Punërat e Perëndisë

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Zot i math e i vërtetë,
çdo pun’ e ke bërë vetë;
bëre qiejtë dhe denë,
bëre yjtë dhe dhenë,
bëre diellin’ me dritë,
bëre nat, e bëre ditë,
bëre erënë dhe retë,
bëre pemëtë me fletë,
bëre hënëzën me yje,
bëre fusha, male, pyje,
bëre zogjtë, që këndojnë
dhe lulet që lulezojnë,

bëre dimër’ e beharë,
bëre kuaj e gomarë,
bëre misër edhe grurë,
po më shumë bëre gurë.
Si bëre kaqë të mira,
bëre dhe shumë egërsira:

bëre arinë dhe derrë,
bëre… po ç’nukë ke bërë?
Bëre botënë të tërë,
bëre dhe djallë me brirë!
Çdo pun’ e ke bërë mirë,
po një gjë bëre pa mënde
dhe prishe punën tënde:

Kur bëre derr’ dhe arinë,
Ç’deshe që bëre Turqinë?
Se të mos qenkej kjo farë,
bota do të vinte mbarë,
dhe do të lulëzonte,
Shqipëria do t’gëzonte./ KultPlus.com

‘Gruaja që ti ke njohur dje, sot nuk është më, ajo është gjithmonë një tjetër’

Osho është filozofi i madh indian (Shree Rajneesh), njëkohësisht një nga spiritualistët më të mëdhenj të shekullit të XX.

Në vijim, do t’ju njohim me disa nga shprehjet filozofike dhe praktike të OSHO-s, që do t’ju bëjnë ta shihni veten dhe realitetin me sy tjetër.

1.Përdoreni energjinë me dashuri, përdoreni në ndonjë akt krijues, përdoreni në miqësi, përdoreni në meditim, bëni diçka me të që t’ju ngrejë lart.
Dhe sa më lart të shkoni, burimet e më shumë energjie bëhen të disponueshme për ju.
Në pikën më të lartë të vetëdijes, ju jeni gati një Zot.
Kjo është në duart tuaja!
2. “Të mendosh se e njeh shumë mirë gruan tënde, është një mendjelehtësi.
Si mund ta njohësh ti atë grua?
Si mund ta njohësh ti atë burrë?
Janë proçese, nuk janë gjëra.
Gruaja që ti ke njohur dje, sot nuk është më: ajo është gjithmonë një tjetër, totalisht ndryshe.”
3. “Ti je përgjigjja, por je krejtësisht i përgjumur.
Përgjigjja është brenda teje.
Ti je vetëm një farë.
Ke nevojë për dheun e duhur, ke nevojë për një kopshtar, ke nevojë për bashkëpunimin e për vullnetin tënd që të vdesësh si farë që pastaj të mund të lindësh si pemë.”
4. “Përmes dashurisë, hedhja e egos është e thjeshtë. Kjo është aq e natyrshme pasi vet dashuria është frymëzueshmëri natyrore.
Çdo gjë tjetër është jonatyrore kur të krahasohet me rrugën e dashurisë.”
5. “Tërë përpjekjet e shkencës nuk janë asgjë tjetër përpos kërkime për jetën e amshuar, e gjithashtu edhe tërë përpjekjet e religjioneve nuk janë asgjë tjetër përveç kërkim për jetën e amshuar”
6. Çdo fëmijë lind si individ, por tepër rrallë njeriu vdes si individ.
Me gjithë qëllimet më të mira, prindërit, mësuesit, udhëheqësit, klerikët dhe të ngjashmit na mbjellin idenë e konkurrencës, rivalitetit, ambicies, duke krijuar kështu prej çdo fëmije qenien e cila me jetën takohet në lufta mendimesh, me fjalë të tjera, në dhunë, në agresivitet.”
7. “Nëse e dashuron një lule, mos e këput.
Sepse nëse e këput, ajo vdes dhe pushon së qëni ajo që dashuron.
Kështu që… Nëse e do një lule, lëre të jetë…”
8. ”Dashuria nuk është zotërim. Dashuria është vlerësim”.
9. “Përjetoje jetën në gjithë mënyrat e mundshme… e mirë-e keqe, e hidhur-e ëmbël, errësirë-dritë, verë-dimër. Përjeto gjithë dualitetet.
Mos ki frikë nga eksperienca, sepse sa më shumë eksperiencë që të kesh, aq më i pjekur do të jesh”.
10. “Trishtimi jep thellësi.
Lumturia jep lartësi.
Trishtimi jep rrënjë.
Lumturia jep degë.
Lumturia është si një pemë që ngjitet drejt qiellit, dhe trishtimi është si rrënjët që shkojnë poshtë në tokë.
Të dyja nevojiten, dhe sa më lart të shkojë një pemë, aq më thellë shkon, njëkohësisht.
Sa më e madhe pema, aq më të mëdha rrënjët.
Në fakt, janë gjithmonë në proporcion.
Ky është ekuilibri i saj”
11. “Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën.
Ti mund të jesh krijues, vetëm nëse e do jetën mjaftueshëm, sa që të duash t’i rrisësh bukurinë, të duash të sjellësh pak më shumë muzikë, pak më shumë poezi, pak më shumë vallëzim”
12. “Miqësia është dashuria më e pastër.
Eshtë forma më e lartë e dashurisë, aty ku nuk kërkohet asgjë, nuk ka kushte, ku njeriu thjesht jep dhe e shijon”
13. “Jeta fillon aty ku merr fund frika”
14. “Hiq dorë nga ideja për t’u bërë dikushi, sepse ti je tashmë një kryevepër. Nuk mund të përmirësohesh. Vetëm duhet që ta kuptosh kush je”
15. “Duke rënë në dashuri, ti mbetesh fëmijë; duke u rritur në dashuri, ti maturohesh.
Me kalimin e kohës, dashuria bëhet jo një marrëdhënie, por një gjendje e qenies tënde.
JO se je në dashuri – ti tani je vetë dashuria”.
16. “Kurajo është një marrëdhënie dashurie me të panjohurën”
17. “Një fëmijë është një rilindje e zotit.
Ai duhet të respektohet dhe atij duhet t’i jepet çdo mundësi për t’u rritur dhe për t’u bërë jo ashtu siç do ti, por ashtu siç është potenciali i tij.”/ KultPlus.com

KOKSH: Roli i grave dhe vajzave, thelbësor në Lëvizjen Olimpike

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) uroi sot 8 marsin, duke vlerësuar të gjitha ato kampione që kanë nderuar dhe kontribuojnë për Shqipërinë në çdo arenë të botës.

“Në sport nuk ka limite, sepse fuqia për të garuar si të barabartë është suksesi më i madh”, thekson KOKSH.

“Në këtë 8 Mars nderojmë dhe respektojmë kontributin e grave, vajzave dhe motrave tona, që na e bëjnë jetën më të bukur. Respektojmë të gjitha ato kampione që kanë nderuar dhe kontribuojnë për Shqipërinë në çdo arenë të botës”, thekson KOKSH.

Për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, roli i grave dhe vajzave është thelbësor dhe shumë i rëndësishëm në çdo arritje teksa beson në fuqinë e tyre transformuese dhe shumë të guximshme në Lëvizjen Olimpike./ KultPlus.com

Si të krijosh historinë

(nga përmbledhja me tregime Kratere njerëzish)

Shkruan: Ballsor Hoxha

Ajo është duke e mbushur një gotë Coca Cola për mua. Jam ndarë me familjen, gruan dhe djalin shtatë vjeç, për shkak të një incidenti. Nuk mundem t’i takoj, por aq më shumë edhe kam urdhërndalesë nga gjyqi për t’iu afruar gruas më shumë se pesëdhjetë metra!! Nuk i kam parë qe më shumë se dy javë (megjithëse sa i përket gruas ndoshta edhe është më mirë), e djali kushedi çka është duke menduar për mua tashmë. Kam humbur dhe apartamentin ku kam jetuar tërë jetën, sakrificë e prin¬dërve, meje e kujtdo që na ka njohur, në kohë paqeje dhe sidomos në kohë lufte. Kam humbur dhe veturën, me gjithë atë që konoton ky atashim me veturën time, atë ia kisha blerë gruas dhuratë të re fringo etj. Kam humbur, aq më shumë, qytetin ku kam lindur e jetuar tërë jetën, kam humbur jo vetëm vendbanimin në të por edhe kontaktin me të e me miq e kafe ku kam ka¬luar ditët e netët. Në të vërtetë kam humbur tërë atë që kam pasur, timen, si dashuri e si përpjekje, tërë jetën time, dhe si duket, përgjithmonë. Por, ajo, e mbush gotën time me Coca Cola, po e mbush ngadalë.

Vuan nga kanceri i eshtrave. Për një kohë të shkurtë i është ngrënë, brejtur, tërë skeleti i saj. Dhe, tani, me atë rrënojë prej eshtrave që i ka mbetur, duke çaluar dhe në dhembje, qoftë edhe e shtrirë, ulur, e sidomos kur i bën punët si një amvise e përkushtuar, të tmerron. Por, nuk është tmerri aq i madh derisa e sheh duke u për¬pjekur për të bërë hapërimin më të thjeshtë; është edhe më tmerrshëm kur, si një shërbyese e vyeshme merr gotën tënde, e mbush atë dhe ta sjellë në tërë tmerrin e saj qoftë për të bërë lëvizjen më të vogël. Pastaj, po ashtu tmerr i makthshëm është kur, ajo, me grimcat e rrënojave të eshtrave të saj, që çuditërisht ende janë në funksion të trupit të saj si skelet, përgatit ushqimin për tërë ditën; pastaj dhe e shërben atë në secilin vakt; pastaj e mbledh dhe doemos edhe i lanë a pastron me kujdes të gjitha enët. Pastaj, në mes vakteve, sigurisht e gjen në tualet duke pastruar si e përçartur; pastaj e gjen duke marrë e dhënë me rrobat e shtëpisë, të të gjithëve etj.; dhe, ndoshta, kur e gjen duke tymosur ndonjë cigare, e ajo ndihet e turpëruar, për pushimin që është duke e bërë. Është, si të them, e të mos e lëndoj, amvise që të bën të tmerrohesh nga dhembja e saj; të bën të tmerro¬hesh nga dashuria e saj; por edhe të tmerrohesh nga dhembja e saj, e që në të vërtetë e shkakton tek secili prej nesh, po ashtu, duke provuar të të dojë në tërë këtë paralizë të dhembshme të saj.

Megjithatë, ajo, ende nuk e ka mbushur gotën me Coca Cola, unë jam aty pranë saj. Për një moment, ajo derisa është duke e zbrazur shishen, ndalet pak, pastaj ndalet dhe e shikon. Kushedi çka ka në mendje.
Kur e mendoj, dashuria e saj është sikur vuajtje, por jo në kuptimin romantik ndërmjet dy të dashuruarve. Është më shumë vuajtje për të mbetur! Për të qenë. Për të pasur një konfirmim. Por, pyetem, ajo ka tre fëmijë, dhe një bashkëshort, të gjithë jetët e tyre të jetueshme e të pranueshme. Nuk janë as kriminelë dhe as të gjymtë, aspak si ajo, dhe megjithatë, ka një obsesion për të mbetur!

Ajo vazhdon të mbushë gotën time me Coca Cola, vazhdon të ndalet dhe ta shikojë, ta masë, ta vëzhgojë, ta fshijë me duart e saj, derisa unë afër saj, as nuk mund të pres përfundimin e tërë këtij rituali të saj, dhe as të imagjinoj çka ka në mendje, dhe as pse po e bën këtë. Siç e thashë, kam humbur pak a shumë tërë atë që kam pasur, ndërtuar me dashuri e përpjekjen më të sinqertë, dhe në këtë, nuk kam shumë durim, por, ajo vazhdon ta mbushë dhe pastaj edhe ta kontrollojë gotën.

Ka momente kur ajo rënkon, rënkon tmerrshëm në dhembje të hatashme. Kur është tmerrësisht e përhum¬bur në sëmundjen e saj. Kur shtrihet në ndenjësen, aty mes kuzhinës dhe dhomës së ditës dhe nuk mund të lëvizë, ajo.

Ka, po ashtu, dhe ditë të tëra kur nuk mund të ngri¬het fare nga shtrati.

Megjithatë, ajo është shërbëtore e vyeshme, edhe e dashur, por, edhe besnike.

Ishte nata e parafundit e vitit që ka mbetur pas, ishim duke ngrënë drekë, bashkë dhe ajo me ne, dhe përnjë¬herë dikujt nga ne, besoj nuk është me rëndësi cilit, i duhej edhe pak kos, e ajo një ditë më herët nuk kishte mundur të zgjohej fare nga krevati, gjithashtu kishte pa¬sur tërë ditën dhembje të tmerrshme, mirëpo, kur njëri nga ne, pa rëndësi cili, kishte bërë të ditur se i duhej edhe pak kos, asnjëri nga ne nuk kishim mundur ta ndal¬nim, ishte ajo, pa një pa dy duke ardhur me tasin e kosit në dorë. Tërë familja kishim insistuar se nuk kishte pse të ngrihej, dhe se mund të shërbeheshim vetë, por ajo, me atë që e quajta tmerr, duke na tmerruar, me dashu¬rinë, apo çka do që është ky tmerr, të saj, ishte ngritur dhe kishte sjellë kosin, gjithnjë duke u përpjekur të ecte, gjithnjë duke çaluar, gjithnjë duke përjetuar dhembje të tmerrshme; detaj krejt i parëndësishëm dhe aq më shumë banal, por kur e ke në mendje kancerin e eshtrave të saj, dhembjet, rënkimet e shpeshta, ndoshta edhe moshën e saj, dhe edhe parëndësinë e këtij shërbimi të saj, e me¬gjithatë të kryer me besnikëri, kjo disi të tmerron.

Ajo tashmë ka mbushur gotën e Coca Cola për mua. Është pak përmbi gjysmë. Ndoshta, jo gjashtëdhjetë, por shtatëdhjetë për qind e gotës është e mbushur me Cola. Kur i kam thënë se doja Cola, i kisha thënë se doja shumë pak, ndoshta gjysmë gote, Cola. Por, derisa ajo është duke e pastruar me kujdes dhe besnikëri gotën të mbu¬shur sipas saj, mendoj, ajo tërë jetën e saj, ka pasur për ligj që çdo gjë që i kërkon, çdo gjë që i kërkoje, ta jepte më shumë sesa ke kërkuar në të vërtetë, pak më shumë sesa doje, që do, pak më shumë sesa të duhet.

Ajo ka edhe një problem tjetër, në tërë këtë tmerr, në tërë këtë dashuri të tmerrshme, në përpjekjet, në veshti¬rësitë e saj, në dhembjet e saj, ka edhe një tmerr shtesë. Një tmerr të egër e shpartallues. Shumë shpesh i shpër¬then një lloj çjerrjeje, britme dhe shpërthimi ndaj nesh. Që të tmerron. Është diku mes mallkimit të thellë të kob¬shëm e paralizues; tragjedie që të shpartallon e të para¬lizon. Nuk po hyj më thellë të mendoj për këtë frus¬trim e mallkim të saj, shkaktuar pikërisht nga dhembja prej kancerit të eshtrave që e ka.

Por ajo e ka kryer të veten tashmë. E ka mbushur, diku mes gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë për qind të gotës sime me Coca Cola, dhe e ka pastruar mirë. Ma jep.

“Falemnderit nënë!” i them, dhe në padurimin tim, duke krisur e i çmendur, nisem tutje.
Ajo mbetet në kuzhinë, ka punë, ka shumë punë.

Prishtinë, 2021-2023/ KultPlus.com

Kurorë e Hirtë

Poezi nga Sibel Halimi

Zgjohet, sytë e saj
ende të mjegullt nga ëndrrat
e përgjumura

Në pasqyrë lë veten
një fytyrë të njohur që e mbyll në shtëpi

Në trupin e saj vesh brezin
shtrëngon fort lëvizjen drejt vetes
ecën në heshtje, çdo hap bart peshën e së panjohurës

rrugët e qytetit janë të ngarkuara,
një siluetë që shkrihet në turmë

dora e një tjetri fshin hapësirën,
një buzëqeshje e detyruar
gati për t’u shpërbërë

duar që presin të duartrokasin
për një plotësim mungese
njeriu pa fëmijëri

Në mbrëmje, grimi hiqet
si maskë e huazuar,
lëkura, ajo kërkon një prekje lirie, një hukamë

Hijeshia e ndjek mbi çdo hap,
kurora që e mbulon, pa e pyetur trupin e saj.

Një ditë, do dalë nga shtëpia pa pasqyrë,
do veshë trupin
me fustanin e bardhë me pika t’kuqe,
ecë lirshëm pa mallkimin e shekujve
pa mburojë kohe e hapësire

Një ditë rrugës
drejt vetes
në fund të sokakut
hedh kurorën

bashkë me mëdyshjet nëse është fshehur mirë, a mos u zbulua nga vajza?!/ KultPlus.com

Lara Colturi renditet e 3-ta në Sllallomin Gjigant të Ares në Suedi

Lara Colturi, skiatorja më e re e finaleve botërore, që garon për Shqipërinë, arrin një tjetër rezultat mbresëlënës, duke u renditur e 3-ta në Sllallomin Gjigant të Ares në Suedi.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga garimi i skiatores Colturi, e cila ka zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer në këtë garë.

Përfaqësuesja e Shqipërisë, skiatorja italiane Lara Colturi u rendit në janar në vendin e dytë në Kupën e Botës në Ski.

18-vjeçarja u rendit e dyta në garën e Sllovenisë, duke shenjuar një tjetër moment historik për vendin tonë, sa i takon sportit të skive.

Në muajin shkurt në debutimin e saj në Kupën e Botës të Skive Apline, Lara Colturi ka arritur të renditet e 7-ta mes 10 më të mirave të botës.

Ndërsa në Sestriere të Italisë, në Sllallomin Gjigant, skiatorja që garon për Shqipërinë ka realizuar kohën e 6-të më të mirë të ditës./ KultPlus.com

‘Çdo grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie është shumë afër të kuptojë ato të drejtimit të një vendi’

Mund të thuhet me siguri se Margaret Thatcher ishte një nga gratë më të forta në historinë e njerëzimit.

Pa drojën e ndonjë fatkeqësie ose problemi, duke kapërcyer çdo pengesë, ajo arriti të mbetet Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar për 11 vjet, duke qenë gruaja e vetme që ka mbajtur atë pozicion aq gjatë.

Sot, po ju sjellim disa fraza të famshme dhe citate që “Zonja e Hekurt” la si pjesë të trashëgimisë së saj.

Kur një grua tregon karakter ata i thonë asaj se është e rreptë; kur një burrë tregon karakter ata e quajnë “djalë i mirë”.

Humbja? Nuk e kuptoj kuptimin e asaj fjale.

Çdo grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie është shumë afër të kuptojë ato të drejtimit të një vendi.

Mund të jetë gjeli që këndon, por është pula ajo që lëshon vezët.

Askush nuk do ta mbante mend Samaritanin e Mirë nëse ai do të kishte vetëm qëllime të mira. Ai gjithashtu kishte para.

Nëse doni të thuhet diçka, pyesni një burrë, nëse doni të bëhet, pyesni një grua.

Shtëpia duhet të jetë qendra, por jo kufiri i jetës së një gruaje.

Unë jam gjithmonë e inkurajuar jashtëzakonisht shumë nëse një sulm është veçanërisht i dëmshëm, sepse mendoj se nëse sulmoheni personalisht do të thotë që atyre nuk u mbetet më asnjë argument i vetëm politik.

Vlen të njohësh mirë armikun, ndër të tjera për shkak të mundësisë që një ditë ai të bëhet mik.

Të bësh gjithçka me zemër të hapur nuk është ideja më e mirë që mund të kesh. Zemra duhet të jetë e mbyllur, kështu që funksionon më mirë.

Nuk ka liri nëse nuk ka liri ekonomike.

90% e gjërave që na shqetësojnë nuk ndodhin kurrë.

Pasuria e një vendi nuk ndërtohet domosdoshmërisht në bazë të burimeve të tij natyrore: është e mundur të bëhet edhe nëse nuk ka asnjë. Burimi më i rëndësishëm janë njerëzit.

Shteti duhet vetëm të vendosë bazat për të lulëzuar talentet e njerëzve.

Gratë dinë të thonë “jo” shumë më mirë se burrat.

Sot, gratë kanë një det mundësish për t’u shprehur, madje disa prej nesh qeverisin vendet, por kur flasim, për nder, çantat janë më të mira për ne sesa bajonetat.

Unë zakonisht formoj mendimin tim për një burrë në 10 sekonda dhe rrallë e ndryshoj atë.

Nëse kritikët e mi do të më shihnin duke ecur përmbi ujërat e deteve ata do të thoshin se kjo ndodh për shkak se unë nuk di të notoj.

Nuk është absolutisht e nevojshme të bini dakord me bashkëbiseduesin për të gjetur një gjuhë të përbashkët me të./ KultPlus.com

8 marsi i veçantë në Drejtorinë e Burgjeve

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose uroi sot në një mënyrë të veçantë 8 marsin.

Qose u ka dhuruar lule punonjëseve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me rastin e Ditës së Gruas.

Qose gjithashtu ka cituar edhe ish-kryeministren e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher e cila shprehej se “nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër”.

Në mbarë botën sot përkujtohet 8 Marsi, “Dita Ndërkombëtare e Gruas” për të nderuar sakrificat dhe përkushtimin e të gjitha grave në familje, shoqëri, në punë dhe kudo./ KultPlus.com

Mesazhet e vajzave të FSHF, medias dhe UN Women: 8 Marsi, jo vetëm një ditë për lule, por edhe për veprime

Federata e Futbollit organizoi një miniturne futbolli në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me pjesëmarrjen e vajzave të UN Women, gazetareve sportive dhe vajzave të stafit të administratës së FSHF-së. Ky aktivitet kishte për qëllim përcjelljen e mesazheve sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për barazinë gjinore, luftën kundër dhunës dhe diskriminimit etj.

Në një prononcim për fshf.org, gazetarja sportive Vilma Masha, zyrtarja e FSHF-së Pamela Ndocaj dhe përfaqësuesja e UN Women Alba Agolli vlerësuan këtë aktivitet dhe dhanë mesazhet e tyre, duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore, fuqizimin e figurës së gruas dhe thyerjen e paragjykimeve.

Sporti u cilësua si një simbol solidariteti, ndërsa u bë thirrje për më shumë unitet mes grave për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë. Mesazhi kryesor ishte se 8 Marsi nuk është vetëm një ditë për lule, por edhe për veprime dhe ndryshim.

“Modeli i suksesit, në fakt, është shumë i rëndësishëm jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën. Besoj se media e ka bërë në një farë mënyre detyrën e saj. Ne përpiqemi çdo ditë që të promovojmë histori suksesi të njerëzve të cilët kanë ngritur lart emrin e vendit, po ashtu edhe emrin e tyre.

Duke promovuar sportin, duke promovuar vlerat e rëndësishme që ai përcjell dhe po ashtu të gjithë angazhimin dhe impenjimin për të ecur përpara, që përballë çdo vështirësie ti mund t’ia dalësh edhe pse je grua, përkundrejt paragjykimeve apo gjithçkaje tjetër. Në këtë 8 Mars do të doja që gratë të besonin më shumë te vetja, të besonin më shumë te aftësitë e tyre dhe të thyenin çdo paragjykim, aq më tepër atë mashkullor”, Vilma Masha, gazetare sportive.

“Për mua kjo ndeshje është një festë e solidaritetit të vajzave dhe grave. Nuk është thjesht një lojë, por është një mesazh i fortë që ne duam të japim dhe të themi që, të bashkuara, mund të kalojmë çdo lloj kufizimi dhe vështirësie. Pra, është mënyra jonë për të treguar që 8 Marsi nuk është vetëm një ditë për lule, por edhe për veprime dhe ndryshim”, Pamela Ndocaj, zyrtare e FSHF.

“Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, mesazhi që kemi për gratë dhe vajzat është që duhet të jemi të gjitha bashkë për të gjitha gratë dhe vajzat. Kjo ditë i dedikohet të gjithave, por duhet të jemi të gjitha bashkë në mënyrë që të kemi një shoqëri më të barabartë, me më shumë të drejta, sidomos mes burrave dhe grave”, Alba Agolli, përfaqësuese e UN Women./ KultPlus.com

”World-architects”: Tirana, një laborator rinovimi arkitektonik

Prej disa vitesh, Shqipëria ka nisur një proces ambicioz të transformimit urban, me synimin për të ripërcaktuar identitetin e saj dhe për të projektuar veten në skenën ndërkombëtare, shkruan Antonio La Gioia për *world-architects.

Ky proces i përshpejtuar pas tërmetit të 2019-ës, e ka kthyer kryeqytetin, Tiranën, në një laborator rinovimi arkitektonik, i aftë për të tërhequr investime dhe për të mbledhur arkitektë të njohur.

Disa nga zërat më të rëndësishëm në arkitekturën ndërkombëtare tashmë po lënë gjurmët e tyre në vend. MVRDV ka përfunduar rrokaqiellin ”Downtown One” dhe transformimin e Piramidës së Tiranës.

BIG – Bjarke Ingels Group fitoi konkursin për Xhaminë dhe Qendrën Islame të Tiranës si dhe për Teatrin e ri Kombëtar Shqiptar.

Valerio Olgiati është duke projektuar Qendrën Kulturore Namazgja dhe 3XN ka përfunduar ”Arena Kombëtare”, stadiumi kombëtar shqiptar.

”Tirana 2030 Riverside”, masterplani i Stefano Boeri me SON-Group, në bashkëpunim me ”Mobility In Chain”, ”Studio Laura Gatti”, ”SCE Project”, ”ESA Engineering” dhe ”Transsolar” ridizajnon një pjesë të rëndësishme të qytetit nga një këndvështrim i qëndrueshëm. Plani propozon një model të ri zhvillimi urban në përgjigje të nevojave për strehim që u ngritën pas tërmetit dhe pandemisë.

Në këtë panoramë të vrullit arkitekturor, Ricardo Bofill Taller de Arquitectura po zhvillon aktualisht tre projekte të mëdha: Kullën e Barcelonës dhe Kullën Papuli në Tiranë dhe resortin ”Red Sol” në Dhërmi, qytet bregdetar rreth 200 kilometra në jug të Tiranës.

Kulla e Barcelonës, me lartësinë e saj 190 metra, ripërcakton profilin urban të Tiranës me një gjest thjeshtësie të dukshme: një rrotullim elegant i vëllimit prizmatik rreth boshtit të saj vertikal. Kjo kthesë, e frymëzuar nga fustanella, fundi tradicional ballkanik, i jep ndërtesës një prani monumentale dhe, në të njëjtën kohë, përmirëson performancën e saj aerodinamike.

Kulla Papuli mbart kujtesën e La Fábrica, selisë ikonë të Barcelonës të Ricardo Bofill Taller de Arquitectura, ku ish-kapanonët industrialë u shndërruan në hapësira pune. Në këtë projekt të ri, vëllimet cilindrike ngrihen deri në 190 metra duke ruajtur gjurmën origjinale industriale dhe duke e riinterpretuar atë në një fasadë bashkëkohore me gjeometri të rafinuar.

Resorti ”Red Sol” në Dhërmi dialogon me disa nga projektet më emblematike të studios, si ”The Red Wall” dhe ”Walden 7”.

I vendosur në rivierën shqiptare, kompleksi është i organizuar në një rrjet të rregullt ortogonal, i cili fiton dinamizëm dhe plasticitet përmes variacionit në lartësinë e vëllimeve të tij. Në dialog me malet përreth, projekti shfaqet si një kështjellë e materialitetit të theksuar, e ankoruar në peizazh./  a.jor.

* World-Architects është një rrjet premium i bazuar në anëtarësimin e arkitektëve të përzgjedhur bashkëkohorë dhe profesionistëve të ndërtimit, që mbrojnë cilësinë në arkitekturë. I filluar në 1994 nga PSA Publishers Ltd në Zvicër, World-Architects ishte pionier i botimit në internet të arkitekturës. Sot, mbi 20 platforma kombëtare dhe rajonale online përfaqësojnë arkitektë, arkitektë të peizazhit, dizajnerë të brendshëm, inxhinierë, dizajnerë ndriçimi, prodhues dhe fotografë arkitekturë nga mbi 50 vende./ KultPlus.com

Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht: Gruaja është e paprekshme

Faik Konica qe një nga figurat më të shquara të çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar, shkruan KultPlus.

Më 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi revistën e përkohshme të quajtur “Albania”, e shkruar pjesërisht në shqipe dhe pjesërisht në frëngjisht. Më 1903 u largua nga Brukseli dhe u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik.

Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Sot KultPlus kujton një nga thëniet e tij, ku tregon pikëpamjen e shqiptarëve ndaj grave.

“Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht e të provuar në jetë: gruaja është e paprekshme. Edhe në gjakmarrjen dhe në luftërat më të egra gratë nuk janë qëlluar”, kishte thënë Konica.
Faik Konica vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar./ KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës në top 10-she nga 1 mijë e 362 universitete garuese në konkursin ndërkombëtar të Arkitekturës

Universiteti i Prishtinës është renditur në top dhjetëshen e konkursit ndërkombëtar studentor në fushën e arkitekturës dhe dizajnit ‘Inspireli Awards 2024’ mes 1,362 universiteteve nga e gjithë bota.

Fakulteti i Arkitekturës në UP me krenari ka njoftuar se UP është renditur në vendin e 10-të në renditjen e përgjithshme universitare të edicionit të 9-të të ‘Inspireli Awards 2024’.

Sipas Fakultetit të Arkitekturës, ky sukses është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të studentëve të tyre në konkurset ndërkombëtare të integruara në kurrikulat akademike të Fakultetit.

“Ky vlerësim i lartë vjen pas renditjes së Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës në Top 10, falë vendit të parë të arritur nga projekti “Sustainable Village – ECOUNITY”, i realizuar nga studentët: Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mbikëqyrjen e Prof. Asst. Rozafa Basha, në kuadër të lëndës Projektim – Banim” – njofton Fakulteti i Arkitekturës në UP, më 07.03.2025.

Këtë sukses, Fakulteti i Arkitekturës e ka shënuar me një moment të veçantë duke zhvilluar një ceremoni të dorëzimit zyrtar të certifikatës së renditjes për UP-në nga fituesi i mëparshëm i ‘Inspireli Awards’ dhe tashmë anëtar i jurisë, Lendrit Krasniqi, së bashku me konkurrentin e sivjetshëm, studentin e nivelit master Florian Shala. 

Ceremonia u zhvillua në prani të Dekanes së Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Violeta Nushi. Ky rezultat është një dëshmi e qartë e përkushtimit të studentëve tanë, punës së palodhur të stafit akademik dhe mbështetjes së komunitetit universitar. Urime të gjithëve për këtë arritje të jashtëzakonshme!” – ka shtuar Fakulteti.

Fakulteti i Arkitekturës në UP ka ndarë edhe linkun ku mund të lexohet më në detaje për projektin fitues të studentëve të tyre, të cilin mund ta gjeni KËTU./ KultPlus.com

Gruaja shqiptare sipas Mit’hat Frashërit

Mit’hat Frashëri

E dashur këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortonj, po të akuzonj pse nuk bën no një shërbim, dhe jo pse ke no një faj. Jam sigur që edhe ti e kupëton mirë se, ky popull i varfrë kurrë s’ka për të përparuarë në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin ë mëmësë, të motrësë dhe të shoqesë dhe nuk merrë piesë aktive në edukatë të fëmijërisë, në shërim të plagëvet që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit.

Roli yt sot është të vuash dhe të shohsh të tjerët të vuajnë, pa nxjerë zërin. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga kjo pasifëri, të marrësh një detyrë aktife, si me teprë e interesuarë që duhet të jesh.

Them që burri duhet të punojë, të stërvitetë, të marrë edukatë dhe arësim. Po harojmë sa kohë vdierrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm gravet të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes të math për qytetërimin dhe begatinë e këti vëndi, për shëndetësinë dhe mirëshkuarjen fizike të këti populli dhe harojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gysma që munt t’a quanj me e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizma jonë brutale, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruasë vetë që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.

A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpië dhe squka e fëmijërisë të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rritenë vetëm si kuklla? A pandehim se një çupë, një grua e ka mbushurë gjithë detyrën e saj kur të dijë të hollinj petë për lakror dhe të bëjë qofte me thërime?

Themi se palët e thella të kombit duan nxejrë nga errësiar, duanë shkulurë nga balta. Po si munt të hyjnë pakërrëzat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen të mbajmë gruanë në tym dhe në pluhur të shekëlvet të vdekurë?

Duamë që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonë prej lëngatavet, të kemi një popull të shëndoshë, një Shtet të fuqishmë dhe harojmë që rolin më të math do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjëlit, për rrojtjen e të varfrëve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë.

Duhet të kupëtojmë bukur e mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie, nukë bëhetë gjë e mundurë, por që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrinë më një shkallë inteligjence dhe kulture që të bëhenë me të vërtetë zonjë shtëpie dhe mprojtëse të folesë.

Mejtohemi qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që siell injoranca dhe përtimi; po s’duamë të gjykojmë njëherë se shpëtimi nukë munt të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk munt të na jetë e dukshme po që gruaja s’morri pjesë në të, duke diturë qeverinë e shtëpisë, duke kupëtuarë rëndësin e ikonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrësë.

Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjera. Liri e saj është e plotë në viset e vendit tënë ku s’ka hyrë pseudoqytetërimi i Asisë.

Gruaja Shqiptare është inteligjente dhe s’i mundojnë cilësitë qytetare të larta. Është vërtet se të drejtat e saj janë mohuarë. Po edhe do kujtuarë kurdoherë se, të drejtat fitohenë prej atyre që janë denjë t’i marrin, prej atyreve që dinë përdorimin e mënyrësë për t’i fituarë. Dhe më teprë akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarët.

Duhetë pra që gruaja Shqipëtare të përpiqetë dhe të rrëfehetë e denjë për të drejtatë njerëzore. Lipsetë që të bëjë forcime për t’u lartësuarë intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohurë vendin e vërtetë që i ka hie të okupojë.

Atëhere do të bindetë gruaja shqipëtare se, në ringjallje të këtij vëndi duhet të marrë pjesë, të kolaborojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë duke siguruarë jetën dhe fatin e bardhë të djemvet dhe të burravet, të kenë sigurarë dhe rrojtjenë fatmire të tyre vetë.

Atëhere, sikundrë që çdo shqipëtar sado i pasurë, i diturë dhe I lumturë të jetë e ka për detyrë që të kujdesetë për të mirët, për ata që janë fatzes, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë sado që t’i qeshnjë fati në bukuri dhe lumturi duhetë që të bëjë pakë therori nga koha dhe dëfrimet e saj , të kujdesetë për grat e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.

Rolin më të math që pres prej grave tona është përhapja e parimevet të higjienësë dhe të mirërrojtëse fizike. Burii s’vvete do në shtëpi kur një e varfërë dergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë . Një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me dorën dhe zërin e saj të njomë munt të lehtësojë plagët fizike dhe morale të shpjerë gushëllimin, të ngrerë një fëmijë afrë fikjesë, të shpëtojë një tjatrë që mënt rrëzohetë.

Ca më pak se nga burratë do të gjendetë një grua që të rrëfehet indiferete në gjallëninë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi Shtet. Ca më mirë nga burratë gratë do të dijnë, se jeta dhe lumtëri e tyre është varurë në jeta dhe lumtëri e Shqipërisë, që pa shëndoshurë të gjithë palët dhe shkallët e kësaj popullisje , vet s’munt të quhetë jashtë rrezikut./ KultPlus.com

Historia e trishtë e 8 Marsit, kur 129 gra u dogjën për së gjalli

Një legjendë shumë e famshme tregon se Festa e Gruas është vendosur si datë në vitin 1908, në kujtim të 129 punëtoreve të vdekura në zjarrin që ra në një fabrikë në Nju Jork, fabrika “Cotton”.

Në këtë kohë punëtoret kërkonin kushte më të mira pune dhe me 8 mars pronari i fabrikës bllokoi të gjitha daljet e stabilimentit, në të cilin shpërtheu zjarri dhe vrau shumë prej grave që punonin aty.

Por në të vërtetë bëhet fjalë vetëm për një rrëfenjë që lindi në vitet në vazhdim dhe u tregua sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Gruas u vendos në Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt të vitit 1909. E vendosi Partia Socialiste amerikane që atë ditë organizoi një manifestim të madh, në të cilin kërkohej e drejta e grave për të votuar.

Ky ishte një diskutim i hershëm, si në SHBA (janë të famshëm artikujt e socialistes Corinne Broën), si në Kongresin e VII Ndërkombëtar Socialsit (i mbajtur në Shtutgard në vitin 1907).

Demonstratave që kishin si qëllim votimin, shumë shpejt ju bashkuan edhe pretendime të tjera për të drejtat e grave. Nga nëntori i vitit 1908 deri në shkurt 1909 mijëra punëtore në Nju Jork hynë në grevë për ditë të tëra duke kërkuar rritjen e rrogës dhe përmirësim të kushteve të punës.

Në vitin 1910, Kongresi i VIII Ndërkombëtar Socialist propozoi për herë të parë vendosjen e një dite dedikuar grave.

Më 25 mars të vitit 1911 kupa u mbush: në fabrikën “Triangle” në Nju Jork shpërtheu një zjarr dhe 146 punonjëse (gra të reja emigrante), humbën jetën.

Mbase nga kjo ngjarje lindi edhe legjenda e fabrikës “Cotton”, shumë e ngjashme me të. Që nga ky moment manifestimet e grave u shumëfishuan. Në shumë vende, mes të cilëve edhe në Gjermani, Austri dhe Zvicër, lindi dita dedikuar grave.

Data 8 mars u shënua për herë të parë në histori si Festa e Gruas në vitin 1917, kur gratë e Shën Petërburgut dolën në shesh për të kërkuar fundin e luftës, duke i dhënë kështu jetë “Revolucionit rus të shkurtit”.

Ishte kjo ngjarje që frymëzoi delegatet e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Grave Komuniste në Moskë të vendosnin datën 8 mars si, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Në vendet fqinjë me ne, në Itali, Festa e Gruas u përkujtua në vitin 1922 me të njëjtin kuptim politik dhe social. Gjithashtu në Shqipëri, 8 marsi është festuar herë si Dita e Gruas e herë si festa e Nënës.

Më shumë ka qenë kjo e fundit që ka mbizotëruar, ndërsa vitet e fundit, më shumë se një ditë ku gratë duhet të kujtojnë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, 8 marsi është shndërruar në një manifestim femëror.

Fundja edhe kështu vlen, mjafton që të paktën një ditë në vit gratë të jenë në qendër të vëmendjes dhe të flitet për to./ KultPlus.com

Spiropali: Shoqëria shqiptare e përmbushur, kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në një mesazh me rastin e 8 Marsit u shpreh se “shoqëria shqiptare mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj, dhe të ketë hapësirën e plotë për rolin e saj krejt unik në shoqëri”.

“‘Krijimi ka një element themelor simbolik: Hyji, në zanafillë, i jep emërtesën Eva që do të thotë burim jete’. Kaq domethënëse është përmbushja me dinjitet e gruas saqë Hyji i beson burimin e krejt jetës”, tha ajo.

Përveç urimit për të gjitha gratë dhe vajzat, Spiropali kujtoi me respekt të thellë ato që nuk shpëtuan dot nga dhuna”.

“Kujtoj ato që shpëtuan por nuk u shëruan, vajzat që nuk u arsimuan sepse nuk i lejuan, ato që u shkelën dhe u shfrytëzuan, vajzat e martuara me detyrim, ato që përfliten sepse guxojnë, ato që kurrë nuk u lejuan ta shfaqin personalitetin, por edhe të gjitha ato gra dhe vajza që ia dolën duke sfiduar pengesat, ato gra të guximshme dhe inteligjente të potencialit të pakufishëm njerëzor që rri i fshehur tek vajzat e jashtëzakonshme shqiptare kudo ku janë, kudo ku vuajnë, kudo ku lodhen, kudo ku triumfojnë”, theksoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se në historinë tonë të mundimshme gratë kanë qenë shembull i jashtëzakonshëm i një feminizmi të fshehtë e pa bujë, por të denjë po aq sa ai i grave të këtij kontinenti, e botës që i përkasim.

“De Beauvoir thoshte se gratë e kuptuan rolin e tyre kur burrat ikën në luftë. Modestisht do të thoja se gratë shqiptare e kishin kuptuar këtë gjë shumë herët sepse historia i detyroi burrat e tyre përherë të luftonin e emigronin. Shoqëria shqiptare mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj, dhe të ketë hapësirën e plotë për rolin e saj krejt unik në shoqëri”, shtoi ajo.

Përveç ecjes kulturore që kërkon ky proces, Spiropali shprehu përkushtimin që në binarin politik e shtetëror, të punoj me krejt energjitë e mia në Kuvendin e Shqipërisë që ky mision të jetë i përmbushur./atsh/ KultPlus.com

Zelda Fitzgerald, një grua sfidash ngadhënjimtare, një flakë që nuk u shua dot

Nga Albert Vataj

A e shihni këtë grua? Emri i saj ishte Zelda Fitzgerald. Ajo nuk ishte thjesht një grua e epokës së saj, ajo ishte një shpërthim drite në një botë që nuk dinte si ta mbante.

Ishte e guximshme, e shndritshme dhe pa falje e lirë. Preu flokët shkurt, kërceu deri në agim dhe jetoi me një pasion që i mahniste dhe i shqetësonte ata përreth saj. Ngiste makina të shpejta, shkruante me zjarr dhe pikturonte me ngjyra që askush tjetër nuk mund t’i shihte. Ishte një grua që nuk njihte kufij, ose më saktë, nuk pranonte t’i njihte.

Pastaj, ajo u takua me F. Scott Fitzgerald. Ai u pushtua nga zjarri i saj, nga shpirti i saj i egër që e bënte të paharrueshme dhe intriguese marrëdhënien.

Ajo u bë muza e tij, frymëzimi i tij, modeli i vajzave të tij të arta në letërsi. Por me kalimin e kohës, i njëjti zjarr që e magjepsi, u bë diçka që ai donte ta kontrollonte.

Zelda nuk donte të ishte thjesht gruaja pas romaneve të tij, ajo donte të ishte një zë më vete. Dhe ajo ishte. Shkroi “Save Me the Waltz”, një histori të dhimbshme dhe të bukur, ku derdhi shpirtin e saj të paepur. Por në vend që ta mbështeste, Scott e pa si konkurrencë. E nënçmoi punën e saj, e kufizoi ëndrrën e saj dhe e pengoi të merrte vendin që i takonte në art.

Ajo luftoi tërë jetën kundër një bote që nuk ishte gati për të. E quajtën të paqëndrueshme, e mbyllën në azile dhe e nënshtuan ndaj trajtimeve që i zbehnin zjarrin, por pa mundur dot ta fikin diellin e një gruaje të gatuar me zjarr dhe dritë.

Por shpirti i një gruaje të lirë nuk mund të shuhet përgjithmonë, sepse ajo kishte lindur të meritonte përjetësinë.

Fjalët e saj, pikturat e saj, trashëgimia e saj, ato mbijetuan, linçimit dhe harresës. Dhe sot, Zelda nuk është më vetëm “gruaja e F. Scott Fitzgerald”. Ajo është një artiste, një shkrimtare, një forcë e natyrës.

Për çdo grua që i është thënë të heshtë: Mos e bëj. Vazhdoni të flisni. Vazhdoni të krijoni. Vazhdoni të jetoni sipas kushteve tuaja.

Bota u përpoq ta heshtë Zelda Fitzgerald. Por ne e kujtojmë dhe na mbrtet ta pranojmë se ajo vetëm se ju dha një zëshmërie më të gjëmimshme.

BBC: Falë gjysheve kuzhina shqiptare po rilind

Shqipëria po gjen rrënjët e saj të kuzhinës falë ndihmës së gjysheve të shefave të kuzhinës, shkruan Tristan Rutherford për BBC.

Tefta Pajenga, 76 vjeçe, është një nga kuzhinieret e shumta televizive në moshë pensioni në Shqipëri. Në emisionin e saj të gatimit në televizionin kombëtar, mësuesja në pension udhëzon një amvise më të re se si të gatuajë japrakë, një pjatë tradicionale me gjethe hardhie të mbushura me oriz dhe barishte.

Japrakë zë një vend të veçantë te shqiptarët. Zakonisht përgatitet nga familjet së bashku dhe më pas ndahet në ditët e festave të krishtera dhe myslimane në këtë vend të larmishëm fetar.

Ashtu si shumë pjata, receta vjen nga një vend tjetër, pasi emri rrjedh nga fjala turke  “gjethe”.

Megjithatë, përbërësit janë të gjithë vendas: kopër, speca dhe nenexhik nga Shqipëria Veriore.

Sot, gjyshe shqiptare si Pajenga po mësojnë breza të shumtë në një nga vendet më antike  të Evropës se si të gatuajnë pjata të vjetra. Kjo sepse kombi ballkanik ka pësuar jo një, por dy periudha amnezie kulinare gjatë 80 viteve të fundit.

Së pari, nga viti 1946 deri në vitin 1991, Shqipëria udhëhiqej nga komunistë të linjës së ashpër, të cilët në fakt e mbyllën vendin e vogël malor nga bota e jashtme, duke bërë që Edi Rama, kryeministri aktual i vendit, të thoshte se dikur ishte “Koreja e Veriut e Evropës”.

Gjatë kësaj periudhe, librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet jashtë vendit u ndaluan, ushqimi u kolektivizua dhe kishte shumë mungesa.

Së dyti, në ndërtimin e dhunshëm dhe pasojat e kolapsit të komunizmit në vitet 1990, 710 000 qytetarë – 20% e popullsisë – u larguan nga Shqipëria nga viti 1989 deri në 2001 në kërkim të punës në vende të tjera. Me kalimin e kohës, Pajenga tha se shumë prej këtyre emigrantëve harruan recetat e gjysheve të tyre teksa u përshtatën me vendet dhe kulturat e reja. Mes mungesës së ushqimit të përhapur gjatë komunizmit dhe emigrimit të mëvonshëm pas tij, në fillim të shekullit XXI, shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit kishin harruar se si të përgatisnin kuzhinën tradicionale shqiptare – me përjashtim të grave të një moshe të caktuar.

Ironikisht, Pajenga thotë se tranzicioni i Shqipërisë drejt demokracisë e komplikoi problemin.

“Në kohën e komunizmit njerëzit kishin një punë fikse nga ora 07:00 deri në orën 15:00”, kujton ajo.

“Kur erdhi demokracia, të duheshin më shumë se një punë për të ushqyer familjen”, shton Pajenga.

Prandaj, shumë prej atyre që kujtuan se si përgatiteshin gatimet tradicionale shqiptare, tani nuk kishin më kohë për t’i përgatitur ato.

Pra, kur Pajenga filloi emisionin e saj televiziv në vitin 2004, “audienca ime nuk ishte për kuzhinierët, por për amvisat” dhe gjithashtu të rinjtë “të cilët nuk kishin njohuritë ose kishin harruar të bënin kuzhinën tradicionale”.

Kultura kulinare e Shqipërisë ka reflektuar prej kohësh statusin e saj si një hap midis Lindjes dhe Perëndimit. Romakët prezantuan rrushin, ullinjtë dhe prodhimet e tjera moderne shqiptare kur pushtuan zonën në shekullin II pes. Duke filluar nga shekulli XVI, pjata si ”arnavut cigeri” (mëlçia shqiptare) u përhapën në lindje nga Shqipëria në të gjithë Perandorinë Osmane, ndërsa ”sultjashi” me siguri mbërriti në Shqipëri prej osmanëve.

Dhe pas Luftës së Dytë Botërore, pjatat e importuara si ”ajvari” (një shije e bërë nga speca të kuq të pjekur, patëllxhanë dhe erëza) migruan në jug nga Ballkani verior.

Disa ushqime autentike si mishavina (një lloj djathi i bardhë me kokrra), nuk mund të gjenden askund tjetër.

Metoda e përgatitjes së tij, në të cilën gjiza paketohet fort për tre muaj brenda yndyrës shtazore derisa të fermentohet në një djathë pikant, është përcjellë nga brezat e barinjve në Alpet Shqiptare. Pjata të tjera shekullore shqiptare përfshijnë flinë dhe byrek me mish.

Gjyste Bici, 67 vjeçe, mësoi receta shekullore me gjyshen e saj në Alpe, ku dimrat me borë ende mund t’i presin banorët për muaj të tërë.

“Edhe para komunizmit publikohej pak material, kështu që recetat kaloheshin gjithmonë nga gjyshet tek brezat e rinj”, thotë ajo.

Shumë receta shqiptare kanë rrënjë fetare. Kjo ishte e pakëndshme në komunizëm, veçanërisht pas vitit 1967, kur sundimtari autoritar Enver Hoxha ndaloi të gjitha praktikat fetare.

“Diktatura u përpoq të shkatërronte të gjitha fetë”, kujton Dallendyshe Xhahysa, një kuzhiniere amatore 91-vjeçare, e cila mësoi përmendësh recetat shqiptare nga paraardhësit e saj dhe i bëri ato gjatë sundimit gati gjysmë shekullor të vendit të sundimit komunist.

Sipas Xhahysës, “recetat e përdorura në festimet myslimane dhe të krishtera nuk do të kishin mbijetuar kurrë nëse nuk do të ishin për përpjekjet e gjysheve si unë”.

“Duhej të gatuanim gjellë speciale fshehurazi gjatë Pashkëve apo Ramazanit”, vijon Xhahysa. Një pjatë e tillë ishte hallva, përdorur tradicionalisht në ditën më të shenjtë të Ramazanit, Lailat al Kadr.

“Nëse do të gatuash hallvë për Ramazan, fqinjët të spiunonin për të marrë një bonus nga shteti”, kujton Xhahysa.

Për të mos tërhequr vëmendjen, përbërësit bliheshin javë më parë.

“Ne gatuanim hallvë me dritare të mbyllura për të kufizuar aromën e shijshme të sheqerit, arrave dhe ujit të trëndafilit”, shton ajo.

Dënimi nëse kapeshe duke përgatitur një festë fetare ishte i ashpër.

“Mund të na çonin në një kamp riedukimi për shumë muaj për të na dhënë një punë të keqe, si pastrimi i një burgu në një zonë të largët”, kujton Xhahysa, duke u dridhur.

Mungesa ekstreme e ushqimit çoi në humbjen e recetave të tjera.

“Shumë pak njerëz u lejuan të mbanin kafshë apo tokë bujqësore”, shpjegon Bici.

”Vetëm ata në zonat rurale u lejuan të punonin një parcelë 50 m2 dhe të mbanin disa pula. Ishte e ndaluar të kishe një derr apo dele. Gjithçka ishte e racionuar”, vazhdon Bici.

Pa akses të lehtë te përbërësit apo librat e gatimit, recetat shekullore si tavë krapi u harruan kryesisht për shkak të ndalimit të peshkimit privat.

Kur kufijtë e Shqipërisë u hapën në fund të viteve 1990 dhe rrjetet e saj televizive kombëtare nuk kontrolloheshin më nga shteti, shumë gjyshe filluan të përdornin televizionet për të ringjallur trashëgiminë e kuzhinës të humbur prej kohësh të kombit.

Por, ndërsa emisionet e gatimit të Bicit dhe Pajengës po ndihmonin për të ringjallur recetat tradicionale, ata po luftonin kundër një valë tjetër: fermerët në Shqipërinë rurale po emigronin në Tiranë.

“Bujqësia ende nuk është rikuperuar plotësisht nga ajo që ndodhi në dekadat pas komunizmit”, thotë Pajenga.

Bici e ka bërë si mision të saj të sigurojë që recetat tradicionale shqiptare të mos harrohen për herë të tretë. Gjyshja ka përmbledhur metoda të vjetra gatimi në një libër ”Kuzhina unike e malësive shqiptare”. Ajo gjithashtu gatuan receta malore në emisionin ”Histori Shqiptare”.

“Kam shumë kërkesa nga Instagrami për receta të vjetra”, thotë Bici.

Edhe Xhahysa, tashmë stërgjyshe, po ndan ende njohuritë e saj. Ajo filloi të gatuante me gjyshen e saj në vitet 1930 dhe kontribuoi me receta në restorantin e parë në Shqipëri ”nga ferma në pjatë”, Uka Farm, një bar verërash me bazë në Tiranë dhe agroturizëm që ka frymëzuar 100 ferma rurale në të gjithë Shqipërinë.

Receta e Xhahysës për fërgesë është një meze e njohur në Uka Farm. Specat e skuqura me gjalpë të fermës të servirura me gjizë janë një shije e së shkuarës së harruar të Shqipërisë.

Frymëzuar nga Pajenga, Bici dhe gjyshe të tjera, një event i 2018-ës në Tiranë, duke bashkuar 12 gjyshe me 12 shefa kuzhine, u bë një sensacion i menjëhershëm shqiptar, duke krijuar disa shfaqje televizive si “Gjyshet milionere”.

Veprimtaria u drejtua nga një prej shefave më të famshëm të kuzhinës shqiptare, Bledar Kola, i cili i ka kushtuar një pjesë të madhe të karrierës së tij përkrahjes së kuzhinës tradicionale shqiptare. “Ky emision nisi një shkëndijë të vogël në një zjarr të madh”, tha ai.

Pas një karriere duke punuar në restorantet më të mira të Evropës, duke përfshirë skenat në ”Le Gavroche” në Londër dhe ”Noma” në Kopenhagë, Kola u kthye në Tiranë një dekadë më parë për të prezantuar recetat e lashta shqiptare në një mënyrë më moderne në restorantin më të mirë të kryeqytetit ”Mullixhiu”.

Në mungesë të librave të gatimit, ai mori përvojë edhe nga një gjyshe shqiptare. Tani Kola po shkon një hap më tej duke hapur një restorant tradicional në Gjirokastër, një qytet i mbrojtur nga UNESCO, në jug të Shqipërisë.

Në restorantin e ardhshëm rural ”Mullixhino” (i cili pritet të hapet në fund të vitit 2025), fokusi është drejtpërdrejt te gatimet e vjetra shqiptare. “Kuzhina do të jetë e frymëzuar nga kopshti, gjithçka gatuhet në zjarr të hapur, në kuzhinë të hapur”, thotë Kola.

Recetat e restorantit janë një homazh për gjyshet shqiptare. “Kemi takuar gjyshet për kafe për të krijuar një koncept të mrekullueshëm”, thotë Kola. “Do të shërbejmë ushqime tradicionale nga jugu i Shqipërisë, të ndikuar nga gjyshet e rajonit”, shton ai.

Një almanak i ri ushqimor që përmban 7 000 përbërës, gatime dhe metoda shqiptare gatimi – shumë prej tyre të ardhura nga gjyshet – është gjithashtu në progres dhe është duke u shkruar nga vëllai i Kolës, Nikolini, së bashku me nëntë akademikë.

Nikolini beson se libri “do të rrisë ndërgjegjësimin për ushqimin shqiptar, si ajo që bëri Rene Rexhepi për gatimin danez”.

Falë gjysheve, kuzhina shqiptare më në fund po rilind./ atsh/ KultPlus.com

Mbahet marshi për 8 Mars me moton ‘Marshojmë për njana-tjetrën’

Me rastin e 8 Marsit – Ditës së Gruas, në Prishtinë është organizuar një marsh me moton “Marshojmë për njana-tjetrën”, i organizuar nga Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë”.

Marshi filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar deri tek Sheshi “Skënderbeu”.

“Marshojmë për njëra-tjetrën” ka qenë motoja e sivjetme, teksa u thirrën emrat e grave të vrara derisa marshonin.

Të pranishmit që kanë marshuar në sheshin qendror të Prishtinës kanë përcjellë mesazhe të shumta përmes pankartave që kanë mbajtur në duar.

‘Drejtësia me vonesë është padrejtësi’, ‘Sot marshojmë çdo ditë luftojmë’, ‘Trupi jem e drejta jem’ janë disa prej pankartave që po mbajnë në duar pjesëmarrëset e këtij marshi.

Kryeministri Rama uron Ditën e Gruas: Shtëpia pa grua, është pa çati

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar Ditën e Gruas.

I rrethuar nga qindra gra, Rama ua uroi të pranishmeve ditën e tyre.

Ai thotë se Partia Socialiste është sebep që sot gratë dhe vajzat kanë vend më shumë në në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.

“Shtëpia pa grua, është pa çati. Nëse sot ka shumë më tepër vend për gratë dhe për vajzat në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, por edhe në hapësirat e jetës aktive, kjo i detyrohet në radhë të parë, Partisë Socialiste të Shqipërisë”, tha ai.

`Shkrimtaret shqiptare 1954-1990`, Meliza Krasniqi promovon monografinë për gratë që lanë gjurmë në letërsinë shqipe

Me simbolikën e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit dhe 8 Marsit, Ditës së Gruas, në Institutin Albanologjik është promovuar monografia shkencore “Shkrimtare shqiptare 1954-1990” nga autorja Meliza Krasniqi, shkruan KultPlus.

Libri “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” është botim shkencor i Institutit Albanologjik, në të cilin trajtohen një numër i konsiderueshëm i shkrimtareve shqiptare që kanë lënë gjurmë artin letrar shqiptar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.

Autorja e librit, Meliza Krasniqi, në ceremoninë promovuese ka thënë se zëri letrar i grave krijuese shqiptare ka qenë frymëzim për të përmbledhur punën e saj katërvjeçare në këtë botim shkencor.

“Janë mbi 60 autore, 230 vepra të analizuara dhe të interpretuara dhe mbi të gjitha, një histori kolektive e një zëri që shpesh ka kaluar në heshtje, por që kurrë nuk ka ndaluar së shkruari. Nuk do të gënjej. Ka pasur ditë kur jam ndier e zhytur në këtë det emrash, fatesh, poezish, romanesh e dramash. Ditë kur më është dukur se këto gra ishin gjithmonë me mua duke më folur, duke më recituar e kënduar në vesh. Dhe ka qenë pikërisht ky zë i tyre që më ka frymëzuar pa pushim”, ka thënë autorja Krasniqi në fjalën e saj para një numri të madh pjesëmarrësish.

Tutje, autorja Krasniqi ka thënë se me këtë botim i cili nis me shkrimtaren e parë shqiptare, Musine Kokalari, ka kthyer sytë te gratë që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe.

“E nisa këtë udhëtim me një grua, me Musine Kokalarin, shkrimtaren e parë shqiptare. Ishte ajo që më bëri të mendoj ndryshe për mënyrën se si e kemi parë letërsinë e grave, më bëri të kuptoj se nuk mjafton ta shohim krijimtarinë e tyre si raste të veçuara”, ka thënë Krasniqi.

Libri “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” ndahet në katër pjesë. Në pjesën e parë trajtohen shkrimtaret nga Shqipëria, në pjesën e dytë shkrimtaret nga Kosova, në të tretën shkrimtaret shqiptare nga Maqedonia e Veriut, dhe në pjesën e katërt janë shkrimtaret shqiptare të Italisë.

Për veprën Shkrimtare shqiptare 1954-1990” në këtë aktivitet shkencor folën edhe profesoresha dhe krijuesja, Resmije Kryeziu, shkrimtarja Natasha Lako, dhe shkrimtari Gëzim Aliu, i cili është edhe recenesent i këtij libri shkencor.

Redaktori i monografisë, Gëzim Aliu ka thënë se autorja në këtë botim përdor të kombinuara një varg të teorive letrare për t’ju qasur teksteve, duke pasur për bazë teorinë e studimeve gjinore prej nga rrjedh edhe gjinokritika.

“Meliza Krasniqi ia ka vënë vetes mision të hulumtojë, të gjejë dhe analizojë të gjitha veprat letrare të shkruara e të botuara nga shkrimtaret shqiptare, jo vetëm në periudhën 1954-1990, si dëshmi se gruaja shqiptare është gjysma e barabartë e natyrshme e shoqërisë, e familjes, e jetës, e kulturës, edhe e letërsisë shqipe, dhe nga ajo vajza e gruaja me lak në fyt, ka arritur përgjatë dekadave të shekullit të njëzetë ta shfaqë e ta krijojë identitetin e vet kulturor përkundër shumë pengesave”, ka thënë Aliu.

Ndërkaq, Resmije Kryeziu ka thënë se kjo vepër ka vlerë për studiuesit e letërsisë pasi paraqet një shkallë kulturore që ndihmon studiuesit e letërsisë të analizojnë gjerësitë dhe thellësitë e veprës letrare.

“Nëse deri tani gruaja ka qenë vetëm një personazh, tani te kjo vepër gruan e kemi autore të një vepre,” tha Resmije Kryeziu, studiuese e letërsisë.

Kurse, Natasha Lako- një nga personazhet e monografisë ka thënë se gratë në letërsi ende nuk janë të vendosura në vendin që meritojnë.

“Është fat i madh të kem këtë libër që, më frymëzoi puna e Melizës për ta gjykuar, sepse shumë herë ne jemi mësuar me kështjellën, sepse librat janë të gjithë për figurat e mëdha historike. Janë aq të domosdoshme. Të lexuara shumë, sidomos kur ne fillojmë dhe rimësojmë historinë tonë. Atje nuk gjen gruan, ajo është brenda, si rrëkezë. Edhe sot autoret gra nuk janë të vendosura ndonjëherë në faqen e parë”, ka shkrimtarja Lako.

Libri “Shkrimtare shqiptare 1954-1990” i cili trajton letërsinë shqipe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX tashmë gjendet në dispozicion të apasionuarve të artit letrar dhe letërsisë shqipe./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë në uniformë që shërbejnë me nder, krenari e guxim

Presidentja Vjosa Osmani, ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

E para e vendit u fotografua në mesin e grave police, ku thotë se përkushtimi, profesionalizmi dhe sakrifica e tyre është shembull dhe frymëzim.

“Me gratë që mbrojnë dhe që shërbejnë, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Përkushtimi, profesionalizmi dhe sakrifica e grave police janë shembull frymëzimi për të gjithë ne. Në këtë ditë, riafirmojmë angazhimin tonë për mbështetjen dhe fuqizimin e grave në çdo sektor, veçanërisht atyre që mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për shoqërinë tonë”, ka shkruar Osmani.

“Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë në uniformë të cilat shërbejnë me nder, krenari dhe guxim!”.

Mira Murati, Dua Lipa & Rita Ora- Gratë shqiptare që po pushtojnë botën

Kush janë gratë shqiptare më me ndikim sot? Një hulumtim i ri nga dua.com tregon se audienca globale është e magjepsur nga talenti, inteligjenca dhe suksesi i tyre. Sipas kërkimeve të bazuara në të dhënat e Google, këngëtarja Dua Lipa kryeson si gruaja shqiptare më e kërkuar në mbarë botën, me 10 milionë kërkime në muaj – duke arritur në 120 milionë kërkime vjetore në vitin 2024.

Menjëherë pas saj vjen Nëna Terezë, me 89 milionë kërkime, duke dëshmuar se figurat shqiptare, si historike ashtu edhe bashkëkohore, vazhdojnë të ngjallin interes global.

Top 10-shja vazhdohet nga Rita Ora me 24 milion klikime në vit. E katërta Mira Murati me 12 milionë klikime në vit. Pastaj vijnë Bebe Rexha, Ava Max, Loradana, Enca Haxhiu, Melisa dhe Era Istrefi.

Miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1977, çdo vit, 8 Marsi festohet si Dita Ndërkombëtare e Gruas. Për atë arsye, për këtë ditë të veçantë, sot do t’i përmendim disa prej grave shqiptare që kanë vërtetuar se janë të pandalshme dhe që njihen si ambasadoret tona më të mira.

Rezultatet e këtij hulumtimi jo vetëm që vijnë në kohën perfekte – më 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas – por gjithashtu ofrojnë një këndvështrim në interesimin e njerëzve në mbarë botën për suksesin e grave shqiptare.

Është inkurajuese të shohësh që jo vetëm femrat shqiptare nga diaspora po ndikojnë në botë, por edhe femrat e vendlindjes, siç janë Era Istrefi, Loredana, e Enca Haxhiu.

Mira Murati: Shqiptarja që po udhëheq revolucionin e AI Përtej yjeve të muzikës, gratë shqiptare po bëjnë histori edhe në teknologji. Mira Murati, ish-Kryeshefe e Teknologjisë dhe CEO e OpenAI, ka pasur një rol kyç në zhvillimin e inovacioneve të AI-së, përfshirë ChatGPT. Së fundi është bërë e ditur se Mira ka hapur kompaninë e saj, Thinking Machines Lab, e cila thuhet se ka një vlerë prej 9 miliard dollarësh dhe definitivisht duket premtuese.

Me 1 milion kërkime mujore (12 milionë në vit), Murati spikat si një lidere në inteligjencën artificiale dhe një nga zërat më prominent në botën e teknologjisë, sidomos

në Amerikë. Suksesi i saj është një dëshmi e aftësisë së grave shqiptare për të sfiduar barrierat në industri të mëdha globale.

Mbretëreshat e muzikës: Dua Lipa, Rita Ora & Bebe Rexha

Artistet me origjinë shqiptare kanë pushtuar industrinë muzikore globale.

● Dua Lipa dominon listat botërore, ka fituar çmime Grammy dhe performon në skenat më të mëdha të botës. Këtë vit ajo siguroi çmimin Best Pop Act, një status i veçantë në skenën e muzikës pop.

● Rita Ora, e njohur për hitet e saj dhe aktivitetet në modë dhe film, grumbullon 24 milionë kërkime në vit.

● Bebe Rexha, një nga zërat më unikë në pop dhe dance music, që performoi edhe në Sunny Hill në Kosovë vitin e kaluar, arrin po ashtu 12 milionë kërkime vjetore.

Lista vazhdon me emra si Era Istrefi, Dafina Zeqiri dhe Elvana Gjata, të cilat vazhdojnë të tërheqin miliona fansa globalisht.

Vajzat e arta të sportit: Majlinda, Nora & Distria

Gratë shqiptare kanë bërë histori edhe në sport. Fitoret e tyre frymëzojnë brezat e rinj të sportisteve shqiptare. Sidomos në xhudo, tri kampione kanë shkëlqyer:

● Majlinda Kelmendi – fituesja e parë e medaljes së artë olimpike për Kosovën (2016), me 120,000 kërkime në vit.

● Nora Gjakova & Distria Krasniqi, që fitoi vitin e kaluar medaje të artë në Paris, të dyja kampione të shquara të xhudos, me 100,000 kërkime vjetore.

● Kosovare Asllani, futbolliste që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, me 120,000 kërkime në vit.

Influenceret, aktoret & modelet që po pushtojnë internetin

Studimi nxjerr në pah edhe ndikimin e madh të influencueseve, modeleve dhe aktoreve shqiptare:

● Eliza Dushku (Aktore) – 12 milionë kërkime në vit

● Melissa (Influencerja “Melixt”) – 12 milionë kërkime në vit

● Rina Lipa (Modele, motra e Dua Lipës) – 100,000 kërkime në vit

● Të tjera emra të njohur: Festa Qoqaj, Drenusha Latifi, Arbana Osmani, Luana Vjollca, Alketa Vejsiu dhe Kiara Tito.

Prania e tyre online po ndikon në kulturën dhe tendencat globale.

Sa janë të pasura gratë shqiptare?

Suksesi shpesh shoqërohet me pasuri, dhe studimi vë në dukje gratë shqiptare më të pasura. Në krye të kësaj liste qëndron Dua Lipa, e cila vlerësohet të ketë një pasuri prej rreth 100 milionë dollarësh. Me ndryshimet e fundit në menaxhim dhe kalimin nën drejtimin e të atit, Dukagjin Lipës, disa mediume parashikojnë se ajo mund të arrijë nivelin e miliarderëve në vitet e ardhshme.

Mirëpo ajo nuk është e vetmja. Pas saj vjen Rita Ora, me 30 milionë dollar. E pastaj renditen këngëtarja Bebe Rexha 8 milionë, modelja Emina Cunmulaj me 5 milonë dollar, dhe Ava Max, me 3 milionë dollar.

Rrugën e shtruar për sukses monetar padyshim se e ka edhe Mira Murati, pritet të shihet se si do të ec kompania e saj e re, por një gjë dihet, e ajo është se me punë dhe talentin e saj Mira Murati do jetë gjithashtu në mesin grave më të pasura shqiptare.

Heroniat e të gjitha kohërave

Historia shqiptare është e mbushur me gra që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Nga Shote Galica, që luftoi për lirinë e vendit, tek Nëna Terezë, që iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve, gratë shqiptare kanë qenë gjithmonë shtylla të forta të shoqërisë. Në ditët e sotme, gratë si Atifete Jahjaga dhe Vjosa Osmani, presidentet e para femra të Kosovës, vazhdojnë të frymëzojnë brezat e rinj me lidershipin dhe vizionin e tyre. Lista e grave shqiptare që bëjnë punë inspiruese dhe që janë model për vajzat e reja po rritet çdo ditë dhe ky është lajm jashtzakonisht i mirë për gjeneratat e reja.

Rreth hulumtimit

Ky studim është realizuar nga platforma dua.com, që gjithmonë synon të promovojë vlerat shqiptare, duke përdorur të dhëna nga Google Ads e duke analizuar volumin e kërkimeve globale mujore dhe vjetore për gratë më të famshme shqiptare në industri të ndryshme. / KultPlus.com

Në Ditën e Gruas, Posta e Kosovës nderon me pullë postare figurën e Nekibe Kelmendit

Me rastin e shënimit të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Filatelia e Postës së Kosovës përmes pullës postare ka nderuar figurën e veprimtares së shquar për të drejtat e njeriut dhe ish-ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.

Nekibe Kelmendi (1944–2011) ishte një juriste dhe politikane e përkushtuar, e cila gjithë jetën e saj ia kushtoi mbrojtjes së të drejtave të njeriut. E njohur si një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtjen e viktimave të dhunës, ajo la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

Pas luftës, si Ministre e Drejtësisë, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke punuar pa u lodhur për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve.

Në vitin 1999, përjetoi njërën nga tragjeditë më të rënda familjare, kur forcat serbe rrëmbyen dhe ekzekutuan bashkëshortin dhe dy djemtë e saj. Megjithatë, ajo e shndërroi dhembjen në forcë, duke vazhduar me përkushtim të palëkundur mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.

Jeta dhe vepra e Nekibe Kelmendit mbeten një frymëzim për brezat e rinj, si një simbol i forcës, guximit dhe përkushtimit për drejtësi.

“Ky emision përbëhet nga pulla postare me nominale €1.30, si dhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërkaq në dispozicion të qytetarëve do të jetë nga sot deri në konsum të plotë”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës./ KultPlus.com

Ben Blushi vjen me botimin e ri ‘Unknown Albanians’! Libri me fotografi pasqyron jetën e thjeshtë të shqiptarëve të zakonshëm

Shkrimtari Ben Blushi ka ndarë lajmin për botimin e librit të tij të ri, titulluar Unknown Albanians (Shqiptarët e Panjohur), një album fotografik që do të promovohet në fund të këtij muaji. Ky botim pasqyron pasionin e Blushit për fotografinë, një pasion që e ka çuar në shumë vende të Shqipërisë për të takuar dhe fotografuar shumë njerëz.

Libri është një akt mirënjohjeje për këta njerëz, të cilët kanë ndihmuar shkrimtarin të zhvillojë aftësitë e tij fotografike. Ata janë personifikimi i Shqipërisë autentike dhe janë të përfshirë në këtë album me 69 fotografi, ku pasqyrohet jeta e tyre e thjeshtë e përditshme. Blushi ka zgjedhur të titullojë librin në anglisht për të mundësuar që këta njerëz, të cilët përfaqësojnë Shqipërinë e vërtetë, të njihet edhe nga vizitorët e huaj që vijnë në Shqipëri.

Në këtë album, janë përfshirë portretet e shqiptarëve që nuk janë të pranishëm në media, nuk janë pjesë e debateve të ditës dhe jetojnë jetën e tyre me thjeshtësi dhe modesti. Disa nga këta njerëz vishen thjesht, nuk kërkojnë asgjë në këmbim dhe nuk bëjnë zhurmë në jetën e të tjerëve. Titulli i librit, Unknoën Albanians, i referohet këtyre njerëzve të panjohur që shpesh janë të padukshëm, por që në realitet janë ata që përfaqësojnë jetën e vërtetë të Shqipërisë.

Libri do të jetë i disponueshëm në libraritë e Tiranës pas datës 25 mars dhe ata që janë të interesuar për një kopje mund t’i drejtohen autorit për të marrë një të tillë. Ky album është një nderim për ata që jetojnë larg vëmendjes së kameras dhe që e bëjnë Shqipërinë të veçantë me jetën e tyre të thjeshtë dhe të sinqertë./balkanweb/ KultPlus.com