Më pak nxënës dhe studentë sesa një vit më parë

Sivjet ka më pak nxënës dhe studentë sesa që kishte një vit më parë, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila publikoi statistikat arsimit për vitin shkollor 2024/2025.

Rritje e lehtë e numrit të fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor

Numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor për vitin shkollor 2024/2025 ishte 34 038, ku krahasuar me vitin paraprak (2023/2024), që ishte 32 818 fëmijë, kishte një rritje të lehtë të numrit  prej 1 220 fëmijë më shumë.

Në sektorin publik në vitin shkollor 2024/2025 ishin 23 349 fëmijë ose 68,6%, ndërsa në sektorin privat 10 689 fëmijë ose 31,4%. Krahasuar me vitin paraprak (2023/2024) në sektorin publik ishin 24 104 fëmijë ose 73,4% ndërsa në sektorin privat 8 714 fëmijë ose 26,6%.

Interesim më i madh në sektorin privat në vitin shkollor 2024/2025, krahasuar me 2023/2024

Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët në vitin shkollor 2024/2025 ishte 208 515, prej tyre në sektorin publik ishin 199 190 ose 95,5% dhe në sektorin privat 9 325 ose 4,5%. Krahasuar me vitin shkollor 2023/2024, ku numri i nxënësve ishte 215 431, prej tyre në sektorin publik ishin 206 941 ose 96,1% dhe në sektorin privat 8 490 ose 3,9%. Nga kjo mund të shohim se sektori publik ka një rënie të numrit të përgjithshëm, kurse sektori privat ka një rritje të lehtë të numrit të nxënësve krahasuar me vitin 2023/2024.

Më pak nxënës të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë

Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë në vitin 2024/2025 ishte 63 551, prej tyre në sektorin publik ishin 58 337 ose 91,8%, ndërsa në sektorin privat ishin 5 214 ose 8,2%. Krahasuar me vitin paraprak 2023/2024 (që ishin 65 757 nxënës, në sektorin publik 60 837 ose 92,5% dhe në sektorin privat 4 920 nxënës ose 7,5%) ka rënie të numrit të përgjithshëm të nxënësve. Rënie më e madhe vërehet te sektori privat, krahasuar me sektorin publik.

Rënie e lehtë e numrit të studentëve krahasuar me një vit më parë

Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin e lartë në vitin 2024/2025 ishte 64 817, prej tyre në universitetet publike 36 609 studentë ose 56,5%, ndërsa në kolegjet private ishte 28 208 studentë ose 43,5%. Krahasuar me vitin paraprak 2023/2024 (që ishin 70 357studentë, prej tyre në universitetet publike 39 033 studentë, ose shprehur në përqindje 55,5%, ndërsa në kolegjet private ishte 31 324 studentë ose 44,5%, ka rënie të lehtë të numrit të përgjithshëm të studentëve./ KultPlus.com

5 Qershori 1996 – Dita e hapjes së zyrës së parë Amerikane në Kosovë dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy shteteve

Më 5 qershor të vitit 1996, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapën zyrën e tyre të parë të Shërbimit Informativ Amerikan në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kjo zyrë, e njohur si U.S. Information Service Office, u bë një urë lidhëse për komunikim dhe bashkëpunim gjatë viteve të vështira për Kosovën.

“Më 5 qershor 1996, Shtetet e Bashkuara hapën Zyrën e parë të Shërbimit të Informacionit Amerikan në Kosovë. Ndërmjet viteve 1999 dhe 2008, Zyra Amerikane në Prishtinë shërbeu si misioni kryesor diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ambasada Amerikane në Kosovë nderon këtë ditë dhe i fton qytetarët që të ndajnë kujtimet dhe historitë e tyre nga ceremonia e hapjes apo momentet e tjera të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së./KultPlus.com

“Very Interesting People”, intervistat e ambasadorit italian Marco Alberti

Ambasadori italian Marco Alberti ka përuruar një program të ri, titulluar “Very Interesting People”, me intervistën e Aulon Naçit, drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Vetë ambasadori ka intervistuar drejtorin Naçi, në mjediset e TKOB-së, ku theksi u vu tek bashkëpunimi në nivel kulturor.

Ambasadori Alberti theksoi gjatë intervistës se ajo çfarë duhet është një bashkëpunim kulturor me Shqipërinë dhe jo vetëm një promovim i kulturës italiane në Shqipëri.

Gjatë intervistës, drejtori i TKOB, Aulon Naçi bëri një prezantim të tijin dhe të asaj çfarë e lidh me Italinë. Naçi është një kompozitor i cili ka studiuar për 10 vjet në Konservatorin e Udine-s, “Jacopo Tomadini”.

“Një nga befasitë më të mëdha të Shqipërisë është zbulimi i copëzave të zemrës italiane, brenda zemrës shqiptare”, shprehet gjatë rubrikës, ambasadori Alberti.

Ambasadori i Italisë do të vijojë këtë program intervistash me njerëz interesantë të kulturës, ekonomisë, politikës etj. Kjo rubrikë është krijuar për të forcuar lidhjen mes Italisë dhe Shqipërisë e për të zhvilluar projekte të rëndësishme të përbashkëta./atsh/KultPlus.com

Me fatin të heshtur…

Ajne Iberhysaj 

Mundohem t’i fshij 
çastet e mëzitura,
por ato mbesin diku brenda meje,
në një ishull të trurit 
të heshtura, 
që marrin frymë nga fryma ime. 

I lë aty, 
pa zë, 
pa dritë,  
por ato marrin krahë madhështie 
papritur,
marrin vrull 
si një lumë vjeshtak. 

Kur mendoj se kam harruar, 
një kujtim fjollë bore
më përshkon trupin, 
ma kafshon shpirtin. 
Një çast… 
që solli pezm, inat e dhimbje… 
e gris në mendje. 
E gris copë e copë,
nën një pikë shiu…
…Rivjen me hapa të një fluture,
pa e ditur… 
…E pa e kuptuar, 
bëhet det brenda syve.

Kthehem 
tek ajo copëz e harruar 
e paprekur, 
e mbështjellë si një fëmijë në gjumë. 
E marr me dorë të butë, 
i heq rrobat e bëra pis, 
dhe kuptoj: 
Sa i bukur paska qenë ai çast! 
Pse e lashë 
të plurosur 
në qoshen më të ftohtë të mendjes? 

Ikje, 
Kthime 
të trazuar, 
mjegull, 
emocione 
hyjnë sërish në mua, 
jo si dikur,
me hapa hajdutesh, 
por si një kujtesë 
që u shkri në stinën e harrimit. 

Dhe unë…
qëndrova. 
Këtu. 
Me fatin e heshtur në duar, 
përtej mirazhit të pritjes./ KultPlus.com 

Skenderbeu i gjithmonshëm

Shkruan: Korab Kraja

Cfarë është arti, roli i tij dhe kultura në përgjithësi?

Stilet artistike kanë ndryshuar përgjatë periudhave të ndryshme historike, duke përfaqësuar kohën dhe momentumin kulturor, artistik dhe intelektual të kohës. Kjo më së miri mund të shihet në letërsi, por edhe në pikturë. Sot nuk i thuren lavde më fushave të gjera, lumenjve të kulluar, krojeve të fshatit, por poezitë dhe rrëfimet letrare janë pak sa më të thella, fshehin në vetvete mesazhe që nuk janë të zbulueshme lehtë. Prandaj, nuk janë shpesh të lexuara apo të para, por ngacmojnë ndjenjat krijuese, emocionale, rrënqethin mishin përmes mesazhit që bartin e fshehin. Kështu së paku vlen për letërsinë, sa kam lexuar, por kështu vlen edhe për arkitekturën. A vlen edhe për skulpturën e njëjta gjë, si gjini e veçantë e artit? Le të përgjigjet një kritik i artit, më mirë.

Qoftë e vërtetë apo jo, por edhe e kontestueshme historia, se kur Churchillit iu kërkua të shkurtonte fondet për artet në mënyrë që të mbështeste përpjekjet e luftës në Luftën e Dytë Botërore, ai u përgjigj: “Atëherë, për çfarë do të luftonim, (po të mos kishim artin, pra kulturën?”

Nuk mendoj që gjendja e krijuar deri tani do të shkojë deri në gjendjen që romani satirik “I ringjalluri i penduar” i Rexhep Qosjes, shfaq, pra absurditetin shqiptar që në kufirin shqiptar-shqiptar e detyrojnë Skënderbeun të çarmaroset, se përndryshe nuk e kalon kufirin!

Filozofi i njohur i fenomenologjisë dhe estetikës, Juha Varto, autor i librit “Arti dhe mjeshtëria e bukurisë”, shprehet rreth skulpturës, se “skulptura nuk është vetëm për t’u parë, por për t’u ndjerë përmes trupit – me lëvizje, pozicionim në hapësirë dhe ndjeshmëri trupore. Kuptimi i skulpturës nuk ndodh vetëm në kokë, por në tërë qenien tonë trupore. Skulptura shprehet përtej fjalëve – ajo nuk kërkon interpretim gjuhësor për të pasur ndikim. Ajo flet në mënyrë ‘të heshtur’, përmes formës, hapësirës dhe pranisë”

Deri tani nuk jam shfaqur me ndonjë deklaratë, sepse nuk e kam parë si të arsyeshme një gjë të tillë. Komisioni vlerësues, që ishte profesional, e ka dhënë verdiktin e vet. Ishte garë ndërkombëtare dhe si çdo garë tjetër, festival, lojë sportive, edicion muzike, vallëzimi a recitimi, shkrimi a arti, ka një fitues, ka vendet tjera dhe të tjerët mbesin si pjesëmarrës. Edhe unë kam pasur dëshirë që Eurovizionin ta fitojë “Shkodra elektronike”, por nuk e fitoj. Çfarë të bëjmë, t’i hidhemi në qafë fituesit e vlerësuesve e mos ta njohim vendimin? Cilado vepër që do të shpallej si fituese, do të më gëzonte, sepse më në fund Ulqini po bëhet me Skënderbeun e vet. E kam ripostuar si lajm të gëzueshëm për ne. Do ta ripostoja edhe po të zgjidhej ndonjë vepër tjetër. Ndoshta, nuk do ta ripostoja lajmin që shqiptarët në Ulqin u çuan kundër Skënderbeut!

Janë krijuar disa rryma dhe nënrryma, ata që e kundërshtojnë zgjidhjen artistike të skulptorit të njohur, Sabri Behramaj, për Skenderbeun; ata që e kundërshtojnë trumpetueshëm paraqitjen e Skënderbeut në mënyrë të tillë artistike, me pretekstin që minimizon vlerat dhe atributet e tij të fuqishme dhe heroike dhe se skulptura nuk paraqet qëndrimin e Skënderbeut as nuk i ngjan atij; ata që e përkrahin një zgjidhje të tillë artistike, si gjetje figurative që Skënderbeu shpreh si monument i vlerave të të bëmave të tij në kohën e tij dhe domethënia e rrugëtimit të skënderbegizmit deri tani e në të ardhmen. Megjithatë, do të përpiqem që zgjidhjen ideore të skulpturës fituese ta arsyetoj në nivelin artistik dhe të shpreh ngacmimin emocional që një vepër e tillë artistike përçon te njeriu, kalimtari pranë saj, më në fund, çfarë paraqet ajo vepër për shqiptarin.

Është vetë Skënderbeu që na e solli lirinë e të jetuarit, e të menduarit, e të pranuarit, e të vepruarit. Më në fund, lirinë edhe e gjeti në mesin tonë, atë lirinë e brendshme të të guxuarit, të frymëzuarit, të krijuarit. Frymëzimi për Skënderbeun është i njohur historikisht dhe ndërkombëtarisht që në periudha të ndryshme kohore. Ai u paraqit në shumë vepra arti: në letërsi, pikturë, skulpturë, ndërtesa, opera, balete, veshje, logo, simbole e monedha. U paraqit në flamuj të ndryshëm herë koka e tij, herë përkrenarja e tij, u paraqit herë me trup shqiponje, herë duke fluturuar me krahë shqiponje në qiell. Pse? Sepse vepra dhe jeta e tij është frymëzim. Skënderbeu është një personalitet gjithëfrymëzues, që të ngjall emocion, vrull e vullnet. Sido që të paraqitet, Skënderbeu mbetet Skënderbeu. Vetëm edhe përkrenarja e tij të vendoset diku, i tërë ambienti i saj mbështillet dhe mishërohet me aureolën e tërë jetës dhe veprimtarisë së Skënderbeut.

Është e vërtetë se çdo risi sjell reagime dhe se historikisht çdo prurje e re ka ngjallur reagime kundërshtuese, madje edhe të fuqishme. Galileo u gjykua nga Inkuzicioni për shkak të një risie që pruri në shkencën dhe në mendjen e kohës; kur u zbulua vetura në Amerikë, i thanë se si mund të tërhiqet qerrja pa kuaj!

E para.

Janë disa vetje dhe personalitete, që argumentueshëm shprehin shqetësimin e formimit dhe paraqitjes artistike të Skënderbeut. Sepse, sipas tyre, Skënderbeu si hero kombëtar i shqiptarëve dhe si frymëzues i shqiptarizmës, duhet të ketë një figurë dinjitoze, që shpreh vlerat e tij si hero. Pra, me një fjalë duhet të paraqitet me tipare më të theksuara anatomike, i denjë në shikim, qëndrim dhe të japë frymëzueshëm atmosferën luftarake të tij. Si dhe, personazhet e tillë, nuk do të duhej të paraqiten ndryshe. Sepse, loja estetike me figurat e mëdha kombëtare e zbeh rolin frymëzues që figurat e tilla kanë. Dinjiteti i tyre, përmes një arti të tillë, abstrakt apo eksperimental, por edhe ekspresionist, bën që figura më e madhe kombëtare të shfaqet disi e dyzuar, e papushtetshme, më në fund, nuk ndikon fuqishëm në rolin përbashkues që vet Skënderbeu kishte në kohën e tij, prandaj edhe në kohët në vijim kur ishte ai vet promotori lëvizës i shqiptarizmës mbarëkombëtare.

E dyta.

Janë disa vetje dhe personalitete, që Skënderbeun thonë “e duam në kalë”; “e duam me shpatën përpjetë”; “nuk i përngjet Skënderbeut” etj. Është e vështirë të përgjigjesh, sepse në fund të fundit kanë të drejtë në njëfarë mënyre, sepse bindja e tyre është e formuar në bazë të imagjinatës të skulptorëve më të mëparshëm, si të Odhise Paskalit, Janaq Paços, Andrea Manos, Kreshnik Xhikut etj. Mendimi i tyre, se Skënderbeu është Skënderbeu vetëm nëse duket i tillë, është i palëkundshëm. Ai duhet të duket i vrershëm në fytyrë, i mërrolur, muskuloz. Mirë, po nëse këta skulptorë do ta paraqitnin më ndryshe heroin tonë, e sot të kemi një fitues me një shpërfaqje ndryshe, nga debati i krijuar do të kishim përsëri kundërshtime. Sepse figura është e qartë që rrënjoset me një imazh të krijuar si figuracion i mitit mbi personalitetin e fuqishëm që shpreh Skënderbeu.

Në fund të fundit, deklaratës që “nuk i përngjet Skënderbeut”, është lehtë t’i kthehet përgjigje, sepse, na tregoni, pra si është dukur ai? Asnjëra nga skulpturat e tij nuk ngjajnë me njëra-tjetrën, përpos replikave (si psh. Krujë-Prishtinë). Madje ato nuk përngjajnë as me aktorin në filmin kushtuar heroit tonë kombëtar. Në Krujë e Prishtinë Skënderbeu e ka mjekrën më kaçurrele, në Tiranë më të drejtë (si sot që e “hekurosin” atë), në Lezhë më të valëvitur e gati deri në gjysë të gjoksit.

Nëse e duam “origjinal”, atëherë le ta propozojmë sipas pikturës së vitit 1466, që gjendet në Galerinë Ufizzi të Firencës. Kujdes, se aty Skënderbeu është pa përkrenare, por me kapuç të kuqrremtë, pa shpatë, pa kalë dhe pa shqiponjën dykrenare në gjoks!

Nëse e duam “origjinal”, atëherë le ta paraqesim ashtu siç e thotë Marin Barleti: burrë me mjekër e me përkrenaren tashmë të njohur. Dhe, ashtu deri më tani edhe është paraqitur, në të gjitha veprat e tij të deritanishme: burrë me mjekër dhe me përkrenaren me kokën e dhisë. Më së paku Marin Barleti, te vepra “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të Epirotëve”, e përshkruan që Skënderbeu ka qëndruar në kalë. Mbi të ka qëndruar kur ka kalëruar: duke luftuar dhe duke udhëtuar, Por, ai ka luftuar dhe udhëtuar edhe pa kalin e tij, sepse luftëtari ndeshet me armikun edhe në këmbë, por edhe udhëton me anije, si në Venedik e në Romë. Po çka nëse, sipas logjikës kundërshtuese, Skënderbeu të paraqitet në kalë, e thuhet se kalin Skënderbeu e ka pasur të bardhë, në skulpturë ai do të del i bronztë, i kaftë apo i zi?!

Vepra e Barletit për Skënderbeun, më së shumti- guxoi të them- se është e njohur që kryeheroin tonë e paraqet si orator, pra gojëtar të mirë, strateg të aftë dhe i vetmi që diti dhe mundi t’i afrojë dhe t’i mbledh shqiptarët bashkë dhe princat e principatave shqiptare bashkë nën udhëheqjen e tij. Ishte diplomat i shquar, strateg i jashtëzakonshëm, korrespodencat e tij me liderët botëror janë të marramendshme, por edhe të jashtëmendshme për kohët e sotme. Ai ishte përafrues dhe bashkues i medjeve ndryshe, sepse karizmi i tij dhe vlera e veçantë që shprehte mendja e tij krijuese dhe vepruese, e bënin që t’i lejohej që të ndërhynte në punët e mëdha të historisë. Ishte me popullin, ishte i popullit, në fund të fundit, Skënderbeu ishte vet populli që donte lirinë dhe përfaqësonte paqen shpirtërore që populli arbëror e donte, e dashuronte, i rridhte përbrenda nga shpirti krijues i shqiptarit. A nuk mund të thuhet, se gjatë ligjërimeve të tij, populli mund të ketë ndjerë një adhurim të hatashëm për këtë figurë sublime e unifikuese? A nuk e shpreh këtë vlerë dhe a nuk e përçon këtë mesazh bashkimi, komunikimi, përafrimi, vepra “Skënderbeu me burrat e Ulqinit”? A nuk do të donim edhe ne sot, pas gjashtëqind vjetëve të bëhëmi një, të bëhëmi njënjëshëm me zërin dhe me forcën e tij, të bëhëmi një trup i vetëm, prandaj të rreshtohemi me burrat (e Ulqinit) përkrah Skënderbeut? Kujt po i pengon kjo gjë?

Argumentet dhe kundërargumentet.

Absurditeti i shkruesve të fejsbukut, nuk po citoj Umberto Ekon (!), është i tillë, saqë më i rëndësishëm është bërë kali se vet Skënderbeu. “Te kali”, “jam te kali”, “takohemi te kali”, janë vetëm disa sinonime që kanë shpërthyer në vetëdijen kolektive të Tiranës, kur i referohen vendit se ku gjendet shtatorja e Skënderbeut. Në këtë rast, figura e tij, deshe apo nuk deshe, jo që është minimizuar, por ka kaluar në një zhargon urban të të folmes së përditshme, ‘të shpejt’ dhe identifikuese për një shoqëri të shekullit të njëzet e njëtë. Për këtë çështje le të merren psikologët, sociologët, antropologët e ‘logët’ e tjerë. Mbase do ta parafrazojnë apo shpjegojnë shumë më mirë se unë, e se plot una të tjerë.

“Shpatën duhet ta ketë përpjetë”, tha dikush tjetër. Po mirë, në një analizë të vëmendshme të skulpturës, e titulluar “Skënderbeu me burrat e Ulqinit”, shihet që Skënderbeu është duke u folur atyre, është duke i komanduar ata, është duke mbajtur ligjëratën që vetëm gojëtaria e një prijësi dhe gjenerali të famshëm botëror mund ta bëjë. Dhe, çfarë: t’u vringëllojë shpatën përpjetë para turinjve? A nuk është më e natyrshme dhe më e zakonshme, që në rast se ke armë në dorë, në këtë rast shpatën dhe mban fjalim para bashkëluftëtarëve, ta ngulësh shpatën në tokë, e të thuash- ‘për këtë tokë, vend, besë e atdhe’,- e të drejtosh me dorë në një drejtim të caktuar- ‘do të luftojmë sa të ketë Shqipëri’? Janë metafora, gjetje dhe shprehje artistike që jo në të gjitha rastet emocionet mund të ngjallen të përnjëherta si në skulpturën në fjalë. Ajo melodizon harmonishëm “Hej ju male” të Çesk Zadesë, duke shpërfaqur malet e Shqipërisë si metafora qëndrese nën format natyrore të Skënderbeut të Behramajt, dhe trupin e bashkuar të popullit që mbartë në vete simbolikën dhe mesazhin përbashkues të “thuprave të bashkuara” që shqiptarët e Ulqinit, por më mirë të thuhet që shqiptarët në Malin e Zi duhet të qëndrojnë të bashkuar me njëri-tjetrin kundër trysnive të fshirjes, harresës identitare dhe të krijojnë një bosht, një shtizë dhe se flamuri i Skënderbeut të bëhet simbiozë përbashkuese dhe e përshpirtshme e identitetit kombëtar. Prandaj, jashtë klishesë së Skënderbeut në kalë, a mund të paraqitet në veprat artistike ai edhe ndryshe? Është parë i paraqitur në këmbë, në bust, vetëm koka. Për shembull, Skënderbeu artistikisht do të mund të paraqitej edhe me penë në dorë, duke i shkruar fjalimet, deklaratat, përgjigjet dhe kundërpërgjigjet, urdhrat, letrat, korrespondencat e tij të famshme, që duke treguar kështu, që Skënderbeu përpos luftës me shpatë, e ka bërë edhe luftën diplomatike me penë, sepse ai shpërndante edhe një forcë intelektuale të historisë politike, të cilat letra mund të gjenden të arkivuara nëpër arkivat shtetërore të Dubrovnikut, Venedikut, Vatikanit, Vjenës, Stambollit etj.

Ditën e parë, më saktë në mbrëmje, kur është shfaqur vendimi i komisionit vlerësues, ishin dy-tre vetë që shkruan negativisht. Inercia e tillë, mendoj, që ka frymëzuar dhe ka ngacmuar atë që Gustave le Bon shpreh në librin “Psikologjia e popujve dhe e turmave”, se “sjellja e individëve, sidomos kur ata bëhen pjesë e turmave- për mirë apo për keq- ndikon fuqishëm në sjelljen e individëve si bashkësi kolektive e të menduarit dhe e të vepruarit.” Si dhe, jemi mësuar që shkrimet që përmbajnë pak negativitet, e po të jenë edhe pak të gjata, do të konsiderohen më të qenësishme. Po të ishte reagimi i kundërt në fillim, edhe përshtypja e turmës do të ishte e kundërt. Pse mund të thuhet kështu? Një gjë e tillë mund të shihet në reagimet e vetjeve, personaliteteve dhe profesionistëve që i kanë bërë skulptorit, duke i uruar dhe duke e pëlqyer veprën. Thjesht, ishin të pandikuar me negativitetin e shfaqur nga dy-tre personat e fillimit. Komentuesi që fsheh identitetin e vet pas një identiteti të rrejshëm, thotë se “presonazhet nuk kanë të bëjnë asgjë me Ulqinit dhe as nuk kanë veshjen e tyre!” Çfarë fyerje e inteligjencës. Thua se Sabri Behramaj ka bërë një fotografi, e në atë fotografi janë shfaqur njerëzit me laramaninë e veshjeve, ngjyrat e veshjeve, hollësitë e veshjeve, stilizimet e tegeleve e yrneqeve të veshjeve dhe ja pra, aty nuk dallohet asnjë element i tekstilit të veshjes ulqinake! Si mund të thuhet një gjë e tillë, te një skulpturë që paraqet elementet identitare dhe përfaqësuese të veshjeve popullore shqiptare: plisi është qartë dhe lehtë  i dallueshëm (madje edhe llojet e tij), mustaqet (burrat me mustakë të përdredhur që këndohen e lavdërohen në këngë) janë të dallueshme, xhamadani me sumbulla, shokat (brezat) më se mjftueshëm të stilizuar për një vepër të tillë.

Ditën e dytë, reagimet u bastardizuan. Komentet u bënë banale. Historiani i vetshpallur, i del kundër profesorit dhe doktorit të shkencave të historisë në Institutin e Historisë. Po ai, tani vetshpallet si artist e arkitekt dhe i tregon skulptorit, se “mirë e ke bërë, por vetëm të ishte i vendosur në një vend tjetër të Ulqinit”. U propozua para Qendrës për Kulturë, duke u munduar ta minimzojnë rolin e këtij institucioni, që në fakt do të duhej të ishte qendra e zhvillimit të kulturës në Ulqin, dhe duke e glorifikuar ndërtesën e komunës si një vend “të shenjtë”, që në fakt është një qendër e ndërmarrjeve politike të qeverisjes lokale, e asgjë më tepër. Për t’u habitur është fakti se si aq shumë njerëz e personalitete nga Ulqini e rrethina u bënë bashkë kundër Skënderbeut dhe se si, është e habitshme, i gjetën fjalët më ofenduese ndaj personalitetit dhe figurës së Skënderbeut. U harrua skulptura, u morën me Skënderbeun. Pse? Sepse vet skulptura paraqet aureolën që mbështjell të bëmat e Skënderbeut. E fyen, e njollosen, e përbalten, e zhveshën dhe thanë, që le të dalë Skënderbeu në “shorce” e të shesë akullore në plazhin e madh! Sikur të ishin kaq të bashkuar kundër rastit të Alabarit, ai tashmë do të ishte i harruar. Por, ja që pikërisht kur shqiptarët ishin në grindje kundër njëri-tjetrit, më në fund kur atyre iu pengon një vepër artistike e Skënderbeut, Alabari goditi më fuqishëm në Kuvendin e Malit të Zi. Poeti ulqinak, pra ai i cili shkruan poezi, e që poezia konsiderohet si mbretëreshë e letërsisë, në të cilën janë konsiderueshëm të përmbajtura arti, morali, estetika, etika, simbolizmi, metafora, mesazhi deklarohet për skulpturën, si (e ka bërë) “më zi se Salvador Dali”. Pra, Salvador Dalí ka qenë boll i keq, i mbrapshtë në art e i zi e i terrshëm në pikturat e skulpturat e tij, ky e ka bërë edhe më zi se ai. Çfarë injorance e papërshkrueshme! Çfarë niveli i fundbotshëm i artit! Disa nga mjekët, me disa deklarata të fryra e frymëzuara nga një urrejtje, që nuk kuptohet nga iu buron, komentojnë artin, stilin artistik, nivelin historik që arti përmes skulpturës paraqet. Më kujtohet koha e korona virusit, kur njerëzit- disa prej tyre- thonin, se nuk ekziston virusi, nuk ekziston vaksina, mos e merrni vaksinën se përmes saj instalojnë çipin nën lëkurë dhe se në një të ardhme do të të kontrollojnë mendjen e trupin, vaksina është bombë e kurdisur, mos dëgjoni mjekët se e kanë për biznes… Dikush tjetër ende i mëshon fuqishëm se monumenti i Skënderbeut do të duhej të vendosej në rrethrrotullim. E ka harruar ose nuk është informuar ai se ajo ide ka kohë që është hedhur poshtë për shkak të ligjeve të komunikacionit në shtetin tonë dhe se për shkak të pëngesës së qasjes te monumenti, qoftë edhe për t’u fotografuar me të, një gjë e tillë është e palogjikshme.

Dhe, pikërisht në ditën e dytë, do të dalin dalëngadalshëm në pah shkrimet që e përkrahin një stilizim dhe paraqitje të tillë artistike. Dhe, këta nuk do të jenë të frymëzuar negativisht, as të fshehur pas identiteteve të rrejshme të fejsbukut që lëshojnë komente vendepavend e nxisin përçarje, sepse është e lehtë të hedhësh gurin me dorë të fshehur, por do të pozicionohen në profesionalizëm: artist, piktor, skulptor, historian. Këta janë të vërtetë, e jo si një a dy gjithologët tanë. Ashtu si deti i trazuar që nxjerr në pah çdogjë brenda tij, rrymimi dhe trazira që kjo skulpturë ka nxitur te një masë e njerëzve, ka bërë që disa vetje madje edhe personalitete të nderuar, të shfryjnë urrejtshëm ndaj komisionit profesional, që emrat e tyre janë të ngritur kaherë mbi nivelin e piedestaleve intelektuale e profesionale. Dita e dytë dallon nga e para, sepse, derisa në ditën e parë u kundërshtua fuqishëm, në ditën e dytë u “pranua”, duke thënë se bën si vepër artistike, por në galeri të artit, por jo në vende e sheshe publike. Ajme!

E treta.

Çfarë përmbahet në shkrimet e tyre? Vlerësimet që bëjnë personalitetet e tilla profesionale, e çkokëliten veprën “Skënderbeu me burrat e Ulqinit”. I dhanë veprës zë, emocion përafrues dhe tejdimensional. Treguan se arti nuk është i ngurrtë, por shpreh emocione, përçon mesazhe, tejkalon kohën dhe është mbijetesë identitare përmes rrëfimit dhe narracionit që simbolika në art mbart në vete dhe mund të shpreh. Personalitete të kulturës e artit i dhanë zë edhe më të fuqishëm skulpturës. Jo se donin ta mbronin autorin e saj, jo se ndihmonin autorin e saj, jo se donin ta mbiçmonin një vepër skulpture, por se arti këtë e ka: për të shprehen të gjithë, sepse arti i mirë nxit reagime, nuk është i tejkalueshëm, por arti i mirë kërkon edhe kritikë të mirë të tij. Nuk ka rëndësi a lëvdohet apo çmohet ai, arti duhet të komentohet profesionalisht nga kritiku i artit. Çfarë bën gjithologu jonë: i kundërvihet edhe atyre, pra profesionistëve të artit, madje edhe me tekste të kopjuara. Kristo Frashëri, një ndër njohësit e mirë të jetës dhe veprës së Skënderbeut, e shkruan një libër që e titullon “Skënderbeu i shpërfytyruar”, në të cilën mbron biografinë e Skënderbeut nga, siç i quan ai “shtrembërimet, deformimet dhe pasaktësitë historike, biografike dhe bibliografike” që i bëhen Skënderbeut. Prandaj, kush duhet ta mbrojë Skënderbeun tani nga shpërfytyrimet e fejsbukistëve që hedhin vrerë të paparë kundër Skënderbeut të paraqitur në një vepër arti? I njëjtë ishte reagimi edhe i skulpturës së Gëzim Muriqit që i bëri Skënderbeut që u vendos tek arbëreshët, njëlloj kaloi debati nga ky Skënderbeu jonë te “krimbi i përdredhur në hyrje të Shkodrës, e deri te ura e shëmtuar e Kukësit”, që të dyja duhet të hiqen, të largohen nga aty, ose të rrënohen. Pra, të rrënohet një vepër e jashtëzakonshme inxhinierike që tejakolon përmasat dhe gjetjen e saj arkitektonike-strukturore-inxhinierike në Ballkan dhe në Evropë. Çfarë ironie kulturore e artistike!

Niveli artistik dhe arkitektonik

Skulptura e Kafkës në Pragë, e artistit David Černý, rrotullohet aq veçanshëm, saqë për një kohë shumë të shkurtër mund të shohim figurën e plotë, të saktë dhe identifikuese të shkrimtarit. Arti i tillë përshkruan gjendjen e Kafkës me trazirat e tij të brendshme dhe dyshimet në vetvetete, por mund të jap mesazhin edhe te “Metamorfozës” së tij të famshme, pra shndërrimit të gjendjes psikike dhe të reflektimit shndërrues dhe ndryshues urban dhe social të shoqërisë së sotme. Çfarë të thuhet për skulpturën e Kafkës të artistes Jaroslav Róna, që e paraqet shkrimtarin të ulur në një figurë dyvetëshe dhe dytrupëshe, ku njëri trup nuk ka as duar e as këmbë, madje as kokë. Një “karikaturizëm” i tillë, tregon frymëzimin e mesazhit të Kafkës në veprën “Përshkrimi i një lufte”. Përse nuk e cenojnë identitetin, integritetin figurat si “Imazhi i Njutonit” nga Salvador Dalí, “Kthesa e armës” nga Carl Frederik Reuterswärd, “Busti i Churchillit” të Jacob Epstein, “Monumenti i Ajnshtajnit” nga Robert Berks, “Mbreti” nga Seymour Lipton, “Ngritja e Krishtit” nga John Poole e të tjera si këto? Të gjithë këto personazhe janë shumëherë më të njohur botërisht sesa Skënderbeu, por nuk përbëjnë asnjë problem as kërxënim real apo fiktiv për paraqitjen artistike të tyre. Sepse arti është autentik dhe sepse misioni i tij është të përçojë mesazhin e thellë përmes ndjeshmërive dhe narracioneve metaforike që autori përcjell përmes artit.

Në një kontekst të tillë, ku është planifikuar që monumenti i Skënderbeut të vendoset në Ulqin, si do të duket vepra e shpallur në vendin e parë të skulptorit Sabri Behramaj? Situacioni hapësinor i vendndodhjes përbën vlera të trashëgimisë arkitektonike dhe urbane të realizmit socialist, që sipas stilit arkitekturor përbëjnë modernizmin në arkitekturë. Ai vjen i shprehur përmes gjeometrisë së rregullt, simetrisë herë-herë të përthyer, madje edhe duke kaluar në skulpturalizëm. Ndërtesat e tilla kanë përmbajtje të guximshme për kohën. Fundi i viteve ’60, modernizmit në arkitekturë iu shtua një nënstil, apo degë që përfaqësoi një frymë të re sociale dhe politike. Ish-Jugosllavia dhe vendet tjera socialiste, këtë frymë e përqafuan fuqishëm dhe e shfrytëzuan mjaft mirë. Bëhet fjalë për brutalizmin. Si stil arkitektonik i atyre viteve, brutalizmi karakterizohet nga format e thjeshta, me blloqe dhe ndërtime prej betoni të papërpunuar. Nga frëngjishtja “brut”, që don të thotë i papërpunuar, i patrajtuar që shpreh papërpunimin, patrajtimin e betonit, pra Béton brut është beton arkitektonik që lihet i papërfunduar. Tregon ashpërsi, natyrshmëri të vet gjendjes dhe materialit të betonit. Kritikët e aritekturës e konsiderojnë brutalizmin të ftohtë, të papërpunuar, mizor dhe të shëmtuar. Vija të drejta, të rregulla, të qarta, të definuara, të lexueshme, të parashikueshme… Ky është stili i brutalizmit të modernizmit në arkitekturë. Qendra e Ulqinit dominohet nga ky stil i arkitekturës. Rrethemërreth ka modernizëm-brutalizëm. Ndërtesa e Komunës së Ulqinit është përfaqësuese e këtij stili, dhe madje mund të jetë ndër më të veçantat ndërtesa ku skulpturaliteti modernist i arkitekturës së brutalizmit është e shprehur aq qartë në këtë ndërtesë.

Çfarë e then këtë heshtje dhe gjendjen e ngurrtë të modernizmit brutalist? A është gjetje e mirëfilltë vepra “Skënderbeu me burrat e Ulqinit” për këtë ambient urban-arkitekturor? Mbase, po. Vijat e lakuara sikur e thejnë monotoninë e fasadave të të gjitha ndërtesave përreth. Dinamizmi që kjo skulpturë shfaq, eleganca me të cilën është i trajtuar çdo element stilistik i veprës skulpturore, lëvizshmëria e përpjestimit në bazë të proporcioneve strukturore dhe elementeve që shfaqen në vepër, e bëjnë kontekstualizimin arkitekturë-skulpturë, art-ndërtim, urbanizëm-sociologji të ndërthurën, të integrohen, madje bën që edhe mendjet e ndara papajtueshmërisht që të bashkohen.

Cili është mesazhi i Skënderbeut? Cili është mesazhi i artit? Është një mënyrë e fuqishme për të përcjellë mesazhe, ide dhe emocione. Varto, shprehet, se “skulptura është një formë arti që sfidon perceptimin konvencional dhe e fton njeriun në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, trupore dhe ndijore me veprën. Ajo nuk është thjesht një objekt për ta parë, por një përvojë për t’u jetuar.”

Skënderbeu mbetet i tillë, avandgard që është shumë përpara kohës së tij, avandgard i kohës sonë./ KultPlus.com

“Era” me premierë në Brooklyn Film Festival 

Me skenar dhe regji të Parta Kelmendit, filmi “Era” do të prezantohet me premierë në Brooklyn Film Festival, shkruan KultPlus. 

Për këtë prezantim është bërë e ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe njoftimin e plotë të këtij institucioni e gjeni më poshtë. 

Jemi shumë të lumtur t’ju njoftojmë se filmi “ERA” pati premierën e tij më 2 qershor në Brooklyn Film Festival në Neë York.

Pas shfaqjes, u mbajt një Q&A me aktoren Zana Berisha, ku u diskutua për temat e filmit dhe përvojën e saj gjatë realizimit.

Filmi sjell rrëfimin e Erës, një vajzë e re që në vitet ’90 detyrohet të shpërngulet nga Prishtina në një fshat, ku përballet me rregulla të reja, sfida të brendshme dhe një vendim të madh për të ardhmen e saj.

Me regji dhe skenar nga Parta Kelmendi

Luajnë: Zana Berisha, Alban Ukaj, Armend Smajli, Irena Aliu, Maylinda Kosumovic, Allmir Suhodolli, Melihate Qena, Lum Veseli, Blerta Gubetini

Producentë: Aferdita Saracini Kelmendi, Marija Dimitrova, Koproducente: Belma Bajrami

Filmi është i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është një bashkëprodhim i COMPANY21 dhe NAM CREATIVE./ KultPlus.com

105 vjet nga Lufta e Vlorës, çlirimi i krahinës prej pushtuesve italianë

Më 5 qershor të vitit 1920 filloi lufta për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së I Botërore. Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare”. Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë.

Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait.

Trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920. Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. /atsh/ KultPlus.com

Posta e Kosovës nderon 100-vjetorin e IKShPK-së me pullë postare

Për nder të shënimit të 100-vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot vë në qarkullim një emision të veçantë pullash postare me titull “100-vjetori i punës së IKShPK-së”. Ky emision ka për qëllim të nderojë një shekull pune të palodhur dhe kontributin e jashtëzakonshëm të këtij instituti në mbrojtjen e shëndetit publik në vendin tonë.

Pulla postare shënon rëndësinë e themelimit të IKShPK-së, institucion kyç i cili vazhdon të mbetet shtyllë e fortë në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të individit dhe shoqërisë, mbikëqyrjen e faktorëve mjedisor që ndikojnë në shëndet, parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe jo ngjitëse, si dhe promovimin e shëndetit gjatë tërë jetës.

Pulla postare e 100-vjetorit është dedikim për profesionistët shëndetësorë, bashkëpunëtorët, studiuesit dhe mësimdhënësit të cilët, me përkushtim dhe pasion, kanë sfiduar çdo pengesë për të ndërtuar një shoqëri më të shëndetshme dhe më të fortë.

Ky emision i veçantë i përbërë nga një pullë postare dhe një zarf i ditës së parë, do të jetë në qarkullim deri në konsumimin e plotë të tij. Bashkëpunimi mes Postës së Kosovës dhe IKShPK-së është një mundësi e shkëlqyer për të nderuar këtë trashëgimi të çmuar dhe për të frymëzuar brezat e ardhshëm në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit publik./ KultPlus.com

Më 19 korrik Armend Rexhepagiqi me koncert të veçantë, promovon albumin ‘Dashni e Vjetër’

Në kuadër të 15-vjetorit të saj, RAVE sjell një nga ngjarjet më të bukura dhe më të shumëpritura të këtij sezoni: koncertin e Armend Rexhepagiqit më 19 korrik në Pallatin e Rinisë. Ky është vetëm njëri nga një sërë eventesh të kuruara me kujdes që po organizohen përgjatë gjithë vitit jubilar të RAVE.

Për herë të parë në këtë skenë ikonike të Prishtinës, Armend Rexhepagiqi do të performojë live, duke sjellë jo vetëm këngët që kanë shënuar historinë e muzikës shqiptare, por edhe krijimet më të reja nga albumi i tij më i fundit Dashni e Vjetër. Një zë që për vite me radhë ka qenë pjesë e ndjenjave, kujtimeve dhe realitetit tonë kulturor, do të na shoqërojë në një natë që premton emocion të thellë dhe lidhje të sinqertë me publikun.

Ky koncert është pjesë e një kalendari të gjerë aktivitetesh që RAVE ka nisur për të shënuar 15 vite të suksesshme në skenën muzikore dhe kulturore të Kosovës. Si organizator i disa prej eventeve më të mëdha dhe më inovative në rajon, RAVE është sot një nga emrat më të besueshëm në industrinë e eventeve, një ekip që çdo natë e kthen në përvojë të vërtetë.

“Ky edicion i 15-vjetorit është një reflektim i gjithë rrugëtimit tonë, por edhe një premtim për të ardhmen: të vazhdojmë të sjellim përvoja që e ngrenë kulturën dhe e lidhin publikun me artin në mënyrë të drejtpërdrejtë,” – shprehen organizatorët. 🎟 Biletat janë në shitje në www.rave-travel.com – https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=3907/ KultPlus.com

‘Abito Mari’, peizazhi bashkëkohor i Mesdheut në galerinë GOCAT

Mbrëmjen e djeshme “Gallery of Contemporary Art Tirana” hapi dyert për ekspozitën “Abito Mari” të artistit Fabrizio Bellomo, kuruar nga Adrian Isufi dhe Elton Koritari në kuadër të Javës Kulturore Italiane.

Ekspozita fton vizitorët të hedhin një vështrim mbi peizazhin bashkëkohor të Mesdheut, duke eksploruar shtresëzimin e kujtesës, hapësirës dhe arkitekturës. Kjo ekspozitë përkon me njëvjetorin e galerisë GOCAT.

Ekspozita personale e Fabrizio Bellomo-s në galerinë GOCAT në Tiranë vjen si një reflektim mbi peizazhin bashkëkohor të Mesdheut, me vëmendje të veçantë ndaj ndërthurjeve kulturore midis Pulias, Kalabrisë dhe Shqipërisë.

Kuratoret thone se, “Abito Mari” është më shumë se një ekspozitë e thjeshtë, është një vepër personale dhe koherente e artistit. /atsh/ KultPlus.com

Policia shqiptare ‘blindon’ Tiranën, zbulohen masat në prag të ndeshjes Shqipëri – Serbi

Shqipëria është nikoqire e Serbisë në “Arenën Kombëtaren”, të shtunën mbrëma me fillim nga ora 20:45.

Ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e tretë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm, shkruan Arbresh.info.

Duke ditur rëndësinë e ndeshjes, polica e Shqipërisë e ka “blinduar” Tiranën dhe rrethinën, këto ditë.

Policia shqiptare ka hartuar një plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes.

Në planin e masave parashikohen:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Serbisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrolleve sistematike në mjediset brenda dhe jashtë stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë piroteknike, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Serbisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor 2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.

Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.

Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.

Gjithashtu, apelon për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.

Me këtë rast, informohen shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, në orën 18:00, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Gjithashtu, apel bëhet edhe ndaj tifozëve dhe sportdashësve që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

“Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit’, njofton policia.

Botimi i ri ‘Në emër të gjakut’ i Ahmet Prençit

 Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, një emër i njohur gjerësisht si një profesionist dhe garant i zbatimit të ligjit, tashmë vjen edhe si botues.

Pas dy botimeve me dy romane e fundit “Anja” dhe “Prenga e Prokurorit”, nga sot autori vjen me një tjetër botim të tij.

Ka qenë fillimisht shtëpia botuese “Mediaprint” e cila ka njoftuar librin më të ri të Prençit e me pas autori në rrjetin social Facebook shkruan  se “sapo doli nga shtypi vëllimi im i ri me tregime e novela “Në emër të gjakut”.

Një falënderim zemre për Shtëpinë Botuese Mediaprint dhe Elda Vela, redaktoren Silvana Farruku dhe mjeshtrin e grafikës Elsi Kongo për punën e bukur me shumë përkushtim. Mirënjohje pa kufi  poetit, përkthyesit, studiuesit dhe shkrimtarit të dashur Rudolf Marku që lexoi në dorëshkrim librin dhe e përcolli atë drejt lexuesit me një parathënie brilante”./atsh/ KultPlus.com

Kadare për Gjakovën: Me këtë qytet, më lidh diçka që as vet nuk di ta them, ndoshta historia

Nga Iliriana Pylla

Një ngjarje të veçantë kulturore, me pjesëmarrjen e shkrimtares së njohur Helena Kadare organizoi Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dhe Rotary Club, në Gjakovë. Ishte një bashkëbisedim me qytetarët mbi letërsinë, rolin e gruas në shoqëri dhe kujtesën e një epoke të ndërlikuar me temën: “Helena Kadare: Zëri i heshtur i letërsisë dhe kujtesës shqiptare”. Kadare në bashkëbisedim me adhuruesit e fjalës së shkruar ndau përvoja personale dhe reflektime mbi krijimtarinë, heshtjen dhe sfidat e jetës së saj si grua dhe autore.

“Kam udhëtuar shumë, kam qenë në shumë takime, por nuk e di pse, me këtë qytet, më lidh diçka që as vet nuk di ta them, dhe ta shpjegoj pse, po ndoshta është historia ky qytet me kaq kulturë me kaq tradita, dhe kaq i vuajtur. Vazhdimisht kam ndjekur ato tmerre që kanë kaluar Kosova sigurish,t por në veqanti Gjakova”, ka thënë Kadare.

Ajo ka theksuar se, në periudhën e luftës në Kosovë, Ismaili braktisi punën dhe u angazhua tej mase takoi personalitete me ndikim nëpër kancelari të rëndësishme, dhe u ka folur për situatën në Kosovë.  

“Ismaili për herë të parë ka lënë punën e tij që ai e quante të shenjtë, punën e të shkruarit, do me thënë, pa bërë atë dy orëshin e gjysëm, se aq punonte në ditë, për atë ishte një jetë e pa pranushme. Për herë të parë e kam parë që braktisi punën dhe u dha vetëm për drejtimin se çfarë mund të bënte ai për Kosovën. U angazhua tej mase duke takuar personalitete me ndikim nëpër kancelari të rëndësishme, duke folur për situatën në Kosovë”, ka shtuar ajo.  

Shkrimtarja e njohur në këtë bashkëbisedim me gjakovarët, ka folur edhe për sakrificat dhe vetmohimin e heshtur që kishte zgjedhur siç tha, pa ndonjë pendesë duke u distancuar nga shumë privilegje, vetëm që bashkëshorti i saj të ecë e të vë në letër gjithë fuqinë e fjalës dhe mendimit të tij.

Nga ana tjetër, prof. Ruzhdi Sefa, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” ndau mirënjohje për shkrimtaren me motivacionin që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërisë shqipe.

“Mirënjohje për zonjën Helena Kadare, për zërin e saj të qetë por të fuqishëm që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërisë shqipe, dhe për dritën që i ka dhënë Tiranës, kujtesës dhe shpirtit të kulturës sonë”, ka thënë Sefa.

Teuta Lama Hoda udhëheqëse dhe ndër organizatoret e kësaj mbrëmje artistike mes tjerash tha se ndihen të nderuar që kanë mes tyre shkrimtaren, të cilën e çmuan prej shumë dekadash e që rrallë herë kanë pasur fatin ta takojnë.

“Je gruaja e parë që botoi roman në Shqipëri, pas luftës. Jeta jote me Ismailin, sfidat e përditshme, durimi, dashuria për fjalën, janë histori që na frymëzojnë dhe që na mësojnë se sa shumë mund të bësh edhe kur rrethanat nuk janë lehtësuese”, ka thënë mes tjerash Lama-Hoda.

Helena Kadare autore e librave “Një lindje e vështirë”, “Një grua nga Tirana”, “Bashkëshortët”, “Kohë e pamjaftueshme”, “Krimineli nga Kadizi”, etj. duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve ka zbuluar se pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, ka gjetur një ditar personal të tij të viteve të rinisë, por siç tha ajo, aty ka rrëfime tejet personale që nuk mendon se duhet botuar.

Ky aktivitet u mbështet nga dr. Agron Abrashi një mjek, filantrop i cili është shqiptari i parë nga Kosova që ka hapur ordinancë mjekësore në Zvicër. Ai gëzon mirënjohje dhe respekt të gjerë nga komuniteti shqiptar atje dhe jo vetëm./ KultPlus.com

302 vjet nga lindja e Adam Smith

Adam Smith (5 qershor 1723 – 17 korrik 1790) është një filozof dhe ekonomist skocez i Iluminizmit. Ai qëndron në histori si babai i shkencës ekonomike moderne, vepra kryesore e të cilit, Pasuria e kombeve, është një nga tekstet themeltare të liberalizmit ekonomik.

Ai  ishte profesor i filozofisë morale në Universitetin e Gllasgout, ku i kushtoi dhjetë vite të jetës së tij këtij teksti që frymëzoi ekonomistët e mëdhenj pasardhës, ata që Karl Marks do t’i quante « klasikët » dhe që do të hidhnin parimet kryesore të liberalizmit ekonomik.

Shumica e ekonomistëve e konsiderojnë Smithin si «babain e ekonomisë politike» megjithatë, disa, si austriaku Jozef Shumpeter dhe amerikani Murrej Rothbard, e kanë quajtur një autor të vogël, duke konsideruar që vepra e tij përmbante pak ide origjinale dhe që këto të fundit ishin të gabuara. /KultPlus.com

Rama: Muzeu ‘Onufri’ në Berat mbi 30 mijë vizitorë në pesë muajt e parë të vitit

Muzeu Kombëtar “Onufri” në kalanë historike të Beratit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me pasurinë e tij unike të artefakteve kishtare dhe ikonografisë bizantine.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Muzeu, i cili mban emrin e ikonografit të pavdekshëm Onufri.

“Muzeu që mban emrin e ikonografit të pavdekshëm shqiptar, Onufri, e që brenda mureve plot histori mban 2,000 objekte të përzgjedhura nga kishat dhe manastiret e rrethit të Beratit, duke mirëpritur numrin rekord të mbi 30,000 vizitorëve gjatë pesëmujorit të parë të vitit”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Muzeu, i vendosur në ambientet e Kishës së Shën Mërisë në kalanë historike të Beratit, ruan mbi 2,000 objekte të përzgjedhura me kujdes nga kishat dhe manastiret e zonës. Në këto objekte përfshihen ikona, libra liturgjikë, relike dhe objekte të tjera me vlerë artistike dhe fetare.

Gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, muzeu ka mirëpritur një numër rekord vizitorësh, duke tejkaluar 30,000 vizita – një tregues i rritjes së interesit për trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim sopranon me famë botërore, Ermonela Jaho

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim sopranon me famë botërore, Ermonela Jaho, e cila më 8 qershor do të mbajë një koncert në Kosovë.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të Jahos në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në skenat më prestigjioze ndërkombëtare. Ajo theksoi se prania e Jahos në Kosovë është nder dhe inspirim për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë që ndjekin ëndrrat në fushën e muzikës.

Sipas Presidentes Osmani, arti është nga format më të fuqishme të përfaqësimit të identitetit dhe dinjitetit të një shteti në arenën ndërkombëtare. Ajo theksoi se përmes figurave si Ermonela Jaho, bota mëson për vlerat, shpirtin dhe historinë tonë./ KultPlus.com

Dita Botërore e Mjedisit, OKB: Luftoni ndotjen nga plastika

Sot është Dita Botërore e Mjedisit dhe për 2025-ën, Kombet e Bashkuara kanë caktuar temën “Beat Plastic Pollution” (Lufto ndotjen nga plastika).

Dita Botërore e Mjedisit vë në pah provat shkencore mbi ndikimet e ndotjes plastike dhe nxit popullatën të refuzojë, të reduktojë, të ripërdorë, të riciklojë dhe të mendojë mirë përdorimin e plastikës për të ndërtuar një të ardhme më të pastër dhe më të qëndrueshme.

Në nivel global, vlerësohet se rreth 11 milion tonë mbetje plastike rrjedhin në ekosistemet ujore çdo vit. Më shumë se 800 specie detare dhe bregdetare janë prekur nga kjo ndotje përmes gëlltitjes, ngatërrimit dhe rreziqeve të tjera.

Mikroplastika në dete tani është më e madhe se yjet në galaktikën tonë.

Kostoja vjetore sociale dhe mjedisore e ndotjes plastike varion midis 300 miliardë dhe 600 miliardë dollarë amerikanë.

Më shumë se 400 milionë tonë plastikë prodhohen çdo vit në mbarë botën, gjysma e të cilave është projektuar për t’u përdorur vetëm një herë. Nga kjo, më pak se 10 % riciklohet.

Grimca të vogla plastike deri në 5 mm në diameter, arrijnë të depërtojnë në ushqim, ujë dhe ajër. Është vlerësuar se çdo person në planet konsumon më shumë se 50,000 grimca plastike në vit dhe shumë më tepër nëse merret parasysh thithja përmes ajrit.

Plastika e hedhur ose e djegur për një përdorim të vetëm dëmton shëndetin e njeriut dhe biodiversitetin dhe ndot çdo ekosistem nga majat e maleve deri në fundin e oqeanit. /atsh/ KultPlus.com

Farmer’s hands holding a small tree on nature background

66 vite më parë filloi ceremonia për ndarjen e çmimeve Grammy

Sot 66 vite më parë, është mbajtur për herë të parë ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore Grammy Award, shkruan KultPlus.

Çmimet Grammy (të stilizuara si GRAMMY), ose thjesht të njohura si Grammy, janë çmime të paraqitura nga Akademia e Regjistrimit të Shteteve të Bashkuara për të njohur arritjet “të jashtëzakonshme” në industrinë e muzikës.

Grammy Award është një çmim muzike që nga viti 1957 jepet çdo vit në gjithsej 108 kategori për artistët më të dalluar, drejtues të prodhimit dhe teknikë akustik.

Këto konsiderohen si çmimet më prestigjioze dhe më të rëndësishme në industrinë e muzikës në mbarë botën. Ata u quajtën fillimisht Gramophone Awards, pasi trofeu përshkruan një gramafon të praruar. Grammy është i pari nga çmimet kryesore muzikore të tre rrjeteve të mëdha që mbahen çdo vit, dhe konsiderohen si një nga katër çmimet kryesore vjetore amerikane të argëtimit, së bashku me Çmimet e Akademisë (për filma), Çmimet Emmy (për televizionin) , dhe çmimet Tony (për teatër).

Ceremonia e parë e çmimeve Grammy u mbajt më 4 maj 1959, për të nderuar arritjet muzikore të interpretuesve për vitin 1958. /KultPlus.com

Pranvera në Prishtinë me koncertin ‘Kanga jonë’, homazh për muzikën e përjetshme të Musa Piperkut

Flonja Haxhaj

Nën ngrohtësinë e një mbrëmje pranvere, sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë u shndërrua mbrëmë në një skenë të hapur nën yje, ku u dha koncerti madhështor “Kanga Jonë 2025”, një përjetim muzikor i mbushur me kujtim, emocion dhe respekt të thellë për trashëgiminë e njërit prej emrave më të shquar të muzikës së lehtë shqiptare, kompozitorit Musa Piperku, shkruan KultPlus

Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ky koncert erdhi si një rrugëtim nëpër tingujt që për dekada kanë shënuar ndjeshmërinë për vendin e dashurinë në të gjitha trevat shqiptare.

Koncerti, i cili solli përpara publikut këngët që i kanë shoqëruar nëpër etapa të ndryshme të jetës, u moderua me finesë nga prezantuesja Dojna Mema dhe aktori i njohur kosovar Alban Ukaj, të cilët udhëhoqën me delikatesë rrjedhën e natës, duke ndërlidhur artistët dhe repertorin në shenjë respekti për veprën e Piperkut.

Mbrëmja nisi me interpretimin e Genc Salihut, i cili solli këngët “Kaltrina” dhe “Të fala nga Prishtina”, duke vendosur menjëherë tonin e një nate të mbushur me dashuri për qytetin dhe muzikën. Më pas, këngëtarja Eneda Tarifa i dha skenës një elegancë të veçantë me interpretimin emocional të këngëve “Malli për ty lotin ndjell” dhe “Kosovarja e bukur”, duke përçuar ndjeshmërinë e melodisë së Piperkut.

Shpat Deda solli atmosferën intime të këngës “Pranvera në vendin tim”, e pas tij ansambli “Zanat” sollën një interpretim të fuqishëm të “Kënga shpirtin ma rrëmben”.

Më tej, këngëtarja Fifi solli energji nëpërmjet këngëve“O bilbil” dhe “Qeshu rini”, dy këngë që reflektojnë gjallërinë dhe frymën rinore që karakterizon veprat e Piperkut. Ndërkohë, Vlashent Sata solli një emocion e një frymë romantike teksa interpretoi këngën“Buzëqesh prapë Suzi”. Pas tij, këngëtarja Jehona Sopi solli gjallëri në publik me këngën “Ku mbet hareja”.Kënga ikonike për fëmijë ‘Fidani’ erdhi më pas nëpëmjet zërit të dashur të Korit të Fëmijëve ‘Okarina’.

Ndërkaq, kulmi i mbrëmjes u arrit me performancën e sopranos së famshme Inva Mula, e cila interpretoi magjishëm këngën “Pranvera në Prishtinë”.Pas saj, Armend Rexhepagiqi solli një tjetër perlë shqiptare, këngën e tij “Dashurinë o ku e kam”, po ashtu kompozim nga Piperku. Ndërsa mbrëmja u kurorëzua me duetin e tij dhe të Invës në këngën “Këngë Moj”, si një himn të dashurisë për artin dhe jetën.

Përgjatë këtij koncerti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndau familjes së Piperkut, Medaljen Presidenciale të Meritës ‘Post Mortem’, për kompozitorin Musa Piperku, si vlerësim për jetën, krijimtarinë dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën muzikore shqiptare.

Pas një interpretimi brilant që u mirëprit me duartrokitje të zjarrta nga publiku i Prishtinës, sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula, e cila solli emocione të thella me zërin dhe interpretimin e saj në skenën e koncertit “Kanga Jonë”, tha për KultPlus se është prekur nga fuqia artistike dhe vlera historike e këngëve të Musa Piperkut, duke vlerësuar këtë koncert si një nismë me rëndësi të madhe për ruajtjen e identitetit muzikor shqiptar.

“Këto janë këngë të mrekullueshme. Edhe unë i duke dëgjuar dhe gjatë provave, nuk e dija të gjitha këto këngë kanë qenë të Musa Piperkut, sepse nganjëherë këngët kur bëhen kaq popullore sikur bëhen edhe anonime. Prandaj ky rikthim, me të gjithë krijimtarinë e kompozitorit është me shumë vlera, sepse na kthen në identitetin e një njeriu, i cili ka lënë një krijimtari, një thesar për artin shqiptar të të pa çmuar dhe mendoj që kjo iniciativë për të krijuar ‘Kanga Jonë’ si produksion është një iniciativë shumë e bukur, për arsye se ka kompozitorë të mrekullueshëm, dhe unë u ndjeva kaq bukur, u ndjeva kaq mirë, me ato dy interpretime që ishin nga këngët më të bukura të kompozitorit”, tha Mula duke shtuar më tutje se këngë si këto janë AND-ja e muzikës shqiptare, prandaj edhe duhet të rikthehen.

Ajo më tutje shprehet e lumtur edhe për interpretimin e saj të parë me këngëtarin Armend Rexhepagiqi, duke shprehur se do të mbetet një kujtim shumë i bukur për të.

“Unë u ndjeva shumë e lumtur, se e kam adhuruar gjithmonë Armendin, por nuk kemi pas mundësi ndonjëherë të këndonim bashkë, një herë nuk bashkohen artistët për shumë arsye, por kur më thanë që do ta bësh duet, u gëzova shumë. Ne u takuam këtu, u takuam me shumë mall,  e përsëritëm  këngën, bile e përsëritëm shumë herë, si ata fëmijët e vegjël, vetëm se kishim dëshirë, domethënë që ta bënim këto duet. Jam shumë e lumtur dhe është një kujtim shumë i bukur për mua”, tha Mula.

Ndërkaq, pas koncertit, këngëtari Vlashent Sata tha për KultPlus se ndjehet i lumtur lumtur që ishte pjesë i një organizimi të tillë, ku kujtohet trasigimia që ka lënë pas një kompozitor.

“Gjëja më e bukur ishte me këndu në gjuhën shqipe dhe të këndoj shqip në formën e muzikës. Musa Piperkun nuk e njihja si emër por si muzikë dhe ishte shumë e rëndësishme për mua të jem pjesë e këtij koncerti. Është shumë e rëndësishme që po vlerësohet një artist për punën që ka lënë mrapa.Ajo që është e bukur është që të kuptojmë se shqiptarët kanë ditur të jetojnë, të krijojnë, të gëzojnë jetën dhe të mbijetojnë edhe në kushte shumë të vështira. Kjo tregon se ata kanë qenë brenda jetës me muzikën dhe artin ashtu siç kanë dashur jeta e tyre të jetë”, tha Sata, duke shtuar mes tjerash se shpreson se me versionin e tij të ‘Buzëqesh prapë Suzi’ ka sjellë ndjeshmërinë që do t’i afrohej botës së Piperkut.

Me paraqitje për herë të parë në rolin e moderatorit, aktori Alban Ukaj tha se i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese si nderim dhe respekt të jetës dhe veprës së kompozitorit Piperku, vepra që më nuk krijohen në ditët e sotme.

“Është hera e parë që po e bëj moderatorin. E kam prauar për një arsye, për të madhin Musa Piperku. Jemi rritë me këto këngë. Ka qenë një nder dhe përgjegjësi të madhe, që të prezantoj koncertin që i kushtohet një njeriu aq të madh dhe një prej kompozitorëve tonë më të mirë. Kur i dëgjon atë melodi, atë ritëm, e sheh që diçka është ndryshe në krahasim me atë që po prodhohet sot. Unë shpresoj që dikush do të ketë veshë dhe do të ketë vetëdije, që merr kthy atë që e kanë sjellë Randobrava, Piperku e kompozitorë të ndryshëm”, tha Ukaj për KultPlus.

Ndërkaq, ju kujtojmë se koncerti ‘Kanga Jonë’ e cila më shumë se sa një mbrëmje artistike, ishte një akt përulje për një trashëgimi që vazhon të jetojë nëpërmjet notave, është organizuar nga Dardan Selimaj dhe Jehona Sopi./KultPlus.com

Screenshot

Dashunia âsht shoqni e rrallë

Poezi nga Fernando Pessoa

Përktheu Halil Matoshi

Shoqni e rrallë asht dashunia
Me ecë udhëve i vetëm nuk di ma,
Se vetëm nuk mundem.
Një mendim i dukshëm më nxit me shpejtue hapin
Shoh gjithnji e ma pak dhe njikohesisht zjarmishëm lakmoj me pa  çdo gja.
Madje edhe mungesa e saj asht me mue,
Dhe e puth aq sa nuk di si me e dishirue…
Nuk e shoh mbase, e përfytryroj, dhe i fortë jam përballë lisave të gjatë
N’tuebamësi, dridhem dhe nuk e di  çka ndodh në njat heshtje në mungesën e saj.
Me tanë qenien time ndjej diqysh fuqinë që po më lë
E tanë vërtetësia vështon  si luledielli me fytyrën e saj midisdisi…/ KultPlus.com

Kuturu

Poezi nga Timo Flloko

Eci rrugëve kot, kuturu
dhe s’di ku shkoj,
xurxull jam prapë unë- se ajo,
një bohem nuk e do.

Sa të desha, shpirt s’mund ta dish,
të vodhën ty – pabesisht,
me pije mbys dhimbjen pa fund…

Sa e lumtur je, unë s’e di,
me atë që jeton,
mund ta blejë ai për ty dhe botën,
vetëm zemrën, jo!

Mbeti shkretë tani streha jonë,
në luks je ngrirë, në kyç trishton,
si në muze, si një Xhokondë.

Unë në jetë i pasur s’jam vërtet,
por në ëndërr e shoh veten mbret,
nëpër pube tok me miqtë harxhoj,
unë hënën si monedhë.

Ti po fle tani, Xhokonda ime,
shiu si det mbi mua zbrazet,
as rrufetë s’më vrasin dot.
se ka një Zot! / KultPlus.com

‘Njerëzit thonë që je duke ndjekur rrugën e gabuar, por ajo është thjeshtë rruga yte’

1. “Jeta vjen me shumë sfida. Ato që nuk do të duhej të na frikësonin, janë ato që mund ti kontrollojmë.”

2. “Pa dhimbje, nuk do të kishte vuajtje. Pa vuajtje kurrë nuk do të mësonim nga gabimet tona. Për të bërë gjënë e duhur, dhimbja dhe vuajtja janë çelësat e të gjitha dyerve.”

3. “Nëse nuk dilni nga kutia në të cilën jeni rritur, kurrë nuk do ta kuptoni se sa e madhe është bota.”

4. “Ne nuk dashurojmë kur gjejmë njeriun perfekt, por kur mësojë të shohim një njeri jo perfekt në mënyrë perfekte.”

5. “Nëse pyetni njerëzit, shumica nuk kanë bërë atë që kanë dashur. Kjo më dhemb në zemër. “

6. “Nëse mendoj për vdekjen më shumë se të tjerët, është për shkak se unë vlerësoj jetën më shumë se ta.”

7. “Unë do të mundohem të bëj më të mirën time të mundshme në këtë botë.”

8. “Ti mendon, “çfarë nëse do ta bëj një gabim sot dhe do të pendohem’. Por unë nuk besoj në pendim, unë besoj që çdo vendim çon tek të kuptuarit se kush jemi, dhe thjesht duhet të hedhim një hap para, të përkushtohemi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.”

9. “Sa herë që ndihem e humbur, marr një hartë dhe e vështroj deri sa ti kujtoj vetës sime se jeta është një aventurë e gjatë, sa shumë për të bërë e sa shumë për të parë!”

10. “Njerëzit thonë që je duke ndjekur rrugën e gabuar, por ajo është thjeshtë rruga yte.”/KultPlus.com

Rama: “Turi i Kullave”, shtysë të re zhvillimit të turizmit të traditës në Shqipëri

“Turi i Kullave’’, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të vendit tonë vijon të zgjerohet si pjesë e ofertës turistike që ofron Shqipëria.

Këtë herë “Turi i Kullave” zgjerohet në Kukës, Has dhe  Tropojë, me nëntë kulla karakteristike që i shtohen kësaj eksperience autentike në zemër të veriut shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga këto kulla, që sipas tij i japin “një shtysë të re zhvillimit të turizmit të traditës në Shqipëri”.

Rama nënvizoi rëndësinë e këtij turi “me kullat tipike, bujtinat e kuzhinën tradicionale që promovojnë prodhimet cilësore ‘Made in Albania’”.

“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë.

Ky tur është një udhëtim në zemrën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të Shqipërisë së Veriut. Ky itinerar përfshin eksplorimin e pasurive historike të kullave shqiptare, duke kombinuar përvoja autentike kulturore, historike dhe agroturistike.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takohen me banorët e këtyre kullave, të njihen me historinë dhe traditat, të shijojnë gatimet tradicionale dhe të njohin përpjekjet për ruajtjen e kësaj trashëgimie të veçantë.

“Turi i Kullave” përçon mesazhin e jetës dhe historive të skalitura në muret e tyre shekullore, duke dëshmuar kulturën dhe traditat që këto kulla kanë ruajtur ndër vite./atsh/KultPlus.com

Letrat më të famshme të dashurisë: Nga Tolstoy deri te mbreti Henry VIII i Anglisë

Vincent Van Gogh, artisti i famshëm holandez i shkruan Theos, vëllait të tij, duke i përshkruar dashurinë për kushërirën e tij Kee, e cila nuk e pranoi kurrë, 1881.

I dashur Theo. Jeta është bërë shumë e dashur për mua, dhe jam shumë i lumtur që kam rënë në dashuri. Jeta ime dhe dashuria ime tani janë një. “Por ti je përballur me një ‘kurrën e kurrës’, më përgjigjesh ti. Përgjigjja ime për ty është: “Çunak i vjetër, tani për tani unë shikoj në ‘kurrën e kurrës’ një bllok akulli, të cilën zemra ime mund ta shkrijë.

Mark Twain, letër për Olivia Langdonin – bashkëshorten e tij të ardhshme, 1869

Përtej thellësive të zemrës sime të lumtur rrjedh një rrymë dashurie dhe lutjeje për këtë thesar të paçmuar që i është lënë në mirëbesim gjithë jetës sime. Ti nuk mund t’i shohësh valët e saj të pakapshme që rrjedhin drejt teje, e dashur, por në këto rreshta ti do ta dëgjosh valëzimin e largët të sipërfaqes.

***

Shkrimtari rus, Leo Tolstoy,, për të fejuarën e tij Valeria Arsenev, 1856

Tashmë unë dashuroj bukurinë tënde, por ky është vetëm fillimi i dashurisë në ty në atë çfarë është e përjetshme në zemrën dhe shpirtin tënd. Për bukurinë, njerëzit mund të bien në dashuri brenda një ore, dhe po aq shpejt kjo dashuri mund të mbarojë. Por shpirtin, njerëzit duhet të mësojnë ta njohin.
Besomë, asgjë në botë nuk fitohet pa punë, madje as dashuria, ndjenja më e bukur dhe më e natyrshme.

Johann Wolfgang von Goethe u njoh me Charlotte von Steinin, në vitin 1775, teksa jetonte në Vajmar. Ajo u bë frymëzimi për shumë heroina të veprave të tij, si dhe bashkëshortja e tij, 1784

Letrat e mia duhet të kenë treguar se sa i dashuruar jam. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe çdo vend i bukur që shoh ma shton dëshirën që ti të ishe aty. Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për afërsinë ndaj teje, prezenca jote nuk largohet asnjëherë.

Në ty, unë kam masën e çdo gruaje, për çdo njeri. Në dashurinë tënde, kam masën e gjithçkaje. Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi, dashuria jote ma qartëson. Kuptoj qartë se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh. Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato.

Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë. Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë.

***

James Joyce i shkruan të dashurës që do të bëhet gruaja e tij, disa muaj takimit, 1904

E dashura ime Nora. Thjesht, më ka goditur. Erdha në 11 e gjysmë. Që atëherë jam i ulur në një karrige të thjeshtë si i budallepsur. S’mund të bëj asgjë. Nuk dëgjoj asgjë tjetër, përveç zërit tënd. Jam si një budalla duke të dëgjuar ty që më thua “i dashur”. Ofendova dy burra sot, duke i lënë në të ftohtë.

Doja të dëgjoja zërin tënd, jo të tyrin. Kur jam me ty e lë mënjanë natyrën time përçmuese dhe dyshuese. Do të doja të ndjeja kokën tënde në shpatullat e mia. Besoj tani do shkoj në krevat. Kam gjysmë ore duke shkruar këtë letër. Do të më shkruash diçka? Shpresoj që po. Si do ta nënshkruaj emrin tim? Nuk do ta nënshkruaj fare, sepse nuk di çfarë të nënshkruaj.

***

Shkrimtari francez Honore de Balzac, letër për konteshën polake Ewelina Hanska, 1836

Engjëlli im i dashur. Po çmendem për ty, aq sa një njeri mund të çmendet. Nuk mund t’i bëj bashkë dy ide pa qenë ti në mes të tyre. Tashmë s’mendoj dot asgjë për ty. Pavarësisht nga dëshira ime, imagjinata më sjell tek ty. Të shtrëngoj, të puth, kujdesem për ty, një mijë përkujdesje dashurie më kapin. Sa për zemrën time, aty do jesh gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme të të pasurit ty atje.

Por, Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja? Kjo është mania që më ka terrorizuar këtë mëngjes. Çohem çdo moment duke i thënë vetes: “Hajde të shkojmë atje”. Më pas, ulem përsëri nga detyrimet e mia. Është një konflikt i frikshëm. Kjo s’është jetë. S’kam qenë kurrë më parë kështu. Ti ke gllabëruar gjithçka. Ndjehem i budallepsur dhe i lumtur sapo mendoj për ty. Sillem vërdallë në një ëndërr të këndshme në të cilën në një moment jetoj mijëra vjet. Çfarë situate e tmerrshme!

I mbuluar me dashuri, duke ndjerë dashuri në çdo gjë, por, duke jetuar vetëm për dashurinë, duke parë veten të konsumuar nga brengat, e gjej veten të kapur në njëmijë rrjeta merimangash. O, Evë e dashur, ti nuk e di. E mora kartolinën tënde. Është këtu para meje dhe unë flas me ty sikur t’i të ishe aty. Të pashë ty, si dje, të bukur, mahnitërisht të bukur. Dje, gjatë gjithë mbrëmjes i thashë vetes sime “ajo është e imja!” Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, siç isha unë dje!

***

Mbreti Henry VIII i Anglisë u divorcua nga bashkëshortja e tij Chatherine, për t’u martuar me Anne Boleyn, 1528

E dashura dhe shoqja ime. Unë dhe zemra ime e vendosim veten tonë në duart e tua, duke t’u lutur që ti të kujdesesh për ne me mirësinë tënde dhe të mos lesh mungesën të zvogëlojë dashurinë tënde për ne. Për mua sëmbimi që më shkakton mungesa është shumë i madh, dhe kur mendoj për rritjen e asaj që më bën të vuaj, do të ishte krejt e patolerueshme nëse s’do ishte shpresa ime e vazhdueshme për të pandryshueshmen dashurinë tënde.

***

Shkrimtari i famshëm francez, Gustave Flaubert. i shkruan bashkëshortes së tij, Louise Colet, 1846

Do të të mbuloj me dashuri kur të të shoh herën tjetër. Me përkujdesje, me ekstazë. Dua të të mbush me gjithë gëzimet e mishit, aq sa ty të të bjerë të fikët e të vdesësh. Dua që ti të mahnitesh nga unë, dhe t’i thuash vetes tënde që as nuk i ke ëndërruar ngazëllime të tilla… Kur të plakesh, dua që ti t’i kujtosh ato pak orë. Dua që kockat e tua të thata të mbushen me gëzim kur të mendosh për to.

***

Dramaturgu irlandez, George Bernard Shaw, aktores Beatrice Campbell së cilës i drejtohet me pseudonimin “Stella”, 1913

Për Stelën,
Dua vagabondin zuzar brenda meje,
Dua zonjën time të errët
Dua engjëllin tim, joshjen time
Dua dritën e shtatë llambave: të bukurisë, të nderit, të qeshurës, të muzikës, të dashurisë, të jetës dhe të pavdekshmes…
Dua frymëzimin tim, marrëzinë time, gëzimin tim
hyjninë brenda meje, çmendurinë time, egoizmin tim
mendjen time të shëndoshë, shenjtërimin tim,
shpërfytyrimin tim, purfifikimin tim,
dritën time në mes të detit,
palmën time në mes të shkretëtirës
kopshtin tim me lulet e dashura
një mijë gëzimet e mia të paemërta
dërdëllitjet e mia të ditës,
ëndrrat e mia të natës
të dashurën time dhe yllin tim… / KultPlus.com