Në Teatrin “Metropol”, në Qendrën Kulturore Tirana do të shfaqet “Të kujt janë këpucët?”, një tregim për fëmijë 3-12 vjeç nga Imelda Baglady.
Kjo është historia e ndjeshme e rivalitetit mes motrave në botën e Imelda Baglady. Eldamina dhe Madelina, dy motra në një udhëtim emocionesh dhe dashurie.
Eldamina, e madhja, adhuron të kërcejë si Hirushja, madje mbajti edhe këpucët e famshme prej qelqi! Por gëzimi i saj hijezohet nga xhelozia ndaj motrës së saj të vogël.
Ndërsa Imelda Baglady, me një karakter unik, përcjell rrëfimin, duke ndërtuar histori rreth objekteve të saj të dashura, përfshirë një palë këpucë të veçanta, pretenduar se janë nga Hirushja.
Në një moment zemërimi, Eldamina hedh këpucët e çmuara në liqen, duke shkaktuar ngjarje që ndryshojnë jetën e familjes së tyre.
Udhëtimi i Eldaminës për të gjetur këpucët çon në një realizim emocionues të dashurisë për motrën e saj të vogël, duke ia dhuruar në fund këpucët e Hirushes./tema/KultPlus.com
Ajo lindi në ditën kur s’duhej. Qyteti kundërmonte aromë të keqe, zogjtë kishin ra në qetësi të detyruar e aroma e luleve ishte mbytë nga duhma e shurrës.
Vetëm zhurma e aeroplanëve dëgjohej dhe shushurima e korit të kohës, ku vend zënë politikanë me xhepat plot parulla.
Koha ikën. Mes nesh kryelartë rri jeta jote e ëndërruar çdo natë. E ne të hutuar shikojmë sytë e saj si pikturohen nëpër vite, ato kujtime të shpërndara si flokët e shprishura në trupin tënd. Pastaj shtrojmë pyetje të shumta, pyetje të cilave u mungojnë përgjigjet. Ditëve kur shfaqen njerëz me shikime të mjegullta dhe duar të ngritura kah qielli që kërkojnë mëshirë.
Në qytetin e saj ka shumë bërllok. Ajo e do poezinë, por s’ i lexon përrallat patriotike. Ajo i pi kafet e zeza, por me një gotë raki. Ajo e ka fustanin e zi, por mendjen e bardhë si bora.
Oh ç’predikime dëgjon ajo me veshët e bukur, dhe sytë e stuhisë që i shohin përtej mureve. Ajo bën plane për të nesërmen, por fustani i kapet në një gozhdë.
Pastaj qetësisht kërkon fundin e gjërave pa e gjetë rrugën e daljes. Dhe kështu i shterret fjala e shtegton nëpër imagjinatë, e në vetmi kërkon Kullën e Babelit dhe në një ditë me mjegull të dendur sheh si tullat i përplasen nëpër gishtërinjtë e saj të hollë. / KultPlus.com
Deputetja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Arta Bilalli-Zeneli në debatin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u shqyrtua raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ia ka përmendur Serbisë, vrasjen e 56 anëtarëve të familjes Jashari, brenda një dite, duke thënë se nga Asambleja mund t’i dërgojnë një sinjal asaj familje dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
Deputetja Bilalli-Zeneli ka thënë se nuk pajtohem me mendimet se ky anëtarësim do të krijojë konflikte të reja në Evropë.
Duke e mbështetur kërkesën për anëtarësim të Kosovës në KiE i japim sinjal se ata do t’i bashkohen familjes evropiane
“Të dahsur kolegë a është themeluar kjo organizatë për të parandaluar luftërat në mes të popujve në Evropë, të gjithë pajtohemi që po, pra komentet se ky anëtarësim do të provokojë konflikte të mëtejme në Evropë, nuk tingëllon mirë dhe nuk është i përshtatshëm dhe është në kundërshtim me qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës. Të gjitha shtetet demokratike dhe organizatat ftojnë për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas mendimit tim, ky anëtarësim do të përforcojë, do të shtyjë përpara këtë dialog sepse do t’i kemi dy palë të barabarta në dialog dhe barazia është një vlerë thelbësore e Këshillit të Evropës. Në 1999, një ish ministër i Francës ka thënë se po të ishte një çmim nobel për liri, atëherë do t’i jepej familjes Jashari në Prekaz, sepse është një familje ku 56 anëtarë të familjes janë vrarë brenda një dite të vetme. Familja Jashari nuk e ka marrë çmimin nobel por duke e mbështetur këtë raport dhe këtë kërkesë për anëtarësim, do t’iu japim një sinjal se ata do të kenë një karrige dhe do t’i bashkohen familjes së madhe evropiane të cilës ata i përkasin”, tha ajo. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e sotme, 17 prill të shpallet ditë zie në kujtim të grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore
Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.
Dy gra janë vrarë brenda pak ditësh në Kosovë. Njëri rast ndodhi në Ferizaj, e tjetri në Pejë. Në rastin e parë i dyshuar është ish-bashkëshorti i e në rastin e dytë bashkëshorti i viktimës. Situata po cilësohet si alarmante, teksa po kërkohen veprime urgjente për të parandaluar vrasjen e grave.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një reagim, ka thënë se femicidi ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe duhet të ndalet me çdo kusht.
“Fatkeqësisht sot jemi zgjuar të gjithë në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të e një gruaje nga bashkëshorti saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se ri zgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb”, tha Osmani të martën.
Osmani tha se duhet të rizgjohemi kundër këtij fenomeni pasi nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur.
Ajo tutje i bëri thirrje të gjithëve që të ndalet dhuna mbi baza gjinore, pasi një gjë e tillë po e njollosë shtetin dhe mund ta shkatërrojë atë nga brenda.
“Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore i cili siç e përmenda po e njollosë shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda. E kemi detyrë që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë dhe qytetarët”, ka thënë Osmani.
Gjatë ditës së hënë dhjetëra qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, duke bërë thirrje për ofrimin e sigurisë për vajzat dhe gratë. Në marshin e organizuar nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Siguri për vajzat dhe gratë”, “Armiku ynë është patriarkati”, “Edhe sa thirrje të humbura”.
Ata bënë thirrje për siguri për vajzat dhe gratë teksa marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, para së cilës protestuan. / KultPlus.com
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e publikut për ndihmë në lokalizimin e xhudistit Akil Gjakova, i cili është akuzuar për dhunë në familje, për këtë rast ka shkruar edhe Reuters.
“Policia e Kosovës po kërkon nga të gjithë qytetarët që kanë informacion për lokacionin e të dyshuarit të njoftojnë stacionin më të afërt policor”, ka thënë policia përmes një njoftimi publik me foton e Gjakovës të bashkëngjitur, pa dhënë detaje për akuzat.
Mediat lokale më herët kanë raportuar se gruaja e tij e ka paraqitur rastin në polici.
Gjakova, 28-vjeç, ka fituar 62 medalje në xhudo, përfshirë gjashtë arta, që nga viti 2011 në gara të ndryshme ndërkombëtare, dhe pritej të merrte pjesë në lojërat olimpike Paris 2024.
Federata e Xhudos e Kosovës ka thënë se është në kontakt me Gjakovën dhe besojnë në pafajësinë e tij, duke thënë se ai ishte jashtë vendit dhe do të dorëzohet para autoriteteve porsa të kthehet.
Urdhri për arrest ndaj Gjakovës vjen teksa vendi u trondit kur një burrë vrau gruan e tij të martën, pak kohë pas një femicidi tjetër të premten e kaluar kur një burrë vrau ish-bashkëshorten e tij në Ferizaj. / KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, për të gjashtin vit radhazi, organizon Festivalin Folklorik “Gurra Folk Fest”, një garë folku midis shkollave të mesme të Qarkut të Vlorës. Festivali “Gurra Folk Fest” aktualisht është në momentet e fazës përzgjedhëse për edicionin e tij të 6-të.
Ditën e djeshme, në Livadhia, Bashkia Finiq, u realizua takimi seleksionues i shkollave të mesme, për bashkitë: Sarandë, Delvinë, Konispol, Finiq. Rreth 150 nxënës u ngjitën në skenën “Katina Papa”, Livadhia, veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe, si dhe me performancë të lartë artistike, duke elektrizuar gjithë sallën.
DRTK Vlorë falenderoi mësuesit dhe nxënësit e të gjitha shkollave, për angazhimin serioz dhe punën, për të sjellë një performancë sa më dinjitoze në skenë. Pjesëmarrje mahnitëse dhe performanca të shkëlqyera sollën shkollat:
Në vitin 1928, 25 vjeçari Eric Arthur Blair vendoset në Paris, kryeqyteti i kulturës botërore dhe destinacioni i shumë shkrimtarëve dhe artistëve, të pasur dhe të varfër, nga e gjithë bota. Një incident i pakëndshëm i ndodh shkrimtarit të ri, që e zhyt në mjerim, në uri dhe në kërkim të punëve të rëndomta. Shkrimtari, që më vonë u bë i njohur me pseudonimin George Orwell, nisi në këtë mënyrë të eksploronte Parisin dhe, më pas Londrën, nga statusi i “skllavit të skllavit” dhe prej syve të endacakut.
I botuar fillimisht në vitin 1933, I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër u bë një udhërrëfyes klasik i dy metropoleve të mëdhenj dhe një analizë e mprehtë sociale e politike e viteve ’30. Ky është libri që besohet se caktoi edhe pikën e kthesës së Orwellit, nga fëmija e një familjeje me mirëqenie dhe i arsimuar në shkollën e elitës Eton, në luftëtar për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.
Kjo është hera e parë që ky libër vjen në gjuhën shqipe.
Pak nga jeta e autorit
Eric Arthur Blair (25 qershor 1903 – 21 janar 1950) ishte një romancier, poet, eseist, gazetar dhe kritik anglez i cili shkroi nën emrin e stilolapsit të George Orwell. Vepra e tij karakterizohet nga proza e kthjellët, kritika sociale, kundërshtimi ndaj totalitarizmit dhe mbështetja e socializmit demokratik.
Orwell prodhoi kritikë letrare, poezi, letërsi artistike dhe gazetari polemike. Ai është i njohur për novelën alegorike Ferma e Kafshëve (1945) dhe romanin distopian Nëntëmbëdhjetë Tetëdhjetë e Katër (1949). Veprat e tij jo-fiction, duke përfshirë Rrugën drejt Wigan Pier (1937), duke dokumentuar përvojën e tij të jetës së klasës punëtore në veriun industrial të Anglisë dhe Homage to Catalonia (1938), një rrëfim i përvojave të tij në ushtar për fraksionin republikan të Lufta Civile Spanjolle (1936–1939), respektohen po aq kritikisht sa edhe esetë e tij mbi politikën, letërsinë, gjuhën dhe kulturën. /Liberale.al/KultPlus.com
Bashkia e Durrësit miratoi sot vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes).
Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale.
Ditën e nesërme në qytetin e Durrësit do të organizohet nën kujdesin e kryebashkiakes Sako edhe ceremonia e dhënies së titullit për aktorin Mirushin Kabashi.
Ceremonia do të zhvillohet në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë kësaj ceremonie do të shfaqet edhe intervista e fundit e aktorit të madh Mirush Kabashi, një rrëfim për jetën në skenën e Teatrit dhe jo vetëm.
Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.
Kabashi në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë”, si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.
Kabashi është vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./atsh/KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim profesorin dhe dirigjentin Baki Jashari i cili po e përfundon mandatin e tij si drejtor i Filharmonisë së Kosovës.
Ministri Çeku dhe drejtori Jashari bashkë diskutuan për punët e angazhimin e këtij të fundit në institucionin më të lartë të muzikës në vend.
“Ministri e falenderoi për kontributin e tij jetësor në skenën e muzikës klasike dhe atë 18 vjeçar në forcimin e institucionit të Filharmonisë”, thuhet në njoftim.
Deri në shpalljen e konkursit të rregullt, si ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës është emëruar Dardan Selimaj, zyrtar i brendshëm i këtij institucioni, i cili poashtu ishte pjesë e takimit./KultPlus.com
Me 131 vota për dhe 29 vota kundër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE), votoi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndër më të rëndësishme evropiane.
Pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti hap historik.
“Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës”, u shpreh Rama.
“Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur”.
“Vulosjen e këtij anëtarësimi pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Forca Kosovë”.
Federata e Xhudos e Kosovës përmes një reagimi të martën ka thënë se beson në pafajësinë e xhudistit Akil Gjakova, pas akuzave për “dhunë në familje”.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Federatës së Xhudos:
REAGIM ZYRTAR
Federata e Xhudos e Kosovës dënon fuqishëm çdo formë dhune dhe jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet e fundit në vendin tonë.
Ne e kemi për prioritet të mbrojmë dhe të promovojmë barazinë gjinore, e cila është e vërtetuar me arritjet kulminante dhe përkrahjen e shkëlqyeshme të sportisteve tona.
Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë.
Akili momentalisht ndodhet jashtë territorit të Kosovës, dhe do të dorëzohet menjëherë tek organet e rendit dhe të drejtësisë në momentin që do të arrijë në Kosovë.
Në një ambient të bukur në Oratorio Mattarello të Arzignanos, të dielën është bërë promovimi i librit “Sytë flasin në heshtje”, i autores Afërdita Bashota – Podvorica. Në promovim morën pjesë bashkatdhetarë tanë nga Arzignano, Milano, Vicenza, Treviso, Padova, Novara, Ferraro, Bassano del Grappa, Montebelluna etj., si dhe të ftuar nga Kosova.
Promovimin e librit e moderoi Ragip Thaqi, i cili kontribuon vazhdimisht në aktivitete të shumta letrare dhe kulturore.
Këtë ceremoni solemne të promovimit të librit me një fjalë rasti e përshëndeti Diamant Kastrati, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, i cili e vlerësoi lart punën e mësimdhënësve, e sidomos të grave shqiptare në diasporë.
Z. Kastrati, ndër të tjera, theksoi: “Promovimet e librave janë jashtëzakonisht me interes, mirëpo kur flasim për promovimin e librit të cilin e ka shkruar një grua, e cila jeton dhe vepron në mërgim, atëherë rëndësia është edhe më e madhe. Prandaj, është për t’u vlerësuar një punë e tillë dhe unë besoj që kjo në njëfarë forme apo në një kontekst më të gjerë është shumë e rëndësishme për mërgatën tonë, por edhe për institucionet e Kosovës. Në këtë mënyrë ne dëshmojmë se gruaja shqiptare në mërgatë është e aftë të kontribuojë në fushën e kulturës dhe arsimit”, përfundoi Diamant Kastrati.
Në vazhdim, Kujtim Sadiku, kryetar i Shoqatës “Ardhmëria” në Arzignano, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se kjo shoqatë me veprimtarinë e saj, prioritet kryesor e ka mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Ai, ndër të tjera, tha se “bashkëpunimi ynë me prindërit, me mësuesit dhe me nxënësit që e vijojnë mësimin plotësues është i një rëndësie të veçantë. Prandaj, do të punojmë çdo ditë që numri i nxënësve të jetë sa më i madh”, tha ai në fjalën e tij.
“Në këtë rast, kur po promovojmë librin e mësueses, Afërdita Bashota-Podvoricës, më lejoni të përshëndes e të falënderoj stafin e kësaj shkolle: Skënder Podvoricën, koordinator dhe dy mësueset: Valbona Kastrati – Çitakun dhe Afërdita Bashota-Podvoricën. Kontributi i tyre i pakursyer është motiv për nxënësit që ta mësojnë gjuhën shqipe dhe që t’i ruajnë vlerat tona kombëtare”, përfundoi Kujtim Sadiku.
Me kumtesat e tyre lidhur me përmbajtjen e librit u paraqitën studiuesi, Sali Bashota, poetja Trandafile Molla-Baja, Faik Tafolli, Miradie Zymberi-Avdullahi, ndërkaq në emër të Botimeve REA, Rozafa Bashota.
Duke folur për veprën “Sytë flasin në heshtje”, Sali Bashota, ndër të tjera, tha: “Promovimi i çdo libri është një ngjarje letrare dhe kulturore, në radhë të parë, për autorin, ndërsa paraqitja e mendimeve për të dhe diskutimi i përmbajtjes së tij, pa dyshim, i jep një dimension solemn përurimit të tij”.
Sali Bashota, më tutje thesksoi se “Afërdita ka filluar herët të merret me poezi. Paraqitja e përjetimeve personale në poezinë e Afërditës e ka ndjekur një rrugë krijuese. Autorja ka pritur ta botojë librin e saj të parë, vetëm kur janë pjekur frymëzimet e saj. Një kohë të gjatë e ka mbajtur
të fshehur në vetvete tërë atë vrull krijues, derisa ka vendosur që ta botojë librin. Kjo fshehtësi e ka domethënien e vet.
Relacioni i temave të atdheut me temat e mërgimit është shumë i theksuar në këtë libër. Afërdita ka arritur ta shpalosë realitetin e përjetuar në dy kohë dhe në dy hapësira.Koha dhe hapësira në poezinë e Afërditës i ka shenjat e veta krijuese që marrin kuptim figurativ.
Janë mjaft interesante poezitë për kujtimet e fëmijërisë, poezitë për përjetimet e luftës (Disa vargje: “Mbaj mend/ Ishte dita e fundit e marsit 1999/ Lufta kishte filluar/ Edhe në sytë e mi”), poezitë për detin, poezitë për dashurinë, poezitë për mërgimin (“Çdo ditë jam mësuar/ Me lutjen e Zotit/ Kurrë nuk jam mësuar/ Me mërgimin/ apo te poezia “Vetëm unë e kam emrin tim”: “Në Arzignano/ Uji ka një emër tjetër/ Acqua i thonë/ Edhe buka/ Ka një emër tjetër Pane i thonë/ Në Arzignano/ Zjarri ka nje emër tjetër/ Fuoco i thonë/ Edhe qielli/ Ka një emër tjetër/ Cielo i thonë/ Në Arzignano / Dielli ka një emër tjetër/ Sole i thonë/ Edhe toka/ Ka një emër tjetër/ Terra i thonë/ Vetëm unë e kam emrin tim”.
“Kjo është njëra ndër poezitë më të bukura dhe më domethënëse në këtë libër”, tha në fund të kumtesës së tij, Sali Bashota.
Në vazhdim të promovimit fjalën e mori poetja Trandafile Molla-Baja, e cila për librin e Afërdita Bashota-Podvoricës, tha: “Duke e lexuar librin e poetes hyra në botën e saj të ndjeshme, në të cilën embrioni i veprës është mendimi realist dhe ideja, malli dhe dashuria sigurisht, përzier me fantazinë që muza e saj shpirtërore ia ka përcjellë, duke vënë në lëvizje gjithë qenien dhe botën e saj. Poezitë kanë individualitet të dallueshëm shpirtëror. Duke qenë se poetja jonë është emigrante, por asnjëherë nuk e harroi vendlindjen dhe atdheun e saj të dashur, ajo e ruan atë jo vetëm brenda shpirtit të saj, por dhe në bulëzën e lotit. Shpesh poetja jonë në heshtje nxjerr ofshamë, ofshamë dhimbjeje. Më emocionon kjo poete me vargjet e saj plot ndjenjë e dhimbje.
Afërdita ka hyrë në autostradën e pafundme poetike, ku muza e saj nuk ka të ndalur. Karakteristikë e poezive të saj janë migjeniane, janë lirike, por kanë të veçantën e vet më të avancuar, moderne, nënkuptuese. Ato dallohen nga kuarteti, mall-nostalgji, dashuri dhe atdhedashuri”.
Më tutje, Trandafile Molla-Baja, tha: “Afërdita shkruan bukur. Shpirti i saj ngacmohet nga natyra, qielli e deti, kodra e mali, flutura e zogjtë. Vargjet e poetes pasqyrojnë realitetin. Ato janë kuptimplote dhe kanë figuracion të pasur dhe të impresionojnë. Shpesh herë ajo vargëzon, më shumë jep mesazhe romantike. Pothuajse të gjitha poezitë janë me mesazh të qartë, kanë brenda sinqeritetin e një gruaje krijuese dhe intelektuale. Ndaj krijimtaria e saj është impresionuese dhe emocionuese. Afërdita ka pjekuri poetike. Ajo premton shumë në udhëtimin e saj poetik”, përfundoi ajo.
Në vazhdim të promovimit, drejtuesja e Botimeve REA, Rozafa Bashota, duke e falënderuar Afërdita Bashota-Podvoricën për bashkëpunimin, tha:” Është një emocion i veçantë që këtë libër po e promovojmë në Itali. Libri ‘Sytë flasin në heshtje” përçon mesazhe lumturie, gëzimi, malli, pikëllimi, pra emocione reale dhe me të cilat ballafaqohemi të gjithë ne në çdo ditë të jetës tonë. Stili dhe krijimi i këtyre poezive është realizuar me shumë vullnet dhe dashuri, njësoj si bashkëpunimi botues-autore”. Më tutje, ajo i përmendi edhe projektet e Botimeve REA dhe planet botuese për këtë vit dhe për vitet e ardhshme.
“Botimet REA, përveçse në Kosovë, është e hapur për bashkëpunim me të gjithë krijuesit edhe në diasporë”, përfundoi Rozafa Bashota.
Lidhur me vlerën dhe rëndësinë e librit, diskutuan edhe Faik Tafolli dhe Miradie Zymberi-Avdullahi, të cilën e vlerësuan përkushtimin dhe punën e Afërdita Bashota-Podvoricës, si në fushën e edukimit, po ashtu edhe fushën e krijimtarisë letrare.
Në këtë aktivitet mori pjesë poeti Franco Berton, ish kryetar i Komunës One di Fonte në Treviso, i cili diskutoi për rëndësinë e poezisë në përgjithësi, duke dalluar përkushtimin e shqiptarëve në të gjitha fushat. Gjithashtu, të pranishëm në këtë promovim ishin edhe intelektualë italianë dhe përfaqësues të arsimit, si Elisa Maria-Sentin, Maurizio Grigolo, Graziella Grendene etj.
Gjithashtu, me fjalët e tyre përshëndetëse u paraqitën edhe: Bajram Desku, Gëzim Muçolli, Bari Dërvishllari dhe Myftar Gjonbalaj.
Në fjalën e saj falënderuese, autorja Afërdita Bashota-Podvorica, ndër të tjera, tha:
“Në këto poezi unë jam përpjekur ta shpalos botën time krijuese me tema të ndryshme.
Janë këto tema dhe motive që më kanë preokupuar me vite të tëra, prandaj vendosa t’i bashkoj brenda një libri, të cilën e titullova ”Sytë flasin në heshtje “. Kam menduar me ditë dhe net për një kohë të gjatë, derisa kam vendosur t’i thur këto vargje duke i titulluar poezitë dhe duke i ndarë ato nëpër cikle.
Frymëzimet e mia gjithnjë më kanë motivuar që të merrem me tema të cilat së pari i ndjej në shpirt dhe i përjetoj, siç janë: tema e vendlindjes, fëmijëria, tema e luftës së popullit tim për liri, tema dashurisë, tema e mërgimit e të tjera.
Poezinë e parë e kam shkruar në klasën e katër të shkollës fillore në Kijevë, të cilën e pata recituar në televizionin e atëhershëm të Prishtinës.
Kam vazhduar të shkruaj edhe në kohën kur isha gjimnaziste në Kijevë, si dhe gjatë kohës së studimeve në Prishtinë.
Një numër të madh të poezive të mia që i kam shkruar në fletore janë djegur bashkë me bibliotekën e vëllait tim, Saliut në vendlindje, në Caravik të Klinës”.
Në fund të fjalës së saj, autorja falënderoi familjen e saj për mbështetjen e pakursyer në rrugën e saj krijuese, si dhe Botimet REA për botimin e librit të saj.
Në këtë promovim poezitë e zgjedhura nga libri “Sytë flasin në heshtje” i recituan: Valbona Kastrati-Çitaku, Silvana Lazri, Antigona Gashi, Adriatik Podvorica, Rea Bashota, si dhe nxënësit e shkollës “Ardhmëria” në Arzignano: Riana Humolli, Jara Abdullahu dhe Alea Miftari.
Në përfundim të promovimit, Bashkimi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Novara të Italisë e nderoi Afërdita Bashota-Podvoricën me Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin e çmuar në fushën e krijimtarisë letrare, ruajtjen e kulturës dhe vlerave kombëtare shqiptare.
Promovimi i librit “Sytë flasin në heshtje” i autores Afërdita Bashota – Podvorica, dëshmoi se në diasporë mund të organizohen aktivitete të përgatitura me shije dhe kulturë./KultPlus.com
Instituti Albanologjik i Kosovës ka njoftuar se do të mbajë tryezën shkencore “Prof. Shefqet Pllana (1930 – 1994) dhe veprimtaria e tij shkencore në folkloristikë”.
Pjesë e këtij paneli diskutues do të jenë:
Leontina Gega – Musa Profili shkencor i prof. Shefqet Pllanës në kontekst të filleve të folkloristikës institucionale
Liburn Jupolli Digitalizimi i materialeve audio-folklorike: Rasti studimor i incizimeve audio-analoge të Shefqet Pllanës
Vlorë Fetaj Berisha Shefqet Pllana, studiues i vajtimeve shqiptare në Kosovë
Kristina Perkola Vlera historike e kontributit dhe veprimtarisë së Shefqet Pllanës në fushën e folkloristikës dhe etnomuzikologjisë
Arbnora Dushi Prof. Shefqet Pllana, autor dhe redaktor në revistat e hershme shkencore në Kosovë
Takimi mbahet në sallën shkencore të Institutit Albanologjik i Kosovës, më 17 Prill, në ora 11:00./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare i tha ‘Po’ Kosovës, duke thënë se jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses”, tha Kurti duke shtuar, se megjithatë, puna do të vazhdojë.
Kryeministri tha se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut. Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve”, ka thënë kryeministri Kurti.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka falënderuar të gjithë deputetët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të cilët votuan PRO avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Presidentja Osmani shkroi në “X” se “zëri i europianëve është dëgjuar!”.
“Faleminderit të gjithëve deputetëve të Asamblesë Parlamentare të KiE që votuan pro Kosovës anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës sot!”.
“Një falënderim i madh për delegacionin tonë dhe të gjithë ata që mbështesin vazhdimisht popullin e Kosovës. Edhe një hap!”, shkroi Presidentja.
Skulptori Agon Qosa është duke i bërë prekjet e fundit në realizimin e plotë të shtatores së ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair.
Shtatorja do të vendoset në qytetin e Ferizajt, më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit të Kosovës, si shenjë mirënjohjeje dhe nderimi për atë që ish-kryeministri britanik kishte bërë për Kosovën një çerek shekulli më parë.
Reuters raporton se skulptori Qosa dhe shqiptarët e tjerë etnikë në Kosovë idhullojnë Blair-in për rolin e tij udhëheqës gjatë një fushate bombardimi të NATO-s në vitin 1999 që ndaloi përparimet e forcave serbe dhe në fund e ndihmoi kombin e vogël ballkanik të fitonte pavarësinë.
“Njëzet e pesë vjet më vonë, Qosa po përfundon një statujë prej balte të përmasave reale të Blerit, e cila do të derdhet në bronz dhe do të vendoset në bulevardin Blair në qytetin lindor të Ferizajt më 12 qershor, që shënon fundin e luftës së Kosovës 1998-99” thuhet në artikullin e Reuters.
“Vendosa ta kem atë në qytetin tonë, në Kosovën tonë, për të mbërritur i lumtur dhe i gëzuar,” ka thënë Qosa ndërsa punonte në statujën që përshkruan Blair-in duke buzëqeshur me një kostum, njërin krah të ngritur në valë.
Bashkim Fazliu, kreu i Fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair” ishte ai që e porositi shtatoren ish-kryeministrit britanik, e ka ftuar atë në inaugurim, por tha se ende nuk ka marrë konfirmimin se do të marrë pjesë.
Sipas zyrës kombëtare të statistikave, më shumë se 10 persona në Kosovë quhen Tonibler, Toni ose Bler – drejtshkrimet janë ndryshuar për t’iu përshtatur shqiptimeve lokale.
Njëri prej tyre është Tonibler Gashi i cili lindi dy vjet pas luftës. Babai i tij nuk kishte dyshim që djalit të tij të parë t’i vinte emrin e Blair. Gashi, tani 22 vjeç, ishte nëntë vjeç kur takoi Blerin e vërtetë në Prishtinë.
“Ishte pak a shumë si të takoja një profet për njerëzit tanë…ai më shtrëngoi dorën dhe u ndjeva mirë”, ka treguar Tonibler Gashi./KultPlus.com
Nuk ishte ditëlindja ime ose ndonjë rast special. Patëm zënkën e pare mbrëmë. Ai tha shumë gjëra të këqija që më lënduan. E di që i vjen keq dhe që nuk i mendon ato që tha. Sepse ai më solli lule sot.
Mora lule sot. Nuk ishte përvjetori ynë apo ndonjë rast special. Mbrëmë, ai më përplasi pas murit dhe më goditi. Dukej si makth. Nuk mund ta besoja se ishte reale. U zgjova e lënduar në mëngjes dhe me të nxira. E di që atij duhet t’i ketë ardhur keq. Sepse ai më solli lule sot.
Mora lule sot. Nuk ishte Festa e Gruas ose ndonjë rast special. Mbrëmë, ai më rrahu sërish. Dhe ishte më keq se herën e kaluar. Po e lashë atë, çfarë do të bëj? Si do të kujdesem për fëmijët e mi? Po për para’ si do ja bëj? Por e di që atij duhet t’i ketë ardhur keq. Sepse ai më solli lule sot.
Mora lule sot. Sot ishte një rast special. Ishte dita e funeralit tim. Mbrëmë, më në fund ai më vrau. Më rrahu për vdekje. Sikur të kisha patur aq kurajë dhe forcë për ta lënë, Nuk do të kisha marrë lule… sot.
Deputetja serbe, Biljana Pantiq Pilja tha se raportuesja greke Dora Bakoyannis e cila rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës do të hyjë në histori “duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare”.
Ajo tha se Asociacioni “nuk do të themelohet” nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Europës, raporton Gazeta Express.
“Nëse e ftoni të ashtuquajturën Kosovë në Këshillin e Europës pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Asociacioni nuk do të themelohet kurrë”, tha ajo.
Biljana Pantiq Pilja e quajti Dora Bakoyannis të paintegritet dhe hipokrite.
“Ajo që po bëni është precedent me të cilin do ta hapni Kutinë e Pandorës”, tha deputetja serbe.
“Edhe shteti juaj do ta ndjekë këtë precedent që e keni krijuar”, tha ajo, duke iu referuar Greqisë./gazetaexpress/ KultPlus.com
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.
Diskutimi ka nisur rreth orës 17.30, ndërkohë që në fund pritet edhe votimi i raportit
Në hyrje të kësaj seance, fjalën e mori Dora Bakoyannis, raportuesja për Kosovën në KiE, e cila lexoi raportin e përpiluar nga vetë ajo, përmes së cilit kërkon që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së.
Ajo i bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë raportin e saj, në mënyrë që Kosova të mund të bëhet anëtare e KiE-së.
Ajo mes tjerash tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale.
Sipas saj, juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.
Ajo ka përmendur tri çështje që i ka konsideruar më problematike për t’u zgjidhur, atë për Manastirin e Deçanit, shpronësimin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Kam identifikuar tri çështje të mbetura, ku ka qenë i nevojshëm veprimi i menjëhershëm. Implementimi i aktgjykimit për Manastirin e Deçanit, shpronësimi i ligjshëm i pronave të pakicës serbe dhe themelimi i Asociacionit. Gjatë angazhimit tim në këtë dosje të gjitha palët shtetërore më kanë paralajmëruar se nuk mund të pritet ndonjë progres në asnjë prej këtyre çështjeve të përmendura. Por, me një punë persistente progresi real është vërejtur. Asambleja Parlamentare kas arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të së drejtës, implementimi i vendimit të Kushtetueses që do t’i kthente pronën Manastirit”, ka thënë ajo.
Bakoyannis është shprehur optimiste se Asambleja do ta rekomandoj që Kosova të ftohet të bëhet anëtare./rtk/KultPlus.com
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj sot ka vizituar shtëpinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Presidenti Begaj me këtë rast është shprehur se pa një udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet.
“Në shtëpinë e Presidentit Rugova, misionarit paqësor që punoi për Pavarësinë e Kosovës “si pika e ujit që bën vendin në gur”. Pa udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet”, ka shkruar Begaj./KultPlus.com
kur dikush të kërkon bukë ndaje koren e fundit me të bija ime më mirë të jeni bashkë pak të uritur se të ngopesh vetëm
kur dikush ta lyp një pikë ujë në orë zori shpije te pusi i oborrit nën man ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër por hija i bën ende fllad
kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime prishi krejt urat digji tërë anijet mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt po s’qe së pari njeri. /KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u mbajt koncerti “Crazy Night of Classical Music with Life and Music Concept Orchestra by Kledis Rexho” me rastin e 100-vjetorit të koncertit të parë të një orkestre filarmonike në Shqipëri. Në këtë koncert interpretuan artistët: Marla Hoxha, Era Kume, Ionel Streba, Kledis Rexho, Albana Bajraktari dhe Tea Peti.
Programi përmbante vepra të kompozitorëve më të njohur në rang botëror si Mozart, Bach, Beethoven, Vivaldi, Shostakovitch e të tjerë, por edhe kompozitorë të mirënjohur shqiptarë si Avni Mula e Vaso Tole.
Kledis Rexho falënderoi Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që duke mbështetur koncertet e “Life and Music Concept Orchestra” jep një kontribut për rrugëtimin e muzikantëve të rinj.
“Është kënaqësi e veçantë të përcjellësh eksperiencën artistike prej gati 15 viteve në France, Monaco dhe Luxembourg, për fëmijë muzikantë kaq të motivuar dhe të talentuar”, është shprehur ideatori i koncertit, Rexho./atsh/KultPlus.com