Mora lule sot…

Poezi e shkruar nga Paulette Kelly

Nuk ishte ditëlindja ime ose ndonjë rast special.
Patëm zënkën e pare mbrëmë.
Ai tha shumë gjëra të këqija që më lënduan.
E di që i vjen keq dhe që nuk i mendon ato që tha.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte përvjetori ynë apo ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më përplasi pas murit dhe më goditi.
Dukej si makth.
Nuk mund ta besoja se ishte reale.
U zgjova e lënduar në mëngjes dhe me të nxira.
E di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte Festa e Gruas ose ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më rrahu sërish.
Dhe ishte më keq se herën e kaluar.
Po e lashë atë, çfarë do të bëj?
Si do të kujdesem për fëmijët e mi?
Po për para’ si do ja bëj?
Por e di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Sot ishte një rast special.
Ishte dita e funeralit tim.
Mbrëmë, më në fund ai më vrau.
Më rrahu për vdekje.
Sikur të kisha patur aq kurajë dhe forcë për ta lënë,
Nuk do të kisha marrë lule… sot.

Përfaqësuesja e Serbisë e quan hipokrite raportuesen Bakoyannis

Deputetja serbe, Biljana Pantiq Pilja tha se raportuesja greke Dora Bakoyannis e cila rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës do të hyjë në histori “duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare”.

Ajo tha se Asociacioni “nuk do të themelohet” nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Europës, raporton Gazeta Express.

“Nëse e ftoni të ashtuquajturën Kosovë në Këshillin e Europës pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Asociacioni nuk do të themelohet kurrë”, tha ajo.

Biljana Pantiq Pilja e quajti Dora Bakoyannis të paintegritet dhe hipokrite.

“Ajo që po bëni është precedent me të cilin do ta hapni Kutinë e Pandorës”, tha deputetja serbe.

“Edhe shteti juaj do ta ndjekë këtë precedent që e keni krijuar”, tha ajo, duke iu referuar Greqisë./gazetaexpress/ KultPlus.com

Nis diskutimi në Asamblenë Parlamentare të KiE për anëtarësim të Kosovës

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.

Diskutimi ka nisur rreth orës 17.30, ndërkohë që në fund pritet edhe votimi i raportit

Në hyrje të kësaj seance, fjalën e mori Dora Bakoyannis, raportuesja për Kosovën në KiE, e cila lexoi raportin e përpiluar nga vetë ajo, përmes së cilit kërkon që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së.

Ajo i bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë raportin e saj, në mënyrë që Kosova të mund të bëhet anëtare e KiE-së.

Ajo mes tjerash tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale.

Sipas saj, juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Ajo ka përmendur tri çështje që i ka konsideruar më problematike për t’u zgjidhur, atë për Manastirin e Deçanit, shpronësimin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kam identifikuar tri çështje të mbetura, ku ka qenë i nevojshëm veprimi i menjëhershëm. Implementimi i aktgjykimit për Manastirin e Deçanit, shpronësimi i ligjshëm i pronave të pakicës serbe dhe themelimi i Asociacionit. Gjatë angazhimit tim në këtë dosje të gjitha palët shtetërore më kanë paralajmëruar se nuk mund të pritet ndonjë progres në asnjë prej këtyre çështjeve të përmendura. Por, me një punë persistente progresi real është vërejtur. Asambleja Parlamentare kas arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të së drejtës, implementimi i vendimit të Kushtetueses që do t’i kthente pronën Manastirit”, ka thënë ajo.

Bakoyannis është shprehur optimiste se Asambleja do ta rekomandoj që Kosova të ftohet të bëhet anëtare./rtk/KultPlus.com

Presidenti Begaj viziton shtëpinë e presidentit Rugova: Pa një udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj sot ka vizituar shtëpinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Presidenti Begaj me këtë rast është shprehur se pa një udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet.

“Në shtëpinë e Presidentit Rugova, misionarit paqësor që punoi për Pavarësinë e Kosovës “si pika e ujit që bën vendin në gur”. Pa udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet”, ka shkruar Begaj./KultPlus.com

‘Kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime, prishi krejt urat, digji tërë anijet’

Poezi nga Shqiptar Oseku.

kur dikush të kërkon bukë
ndaje koren e fundit me të bija ime
më mirë të jeni bashkë pak të uritur
se të ngopesh vetëm

kur dikush ta lyp një pikë ujë në orë zori
shpije te pusi i oborrit nën man
ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër
por hija i bën ende fllad

kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime
prishi krejt urat digji tërë anijet
mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt
po s’qe së pari njeri. /KultPlus.com

ASHSH, aktivitet për 100-vjetorin e koncertit të parë të një orkestre filarmonike në Shqipëri

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u mbajt koncerti “Crazy Night of Classical Music with Life and Music Concept Orchestra by Kledis Rexho” me rastin e 100-vjetorit të koncertit të parë të një orkestre filarmonike në Shqipëri. Në këtë koncert interpretuan artistët: Marla Hoxha, Era Kume, Ionel Streba, Kledis Rexho, Albana Bajraktari dhe Tea Peti.

Programi përmbante vepra të kompozitorëve më të njohur në rang botëror si Mozart, Bach, Beethoven, Vivaldi, Shostakovitch e të tjerë, por edhe kompozitorë të mirënjohur shqiptarë si Avni Mula e Vaso Tole.

Kledis Rexho falënderoi Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që duke mbështetur koncertet e “Life and Music Concept Orchestra” jep një kontribut për rrugëtimin e muzikantëve të rinj.

“Është kënaqësi e veçantë të përcjellësh eksperiencën artistike prej gati 15 viteve në France, Monaco dhe Luxembourg, për fëmijë muzikantë kaq të motivuar dhe të talentuar”, është shprehur ideatori i koncertit, Rexho./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani shpall të mërkuren ditë zie: Shoqëria çdo ditë në zi sa të ketë vrasje

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë vendim që ditën e mërkure ta shpallë ditë zie në tërë territorin e vendit, pas vdekjes së dy grave të cilat brenda javës u vranë nga bashkëshortët e tyre.

Presidentja Osmani derisa e ka bërë të ditur vendimin ka shkruar se shoqëria do të jetë në zi çdo ditë sa të ketë raste të tilla.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”, ka shkruar Presidentja Osmani në facebook./KultPlus.com

Policia e Kosovës publikon fotografinë e xhudistit Akil Gjakova, kërkon arrestimin e tij

Xhudisti i famshëm Akil Gjakova është duke u kërkuar nga Policia e Kosovës dhe për këtë çështje ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve, shkruan KultPlus.

Në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës është publikuar fotografia e tij, duke dhënë shpjegime se Akil Gjakova po kërkohet për veprën penale: dhunë në familje.

Më poshtë po ju sjellim njoftimin e plotë të Policisë së Kosovës.

Kërkesë për bashkëpunim – Akil Gjakova

Pejë, 16 prill 2024

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.

Personi i kërkuar është:

• AKIL (Luan) GJAKOVA i lindur me 04.01.1996 nё Pejë.

I pandehuri është i kërkuar për veprën penale:

– “Dhunё nё familje”

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:

– 192 dhe 080019999 (pa pagesë)

– 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë

– E-mail adresa: [email protected]./ KultPlus.com

Kompleksi ynë i Prometeut

Dan Carlin, një politolog dhe krijues podcast-esh, foli me Big Think për instinktin në dukje të pandalshëm të njerëzimit drejt krijimit. Psikanalisti Gaston Bachelard shpiku një term që e përmbledh këtë shtysë: “Kompleksi i Prometeut”. Ky kompleks përshkruan “të gjitha ato prirje që na shtyjnë të dimë aq sa baballarët tanë, dhe më shumë se ata”. Se sa kontroll kemi mbi këtë nxitje, kjo mbetet një pyetje e hapur

Mos i mërzit zotat. Nëse ka një mësim që na jep mitologjia klasike, është që duhet të dimë kufijtë tanë dhe të përmbahemi. Kujdes nga mendjemadhësia: akti i mburrjes së arrogancës dhe vetë-lavdërimit që njeriu bën ndaj Zotit, perëndive ose forcave të natyrës. Është t’i tregosh gishtin e mesit Thor-it, t’i kthesh shpinën një engjëlli vizitor ose të përpiqesh për të vjedhur nga Zeusi. Eshtë mendjemadhësia e Icarus-it, me krahë prej dylli, që fluturon shumë afër Diellit. Shumica e njerëzve që lexojnë letërsi klasike e kuptojnë këtë. Qëndro në korsinë tënde. Por ka një ikonë të mitologjisë greke që nuk e ka “lexuar memon”: Prometeu. Ja çfarë i ndodh atij:

Zeusi ishte i zemëruar me njerëzit, siç i ndodhte shpesh, dhe kështu ua hoqi aftësinë për të ndezur zjarr. Prometeu pa poshtë njerëzit që dridheshin nga i ftohti e vuanin për të ngrënë, dhe i erdhi keq. Pa e pyetur Zeusin, ai ndezi një pishtar nga Dielli dhe ua dërgoi fshehurazi zjarrin përsëri në Tokë. Për tradhtinë dhe mendjemadhësinë e tij, Prometeu u lidh me zinxhirë të pathyeshëm në një majë mali. Çdo ditë, një shqiponjë i hante mëlçinë dhe çdo natë mëlçia rritej përsëri, për të provuar mundime të reja.

Prometeu duhet të jetë një rrëfim paralajmërues: Mos i tall perënditë. Por ai u lartësua dhe adhurohej, duke u bërë në fund djaloshi i preferuar i Iluminizmit. Prometeu është rebeli i drejtë që pranoi një përjetësi vuajtjesh në emër të përparimit njerëzor. Ai është zëri i lartë dhe i papërmbajtshëm që na thotë të jemi inovatorë, të shpikim dhe të përparojmë. Vetë emri i tij do të thotë “të menduarit nga e ardhmja”. Ka shumë prometeanë për momentin.

KOMPLEKSI I PROMETEUT

Dan Carlin, prezantues i podkastit të njohur Hardcore History dhe autor i bestsellerit “Fundi është gjithmonë pranë: Momente apokaliptike” jep mendimet e tij mbi evolucionin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale dhe, më gjerësisht, historinë e përpjekjes së pamëshirshme të njerëzimit për të inovuar. “Kam qenë gjithmonë i magjepsur me idenë e mendjemadhësisë së Icarus-it që i afrohet shumë Diellit,” thotë për Big Think. “[Pyes veten] nëse shoqëria njerëzore e ka aftësinë që të mendojë se nuk duhet të shpikim diçka, nëse mendojmë se mund të jetë e keqe. Nëse e sheh rrugëtimin teknologjik nga distanca, dhe vë re që diçka e tmerrshme mund të ndodhë, a mund të thotë njerëzimi, ‘E di çfarë? Më mirë të mos shkojmë atje.’ Nuk jam i sigurt se e kemi atë aftësi”.

Në vitet 1930, filozofi dhe psikanalisti francez Gaston Bachelard bëri të njëjtën gjë. Bachelard e quajti “Kompleksi i Prometeut”. Ja si e  përshkruante ai: “Të njohësh faktet dhe të bësh gjëra janë nevoja që ne mund t’i karakterizojmë në vetvete pa pasur nevojë t’i lidhim domosdoshmërisht me vullnetin për pushtet. Ekziston tek njeriu një vullnet i vërtetë për intelektualitet. Ne e nënvlerësojmë nevojën për të kuptuar… Ne propozojmë, pra, të vendosim së bashku nën emrin e kompleksit të Prometeut të gjitha ato prirje që na shtyjnë të dimë aq sa baballarët tanë, më shumë se baballarët tanë, aq sa mësuesit tanë, më shumë se mësuesit tanë”.

PORTA E PASME E DIJES

Inteligjenca Artificiale është si një derë. Ne e dimë se pas derës ka një peizazh të madh, të panjohur – Narnia mespërmes garderobës ChatGPT. Pyetja është: Si duket ai peizazh? Çështja që theksojnë Carlin dhe Bachelard nuk është se ne nuk jemi të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme të së ardhmes, apo se nuk po bëjmë biseda të rëndësishme rreth asaj që mund të thotë IA, por që, në fund të fundit, këto shqetësime janë të kota. Ne zotërojmë një nxitje impulsive, intelektuale, që na shtyn përpara. Ne do të kalojmë nëpër atë derë dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë Inteligjencën Artificiale, dhe të gjitha llojet e teknologjive.

Kjo kërkesë nuk buron domosdoshmërisht nga një pozicion utilitar – nuk është se ne jemi domosdoshmërisht të shtyrë drejt efikasitetit më të madh, chatbot-eve realiste sociale ose zbulimeve mjekësore. Në thelb, duket se shtysa më e thellë është të shpikim çdo gjë që ne jemi në gjendje të shpikim.

Historiani britanik i shkencës James Burke në serialin e tij televiziv Connections thotë se të gjitha njohuritë janë të lidhura dhe që, edhe nëse përpiqemi të shmangim këtë apo atë sepse disa njerëz mendojnë se është e keqe, kjo është e pamundur. Të gjitha rrugët të çojnë në përparim. “Nuk është e mundur [të shmanget shpikja], sepse të gjitha njohuritë janë të ndërlidhura si një rrjetë,” thotë Carlin. “Nëse do ta mbyllje një pjesë të caktuar të saj sepse do të shihje dobësitë e mundshme, do të arrije në të njëjtin rezultat, por nga një rrugë tjetër, apo jo?”

Për të kuptuar analogjinë e Carlin, mund të mendojmë për idenë e inteligjencës së përgjithshme artificiale, ose AGI. AGI është pika në të cilën AI mund të kryejë një shumëllojshmëri detyrash me aq kompetencë sa të arrijë, ose tejkalojë inteligjencën dhe performancën njerëzore. Disa njerëz mund ta shohin AGI si të rrezikshme. Të tjerët mund ta shohin AGI si shpëtimtaren e njerëzimit. Por ndërsa kemi debate dhe biseda, ne po vazhdojmë të marshojmë drejt AGI. Shkencëtarët dhe programuesit pas kompjuterëve të tyre po zgjidhin “çdo gjë rreth saj”. Duart dhe truri ynë, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme, po lëvizin drejt asaj që ndërkohë jemi duke debatuar, nëse duhet ta bëjmë.

Kompleksi i Prometeut mund të shihet vazhdimisht në historinë e shkencës. Nuk është thjesht dëshira e Edenit për të ngrënë fruta ose për të shtypur butonin e kuq. Është fakti që ndërsa pjesa racionale, intelektuale e vetes sonë lufton me vendimin, një pjesë më e thellë, prometeane e jona e ka shtyrë tashmë atë përpara. Fatmirësisht, zakonisht rezulton gjëja e duhur./koha/KultPlus.com

“Shtegu i Gështenjave” eksperiencë fantastike mes natyrës dhe trashëgimisë kulturore

“Shtegu i Gështenjave”, në bashkinë e Pogradecit, është një tjetër zonë natyrore fantastike për të apasionuarit pas ecjes dhe natyrës që po tërheq gjithmonë e më tepër vizitorë.

Ecja përmes këtij shtegu synon të krijojë një eksperiencë gjithëpërfshirëse për vizitorët, duke lidhur Majën e Muçit me Pogradecin, ku ndërthuret bukuria e natyrës me kulturën, vlerat tradicionale dhe historike të zonës.

Bashkia Pogradec ndau në rrjete sociale momente nga grupet e të rinjve dhe turistëve që po e frekuentojnë këtë shteg, si pjesë të paketave turistike, teksa Pogradeci tashmë është kthyer në një pol të rëndësishëm të turizmit dhe po diversifikon ofertën turistike me larmi mundësish.

Përgjatë shtegut vizitorët kanë mundësinë të shohin pyjet me gështenja, Kishën e Shën e Dielës në Kabash etj.

Itinerari Pogradec-Maja e Mucit-Pogradec është 8 km i gjatë dhe me një disnivel prej 500 m, e një nivel të lehtë vështirësie./atsh/KultPlus.com

“Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë”: Thënie të famshme nga George Washington

George Washington ka qenë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – lider dhe strateg, i vetmi njeri i zgjedhur unanimisht nga Kolegji Elektoral duke shërbyer dy mandate si president.

Si president i parë, Washington e ka ditur se të gjitha metodat e tij, vendimet dhe lëvizjet do të krijojnë precedent për çdo gjë që do të pasonte, prandaj ai kishte qenë shumë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm me zgjedhjet e tij.

Ai kishte krijuar autoritet duke qëndruar i sinqertë dhe duke mos abuzuar me fuqinë që kishte.

Washington madje kishte refuzuar të shërbente një mandat të tretë dhe kishte vendosur që vitet e fundit t’i jetonte si fermer i thjeshtë, duke vendosur prapë një shembull të mirë.

Ai kishte qenë një njeri me ndjenjë të thellë të detyrës, një hero ushtarak dhe një patriot.

Marrë parasysh atë dhe të bëmat e tij, më poshtë jua sjellim disa prej thënieve të tij që jua përmirësojnë integritetin personal.

– “Lumturia njerëzore dhe detyra morale janë të lidhura në mënyrë të pandashme”

– “Këmbëngulësia dhe shpirti kanë bërë mrekulli në të gjitha epokat”

– “Shoqërohuni me njerëz të kualiteti të mirë, nëse e vlerësoni reputacionin tuaj, pasi që më mirë është të jeni vetëm sesa me shoqëri të keqe”

– “Aq më i vështirë konflikti, aq më i madh është triumfi”

– “Meshkujt e vërtetë e urrejnë luftën, por asnjëherë nuk largohen nga ajo”

– “Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë”

– “Më mirë është të mos arsyetoheni sesa ta jepni një arsyetim të keq”

– “Përgatitja për luftë është një prej formave më efikase për ta ruajtur paqen”. / KultPlus.com

52 vite nga vdekja e Jasunari Kavabata, nobelistit mbresëlënës japonez

Jasunari Kavabata qe shkrimtari i parë japonez që u laureua me çmimin Nobel në vitin 1968 për romanin e tij “Vendi i dëborës”. Për të deshifruar universin mental dhe romanesk të jashtëzakonshëm të Kavabatës është e domosdoshme t’i referohemi viteve të para të ekzistencës, të shënuara nga një vetmi e thellë, prej fëmijërisë deri në momentin tragjik kur shkrimtari vendosi t’i japë fund jetës.

Në veprën e tij realja dhe arealja ndeshen, shkapërderdhja e imazheve alternohet me bardhësitë dhe palëvizshmëritë. Punët e Kavabatës janë thurje të brimuara, të papërfunduara, që lënë lexuesin pa frymë para misterit të interpretimit. Soditja e natyrës, rënia e një gështenje, lulëzimi i një kumbulle, fluturimi i zogut, janë arratisje drejt një bote tjetër, ku bukuria e pashpjegueshme është ndoshta ajo e të vdekurve të rikthyer për një çast në botën e të gjallëve.

Jasunari Kavabata, biri i një mjeku të kulturuar, lindi në vitin 1899 në Osaka. Pas vdekjes së hershme të prindërve dhe motrës së vetme, ai u rrit nga gjyshi i verbër. Studioi në Universitetin Imperial të Tokios. Qe një nga themeluesit e organit Bungei Jidai, mediumi i një lëvizjeje të re në literaturën moderne japoneze. Debutimin e tij si shkrimtar e bëri me “Balerini Izu”, në 1927. Pas disa veprave të shquara, romani “Vendi i dëborës” i siguroi pozicionin si një nga shkrimtarët më në zë në Japoni. U bë anëtar i Akademisë së Arteve të Japonisë në vitin 1953.  Shkroi edhe shumë vepra të tjera, ndër të cilat “Liqeni”, “Qyteti i vjetër”, “Gjëmimi i malit”, “Bukuroshet e fjetura” etj.

Novela “Bukuroshet e fjetura” të Jasunari Kavabatës është një nga veprat e tij më të bukura. Në brendi të saj trajton kryesisht marrëdhëniet mes moshës së rinisë dhe pleqërisë, seksin, vdekjen, jetën dhe kujtimet. Shpeshherë Kavabata shkruan me metafora, duke dhënë shkas për reflektim shumë më parë pasi të shfletojmë edhe faqen e fundit të librit, për më tepër personazhet kryesorë në krijimtarinë e tij janë individë kompleksë në kërkim të pastërtisë. Kavabata e vë theksin kryesisht mbi aftësinë e mendjes njerëzore për të nxjerrë në pah marrëdhënien  e një individi me botën ekzistenciale.

Pasqyrimi i gabimeve të së shkuarës tek personazhi zakonisht ndodhin në prag të vdekjes. Për më tepër, këtyre personazheve u pikon dëshpërimisht në zemër për atë shans të pamundur për rininë e të rinjtë, madje edhe për një moment të shkurtër, për të rivitalizuar një ekzistencë më të dëlirë. Tek “Bukuroshet e fjetura”, personazhi kryesor, Eguti, fle pranë vajzave të reja që janë të droguara, të cilat përfaqësojnë bukurinë e jetës, si një mundësi për të reflektuar mbi gratë që ai ka njohur gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë edhe gruan dhe vajzat e tij. Gjumi   parashikon  Egutin me një kalim në vdekjen e tij të afërt.

Si gjithmonë, stili i shkrimit të Kavabatës përmban tone lirike, filozofike, që sugjeron misteret e panjohura të jetës.

Sido që të jetë, një fakt mbetet i sigurt: Kavabata vërtetoi mundësinë e ndjeshmërisë së pastër të flasë në veprat që lëkunden me bukurinë. A ishte kjo bukuri hyjnore apo e ligë? Sekreti i mbartur në varr nga shkrimtari, nuk do të zbulohet kurrë. Dy vjet pas vetëvrasjes së Mishimas, që e konsideronte si mjeshtrin e tij, Kavabata kreu edhe vetë vetëvrasje. Vdiq në vitin 1972. / Konica /KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Artit – “Artist talk” në COD, me piktorët Naxhi Bakalli dhe Nazmi Hoxha

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Artit, si dhe në vijim të ekspozitës “Dreams within a Dream”, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) organizoi dje një bisedë me artistin Nazmi Hoxha.

“Artist talk” u moderua nga kuratorja Eridana Çano dhe artisti i mirënjohur Naxhi Bakalli.

Nazmi Hoxha rrëfeu krijimtarinë e tij artistike përgjatë jetesës në Amerikë, si dhe ndau përvojën vetjake ndër vite.

Kujtimet e sjella nga mjeshtri Bakalli u bazuan në koherencën dhe vazhdueshmërinë pa dalë nga thelbi, duke qenë korrekt me këndvështrimin e tij si artist, i cili është imponues.

Ndërsa kuratorja Çano solli për të pranishmit këndvështrimin e saj për udhëtimin në Amerikë për të përzgjedhur e kuruar këtë ekspozitë, e cila u përgëzua nga artisti duke u quajtur edhe si “këndvështrimi nga një sy i tretë”, dhe kjo e befason artistin duke u kthyer nga autor, në vizitor./ora/KultPlus.com

Fragment nga libri “Jeta ime”,Charlie Chaplin

Fragment nga Charlie Chaplin

Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës. Por, mëngjesin e katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziazëm dhe nuk pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se nuk më donte. Më tha – në fund të fundit, unë jam pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e bluzës marinare.

– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini, atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë. E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di.

Doni të martoheni me mua? – I thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë, sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë ankth. Ajo mbeti në heshtje.

Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg – thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo. – Më vjen shumë keq.

Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur. Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja.

– Charlie Chaplin“Jeta ime”/KultPlus.com

56 vjet nga vdekja e novelistes amerikane, Edna Ferber

E quajtur “Novelistja më e madhe amerikane e kohës së saj”, novelistja dhe dramaturgja fituese e çmimit Pulitzer, Edna Ferber vdiq 55 vjet më parë, më 16 prill të vitit 1968, transmeton KultPlus.

Ferber lindi më 15 gusht 1885 në Kalamazoo, Michigan. Familja e saj u zhvendos pak përpara se të vendosej në Appleton, Wisconsin, kur Ferber ishte 12 vjeç, ku babai i saj drejtonte një dyqan të përgjithshëm.

Ajo ndoqi shkollën e mesme Ryan, ku shërbeu si redaktore “personale dhe lokale” e gazetës së shkollës. Talentet e saj në të shkruar ishin tashmë të dukshme, ndonëse ishte teatri që rrëmbeu zemrën e saj. Ajo e quajti veten “e goditur nga skena” dhe shpresonte të bëhej aktore.

Por nuk ishte menduar të ishte. Në pamundësi për të përballuar universitetin dhe në nevojë për të ndihmuar familjen e saj, Ferber shkoi të punonte në Appleton Daily Crescent. Ajo ishte gazetarja e parë femër e gazetës. Ferber e pëlqeu punën dhe kaloi në një gazetë më të madhe, Milëaukee Journal, ku ajo punoi aq shumë sa u rrëzua nga lodhja një ditë në moshën 22-vjeçare.

Ferber u kthye në shtëpi në Appleton për të pushuar, por në mënyrë tipike Ferber, ajo derdhi energjinë e saj në shkrimin e tregimeve.

Tregimi i saj i parë i shkurtër, “Heroina Homely”, u botua në vitin 1910. Ajo më vonë tha për suksesin e saj: “Vendimi im për t’i dërguar “Heroina Homely” te redaktori i Everybody’s u arrit thjesht mjaftueshëm.”

Historia e saj u pasua shpejt nga një roman, “Daën O’Hara”, për një gazetare femër në Milëaukee. Ferber erdhi në vëmendjen kombëtare për serinë e saj të tregimeve në lidhje me shitësen udhëtuese të petkave Emma McChesney. Ndër fansat e saj ishte edhe presidenti Teddy Roosevelt.

Suksesi i këtyre tregimeve e solli Ferberin në vitin 1912 në Nju Jork, ku ajo gjeti famë të madhe për romanet dhe tregimet e saj të shkurtra. Shumë prej tregimeve të saj shfaqnin gra të forta që kapërcenin vështirësitë. Thuhej se ajo kishte pak durim për gratë që lejojnë veten të kufizohen nga kufizimet sociale dhe kulturore të vendosura mbi gratë.

Ferber ishte rigoroze për punën e saj. Ajo hulumtoi me kujdes mjediset e romaneve të saj dhe mbajti një plan ditor të një shëtitjeje të shpejtë në mëngjes, e ndjekur nga disa orë shkrim. Për vite me radhë, ajo shkruante 1000 fjalë në ditë, 350 ditë në vit. Pasi kishte filluar një libër, ajo pretendoi se asgjë tjetër veçse vdekja nuk mund ta ndante atë nga ai./ KultPlus.com

Me konkurrentë nga e gjithë bota, “Tirana Film Office” përzgjidhet në listën e 5 më të mirëve

Tirana Film Office është zyrtarisht pjesë e finalistëve të “Global Production Award”, në kategorinë Emerging Location Award (sponsorizuar nga Dallas Film Commission)!

Me vende konkurrente nga e gjithë bota, ndër qindra zyra filmi nga çdo kontinent, Tirana Film Office arrin të përzgjidhet në listën e 5 më të mirëve, duke u bërë pretendente për çmimin fitues.

Ky event i përvitshëm, i cili mbahet në Festivalin e Filmit në Kanë, ka në fokus vlerësimin dhe promovimin e lokacioneve më të përshtatshme për xhirim, si dhe punën përgjatë një viti të zyrave të filmit në vende respektive.

Në thelb të këtyre çmimeve janë iniciativat, projektet dhe punët e shkëlqyera që vendosin standardet më të larta në stabilitet dhe diversitet, duke siguruar kështu që ekonomitë lokale të përfitojnë nga prodhimet e tregut të tyre. Tirana Film Office është pjesë e Agjencisë së Industrive Kreative në Bashkinë e Tiranës./KultPlus.com

Zgjidhet dilema e famshme e skenës ikonike të filmit Titanik?

Një pyetje ka frustruar audiencën e gjerë qëkur filmi Titanik u lansua në vitin 1997.

Por, një ankand më në fund ka zgjidhur misterin nëse kishte vend të mjaftueshëm për Jack-un dhe Rose në kornizën e derës prej druri në fund të filmit, shkruan DailyMail.

Dërrasa doli në ankand për 40 mijë dollarë dhe personat e interesuar për ta blerë kanë zbuluar se ka një gjatësi prej 2.4 metrave dhe një gjerësi prej 1 metër; hapësirë e mjaftueshme për Jackun dhe Rose.

Në skenën ikonike të filmit, Jack ngriu për vdekje në ujë pasi sakrifikoi veten për ta mbajtur Rose në panel.

Prej asaj kohe, kjo skenë është komentuar shumë, derisa disa fansa kanë rikrijuar skenën për të demonstruar se të dy mund të kishin mbijetuar.

Regjisori i Titanikut, James Cameron i ka qëndruar besnik skenarit, duke thënë se dërrasa do të ishte zhytur gjithsesi për shkak të peshës së çiftit dhe Jack ‘duhej të vdiste’ pasi historia ishte një tragjedi.

Dërrasa në skenën ikonike të filmit, u frymëzua nga një copë druri që kishte mbetur nga fatkeqësia e vitit 1912./KultPlus.com

Përkujtohet poeti arbëresh Jul Variboba

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot në ditën e lindjes, poetin arbëresh, Jul Variboba. Ai konsiderohet si përfaqësuesi kryesor i letërsisë së vjetër arbëreshe që lëvroi temën fetare për qëllime kishtare dhe mësimore.

Jul Variboba (1724-1788) lindi në katundin Mbuzat të Kozencës në Kalabri. Mësimet e para i mori në kolegjin e San Benedetos në Ulano. Në vijim ka shërbyer disa kohë si prift në fshatin e tij të lindjes.

Në Romë kaloi vitet e tjera të jetës, ku më 1762 botoi vëllimin poetik “Gjella (jeta) e Shën Mërisë Virgjër”, poemë e gjatë në dy pjesë bashkë me një tufë vjershash. Subjekti fetar i kësaj vepre është larguar mjaft nga tradita krishterë e paraqitjes së figurave biblike, të cilat Variboba i ka përshkruar si njerëz të zakonshëm, në mjedise vallesh e vajesh të ngjashme me ato të poezisë popullore arbëreshe. Libri fillon me një letër më anën e së cilës poeti i drejtohet Shën Mërisë, për t’i treguar përse ka ndërmarrë botimin. Vepra “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” përbëhet prej dy poemash: e para titullohet “Gjella e Shën Mërisë” dhe e dyta “Gjella e Shën Bambinit”. Ndërsa në pjesën tjetër të librit autori ka përmbledhur disa vjersha shpirtërore./atsh/KultPlus.com

Vrasja e gruas në Pejë, reagon ashpër Presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas vrasjes së gruas nga Pejë, që dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj mëngjesin e sotëm

Gjatë një fjalimi në hotelin “Emerald” në Prishtinë ku po merr pjesë në iniciativën ‘Thinking of You’, ajo ka theksuar se mënyra e vetme për ta ndalur këtë fenomen të tmerrshëm është të rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se kjo ngjarje ndodhi një ditë pas nisjes së edicionit të dytë të “Forumit për Gratë, Paqe dhe Siguri”, ku është diskutuar për dhunën ndaj grave.

Presidentja Osmani ka bërë thirrje tek të gjithë, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë e drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore, që po e njollos shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda./KultPlus.com

Botimi i tretë i “Kosova – histori e shkurtër” vjen me disa plotësime të rëndësishme

Historiani i njohur Jusuf Buxhovi, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se botimi i tretë i librit “Kosova – histori e shkurtër” që ka dalë nga shtypi kohët e fundit, la disa plotësime të rëndësishme.

Ai ka treguar se në libër pasqyrohen tri fusha, atë të lashtësisë, te hipoteza e lidhjes pellazge-ilire; te trinomi i mbretërive ilire: Dardanisë, Maqedonisë dhe Epirit si epiqendër e antikitetit si dhe te demistifikimi i mëtutjeshëm i qëndrimeve të historiografisë serbe rreth dinastisë Nemanjane të Rashës.

Tutje, Buxhovi ka shkruar se krahas këtyre plotësimeve, vëmendje i është kushtuar edhe asaj që e quajmë tezë “arnautashe”, të sajuar në shekullin XIX nga një pjesë e autorëve të sllavistëve të Vjenës, sipas të cilëve shqiptarët myslimanë janë serbë që fillimisht pranuan islamin në shekullin XVI për t’u shqiptarizuar dhunshëm në shekullin XVIII.

“Një vend të rëndësishëm në këtë plotësim zë edhe përiudha e luftës nacional-çlirimtare dhe ndryshimet që solli në planin shoqëror-politik shqiptar, ato te pushtimit fashisht italian të Shqipërisë (1939-1943) si dhe të pushtimit gjerman 1941-1945, ku fillimisht, nga 1941-1943, pas shpërbërjes së Jugosllavisë së Versajes kemi “tokat e lirueme” me Shqipërinë e Musolinit, ndërsa nga viti 1943-1944, pas kapitullimit të Italisë shfaqet Qeveria Shqiptare si shtet etnik nën ombrellën e Vermahtit gjerman, në një hapërisë prej 74 mijë kilometrash katrore”, ka shkruar Buxhovi./KultPlus.com

Daniel Defo, krijuesi i kryeveprës ‘Robinson Kruzo’

Daniel Defo lindi në Londër më 1660. Ai ishte djali i një kasapi të quajtur Xhejms Fo (Danieli më vonë e ndryshoi mbiemrin e tij në Defo sepse tingëllonte më bukur). Danieli i ri mëson në një shkollë fetare dhe më pas filloi tregtinë duke shitur dhe blerë mallra të ndryshëm. Kështu, ai udhëtoi në të gjithë Europën.

Daniel Defo luftoi kundër mbretit Xhejms ll dhe më vonë u bashkua me ushtrinë e mbretit Uilliam lll. Ai u burgos dy herë, sepse shkroi disa tekste kundër kishës dhe qeverisë. Daniel Defo punoi shumë edhe me gazetën e tij, në të cilën shkroi më shumë se 500 shkrime me emrin e vet, më shumë se çdo shkrimtar tjetër në gjuhën angleze.

Ai pati një jetë shumë aktive. Vdiq në 1731 në Londër. Kur ishte pothuajse 16 vjeç, Daniel Defo filloi të shkruante novela. Të kësaj periudhe janë veprat: “Kapiten Singëlltoni”, “Moll Flanders” dhe “Roksana”, por libri që e bëri të famshëm në të gjithë botën është “Robinson Kruzo”. Kjo ishte novela e tij e parë, e shkruar më 1719 dhe pati sukses të menjëhershëm. Defoja u mbështet në historinë e vërtetë të një detari të quajtur Aleksandër Selkirk, i cili u braktis nga piratët në ishullin Juan Fernandes, një ishull i vogël në Oqeanin Paqësor.

Ai jetoi atje i vetmuar për katër vjet dhe mundi të largohej me ndihmën e një anijeje në vitin 1709. Shumë studiues letërsie e mbajnë Robinson Kruzonë si novelën e parë në krijimtarinë letrare angleze. Ajo është përkthyer në mjaft gjuhë të botës, madje konsiderohet nje ndër veprat më të përkthyera në të gjithë botën pas Biblës.

Ai është një nga katër shkrimtarët më popullor dhe themelues i romanit anglez. Defoe ka shkruar edhe shumë trakte politike të cilat i kanë shkaktuar shqetësime autoriteteve angleze, të cilat e kanë ndëshkuar duke e futur në burg për pak kohë. Njëherësh ai ishte pionier i gazetarisë ekonomike dhe të biznesit. /KultPlus.com

135 vite nga lindja e Charlie Chaplin

Më 16 prill të vitit 1889 ka lindur Charlie Chaplin, i cili ka vdekur më 25 dhjetor 1977 në Zvicër. Aktori, skenaristi, regjisori dhe producenti anglez Charlie Chaplin, ishte një nga pionierët e kinemasë dhe një ndër artistët më të mëdhenj në historinë e filmit.

Mustaqe të zeza, kapelja, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha – karakteristika të Charlie Chaplin këto që nuk i harron askush. Ashtu si edhe në filmin e tij të parë, me të cilin korri sukses të madh „Fëmija“ (1921) „endacaku“ ndërthurte në figurën e tij, humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë.

Lindur në vitin me 16 prill 1889 në Londër, ai ndërroi jetë në Zvicër në vitin 1977 – gjatë jetës ai përjetoi shumë suksese në kinematografi, por edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Hollywood. Filmi i tij “Etja për ar”(1925) tematizon pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.

Shumica e veprave të Chaplin u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për „Dritat e qytetit“ ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por Chaplin nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: Mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot tek filmat e Chaplin.

Charlie Chaplin ishte i dhënë pas grave dhe është martuar gjithsej katër herë. Yllin e ri të kinematografisë e tërhiqnin gjithmonë vajzat e reja. Kjo shpesh herë i ka krijuar telashe. Në SHBA dhe në atdheun e tij në Angli, apostujt e moralit e kanë kritikuar ashpër atë.

Gruaja e dytë e tij Lita Grey Chaplin dhe dy fëmijët – 1913

Vetëm në filmat e tij të vjetër Chaplin luante karaktere të pakëndshëm. Shumë shpejt ai iu përkushtua roleve, që karakterizuan më pas filmat e tij: ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si „Kohët moderne“ (1936) ai ushtron edhe një kritikë të thellë shoqërore – njeriu në ingranazhet e industrializimit.

Një vepër mjeshtërore e Chaplin është filmi “Diktatori i madh” (1940). Përpjekjes, që konsiderohej thuajse e pamundur për të satirizuar Hitlerin dhe nazistët – Chaplin ia doli me sukses. Më vonë Chaplin është shprehur, se po të kishte pasur dijeninë për kampet e përqendrimit ai nuk do ta kishte xhiruar filmin. E pavarësisht kësaj “Diktatori i madh” edhe sot është një film që ia vlen të shihet.

Në veprën e mëvonshme “Projektorët” Chaplin ka përpunuar edhe shumë prej përjetimeve të tij. Në të tematizohen ulje – ngjitjet e artistit. Premiera e filmit u shfaq në vitin 1952, në një kohë, kur Chaplin përçmohej në SHBA. Atë e akuzonin atje, se ishte i afërt me komunizmin. Chaplin, i cili ishte atë kohë në Angli, nuk u lejua të kthehej në SHBA.

Pas dhjetë vjetëve ndërprerjeje, Charlie Chaplin rivuri në skenë në Europë në 1967 filmin: “Kontesha e Hong-Kongut”. Ndonëse filmi me dy yjet e kinematografisë Sophia Loren dhe Marlon Brando pati aktorë të nivelit të lartë, ai nuk solli asnjë sukses komercial. Vitet e fundit të jetës Chaplin i kaloi në Zvicër. Vetëm një herë ai u kthye shkurt në SHBA.

As sot e kësaj dite nuk ka figurë tjetër në historinë e kinematografisë, që të jetë kaq e pranishme sa Charlie Chaplin. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet – figura e endacakut me tiparet tipike të aktorit Charlie Chaplin haset kudo dhe në çdo kohë. Chaplin u ka mbijetuar kohërave – ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të shkuare të largët.

Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun. “Ai nuk ishte një yll Hollywood-i”, thotë ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzistonte”. Edhe sot mund të thuash që: Charlie Chaplin është shumë më tepër se sa një aktor. Ai është një legjendë. / KultPlus.com

Fshati Zogaj, përfaqësues i vlerave arkitektonike e kulturore të rajonit të Shkodrës

Nëse në rajonin e Shkodrës, atë fushor dhe bregliqenor, ka një fshat që dallon për nga vendndodhja dhe organizimi i tij, ai është fshati Zogaj.

Vlera arkitektonike dhe mënyra e urbanizimit të fshatit, mbetet karakteristik, pasi thuajse çdo 30-50 metra nga rruga kryesore, ngrihen rrugica të tëra që gjarpërojnë rrëzë malit, për të kapur edhe shtëpinë më të largët në mal.

DRTK Shkodër thotë se, këto rrugica të ngushta, ndërtuar në gurë dhe rrethuar me avlli të ulta po në gurë, mirëmbahen çdo ditë nga banorët e fshatit, ndaj janë përherë të pastra dhe plot lule shumëngjyrëshe, si pjesë e traditës së Zogajt.

Rrugicat e kalldrëmta, ndërtuar shekuj më parë, pa ardhur rruga e makinës zbrisnin deri në bregun e liqenit. Ato kujtohen me shumë nostalgji e dashuri ndër breza, duke e sjellë të freskët kujtimin e tyre deri në ditët e sotme.

Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët./atsh/KultPlus.com

Thënie brilante nga gjeniu Leonardo da Vinçi

Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të bukura të Da Vincit:

E vërteta është vajza e vetme e kohës.

Ai që zotëron shumë është ai që edhe frikësohet shumë, prej humbjes.

Kudo që hyn fati i mirë, zilia e rrethon dhe e sulmon atë vend; dhe kur ajo të largohet, hidhërimi dhe pendimi mbeten prapa.

Është më lehtë të luftosh me të keqen në fillim sesa në fund.

Trupi ynë varet nga Qielli dhe Qielli nga Shpirti ynë.

Ashtu si guximi e rrezikon jetën, frika e mbron atë.

Sepse, me të vërtetë, dashuria e madhe buron nga njohja e madhe e objektit të dashurisë, dhe nëse dini pak, do të jeni në gjendje ta doni atë vetëm pak ose aspak.

Atje ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta.

Ashtu siç çdo mbretëri e ndarë bie, ashtu çdo mendje e ndarë midis shumë studimeve ngatërron dhe shkatërron vetveten.

Në lumenj, uji që prekni është i fundit prej atij që ka kaluar dhe i pari prej atij që vjen; pra me kohën e tanishme.

Hekuri ndryshket nga mospërdorimi; uji humbet pastërtinë e tij nga pezulli … po ashtu edhe mosveprimi e thith fuqinë e mendjes.

Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndërr sesa në imagjinatë kur është zgjuar?

Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, në fakt mësova se si të vdisja.

Arti nuk mbarohet, vetëm braktiset.

Urtësia është vajza e përvojës.

Asgjë nuk e forcon autoritetin aq shumë sa heshtja.

Më ka bërë përshtypje urgjenca për të vepruar. Të dish nuk mjafton; ne duhet të aplikojmë. Të jesh i gatshëm nuk mjafton; ne duhet të bëjmë.

Natyra është burimi i gjithë njohurisë së vërtetë. Ajo ka logjikën e saj, ligjet e saj, nuk ka asnjë efekt pa shkak, as shpikje pa nevojë.

Përvoja nuk gabon. Vetëm gjykimet tuaja gabojnë duke pritur prej saj atë që nuk është në fuqinë e saj.

Koha qëndron mjaftueshëm për këdo që dëshiron ta përdorë.

Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art.

Ai që e do praktikën pa teori është si marinari që hip në bordin e anijes pa timon dhe busull dhe kurrë nuk e di se ku mund të shkojë.

Eshtë më lehtë të rezistosh në fillim sesa në fund.

Burrat gabojnë kur ankohen për fluturimin e kohës, duke e akuzuar atë se është shumë e shpejtë dhe nuk e kuptojnë që është e mjaftueshme edhe ndërsa kalon.

Ai që nuk e dënon të keqen, urdhëron që të bëhet.

Ashtu si ngrënia në kundërshtim me këshillat është e dëmshme për shëndetin, ashtu edhe studimi pa dëshirë prish kujtesën dhe nuk mbart asgjë që merr përsipër.

Jeta jonë është e përbërë nga vdekja e të tjerëve.

Nuk është i aftë për virtyt ai njeri që sakrifikon nderin e tij për përfitime. Pasuria është e pafuqishme për të ndihmuar atë që nuk e vlerëson veten.

Ndërsa një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur.

Përvetësimi i çdo njohurie, çfarëdo që të jetë, është gjithmonë e dobishme për intelektin, sepse do të jetë në gjendje të dëbojë gjërat e padobishme dhe të ruajë ato që janë të mira. Sepse asgjë nuk mund të dashurohet ose urrehet nëse nuk njihet së pari.

Mashtrueset më të mëdha që i shkaktojnë vuajtje njeriut janë mendimet e tij.

Një poet e di se ka arritur përsosmërinë jo kur nuk mbetet asgjë për të shtuar, por kur nuk ka asgjë për të marrë.

Nëse dikush dëshiron të shohë se si shpirti banon në trupin e tij, le të vëzhgojë se si ky trup përdor banesën e tij të përditshme. Kjo do të thotë, nëse kjo është pa rregull dhe e konfuze, trupi do të mbahet në çrregullim dhe konfuzion nga shpirti i tij.

I varfër është nxënësi që nuk e tejkalon mësuesin e tij.

Pasi të keni shijuar fluturimin, do të ecni përgjithmonë në tokë me sytë e kthyer drejt qiellit, sepse atje keni qenë dhe atje do të keni gjithmonë dëshirë të ktheheni.

Zoti na i shet të gjitha gjërat me çmimin e punës.

E vërteta e gjërave është ushqimi kryesor i intelekteve superiore.

Është po aq gabim i madh të flasësh mirë për një njeri të pavlefshëm sa të flasësh keq për një njeri të mirë.

Fatkeqësia më e rëndë është kur pikëpamjet tuaja vijnë përpara punës tuaj.

Mësoni si të shihni. Kuptoni sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër./KultPlus.com