Pi venë Pi venë mik, pi venë, për at’ qi shkoj pa ardh’ tjetra, për at’qi giclon plag’t e vjetra, për at’ qi s’vjen mâ, or tytjeta, pi venë mik pi…!
Pi venë, se jeta â rrenë, se plaga kah t’bren, se brenga â mbrenë, as jem’, as kem’, pi mik, pi venë…!
N’venë qit shpirtin, n’fat vnò gishtin, ban bé n’mishin, nji hurpë lenma mú!
Pi venë ti mike, për fjalën e vonë qi s’prite e ike, për kângën qi tash rreh teh thike, për mbrâmjen rreth shtatit qi fike, pi mike, pi venë, fundin lenma mú!/ KultPlus.com
Merrni ikonën e komedive romantike të Hollivudit, buzëqeshjen më ngjitëse në kinema, aktoren që ka arritur t’i qëndrojë besnike vetes, gjithmonë konsekuente edhe në qasjen ndaj kalimit të kohës, dhe vëreno të punojë me Damien Chazelle, regjisor i La La Land.
Rezultati është një film i shkurtër ironik dhe befasues, fundi i të cilit duket si ai i filmit “Arratisja e nuses”, protagoniste e të cilit ishte Julia Roberts. Po flasim për reklamën e shumëpritur për një parfum kulti nga Lancôme, “La vie est belle” në versionin e ri L’Elixir, fytyra e të cilit është aktorja. Këtu Julia mbështetet në instinkt, rrok momentin, u shpëton pritshmërive me një marifet gazmor dhe shkon të shijojë lirinë e saj të sapogjetur mbi çatitë e Parisit.
Filmi është një ftesë për të mos e shoqëruar lumturinë me gjykimin e të tjerëve dhe për ta dashur veten më shumë. Si ndihet ai në lëkurën e tuaj?
“Mesazhi i fushatës së re ndikon shumë në mënyrën se si i qasem jetës sime. Për momentin ndihem shumë rehat me atë që jam: pata privilegjin e pabesueshëm të jem e suksesshme në karrierën time që në moshë të re dhe kur erdhi koha për të shijuar jetën familjare në maksimum, nuk më duhej të bëja zgjedhje apo të bëja kompromis, siç u detyruan të bënin shumë nga miqtë e mi. Unë arrij majat e lumturisë kur jam me njerëzit e mi të dashur. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk mund të kisha kërkuar një ekuilibër më të mirë mes punës dhe familjes”.
Reklama është ironike. Dhe humori është një nga cilësitë tuaja të mëdha. Çfarë roli ka luajtur në jetën tuaj?
“Unë e them gjithmonë sepse e dua vërtet: Më pëlqen t’i bëj njerëzit të qeshin, kjo më sjell gëzim të jashtëzakonshëm! Gjatë gjithë karrierës sime, ironia dhe humori kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Aktrimi në komedi romantike – dhe ky film është një shembull i kësaj – ka qenë gjithmonë një pasion i imi. Vitet e fundit kam pasur më pak mundësi, por puna me Damien dhe “familjen” time Lancôme sigurisht që nuk ishte përjashtim!
Ku e gjeni guximin të shkoni kundër rrymës, duke respektuar gjithmonë thelbin, pa u ndikuar nga shoqëria?
“Nuk do të thosha kundër rrymës, më shumë se çdo gjë, më pëlqen të jem gjithmonë e vërtetë me veten. Si në jetën time, në zgjedhjet e mia profesionale dhe në mënyrën se si jetoj, unë u jap përparësi gjërave që dua dhe asaj që më bën të ndihem vërtet “unë”. Mundohem të mos i jap shumë rëndësi asaj që mendojnë të tjerët sepse besoj, kjo është mënyra e vetme për të qëndruar vërtet konsistent me veten.”
Buzëqeshja juaj është ngjitëse. Teksa humbisni në çatitë e Parisit, duket se jeni në një gjendje hijeshie të pabesueshme. Euforia juaj është një ftesë për të gjitha gratë, që të guxojnë.
“Sot jemi gjithnjë e më të vendosura dhe pafundësisht të forta. Ne kemi aftësinë të marrim fuqi edhe në situata ku jo domosdoshmërisht e kemi. Kam shumë besim te brezi i ri, tek vajza ime nëntëmbëdhjetë vjeçare dhe shoqet e saj që i shoh si shumë të ditura dhe të përkushtuara për të krijuar një botë më të mirë për veten e tyre. Nuk është një periudhë e lehtë historike, por të rinjtë e sotëm duken të gatshëm të bëjnë mirë dhe të na japin shembull për të kapërcyer të gjitha pengesat”.
Vlerat e reja të L’Elixir rivlerësojnë konceptin e guximit. Një fjalë e bukur. Çfarë është për ju dhe sa ju pëlqen?
“Është për të qeshur që në fushatën e re të L’Elixir m’u desh të ngjitesha në majë të çative të Parisit, kur në realitet vuaj nga marramendja: Nuk do të isha kurrë kaq e guximshme në jetën reale! (qesh). Është e vështirë të përkufizosh guximin dhe të thuash se çfarë kuptimi ka për mua në jetën e përditshme. Nuk ndihem veçanërisht e guximshme, por besoj se duhet bërë gjithçka për të kapur çdo moment dhe për të jetuar gjithmonë në maksimum”.
Edhe sot femrat i përjetojnë si tabu disa faza të jetës, njëra prej të cilave është menopauza. Çfarë mesazhi u jepni atyre mbi 50 vjeç?
“Mosha nuk është një fakt kaq interesant. Ka më shumë kuptim të flasim për atë që bëjmë, si e bëjmë dhe çfarë na bën të lumtur. Në moshën 56-vjeçare jam shumë me fat që kam prindër me gjene të shkëlqyera, për të jetuar një jetë të plotë dhe më pas – e them shpesh këtë, ndonjëherë me shaka – besoj fort në dashuri. Unë besoj se burri im më do, kujdeset për mua në një mënyrë që më bën shumë të lumtur. Dhe pastaj, sa herë që shihni dikë që është e vërtetë, nuk ka rëndësi sa vjeç është, apo jo?”.
Si ishte të punoje me Damien Chazelle? Me të vërtetë duket se ai dolët të kapnit thelbin e tij.
“Ishte fantastike. Dhe ndoshta projekti më argëtues që nga lindja e “La vie est belle”! Damien është një talent i ri dhe i shkëlqyer dhe, përtej kësaj, ne ndajmë të njëjtin sens humori që lehtësoi dhe e bëri gjithçka argëtuese. Shpresoj ta takoj sërish në të ardhmen e afërt! / Vanity Fair – bota.al/ KultPlus.com
“Festivali i Yjeve”, që u zhvillua në një nga lëndinat panoramike të Parkut Kombëtar të Shebenikut, mblodhi vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, të cilët shijuan programin artistik në skenën unike të natyrës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa momente të bukura nga ky festival, që u organizua në Fushë Studën, Librazhd.
“Festivali i Yjeve” filloi në muzgun e natës së fundit të gushtit për të vazhduar përgjatë gjithë natës, deri në orët e para të mëngjesit.
Pjesëmarrësit në këtë event shijuan një super spektakël në natyrë, nën ndriçimin e yjeve dhe zjarreve.
Parku Kombëtar i Shebenikut është kthyer në destinacionin turistik më të preferuar edhe nga të huajt që vizitojnë qarkun e Elbasanit.
Simboli i Fushë Studënit është liqeni, i cili ndodhet rrëzë pyllit të ahut, çka i jep atij një pamje tepër piktoreske, dhe tërheq mijëra turistë vendas dhe të huaj.
Fushë Studëni, nga pozicioni gjeografik, pasuritë natyrore, traditat kulturore, ka mundësuar dhe mundëson një turizëm malor të veçantë.
Ardhja e vizitorëve për peshkim, ecje sportive, alpinizëm, tregon se Fushë Studën është një ndër vendet më të preferuara të parkut./ KultPlus.com
Astronauti i NASA -s pati shkruar në Twitter për lulen e parë që ka lulëzuar ndonjëherë në hapësirë, transmeton KultPlus.
Astronauti Scott Kelly, publikoi në Twitter, nga bordi i Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, një seri imazhesh që tregojnë lulen e parë që lulëzoi në hapësirë! E mbjellë duke përdorur metoda të zhvilluara nga programi Veggie i NASA -s, një program që eksploron rritjen e bimëve në hapësirë, lulja e zinnisë portokalli e ndritshme doli nga bishtajat që përmbajnë pleh, fara, ujë dhe argjilë, nën një sistem ndriçues të dritave LED.
“Lulja e hapësirës në diell për herë të parë” shkroi Scott Kelly në faqen e tij në Twitter. /KultPlus.com
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se më 7 shtator do të përurohet shtatorja e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Bulliqi ka thënë se kjo shtatore është financuar nga buxheti i Komunës së Podujevës.
“Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, të shtunën më 7 shtator, në Podujevë do të bëjmë përurimin e shtatores së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Kjo shtatore e cila është financuar me buxhetin e Komunës së Podujevës do të vendoset në Parkun e Qytetit, afër ish-objektit të administratës komunale”.
“Me vendosjen e kësaj shtatore ne po nderojmë një nga figurat më të shquara të kombit tonë, Presidentin Ibrahim Rugova, si simbol të qëndresës, urtësisë dhe vizionit për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Në ceremoninë e përurimit do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë, bashkëpunëtorë të ish-Presidentit Rugova, familjarë të tij dhe qytetarë nga treva e Llapit e gjitha trevat shqiptare. Ju mirëpresim në ceremoninë solemne, këtë të shtune më 7 shtator, nga ora 13:00”, ka shkruar Bulliqi në Facebook, të hënën. / KultPlus.com
Hafsa Zyberi është një ndër këngëtaret më të mira shqiptare, e cila shquhet për interpretimin e këngëve të Shqipërisë së Mesme.
Disa prej këngëve të cilat ajo i interpretoi ndër vite janë: Hajde Moj Malenake, S’paske Pas Një Pikë Mëshirë, Si Më Ke Sytë Më Ke Vetullat, Të Du Moj Goce E Vogel, Ti Pelqeva Ato Sy, Unë Ty Moj Të Kam Dashte, Kënga E Shoqënisë, Balluket E Tuja, Këngë Për Kajo Karafilin, Kumuri Qafëbardhë, Kur Ke Qenë Një Herë E Re, Lum E Lum Se Ja Mërrina, Më Shikon Më Buz Në Gaz, Moj Thëllënxa Mitare, Mun Te Ara Kë Tagjia, Në Bash Të Qejfit E T’muhabetit, Rrallë Kam Pa Ksoj Bukurie etj.
Sot, KultPlus ju sjell këngën ‘Elbasan i bukur’: / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot shifrat e turistëve që kanë hyrë në Rinas në muajin gusht.
Rama theksoi se është tejkaluar çdo parashikim optimist, me 1 milionë e 251.467 pasagjerë ose 368.456 (41%) më shumë se sa gushti i shkuar.
“Gushti bum. Shqipëria nuk ndalet në rritjen e numrit të turistëve dhe Rinasi në gusht tejkaloi çdo parashikim optimist, me 1 milionë e 251.467 pasagjerë ose 368.456 (41%) më shumë se sa gushti i shkuar”, shkroi Rama.
Rama nënvizoi se, bilanci janar-gusht 2024 arrin në 7 milionë e 233.711 pasagjerë që kanë hyrë vetëm në Rinas, ku në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar numri i tyre ishte 4 milionë e 606.805.
Ky bilanc flet për 56% rritje në vitin aktual, theksoi Rama.
Kryeministri shtoi se, risia e këtij viti janë afro 4 mijë pasagjerë nga Japonia, rreth 4 mijë të tjerë nga Zelanda e Re, pothuajse 20 mijë nga Australia dhe 35 mijë nga Kanadaja.
“Ata që komentojnë ç’na duhen turistët, duhet të llogarisin se të gjithë këta miliona njerëz shpenzojnë në Shqipëri para për të fjetur, për të ngrënë, për të udhëtuar, për të blerë dhurata dhe të gjitha këto para nuk u shkojnë disa “oligarkëve”, siç i bien shkurt disa kalorës të vrerosur të luftës me qeverinë, po derdhen në arkën e buxheteve familjare të dhjetëra mijëra dhomave të dhëna me qera, të mijëra strukturave të mikpritjes në të katër anët e Shqipërisë, të mijëra e mijëra njësive të shërbimit e bizneseve të vogla”, u shpreh Rama.
Patjetër, shtoi kreu i qeverisë, “që një pjesë e tyre shkojnë edhe në formë taksash në arkën e buxhetit të shtetit për investime të mëtejshme e për pagat e rritura ndjeshëm, e jo padashje qeveria nuk po ndërhyn ende për të taksuar si kudo në Evropë volumin e madh në rritje të dhomave të dhëna me qira, sepse ne duam që fillimisht të gjithë shqiptarët të prekin, jo vetëm të mirat e këtij ndryshimi epokal në sektorin e turizmit, po edhe të kuptojnë me fakte se sa shumë mundësi akoma ka në Shqipërinë Turistike si për ata që banojnë këtu, si për ata që ngurrojnë akoma të kthehen, e si për ata që e kanë ndarë mendjen të mos kthehen por kanë një kohë të artë për të investuar në Shqipëri kursimet e tyre”. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka njoftuar se Muzeu i Artit Bashkëkohor do të vendoset brenda aneksit të ndërtesës së ish-Rilindjes.
Postimi i plotë i tij:
Po fillon një ëndërr. Muzeu i Artit Bashkëkohor, i cili ligjërisht u themelua në dhjetorin e vitit 2023 tash ka lokacionin e ndarë. Në pajtim dhe bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme ky muze do të vendoset brenda aneksit të ndërtesës së ish-Rilindjes. Në fazën e parë do të hartohet projekti, ndërsa pa humbur kohë do të shpallim procedurat për realizimin e punimeve.
Kosova do të ketë një muze që do të fuqizojë lidhjet dhe pozicionin tonë shtetëror në skenën botërore të artit, institucion të rëndësisë së veçantë që do të ofrojë mundësi të reja zhvillimi dhe promovimi për artin dhe artistët tanë bashkëkohorë.
Falënderues ndaj Këshillit Inicues të Muzeut të Artit Bashkëkohor, kryesuesit Yll Rugova, anëtarëve Petrit Halilaj, Sislej Xhafa, Flaka Haliti, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Hoxha Salihu, Valdete Pacolli, Fisnik Abazi dhe të gjithë profesionistëve të tjerë, vendorë e ndëkombëtar që ishin pjesë e diskutimeve për konceptin e MAB.
Aivo Orav e ka marrë të hënën detyrën e ambasadorit të ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke e pasuar çekun Tomas Szunyog, i cili e mbajti këtë postë nga viti 2020, njoftoi Zyra e BE-së.
Oravo, një diplomat estonez me përvojë rreth 30-vjeçare në diplomaci evropiane dhe nacionale, do të ketë mandat fillestar prej dy vjetësh.
Në të kaluarën, ai ka shërbyer si përfaqësues i përhershëm i Estonisë në BE dhe si shef i delegacioneve të BE-së në Mal të zi dhe Maqedoni të Veriut.
Orav tha se ndien kënaqësi dhe përgjegjësi në marrjen e postit të shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Zotohem se do të punoj krah për krah me partnerët vendës dhe ndërkombëtarë të BE-së në Kosovë, për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike, do ta konsolidoj pozitën e BE-së si donatori, partneri tregtar dhe investitori më i madh i Kosovës, si dhe do ta mbështes rrugën e evropiane të Kosovës dhe reformat që ndërlidhen me BE-në”, tha Orav.
Duke e pasur parasysh gjendjen gjeopolitike, Orav u zotua se do të koordinohet me të gjithë të pranishmit te BE-së në Kosovë, përfshirë EULEX-in, “për ta promovuar një Kosovë të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe shumetnike”, thuhet në njoftim.
“Gjatë mandatit tim, vizioni im është që Kosova të përparojë më mënyrë vendimtare në rrugën e saj drejt BE-së, gjë që do të sjellë benefite të qëndruehsme për popullin e saj”, tha ai.
Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për të kontribuuar në një dinamikë të re në lidhjet mes Kosovës dhe BE-së, e cila mund ta bëjë të mundur rifillimin e ndihmës financiare të BE-së për Kosovën.
BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Orav e merr detyrën në një kohë kur Kosova u kritikua përsëri nga BE-ja, pasi i mbylli pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.
Të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e përsëriti qëndrimin e shprehur nga blloku se këto veprime janë “të njëanshme dhe të pakoordinuara, me potencial të rritjes së tensioneve”.
Qeveria e Kosovës ka thënë se institucionet e mbyllura në veri të Kosovës punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Përveç pesë institucioneve të mbyllura të premten e kaluar, në prill autoritetet e Kosovës mbyllën edhe shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë të tjera të Kosovës.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./REL/ KultPlus.com
Korabi është shndërruar në një destinacion të të pasionuarve pas sporteve në terrene të vështira.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje me momente nga Korabi.
Kreu i qeverisë theksoi se, “Korabi është jo vetëm një prej krenarive tona natyrore, por tashmë edhe destinacion i të pasionuarve pas sporteve në terrene të vështira”.
Korabi, një nga malet më të larta të Evropës Juglindore (2751 m), është shndërruar në një prej atraksioneve më të pëlqyera nga turistët vendas dhe të huaj.
Vargmali i Korabit është një shtrirje e gjerë natyrore me lëndina të pafund, thyerje të relievit, maja malesh që të japin pamje në perspektivë të horizontit të pasosur, lartësi të mëdha që duke sikur je ngjitur në qiell dhe të gjitha këto shoqërohen nga një florë e larmishme bimësh e lulesh, pa harruar mantelin e vjeshtës që mbështjell peizazhin si një napë e florinjtë.
Itinerari i vargmalit të Korabit është shumë i larmishëm dhe fillon në Kërcin, Hinoske, Rabdisht, Grame, Radomirë.
Shtigjet mund të përshkohen në pesë ditë, por ka edhe shtigje njëditore ku mund të shijohen monumentet e kulturës me arkeologji, xhami dhe kisha në Maqellarë, stanet, kampingjet, shtëpitë pritëse e bujtinat në Radomirë.
Bjeshkët, burimet ujore, faunën, florën dhe mikpritjen e traditë do t’i eksploroni në shoqërinë e guidave profesionale lokale.
Udhëheqësit e guidave janë gjithmonë prijës në shtigjet e vargmalit të Korabit./ KultPlus.com
Në mbyllje të këtij sezoni veror, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) u ndal në një prej perlave joniane, për të sjellë pranë pushuesve ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror”.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Himarës, DPA-ja shpalosi përgjatë shëtitores së qytetit një rrëfim mbi bukurinë e përveçme të rivierës dhe veprimtaritë publike të atyshme, në gjysmën e parë të shek. XX.
Përmes prezantimit të ekspozitave, DPA-ja synon promovimin e pasurisë dokumentare kombëtare dhe njohjen e së shkuarës, duke frymëzuar një të nesërme shpresëplotë.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë:
Kërkesa e vitit 1922 për krijimin e Bashkisë së Himarës, gjer asokohe nënprefekturë e Vlorës;
Korrenspondenca mes banorëve të zonës dhe autoriteteve shtetërore mbi probleme të përgjithshme;
Kërkesa për rindërtimin e skelës së portit;
Kërkesa për krijimin e një flote kombëtare tregtare./ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ia ka kushtuar një tjetër postim në rrjetet sociale sezonit turistik dhe fluksit të pasagjerëve dhe turistëve, që sipas tij kalon çdo pritshmëri.
Sipas kreut të qeverisë, vetëm në aeroportin e Rinasit, për periudhën janar-gusht kanë hyrë më shumë se 56% pasagjerë, krahasuar me një vit më parë.
Postimi i Ramës.
Shqipëria nuk ndalet në rritjen e numrit të turistëve dhe Rinasi në gusht tejkaloi çdo parashikim optimist, me 1 milionë e 251.467 pasagjerë ose 368.456 (41%) më shumë se sa gushti i shkuar
Bilanci Janar-Gusht 2024 arrin në 7 milionë e 233.711 pasagjerë që kanë hyrë vetëm në Rinas, ku në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar numri i tyre ishte 4 milionë e 606.805. Ky bilanc flet për 56% rritje në vitin aktual
Risia e këtij viti janë afro 4 mijë pasagjerë nga Japonia, rreth 4 mijë të tjerë nga Zelanda e Re, pothuajse 20 mijë nga Australia dhe 35 mijë nga Kanadaja
Ata që komentojnë ç’na duhen turistët, duhet të llogarisin se të gjithë këta miliona njerëz shpenzojnë në Shqipëri para për të fjetur, për të ngrënë, për të udhëtuar, për të blerë dhurata dhe të gjitha këto para nuk u shkojnë disa “oligarkëve”, siç i bien shkurt disa kalorës të vrerosur të luftës me qeverinë, po derdhen në arkën e buxheteve familjare të dhjetëra mijëra dhomave të dhëna me qera, të mijëra strukturave të mikpritjes në të katër anët e Shqipërisë, të mijëra e mijëra njësive të shërbimit e bizneseve të vogla.
Patjetër që një pjesë e tyre shkojnë edhe në formë taksash në arkën e buxhetit të shtetit për investime të mëtejshme e për pagat e rritura ndjeshëm, e jo padashje qeveria nuk po ndërhyn ende për të taksuar si kudo në Europë volumin e madh në rritje të dhomave të dhëna me qera, sepse ne duam që fillimisht të gjithë shqiptarët të prekin jo vetëm të mirat e këtij ndryshimi epokal në sektorin e turizmit, po edhe të kuptojnë me fakte se sa shumë mundësi akoma ka në Shqipërinë Turistike si për ata që banojnë këtu, si për ata që ngurrojnë akoma të kthehen, e si për ata që e kanë ndarë mendjen të mos kthehen por kanë një kohë të artë për të investuar në Shqipëri kursimet e tyre./ KultPlus.com
Sot bëhen 66 vjet nga lindja e shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko, shkruan KultPlus.
Teodor Keko ka qenë shkrimtar dhe publicist shqiptar. U lind në Tiranë, i biri i regjisorëve të kinematografisë Endri dhe Xhanfize Keko.
Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në fillimet e tij punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë ka punuar në gazetën “Aleanca” si redaktor.
Për një periudhë kohe ka qenë pjestar i Parlamentit shqiptar. Teodor Keko i filloi publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në zhanre të ndryshme si, poezi, dramë, novelë si dhe tregimeve të shkrutra.
Në mes të tjerash publikime të Teodor Kekos janë: “Loja”- 1990, “Lajmëtarja e vdekjeve”- 1991, “Pretenca”- 1994, “Shënimet e një gruaje”- 1995, “12 Shenjtorë një profet dhe disa njerëz”- 1997, “Made in Albania”- 1998, “Hollësira fa tale”- 2001, “Poezi” – 2013 / KultPlus.com
Angelina Jolie ka portretizuar ikonën e operës, Maria Callas në filmin e ri “Maria” që debutoi së fundmi në Festivalin e Filmit në Venecia.
Në një konferencë për shtyp, aktorja e njohur tha se i duhej të trajnohej për “pothuajse shtatë muaj”, shkruan Variety.
“Të gjithë e dinë se isha tmerrësisht nervoze. Shpenzova shtatë muaj për t’u stërvitur, sepse kur punon me Pablon nuk mund të bësh asgjë përgjysmë. Ai kërkon, në mënyrën më të mrekullueshme, që ju të bëni vërtet punën. Por, për herën time të parë duke kënduar mbaj mend që isha kaq nervoze. Djemtë e mi ishin aty dhe ndihmuan të mbyllej dera në mënyrë që askush të mos hynte brenda dhe unë po dridhesha”, deklaroi Jolie në konferencën për shtyp.
Sipas një njoftimi për shtyp, filmi “Maria” cili u drejtua nga Pablo Lerrain tregon “historinë e trazuar, të bukur të këngëtares më të madhe të operës në botë, Maria Callas, e rijetuar dhe ri-imagjinuar gjatë ditëve të saj të fundit në Parisin e viteve 70-ta”.
Callas ishte një soprano greke e lindur në qytetin e New Yorkut, të cilës shpesh iu referoheshin si diva më e madhe në botë.
Gjatë jetës së saj dramatike dhe të trazuar, ajo pati një rivalitet me kolegen e saj këngëtare Renata Tebaldi.
Ajo pati një lidhje me manjatin grek të anijeve, Aristotle Onassis, i cili përfundimisht e la për Jacqueline Kennedy.
Callas vdiq në moshën 53 vjeçare nga një atak në zemër gjatë vitit 1977.
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në Kryeministri, njoftoi çeljen e ekspozitës “Nëpër gjurmët e Tasos” të artistit Anastas Kostandini (Taso), të kuruar nga Rubin Kadiu. Ekspozita do të çelet më 4 shtator.
I ndikuar nga veprat e mjeshtërve, si Picasso, Dali dhe Kandinsky, Tasoja ngulmon për të bashkuar traditën me të renë, duke i hapur rrugën stilit të tij të veçantë.
“Kur reflektojmë mbi trashëgiminë artistike të tij, një pjesë mjaft e rëndësishme është edhe njohja e artistit me botën e Lasgushit dhe të Fan Nolit. Trashëgimia e tij do të shërbejë si një fener frymëzimi për brezat që do të vijnë”, thuhet nga COD.
Ekspozita fton të eksplorojmë sfera të njohura dhe fantastike të artistit dhe na udhëheq përmes një narrative të endur me simbolika, me ngjyra dhe teksturë, duke shpalosur thelbin e shpirtit të tij krijues e dukemanifestuar ndikimin e thellë në skenën e artit bashkëkohor.
Kuratori Rubin Kadiu shprehet se, nëpërmjet punimeve të guximshme të penelit dhe tështresave të mbivendosura, Taso i shndërron kanavacat në sixhade të gjalla, ku drita dhe hija bashkohen në një valle harmonike kontrastesh.
Anastas Kostandini lindi në Pogradec (29 korrik 1954), qytet ku jeton ende sot.
Në vitin 1978 u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (Pikturë Monumentale). Një nga punimet më të njohura ku Tasoja është bashkautor, është mozaiku “Albania” në Muzeun Historik Kombëtar. Në vitin 1991 iu dha titulli “Piktor i merituar”.
Gjatë karrierës së tij, ai ka realizuar një mori ekspozitash vetjake e kolektive. /atsh/ KultPlus.com
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ka hapur konkurs për pranimin e 300 ushtarëve të rinj.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes të drejtë aplikimi kanë të gjithë të interesuarit, nga mosha 18 deri 25 vjeç.
“Të gjithë të interesuarit për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës, mund të aplikojnë në ueb faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, duke plotësuar formularin i cili së shpejti do të publikohet. Bëhu ushtar i Kosovës!”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Facebook.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 9 shtator deri më 8 tetor 2024./ KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, do të organizojë një ekspozitë me temën “Muaji i Monumenteve Historike”.
Kjo ekspozitë ka për qëllim të risjellë në kujtesë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë, duke shfaqur për publikun materiale grafike që përfaqësojnë monumentet e multurës, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit.
Gjatë këtij muaji, IKTK do të jetë i pranishëm në disa nga monumentet historike më të rëndësishme të Shqipërisë, duke përfshirë Beratin, Gjirokastrën, Shkodrën dhe Elbasanin.
Me këtë ekspozitë, IKTK synon të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, duke shërbyer si një urë lidhëse mes të kaluarës së pasur dhe brezave të rinj./atsh/ KultPlus.com
Është ndarë nga jeta në moshën 90 vjeçare ikona e artit dhe kulturës lezhjane Agim Velaj, kompozitor studiues, krijues si dhe themelues i ansamblit ‘’Çiftelia’’. Gazetari Gjergj Marku ka ndarë lajmin duke theksuar se gjatë katër dekadave deri sa doli në pension, Agim Velaj iu përkushtua me shpirt dhe shumë punë, dashuri dhe pasion afirmimit të Lezhës si një trevë përle kulture ku arti do të arrinte majat më të larta.
“Agim Velaj ishte nga ata njerëz që tejkalojnë vitet e jetës për të mbetur kujtesë e kohës dhe pasuri e kulturës së një populli, shkruante para një viti Suela Bala kur z.Velaj do të nderohej me titullin “Qytetar Nderi” i Lezhës, qytetit që e do dhe e nderon si babain e muzikës së kultivuar lezhjane”.
“Bashkë me Aleksandër Banushin dhe Loro Gjeçin, ai është pionier në krijimin e të parit ansambël folklorik kombëtar- Ansamblit Çiftelia në vitin 1966. Falë formimit të gjithëanshëm kulturor e muzikor, përvojës si udhëheqës artistik ndër vite i këtij ansambli, ka sjellë në Lezhe disa here çmime të para nga festivalet kombëtare të Gjirokastrës. Nxënësit e tij vazhdojnë sot të mbajnë gjallë dhe t’i japin vende nderi Lezhës“, shkruan Marku.
Ai sjell në vëmendje se si kompozitor Agim Velaj është autor i operetës “Bardha” Fituese e çmimit të dytë Vlorë 1969, si dhe i operetës “Kudo i pari”. Ka kompozuar; valle, suite-vallesh, këngë për fëmije, pjese per instrumenta popullore, balet me nje akt, si dhe i kenges se kultivuar.
“Agim Velaj është transkiptues i mbi 500 këngëve dhe mbledhës i 10.000 vargjeve. Është meritë e padiskutueshme e tij qemtimi i të gjithë materialit folklorik ku përfshihen; këngë të vjetra folklorike te 5 trevave te Lezhes te transkiptuara me nota duke ruajtur origjinalitetin si ne melodi edhe ne tekst si dhe valle te kenduara dhe shume melodi orkestrale. Me shume durim e perkushtim ai ka lene deshmi te arkivuara te mbi 500 artisteve te zhanreve te ndryshme qe kane performuar per 50 vjet art dhe kulture në rrethin e Lezhes.
Edhe në vitet e moshës së kaluar vazhdonte të punonte pa pushim, duke bere gati per botim nje tjeter enciklopedi muzikore me perla te trevave te ndryshme muzikore shqiptare, ndersa ka botuar ‘’Kange popullore Shkodrane’’ dhe “Nje karajfil bjen mbi kitare’’, si deshmi e dokumentuar me tekste, dhe partitura e visarit muzikor shqiptar.
Ai është dekoruar me urdhrin Naim Frasheri, ne mes dashurise dhe vleresimit qe publiku ushqeu per dekada te tera per muzikologun e permasave kombetare Agim Velaj. Personalisht si drejtues i kultures ne Mirdite pata fatin te bashkepunonim per Festfolkun e Gjirokastres 2009, ne perberje te grupit te Qarkut Lezhe, duke pare nga afer cilesite profesionale dhe njerezore te nje personaliteti te rrallë)“, shkruan Gjergj Marku./balkanweb/ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor2024/2045.
Përmes një postim në Facebook, Kryeministri Kurti ka thënë se shtatori është muaji i fillimeve të reja dhe i rrugëtimit të përbashkët të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit drejt të ardhmes.
“Edhe këtë vit, po bëjmë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë (I) deri në klasën e nëntë (IX), ndërkohë që nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç përmes së cilave po ofrojmë mbështetje të vazhdueshme të shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve”.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është angazhuar dhe kujdesur që ky vit i ri shkollor të fillojë mbarë, e unë uroj që ai të jetë i suksesshëm për të gjithë!”, ka thënë Kurti.
PriFest prezanton kategorinë kryesore garuese, ate të filmave të gjatë artistik nga Ballkani. Gjashtë produksione të reja nga rajoni ku tregohen histori të fuqishme dhe emocionale. Nga gjashtë filmat, një është premierë botërore, një premierë ndërkombëtare dhe të gjithë filmat janë premiera vendore.
Një tjetër karakteristikë e këtij seleksioni është se nga gjashtë filmat, katër janë produksion apo koproduksion me Kosovën.
Dhe filmat janë:
OKARINA nga Jeton ZOGJANI, Kosovë/ Premierë kosovare (92min).
Një tregim për problemet familjare që dalin në pah për shkak të ndryshimit të mënyrës së jetesës pas zhvendosjes në një vend të ri, të motivuar nga dëshira e fortë për të përmirësuar kushtet e jetesës. Shaqa dhe Selvia sfidojnë ndjenjën e tyre të “moralit” për të arritur një të ardhme më të mirë. Ndërkohë, përfshirja e pavetëdijshme e Giovannit i drejton ata në një rrugë të papritur. Megjithatë, udhëtimi i tyre nuk përfundon siç e kishin parashikuar.
EXCURSION nga Una GUNJAK, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia, Franca, Norvegjia dhe Katari/ Premierë kosovare (93min).
Në Sarajevë, një adoleshente që kërkon vëmendje pretendon se ka kryer marrëdhënie për herë të parë gjatë një loje «e vërtetë apo guxim» mes nxënësve të shkollës së mesme. E ngatërruar në gënjeshtrën e saj, shpik një shtatzëni dhe bëhet qendra e një skandali që del jashtë kontrollit.
STORK nga Isa QOSJA, Mali i Zi, Kosova/ Premierë botërore (97min).
Një fshat i përgjumur në Mal të Zi, ku shumica e banorëve kanë emigruar në SHBA, është skena e një tregimi për tri gra që luftojnë për pavarësinë e tyre. Suta refuzon të martohet me vëllain autik të burrit të ndjerë, Vezire dhe Drane duhet të bashkëjetojnë ndërsa burri i tyre planifikon të largohet, Fize përpiqet të gjejë një nuse për djalin e saj. Një lejlek që arrin shqetëson banorët supersticiozë.
M nga Vardan TOZIJA, Maqedonia, Kroacia, Kosova, Franca, Luksemburgu/ Premierë kosovare (96min).
Në një pyll të izoluar, i riu Marko jeton nën mbikëqyrjen e kujdesshme dhe misterioze të babait të tij mbrojtës. Kjo jetë e mbyllur është e vetmja që njeh. Marko gjen ngushëllim në librin e tij të dashur me ilustrime, duke kërkuar përgjigje në faqet e tij. Një ditë, takimi me një djalë të pafajshëm dhe të mirë zemre, të quajtur Miko, sjell një shkëndijë ngrohtësie në botën e izoluar të Markos. Kurioziteti i tij rritet dhe Marko dëshiron të zbulojë sekretet përtej kufijve të pyllit. Një kthesë e hidhur e ngjarjeve i jep atij mundësinë më shpejt se sa e priste. Një udhëtim i errët e pret, i mbushur me rreziqe të panjohura dhe një pamje të një bote që ka ndryshuar përgjithmonë.
THIS IS NOT A LOVE SONG nga Nevio MARASOVIC, Kroaci/ Premierë ndërkombëtare (72min).
Një regjisor i famshëm në krizë të moshës së mesme fton ish-të dashurën e tij fatale në një hotel pranë liqenit për ta ndihmuar të shkruajë një skenar bazuar në marrëdhënien e tyre.
SILENCE OF SIRENS nga Gazmend Nela, Kosovë, Zvicër, Maqedoni e Veriut, Shqipëri/ Premierë Kosovare (90min).
Avniu është një polic trafiku në një qytet të vogël në Kosovë, një njeri i zakonshëm dhe familjar, as shumë i ndershëm as shumë i guximshëm. Ai dhe partneri i tij Gëzimi marrin ryshfete të vogla nga shoferët që kapin për shpejtësi. Një natë, ata shoqërojnë në stacion një prokuror ndërkombëtar që po ngiste i dehur me një çantë plot para në makinë, duke menduar se po bëjnë gjënë e duhur. Shpejt, të dy do të përfshihen në një rast korrupsioni që i tejkalon ata.
Oraret e shfaqjes së gjithë filmave do të publikohen së shpejti.
Edicioni 16-të mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata, Prishtinë./ KultPlus.com
Një “balenë spiune” nga Rusia është gjetur e vdekur në brigjet norvegjeze.
Trupi i saj, me nofkën Hvaldimir, u gjet në qytetin jugperëndimor të Risavikës dhe u dërgua në portin më të afërt për ekzaminim.
Balena u pa për herë të parë në ujërat norvegjeze pesë vjet më parë me një kamerë GoPro të bashkangjitur në një parzmore që shkruante “Pajisjet e Shën Petersburgut”.
Kjo ndezi thashethemet se gjitari mund të jetë një balenë spiune, diçka që ekspertët thonë se ka ndodhur në të kaluarën. Moska nuk iu përgjigj kurrë akuzave.
Trupi i pajetë i Hvaldimir u zbulua në fundjavë nga Marine Mind, një organizatë që ka ndjekur lëvizjet e tij prej vitesh.
Themeluesi i Marine Mind, Sebastian Strand i tha agjencisë së lajmeve AFP se shkaku i vdekjes ishte i panjohur dhe se trupi i balenës nuk kishte lëndime të dukshme.
Faik Imeraj me emrin artistik Bacifaik do të jetë pjesë e ekspozitës kolektive që do të hapet më 3 shator në Galerinë “Farbwerk M6 Konterkaro” në Hamburg të Gjermanisë, shkruan KultPlus.
Bacifaik do të prezantohet me tri portrete të artistëve të njohur, të titulluara: “Starry Knight” (Van Gogh) ; “Avida Dollars” (Salvador Dali)” dhe “Pablito” (Pablo Picasso), ku sipas Imeraj, kjo e fundit më herët është prezantuar edhe në Muzeun Picasso në Barcelonë.
Ekspozita kolektive e grupit “Jerwitz” do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator, dhe pjesë e kësaj ekspozite do të jenë artistët: Bacifaik, Johanne Meß, Roland Diehl, Holger Gläsel, Sandra Beranek, Sven Belitz, Lisa Urban, Khalil Gmes, Ëittek dhe Anna Fight.
KultPlus u prezanton edhe punimet e Bacifaik që do ti prezantojë në këtë ekspozitë./ KultPlus.com
Në një mesazh drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me rastin e çeljes së sesionit të ri, presidenti shqiptar Bajram Begaj, u ka bërë thirrje deputetëve të fokusohen në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin e Evropian, si dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Begaj kërkoi që partitë politike të angazhohen në një dialog të frytshëm dhe në nisma ligjore të bazuara në shqetësimet e qytetarëve.
”Ne duhet të sigurojmë që çdo ligj që miratohet të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe me standardet më të larta demokratike. Kjo kërkon angazhim të përbashkët dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar që Kuvendi të jetë gjithmonë i përkushtuar dhe të përmbushë rolin e tij mbikëqyrës, të garantojë balancën e pushteteve, si dhe të mbrojë interesat e popullit”, tha Begaj.
Në një kohë kur kjo legjislaturë po shkon drejt fundit dhe po afron viti elektoral, presidenti i Shqipërisë vlerëson se deputetët duhet të ushtrojnë me përgjegjësi mandatin në këtë drejtim, pasi, sipas tij, “po afron edhe momenti për të peshuar arritjet e sukseset, mangësitë dhe dështimet, për të vlerësuar vetveten, por dhe për t’u vlerësuar nga publiku”.
“Në këtë Shtator të ri, imazhi dhe performanca parlamentare janë sa të dëshiruara, aq edhe të domosdoshme që Kuvendi ynë të jetë arena frymëzuese e përballjes qytetare, ku zëra të ndryshëm përfshihen në një dialog të frytshëm”, u shpreh Begaj.
Përgjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kreu i shtetit shqiptar thekson se deputetët duhet të përmbushin në kohë masat ligjore të përfshira në Planin Kombëtar të Integrimit.
Gjithashtu, një tjetër çështje prioritare, sipas Begajt, është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, për të cilën u shpreh se inkurajon Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit si një përballje reale me një të keqe që duhet ta luftojmë në çdo nivel e çdo fushë të këtij fenomeni gërryes për ekonominë dhe kërcënues për demokracinë.
Në këtë aspekt, Begaj u kërkoi deputetëve të mbështesin institucionet e drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit duke forcuar kapacitetet e tyre financiare, njerëzore dhe infrastrukturore.
Përsa u përket sfidave të reja globale që prekin çështjet e sigurisë, apo ato social-kulturore, presidenti Begaj theksoi nevojën e përditësimit të strategjive dhe kornizave ligjore për t’u përshtatur me ndryshimet gjeopolitike dhe zhvillimet e shpejta teknologjike.
Begaj përfundoi mesazhin e tij drejtuar Kuvendit duke u shprehur: Në këto kohë kur sakrificat e brezave po kthehen në mbështetje të gjeneratave të reja, duke i kthyer sfidat e ndryshme globale e rajonale në mundësi për vendin tonë, është e domosdoshme që parlamenti të bëhet aleati kryesor i përparimit të vendit tonë. Le ta kthejmë këtë hapësirë në Kuvendin e ideve më të bukura shqiptare e përballjes më të pasur demokratike të rajonit./TvKlan/ KultPlus.com