O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com

Amantia, ndër thesaret arkeologjike më interesante të Shqipërisë

 Parku arkeologjik i Amantias, vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike për qarkun e Vlorës. E ndërtuar në shekullin V para Krishtit, Amantia është një ndër thesaret dhe rrënojat më interesante të Shqipërisë, e pozicionuar në një kodër, në një natyrë fantastike dhe e rrethuar nga gjelbërimi.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ndau së fundmi në rrjetet sociale disa detaje nga ky monument kulture. Nga kërkimet arkeologjike, në murin fortifikues të qytetit antik të Amantias, janë identifikuar rreth 6 hyrje.

Një pjesë e tyre, kanë qenë pajisura me korridore të mbuluara me qemer. E tillë ka qenë edhe hyrja juglindore, apo hyrja nr. 6, siç njihet në literaturë.

Njëri nga harqet e kësaj hyrje, u restaurua në vitin 1990, nga restauratori Lazër Papajani, si dhe arkeologu Burhan Dautaj. Restaurimi i dha vertikalitetin e dikurshëm hyrjes, duke e bërë të perceptueshëm monumentalitetin e saj, për vizitorët e sotshëm të parkut arkeologjik të Amantias.

Nga pikëpamja vizive, ajo është kthyer në simbol të parkut arkeologjik dhe tashmë është një nga atraksionet kryesore në itinerarin e vizitave.

Arkitektura e hyrjes e inkuadruar në një peizazh të egër malor, është një kartolinë e bukur, që fton për të vizituar parkun arkeologjik të Amantias./ atsh/KultPlus.com

“O Margjela e malësisë, thuja kangve të çobanisë” (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën e vjetër “Margjelo” e cila i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të këndohet nga këngëtarë të ndryshëm.

Moj margjel mori malsore
ku po shkon me at kosore
ku po shkon moj tuj vrapue
a po me pret o vash dhe mue
bashkë të shkojmë me punue
bashkë të korrim tuj këndue

Margjelo mori Margjel
çilma synin që më ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Moj margjel mori fisnike
bija e malësisë kreshnike
mos t`lshoj zemra ble sonjike
trim i mirë që shkon si erë
mendjen kthyer ka gjithherë
e tash kthen sot bëhet verë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve që mban ise./ KultPlus.com

Ri mbështetur në tryezë

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci. 

Ri mbështetur në tryezë
Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë,
Pa vjen malli të më ndezë
Zjarr në zemër, zjarr në ballë.

Asohere dyke pritur
I marr tëmbëlat nër duar
E qëndroj krye-venitur
Me vështrim në kraharuar.

Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime —
Pasi flakë e posi hije
Ajo ryn në zemër t´ime.

E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale-nga-dale,
E si fjalës së palosur
M´i hap kindën e një pale…

Unë qit një psherëtitje,
Thyem pak e zë të shkruaj,
Dhe më shkon më një pulitje
Kur një dit´ e kur një muaj.

Mëndjen t´ime-e merr dëshira,
Ndjej në gjit një këngë gjaku,
M´i fal syrit plot çudira
Këjo odë varfanjaku:

Këjo oda s´ka mënyrë
Ku të kryet, ku të nisë
Ndaj më ndrin si në pasqyrë
Drita e Përjetësisë.

Po çudi tani më fal-ti,
Zjarr, që djeg në shkrepëtimët!
Dyke ngjitur për së nalti
Fërfëllon një flakë-a himët…

Me kullim të pashteruar
Ajo del prej vetes s´ime,
Del nga shpirt´ i përvëluar
Nër një mijë shkëndijime.

E si shkoj që prej së felii,
Ç´ m´u verbosnë-o! syt´e mija?
U nxi dheu?… U shua qjelli?…
U bë natë gjithësija?…

S´është gjë: veç yll´i vetë,
Më s´më djeg në kraharuar:
Unë shoh me gas të qetë
Këngëzën e përvëluar./KultPlus.com

Pupëza, shpendi i rrallë verues fotografohet në Shqipëri

Administrata Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka fotografuar një shpend të rrallë shtegtues që vjen në vendin tonë, pupëzën.

Pupëza (Upupa epops) është një ndër shpendët më të bukur, shumëngjyrësh dhe me një kurorë të veçantë, e cila e dallon nga shpendët e tjerë. Ai është shpend verues në Shqipëri, i cili vjen në pranverë kryesisht gjatë muajit prill dhe largohet sërish drejt Afrikës, në muajt gusht-shtator.

Në Shqipëri, pupëza haset kryesisht në zonat bregdetare dhe në ato kodrinore.

Vendosja e moratoriumit për ndalimin e gjuetisë të faunës së egër ka bërë që popullatat e çdo lloji të shtohen vit pas viti dhe gjithnjë e më shumë zogj shtegtarë të vijnë për verim./KultPlus.com

Dilema e Charels Darwinit: Të martohem apo të mos martohem

Shkencëtari i njohur anglez nuk mund të rrinte pa gruan që e rrëmbeu me një vështrim. Ja çfarë i shkruan ai më 2 janar 1839 Emma Wedgwood.

“Nuk mund ta shpreh se sa e shijova vizitën në Maer, sepse ndjeva qetësinë e jetës sime të ardhshme. Sa shumë shpresoj se do të jesh aq e lumtur sa unë di! Po frikësohem sa herë që mendoj pjesë e ç’familje ke qenë. Po mendoja sot në mëngjes se si ndodhi që unë, një njeri kaq i dhënë pas të folurit dhe rrallëherë në humor jo të mirë, e mbështeta nocionin tim mbi lumturinë, te qetësia dhe vetmia.

Por besoj se shpjegimi është shumë i thjeshtë. Gjatë pesë viteve të udhëtimit tim (dhe, mund të shtoj, edhe këtu dy të fundit), që për nga mënyra aktive me të cilën u jetuan, mund të thuhet se janë fillimi i jetës sime të vërtetë, gjithë kënaqësia ime rridhte nga ajo çka kalonte në mendjen time, ndërsa admiroja pamjet duke udhëtuar përgjatë shkretëtirave të egra, ose pyjeve të lavdishme.Të kërkoj ndjesë për kaq shumë egoizëm! Ta shpreh ty, sepse mendoj se do të më japësh formë më njerëzore dhe së shpejti do të më mësosh se ekziston një lumturi më e madhe se krijimi i teorive dhe mbledhja e fakteve në heshtje dhe vetmi” .Charels Darwin është një ndër shkencëtarët e njohur .Ai argumentoi se të gritha speciet e jetës kanë prejardhje të përbashkët dhe propozoi teorinë shkencore se evolucioni është një proces.

Kur, në vitin 1836 Charles-i i kthye në shtëpi nga udhëtimi i tij pesëvjeçar rreth botës, që përfshiu udhëtimin në ishujt Galapagos, kishte filluar tashmë ta shihte jetën dhe krijimin në një mënyrë të re. E ndërsa i bënte komplimente Emma WedgWood-it, kushërirës së tij, ai vendosi të martohej me të.Charles-i shkarraviti mendime të shpërndara mbi karrierën dhe perspektivën në dy copa letrash, një me shtyllë “Të martohem” dhe një të titulluar “Të mos martohem”. Avantazhet përfshinin “shoqëri e vazhdueshme dhe një mikeshë në pleqëri…, sidoqoftë më mirë se qeni”, përkundër pikave si “Më pak para për libra” dhe “Humbje e tmerrshme kohe”.Ata u martuan në 29 janar 1839. Charles-i dhe Emma patën 10 fëmijë bashkë. Tre prej fëmijëve vdiqën. Vdekja e vajzës së tyre, Annie, sigurish u hapi plagë në zemra. Ajo humbje mund t’i kishte ndarë përgjithmonë.

Por humbja forcoi besimin e Emmës dhe, nga ana tjetër, mbylli derën e besimit te Zoti për Charles-in. Megjithatë, ata luftuan për martesën e tyre. Ditën që vdiq Annie, Emma i shkroi Charles-it: “Duhet të kujtosh që je thesari im kryesor (dhe ke qenë gjithmonë)”.Charles-i dhe Emma jetuan të martuar për 43 vjet. Emma, e cila më parë nuk kishte qenë fare e interesuar për shkencën, këtë herë ju bashkua bashkëshortit. Në fund, secili prej tyre pranoi dhe, me sa duket vërtetë kuptoi, çfarë besonte tjetri. Charels Darwin vdiq më 19 prill 1882 dhe u varros në Westminster, pranë Isaac Newton. /filozofia.al/ KultPlus.com

Dita Botërore e Librit, më 23 prill shfaqet dokumentari kushtuar poetit Basri Çapriqi

Ambasada e Malit të Zi në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës dhe Shoqatën e Artistëve dhe intelektualëve ‘Art Club’s do të organizojë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit shfaqjen e filmit documentarit ‘Në teh të erës’ kushtuar poetit, studiuesit dhe profesorit universitar Basri Çapriqi.

Filmi do të shfaqet në Kino Armata në Prishtinë të martën, më 23 prill 2024, në orën 19:00./KultPlus.com

Screenshot

“Veliera” në Durrës, Rama: Kryevepër arkitektonike, hapësirë e re për qytetin

Projekti “Veliera” në Durrës do të krijojë një hapësirë të re publike për këmbësorët e qytetit, vizitorët dhe turistët e qytetit bregdetar.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako pa nga afër punimet që po kryhen për këtë projekt.

“Ka dashur kohën e vet dhe imagjino sa kohë u humb nga ata që u vunë kundër, me historira Prokurorie, jo do preket, jo nuk do preket Durrësi i lashtë, budallallëqe, e gjithë ajo kohë e humbur. Si nuk bëmë një punë të re inovative që nuk na u vunë mbrapa, si ka mundësi? Që në kohën e bashkisë deri më sot, si nuk u bë një punë që të bëhet dhe jo të thonë “bravo”, por të të lënë ta bësh pa të penguar, pa të nxjerrë njerëz, pa të nxjerrë probleme, pa të ngritur akuza. Megjithatë, këtu mbaron. Më 1 qershor duhet të bëjmë këtu festën e fëmijëve. Për sezonin kjo mund të bëhet kryevepër”, u shpreh Rama.

Rama tha se Veliera u pengua nga lloj-lloj patriotësh, historianësh, ekologësh, shkencëtarësh e politikanësh.

Sipas Ramës, Veliera sot po merr formën përfundimtare.

“Një kryevepër arkitektonike, e cila krijon një hapësirë të re publike për këmbësorët e qytetit, vizitorët e turistët gjithnjë e më të shumtë, si edhe një tjetër kartolinë të Shqipërisë së Rilindur Turistike”, theksoi Rama.

Veliera do të jetë jo vetëm një atraksion më shumë turistik, në prag të këtij sezoni, por dhe një hapësirë publike për evente apo koncerte. Tenda është rreth 60 metra e gjatë dhe 40 metra e gjerë, dhe mbështetet vetëm në katër pikat kulmore të përbëra nga po aq shufra të stabilizuar në inoks çelik, si direku i një anijeje me vela, nga katër kavot, të cilat të kujtojnë tamam litarët e përdorur në anijet me vela./KultPlus.com

Pyeta valët vogëlushe

Poezi nga Ali Asllani

Pyeta valët vogëlushe;
mu si krahët e një gushe
përmbi supe nga një shkumë,
kush më pak e kush më shumë,
venë e vinë e shkojnë e shkasën
dhe përhera për ty flasën.

Valëza, o valëza,
farë e fis me vashëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Ruaje zot nga erë e huaj!

Pyeta zoga, pyeta zogj,
pyeta zemrën që m’u dogj,
pyeta lulet nëpër baça,
nëpër baça, që un’ plaça,
muaj e vitra po të pres,
vidi-vidi pëllumbeshë!

Vidi-vidi zogëza,
farë e fis me zojëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Një minutë e gjat’ një muaj!

Vidi-vidi pëllumbeshë!
për ty qaj e për ty qeshë,
për ty qesha; gjithë jeta
me gjith’ lule, me gjith’ fleta,
u bë fli për ata sy;
çdo gëzim ta fala ty!

E çdo brengë e mbajta vetë.
Tash afroi e thënë e shkretë,
dhe un’ s’di ku jam, ku vete,
rroj për ty e vdes për vete!/ KultPlus.com

Charles Darwin: Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës

Disa thënie për jetën.

“Mendoj se të biesh në dashuri me jetën është çelësi i rinisë së përjetshme” – Doug Hutchison

“Jeni në këtë botë vetëm për një vizitë të shkurtër. Mos u ngutni, mos u shqetësoni. Dhe sigurohuni që t’u merrni erë luleve rrugës” – Walter Hagen

“Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës”– Charles Darwin

“Nëse jeta do të ishte e parashikueshme, ajo do të pushonte së qeni jetë dhe do të ishte pa aromë” – Eleanor Roosevelt

“E gjithë jeta është një eksperiment. Sa më shumë eksperimente të bëni, aq më mirë” – Ralph Waldo Emerson

“E gjithë jeta është maja malesh dhe lugina. Mos lejoni që majat të jenë shumë të larta dhe luginat shumë të ulëta: – John Wooden

“Misioni im në jetë nuk është thjesht të mbijetoj, por të lulëzoj; dhe ta bëj këtë me pak pasion, pak dhembshuri, pak humor, dhe pak stil” – Maya Angelou

“Jeta është si të ngasësh një biçikletë. Për të mbajtur ekuilibrin, duhet të vazhdosh të lëvizësh” –Albert Ajnshtajn

“Gjëja më e rëndësishme është të kënaqeni me jetën tuaj – të jeni të lumtur – kjo është gjithçka që ka rëndësi – Audrey Hepburn

“Jeta është e shkurtër. E ke ti në dorë që ta bësh të ëmbël” – Sarah Louise Delany

“Gjithmonë më pëlqen të shikoj anën optimiste të jetës, por jam mjaftueshëm realist për të ditur se jeta është një çështje komplekse” – Walt Disney / KultPlus.com

‘Simfonia e papërfunduar’ e shkrimtarit Grigor Banushi botohet në bullgarisht

Shkrimtari shqiptar, Grigor Banushi prezantoi sot në Universitetin e Sofjes librin e tij “Simfonia e Papërfunduar” të përkthyer në gjuhën bullgare.

“Një nga personazhet e romanit, një shtetase bullgare zgjodhi të martohej me një shqiptar gjatë regjimit totalitar”, u tha Banushi studentëve.

Ai shtoi se ka pasur shumë gra jo me shtetësi shqiptare që janë martuar me shqiptarë dhe janë persekutuar më pas nga regjimi.

Simfonia e papërfunduar tregon historinë e pianistit dhe kompozitorit Adrian Mara, i cili u arratis nga regjimi totalitar në Shqipëri dhe u vendos në Francë.

“Ai u persekutua nga regjimi për një arsye të parëndësishme – nëna e tij ishte italiane”, tha autori.

“Librat e Grigor Banushit, veçanërisht “Simfonia e Papërfunduar”, pasqyrojnë një pjesë të trishtuar të historisë shqiptare, regjimin totalitar, kur shumë intelektualë u persekutuan”, tha gjatë aktivitetit ambasadorja e Shqipërisë në Bullgari, Inid Milo.

“Në ditët e sotme realiteti në Shqipëri është krejtësisht ndryshe”, shtoi ajo.

“Shqiptarët aspirojnë të bëhen anëtarë të BE-së dhe janë krenarë të shfaqin talentet e tyre në Bullgari, Evropë dhe kudo në botë”, shtoi ambasadorja.

Sipas Grigor Banushit, Shqipëria nuk është ende pjesë e BE-së, politikisht, por ka integruar përmes artit. “Shumë artistë janë të famshëm në të gjithë Evropën”, vuri në dukje ai.

Dëshira e shkrimtarit shqiptar për të takuar publikun bullgar daton shumë kohë më parë, që nga botimi i romanit të tij të mëparshëm “Zemërimi i Zanave” në bullgarisht”, tha Svetlana Yancheva nga shtëpia botuese “Izida”.

“Libri pati reagime shumë të mira nga lexuesit bullgar”, shtoi Yancheva

Grigor Banushi lindi në Tiranë në vitin 1948. Ai u diplomua në degën e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas punoi si mësues në Pukë.

Deri në vitin 2013 ka punuar si gazetar në Radio Tirana. Në vitin 1997, ai botoi romanin e tij debutues, “Vdekja e Narcisit”, e ndjekur nga “Fytyra e Djallit” (2009).

Romani i tretë i Grigor Banushit, “Zemërimi i Zanave”, u botua në vitin 2015 dhe u nominua për Çmimin Evropian për Letërsinë./KultPlus.com

NYT shkrim për Bienalen e Venecias, përfshin dhe Pavijonin e Kosovës

Ekspozitat janë instaluar. Artistët kanë ardhur. Qyteti i Venecias është i përgatitur për të mirëpritur turmat e vizitorëve nga e gjithë bota.

Kështu e nis shkrimin gazeta e madhe amerikane, “The New York Times” për hapjen e Bienales së Venecias, e cila zyrtarisht u bë të enjten.

Bienalja e Venecias 2024, që ka mbledhur më shumë se 330 artistë pjesëmarrës nga rreth 90 vende të shpërndara në të gjithë qytetin, do të hapet për publikun të shtunën.

Gus Powell, një fotograf për “The New York Times”, ka dalë në terren duke mbuluar spektaklin që e bën Bienalen një nga ngjarjet kryesore në kalendarin global të botës së artit.

Në mesin e pjesëmarrësve është edhe ekipi i Kosovës me veprën “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”.

Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” është vepër e artistes Doruntina Kastrati dhe kuratorës Erëmirë Krasniqi, që sivjet përfaqësojnë Pavijonin e Republikës së Kosovës në Venecia.

NYT e ka përfshirë edhe instalacionin e Kosovës përmes një fotografie me një mbishkrim: “Një përqafim mes instalacionit skulpturor ‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’, në pavijonin e Republikës së Kosovës”./KultPlus.com

Shqipëria pjesëmarrëse në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit -Biennale di Venezia

U çel sot në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit – Biennale di Venezia, pavijoni i Shqipërisë i përfaqësuar nga artistja shqiptare Iva Lulashi, me projektin “Love as a Glass of Water”, mundësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

I pranishëm në këtë event, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh se, ““Love as a Glass of Water”, vepra e Iva Lulashit sillet rreth subjekteve universale të afta për të kapërcyer dallimet dhe kufijtë, jo vetëm ato gjeografike. Ajo arrin të thellohet në dimensione të kulturës vizuale dhe të tensionit që krijohet mes vetëdijes, publikes, dhe intimitetit që thërrasin ndjesi të trajtuara prej kohësh si tabu, sidomos gjatë epokës komuniste shqiptare”.

Shqipëria, vijoi ai, nuk ka patur përherë fytyrën që ka sot, dikur gjeneronte interes rreth rrezikut dhe pasigurive që ngjallte, ndërsa sot është një atraksion i njohur e kaq pranë me këtë qendër arti ku ndodhemi tani.

“Për të vazhduar integrimin cilësor të vendit dhe artistëve tanë në skenën dhe diskursin botëror, kemi vlerësuar se është shumë domethënëse dhe urgjente të sillen gjithë këto subjekte në këto hapësira ekspozitive, për të krijuar një kornizë koherente të ku ndodhemi sot, jo vetëm si lokacion, por si qendrime dhe projektime drejt të ardhmes”, tha Gonxhja.

Makrotema e këtij edicioni të Bienales së Venecias, 20 Prill – 24 Nëntor, është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa.

Tema që ajo trajton merr shkas nga teoria e “gotës së ujit”, që i përket periudhës para revolucionit rus dhe lidhet me mendimtaren revolucionare feministe Alexandra Kollontai (1872 –1952).

Bëhet fjalë për një teori që lidhet me idenë e revolucionit seksual, ku impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji. Me një influencë shumë të madhe në qarqet artistike dhe letrare ruse, këto ide nisën të pengohen dhe përndiqen nga aparati politik revolucionar.

“Ndonëse metafora e gotës me ujë lidhet me lehtësinë e të pirit, nuk duhet harruar se uji është ai element jetësor, krejt si dashura. Dhe, është absurde që tema si dashuria dhe dëshira seksuale zënë një pjesë shumë të vogël në artin që prodhohet sot dhe ato asnjëherë nuk janë në qendër të aktiviteteve të mëdha apo të vogla, sikur të flitej për tabu për të cilat nuk flitet, apo si çështje të lehta, jo të denja për vëmendje”, shprehet kuratori Antonio Grulli.

Sipas tij, pyetja që ngre artistja përmes veprës së saj është: Përse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët?

“Pikërisht, vepra e Iva Lulashit vendoset në këtë boshllëk artistik. Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së saj. “Dashuria dhe instinkti si një gjuhë universale, në gjendje për të tejkaluar të ndryshmen, kufijtë, jo vetëm gjeografikë, por edhe ata që ekzistojnë mes nesh; dashuria si forca primare e njeriut dhe botës “që lëviz diellin dhe yjet”, shton Grulli.

Kuratori Antonio Grulli shpjegon se tema e bienales “Të huaj kudo” ka një kuptim të dyfishtë. “Së pari, do të thotë se kudo ku shkon apo gjendesh do të ndeshësh të huaj: janë/jemi kudo. Së dyti, pavarësisht vendndodhjes, në thelb mbetemi gjithnjë të huaj. Dhe, në Bienalen e Artit 2024 do të flitet për artistë që janë vetë të huaj, emigrantë, pjesë e diasporës, azilantë, refugjatë…”.

Iva Lulashi është një prej tyre. E lindur në Shqipëri, por e shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia./KultPlus.com

Lord Bajroni në letrën dërguar nënës: I dua shqiptarët shumë, janë të ashpër, por janë raca më e bukur në botë

Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë.

Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.

Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com

“Ëndrra e një banori të Mongolisë”, vepër e veçantë e Gustave Moreau

Kjo pikturë është një nga ilustrimet e shumta me bojëra uji që Moreau ka krijuar për serinë “Fables” të shkrimtarit francez Jean de la Fontaine. La Fontaine (i cili vdiq gati dy shekuj më parë) ishte i famshëm për mbledhjen e fabulave tradicionale të Ezopit dhe aziatike dhe rishkrimin e tyre në vargje franceze. Në total, fabulisti ikonë botoi 12 libra që përmbajnë gjithsej 234 histori morale. Seriali konsiderohet si një kryevepër e letërsisë klasike franceze.

Moreau përfundoi shumë nga ilustrimet e tij për serinë e njohur midis ekspozimit në Ekspozitën Universale në Paris në 1878 dhe Sallonin e Parisit të 1880. Projekti plot ngjyra dhe imagjinar duhet të ketë qenë një frymë e freskët për artistin, i cili – edhe pse puna e tij shpesh përmbante një nuancë fantazie – të pikturuara kryesisht skena historike dhe mitologjike.

Në Ëndrrën e një banori të Mongolisë, stili i ndërlikuar i Moreau-së me tone ari dhe xhevahiri me të vërtetë shkëlqen – ashtu si edhe talenti i tij për të bërë tekstile të mrekullueshme, me modele të pasura. Piktura është gjithashtu dukshëm më e ndritshme dhe më lozonjare sesa skenat tipike të errëta dhe të zymta të artistit.

Gustave Moreau (6 April 1826 – 18 April 1898) mbetet një nga piktorët më të rëndësishëm të historisë së artit, duke krijuar vepra të mrekullueshme që kanë mbetur klasike edhe sot. Ai u bë një nga piktorët më të njohur të periudhës së romantizmit në Evropë. /Liberale/KultPlus.com

Ekspozita “Berati Bardhë e Zi”, punimet e fëmijëve publikohen në ditën ndërkombëtare të monumenteve

“Berati Bardhë e Zi” është ekspozita më e fundit e hapur në hollin e Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani” në qytetin e Beratit, mbrëmjen e së enjtes. Qyteti i njëmijë e një dritareve vjen i konceptuar në 45 piktura nga fëmijët e shkollave 9-vjeçare të Beratit, përmes gjinive të ndryshme artistike .

Veprat e punuara nga nxënësit pasqyrojnë Beratin, që nga lagjet muzeale e deri tek monumentet e kulturës e rrugicat me kalldrëm të qytetit muze.

“Kjo ekspozitë u hap në një datë të rëndësishme për qytetin tonë, ku fëmijët plemes pikturave të tyre përcollën mesazhe të ndryshme nën tematikën “Berati qyteti im”, tha Jani Kumati, mësues pikture.

“Puna që kam bërë më ka marrë diku te tre orë dhe kam sjell copëza të rrugicave historike të qytetit tim Beratit.”

Interesi për artet vizive veçanërisht tek fëmijët mbetet gjithnjë i lartë. Këtë e vë në dukje edhe mësuesi i pikturës në këtë qytet Jani Kumati, i cili shprehet se kjo vjen si pasojë e dëshirës së të rinjve për të pasur vlera artistike brenda vetes dhe për t’u formësuar artistikisht.

“Ndër vite fëmijët kanë krijuar një bashkërendim midis mësuesit të artit dhe pjesës tjetër dhe kjo vjen sepse ata dëshirojnë të kenë vlera artistike brenda vetes të formësohen nga ana artistike. Pjesa në qytetin tonë sa vjen edhe shtohet në qytetin tonë, dashuria për artin” , shprehet mësuesi.

Ekspozita “Berati Bardhë e Zi” erdhi pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve dhe vijoi me aktivitete të tjera, panaire të ndryshme artizanale dhe mbrëmje muzikore nga grupi popullor i qytetit./vizion/KultPlus.com

Portreti i urryer për Churchill-in del në ankand

Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” ka nxjerr në shitje portretin e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Ëinston Churchill, pikturuar nga një prej artistëve kryesorë britanikë, Graham Sutherland. Skica e mbijetuar pritet të arrijë 996,000 dollarë në ankandin e 6 qershorit.

Skica e portretit të urryer të kryeministrit britanik Winston Churchill i piktorit Graham Sutherland, ka dalë në ankand.

Vepra, pritet të shitet mes 622,000 dhe 996,000 dollarë.

Në muajin shkurt dhëmbët e rremë të tij u shitën në ankand në Cheltenham për rreth 22,000 dollarë.

Ky portret u rikthye në qendër të vëmendjes, pasi u përjetësua në serialin e Netflix “The Crown”, për monarkinë angleze.

“Kjo nuk është një pikturë, është një poshtërim!”- do të deklaronte Winston Churchill, që urdhëroi shkatërrimin e saj vetëm një vit pas realizimit nga Sutherland.

Prestigjiozja “CNN” i ka kushtuar një artikull të gjatë nxjerrjes në ankand të pikturës së risjellë në episodin e parë të “The Crown”.

Përfaqësuesi për artin modern britanik dhe irlandez në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s” Andre Zlatinger tha se Churchill nuk ishte një person i lehtë për t’u pikturuar.

Ndërsa Sutherland ishte i njohur për realizmin e tij të ashpër dhe pikturoi atë që pa në 1954./ora/KultPlus.com

Gabriel Garcia Marquez: Ajo grua që ka pasur një jetë para teje, e din se do të vazhdojë ta ketë edhe kur ti të largohesh

Sa e sa burra kam dëgjuar të thonë se duan një grua inteligjente përkrah. Do t’iu thoja ta mendonin mirë.

Gratë inteligjente i marrin vendimet vetë, kanë dëshirat e tyre dhe vendosin kufinjë.

Ti nuk do të jesh kurrë në qendër të jetës së saj, sepse ajo merret më shumë me veten e vet, sesa me ty!

Një grua inteligjente nuk lejon të manipulohet, as të shantazhohet. Ajo nuk i gëlltit fajet dhe poashtu merr përsipër përgjegjësitë e saj.

Gratë inteligjente, diskutojnë, analizojnë, grinden, nuk kënaqen me gjithçka dhe kështu përparojnë.

Ajo grua që ka pasur një jetë para teje, e din se do të vazhdojë ta ketë edhe kur ti të largohesh.

Ajo të informon dhe nuk kërkon leje.

Këto gra, në çift, nuk kërkojnë një lider për ta ndjekur pas. Nuk duan të ndjekin askend, e as t’i tregojnë rrugën askujt, duan të ecin përkrahë jush.

Ato e dinë mirë se jeta pa dhunë është një e drejtë themelore, e jo luks apo privilegj.

Një grua inteligjente është e lirë sepse ka luftuar për lirinë e saj. Nëse përpiqesh ta prangosësh ajo do të dijë se si të largohet.

Mos harro se e ka bërë dhe më parë.

Gruaja inteligjente e di se vlera e saj nuk është trupi i saj e as ajo që ti bën me të.

Mendoje dy herë para se ta gjykosh për moshën, gjatësinë, “trashësinë” apo sjelljen e saj seksuale, sepse gjykimi i tillë është dhunë emocionale, dhe ajo e di këtë.

Prandaj, para se të hapni gojën për të thënë se dëshironi një grua inteligjente përkrah jush, pyeteni veten nëse jeni vërtet në standardin e duhur për të hyrë në jetën e saj.

– Gabriel Garcia Marquez. / KultPlus.com

Botimet UET Press organizojnë në Kryeministri botimin e librit të ri me intervistat e Ismail Kadaresë

Në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në kryeministri, Universiteti Europian i Tiranës dhe UET Press organizojnë promovimin e librit me intervistat e shkrimtarit Ismail Kadare që titullohet “Kadare në studio”.

Këto intervista janë realizuar përgjatë njëzet viteve nga gazetarja Eni Vasili. Pjesë e bashkëbisedimit janë raportet e Kadaresë me diktaturën, krijimtaria para e pas rënies së komunizmit si dhe qëndrimi i tij ndaj çështjes shqiptare.

Kadare ka dhënë disa intervista që janë publikuar dhe si libra më vete, më të famshmet kujtojmë këtu atë me Alain Bosquet dhe atë me Eric Faye por nuk mbetet prapa as ajo me Denis Fernandez Recatala.

Këto intervista me Eni Vasilin janë të rëndësishme sepse gjejnë kohën e duhur kur Kadare është tashmë i intervistuar nga një gazetare profesioniste. Libri vjen me një parathënie nga Helena Kadare. Promovimi do të organizohet në orën 18 :00, sot, më 19 prill./tema/KultPlus.com

Me zërin mahnitës, 11-vjeçarja nga Lezha përfaqësoi për herë të parë Shqipërinë në Sanremo Junior (VIDEO)

11-vjeçarja nga Lezha, Kiara Ibraj, është një ndër 24 finalistët e këtij edicioni të Sanremo Junior që mbahet në Itali. Ajo është ngjitur në skenën e “Sanremos” dhe ka performuar këngën “Never Enough” nga Loren duke i mahnitur të gjithë.

E veshur me një kostum të bardhë, Kiara Ibraj u ngjit në skenë me një performancë të jashtëzakonshme duke impresionuar të pranishmit me zërin e saj në këtë konkurs për grup moshat 6 deri në 15 vjeç, e duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Pjesë e spektatorit ishin dhe përfaqësues të Bashkisë Lezhë dhe shumë emigrant shqiptar në Itali të cilët ndoqën përformancen e 11-vjeçares.

Kjara Ibraj, talentja nga Lezha, ka nisur të këndojë që në moshen 4 vjeçare duke ndjekur dhe kurse kantoje. Puna dhe lodhja që në moshë të vogël duket që është shpërblyer, pasi 11-vjeçarja ka “çuar” Shqipërinë në “Sanermo Junior”.

Lumi i Gashit në Tropojë, pasuri botërore e mbrojtur edhe nga UNESCO

Lumi i Gashit në Tropojë është shndërruar në një destinacion të preferuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga kjo pasuri botërore, e cila është e mbrojtur edhe nga UNESCO.

Kreu i qeverisë theksoi se Lumi i Gashit bashkon bukuritë e rralla të natyrës me turistët e apasionuar pas aventurës të shoqëruar nga udhërrëfyesit profesionistë.

Lumi i Gashit, shpallur si zonë e mbrojtur ‘Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe prej vitit 2017 pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, konsiderohet një mrekulli natyrore.

Me një sipërfaqe prej 3 mijë hektarë, Lumi i Gashit shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare duke u kufizuar në veri me Malin e Zi dhe në verilindje me Kosovën.

Për të vizituar këtë mrekulli natyrore në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës në Tropojë, duhet ndjekur rruga automobilistike nga Bajram Curri në fshatrat Dragobi, Qerem, Markovçë, Rorkuz dhe Dobërdol, ndërsa nga këtu ndiqet rruga këmbësore drejt Lumi të Gashit, rrugë e cila zgjat 45 minuta. Gjithashtu një tjetër shteg në rrugë këmbësore që të çon në Lumin e Gashit është Tropojë e vjetër duke kaluar përmes zonave, Degaj, Kanali i Gashit, Brodoshnicë, Qafa e Livadhit, Kusheticë dhe Dobërdol.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit është thuajse tërësisht e mbuluar me pyje të virgjëra ahu dhe pjesa tjetër me pyje halorë si Pinus heldreichii, Abies Alba Pinus sylvestris, Pinus peuce. Rrjedha e pandalshme e shumëvjeçare e ujit të këtij lumi e ka ndihmuar botën e gjallë të lulëzojë dhe të marrë jetë nga ai. Llojet më të përhapura ndër to janë Ranunculus platanifolius, Cardamine enneaphyllos, Actaea spicata, Geum coccineum, Cephalantera rubra, Digitalis grandiflora, Viola aethiolica, Viola tricolor. Përveç kësaj, këtu gjenden edhe specie bimore të listuara në librin e kuq që ja rrisin vlerat zonës si; Atropa Belladonna, Lilium albanicum, Convallaria majalis dhe Lunaria telekiana kjo e fundit bimë endemike. L. telekiana është një specie shumë e rrallë dhe e rrezikuar e cila rrit vlerat e biodiversitetit në pjesën e Lumit të Gashit.

Përsa i përket faunës kjo zonë krijon kushte shumë të favorshme për rritjen dhe përhapjen e shumë llojeve të kafshëve dhe shpendëve.

Llojet kryesore të kafshëve që gjenden në këtë zonë të rrallë natyrore janë, ariu i murrmë (Arsus arctos), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus) macja e egër (Felis silvestris), ujku (Canis lupus), derri i egër, lepuri, dhelpra. Kurse shpendë mund të përmendim; gjeli i egër (Tetrea urogallus), shqipja e Ballkanit (Circus pygargus), zhgaba (Gyps fulvus), thëllëza e malit, (Alectoris graeca) etj.

Shqipëria është një vend i bekuar me bukuri natyrore të larmishme dhe mjaft të veçanta, mes të cilëve edhe kjo zonë e cila vit pas viti ka tërhequr turistë të shumtë vendas edhe të huaj.

Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene dhe atraksione të reja ende për t’u eksploruar.

Kurti: Për mua Ulqini ishte deti i fëmijërisë dhe i rinisë, deri kur jam bërë gati 30 vjeç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në programin solemn “Dita e Ulqinit – Folklori i Ulqinit”, organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë, me këtë rast ai ka shprehur kënaqësinë që ishte bashkë me të pranishmit në Ditën e Ulqinit, për të rikonfirmuar lidhjet e veçanta mes Kosovës dhe Ulqinit.

“Ulqini është më shumë se sa një qytet bregdetar. Ai është një shembull i rezistencës dhe vullnetit për të ruajtur identitetin dhe kulturën për mijëra vjet. Monumentet e tij, si Kalaja dhe qyteti i vjetër i Shasit, janë dëshmi të jetës dhe kulturës së shkëlqyeshme të këtij qyteti ndër shekuj’’, u shpreh kryeministri.

Duke e përkujtuar historinë tonë të përbashkët, Kurti tha se nuk mund të shpërfillim rolin e jashtëzakonshëm që Ulqini ka luajtur për qytetarët e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

“Mirënjohja ime shkon përtej fjalëve drejt Malit të Zi për mikpritjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që iu ofrua shqiptarëve të Kosovës në momente të vështira historike’’, shkruan bota sot, tha ai.

Ndërsa, për bashkëpunimin e ngushtë me Malin e Zi, kryeministri tha se kjo është dëshmi e përpjekjeve tona për të ndërtuar një rajon e një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim, teksa theksoi se duke shtuar investimet dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si politika, ekonomia dhe kultura, synojmë të thellojmë marrëdhëniet tona.

Mes tjerash, ai tregoi se me Ulqinin ka edhe një raport të ngushtë personal e familjar.

“Për mua Ulqini ishte deti i fëmijërisë dhe i rinisë, deri kur jam bërë gati 30 vjeç, unë s’kam shkuar për pushime verore në ndonjë bregdet tjetër. Nga Plazhi i Vogël te Plazhi i Madh, nga Galebi i Albatrosit te Otranti e Lidoja, nga Kalaja mahnitëse te Kriporja e deri te lumi Buna, e sidomos nga lagjja Gjerana kam kujtime aq të bukura për gjatë rritjes dhe formimit tim sa edhe të panumërta”, kujtoi ai./ KultPlus.com

Portreti që frymëzoi Shekspirin ta shkruante Othellon

Në fjalët s’ jam i zoti; nukë di aspak
Të flas me mjeshtëri. Se që më shtatë vjetsh
E gjer ketu nëntë muaj, kam lëftuar
Me këta krahë nëpër fush’ e nëpër male.
Dhe, ndonëse shetita botën an’ e mb’ anë
Nuk di të flas veç për beteja dhe për luftra.

Teksa lexojmë këto fjalë të një vepre madhështore prej një pene epokale, Uilliam Shekspir (William Shakespeare), dhe shohim portretin e Abd el-Ouahed ben Messaoud ben Mohammed Anounit, ambasadori arap në oborrin e Mbretëreshës Elizabeth I – krijuar nga dora e një artisti të panjohur – vetiu krijohet lidhja midis personazhit të Othellos dhe portretit në pikturë.

Për më tepër, viti i tablosë është 1600 dhe vepra Tragjedia e Othellosarapit të Venetikut daton në vitin 1603 – një përputhje racionale, e cila forcohet edhe më shumë nga fakti që arapi në tablo qëndroi në oborrin e mbretëreshës së Anglisë për gjashtë muaj dhe është e mundur që të jetë takuar me Shekspirin, ose të paktën personaliteti i tij i spikatur shërbeu si argjila e bustit të Othellos të përjetësuar nga dora e mjeshtrit më të madh botëror të letrave.

Tabloja është vaj mbi dru, me përmasa 113 me 87.6 centimetra. Emri i artistit mbetet i panjohur, megjithatë në pikturë jepet të dhëna të qarta mbi figurën e pikturuar. Mbishkrimet në të majtë tregojnë datën e vizitës, emrin e personit dhe moshën e tij: “1600 – Abdulguahid – Aetatis: 42” ndërsa titulli i tij është në të djathtë me nënshkrimin: Legatus Regis Barbariae In Angliam (Ambasador i Mbretit të Barbarisë në Angli.)

Kjo është piktura e parë e një myslimani e bërë ndonjëherë në Angli. Dhe, me pozën diktuese, vështrimin e mprehtë, veshjen dhe shpatën orientale, pigmentin e errët të lëkurës, duke përçuar fisnikëri, kureshtje, por edhe drithërima te shikuesit, kjo vepër duket si ilustrim i gjallë i Othellos. Është e vështirë të mos mendohet se ky udhëheqës ushtarak me çallmë, me prezencën e tij dinjitoze nuk mbeti në imagjinatën e Shekspirit kur shkroi veprën e tij Othello disa vite më vonë.

Por, kush ishte ky Arap nga Maroku i cili intrigoi oborrin mbretëror anglez dhe frymëzoi Shekspirin? Rreth vitit 1600, kur daton edhe kjo pikturë, Maroku dhe Anglia vendosën të forconin marrëdhëniet e tyre diplomatike përmes një sërë marrëveshjesh tregtare. Anglia dhe Maroku kishin tashmë lidhje të ngushta tregtare. Anglezët ishin konsumatorë të zjarrtë të sheqerit maroken. Sulltani i Marokut ishte i etur për t’i zgjeruar këto lidhje tregtare në një aleancë politike kundër armikut të përbashkët që ishte Spanja. Armiqësia që mbretëresha Elizabeth I dhe sulltani Ahmed al-Mansour i dinastisë Saadi që kishin për Spanjën, e bënë atë bashkim një manovër të rëndësishme ushtarake.

Duke dërguar delegacione diplomatike te njëra-tjetra, aleanca anglo-marokene u forcua në luftën kundër Spanjës nën mbretërimin e Filipi II, e ndërkohë duke i shërbyer njerëzimit edhe me lindjen e një vepre letrare emblematike nga Shekspiri.

Për ta forcuar edhe më tej marrëveshjen me Anglinë, në vitin 1600, sulltani Ahmed al-Mansour dërgoi sekretarin e tij kryesor si ambasador në oborrin e Mbretëreshës së Anglisë.

Nën urdhrat e sulltanit Saadi, ambasadori vizitoi Londrën së bashku me një delegacion të përbërë prej 17 vetash për të promovuar aleancën e re dhe për të negociuar një pushtim të përbashkët të Spanjës. Me 16 diplomatë të tjerë nga dinastia e Afrikës së Veriut, ambasadori mbërriti në Dover, një qytet dhe port në Anglinë Juglindore. Gjatë qëndrimit të tij gjashtëmujor në Angli, Ben Messaoud u takua dy herë me mbretëreshën Elizabeth I, saktësisht më 19 gusht dhe përsëri më 10 shtator 1600.

Të dhënat e oborrit mbretëror e përshkruajnë Mbretëreshën që e priti ambasadorin me madhështi dhe ceremoni të madhe në pallatin e saj mbretëror. Vizita në Londër ishte një mundësi për diplomatin e lartë maroken që të zbulonte qytetin nga ku do niste perandoria më e madhe e pesëqind viteve të fundit, duke u lënë mbresa edhe londinezëve me figurën e tij fisnike, që kuptohet edhe nga homazhi i pikturimit të portretit dhe staturës së tij.

Përveë elementëve artistikë të shprehur në tablo, përshkrimit vizual të personalitetit të arapit, dhe të dhënave të shkruara në latinisht, duket qartë edhe mesashi politik dhe diplomatik. Ambasadori i Marokut mban dorën e tij të djathtë në kraharor, një shenjë e besës, e fjalës së mbajtur, dhe e virtytit, ndërkohë që dora e majtë është me gishtin e indeksit të hapur, gati për të kapur shpatën. Mesazhi që arapi po jepte në emër të Sulltanit të tij ishte se do nderonin fjalën e dhënë dhe marrëveshjen me Anglinë, dhe do luftonin menjëherë krah për krah sapo të lindte nevoja. Por, gjithashtu, dora e gatshme për të mbërthyer shpatën, tregon edhe shpirtin luftarak që e gjejmë edhe në fjalët e Otellos: Dhe, ndonëse shetita botën an’ e mb’ anë. Nuk di të flas veç për beteja dhe për luftra. Gjithashtu, te Othello përmendet edhe shpata e stolisur si në pikturë: Shih këtu, ja ku kam armë; M’e mirë s’ka stolisur kurrë bres ushtari.

Vizitorët qëndruan në Angli për gjashtë muaj, duke marrë pjesë në festimet e shumta në nder të përvjetorit të kurorëzimit të Mbretëreshës, të cilat nisën në nëntor të vitit 1600. Delegacioni maroken i udhëhequr nga Messaoudi qëndroi në Angli edhe gjatë Krishtlindjeve, duke i bërë ata dëshmitarë të shfaqjeve nga shoqëria e aktorëve të Shekspirit – Lord Chamberlain’s Men – si pjesë e festimeve tradicionale të festave. Me këtë rast vetë Shekspiri mund ta ketë takuar personalisht delegacionin mbresëlënës të Afrikës së Veriut.

Por, edhe pas largimit të ambasadorit maroken nga Londra, portreti i tij me bojë vaji mbi dru, fliste e frymëzonte po aq sa edhe personi vetë, duke u shndërruar pak kohë më vonë në Othellon, arapin e Venetikut. Piktura u zhduk për disa shekuj deri sa u rishfaq në vitin 1955 në ankandin e Christie’s, e sot është nën patronazhin e Institutit të Shekspirit (pjesë e Universitetit të Birmingamit). /ExLibris/KultPlus.com