I ra Ferrit majtas, djathtas, para, mbrapa, lart, poshtë, diagonalisht, kryqetërthor, rrethepërqark. S’la zgëq pa ja parë. S’la qosh pa ja ndjerë. S’la hile pa ja nxjerrë. S’la sekret pa ja zbuluar. S’la torturë pa ja vuajtur.
S’mbeti budalla pa e përgojuar.
S’mbeti analfabet pa i vënë në dukje gabime në stil dhe përmbajtje. S’mbeti mediokër pa e mësuar si duhej të shkruante perfeksionistin e tekstit. S’mbeti burokrat partie pa e kërcënuar për gabime ideologjike, pa i treguar hekurat, prangat, burgu
S’mbeti injorant pa e kritikuar. Atëhere për vigjilenca, ideologjira, të munguara. Sot për kodra mbas bregut.
S’ju tut aspak, as atyre, as këtyre, dhe askujt tjetër.
E çorrën, e ropën, e baltosën, e grisën, e kafshuan, turlilloj qensh e zagarësh. S’lëvizi nga llogorja.
Analfabetët që s’kishin lexuar asgjë iu vërsulën me kritika dhe këshilla nga më absurdet, nga më halucinantet. S’u tund nga istikami
Nga kooperativistat, traktoristat, proletarët, stakanovistat, fituesit e garave, mbajtësit e yllit, valavitësit e Flamurit, shtruesit e rrogozit, puthadorët, këpucëlëpirësit, ushtarët, detarët, marinarët, toksorët, ajrorët, të gjallët, të vdekurit, deri te akademikët e thekur, e qortuan pafundësisht për mungesë vigjilence, mos zbatim të Luftës së Klasave, ujë në mullirin e armikut etj. etj. etj. S’ja bëri tërr syri.
Rrenat dhe intrigat që ja thurën ziliqarët, s’patën të krahasuar me ato të Mesjetës. S’pordhi asnjërin. I bëri pluhur e hi të gjitha. Aleancën më të qelbët mes Sigurimistave dinakë dhe të vuajturve budallenj e mëshiroi dhe dënoi si e meritonte, me heshtje. E goditën me gjyle balte në mbledhje kolektivi. E ndotën mbi rrroba. I pastroi me një të shkundur.
J’u vërsulën me plumba dhe bomba nëpër plenume. Artileritë e tyre qesharake, mbi veprën kolosale, nuk bënë asnjë efekt. Talli dhe përbuzi artilierët e llumeve dhe plenumeve.
Në veprën oqeanike nuk ka absolutisht asgjë autoreferenciale. Shkroi milione e miliona fjalë. Dhe atë që llapaqenat e kanë të tretën fjalë -unë – nuk e shkrojti kurrë. Asnjëherë të vetme.
Ta shaje ishte meritë që duhej të kishe paturpësinë ta bëje. Ta lëvdoje ishte rrezik që duhej ta përballoje.
Edhe më të qelbtit, edhe më të neveritshmit, edhe më rrezikshmit, nuk gjetën dot kurrë diçka të besueshme, diçka faktike, diçka objektive, diçka bindëse, sado të vogël, sado të imët, sado të largët, për ta goditur.
S’ja ndërtojmë dot një kishë a një tempull të madh e të lartë sa e meriton, se e vjedhim pa e filluar.
S’ja ngremë dot një shtatore prej floriri, se floriri na duhet për unaza nëpër gishta dhe zinxhira nëpër qafa. Nga tërë kjo zhurmnajë pa pikë kuptimi, pa presje çlodhëse, pa pikpyetje frike, vetëm me pikçuditse të pafundme, iku të çlodhet pak./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Sipas një komunikate për media në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet në dialogun me Serbinë.
Presidenjta Osmani ritheksoi rëndësinë e largimit të masave për të krijuar një situatë e barabartë në tryezën e dialogut.
Tutje, Presidentja Osmani dhe ambasadori Hovenier diskutuan edhe për koordinimin e agjendës ndërkombëtare të Presidentes Osmani.
“Në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, Presidentja përcolli urimet më të mira për popullin amerikan, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e vazhdueshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara”. thuhet në njoftim.
Kryemnistri i vendit, Albin Kurti, e ka quajtur zbulim jashtëzakonisht të rëndësishëm gjetjen e Altarit romak vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Vuçakut, në Drenas.
Kryeministri Kurti ka thënë se Kalaja e Vuçakut ishte tipike për kohën e antikitetit të vonë dhe shërbente si sistem mbrojtës për popullatën vendase.
“Gjatë hulumtimit u gjet Altari romak i cili i takon gjysmës së parë të shek.III, pas Krishtit, i ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527-565 p. Kr).
Zbulimi formëson edhe më tej historinë, duke dëshmuar vazhdimësinë e jetës në trojet tona nga parahistoria, antika deri në mesjetë” ka shkruar Kryeministri Kurti në facebook.
Më tej ai ka falënderuar ekipin e ekspertëve, të përbërë nga arkeologët Shafi Gashi dhe Sali Islami dhe skicografin Arbnor Morina, për punën e tyre të kujdesshme dhe për këtë kontribut sipas tij të çmueshëm./ KultPlus.com
Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar dy ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 88-vjeçare.
“Këshilli i Ministrave vendosi 1. Shpalljen dite zie kombëtare te martën dhe të mërkurën, përkatësisht, ne datat 2 dhe 3 korrik 2024, në nderim të të ndjerit, Ismail Kadare, personalitet i shquar i letrave shqipe.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike te ulet flamuri kombëtar ne gjysmështize.
3. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore te organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tirane, ditën e mërkure, date 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri ne orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri ne orën 12:30.
4. Ne orën 13:00, date 3.7.2024, në nderim te tij të ndërpritet do veprimtari dhe të mbahet një minute heshtje.
5 Radiotelevizioni Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes se homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funerale.
6. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore ngrihet Komisioni i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, i cili në përbërje do të ketë:
Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Ministrin e Mbrojtjes;
Ministrin e Brendshëm;
Kryetarin e Bashkisë Tiranë;
Drejtorin e Protokollit të Shtetit;
Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë; Drejtorin e Drejtorisë se Shërbimeve Qeveritare; Përfaqësues nga Kabineti i
Kryeministrit; Përfaqësues nga zyra e Shtypit te Kryeministrit.
7. Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative te homazheve dhe te ceremonialit shtetëror.
8. Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë dhe botohet ne “Fletoren zyrtare”.
Pasi shkëlqeu në “Glastonbury” të premten, Dua Lipa ka vendosur të mbajë koncertin më të madh në karrierën e saj, në stadiumin Wembley vitin e ardhshëm.
Lajmi është publikuar nga Daily Mail që i referohet burimeve brenda industrisë së muzikës. Sipas medias britanike, 29-vjeçarja shqiptare do ta mbajë koncertin e saj më të madh në muajin qershor të vitit të ardhshëm në stadiumin ku luan ndeshjet kombëtarja angleze e futbollit. Të pranishëm pritet të jetën rreth 90 mijë persona.
Ndërkohë, sipas një burimi të The Sun, Dua Lipa është vendosur të ndjekë gjurmët e Madonna-s dhe së fundmi Taylor Swift duke mbajtur këtë koncert gjigant. “Turneu i saj i fundit ishte shumë i suksesshëm, por jo në ambiente kaq gjigante. Të mbash koncert në Wembley është e mahnitshme, veçanërisht kur ajo është vetëm në albumin e saj të tretë. Pas koncertit në stadium, Dua Lipa do të zhvillojë edhe një tur në të gjithë Amerikën”, ka thënë burimi për The Sun.
Ai ka shtuar duke thënë se ky do të jetë një moment tejet emocionues për yllin e popit, pasi do të shpalosë të gjithë punën që ajo ka bërë në Londër, aty ku u vendos pasi u largua nga Kosova në moshën 15-vjeçare.
Të hënën, më 1 korrik, u nda nga jeta intelektuali dhe krijuesi Ismail Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij shumë të nderuar e të dashur, shkrimtares Helena Kadare, bijave të tij Gresa dhe Besiana dhe të gjithë familjarëve të tjerë të familjes Kadare.
U shpreh ngushëllimet më të thella edhe miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të tij të shumtë.
Ismail Kadare dhe unë kemi pasur takime kur e kur edhe familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella.
Mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe meje në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin tim ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris.
Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare.
Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë.
Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë të botuar në Paris.
Por, mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për cështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi.
Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin.
Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore.
Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë.
E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë./ KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sërish i ka dedikuar një shkrim autorit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, Ismail Kadaresë.
Përmes një postimi në rrjetin “X”, Kurti ka thënë se shkrimtari Kadare në errësirën e diktaturës në Shqipëri ishte vezullimi i krijimtarisë, i njerëzimit dhe i gjeniut individual.
“Ai u detyrua, si shumica e bashkatdhetarëve të tij, të jetonte brenda kufizimeve më të ashpra politike dhe artistike; e megjithatë ai gjeti mënyra për të ndriçuar, për të pyetur dhe për të qeshur” ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu ka thënë se romanet e tij ishin të bazuara në kulturën dhe historinë shqiptare, por temat dhe zëri i tij ishin universale.
“Çmimi i tij Ndërkombëtar i Librit për Njeriun (i pari i dhënë ndonjëherë) dhe nominimet e përsëritura për Çmimin Nobel për Letërsinë pasqyrojnë staturën e tij globale: ai foli për njerëzit kudo, duke luftuar për të mbijetuar dhe për të gjetur një dritë të pastërtisë mes kompromiseve dhe kufizimeve të jetës”ka thënë ai .
Kryeministri Kurti po ashtu ka thënë se si i rritur në Kosovë nën diktaturën dhe represionin e Beogradit, dhe më pas si i burgosur politik, zërin e Kadaresë e ka dëgjuar si empati dhe si frymëzim./ KultPlus.com
In the darkness of dictatorship, Ismail Kadare was the gleam of creativity, of humanity and of individual genius. He was forced, like most of his compatriots, to live within the harshest political and artistic restrictions; and yet he found ways to illuminate, to question, and to… pic.twitter.com/cBR0MWyNgX
Pas vdekjes së babait, vajza e shkrimtarit Ismail Kadare, Besiana Kadare ka publikuar dhe rikthyer një poezi të autorit, të titulluar “Kohë e pamjaftueshme”.
Përveç poezisë të shoqëruar me një fotografi të shkrimtarit, Besiana Kadare ka shtuar edhe një figurë me zemër të thyer.
Autori i njohur, Ben Blushi, pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare ka thënë se dhuntia e tij për të përshkruar bukur edhe gjërat e shëmtuara e bëri atë të pazëvendësueshëm.
Blushi gjithashtu ka thënë së shkrimtari Kadare e futi kombin në borxh duke i dhënë më shumë shpresë dhe besim nga sa ai mund të treste, në kohën kur kombi nuk kishte pothuajse asgjë.
“Unë kurrë nuk do harroj sesi prisja me pasionin e një fëmije, të merrja librat e Ismail Kadaresë dhe që nga ajo ditë nuk kam mbajtur dhe ndoshta nuk do mbaj më kurrë rradhë për të blerë një libër. Të lexoje Ismail Kadarenë nuk ishte vetëm një kënaqësi por ishte një detyrim ndaj kohës. Duke lexuar Ismailin ishe, duke mos e lexuar nuk ishe.Kjo ishte çështja. Kjo ishte koha. Kjo ishte Shqipëria”, ka shkruar Blushi në facebook.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ben Blushit për Ismail Kadarenë:
Ismail Kadare kishte dhuntinë të përshkruante bukur edhe gjëra të shëmtuara dhe kjo e bëri atë të pazëvendësueshëm për të gjithë ne që kemi jetuar kohë shumë të shëmtuara.
Kur përpiqem ta krahasoj me diçka, mendoj se Ismail Kadare i ngjan një njeriu që jeton duke shpërndarë ëndrra.
Imagjinoni një vend të mbyllur, të lodhur, të izoluar, të rrënuar dhe pa shpresë, në të cilin një njeri shkruan gjatë gjithë ditës dhe natën, deri në mëngjes, hyn nëpër shtëpi dhe lë te koka e krevatit të secilit një ëndërr të shkruar.
Këto ishin librat e tij.
Kaq do mjaftonte që një shkrimtar të iki i qetë se e ka bërë punën e tij ndaj kombit në mënyrë të përkryer.
Ismail Kadare e futi kombin në borxh duke i dhënë më shumë shpresë dhe besim nga sa ai mund të treste, atëherë kur kombi nuk kishte pothuajse asgjë, kur nuk hante, nuk pinte, nuk besonte dhe nuk shihte dritë.
Librat e tij qëndronin mbi tavolinat bosh si uri, si etje, si ujë dhe si bukë.
Unë kurrë nuk do harroj sesi prisja me pasionin e një fëmije, të merrja librat e Ismail Kadaresë dhe që nga ajo ditë nuk kam mbajtur dhe ndoshta nuk do mbaj më kurrë rradhë për të blerë një libër.
Të lexoje Ismail Kadarenë nuk ishte vetëm një kënaqësi por ishte një detyrim ndaj kohës.
Duke lexuar Ismailin ishe, duke mos e lexuar nuk ishe.
Kjo ishte çështja. Kjo ishte koha. Kjo ishte Shqipëria.
Kur e kam njohur nga afër kam kuptuar edhe diçka që ngjyrat verbuese të letërsisë së tij nuk të lejojnë ta shohësh sa duhet. Ismail Kadare u mbrojt me vullnet, me kokëfortësi dhe me kurajo nga sëmundja e shkrimtarëve të mëdhenj : ai nuk u bë kurrë pesimist.
Ai besonte se bota do bëhej më e mirë, se njerëzit do bëheshin më paqësorë, se e ardhmja do ishte më e lumtur, se zilia do kishte fre dhe se e mira do ta mundte të keqen.
Ismail Kadare ishte një njeri që besonte se optimizmni është ilaçi i njerëzimit dhe jam i bindur se iku me këtë bindje.
Tani që ai nuk është më, mungesa e tij është më e madhe se ai vetë./ KultPlus.com
Ismail Kadare, romanet e të cilit i zbuluan botës shtypjen në Shqipëri, vdes në moshën 88-vjeçare.
Ismail Kadare, novelist e poeti shqiptar që futi vendin e vogël ballkanik në hartën e letërsisë botërore, ka vdekur sot në Tiranë në moshën-88 vjeçare.
Vdekja u konfirmua nga kreu i shtëpisë së tij botuese Onufri, Bujar Hudhri, i cili tha se ai pësoi arrest kardiak dhe vdiq në spitalin ku u dërgua në Tiranë.
Në karrierën e tij letrare prej më shumë se gjysmë shekulli, Kadare shkroi dhjetëra libra, koleksione poemash dhe tregime të shkurtra.
Ai u bë i famshëm me romanin e tij të parë në 1970, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i cili u përkthye fillimisht në Frëngjisht dhe kritikët e quajtën ‘kryevepër’.
Kadare ka qenë disa herë i nominuar për çmimin Nobel por pa arritur ta marrë atë, duke konkuruar me emra të letërsisë si Gabriel García Márquez e Philip Roth.
New York Times shkruan se Kadare është krahasuar shpesh me Kafka, Kundera e Orwell. Në tre dekadat e para të karrierës së tij ai jetoi e shkroi në Shqipëri, kur vendi ishte nën diktaturën e ashpër të liderit komunist Enver Hoxha.
Për t’i shpëtuar persekutimit në vendin me rreth 6,000 disidentë politikë të ekzekutuar dhe 160 000 të dërguar në kampe përqendrimi, Kadare duhet të bënte kujdes në madh në shkrimet e tij.
Ai shërbeu për 12 në kuvendin e Shqipërisë dhe ishte anëtar i sindikatës së shkrimtarëve. Romani i tij “Dimri i Madh” konsiderohet si një nga portretizimet më të favorshme të diktatorit Hoxha dhe më vonë Kadare ka thënë se e shkroi të ta zbutur atë që ta shihte më sy të mirë.
Ndërsa në romane të tjera si “Pallati i Ëndrrave” (1981), shkrimtari në mënyrë subversive sulmonte diktaturën me anë të alegorise, satirës, legjendës e mitologjisë.
Kadare “është një interpretues i madh i psikologjisë dhe fizionomisë së shtypjes shtetërore”, shkruante Richard Eder në rrjetin The New York Times në 2002.
Pas studimeve në universitetin e Tiranës, Kadare fitoi një bursë për në universitetin Gorky në Moskë, të cilin më vonë e përshkruante si “një fabrikë dogmash në shkollën e realizimit socialist”. Romani i tij Gjenerali i Ushtrisë së vdekur e bëri atë të njohur në botë dhe në vitin 1965, autoritetet ndaluan tregimin e tij të dytë “Përbindëshi,” menjëherë pas publikimit në një revistë.
Fama e papritur e Kadare tërhoqi vëmendjen e diktatorit dhe për të zbutur mbikëqyrjen e regjimit Kadare thotë se shkroi “Dimrin e madh” në 1977), ku lavdërohej ndarja e ‘guximshme e Hoxhës me Bashkimin Sovjetik në 1961.
Kadare thotë se kishte tre mundësi zgjedhjeje: “Të mbronte besimet e tij, që do të thoshte vdekje, heshtje totale, apo t’i bënte një homazh regjimit në formë rryshfeti për ta lënë të qetë”.
Për të mbrojtur punën e tij nga manipulimi i regjimit në rast vdekjeje, Kadare thuhet se ka nxjerrë fshehurazi jashtë Shqipërisë dorëshkrimet e tij, duke ia dërguar publikuesit francez Claude Durand, i cili ka udhëtuar disa herë në Tiranë. Duke shkruar për të në 1997 në artikujt e New York Review of Books, historiani i Oxford, Noel Malcolm, vlerësonte intensitetin e atmosferës së Kadare, por kritikonte refuzimin e kritikave.
Malcolm paralajmëronte Kadare se “autori proteston shumë dhe redaktimet e volumeve të tij vetëpromovuese, mund të dëmtojnë reputacionin e tij me kritikët”. Ai shtonte se punimet më të mira të Kadare ishin shkruar “në një tjetër kontekst, më njerëzor e më mitik nga çdo tip arti ideologjik”.
Ndërsa në një përgjigje të vrazhdë Kadare akuzonte Malcolm për ‘arrogancë kulturore’ ndaj autorit të një vendi të vogël. “të flasësh kështu me një shkrimtar të vendi të vogël është mentalitet kolonialist”, ishte përgjigjur Kadare në ‘New York Review of Books’.
Pas rënies së komunizmit Kadare vijoi të shkruante për terrorin komunist, duke i përshkruar shqiptarët që jetonin në Evropën e shekullit të 21, si të ndjekur nga makthet e gjakmarrjes , legjendat e mitologjia.
Opinionisti Charles McGrath shkruante në ‘The Times’ në 2010 se Kadare nuk shkruan dot “asgjë që të mos jetë interesante.”/New York Times/
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së anëtarit të jashtëm të saj, dhe shkrimtarit të shquar Ismail Kadare.
Në një komunikatë për media AShAK ka thënë se Ismail Kadare ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës”, thuhet në komunikatë.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për vdekjen e Kadaresë:
Ndërroi jetë shkrimtari Ismail Kadare, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11, në ambientet e Akademisë mbahet mbledhje komemorative në respekt të veprës së Kadaresë
Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës.
Përveç si shkrimtar, Ismail Kadare ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe. Lindi në Gjirokastër, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe letërsi botërore në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare. Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes. Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) solli te lexuesi ringjalljen e baladave të hershme shqiptare, ndërkaq “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste. Romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm. Romanet e Kadaresë me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”, ndërsa nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët. Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajton temën e konfliktit me kinezët. Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist. Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.
Ndërkaq, letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 1991 e zgjodhi Kadarenë anëtar të jashtëm të saj, për kontributin e çmuar në fushën e letërsisë.
Me këtë rast Akademia iu shpreh ngushëllime të thella familjes Kadare, shkrimtarëve, miqve të shumtë dhe institucioneve kulturore dhe shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11:00, mban mbledhje komemorative në nderim të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë./ KultPlus.com
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare.
AShSh përmes një komunikate për media ka thënë Ismail Kadare ishte një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij.
“Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë ikjen pa kthim të prijësit historik të letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash; anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi”, thuhet në komunikatë.
Më poshtë, KultPlus ju sjell shkrimin e plotë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dedikuar shkrimtarit të madh Ismail Kadare:
Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë ikjen pa kthim të prijësit historik të letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash; anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi; fituesit të çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë (“International Booker Man Prize”, “Prince of Asturias Award”, “Jerusalem Prize”, “Neustadt International Prize”, “Nonino”, “Park Kyong-ni”); personalitetit që u nderua mirënjohjet më prestigjioze në Shqipëri e jashtë vendit, në të gjitha kontinentet; shkrimtarit Ismail Kadare, mikut tonë të pazëvendësueshëm, akademikut që e mbushi me kuptim dhe e lartësoi këtë titull të lartë, me veprën e të cilit u rritën e u formuan dhjetëra breza në Shqipëri e kudo që flitet gjuha shqipe.
Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime e ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe.
Ismail Kadare është tashmë një figurë identiteti për popullin shqiptar, krahas figurave të tilla si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza. Largimi fizik i tij është pa dyshim humbja më e madhe e letërsisë shqipe; është një humbje e madhe e letërsisë europiane dhe të asaj botërore; humbje e rëndë për akademizmin shqiptar e europian. Ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për letërsinë shqipe dhe ekuilibret e saj, për gjuhën shqipe dhe folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore. Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.
Ismail Kadare është bërë pjesë e vetëdijes qytetare dhe morale të popullit shqiptar, program njohjeje për të huajt të botës së tij, përurues i vlerave më të larta krijuese të vendit të tij. Ai është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij i ka kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë, të letërsisë dhe gjuhës shqipe, të botës shqiptare, dhe është bërë pjesë cilësore në trashëgiminë e letërsisë botërore.
Për dekada me radhë vepra e Kadaresë ishte burim informacionin për Botën lidhur me realitetin shqiptar krejt të mbyllur. Sot kjo vepër shërben si një pasaportë identiteti dhe si një histori alternative e popullit shqiptar përgjatë shekujve dhe sidomos në kohërat e reja. Njohës dhe interpretues i miteve dhe kodeve tradicionale, njohës i vlerave europiane po aq sa dhe i kufizimeve në të kuptuarit e njeriut shqiptar, ai dekodifikoi dhe i shërbeu “lexuesit tjetër” nyjat më të ndërlikuara të së shkuarës dhe së sotmes së popullit të vet. Shkroi në kushtet e kufizimeve të rrepta ideologjike, u bë dritare për të parë dhe program për të lexuar Perëndimin dhe për t’u njohur prej tij; u dha liri njerëzve kur nuk kishte liri; i provoi të gjitha fazat e raporteve kritike me pushtetet, prej entuziazmit e besimit futurist tek dyshimi, prej dyshimit tek kontestimi, prej kontestimit në refuzim e prej refuzimit në disidencë letrare, duke shkruar letërsi normale në kushte historike jonormale.
Letërsia e I. Kadaresë e ka ndërkombëtarizuar kulturën shqiptare në shkallë europiane e botërore. Gjuhët me të cilat ka folur letërsia e tij janë mbi 50 dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500. Vepra e tij studiohet në universitete në kuadër të historisë së letërsisë europiane dhe të asaj botërore. Shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja, që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi. Sot vepra e Kadaresë përkthehet e studiohet edhe në ndonjë vend ku ka pasur kufizime.
Vepra e Kadaresë prej vitesh dhe në vazhdimësi nderohet me çmimet më të larta që jepen për merita letrare, duke u dalluar në rang botëror edhe kundrejt veprave të shkruara në kushte lirie. Ai e ka fituar “garën” me shkrimtarët homologë në Botë, me letërsinë e shkruar në demokraci. Për këtë vepër fjalën e fundit e kanë thënë dhe e thonë lexuesit e kësaj vepre, që gjenden tashmë në të gjitha kontinentet, duke u shtuar vazhdimisht bashkë me shtimin e gjuhëve të përkthimit. Vepra e Kadaresë renditet tashmë krahas kryeveprave të pavdekshme të letërsisë botërore, që nuk njohin epokë, por bëjnë epokë.
Ismail Kadare është dhe do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.
Letërsia e Kadaresë do të lexohet e vlerësohet në vazhdimësi, pasi mesazhet e veprës që ka krijuar, fuqia e fjalës dhe e mendimit të tij, e bëjnë këtë vepër gjithnjë të kohës dhe tërheqëse për lexuesit e saj.
Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Kadare ka qenë dhe do të mbetet emblemë e saj, krahas vendit që ai ka zënë me plot meritë në shumë akademi dhe universitete brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me titullin akademik “doctor honoris causa”.
Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta në këtë çast të rëndë familjes së shkrimtarit Ismail Kadare: Helenës dhe dy vajzave, Gresës e Besianës; lexuesve e studiuesve të panumërt të veprës së tij; bashkësisë akademike e botës universitare; përkthyesve e shqipëruesve kudo në Botë, miqve, admiruesve dhe simpatizantëve të veprës së tij.
Emri dhe vepra e Ismail Kadaresë do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë Botës.
Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka vdekur sot në moshën 88-vjeçare. Lajmi për vdekjen e tij u përcoll me reagime të shumta, ku krerët e shtetit e të gjithë dashamirësit e letërsisë shqipe e kujtuan novelistin si emblemë e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Një vit para shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kadare në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, kishte trajtuar disa çështje kyçe lidhur me statusin e Kosovës dhe situatën në Ballkan.
Ai ishte shprehur kundër ndarjes së Kosovës, duke e konsideruar atë një pazar të papastër që do të hapte konflikte të reja dhe të pambarueshme në Ballkan, me pasoja të rënda për popujt e rajonit dhe për Evropën.
“Kjo ndarje është një pazar jo i pastër dhe po them me përgjegjësi të plotë, kjo ndarje do të hapi radhën e një konflikti të ri të pambarueshëm në Ballkan. Do të hapi vatra sherresh, grindjesh të cilat do të kushtojnë jashtëzakonisht shtrenjtë popujve këtu dhe Evropës bashkë. Prandaj kjo nuk e zgjidhë, kjo nuk e mbyll, kjo hap një konflikt të ri të tmerrshëm”, kishte deklaruar Kadare më 2007.
Autori i shumë librave, kishte theksuar se liria e popullit të Kosovës është çështje themelore dhe nuk duhet të jetë objekt negociatash.
“Populli i Kosovës ka të drejtë të përgjigjet me të gjitha opsionet. Nuk bëhet lëshim kur është fjala për lirinë e një populli. Nuk ka negocim për këtë gjë. Ky popull ka të drejtë me të gjitha mënyrat të kërkoj lirinë e vet. Ta mbrojë deri në fund lirinë e vet”, ishte shprehur Kadare.
Kadare kishte kritikuar Evropën për përkëdheljen e Serbisë, duke theksuar se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera.
Ai gjithashtu kishte kritikuar Shqipërinë për qëndrimin e saj ndaj Kosovës duke theksuar se Shqipëria duhet të angazhohet më fuqimisht në mbrojtjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës.
Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në takim modelen e njohur shqiptare Emina Çunmulaj.
Jahjaga ka treguar se Çunmulaj ka ardhur në Kosovë me një mision specifik, që bashkë me Fondacionin Jahjaga të dhurojnë donacion për dy organizata që punojnë me të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë.
“Zemra e saj e madhe e shpirti i saj bujar nuk rresht së punuari kudo që është për gratë shqiptare. Ajo, përgjatë kësaj vizite është me mision specifik, ku së bashku me Fondacionin Jahjaga do dhurojmë donacion për dy organizata të cilat punojnë direkt me të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë. Kjo, vetëm dëshmi e përkushtimit të saj të palëkundur për të mbështetur dhe fuqizuar gratë që kanë përjetuar kaq shumë”, ka shkruar Jahjaga.
Tutje, ajo u shpreh falënderuese ndaj modeles që na kujton se dashuria dhe dhembshuria për gratë kudo në botë janë forca më e fuqishme që kemi./KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar 18 mijë e 285 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin.
Këtë vit, Provimin e Maturës e kanë kaluar 73.3 për qind e maturantëve, përcjell Klankosova.tv.
Arritshmëria mesatare në Gjuhë amtare është 58.8 për qind, në Gjuhë angleze 54.4 për qind në Matematikë 41.1 për qind dhe në Lëndën Zgjedhore 47.3 për qind.
Gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim nga disa nxënës dhe si pasojë e posedimit dhe përdorimit të telefonit janë përjashtuar 79 nxënës.
Afati i ankesave është deri më 05.07.2024 kurse rezultati i ankesave publikohet me 08.07.2024. Të gjithë kandidatët që nuk kanë arritur kriterin prej 40 për qind mund të hyjnë në afatin e gushtit i cili organizohet me 31.08.2024.
Nëpërmjet romaneve si “Prilli i thyer” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ai përdori metaforën dhe sarkazmën për të kronizuar fatin grotesk të vendit të tij dhe popullit të tij nën diktatorin komunist paranojak Enver Hoxha.
Pavarësisht se u cilësua si tradhtar nga udhëheqësit komunistë të Shqipërisë kur ai dezertoi në Francë në vitin 1990, Kadare u akuzua nga disa se gëzonte një pozicion të privilegjuar nën Hoxhën, i cili e shkëputi vendin ballkanik nga pjesa tjetër e botës.
Ishte një akuzë që ai e hodhi poshtë me ironi.
“Kundër kujt më mbronte Enver Hoxha? Kundër Enver Hoxhës?“, Kadare i tha AFP në 2016.
“Ferri i komunizmit, si çdo ferr tjetër, po mbytej në kuptimin më të keq,” i tha Kadare AFP në një nga intervistat e tij të fundit në tetor.
“Por letërsia e transformoi atë në një forcë jete, një forcë që të ndihmoi të mbijetosh dhe të mbash kokën lart dhe të fitosh mbi diktaturën. Kjo është arsyeja pse i jam shumë mirënjohës letërsisë, sepse më jep mundësinë të kapërcej të pamundurën”, tha shkrimtari, i cili edhe pse ishte dukshëm i dobët, ishte ende duke punuar.
Romancieri i njohur shqiptar Ismail Kadare ka vdekur në moshën 88-vjeçare, pasi u dërgua me urgjencë në një spital në Tiranë, tha të hënën redaktori i tij botues.
Kadare është përmendur prej kohësh si një pretendent i mundshëm për çmimin Nobel për Letërsinë.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën gjeniun e letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani (humbi) poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota (humbën) një nga përfaqësuesit më të njohur të letërsisë moderne”, tha presidenti shqiptar Bajram Begaj në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij.
Redaktori i Shtëpisë Botuese Onufri Bujar Hudhri tha se autori i njohur vdiq të hënën në mëngjes. Një infermiere në spital, e cila foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte e autorizuar të fliste me shtypin, tha se ai u dërgua në dhomën e urgjencës pasi pësoi një arrest kardiak.
Kadare u bë i njohur ndërkombëtarisht pas botimit të romanit të tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej ende nga qeveria komuniste e diktatorit të ndjerë Enver Hoxha.
Kadare u largua nga Shqipëria në Francë në vjeshtën e vitit 1990, vetëm pak muaj para rënies së regjimit komunist pas protestave studentore. Ai jetonte në Paris dhe pak kohë më parë ishte kthyer në Tiranë.
Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron i dha atij titullin Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar. Franca e kishte bërë më parë edhe bashkëpunëtor të huaj të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike, si dhe Komandant të Legjionit të Nderit.
Kadareja është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e tij, të cilat përfshinin më shumë se 80 romane, drama, skenarë, poezi, ese dhe përmbledhje tregimesh të përkthyera në 45 gjuhë./KultPlus.com
Booker Prizes është shprehur i pikëlluar për vdekjen e Ismail Kadaresë i cili e kishte fituar i pari çmimin International Booker Prize, që atëbotë njihej si International Man Booker Prize.
“Jemi thellësisht të pikëlluar që dëgjojmë për vdekjen e Ismail Kadaresë, i cili më 2005 u bë fituesi inaugurues i International Booker Prize për të gjithë korpusin e veprës së tij. Ai ishte dy herë në listë të gjatë pas kësaj, më 2017 dhe tek edhe këtë vit”, thuhet në komunikatën e Booker Prizes në Facebook.
“19 vjet më parë, juria e kishte përshkruar atë si ‘shkrimtar universal në traditën rrëfyese që shkon deri te Homeri’. Në pranimin e çmimit, Kadareja kishte thënë: Shpresa ime më e fortë është që opinioni evropian dhe ai botëror me këtë rast të kuptojë që ky rajon, në të cilin përket vendi im Shqipëria, mund të japë lajme të tjera llojeve, dhe të jetë shtëpi e llojeve të tjera të arritjeve në fushat e artit, letërsisë dhe civilizimit”.
Kadare kishte ngadhënjyer më 2005, duke u zgjedhur fitues i këtij çmimi para gjigantëve të tjerë të letërsisë botërore, Gabriel Garcia Marquez dhe Philip Roth./ KultPlus.com
Instituti Albanologjik i Prishtinës ka njoftuar se nesër do të mbajë mbledhje komemorative në nderim te jetës dhe veprës së shkrimtarit Ismail Kadare, shkruan KultPlus.
Më poshtë është njoftimi i plotë.
Të dashur miq dhe dashamirës të veprës letrare të Ismail Kadaresë, shkrimtarit pasaportë të letërsisë shqipe, i cili na la në mëngjesin e ditës së sotme
Instituti Albanologjik i Prishtinës gjatë ditës së nesërme, 02 korrik, ora 10:00, do të mbajë një mbledhje komemorative në nderim të krijimtarisë artistike të gjeneralit të letërsisë shqipe, shkrimtarit ikonik që i dha shenjë të përbotshme kulturës dhe artit të shkrimit të bukur shqip.
Iu ftojmë ta nderojmë jetën dhe veprën e njeriut që i dha shumë artit tonë!
Kukulla – leximi i marrëdhënies shumëdimensionale të autorit me origjinën dhe identitetin
‘Kukulla’, apo nëna, portreti i së cilës sjellë në vitet e fundit, fillimisht si kapitull brenda librit’ Mëngjeset në Kafe Rostand- motive të Parisit’ dhe më vonë si libër më vete, duket sikur të jetë jo thjesht imazhi femëror plotësues, por personazhi qendror i krejt veprës letrare të shkruar dhe publikuar deri më tash prej Kadaresë. Kjo kukull, sjellë nga studio e shkrimtarit në trashëgiminë letrare, duket sikur të jetë guri i munguar dhe i palexuar prej nesh, që mbart peshën e kumtit në qasjen për ta kuptuar lidhjen organike të asaj që krijon të tjerët, pasi lënda jote si qenie humane prej atributit të së quajtur i lindur, i sjellë në jetë, i takon vetëm asaj. Marrëdhënia me atë është organike përveçse shpirtërore. Ajo është e përzgjedhur nga natyra, nga ritmet e një ligjësie gati hyjnore, sepse nëse ka një person të vetëm në botë që ti nuk ke fuqi ta zgjedhësh është pikërisht ajo, nëna. Nëna mundet të përzgjedhë atin tënd, e këtu duket sikur ajo ta ketë një pushtet hyjnor, e në këtë rast vetëm ajo mund të jetë superiore. Asgjë tjetër nuk varet prej teje në këtë ngjarje. Aty në qendër të saj, ti je thjesht i krijuari, i linduri, dhe vetëm fryma organike është lidhja e vetme e pakontestueshme në ADN apo edhe kode të tjera qofshin këto të shpjegueshme apo mister. Kukulla e Kadaresë, Nëna, mbështillet me dritën e misterit. Qenia e mbushur me kujtesën e çasteve të përjetuara që në foshnjërinë e njeriut deri në rritjen dhe plakjen e tij përgjithmonë kthehen tek ajo, duke mbetur aty në të kuptuarin e asaj, në marrëdhënie të pafundme zhvillimesh. E ndriçuar me një shkëlqim të neontë, si prej gipsi, aq sa të jep përshtypjen se edhe vetë shndërrohet në kukull prej gipsi dhe prej letre njëkohësisht, ka fuqinë të jetë përgjithmonë aty, si tërësi në të cilën jeton e frymon jo vetëm ti, por krejt njerëzimi. Ajo është e përhershme, e përjetshme. Bijtë e saj janë përgjithmonë fëmijët e saj edhe kur ata vetë të jenë moshuar prej kohës dhe jetës. Në trurin e tyre ajo është jeta e tyre e përjetshme, në kuptimin e pranisë, nevojës së komunikimit, rritjes së dyanshme, e cila mbushet me moskuptim. Nëna, në romanin Kukulla, është personazhi më mbresëlënës në tërësinë e imazheve femërore në veprën e Ismail Kadaresë. Shkrimtari na drejton kah leximi i gjuhës së sistemit të shenjave dhe kodeve, për ta zbërthyer dhe kuptuar atë. Lidhja me atë është sa e veçantë, po aq edhe e mbushur me moskuptimin e saj të përhershëm, ku ka ndaluar procesi i zhvillimit. Ky proces i ndaluar na kthen tek një marrëdhënie përtej lidhjes organike nënë – bir, pasi na drejton ka kuptimi i lidhjes së përhershme me origjinën, ku vendoset qenia njerëzore, lindur me gjuhë, familje, komunitet, mjedis, kode, zakone, ngjarje, histori, zhvillim, kuptim dhe moskuptim të njëhershëm prej ngrehinës, me të cilën rrethohesh tërësisht, kur je i lidhur me rrënjët dhe themelet e asaj që mund të quhet ‘shtëpia jote’, jo në kuptimin e banesës, por në kuptimin e ngrehinës së identitetit tënd, që të kthen e të lidh me tërësinë e tij, atdheun tënd të përhershëm në të cilin ti je lindur, me të cilin marrëdhënia mbetet e dhe e fuqishme, e përhershme, e përjetshme. Kukulla, e cila vendoset në lëvizje, në tre mjedise të një kohë të pandërprerë, e mbështjellë me moskuptimin e saj, ndriçohet prej të gjitha anëve. Ajo është pikërisht ashtu si e sjell shkrimtari me pak fjalë; ‘kështu jam unë’. Ajo vendoset në qendër të dy burrave, bashkëshortit, atit të shkrimtarit, dhe birit shkrimtar, djalit të saj të përhershëm, dhe të dy këta njerëz janë jeta dhe kuptimi i saj. Ajo nuk ka kuptim jashtë tyre. Jashtë tyre ajo mund të jetë e zakonshme, brenda tyre ajo bëhet e jashtëzakonshme. Ajo bëhet e përjetshme tek biri i saj, të cilin e sheh vazhdimisht në rritje, në një zhvillim që tejkalon rritjen e ndërprerë të saj. Kjo rritje e ndërprerë e saj, sjellë prej shkrimtarit, na kthen tek kuptimi i mëmëdheut të shkrimtarit, tek Shqipëria, pasi është pikërisht ajo lidhja organike që vjen tek shenjat; nënë- dhe- kur ti i lindur prej saj, del në dritën e botës prej trupit të saj, nga errësira në dritë. Fjalët e gjuhës shqipe, mëmë-dhe, nënë-dhe, të cilat gjuhët e ndryshme i kanë në forma të ndryshme, për të krijuar lidhjen e njeriut me atdheun, na drejton kah leximi i marrëdhënies të shkrimtarit me Shqipërinë. Kukulla shndërrohet në atdheun e shkrimtarit. Kukulla e Ismail Kadaresë, është Shqipëria e tij, dashuria pa kushte, Shqipëria e përjetshme, e cila është baza dhe boshti, shtrati dhe kuptimi i krejt veprës letrare të shkrimtarit. Kjo Shqipëri, tek Kukulla e Ismail Kadaresë, në romanin e tij të fundit, mbetet e jashtëzakonshme në letërsinë e tij. Përmes saj shkrimtari i drejton mesazhe universale njerëzimit. Kadare i cili kalon me mjeshtri dhe origjinalitet nga bota e miteve, legjendave dhe përrallave, në botën reale të mendimeve, që përbëjnë edhe boshtin filozofik të veprës letrare të tij, na kthen kah fati i Shqipërisë, kah zhvillimi i saj i ndërprerë në për më tepër se pesë shekuj të perandorisë otomane e cila ishte ora e zezë jo vetëm e Shqipërisë por edhe e Ballkanit dhe Evropës lindore në përgjithësi. Por në këtë çështje shkrimtari hedh dritë mbi atë që i takon identitetit dhe mëmëdheut- apo atdheut të tij. Kjo dritë e domosdoshme për artikulimin e të vërtetës historike të shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë, është sa e domosdoshme po aq edhe e dhimbshme, pasi na rrëfen ato të vërteta, që ende edhe sot mbahen të mbyllura në arkivat e historisë së një kombi i cili vazhdimisht është përballur me rrezikun e shuarjes dhe rënies në errësirë edhe pas largimit të shkaktarëve të dramave dhe tragjedive të tij. Elementet që Kadare ka sjellë konfliktet e kësaj natyre, duke krijuar gjuhën e sistemit të shenjave, veçanërisht tek Ura me tri harqe, Tri këngë zie për Kosovën, Dosja H, dhe Sjellësi i fatkeqësive. Tek Ura me tri harqe, në njërin plan na shfaqet shenja e ‘murgut’, dhe në planin tjetër na shfaqet shenja e femrës së murosur, e presë së atdheut mbi atë Urën ku do të kalonte jo vetëm pushtimi i Shqipërisë por deformimi dhe ndërprerja e rritjes dhe zhvillimit të saj për qindra vjet. Ura dhe Kukulla janë gjuha e sistemit të shenjave në tërësinë e letërsisë së këtij shkrimtari, i cili e kthen Shqipërinë në vëmendjen e botës, në shekullin e XX. Letërsia kur i kapërcen kufijtë rajonalë, i takon të gjitha vendeve, e për këtë arsye veprat letrare serioze, mbeten një pasuri e paçmuar në kulturën e botës . Koha ka provuar që letërsia serioze, ka ardhur nga periudhat më të vështira të shoqërive dhe kombeve, pikërisht kur këto kanë qenë të tronditura, në momente të cilat historia e njerëzimit na i ka dëshmuar. Kadare shkruan identitetin tipik shqiptar, e, ky identitet është autobiografia letrare e Shqipërisë në veprën letrare të Kadaresë. Ashtu si mendon Borges, ‘secili prej nesh është një kopje kohore dhe e vdekshme e arketipit njerëzor. Koha është shëmbëlltyra e përjetësisë. Përjetësia është bota e arketipave.’ Shqipëria në veprën letrare të Kadaresë mbartet prej shkrimtarit me përjetësimin e saj. Në botën e arketipave, ajo mbetet atje e përjetshme. Individi me botën e tij ende të pashtershme është njëkohësisht universi dhe kozmosi i pafundmë të cilin mund ta kuptojmë duke e zbuluar përmes dritës shumëdimensionale. Në këtë mënyrë individët, popujt dhe njerëzimi mund të shpëtohen vetëm prej ndriçimit të qenies së tyre, e cila është lëndë e pasosur, shpirtërore, psikike dhe fizike./ KultPlus.com
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një publikimi në rrjetet sociale u shpreh thellësisht e pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, për të cilin ambasada shkruan se, letërsia e tij frymëzon lexues në mbarë botën.
Ambasada e SHBA kujtoi se në vitin 2020 nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë.
“Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjenisë të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar”, shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të ambasadës së SHBA.
Në 2020, juria e Çmimit Ndërkombëtar Neustadt lexoi “Prillin e Thyer” si tekstin përfaqësues të veprës së Kadaresë.
Në motivacionin e Çmimin Ndërkombëtar Neustadt, shkruhej: “Kadare është pasardhësi i Franz Kafkës. Askush që nga Kafka nuk është thelluar në mekanizmin skëterrë të pushtetit totalitar dhe ndikimin e tij në shpirtin njerëzor në aq thellësi hipnotike sa Kadareja. Pasi jetoi në një gjendje të tillë mbikëqyrjeje për dekadat e para të jetës së tij, shkrimi ishte e vetmja formë rezistence e disponueshme për të, sepse ishte e vetmja formë e të treguarit të së vërtetës që mund të mbijetonte, edhe pse jo gjithmonë në shtyp”./atsh/KultPlus.com
Mediat botërore i kushtojnë vëmendje ndarjes nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.
Në Francë, aty ku dhe zhvendosi krijimtarinë e tij pas largimit nga Shqipëria mediat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë.
Media e madhe franceze, France24 shkruan se “Tregimi i tij i sofistikuar – shpesh i krahasuar me atë të George Orwell ose Franz Kafka, kishte në brendësi metaforë dhe ironi për të zbuluar natyrën e tiranisë nën sundimin e Hoxhës, i cili udhehoqi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985.
Media e njohur Le Monde shkruan për ndarjen nga jeta të Kadare dhe bën begraundin historik të jetës së shkrimtarit më të njohur shqiptar në botë. “Ai shpesh u këshillua të fitonte një çmim Nobel për punën e tij të madhe, e cila u gërmua në mitet dhe historinë e vendit të tij për të zbërthyer mekanizmat e totalitarizmit”, shkruan Le Monde.
Radio France international shkruan se Kadare përdori penën e tij si një armë vjedhurazi për t’i mbijetuar diktatorit komunist paranojak të Shqipërisë Enver Hoxha.
“Shkrimtari shqiptar thyen radhët me komunistët e izoluar të Shqipërisë dhe iku në Paris disa muaj përpara se qeveria të rrëzohej në fillim të viteve 1990”, thuhet në artikullin e Radio France International.
“Shuhet romancieri dhe Kolosi i letërsisë shqiptare”. Kështu shkruan media prestigjoze “Associated Press”, që i kushton një artikull shkrimtarit shqiptar, i cili u bë i njohur falë veprave të tij.
Por të shumtë kanë qenë dhe mediat e tjera të medha që kanë shkruar për vdekjen e shkrimtarit shqiptar, nga The Guardian, te Ansa dhe media greke Protothema.
Tregimet e tij alegorike, nën komunizm, tërhoqën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbënguli se nuk ishte një shkrimtar politik, kështu shkruan media prestigjoze britanike “The Guardian”.
“Kohët e errëta sjellin surpriza të pakëndshme, por të bukura. Letërsia ka prodhuar shpesh vepra madhështore në epoka të errëta, sikur të kërkonte të korrigjonte fatkeqësinë që u është shkaktuar njerëzve”, kështu ka deklaruar disa kohë më parë Kadare në një intervistë për AFP, e cila rikthehet për publikun pas vdekjes se shkrimitarit.
Vemendje për jetën dhe veprën e tij i kanë kushtuar edhe media italiane ANSA dhe ajo greke Protothema./tvklan/KultPlus.com
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, delegacioni i BE ngushëlloi të dashurit e tij dhe të gjithë ata që admiruan gjenialitetin e Kadaresë.
“Zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë, bëri jehonë në të gjithë Evropën dhe më gjerë, duke shfaqur kulturën e pasur dhe të larmishme shqiptare në mbarë botën. Proza e tij e mprehtë, depërtuese dhe gjithsesi mirëdashëse pasqyronte kompleksitetin e historisë dhe folklorit të Shqipërisë”, shkruhet në mesazhin e BE, ku në fund theksohet se, trashëgimia e Kadaresë do të jetojë gjatë.
Ismail Kadare, gjeniu i letërsise shqipe dhe zë i dashur i Shqipërisë, u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare./KultPlus.com
E përditshmja prestigjoze italiane, La Repubblica, i ka kushtuar një artikull në faqe të parë lajmit të vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, të cilin e cilësojnë si një nga njerëzit më influencë të Europës së shekullit të 20.
Shkrimi i plotë i La Repubblica
Shkrimtari Ismail Kadare, ishte autor i një vepre monumentale nën tiraninë komuniste të Enver Hoxhës dhe i konsideruar si autori më i madh shqiptar i shekullit të njëzetë dhe fillimit të mijëvjeçarit të tretë, i aftë për të shtjelluar në veprat e tij historinë dhe mitet e vendit të tij në rrëfime me shtrirje universale. Burime nga spitali i Tiranës, të konfirmuara nga botuesi i tij, bëjnë të ditur se Kadare ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak. Ai ishte 88 vjeç.
Shkrimtar, poet, eseist dhe skenarist, gjatë regjimit komunist ka qenë deputet i Kuvendit Popullor për 12 vjet (nga viti 1970 deri në 1982) dhe nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Filloi duke shkruar poezi, por ishte botimi i romanit të tij të parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, që e bëri atë figurën dominuese letrare në Shqipëri dhe i dha famë ndërkombëtare. Romani, në të cilin ai tregonte historinë e ndërmarrjes së një gjenerali italian dhe një prifti që donin të kërkonin dhe të sjellin në atdheun e tyre trupat e italianëve të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kadare përdorte çdo mundësi për të goditur regjimin në veprat e tij, me anë të alegorive politike. Aq sa disa romane të tij, si “Koncerti në fund të dimrit”, “Përbindëshi” apo “Pallati i ëndrrave”, janë ndaluar nga shteti komunist.
Kadare ka lindur në Gjirokastër dhe është diplomuar për histori dhe filologji në Universitetin e Tiranës. Ai studioi letërsi për dy vjet në Institutin Gorki në Moskë, por u detyrua të braktisë studimet në Rusi për shkak të marrëdhënieve të komplikuara diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Pas kthimit në vendlindje, ai filloi karrierën e tij si gazetar në një revistë të njohur në vend si Drita; në pak kohë ai u bë i njohur dhe kaloi në drejtimin e revistës Les lettres albanaises.
Në vitin 1990, pasi shprehu publikisht kundërshtimin e tij ndaj udhëheqjes komuniste shqiptare, ai kërkoi azil politik në Francë. Me rënien e regjimit, ai u kthye në atdhe në vitin 1992, duke e ndarë kohën e tij mes Shqipërisë dhe Francës që atëherë. Në vitin 2005 është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar Booker, në vitin 2018 me çmimin Nonino, ndërsa në vitin 2009 ka fituar çmimin Princi i Asturias. Ka qenë disa herë ndër favoritët për çmimin Nobel për Letërsinë, pa e siguruar asnjëherë çmimin. La nave di Teseo, ku vepra e tij është duke u riedaktuar, ka botuar Kukullën (2017) dhe Provokimin (2018), Prillin e thyer (2019), Kronikë në Gurtë, Mëngjeset në Café Rostand (2021) etj etj.