Piktorë nga e gjithë bota mblidhen në Kolonjë për të pikturuar dhe promovuar destinacionet turistike

Më shumë se 20 piktorë vendas dhe të huaj janë bërë bashkë në një simpozium ndërkombëtar arti për të sjellë pranverën në një nga krahinat më të njohura të vendit tone.

Nën kujdesin e piktorit të njohur Helidon Haliti, artistët kanë qëndruar në Kolonjë për 4 ditë, duke pikturuar në vende të ndryshme, punime të cilat i kanë sjellë në ekspozitën përmbyllëse të kolonisë.

“Kemi artistë që kanë ardhur nga Peruja e largët, nga Kanadaja, Turqia,  nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe sigurisht artistët tanë shqiptarë të cilët në fakt këtu, sapo shënuan në njëfarë mënyre një lloj historie sepse gjetën kiminë e njëri-tjetrit dhe jo vetëm atë koloristike, pikturike, por dhe gjuhën e një lloj filozofie e cila në fakt bashkon brezat”, deklaron Helidon Haliti.

Artistët pjesëmarrës kanë vlerësuar  së tepërmi perisazhet e Kolonjës, ndaj për këtë sipas tyre ardhja e kaq shumë piktorëve të njohur është një promovim i natyrës.

“Vendin tuaj e ka bekuar zoti, është i mrekullueshëm dhe këto takime që bëjmë ne janë të rëndësishme sepse na bëjnë të njohim një shqioëpri e cila shpesh na ikën nga e përditshmja, e përdithsmja ka ngarkesat e veta”, shprehet Fatmir Juka, piktor.

Është hera e parë që vij në Shqipëri, vend fantastik, po kënaqem shumë këtu. Njoha shumë artistë të mirë dhe të talentuar, mbi të gjitha bashkëpunues. Këtu u tërhoqa nga fusha e Kolonjës dhe po e shijoj në mënyrën time”, shprehet Jorge  Corpuna, piktor.

Grupi i piktorëve të huaj dhe shqiptar pjesë e shoqatës ndërkombëtare të akurelistëve nën udhëheqjen e piktorit Helidon Haliti kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh gjatë muajit maj duke shëtitur në vendet më të bukura të Shqipërisë me qëllim promovimin e tyre./tema/KultPlus.com

Libri “Shtëpia me gjak në mure” u shpërndahet familjarëve të të masakruarve

Autori i librit “Shtëpia me gjak në mure”, Afrim Hysenaj, ka njoftuar se këtë libër, menjëherë pas botimit, ua ka shpërndarë të mbijetuarve të masakrës së Poklekut të Vjetër dhe familjarëve të tyre.

Gjithashtu, ai ka bërë me dije se ky libër tashmë gjendet edhe në shtëpinë-muze në Poklek të Vjetër, aty ku forcat policore dhe ushtarake serbe kanë kryer masakrën ndaj popullatës shqiptare.

Një prej familjarëve të familjes Muçolli, Fadili, pasi ka pranuar këtë libër nga autori, ka shkruar:

“Pranimi i një libri të nënshkruar nga autori, për një temë kaq personale, qenka shumë emocionuese dhe domethënëse. Marrë parasysh qasjen e autorit, vlerësimi paraprak dhe pritjet janë të larta, çka edhe do ta bëjnë më të veçantë leximin e këtij libri. Në përgjithësi, lexuesit do ta ketë mundësinë që në mënyrë të përmbledhur ta gjejnë historinë, kulturën, ekonominë dhe familjen tipike shqiptare të Kosovës, përfshirë edhe sakrificën e popullit shqiptar, me fokus sakrificën e familjes Muqolli, Elshani, Caraku, Hoxha dhe Kluna”.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”. Përurimi i tij, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, do të bëhet në oborrin e shtëpisë-muze në Poklek të Vjetër shumë shpejt./KultPlus.com

Ma! Të urrej!

Ka patur ditë kur vajzat e mia, me gjithë zemërimin që mund të mbajë kraharori i një fëmije, më kanë thënë “Të urrej!”. Pastaj kanë përplasur derën e dhomës së tyre me forcë dhe kanë qëndruar ashtu për minuta të tëra. Ndonjë herë, edhe për orë të tëra.

Silvana Kola-Loka

Ka qenë një ushtrim i vërtetë për mëmësinë time. Me kalimin e kohës kam mësuar se sa shumë mund të përmbajë të ngërthyer brenda saj deklarata “Ma! Të urrej!”.

Si fillim, gjëja më e natyrshme ishte ta merrja fjalinë në kuptimin e saj të parë. Dhe jam ligështuar. Dhe jam tronditur. Dhe kam vënë në pikëpyetje shumëçka isha dhe bëja si një nënë e re. Gjithçka që lexoja nga ajo fjali ishte që vajzat nuk më donin.

Pak nga pak, fillova të rritem. Nëna brenda meje u rrit njëkohësisht me gruan, bijën, psikologen, kolegen dhe pjesëza të tjera të miat.

Nuk e di tamam kur ndodhi për herë të parë, por unë mësova ta lexoj “Ma! Të urrej!” jo më si një deklaratë (mos)dashurie për mua.

“Ma! Të urrej!” ishte një thirrje për ndihmë; një thirrje për të më tërhequr vëmendjen se vajzat e mia me diçka po luftonin brenda vetes; një formë revolte; një trajtë prove për të kuptuar nëse ishin rritur edhe një hap më shumë…

“Ma! Të urrej!” ishte një ushtrim i vështirë vetpërmbajtjeje dhe durimi për mua. Me kalimin e kohës, çdo herë që vajzat ma thoshin këtë, unë e dija se duhet të bëja durim dhe të mos reagoja. Të prisja ashtu, me zemrën mbi kraharor, derisa ato të vendosnin të dilnin nga dhoma dhe të donin të flisnin me mua. Dhe të më tregonim mes lotëve dhe zemërimit arsyen e vërtetë pas asaj deklarate.

Dhe pastaj flisnim për zemërimin dhe dhimbjen, për frikën dhe ndjenjën e turpit dhe ndjenja të tjera të cilat mund t’ua kishin shkaktuar atë gjendje të ngarkuar, nga e cila mund të shkarkonin vetëm shkrepëtimën “Ma! Të urrej!”.

Tanimë, vajzat e mia janë më të rritura. Me durim dhe shumë dashuri jemi përpjekur t’iu mësojmë se të gjitha emocionet janë njerëzore dhe se mund të gjendet një mënyrë e përshtatshme për të shprehur secilin prej tyre (“Ma”-ja vazhdon të jetë kryefjala e shkarkesave emocionale).

* * *

Një ditë, diku nga fillimet e përdorimit të kësaj deklarate, në shtëpinë time kishte ardhur ime më. Nuk besoj se është e nevojshme t’ju përshkruaj tronditjen e saj. U ngrit me vrik nga kolltuku të shkonte t’i thoshte mbesës se nuk flitet kështu me mamanë (lëre pastaj që mamaja isha unë, vajza e saj e përkryer ).

E kapa nga krahu dhe i thashë:

-Lëre mami! Lëre të qetësohet! Unë jam e lumtur që ajo shpërthen me mua në këtë mënyrë. Ajo më tregon se është shumë e zemëruar dhe e lënduar. Ajo më tregon se pret që unë t’ia lehtësoj situatën (ndoshta edhe më mendon fajtore). Mbi të gjitha, duke më thënë pa ndrojtje se më urren, më tregon se nuk ka frikë se unë do t’i mërzitem dhe do t’ia mohoj dashurinë.

Ime më, më pa me dyshim. Iu duk se i mbajta një leksion psikologjie.

Pas pak, vajza nxorri kokën tek dera: “O ma! Hajde pak!”.

U ngrita. Hyra në dhomën e saj. Dhe biseduam për nuk e di sa gjatë.

Kur dola nga dhoma, ime më po më priste në këmbë, me duar të kryqëzuara dhe më tha:

-Po ti, sa herë ke dashur të më thuash “Ma! Të urrej!”?/KultPlus.com

“Festivali i Verës Merano”, vjen në Tiranë

“Festivali i Verës Merano”, një traditë italiane prej 32 vitesh, u zhvillua këtë vit në kryeqytetin shqiptar, në fundjavën e 11 dhe 12 Majit. Ekspertë nga e gjithë bota, prodhues të verës, degustues, por edhe vizitorë të pasionuar takohen në këtë aktivitet gastronomik ndërkombëtar.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në takimin që zhvilloi me organizatorët e këtij eventi, vuri theksin te nevoja e promovimit të produkteve vendase.

Erion Veliaj: Ne besojmë fortë që tregu lokal, jo vetëm që nuk është ezauruar, por në fakt konsumon shumë nga mallrat e importit. Ne duam shumë që të fokusohemi tek produkti Made in Albania, te kilometri zero, tek ajo që quhet slow-food, tek agroturizmet tanë që kanë bërë një punë fantastike. Unë besoj që edhe qëllimi i qeverisë dhe i bashkisë është të promovojë maksimalisht produktet lokale. Kur ne takojmë një partner serioz ndërkombëtar që do të na ndihmojë të promovojmë produktet lokale, themi që është një kombinim perfekt. Mezi pres që Bashkia e Tiranës, Ministria jonë e Bujqësisë, të gjithë të bashkëpunojmë, për të promovuar Festivalin e Meranos, me destinacion Tiranën.”


Nga ana e tij organizatori kryesor i këtij Festivali, shprehu bindjen se eksperienca disavjeçare e “Festivalit të Verës Merano” do të japë frytet e saj edhe në Shqipëri./tema/KultPlus.com

Përkujtohet Mehmet Ali Vrioni, atdhetar i shquar, nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot Mehmet Ali Vrionin.

Më 13 maj të vitit 1842 lindi Mehmet Ali Pashë Vrioni, atdhetar, politikan, diplomat shqiptar e nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mehmet Ali Pashë Vrioni është babai i Kryeministrit të shtetit shqiptar, Ilias Bej Vrioni dhe gjyshi i përkthyesit të shquar, Jusuf Vrioni. Nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Berat, anëtar i Shoqërisë së Stambollit, anëtar i Komitetit të Janinës, anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve, deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane.

Misioni më i madh i jetës së tij ishte zgjidhja e çështjes shqiptare. Forcat e tij u përqendruan në ndërmarrjen më të madhe kombëtare të asaj kohe, e cila ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila hapi Kuvendin më 10 qershor 1878 në Prizren, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit më 13 qershor 1878. Kryetar i Lidhjes së Prizrenit u shpall Abdyl Bej Frashëri dhe nënkryetar i saj Mehmet Ali Pashë Vrioni.

Fill pas punimeve të Lidhjes së Prizrenit Mehmet Ali Pasha, udhëhoqi së bashku me Abdyl bej Frashërin, përfaqësinë shqiptare në Kongresin e Berlinit në 13 Maj 1878. Të dy i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat shqiptare të Lidhjes të Prizrenit: bashkimin e katër Vilajeteve Shqiptare dhe njohjen e tyre si territor autonom nën kuadrin e Perandorisë Osmane; përgatitjen politiko-ushtarake të këtij territori shqiptar; sigurimin e përkrahjes për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Më 30 Mars 1879 Mehmet Ali Pashë Vrioni së bashku me Abdyl bej Frashërin u nisën sërish nga Preveza në drejtim të kryeqyteteve kryesore të Evropës për të siguruar përkrahje për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Vdiq në vitin 1895./atsh/KultPlus.com

Violinisti i njohur Tedi Papavrami feston 53-vjetorin e lindjes

Tedi Papavrami lindi në Tiranë në 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Më pas studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike, shkruan KultPlus.

Në moshën 8 vjeçare, interpreton “Arie Bohemienne të Sarasate me orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganini-t. Ai ishte shume i talentuar dhe i ati besonte shume te talenti i tij. Ky i fundit ishte i vendosur qe Tedi te behej dikush ne jete Në shtator 1982, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal.

Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona.

Tedi krahas karrieres se tij si violinist ka perkthyer veprat e Ismail Kadarese pas vdekjes se Jusuf Vrionit ne vitin 2002 dhe luan personazhin kryesor ne filmin Kronike provinciale. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker,etj. Ka interpretuar nën drejtmin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogwood, A. Pappano, L.Langree, G. Varga, Z.Macal, J.C.Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. Artisti i gjithanshëm Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P.Bianconi, H.Sermet, M.Rubackyte, P.Meyer, E.Lesage, R.Oleg, G.Hoffman, etj. /KultPlus.com

Filharmonia sjell koncert të rrallë artistik përmes solistit Meriton Ferizi, reagimi i publikut i hap dyert programeve të instrumentit të ‘Fagotit’

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Një koncert i rrallë i cili në qendër pati instrumentin e “Fagotit” u dhurua të shtunën mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë, nga solisti Meriton Ferizi dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Chris McCraken, shkruan KultPlus.

Mbrëmja artistike filloi rreth orës 20:00, në sallën tashmë të improvizuar për mbajtjen e koncerteve të Filhamonisë, me një numë të madh të të pranishmëve, të cilët e shijuan pafund koncertin me program të instrumentit të “Fagotit” që në historinë e Filhamonisë u soll vetëm për të dytën herë.

Me Koncert për fagot Nr.2 në F-dur, P.237, nga Fanz Danzi me  “Allegro”, “Andante”, “Polacca: Allegretto” u paraqit për herë të parë si solist në skenë fagotisti Meriton Ferizi, të cilin interpretim e pritën shumë mirë audienca, të cilën gjë e tregoi edhe  reagimi i publikut duke e detyruar të ri-luaj përsëri edhe një pjesë të programit.

Tingujt e ndjerë, të butë, klasikë e të fuqishëm që u interpretuan në sallë nga ky instrument i cili rrallë paraqitet në program të Filhamoinsë, si dhe përshtatja  që “Fagoti” pati me veshin e dëgjuesve në sallë, si duket i shtroi rrugën edhe për koncerte të tjera të tilla në të ardhmen.

Në pjesën e dytë të koncertit u luajt Simfonia Nr.8 në G-dur, Op. 88, B. 163 e Antonin Dvorak, me “Allegro con brio”, “Adagio”, “Allegretto grazioso- Molta vivace”, “Allegro ma non troppo” nga Orkestra e Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Chris McCraken.

Në këtë pjesë u emetuan tinguj me frekuencë më të lartë. Interpretimi bëhej më serioz, pasi ndodhte një ulje rapide e tingujve, qetësia e të cilëve jepte kuptim në zbërthimin e përmbajtjes së veprës. Sigurisht ishte përvoja e dirigjentit dhe përputhja në plotni me anëtarët e Orkestës Filharmonike ajo që e mundësoi një program të tillë.

Pas pjesës artistike, në një prononcim për KultPlus solisti Meriton Ferizi ka thënë se përvoja e mbrëmshme ishte e jashtëzakonshme pas mirëpritjes që i bëri publiku në sallë.

“Ka qenë një koncert shumë i veçantë për mua sepse për herë të parë kam performuar me Filharmoninë si solist. Unë jam pjesë e Filharmonisë që nga viti 2003, fillimisht si korist, pastaj prej vitit 2009 edhe si instrumentist, dhe sot mu dha rasti për të cilën gjë e falënderoj menaxhmentin që më dha kohë dhe hapsirë që të performoj, në mënyrë që edhe instrumenti i fagotit të promovohet te ne dhe të shijohen veprat e bukura.

Solisti Ferizi më tej ka thënë se reagimi i publikut e kishte pajisur me motivim të madh, të cilin beson se mund të shpalos në programe të tjera në të ardhmen e Filharmonisë.

“Kur interpreton për herë të parë dhe publiku të pret shumë mirë të motivojnë për të sjellë performanca të tilla përsëri. Pritshmëritë për interpretime të tilla janë të mira, ka shumë program për instrumentin e fagotit, dhe besoj që edhe viteve në vijim do të gjendet ndonjë hapësirë tjetër dhe të ofrohet një koncert më i mirë ose i këtij rangu për publikun” ka thënë Ferizi i cili një pjesë të konsiderushme të meritës për një koncert të tillë ia dedikoi dhe dirigjentit McCraken.

“Jam gëzuar kur kuptova që do të jetë Chris McCraken dirigjenti i cili do ta udhëhiqte këtë koncert. E pata më të lehtë, në njëfarë forme u çlirova sepse ka raste kur provat nuk shkojnë mirë me dirigjentin dhe mund të jenë me karakter tjetër. McCraken është shumë bashkëpunues, i kupton dëshirat e instrumentistit kur dëshiron të ndryshoj diçka. Komplet procesi ka shkuar me një frymë pozitive që gjithçka të shkojë me rregull”, ka përfunduar fagotisti Ferizi.

Edhe vetë dirigjenti Chris McCraken e kishte shijuar koncertin me instrumentin e “Fagotit” nga ku tha se mbrëmja ishte një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën.

“E kemi zgjedhur Danzin që është luajtur nga Meriton Ferizi, një instrumentist i mrekullueshëm, ku sonte e pati rastin të shkëlqejë së bashku me kolegët e tij. Vepra e Danzit është zgjedhja e duhur për të shfaqur instrumentin e “Fagotit”. Ishte një simfoni me shumë kontraste. Janë tinguj shumë të këndshëm, klasikë, elegantë, të fuqishëm dhe sjellin shumë emocione. Është një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën”, ka thënë dirigjenti McCraken.

Ndërsa Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se ndihet i kënaqur nga performanca e Filharmonisë për këtë koncert, siç tha ai mjaft rrallë të dhuruar për audiencën.

“Fillimisht jam shumë i lumtur që e kemi pasur në program një vepër për program edhe orkestër sepse në të gjithë historinë e Filharmonisë së Kosovës, kjo është vetëm hera e dytë që ne e kemi programu një vepër për instrumentin e fagotit. Edhe për publikun besoj që ka qenë një mundësi e mirë sepse jo shpesh paraqiten vepra të shkruara për këtë instrument” ka thënë Selimaj.

Drejtori Selimaj duke folur për programin e koncertit shprehu keqardhje që vepra e autorit Andre Jolivet nuk u dha sonte nga flautistja Erëmira Çitaku si shkak i një lëndimi  që kishte pësuar solistja, duke bërë të ditur se kjo performancë është shtyrë për një rast tjetër.

“Simfonia e 8 e Dvorak është një vepër të cilën nuk e kemi interpretuar prej vitit 2010 në atë kohë me dirigjentin Bahri Çela në shënim të 10 vjetorit të Filhamonisë së Kosovës. Kështu që kemi konsideruar që ka qenë një moment për të rikthyer një prej kompozitorëve më të rëndësishëm siç është Dvorak-u. 

Drejtori Selimaj krejt në fund ka bërë të ditur se në muajin maj Filharmonia e Kosovës do të prezantohet edhe me dy koncerte të tjera, për të cilët beson se publiku do të ndahet i kënaqur poashtu. / KultPlus.com

Zvicra fituese: Këto janë vendet ku mund të mbahet Eurovizioni 2025

Kjo është fitorja e parë e ESC për Zvicrën në shumë vite. Si fituese, Zvicra do të presë gjithashtu edicionin e 69-të të spektaklit më të madh muzikor në botë vitin e ardhshëm, për herë të dytë ndonjëherë.

Pas fitores së parë të Lys Assia në 1957, Zvicra refuzoi të organizonte shfaqjen vitin e pasues. Kur Céline Dion fitoi për Zvicrën në vitin 1988, spektakli u zhvillua në Lozanë.

Është ende e paqartë se në cilin qytet do të zhvillohet ESC vitin e ardhshëm. SRG, si organizator, do të fillojë procesin përkatës të tenderimit vetëm pasi Nemo fitoi, thotë zëdhënësi i medias, Edi Estermann, në 20 minuten.

Megjithatë, vetëm lokacionet shumë të mëdha janë të përshtatshme për ngjarjen mega, siç thonë ekspertët nga industria e ngjarjeve. Nuk duhet nënvlerësuar ajo që nevojitet në krahasim me ngjarjet e tjera.

Ajo që do të duhej nuk është vetëm një sallë me një skenë të madhe, e cila është më mirë e mbyllur. Salla do të kishte nevojë gjithashtu për shumë hapësirë për mijëra spektatorë dhe për divanet në të cilat ulen pjesëmarrësit nga 26 vendet kur jepen pikët.

Aksesueshmëri e mirë për artistët dhe fansat është gjithashtu e nevojshme. “Kjo do të zbatohej vetëm për lokacionet e zakonshme të mëdha në Cyrih, Bazel, Bernë, Lozanë dhe Gjenevë; një zonë periferike nuk do të ishte e mirë”, thotë Patrick Stahl, drejtor menaxhues i agjencisë së ngjarjeve Skunk.

Yves Schifferle, kreu i delegacionit të SRF, gjithashtu i emëron këto qytete si vende të mundshme. Çfarë e bën më të vështirë kërkimin: salla në Vjenë ishte e pushtuar për dy muaj. Kjo është arsyeja pse SRG tashmë po mban bisedime përpara finales së ESC.

Philipp Musshafen, drejtor i Hallenstadion Cyrihut, konfirmon kontaktet përkatëse. Musshafen merr gjashtë deri në tetë javë qira për ESC, gjë që nuk është e pamundur për Hallenstadion, por kërkon shumë koordinim.


Hallenstadion, Cyrih (Oerlikon)

Vendet: 15,000

Sipërfaqja totale: 14000 metra katrorë

Ndërtimi: 1939, rinovuar në 2005

Në garë është edhe St. Jakobshalle në Bazel, siç thotë drejtori menaxhues Thomas Kastl për 20minuten. SRG kontrolloi disponueshmërinë. Tani ai shpreson që Zvicra të fitojë dhe Bazel të fitojë kontratën.

St. Jakobshalle, Bazel:

Vendet: 12400

Sipërfaqja totale: 20,000 metra katrorë

Ndërtimi: 1976, rinovuar në 2015

Në arenën e Gjenevës, megjithatë, ende nuk dihet asgjë, siç thonë ata. Stade de Suisse në Bernë gjithashtu nuk është kontaktuar ende. Por as ajo nuk mbulohet.

Për organizatorin e ngjarjeve të Bazelit, Thomas Dürr nga Act Entertainment, vetëm St. Jakobhalle dhe Hallenstadion janë të mundshme sepse janë moderne dhe ka hapësirë të mjaftueshme atje

Ka gjithashtu shumë përvojë atje me ngjarje të mëdha dhe prodhime televizive.

Mjedisi është gjithashtu i rëndësishëm, për shembull, për shikimet publike. Ai sheh mundësi më të mira për Cyrihun, sepse qyteti është më aktiv në promovimin e kulturës sesa Bazeli./tema/KultPlus.com

“Moin.de”: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin evropian me plazhe magjepsëse dhe ujëra bruz

Vera është shumë afër, edhe pse temperaturat në vend po bëhen gjithnjë e më të nxehta, pushimet në Gjermani vështirë se mund të krahasohen me një udhëtim në Greqi apo vende të tjera të Evropës Jugore, shkruan Katharina Lembke në të përditshmen gjermane “Moin.de”.

Spanja, Italia apo Greqia – pikat e njohura turistike – po bëhen gjithnjë e më të njohura dhe për këtë arsye janë më të shtrenjta dhe të mbipopulluara me vizitorë.

Pra, është koha për një destinacion të ri pushimesh – një destinacion që ofron jo vetëm plazhe po aq magjepsëse, por edhe çmime të përballueshme dhe miqesore me buxhetin.

Sa më i madh të jetë suksesi i një vendi, aq më i shtrenjtë do të jetë akomodimi për turistët.

Për fat të mirë, ekziston një alternativë që është po aq e mirë sa Greqia apo Spanja:

Shqipëria!

Me plazhe me rërë, gjire të vegjël dhe ujëra bruz, pothuajse do të ndiheni sikur jeni në Greqi – sigurisht me çmime të përballueshme.

Bie në sy veçanërisht resorti bregdetar i Ksamilit, i cili ndodhet në një gadishull.

Këtu mund të notoni në ujëra të pastër apo të bëni një udhëtim në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Pushimet në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më popullore

Qyteti port i Vlorës është gjithashtu perfekt për pushime verore në vendin ballkanik.

Vlora ndodhet në jugperëndim të vendit në Rivierën Shqiptare dhe sipas ekspertëve të udhëtimeve, ofron një nga plazhet më të bukura në rajon.

Turistët mund të vizitojnë Lagunën e Nartës ose të bëjnë një udhëtim me varkë në Gjirin e Gramës.

Një shëtitje nëpër qytetin e vjetër historik mund të krijojë gjithashtu një atmosferë të veçantë pushimi.

Muajt më të mirë për pushime në Shqipëri janë maji, qershori dhe shtatori.

Fluturimet me Eurowings ose Lufthansa nisin nga 70 euro, dhe koha e fluturimit prej dy deri në tre orë është gjithashtu shumë joshëse për pushime verore.atsh/KultPlus.com

Të mos kuptohemi është e tmerrshme…

Poezi e shkruar nga Evgenij Evtusenko.

Të mos kuptohemi është e tmerrshme –
të mos kuptohemi e të mos përqafohemi.
Por megjithëse e habitshme
është po aq e tmerrshme,
po aq sa të kuptohemi për gjithçka.
Plagosemi megjithatë.
Dhe, i fiksuar nga një njohje fillestare,
shpirtin tënd të butë
s’do ta ofendoj me keqkuptim
dhe as do të vras me kuptim./ KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Kjo është fotografia e rrallë në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

Tirana binjakëzohet me Venecian, Veliaj: Fillojmë një histori të re bashkëpunimi në shumë fusha

Tirana binjakëzohet me qytetin e Venecias. Në një ceremoni të veçantë, autoritetet më të larta vendore të Venecias pritën sot Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rritjes së bashkëpunimit në çdo sektor me interes të përbashkët.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky binjakëzim do të rrisë shkëmbimet, jo vetëm për Bienalen e Kulturës dhe të Artit, por edhe në shumë fusha të tjera, veccanërisht në turizëm.

“Një vizitë e shpejtë në Vencia, me të cilën do të binjakëzohemi dhe do të fillojmë një histori të re bashkëpunimi, jo vetëm për Bienalen e Kulturës dhe të Artit, meqë vitin tjetër Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, por edhe në shumë fusha të tjera, sidomos turizmi. Kemi për të mësuar nga më të mirët. Venecia është padyshim kryeqyteti botëror i turizmit. Dua të falënderoj jo vetëm kryetarin e bashkisë, por edhe të gjithë shqiptarët dhe të gjithë ata miq italianë që mundësuan që Tirana të ketë një binjakëzim me një nga kryeqytetet botërore të kulturës dhe të turizmit”, thekson Veliaj.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë një marrëdhënie të vjetër bashkëpunimi dhe shkëmbimi me qytetin e Venecias, ku jeton edhe një komunitet i rëndësishëm i shqiptarëve. Ky binjakëzim do të çojë në një nivel më të lartë bashkëpunimin mes dy qyteteve, sidomos në çështjet e artit dhe kulturës, por edhe në shkëmbimin e përvojave më të mira.

‘Travel off Path’: Shqipëria mes tre destinacioneve verore në Evropë për t’u vizituar në 2024

Vera po afron dhe shumë prej jush tashmë kanë filluar të bëjnë plane dhe rezervime përpara se tarifat e hoteleve dhe biletat e fluturimeve të rriten, shkruan Vinicius Costan në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

Lojërat Olimpike janë planifikuar të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht në Francë, kështu që do të ketë një fluks të numrit të fluturimeve drejt Parisit dhe sezoni do të jetë i ngarkuar duke çuar në rritjen e çmimeve te konsumit.

Megjithatë, jo të gjitha destinacionet evropiane do të jenë të shtrenjta për turistët me një buxhet mesatar.

Ne ju sugjerojmë tre destinacionet më të lira në Evropë për të vizituar në vitin 2024, që përfshijnë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Bullgarinë.

 Shqipëria

Shqipëria, e vendosur në zemër të Ballkanit, kaloi pjesën më të madhe të historisë së saj nën regjimin e diktaturës komuniste.

Vendi rilindi në shekullin e XXI, me një demokraci liberale dhe aspirata të qarta perëndimore, i cili aktualisht po kompenson kohën e humbur në frontin e turizmit.

Deri në vitet 1990, turistët nuk lejoheshin të vizitonin Shqipërinë, përveçse vetëm për arsye shumë specifike dhe me kushte strikte.

Shqipëria kufizohet me Detin Mesdhe dhe ofron plazhe të bukura me rërë të bardhë – të ngjashme me Maldivet – dhe një pasuri të pamasë kulturore.

Nga rrënojat e lashta greko-romake të Butrintit – një nga zonat më magjepsëse arkeologjike në pellgun e Mesdheut – në Vlorën bregdetare dhe hijeshinë e Botës së Vjetër të Gjirokastrës dhe Beratit, dy qytete të listuara në UNESCO me një trashëgimi të ruajtur mesjetare – ky udhëtim nuk mund të ishte më tërheqës.

Për fat të mirë për turistët me buxhet të kufizuar, ky vend mesdhetar në trend është tepër i përballueshëm për të udhëtuar.

Ju mund të akomodoheni në hotele me tre yje në Vlorë, një nga destinacionet kryesore bregdetare, duke filluar nga vetëm 28 dollarë, ndërsa qëndrimi në resortet me pesë yje kushton deri në 168 dollarë.

Nëse vendosni të hani jashtë, në Shqipëri do të shpenzoni mesatarisht 20 dollarë në ditë për ushqimin, edhe nëse e trajtoni veten me një vakt më të këndshëm, me tre pjata dhe një kanë me verë në një restorant të nivelit të mesëm, nuk ka gjasa të faturoheni më shumë se 30 dollarë.

Në fakt, një udhëtim njëjavor në Shqipëri kushton vetëm 546 dollarë për person, duke e bërë atë destinacionin më të lirë mesdhetar./atsh/ KultPlus.com

Çfarë shkruante Mark Twain, në letrën dërguar të dashurës, Olivia Langdon, si propozim për martesë?

Nga Albert Vataj

Nuk ka shumë rëndësi me kë martohet, vuri në dukje një cinik dikur, sepse me siguri do të zbulojë të nesërmen në mëngjes se ai që i’u dhe për ëndrrën e jetës së bashku, ishte dikush tjetër. Kur Samuel L. Clemens, (Mark Twain), aventurieri bohem 34-vjeçar, shkrimtari i ri më i shitur, u martua, më 2 shkurt 1870, me 24-vjeçaren e rafinuar, fetare dhe të pasur, Olivia Langdon. Ndoshta ishte Clemens ai që e zgjoi atë nga gjumi. Më i habitur – dhe jo me nusen e tij, por me veten e tij, ishte ai. Iku skeptiku i pandershëm, enë plot uiski, ciniku i pandreqshëm, tallësi dhe fyesi i pamëshirshëm dhe cinik mizor. Iku! Në vend të tij e zuri kërkuesi i zellshëm, që përpiqej të promovonte dhe dëshmonte veten një burrë më të mirë në sytë e gruas së tij dhe botës. Jeta e tij e mëkatit ishte pas tashmë, (dhe përveç kësaj, larg, në Perëndim) dhe ai priste me padurim, sinqerisht, të përqafonte një lloj devotshmërie borgjeze, me gjas për t’u arratisur nga vetja që ia kishte shpifur. Dhe pse jo? Ai ishte i dashuruar, jo vetëm pas dasmës së tij, por dëshpërimisht edhe para saj – siç tregon me të drejtë kjo letër. Këtu ai i rrëfen mikut të tij të ri, nëse nuk ka gjasa, të nderuarit Joseph Twichell të Kishës Kongregacionale Asylum Hill të Hartfordit, entuziazmin e tij që jo vetëm kishte fituar mbi Livin, por “ata” të gjithë – dhe kështu shpall, në fakt, fejesën e tij. Livy (Olivia Langdon) më në fund e kishte pranuar propozimin për martesë të Clemens-it, pak më shumë se dy javë më parë – duke siguruar, domethënë, miratimin e babait të saj.

Mark Twain, në letrën dërguar të dashurës, Olivia Langdon 12 maj 1869 shkruan:

Edhe nëse më vërtetoni se keni të metat që mendoni se i keni, nuk mund të më të step asnjë të besoj se je e imja, sepse me to do të jeni akoma më i mirë, më fisnik dhe më i dashur se kushdo që kam njohur.

Unë do t’ju ndihmoj të pastroni të metat tuaja kur të zbulohen, por mos u shqetësoni për këtë çështje, sepse keni një detyrë akoma më të vështirë përpara jush, që është të më ndihmoni të heq të miat.

Më lejoni t’i bëj nderimet e duhura për vlerën tuaja; më lër të të nderoj mbi të gjithë të tjerët; më lër të të dua me një dashuri që nuk njeh asnjë dyshim, sepse ti je bota ime, jeta ime, krenaria ime, e gjithë toka ime që ia vlen të kesh.

Le të shpresojmë dhe të besojmë se do të ecim dorë për dore në autostradën e zgjatur të jetës, një në zemër, një në impuls dhe një në dashuri, duke mbajtur barrat e njëri-tjetrit, duke ndarë gëzimet e njëri-tjetrit, duke qetësuar pikëllimet e njëri-tjetrit.

Atë që do të humbasim nga rinia, do ta rikuperojmë me dashuri në të shkuarat vite, që llogaria të jetë në katror dhe në dëm të askujt.

Unë të dua, e dashura ime, dhe kjo dashuria ime do të rritet, hap pas hapi ashtu siç më bie, shtënguar dhëmb për dhëmb, duke më gurëzuar rrugën time deri në misterin e madh dhe Sweet Bye & Bye.

Sepse unë të dua… ashtu si vesa i do lulet; siç e duan zogjtë rrezet e diellit; ashtu si valëzimet e duan flladin, ashtu si nënat duan të parëlindurit e tyre, ashtu si kujtesa i do fytyrat e vjetra; si baticat e mallit e duan hënën; siç i duan engjëjt, të pastërt në zemër…

Merre puthjen time dhe bekimin tim dhe përpiqu të pajtohesh me faktin që jam…

I yti pergjithmonë,

vete * (Mark Twain)

Martesa e tyre do të zgjaste 34 vjet deri në vdekjen e Olivia-s në 1904./ KultPlus.com

Kryeministri kujton Martirët e Korishës, mes tyre 14 fëmijë

Kryeministri, Albin Kurti, ka kujtuar sot në Ditën e Martirëve në Korishë 77 civilë shqiptarë të vrarë, prej tyre 14 fëmijë, kur më 13 maj të 1999-ës, forcat serbe kryen masakër mbi popullsinë civile.

Në këtë ditë kushtuar martirëve, Kurti kujton civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999.

”Dita e Martirëve në Korishë

Më 13 maj të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakër mbi popullsinë civile të pafajshme në Korishë. Aty u vranë 77 civilë. Prej tyre, 14 ishin fëmijë.

Vrasjet pa dallim moshe e gjinie, janë dëshmi e pafajësisë së tyre dhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Në Ditën e Martirëve të Korishës, kujtojmë civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999. Përkujtojmë viktimat civile që ishin futur në kurthin e vdekjes prej forcave serbe.

Lavdi martirëve të Korishës!

Lavdi secilës jetë të sakrifikuar në rrugën tonë për liri!”.

‘As rrufetë s’më vrasin dot, se ka një Zot’ (VIDEO)

Aleksandër Gjoka është një këngëtar dhe autor këngësh. Gjatë karrierës së tij muzikore ka qenë pjesëmarrës i disa edicioneve të festivalit “Kënga Magjike”.

“Kuturu” është njëra prej këngëve me të cilën Aleksandër Gjoka mori pjesë në ‘Kënga Magjike 2003’.

KultPlus sot sjell tekstin dhe këngën “Kuturu” të interpretuar aq bukur nga artisti Gjoka:

Eci rrugëve kot, kuturù,
dhe s’di ku shkoj…
Xurxull jam prapë unë… se ajo,
një bohem nuk e do.
Sa të desha, shpirt,
s’mund ta dish.
Të vodhën ty pabesisht,
me pije mbys dhimbjen pa fund.
Sa e lumtur je, unë s’e di,
me atë që jeton.
Mund ta blejë ai për ty dhe botën,
vetëm zemrën, jo!
Mbeti shkretë tani streha jonë,
në luks je ngrirë… në kyç, trishton,
si në muze… si një Xhokondë.
Ref.
Unë në jetë i pasur s’jam vërtet,
por në ëndërr e shoh veten mbret (!)
Nëpër pub-e tok me miqtë harxhoj,
unë Hënën si monedhë.
Ti po fle tani, Xhokonda ime,
shiu si det mbi mua zbrazet,
as rrufetë s’më vrasin dot,
se ka një Zot…!
Eci rrugëve kot, mori fund,
ky fati im – kuturù.
Ty s’të kam tani dhe në shi,
pija po më shkund.
Se në dashuri, kur të dhemb,
jo dehja s’del dhe aq lehtë.
Të desha, Xhokondë, ty… një bohemë….!/ KultPlus.com