“Mos u mërzit që po plakesh, ky është një privilegj që disa njerëzve u është mohuar”

Samuel Langhorne Clemens, i njohur me emrin Mark Tuein(Twain), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai shquhet për novelat e tij, The Adventures of Tom Sawyer (Aventurat e Tom Sojerit, 1876), si dhe për (Adventures of Huckleberry Finn) (Aventurat e Hakëllberri Finit), e cila me vone njihej si “Great American Novel” (Novela e famshme Amerikane).

Mençuria dhe satira e tij ishin te vlerësuara prej shume kritikeve dhe letrareve, dhe ai ishte shok me presidente, artiste, industrialiste te ndryshëm si dhe me Mbretërinë Evropiane. Gjendja e tij financiare ishte e dobët, megjithëse ai fitoi mjaft para nga shkrimet dhe ligjëratat e tij. Ai ishte i njohur si humoristi me i famshëm amerikan i moshës se tij, dhe William Faulkner e quajti Twain “babai i literaturës amerikane”.

Sot, KultPlus ju sjell disa nga thëniet e njohura të Mark Twain:

“Kujdes kur të lexoni libra shëndeti. Mund të vdisni për një gabim shtypi.”

“Unë nuk mora pjesë në funeral, por dërgova një letër të këndshme kur thuhej se e miratova.”

“Nuk e kam lejuar asnjëherë shkollimin të ndërhyjë me arsimimin.”

“Njeriu që nuk lexon libra të mirë nuk ka asnjë avantazh ndaj atij që s’mund t’i lexojë.”

“Përse rrini heshtur me pamjen e një zarfi pa adresë sipër?”

“Problemi me këtë botë nuk është se njerëzit dinë shumë pak, por se dini kaq shumë gjëra që s’qëndrojnë.”

“Është shumë e lehtë ta lësh duhanin. Unë e kam bërë me qindra herë.
Blini tokë. Askush s’e prodhon më.”

“Nga të gjitha gjërat që kam humbur, më ka marrë malli më shumë për mendjen.”

“Vera gjermane dallohet nga uthulla nga etiketa.”

“Mos u sillni rrotull duke thënë se bota ju detyron jetesën. Bota nuk ju detyron asgjë. Ishte këtu para jush.”

“Gjithmonë falini armiqtë, asgjë s’i mërzit më shumë.”

“Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit.” /KultPlus.com

Inteligjenca artificiale zgjidhi misterin e disa shkrimeve të lashta të qytetit të themeluar nga Herkuli

Herculaneum ishte një qytet antik në Campania që u zhduk gjatë shpërthimit të malit Vezuvius më 24 gusht 79 pas Krishtit. Sipas legjendës, ajo u themelua nga Herkuli, dhe sot qyteti italian i Ercolano qëndron në vend të tij.

Për 1600 vjet, Herculaneum qëndroi i mbuluar me hi dhe u zbulua në vitin 1709, kur filluan gërmimet e detajuara. Përveç mbetjeve njerëzore, u gjetën vepra të ndryshme arti, si dhe një bibliotekë plotë me letra papirusi me dorëshkrime të lashta.

Biblioteka e lartpërmendur, e quajtur “Vila e Papirusit”, ishte një kopje e zvogëluar e Bibliotekës së Aleksandrisë dhe e mbushur me rafte dhe dollapë.

Numri më i madh i dorëshkrimeve, nga gjithsej 1800, u gjet nën një shtresë të trashë hiri, kështu që nuk ishte e mundur të zbërtheheshin dhe lexoheshin, transmeton LadBible.

Por, shkencëtarët nuk u dorëzuan, të vendosur për të zbuluar se çfarë sekretesh fshehin shkrimet e lashta.

Kështu, në vitin 2023 nisi “Sfida e Vesuvit”, e cila përfshin çmime të konsiderueshme (fondi total është një milion dollarë) për studiuesit që arrijnë të deshifrojnë dorëshkrimet.

Ekspertët u vunë në punë, duke besuar se letrat nga Herculaneum përmbajnë “një tekst të paparë ndonjëherë nga antikiteti”.

Kështu vijmë te Youssef Nader (Gjermani), Luke Faritor (SHBA) dhe Julian Schilliger (Zvicër) të cilët lexuan 15 rreshta nga një letër duke përdorur një makinë kodimi të mundësuar nga inteligjenca artificiale.

Është një procedurë komplekse që përfshin skanimin e papirusit dhe më shumë detaje mund të mësoni në videon e mëposhtme.

Teksti i deshifruar është pjesë e filozofisë epikuriane mbi temën e kënaqësisë. Shkronjat e lashta greke janë zbuluar dhe duket se autori (ndoshta filozofi dhe poeti Filodemus) po diskuton “nëse gjërat e rralla janë më të këndshme për shkak të kësaj”.

“Ashtu si në rastin e ushqimit, ne nuk besojmë menjëherë se gjërat e rralla janë absolutisht më të këndshme se ato që janë të bollshme”, thuhet në një pasazh.

Në paragrafin e fundit, autori kritikon kundërshtarët intelektualë që “nuk kanë çfarë të thonë për kënaqësinë, qoftë në përgjithësi, qoftë në veçanti, kur bëhet fjalë për përkufizimin”.

Organizatorët e “Vesuvius Challenge” theksojnë se është deshifruar 5 për qind e një letre, për këtë arsye vazhdojnë me fushatën dhe rrisin fondin e çmimeve në vitin 2024./ KultPlus.com

“Kush m’ka faj që jam shqiptar”, tragjikomedia që shpërfaqi realitetin shqiptar karshi figurave të mëdha artistike

Vjollca Duraku

Të mërkurën mbrëma, në teatrin Dodona u dha premierë shfaqja “Kush m’ka faj që jam shqiptar” e autorit Enver Petrovci dhe nën regjinë e Ekrem Sopit, shkruan KultPlus.

Në shfaqjen tragjikomedi e cila u luajt nga aktorët Gyner Halili, Arbnorë Nuha, Labinot Lajçi dhe Vedat Haxhiislami shpërfaqet një realitet shqiptar, mbi atë se si shoqëria i ka trajtuar dhe trajton figurat e mëdha artistike.

Shfaqja me theks të veçantë trajton një vend me probleme të shumta i cili nuk është në gjendje të absorboj kapacitetin e personaliteteve të mëdha, të cilët kthehen në vendit e tyre për të kontribuuar dhe për të sjellë përvojën e marr nëpër botë.

Mosmirënjohja, mos respekti, ndikimi e ndërhyrja e  politikës në art, mosnjohja e vlerës së mirëfilltë, janë disa aspekte të cilat u dhanë mbrëmë para publikut, i cili me shumë mprehtësi kapi pikat më pikante dhe mesazhin kryesor që përçonte shfaqja.

Pas përfundimit të shfaqjes, në një prononcim për KultPlus, regjisori Ekrem Sopi, tha se përmes kësaj shfaqje ka dashur të përcjell mesazhin se figurat e mëdha shqiptare janë  ata që kanë ndikuar në ‘ngritjen’ e vendit dhe trasimin e rrugës së artistëve të rinj.

“Kjo shfaqje trajton jetën e një artisti që kthehet në Kosovë dhe mënyrën se si pritet nga shoqëria këtu, e cila përbëhet prej shumë problemeve në njëfarë mënyre dhe që nuk ka kapacitet ta absorboj një artist të madh, të cilin nuk e trajton edhe aq mirë. Por unë mendoj dhe kam dashur ta them në fund që artistët e mëdhenj duhet ta ndërtojnë këtë vend ashtu edhe siç e kanë ndërtuar. Këta artistë janë viktimë e vendit, por që vendi përfiton nga ta në një kohë tjetër, qysh edhe tash që po përfiton nga trasimi i një rruge të mirë për artistët e rinj”, ka thënë Sopi.

Ai gjithashtu tha se për të sjellë produktin final është bërë një punë e madhe, pasi vet zhanri që u paraqit mbrëmë në dukje shihet si punë e lehtë, por realisht është e kundërta.

 “Publiku reagoi shumë mirë. Por, realisht publiku duhet ta sheh vetveten në skenë. Realisht duhet të punosh shumë në mënyrë shumë të hollë për tragjikomeditë ngase në shikim të parë duken shumë të lehta, por realisht janë shumë të vështira. Nuk ka më vështirë se të bësh audiencën të qeshë dhe pastaj ta bësh atë të qajë”, ka thënë po ashtu regjisori Sopi.

Ndërsa aktori Gyner Halili foli për rolin e tij siç e quajti vetë ai kompleks, atë të një personazhi yll botëror i cili kthehet për të kontribuar në vendlindjen e  tij.

“Si karakter është mjaft kompleks. Sepse është një yll jo vetëm evropian por edhe botëror. Komplet projekti u dedikohet shqiptarëve, ku një artist i madh dëshiron të kthehet në vendlindje për të kontribuar dhe këtu has në të metat tona, siç është mosmirënjohja, mos respekti, pozicionet, politikat të cilat e bllokojnë me një fjalë rrjetën e tij sepse janë të instaluara rrjetet politike”, ka thënë aktori Halili.

Ai po ashtu i potencoi disa shembuj specifikë të aktorëve të mëdhenj, të cilëve nuk u është dhënë vlerësimi i duhur.

“Në këtë rast mundemi me fol si për profesorin Enver Petrovci, sikurse për Bekim Fehmiun, Faruk Begollin. Ne studentët e tyre i dimë mjaft mirë vështirësitë e tyre, i dimë shumë mirë çka nuk ka lënë politika, jo vetëm politika por njerëzit në përgjithësi. Kur themi politika, janë njerëzit tanë sepse po ata janë edhe në politikë. Në politikë kanë hyrë njerëz që nuk e kanë ditur as çka është arti, çka është aktrimi, e as humori. Ne e kemi rastin më të dhimbshëm që ka mund të ndodhë, ku me rastin e vdekjes së aktorit të madh Bekim Fehmiut nuk është mbajtur as një minutë heshtje në Kuvendin e Kosovës. Këto janë problemet e këtij karakteri. Ka qenë shumë rëndë për t’i plasuar komplet ato, mirëpo jemi munduar”, ka thënë aktori Halili.

Ai më tutje tha se reagimet e publikut përgjatë dhe në fund të shfaqjes u dhanë mesazhin se kishin arritur të përcillnin te publiku atë që kishin pretenduar.

“Në profesionalizëm na thuhet gjithmonë që ne duhet të luajmë për vete, por ajo shpjegohet më gjerësisht. Luajnë për vete që do me thënë me hy në karakter. Mirëpo lojën totale ne e bëjmë për publikun, sepse po nuk patëm publik ne nuk i hyjmë kësaj pune. Kur publiku reagon, sidomos sonte që ka duartrokitur pikërisht aty ku e kemi pritur, kjo kthehet në një motivacion të jashtëzakonshëm. Normal që një buzëqeshje e publikut një duartrokitje, reagim të jep fuqi më të madhe në skenë”, ka thënë artisti Halili.

Ndërsa Elena Sopi e cila me ëndje e kishte ndjekur shfaqjen tha se i kishte pëlqyer pa masë, sidomos tema e cila paraqiste gjendjen aktuale të shoqërisë sonë duke përfshirë edhe mentalitetin primitiv.

“Unë kalova shumë mirë dhe në fakt shfaqja i ka tejkaluar pritshmëritë e mija. Pjesa e cila më ka pëlqyer më së shumti ka qenë pjesa ku tregon imigrimin e shqiptarëve për shkak se e tregon gjendjen aktuale tonën, një lloj primitivizmi të mentalitetit tonë”, ka thënë Sopi, duke shtuar se shfaqja e veprave të tilla ndikon në kultivimin e audiencës, dhe në ngritjen e vetëdijes se vendi në të cilin kemi lindur jo rastësisht duhet të na jep vlerë.

Përfundimi i shfaqjes pasoi me biseda të këndshme në hollin e teatrit “Dodona”. /KultPlus.com

“Albanian Key”, çelësi monumental i artistit Milot, që vjen në Shkodër të hapi dyert e së ardhmes së qytetit

Nga Albert Vataj

Rilindja e Shkodrës së legjendave dhe të mbretërve, ka nisur tashmë të behet një realitet i prekshëm dhe një shpresë që vjen të rizgjojë kapacitetet përtëritëse të këtij qyteti vlerash dhe kontributesh të pashoqe në historinë e gjatë të përpjekjeve të ngadhënjimshme për identitet dhe integritet. Janë projektet ambicioze të kryebashkiakut, Benet Beci, që po të bëjnë të mundur që Shkodra t’u kthehet shkodranëve, madhështia e kësaj kryeqendre të kryqkalimit të kulturave dhe pagëzimit të shpirtjeve blatuese, të jenë altar i kësaj vullnese për ndryshim, lartësim i kësaj kreshte të krenarisë shqiptare.

Që Shkodra të ketë vendin e merituar në aspiratat e ardhmërisë, që ju mohua padrejtësisht dhe pashpirtshmërisht, në betejat e gjatë dhe absurde të polarizimeve politike dhe ëndërrvrasjeve të atij shpirti të purifikuar idealesh. Po, si pjesë e ansamblit mahnitës që do të kurorëzojë madherishëm hyrjen e këtij qyteti, ka nisur puna për ndërtimin e “Albanian Key”, skulpturës monumentale që do të vendoset në një nga rrethrrotullimet kryesore të hyrjes së qytetit, në qendër të gjithëasaj që do të përbëjë solemnitetin e mirëseardherjes në Shkodër. Prezantimi e kësaj ngjarje artistike u bë në takimin që mjeshtri me famë botërore, italoshqiptari, Alfred Mirashi –Milot, i shoqëruar nga ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci, pati me kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, i cili garantoi se do të ishte prezent në çdo nevojë dhe përfshirje, në funksion të përmbushjes me sukses të këtij projekti ambicioz artistik, këtij arti që i bëhet Shkodrës dhuratë nga Konkursi Ndërkombëtarë, “Art në hapësirën publike”, shpallur nga ministria e Kulturës.

“Albanian Key” është një nga veprat artistike më të mëdhatë që do të vendoset në hyrje të qytetit të Shkodrës, implementimi i së cilës do të bëhet e mundur nga një kastë mjeshtrash të përbërë nga skulptori, Alfred Mirash – Milot, Drejtori Artistik, Michele Stanzione, kuratori, Albert Vataj, arkitekti, Suela Dragovoja, inxhinieri Valbona Calliku dhe Enver Zafeli, Michele Palumbo, dizajn i lehtë, Paolo Sandrini. Padyshim që kjo kryevepër e një shpirti krijues, nuk mund të përmbushej pa kontributin e bashkupunëtorëve, Lai Junjie dhe Albina Shkreli Mirashi. Një peshë të rëndë do të mbajë mbi supe VATA Kostruksion, MICULI Shpk, Associazione Mille Volti, Italy. Janë këto angazhime dhe përgjegjësi profesionale, këto përkushtime të përgjegjësisë artistike, cilat do të përfaqësohen në këtë ballafaqim, si në një sipërmarrje, që do të hyjë në historinë e artit shqiptar si një ngjarje. Dhe kush më denjësisht mund ta meritonte “Albanian Key”, këtë kolos arti, veç Shkodrës, qytetit që ka pararendur në Historinë e Shqiptar, si identitet unik i kulmimit të akteve përfaqësuese, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë kulturor, artistik, etnografik, etj.. Kjo sfidë e kurajshme artistike e Milot është jo vetëm një vepër monumentale për Shkodrën e monumenteve të shpirtit krijues, por edhe përmbushje e amanetit, kujtimit dhe nderimit të të parëve të tij.

E si mund të vinte në rrënjët e gjakut mjeshtri, Alfred Mirash – Milot, përveçse me “Albanian Key”, një çelës si një hajmali fati në portat hyrëse të qytetit të Shkodrës, një çelës që vjen të dëshmojë përmes idesë dhe realizimit, se ne meritojmë një të sotme dhe të ardhme për ne dhe fëmijët tanë, pa dyer të mbyllura, pa ndalime, pa privacione. Dhe kush mund të flasë me një gjuhë më të pastër, më të sinqertë dhe më realiste se sa arti, krijimi, i cili vjen të komunikojë me të gjithë dhe të përfshijë të gjithë në këtë manifestim sublimiteti krijues dhe përjetues./ KultPlus.com

Legjenda e muzikës elektronike, Ben Klock vjen në Rave Festival

Legjenda e muzikës elektronike, rezident i Berghain, Ben Klock, vjen në AMC Hall me 11 maj në Rave Festival.

Pas suksesit masiv të RAVE Festival në Nëntor pas Prishtina Music Conference, ekipi i PMC-së vjen me një surprizë të re për Prishtinën. Në datën e radhës të festivalit ata kanë lajmëruar se njëri ndër performuesit kryesor do të jetë legjendari, Ben Klock.

Është hera e parë që artisti i madh na viziton dhe performon në Kosovë, dhe si duket nga reagimet e publikut, do të jetë një mbrëmje epike.

RAVE Festival dhe Prishtina Music Conference kanë vërtetuar një reputacion të qëndrueshëm në sektorin e kulturës dhe organizimin e eventeve ikonike që dita ditës po e ngrisin nivelin e organizimeve dhe po shtyjnë kualitetin në Kosovë.

Biletat janë të disponueshme me një çmim super të arsyeshëm prej 15 EUR në rave-travel.com. / KultPlus.com

Aktorja Gina Carano padit gjigantin ‘Disney’, pasi pretendon se u përjashtua nga puna për shkak të qëndrimeve politike

Aktorja Gina Carano ka paditur gjigantin Disney dhe Lucasfilm pasi u shkarkua në vitin 2021 për shkak të një postimi në rrjetet sociale, ku krahasoi republikanët me hebrejtë gjatë Holokaustit. Padinë e financon Elon Musk, i cili ka ftuar të tjerët të bashkohen me padinë nëpërmjet platformës së tij X.

Carano kërkon 75,000 dollarë (69,500 euro) dëmshpërblim dhe dëshiron që gjykata të detyrojë Lucasfilm të rikthejë aktoren në punë. Ajo ishte një ish-luftëtare e MMA-së dhe luajti rolin e Cara Dune në dy sezonet e para të serialit të Disney, “The Mandalorian”.

Gjatë asaj kohe, ajo shpesh ishte përfshirë në konflikte në internet me njerëz të majtë. Por kritikët kërkuan që ajo të shkarkohej pasi ndau me ndjekësit një postim në Instagram në shkurt të vitit 2021, duke pranuar persekutimin e hebrejve nga nazistët me klimën politike të tanishme që republikanët po përballen.

“Hebrejtë u rrahën në rrugë, jo nga nazistët, por nga fqinjët e tyre… madje edhe fëmijët. Duke u ndryshuar historia, shumica e njerëzve sot nuk kuptojnë se qeveria, duke arritur në atë pikë ku ushtarët nazistë mund të mblidhnin lehtë mijëra hebrenj, fillimisht i urreu ata për arsye se ishin hebrenj. Si ndryshon kjo nga urrejtja ndaj dikujt për shkak të pikëpamjeve të tij politike”, shkruante në postimin e saj.

Të njëjtën ditë, Lucasfilm dhe agjencia e talentit UTA, e cila e kishte përfaqësuar për pothuajse dy vjet, ndërprenë bashkëpunimin me të. Në një deklaratë të asaj kohe, një zëdhënës i Lucasfilm tha se “postimet e saj në rrjetet sociale që degradojnë njerëzit bazuar në identitetin e tyre kulturor dhe fetar janë të neveritshme dhe të papranueshme”.

Në një padinë civile prej 59 faqesh të ngritur në Gjykatën Federale të Kalifornisë, Carano pretendon se u shkarkua “sepse guxoi të shprehte mendimin e saj dhe u kundërvu një mafie kibernetike që i kërkonte asaj nënshtrim të ideologjisë së tyre ekstreme progresiste”.

Gina Carano (Foto: Jean Baptiste Lacroix/Getty Images)

Ajo thotë se është trajtuar ndryshe nga dy kolegë meshkuj që kanë shkruar ose ndarë postime në internet që denigronin republikanët si nazistë, por që nuk u përballën me ndëshkim. Në një deklaratë të zgjeruar për X, Carano tha se ishte e ekspozuar ndaj një “fushate shpifjeje që kishte për qëllim të heshtte, shkatërronte dhe bënte një shembull prej saj”.

“Artistët nuk e dorëzojnë të drejtën e tyre si qytetarë amerikanë kur punësohen”, shtoi ajo, duke falënderuar zotin Musk dhe ata që e kanë mbështetur.

Musk më parë ka premtuar mbështetje financiare ata që përballen me diskriminim për shkak të postimeve të tyre në X. Në një deklaratë, një zëdhënës i kompanisë së tij tha se Musk është “krenar” që mbështet padinë e aktores si pjesë e përkushtimit të tij ndaj lirisë së shprehjes. / KultPlus.com

Opera për fëmijë dhe familje “Il Maestro di Capella”, në TKOB

Edhe këtë vit, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të vijojë traditën e vënies në skenë edhe të operave dedikuar artdashësve të vegjël e familjeve.

Në fundjavë vjen opera për fëmijë dhe familje “Il Maestro di Capella”. Kjo opera është një shfaqje me karakter edukativ për fëmijët, që tregon se si përgatitet një opera dhe cilët janë elementet përbërës të një orkestre. Çfarë bën dirigjenti dhe si funksionon një orkestër.

Me anë të kësaj vepre, e cila është e përshtatur për ta, fëmijët do të kuptojnë më shumë mbi mënyrën se si funksionon opera, do ta duan më shumë atë dhe do të edukohen për të qenë në të ardhmen dëgjues të një muzike të mirë.

Në njoftimin që TKOB ka publikuar në rrjetet sociale, fton fëmijët të marrin prindërit për dore dhe të shkojnë në Opera, në datat 10 dhe 11 shkurt, në Hollin Koncertor të TKOB-së. / KultPlus.com

Ministri Çeku, Bogujevci e Kërveshi vizitojnë familjen e Nexhmije Pagarushës në katër vjetorin e vdekjes

7 shkurti shënoi katër vjetorin e ndarjes nga jeta të mbretëreshës së këngës shqipe, Nexhmije Pagarushës.

Në këtë përvjetorë, ministri Çeku, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe anëtarja e “Gratë për VETËVENDOSJE!”, Nazan Kërveshi vizituan familjen e saj.

Ata u pritën nga vëllau i saj, Tarik Pagarusha dhe bashkëshortja e tij Lulja. Bashkë e kujtuan figurën e shquar të Nexhmije Pagarushës, veprimtarinë e saj, dashurinë që kishte për muzikën dhe krijimtarinë artistike që la pas. / KultPlus.com

Dixhitalizimi, një histori suksesi e DPA-së

Procesi i dixhitalizimit përbën një nga përparësitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA), në angazhimin e saj për të siguruar ruajtjen afatgjatë të pasurisë dokumentare.

Viti që lamë pas ka shënuar rritje të mëtejshme të produktivitetit institucional, në sajë të avancimit të arkivimit digjital. Bilanci i vitit 2023 dëshmon se ka pasur rritje me 8% të dosjeve të skanuara nga fondet e plota.  Gjithashtu rritje me 17% të dosjeve të skanuara për Sallën e Studimit.

Në një postim në faqen e saj në rrjetet sociale DPA bën me dije se, ndërmarrja e arkivimit dixhital ka ndikuar pa kthim në të ardhmen e metodave të administrimit të dokumenteve.

“Arkivat strehojnë të shkuarën, duke shërbyer me pulsin e kohës”, shkruan DPA. / atsh / KultPlus.com

Zhyl Verni, shpirtja e thekshme e imagjinatës së shpenguar, profeti i trillimeve shkencore, njeriu që shpiku të ardhmen

“Çdo gjë që një njeri mund të imagjinojë, njerëzit e tjerë mund ta bëjnë realitet,” shkroi autori i trillimeve shkencore Zhyl Verne (8 shkurt 1828–24 mars 1905) në kryeveprën e tij “Rreth botës në tetëdhjetë ditë” Dhe, me të vërtetë, shumë nga konceptet në dukje fantastike që Verne imagjinonte u bënë realitet në dekadat që pasuan.

Ai konceptoi një automjet nënujor “i gjithë fuqizohet nga energjia elektrike!” në një kohë kur ekzistonin vetëm prototipet e nëndetëseve dhe energjia elektrike njihej, por jo me përdorim të gjerë; ai parashikoi përdorimin e një zhytësi të tillë me fuqi të lartë në luftë dhe kërkime shkencore; me ndihmën e një miku ilustrues, ai përfytyroi një avion të drejtuar me helikë kur balonat me ajër të nxehtë ishin lartësia e aviacionit; ai përshkroi mungesën e peshës kur graviteti zero ishte ende një supozim shkencor dhe i vendosi njerëzit në hënë një shekull përpara hapit gjigant të njerëzimit. Por shumë më tepër se një shkrimtar i talentuar i trillimeve, Verne ishte gjithashtu një astronom dhe shkencëtar amator. Hulumtimi obsesiv dhe kontrolli i fakteve ishin thelbësore për shkrimin e tij.

Kontributet thelbësore të Vernit në fantashkencën dhe parashikimet e tij jashtëzakonisht të sakta për teknologjitë që erdhën në jetë një shekull pas vdekjes, dhe se si e përdori trillimin e tij si arratisje nga nga familja e trazuar dhe pse ai përfundoi duke shkatërruar trashëgiminë e tij.

Verne krijon Nautilus-in e teknologjisë së lartë të Nemo-s në një kohë kur edhe hapësi i kanaçeve konsiderohet një koncept i ri emocionues.

Vepra më e madhe e Vernit është seria ” Udhëtimet e jashtëzakonshme “, e cila përfshin të gjitha romanet e tij, përveç dy dorëshkrimeve të refuzuara “Parisi në shekullin e njëzetë” dhe “Prapa në Britani”, të botuara pas vdekjes përkatësisht në vitin 1994 dhe 1989 nga i biri Michel. Verne shkroi gjithashtu shumë drama, poema, tekste këngësh, librete operetash dhe tregime të shkurtra, si dhe një sërë esesh dhe të ndryshme jo-fiction.

Pas debutimit të tij nën Hetzel, Verne u prit me entuziazëm në Francë nga shkrimtarët dhe shkencëtarët, me George Sand dhe Théophile Gautier ndër admiruesit e tij më të hershëm. Disa figura të shquara bashkëkohore, nga gjeografi Vivien de Saint-Martin te kritiku Jules Claretie , folën shumë për Verne dhe veprat e tij në shënime kritike dhe biografike.

Megjithatë, popullariteti në rritje i Verne në mesin e lexuesve dhe lojtarëve (veçanërisht për shkak të versionit shumë të suksesshëm skenik të “Rreth botës në tetëdhjetë ditë” çoi në një ndryshim gradual në reputacionin e tij letrar. Ndërsa romanet dhe produksionet skenike vazhduan të shiteshin, shumë kritikë bashkëkohorë mendonin se statusi i Vernit si një autor komercialisht popullor, nënkuptonte se ai mund të shihej vetëm si një tregimtar thjesht i bazuar në zhanër, dhe jo një autor serioz i denjë për studime akademike.

Ky mohim i statusit formal letrar mori forma të ndryshme, duke përfshirë kritikat shpërfillëse nga shkrimtarë të tillë si Émile Zola dhe mungesën e nominimit të Verne për anëtarësim në Académie Française dhe u njoh nga vetë Verne, i cili tha në një intervistë të vonë: Keqardhja e madhe e jetës sime është se nuk kam zënë kurrë ndonjë vend në letërsinë franceze”. Për Verne, i cili e konsideronte veten “një njeri i letrave dhe një artist, që jetonte në ndjekje të idealit”, ky përjashtim kritik mbi bazën e ideologjisë letrare mund të shihej vetëm si mospërfillja përfundimtare./ Albert Vataj / KultPlus.com

Audioguida rrit interesin e vizitorëve të huaj për Muzeun Ikonografik “Onufri”

Muzeu Ikonografik “Onufri” ka shënuar rritje të vizitueshmërisë nga viti në vit. Kjo falë edhe teknologjisë, e cila në këtë rast ka ndihmuar në lehtësimin e dhënies së informacionit mbi thesaret që ruhen në këtë muze.

“Të lumtur tek shohim rritjen e interesit të vizitorëve në Muzeun Ikonografik “Onufri” për audioguidën që plotëson në mënyrë profesionale informacionin e detajuar për thesaret muzeore që i ekspozojmë publikut”, shkruhet në faqen e Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat.

Muzeu Ikonografik “Onufri” për vitin 2023 regjistroi 1240 vizitorë më shumë se një vit më parë. Turistët e huaj kanë preferuar ta vizitojnë muzeun duke përdorur këtë shërbim që vjen në gjuhët shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX./ atsh / KultPlus.com

Bota përjetoi janarin më të nxehtë të regjistruar, thonë shkencëtarët e BE-së

Bota sapo përjetoi janarin e saj më të nxehtë të regjistruar, duke vazhduar një seri nxehtësie të jashtëzakonshme të nxitur nga ndryshimet klimatike.

Kështu tha të enjten Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike (C3S) i Bashkimit Evropian.

Muaji i kaluar tejkaloi janarin e mëparshëm më të ngrohtë, i cili ndodhi në vitin 2020, në rekordet e C3S që nga viti 1950, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Muaji i jashtëzakonshëm erdhi pasi viti 2023 u rendit si viti më i nxehtë i planetit në rekordet globale që nga viti 1850, pasi ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit dhe fenomeni i motit El Nino, i cili ngroh ujërat sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor lindor, i shtynë temperaturat më të larta.

Çdo muaj që nga qershori ka qenë më i nxehti i regjistruar në botë, krahasuar me muajin korrespondues të viteve të mëparshme.

“Jo vetëm që është janari më i ngrohtë i regjistruar, por ne sapo kemi përjetuar një periudhë 12-mujore prej më shumë se 1.5 C (1.7 F) mbi periudhën e referencës para-industriale,” tha zëvendësdrejtoresha e C3S, Samantha Burgess.

“Reduktimet e shpejta të emetimeve të gazeve serrë janë mënyra e vetme për të ndaluar rritjen e temperaturave globale”, tha ajo.

Shkencëtarët amerikanë kanë thënë se viti 2024 ka një shans një në tre për të qenë edhe më i nxehtë se viti i kaluar dhe një shans 99% për t’u renditur në pesë vitet e para më të ngrohta.

Fenomeni El Nino filloi të dobësohej muajin e kaluar dhe shkencëtarët kanë treguar se mund të zhvendoset në homologun më të ftohtë të La Nina më vonë këtë vit. Megjithatë, temperaturat mesatare globale të sipërfaqes së detit muajin e kaluar ishin më të lartat për çdo janar të regjistruar.

Vendet ranë dakord në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015 që të përpiqen të parandalojnë ngrohjen globale që tejkalon 1.5 gradë Celsius, për të shmangur që ajo të shkaktojë pasoja më të rënda dhe të pakthyeshme, transmeton Klankosova.tv.

Pavarësisht tejkalimit të 1.5 C në një periudhë 12-mujore, bota ende nuk e ka shkelur objektivin e Marrëveshjes së Parisit, i cili i referohet një temperaturë mesatare globale gjatë dekadave.

Disa shkencëtarë kanë thënë se qëllimi nuk mund të arrihet më realisht, por u kanë kërkuar qeverive të veprojnë më shpejt për të ulur emetimet e CO2 për të kufizuar tejkalimin e objektivit – dhe nxehtësinë vdekjeprurëse. / KultPlus.com

Maja e Vajushës, destinacion joshës për të apasionuarit pas natyrës

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Maja e Vajushës në Lëpushë të Malësisë së Madhe.

Kreu i qeverisë u shpreh se, ky është një destinacion joshës për të apasionuarit pas natyrës dhe sporteve dimërore.

Lëpusha mbetet një nga bukuria e rrallë e natyrës së Kelmendit dhe si “perlë” e Alpeve Shqiptare.

Male të larta me bllokun shkëmborë të Shenikut në Bjeshkët e Namuna dhe malet përreth e bëjnë Lëpushën kryeneçe të bukurisë.

Shtimi i bujtinave dhe rruga tashmë e rregulluar e bëjnë të lehtë aksesin në zonë për udhëtim të paharrueshëm./ atsh / KultPlus.com

Po, përtej njerëzve…

Pedro Salinas. Sjellë në shqip nga Elona Caslli.

Po, përtej njerëzve
të kërkoj.
Nuk të kërkoj në emrin tënd, po ta thërrasin,
as në imazhin tënd, po ta pikturojnë.
Më larg, më tutje, përtej të kërkoj.

Përtej vetes tënde të kërkoj.
Nuk të kërkoj në pasqyrën tënde,
as në shkrimin tënd
dhe madje as në shpirtin tënd.
Më tutje, më larg, përtej të kërkoj.

Më tutje, më larg
përtej vetes time të kërkoj.
Ti nuk je veçse
ajo çka ndiej.
Nuk je veçse
ajo çka rreh bashkë me gjakun
në venat e mia.
Nuk je brenda meje.

Dhe për të të gjetur
duhet të mos jetoj më
brenda teje,
brenda vetes time
dhe brenda njerëzve.
Duhet të jetoj përtej gjithçkaje,
në bregun tjetër të gjithçkasë,
për të të gjetur ty
njëlloj sikur të vdisja./ KultPlus.com

Tom Hollandi i kthehet teatrit

Aktori hollivudian, Tom Holland, pritet të luajë rolin e Romeos në teatër.

Raportimet e fundit thonë që ai do të jetë pjesë e vënies në skenë të tragjedisë së Uilliam Shekspirit, Romeo dhe Xhulieta, nga The Jamie Lloyd Company.

Tragjedia do të luhet në Teatrit e Dukës së Jorkut nga 11 maji deri më 3 gusht, dhe do të bëhet nën regjinë e Lloydit.

Hollandi që njihet në masë për rolin e Spider-Manit në gjashtë filmat e fundit për këtë superhero, e kishte filluar aktrimin në skenë, duke e luajtur rolin e protagonistit në Billy Elliot The Musical në teatrin e Victoria Palace në Londër./KlanKosova/KultPlus.com

Charles Dickens, shkrimtari më i madh i periudhës Viktoriane

Charles John Huffam Dickens ishte një shkrimtar anglez, i quajtur ndryshe edhe si më i madhi i periudhës Viktoriane, transmeton KultPlus.

Charles Dickens lindi më 7 shkurt 1812 në Landport, një rrethinë të Portsmouth, i dyti prej gjithsej 8 fëmijëve të John dhe Elizabeth Dickens. Babai i tij ishte një punonjës në zyrën e pagesave detare. Ai kaloi fëmijërinë në Catham-Kent. Ishte romancieri më popullor në gjuhën angleze i të quajtur Epokës Viktoriane. Ai ka krijuar disa nga personazhet më domethënëse e portretizuese të letërsisë, me temë sociale drejtimin e reformës në të gjithë punën e tij. Popullaritetit të vazhdueshëm të romaneve të tij dhe tregimet e shkurtra është e tillë që librat e tij nuk kanë dalë kurrë jashtë printimit madje janë bërë dhe filma në kinema. Pjesa më e madhe e punës së tij të parë në shtypin periodik dhe revista në formë e serive, një mënyrë të popullarizuara të botimit trillim në kohë.

Më 8 qershor 1870, Dikens pësoi një goditje tjetër në shtëpinë e tij pas një pune të plotë në Edwin Drood. Ai kurrë nuk u rikthye në vetëdije, dhe të nesërmen, pesë vjet deri në ditën pas rrëzimit të hekurudhës Staplehurst, ai vdiq në Gads Hill Place. Biografia Claire Tomalin ka sugjeruar se Dikens ishte në të vërtetë në Peckham, kur ai pësoi goditje, dhe zonja e tij Ellen Ternan dhe shërbëtoret e saj e kishin kthyer atë në Gadin Hill kështu që publiku nuk do të dinte të vërtetën rreth marrëdhënies së tyre.

Realizmi në Angli fillon me Çarls Dikensin dhe romanin social që lëvroi ai. Karakteristikë e veçantë e këtij autori është se gati të gjitha veprat e tij kanë emra të fëmijëve, dhe personazhe kryesisht fëmijë, kjo për arsye se ai pati një fëmijëri jo të mirë. Ai në moshën 12-vjeçare detyrohet të lërë shkollën për shkak të varfërisë dhe madje detyrohet të hyjë në fabrikë për të nxjerr kafshatën. Fëmijëria e tij dhe përvojat e tij që do pasojnë, janë faktorët kyç të një letërsie të suksesshme, të Dikensit por edhe për të tjerë autorë. Tek Dikensi gjejmë këto vepra: “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Dombi e Biri”, “Vogëlushja Dorrit”, “Vogëlushja Nell”, “Nikolla Nikwllbi”.

Oliver Tuist është protagonisti kryesor i novelës së Çarls Dikensit me po të njëjtin emër; Oliver Tuisti njihet të jetë protagonisti i parë fëmijë në novelat angleze. Kjo vepër është vepra e dytë e Çarls Dikensit e cila u botua në një revistë mujore me titull origjinal “Bentley’s Miscellany”. Ky roman është një roman social i cili synon të paraqesë jetën e mijëra fëmijëve të pastrehë e pa të ardhme. Dikensi tallet me hipokrizinë e kohës, duke goditur tema serioze me një sarkazëm dhe humor të zi. Thuhet se Dikensi u frymëzua për këtë vepër nga ngjarja e vitit 1830, ku një jetim me emrin Robert Blionce po si Oliver Tuisti përballej me jetën e vështirë: pastrehën, punën e rëndë dhe të ardhmen jo të sigurt. Me këtë vepër Dikensi sfidon epokën e tij duke venë në lojë tërë shtetin anglez të asaj kohe, një shtet pa ligje dhe pa mbrojtje për të varfërit, një shtet në të cilin mbizotëron krimi dhe padrejtësia. Me “Oliver Tuist”-in Dikensi na sjell një vepër realiste, një vepër pa hijeshi të ngjarjeve, të paraqitura ashtu siç janë, një vepër reale pa përdorim të ndonjë lloji të romantizmit. Oliver Tuisti është bërë inspirim për shumë filma dhe telenovela në botë, si dhe për shumë shfaqje muzikore e teatrale. Nënshtetësia e tij ishte Angleze. Ndërsa dita e vdekjes e tij ishte më 9 qershor të vitit 1870. Oliver Tuist njihet si vepra e tij më kryesore. Ky ishte guximtar i patrembur dhe me krenarinë e tij ka bërë shumë libra. Vendvdekja e tij ishte në: Gad’s Hill Placce, Higham, Kent Angli. / KultPlus.com

Hëna po zvogëlohet, çfarë sjell kjo për Tokën dhe misionet e ardhshme në satelitin tonë?

Një rajon i hënës është vënë në qendër të një gare të re mes agjencive hapësinore ndërkombëtare. Kjo pasi besohet se aty mund të gjendet akull.

Interesi në polin jugor të satelitit tonë natyror arriti pikun vitin e shkuar kur misioni Chandrayaan-3 i Kinës bëri uljen e parë në zonë, vetëm disa ditë pasi një anije kozmike e Rusisë, Luna-25, u përplas teksa ndiqte të njëjtën rrugë.

NASA ka zgjedhur po këtë rajon të Hënës për t’u ulur misionin Artemis III, mision ky që mund të shënojë rikthimin e astronautëve në hënë në vitin 2026. Edhe Kina ka plane për të krijuar habitate në të ardhmen në polin jugor.

Por, një studim që financohet nga NASA ka ngritur alarmin: Teksa bërthama e hënës ftohet gradualisht dhe zvogëlohet, sipërfaqja e saj “rrudhoset”, siç ndodh me një kokërr rrushi kur thahet. Këto fenomene, sipas shkencëtarëve, krijojnë tërmete që mund të zgjasin për orë të tëra, si dhe rrëshqitje të tokës.

Ashtu si pjesa më e madhe e satelitit tonë natyror, kjo zonë në polin e jugut që është aktualisht subjekt i këtij interesi kaq të madh, është e prirur drejt këtyre fenomeneve sizmike, duke u bërë kështu rrezik potencial për sondat dhe pajisjet që njerëzit mund të dërgojnë në të ardhmen në hënë.

“Nuk po e themi që të alarmojmë njeri dhe në asnjë mënyrë për të dekurajuar ekspeditat e eksplorimit në polin jugor të hënës”, u shpreh autori udhëheqës i studimit, Thomas R. Watters.

“Por, e mira është që të jemi të vetëdijshëm që hëna nuk është ky vendi beninj ku asgjë e keqe nuk ndodh”, shtoi ai.

Hëna është zvogëluar me rreth 45.72 metra në perimetër përgjatë miliona viteve të fundit, një sasi e konsiderueshme e parë në terma gjeologjikë, por këto ndryshime sipas shkencëtarëve, janë shumë të vogla për të shkaktuar ndonjë efekt madhor në tokë apo në ciklet e baticave që planeti ynë ka./alsatm/KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, mbi 4500 vizitorë në janar të këtij viti

Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm muzeor në vend, gjatë muajit janar të këtij viti u vizitua nga një numër i lartë vizitorësh.

“Nga data 1-31 janar Muzeu Historik Kombëtar u vizitua nga 4527 vizitorë në total, 187 % më shumë vizitorë në total në krahasim me muajin janar të vitit 2023, me 1578 vizitorë në total”, bëri të ditur MHK.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj.

Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./ atsh/ KultPlus.com

Himara dhe himariotët siç i njohu Marin Barleti

Historiani i shquar Marin Barleti, njihet si figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane.

Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun “nga kujtimi i të cilit,- shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s’mund të shkruaj pa lot në sy”.

Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik më 1504. Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë, rreth viteve 1508-1510.

Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. F.S.Noli ka shkruar me të drejtë, se vepra e Barletit “fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë”.

Më poshtë, sjellim të shkëputur prej saj, një fragment ku Barleti përshkruan Himarën dhe shqiptarët e kësaj krahine:

“Ata janë të siguruar vetëm me mbrojtjen natyrore të vendit; aty s’ka bërë gjë dora apo mjeshtria e njeriut. Ata i kanë përbuzur gjithmonë me sukses turqit e harbuar pas nënshtrimit të Epirit me vdekjen e Skënderbeut dhe kanë jetuar gjer në atë kohë, pa e njohur sundimin e huaj, me njëfarë lirie të pashoqe të natyrës.”

Marin Barleti, “Historia e Skënderbeut”/ KultPlus.com

Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut në 2025

 Tirana përzgjidhet si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Lajmin e dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Si një dëshmi e gjallë për harmoninë dhe bashkëjetesën e kulturave dhe besimeve fetare të ndryshme, Tirana është një mozaik shprehës i identiteteve dhe traditave, të cilat ndërthuren duke krijuar një larmishmëri kulturash, frymëzuar nga diversiteti dhe fryma rinore e kreative”, shkroi ministri Gonxhja.

Programi i qytetit “MediTIRANEan Bridges” do të përfshijë: eksplorimin kulturor; përmirësimin e kreativitetit artistik; digitalizimin e trashëgimisë kulturore si dhe turizmin kulturor të qëndrueshëm./atsh/KultPlus.com

‘Tana’, filmi i parë artistik shqiptar

”Tana” është filmi i parë artistik shqiptar, i cili u prodhua nga Shqipëria Film në vitin 1958, nën regjinë e Fatmir Gjafës dhe skenarin e Kristaq Dhamos, shkruan KultPlus.

Në film kryesisht trajtohet një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, siç ishin ndryshimet e mëdha që hasnin shoqëria shqiptare në fshat. Filmi brenda vetes trajton të gjitha temat thelbësore të jetës, si dashurinë, urrejtjen, zemërimin, ligësinë etj. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me intelekt më të zhvilluar se sa vajzat e asaj kohe. Tana është e dashuruar në Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër, si barrierë e dashurisë së Tanës do të bëhet mentaliteti i ulët i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit.

Në këtë film, poashtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë.

Në film luajnë aktorët: Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Andon Pano, Thimi Filipi, Marie Logoreci, Ilia Shyti, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Vangjel Grabocka, Esma Agolli, Dhimitër Trajçe.

Ky film i realizuar në vitin 1958, muzikën e të cilit e ka bërë Çesk Zadeja, mbetet një prej filmave që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e kinematografisë shqiptare./ KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha i këndonte Prishtinës: Jeta e amël me plot’ dëfrim, te ti po ngjallet Prishtinë (VIDEO)

7 shkurti i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.

Mirëpo, sonte KultPlus ju sjell një këngë të Nexhmije Pagarushës, që edhe pse nuk është ndër të njohurat e saj, është një këngë e fuqishme që i flet me një dashuri të madhe qytetit të Prishtinës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Tash kur natyra ka lulëzu
Qyteti im asht zbukuru
Jeta e amël me plot dëfrim
Te ti po ngjallet Prishtinë.

Të du të du qyteti im
Të du unë si nana fmin’
Të du të du qyteti im
Të adhuroj o Prishtinë.

Qyteti im je plot gjallni
Me vasha t’bukra djem te ri
Gjithçka te ti është plot hijeshi
Se ti po rrit nji brez t’ri. / KultPlus.com

Lazër Filipi, artisti i madh i teatrit shqiptar

Lazër Filipi lindi më datë 7 shkurt të vitit 1921 në qytetin e Shkodrës.

Që në moshën e tij të vogël kur studionte në ciklin fillor ai spikati me interpretimet e tij në shfaqje të vogla teatrore që viheshin në shkollën e tij nga mësuesi i asaj shkolle që ishte ndërkohë edhe shkrimtari dhe patrioti i njohur Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), i cili jo vetëm që e pikasi si aktor të mundshëm por edhe e inkurajoi t’i përkushtohej aktrimit.

Në vitin 1938, Lazër Filipi, nga Shkodra largohet drejtë Tiranës për t’iu bashkuar edhe Luftës Antifashiste ku edhe do të ishte pjesë e grupeve artistike, të cilat kishin për qëllim të edukonin dhe argëtonin partizanët.

Gjatë luftës ai vazhdoi të aktivizohej edhe me grupin teatror “Grupi Priska” i cili u themelua si pararendës i Teatrit Popullor që do të krijohej menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë në vitin 1944 dhe luajti me figura shumë të njohura të artit skenik të asaj kohe sikurse ishte edhe Naim Frashëri.

Në ditën e çlirimit të vendit më datë 28 nëntor 1944 për të festuar këtë ditë të vecantë të historisë së Shqipërisë u vu në skenë edhe drama me tre akte “Partizani” e cila ishte edhe shfaqja e parë që u interpretua në një Shqipëri të lirë tashmë dhe u interpretua për publikun 7 netë rresht. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor u vu në skenë më 30 maji 1945 ku artisti Filipi interpretoi një nga rolet kryesore dhe gjithashtu njihet edhe si një ndër aktorët e parë që themeluan këtë teatër.

Pas çlirimit të vendit, Lazër Filipi ndërkohë vazhdonte të angazhohej me shfaqje të ndryshme të cilat viheshin në skenë. Në 1947 ai filloi studimet për aktrim në Zagreb dhe i përfundoi ato në 1950 në Republikën Çeke me rezultate të shkëlqyera.

Pas kthimit në vend ai do të interpretonte shumë role, një ndër të cilët ishte edhe roli i Leninit në veprën “Orët e Kremlinit”, rol me të cilin mori edhe çmimin e parë të Republikës. Role të tjera të cilat i dhanë artistit një vlerë të papërsëritshme në karrierën e tij si aktor ishin edhe ato në shfaqjet si “Familja e Peshkatarit”, “Arturo Ui”, “Hamleti” etj.

Lazër Filipi ka qenë aktor edhe në filmin “Tana” i cili njihet nga publiku dhe komuniteti i artistëve si filmi i parë shqiptar. Por ky ishte vetëm roli i tij i parë në kinema, pasi ai do të vijonte të interpretonte edhe shumë rrole të tjera në kinematografi.

Në vitin 1977 artisti do të dilte në pension por kjo nuk do ta ndalonte kurrsesi atë që të vazhdonte të ishte aktiv dhe të interpretonte akoma në shumë projekte teatrore dhe kinematografike.

Në karrierën e tij, artisti ka marrë një numër të madh çmimesh të para në festivale të ndryshme dhe gjithashtu është vlerësuar edhe me çmimin “Artist i Merituar” për 80 rolet e tij në teatër dhe kinema. Artisti Lazër Filipi ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare më 16 dhjetor 2016. / KultPlus.com

83 vite nga vdekja e Mati Logorecit

Mati Logoreci, gjuhëtar, historian, pedagog, mësues, patriot i flaktë, veprimtar i Rilindjes, nismëtar për hapjen e shkollës së parë shqipe në Prizren, një nga pionierët e arsimit shqiptar vdiq më 7 shkurt 1941.

Mati Logoreci lindi në Shkodër më 10 shkurt 1867. Në moshë të re punoi si shegert në shoqërinë tregtare të familjes së vjetër shkodrane Parruca, emigruar prej kohe në Itali, që e dërgoi si llogaritar në Trieste. Atje, krahas punës, kreu edhe shkollën për mësues. Pasi u diploma, u kthye menjëherë në Shqipëri. Veprimtarinë pedagogjike e nisi më 1 maj 1889, duke hapur një shkollë në Prizren.

Më 1899 hapi një shkollë të dytë, e cila më pas u shkri me të parën. Shërbeu si mësues në Prizren deri më 1903, kur u transferua në shkollën françeskane në Shkodër, duke u bërë një nga mësuesit më të dashur për brezin e ri të fretërve, që përgatitej në bankat e kësaj shkolle.

Në vitin 1907 botoi në Trieste fletoren “Dashamiri”; më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë ‘Agimi’, së bashku me dom Ndre Mjedën e, po këtë vit, së bashku me Imzot Lazër Mjedën, hapi një shkollë nate në Shkodër. Njihet si autori i veprave: “Të ndodhmet e historisë së moçme”; “Historia e përgjithshme”; “Abetar”, “Plotësimi i Abetarit”; “Fjalor i librit të leximit për moshën e njomë”; “Libri i mësuesit” etj.

Pas pavarësisë shërbeu si mësues në Tiranë dhe si nëpunës i arsimit në Shkodër. Më 1916 qe anëtar i ‘Komisisë Letrare Shqype’ themeluar në Shkodër. Mori pjesë edhe në ngjarje të tjera historike, si Kongresi i Lushnjës (1920), por kryesisht iu kushtua zhvillimit të arsimit. Mati Logoreci vdiq më 7 shkurt 1941 në Tiranë. /dp/ KultPlus.com