Më 24 maj 1543 u nda nga jeta Nikolla Koperniku, një nga astronomët më të shquar evropianë

Nikolaus Kopernikus (Koperniku), polonisht: Mikołaj Kopernik (lindi me 19 shkurt 1473 ne Thorn (sqt.: Torn) Poloni dhe vdiq me 24 maj 1543 në Frauenburg) u bë njëri nga astronomët më të shquar evropianë me teorinë e tij të lëvizjës së planetëve nëpër orbita rreth diellit. Me zbulimet e tij ai krijoi një botëkuptim të ri pas mesjetar. Përveç kësaj ai ishte astrolog, astronom, jurist, fizikant, diplomat, ekonomist matematikan, mjek, qeveritar dhe ushtarak.

Kombësia e Kopernikut që nga shekulli i 19 u bë shkak për shumë kundërshtime të ashpra. Një gje por është e qartë se ai ishte ose polak, ose gjerman. Kjo gjë pasqyrohet në emrin e tij. Në gjermanisht ai quhet përgjithsisht Nikolaus Kopernikus, për shkak të versionit të latinizuar Copernicus nga mbiemri Koppernigk. Polonisht ai quhet Mikołaj Kopernik. Koperniku ishte biri i një gruaje gjermane, kombësia e të atit është e paqartë. Qyteti i tij i lindjes Torn pak kohë pas lindjes së tij kaloi nën sundimin e mbretit polak, kështu që ai formalisht njihet si polak.

Jeta

Koperniku, biri i një tregtari, lindi më 1473 në Poloni në qytetin Torni. Në Krakov dhe shumë universitete ai studioi matematikën, astronominë, teologjinë, drejtësinë dhe mjekësinë. Që nga viti 1512 derisa vdiq, më 1543, jetoi në Frauenburg, një qytet i vogëlth në Prusinë Lindore, ku u emërua kanonik në katedrale. Koperniku në fakt është specialist i së drejtës kanunore, disiplinë në të cilën arriti gradën doktor. Puna si kanonik në katedrale i plotësonte nevojat ekonomike, kështu që mund t’u kushtohej hulumtimeve shkencore të trupave qiellorë. Astronomia ishte disiplina e preferuar e tij. Pozicioni gjeografik i Frauenburgut, që ndodhej në bregdet, e favorizonte punën ajgëtuese të tij. Kopereniku e vendosi observatorin dhe vendbanimin në një nga kullat mbrojtëse të bregut. Instrumentat e tij ishin shumë të thjeshtë, por më i madhi i vazhduesve të veprës së tij, Tiho Brahe, ishte më i lumturi i njerëzve kur i ofruan një të tillë.

Koperniku ishte më shumë teoricien se vrojtues. Ndihmesa e tij në astronomi, që është një ndihmesë mjaft e madhe, qëndron në një teori:në kundërshtim me idetë e pranuara deri atëherë, nuk është kupa qiellore që bën një rrotullim të përditshëm përreth tokës, por është toka që rrotullohet rreth boshtit të saj imagjinar, dhe përshkon në të njëjtën kohë një rrotullim rreth diellit. Koperniku arriti në këtë përfundim pasi studioi astronomët grekë e arabë, por edhe nga vrojtimet vetjake. Toka nuk është qendra e universit, por një nga planetet që rrotullohen rreth diellit. Kjo frazë e thjeshtë e thjeshtë është parimi themelor i “pikëpamjes kopernikiane për një nga miliona trupat e tjerë qiellorë. Koperniku në përfundimet e tij arriti pas shumë fakteve shkencore, por do të duhej të vinte gjysma e shekullit XIX për ta provuar atë përfundimisht.

Sot ende, anipse Koperniku vërtetoi që kjo nuk ishte e vërtetë, ne themi “ngritja”, apo “ulja” e diellit në fillim dhe në fund të ditës.

Zigmund Frojd, në një nga veprat e tij, thotë se gjatë rrjedhës së kohëve, shkenca i ka dhënë dy goditje krusmuese mendimit naiv që njeriu kishte për vlerat e tij: herën e parë, kur Koperniku nuk e pranoi tokën si qendrën e universit dhe e dyta kur Darvini provoi t’i heqë njeriut pozicionin e privilegjuar që besonte se zinte përballë botës së kafshëve. Përpara Kopernikut mendohej se dielli dhe yjet iahin krijuar në funksion të tokës dhe toka në funksion të njeriut. Kur ai shpalli se universi nuk rrotullohej rreth planetit tonë, vetëdija njerëzore pësoi një trandje shungulluese. Koperniku pati një ndikim aq revolucionar në botëkuptimin që njerëzit kishin për botën, sa vetëm bashkëkohësi i tij, Kristofor Kolombi, mund të mendohej se kishte arritur një lavdi të atillë. /KultPlus.com

83 vjet nga lindja e kantautorit Bob Dylan

Kantautori amerikan Bob Dylan, fitues i shumë çmimeve të rëndësishme, feston sot ditëlindjen e 83, shkruan KultPlus.

Dylan është autor i shumë albumeve muzikore me këngë që i dhanë famë në mbarë botën. Këngët e tij të famshme janë “Blowin’ in the Wind”, “Like a Rolling Stone” dhe “Hurricane”. Për mëse 5 dekada, ai dha shumë koncerte dhe arriti të jetë fitues i Çmimit Nobel për letërsi, për vitin 2016 me tekstet e tij poetike.

Bob Dylan është një nga muzikantët më të famshëm në botë në vitet 60. Deri më sot ai ka fituar 11 Grammy Awards, dhe është futur në Grammy Hall of Fame dhe Rock and Roll Hall of Fame. / KultPlus.com

“Super Deporte”: Shqipëria – destinacioni turistik më tërheqës dhe më i përballueshëm në 2024-n

Vera është sinonim i pushimeve, diellit, plazhit dhe aventurave të paharrueshme, shkruan Rosa Campos në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “Super Deporte”.

Çdo vit, turistët kërkojnë destinacione të reja dhe emocionuese për të eksploruar, dhe së fundmi Shqipëria është pozicionuar si një nga vendet më tërheqëse dhe më të përballueshme për t’u vizituar.

E vendosur në juglindje të Evropës, Shqipëria ofron një ndërthurje të parezistueshme të historisë, kulturës, peizazheve mahnitëse dhe, mbi të gjitha çmime të përballueshme për të gjithë vizitorët.

Ky vend ballkanik po kthehet shpejt në një parajsë për turistët që kërkojnë të kënaqen pa shpenzuar shumë (birra vendase kushton vetëm 1 euro dhe ushqimet janë shume të lira).

Një destinacion i panjohur por magjepsës
Deri vonë, Shqipëria ishte një nga sekretet më të ruajtura të Evropës.

I izoluar për disa dekada për shkak të regjimit komunist, vendi mesdhetar është shfaqur vitet e fundit si një destinacion turistik i gjallë dhe i arritshëm.

Bregdeti i Shqipërisë, i lagur nga detet Adriatik dhe Jon, ka plazhe që konkurrojnë për nga bukuria me ato të Greqisë dhe Italisë, por pa turma vizitorësh dhe me çmime të përballushme.

Historia dhe kultura
Shqipëria ka një histori të pasur që daton mijëra vjet më parë, me ndikime nga qytetërimet ilire, greke, romake dhe osmane.

Qytete si Butrinti, një vend arkeologjik i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, u ofrojnë vizitorëve mundësinë të zhyten në të kaluarën e lashtë të vendit.

Kryeqyteti, Tirana, është një pasqyrim magjepsës i rilindjes së Shqipërisë, me pamjen e saj të gjallë të artit, ndërtesat shumëngjyrëshe dhe jetën e gjallë të natës.

Natyra dhe aventurat
Për adhuruesit e natyrës, Shqipëria është një parajsë e vërtetë.

Nga malet e Alpeve Shqiptare deri te liqeni piktoresk i Ohrit, vendi ofron një shumëllojshmëri peizazhesh mahnitëse dhe mundësi për aventura në natyrë.

Ecje, çiklizëm, rafting dhe kajak janë vetëm disa nga aktivitetet që mund të shijoni në këtë mjedis natyror të pazakontë.

Kostot e udhëtimit: birra dhe ushqimi me çmime të pakrahasueshme
Një nga elementët më të rëndësishëm të Shqipërisë është përballueshmëria e saj.

Për turistët me buxhet të limituar, gjetja e një destinacioni ku mund të shijohet ushqimi dhe pijet e mira me çmime të ulëta është një ëndërr e realizuar.

Birra vendase 1 euro
Në Shqipëri, një birrë vendase mund të kushtojë 1 euro, një çmim praktikisht i paimagjinueshëm në destinacionet e tjera turistike evropiane.

Markat si “Birra Tirana” dhe “Birra Korça” janë të njohura si për vendasit ashtu edhe për vizitorët e huaj.

Këto birra jo vetëm që janë të lira, por janë edhe të cilësisë së shkëlqyer, duke i bërë ato pijet perfekte për t’u freskuar pas një dite eksplorimi.

Ushqim i shijshëm dhe i përballueshëm

Gastronomia shqiptare është një tjetër atraksion i rëndësishëm në vend. I ndikuar nga kuzhina mesdhetare dhe ballkanike, ushqimi në Shqipëri është i larmishëm dhe i shijshëm.

Gatimet tradicionale si byreku dhe tava e kosit janë të domosdoshme për t’u provuar.

Dhe mbi të gjitha, ushqimi në Shqipëri është jashtëzakonisht i përballueshëm.

Një drekë e plotë në një restorant lokal mund të kushtojë më pak se 5 euro, duke i lejuar turistët të shijojnë kuzhinën vendase pa u shqetësuar për çmimin.

Destinacionet kryesore turistike në Shqipëri

Tirana
Kryeqyteti i Shqipërisë është një ndërthurje dinamike e të lashtës me modernen. Tirana është e njohur për arkitekturën e saj plot ngjyra, jetën e gjallë të natës dhe pamjet e artit në zhvillim.

Vende të tilla si Sheshi Skënderbej, Muzeu Historik Kombëtar dhe Piramida e Tiranës janë atraksionet kryesore që duhen vizituar për të kuptuar historinë dhe kulturën e vendit.

Berati
I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati është një nga qytetet më të vjetra dhe piktoreske në Shqipëri.

Qyteti i vjetër i ruajtur mirë, me shtëpitë e tij osmane dhe kështjellën mesjetare, ofron një pasqyrë unike në të kaluarën historike të vendit.

Është një vend i përsosur për adhuruesit e historisë dhe arkitekturës.

Saranda
E vendosur në Rivierën Shqiptare, Saranda është destinacioni kryesor i plazhit në Shqipëri.

Ujërat e saj të pastra kristal dhe plazhet me rërë të bardhë janë ideale për t’u çlodhur dhe për të shijuar diellin.

Përveç kësaj, Saranda është porta hyrëse për në Butrint, një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në vend.

Gjirokastra
Një tjetër perlë e trashëgimisë shqiptare, Gjirokastra është e njohur për arkitekturën e saj osmane dhe kështjellën mbresëlënëse.

Qyteti, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është një labirint rrugësh me kalldrëm dhe shtëpi prej guri, secila me historinë e vet për të treguar.

Elbasani
Edhe pse më pak i njohur, Elbasani është një destinacion magjepsës me një ndërthurje të historisë osmane dhe komuniste.

Kalaja e saj, xhamitë dhe rruga kryesore e gjallë ofrojnë një përvojë autentike, më pak turistike të vendit.

Mikpritja shqiptare
Një nga aspektet më të paharrueshme të vizitës në Shqipëri është mikpritja e njerëzve të saj.

Shqiptarët shquhen për miqësinë dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar vizitorët.

Është e zakonshme që turistët të ftohen në shtëpitë lokale për të ndarë një vakt ose kafe, duke ofruar një mundësi unike për të përjetuar kulturën shqiptare nga afër.

Loja e Philipp Scheucher & Kostantin Manaev sjell art të veçantë në skenën e ‘Chopin Piano Fest’

Vjollca Duraku

Një lojë fantastike me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë u dha në koncertin e gjashtë me radhë të Festivalit më të madh të Muzikës Klasike në vend, “Chopin Piano Fest Prishtina”, nga Philip Scheucher- Pianist dhe Konstantin Manaev- Violincelist, shkruan KultPlus.

Si zakonisht koncerti u zhvillua në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Edhe këtë herë salla u mbush me plot dashamirë të muzikës klasike për të përcjellë nga afër koncertin duo të dyshes fantastike në përbërje me piansitin austriak Philipp Scheucher, i cili është fitues i çmimit të “Konkursit Nërkombëtar të Muzikës në Koln”  dhe “ fitues i çmimit të dytë të Konkursit Ndërkombëtar Beethoven në Vjenë, si dhe Konstantin Manaev- violonçelist gjerman i cili është i nominuar për çmimin “Ndërkombëtar të Muzikës Klasike”.

Një kombinim perfekt si ky i koncertit “ Break on Throught” publikut i la një shije dhe të paharrueshme. Ishin   lëvizjet strikte të pianistit Scheucher ato që e dëshmonin përvojën dhe talentin e tij për instrumentin që i kishte kushtuar jetën, përderisa interpretimi duke e rrëshqitur dorën poshtë telave të cellos ia që shpërfaqte pasionin e violonçelistit.

Harmonia e tingujve të pianos dhe cellos të emetuar aq bukur në sallë njëkohësisht, por më tepër edhe jehona e tyre e cila qetësisht perceptohej nga shqisat e dëgjuesve, në momentet kur ndalej interpretimi, mundësoi që ky koncert të mbahet në mend gjatë për nga vlera e lartë artistike.

Koncerti i titulluar “Break on Through” solli veprat: Sonata in e Minor, op 38, nga B. Romberg, 7 Variations “Bei Mannern, welche Liebe fuhlen” dhe Sonata in D-dur, op. 102 nr. 2 nga L.V.Bethoven, Break on through nga J. Doderer, dhe Sonata in d-mol,op 40 nga D. Shostakovich.

Përveç reagimeve të publikut, vlerësimin për këtë koncert fantastik e dha edhe profesoresha dhe organizatorja e Festivalit, Lejla Plua, duke e quajtur koncertin si një mbrëmje të veçantë artistike.

“Vërtetë ishte një festë muzikore me dy artistë të jashtëzakonshëm, me dy artistë që frymojnë së bashku. Sonte kanë sjellë një magji të plotë në koncertimin e përbashkët me vepra të interpretuara rrallë dhe jashtëzakonisht vështirë për tu interpretuar me kërkesa stilistike, teknike, muzikore, artistike. Vërtetë ishte një performancë që rrallë dëgjohet në Prishtinë, të cilën me kaq përkushtim dhe kaq dedikim e kanë sjellë dy mysafirët tanë Konstantin Manaev dhe Philipp Scheucher  të cilët bashkëpunojnë me vite, e nga kjo edhe e kanë sjellë një art të veçantë sonte në skenën tonë”,  u shpreh organizatorja Lejla Pula për KultPlus.

Kurse solistin Konstantin Manaev e kishte impresionuar pjesëmarrja e të rinjëve në koncert, për dallim nga vendet tjera të Evropës, ku pjesëmarrësit janë të moshës më madhore.

“Mendoj që Festivali “Chopin Piano Fest” është koncerti më i famshëm dhe më i madh jo vetëm për piano por edhe për muzikën klasike në përgjithësi. Këtu patëm mundësi ekskluzive që të interpretojmë pjesë të mrekullueshme sonte, duke përfshirë edhe pjesë nga kompozitorja austriake Johanna Doderer. Ishte një organizim dhe audiencë fantastike. Kishte shumë njerëz të rinj. Në Evropë dhe Gjermani është e vështirë të ketë audiencë kaq të re, sepse atje janë 80 % të moshuar. Këtu sheh fytyra shumë të reja që të jep një ndjenjë shumë të mahnitshme, sepse marr shumë energji të mirë dhe kjo më ndihmon të performoj”, ka thënë Manaev.

Kurse për Pianistin Scheucher mbrëmja me një audiecë të madhe në numër ishte vërtetë fantastike.

“Mahnitëse! Gjithçka është shumë mirëpritëse, audienca është perfekte, salla ishte shumë akustike, vendi dhe ushqimi gjithashtu fantastik. Është hera e dytë që po vij këtu dhe duket sikur është hera e njëmijtë. Është një vend i mirë për ta vizituar”, ka thënë ai.

Po ashtu, pianisti të mrekullueshëm e quajti edhe bashkëpunimin me kolegun e tij Konstantin Manaev, të cilët si risi të mbrëmjes sollën veprën “Break and throught” nga kompozitorja austriake Johanna Doderer.

“Unë e kam takuar Konstantinin para disa vitesh nëpërmjet një projekti ndërkombëtar të muzikës elektronike i quajtur “Symphoniacs” nga ku menjëherë krijuam rrjedhën bashkëpunuese. Ne ndjekim rrugë të ndryshme në muzikën klasike, por mendoj që këtu është vendi për të provuar gjëra të reja me koncertin “Break and throught” që është edhe vepër nga kompozitorja austriake Johanna Doderer. Kjo ishte pika më e rëndësishme ku ne e fokusuam programin tonë për të filluar koncertin dhe pastaj normalisht duke e kombinuar me disa pjesë klasike me me Bethovenin, pastaj padyshim duke vazhduar me sonatat e të mrekullueshmit Shostakovich”, është shprehur ai krejt në fund.

Koncerti i radhës Piano& Orchestra i “Chopin Piano Fest”  do të mbahet më 25 maj, në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, në ora 20:00/ KultPlus.com

Baresha

Vargje të shkëputura nga poezia “Baresha”, e gjetur dorëshkrim në një fletore të dramaturgut, shkrimtarit Hasan Dajaku.

Randë asht më mbajtë
peshën e zemrës së
thyeme, 

Pesha e tokës besoj asht
ma e lehtë,
Shpirti randohet tepër,
lajthit… dëshiron t’mos jetë!
Kështu mendon e rënduar
n’kujtime Syzana
Bareshë!… 

Të bukura kanë qenë ato
mote t’kaluara, t’fëminisë,
Me andrra e thura t’ardhmen e lumnueshme,
Jetën e qendisa me plot
lule, si këto tash n’këtë rizë,
Vallë, ç’të baj kur jeta s’mi
fali, ishin të andrrueshme. 

Qyqja këndon mbi shkamb,
Baresha vrahet n’kujtime….
Lulet e bardha t’pranverës
sime… 

Jeta vijë e gjatë me shtigje
e humnera,
Koprrace asht, lumninë
shpesh nuk e falë,
Kanga e vajit gufon
në zemra të shterruna,
Njerëzit gdhendin n’to pa
ditë zjarrin që djeg i valë. 

Prej qiellit kah toka si rrufe
vërsulet nji korb i zi,
Qyqja e tmerruar ndal
kangën, struket poshtë në
vërri,
Zogjtë pushojnë së
kënduari, shikojnë plot
habi,
Nga zemra e vërrinit jehon
kanga e fyellit të ri. 

Kokëulur ec Syzana, si lule
e vrame prej bryme,
E randë, e madhe mbi kokë
i peshon nji peshë,
Fytyrën të mbështjellë e
mban në nji kornizë
shamije, 

“Anëve më shique s’asht
mirë, bota qesh!” 

Vjollcë e mbetun n’vetmi
prej kohës e lanë n’harresë,
Lule e fikun n’errësi, dafinë e thame
pa vesë,
Drandafile e vyshkun, herët
e ndarë prej dijes,
” – Çikë e shtëpisë së
ndershme je, i thonë,
shkolla nuk të ka hijë!” 

O diell i zjarrtë, jetë e kësaj
toke,
Gjallëri i jep çdo gjëje kur ti
ngroh, buzëqesh,
Buzët e kësaj drandofileje
që u fikën ndër mote,
Si shëron të shohim duke
qesh’./KultPlus.com
/

Kalldrëmet mbulohen me qilima në Gjirokastër, organizohet “Qilim Fest” e shoqëruar me muzikë dhe polifoni

Në Gjirokastër është mbajtur eventi “Qilim Fest” që erdhi në edicionin e tij të tretë, një spektakël qilimash dhe motivesh që kanë mbuluar kalldrëmet, demonstrime publike të traditës së punës në tezgjah, shoqëruar me kënde të ndryshme muzikore të polifonisë, muzikës instrumentale dhe të ftuar nga treva të tjera. 

“Ishte një kënaqësi e madhe. Unë kam ardhur në këto skena me vite dhe e preferojmë shumë Gjirokastrën. I falënderoj të gjithë që na pritën bashkinë, gjirokastritët e turistët.”

Disa prej qilimave të ekspozuar në pazar janë realizuar që prej fillim shekullit të kaluar si pjesë e një traditë po aq të vjetër sa qyteti.

Realizimi i punëve në tezgjah sfidohet gjatë dekadave të fundit prej mungesës së lëndës së parë, mungesës së të rejave që merren me këtë profesion dhe konkurrencës prej produkteve të fabrikuara.

“Dyqani im është zgjedhur si një pikë për hedhjen e modeleve të qilimave dhe nxënës të qendrës kulturore vijnë dhe mësojnë si bëhen qilimat. E kam thënë dhe më parë, leshi që është lëndë e parë për qilimat është i vështirë për ti gjetur megjithatë me përpjekje ja dalim. Modelin jam përpjekur ta lidh me rrugët e qytetit. Kjo është një traditë që ne e kemi gjetur dhe mundohemi pak a shumë që ta trashëgojmë atë.”

Pjesë e eventit u bënë qindra vizitorë që e eksplorojnë Gjirokastrën në fundjavë por edhe grupe të huajsh.

Pazari dhe kalaja më kanë bërë shumë përshtypje se është shumë mirë i organizuar. Erdhëm sot paradite por kam qenë edhe para një muaji dhe nesër do ikim.

20% më shumë vizitorë do të ketë këtë sezon Gjirokastra ndërsa prurjet e eventeve me karakter tematik si ky i shpalosjes së qilimave përveçse përmirësojnë ofertën tërheqin vëmendjen për mbrojtjen e traditës lokale dhe të produktit turistik vendas./TopChannel/KultPlus.com

Lulet e Majit (VIDEO)

Nje dite t’bukur Majit ty t’hetova
mshehë nder gema t’shpeshta tek nji lule 
plot me andje n’zemër të kundrova 
deri sa nji ditë n’dorë mu përkule 

Por tashma je vyshkë per mue s’ke vlerë 
fletë e tueja per mue ma s’kan erë 
nuk je lulja e bukur e ditës Majit 
por je lulja n’zemër time’ e vajit 

Ishe ti ma e mira ndër të tjera 
lule’ bukur e vogel plot ngjyra 
pse fletë tueja lule’ i treti era 
pse kaq shpejt n’pranverë ty t’ka ndrrue fëtyra 

Por tashma je vyshkë per mue s’ke vlerë 
fletë e tueja per mue ma s’kan erë 
nuk je lulja e bukur e ditës Majit 
por je lulja n’zemër time’ e vajit 

Do t’kujtoj perhere moj lule vyshkun 
ndonse gjindem larg tashma prej teje 
Veç per ty do t’vuej n’zemër tuj heshtun 
pse kujtim gjithmonë jeton pranë meje 

Por tashma je vyshkë per mue s’ke vlerë 
fletë e tueja per mue ma s’kan erë 
nuk je lulja e bukur e ditës Majit 
por je lulja n’zemër time’ e vajit 

Autori: Pjerin Ashiku 
Teksti: Bik Pepa/ KultPlus.com

“Shkodra, kryeqytet”, kërkesa e 26 deputetëve në parlamentin e 100 viteve më par

26 deputetë të kryesuar nga Luigj Gurakuqi, kreu i opozitës dhe peshkopi Fan Noli, nuk e donin Tiranën por Shkodrën si kryeqytetin e tyre.

Ky fakt interesant vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e cila ruan dokumente që vërtetojnë sa më sipër, shkruar edhe në mediet ndërkombëtare më 23 maj të vitit 1924, pra 100 vjet më parë.

Shkodra u kishte bërë ballë pushtuesve për një kohë të gjatë, e po ashtu kishte dëshmuar se ndonëse ishin përpjekur të përçanin shqiptarët për shkak të ndryshimeve në besimin fetar, popullsia e Shkodrës kishte rrëfyer kurdoherë se feja e shqiptarit ishte shqiptaria dhe se bashkëjetesa dhe unifikimi kishin më tepër vlerë.

Në këtë këndvështrim, idea që Shkodra të shpallej kryeqytet, u artikulua edhe në mbledhjet e bëra nga organizatorët e kryengritjes. Kushti ishte që pas fitores, të kërkohej që Shkodra të ishte kryeqyteti i vendit./KultPlus.com

Maji, muaji i regjisorit Muharrem Fejzo

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ia ka dedikuar muajin maj, nderimit të figurës së kineastit Muharrem Fejzo. Nesër mbushen plot 91 vite nga lindja e tij dhe pas premierës së filmit të restauruar “Gunat përmbi tela”, do të vijë një tjetër premierë në nder të artistit shumëplanësh të artit shqiptar.

Muharrem Fejzo-In Memoriam, është titulli i dokumentarit që regjisori Namik Ajazi ia ka kushtuar regjisorit Fejzo.

Dokumentari është realizuar në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe do ta ketë premierën ditën e nesërme në Kinema Millennium.

Regjisori Muharrem Fejzo u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare si pasojë e COVID-19.

Përveç se regjisor, ai ishte edhe skenarist e piktor dhe la pas një pasuri të jashtëzakonshme, që do t’u flasë brezave. Ka xhiruar 14 filma artistikë, midis të cilëve: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979), “Muri i gjallë”./atsh/KultPlus.com

Mos u zhduk

Poezi nga: Evgeni Jetvtushenko

Përktheu: Visar Zhiti

Mos u zhduk… Duke u zhdukur nga mua,

e çmishëruar vetvetes ju zhduke.

Vetja jote kështu u tradhëtua

me pandershmëri prostitute.

Mos u zhduk… Të zhdukesh është lehtë,

të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.

Vdekja të tërheq shumë thellë,

të vdesësh nuk është mënçuri.

Mos u zhduk. Harro hijen e tretë.

S’ka të tretë. Dy janë dashurive.

Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,

kur gjaku t’na thërrasë për përgjigje.

Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,

fajtorë s’jemi ne, as damkosur.

Të denjë jemi unë dhe ti për të falur

në-mos-dashje ç’kemi plagosur.

Mos u zhduk. Të zhdukesh është çast,

por si do takohemi nëpër shekuj?

Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë

dhe unë? – Fëmijët tanë të qeshur.

Mos u zhduk. Jepma dorën tënde,

në të jam shkruar unë – i besoj sekretit.

Dashuria e fundit është e tmerrshme,

S’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit./KultPlus.com

Instituti i Studimeve për Krimet e Pasojat e Komunizmit, pelegrinazh në Qafë Bari

Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore për 40-vjetorin e Revoltës së Qafë Barit, si një nga momentet e rezistencës së heronjve anti-diktaturë, në kampet e burgjet më famëkeqe, ISKK organizoi vizitën pelegrinazh në ngrehinën kamp-burg të Qafë Barit.

Organizimi i kësaj vizite pati 3 qëllime kryesore: të ndihmojë në përcjelljen e kujtesës; të kontribuojë në të kuptuarit e thelbit të diktaturës komuniste; të mediatizojë sa më gjerë jehonën përkujtimore të kësaj ngjarjeje.

Zv. drejtoresha ekzekutive e ISKK, Armanda Hysa dhe përgjegjësi i Sektorit të Edukimit, Ergys Mërtiri, shoqëruan të ftuarit në këtë aktivitet, ku morën pjesë ish-të përndjekur politikë, përfaqësuar nga Shoqata e Ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë me në krye Et’hem Fejzullarin, si dhe studentë të Universitetit të Tiranës.

Në fjalën e saj Hysa theksoi rëndësinë që ka Revolta e Qafë Barit, si reminishencë dhe celebrim i asaj të Spaçit, për historinë e rezistencës antikomuniste. Ajo u përkujtoi, sidomos studentëve të pranishëm, se rruga e gjatë dhe e vështirë që këtë ditë u përshkrua përmes makinave komode, në diktaturë është bërë nga të afërmit e ish-të burgosurve politikë në këmbë, në mëshirë të motit dhe të mjeteve të rralla.

Et’hem Fejzullari tregoi përvojën e tij personale si i internuar që foshnjë dhe foli mbi keqtrajtimin dhe kushtet e vështira jo vetëm në kampet burgje, por edhe në kampet e internimit.

Më pas Bedri Blloshmi, ish-i dënuar politik, që një pjesë të dënimit e ka kaluar në Qafë Bari, u tregoi pjesëmarrësve në aktivitet qelitë, dhomat e izolimit duke u folur për disa nga torturat dhe format më famëkeqe të keqtrajtimit të makinerisë shtypëse të diktaturës komuniste shqiptare ndaj të burgosurve politikë./atdh/KultPlus.com

Ëndrra po merr formë, prezantohet projekti i shtëpisë së re të SOS fshatrave të fëmijëve

Është prezantuar projekti ku tregon se si do të duket shtëpia e re e SOS fshatrave të fëmijëve, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, faqja zyrtare e Sos Fshatrave të Fëmijëve njofton se kjo punë është bërë në formë vullnetare nga arkitekti Jeton Blakaj dhe ekipi i tij, Suad Ismaili, Richardi, Reutrimi, Albina dhe Gurakuqi.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

Një ëndërr që merr formë, një shtëpi pushimi për fëmijët tanë!

Siç e dini, para ca kohësh, miku ynë i çmuar, Artan Hasani  na dhuroi një copëz të vogël parajse – një parcelë toke ku ëndërronim të ndërtonim një shtëpi pushimi për fëmijët tanë.

Por çdo ëndërr e madhe ka nevojë për mbështetje, për duar të zgjatura dhe zemra të hapura. Dhe ja ku ndodhi mrekullia! Sapo publikuam lajmin për dhuratën e Artanit dhe planin tonë për shtëpinë e pushimit, një arkitekt i talentuar kosovar, Jeton H. Blakaj  i cili jeton në Vjenë , na kontaktoi. Pa asnjë hezitim, ai dhe kompania e tij db spaces  morën përsipër të projektojnë falas shtëpinë e ëndrrave për fëmijët tanë!

Dhe sot duam t’ju prezantojmë projektin që Jetoni dhe ekipi i tij i mrekullueshëm, Suad Ismaili , Richardi, Leutrimi, Albina dhe Gurakuqi, krijuan me aq dashuri dhe përkushtim. Orë të tëra pune, zemër e shpirt të derdhur në çdo detaj, për të krijuar një vend ku fëmijët tanë do të ndjehen të dashur, të sigurt dhe të lumtur.

Falë Jetonit dhe ekipit të tij, plani është gati! Tani na duhet ndihma e miqve tanë, që dhurimin e Artanit, vizionin e Jetonit dhe db spaces, ta bëjmë realitet.

Ndihmoni të ndërtojmë një shtëpi ku ëndrrat çelin, ku kujtimet krijohen dhe ku fëmijët tanë ndjejnë dashurinë dhe përkrahjen që meritojnë.

Faleminderit nga zemra për mbështetjen tuaj të vazhdueshme!/KultPlus.com

Studio e qeramikës URA hap ekspoziten me punime nga pjesëmarrës të “Handikos” dhe “Sos Fshatrat e Fëmijëve”

Ejona Veselaj

Gjatë ditës së sotme, “Studio e qeramikës URA”, ka hapur ekspozitën “EMPTY BOWL”, me punime të realizuara me baltë nga Organizata “Handikos” dhe “Sos Fshatrat e Fëmijëve Kosovë”. Fytyrat e lumtura dhe krenare të pjesëmarrësve, tregonin se ata ishin krenar me punën e tyre dhe se ky aktivitet i ka bërë të përfshihen në punimet me qeramikë, që sipas organizatorëve ata përmes këtij arti kanë treguar ndjeshmërinë dhe shpirtin e tyre.

Fëmijë e të rritur nuk ngurronin që të flisnin personalisht me të gjithë, duke treguar secili veç e veç punën e tyre, e disa prej tyre tashmë i kishin dedikuar si dhurata ato.

Në pikturat e vogla të varura në muret e studios kishte trëndafila, diell, det e gjelbërim, duke treguar kështu anën e bukur dhe pozitive të tyre, secili nga pjesëmarrësit.

Sos Fshatrat janë organizatë jo-qeveritare dhe e pavarur që fokusi i tyre është tek puna me fëmijët e braktisur, të varfër dhe jetimë, fëmijët që kanë nevojë për një familje kujdestare për fëmijë. Në ekspozitë ishin të vendosura punime të shumta me baltë nga këta fëmijë, të cilat i kishin punuar bashkë me bartësen e projektit Laura Sllamniku Kryeziu.

Ndërsa, organizata Handikos është organizata që punon më së shumti me personat që janë me aftësi të kufizuara dhe ndërmjetëson punësimin e tyre në tregun e punës.

“Objektivë kryesore e kësaj shoqate ishte “përmirësimi i të drejtave dhe i standardeve të jetesës së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë” përmes veprimit në fushën e mbrojtjes shëndetësore, sociale dhe të punësimit”, thuhet në faqen zyrtare të tyre.

Artistja dhe bartësja e këtij projekti, Laura Sllamniku Kryeziu, ka mirëpritur në studion e saj 60 pjesëmarrës të ndarë në tri grupe, nga OJQ Sos Fshatrat e Fëmijëve, OJQ Handikos dhe OJQ Autizmi, që për disa muaj është punuar në proceset thelbësore të trajtimit të qeramikës punëdore.

Qëllimi i këtij aktiviteti është aftësimi dhe kyqja e pjesëmarrëve nga këto grupe, ku është trajtuar qeramika dhe është dhënë si mundësi për pjesëmarrësit që të aftësohen në artin e qeramikës.

Me këtë projekt është synuar sensibilizimi i shoqërisë dhe përkrahja e këtyre personave si dhe prezantimi i tyre me profesionin e modelimit të qeramikës punëdore. Ditën e sotme janë prezantuar punimet nga Sos Fshatrat dhe Handikos, kurse grupi i Autizmit janë duke mbajtur aktivitetet e tyre, dhe më pas do të mbahet ekspozita edhe me punimet e tyre.

Eventi filloi duke u mbledhur të gjithë të pranishmit, e pjesëmarrësit e aktivitetit po shpejtonin të gjenin secili punimet e tyre.

Në hapje të ekspozitës, artistja e qeramikës punëdore, Laura Sllamniku Kryeziu u shpreh se ekspozita është një bashkim i vullnetit të mirë dhe kreativitetit të pjesëmarrësve, duke shtuar se shumica e tyre kanë punuar me baltë për herë të parë, mirëpo ia kanë dalë më së miri.

“Ekspozita është bashkim i vullnetit të mirë dhe kreativitetit të pjesëmarrësve, është dëshmi e fuqisë së artit dhe ndikimin që mund të ketë në komunitetin tonë. Që të realizohet një ekspozitë duhet kohë, përkushtim, angazhim, durim, punë, vullnet i mirë dhe mbështetje. Punët që janë ekspozu janë punë të pjesëmarrësve, shumica kanë punu për herë të parë në baltë dhe shpresoj që keni me has ndjenjën dhe përjetimin për këto krijime”, është shprehur Sllamniku-Kryeziu.

Kurse, drejtoresha e Sos Fshatrave u shpreh se është viti i tretë që bashkëpunojnë me studion Ura dhe se ky aktivitet i ka ndihmuar fëmijët edhe në shëndetin e tyre mendor dhe aftësimin e tyre. Ajo ka shtuar se çdo ndihmë e secilit qytetar do të ndihmojë në mirëqenien e fëmijëve.

“Është viti i tretë që ne bashkëpunojmë me studion Ura, ky aktivitet i ka ndihmuar ata në shëndetin e tyre mendor dhe aftësimin e tyre. Shpresojmë që në të ardhmen këto punime do të ekspozohen dhe njerëzit të kenë mundësinë që t’i blejnë në mënrë që të ndihmojnë fëmijët që kanë nevojë. Çdo ndihmë nga ju do të ndikojë në mirëqënien e fëmijëve”, është shprehur ajo.

Ndërsa, nga Handikos ka foluar Mimoza Bytyqi Rrahmani, e cila ka falënderuar të gjithë ata që kanë mundësuar të marrin pjesë në këtë aktivitet, dhe se ka qenë një mënyrë e mirë për relaksim.

“Ka qenë një mënyrë e mirë që ne me u relaksu edhe me e pas si terapi. Ne bashkëpunojmë që disa herë me studion URA dhe bëjmë thirrje që institucionet të përkrahin në vazhdimësi fëmijët pa mbështejte dhe personat me aftësi të kufizuara”, është shprehur Bytyqi Rrahmani.

Në përfundim të eventit, artistja Laura Sllamniku Kryeziu tha për KultPlus se ideja për realizimin e këtij projekti ishte e saj dhe se qëllimi ishte që t’ua ofronte si eksperiencë personave që nuk kanë mundësi ta vijojnë si kurs pasi ka kosto.

“Ideja ka qenë e imja, prej qysh kom fillu me artin e qeramikës gati që 20 vite sepse kom studiu pikturë, ideja ka qenë me ofru procesin e modelimit të artit të qeramikës posaçërisht tek ata që nuk kanë mundësi me ia ofru vetës si kurs sepse ka kosto. Personat me aftësi të kufizuara janë shpesh të margjinalizuar prej komuniteteve edhe Sos Fshatrat janë fëmijë pa mbrojtje dhe kujdes prindëror, ne e kemi edhe Autizmin dhe personat me Sindromë Doën që po punojmë me ta. Një grup ka punuar 2 muaj kurse me personat me autizëm jemi akoma në proces”, është shprehur ajo për KultPlus.

Në fund nuk mungoi as një koktej rasti me pije e ushqime shumë të shijshme./KultPlus

“Nermin hajde, ata nuk do të vrasin”: Thirrja e babait boshnjak që u përjetësua në skulpturë

30 vjet më parë, një banor i Srebrenicës po e thërriste të birin me aq zë që kishte, për t’iu dorëzuar ushtarëve serbë sepse, siç citohet të ketë thënë ai, nuk do t’i bënin asgjë.

13 vjet më pas, më 2008 trupi i djalit të Ramos, Nerminit, u gjet së bashku me shumë trupa të tjerë të boshnjakëve të vrarë, në një varrezë masive.

E thirrja e mekur e këtij babai, në 20 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ishte gurëzuar në një skulpturë të punuar nga autori Mensud Keco.

Vepra paraqet thirrjen e Ramos, me plotë shpresë ndaj të birit, ani pse e dinte se po e sillte në duar të ushtarëve serbë.

Kjo ngjarje ka prekur zemrat e të shumtëve, andaj i është kushtuar edhe kjo vepër arti.

Ndryshe, 30 vjet më parë në Srebrenicë forcat serbe kishin ushtruar gjenocidin më të tmerrshëm që nga Lufta e Dytë Botërore në popullatën boshnjake, duke lënë mbi 8 mijë viktima. KultPlus.com

Kombet e Bashkuara e miratojnë Rezolutën për Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë

Me 84 vota “pro” është miratuar Rezoluta për Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. 

Nga votimi i përgjithshëm vetëm 19 vota kanë qenë kundër, dhe kanë qenë 68 abstenime.

Kështu kanë votuar shtetet:

Pjesë nga teksti i rezolutës:

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së…

(…)

… duke vënë në dukje se viti 2025 do të shënojë 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ku humbën së paku 8.372 jetë, mijëra u zhvendosën dhe familje dhe komunitete u shkatërruan…

1. vendos ta shpallë 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Vitit 1995 në Srebrenicë, që do të shënohet çdo vit;

2. dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u bën thirrje shteteve anëtare që t’i ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore [dhe] duke zhvilluar programe të përshtatshme drejt parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit të gjenocidit, si dhe përsëritjes së tij në të ardhmen.

3. gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës;

4. thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe varrimin e dinjitetshëm të tyre, si dhe bën thirrje për ndjekjen e vazhdueshme të atyre autorë të gjenocidit në Srebrenicë, që nuk janë përballur ende me drejtësinë;

5. u bën thirrje të gjitha shteteve që t’iu përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, dhe të drejtës ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke i pasur parasysh vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë;

6. kërkon nga sekretari i përgjithshëm të krijojë një program informimi të titulluar “Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara”, duke i filluar aktivitetet e tij me përgatitjet për përvjetorin e tridhjetë në vitin 2025, dhe gjithashtu i kërkon sekretarit të përgjithshëm që ta sjellë rezolutën aktuale në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, që ta respektojnë siç duhet;

7. i fton të gjitha shtetet anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatat tjera ndërkombëtare e rajonale dhe shoqërinë civile, përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera relevante, që ta respektojnë Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë rite dhe aktivitete të veçanta në kujtim dhe nder të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe edukim të duhur dhe aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut./GazetaExpress/KultPlus.com

Kosova anëtarësohet në Këshillin Evropian për Mjekësi Ligjore

Sot, në Athinë të Greqisë, u mbajt takimi i 17 i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Evropian për Mjekësi Ligjore (ECLM – European Council of Legal Medicine), ku një ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe aplikimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Kosova në këtë takim u përfaqësua nga një delegacion i IML-së dhe gjatë takimit delegatët e ECLM pasi shqyrtuan dokumentacionin e paraqitur nga IML, konstatuan se Kosova plotëson të gjitha kushtet duke votuar në mënyrë unanime për pranimin e Kosovës brenda familjes së madhe evropiane mjeko ligjore.

Ky paraqet një sukses të madh për IML dhe Republikën e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane përmes harmonizimit të rregullave dhe procedurave mjeko ligjore me standardet evropiane.

ECLM është organ zyrtar që bashkon shtetet evropiane në trajtimin e të gjitha parimeve shkencore, edukative dhe profesionale në Evropë./KultPlus.com

Ministrja Gërvalla në inaugurimin e objektit të Ambasadës së Kosovës në Uashington: Kosova, shteti më pro-amerikan në botë

“Le të dëshmojmë që si demokraci perëndimore, jemi shumë më të fortë se ata që çdo ditë luftojnë kundër vlerave tona, parimeve tona dhe le të tregojmë, për gjeneratën e fëmijëve tanë, se me forcën që paraqesin vlerat tona, me forcën e vullnetit tonë dhe me forcën e lirisë që ne jetojmë, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”, tha Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Uashington, i cili është pronë e Republikës së Kosovës.

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, para të pranishmëve tha se kjo ambasadë shërben si një dëshmi e një lidhje të fortë, të qëndrueshme, të pathyeshme që ekziston midis vendeve dhe kombeve tona si dhe një dëshmi e sukseseve të përbashkëta që kemi arritur deri tani.

E shoqëruar edhe nga zëvendësministrja, Liza Gashi, në fjalën e saj para të pranishmëve, Ministrja Gërvalla tha që këtë vit do të festojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe çdo fëmijë në Kosovë e di se pa angazhimin e partnerëve tanë, aleatëve dhe miqve tanë 25 vjet më parë, pa angazhimin edhe të NATO-s për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, ne nuk do të ishim këtu sot midis jush.

“Ky angazhim i miqve tanë shpëtoi më shumë se 100,000 jetë njerëzish në Kosovë dhe solli një të ardhme të ndryshme për të gjithë rajonin tonë. Kosova është shteti më pro amerikan në botë dhe prandaj kjo ambasadë që po inaugurojmë sot është jo vetëm një objekt, por një mesazh i fuqishëm”, tha Ministrja Gërvalla.

Nga ana tjetër, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, deklaroi se SHBA ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një mik dhe partner i përkushtuar për Kosovën.
Ai theksoi se ky sukses i Kosovës, vendosja e kësaj ambasade fare pranë vendit ku kishte filluar karrieren e saj, do ta gëzonte pamasë ish sekretaren e shtetit, Madeleine Albright.
“Zemra e saj do të shpërthente nga gëzimi kur të shihte kështu Kosovën, për të cilën gjithmonë thoshte se ishte gjëja për të cilën ishte më së shumti krenare”, tha ndihmëssekretari O’Brien.

Këtë ceremoni e madhështoi me paraqitjen mbresëlënëse ”Kori Siparantum”, nën udhëheqjen e Memli Kelmendit./KultPlus.com

Bibla që përdorej nga Elvis Presley del në ankand

Ankandi do të fillojë më 25 maj dhe oferta për biblën personale të yllit Elvis Presley kap shifrën prej 30 mijë dollarëve, përcjellë KultPlus.

Është bërë e ditur se kjo bibël ka shumë nënvizime që janë bërë nga ylli botëror, sikurse që është edhe emri i tij i gravuar me ar “Elvis Aron Presley.

Bibla është një nga tri gjërat e Elvis që mbante në tryezën e tij./ KultPlus.com

“Hami e pimi” lokali me emërtim në shqip në Kalabri

Nga Ilir Seci

Emni i lokalit asht shqip – “Hami e pimi” – sak shqip, në shqipen e moçme të cilën e mbartën me veti matanë detit arbnorët tanë – gjaku ynë i shprishun – arbnorët që e mbarten dhe e ruejten si nji thesar te paçmuem, si gjanë ma te vlertë të identitetit te tyne te patjetersueshem…Identitet qe e ruejten dhe e percollen si nji besim te dhanun prej Zotit…besim te cilin e mbajne dhe e shprehin pa asnji droje dhe pa asnji kompleks tue e shfaqun kudo…ne kuvend, ne toponime dhe emna sheshesh e rrugesh…e deri ne emna lokalesh si ky lokal ne katundin arbnesh me emnin shqip Çifti, (ne italisht Civita), katund i njoftun per bukurine qe e ka ba me u perfshi ne listen “Katundet ma te bukura te Italisë”,(Borghi più belli d’Italia)…emën krejt i shlirët, krejt shqip – “Hami e Pimi”…

Tue e pa këtë emën lokali ne katundin arbnesh Çifti të Kalabrisë nuk ke si mos me e çue mendjen te bregu matane, bregu ne Shqipni te cilit me mall i kendonin arbnoret – “O moj e bukura Arbëri”, bregut shqiptar perballe ne Shqipni ku lokalet nuk mbajne kesi emnash shqip…nuk ke si mos me e ndermendue bregun e Shqipnise ku emnat e lokaleve deshmojne vetem komplekse inferioriteti ose ma sakte vetë-inferiorizimi te skajshem dhe pa asnji nevoje sepse ma se pari nji lokal duhet me i dhane za vendit ku asht e së dyti nji lokal e ban me za gatimi me sherbimin dhe jo emni…por jo, ne Shqipni ende vazhdojne me pase kompleks veteinferiorizimin, minimalizimin e vlerave te veta dhe maksimalizimin e vlerave te hueja…dhe këtë gja ma se kjarti e deshmojne emnat e lokaleve, hoteleve,(rezorteve), ku nuk kanë mbetë kund pa u vendosë si emertime rropullina “fame” si emna politikanesh, muziktarësh pa lidhje me ne, sportiste, kercimtare, aktore te huej, spiune te famshem reale apo fiktivë si “Bond 007”, ase emna qytetesh mijera e mijera kilometra larg Shqipnisë, emna vendesh te pahijshne apo qendrash bixhozi…emna lokalesh tabelat e te cilave sistematikisht dhunojne hapsinat publike shqiptare tue shkaktue nji ndotje që do e kishim quejtë “ndotje toponimike”…/ KultPlus.com

“Prizren Fest” anëtare e European Festivals Association


Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prizren Fest” zyrtarisht është bërë anëtare e European Festivals Association (EFA), shkruan KultPlus.

“Jemi të emocionuar dhe krenarë për këtë mundësi të mrekullueshme e cila do të jetë një mbështetje e madhe në përpjekjet tona artistike” ka thënë Shkëlzen Veseli, drejtor i këtij festivali.

Ndërkohë me anëtarësimin e këtij festivali në European Festivals Association janë anëtarësuar edhe 14 festivale të tjera nga shtete të ndryshme të Evropës./ KultPlus.com

“Here, Kitty Kitty” sonte në PITF

Sonte në Teatrin AAB “Faruk Begolli” do mund të ndiqni shfaqjen “Here, Kitty Kitty” me regji të Filip Petkovski nga Maqedonia e Veriut. Kjo shfaqje do jetë pjesë e programit garues, ndërsa detajet rreth përmbajtjes së saj janë ndarë sot në konferencën për media.

Regjisori Filip Petkovski, i shoqëruar nga aktorët Vasil Zafirchev, Ana Jovanovska dhe Vedran Chesharek, thanë se presin së pari që publiku ta shijoj shfaqjen, pastaj të vlerësohen për punën që kanë bërë.

Ata shtuan se PITF është një mundësi ideale për ta të sjellin shfaqjen e tyre që qëndron jashtë teatrit tradicional, e cila përmban vallëzim, muzikë dhe këndim/ KultPlus.com

Disenjatorja Krenare Rugova do të ligjërojë në Arizona State University

Kreatorja shqiptare e modës Krenare Rugova, ka ndarë me ndjekësit e saj lajmin se tashmë jo vetëm do të sjellë risi në fushën e krijimtarisë së veshjeve, por do të ndaj edhe sekretet e punës së suksesshme me kreatorët e rinj.

Duke filluar nga vjeshta e vitit 2024-2025 ajo do të japë mësim në lëndën “Zhvillimi i Avancuar i Koleksionit në Institutin Herberger për Dizajn dhe Arte” në Arizona State University.

“Jam e lumtur të njoftoj se duke filluar nga semestri vjeshtë ‘24/‘25, do të jap mësim në lëndën ‘Zhvillimi i Avancuar i Koleksionit në Institutin Herberger për Dizajn dhe Arte’ të Arizona State University US”, ka shkruar Rugova në postimin e ndarë në instagramin e saj.

Filmi dokumentar për Bekim Fehmiun do të shfaqet në Beograd

Sonte, prej orës 19:00 do të shfaqet filmi dokumentar për Bekim Fehmiun në Beograd, përkatësisht në Festivalin Beldocs, festival që i dedikohet dokumentarëve, shkruan KultPlus.

Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.

Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali./ KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e Breshkave të Detit

Në mesin e organizmave që në të ardhmen e afërt rrezikojnë të zhduken përgjithmonë nga detet tona, është edhe breshka, specie të cilës i është dedikuar çdo vit, data 23 maj.

Dita Botërore e Breshkave të Detit këtë vit vë theksin tek ndotja, aktivitetet njerëzore dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i burimeve natyrore të cilat kanë çuar në dekadat e fundit në një rritje të rrezikshme të specieve të rrezikuara, mes tyre dhe breshkave te detit.

Varietetet e ndryshme të kësaj kafshe janë të përhapura në Mesdhe, megjithëse më e përhapura nga të gjitha është caretta caretta, e cila bashkëjeton në detet tona krahas breshkës së gjelbër (Chelonia mydas) dhe breshkës së rrallë të kurrizit (Dermochelys coriacea).

Në përgjithësi, janë 7 lloje të breshkave të detit të pranishme në zonën tropikale dhe të butë të deteve të botës, por të gjitha ato janë në rrezik të zhdukjes. Rreziqet janë të lidhura në thelb me aktivitetet njerëzore, të cilat me kalimin e kohës kanë arritur për fat të keq të shqetësojnë ekosisteme të tëra. Nga këtu lind nevoja për veprime konkrete për mbrojtjen e këtyre specieve, të cilat në planin afatgjatë mund të zhdukeshin përgjithmonë nga faqja e Tokës.

Dita Botërore e Breshkave, e krijuar në vitin 2000 me nismën e një shoqate jofitimprurëse (American Tortoise Rescue), synon të nxjerrë në pah një faktor rreziku në veçanti, i përbërë nga erozioni i vazhdueshëm i plazheve, i cili po redukton në mënyrë drastike zonat e përshtatshme për folezimin e shtimin breshkave të detit.

Për më tepër, kalimi i notarëve dhe përdorimi i makinerive të rënda për pastrimin e plazheve mund të shkatërrojë fole të tëra. Ndotja nga drita shkakton gjithashtu probleme të mëdha për folezimin e zvarranikëve, një burim i mëtejshëm shqetësimi për breshkat e vogla që sapo kanë dalë nga foleja, të cilat, të çorientuara, nuk janë në gjendje të arrijnë në det./atsh/KultPlus.com