga viti 2014, dhe tonelata e tonelata ushqime të ngrënshme humbasin dhe/ose shpërdorohen çdo ditë.
Në nivel global, rreth 13.2 % e ushqimit të prodhuar humbet mes korrjes dhe shitjes me pakicë, ndërsa rreth 19 % e prodhimit të përgjithshëm global të ushqimit shpërdorohet në familje, në shërbimin ushqimor dhe në shitje me pakicë.
Kjo ditë ndërkombëtare nxjerr në pah nevojën kritike për financim për reduktimin e humbjeve dhe shpërdorimit të ushqimit, për të kontribuar në arritjen e qëllimeve klimatike dhe avancimin e Agjendës 2030 të OKB, për Zhvillim të Qëndrueshëm.
OKB kujton se, kur ushqimi humbet ose shpërdorohet, të gjitha burimet që janë përdorur për të prodhuar këtë ushqim (përfshirë ujin, tokën, energjinë, punën dhe kapitalin) shkojnë dëm. Përveç kësaj, asgjësimi i humbjes së ushqimit dhe mbetjeve në landfille, çon në emetimin e gazrave serrë, duke kontribuar në ndryshimet klimatike. Humbja dhe shpërdorimi i ushqimit gjithashtu mund të ndikojnë negativisht në sigurinë ushqimore dhe disponueshmërinë e ushqimit dhe të kontribuojnë në rritjen e kostos së ushqimit./atsh/ KultPlus.com
Këndojnë’ s’bashku n’mëngjes pes’ kumbanore Këndojnë’ n’ajri mbi Shkodër ende fjetë: Mbi Maranaj qet vetllen kureshtare agimi e hjedh n’liqe synin e qetë.
Përhap lajmin e zgjimit rrezja e parë T’parat përshëndetje dridhen n’heshti letë, E shpejt n’at lavdi, që e vesh’ fare, Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai diell pranvere i ri shprazet n’shtëpija, Udha e lulishta, tue ngjall’ ngjyra e shkëndija, Tue mbshtjell’ gjithçka si nji tis ari, i hollë,
skaj n’skaj si lum gzimi tue rrëshqitë n’sytë e vashave qeshë, e mbush’ me dritë kaçurrelat e tyne kur shkojn’ n’shkollë./KultPlus.com
Isha fëmijë frikacak; por edhe kokëfortë, siç janë fëmijët. Padyshim, mamaja m’i plotësonte tekat, por nuk mund ta besoj se kam qenë aq i azdisur, s’mund ta besoj se një fjalë e ngrohtë, një vështrim i përdëllyer, duke më marrë qetësisht për dore, të mos e platitnin qenien time dhe të arrije çka dëshiroje. Dhe ti, në thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjen që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë. Ti di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe, në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë.
Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh me Feliksin. Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqendruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone. Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti.
Një natë qarravitesha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës. S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lan mbi mua.
Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit. Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kufarrë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero me xhufkë.
„Nuk jam i pajisur me asgjë, nuk përmbledh në vetvete, për aq sa di unë, asgjë tjetër fituar nga jeta, absolutisht asgjë, duke përjashtuar dobësinë universale njerëzore. Por me këtë gjë, e në këtë kuptim, duhet të them se ajo është për mua një forcë kolosale. Unë kam thithur me forcë negativitetin e kohës që po jetoj dhe ai, negativiteti më rri aq afër, ngjitur fare, sa që unë nuk kam të drejtë ta luftoj, bile jo vetëm kaq, në një farë kuptimi e ndjej për detyrë ta përfaqësoj”. / KultPlus.com
Një mbrëmje ti po shikoje nga dritarja Në errësirë duke mbushur ngadalë rrugën Dikush që më ngjante mua po kalonte pranë shtëpisë tënde Zemra jote filloi të garonte… POR AI QË PO KALONTE NUK ISHA UNË Një natë ti po flije në shtratin tënd Papritur ti u zgjove në një botë të heshtur DIÇKA NË NJË ËNDRËRR T’I HAPI SYTË Dhe errësira ishte atje në dhomën tënde AI QË TË PA NUK ISHA UNË Në çastin kur unë isha afër askundit Dhe pa asnjë arsye ti fillove që të qaje Tani më në fund po mendon për mua Duke jetuar me dashuri në jetën tënde AI QË E DINTE KËTË NUK ISHA UNË Ti po lexoje një libër, e magjepsur Njerëzit aty brenda ranë në dashuri apo dikush tjetër vdiq Një djal i ri në roman u vra Ti kishe frikë, qave me të gjitha fuqitë e tua AI QË VDIQ NUK ISHA UNË
Një varrezë e periudhës mesjetare është zbuluar së fundmi në Forumin Bizantin të qytetit të Durrësit. Ky zbulim erdhi nga ekspedita e katërt arkeologjike brenda dy viteve të fundit në këtë vend.
Sipas arkeologes Brikena Shkodra, dokumentimi i këtyre varreve, që datojnë nga periudha mesjetare, sjell informacione të reja, duke përmirësuar të dhënat e deritanishme që kanë qenë sporadike.
Brikena Shkodra, Arkeologe: Kemi ende nevojë të kuptojmë të gjitha këto elemente sa ruhen përmes të dhënave arkeologjike dhe nga ana tjetër e njejta hapësirë vazhdon të ketë të njëjtën rëndësi si pjesë e vazhdimësisë së jetës në qytet të paktën deri në shek e XIV.
Gërmimet e fundit janë përqendruar në pjesën jug-lindore të Forumit Bizantin, me qëllimin për të mbledhur sa më shumë të dhëna mbi këtë monument historik.
Brikena Shkodra, Arkeologe: Kemi mundësi që të bëjmë një histori më të mirë të qytetit dhe këtij monumenti brenda qytetit antik të vonë dhe mesjetar. Janë pikërisht të gjitha këto element që lidhen me përcaktimin e të dhënave më të sakta dhe më të dokumentuara në lidhje me kohën e ndërtimin e strukturës, në lidhje me elementet arkitektonike që të bëjnë të kuptosh format e ndryshme funksionale.
Forumi Bizantin, i cili ndodhet në qendër të Durrësit, ka shërbyer si qendër për aktivitetet kryesore sociale, ekonomike, politike dhe tregtare gjatë antikitetit të vonë. Gërmimet janë pjesë e projektit “Dyrraciumi në antikitetin e vonë,” të realizuar nga Instituti i Arkeologjisë me mbështetje financiare nga Akademia e Shkencave./Klan/ KultPlus.com
Me pjesëmarrjen e 70 artistëve, nën përcjelljen e bateristëve të Tony Drum Studio, do të rikthehen në jetë këngët më të mira të të gjitha kohërave, në koncertin e radhës “Dekada e re”.
Më 30 Shtator 2024, nga ora 20:00, në Klan Arena, do të mbahet një koncert i jashtëzakonshëm që do të mbushë zemrat me ritme të pavdekshme.
Hyrja është falas.
“Mos e humbisni këtë mundësi për të përjetuar një natë magjike me muzikë të shkëlqyer”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Nga data 2 deri në 8 tetor në Shqipëri do të mbahet Java e Kulturës Gjermane.
Ky aktivitet përkon me “Tetorin gjerman”, i cili sjell aktivitete të përvitshme të kulturës gjermane në Shqipëri.
Gjatë kësaj jave do të zhvillohet një program i larmishëm aktivitetesh, që përfshijnë veprimtari për prezantimin e librave, performanca kërcimi, filma artistik, ekspozita fotografike, shfaqe teatrale etj.
Javët e Kulturës Gjermane zhvillohen në Shqipëri që prej vitit 2007. Në thelb të këtij eventi qëndron mesazhi se, arti dhe kultura mund të ndihmojnë të përjetojmë momente shkujdesjeje dhe të çelim perspektiva të reja./ KultPlus.com
29 shtatori shënon Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.
Drejtoria Rajonale e Turizmit dhe Kulturës Shkodër, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, njofton se hyrja në Parqet Arkeologjike Shkodër-Lezhë është e lirë.
Parku Arkeologjik Shkodër, ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Kalaja “Rozafa”, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës. Historia e ndërtimit të Kalasë së Rozafës ka kaluar në disa faza. Gjurmët antike të saj, teknika e mureve me blloqe poligonalë, ruhen pranë hyrjes kryesore dhe datojnë të shek. IV p.e.s. Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit Ilir Genti në mesin e shek. II p.e.s. Historiani romak Tit Livi e quante Shkodrën vendin më të fortifikuar të fisit Ilir të Labeatëve.
Në mesjetë Kalaja njihet me emrin Rozafa, të cilin duhet ta ketë marre aty mes shek. V-VI-të. Ndër objektet më të spikatura monumentale dhe historike të kalasë veçojmë: Barbakanin në hyrje të Kalasë (Shek. XV), Kishën e Shën Stefanit ndërtuar që në shek. XIII e cila pas pushtimit osman u transformua në xhami, si dhe Kapitenerinë e periudhës Veneciane që sot shërben si Muzeu i Kështjellës. Kalaja u braktis përfundimisht në vitin 1865 nga administrata e qytetit. Në vitin 2010 u bë një rivlerësim i zonës arkeologjike dhe u evidentuan 2 zona, A dhe B, sipas rëndësisë të cilat u miratuan së bashku me rregulloren përkatëse me VKM Nr.429, dt. 28.4.2010 “Për shpalljen e Zonës Arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Shkodrës dhe miratimin e rregullores së administrimit”. Në rregulloren e administrimit jepen qartësisht format e bashkëpunimit dhe rolet e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen, restaurimin dhe mirë administrimin e vlerave të kësaj zonë.
Ndërsa Parku Arkeologjik i Lezhës ndodhet në pjesën lindore të qytetit me të njëjtin emër. Lisi (Lezha antike), i ndërtuar në kodër, kishte një pozicion strategjik që kontrollonte luginën e Drinit deri në Gjirin e Shën Gjinit në detin Adriatik. Ai dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë prehistorik qysh në shek. IV p.k. dhe ishte qyteti më i fortifikuar i Ilirisë, me një numër të madh kullash mbrojtëse. Kalaja e qytetit antik të Lezhës rrethohet nga mure të periudhave të ndryshme që vijojnë nga antikiteti shek.IV p.k. Këto janë mure të fuqishme me blloqe të mëdha guri. Rindërtimi i parë i kalasë datohet në shek. I p.k. Më vonë në shek. XI-XII në pjesën e akropolit të qytetit ndërtohet kështjella mesjetare e Lezhës – Elission, me gurë të vegjël të gdhendur dhe me llaç. Kjo kështjellë u përforcua për të përballuar dyndjet e shteteve të para sllave që vinin nga veriu. Në shek. III para Krishtit, Lisi bëhet pikënisje e sulmeve të flotës ushtarake të mbretëreshës ilire Teuta. Më vonë Lisi pushtohet nga Filipi V-të i Maqedonisë, nga romakët e Bizanti .
Me shpërbërjen e perandorisë bizantine, Lezha është qyteti i principatës së Arbërit dhe në vitin 1281 është kryeqendër e familjes së dukagjinëve. Me pas, venecianët, me marrjen e qytetit të Lezhës, rindërtuan fortifikimet e qytetit. Në 2 mars 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu organizoi në Lezhë kuvendin e princërve shqiptarë, që njihet me emrin “Besëlidhja e Lezhës”. Mbas vdekjes së Gj. Kastrioti Skënderbeut në 17 janar 1468, i cili u varros në kishën e Shënkollit (sot memoriali i tij), Lezha bie nën sundimin venedikas dhe me pas, otoman. Lezha, ky qytet antik që pasqyron gjithë fazat e zhvillimit, ngritjes dhe rënies së perandorive që kanë sunduar këtë rajon, me kalanë mesjetare që dominon gjithë hapësirën deri në detin Adriatik dhe objektet e shumta arkeologjike, monumentet e kultit dhe dëshmitë historike, përbën një destinacion tërheqës për turizmit kulturor./ KultPlus.com
Episodi i parë i serialit të shumëpritur shqiptar “Prokurori” (The Prosecutor) vjen në kinematë e Tiranës nga data 10 Tetor, me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Subjekti i filmit i zhanrit aksion/dramë e merr frymëzim nga ngjarje të përditshmërisë tonë, me fokus në reformën në drejtësi dhe luftën e një prokurori të ndershëm për t’u përballur me krimin e organizuar dhe politikanë të korruptuar.
Por, e veçanta e “Prokurorit” është pjesëmarrja për herë të parë në një prodhim shqiptar e aktorit të madh hollivudian, Danny Glover, i cili njihet nga publiku shqiptar për rolet legjendare në filma si Lethal Weapon (me Mel Gibson), The Color Purple, Predator 2, Saw etj. Në serial, Danny Glover luan rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, i cili mbështet reformën në drejtësi dhe ndihmon në realizimin e saj.
Me regjinë e jashtëzakonshme të Fatmir Dogës, filmi sjell historinë e Mentor Likës, një prokuror shqiptar, që e do atdheun më shumë se çdo gjë tjetër dhe nuk mposhtet nga bandat kriminale apo politikanët e korruptuar. Për të, dashuria për vendin është më e fortë se interesat e atyre që nuk kanë atdhe në zemër. Roli kryesor i është besuar aktorit të talentuar Klodian Hoxha, ndërsa në role të tjera përfshihen edhe aktorë të tjerë të njohur të filmit shqiptar, si Romir Zalla, Gert Ferra, Marin Hoxha, Adriana Tolka, Sara Smaja, Desada Xhihani etj.
Episodi i parë i serialit do të shfaqet premierë për publikun shqiptar në 10 Tetor në Cineplexx në TEG, e më pas do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha kinematë. / KultPlus.com
Kanali zyrtar në platformën X i Shtabit të Përhershëm të Përbashkët (PJHQ) i Mbretërisë së Bashkuar ka shpërndarë disa fotografi të mrekullueshme të lëvizjeve që Forca Rezervë Britanike po i bën nëpër Kosovë.
“Grupi i Betejës 1 Yorks ka kaluar përgjatë Korridorit VIII të korridoreve Pan-Evropiane. Ky shirit i asfaltit është i një rëndësie strategjike për Ballkanin dhe BE-në në përgjithësi. Kalimi transit i Forcave Rezervë Strategjike thekson angazhimin e NATO-s dhe Mbretërisë së Bashkuar në rajon”, shkruhet në kanalin Defence Operations në X.
Gjatë muajit shtator, në Kosovë mbërritën rreth 300 trupa shtesë rezervë nga Britania e Madhe në kuadër të KFOR-it./ KultPlus.com
Fotografitë e vendosura në dy muret në ngjyrë të pembe, dukej sikur po tregonin diçka të jashtëzakonshme, diçka të rrallë por të shenjtë që dhuronte ndjenjën se është ruajtur për vite të tëra. Këto fotografi kaplonin vëmendjen e secilit që ishte prezent dhe zgjonin kureshtje të mëtutjeshme për të kuptuar artin madhështor prapa tyre. Krejt kjo atmosferë u krijua nëpërmjet pendës së syve të fotografit të njohur, Fahredin Spahija, i cili mbrëmë u prezantua me ekspozitën personale “Shpirti Dervish” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Brenda një hapësire të ngrohtë, të pranishmit ishin të mbushur me entuziazëm dhe kjo dukshëm vërehej në fytyrat e tyre. Gjithsej 27 fotografi kanë përmbledhur punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve. “Shpirti Dervish” ka plasaritur përpara publikut një pjesë të traditës që për një pjesë të madhe të njerëzve ka një kuptim më hyjnor se vetë hyjnorja.
Një gjendje paqe shfaqej në secilën fotografi, të cilat ishin të krijuara në ngjyrë bardhë e zi, asisoj që kontrasti të bënte që të përhumbeshe nëpër shkrepjet e bukura të fotografit Spahija. Fytyrat e dervishëve, ritualet e tyre, dhe vallja e famshme rrotulluese, ishin të shkrira plotësisht nën petkun e aparatit të fotografit Spahija. “Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, pati thënë fotografi Spahija, kur edhe bëri paralajmërimin për këtë ekspozitë.
Ora shënoi 19:00, dhe tashmë hapja e ekspozitës gjeti vendin e saj. Mbledhur grumbull, përpara neve, të pranishëm ishin fotografi, Fahredin Spahija, kuratori i ekspozitës, Fahredin Shehu dhe drejtoresha e gazetës online për kulturë dhe art KultPlus, Ardianë Pajaziti.
Fillimisht, hapjen e bëri drejtoresha Pajaziti, e cila tha se shpirti dervish është ai që në këtë mbrëmje i ka bërë së bashku të gjithë.
“Faleminderit që keni ardhur sonte dhe që na i keni nderuar të dy artistët si dhe KultPlus Caffe Gallery-në. Në këtë mbrëmje, shpirti dervish na ka bërë bashkë, duke sjellë kështu frymën artistike të fotografit të njohur, Fahredin Spahija. Më herët më pyeti dikush për ndjesinë që më dha kjo ekspozitë, dhe i thashë që punën e Fahredinit e njoh mjaftueshëm, duke qenë edhe gazetare shumëvjeçare e kulturës. Për neve ndoshta mundet me qenë një ekspozitë domosdo, mirëpo kjo është një punë kolosale njëzetvjeçare dhe duke i përzgjedhur vetëm 27 fotografi, tregohet mundi dhe përkushtimi i Fahredinit për këtë ekspozitë”, ka thënë Pajaziti.
Fahredin Shehu, kuratori i ekspozitës ka thënë se fotografitë prezantojnë një rezonancë historike që ndërthuret me estetikën bashkëkohore.
“Është një punë që po kurorëzohet tanimë, pas njëzet vitesh. Kjo traditë e shfaqur është një traditë para-religjioze, është në gjenetikun e njeriut dhe mund te kultivohet si shpirtni dhe si art i cili mëton ta unifikojë njeriun me universin. Fahredin Spahija na e prezanton këtë neve duke krijuar një rezonancë historike me estetikën bashkëkohore dhe neve na tërheq në brendësi që ta kujtojmë shpirtin sofist të mirëfilltë. Nuk ka qenë e lehtë që për vite me radhë, t’i përmbledhësh të gjitha këto. E lexushmja, e pamuna, është diçka tjetër nga përjetimi sepse përjetimi është ai që krijon emocion”, thotë ai.
Po ashtu, fotografi Fahredin Spahija është shprehur i kënaqur me punën e tij, që për të është tejet e veçantë.
“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sonte dhe keni nda kohën për të parë këtë ekspozitë. Është një punë disavjeçare, një tematikë shumë e veçantë për mua, natyrisht kjo nuk përfundon këtu, sepse në këtë bashkësi të dervishëve, ka akoma shumë për të eksploruar në aspektin artistik. Kam diçka që muj me qu përtej relaes, kah abstraktja por planet do i lëmë për më vonë. Më duhet ti falënderoj ata që s’janë këtu si MKRS-në dhe Drejtorinë e Kulturës, edhe pse janë të dy palët mbështetës financiarë”, përfundon Spahija.
Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja vazhdoi me performancën e këngëtarit Petrit Çarkaxhiut, sikurse që edhe u lexuan poezi të poetit të famshëm Rumi, që në këtë mbrëmje erdhën nëpërmjet aktorit Nik Istrefi.
Një poezi, pastaj një këngë, ishte rrjedha që gjeti vazhdimin në këtë natë të mbushur me një magji të bukur në ajër, që hipnotizoi gjithsecilin, duke bërë që ata të përjetonin të bukurën e artit pamor, këndimit dhe artit poetik.
“Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike”, ka qenë mbishkrimi për këtë ekspozitë, dhe me të vërtetë që fotografi Spahija, me këto fotografi unike, plotë ndjenjë e gjallëri, ka bërë të mundur që publiku t’i shijojë veprat artistike që dëshmojnë për një dhunti, mund dhe përqendrim të paparë.
Ekspozita “Shpirti Dervish”do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. Projekti është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Serenatës, ideuar dhe realizuar nga Bashkia Korçë ka çelur të premten edicionin e parë për t’u kthyer në një traditë të përvitshme, si një nga festivalet më të rëndësishme të kalendarit vjetor të Korçës.
Nata e parë e Festivalit Ndërkombëtar të Serenatës në Korçë mbushi qytetin me tingujt magjepsës të kitarave dhe këngëve të dashurisë, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme për qindra vizitorë.
Ndërkohë sonte, vijon nata e dytë e festivalit, duke e shndërruar Korçën në një nga pikat më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë që vazhdon të dhurojë emocion dhe art.
Serenatat korçare janë të njohura për të gjithë shqiptarët dhe të kënduara prej një shekulli e gjysmë, por organizimi i një festivali dedikuar serenatave, synon që të tërheqë më shumë turistë jashtë sezonit të lartë turistik dhe njëkohësisht të ruajë dhe kultivojë vlerat e serenatës si një pasuri kulturore e këtij qyteti.
Ky festival synon ta sjellë serenatën korçare në dy versione, atë tradicionalin dhe të përpunuarin.
Serenatat janë këngë që lindën si dedikime dashurie rrugicave të qytetit të Korçës e që luheshin me kitarë e mandolinë poshtë dritareve të vajzave, ndaj të cilave shprehnin dashurinë./ KultPlus.com
Programi i Mëngjesit në Radio Kosovë ka nisur një iniciativë për mbledhjen e fondeve për krijimin e hapësirave rekreative në shkolla, me fokus zonat rurale të Kosovës.
Përmes kampanjës “Mëso dhe Luaj”, ne ftojmë dëgjuesit të kontribuojnë në formë monetare (përmes një procesi plotësisht transparent) për blerjen e paisjeve, krijimin e këndeve rekreative për nxënës në shkolla fillore, duke promovuar kështu mësimin dhe lojën.
Idea e krijimit të këtyre këndeve vjen si nevojë për stimulim dhe gjithashtu krijimin e një ambienti atraktiv për nxënësit, sidomos në fshatëra. “Përmes krijimit të këtyre hapësirave gjithashtu synojmë të forcojmë lidhjen me shkollat, dëshirën për arsimim, dhe mos braktisjen e mësimit”, kanë thënë autoret e programit te mengjesit dhe njeherit iniciatoret e kesaj kampanje.
Krijimi i këndeve rekreative në shkolla është një hap shumë i rëndësishëm për stimulimin e mësimit dhe zhvillimin e aftësive sociale të nxënësve. Këto kënde ofrojnë mundësi për relaksim dhe kreativitet, duke ndihmuar në rritjen e angazhimit të nxënësve në procesin e të mësuarit.
Këto kënde jo vetëm që stimulojnë procesin e të mësuarit, por gjithashtu ndihmojnë në zhvillimin e një atmosfere pozitive shkollore, ku nxënësit ndihen të përfshirë dhe të motivuar.
Fonder do te mblidhen permes OJQ Kosova Ideas, e cila ka realizuar me sukses mbi 60 kampanja te ndryshme në Kosovë./ KultPlus.com
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, sot është promovuar libri me poezi “Persofonia” i autores Fitnete Rama- Mujaj. Libri i sjellë me 41 poezi vjen si homazh për fuqinë e gruas dhe dëshirën e paplotësuar për shkollim.
“Persofonia” i cili është promovuar në mesin e shumë të pranishmëve vjen si dedikim zemre për dy gra të jashtëzakonshme që kanë formësuar jetën e autores Fitnete Ramaj Mujaj, nënës dhe vjehrrës së saj, ëndërra e të cilave për shkollim ka mbetur si peng i kohës.
“Persefonia” është një figurë metaforike e cila simbolizon forcën e përjetshme të gruas. Përmes këtij libri autorja fton lexuesin që të ndiejë përpjekjen e gruas shqiptare dhe dhimbjen e ëndrrave të papërmbushura, që si shkak i gjendjeve politike e historike e ka lënë atë në një vend të pamerituar në shoqëri.
Ndonëse në vargje paraqiten vuajtjet, mes rreshatve kuptohet edhe fuqia e shpirti i palëkundur i gruas shqiptare, e cila me gjithë sfidat e saj ka ditur dhe ka arritur të triumfoj.
Ngjarja u hap nga gazetarja Altiana Zogaj, e cila i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, duke i kaluar fjalën poetes Marigona Zekaj, e cila tha se autorja me këtë libër mbi të gjitha paraqet një mesazh kurajoje për brezat e rinjë.
“Si një “Persefonë” moderne, ajo ringjall shpresën në zemrat e atyre që pavarësisht vështirësive, zgjedhin të luftojnë dhe të ndryshojnë botën përmes guximit dhe vendosmërisë së tyre. Kjo vepër është një thirrje e fuqishme për solidaritetin me grave, për të mbështetur njëra tjetrën drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më të drejtë”, ka thënë poetja Zekaj.
Në këtë takim letrar emocionues pjesë e panelit ishte edhe profesoresha Pajtesa Gashi, e cila tha se fillimisht ishte titulli i librit ai që e kishte ngacmuar thellë mbi atë se çfarë mund të ketë në përmbajtje libri.
“Poezia e Fitnetes është një poezi qytetare, tërë preokupime e shqetësime për jetën dhe kjo shprehet në shumicën e poezive. Fitnetja realizon vetveten, si poete, në mënyrë origjinale, gjë që e bën poezinë e saj më interesante” ka thënë panelistja Gashi.
Ajo më tej ka thënë se poezia e autores Ramaj- Mujaj në themel është popullore, për të drejtat dhe idealet demokratike të cilat ajo i mbron me shpirt, por edhe në komunikimin që e vendos mes saj dhe lexuesit.
“Poezia na zbulon shpirtin e sinqertë dhe të pastër të autores krijuese që gjithmonë përpiqet për arritjen e majave më të larta të qenies njerëzore, si krijuese që lufton për të jetuar. Nëse bëjmë përshkrimin e rrugëtimit të saj për një gjysmë shekulli, portreti i gruas shqiptare ka kaluar nëpër disa etapa historike dhe kjo na bën të kuptojmë poezinë e saj sot, pa e ekzagjeruar anën pozitive dhe negative”, ka thënë më tej Gashi.
Ndërsa, panelisti tjetër Dren Brahimaj, ka thënë se poezitë e autores Ramaj- Mujaj shtrihen në dekada edhe më të hershme, se sa vetë lindja e poetes.
“Autorja ka guximin intelektual dhe vetëdijshëm, jep pafund mesazhe motivuese, duke mos kthyer kokën asnjëherë pas, ajo guximshëm kritikon dukuritë negative që rrethojnë botën e saj. Prandaj, edhe kemi pasur nevojë t’i kemi në dorë këto poezi dhe bashkë me to të reflektojmë dhe të jemi pjesë e agjendës për një shumëllojshmëri ngjyrash mendimesh. Të jesh pjesë e botës fshat ka më shumë përgjegjësi sesa t’i takosh fshatit botë”, ka thënë profesori Brahimaj.
Kurse vetë autorja Fitnete Ramaj- Mujaj përmes një fjalimi emocional ka përshkruar sfidat e saj dhe të dy grave që për të kishin qenë shkak dhe model, që e kishin shpjerë atë deri te promovimi i këtij libri.
“”Persofonia” është figura metaforike që kam dalluar gjatë leximeve të letërsisë angleze gjatë studimeve të mija. Në poezitë e Eliot-it dhe Alexander Pope-s, ajo përshkruhet si një figurë mitolgjike e lidhur me lindjen, jetën dhe vdekjen. Por, më e rëndësishmja , persefonia simbolizon gruan e fortë e cila i jep begati familjes dhe shoqërisë”, ka thënë autorja.
Me emrin “Persefoni” ajo i ka quajtur të gjitha gratë pjesëmarrëse në këtë takim si dhe të gjitha ato që kanë qenë mbështetëse dhe frymëzuese për arritjet e saj jetësore.
Krejt në fund të ngjarjes, autorja u kujdes që për të gjithë pjesëmarrësit të dhuronte nga një libër me dedikime të saj të zemrës./ KultPlus.com