Netflix ka një film të ri të Krishtlindjeve, Pushime në Vreshta, në tabelën e Top 10-ve, dhe duket se është pak më i mirë se filmi tjetër i fundit, i festave të transmetuesit.
I publikuar më 13 dhjetor në Netflix, rom-com i Krishtlindjeve ndjek një premisë të njohur që përfshin një të ve, e cila, ndërsa përpiqet të drejtojë vreshtin lokal dhe të rrisë dy djem, bie në dashuri me një playboy të qytetit të madh të dërguar për të zbuluar një vendndodhje të re vreshtash në zonën mbi pushime.
Kasti i Holiday in the Vineyards përfshin Josh Swickard, Sol Rodriguez, Eileen Davidson, Omar Gooding, Carly Jibson dhe Annika Noelle.
Tani, në javën e tij të parë të transmetimit, filmi i ri i Krishtlindjeve ka bërë listën e Top 10 të Netflix.
Për javën e 11-17 dhjetorit, Holiday in the Vineyards renditet e 10-ta me 6.9 milionë orë të shikuara dhe 3.9 milionë shikime gjithsej, duke shënuar javën e parë në Top 10. Holiday in the Vineyards është një nga dy filmat festiv në tabelën e Netflix për këtë javë, me Krishtlindjet si zakonisht që shfaqen në Top 10 për të dytën javë rresht./ KultPlus.com
Sot “Botimet REA” promovon projektin e parë botues
Sot, në KultPlus Caffe Gallery do të promovohen 5 veprat e reja të kësaj shtëpie botuese, ku pritet të marrin pjesë personalitete të jetës akademike dhe kulturore si profesorë, shkrimtarë, gazetarë, studentë e shumë dashamirë të librit.
Aktiviteti do të mbahet nga ora 19:00, ku me këtë rast do të promovohen veprat: “Mahnitja e parë” (Demë Topalli), “Lexuesit e kartëmortaleve” (Binak Kelmendi), “Mëkati i buzëqeshjes” (Sali Bashota), “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti (përkthyer nga Naim Kryeziu) dhe “Sytë flasin në heshtje” (Afërdita Bashota-Podvorica).
Pjesë të zgjedhura nga krijimtaria poetike e autorëve do t’i interpretojë poetja dhe gazetarja Alketa Gashi-Fazliu, ndërsa në kitarë do t’i përcjellë Lind Bobi. Ndërsa, aktivitetin do ta udhëheqë Rozafa Bashota, drejtuese e Botimeve REA, me pjesëmarrjen edhe të autorëve të veprave.
Veprat “Mahnitja e parë” e Demë Topallit dhe “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti, janë përkrahur për botim nga Komuna e Prishtinës. Ndërsa, veprat “Lexuesit e kartëmortaleve” e Binak Kelmendit dhe “Mëkati i buzëqeshjes” e Sali Bashotës janë përkrahur nga Komuna e Fushë Kosovës./ KultPlus.com


Sonte nata e tretë e Fest62, ngjiten në skenë ikona të muzikës shqiptare, zgjedhen edhe finalistët
Festivali i 62-të i Këngës vijon rrugëtimin e tij magjik, teksa sonte të gjithë të bëhemi gati për të kënduar e kërcyer me natën speciale të nostalgjisë.
Kjo natë e tretë e Fest 62 do të ngjisë në skenë emrat më të mirënjohur të muzikës shqiptare si Myferete Laze, Fitnete Tuda, Sidrit Bejleri, Eneda Tarifa, Irma dhe Eranda Libohova, Eugen Bushpepa, Aleksandër Gjoka si dhe ikonën Adelina Ismajli.
Këngët që janë kënduar ndër vite në Festival e që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare do të këndohen në këtë natë të tretë. Po ashtu do të këndohen edhe hite që kanë dalë nga Eurovizioni.
Këtë natë të tretë do të mësohen edhe këngët që do të shkojnë në finalen e madhe më 22 dhjetor.
Ndërkohë, natën e djeshme u hap edhe televotimi ku çdo qytetar mund të votojë për këngën e tij të preferuar.
Edhe këtë vit, juria profesioniste e Festivalit do të përzgjedhë fituesin e Festivalit, ndërsa është publiku që do të përcaktojë me votat e tij përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion. /rtsh.al/ KultPlus.com

Fest 62, mbyllet nata e dytë, jo vetëm muzikë dhe spektakël, por edhe mesazhe sensibilizuese
Nata e dytë e Fest 62 ka shënuar një kulminacion jo vetëm në aspektin e muzikor, por edhe të performancës së të 15 këngëtarëve, të cilët dhuruan plot emocione me interpretimin e tyre skenik, por edhe kolore vokalesh.
Mbrëmja ka qenë spektakolare jo vetëm për shkak të këngëve të paraqitura, por edhe prej të ftuarve të veçantë, të cilët e bënë mbrëmjen e Festivalin mbarë shqiptarë një mbrëmje e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e spektatorëve në sallë si dhe teleshikuesve në mbarë Shqipërinë.
E veçanta e kësaj mbrëmje ishte dhe fakti se ajo nuk pati vetëm spektakël, muzikë, humor, por edhe mesazhe sensibilizuese për të mbrojtur natyrën e sidomos ujërat e deteve, liqeneve dhe lumenjve, të cilat e bëjnë Shqipërinë një vend të bekuar.
Me 15 këngët e interpretuara në natën e dytë të Fest 62 është plotësuar edhe mozaiku i 31 këngëve pjesëmarrëse në Festival. Po ashtu, kjo natë e dytë hapi edhe televotimin, ku qytetarët mund të votojnë për këngën e tyre të preferuar, ndërsa më e votuara do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.
E ndërsa Festivali mbylli sonte natën e dytë, nesër bëhemi gati për të kënduar e kërcyer me natën speciale të nostalgjisë që do të ngjisë në skenë emrat më të mirënjohur të muzikës shqiptare. /rtsh.al/ /KultPlus.com
“Tri gjëra kanë mbetur nga parajsa, ato janë yjet, lulet dhe fëmijët”
Një gjë sa më perfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.
Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.
Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta rikujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.
Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në Parajsë.
Dashuron pak ai që mund të numërojë dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.
Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale.
Zoti është Një; Universi është një mendim i Zotit; Universi është pra Një i tillë. Të gjitha gjërat vijnë nga Zoti. Të gjithë marrin pjesë, pak a shumë, në natyrën hyjnore, në varësi të qëllimit për të cilin janë krijuar. Njeriu është më fisnik nga të gjitha gjërat: Zoti ka derdhur më shumë në të nga natyra e tij sesa te të tjerët. Çdo gjë që vjen nga Zoti priret për përkryerjen e saj për të cilën ai është i aftë. Kapaciteti për përmirësim tek njeriu është i papërcaktuar. Njerëzimi është Një. Zoti nuk bëri asgjë të padobishme; dhe duke qenë se ekziston një njerëzim, duhet të ketë një qëllim të vetëm për të gjithë njerëzit, një punë që duhet të realizohet nga të gjithë ata. Njerëzimi, pra, duhet të punojë së bashku në mënyrë që të gjitha forcat intelektuale të shpërndara në të të marrin zhvillimin më të lartë të mundshëm në sferën e mendimit dhe veprimit. Prandaj, ekziston një fe universale e natyrës njerëzore .
Në origjinën e saj, poezia është shkenca e gjërave njerëzore dhe hyjnore, e kthyer në një imazh fantastik dhe harmonik.
Oh krijesa marrëzie sa injorancë ka në fyerje!
Tri gjëra kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.
Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata, por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë.
Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë.
– Dante Alighieri / KultPlus.com

Margariti: Nuk ndalet puna për kujdesin ndaj monumenteve
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau në rrjetet sociale një video përmes së cilës tregohet puna e kryer për mirëmbajtjen e Kalasë së Gjirokastrës.
“Nuk ndalet puna për kujdesin ndaj monumenteve”, shkruan ministrja e Kulturës, duke shtuar se DRTK Gjirokastër në bashkëpunim me Albania Rope Access kanë kryer ndërhyrje të specializuar për pastrimin e mureve të Kalasë së Argjirosë nga bimësia kacavjerëse, duke shmangur kështu demtimin e mureve, por edhe duke nxjerrë edhe më tepër në dritë madhështinë e monumentit.
Kalaja vazhdon të mbetet atraksioni më i veçantë turistik për vizitorët vendas dhe të huaj, në qytetin e Gjirokastrës. Kalaja dhe Gjirokastra përmenden për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme.
Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO. /ATSH /KultPlus.com
Rama ndan artikullin e “HuffPost”: Tirana, destinacion për të kaluar pushimet në vitin 2024
Media e njohur amerikane “HuffPost” ka listuar Tiranën, si një nga destinacionet për të kaluar pushimet në vitin 2024.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në “HuffPost” ku Tirana vijon të jetë një nga destinacionet e preferuara nga ndërkombëtarët.
Pas bumit turistik të këtij viti, media e njohur amerikane “HuffPost” ka nxjerrë sërish Tiranën si një nga destinacionet e 2024-ës që duhen vizituar, krahas vendeve si Zvicra, Amsterdami etj.
Faqja amerikane “HuffPost” ka renditur 27 vende të cilat do të jenë trend gjatë pushimeve të ardhshme, mes të cilave është përfshirë edhe Tirana.
Kryeqyteti shqiptar mbetet ende një destinacion që nuk është shumë i njohur për udhëtarët e huaj, megjithëse me gjasa nuk do të jetë kështu në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse një vend si Tirana mund të jetë destinacioni ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe.
“Një vend si Tirana mund të jetë një destinacion ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe. Shumica e udhëtarëve ende nuk e kanë zbuluar, por fluturimet dhe infrastruktura funksionojnë shumë mirë dhe ka më pak njerëz në krahasim me destinacionet në trend në Evropë si Italia, Greqia apo Portugalia”, thotë Laura Lidnsay eksperte e udhëtimeve.
Plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare dhe kostoja më e lirë e jetesës e bëjnë vendin tonë një destinacion perfekt për stinën e verës.
Jo vetëm natyra, por qytetet historike ja vlen që të eksplorohen nga udhëtarët. Gjatë kulmit të sezonit turistik ka një mori aktivitetesh përfshirë ngjarje të shumta muzikore për të rinjtë. /ATSH /KultPlus.com

Me zemër në qese najloni
Kur e përzunë me forcë nga atdheu
me zemër në qese najloni
arriti në dhé të huaj
(nëse ka dhé të huaj ndokund)
Ia filloi ditës së re
me dëshirën e vjetër
ta prekë jetën me dorë
Kur e zë gjumi
i kujtohen ditët
e dhunës
që ranë si gjethe
të pemës së jetës
që kurrë më
nuk u vesh me to./ KultPlus.com

Dy botë paralele “takohen” me njëra-tjetrën në Charles III
Uranik Emini
Në një cep të largët të Bjeshkëve të Nemuna në Kosovë, Edith, një kushërirë e largët e mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar, filloi një ekspeditë të jashtëzakonshme kërkimore. Kërkimi i saj e çoi në thellësitë mistike të maleve shqiptare, ku u ndesh me një botë me aventura, folklor dhe legjenda të lashta. Gjatë rrugës, ajo u përplas me personazhet mitikë nga Eposi i Kreshnikëve, një sagë e njohur për përdorimin deri në pikën e fundit të hiperbolës dhe satirës, shkruan KultPlus.
Produksioni teatror “Charlesi III”, i sjellë në jetë nga dyshja dinamike e regjisorit Agon Myftari dhe dramaturgut Jeton Neziraj, është një kryevepër komike që tërheq paralele mes dy botëve të kundërta: të shkuarës, të vendosur 300 apo 400 vjet më parë dhe të ditëve të sotme.
Kasti i “Charles III” dha një performancë magjepsëse, derisa ylli i shfaqjes në mënyrë absolute ishte Albina Krasniqi dhe mënyra se si ajo u mëshirua nga një rol në një tjetër, pavarësisht faktit se nuk ishte roli kryesor. Merita kanë padyshim Vjosë Tasholli dhe Dukagjin Podrimaj, ashtu si edhe pjesa tjetër e kastit, mes tyre Blend Sadiku dhe Dardan Gashi, shfaqën një kimi të madhe mes vete që dukej sikur ata ishin përgatitur për këto role gjatë gjithë jetës së tyre. Edhe pse u zhvilluan vetëm një muaj provë për këtë shfaqje, mbrëmë në Teatrin “Oda” u dha një performancë që la një ndikim të qëndrueshëm te audienca.

Regjisori i shfaqjes, Agon Myftari, tregoi se gjatë provës gjeneralë kanë ftuar disa miq për ta parë shfaqjen, megjithatë premira e ka të vetën.
“Po ndjehem shumë mirë, shumë çlirë. Sot po e shohim si një test të parë, por te aktorët premiera shihet më shumë sesa te unë, natyrisht ata janë në skenë dhe i kanë për detyrë me i realizu të gjitha detyrat që u kam dhënë gjatë një muaji, natyrisht që i kanë më të rëndë se sa unë që jam në publik, por kaluam shumë mirë”, thotë Myftari.
Tutje, ai thotë se është i kënaqur me produktin final të shfaqjes.
“Me aq sa unë kam mujt me pa ka qenë një shfaqje që vjen me kohë, pra po mendoj shumë dimensionale, shumë shtresore, e normalisht ka qenë e vështirë për me i nda edhe ato detyrat që i përmenda. Ka qenë një proces shumë intensiv”, u shpreh ai.

“Gjithçka nisi në tym e mjegull”, thotë Myftari duke shpjeguar takimin e tij të parë para një vit për bisedën rreth kësaj shfaqje me autorin Jeton Neizraj.
“Procesi mes meje dhe Jetonit ka nisë qysh para një viti, kemi pas një landë jashtëzakonisht të gjërë përpara, megjithë ato kangë kreshnike, megjithë ato legjenda ka ta çojmë si shfaqje, ka ta çojmë si material kemi bo hulumtime të mëdhaja, por me mbërri me pas në një draft që ka qenë finale dhe sonte si dramë të përfundume, si shfaqje të kryer në skenë”.
Ideja, sipas regjisorit, e gjithë shfaqjes ka qenë që të flasim për veten, të merremi me veten, t’i kthehemi vetes dhe siç thotë ai, pa dramë kombëtare dhe pa u marrë me vete nuk mund të ketë identitet arti kombëtar.
“Jam i lumtur që është realizu një ide e kamotshme që të merremi me gjërat tona, ato çka na dallojnë dhe na ndryshojnë prej popujve tjerë, si të mira e të këqija që i kemi, me fjalë të tjera, kemi dashtë ta kritikojmë veten, tu e dashtë veten. E gjithë këto duartrokitje frenetike dhe i gjithë ky entuziazëm prej publikut na lë me shpresë për reprizat e tjera, thotë ai.
Në anën tjetër, Dukagjin Podrimaj protoganisti kryesor në këtë shfaqje, tregon se ka qenë një shfaqje e vështirë në thelb, por janë të kënaqur me realizimin e saj.

“Kemi fillu me tekst copa-copa, fillimisht një skenë e më pas një tjetër. Megjithatë, Jetoni e ka marrë dhe e ka formësu që të vijë te ne më pas. Teksti ka shumë kreacion, ku janë diku rreth 18 skena, të cilat fillimisht kanë qenë tym e mjegull për neve, por më pas doli si satirë shumë e bukur”, tregon Podrimaj.
Dy role të shkrira në një aktor
“Po, fillimisht kemi qenë gjashtë aktorë, e më pas në mungesë të një aktori unë kam luajtur të dy rolet, atë të Charles III dhe Mujës. Nuk ka qenë aspak e lehtë me u realizu, por reagimet e publikut kanë qenë tepër të mira dhe tash po dëgjoj fjalë që po na motivojnë edhe më shumë”, thotë ai në fund.
Shfaqja mori reagime pozitive gjatë premierës së saj dhe autori shpreh krenarinë për rezultatin dhe shpreson për sukses në të ardhmen.
“Fillimisht dua të them se nuk e kam parë asnjë provë, me qëllim. Ishte hera e parë që pashë të plotë premierën dhe vërtet kalova mirë. Natyrisht, nuk më takon mua me dhënë komente për shfaqjen, po vërtet kishin bërë një punë të jashtëzakonshme para së gjithash Agoni, por edhe aktorët. Teksti është ai që është”, thotë Neziraj.
Partneriteti i regjisorit Agon Myftari dhe dramaturgut Jeton Neziraj përkundër që është i rastësishëm, është një bashkëpunimi artistik që i dhanë jetë personazheve të Mujës dhe Halilit nga epopeja e Kreshnikut, duke futur humor dhe satirë në portretizimin e tyre. Rezultati ishte një eksplorim komik që shtyu kufijtë dhe shfaqi dy pasqyra të kompleksuara të dy botëve, shekuj larg njëri-tjetrit.
“Me Agonin punojmë kështu, domethënë nisemi me folë në hava, në mjegull, e kështu kemi punu edhe për audiencën e Vasllav Havellit, kur s’ka pasë kurrgjë. Kështu kemi punu edhe tash në këtë rast, thjesht kemi nis me diskutu çka po dojmë me ba diçka, një ide me bo diçka bashkë, prapë kemi nisë me diskutu për këngët kreshnike, për heronjtë e atyre këmbëve kemi nisë me diskutu për tema të ndryshme të mitologjisë ë përrallave, por mandej procesika nisë, domethënë na ka sjellë këtë këtë materie që është, që e pamë sonte, kështu punojmë me Agonin”, shprehet autori i shfaqjes.

“Charles III” shërben si një urë lidhëse midis së kaluarës dhe së tashmes, duke ofruar një humor përmes së cilës mund të shikohet zhvillimi i vazhdueshëm kulturor. Në një botë ku shprehja “They/them” është bërë tanimë e zakonshme si një formë e vetëidentifikimit, aftësia e shfaqjes për të sipërfaq realitetin bashkëkohor e duke u thelluar edhe në kontekste historike është e jashtëzakonshme.
Të padiskutueshme ishin duartrokitjet dhe ovacionet në fund për të gjithë aktorët në krye me regjisorin që qëndron pas kësaj vepre magjike teatri.
Agon Myftari dhe Jeton Neziraj, si një binom i pathyeshëm, kanë demonstruar edhe një herë aftësinë e tyre për të mahnitur dhe ndriçuar publikun duke kritikuar në vazhdimësi përmes fuqisë së komedisë. “Charles III” jo vetëm që krahason dhe kontraston dy botë, por gjithashtu nënvizon domethënien e thellë të kritikës siç përcillet përmes mediumit të teatrit. /KultPlus.com

Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
UNI – Universum International College me krenari ka organizuar edicionin e parë të ngjarjes serike ‘Mayor’s Talk’’, duke ftuar Kryetarin e nderuar të Prishtinës, z. Përparim Rama. Ngjarja ka ndodhur më 20.12.2023 dhe ka shënuar një hap të rëndësishëm në angazhimin e vazhdueshëm të UNI për të siguruar studentëve perspektiva të vlefshme në sfidat dhe sukseset e udhëheqësve të shquar.
Kryetari Perparim Rama prezantoi një diskutim që nxit mendjen, duke reflektuar mbi karrierën e tij, sfidat unike të ballafaqimit gjatë mandatit të tij dhe rrugën frymëzuese që e çoi atë në krye të udhëheqjes komunale të Prishtinës. Seria ‘Mayor’s Talk’’ në UNI synon të sjellë për studentët përvojat e botës reale, duke nxitur një kuptim më të thellë të udhëheqjes, qeverisjes dhe përfshirjes së komunitetit.
Gjatë ngjarjes, Kryetari Rama ndau shprehje motivuese dhe momente kyçe nga karriera e tij, duke ofruar studentëve një pasqyrë në detajet e udhëheqjes së një qyteti. Përgjigjet e tij në përballje me sfidat, nxitja e bashkëpunimit dhe ndryshimi pozitiv bënë përshtypje te audiencat prezente në ngjarje.
Seria ‘Mayor’s Talk’’ në UNI është pjesë e një nismë të vazhdueshme për të sjellë kryetarë me ndikim nga qytete të ndryshme për të ndarë përvojat e tyre nga komuniteti për studentat. Kjo platformë unike mundëson studentëve të fitojnë njohuri nga liderët që kanë kaluar sfidat e shërbimit publik.
UNI – Universum International College menaxhohet dhe fuqizohet nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i rankuar si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.
Për më shumë informata rreth aktiviteteve kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram.
Ekspozita e Bebëzat e Mallit hedh dritë mbi “fëmijërinë e vjedhur”
Uranik Emini
Të “rrëmbesh” fëmijërinë e dikujt është një krim kundër vetë thelbit të njerëzimit, një tragjedi e pashpjegueshme që lë plagë jo vetëm në trupin e dikujt, por në shpirtin kolektiv të një kombi. Zhurmat, tragjeditë dhe krimet e tmerrshme të luftës së viteve 1998-99 kumbojnë ende nëpër tokat e Kosovës, derisa ekspozita “Bebëzat e Mallit” shfaqet si një kujtim prekës i fëmijërisë së vjedhur, jetëve të zhdukura me forcë dhe gjurmëve të pashlyeshme të mbetura në shpirtrat e familjarëve të kapluar në mërzi të përjetshme, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë e fuqishme, që vjen nga kërkimet dhe fotografitë e Korab Krasniqit, shërben si një testament për qëndrueshmërinë dhe kujtesën kolektive të një populli që refuzon të heqë dorë nga e kaluara e tij.
E ndarë në 12 pjesë që shfaqin secila një të kaluar dhe dhimbje, vizitorët e pranishëm në objektin e Rilindjes, rrëmbehen në “dhimbjen” që mbushë tërë këtë vend. Objektivi i Krasniqit shfaq jo vetëm fytyrat e këtyre fëmijëve por edhe historitë e patreguara që fshihen pas syve të tyre.
Në një tokë ku shumë janë ende të humbur e të pa gjetur, “Bebëzat e Mallit” vepron si një urë lidhëse mes të tashmes dhe të shkuarës, mes të gjallëve dhe të zhdukurve, duke dëshmuar se një fotografi e vetme ka fuqinë të ringjallë njëqind kujtime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e filloi fjalimin e tij në këtë ekspozitë me vargje të poetit të ndjerë Xhevdet Bajraj, për thellësinë e humbjes, mallit e mungesës.
“Në qorrsokakun e përgjakshëm
Ku e vranë foshnjën e sapolindur
Dhe babanë e saj
U desh të kalojnë 20 vjet
Për t’ia gjetur mbetjet mortore e për t’ia dhënë nënës së vet
Ajo sapo i mori eshtrat në dorë,
I afroi tek gjiri i saj.
Më paska pritur a?
Se nuk qenka rritur fare tha
E buzëqeshi
Mu para se të hapej toka
E ta përpinte.”
Ngjarje të këtilla, sipas Kurtit, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë.
“Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre”, njoftoi i pari i ekzekutivitetit.

“Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj, e kemi obligim për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë, që kurrë të mos i harrojmë”, theksoi Kryeministri.
Autori i ekspozitës, Korab Krasniqi, tha se 24 vjet pas luftës plagët për fëmijët e vrarë dhe të pagjetur mbesin ende të hapura gjersa fëmijët e mbijetuar vazhdojnë të jetojnë mes pasojave të luftës.
Ai tha se me këtë projekt është bërë përpjekje të dokumentohet kompleksiteti i përvojave të fëmijëve në luftë duke ua kthyer atyre të drejtën e fjalës, me qenë se për fëmijët flasin më shumë të rriturit.
“Përmes shkrirjes delikate kuratoriale, ekspozita ofron hapësirën ku dhimbja i delegohet publikës dhe përpiqet të nderojë kujtesën për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur në luftë, për të mësuar nga historitë e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndikimin shkatërrues të luftës tek anëtarët më të cenueshëm dhe të pafajshëm të shoqërisë tonë”, tha Krasniqi.

Ministrja Haxhiu, nga ana e saj, tha se tragjedia e vrasjes së fëmijëve gjatë luftës në Kosovë përveç plagë e shpirtit kombëtar është shenjë dalluese që regjimi i Serbisë ka bërë gjatë shekullit të kaluar, veçanërisht vitet e fundit.
Ajo tutje shtoi se për fëmijët e vrarë dhe të masakruar ende nuk është dënuar askush dhe Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera ndërsa kriminelët po vazhdojnë të strehohen në Serbi.
Për familjet e të zhdukurve këto fotografi janë një rrugë shpëtimi – një mënyrë për t’u mbajtur pas të shkuarës, për të kujtuar buzëqeshjet, të qeshurat dhe ëndrrat e fëmijëve që nuk patën kurrë mundësinë të rriteshin.
E mbijetuara e masakrës gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht deputete e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha për KultPlus se institucionalisht nuk është punuar mjaftueshëm sa i përket çështjes së të pagjeturve dhe fëmijëve të vrarë në luftë.
“Mendoj që si institucione jo, nuk është bërë mjaftueshëm. Për shkak që dokumentimi është proces i gjatë dhe duhet të jetë shumë i detajueshëm. Është bërë diçka, një pjesë, po jo mjaftueshëm dhe shpresoj tash që me themelimin e Institutit për Hetimin e Krimeve gjatë luftës në Kosovë që kjo do të intensifikohet dhe do ta kemi institucionalisht një databazë të të dhënave rreth tregimeve dhe përjetimeve, sidomos të shqiptarëve gjatë luftës”, thotë ajo.

Bogujevci, megjithatë, thotë se në aspektin e ekspozitimit dhe dokumentimit në formë të këtij lloji, sikurse ekspozita, është punuar dhe po punohet në vazhdimësi.
“Mendoj që gjithherë e kemi pasë një komunitet të pavarur të artistëve në vendin tonë. Dhe në vazhdimësi kemi punuar në këtë drejtim, qoftë edhe përmes filmit, domethanë janë punuar tregime të luftës, kemi ekspozita, e përjetime të tjera”, tha ajo për KultPlus.
Ajo tregon se edhe ata si familje kanë treguar historinë e tyre përmes artit.
“Ne si familje përmes artit kemi tregu historinë tonë. E kemi pasë ekspozitën këtu në Kosovë, në Tiranë e në Beograd, ku e tregon historinë tonë dhe në njëfarë mënyre kemi dashtë që përmes kësaj na me tregu edhe në historinë e familjarëve të tjerë dhe natyrisht domethënë që duhet të të vazhdojë tutje. E mira është që tani janë ndërmarrë disa hapa përbrenda institucioneve tona që të institucionalizohet domethanë edhe kjo pjesë”, shprehet ajo.
Në vazhdim, Bogujevci përmend edhe proceset që janë duke i bërë me Ministrinë e Kulturës, që përfshijnë në aspektin e trashëgimisë kulturore, duke marrë shembull zonjën Ferdonije Qerkezi e cila e ka shndërru shtëpinë e vet në një muze domethënë për ta ruajt pjesën e historisë së familjes së saj.
“Domethënë duhet t’i kemi hapësira të tilla, nëse institucionalizohen edhe mbeten pjesë muzeale, po natyrisht kemi nevojë edhe për krijime të reja në këtë drejtim, por s’domethënë që dy gjana nuk mund me me vazhdu paralelisht me ndodhë, ku siç e thashë i kemi pjesën e artistëve të pavarur në vendin tonë në mënyrë të jashtëzakonshëm, ku paralelisht funksionojnë me pjesën e institucionit dhe domethënë kjo e bën dokumentimin siç duhet”, përfundon ajo.
Ekspozita “Bebëzat e Mallit” zë fill në hulumtimin e jashtëzakonshëm emipirik, të botuar nga forumZFD si libër me titullin “Fëmijëri të Rrëmbyera”. Hulumtimi ndërtohet nga intervista dhe fotografi të dymbëdhjetë familjeve, dhjetë prej të cilave kanë humbur një apo më shumë fëmijë gjatë luftës së vitit 1999, ose menjëherë pas, në rrethana që ndërlidhen me luftën.
Dy nga rrëfimet janë të dy fëmijëve që e kanë humbur njërin prind në luftë, ndërsa nga dymbëdhjetë rrëfimet, dy prej tyre janë të familjeve të komunitetit serb dhe dy të atij rom. Disa nga këta individë akoma të pagjetur.
Një fjalë rasti mbajti edhe kuratorja e ekspozitës, Vesa Sahatçiu. Ajo tha se është e rëndësishme të krijohen hapësira të kujtesës kolektive që rrëfimet sikurse të ekspozitës “Bebëzat e mallit” të kenë zë.
“Janë këto rrëfime qe formësojnë të kaluar tonë dhe dukshmëria tyre garanton që të mos ta harrojmë të kaluarën tonë”- tha ajo.

Kjo ekspozitë e fuqishme na tregon që të mos harrojmë se çdo fotografi përfaqëson një jetë që dikur ka qenë—një jetë e mbushur me ëndrra, shpresa dhe pafajësinë e pastër të fëmijërisë. /KultPlus.com
Çeku: Muzeu i Muzikës në Gjakovë do të bëhet
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, njofton se se Muzeu Muzikës në Gjakovës do të bëhet, shkruan KultPlus.
Tutje, Çeku shkruan se është shpallur procedura e prokurimit për realizimin e punimeve për Muzeun e Muzikës në Gjakovë.
“Muzeu i Muzikës (Tabhanja) në Gjakovë do të bëhet. Kemi shpallur procedurën e prokurimit për realizimin e punimeve. Kemi ndarë mbi 400 mijë euro për ta kthyer në gjendjen e mëparshme.
Nuk zmbrapsemi, nuk ndalemi. Punë, përditë. Për trashëgiminë kulturore, për Gjakovën tonë”, shkruan Çeku. /KultPlus.com
Mesazhi i Blinken: Miqësia e Shqipërisë, mbështetje e vyer për SHBA
Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ervin Bushati, u prit në një takim nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Bushati u shpreh se partneriteti mes dy vendeve është sot më i fortë se kurrë.
Ai u shpreh se pritja me Sekretarin e Shtetit Blinken ishte familjare dhe shumë miqësore.
Ambasadori Bushati u shpreh krenar për mesazhin e Sekretarit të Shtetit, sipas të cilit “në një vit me sfida kaq të mëdha, miqësia e Shqipërisë ka qenë një mbështetje e vyer për SHBA. Roli i qeverisë dhe Kryeministrit Rama në përballimin e sfidave ndërkombëtare flet qartë për partneritetin e ngushtë mes dy vendeve tona”.
Në emër të Kryeministrit Edi, ambasadori Bushati e ftoi Sekretarin e DASH në Shqipëri në vitin 2024. /ATSH /KultPlus.com
QKK hap konkursin për subvencionimin e projekteve filmike
Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike, shkruan KultPlus.
Këtë vit, përbrenda thirrjes janë prezantuar edhe dy kategori të reja: të zhvillimit të skenarit për film të metrazhit të gjatë artistik dhe të animuar si dhe kategorinë për film të shkurtër studentor.
Poashtu, risi e kësaj thirrjeje është edhe zgjerimi i mbështetjes në bashkëprodhimin minor ku këtë vit përfshihet edhe filmi dokumentar. E njëjta vlen edhe për kategorinë post-produksion për film të metrazhit të gjatë, të cilit i shtohet edhe filmi dokumentar. Ndërkaq, tash e tutje, skenaristët kanë mundësinë të aplikojnë për mbështetje si skenaristë të pavarur në kategorinë Zhvillim i Skenarit.
Përmes subvencionimit, projektet filmike do të mbështetën në këto kategori:
– FILM I METRAZHIT TË SHKURTËR ARTISTIK
– FILM I METRAZHIT TË GJATË – PËR REGJISORËT DEBUTANTË
– FILM I METRAZHIT TË GJATË – DOKUMENTAR
– FILM I METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK
– ZHVILLIM I SKENARIT PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK DHE I ANIMUAR
– FILM I METRAZHIT TË GJATË – I ANIMUAR
– POST-PRODUKSION PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK DHE DOKUMENTAR
– BASHKËPRODHIM MINOR PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË
– ZHVILLIM I PROJEKTIT PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK, DOKUMENTAR DHE TË ANIMUAR
– FILM I METRAZHIT TË SHKURTËR – DOKUMENTAR
Aplikimi bëhet online përmes faqes zyrtare të QKK.
Për më shumë informata rreth kategorive përkatëse, klikoni në kutinë KONKURSI në uebsajtin e QKK-së.
Afati i aplikimit për mbështetje të projekteve filmike: 20.12.2023 – 24.01.2024 /KultPlus.com
Tirana përzgjidhet si “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, Veliaj: Tirana do të shkëlqejë
Pas titujve si Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe Qyteti Europian i Sportit, Tirana është shpallur edhe si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025.
Lajmin e mirë e ka dhënë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nuk e ka fshehur entuziazmin për titullin e ri që do të mbajë kryeqyteti i shqiptarëve.
“Mbas Vitit të Rinisë dhe Vitit të Sportit, në vitin 2024 do të presim B40, që është shoqata më e madhe e bashkive në rajon, ku Tirana mban Presidencën, do të bëhemi gati për një supervit 2025, ku Tirana jo vetëm do të shkëlqejë, siç ka shkëlqyer gjithë këto kohë, por do të ketë aktivitetin kulturor më të pasur në Mesdhe”, u shpreh Veliaj.
“I gjithë Mesdheu do të jetë në Tiranë për kulturën që ofron Tirana, kryeqyteti ynë”, përfundoi Veliaj.
‘Memorie dhe Traumë’, triologjia e autores Blerina Rogova- Gaxha që synon memorizimin e luftës në mbamendjen kolektive
Vjollca Duraku
Projekti ‘Memorie dhe Traumë’, i cili në vete ngërthen librin me të njejtin titull, esenë filmike ‘Bijë Lufte’ dhe ekspozitën ‘Rojtarë të Memories’ nga autorja dhe ideatorja Blerina Rogova- Gaxha, u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.
Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, për pjesëmarrësit fillimisht u shfaq eseja filmike- ‘Bijë lufte’, pas një fjalimi hyrës në këtë ceremoni promovimi, nga moderatorja Alketa Gashi.
Kjo ese filmike që ishte e ideuar nga Blerina Rogova- Gaxha dhe e realizuar nga Petrit Domi, trajton njeriun e traumatizuar në shoqërinë e pasluftës. Në këtë ese filmike luajtën Sheqerie Buqaj dhe Nino Gaxha, në rolet nënë dhe bir, si dy personazhe të prekur dhe të traumatizuar nga pasojat e luftës, në mënyrë direkte dhe indirekte.
Pas kësaj përmbajtje e cila publikun e vuri në mendime të thella, vëmendja u fokusua te paneli diskutues i cili do të promovonte librin ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’, të cilin e përbënin: Majlinda Bregasi, Agron Gashi, Donika Dabishevci dhe vetë autorja e këtij projekti, Blerina Rogova- Gaxha.
Sipas moderatores Alketa Gashi, libri në fjalë është studimi i parë letrar, i cili ka qasje interdisiplinare, duke trajtuar reprezentimin letrar të luftës në fiksion.
“Libri mëton të dëftojë se si letërsia e dokumenton traumën e luftës dhe nocionet komplekse të kujtesës individuale dhe të kujtesës kolektive, për të dëshmuar kështu tronditjen radikale të një shoqërie në kryqëzimin e sa të madh politik e historik”, ka thënë moderuesja Gashi, e cila më pas ia kaloi fjalën panelistes Majlinda Bregasi.
Panelistja Bregasi e vlerësoi lartë librin e autores Rogova-Gaxha, duke thënë se edhe pse libri i takon një zhanri më studimor, ka një qasje të atillë që lexuesit i jep një kërshëri të mahnitshme gjatë të lexuarit.
“Ky libër ka një forcë ilokutive të mahnitshme, një performancë që e bën librin, që në momentin që t’i fillon ta lexosh, të mos ndalesh dot. Është stili i saj, kur ti e lexon librin as që e mendon që është një libër studimor, sepse zakonisht librat studimor dijnë të jenë të mërzitshëm për ata që nuk merren me qështje studimore. Ky është një libër ku secili lexues që nuk ka afrimitete letrare ose studimore librin do ta lexojë me kërshëri të jashtëzakonshme”, tha Bregasi, e cila i lëshoi radhë panelistit tjetër, Agron Gashit, i cili tha se ky krijim i autores Rogova-Gaxha trajton temën “Memorie dhe Traumë” përmes një zhanri mes letërsisë dhe filozofisë.

“Blerina bën një ekuivalencë mes poezisë dhe kritikës, apo më mirë mes letërsisë dhe interpretimit. Nëse poezia e saj zgjedh teknika të unijësimit muzikal, e njohur nga avangardistët herë si metodë, e herë si teknikë e sintetizimit letrar, me poetikë intermediale, e mbushur me reflekisone “objektive” e përvoja jetësore, poezi që “mitizon” pa qëllim dhimbjen e anima-s , por demitizon me qëllim muzat, në studime aplikon një unjisim kërkues mes letësisë dhe filozofisë”, ka thënë panelisti Gashi.
Ai më tutje tha se puna të cilën e kishte bërë autorja Rogova-Gaxha, përtej një pasioni letrar, paraqet edhe një mision kombëtar, në trajtimin e temave të luftës dhe të pasojave të saj.
“Blerina ka bërë një punë jo vetëm me vlera studimore letrare, por historike e nacionale. Përzgjedhja e teksteve dhe e veprave është më e duhura e muundshme. Mbi të gjitha na ka ftuar që të kujtojmë dhe të mos harrojmë. Ky nuk është vetëm një pasion letrar por edhe mision kombëtar!”, tha më tej panelisti Gashi.
Ndërsa panelistja Donika Dabishevci, tha se autorja arriti në konkulzonin që lufta dhe pasojat e saj, e kanë riformësuar letërsinë në Kosovë duke sjellë motive dhe tema të përqendruara rreth luftës, kujtesës dhe identitetit, reflektuar në të njëjtën kohë mes së shkuarës dhe të tashmes.
“Blerina në këtë studim kërkon memorien dhe traumën e luftës, duke u ndalur në atë se si është përjetuar, përbrendësuar e shpërfaqur si dëshmi gjithnjë fiksionale, si tematikë, ide, motiv, lajt-motiv në letërsinë shqipe. Ajo po ashtu studion edhe raportin e këtyre koncepteve me aktin e shkrimit të dëshmisë letrare, duke pasur para vetes kundruall bagazhin teorik, një material të gjerë e të bollshëm hulumtimi” ka thënë Dabishevci, e cila gjithashtu tha se këtij libri do t’i referohen studimet e ardhshme, sa i përketë kësaj fushe të studimit.
Kurse vetë autorja Blerina Rogova-Gaxha, tha që ky studim ka një rol të rëndësishëm në të kuptuarit e pasojve të luftës, e që më pas ndikon edhe më shumë në të kuptuarit e të vërtetës historike, specifikisht të asaj që ka ndodhur në luftën e vitit 1998-1999.
“Reprezentimi i memories së luftës në letërsinë shqipe në Kosovë luan rol kyç në kuptimin e ndikimit të luftës në shoqëri, duke e thelluar kuptimin e së vërtetës historike. Kujtesa si triumf i mendjes, kështu bëhet një faktor themelor për ta kuptuar procesin e tranzicionit: nevojat e shpirtit të komunitetit dhe përfaqësimin e kësaj fryme në rrëfimet letrare”, ka thënë autorja.
Ajo më tej shpjegoi edhe arsyen se përse një libër i tillë ka qenë më se i nevojshëm për të qenë në duar të lexuesve.
“Lufta e ka më se të nevojshme ta ketë kujtesën fiktive, interpretimin shpirtëror dhe emocional që shkon paralelisht me të vërtetën, sepse fuqia e letërsisë për ta mbajtur gjallë memorien koektive dhe për të memorizuar të kaluarën, është e jashtëzakonshme. Letërsia e dalë nga mitra e luftës shplon pëlhurën që mbuloi traumën e thellë për ta kthyer këtë në këngë e lament në dëshmi poetike, e në testament letrar. Letrat e kujtesës bëhen storja më e madhe e njeriut të këtij vendi, saga nacionale që banohet nga vdekja, fantazmat dhe fuqia e rilindjes nga hiri” e cila tha se për të pjesa me e ndjeshme gjatë shkrimit të librit ka qenë pjesa e fëmijëve të vrarë”, ka thënë Rogova-Gaxha duke bërë të ditur se vetë shkrimi i një libri të tillë ka qenë një proces mjaft traumatik edhe për vet atë, duke e specifikuar vrasjen e fëmijëve si pjesën më të ndijshme.
Poezia “Izbicë” e autorit Shqiptar Oseku, u interpretua me një emocion të jashtëzakonshëm në aktorja Sheqerie Buqaj, nën përcjelljen e kitaristit Ehad Dula.

Pas ceremonisë së promovimit të librit, pjesëmarrësit patën mundësi që në hollin e Bibliotekës të vizitojnë edhe ekspozitën ‘Rojtarë të Memories’ – ku u shfaqën Poezi dhe Proza të autorëve të ndryshëm, krijimtaria e të cilëve kontribuoi në mbamendjen kolektive dhe memorizimin e luftës.
Ky projekt u mundësua nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit/KultPlus.com


Riparohet çatia e banesës së Zakateve në Gjirokastër
DRTK Gjirokastër ka ndërhyrë gjatë kësaj jave në çatinë e banesës “Zekate” në lagjen Palorto. Banesa e Zekateve është Monument Kulture i kategorisë së parë.
Kjo banesë kishte probleme me thyerjen dhe rrëshqitjen e rasave të gurit në pjesën jugore të saj, ku u ndërhy për restaurimin e tyre.
Shtëpitë e larta të fortifikuara gjirokastrite, të tipit kullë, i përkisnin shtresës së pasur, si zyrtarëve të administratës ose tregtarëve. Ato kanë të gjitha një kompozim bazë: një kat të poshtëm ndërtuar detyrimisht prej guri për arsye sigurie, dhe në katet më të larta janë vendosur dhomat kryesore për familjen, zakonisht me shumë kurorë. Nëpër mure ka frëngji për të mundësuar mbrojtjen nga armiqtë.
Shtëpia e Zekateve është një shembull i mrekullueshëm i kullës tipike. Ndërtuar më 1811-1812 me dy kulla binjake dhe një harkatë të madhe të dyfishtë. Prej këtu pamjet nga lart e qytetit dhe të luginës së lumit Drino janë spektakolare.
Shtëpia ka tre kate, ku i poshtmi përmban dhomat e magazinimit, një kuzhinë të lartë dhe sterat e ujit, si dhe shkallët që gjarpërojnë lart për në katet e tjera. Kati i dytë ka dhomat kryesore, që shërbenin për degë të ndryshme të familjes, ndërsa kati sipërm ka një dhomë të madhe pritjeje dhe dy dhoma të tjera.
Dhoma kryesore është tipike për shtëpitë më madhështore të Gjirokastrës me mure me afreske, tavan druri të gdhendur dhe oxhak të zbukuruar. Ky kat i fundit ishte i destinuar për t’u përdorur nga e gjithë familja. Në qendër të katit, pranë shkallëve është një ballkon druri që mbizotëron mbi qytet. Një pjesë e tij është më e ngritur e rezervuar për kreun e familjes, ku ai qëndronte dhe gostiste miqtë dhe shikonte se ç’ndodhte në qytetin poshtë këmbëve./atsh/KultPlus.com

Haxhi Zeka, prijës ushtarak i shumë luftërave
Haxhi Zekë Byberi i njohur në histori Haxhi Zeka ka qenë ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Pejës në Lidhje, ku u shqua si prijës ushtarak me kontribut në Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.
Vite më pas u përpoq të përtërinte të njëjtën frymë lëvizjeje nëpërmjet Lidhjes së Pejës.
Ai lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës. Familja e tij u shpërngul në Pejë, ata ishin pronarë tokash dhe Haxhiu ishte tejet karizmatik.
Zeka ishte ndër organizatorët të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e vilajeteve shqiptare dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tyre. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.
Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Komandonte fuqinë e Pejës, ku pranë tij u shqua Çelë Shabani; Haxhiu me të hollat e veta e mbajti ushtrinë gjatë gjithë dimrit. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së komanduar nga Dervish Pasha.
Së bashku me Sulejman Vokshin dhe Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893 Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër padrejtësive ekonomike e politike të perandorisë.
Pasi autoritetet e shtruan me njësi ushtarake kryengritjen, Haxhi Zeka kërkoi që të dorëzohej vetëm tek sulltani; në dhjetor 1893 u dërgua i shoqëruar në Stamboll, ku u prit miqësisht nga Sulltani. Atje kaloi dy vite mërgim “vullnetar” dhe u kthye më 15 tetor 1895, i pritur me të madhe nga bashkëatdhetarët e tij në Shkup dhe Pejë. Sipas disa burimeve, Haxhi Zeka me pasues të tij shkoi të shërbente në Luftën Greko-Osmane.
Më 1897 kryesoi një kryengritje që nisi në Kosovë. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 në Kuvendin e Pejës ku u mblodhën 450-500 vetë u themelua Lidhja e Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj, dhe përfaqësonte programin autonomist të Komitetit të Stambollit. Shumë qytete shqiptare shprehën solidaritet ndaj këtij organizimi.
Në prill-maj 1899 organizoi të parat komitete luftëtarësh të përgatitur në përballimin e grupeve revolucionare bullgare. Këto komitete u përgatitën më pas për kryengritje kundër perandorisë, por u shtruan nga Porta e Lartë.
Vijoi të mbante takime në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës, në synim për t’i bashkuar shqiptarët kundër osmanëve dhe fqinjëve. Në shkurt të 1901 në cilësinë e kryetarit të Lidhjes, organizoi një tubim te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë ku u shpreh për shqetësimet e tij për viset shqiptare; duke u bërë kësodore gjithnjë e më shumë armiku kryesor i ambicieve serbe.
Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviç, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zaimin. Ky nxiti të birin, kapitenin e zaptijeve Adem Zajmin që ta vriste Haxhi Zekën.
Kjo ndodhi më 21 shkurt 1902 në pazarin Pejë. Haxhiu u varros në varrezat e xhamisë Sulltan Mehmed Fatih në Pejë.
Vrasja e tij bëri të binte në fashë kryengritjet shqiptare që kishin shpërthyer në krejt vilajetin e Kosovës. Dorërasi u vra më 1912 nga autoritetet serbe, pasi kërkoi shpërblimin e premtuar para vrasjes./ KultPlus.com

Nora Malaj: Jemi në vijën e kuqe, në 2030 nuk do të kemi as mësues, as nxënës
Pedagogia Nora Malaj ka deklaruar se Shqipëria është shumë afër prekjes së vijës së kuqe në arsim.
Malaj tha se jo më larg se në vitin 2030 jo vetëm që numri i nxënësve do pakësohet ndjeshëm por edhe mësuesit do të mungojnë, pasi gjithnjë e më pak studentë po zgjedhin të ndjekin studimet në degët e mësuesisë.
“Ne duhet të kuptojmë një gjë. Ne kemi një problem shumë të madh. Nga një anë kemi braktisjen e shkollës e nga ana tjetër kemi braktisjen e profesionit të mësuesit.
Studentët nuk po shkojnë më për mësuesi. Kjo është kambana e alarmit që kam thënë, ne jemi në vijën e kuqe. Do më vinte shumë keq të bëja Kasandrën e të thosha se në 2030 nuk do kemi më as mësues. do kemi një krizë shumë të madhe”, tha Nora Malaj. / Euronews.al / KultPlus.com

Kostandin Kristoforidhi, kush ishte “babai” i gjuhës shqipe që shkroi në dy dialekte
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë është duke kryer punime të mirëmbajtjes për restaurimin e Shtëpisë Muze të Kostandin Kristoforidhit, në lagjen “Kala”, Elbasan. Kjo ndërhyrje do të eliminojë rrezikun që i kanoset këtij objekti si dhe do të sjellë vënien në funksion të tij. Çatia shfaqte problematika në konstruksion si dhe ishte vënë re prania e lagështisë në ambientet e brendshme të objektit.
Në këtë fazë të ndërhyrjes nga ekipi i mirëmbajtjes së DRTK Korçë është realizuar ndërhyrja në të gjithë sipërfaqen e çatisë. Gjithashtu përfundoi restaurimi i dyshemesë së dëmtuar prej dërrase dhe pastrimi nga vegjetacioni i territorit. DRTK Korçë bën me dije se vijon puna për trajtimin e materialit drusor me antimol dhe vaj lini, restaurimin e portës së jashtme hyrëse në oborr dhe përforcimin e shkallëve të objektit. Kostandin Kristoforidhi u lind në Elbasan më 1827.
Familja e tij përmendet për herë të parë më 1723. Kur ishte 14 vjeç, mbaroi mësimet e shkollës qytetëse greqishte të qytetit dhe i ati e dërgoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Në Janinë u njoh me zv.konsullin austro-hungarez Hahn (me shërbim 1847-1850), i cili merrej me studimin e gjuhës shqipe dhe i mësoi shqipen për të studiuar “Dhiatën” e përkthyer nga Vangjel Meksi dhe Grigor Gjirokastritit. Ndihmoi po ashtu për studimet shqiptare të konsullit. Vitet që vijuan e gjetën mësues në shkollat greke në Tiranë më 1852, Elbasan e Berat. Më 1853 i vdesin prindërit, detyrohet të shesë gjithçka dhe u vendos në Durrës ku punoi te nuni i tij Mimi Xhufka.
Udhëtoi mbarë Shqipërinë për tregti dhe në fillimin e 1857 e gjejmë në Izmir, ku me gjasë u takua për herë të parë me misionarët protestantë amerikanë, ku u rekrutua nga filologu dr. Rigzi. Shoqëria Biblike porsa po interesohej për Shqipërinë dhe ishte në kërkim të një përkthyesi. E fitoi këtë vend pune dhe më pas u regjistrua, më 1 mars ndoqi për katër muaj kurse në “Robert College” në lagjen “Babek” të Stambollit.
STUDIMET
Kristoforidhit iu ofrua që të vijonte studimet në kolegjin e Shoqërisë Biblike në Maltë (fund korriku 1857-1860), ku përfundoi përkthimin e “Dhiatës së Re” në të dy dialektet e shqipes. Dorëshkrimet e tij u dërguan në Londër më 15 mars 1860, por nga Londra nuk erdhi ndonjë përgjigje inkurajuese. U vendos në Tunis ku u martua dhe dha mësim në një shkollë greke nga 1861 deri më 1865. Në fund të majit 1865 u kthye në Stamboll me përkthimin e kryer të Dhiatës së Re në gegnishte.
Me Eleninë pati shtatë fëmijë Anastasin, Poliksenin, Anastasian, Kleopatrën, Aleksandrin, Stefanin dhe Filipin. Aleksandër Tomson i Shoqërisë Biblike përmes një njohjeje me një riosh shkodran të shkolluar, Nikollë Serreqin, i cili me të shkuar në Stamboll e ndihmoi Kristoforidhin me redaktimin dhe sugjeron alfabetin latin me të cilin qe shkruar gegërishtja në Shkodër si traditë e autorëve të vjetër. Në nëntor të 1869 u zgjodh anëtar i Komisionit për Alfabetin e Shqipes. Qëndroi në Stamboll deri nga marsi i 1870, ku ishte i angazhuar me përkthime dhe botimin e tyre.
Më 1870 kreu një udhëtim të gjatë rreth e përqark Shqipërisë dhe vitet në vijim i çoi mes Stambollit, Shqipërisë dhe Tunizit, ku jetonte familja e tij. Prej vitit 1874 deri më 1878 pati një ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe Shoqërisë Biblike, pasi dyshohej që nuk besonte sipas qasjes protestante nga një keqkuptim që kishte pasur në Maltë. Humbi punën dhe jetoi në mjerim sa në Shqipëri, sa në Tuniz. Me ndikimin e Alexander Thomson të degës së Stambollit u bë e mundur që të vazhdonte punën me Shoqërinë Biblike duke përkthyer e botuar, kështu që u zhvendos me këtë shkak në Stamboll familjarisht. Në kryeqytetin osman mbante kontakte me figurat kulturore shqiptare, qe mik i Jani Vretos. U përpoq të ishte politikisht aktiv dhe me njohjet e tij në Shoqërinë Biblike t’u jepte zë kërkesave shqiptare për autonomi.
Më 1884 u kthye në Shqipëri dhe i ndërpreu marrëdhëniet me Shoqërinë Biblike njëherë e përgjithmonë. U përpoq të hapte një shkollë shqipe në Tiranë, por qe e pamundur duke qenë se autoritetet osmane nuk e lejonin këtë gjë prej ndodhive të pas-Lidhjes së Prizrenit. Më 1888 u kthye në Elbasan ku punoi si gjyqtar, punë të cilën e ushtroi deri kur ndërroi jetë, më 1895 te shtëpia e Taq Budës. U varros mbrapa absidës kryesore të kishën Shën Mërisë.
VEPRA
Kostandin Kristoforidhi është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Lëvizjes Kombëtare të shek. XIX. Ai luajti rolin më të rëndësishëm gjatë asaj periudhe atë të lëvrimit të gjuhës shqipe. Bëri një punë të madhe për mbledhjen e leksikut, për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme dhe pasurimin me fjalë të reja të bazuara në dialektet e shqipes.
Vepra themelore e Kristoforidhit, fryt i një pune njëzetvjeçare, është Fjalori i Gjuhës Shqipe me 11.675 leksema i përpiluar në toskërishte me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar më 1904 në Athinë, botuar në Tiranë më 1961. Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht orientalizmat dhe greqizmat dhe bëhen përpjekje për të shpjeguar etimologjinë e fjalëve. Kristoforidhi gjithashtu ka lënë tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe e njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë, Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit) në të dy kryedialektet. Shkruar më 1884 dhe botuar për herë të parë më 1902 nga “Albania” e Konicës në Londër.
Gjuha e Kristoforidhit nuk ndryshon nga ajo e rilindësve, ndaj dhe me të drejtë ai u cilësua si “babai” i gjuhës shqipe. Ai, si të gjithë rilindësit e tjerë, mendonte se gjuha ishte një mjet bashkimi për shqiptarët e çarë dhe të përçarë në atë kohë dhe se fakti se ekzistonin dy dialekte me të folmet e tyre si degëzime të një trungu, nuk përbënte ndonjë ndarje, por bashkim të shqiptarëve. Kristoforidhi e vërtetoi këtë me përkthimet dhe me veprat e tij origjinale.
Ai shkroi në dy dialekte. Kristoforidhi është një njohës i mirë i dialekteve të shqipes. Ai është munduar të përdorë në të gjitha variantet format më të përgjithshme. Duke pasqyruar me besnikëri gjendjen reale të gjuhës, për Kristoforidhin dialektet e shqipes janë shumë afër njëri-tjetrit. Për sa vërehet, mund të themi se Kristoforidhi hapi një etapë të re në gjuhësinë shqiptare: kontribuoi në hedhjen e themeleve për një gjuhë standarde që të afronte dy dialektet. Ndaj edhe sot pas kaq vitesh vepra e tij është pikë referimi për çdo gjuhëtar./ KultPlus.com

Kori i Zërave të Bardhë, koncert me ariet më të njohura të Krishtlindjes
Kori i Zërave të Bardhë, i përbërë nga fëmijët e talentuar të TKOB-së do t’i sjellë edhe më shumë hare atmosferës së festave të këtij fundviti.
Sonte, në TKOB do të shfaqet koncerti “Këmbanat e arta”, me Korin e Zërave të Bardhë, drejtuar nga Sonila Baboçi, koncertmaestër Igli Rapaj dhe nën dirigjimin e Dritan Lumshit.
Fëmijët do të këndojnë ariet më të njohura të Krishtlindjes, ato që na shoqërojnë kudo gjatë këtyre ditëve dhe që këndohen në mënyrë instiktive nga një pjesë e madhe e publikut.
TKOB shkruan në faqen online se kjo është një mënyrë e bukur për të pritur festat duke ndarë me artdashësit edhe programin e mbrëmjes së sotme.
Në program është vendosur Johannes Brahms, me “Guten Abend, gute Nacht”, shoqëruar në piano nga Noemi Koçiaj, Cesar Franck me “Panis Angelicus”, “Ave Maria” nga Giulio Caccini, “Hallelujah” e Leonard Cohen, arie nga kompozitorë të famshëm si Mozart, Rossini, Bizet etj., si dhe këngë tradicionale nga Amerika e Jugut. Kori ka përgatitur një repertor të zgjedhur që premton një koncert të suksesshëm./ atsh / KultPlus.com

Promovohet libri “Arti i Afreskeve të Kishës së Shën Premtes”, trashëgimi e UNESCO-s
Në Kino Lumbardhi, në Prizren mbrëmë u promovua libri “Sjellur më pranë njerëzve”, i botuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe redaktuar nga Sezgin Boynik, që rrjedh nga një tekst origjinal i Otto Bihajli-Merin nga viti 1953 dhe restaurimi e kopjet afreskeve të bëra nga Zdenka dhe Branislav Živković rreth të njëjtës periudhë.
Ato lidhen me afresket e Shën Premtes, një kishë ortodokse e shekullit të XIII-të në Prizren, pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Nga arti bizantin te trashëgimia fetare në politikat kulturore komuniste jugosllave, libri mbulon një sërë temash dhe momente të veçanta në historinë e kishës, duke sjellë një perspektivë të re.
Libri u prezantua nga redaktori Boynik, autorët kontribuues Jelena Vesiq dhe Shkëlzen Maliqi, po ashtu drejtori i Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta, ndërsa vazhdoi me bashkëbisedim me pjesëmarrësit.
Botimi i librit dhe ngjarja janë bërë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com
Tingujt e muzikës shënuan festë mbrëmë në Akademinë e Shkencave, sopranoja Besa Llugiqi mahniti audiencën
Vjollca Duraku
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, të martën mbrëma ka organizuar një koncert festiv në prag të festave të fundvitit me soliste sopranon e njohur Besa Llugiqi e cila u përcoll në piano nga Misbah Kaçamaku, gjithashtu në këtë festë muzikore u prezantuan edhe duo Syzana Jakupi, Alba Muçolli-Dehiri në piano dhe Kori i burrave nën dirigjimin e maestros Rauf Dhomit, shkruan KultPlus.
Në skenën rrethore në të cilën takoheshin dy anët e sallës së akademisë, fjalën hyrëse e mori i ‘zoti i shtëpisë’, akademik Mehmet Kraja, i cili me një fjalim shumë të shkurtër i falënderoi mysafirët për prezencën e tyre, dhe tutje fjalën ja la këngës.

Sopranoja e njohur Besa Llugiqi, ajo e cila ka shkelur shumë skena prestigjioze nëpër Evropë, në këtë mbrëmje u shfaq si një yll i ndritshëm i muzikës dhe hyri në sallën e Akademisë së Shkencave nën përcjelljen e duartrokitjeve të shumta të publikut, ku para profesionalizmit, ishte eleganca e saj ajo që foli e para.
Një fustan i kuq plotë shkëlqim, në një kontrast të bukur me ngjyrën e zezë të flokut të saj, gërshetuar me zërin mahnitës, bëri që akademikët dhe të pranishmit të shijojnë pafund koncertin.
Zëri i sopranos Llugiqi, rrjedhte me një butësi të sinqertë duke dëshmuar natyrshëm një talent të jashtëzakonshëm. Çdo notë ishte një emocion që shpërthente me fuqi, duke kapur zemrën e audiencës dhe duke e çuar atë në një udhëtim të thellë emocional.
Me një repertor të zgjedhur si: Die Nacht- R. Strauss, Ach Lieb, Ich Muss Nun Scheiden- R. Strauss, Vilja’ Song – F. Lehar, Quando Men Vo “ La Boheme”- G. Puccini, Song to the Moon-A. Dovrak, Pace Mio Dio-G. Verdi, sopranoja Llugiqi, me elegancën dhe forcën e saj, rrëfente histori me secilën notë.
Publiku nuk mund të rezistonte ndaj magnetizmit të saj artistik dhe ndjenjave që ajo sillte në çdo interpretim.

Po me një elegancë të tillë, në skenë u ngjiten edhe pianistet Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli- Dehiri. Pasi zunë vendet e tyre, ato nisën të lëshojnë tingujt e parë në sallë. A. Dvorak Slavoi Dance/ OP. 72 NR.2 dhe Slavonic Dance/ OP.46 NR. 7, ishin pikat e përzgjedhura nga kjo duo, që në harmoni të lëvizjes së duarve me njëra tjetrën dhuronin tinguj herë të lartë, të hareshëm, strikt, të shpejt dhe herë të qetë.

Pas kësaj performance, në skenë zuri vend Kori i Burrave nën udhëheqjen e dirigjentit profesionist Rauf Dhomi. Me disa perla shqipe, Kori i dhuroi publikut art mbi dashurinë për atdheun me pikat interpretuese siç ishin: “Nën Skënderbenë”, “Varka” dhe “Të falemi o dhe”.
Të gjitha pikat që u interpretuan, nga publiku që këtë radhë i takonte nivelit më të lartë, u duartrokitën shumë. Kjo gjë ishte reflektuar edhe te vetë artistët e skenës.

Koncerti u përmbyll nga solistja e kësaj ngjarje, nga sopranoja Besa Llugiqi e cila ngriti publikun në këmbë dhe bëri që duartrokitjet të zgjasnin më shumë se zakonisht.
Emocionet e para pas koncertit, sopranoja Besa Llugiqi i ndau me KultPlus. Interpretimin në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ajo e ka quajtur përjetim të rrallë.
“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Profesori Rauf Domi ka qenë ai që më ka ftuar dhe jam e lumtur që isha pjesë e këtij koncerti. Ka qenë sinqerisht një përjetim i rrallë. Më pëlqeu atmosfera, njerëzit e kanë përjetuar dhe unë u mundova të jap maksimumin tim në këtë aspekt. Besoj që ka qenë një program interesant për ta dhe jemi munduar të prekim një repertor pak më të gjerë, kështu që po shpresoj që e kanë shijuar”, ka thënë sopranoja Llugiqi.

Ndërsa pianistja Alba Muçolli -Dehiri u shpreh e lumtur për interpretimin e saj në koncertin e mbrëmshëm, ku mbi të gjitha në këtë fundvit shpalosën punën që kishin arritur ta bëjnë gjatë tërë vitit.
“Është jashtëzakonisht kënaqësi e madhe për ne si artistë që të marrim ftesa të tilla, në veçanti nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës që të performojmë dhe të jemi pjesë e eventeve të tilla, pra koncerteve përmbyllëse apo koncerteve festive të vitit të ri, sepse edhe puna jonë shpaloset. Pra gjithmonë është kënaqësi që këto vepra apo këtë punë që ne i bëjmë gjatë vitit, t’i ndajmë me publikun artdashës”, ka thënë pianistja Muçolli- Dehiri, e cila më tej u shpreh e lumtur që së bashku me kolegen e saj Syzana Jakupi, interpretuan vepra të përzgjedhura me një shije të hollë, të cilat publiku i priti jashtëzakonisht mirë.
Ndërsa dirigjenti Rauf Dhomi, tha se ndihej shumë i kënaqur me performancën e Korit të Burrave që interpretoi nën dirigjimin e tij, e veçanërisht me performancën e sopranos Besa Llugiqi të cilën e quajti: “Primadonë të Ballkanit”.
“Ky koncert është i dedikuar për primadonën Besa Llugiqi, besoj që është një nga këngëtaret më të mira që ka pasur Kosova, dhe besoj që në 10 vitet e ardhshme është Primadonë, gjithsesi unë uroj të mos jetë kështu si them unë dhe të dalin edhe të tjera sikurse Besa në skenë”, tha Dhomi teksa tutje përshkroi edhe interpretimin e Llugiqit.
“Një tingull shkon lartë në kupë të qiellit dhe zbret në cep poshtë, tri oktava poshtë, është sikur të biesh nga një lartësi e madhe 12 katëshe dhe të mos lëndohesh fare. Ka një ngjyrë të mahnitshme të zërit, është shumë e larmishme, nuk është e njëtrajtshme dhe të jep motiv që ta dëgjosh”, u shpreh Dhomi.

Në këtë koncert ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili është shprehur se përmes këtij koncerti, artistët shfaqën pikë të lartë të profesionalizmit muzikor.
“Një natë tjetër festive mbrëmë në Koncertin Festiv të fundvitit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Besa Llugiqi, Misbah Kaçamaku, Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli, së bashku me korin e talentuar të burrave nën drejtimin e kompozitorit Rauf Dhomi, shfaqën pikë të lartë të profesionalizmit muzikor.
Performancat e tyre, duke përfshirë veprat e R. Strauss, F. Lehár, G. Puccini, A. Dvorak dhe G. Verdi, paraqitën vitin e suksesshëm të Akademisë përmes muzikës”, shprehet Kryeministri.
Pas këtij koncerti, të gjithë mysafirët u takuan nga afër në një koktej rasti të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. / KultPlus.com

Bëhet i ditur programi për festën e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza
Festa e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë po afron.
Kjo festë e cila fillon më 24 dhjetor e do të zgjasë deri në orët e mbrëmjes më 25 dhjetor do të ketë një program të pasur.
Ipeshkvia Prizren-Prishtinë do të zhvilloj këto aktivitete në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
E DIELE, 24 DHJETOR 2023
Në orën 18:00 – Pritja Solemne e Krishtlindjes, e cila do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis” që gjendet te Katedralja Shën Nënë Tereza. Pritet të jenë prezent përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, trupi diplomatik dhe njerëz të kulturës, artit dhe miq e dashamirë. Në orën 23:30 – Program për Krishtlindje në Katedrale, i cili zgjatë deri në mesnatë. Në orën 24:00 – Mesha solemne e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza, të cilën do ta udhëheq Sh. T. Imzot Dodë Gjergji.
E HËNË, 25 DHJETOR 2023
Në orën 11:00 – meshë në Katedralen Shën Nënë Tereza. Në orën 18:00 – meshë në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë, Prishtinë. / KultPlus.com
