‘Shqipëria, destinacioni perfekt’, revista italiane: Shijoni pushimet duke kursyer, por pa sakrifikuar cilësinë

Shqipëria është një nga ato vende që ka pasur suksesin më të madh vitet e fundit duke tërhequr një numër në rritje të vizitorëve ndërkombëtarë, veçanërisht në periudhën e verës.

Një artikull i botuar në revistën italiane të udhëtimeve “TTi Viaggi” është i radhës që konfirmon një gjë të tillë pasi në mediat botërore po i bëhet gjerësisht jehonë Shqipërisë turistike. Sugjerimet vijnë nga shumë vende të botës që përshkruajnë vendin tonë si një destinacion për të mos u humbur.

Artikulli i revistës “TTi Viaggi”

Falë plazheve të bukura, ujërave të pastra dhe kostos së ulët të jetesës, sot shumë turistë zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve. Prej disa vitesh, sidomos pas pandemisë së COVID-19/ës, luftës në Ukrainë e të gjitha problemeve që lidhen me inflacionin, rritjen e kostos së jetesës, kushdo që shkon me pushime kërkon të kursejë sa më shumë që të jetë e mundur, por pa sakrifikuar cilësinë.

Pikërisht duke pasur parasysh këtë, disa vende kanë filluar të rivalizojnë gjigantët turistikë si Greqia apo Spanja, duke u bërë destinacionet e preferuara për pushime verore, me kosto të ulët.

Mes tyre kryeson Shqipëria, e cila përveçse është kthyer në një destinacion perfekt për të rinjtë mund të jetë ideale dhe për ata që kanë një buxhet të kufizuar për të investuar për pushime.

Falë politikave sociale, vendi mesdhetar ka filluar të tërheqë edhe turistë të moshës së tretë e investitorë të huaj po ashtu.

Ka disa faktorë që e bëjnë Shqipërinë të suksesshme. Vendi ballkanik është ende një destinacion pak i njohur edhe pse numri i turistëve që e vizitojnë atë është në rritje e nuk është prekur ende nga turizmi masiv.

Në Shqipëri, ju do të keni mundësinë që të hani mirë e të shpenzoni pak. Akomodimet janë të një standardi të lartë, por me çmime të ulëta. Gjithashtu, në vend ofrohen plazhe të mrekullueshme me kosto të përballueshme./ TCH/ KultPlus.com

Presidentja Osmani e Kryeministri Kurti zbulojnë shtatoren e Ibrahim Rugovës në Podujevë

Në qytetin e Podujevës në një ceremoni të organizuar nga Komuna sot është zbuluar shtatorja e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Shtatorja është zbuluar nga presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti, Teuta Rugova e bija e presidentit, kryetari Shpejtim Bulliqi dhe Fatmir Sejdiu. 

Presidentja Osmani për shtatoren e ish-Presidentit Rugova: Një testament i idealeve për të cilat ai punoi deri në vdekje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së ish-presidentit, Ibrahim Rugova në Podujevë.

Osmani është shprehur se shtatorja e Rugovës po përjetësohet dhe po përurohet në 7 shtatorin historik.

Presidentja u shpreh se sot presidenti Rugova po i kthehet në bronz Llapit, siç u shpreh ajo, duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës.

“Shtatorja e presidentit Rugova po përjetësohet dhe po përurohet në 7 shtatorin historik, në të njëjtën datë, 34 vjet më parë, u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, një moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, për të cilën gjë, tërë jetën ia kushtoi presidenti ynë historik”.

“Shtatorja e presidentit Rugova nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat ai punoi deri në vdekje, për Kosovën të lirë, të pavarur dhe demokratike”.

“Prandaj sot po nderojmë kujtimin për udhëheqësin e madh, vizionarin e pashoq, për njeriun i cili me guxim dhe mençuri e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike, pikërisht në Kosovë”.

“Presidenti Rugova ishte simbol i shpresës, një njeri që besonte në fuqinë e fjalës. Në ditët më të errëta të historisë sonë, ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij “pavarësi dhe asgjë më pak”.

“Në ditët më të errëta ai dëshmoi se forca e kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi. Presidenti Rugova i dha, siç themi gjithmonë politikës dimensionin më të rëndësishëm të saj, dimensionin human”, u shpreh Osmani.

‘Karnavalet e Korçës’, triumf i regjisorit Erion Isai në Koko Fest

“Karnavalet e Korçës” ishte vepra më e mirë e Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë. Vepra me regji të Erion Isait korri shumë duartrokitje në natën e fundit të edicionit të 11-të të Koko Fest.

Regjisori i shfaqjes më të mirë, Erion Isai, u shpreh mirënjohës për gjithë ekipin, për orët, ditët, shpirtin e djersën e derdhur në dërrasat e skenës si dhe që bënë mjeshtërisht dritën dhe sharmin e krijimtarisë.

“Ndihem plot e i motivuar se po, vepra shqiptare ka dinjitet”, shkroi Isai në rrjetet sociale.

Figurat aq të dashura që krijoi Spiro Çomora, Nikollaqi, Olimbia dhe Afroviti, si dhe personazhet e tjerë u ngjitën në skenë nga një kast aktorësh të përzgjedhur.

Aktori korçar Arben Dervishi, i cili u rikthye në skenë pas 12 vitesh shkëputje ishte në rolin e tregtarit Nikollaq Jorganxhi, aktorja Zamira Kita në rolin e Olimbisë, aktorja Paola Kodra në rolin e Afrovitit, për të vijuar dhe me të tjerë personazhe.

Juria e festivalit vlerësoi për regjinë të mirë, Fatos Berishën ndërsa çmimi i karrierës shkoi për Leka Bungon./atsh/ KultPlus.com

Përkujtohet akademiku Aleks Buda

 Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot 7 shtatorin 1910, ditën kur lindi Aleks Buda.

Mësimet e para, i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes. Pa kryer klasën e dytë i vijoi studimet në Leçe të Italisë. Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri. Atje plotësoi filloren dhe kreu më 1929 gjimnazin në Salzburg.

Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vjenës, në Institutin Ballkanistik, në vitet 1930 – 1935 ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Paç, Reiniger dhe Norbert Jokl. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokun, Qemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie.

Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi së pari, si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës. U lidh me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit Antifashist të qarkut të Elbasanit. Në vitin 1955 u bë njëri nga organizatorët dhe studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i sapokrijuar.

Me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, Aleks Buda do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet.

Aleks Buda vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë, më 7 korrik 1993./atsh/ KultPlus.com

Boeing Starliner kthehet në Tokë, por pa astronautë

Anija kozmike Starliner e Boeing ka përfunduar udhëtimin e saj të kthimit në Tokë – por astronautët që supozohej të mbante mbeten pas në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Anija bosh udhëtoi në mënyrë autonome pasi u shkarkua nga laboratori orbital, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Kapsula, e cila pësoi probleme teknike pasi u nis me Butch Wilmore të Nasa-s dhe Suni Williams në bord, u konsiderua shumë e rrezikshme për t’i çuar astronautët në shtëpi.

Në vend të kësaj, ata do të kthehen me një “SpaceX Crew Dragon”, por jo deri në shkurt – duke zgjatur një qëndrim tetë-ditor në ISS në tetë muaj.

Portreti i Vaçe Zelës zbukuron Tiranën, e bija: E bindur që na vëzhgon e lumtur nga qielli (VIDEO)

Artistja e madhe shqiptare, Vaqe Zela, është portretizuar në Tiranë nga piktori me famë ndërkombëtare Maximiliano Bagnasco.

Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, e bija artistes Irma Rodiqi, ka shprehur mirënjohje të thellë për dashurinë që populli shqiptar i dhuroi në të gjallë e në të vdekur nënës së saj.

Ndërsa, për muralin me portretin e Vaçe Zelës ajo është shprehur të jetë e bindur se nëna e saj po vëzhgon e lumtur nga qielli, për përjetësimin e saj si yll me dashuri dhe art edhe në muret e Tiranës.

“Nuk ka pasuri në botë që do të mund të zëvendësonte sado pak dashurinë tuaj të pakufishme! Atë që i falët sa ish gjallë dhe i falni edhe sot. Jam e bindur që ajo na vëzhgon e lumtur nga qielli, të cilit ju me adhurim i shtuat një yll në ditën e largimit të saj nga kjo jetë, dhe prej sot edhe nga muri në të cilin e përjetësuat me aq shumë dashuri e art. Ju jeni Shqipëria e saj e shenjtë, Shqipëria ime e dashur – Ajo që nuk vdes kurrë!”, ka shkrur Rodiqi në facebook.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë në “Facebook”:

Po ku ka si ti o Shqipëria ime!» – Nuk ka varg që mund të shprehë më fuqishëm mirënjohjen time të thellë. Jo rrallë dëgjoj, «Sikur të kish lindur në një vend tjetër…» E kam thënë për herë të parë atë ditë, kur me dashurinë tuaj të pafund, ma bëtë më të lehtë përcjelljen në amshim të nënës sime të shtrenjtë, dritës së jetës time. E kam rithënë kur në stadium kumbonte zëri i saj mes brohorimave dhe lotëve tuaj dhe nuk do të rresht së përsërituri sa të kem frymë: Nuk ka pasuri në botë që do të mund të zëvendësonte sado pak dashurinë tuaj të pakufishme! Atë që i falët sa ish gjallë dhe i falni edhe sot. Jam e bindur që ajo na vëzhgon e lumtur nga qielli, të cilit ju me adhurim i shtuat një yll në ditën e largimit të saj nga kjo jetë, dhe prej sot edhe nga muri në të cilin e përjetësuat me aq shumë dashuri e art. Ju jeni Shqipëria e saj e shenjtë, Shqipëria ime e dashur – Ajo që nuk vdes kurrë!/ KultPlus.com

Ish-kitaristi i ‘Guns N’Roses’ interpreton himnin e Kosovës (VIDEO)

Himni i Republikës së Kosovës është interpretuar nga ish-kitaristi i grupit “Guns N’Roses”, Ron “Bumblefoot” Thal, në festivalin e vjeljes se rrushit “Hardhfest”, në Rahovec.

Përmes një videoje të publikuar para koncertit në rrjetet sociale, ai i ka quajtur njerëzit e Kosovës “njerëz të mrekullueshëm”.

“Hardh Fest”- Festivali i vjeljes së rrushit në Rahovec ka filluar dje. Në natën e parë të festivalit ka marrë pjesë edhe Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hapi rrugën drejt pavarësisë më 2008

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar sot 7 shtatorin, Ditën e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut.

Ajo tha se 7 shtator i vitit 1990, dita kur është miratuar Kushtetuta e Kaçanikut është moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë.

“Ky akt historik simbolizon guximin, unitetin dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës në luftën e pandërprerë për liri e pavarësi. Në këtë ditë nderojmë vizionarët, ligjvënësit dhe patriotët që rrezikuan gjithçka për të ardhmen e Kosovës. Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës dhe hapi rrugën drejt pavarësisë më 2008. Guximi i atyre që miratuan këtë kushtetutë do të mbahet mend përgjithmonë si një kapitull kyç në rrugën e gjatë dhe të vështirë të popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha Osmani.

‘Heshtja e sirenave’ premierë në natën e katërt në PriFest

‘Heshtja e sirenave’ është në garë në kategorinë kryesore të filmave ballkanik, film ky nga Gazmend Nela dhe vjen si premierë kosovare në natën e katërt të festivalit.

Filmi trajton temën e korrupsionit dhe sfidave morale që përballen personazhet në një mjedis ku ligji dhe morali shpeshherë vihen në pikëpyetje.

Avniu është një polic trafiku në një qytet të vogël në Kosovë, një njeri i zakonshëm, as shumë i ndershëm e as shumë i guximshëm. Së bashku me partnerin e tij, Gëzimin, pranojnë ryshfete të vogla nga shoferët që i ndalojnë për tejkalim shpejtësie. Një natë, duke menduar se po bëjnë gjënë e duhur, ata shoqërojnë në stacion një prokuror të një gjykate ndërkombëtare, i cili ishte duke vozitur i dehur me një çantë plot me para në makinën e tij. Të dy pastaj shpejt do të gjenden të përfshirë në një rast korrupsioni që tejkalon përmasat e tyre.

Gazmend Nela është regjisor dhe skenarist i filmit, producentë Valon Bajgora dhe Arben Shala.

Ky film është bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës, Maqedonisë e Veriut dhe Shqipërisë.

Sunaj Raça, Allmir Suhodolli, Amernis Nokshiqi dhe  Rina Krasniqi janë kasta kryesore e filmit.

Filmi do të shfaqet më 13 shtator nga ora 19:30 në Kino Armata./ KultPlus.com

‘Për kokërr t’qefit’, nis Hardh Festi në Rahovec

Edhe sivjet në Rahovec po mbahet festivali i rrushit “Hardh Fest”. Qindra e mijëra qytetarë ia kanë mësyrë këtij festivali për të shijuar verën e rakinë, por edhe për t`u argëtuar me programin që ka ky festival i rrushit. Radiotelevizioni i Kosovës sivjet është sponsor medial, dhe që përgjatë gjithë programit të saj do t`ju mbajë të informuar për zhvillimet atje.

Festivali i rrushit, Hardh Fest, këtë vit feston 10-vjetorin e themelimit që mbahet në Rahovec. Ky festival përveç pjekjes së rrushit, ngërthen në vete edhe aktivitete të tjera kulturore, e të cilat bëjnë bashkë me qindra e mijëra dashamirë të verës e rakisë, dhe kulturave të tjera.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smalj Latifi tha se ka shumë ma shumë prezencë të vreshtarëve dhe vertarëve e po ashtu ka edhe prodhime të ekspozuara.

“Sivjet këto prodhime janë shumë kualitative numri i këtyre që ekspozojnë wshtw shumë më i madh sikurse edhe infrastruktura është më e mirë”, tha ai.

Festivali cilësohet se ka një ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, i cili përgjatë këtyre viteve është shndërruar në një platformë kyçe për promovimin e prodhimeve vendore, duke kontribuar në rritjen e sektorit të bujqësisë dhe verarisë në Kosovë

“Neve na gëzon fakti këtë vit ka qenë  një vit shumë i begatë për të gjitha kulturat dhe sektorët dhe nënsektorët në këtë rast edhe mbi bazën e diskutimit parashihet që mes tjerash përveç cilësisë të mirë të rrushit të verës së begatë dhe cilësia e verës do të prodhohet këtë vit do të jetë e një kualiteti më të lartë përshkak të kushteve te favorshme atmosferike por edhe njëkohësisht përkrahjes qe ne i kemi dhënë”, tha Faton Peci, ministër në Ministrin e Bujqësisë, Pylltrisë dhe Zhvillimit Rural.

Vreshtarët theksojnë se me mbështetje të shtuar nga institucionet dhe investime të qëndrueshme në teknologji moderne të kultivimit, si dhe qasje më të mirë në tregje, ata mund të rrisin prodhimin dhe të përmirësojnë cilësinë e verës.

“Sivjet rrushin e kemi të  mirë po sasi nuk kemi shumë se ka pas shumë thatësi po kualitetin e kemi shumë të mirë”, tha Vllazënim Canziba – Vreshtarë.

” Vallahin me mujt me na pru pak ujin nëpër vadë për vreshta sidomos viteve të fundit kemi pas shumë thatësi me pas mujt qëto me na pru ishim dal në Evropë me rrush kishim dal shumë mirë”, shprehet Avdurrahman Ejupi.

Gjatë këtyre tre ditëve festivali do të përfshin aktivitete të ndryshme, ekspozita të prodhimeve lokale duke i ofruar vizitorëve një përvojë të pasur me kulturë dhe me shije unike të verërave, gjithashtu në hapjen zyrtare të festivalit u ndanë dhe mirënjohje për vreshtarët më të mirë./rtk/ KultPlus.com

34 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

Më 7 shtator të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan atë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, kishte filluar një aparteid i regjimit të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë./ KultPlus.com

Sot në Podujevë zbulohet shtatorja e ish-presidentit Rugova

Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, sot Podujeva organizon ceremoninë e zbulimit të shtatores së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Me pjesëmarrës zyrtarë të lartë shtetërorë, ceremonia do të mbahet në Parkun e Qytetit, afër ish-objektit të vjetër të administratës komunale.

Zbulimi i shtatores fillon në orën 13:00.

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com

Kalendari artistik i shfaqjeve të muajit shtator

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi sot kalendarin e ri artistik.

Rikthehemi në skenë. Pas një sezoni veror të gjatë, ku shëtitëm qytet më qytet. Një gamë e gjerë shfaqjesh, nga festivalet letrare tek baleti, muzika, ekspozitat dhe shfaqet për fëmijë, që sjellin për të gjithë ju emocione të paharruara”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Ai i ftoi të gjithë artdashësit të bëhen pjesë e këtij kalendari, të cilin e quajti një udhëtim magjik në botën e artit dhe shfaqjeve.

Një pjesë të madhe të këtij kalendari e zënë ngjarjet artistike të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor.

Krahas tyre gjejmë aktivitete të Teatrit Eksperimental, Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit me Varg Festival, vëniet në skenë të Teatrit Kombëtar e shumë aktivitete të institucioneve të tjera artistike e kulturore./KultPlus.com

Përfundon me rezultat 0-3 ndeshja Kosova – Rumania

Kombëtarja e Rumanisë ka arritur fitore të madhe në Prishtinë.

“Trikolorët” triumfuan 3-0 ndaj Kosovës, në një ndeshje mjaftë të lehtë për ta.

Fillimisht, rumunët nisën epërsinë në minutën e 40-të, kur Dennis Man e mposhti Aro Muric, pasi ai nuk arriti të ndalë goditjen e tij “jo shumë të fortë”.

Pas pauzës prej 15 minutash, me një ndërhyrje të dobët nga Valon Berisha, Rumania shënoi nga penalltia me anë të Marin.

Ky gol edhe i demotivoi lojtarët dardanë, të cilët nuk arritën të kthehen në lojë.

Kështu, Rumania e shfrytëzoi mundësinë dhe arriti të shënojë edhe golin e tretë më anë të Dragus.

Lajmet e këqija s’u ndalën këtu, pasi Mërgim Vojvoda u ndëshkua me të kuq në minutën e 85-të.

Kështu, Rumania e Qipro kryesojnë tabelën në grupin e Kosovës, e cila mbetet e fundit, derisa Lituania zë vendin e tretë.

Kosova do të luajë ndeshjen e dytë të shtatorit ndaj Qipros të martën në Larnaca./Express/KultPlus.com

Mendjemadhi

Roque Dalton, përktheu Manjola Brahaj.

Unë do isha një i vdekur i madh.
Veset e mia atëherë do shëndrisnin si stoli antike
me ngjyrat e ëmbla të helmit.
Do kishte lule të gjitha ngjyrave në varrin tim
dhe adoleshentët do imitonin gjestet e mia gazmore,
të errtat fjalët e mia të ankthshme.
Ndoshta dikush do të thoshte që isha besnik e i mirë.
Por vetëm ti do të mbash mend
mënyrën time të parit në sy. /KultPlus.com

Vdes reperi, Rich Homie Quan

Homazhe të shumta janë bërë për reperin amerikan Rich Homie Quan, pasi vdekja e tij u konfirmua nga autoritetet të enjten.

Artisti, i cili ishte në fillim të të 30-ave, ndërroi jetë në Atlanta, Georgia, tha Ekzaminuesi Mjekësor i Qarkut Fulton, transmeton Klankosova.tv.

Shkaku i vdekjes së tij nuk dihet, ndërsa autoritetet mjekësore lokale thanë se autopsia është planifikuar për të premten.

Rich Homie Quan, emri ligjor i të cilit ishte Dequantes Devontay Lamar, ishte një nga reperët modernë më të njohur të Atlantës./KultPlus.com

Kënga e burrit të pabesë


ALDA MERINI / Përktheu Beti Njuma

Burri im është i barabartë me Zotin.
Burri im është i barabartë me perënditë.
Nëse më prek
unë ndjehem grua
dhe ndiej ujin që rrjedh
në liqet e jetës.
Burri im është një kalë race që vrapon
ndërsa unë kalorëse e pavlerë
përdhe s’luaj vendit
burri im është një kitarë e lumtur
dhe unë jam kënga e tij
por ai s’më këndon asnjëherë
përse?
Pres që kitara të bëhet copë e çikë
për të jetuar…
Burri im është një burrë katil
burri im është lutja ime
është i njëjtë me Rilken dhe Garsian
është i njëjtë me Savonarolën
por burri im prek të tjera baqthe e të tjera flokë
është bujar me vashat e praruara
dhe mua më lë të mjerë
prej pleqërisë dhe jetës të vdes për të.
Burri im nëse zhvishet
e ka kraharorin leshtak si shqiponjat
por një sqep që të lëndon thellë
dhe ndëshkon pendesat e dashurisë
atëherë unë i tregoj mishrat e mi të plagosur
dhe fatin mallkoj,
por nëse burri im buzëqesh
unë sërish lulëzoj dhe bëhem një hënë e bardhë
që në det pasqyrohet./KultPlus.com

Legjenda e muzikës braziliane Sergio Mendes vdes në moshën 83-vjeçare

Muzikanti dhe pianisti i Jazz-it Sergio Mendes ka vdekur në moshën 83-vjeçare në Los Anxhelos, njoftoi familja e tij në një deklaratë, sipas TMZ.

Mendes ishte një muzikant brazilian me famë botërore, i cili bashkëpunoi me artistë të mëdhenj të Jazz-it si, Herb Alpert dhe Cannonball Adderley gjatë karrierës së tij gati 60-vjeçare.

Ai fitoi një “Grammy”, dy “Latine Grammys” dhe u nominua për një çmim “Oscar” në 2012 me këngën “Real in Rio” – kolona zanore në filmin e animuar “Rio”.

Grupi i tij me famë botërore “Brasil ’66” ndihmoi në popullarizimin e Bossa Nova, një stil Jazz i sambas.

Albumi i vitit 1966 “Herb Alpert Presents Sergio Mendes & Brasil ’66” regjistroi 1 milion shitje –  dhe kënga e tij në krye të listës “Mas Que Nada” u ripërpunia më vonë me grupin amerikan “Black Eyed Peas”, në 2006.

Mendes ishte subjekt i filmit dokumentar të vitit 2020 “Sergio Mendes: In the Key of Joy”. Ai filloi karrierën e tij si pianist klasik përpara se të kalonte në Jazz dhe Bossa Nova.

Ai publikoi albumin e tij debutues “Dance Moderno” në vitin 1961, dhe bashkëpunoi me muzikantët e Jazz-it Cannonball Adderley dhe Herbie Mann.

Interpretimi i tij në vitin 1967 i këngës së Burt Bacharach “The Look of Love” u bë më popullor se regjistrimi i Dusty Springfield, i cili u shfaq në filmin “Casino Royale” të James Bond të vitit 1967.

Mendes ishte i martuar me Gracinha Leporace, një këngëtare braziliane, me të cilën kishte pesë fëmijë./KultPlus.com

“Hardh Talk” diskuton për trashëgiminë kulturore dhe historike të kultivimit të hardhisë së rrushit dhe prodhimit të verës

Në kuadër të festës tradicionale të rrushit, Hardh Fest, sot në sallën e kuvendit të Komunës së Rahovecit u mbajt “Hardh Talk” – tryeza shkencore për kultivimin e hardhisë, ku mes tjerash u fol për traditën e lashtë, të tashmen dhe të ardhmen e kësaj kulture bujqësore strategjike.

Ideuar dhe prezantuar nga Prof. ass. Dr. Hamëz Rama, tema u prit me interes nga të pranishmit.

Ndër të tjera ai potencoi nevojën e ndërmarrjes së disa hapave, siç janë ligj i veçantë për trashëgiminë e kultivimit të hardhisë, mbështetje institucionale, ngritje profesionale e kuadrit të ri, hulumtime shkencore – dokumentare, pjesëmarrje në panaire e tregje ndërkombëtare të prodhuesve e përpunuesve të rrushit, përfshirja e palëve të interesit në proces, edukim dhe trajnim të prodhuesve të rrushit, nxitja e turizmit të verës dhe stimulimi institucional i këtij sektori./KultPlus.com

Grupi U2 dhe Luciano Pavarotti me këngën ‘Miss Sarajevo’ i bënë jehonë luftës së Bosnjës (VIDEO)

Grupi i njohur botërisht U2 dhe tenori Italian Luciano Pavarotti  këngën “Miss Sarajevo”ia kanë kushtuar Sarajeves dhe luftës mizore që ka ndodhur në atë vend, transmeton KultPlus.

Fillimisht shkrimtari dhe regjisori amerikan Bill Carter i cili ka realizuar filmin për vuajtjet dhe tmerret që kanë përjetuar qytetarët e Bosnjës në luftën e tyre kundër Serbisë, dhe këto pamje kanë lënë gjurmë të përjetshme te regjisori i cili ka vendodur ti paraqesë në ekran dhe tu tregoj gjithë botës një realitet të vrazhdë dhe të hidhur ku vetëm kështu mund të ndalohet e mos të përseritet dicka e tillë, diku tjetër. 

Kënga “Miss Sarajevo” i është kushtuar vajzave të bukura të Bosnjës të cilat kanë thirrur: “Mos lejoni të na vrasin!”.

Carterit i është dukur që botës nuk është duke i interesuar ajo cfarë ka ndodhur në Bosnjë andaj përmes bashkëpunimit me U2 kanë vendosur t’ua bëjnë me dije të gjithëve për vuajtjet e njerëzve. / KultPlus.com

Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar shkojnë drejt Shkodrës

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” vjen në Shkodër.

Në kuadër të sezonit turistik 2024, më datë 10 shtator, pranë sheshit përpara Bashkisë Shkodër, Muzeu Historik Kombëtar hap ekspozitën fotografike “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

Ekspozita përbëhet nga 27 stenda që shfaqin fotografi të objekteve të rralla nga pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë do të jetë si një udhëtim në kohë dhe një mundësi për t’u njohur nga afër me thesaret e trashëgimisë sonë kulturore.

Muzeu, bashkia dhe organizatorët e tjerë të aktivitetit ftuan artdashësit të marrin pjesë dhe të zbulojnë historinë dhe pasurinë kulturore të Shqipërisë./KultPlus.com

Një tjetër dritare, ku ende nuk flihet…


KultPlus ju sjellë një poezi të poetes ruse Marina Tsvetaeva. Shkrimet e të cilës janë çmuar shumë sidomos në literaturën ruse të shekullit XX.

Marina Tsvetaeva – Pa titull

Ja …, një tjetër dritare,
ku ende nuk flihet.
Ndoshta -verë pijnë,
ndoshta -thjesht rrinë,
ose krejt thjesht-dy duart shtrënguar.
Ka një dritare të tillë,
në çdo shtëpi, miku im.
As qirinj, as llampa
ndezin errësirën:
por sy të pagjumë!
Pasthirmë ndarjesh e takimesh:
ti, dritare e natës.
Ndoshta qindra qirinj,
ndoshta tre…
Nuk ka, nuk ka qetësi mëndja ime.
Hyri edhe në shtëpinë time diçka e tillë.
Lutu, mik, për shtëpinë e pagjumë,
për dritaren me dritë./KultPlus.com