Zbulohen varreza mesjetare në Durrës

Një varrezë e periudhës mesjetare është zbuluar së fundmi në Forumin Bizantin të qytetit të Durrësit. Ky zbulim erdhi nga ekspedita e katërt arkeologjike brenda dy viteve të fundit në këtë vend.

Sipas arkeologes Brikena Shkodra, dokumentimi i këtyre varreve, që datojnë nga periudha mesjetare, sjell informacione të reja, duke përmirësuar të dhënat e deritanishme që kanë qenë sporadike.

Brikena Shkodra, Arkeologe: Kemi ende nevojë të kuptojmë të gjitha këto elemente sa ruhen përmes të dhënave arkeologjike dhe nga ana tjetër e njejta hapësirë vazhdon të ketë të njëjtën rëndësi si pjesë e vazhdimësisë së jetës në qytet të paktën deri në shek e XIV.

Gërmimet e fundit janë përqendruar në pjesën jug-lindore të Forumit Bizantin, me qëllimin për të mbledhur sa më shumë të dhëna mbi këtë monument historik.

Brikena Shkodra, Arkeologe: Kemi mundësi që të bëjmë një histori më të mirë të qytetit dhe këtij monumenti brenda qytetit antik të vonë dhe mesjetar. Janë pikërisht të gjitha këto element që lidhen me përcaktimin e të dhënave më të sakta dhe më të dokumentuara në lidhje me kohën e ndërtimin e strukturës, në lidhje me elementet arkitektonike që të bëjnë të kuptosh format e ndryshme funksionale.

Forumi Bizantin, i cili ndodhet në qendër të Durrësit, ka shërbyer si qendër për aktivitetet kryesore sociale, ekonomike, politike dhe tregtare gjatë antikitetit të vonë. Gërmimet janë pjesë e projektit “Dyrraciumi në antikitetin e vonë,” të realizuar nga Instituti i Arkeologjisë me mbështetje financiare nga Akademia e Shkencave./Klan/ KultPlus.com

Së shpejti Tony Drum Studio mban koncertin “Dekada e re” me 70 artistë pjesëmarrës

Me pjesëmarrjen e 70 artistëve, nën përcjelljen e bateristëve të Tony Drum Studio, do të rikthehen në jetë këngët më të mira të të gjitha kohërave, në koncertin e radhës “Dekada e re”.

Më 30 Shtator 2024, nga ora 20:00, në Klan Arena, do të mbahet një koncert i jashtëzakonshëm që do të mbushë zemrat me ritme të pavdekshme.

Hyrja është falas.

“Mos e humbisni këtë mundësi për të përjetuar një natë magjike me muzikë të shkëlqyer”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Poezia e Ismail Kadaresë për Skëndërbeun

Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë./KultPlus.com

Java e Kulturës Gjermane nga data 2 deri më 8 tetor

Nga data 2 deri në 8 tetor në Shqipëri do të mbahet Java e Kulturës Gjermane.

Ky aktivitet përkon me “Tetorin gjerman”, i cili sjell aktivitete të përvitshme të kulturës gjermane në Shqipëri.

Gjatë kësaj jave do të zhvillohet një program i larmishëm aktivitetesh, që përfshijnë veprimtari për prezantimin e librave, performanca kërcimi, filma artistik, ekspozita fotografike, shfaqe teatrale etj.

Javët e Kulturës Gjermane zhvillohen në Shqipëri që prej vitit 2007. Në thelb të këtij eventi qëndron mesazhi se, arti dhe kultura mund të ndihmojnë të përjetojmë momente shkujdesjeje dhe të çelim perspektiva të reja./ KultPlus.com

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, hyrja falas në parqet arkeologjike Shkodër-Lezhë

29 shtatori shënon Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Drejtoria Rajonale e Turizmit dhe Kulturës Shkodër, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë,  njofton se hyrja në Parqet Arkeologjike Shkodër-Lezhë është e lirë.

Parku Arkeologjik Shkodër, ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Kalaja “Rozafa”, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës. Historia e ndërtimit të Kalasë së Rozafës ka kaluar në disa faza. Gjurmët antike të saj, teknika e mureve me blloqe poligonalë, ruhen pranë hyrjes kryesore dhe datojnë të shek. IV p.e.s. Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit Ilir Genti në mesin e shek. II p.e.s. Historiani romak Tit Livi e quante Shkodrën vendin më të fortifikuar të fisit Ilir të Labeatëve.

Në mesjetë Kalaja njihet me emrin Rozafa, të cilin duhet ta ketë marre aty mes shek. V-VI-të. Ndër objektet më të spikatura monumentale dhe historike të kalasë veçojmë: Barbakanin në hyrje të Kalasë (Shek. XV), Kishën e Shën Stefanit ndërtuar që në shek. XIII e cila pas pushtimit osman u transformua në xhami, si dhe Kapitenerinë e periudhës Veneciane që sot shërben si Muzeu i Kështjellës. Kalaja u braktis përfundimisht në vitin 1865 nga administrata e qytetit. Në vitin 2010 u bë një rivlerësim i zonës arkeologjike dhe u evidentuan 2 zona, A dhe B, sipas rëndësisë të cilat u miratuan së bashku me rregulloren përkatëse me VKM Nr.429, dt. 28.4.2010 “Për shpalljen e Zonës Arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Shkodrës dhe miratimin e rregullores së administrimit”. Në rregulloren e administrimit jepen qartësisht format e bashkëpunimit dhe rolet e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen, restaurimin dhe mirë administrimin e vlerave të kësaj zonë.

Ndërsa Parku Arkeologjik i Lezhës ndodhet në pjesën lindore të qytetit me të njëjtin emër. Lisi (Lezha antike), i ndërtuar në kodër, kishte një pozicion strategjik që kontrollonte luginën e Drinit deri në Gjirin e Shën Gjinit në detin Adriatik. Ai dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë prehistorik qysh në shek. IV p.k. dhe ishte qyteti më i fortifikuar i Ilirisë, me një numër të madh kullash mbrojtëse. Kalaja e qytetit antik të Lezhës rrethohet nga mure të periudhave të ndryshme që vijojnë nga antikiteti shek.IV p.k. Këto janë mure të fuqishme me blloqe të mëdha guri. Rindërtimi i parë i kalasë datohet në shek. I p.k. Më vonë në shek. XI-XII në pjesën e akropolit të qytetit ndërtohet kështjella mesjetare e Lezhës – Elission, me gurë të vegjël të gdhendur dhe me llaç. Kjo kështjellë u përforcua për të përballuar dyndjet e shteteve të para sllave që vinin nga veriu. Në shek. III para Krishtit, Lisi bëhet pikënisje e sulmeve të flotës ushtarake të mbretëreshës ilire Teuta. Më vonë Lisi pushtohet nga Filipi V-të i Maqedonisë, nga romakët e Bizanti .

Me shpërbërjen e perandorisë bizantine, Lezha është qyteti i principatës së Arbërit dhe në vitin 1281 është kryeqendër e familjes së dukagjinëve. Me pas, venecianët, me marrjen e qytetit të Lezhës, rindërtuan fortifikimet e qytetit. Në 2 mars 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu organizoi në Lezhë kuvendin e princërve shqiptarë, që njihet me emrin “Besëlidhja e Lezhës”. Mbas vdekjes së Gj. Kastrioti Skënderbeut në 17 janar 1468, i cili u varros në kishën e Shënkollit (sot memoriali i tij), Lezha bie nën sundimin venedikas dhe me pas, otoman. Lezha, ky qytet antik që pasqyron gjithë fazat e zhvillimit, ngritjes dhe rënies së perandorive që kanë sunduar këtë rajon, me kalanë mesjetare që dominon gjithë hapësirën deri në detin Adriatik dhe objektet e shumta arkeologjike, monumentet e kultit dhe dëshmitë historike, përbën një destinacion tërheqës për turizmit kulturor./ KultPlus.com

U xhirua në Tiranë, filmi “Prokurori” i aktorit hollivudian Danny Glover, vjen në kinema më 10 tetor

Episodi i parë i serialit të shumëpritur shqiptar “Prokurori” (The Prosecutor) vjen në kinematë e Tiranës nga data 10 Tetor, me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Subjekti i filmit i zhanrit aksion/dramë e merr frymëzim nga ngjarje të përditshmërisë tonë, me fokus në reformën në drejtësi dhe luftën e një prokurori të ndershëm për t’u përballur me krimin e organizuar dhe politikanë të korruptuar.

Por, e veçanta e “Prokurorit” është pjesëmarrja për herë të parë në një prodhim shqiptar e aktorit të madh hollivudian, Danny Glover, i cili njihet nga publiku shqiptar për rolet legjendare në filma si Lethal Weapon (me Mel Gibson), The Color Purple, Predator 2, Saw etj. Në serial, Danny Glover luan rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, i cili mbështet reformën në drejtësi dhe ndihmon në realizimin e saj.

Me regjinë e jashtëzakonshme të Fatmir Dogës, filmi sjell historinë e Mentor Likës, një prokuror shqiptar, që e do atdheun më shumë se çdo gjë tjetër dhe nuk mposhtet nga bandat kriminale apo politikanët e korruptuar. Për të, dashuria për vendin është më e fortë se interesat e atyre që nuk kanë atdhe në zemër. Roli kryesor i është besuar aktorit të talentuar Klodian Hoxha, ndërsa në role të tjera përfshihen edhe aktorë të tjerë të njohur të filmit shqiptar, si Romir Zalla, Gert Ferra, Marin Hoxha, Adriana Tolka, Sara Smaja, Desada Xhihani etj.

Episodi i parë i serialit do të shfaqet premierë për publikun shqiptar në 10 Tetor në Cineplexx në TEG, e më pas do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha kinematë. / KultPlus.com

Publikohen fotografitë nga lëvizja e Forcave Rezervë Britanike nëpër Kosovë

Kanali zyrtar në platformën X i Shtabit të Përhershëm të Përbashkët (PJHQ) i Mbretërisë së Bashkuar ka shpërndarë disa fotografi të mrekullueshme të lëvizjeve që Forca Rezervë Britanike po i bën nëpër Kosovë.

“Grupi i Betejës 1 Yorks ka kaluar përgjatë Korridorit VIII të korridoreve Pan-Evropiane. Ky shirit i asfaltit është i një rëndësie strategjike për Ballkanin dhe BE-në në përgjithësi. Kalimi transit i Forcave Rezervë Strategjike thekson angazhimin e NATO-s dhe Mbretërisë së Bashkuar në rajon”, shkruhet në kanalin Defence Operations në X.

Gjatë muajit shtator, në Kosovë mbërritën rreth 300 trupa shtesë rezervë nga Britania e Madhe në kuadër të KFOR-it./ KultPlus.com

Hapet “Shpirti Dervish” nga Fahredin Spahija, 20 vjet të përmbledhura në 27 fotografi unike

Era Berisha 

Fotografitë e vendosura në dy muret në ngjyrë të pembe, dukej sikur po tregonin diçka të jashtëzakonshme, diçka të rrallë por të shenjtë që dhuronte ndjenjën se është ruajtur për vite të tëra. Këto fotografi kaplonin vëmendjen e secilit që ishte prezent dhe zgjonin kureshtje të mëtutjeshme për të kuptuar artin madhështor prapa tyre. Krejt kjo atmosferë u krijua nëpërmjet pendës së syve të fotografit të njohur, Fahredin Spahija, i cili mbrëmë u prezantua me ekspozitën personale “Shpirti Dervish” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus. 

Brenda një hapësire të ngrohtë, të pranishmit ishin të mbushur me entuziazëm dhe kjo dukshëm vërehej në fytyrat e tyre. Gjithsej 27 fotografi kanë përmbledhur punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve. “Shpirti Dervish” ka plasaritur përpara publikut një pjesë të traditës që për një pjesë të madhe të njerëzve ka një kuptim më hyjnor se vetë hyjnorja. 

Një gjendje paqe shfaqej në secilën fotografi, të cilat ishin të krijuara në ngjyrë bardhë e zi, asisoj që kontrasti të bënte që të përhumbeshe nëpër shkrepjet e bukura të fotografit Spahija. Fytyrat e dervishëve, ritualet e tyre, dhe vallja e famshme rrotulluese, ishin të shkrira plotësisht nën petkun e aparatit të fotografit Spahija. “Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, pati thënë fotografi Spahija, kur edhe bëri paralajmërimin për këtë ekspozitë. 

Ora shënoi 19:00, dhe tashmë hapja e ekspozitës gjeti vendin e saj. Mbledhur grumbull, përpara neve, të pranishëm ishin fotografi, Fahredin Spahija, kuratori i ekspozitës, Fahredin Shehu dhe drejtoresha e gazetës online për kulturë dhe art KultPlus, Ardianë Pajaziti. 

Fillimisht, hapjen e bëri drejtoresha Pajaziti, e cila tha se shpirti dervish është ai që në këtë mbrëmje i ka bërë së bashku të gjithë. 

“Faleminderit që keni ardhur sonte dhe që na i keni nderuar të dy artistët si dhe KultPlus Caffe Gallery-në. Në këtë mbrëmje, shpirti dervish na ka bërë bashkë, duke sjellë kështu frymën artistike të fotografit të njohur, Fahredin Spahija. Më herët më pyeti dikush për ndjesinë që më dha kjo ekspozitë, dhe i thashë që punën e Fahredinit e njoh mjaftueshëm, duke qenë edhe gazetare shumëvjeçare e kulturës. Për neve ndoshta mundet me qenë një ekspozitë domosdo, mirëpo kjo është një punë kolosale njëzetvjeçare dhe duke i përzgjedhur vetëm 27 fotografi, tregohet mundi dhe përkushtimi i Fahredinit për këtë ekspozitë”, ka thënë Pajaziti. 

Fahredin Shehu, kuratori i ekspozitës ka thënë se fotografitë prezantojnë një rezonancë historike që ndërthuret me estetikën bashkëkohore. 

“Është një punë që po kurorëzohet tanimë, pas njëzet vitesh. Kjo traditë e shfaqur është një traditë para-religjioze, është në gjenetikun e njeriut dhe mund te kultivohet si shpirtni dhe si art i cili mëton ta unifikojë njeriun me universin. Fahredin Spahija na e prezanton këtë neve duke krijuar një rezonancë historike me estetikën bashkëkohore dhe neve na tërheq në brendësi që ta kujtojmë shpirtin sofist të mirëfilltë. Nuk ka qenë e lehtë që për vite me radhë, t’i përmbledhësh të gjitha këto. E lexushmja, e pamuna, është diçka tjetër nga përjetimi sepse përjetimi është ai që krijon emocion”, thotë ai. 

Po ashtu, fotografi Fahredin Spahija është shprehur i kënaqur me punën e tij, që për të është tejet e veçantë. 

“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sonte dhe keni nda kohën për të parë këtë ekspozitë. Është një punë disavjeçare, një tematikë shumë e veçantë për mua, natyrisht kjo nuk përfundon këtu, sepse në këtë bashkësi të dervishëve, ka akoma shumë për të eksploruar në aspektin artistik. Kam diçka që muj me qu përtej relaes, kah abstraktja por planet do i lëmë për më vonë. Më duhet ti falënderoj ata që s’janë këtu si MKRS-në dhe Drejtorinë e Kulturës, edhe pse janë të dy palët mbështetës financiarë”, përfundon Spahija. 

Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja vazhdoi me performancën e këngëtarit Petrit Çarkaxhiut, sikurse që edhe u lexuan poezi të poetit të famshëm Rumi, që në këtë mbrëmje erdhën nëpërmjet aktorit Nik Istrefi. 

Një poezi, pastaj një këngë, ishte rrjedha që gjeti vazhdimin në këtë natë të mbushur me një magji të bukur në ajër, që hipnotizoi gjithsecilin, duke bërë që ata të përjetonin të bukurën e artit pamor, këndimit dhe artit poetik. 

“Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike”, ka qenë mbishkrimi për këtë ekspozitë, dhe me të vërtetë që fotografi Spahija, me këto fotografi unike, plotë ndjenjë e gjallëri, ka bërë të mundur që publiku t’i shijojë veprat artistike që dëshmojnë për një dhunti, mund dhe përqendrim të paparë. 

Ekspozita “Shpirti Dervish”do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. Projekti është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com 

Festivali i parë, serenata korçare në funksion të turizmit

Festivali Ndërkombëtar i Serenatës, ideuar dhe realizuar nga Bashkia Korçë ka çelur të premten edicionin e parë për t’u kthyer në një traditë të përvitshme, si një nga festivalet më të rëndësishme të kalendarit vjetor të Korçës.

Nata e parë e Festivalit Ndërkombëtar të Serenatës në Korçë mbushi qytetin me tingujt magjepsës të kitarave dhe këngëve të dashurisë, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme për qindra vizitorë.

Ndërkohë sonte, vijon nata e dytë e festivalit, duke e shndërruar Korçën në një nga pikat më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë që vazhdon të dhurojë emocion dhe art.

Serenatat korçare janë të njohura për të gjithë shqiptarët dhe të kënduara prej një shekulli e gjysmë, por organizimi i një festivali dedikuar serenatave, synon që të tërheqë më shumë turistë jashtë sezonit të lartë turistik dhe njëkohësisht të ruajë dhe kultivojë vlerat e serenatës si një pasuri kulturore e këtij qyteti.

Ky festival synon ta sjellë serenatën korçare në dy versione, atë tradicionalin dhe të përpunuarin.

Serenatat janë këngë që lindën si dedikime dashurie rrugicave të qytetit të Korçës e që luheshin me kitarë e mandolinë poshtë dritareve të vajzave, ndaj të cilave shprehnin dashurinë./ KultPlus.com

‘Mëso dhe luaj’, iniciohet mbjedhja e fondeve për hapësira rekreative në shkollat e zonave rurale

Programi i Mëngjesit në Radio Kosovë ka nisur një iniciativë për mbledhjen e fondeve për krijimin e hapësirave rekreative në shkolla, me fokus zonat rurale të Kosovës.

Përmes kampanjës “Mëso dhe Luaj”, ne ftojmë dëgjuesit të kontribuojnë në formë monetare (përmes një procesi plotësisht transparent) për blerjen e paisjeve, krijimin e këndeve rekreative për nxënës në shkolla fillore, duke promovuar kështu mësimin dhe lojën.

Idea e krijimit të këtyre këndeve vjen si nevojë për stimulim dhe gjithashtu krijimin e një ambienti atraktiv për nxënësit, sidomos në fshatëra. “Përmes krijimit të këtyre hapësirave gjithashtu synojmë të forcojmë lidhjen me shkollat, dëshirën për arsimim, dhe mos braktisjen e mësimit”, kanë thënë autoret e programit te mengjesit dhe njeherit iniciatoret e kesaj kampanje. 

Krijimi i këndeve rekreative në shkolla është një hap shumë i rëndësishëm për stimulimin e mësimit dhe zhvillimin e aftësive sociale të nxënësve. Këto kënde ofrojnë mundësi për relaksim dhe kreativitet, duke ndihmuar në rritjen e angazhimit të nxënësve në procesin e të mësuarit.

Këto kënde jo vetëm që stimulojnë procesin e të mësuarit, por gjithashtu ndihmojnë në zhvillimin e një atmosfere pozitive shkollore, ku nxënësit ndihen të përfshirë dhe të motivuar.

Fonder do te mblidhen permes OJQ Kosova Ideas, e cila ka realizuar me sukses mbi 60 kampanja te ndryshme në Kosovë./ KultPlus.com

‘Persefonia’, promovohet libri i autores Fitnete Ramaj- Mujaj si homazh për fuqinë e gruas dhe dëshirën e paplotësuar për shkollim

Vjollca Duraku

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, sot është promovuar libri me poezi “Persofonia” i autores Fitnete Rama- Mujaj. Libri i sjellë me 41 poezi vjen si homazh për fuqinë e gruas dhe dëshirën e paplotësuar për shkollim.

“Persofonia” i cili është promovuar në mesin e shumë të pranishmëve vjen si dedikim zemre për dy gra të jashtëzakonshme që kanë formësuar jetën e autores Fitnete Ramaj Mujaj, nënës dhe vjehrrës së saj, ëndërra e të cilave për shkollim ka mbetur si peng i kohës.

“Persefonia” është një figurë metaforike e cila simbolizon forcën e përjetshme të gruas. Përmes këtij libri autorja fton lexuesin që të ndiejë përpjekjen e gruas shqiptare dhe dhimbjen e ëndrrave të papërmbushura, që si shkak i gjendjeve politike e historike e ka lënë atë në një vend të pamerituar në shoqëri.

Ndonëse në vargje paraqiten vuajtjet, mes rreshatve  kuptohet edhe fuqia e shpirti i palëkundur i gruas shqiptare, e cila me gjithë sfidat e saj ka ditur dhe ka arritur të triumfoj.

Ngjarja u hap nga gazetarja Altiana Zogaj, e cila i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, duke i kaluar fjalën poetes Marigona Zekaj, e cila tha se autorja me këtë libër mbi të gjitha paraqet një mesazh kurajoje për brezat e rinjë.

“Si një “Persefonë” moderne, ajo ringjall shpresën në zemrat e atyre që pavarësisht vështirësive, zgjedhin të luftojnë dhe të ndryshojnë botën përmes guximit dhe vendosmërisë së tyre. Kjo vepër është një thirrje e fuqishme për solidaritetin me grave, për të mbështetur njëra tjetrën drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më të drejtë”, ka thënë poetja Zekaj.

Në këtë takim letrar emocionues pjesë e panelit ishte edhe profesoresha Pajtesa Gashi, e cila tha se fillimisht ishte titulli i librit ai që e kishte ngacmuar thellë mbi atë se çfarë mund të ketë në përmbajtje libri.

“Poezia e Fitnetes është një poezi qytetare, tërë preokupime e shqetësime për jetën dhe kjo shprehet në shumicën e poezive. Fitnetja realizon vetveten, si poete, në mënyrë origjinale, gjë që e bën poezinë e saj më interesante” ka thënë panelistja Gashi.

Ajo më tej ka thënë se poezia e autores Ramaj- Mujaj në themel është popullore, për të drejtat dhe idealet demokratike të cilat ajo i mbron me shpirt, por edhe në komunikimin që e vendos mes saj dhe lexuesit.

“Poezia na zbulon shpirtin e sinqertë dhe të pastër të autores krijuese që gjithmonë përpiqet për arritjen e majave më të larta të qenies njerëzore, si krijuese që lufton për të jetuar. Nëse bëjmë përshkrimin e rrugëtimit të saj për një gjysmë shekulli, portreti i gruas shqiptare ka kaluar nëpër disa etapa historike dhe kjo na bën të kuptojmë poezinë e saj sot, pa e ekzagjeruar anën pozitive dhe negative”, ka thënë më tej Gashi.

Ndërsa, panelisti tjetër Dren Brahimaj, ka thënë se poezitë e autores Ramaj- Mujaj shtrihen në dekada edhe më të hershme, se sa vetë lindja e poetes.

“Autorja ka guximin intelektual dhe vetëdijshëm, jep pafund mesazhe motivuese, duke mos kthyer kokën asnjëherë pas, ajo guximshëm kritikon dukuritë negative që rrethojnë botën e saj. Prandaj, edhe kemi pasur nevojë t’i kemi në dorë këto poezi dhe bashkë me to të reflektojmë dhe të jemi pjesë e agjendës për një shumëllojshmëri ngjyrash mendimesh. Të jesh pjesë e botës fshat ka më shumë përgjegjësi sesa t’i takosh fshatit botë”, ka thënë profesori Brahimaj.

Kurse vetë autorja Fitnete Ramaj- Mujaj përmes një fjalimi emocional ka përshkruar sfidat e saj dhe të dy grave që për të kishin qenë shkak dhe model, që e kishin shpjerë atë deri te promovimi i këtij libri.

“”Persofonia” është figura metaforike që kam dalluar gjatë leximeve të letërsisë angleze gjatë studimeve të mija. Në poezitë e Eliot-it dhe Alexander Pope-s, ajo përshkruhet si një figurë mitolgjike e lidhur me lindjen, jetën dhe vdekjen. Por, më e rëndësishmja , persefonia simbolizon gruan e fortë e cila i jep begati familjes dhe shoqërisë”, ka thënë autorja.

Me emrin “Persefoni” ajo i ka quajtur të gjitha gratë pjesëmarrëse në këtë takim si dhe të gjitha ato që kanë qenë mbështetëse dhe frymëzuese për arritjet e saj jetësore.

Krejt në fund të ngjarjes, autorja u kujdes që për të gjithë pjesëmarrësit të dhuronte nga një libër me dedikime të saj të zemrës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova e përkushtuar t’i thellojë raportet me Australinë

Presidentja Vjosa Osmani, e shoqëruar nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, gjatë qëndrimit në Nju-Jork, kanë takuar ministren e jashtme australiane, senatoren Penny Wong.

Osmani tha se Australia është aleate e moçme e jona dhe vendi ku jeton një numër i madh i diasporës sonë.

“Jemi të përkushtuar të për të forcuar më tej lidhjet tona dypalëshe dhe për t’i afruar vendet tona”, ka shkruar Osmani në X.

Hapet ekspozita ‘Edhe shkrimet flasin’ në Muzeun Historik të Fierit

Edhe Shkrimet “Flasin” ishte ekspozita e përbashkët e çelur ditën e sotme në Muzeun Historik Fier, një bashkëpunim i këtij institucioni kulturor dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë.

Gjatë këtij aktiviteti të zhvilluar në kuadër të 29 shtatorit – Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u publikuan një sërë shënimesh të vjetra shkëputur prej librave  të dikurshëm të përshtypjeve të muzeut arkeologjik të Apolonisë.

Sipas drejtoreshës se Parkut  Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë , Ornela Durmishaj, të ruajtura dhe të arkivuara me kujdes që prej viteve ‘70  të shekullit të kaluar, ato sollën para publikut disa nga shënimet autentike të lëna prej disa nga emrat më të spikatur të kulturës shqiptare dhe më gjerë.

Midis tyre bien në sy emrat e Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Moikom Zeqos, Visar Zhitit, studiuesit arbëresh Françesko Altimari, shkruesit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës Shyqri Nimani, arkeologut francez Pierr Kaban, etj.

E konsideruar si një qasje ndryshe në fushën e muzeologjisë, ekspozita kishte si qëllim afrimin gjithnjë e më shumë të publikut edhe muzeve vendorë si institucione të ruajtjes së kujtesës kolektive, ka thënë ndër të tjera historiani Ilirjan Gjika.

Një tjetër drejtim i këtij aktiviteti ishte edhe mini-ekspozita kushtuar 100-vjetorit të gërmimeve arkeologjike në Apoloni të drejtuara nga Leon Rei./ balkanweb / KultPlus.com

TIFF, në program edhe prodhime kinematografike të 2024-ës

Në ditën e 5-të të Tirana International Film Festival, në seksionin PerspecTIFF u shfaq filmi Xoftex, prodhim i vitit 2024 nga regjisori argjentinas Noaz Deshe.

Filmi, një prodhim franko-gjerman, trajton temën e emigracionit, por në një mënyrë krejt të pazakontë nga sa kemi parë në filma të tjerë të së njëjtës tematikë.

“Xoftex” rrëfen historinë e Nasser-it dhe miqve të tij që nisën të xhirojnë skeçe satirike e të përgatisin një film horror me “zombie”, ndërsa presin të japin intervistë në zyrën e emigracionit.

Edhe realiteti i kampit i ngjan një skenari horror, me tension në rritje dhe konflikte që mjegullojnë ëndrrat dhe ankthet e protagonistëve.

Një tjetër takim i rëndësishëm me TIFF-in ishte ai i mbrëmjes, në kinema Agimi me filmin e Alessandro Blasetti-t, “Io, io, io…e gli altri”, ku interpreton i mirënjohuri Marcello Mastroianni. Filmi është pjesë e sesionit RetrospecTIFF që vjen në këtë festival si homazh në 100-vjetorin e lindjes së kolosit të kinematografisë italiane./atsh/ KultPlus.com

Presidenti Begaj në Patos: Promovim traditave dhe vlerave të Myzeqesë

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë dje në aktivitetin “Brez pas brezi myzeqar” të zhvilluar në fshatin Zharrëz, me ftesë të bashkisë Patos.

Kreu i shtetit u prit nga autoritetet lokale dhe banorët e mbledhur në këtë festë në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore me të cilët bisedoi për rëndësinë e promovimit të traditave dhe vlerave të Myzeqesë për ta bërë këtë zonë më të dashur për banorët e saj e më tërheqëse për turistët.

Presidenti Begaj gjithashtu vizitoi stendat e panairit ku ishin ekspozuar produktet bujqësore, punime artizanale, objekte etnografike, kuzhina tradicionale e zonës.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti përgëzoi mësuesit e të rinjtë e shkollave të zonës për punën e mrekullueshme në ngulitjen e dashurisë dhe krenarisë për rrënjët./atsh/ KultPlus.com

Amy Hempel: Pse jam këtu

Amy Hempel (1951) shkrimtare dhe gazetare. Është mësimdhënëse e shkrimit kreativ në Michener Center for Writers. Më 2007 ka fituar Ambassador Book Award për ‘Collected Stories’, që po ashtu ishte nominuar si njëri prej dhjetë librave më të mirë të vitit të The New York Times. Më 2008 ka fituar Rea Award për tregim të shkurtër. Më 2009 PEN/Malamud Award for Short Fiction. Më 2015, Hempel mori John William Corrington Award for Literary Excellence nga Centenary College.

PSE JAM KËTU

Nga Amy Hempel

“Përmende një kohë ku je i lumtur?”, është njëra prej pyetjeve. Jam duke bërë një test që të kuptoj çfarë të bëj. Mënyra për ta bërë këtë është të kuptosh çfarë të pëlqen. Nuk është e qartë ashtu siç tingllon. Për shembull, pyetja që thotë, “A do të preferoje…”. “A do të preferoje: (a) Të përgjigjesh në pyetjet rreth asaj çfarë bën, (b) Të përgjigjesh në pyetjet rreth asaj çfarë di, (c) Të përgjigjesh në pyetjet rreth asaj çfarë ti mendon?”.

Përgjigjja ime është, “Varet”. Por nuk është një nga zgjidhjet. Më vjen të mendoj në terma si Gjithmonë, Nganjëherë, Kurrë.

Nuk mund ta kapërcesh ose të dështosh në këtë test; nota jote është më tepër diçka si profil.

Pas pjesës së shkruar të testit, flas me këshilluesen profesionale. Ajo është pesëdhjetë a më shumë vjeçe, një grua e kolme në një fustan si një përzierës i rehatshëm. Znj. Deane është njëra nga ato që më pyet kur jam e lumtur. Ajo thotë, “Ma thuaj gjënë që ti e bën sidoqoftë, dhe le ta gjejmë një mënyrë që të të paguajmë për këtë”.

Kërkoj një punë të hedh shkopinj për qentë që t’i kapin, dhe ajo më thotë, “Oh, tash”, dhe më dhuron atë të qeshurën e mirësjelljes.

Nuk jam në moshë për ta bërë këtë gjë.

Bëje këtë test në kolegj nëse nuk mund të zgjedhësh ndonjë specializim. Ose bëje që të të ndihmojë që ta ndryshosh jetën tënde – më vonë, pasi të kesh pasur një jetë. Diku në mes është arsyeja pse unë jam këtu.

Pra… koha kur unë jam e lumtur.

Fillon me shenjën që thotë shtëpi e hapur, dhe flamurin prej celefoni me ngjyra në një litar përmes trotuarit. Pastaj dera e pambyllur brenda një shtëpie model të mobiluar, ose, edhe më mirë, dhoma të pamobiluara. Këtu duhet të marrësh me mend jetët në mënyrën si i sheh personazhet në një libër kur e lexon.

Nuk merr fund këtu, me inspektimin e dhomave. Gjëja që e bëj sidoqoftë – lëviz drejt apartamenteve të reja.

Së pari, çlirohem nga shumica e atyre gjërave që i kam. Miqtë e mi kanë plot dërrasa hekurosjeje dhe divane. I shpërndaj disqet, pllakat dhe llampat. Kush e çan kokën për bimët.

Librat veçan!

Pasi që ka mbetur fare pak gjë, e rrokjezoj numrin tim të ri. Në këtë mënyrë: e merr prefiskin tënd, le të themi se është 7-7-6. Kjo është P-r-o. Pastaj fillon të kompozosh fjalë derisa të arrish një shkëputje, një numër të qasshëm. Pre-mtim, Mre-kulli (Pro-digy), Pro-verb, Pro-blem, Pro-vokim, Mbro-j (Pro-tect), Pro-sper…

I blej dy birra për “Dy djem me kombi”, të cilët do t’i marrin gjërat që kanë mbetur. Shpresoj të shkojë si është më së miri, megjithëse nuk duhet ta heqësh nga mendja fare dëmin: Tri lëvizje është e barabartë me zjarr.

Vendi i ri kërkon një mori zgjidhjesh. Letër tualeti dhe detergjent sprej, qese plastike për koshin e mbeturinave. Ka letër të shndritshme rafti që duhet prerë për dollapët dhe sipas emrit të vihet në kutinë postare. E njëjta gjë prapë, tre muaj më vonë. Lëviz mjaftueshëm dhe kurrë s’do të kesh nevojë ta shkrish frizin.

Po ia them këtë znj. Deane.

Ajo thotë se gjëja kyçe këtu është proces – diçka që ajo është duke e kërkuar në Pyetjen e Lumturisë. A vjen kjo lumturi nga një person, vend, apo proces?

I them se nuk e di, se nganjëherë thjesht më vjen të lëviz.

Vendi para këtij, ai ishte. Mora një apartament të vogël në katin e sipërm të një shtëpie. Ishte një apartament viktorian i ngushtë i hirtë me dritare me xhama të qelibartë në psuhimoren e shkallëve.

Menaxheri kërkoi falje për kokën e dëmtuar të tushit. Tha se do ta ndreqte dhe e mbajti fjalën – të nesërmen. Tha se jetonte zakonisht në shtëpi. The se ai dhe vëllai i tij e kishin zakon të luanin në apartamentin tim ku e kishin rregulluar skenën e trenave të tyre.

Kur po dilja jashtë një mëngjesi, i thashë tung menaxherit. Ai ishte ulur në gjunjë në shkallet e mbuluara me qilim, duke thithur leshin e tij me një thithëse speciale me vakum. Por diçka ishte ndryshe kur u ktheva në mbrëmje. M’u desh një minutë. Asgjë nuk kishte lëvizur. Pastaj e vërejta sixhaden. Mbulonte hapësirën mes oxhakut dhe kauçit. Sa kisha qenë jashtë, sixhadeja ishte fshirë.

Kjo nuk ishte e tëra.

Ka diçka që tha menaxheri, ditën që e ndreqi tushin. Ai tha tash se shtypja ishte e fortë, mund të “sapunisesha përnjëmend”.

“Të sapunisem”, ia përsërita znj. Deane.

Znj Deane e skanoi pjesën e shkruar të testit tim. Më thotë se i kam bërë bisht një pyetjeje, asaj që thotë, “A do të preferoje të; (a) Të mendosh për planet e tua për nesër, (b) Të mendosh për atë çfarë do të bëje po t’i kishe një milion dollar, (c) T mendosh për atë se si do të ndiheshe po të ishe nën shenjestrën e një arme?”.

Unë i them, “Dua punën për personin që nënvizon pikën (b)”.

Znj. Deane thotë, “Si ta ha mendja çka do të ndodhte sikur thjesht të rrije zgjuar mjaftueshëm gjatë sa për të menduar një gjë me tamam?”.

“Nuk e di”, i them. “Nuk do të ndihesha vetvetja”.

“Oh”, thotë ajo, “por do të jesh – ti je”.

/Marrë nga Amy Hempel, “Collected Stories”, Scribner, 2006 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Rama në OKB: Kosova nuk mund të mbahet peng, pesë shtete anëtare të BE nuk e njohin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se Kosova është pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar dhe vend aspirant për anëtar të komunitetit euroatlantik.

Këto komente Rama i bëri gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku tha se ata që përpiqen të heqin paralele mes Kosovës dhe zonave të pushtuara të Ukrainës, gabohen.

Ai gjithashtu u shpreh se  Kosova nuk mund të mbahet peng nga askush dhe i bëri thirrje 5 shteteve të BE-së që ta njohin pavarësinë e saj.

“Çdo paralele e hequr artificialisht mes Kosovës dhe zonave të pushtuara të Ukrainës kanë për qëllim të shpërqëndrojnë këdo që është e mundur dhe opinionin publik ndërkombëtar, por kurrë nuk mund të zbehin të vërtetën, Kosova është tashmë pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar, një anëtare e aspirantë e komunitetit euroatlantik, e nuk duhet të mbahet peng nga askush, me pretendime dhe justifikime të rreme, duke nisur nga grupi i 5 shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën me të drejtë në çdo organizatë e forum ndërkombëtar”, tha Rama./Euronews.al/ KultPlus.com

800 mijë turistë vizitojnë Beratin në vitin 2024

Qyteti i një mbi një dritareve ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj në janar-shtator të këtij viti.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, një video me pamje nga vizitat e turistëve në rrugicat dhe pikat turistike të qytetit.

“Dita Ndërkombëtare e Turizmit, ditë e cila kuptimin e plotë e merr pikërisht në Beratin e magjishëm, të turistëve të të gjitha moshave e kombësive e që përgjatë këtij viti, deri tani, ka mirëpritur plot dashuri në hotele, bujtina dhe shumë shtëpi që kanë hapur dyert për vizitorët e shumtë”, tha Demo.

Kryebashkiaku Demo bën të ditur se “vetëm në muzeun Onufri numri i vizitorëve deri më tani është 80 000, ndërsa numri i vizitorëve në territor është afër 800 000”.

Në videon e shpërndarë nga kryebashkiaku Demo një turiste tregon se ajo çfarë e tërhoqi të vizitonte Beratin ishte kalaja dhe shtëpitë e vogla të bardha.

Një tjetër turist u shpreh se “e kam vizituar Beratin në 2012 dhe tani jam rikthyer sërish për të parë të gjitha ndryshimet që qyteti ka pësuar sesi qyteti ka evoluar. Më pëlqeu shumë kalaja herën e parë. Tani do të fillojmë të vizitojmë gjithë qytetin.

“Ka rrugica të vogla shumë të këndshme, më pëlqeu qyteti i vjetër, ka shumë mundësi zgjedhjeje për të dalë për drekë apo darkë me ushqim të mrekullueshëm”, tha një turist.

Edhe pse jemi në ditët e fundit të shtatorit, rrugicat e kalldrëmta të lagjeve “Mangalem” dhe “Gorricë”, si dhe Kalaja janë të mbushura me turistë vendas e të huaj.

E veçanta është se turistët përveç vizitave në këto pika turistike këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina.

Turistët kanë preferuar këtë vit xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, cooking class në disa prej restoranteve, kanoe e çdo lloj tjetër aktiviteti që është më shumë se material, por transmeton kulturën e qytetit 2400-vjeçar./atsh/ KultPlus.com

Në Pejë, të rinjtë kosovarë dhe malazezë bëhen bashkë për trashëgiminë kulturore

Një kamp edukativ dhe shkëmbyes idesh me tema nga trashëgimia kulturore në mes të rinjve nga Kosova dhe Mali i Zi u mbajt më 23 dhe 24 shtator në qytetin e Pejës.

Kampi u zhvillua në hapësirat e Hamamit të Haxhi Beut si një objekt me vlera të mëdha për historinë dhe kulturën e qytetit të Pejës, ndërsa aty u shtjelluan tema të ndryshme që thuhet se kanë ngjallur një reagim shumë pozitiv në bashkëpunimet e mundshme në sektorin e kulturës dhe turizmit.

Pjesëmarrës në kamp ishin studentë nga fakulteti i arkitekturës dhe ai politeknik nga Podgorica si dhe nxënës të Shkollës së Mesme të Lartë të Artit nga Peja.

Në këtë kamp rinor dhe në konferencë prezantuan ekspertë të ndryshëm nga institucionet publike si komuna e Pejës, muzeu i Pejës, sektori privat si tour operatorët, menaxherë të projekteve për të rinj, arkitektë të licencuar për trashëgimi si dhe shoqëria civile të cilët janë të përfshirë në projekte të ndryshme për trashëgiminë dhe turizmin.

Projekti thuhet se synon të përmirësojë ekonominë në zonën kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi, apo më specifikisht zonat ndërkufitare si Peja dhe Berane, duke promovuar turizmin kulturor.

Fokusi i këtij projekti është identifikimi, ngritja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore në Berane përmes antikitetit të krishterë në zonën e Tumbaricës, ndërsa në pjesën e Kosovës në Pejë të intervenohet në mbështjelljen e çatisë së Hamamit të Haxhi Beut me plumb, mbrojtjen dhe promovimin e tij si vlerë e trashëgimisë arkitekturore.

“Me qëllim që të ketë rezultate sa më të mira gjatë punës, por edhe në vizibilitet, ky projekt do të përdorë teknologjinë moderne si modelim 3D për të ndihmuar në ruajtjen dhe dokumentimin e këtyre vendeve. Ky aktivitet do ta bëjë më të lehtë për njerëzit mënyrën e eksplorimit dhe mësimit rreth tyre, qoftë përmes vizitave fizike gjithashtu edhe në mënyrë virtuale përmes paraqitjeve online. Duke bërë këtë, projekti do të mbrojë vendet dhe do të ndajë historinë e rajonit me një audiencë më të gjerë”, thuhet në komunikatë.

Projekti gjithashtu inkurajon bashkëpunimin midis Kosovës dhe Malit të Zi, pasi ekipet nga të dy vendet do të punojnë së bashku në gërmime arkeologjike, aktivitete edukative dhe promovime. Këto aktivitete do të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe tërheqjen e më shumë vizitorëve në këto vende. Që t’i arrijë këto, projekti do të përdorë video, faqe interneti dhe rrjete sociale.

I gjithë qëllimi i këtij projekti është të krijojë mundësi atraktive në tërheqjen e sa më shumë vizitorëve në këto dy destinacione, gjë që mendohet se do të kontribuojë në ekonominë lokale duke krijuar vende pune dhe mundësi të reja për biznese.

Në të njëjtën kohë, thuhet se projekti siguron që këto vende të rëndësishme kulturore të ruhen për brezat e ardhshëm.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Evokimi dhe Tërheqja e Trashëgimisë Kulturore – Antikiteti i Krishterë dhe Hamami Turk për Turizmin Kulturor” që ka rrjedhur nga një bashkëpunim në mes të Muzeut Polim nga Berane dhe organizatës “Marimangat e Pejës” nga Peja.

Projekti ka shtrirje ndërkufitare ndërsa financohet nga programet e EU-IPA fondet nga programin për bashkëpunim ndërkufitarë në mes të Kosovës dhe Malit të Zi./ KlanKosova/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takon mërgatën në ShBA: Mbrëmje madhështore, ashtu si raportet tona

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York është takuar dje me mërgatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka thënë se kjo mbrëmje ishte madhështore, ashtu si marrëdhëniet Kosovë-ShBA.

“Një mbrëmje madhështore në mesin e mërgatës sonë dje, ashtu siç është edhe lidhja ndërmjet Kosovës dhe Amerikës! Faleminderit Shoqatës ‘Ulqini’ dhe të gjitha shoqatave të tjera pjesëmarrëse për organizimin”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.

Revista ‘Soon magazine’: Linda Rama ka fuqinë të bindë

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, ka dhënë një intervistë për revistën “Soon magazine”.

Ajo ka një  aftësi thelbësore për të ndikuar mendimet nga një mendje në tjetrën. E pasionuar dhe e mirëarsimuar, Linda Rama është gjithmonë e motivuar nga ndjeshmëria ndaj grupeve më  vulnerabël: grave, fëmijëve, kategorive më të brishta sociale, personave me aftësi të kufizuara, minoriteteve etj.

Fjalët e Lindës janë të freskëta e unike dhe kur ajo ju drejtohet, është si një ftesë për të ardhur dhe për të zbuluar Shqipërinë.

Më poshtë intervista e plotë e realizuar nga gazetari Mário de Castro.

Kush është Linda Rama, gruaja e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama?

Linda është një ekonomiste, e diplomuar në vitin 1987 në Universitetin e Tiranës. Ajo ka një Master në Ekonomi nga Universiteti i New  Yorkut dhe Universiteti Qendror Evropian (1993) dhe një Doktoratë në Shkencat Ekonomike (1996). Ka shërbyer si lektore në Financat Ndërkombëtare dhe Financat Publike në Universitetin e Tiranës, si dhe në Politikat Publike dhe Menaxhimin e Riskut Publik në Universitetin Evropian të Tiranës.

Nga viti 1993 deri në vitin 1999, Linda ishte Kryetare e Privatizimit të Kompanive të Mëdha dhe Strategjike dhe Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, duke kontribuar ndjeshëm në reformën e privatizimit masiv dhe duke zhvilluar teknikat e privatizimit për kompanitë e mëdha dhe strategjike, përfshirë rindërtimin financiar dhe menaxhimin e riskut, si dhe themelimin e Regjistrit të Aksioneve dhe Tregut të Aksioneve të Tiranës.

Linda është bashkëthemeluese dhe një nga think tank-et e para në Shqipëri, të  Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor (HDPC) dhe ka kontribuar për një kohë të gjatë në aktivitetet e saj. Ajo është autore, bashkë autore dhe eksperte në shumë studime, kërkime dhe dokumente politike në fushat e Qeverisjes, Zhvillimit Njerëzor, Tregut të Punës, Edukimit, Mirëqenies Sociale dhe Zhvillimit të Sektorit Privat në Shqipëri dhe rajonin përreth.

Linda Rama është gjithashtu një nga bashkëthemelueset e Aleancës Shqiptare për Fëmijët dhe avokate e nismës “Sky Say Yes For Children”, me një angazhim të gjatë në aktivizmin për çështjet e të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile, veçanërisht në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe grave.

LINDA RAMA, si mund ta shpjegosh këtë valë solidarizimi dhe interesi për Shqipërinë që po rritet jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën? A ecin së bashku shqiptarët dhe solidariteti, dorë për dore?

Në këto 35 vjet tranzicioni, ne shqiptarët kemi arritur të përballojmë dy sfida historike: të hapim dyert e botës për veten tonë dhe të sjellim botën në derën tonë.

Faza e parë filloi në korrik 1990, kur mijëra shqiptarë mbushnin oborret e ambasadave në Tiranë dhe hipnin  në anijet në Durrës për të shpëtuar nga izolimi komunist dhe varfëria. Më pas, për shumë vite, dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë çdo vit merrnin malet, detin dhe qiellin me padurim për të jetuar ëndrrën evropiane ose amerikane.

Përmes përpjekjeve të panumërta, ata arritën të fitonin të drejtën e qytetarisë në vendet që kishin zgjedhur të jetonin, duke përballuar male dhe dete paragjykimesh.  Teorikisht, në vitin 1990, me rënien e izolimit komunist, Shqipëria hapi dyert e saj për botën. Të parët që erdhën ishin institucionet ndërkombëtare dhe disa të huaj që vinin për punë. Për më shumë se një çerek shekulli, turistët e vetëm në Shqipëri ishin shqiptarët që jetonin jashtë, kur vizitonin familjet e tyre, ose shqiptarët nga rajoni. Mbaj mend një bisedë mes kolegësh rreth vitit 2008, të shqetësuar që bota pothuajse nuk na njihte, dhe se çdo herë që përmendeshim në mediat ndërkombëtare, kjo ndodhte zakonisht për shkak të disa shkeljeve përtej kufirit. Po kërkonim mënyra për ta ndryshuar këtë imazh. Diskutuam gjate derisa një nga kolegët e mi tha: “Mos u përpiq të gjesh një zgjidhje; imazhi i Shqipërisë do të ndryshojë kur Shqipëria të ndryshojë.”

Shqipëria ka ndryshuar. Sot, Shqipëria është e vizitueshme, e reklamueshme dhe e jetueshme. Rritja e simpatisë dhe interesit për Shqipërinë në Evropë dhe në botë është rezultat i asaj që Shqipëria ofron sot: natyrë, histori, kulturë, shërbime, sport, argëtim, rehati, aventurë, infrastrukturë, arkitekturë, punë dhe siguri. Në Shqipëri, je i sigurt kudo dhe nuk ke arsye të ndihesh i pasigurt. Të sjellësh botën në derën e Shqipërisë dhe të bësh të njohur këtë vend të vogël në botë, besoj se ka qenë rrugëtimi më i paimagjinueshëm, më i vështirë dhe më i dhimbshëm i tranzicionit, që shënon gjithashtu fundin e izolimit ekstrem komunist. Deri para një dekade, ne ishim në rastin më të mirë një potencial; sot, jemi një realitet turistik me shumë mundësi të tjera ende të pashfrytëzuara. Ajo që ka ndodhur në dekadën e fundit është një produkt i prekshëm i vizionit zhvillimor të lidershipit politik dhe i punës së jashtëzakonshme të shqiptarëve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, gjatë këtyre tre dekadave postkomuniste.

Si një grua e lindur dhe e rritur në Shqipëri, ju keni bërë një kalim të suksesshëm pas-komunist. Cila është vizioni juaj për të ardhmen e grave në Shqipëri?

 Unë u rrita me një gjyshe që punonte me kohë të plotë në shtëpi, e cila investoi të gjithë talentin, inteligjencën dhe autoritetin e saj në familje, pa pasur kurrë mundësinë të provonte veten përtej atyre mureve. Nëna ime është gruaja tipike e realizmit socialist. Ajo punonte në punë dhe në shtëpi, pa e hequr kurrë vëmendjen dhe kujdesin për mirëqenien tonë, duke na inkurajuar të arsimohemi dhe duke na ushqyer ndjenjën e punës dhe përgjegjësisë. Jeta për gratë gjatë komunizmit ishte e vështirë dhe e mundimshme, deri në atë pikë sa çdo grua në ato dekada meritonte të quhej heroinë. Nëna ime ka bërë vetëm një punë gjatë gjithë jetës së saj, atë të zgjedhur nga shteti për të. Sot, duke e parë atë në të tetëdhjetat e saj, si arrin të shfrytëzojë të gjitha avantazhet që teknologjia ofron për informacionin, komunikimin dhe zgjidhjet, ndiej keqardhje që nuk pati mundësinë të zbulonte veten dhe të përdorte potencialin e saj të plotë. Megjithatë, ajo pati fatin të shihte vajzat e saj më të arsimuara se ajo, që bënin punën e zgjedhur prej tyre dhe jo atë që do të kishte zgjedhur shteti ose ideologjia për to, duke përballuar një tranzicion jashtëzakonisht të vështirë në çdo kuptim. Ndërsa për vajzën time dhe dy mbesat, spektri i të drejtave është i pakrahasueshëm, po ashtu si dhe mundësitë ku ato mund të lundrojnë dhe të jetojnë ëndrrat dhe pasionet e tyre. Ajo që përshkrova më sipër është zhvilluar në kontekste shumë komplekse dhe të vështira, me përpjekje gjigante për të arritur në botën e qytetëruar, duke luftuar çdo ditë me të kaluarën e komplikuar otomano-komuniste.

Sot, ende ka vajza dhe gra që përballen me pasojat e kësaj të kaluare, por gjithashtu ekziston një ushtri e madhe vajzash dhe grash të angazhuara në arsim, shëndetësi, shërbime sociale, drejtësi, art e kulturë, deri në nivelet më të larta të administratës publike, qeverisjes dhe politikbërjes. Një përparim kaq i qartë dhe një forcë kaq e madhe e kësaj ushtrie më bën të besoj se të gjitha vajzat dhe gratë e së ardhmes do të kenë kaluar pragun e nënshtrimit dhe do të jenë të afta të krijojnë jetën që zgjedhin, dhe jo atë që është zgjedhur për to. Ndërkohë, asnjë vizion për të ardhmen e grave nuk mund të ndahet nga vizioni për të ardhmen e djemve. Ka ardhur koha të flasim njësoj për të ardhmen e vajzave dhe djemve./atsh/ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës shënon 24 vjetorin e themelimit

Mbrëmë, Filharmonia e Kosovës ka shënuar 24 vjetorin e themelimit, nën interpretimin e mrekullueshëm të veprave të Lorenc Antonit dhe Gustav Mahlerit, në drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa.

Orkestra Simfonike në hapje të këtij koncerti madhështorë interpretoi veprat ‘Valle shqiptare Nr. 1,’ ‘Në Prizrenin e Vjetër,’ dhe ‘Malësorja’ të Lorenc Antonit, për të vazhduar me premierën kosovare të Simfonisë Nr. 1 të Gustav Mahler-it.

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, meqë rast është shprehur se për dallim nga koha e themelimit me 13 anëtarë, tani ky institucion ka një orekstër të plotë me mbi 100 pjesëtarë.

“Filharmonia e Kosovës para 24 vitesh kishte vetëm 13 anëtarë, tani ka mbi 100 dhe orkestër të plotë. Duke ruajtur standarde të larta artistike dhe prezantuar kryevepra të muzikës klasike dhe moderne, ky institucion ka ndihmuar në forcimin e identitetit kulturor të Kosovës dhe ka pasuruar jetën artistike të shoqërisë sonë.

Urime dhe faleminderit!”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku në facebook./ KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare për Akses Universal në Informacion

Më 17 nëntor 2015, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) shpalli 28 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare për Akses Universal në Informacion.

Qasja universale në informacion do të thotë që secili ka të drejtë të kërkojë, të marrë dhe të japë informacion. Kjo e drejtë është pjesë përbërëse e së drejtës për lirinë e shprehjes dhe media luan një rol vendimtar në informimin e publikut për çështjet me interes, por mbështetet edhe në aftësinë për të kërkuar dhe marrë informacion. Prandaj, e drejta për akses universal në informacion është gjithashtu e lidhur me të drejtën për lirinë e shtypit.

Këtë vit theksi vihet mbi inteligjencën artificiale dhe qeverisjen elektronike të cilat mund të luajnë një rol të rëndësishëm për të përmirësuar aksesin në informacion në botën dixhitale.

Ato mund të ndihmojnë në kapërcimin e ndarjes dixhitale, duke u dhënë qytetarëve qasje në informacione të personalizuara dhe të arritshme. Ata mund të sigurojnë shërbime që janë më efikase. Qytetarët mund të marrin informacion dhe shërbimet e sektorit publik pothuajse menjëherë. Bërja dixhitale e shërbimeve qeveritare rrit transparencën dhe aksesin.

Megjithatë, këto zhvillime ngrenë gjithashtu pyetje në lidhje me të drejtat themelore dhe përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale dhe E-Qeverisjes nga institucionet publike. Duke qenë se Inteligjenca Artificiale përdor të dhënat e qytetarëve, ngrihen pyetje mbi mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve./atsh/ KultPlus.com

Ku kemi lerë…

Në c’vend kemi lerë?
Ku na bëjnë nderë?
–Në Shqipëri.

Po njeriu vetë,
cil e do në jetë?
–Do vend’ e tij.

Ku i duket balta
m’ë e ëmbel se mjalta?
–Në vend të tij.

Ku munt te gezoje
dhe me nder te rroje?
–Ne Shqiperi.

Përse të punojë
dhe të lakëmojë?
–Për vend’ e tij./ KultPlus.com