Bota është një vend i bukur

Lawrence Ferlinghetti.
Përkthyer nga Fadil Bajraj.

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë lumturia
të mos jetë gjithmonë
bash burim kënaqësie
po s’të prishi punë ta shijosh ferrin
herë pas here
bash atëherë kur çdo gjë të shkon për qejfi
ngase bile as në parajsë
nuk këndojnë
gjithë kohën e lume

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë që do njerëz vdesin
vazhdimisht
apo ndoshta vdesin urie
për një farë kohe
që nuk është bash aq keq
nëse nuk jeni ju

Oh bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
nëse fort s’ta ndien për
disa tru trumcakësh
që gjenden në pozita të larta
apo për një a dy bomba
që eksplodojnë herë pas here
në fytyrat tuaja të përmbysura
apo padrejtësi të tjera të tilla
si shoqëria jonë e famshme
që është pre
e njerëzve të saj të shquar
dhe njerëzve të saj të zhdukjes
dhe e priftërinjve të saj
dhe e policëve të tjerë

dhe e segregacioneve të saj të ndryshme
dhe e hulumtimeve kongresiane
dhe e kapsllëqeve të tjera
që trupi ynë i trentë
mund t’i trashëgojë

Vërtet bota është vendi më i mirë
për shumë gjëra të tilla siç është
skena zbavitëse
skena e dashurisë
skena e trishtueshme
këndimi i këngëve të dëshpërimit dhe pasja e inspirimit
endja andej-këtej
shikimi në çdo gjë
marrja erë luleve
qirja e statujave
dhe bile të menduarit
dhe puthja e njerëzve
lindja e foshnjeve dhe veshja e pantollonave
heqja e kapelës
dhe vallëzimi
notimi në lumenj
shkuarja në pikniqe
në mes të verës
dhe në përgjithësi
‘të jetosh sipas qejfit’
Po
ama bash në atë çast
vjen varrtari
buzagaz./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti udhëton për në Mal të Zi, merr pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, sonte Kurti do të marrë pjesë në darkën e liderëve të shtruar nga Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, ndërkaq nesër do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”.

“Ky samit gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, po mbahet në Kotor të Malit të Zi nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, thuhet tutje në komunikatë.

Java Franceze e Kulturës, për herë të parë në Tiranë shfaqja ujore ‘Fous de Bassin’/ Veliaj: Falas për publikun

Për herë të parë në Tiranë do të zhvillohet Java Kulturore e Francës. Nga data 13 deri më 19 maj,  do të ketë aktivitete të larmishme si koncerte, ekspozita, shfaqje, kulinari, lojëra apo shfaqje cirku.

E veçanta e Javës Kulturore të Francës është patjetër edhe shfaqja ujore dhe piroteknike “Fous de Bassin” e cila vjen në datat 15 dhe 16 maj nga Ilotopie, trupa e mirënjohur e teatrit bashkëkohor në Francë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj fton qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj shfaqje magjike, ku 15 artistë do të performojnë në ujë, në Liqenin Artificial të Tiranës dhe gjithçka do të jetë falas për publikun.

Shfaqja nis në orën 20:00 dhe për 50 minuta, qytetarët do të ketë mundësinë të shijojnë muzikë origjinale, kostume dhe dekorime mbresëlënëse, të pa realizuar ndonjëherë në vendin tonë.

“Fous de Bassin” e cila organizohet nga kompania teatrore Ilotopie, më herët është shfaqur në të gjithë botën, nga Londra, Çikago, Sidnei, Buenos Aires, Singapor, Marseja, Lioni, Portugalia, Kolumbia, Venezuela, Maroku, Belgjika, Venecia apo Roma./topchanel/ KultPlus.com

Saran Suebsantiwongse dhe Alberta Troni performojnë sonte në ‘Chopin Piano Fest’

Sonte, në koncertin e dytë të festivalit të muzikës klasike  “Chopin Piano Fest” do të performonjë artistët Saran Suebsantiwongse- Bariton dhe Alberta Troni- Piano.

Saran Suebsantiwongse është bariton tajlandez, i cili është shkolluar në Shkollën e Muzikës në Manhattan dhe në Kolegjin Mbretëror të Muzikës. Alberta Troni është pianiste nga Kosova, vlerësimet e së cilës përfshijnë çmime prestigjioze nga gara të ndryshme nëpër Evropë.

Koncerti nis në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në Prishtinë.

‘Ardhja e Karlit II në Hagë’ – vepër e veçantë e Johann Baptiste (15 maj 1660)

Piktura e realizuar nga Johann Baptiste Bouttats

Kjo pikturë interpreton ngjarjet që çuan në Restaurimin e Charles II. Ai tregon procesin e zbarkimit nga Charles II kur ai mbërriti në Hagë për t’u përshëndetur nga oborrtarët në plan të parë në të djathtë të figurës. Charles më pas u nis për në Angli në Scheveningen në ‘Naseby’, të cilin e riemëroi ‘Royal Charles’. Shtëpitë rreshtojnë figurën në të majtë, me kullat e Roterdamit të dukshme në distancë. Porti në të djathtë përfshin anijen nga e cila ai zbriti dhe një anije shfaqet duke gjuajtur një përshëndetje.Lexo Edhe:

Ka një linjë të karrocave dhe kalorësve të montuar, dhe përparimi në qytet u drejtua nga ushtarë të montuar. Ushtarët rreshtojnë gjithashtu rrugën në të djathtë, dhe disa shfaqen duke gjuajtur një përshëndetje. Njerëzit e zakonshëm në turmë janë përfshirë gjithashtu dhe në plan të parë në të djathtë një mjelëse ka derdhur kovë e saj.

Ajo këshillon disa djem, por nuk sheh të tjerët pas përgatitjes për të hequr pjesën tjetër të zgjedhës së saj. Qentë që ngrihen në plan të parë djathtas theksojnë se ky është një rast festimi./Liberale.al/ KultPlus.com

Përkujtohet piktori Guri Madhi në 103-vjetorin e lindjes

Më 15 maj të vitit 1923 lindi Guri Madhi, një prej artistëve më të rëndësishëm në historinë e artit shqiptar (1921 – 1988).

Piktori Guri Madhi është nga më të rëndësishmit e realizmit socialist. I përket brezit të piktorëve shqiptarë që në vitet ’60–’80, trajtuan temat kompozicionale historike duke ndërtuar karaktere dhe tipare fizionomike të shqiptarëve të kësaj periudhe.

103-vjetorin e lindjes së Artistit të Popullit, Guri Madhi e kujtoi sot përmes një postimi, ministri Blendi Gonxhja, i cili shkroi në rrjetet sociale se, Guri Madhi një nga piktorët më të mëdhenj shqiptarë, ishte ndër themeluesit e Universitetit të Arteve me mbi 400 vepra, në 33 vjet krijimtari.

Guri Madhi lindi në qytetin e Korçës ndërsa studimet e larta i kreu në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Pas studimeve u kthye në atdhe për të dhënë kontributin e tij. Gjithë jetën ia kushtoi krijimtarisë, e cila jo pak herë kapërceu kufijtë e realizmit socialist, duke sjellë edhe përjashtimin nga Partia e Punës. Por arti i Guri Madhit i mbijetoi sfidave dhe u flet ende brezave, edhe tashmë që autori nuk është më.

Galeria e Artit në Korçë mban emrin e tij./atsh/ KultPlus.com

Hapet qerthulli në rrjet për historinë e Prishtinës: rreth 100 dokumente origjinale në botim e sipër

Është çelur për publikun faqja digjitale ‘Prishtina në histori’ për një vështrim të parë. Është fjala për një grumbull digjital të teksteve, hartave, gravurave, fotografive dhe punimeve rreth historisë së qytetit të Prishtinës që kapin kohën prej fundit të shekullit 13 deri në vitete e para të shekullit 20.

Në Arkivin e Prishtinës, pjesë e Komunës së Prishtinës, rishtazi janë sjellë rreth 38,598 dokumente osmane, të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15 deri në shekullin 20. Shumica prej tyre janë krejt të pastudiuara dhe të panjohura për publikun. Në anën tjetër, shumë studime, të cilat janë bërë bazuar në arkivat e Romës, Venedikut dhe Dubrovnikut mbesin në sirtarë të bibliotekave dhe njihen vetëm prej një grupi të vogël specialistësh.

Këto të dhëna, por dhe të tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e Prishtinë, nga arkiva, biblioteka e koleksione janë mbledhur dhe do të vazhdojnë të mblidhen në fazat e tjera të këtij projekti. Në mesin e materialeve të botuara janë edhe rreth 100 dokumente origjinale të përkthyera, si shtesë për tekstet e shkruara enkas, e artikuj të rëndësishëm nga e kaluara që meritojnë të lexohen më gjerësisht. Pjesa më e madhe e tyre janë botuar në këtë fazë fillestare.

“Formati i kësaj platforme, që ka për synim të mbledhë dhe bëjë të çasshme për publikun e gjerë burime dhe njohuri rreth historisë së qytetit (dhe rajonit) të Prishtinës, është pak i pazakontë. Nuk është revistë shkencore online, as nuk është faqe e promovimit të turizmit të qytetit, qysh zakonisht zhvillohen për qytete të ndryshme. Platforma mund të ketë ndonjë ngjashmëri me formatin e muzeve online, që janë zhvilluar dekadat e fundit, por megjithatë nuk mund të konsiderohet e tillë,” thotë në editorialin e platformës redaktori i saj, Yll Rugova.

Platforma është iniciativë e Trembelave me siglën botuese Varg nën mbështetjen e veçantë nga fondet e Komunës së Prishtinës, në partneritet të ngushtë edhe me Arkivin e Prishtinës. Janë këta të fundit që kanë bërë të qasshëm dokumentet nga arkivat osmane që në vitin 2018 janë sjellë në kopje digjitale te ky arkiv.

Vegëza e qerthullit: www.prishtinanehistori.org

Prishtina në Historiwww.prishtinanehistori.org

Kënga fituese e Eurovision vjen në shqip (VIDEO)

KODI (NEMO: THE CODE)

[Hyrje]
Uoah-oh-oh


[Strofa 1]

Mirësevini n’shfaqje,
le ta dinë të gjithë
mjaft kam luajtur,
do t’çlirohem nga zingjirët

Më mirë shtrëngohuni,
do ta mbush edhe një gotë
Kjo është bohemia ime,
pra pije, miku im

[Para-refreni]

Uh
Uh

Ky tregim është e vërteta ime

[Refreni]

Unë, unë shkova n’ferr e u ktheva
Për ta gjetur veten n’rrugën e duhur
E theva kodin, uoah-oh-oh
Sikur amonitet
Thjesht i dhashë ca kohë
Tash e gjeta parajsën
E theva kodin, uoah-oh-oh

[Strofa 2]

Ja t’jua tregoj një përrallë për jetën
Për të mirën dhe të keqen,
më mirë mbahuni fort

Kush vendos se ç’është e gabuar,
e ç’është e drejtë?
Gjithçka është e ekuilibruar,
gjithçka është e lehtë

Më sillen kaq shumë gjëra nëpër mendje
Kam qenë zgjuar gjithë natën
Jam kaq i ngazëllyer,
jam kaq entuziast
Është më e madhe se unë,
bo bëhem kaq i shastisur

[Para-kori]

(Oh) Më leni t’i shijoj uljet e ngritjet
(Oh) Më leni ta ndjej atë frikë djegëse
(Oh) Ky tregim është e vërteta ime

[Refreni]

Unë, unë shkova n’ferr e u ktheva
Për ta gjetur veten n’rrugën e duhur
E theva kodin, uoah-oh-oh
Sikur amonitet
Thjesht i dhashë ca kohë
Tash e gjeta parajsën
E theva kodin, uoah-oh-oh

[Ura]

Diku midis O-ve dhe 1-shave
Aty e gjeta mbretërinë time që erdhi
Zemra ime rreh si… —
Diku midis O-ve dhe 1-shave
Aty e gjeta mbretërinë time që erdhi
Zemra ime rreh si daulle

[Vokalizimi]

[Refreni]

Unë, unë shkova n’ferr e u ktheva
Për ta gjetur veten n’rrugën e duhur
E theva kodin, uoah-oh-oh
Sikur amonitet
Thjesht i dhashë ca kohë
Tash e gjeta parajsën
E theva kodin, uoah-oh-oh, uoah-oh-oh

(E përktheu: Ridvan Bunjaku)/ KultPlus.com

Presidentja Osmani falënderon Mbretërinë e Danimarkës për mbështetjen ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani u prit në takim nga Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen: Përgjatë çdo etape të shtetndërtimit, mbështetja e Danimarkës për Kosovën ka qenë e palëkundur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim në Pallatin Christiansborg nga Kryeministrja e Mbretërisë së Danimarkës, Mette Frederiksen.

Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve dhe është rikonfirmuar përkushtimi i ndërsjellë për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror në të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve.

Në takim me Kryeministren Frederiksen, Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Danimarkës për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka diskutuar edhe për rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në NATO, si dhe organizata ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen unanime të deputetëve danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe për gatishmërinë e qeverisë së Danimarkës që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën deri në anëtarësim.

Presidentja Osmani dhe Kryeministrja Frederiksen diskutuan edhe për presidencën daneze të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm, ku Presidentja shtroi nevojën që të ndërmerren hapa konkret sa i përket integrimit të Kosovës në BE, duke u bazuar në performancën dhe reformat e realizuara në vendin tonë.

Presidentja Osmani po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e mbi 13 mijë ushtarëve danez për paqen dhe sigurinë në Kosovë që nga viti 1999, ndaj bëri nderime tek Monumenti Kombëtar i Kujtesës së Danimarkës, ku Presidentja u prit me nderime ushtarake./ KultPlus.com

Përkrah veprave të: Picassos, Dali… edhe piktura e Guri Madhit në Dortumnd të Gjermanisë

175 vepra do të ekspozohen në Muzeun e Futbollit në Dortmund të Gjermanisë, dhe në mesin e artistëve të mëdhenj është përfshirë edhe vepra e piktorit shqiptar Guri Madhit, shkruan KultPlus.

Për këtë ekspozitë të madhe që ka për temë futbollin po ju sjellim njoftimin e plotë nga organizatorët e kësaj ekspozite.

Ja dhe njoftimi zyrtar që vjen nga Dormund:

Në Muzeun e Futbollit Gjerman në Dortmund, në një sipërfaqe
prej 1000 metra katrorë do të ekspozohen 175 vepra arti  me temë
futbollin, të 100 autorëve, ndërmjet të cilave është përzgjedhur dhe vepra e
vitit 1986 “Kur nuk shkojnë në stadium” (në anglisht “Watching football game”)
e piktorit shqiptar Guri Madhi (1921-1988).

Ceremonia e hapjes së ekspozites “In motion – art &
football” do të jetë në 27 Maj 2024  dhe do të jetë për publikun 
deri më 6 janar 2025.

Në këtë ekspozitë, do të njiheni me  vepra të Salvador
Dalisë, Picassos, Joan Miro, Rene Magritte, Paul Klee, Alexander Deyneka,
Banksy, e të tjere dhe mes tyre artisti shqiptar Guri Madhi.Scientists Question
.

Në faqet 224 dhe 225 të katalogut të kësaj ekspozite,
me  titullin “In motion” dhe  autor Manuel Neukirchner (Drejtor i
Muzeut) prezantohet vepra e Guri Madhit (që është pjesë e ekspozitës), e
shoqëruar me analizën e saj dhe jetëshkrimin e artistit.

Më 15 qershor 2024, pikërisht në Dortmund, Kombëtarja jonë e
futbollit do të zhvillojë ndeshjen e parë kundër Italisë. Tifozët tanë do të
kenë rastin për të vizituar ekspozitën, si një pikë tjetër kontakti me vendin e
tyre, këtë radhë me artin shqiptar, përmes Artistit të shquar Guri Madhi. /
KultPlus.com

Fahredin Spahija me ekspozitë personale në Galerinë e Arteve të Gjilanit

Fotografi Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitë personale në Galerinë e Arteve në Gjilan, shkruan KultPlus.

“Unë, ti dhe diçka në mes” është ekspozita që do të prezantohet para publikut gjilanas, dhe në të njëjtën kohë, fotografi do të dhurojë për të pranishmit edhe librin e tij të parë “Përtej”, që në të njëjtën kohë është edhe libri i parë i fotografit.

Më poshtë KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të fotografit Spahija.

Nesër në Galerinë e Arteve të Gjilanit, me 16 maj, në orën 19.00, hapet ekspozita ime personale “Unë, ti dhe diçka në mes” që ka karakter retrospektiv të një pune 26 vjeçare në projektin fotografik “Përtej”. Veç ekspozitës, ju që keni kohë dhe mundësi të vini, do ta keni edhe librin tim të parë “Përtej”, si dhuratë nga unë…

Mirëardhshi!/ KultPlus.com

Kurti për zgjedhjet: Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë të gatshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. 

Kurti ka thënë se Vetëvendosja është e gatshme për zgjedhje të reja, porse opozita duhet të bëhet gati. 

Ai ka folur në panairin e 23-të EXPOKOS. 

“Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati”, tha Kurti të mërkurën. 

I pyetur nga gazetarët pse së fundmi po flet për zgjedhjet, Kurti ka thënë se në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka qenë shumë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative.

“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative, pasi kanë mbetur shumë marrëveshje ndërkombëtare pa u votuar”, ka thënë kryeministri.

Kurti së fundmi u takua me kryetarin e PDK-së me të cilin diskutoi edhe për zgjedhjet. Ka thënë se të gjitha partitë  duhet të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Teksa PDK-ja është shprehur pro shpërndarjes së Kuvendit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po kërkojnë dorëheqjen ose shkarkimin e Kurtit.

“Njeriu nuk mund të bëj vend për veten e tij në diell nëse vazhdon të fshihet nën pemën familjare”

“Pasardhësit njeriu nuk mund t’i ndryshojë, por mund të përcaktojë çfarë do të ndodhë me pasardhësit”. – François de la Rachefoucauld

“Nëna është personi i vetëm në botë i cili të do para se të të shohë”. – Johann Heinrich Pestalozzi

“Në fund të jetës suaj, nuk do të pendoheni që nuk keni kaluar edhe një test, që nuk keni fituar edhe një aktgjykim, ose që nuk keni realizuar edhe një marrëveshje. Ju do të pendoheni për kohën që nuk e keni kaluar me burrin, shokun, fëmijën, prindin”. – Barbara Bush

“Familja është gjëja më e rëndësishme në botë”. – Princeshë Diana

“Disa nga diskutimet më të rëndësishme që kam pasur ndonjëherë kanë ndodhur tek familja ime në tavolinën e darkës”. – Bob Ehrlich

“Nëse dëshironi që fëmijët tuaj të bëhen të mirë, shpenzoni dyfish më shumë kohë me ata dhe gjysmën e parave që shpenzoni”. – Abigail Van Buren 

“Ju gjithmonë keni kohë për gjërat që i vendosni si primare”. – Autor i panjohur

“Njeriu nuk mund të bëj vend për veten e tij në diell nëse vazhdon të fshihet nën pemën familjare”. – Helen Keller

“Familjet janë busulla e cila na udhëheq. Ato janë inspirimi për të arritur lartësi të mëdha dhe rehatia kur ne ligështohemi”. – Brad Henry

“Fytyrat e familjarëve janë pasqyra magjike ku mund të shikohen njerëzit të cilët na takojnë neve, shohim të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen”. – Gail Lumet Buckley./ KultPlus.com

Sonte nis Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokajt

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita retrospektivë e artistit Gjelosh Gjokaj, e kuruar nga Shkëlzen Maliqi, të mërkurën, 15 maj në ora 19:00.

Ekspozita e cila është organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi për nder të 90-vjetorit të lindjes së Gjelosh Gjokaj, përfshinë vepra nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt. Ajo përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të tij. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit nga Sead Gjokaj, si dhe 18 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është njëri ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Vepra e tij është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani, ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 7 korrik, 2024./KultPlus.com

CN Traveller: Tirana dhe Berati mes qyteteve më të lira evropiane për të kaluar pushimet

Pushimet në qytet mund të jenë një nga mënyrat më efektive për t’u njohur me kulturën e një vendi, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen britanike “CN Traveller”.

Pavarësisht nëse është një fundjavë që të rrëmben në rrjedhën e saj të shpejtë, ose dy javë njohjeje me një lagje të re, pushimet në qytet ofrojnë një zhytje të plotë dhe të thellë në historinë e vendit, që rrallë mund ta bëjnë resortet e plazheve dhe hotelet e largëta.

Më poshtë do të gjeni disa nga qytetet evropiane ku mund të kaloni pushimet me çmime të përballueshme në vitin 2024.

Gjithashtu kemi përfshirë edhe disa nga pushimet tona të preferuara në qytetet evropiane që mund të jenë më pak të njohura, si Klagenfurt në Austri dhe Berati në Shqipëri.

Tiranë, Shqipëri
Berat, Shqipëri
Vilnius, Lituani
Stamboll, Turqi
Izmir, Turqi
Krakov, Poloni
Mostar, Bosnjë-Hercegovinë
Lisbonë, Portugali
Athinë, Greqi
Riga, Letoni
Zagreb, Kroaci
Lille, Francë
Budapest, Hungari
Klagenfurt, Austri
Kaunas, Lituani
Brasov, Transilvani, Rumani
Sofje, Bullgari
Tbilisi, Gjeorgji

Tiranë, Shqipëri

Dhjetë vjet më parë, Shqipëria rrallë se mund të ishte në radarin e britanikëve që dëshironin pushime në qytet. Kjo është duke ndryshuar shpejt.

Mediat sociale kanë promovuar bukurinë e shtrirjeve bregdetare të Shqipërisë duke ngjallur interes për destinacionin dhe nga ana tjetër, shumë vizitorë kanë zgjedhur të eksplorojnë vendin duke kaluar një fundjavë në kryeqytet.

Që pas daljes nga regjimi komunist në vitet 1990, qyteti është i gjallë me ngjyra dhe plot kuriozitet.

Mësoni për të kaluarën magjepsëse të Shqipërisë në Muzeun Historik Kombëtar përpara se të bëni pazar dhe të pini një kafe në Bllokun luksoz.

Më e rëndësishmja, Tirana ofron akomodime me dhomat më të lira në Evropë.

“Hotel Mondial” është vendi i përsosur për t’u akomoduar – me katër yje – pas ditëve të gjata duke eksploruar peizazhet natyrore dhe pamjet e qytetit.

Berat, Shqipëri

Ashtu si shtëpizat tradicionale prej guri të Pulias ose ndërtesat tërësisht blu të Chefchaouen, shtëpitë e paharrueshme osmane të bardha të Beratit janë krejtësisht unike në ekzistencën e tyre kolektive dhe ndikimin vizual.

Bujtinat dhe hotelet si “Hotel Vila Aleksandër” apo “Hotel Mangalemi” ofrojnë dhoma të thjeshta dhe tradicionale ku mund të akomodoheni me çmime të përballueshme – të dyja rreth 40 euro nata.

Ngjituni rrugëve të pjerrëta me kalldrëm për të vizituar Kështjellën e Beratit të shekullit të XIII (hyrja është falas) dhe shijoni pamjen e qytetit “të një mbi një dritareve” nga lart. ATSH/ KultPlus.com

Mbretëresha e valles shqipe, Lili Cingu do të nderohet me një buqetë këngësh e valle popullore

Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë do të mbahet një mbrëmje dedikim për valltaret e njohur Lili Cingu, mbrëmje që do të shënohet me këngë dhe valle popullore, shkruan KultPlus.

Për këtë organizim që do të mbahet më 17 maj është bërë e ditur nga drejtoresha e këtij institucioni Abigeila Voshtina, e cila ka njoftuar edhe për detajet shtesë të kësaj mbrëmje.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin mbi këtë ngjarje kulturore.

Kujtimi i mbretëreshës së valles shqipe, Lili Cingu, do të nderohet me një buqetë këngësh e vallesh popullore, të cilat do të interpretohen nga emra të njohur dhe artistë të rinj të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, të premten, më 17 maj ora 20:00.

Duke e hapur me “Vallen e Rexhës”, për të vijuar me “Dueti i Tiranës”, vallen “Nën hijen e mollës”, “Vallen e Logut”, “Vallen e Çobanit”, atë me motive çame, kolazh i veriut e të tjera, si dhe me korale e këngë, si “Trëndafilin kur ta dhashë”, “Kur perëndon dielli” e shumë të tjera. Biletat mund t’i merrni çdo ditë pranë biletarisë së TKOB-së nga ora 10:00-14:00 dhe 16:00-19:30./ KultPlus.com

“Kujdes! Në këtë shtet ka femicid!”

Sot, Fourth Wave shpalosi një flamur me mbishkrim “Kujdes! Në këtë shtet ka femicid!” në kufirin e Hanit të Elezit me Maqedoninë e Veriut, duke shërbyer si një kujtesë e krizës alarmante të rasteve të femicidit që kanë kapluar shoqërinë tonë. Në një vend ku gratë vriten thjesht sepse janë gra, duhet të jemi të gjthë vigjilentë për rrezikun që na u kanoset.

Meqenëse rastet e femicidit vazhdojnë të rriten dhe jetët e humbura reduktohen në statistika nga autoritetet shtetërore, e në mes të këtyre rasteve përfshihen edhe gra të shteteve të tjera, pra një grua argjentinase dhe një ukrainase në Kosovë andaj ne jemi të detyruar të sigurojmë që çdo grua që kalon në Kosovë të jetë e vetëdijshme për këtë epidemi.

Ky është një realitet i zymtë që kërkon vëmendje dhe veprim të menjëhershëm nga shteti.

Ne refuzojmë të pranojmë femicidin si normë. Andaj nga këtu kërkojmë drejtësi, llogaridhënie dhe angazhim të vendosur nga shteti për të mbrojtur jetën e grave.

Filmi biografik i Trump në Cannes

Festivali i Filmit në Kanë i këtij viti filloi dje, me ngjarjet jashtë ekranit që ka të ngjarë të jenë po aq dramatike sa historitë në përzgjedhjen e premierave të filmave të mbushur me yje.

Filmat e shumëpritur përfshijnë projektin e vetëfinancuar të regjisorit Francis Ford Coppola, Megalopolis, ndërsa të pranishmit patën një paraqitje të shkurtër të Sebastian Stan si një Donald Trump i ri në The Apprentice.

Filmat më të mëdhenj të dy javëve do të përfshijnë gjithashtu pjesën më të fundit të ekskluzivitetit të Mad Max të George Miller.

Por ka zëra se një sërë aktorësh dhe kineastësh mund të akuzohen publikisht për abuzim seksual; ekziston një kërcënim për grevë nga punonjësit e festivalit; dhe një drejtor iranian mori pjesë disa ditë pasi u largua nga vendi i tij pasi mori një dënim me burg./ KultPlus.com

Vdes nobelistja Alice Munro, në krijimtarinë e saj edhe libri “Virgjëresha shqiptare”

Munro është autore e librit “Virgjëresha shqiptare” frymëzuar prej një tregimi të Edith Durham, të cilin e gjeti fare rastësisht në një bibliotekë. Ajo pat rrëfyer për gazetën “New York Times” se “Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për ndonjë shoqëri tjetër në botë, ku ndryshimet gjinore e vinin femrën në një pozitë të tillë, përcjell KultPlus.

Po ashtu këtë tregim Munro e ka përmendur edhe ndërsa ka folur për procesin e të shkruarit në një intervistë për revistën ‘The Paris Review’. “Disa herë, kur shkruaj, jam e pasigurt dhe ndryshoj vetën e rrëfimit, kaloj nga veta e parë tek e treta, madje e ndryshoj disa herë. Ky është një ndër problemet e mij më të mëdhenj. Shpesh e shkruaj tregimin në vetën e parë por pastaj e ndjej se, për një arsye të pashpjegueshme, kjo nuk funksionon. Në këto raste ndikohem shumë nga çka më thonë të tjerët se ç’duhet të bëj. Për shembull, agjentit tim nuk i pëlqeu përdorimi i vetës së parë në tregimin The Albanian Virgin “Virgjëresha shqiptare” dhe, meqenëse unë nuk isha plotësisht e sigurtë, më bindi ta ndryshoj. Por pastaj e ndryshova përsëri rrëfimin, duke e kthyer në vetën e parë”, ka thënë ajo. 

Ky tregim është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2005 nga Ideart, si pjesë e një vëllimi me tregime nën përkthimin e Pirro Dollanit, që ka marrë pikërisht titullin e këtij tregimi. Shkrimtarja Alice Munro ka merituar të gjithë trofetë e mundshëm letrarë. Në vitin 2009, kjo autore fitoi edhe çmimin prestigjioz letrar “Man Book Prize”. Ndërsa vetëm dy javë më parë Munro mori çmimin “International Festival of Authors”, çmim që shoqërohet me shumën 10 mijë dollarë. Libri i fundit i saj është “Dear Life”.
 
Ja 10 fakte për Alice Munro sipas Guardian Books
1 Emri i saj i lindjes është Alice Laidlaw .
2 Ajo u lind më 10 korrik 1931, pranë Wingham, Ontario,që paraqitet shpesh në tregimet e saj (më pas është quajtur Jubilee, ose Hanratty).
3 Babai i saj, Robert Laidlaë, ishte një pasardhës i drejtpërdrejtë i James Hogg, autori i “The Private Memoirs” dhe “Confessions of a Justified Sinner”
4. Ajo ka thënë diku se filloi të arratisej mes librash, pasi nëna e saj mësuese u diagnostikua me një formë të pazakontë të Parkinsonit, kur Alice, më e madhja e tre fëmijëve, ishte 10 vjeç.
5. Ajo fitoi një bursë për gazetari në Universitetin e Western Ontario-s, ku ajo mbahej mes të tjerash, edhe duke shitur gjak.
6. Munro botoi historinë e saj të parë “The Dimensions of a Shadow”, kur qe akoma studente, më 1950.
7. Me burrin e saj të parë, Jim Munro, ajo hapi një librari, “Librat Munro”, e cila është aktive sot në Victoria, British Columbia. E veçanta e tyre ishte se mbanin botime të vjetra, pothuajse ekskluzive, në një kohë kur shumë shitës të tjerë i përçmonin.
8. Burri i saj i dytë, gjeografi Gerry Fremlin, ishte një mik i vjetër nga universiteti. Ata vendosën të martohen pas një ritakimi pasi kishin pirë dhe nga 3 martini.
9. Kur Munro fitoi çmimin Man Booker International në vitin 2009, gjyqtari Jane Smiley e përshkroi punën e saj si “praktikisht të përsosur”.
10. Ajo është kanadezja e parë që iu dha Çmimin Nobel në Letërsi
 
Virgjëresha shqiptare
Gjinia: Tregim
Autori: Alice Munro
Përktheu: Pirro Dollani
Shtëpia botuese: Ideart, 2005
Faqe: 104/ KultPlus.com

Vdes në moshën 92-vjeçarje nobelistja Alice Munro

Autorja e mirënjohur kanadeze, Alice Munro, fituese e çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2013, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur familja e saj, teksa deklaroi se shkrimtarja ndërroi jetë në shtëpinë në Port Hope në Ontario të hënën mbrëma.

Munro shkroi tregime të shkurtra për më shumë se 60 vjet, shpesh duke u fokusuar në jetën në Kanada. Ajo shpesh krahasohej me shkrimtarin rus Anton Chekhov për dhembshurinë që përcillnin tregimet e saj.

Arritja e parë e saj e madhe erdhi në vitin 1968, kur koleksioni i saj të tregimeve të shkurtra “Dance of the Happy Shades” për jetën në periferi të Ontarios, fitoi çmimin më të lartë letrar të Kanadasë, atë të Guvernatorit të Përgjithshëm.

Munro, vajza e një fermeri dhe një mësuese shkolle, lindi në vitin 1931 në Wingham, Ontario. Shumë prej tregimeve të saj vendosen në zonën ku jetoi, kulturën dhe mënyrën e jetesës së rajonit.

Ajo ka botuar më shumë se një duzinë përmbledhjesh me tregime të shkurtra. Në vitet 1950 dhe 1960, tregimet e saj u transmetuan në CBC dhe u botuan në disa periodikë kanadezë. Disa nga tregimet e saj krahasuan jetën para dhe pas revolucionit social të viteve 1960. Në vitin 2009, Munro fitoi çmimin ndërkombëtar “Man Booker Prize” për arritje të jetës.

“Të lexosh Alice Munro është të mësosh diçka çdo herë që nuk e kishe menduar kurrë më parë”, tha asokohe komisioni i vlerësimit.

Më vonë ajo fitoi çmimin Nobel në 2013. Komiteti i Nobelit e quajti Munron një “mjeshtre të tregimit të shkurtër bashkëkohor”. Ndërkohë, Munro thoshte se në një intervistë për “The Guardian” në 2013 se ajo kishte shkruar histori personale gjatë gjithë jetës së saj. A.K./TemA/ KultPlus.com

Nis montimi veprës më të madhe të artit në Shqipëri e cila do të vendoset në Shkodër

Ka filluar montimi i veprës më të madhe të artit në Shqipëri! Ajo do vendoset në Shkodër. 

Skulptura monumentale, e quajtur ‘Çelësi Shqiptar’, krijuar nga Alfred Mirashi Milot , fitues i Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, shpallur nga Ministria e Kulturës, po vendoset në hyrjen e qytetit të Shkodrës.

Një vepër arti me një mesazh të fuqishëm dhe të qartë: mos të kemi më dyert e mbyllura, por të hapim shanset dhe të krijojmë mundësi për të gjithë në një mënyrë të barabartë.

Alfred Mirashi, me emër arti Milot ka lindur me 29 Gusht 1969 në Milot të Kurbinit dhe jeton momentalisht në Itali. /TemA/ KultPlus.com

Rikthehet teatri i fëmijëve në Gjirokastër, aktorët e vegjël interpretojnë për bashkëmoshatarët

Në Gjirokastër po rikthehet teatri për fëmijë ndërsa aktorët e vegjël interpretojnë plot dëshirë dhe pasion në skenën artistike. Së fundi ishte Qendra Kulturore e Fëmijëve që solli për artdashësit e vegjël pjesën “Kur gëzon Baba Viti”,e cila u ndoq me interes dhe u duartrokit nga fëmijët dhe prindërit.

Artistët në qytetin e gurtë e vlerësojnë pozitive rikthimin e këtij lloj teatri aq më tepër në shërbim të edukimit dhe argëtimit të fëmijëve.

“Pas shfaqjeve të shumta që kemi dhënë në teatrin “Zihni Sako” për fëmijë kemi vënë re që publiku i vogël është i etur për të parë akoma dhe më shumë shfaqje dhe duke patur parasysh këtë teatri ” Zihni Sako” por jo vetëm edhe Qendra Kulturore e Fëmijëve të qytetif ka vendosur një shfaqje së fundmi me fëmijë për vogëlushët dhe dua të them që ndjesia e imja si artiste kur pashë sallën plot të qytetit dhe të gjithë dashurinë që fëmijët dhanë për aktorët e vegjël ishte shumë emocionuese dhe fantastike”-tha Lejda Çeli, aktore.

Trupa të tilla si interpretuesit e vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve shërbejnë si bërthama artistike për transmetimin e traditës aq të pasur që ka teatri i Gjirokastrës tek fëmijët dhe të rinjtë

“Dua të cek pak interesin e fëmijëve të vegjël për të luajtur, për të qenë protagonistë në shfaqje të tilla dhe kjo është akoma dhe më e bukur dhe akoma edhe më emocionuese, teatri ” Zihni Sako” ka përdorur zakonisht të rinj por këtë radhë shfaqja e fundit ishte me fëmijë të vegjël dhe kjo është akoma më e bukur duket sikur po e transmetojmë në breza”-theksoi Çeli.

Programi i aktiviteteve kulturore në qytetin e gurtë tashmë përfshin edhe organizimin e vazhdueshëm të shfaqjeve teatrore nga fëmijët dhe të rinjtë./euronews/ KultPlus.com

Kam mësuar

Poezi e shkruar nga Maya Angelou.
Përktheu: Beti Njuma

Kam mësuar se çfarëdo që të ndodhë,
apo sado e padurueshme të ngjajë sot,
jeta vazhdon dhe e nesërmja më e mirë do jetë.

Kam mësuar se mund të kuptosh mjaftueshëm nga një njeri
nga mënyra sesi i përballon këto tri gjëra: një ditë me shi, humbjen e bagazheve dhe dritat lëmsh e li të pemës së Krishtlindjes.

Kam mësuar, sa i takon marrëdhënieve me prindërit, se malli për ta do t’na marrë kur të jenë larguar nga jetët tona.
Kam mësuar se të jesh gjallë s’është njësoj si të jetosh.

Kam mësuar se jeta ndonjëherë të jep një mundësi të dytë.
Kam mësuar se jeta s’mund të përballohet me doreza beisbolli në të dy duart: gjithmonë duhet të jesh e aftë të hedhësh diçka pas krahëve…

Kam mësuar se sa herë marr një vendim me zemër, përgjithësisht bëj zgjedhjen e duhur.
Kam mësuar se edhe kur jam ligsht, s’kam pse rri vetëm.

Kam mësuar se çdo ditë duhet të dalësh për t’u pjekur me dikë.
Njerëzve ua ka ënda një përqafim, ose thjesht një rrahje supesh….

Kam mësuar se kam ende shumë për të nxënë.
Kam mësuar se njerëzit do ta harrojnë ç’ke thënë, apo ç’ke bërë, por s’do ta harrojnë kurrë si i ke bërë të ndihen./ KultPlus.com

‘Kush është rebel? Ai që thotë jo…’

Alber Kamy (7 nëntor 1913 –  4 janar 1960), shkrimtar dhe filozof francez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Është i njohur për stilin karakteristik të shkrimit dhe me tematikat e veprave të tij. I gjithë opusi letrar i tij bazohet në idenë absurde të ekzistencës së njeriut.

Më poshtë janë disa prej thënieve të tij më të famshme:

Njeriu është e vetmja krijesë që refuzon të jetë çfarë është.

Politika dhe e ardhmja e njerëzve mbruhen nga individë pa ideale dhe pa madhështi. Kush ka madhështi brenda vetes nuk merret me politikë. Po të ishte bota e qartë, arti nuk do të ekzistonte.

Njeriu është gjithmonë fajtor për diçka.

Gjithmonë vjen çasti kur duhet të zgjedhësh midis vëzhgimit dhe veprimit. Kjo do të thotë të bëhesh burrë.

Gabimet janë gallatë, e vërteta është bajate.

Për të qenë të lumtur, nuk duhet të merremi shumë me të afërmit.

Nëse nuk të duan është fatkeqësi, por të mos dish të duash është tragjedi.

Vjeshta është një pranverë e dytë, ku çdo gjethe është një lule.

Duhet të duhemi shumë për t’u vetëvravë.

Për shekuj me radhë vrasja është ndëshkuar me vdekje, e megjithatë raca e Kainit nuk është zhdukur.

Të gjithë njerëzit normalë, kanë dëshiruar të paktën një herë vdekjen e njeriut që dashurojnë.

Asnjëherë nuk duhet të luash teatër me të tjerët.

Të jesh pa shpresa s’do të thotë të dëshpërosh.

Ata që kanë frikë të shijojnë janë budallenj.

Kush është rebel? Ai që thotë jo.

Nuk ekziston mbrojtje kundër përçmimit.

Një natë pranë saj kam kuptuar se pasuria ime i përkiste e gjitha kësaj bote.

Mitet ekzistojnë që imagjinata t’u japë jetë.

Sharmi është mënyra për të marrë një “po”, pa artikuluar një pyetje të qartë.

Liria është mundësia për të qenë më të mirë.

Nuk dua të jem një gjeni, kam probleme të mjaftueshme edhe vetëm duke kërkuar të jem një njeri.

Të gjykuarit nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet është çështja kryesore e filozofisë.

Të krijosh do të thotë t’i japësh formë fatit tënd.

Një njeri pa etikë është një bishë e egër që endet e lirë nëpër botë.

Kemi përherë përfytyrime të tepruara mbi gjërat që s’i njohim.

Nuk ka dashuri për jetën pa dëshpërim.

Absurdi lind nga ballafaqimi i pyetjes së njeriut dhe heshtjes së pashpjegueshme të botës.

Njoh një detyrim të vetëm: atë të dashurisë.

Kur të jemi të gjithë fajtorë, do të kemi demokraci.

Altruizmi është një tundim, si kënaqësia.