“Sërish vjen Marsi”, kënga legjendare që të rrëqeth trupin edhe sot pas kaq shumë vitesh (VIDEO)

Ilir Shaqiri është një prej këngëtarëve më të dashur për publikun shqiptar. Ai është autor i përmbi 400 këngëve të lehta, popullore dhe folklorike. Ai ka marr pjesë në më shumë se 1000 koncerte dhe përmbi 900 prej tyre janë humanitare, shkruan KultPlus.

Gjatë vitit 1998, ai mbajti 109 koncerte në përkrahje të UÇK-së nëpër Evropë: Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Angli, Itali, Norvegji, Suedi, Austri, Holandë dhe Shqipëri. Më 6 mars 1999, si anëtar i Trupës Ushtarake Artistike në kuadër të UÇK-së, morri pjesë në përvjetorin e parë të rënies së Komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, gjatë luftës kundër pushtuesit serb.

Këngët e tij kanë qenë e vazhdojnë të mbesin të pakrahasueshme, ku në kohët më të vështira të popullit kosovar, zëri i tij u kthye në forcë për popullin që po kalonte tmerret e pushtimit serb.

“Sërish vjen Marsi” është një ndër këngët më të ndjera që edhe sot të rrëqeth trupin.

KultPlus ju sjell sot këtë këngë në prag të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”.

Sërish vjen Marsi
Sërish vjen stina
Të rënët dhe t’gjallët bëhen tokë
Vesë as shi, s’duron lëndina
burrëria nuk duron lot.


Sërish vjen Marsi
Sërish vjen stina
T’rënët e t’gjallët bëhen tokë
Vesë as shi, s’duron lëndina
burrëria jo nuk duron lot


Midis kujtimesh e midis këngësh
shfaqet Krye – Trimi fjalë pak
Ndër këmba degësh
në sytha pemësh
Mërzisë sonë i vë kapak


Sërish vjen stina
E ne ndrrojm mot
Por vetëm ai s’plaket kurr
Uji i bjeshkëve
I rrejdh për bosht
Ai lartësohet si flamur
o si flamur
Dhe njerzia vijn përkulen n’varrin tënd nderim
Nipi e mbesa e merr uratën, nisen fluturim,
Zemra merr guxim, plisi bardh shkëlqim
Heeej! Me ty gjithmonë në ball,
me ty o legjendar (2x)

Sërish vjen Marsi
e vjen pranvera
amanetin e tij përtrin


Lulet e barin
i tund veq era si medaljona npelerin
Midis kujtimesh e midis këngësh
shfaqet Krye – Trimi fjalë pak
Ndër këmba degësh
në sytha pemësh
Mërzisë sonë i vë kapak


Sërish vjen stina
Ne ndrrojm mot
Por vetëm ai s’plaket kurr
Uji i bjeshkëve
I rrejdh për bosht
Ai lartësohet si flamur
O si flamur


Dhe njerzia vijn përkulen n’varrin tënd nderim
Nipi e mbesa e merr uratën, nisen fluturim,
Zemra merr guxim, plisi bardh shkëlqim
Heeej!me ty gjithmone ne ball, me ty o le
gjendar(2x)
Me ty gjithmonë në ball,
me ty o legjendar (2x)
. / KultPlus.com

Kori i Grave “Muza” nesër me koncert dedikuar Ditës Ndërkombëtare të Gruas

Kori i Grave “Muza” po vjen me koncertin “Zërat e Marsit”, koncert ky dedikuar Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Koncerti do të mbahet më datë 6 Mars, ora 18:00, në Teatrin e Qytetit – Gjilan.

Kori i Grave përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka ftuar të gjithë që të bëhen pjesë e këtij koncerti.

“Ju ftoj të vini nesër burra e gra në teatër pa ftesa, pa bileta sepse kësaj radhe do marshojmë, protestojmë e festojmë me këngë të interpretuara nga Muzat, fjalime motivuese e poezi”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Përkujtohet sot “ati i pikturës moderne e bashkëkohore shqiptare”, Vangjush Mio

Sot është 133-vjetori i lindjes së Vangjush Mio, i cilësuar si “ati i pikturës moderne e bashkëkohore shqiptare”. Ai lindi në 5 mars të vitit 1891, në Korçë.

Në gjallje, Mio u vlerësua më së larti për mjeshtërinë e dëshmuar në pikturën realiste shqiptare. Ndërsa në ditët tona, i njihen edhe atributet e themeltarit të historisë së artit pamor profesionist përgjatë shekullit XX. Kësodore, vepra e tij qëndroi mënjanë klisheve të diktuara me përdhunë nga kornizat e realizmit socialist.

Mësimet e para i ndoqi në vendlindje. Talenti për pikturën gjeti shteg për t’u shpalosur që prej auditorit të Arteve të Bukura në Bukuresht të Rumanisë, ku kreu studimet e larta. Kthimi në Korçë në vitin 1919, do të shënjohej nga hapja e ekspozitës së parë vetjake, e para në historinë e arteve figurative në vend. Fitimet e akumuluara nga shitja e këtyre pikturave, i mundësuan një bursë studimesh në Institutin e Arteve të Bukura të Romës, ku u certifikua njëherazi si piktor dhe restaurues.

Mes gjinive të pikturës të lëvruara prej tij bëjnë pjesë portretet, kompozimet, nudot dhe peizazhet, që kanë prani të konsiderueshme në tërësinë e veprës së tij. “Dimri në Korcë”, “Aspekte nga Drenova”, “Dishnica”, “Boboshtica”, “Vithkuqi”, “Manat e Drenovës”, “Kositësit e barit” etj, janë disa nga titujt e peizazheve të tij më të lakuar. Mio numëron 500 piktura, 200 vizatime dhe 80 bocete, të cilat ruhen në shtëpinë e tij, Muzeun “Vangjush Mio” në Korçë.

Në këtë përvjetor Arkivi Qendror i Shtetit sjell për publikun disa faksimile origjinale që lidhen me jetën dhe veprën e tij.

Bashkëlidhur, dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 3361 datë 06.11.1961 për miratimin e propozimit të qeverisë mbi dekorimin e Vangjush Mios me titullin “Piktor i Popullit i Republikës Popullore të Shqipërisë”, lista e kuadrit të personalit mësimor të Liceut të Korçës ku është dhe Vangjush Mio, kumtesa për jetën dhe veprat e Vangjush Mios nga Andon Kuqali dhe qarkore e Drejtorisë së Përgjithshme të Postë-Telekomunikacioneve dërguar Drejtorive dhe Degëve të Postë-Telekomunikacioneve “Mbi cirkularin e emisionit të pullave kushtuar pikturave të Vangjush Mios”. / atsh / KultPlus.com

Sot fillon manifestimi ”Epopeja e UÇK-së”, 26 vjet lavdi

Sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.

Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 kishte ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore, dhe vazhdon të jetë një kujtim i lavdishëm për historinë e kombit tonë.

Në fakt, sot bëhen 26 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, që bashkë me familjen e tij dhe Jasharët e tjerë e mbrojtën Kosovën nga okupatori serb. Me rënien heroike të tij, Kosova mundi frikën dhe i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.

Edhe sivjet Qeveria e Kosovës ka organizuar aktivitete të shumta për shënimin e Epopesë së UÇK-së, derisa të martën në orën 10:00 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të Komandantit Legjendar.

Po ashtu, sot në orën 12:00, mbahet ceremonia e rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, ku marrin pjesë edhe krerët më të lartë të shtetit.

Zyra e Presidencës ka njoftuar se në orën 10:00,  presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, do të marr pjesë në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Kurse në orën 12:00, presidentja Osmani merr pjesë në Ceremoninë e Rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së. / KultPlus.com

Vargu i kënduar i Eposit në librin ‘Një këngë kreshnikësh shqiptarë’ e Red Radosë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra e Studimit të arteve pranë saj, organizoi sot një kumtesë ku u prezantua një pjesë e punës etnomuzikologjike e Red Radosë, si një nga aspektet më pak të njohura të punës së tij të shumëanshme si muzikant.

Veprimtarinë e çeli zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Vasil Tole, i cili shprehu mirënjohjen për artistin që ka një jetë artistike shumë aktive, veçanërisht në fushën e kompozimeve, që, -siç iu shpreh ai, -është një fushë inteligjente e veprimtarisë muzikore, ku Redi e ka shprehur përmes krijimtarisë konkrete duke bërë pjesë të repertorit të tij pianistik krijime muzikore si “Fuqia e Mujit”, “Kalërimi” dhe disa kompozime të tjera, të cilat ai i ka prezantuar njëherazi dhe për publikun shqiptar, dhe për publikun e huaj, dhe njëherazi ka shfaqur një qasje të re të tij drejt trashëgimisë muzikore të Shqipërisë, antike, mesjetare.

Më tej, akad. Vasil Tole vuri në dukje interesin e veçantë të Red Radosë për subjektet antike mitologjike, që lidhen me mitologjinë shqiptare, me kodet e vjetra, dhe sigurisht edhe me ata tinguj bazë që lidhen me identitetin tonë në muzikë; me ato lloj trashëgimie që i kemi vetëm ne dhe nuk i gjen dot gjëkundi tjetër.

Pasi përshkroi veprimtarinë me pianon dhe koncertet që kanë lënë mbresë në publikun e gjerë, akad. Tole kujtoi edhe edukimin e Red Radosë (djali i aktorit të njohur Guiljem Radoja), ku prej prindërve ka filluar lidhjet e ngushta me artin në disa debutime që ka bërë në filmat shqiptarë kur ishte fëmijë.

Më pas akad. Tole ndali në interesat intelektuale për muzikën, ku u hapet drita kërkimeve muzikologjike dhe theksoi se për fat të mirë Shqipëria është një nga ato vendet që ka trashëgimi të mirë, kur bëhet fjalë për muzikën, gjuhën dhe dialektet, dhe është provuar që krijues shumë të zotë, por edhe më pak të zotë, sa herë i janë referuar tendencës krijuese që lidhet me zbulimin e teknikave kompozicionale dhe të formave dhe gjinive që lidhen me këtë traditë, gjithmonë kanë patur sukses.

Akad. Tole përmendi disa raste në traditën botërore që i kanë paraprirë këtij suksesi të mbështetur në muzikën e traditës, ndërsa kujtoi edhe kompozitorët shqiptarë si prof. Çesk Zadeja, por edhe disa autorë të tjerë, të cilët gjithsesi kanë mbetur interesantë kur janë marrë me këtë orientim.

“Do ta quaja shumë thelbësor që të gjenerosh muzikën prej rrënjëve të tua, -tha akad. Tole, – dhe sigurisht në këtë fazë të jetës së tij, Red Radoja është i fokusuar në Shqipërinë e veriut, drejt terreneve të virgjëra, siç është muzika e fshatit dhe sidomos malësitë e Shqipërisë së veriut me fokus të veçantë tek Eposi dhe kryesisht tek lahuta, që është instrumenti gjenuin që vë në lëvizje Eposin”.

Akad. Tole theksoi se, “Lahuta, ky instrument që është kaq i dashur për shqiptarët, është së fundi përsëri në vëmendje të qeverisë për ta regjistruar këtë instrument të veçantë, e veçanërisht këndimin me lahutë si pasuri shpirtërore botërore”.

Akad. Tole kujtoi ndër të tjera edhe interesin e muzikantit Red Radoja për kulturën shumëzërëshe polifonike.

Red Radoja dha një shpjegim të plotë mbi metodat e kërkimit të elementëve muzikorë në rrënjët e Eposit shqiptar.

Duke e konceptuar si një simbiozë unike vargun dhe poezinë në eposin shqiptar, Radoja tha se, vargu duhet marrë në tërësinë e tij, si një varg i koduar me veçoritë e të kënduarit, një varg që bëhet aktiv dhe i plotë vetëm kur këndohet në lahutë.

Radoja shpjegoi se ka punuar me variantet melodike duke studiuar disa variante të vogla në treva që janë të izoluara nga kultura orientale e mesjetës, dhe nga pushtimi turk. Ai iu është referuar këtyre zonave të pastra, për zbuluar muzikën dhe vargun e kënduar të Eposit, që e dallon atë nga variantet paralele në Ballkan.

Red Radoja ka bërë studime e vëzhgime të imëta, duke u futur edhe ne detaje të psikikës së lahutarit si një talent i lindur për ta mbartur e përcjellë trashëgiminë.

Red Radoja bëri në fund një paraqitje audio/video të materialit që ka shërbyer si bazë e analizave, për të hapur në vijim diskutimin me pyetje nga auditori.

Ai argumentoi tezën se vargu i eposit përcaktohet më tepër nga muzika, sesa nga logjika poetike. Kjo shkon në të kundërt me qëndrimin mbizotërues, jo vetëm të etnomuzikologjisë, por edhe të albanologjisë shqiptare përgjithësisht.

Kjo tezë u la vend diskutimeve dhe debateve shkencore me akademikët dhe studiuesit e fushave të albanologjisë për të përqasur afërsitë kërkimore në kontekstin e kohës së krijimit të bërthamës së Eposit.

Dr.Ermir Ballgjati bëri një paraqitje të karrierës së muzikantit Red Radoja, i cili ka studiuar për piano dhe dirigjim pranë Akademisë së Arteve në Tiranë.
Më tej ai i ka thelluar studimet e veta në këto dy fusha edhe në konservatorët e Strasburgut dhe të Dizhonit, por ka studiuar edhe muzikologji në universitetin e Strasburgut.

Dr. Ballgjati shprehu kënaqësinë që prezanton rezultatet e punës kërkimore të një muzikanti të çmuar dhe miku të vjetër siç është Redi Radoja, me të cilin e lidhin vitet kur studionte piano dhe dirigjim pranë Akademisë së Arteve në Tiranë.

Ai vuri në dukje se hulumtimi mbi elementin muzikor përbën një nga aspektet më pak të zhvilluara të studimeve mbi eposin në tërësi. Me përjashtim të dy konferencave të dedikuara si ajo e vitit 1983 në Tiranë dhe ajo e vitit 2014 në Prishtinë, nuk ka patur prurje të qëndrueshme e sistematike nga ana e etnomuzikologëve shqiptarë në këtë drejtim.

Mjafton të vihet në dukje se, me përjashtim të punimit “Muzika e eposit heroik legjendar” (1989) të Ferial Dajës, ende sot nuk ka asnjë studim monografik kushtuar muzikës së Eposit legjendar shqiptar. Në këtë kuptim, çdo kontribut i ri është më se i mirëpritur.

“Në radhë të dytë, -tha dr. Ballgjati- puna e Redit është dëshmi e një pasurimi që ka përftuar në këto vite ajo që mund të quhet etnomuzikologjia shqiptare. Deri në vitin 1990, hulumtimi etnomuzikologjik në Shqipëri zhvillohej në një kornizë të mbyllur jo vetëm si epistemë e metodologji, por edhe në planin institucional dhe infrastrukturor”.

“Puna e Redit, nga ana tjetër, është dëshmi e kapaciteteve dhe e kontributeve që janë zhvilluar ndërkohë nga diaspora e qenësishme muzikore shqiptare edhe në fushën e etnomuzikologjisë. Të formuar në shkolla e tradita të tjera studimore, këto kapacitete përbëjnë një aset për pasurimin dhe gjallërimin e mendimit e diskutimit etnomuzikologjik shqiptar në tërësi. Në këtë kontekst, nuk më duket krejt rastësi që një nga tezat, që Redi shtron, është paralelizmi modal i eposit me antifonat gregoriane mesjetare, ndonëse duhet theksuar se edhe Beniamin Kruta pati pohuar njëfarë paralelizmi në karakter me psallmodinë bizantine. Edhe analiza e funksioneve modale të gradëve e pasuron punën e gjertanishme etnomuzikologjike, e cila shpesh është kufizuar në analizën e elementit melodik vetëm si shkallë”, tha dr. Ermir Ballgjati./atsh/KultPlus.com

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

Poezi nga Naim Frashëri

JETA

Sa e dua giithë jetën!
Se atje gienj të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën,
Te mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, diellin, dritën,
Mbrëmjen dh’ atë errësirën;
Natën, kur ësht’ e qetuar
Edhe gjësendi s’dëgionet;
Qiellin kur ësht’ i edruar
E hapësira ndritonet,
A kur hapen herë-herë
Ret’ e zeza sten nd’ere;
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën,
Retë, shinë dhe lumenjtë,
Gjëmim, mjergull, Përrenjtë,
Deoren,
bresherin’ e erën’
Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.
Oshetimën, Pyjet,
drurët’
Shkëmbenjtë, gërxhet’ e gurët,
Lulet, barërat qe mbijnë,
E shpestë që fluturojnë
Edhe këngëra këndojnë
E nëpër dega levrijnë.
Dhe njërin’ e bagëtinë
Dhe giithë E’është

jetë
I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është një e s’ka të dytë./ KultPlus.com

Drejtuesja e Katedrës së gjuhës shqipe në Beogad: Hapja e degës së Katedrës sonë në jug të Serbisë është ide e shkëlqyer, por varet nga vullneti politik

Shkruar: I. Jovanoviq

Hapja e degës së gjuhës shqipe në Preshevë do të ishte mirë jo vetëm për shqiptarët, por  për të gjithë studentët që në jug të Serbisë dëshirojnë ta studiojnë gjuhën shqipe. Dëshira ekziston, por nuk e di nëse qeveria do të ketë vullnet për një gjë të tillë, ka deklaruar për portalin  Bujanovaçke novine, shefja e Katedrës së gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik të Beogradit, Naile Mala Imami.

Nuk jam e sigurt se a do të hapet apo jo dega e katedrës sonë në Preshevë, por jam e sigurt se kjo do të ishte një  gjë shumë e mirë, sepse për momentin e kemi nuk numrin e vogël të studentëve në katedrën tonë në Beograd – ka vlerësuar Imami.

Ajo tha se në Preshevë nuk ka qenë deri më tani, por që ka dëshirë ta vizitojë.

 E di që atje ka shumë të rinj që do të donin ta mësonin gjuhën shqipe dhe mendoj se kjo do të thoshte shumë për ta, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët nga jugu i Serbisë. Këtu vijnë shumë studentë nga Vranja, Bujanoci dhe vendet përreth – vlerësoi Imami.

Pse të rinjtë e Luginës të studiojnë në Tetovë, Prishtinë ose Tiranë kur mund të studiojnë në Preshevë ose Bujanoc nëse do të hapej dega e katedrës sonë, tha ajo.

– Kjo mund të realizohet, por a ekziston vullneti i organeve të pushtetit apo jo këtë nuk mund ta them, por do të doja shumë që kjo ide të realizohet, tha Imami.

Katedra e gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik të Beogradit ekziston tashmë 100 vjet,  është katedra e pestë me radhë që e ka filluar punën në këtë faklultet në vitin 1921.

Ne jemi katedër me traditë, kemi libra, mjete mësimore, përkatësisht çdo gjë që është e nevojshme për studentët tanë. Nëse ekziston vullneti i pushtetit, hapja e degës në Preshevë, vërtet, do të ishte gjë e mirë, e përsëriti Imami.

Ju rikujtojmë se kryetari i Këshillit Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) Nevzad Lutviu ka kërkuar nga Fakulteti Filologjik i Beogradit që në Preshevë të hapet dega e Katedrës së gjuhës shqipe. Ai me këtë kërkesë i është drejtuar edhe Universitetit dhe Ministrisë së Arsimit, për çfarë kanë shkruar Bujanovaçke novine.

“Kam kërkuar edhe takim që ta konkretizojmë këtë kërkesë”. Kjo katedër me hapjen e degës në Preshevë do ta fitonte kuptimin e plotë, në këtë qytet me mbi 95%  janë shqiptarë. Kjo do t’ua tërhiqte vëmenden  edhe studentëve në qytetet përreth.”, theksoi Lutviu në letër./KultPlus.com

Chopin Piano Fest prezanton koncert me 16 artistë për nderë të 16 vjetorit të Pavarësisë

Festivali i muzikës klasike Chopin Piano Fest Prishtina, në kuadër të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës prezanton koncertit festiv, me performanca dhe program të pasur muzikor me 16 artistë, shkruan KultPlus.

Artistët pjesëmarrës në këtë koncert janë: Alberta Troni, Jeta Çitaku, Erëmira Çitaku, Sihana Badivuku, Zana Badivuku Basha, Denik Prizreni, Kaltrina Miftari, Safet Berisha, Lekë Salihu, Marin Gjollma, Enkelejda Zajmi Gorani, Marina Nikolovska, Astrit Mustafa, Orges Malaj, Ilir Kodhima dhe Andi Duraku.

Koncerti do të mbahet më 6 Mars nga ora 20.00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinës/KultPlus.com

Nis edicioni i parë i ‘Festivalit të Teatrove për Fëmijë’ në Ferizaj

Në qytetin e Ferizajt ka nisur edicioni i parë i Festivalit të Teatrove për Fëmijë, shkruan KultPlus.

Festivali do të zgjas deri më 7 Mars, duke u shtrirë edhe në komunat e Rajonit të Ferizajt, e cila vjen si vazhdimësi e Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

Festivali i Fëmijëve jepet në kuadër të strategjisë së zhvillimit të teatrit për të rinjtë dhe fëmijët duke ofruar shfaqje të teatrove vendore, si dhe aktivitete të shumta.

“Vogëlushët do të shijojnë për këto ditë, prodhimtarinë më të mirë teatrore për fëmijë, dekorin e veçantë, lojërat🤹‍♂️garat e diturisë 📚dhe gjithë programin e përgatitur nga ekipi i Festivalit, prirë nga drejtori i Festivalit, Besim Ugzmajli”, ka shkruar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Ngjarja do të organizohet në datat 4 deri më 7 mars dhe do të ketë shtrirje në katër qytete: Ferizaj, Shtime, Kaçanik dhe Han të Elezit./KultPlus.com

Jahjaga në Shtëpinë e Bardhë i shpreh Bidenit nevojën për intensifikim të angazhimit amerikan në Kosovë

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka marr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit për Gratë më të Guximshme të vitit, në Shtëpinë e Bardhë.

Jahjaga u takua me zonjën e parë të Amerikës, Jill Biden, si dhe i shprehu presidentit, Joe Biden nevojën që angazhimi i vazhdueshëm amerikan në Kosovë të intensifikohet.

Gjatë këtij takimi, Jahjaga bën me dije se ndau kujtime nga vizita e presidentin amerikan, Joe Biden dhe familjes së tij në Kosovë, në ceremoninë e emërimit të rrugës ‘Beau Biden”, që nderon punën e të birit të ndjerë të presidentit, njofton Klankosova.tv.

“Sot në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me ftesën e Zonjës së Parë Jill Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, ishte nder i veçantë të marr pjesë në ndarjen e çmimit për Gratë më të Guximshme të vitit”.

“E falenderova Dr. Biden për angazhimin e vazhdueshëm amerikan në Kosovë dhe nënvizova nevojën që ky angazhim të intensifikohet”.

“Ishte kënaqësi e veçantë ta takoj Zonjën e Parë, Dr. Jill Biden sot në Shtëpinë e Bardhë në Washington, DC. Gjatë këtij takimi, ndër të tjera, patëm rast të ndajmë kujtimet nga vizita e Presidentit Biden dhe familjes së tij në Kosovë, në ceremoninë e emërimit të rrugës ‘Beau Biden”, që nderon punën e të birit të ndjerë të Presidentit amerikan në vendosjen e themeleve të shtetit të së drejtës në Kosovë”, u shpreh kështu ish-presidentja në llogarinë e saj zyrtare të Facebook-ut.

“Si Presidente e Kosovës, në mars të vitit 2016, në Shtëpi të Bardhë i pata dorëzuar zotit Biden dekretin për emërimin e rrugës që lidh kryeqytetin e Republikës tonë me kampin ushtarak amerikan Bondsteel, si nderim në emër të popullit të Kosovës për kontributin e familjes Biden për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ishte ndër momentet më emocionuese të mandatit tim, të cilin e kujtoj me shumë krenari”.

“Sot, kjo rrugë qëndron si simbol i miqësisë të palëkundur me SHBA-të dhe përkushtimit të popullit të Kosovës për ta zhvilluar vendin si një vend të lirë, demokratik, të palëkundur në partneritetin tonë, të bazuar në vlerat tona të përbashkëta”.

Nderohen regjisorët e kinematografisë shqiptare, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro

Në kujtim të dy regjisorëve të njohur, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro u zhvillua një mbrëmje artistike në Vlorë me pjesmarrjen e disa aktorëve të njohur. Ata sollën në vemendje kontributin e madh të dy regjisorëve që realizuan 13 filma artistikë dhe disa dokumentarë.

Me pjesëmarrjen e aktorëve të njohur Raimonda Bulku, Kristaq Skrami, Ndricim Xhepa, Bujar Asqeriu e Timo Flloko u organizua mbrëmja artistike në nder të dy regjisorë të njohur vlonjatë Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitro.

“Ata në jetë dhe në art ishin bërë një. Është vështirë të gjendet ky model sot për shkak të egoizmit. Ata të dy kurrë nuk janë grindur në skenën e xhirimit. Ata bashkëpunonin shumë me njëri-tjetrin”, tha Bujar Asqeriu.

Muço dhe Mitro kanë pasur një karrierë të suksesshme në vitet ‘70-’80, ku së bashku kanë realizuar 13 filma, mes tyre, spikasin “Dimri i Fundit”, “Njeriu i mirë”, “Në prag të lirisë”, etj.

“Unë kam luajtur në filmat e tyre dhe kam marrë çmime, ishte e pamundur të mos kishe sukses me këta regjisorë”, tha  Raimonda Bulku.

Në skenë e teatrit “Petro Marko” u luajt muzikë klasike si dhe u shfaqen fragmente të filmave.

Mbrëmja artistike ishte emocionuese për familjarët e dy regjisorëve të ndjerë.

“Kanë kaluar shumë vite që ai nuk është më, por sot përmes kujtimeve m’u duk se m’u rikthye”, tha vajza e Kristaq Mitros.

Ibrahim Muçaj, lindur në 1944 ka ndërruar jetë në 2010-ën. Kristaq Mitro lindur në Vlorë në 1943 është ndarë nga jeta në vitin 2023. Me një karrierë të pasur artistike kanë realizuar disa dokumentarë si dhe 13 filma artistikë me bashkautorësi./shqiptarja.com/KultPlus.com

Certifikohen 180 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, Kurti: Meritojnë vëmendje të përhershme

Janë certifikuar 180 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta të gjeneratës së pestë u certifikuan sot.

I pranishëm në ceremoninë e mbajtur ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kurti tha se të drejtat e personave me nevoja të veçanta, aq më tepër të fëmijëve, meritojnë vëmendje të përhershme.

“Dhe kujdes të specializuar institucional dhe shoqëror, andaj si Qeveri do të vazhdojmë mbështetjen e duhur për ta”, tha Kurti.

“Deri tani kemi 409 asistentë të kualifikuar, 65 në kualifikim e sipër, 250 asistentë të punësuar, dhe 250 të tjerë që do të punësohen në vijim”, theksoi ai.

Gonxhja: Hapet konkursi për Logon Kombëtare për 80-vjetorin e Çlirimit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka çelur konkursin për Logon Kombëtare për 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ftoi sot të gjithë të interesuarit të bashkohen në kremtimin e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, duke dhënë kontributin e tyre artistik.

Gonxhja theksoi se, për të aplikuar, të interesuarit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentacionin tek Zyra e Protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si edhe elektronikisht në adresën: [email protected].

Afati i fundit për aplikim ishte 22.03.2024/atsh/ KultPlus.com

Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Ish Drejtori për Edukim në Apple, prof. Alan Greenberg do të mbajë Bootcamp në UNI – Universum International College, me temen “Exploring the Intersection of Digital Technology, Innovation, and Entrepreneurship”.

💡 A keni ide biznesore dhe dëshironi që kjo ide biznesi të financohet nga ekspertë botëror?

Alan Greenberg sjell shumë përvojë dhe ekspertizë në UNI – Universum International College, pasi ka shërbyer si ish-Drejtor i Arsimit të Lartë EMEA, më pas Drejtor për Edukim në Kinë dhe AsiaPAC në Apple Inc. Ai udhëhoqi ekipin që ndërtoi Education Podcasting iTunes U në Angli dhe Evropë, zhvilloi Apple Education APP iOS dhe nismat e zhvillimit të Apple APP me Universitetet.

Bootcamp-i është i ndarë në 5 module nga 5 orë, ku secili pjesëmarrës do të ketë mundësinë të zhvilloj ide biznesore të cilat në fund do të prezantohen si projekte reale me mundësi të financimit të atyre ideve biznesore.

Mos e humbni këtë mundësi, bëhu pjesë e Bootcamp-it duke aplikuar KËTU.

➡️ Oraret e takimeve/ligjeratave:

Takimi I: 08 dhe 09 Mars 2024

Takimi II: 26 dhe 27 Prill 2024

Takimi III: 21 Maj dhe 01 Qershor 2024

➡️ Detaje rreth pagesës:

Për studentë të UNI: Bootcamp ofrohet PA PAGESË

Për studentë Alumni të UNI: Bootcamp ofrohet PA PAGESË

Për pjesëmarrësit nga jashtë: Çmimi 390€ që përfshin ligjerata, materialet, Diplomë me ECTS të transferueshme në Institucione të Arsimit të Lartë.

➡️ Vendet janë të limituara për 40 studentë* të UNI dhe 15 pjesëmarrës nga jashtë.

*Studentët e UNI duhet të plotësojnë aplikimin me email studentor.

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion.  

Për më shumë informata rreth këtij Bootcamp, kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram./KultPlus.com

Sfinksi në Antigone, dëshmi e prodhimit lokal të enëve prej bronzi

Në Antigone, prodhimi lokal i enëve prej bronzi tashmë është konfirmuar edhe nga zbulimi i një punishte ndodhur brenda banesës së artizanit të qytetit i njohur me emrin Pirro.

Figura e sfinksit, gjetur brenda kësaj punishteje, duhet të ketë shërbyer si mbajtëse dekorative e një ene të madhe prej bronzi. Në trupin e sfinksit janë vendosur krahët, të punuar veçmas, njeri prej të cilëve ka humbur. Duke krijuar lëvizjen në formën e një harku, që duket sikur çan përpara, kjo figurë gruaje me krahë shqiponje plotëson anën funksionale të kësaj mbajtëseje. Forma e bukur stilistike e sfinksit si dhe e objekteve të tjera të zbuluara, tregojnë për nivelin e lartë që kishin arritur artizanët në qytetin e Antigonesë.

Ky objekt ruhet në Muzeun Historik Kombëtar.

Skeda:

Këmbë vazoje në formë sfinksi

Bronz. Lartësia 23 cm, gjerësia 17,5 cm

Antigone

Gjysma e shek. III p. Kr.

Nr. i inventarit 1238

Antigonea ka qenë një qytet i lashtë i ndërtuar në shekullin III para Krishtit, ishte një qytet jetëshkurtër, që jetoi  rreth 150 vjet. Rrënojat e tij ndodhen 14 kilometra nga qyteti i Gjirokastrës.

Themelimi i qytetit lidhet me një nga emrat më të famshëm të antikitetit, mbretin Pirro të Epirit. Në fillim të shekullit III p. Krishtit Pirro u detyrua të shkonte në luftë në Egjipt, ku aftësitë e tij tërhoqën vëmendjen e Berenicës, gruas së mbretit Ptoleme të Egjiptit, e cila i ofroi atij dorën e së bijës, Antigoneas. Si mirënjohje për vjehrrën dhe gruan e tij të parë, Pirro vendosi të ndërtonte një qytet të ri me emrin Antigonea./atsh/ KultPlus.com

Filharmonia sjell ‘Rapsodi Shqiptare’ nga Fan S. Noli

Filharmonia e Kosovës koncertin e radhës do ta mbajë me ‘Rapsodi Shqiptare’ nga Fan S. Noli, duke shënuar kështu intepretimin e parë të një prej kompozimeve të Nolit nga institucioni më i lartë i muzikës në vend, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert do të interpretohet edhe premiera e “Koncert për Piano” nga kompozitorja Dafina Zeqiri Nushi me pjesëmarrjen e pianistit të shquar kosovar Misbah Kaçamaku.

Koncerti do të dirigjohet nga Maayan Franco, i cili rikthehet për të tretën herë për të drejtuar Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

Mbrëmja artistike do të mbahet më 08.03.2024 në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Kuvendi nesër mbanë seancë solemne për 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë solemne për të shënuar 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një komunikatë për media thuhet se seanca do të fillojë nga ora 10:00, dhe si pikë e rendit të ditës në këtë seancë solemne është shënimi i 26 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /KultPlus.com

Harpistja Pancaroğlu dhe Orkestra Harkore e Filharmonisë shkrijnë tingujt në një koncert të përbashkët emocional

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Një koncert shumë emocional u dhurua të shtunën mbrëma, në koncertin e parë për muajin mars nga solistja harpiste Şirin Pancaroğlu dhe Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, shkruan KultPlus.

Atelieja e Pallatit të Rinisë e cila është bërë vend i zakonshëm për mbajtjen e koncerteve të Filharmonisë, mbrëmë mysafirët i kishte akomoduar në një kënd ndryshe, ku në ballë të sallës, në formë harku ishte rezervuar vendi për Orkestrën Harkore, përderisa publiku ishte i shpërndarë në të tre anët e saj.

Me një duartrokitje u pritën instrumentistët në skenë, së cilës për pak pritej t’i bashkangjitej edhe dirigjenti Ramadani. Me tinguj jo shumë të lartë filloi koncerti me interpretimin e veprës “Sinfonietta për orkestër harqesh” të autorit Drinor Zymberi.

Tinguj mjaft të qetë, e të rrallë u ekzekutuan pak më vonë, vibrimi i së cilëve sikur donte të tregonte një histori me karakter serioz. Ndërsa “Allegro” filloi me tinguj më të lartë, të cilët shkonin për tu bërë më të qetë e për tu përsëritur disa herë, për t’i dhënë shije mjaft të këndshëm veshit të dëgjuesit.

Pikat tjera të cilat u interpretuan në këtë koncert ishin: “Valle për harpë dhe orkestër harqesh” të Claude Debussy, “Ata që duan, nuk vdesin” të Nihavend Longa dhe “Suita e Holbergut, OP.40”, të Edvard Grieg, të cilat dhuruan tinguj mjaft të ndjerë për publikun.

Por, “Vaji i flamingove” i kompozuar dhe interpretuar nga vetë harpistja Şirin Pancaroğlu dha një tjetër spektër emocional.  Ky “Vaj i flamingove” i shkrirë mjeshtërisht në tinguj harpe, shtriheshin qetësisht dhe thellësisht në sallë, si shpërfaqje e një momenti personal trishtues të cilin e kishte përjetësuar artistja në vepër disa vite më parë.

Harpa dhuronte tinguj melankolikë dhe terapues njëkohësisht, të cilët qetësisht integroheshin shumë natyrshëm te publiku, nga ku edhe njëfarë mënyre kjo vepër mori vulën e interpretimit nga durartrokitjet pambarim të publikut në sallë.

Pas koncertit në një prononcim për KultPlus foli koncert-mjeshtri i Filharmonisë, Festim Fanaj, i cili tha se në këtë mbrëmje kishte përjetuar emocione shumë të mira, të cilat erdhën si rezultat i një ekzekutimi maestral nga të gjithë instrumentistët.

“Programi ka qenë shumë i mirë. Ka kaluar një kohë e gjatë që Filharmonia nuk ka performuar me një harpiste. Pancaroğlu është një zonjë shumë e aftë në instrumentin e harpës, andaj na solli edhe shumë emocione. Njëkohësisht edhe veprat tjera të cilat i punuam me dirigjentin tonë Edon Ramadani i kemi realizuar në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Sonte, ka qenë me të vërtetë shumë bukur, kemi përjetuar shumë emocione të mira, dhe të gjitha veprat janë luajtur në mënyrë maestrale, nga të gjithë”, ka thënë Fanaj.

Koncert-mjeshtri Fanaj gjithashtu tha se profesionalizmi i harpistes Pancaroğlu kishte bërë që me orkestrën e Filharmonisë të shkriheshin në një, për një kohë shumë të shkurtër, edhe përkundër faktit që interpretimi me harpë është mjaft i rrallë.

“Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, ne jemi ndërlidhë shumë shpejt me solisten, pasi që është tejet profesioniste. Nuk na është dashur të punojmë shumë në përgjithësi, vetëm në detaje. Kështu që, jemi përshtatur shumë shpejt, kemi pasur një energji të përbashkët  dhe me të vërtetë edhe neve na pëlqeu si instrument, por edhe perfomanca e saj na bëri që të shkrihemi së bashku në një tingull dhe gjithçka shkoi shumë bukur”, ka thënë koncertmjeshtri Fanaj.

Ndërsa, dirigjenti Edon Ramadani, koncertin e mbrëmshëm tha se e kishte përjetuar thellësisht sa i përketë aspektit emocional.

“Koncerti i sotëm ka qenë një performancë emocionale. Kam hyrë në muzikë shumë thellë, natyrisht duke iu falënderuar profesionalizmit të orkestrës që kam pasur para meje. Këtë koncert kemi pasur edhe një mysafir të veçantë. Nuk besoj që kemi pasur shpesh ndonjë harpist ose harpiste në Kosovë, kështu pas një kohe mjaftë të gjatë kemi pasur një harpiste të mrekullueshme me të cilën së bashku me orkestër e kemi luajtur dy valle nga Claude Debussy”, ka thënë Ramadani.

Dirigjenti Ramadani foli edhe për programin e koncertit ku tha që ishte goxha i larmishëm, duke filluar nga kompozitorët lokal e deri te impresionizmi i Claude Debussy, duke potencuar edhe profesionalizmin e solistes Pancaroğlu dhe Orkestrës Harkore të Filharmonisë.

“Bashkëpunimi ka qenë mjaft i lehtë sepse ajo edhe si njeri është shumë e thjeshtë. Ishte me të vërtetë kënaqësi bashkëpunimi me harpisten Pancaroğlu. Njejtë edhe me Filharmoninë e Kosovës, ku nuk është bashkëpunimi i parë i imi, unë jam pjesë e kësaj shtëpie që nga viti 2006-‘07  kur kam punuar si asistent dirigjent i korit të Filharmonisë dhe kohë pas kohe pastaj jam ftuar si mysafir qoftë me korin, orkestrën, qoftë me korin edhe orkestrën. Kështu që gjithmonë është kënaqësi për tu kthyer në ‘shtëpinë time të vjetër’”, ka thënë Ramadani.

Kurse, solistja Pancaroğlu interpretimin së bashku me Filharmoninë e Kosovës e ka quajtur moment të çmuar për karrierën e saj.

“Jam shumë e prekur nga zhvillimi i kësaj orkestre kur dijmë se pas luftës ishin vetëm 13 muzikantë kur filloi. Ajo rritet vazhdimisht dhe shpresojmë se do të bëhet edhe me një sallë të koncerteve. Është një moment shumë i çmuar për mua. Kjo është hera e tretë që kam luajtur në Kosovë, por asnjëherë më parë nuk kam luajtur me Filharmoninë e Kosovës”, ka thënë Pancaroğlu duke potencuar gjithashtu që frymëzimi i saj për të krijuar vepra lidhet me tema të ndjeshme të shoqërisë, siç ishte edhe vepra “Vaji i Flamingove” të cilën e kishte krijuar pasi inxhinieria e ndërtimit kishte vendosur që në një habitat të flamingove të ndërtohej një kompleks banesor. Artistja e lumtur tregon që disa muaj pas interpretimit të kësaj vepre, projekti në fjalë ishte ndaluar të ndërtohej./ KultPlus.com

A është e drejtë të botohet romani i fundit i Márquezit?

Nga: Erica Wagner / Financial Times
Përktheu: Granit Zela

I ndjeri Márquez kishte shprehur dëshirën që dorëshkrimi të mbetej i fshehur – por edhe historia ka të drejtën e saj.

Kur ishte gjallë, Gabriel García Márquez vendosi që romani i tij i fundit të mos botohej. Shkrimtari kolumbian – një nga më të mëdhenjtë e shekullit të 20-të, autor i Njëqind vjet vetmi dhe fitues i çmimit Nobel në 1982 – kishte vuajtur nga demenca, megjithëse vazhdonte të punonte. Pas vdekjes në vitin 2014, në moshën 87-vjeçare ky dorëshkrim i fundit iu bashkua arkivit të tij në Qendrën Harry Ransom në Universitetin e Teksasit, duke u mbajtur larg syve të publikut, në përputhje me vullnetit e shprehur.

Megjithatë, 10 vjet pas vdekjes, libri i titulluar Shihemi në gusht [En Agosto Nos Vemos] do të botohet në të gjithë botën më 6 mars. Djemtë e tij, Rodrigo dhe Gonzalo García Barcha, kundërshtuan kërkesën e babait të tyre. Shihemi në gusht ishte fryt i përpjekjes së fundit të babait tonë për të vazhduar të krijojë duke bërë të pamundurën,” kanë thënë ata. Duke e lexuar romanin, bijtë zbuluan se pavarësisht nga ndonjë mangësie – ai ende pasqyronte “aftësinë e tij për të trilluar, gjuhën poetike, rrëfimin magjepsës, botëkuptimin për njerëzimin dhe dashurinë për përvojat dhe fatkeqësitë tona”.

A kanë të drejtë trashëgimtarët të shpërfillin dëshirën e tij? A është botimi i librit një shenjë mosrespektimi apo (siç pëshpëritet) dëshmi e dëshirës për të fituar para? E thënë shkoqur, mund të themi se nuk ka fare rëndësi: Domethënia e García Márquezit shkon përtej përkujdesit apo dëshirave të tij të fundit. Ky është kuptimi i vdekjes për ju.

Ne të tjerët, lexues dhe studiues të letërsisë dhe neuroshkencës, do të kemi tani një shans jo vetëm për ta lexuar këtë vepër të fundit, por edhe për të kuptuar pak, ndoshta, se si sëmundja e tij shkatërruese ndikoi në fuqinë krijuese. Krahasimi mund të bëhet me librin e mrekullueshëm të shkrimtarit amerikan, David Milch, “Puna e një jete”, i sapobotuar. Ai përbën një guidë për procesin e krijimit të këtij autori: por pasqyron edhe dëmin e demencës tek ai dhe është shkruar me ndihmën e bashkëshortes dhe fëmijëve.

Trashëgimia e një autori nuk ngurtësohet asnjëherë; dhe është e rëndësishme të theksohet se një libër me pak i rëndësishëm, nëse do ta gjykojmë kështu, nuk do të ndikojë në reputacionin e një libri më të madh. Libri i fundit që García Márquez botoi gjatë jetës, Kujtime kurvash të trishta (2004) nuk u prit shumë ngrohtë: “Një ushtrim me gjysmë zemre i artit të rrëfimit, i botuar thjesht për të sh;njuar kohën”, shkroi shënimin hidhërak Michiko Kakutani në The New York Times. Megjithatë, pjesa tjetër e veprës mbetet e pazbehur dhe e qëndrueshme; dhe ajo që është e vogël mund të hedhë dritë mbi të madhen.

Romani i Harper Lees, Shko vër një rojë, u botua në vitin 2015, një vit para vdekjes, dhe dukej e paqartë se sa e përfshirë kishte qenë në botim: megjithëse edhe pse nuk ishte botim pas vdekjes, ngjante si i tillë. Deri në atë moment ajo kishte botuar vetëm një libër, dhe një nga më të njohurit e shekullit të 20-të – fitues i çmimit Pulitzer, Të vrasësh zogun pëqeshës, në vitin 1960.

Shko vër një rojë është vepër e vogël; megjithatë hedh dritë në Të vrasësh zogun pëqeshës  – jo vetëm sepse, në shekullin e 21-të, rrëfimi i të bardhit shpëtimtar në roman është shumë më problematik. Ai zbuloi se Atticus Finch – i perceptuar deri më tani si një nga figurat më të mëdha morale të letërsisë amerikane – kishte marrë pjesë në një takim të Kju Klus Klanit në rininë e vet; dhe se ai mendonte se përpjekjet për të zhdukur skllavërinë në Jug po ecnin me ritme shumë të shpejta. Kur u publikua lajmi – dhe ishte një lajm i madh – im bir, atëherë 14-vjeçar më telefonoi nga shkolla: “Mami, a është Atticus Finch racist”? “Shko vër një rojë”, tregon se Finch nuk mund të shmangte të qenit një njeri i kohës së tij.

Franz Kafka i kërkoi Maks Brodit, të kthehej në ekzekutuesin e veprës së tij letrare, t’ia digjte pas vdekjes letrat: po të kishte pranuar Brodi, ne nuk do të kishim Kështjella ose Gjyqi. Ted Hughes shkatërroi disa nga ditarët e Sylvia Plathit: një akt mbrojtjeje apo përdhosjeje? Në njëqindvjetorin e lindjes së JD Salingerit, në vitin 2019, i biri, Matt Salinger më tha mua – dhe botës – se ai synon të nxjerrë dalëngadalë veprën e pabotuar të të atit.

A do të revolucionarizohet të kuptuarit tonë për  këtë autor? Nuk ka gjasa, megjithëse ideja se do të botohen ato vepra pa asnjë dyshim është magjepsëse. A është zhvlerësuar kujtimi i Salingerit nga i biri? Unë mendoj se jo. Ne mund të lumturohemi, sigurisht, kur njohuritë tona për veprën e një artisti zgjerohen. / KultPlus.com

“Duke na dhënë mendimet e të pashkolluarve, gazetaria na mban në kontakt me injorancën e komunitetit”

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor 1854 në Dublin dhe vdiq në vitin 1900 në Paris. Ai rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo–irlandezë.

Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë dhe me mprehtësinë therëse, veshjen dhe oratorinë e tij u bë një nga personalitetet më të shquar të kohës.

I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890.

Për shkak të ideve të tij, veçanërisht ato mbi homoseksualizmin, për të cilin iu bënë edhe akuza të drejtpërdrejta dhe u arrestua në vitin 1895, Wilde kaloi disa vite i burgosur në Londër.

Në vitin 2007, Wilde është votuar si mendja më e madhe e Britanisë në një sondazh prej më shumë se 3000 komedianësh, duke lënë prapa Winston Churchill, Spike Miligan dhe Noel Couard.

Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar, por edhe nga thëniet e tij.

100 thënie nga Oscar Wilde:

1- Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë
2- Një poet mund të mbijetojë çdo gjë, por jo një gabim shtypi.
3- Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.
4- Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.
5- Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.
5- Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.
7- Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.
7- S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.
9- Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë
10 – Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

11- Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.
12- Ai që s’di të mësojë, jep mend
13 – Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre.
14- Tragjedia e plakut nuk është plakja, por rinia.
15- Kam shumë të dëshirë të flas për asgjë. Është e vetmja çështje për të cilën di gjithçka.
16- Sot njohim çmimin e çdo gjëje, por jo vlerën e tyre.
17- Lumturia e një njeriu të martuar varet nga ajo me të cilën nuk është martuar.
18- Shumë pak e kuptojnë sot se në një martesë, dy vetë janë të vetmuar, ndërsa kur janë tre të paktën ke shoqëri.
19- E vetmja mënyrë sjelljeje më një grua është të bësh dashuri me të nëse është e bukur, ose të bësh dashuri me një tjetër nëse është e shëmtuar.
20- Vetëm njerëzit sipërfaqësorë nuk gjykojnë nga paraqitja e jashtme.
21- Publiku është jashtëzakonisht tolerant; fal gjithçka përveç gjenialitetit.
22- Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve.
23- Mos u besoni ndjenjave të grave para se të martohen.
24- Burrat e njohin shumë shpejt jetën, gratë shumë vonë
25- Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.
26- Gratë kanë një instinkt të çuditshëm: Ëndërrojnë gjithçka veç asaj që duhet.
27- Gjithmonë falni armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë.
28- Disa shkaktojnë lumturi kudo që të shkojnë, të tjerët sa herë që të shkojnë.
29- Si mund të pritet që një grua të jetë e lumtur me një burrë i cili insiston në trajtimin e saj sikur ajo të ishte një qenie tejet normale njerëzore.
30- Fëmijët fillojnë duke i dashur prindërit e tyre; pas një kohe i gjykojnë ata; shumë rrallë, nëse ndonjëherë, i falin ata.
31- Çdo shenjtor ka një të shkuar dhe çdo mëkatar ka një të ardhme.
32- Unë jam aq i zgjuar sa nganjëherë nuk e kuptoj një fjalë të vetme të asaj që jam duke thënë.
33- Arsimi është një gjë e admirueshme, por është mirë të mbani mend nga koha në kohë që asgjë që vlen për ta ditur nuk mund të mësohet.
34- Midis burrave dhe grave nuk mund të ekzistojë ekziston miqësia. Ekzistojnë pasioni, armiqësia, adhurimi, dashuria, por jo miqësia.
35- Gratë janë bërë për t’u dashur, jo për t’u kuptuar.
36- Burrat gjithmonë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje – gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.
37- Njeriu është shumë pak vetvetja, kur ai flet për veten e tij. Jepini atij një maskë, dhe ai do t’ju tregojë të vërtetën.
38- Unë shoh kur burrat i duan gratë. Ata iu japin atyre vetëm pak nga jeta e tyre. Por gratë, kur ato të duan, të japin gjithçka.
39- Egoizmi nuk është të jetosh si ke dëshirë për të jetuar, egoizmi është t’iu kërkosh të tjerëve të jetojnë si ke ti dëshirë për të jetuar.

40- Pasuritë e zakonshme mund t’i vjedhësh; pasuritë e vërteta kurrë nuk mund të vidhen. Në shpirtin tuaj janë pafundësisht gjëra të çmuara të cilat askush nuk mund t’jua marrë.
41- Është absurde t’i ndajnë njerëzit në të mirë dhe të këqij. Njerëzit janë ose simpatikë ose bajatë.
42- Unë kam shije të thjeshta. Unë jam i kënaqur gjithmonë me të mirën.
43- Shumica e njerëzve janë njerëz të tjerë. Mendimet e tyre janë mendimet e dikujt tjetër, jeta e tyre është një imitim, pasionet e tyre janë një citat.
44- Asnjë artist i madh nuk i sheh ndonjëherë gjërat si ato janë në të vërtetë. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë më artist.
45- Fytyra e njeriut është autobiografia e tij. Fytyra e një gruaje është vepra e saj artistike.
46- Duke na dhënë mendimet e të pashkolluarve, gazetaria na mban në kontakt me injorancën e komunitetit.
47- Të gjitha gratë bëhen si nënat e tyre. Kjo është tragjedi e tyre. Asnjë burrë nuk bëhet i tillë. Kjo është tragjedia e tyre.
48- Pakëz sinqeritet është një gjë e rrezikshme, dhe shumë sinqeritet është absolutisht fatal.
49- Një njeri që nuk mendon për vete, nuk mendon fare.
50- Nëse dikush nuk mund të kënaqet duke lexuar një libër përsëri e përsëri, nuk ka kuptim ta lexojë atë fare.
51- Bigamia është të paturit e një gruaje më shumë. Monogamia është e njëjtë.
52- Burrat martohen sepse ata janë të lodhur, gratë, sepse ato janë kurioze, të dyja palët zhgënjhen.
53- Gjithçka popullore është e gabuar.
54 – E qeshura nuk është aspak një fillim i keq për një miqësi, dhe është tejet e mirë për t’i dhënë fund një miqësie.
55- Demokracia nënkupton thjesht kamzhikosje e popullit nga populli për popullin.
56- Jeta nuk është e drejtë, dhe ndoshta kjo është një gjë e mirë për shumicën prej nesh që ajo nuk është e tillë.
57- Të mashtrosh të tjerët. Kjo është ajo që bota e quan një romancë.
58- Kur perënditë dëshirojnë të ndëshkojnë, ata iu përgjigjen lutjeve tona.
59 – Çfarë është një cinik? Një njeri që e njeh çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje.
60- Dallimi në mes letërsisë dhe gazetarisë është se gazetaria është e palexueshme dhe letërsia nuk lexohet.
61- Jeta është aq gjë e rëndësishme sa nuk mund të flitet ndonjëherë seriozisht për të.
62- Moraliteti është thjesht qëndrimi që mbajmë ndaj njerëzve të cilët ne personalisht nuk i pëlqejmë.
63- Unë ndonjëherë mendoj se Zoti në krijimin e njeriut disi e mbivlerësoi aftësinë e tij.
64- Sa herë që njerëzit bien dakord me mua, unë gjithmonë ndjej se duhet të jem i gabuar.
65- Sa kohë që një grua mund të duket dhjetë vjet më e re se vajza e saj, ajo është tejet e kënaqur.
66- Kujtesa… Është ditari që ne të gjithë e mbajmë për veten tonë.
67- Ambicia është streha e fundit e dështimit.
68- Nuk ka asnjë mëkat përveç marrëzisë.
69- Shoqëria ekziston vetëm si një koncept mendor; në botën reale janë vetëm individët.
70- Bota është një skenë, por drama është luajtur keq.
71- Kur një burrë ka dashur dikur një grua, ai nuk do të bëjë asgjë për të, me përjashtim të vazhdojë dashurinë ndaj saj.
72- Gratë na duan për defektet tona. Në qoftë se ne kemi mjaft prej tyre, ato do të na falin gjithçka, edhe intelektin tonë gjigant.
73- Urrejtja është e verbër, si dashuria.
74- Gruaja fillon duke iu rezistuar vardisjeve të një burri dhe përfundon duke bllokuar tërheqjen e tij.
75- Pesimist: Njeriu që, kur ka për të zgjedhur mes dy të këqijave, i zgjedh të dyja.
76- Librat që bota i quan të pamoralshme janë libra që ia tregojnë botës turpin e vet.
77- Biseda rreth motit është streha e fundit e fantazisë.
78- Kam vënë të gjithë gjenialitetin tim në jetën time, kam vendosur vetëm talentin tim në veprat e mia.
79- Më pëlqejnë personat më shumë se parimet, dhe më pëlqejnë personat pa parime më shumë se çdo gjë tjetër në botë.

80- Gratë nuk janë të çarmatosura nga komplimentet. Burrat gjithmonë janë. Ky është dallimi në mes gjinive.
81- Tallja është haraçi që mediokrit ia paguajnë gjeniut.
82- Nëse dikush luan muzikë të mirë, njerëzit nuk dëgjojnë dhe në qoftë se dikush luan muzikë të keqe njerëzit nuk flasin.
83- Njeriu është një kafshë racionale që gjithmonë humb durimin e tij, kur ai thirret për të vepruar në pajtim me diktatet e arsyes.
84- Pyetjet nuk janë të pamatura, përgjigjet nganjëherë janë.
85- Avantazhi i emocioneve është se ato na çojnë në humbje.
86- Të edukuarit mirë grinden me njerëzit e tjerë. Të mençurit grinden me vetveten.
87- Ka shumë gjëra që ne do t’i hidhnim tutje në qoftë se ne nuk do të kishim frikë se të tjerët mund t’i marrin ato.
88- Jeta e vërtetë është shumë shpesh jeta të cilën njeriun nuk e jeton.
89- Për të fituar popullaritet duhet të jesh mediokër.
90- Në moment që ju mendoni se e kuptoni një vepër të madhe arti, ajo është e vdekur për ju.
91 – Si e rrënon martesa një burrë! Ajo është demoralizuese sa cigaret, dhe shumë më e shtrenjtë.
92- Një nga mësimet e shumta që mëson në një burg është se gjërat janë ato që ata janë dhe do të jenë ato që do të jenë.
93- Është më mirë të kesh të ardhura të përhershme sesa të jesh interesant.
94- Njeriu mund të besoj të pamundurën, por njeriu kurrë nuk mund të besojë të pamundshmen.
95- Vetëm duke mos paguar faturat, mund të shpresojnë të jetojmë në kujtesën e klasave komerciale.
96- Bamirësia krijon një shumicë mëkatesh.
97- Detyra e parë në këtë jetë është të jemi sa më sipërfaqësorë që të mundemi. Se cila është detyra e dytë, këtë askush s’ka mundur ta zbulojë ende.
98- Bota është krijuar për burrat, jo për gratë.
99 -Nuk duhet t’i besojmë kurrë një gruaje që na tregon moshën e saj të vërtetë. Ajo që tregon moshën është gati të tregojë gjithçka.
100- Unë gjithmonë jap këshilla të mira. Është vetmja gjë që mund të bëj me to. Ato nuk kanë asnjë vlerë për mua. / KultPlus.com

Muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton viktimat e para të klerit katolik

Muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot viktimat nga kleri katolik, të ekzekutuar pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër më 4 mars 1946.

Gjatë dhjetorit të vitit 1945, autoritetet komuniste zbuluan në Shkodër organizatën “Bashkimi Shqiptar” që drejtohej nga i riu seminarist Mark Çuni. Organizata ishte shfaqur nëpërmjet disa trakteve antikomuniste të lëshuara në qytetin e Shkodrës. Për këtë arsye, u arrestuan gjithashtu si përgjegjës Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani si eprorë dhe profesorë të seminarit. Gjithsej u arrestuan 39 persona.

Kjo do të ishte e para goditje e organizuar ndaj klerit katolik në Shqipëri.

Në gjyqin e mbajtur në kinema “Rozafati”, prokurori Aranit Çela akuzoi të pandehurit se “Kanë punuar për t’i përgatitur fushë të favorshme fashizmit Italian, me pushtimin e vendit kanë punuar për legalizimin e okupacionit dhe për fashistizimin e vendit e të popullit, kanë ndihmuar organizatat tradhëtare të krijuara nga armiku dhe qeveria kuislinge, kanë sabotuar rezistencën e popullit, duke kryer akte terrorizmi etj”. Në mungesë të provave, çdo akuzë se do të kryenin akte terroriste u mohua nga klerikët.

Nga 39 të arrestuar, 7 prej tyre u dënuan me vdekje. Ekzekutimi me pushkatim u krye pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër më 4 mars 1946 për:

– Atë Daniel Dajani

– Atë Giovanni Fausti

– Atë Gjon Shllaku

– Djakon Mark Çuni

– Qerim Sadiku

– Gjelosh Lulash Bajraktari

– Fran Miraka (u ekzekutua më 3.7.1946)

Foto të marra nga ISKK dhe fq. e Kastriot Dervishit. /atsh / KultPlus.com

Edisa Shahini, blogerja shqiptare në kopertinen e revistës austriake

Blogerja e famshme shqiptare, Edisa Shahini së fundmi është shfaqur në kopertinën e revistës vieneze “Wienerin”, ku është shkruar për jetën, karrierën dhe sukseset e saj.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shahini, përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, ku ka folur për fillimet e saj në Vjenë, transmeton albinfo.at.

“Unë kam shkuar në Vjenë kur isha 17 vjeçe, për të vazhduar universitetin, pa njohuri të gjuhës gjermane. Me përkushtim, më vonë u diplomova në Master të Gjuhës Gjermane. Gjatë rrugës fitova përvojë të paçmuar përmes praktikave, duke punuar në OJQ, duke u thelluar në fusha të ndryshme si shkrimi, marketingu, shitjet dhe ndërtova biznesin tim. Sot, jam krenare të zbukuroj kopertinën e Wienerin”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com

Termokiss sjell ekspozitën “Cilësia e ajrit përmes fotografisë”

Ekspozita “Cilësia e ajrit përmes fotografisë” do të hapë dyert më 6 mars në ora 18:00 në Termokiss, Prishtinë.

Organizuar nga grupi Airbenders nga projekti Youth4CleanAir, i cili mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Kosovë në partneritet me UNICEF në Kosovë dhe implementohet nga PEN, kjo ekspozitë synon të ngritë vetëdijesimin për ndotjen e ajrit përmes objektivit të fotografisë.

Ekspozita do të shfaqë fotografi nga të rinj të moshës 16-30 vjeç, që përshkruajnë ndikimin e ndotjes së ajrit në komunitet, dhe që janë përzgjedhur përmes garës për fotografi me po të njëjtën temë. Të pranishmit do të kenë mundësinë të vizitojnë ekspozitën dhe të votojnë për fotografitë e tyre të preferuara gjatë gjithë kohëzgjatjes së ekspozitës, e cila do të zgjasë deri më 15 mars.

“Ne jemi të emocionuar që presim këtë ekspozitë, duke bashkuar fuqinë e fotografisë dhe aktivizmit mjedisor”, tha Bujar Fejzullahu, Drejtor Ekzekutiv i PEN. “Përmes këtyre imazheve, ne shpresojmë të nxisim biseda dhe të frymëzojmë aktivizëm për ajër më të pastër dhe planet më të shëndetshëm.”

Në këtë organizim do të jenë të pranishëm me kontributet e tyre Bujar Fejzullahu, Drejtor Ekzekutiv i PEN-it; Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë; Nona Zicherman, shefe e zyrës në UNICEF në Kosovë; Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës (TBC) dhe Rilind Shala, aktivist rinor dhe organizator i ekspozitës. / KultPlus.com