Më 16 maj mbahet ankandi i Letrave me Vlerë

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se më 16 maj 2022 do të mbahet ankandi i pestë për vitin 2022. Në këtë ankand, do të emetohen Obligacione me maturitet 3 vjeçar në shumën prej 30 milionë euro.

“Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Publik, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (3 vite) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi. Për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ju lutem kontaktoni ndonjërën nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

243 mijë dollarë për një veshje të Amy Winehouse

Një fustan i veshur nga Amy Winehouse gjatë performancës së saj të fundit në skenë u shit për mbi 243 000 dollarë në ankandin e pasurive të këngëtares së ndjerë.

Shitja mblodhi më shumë se katër milionë dollarë nga mbi 800 artikuj, duke përfshirë veshje, shënime të shkruara me dorë dhe aksesorë që janë bërë elementë kryesorë të imazhit të saj.

Një fustan i shkurtër, i ideuar nga stilistja Naomi Parry dhe i veshur gjatë performancës më të fundit të Winehouse u shit për 243 000 dollarë, 16 herë më shumë se vlerësimi fillestar.

Këngëtarja u shfaq me një fustan me stampa bambuje dhe lulesh në Beograd në qershor të vitit 2011, një muaj para vdekjes së saj në moshën 27-vjeçare.

Ndër shitjet e ankandit ishte edhe çanta e markës ”Moschino” në formë zemre në lëkurë të kuqe që Winehouse solli në Brit Awards 2007, natën që ajo fitoi çmimin ”British Female Artist” u shit për fitoi 204 800 dollarë, 13 herë më shumë se vlerësimi para ankandit.

Po ashtu një fustan ”Dolce & Gabbana” me një flakë të artë kushtoi 150 000 dollarë, 30 herë më shumë se çmimi udhëzues.

Një kostum i zi ”Temperley London” i veshur për performancën e saj në ditëlindjen e 90-të të Nelson Mandelës solli më shumë se 121 000 dollarë, ku vlerësimi fillestar ishte 1 000 dollarë, ndërsa këpucët ”Christian Louboutin”, të veshura gjatë të njëjtës performancë, u shitën për 38 400 dollarë, pra 64 herë më shumë se vlerësimi. / KultPlus.com

Piktura e sulltaneshës Hyrem shitet për çmim rekord

Një pikturë e rrallë e Sulltaneshës Hürrem, e njohur në Perëndim si Roxelana, gruaja e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, u shit në një ankand në Londër për 126.000 sterlina.

Kjo shitje erdhi si pjesë e një ankandi nga “Sotheby’s”, një nga ndërmjetësit më të mëdhenj në botë të arteve të bukura dhe dekorative, bizhuterive dhe koleksioneve, të quajtur “Artet e Botës Islame dhe Indisë”.

Piktura në vaj daton nga fundi i shekullit të 16-të dhe fillimi i shekullit të 17-të.

Në ankand, vepra kishte çmimin fillestar prej 70.000 sterlina, ndërsa pastaj mori një çmim prej 100.000 sterlina. Blerësi do të paguajë 126 mijë sterlina për pikturën, përfshirë komisionin.

Me origjinë nga ajo që tani është Ukraina perëndimore, Roxelana hyri në haremin e Sulltan Sulejmanit dhe shpejt u bë e preferuara e tij.

Ajo ishte një sponsor i madh i arkitekturës dhe fondacioneve bamirëse, përfshirë edhe ato në Kuds.

Sulejmani i Madhërishëm, i njohur gjithashtu si Kanuni (Ligjdhënës), është sulltani osman që ka qëndruar më gjatë në fron, për 46 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 1566. / KultPlus.com

Piktura e L.S. Lowry, do të dalë për herë të parë në ankand muajin e ardhshëm

Piktura e vetme nga L.S. Lowry që përshkruan një dhomë ankandi do të dalë në ankand në Sotheby’s muajin e ardhshëm me një vlerë deri në 1.8 milion funta.

Piktura ‘Ankandi’ e vitit 1958, nuk është ofruar në asnjë ankand më parë dhe është blerë nga pronarët e tij aktualë më shumë se dy dekada më parë, transmeton KulPlus.

Piktura e artistit të lindur në Stretford u ekspozua për herë të parë në Galerinë e Arteve në Mançester në vitin 1959 si pjesë e një ekspozite retrospektive.

Ajo është shfaqur gjithashtu në Akademinë Mbretërore të Artit në Londër në vitin 1976 dhe u ekspozua për herë të fundit në AMNUA në Kinë në 2014.

E populluar me një mori personazhesh, duke përfshirë një qen me plumb, piktura përshkruan një dhomë të madhe ankandi me udhëheqësin e ankandit në krye, që është gati për ta hedhur çekiqin poshtë./KultPlus.com

 Ian West/PA

Një vizatim i një ariu nga Leonardo da Vinçi pritet të arrijë deri në 12 milionë dollarë në ankand

Vizatimi, i titulluar “Head of a Bear” (Koka e një ariu) do të shitet në Londër nga shtëpia e ankandeve Christie’s. Vizatimi do të shfaqet në New York dhe Hong Kong përpara se të dalë në ankad dhe pritet të arrijë shifrën 12 milionë dollarë, sipas shtëpisë së ankandit, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

“Koka e një ariu” ka përmasa 7 cm me 7 cm dhe është vizatuar në një letër të zbehtë rozë në bezhë. Më parë është shfaqur në muze duke përfshirë Galerinë Kombëtare në Londër, ku u shfaq në vitin 2011 dhe vitin 2012 si pjesë e një ekspozite për Da Vinçin.

Sot, shitja mund të tejkalojë rekordin e mëparshëm të vendosur për një vizatim nga artisti.

Vizatimi daton nga vitet 1480 dhe kjo vepër e artit është pjesë e një koleksioni të vizatimeve të kafshëve në shkallë të vogël të artistit.

Ben Hall, kryetari i vjetër i pikturave në Christie’s New York, e përshkroi vizatimin si “një nga veprat më të rëndësishme nga Rilindja”. Ai tha: “Vepra është zotëruar nga disa prej koleksionistëve më të dalluar në fushën e mjeshtrave të vjetër përgjatë shumë shekujve, jo vetëm nga pronari aktual i cili e ka në pronësi që nga viti 2008.”

Kurse, Laetitia Masson, një eksperte në vizatimet e vjetra master në Christie’s, tha se argjendi është një “teknikë shumë e vështirë, sepse nuk pranon asnjë gabim”.

Ka shumë aftësi në metodë pasi vizatimi arrihet me një shkop argjendi që aplikohet në një letër të përgatitur posaçërisht për të lënë shenja dhe vija.

Ajo shtoi që da Vinci ishte “magjepsur nga natyra dhe kafshët në përgjithësi”.

Piktori dhe koleksionisti britanik Sir Thomas Lawrence më parë zotëronte pjesën e veçantë. / KultPlus.com

Kryevepra e artit francez shitet për shifrën marramendëse

Një pikturë e cila ndodhej në një famlije franceze, u zbulua se është një nga kryeveprat më të rëndësishme të artit francez dhe u shit të dielën për një shifër marramendëse.

Bëhet fjalë për pikturën e quajtur “Filozofi lexues” nga mjeshtri francez, Jean-Honoré Fragonard, e pikturuar rreth vitit 1768, e cila u shit për 7 milionë euro, transmeton KultPlus.

Piktura u zbulua rastësisht nga një ekspert ankandesh që duhet të vlerësonte sendet e një apartamenti në qytetin e Eparnay dhe familja as nuk e kishte renditur të sendet me vlerë. Por dyshimet e profesionistit rezultuan fatlume dhe analiza specifike zyrtarizoi zbulimin e madh.

Fragonard cilësohet si nga mjeshtrit e stilit Rococo dhe veprat  e tij më të njohura, ndodhen në muzetë më të njohur të botës.

Kjo vepër është nga veprat e fundit të piktorit, dhe tregon periudhën më meditative edhe pse “energjia e penelit të tij është njëjta”, sipas kritikëve. / KultPlus.com

Tabloja e David Bowie shitet me çmim marramendës në ankand

Një tablo e pikturuar nga këngëtari britanik David Bowie, blerë për pesë dollarë nga një individ në një dyqan bamirësie, u shit për 108 120 dollarë kanadezë (73 600 euro) gjatë një ankandi në internet, bëri të ditur shtëpia kanadeze e ankandeve.

Vlerësuar rreth 9 000 12 000 dollarë kanadezë (6 127-8 169 euro), kjo tablo 20×25 centimetra që shfaq në një sfond të kuq dhe blu një portret profili me linja që mungojnë u kontestua nga 12 ofertues aktivë, sipas Rob Cowley, president i shtëpisë së ankandit, me qendër në Toronto, transmeton KultPlus.

Shitur për herë të parë në vitin 2001 në një faqe interneti kushtuar këngëtarit britanik, piktura me titull “DHead XLVI” përfundoi në një dyqan bamirësie në Ontario, ku një individ e bleu atë për shumën prej pesë dollarësh kanadezë (3,40 euro).

Ishte ky blerës i lumtur që më pas kontaktoi me shtëpinë e ankandit.

“Vepra ishte pikturuar në vitet 1995-1997 në kuadër të një serie portretesh nga David Bowie (quajtur Dead Heads ou DHeads)”, që përfaqësonte vetë artistin apo të afërmit, theksoi Rob Cowley para shitjes.

Ajo u nënshkrua dhe daton në vitin 1997.

Tabloja u ble nga një koleksionues amerikan për shumën prej 108 120 dollarë kanadezë, me taksat e përfshira, sipas Cowley, i cili theksoi se pronari origjinal ishte i kënaqur dhe i tronditur me rezultatin përfundimtar.

Kameleoni i rokut, David Bowie ka shitur gati 140 milionë albume gjatë karrierës së tij.

Një tregtar vizionar i të gjitha tregtive, ai ka pasur një ndikim të padiskutueshëm në botën e muzikës, kinemasë, modës dhe artit. / KultPlus.com

Hidhen në ankand flokët e Kurt Cobain, të prera në vitin 1989

Kitara e Eric Clapton, Eddie Van Helen dhe Aerosmith-it, kujtimet e nënshkruara nga grupi ”The Beatles” dhe disa fije të flokëve të artistit të madh Kurt Cobain, janë vetëm disa nga gjërat që do të shiten në një ankand online të muzikës Rock, përcjell KultPlus.

Gjashtë fije floku të ikonës së rokut, vokalistiti të “Nirvanas”, do të jenë pjesë e ankandit, e po ashtu një kitarë e rrallë e grupit e cila është e nënshkruar.

Flokët e Cobain-it të cilat ishin prerë nga një shok i tij në vitin 1989, do të shiten duke nisur nga një ofertë minimale prej 2.500 dollarësh.

Një kitarë të cilën Cobain e kishte përdorur gjatë një paraqitjeje “Unplugged” për MTV-në, ishte shitur më parë për 6 milionë dollarë.

Ndërkaq, ankandi do të mbyllet të shtunën, më 15 maj, derisa një pjesë e të ardhurave që do të sjellë ai, do t’i ndahen një fondi që ndihmon muzikën. / KultPlus.com

Gjërat e astronautit Armstrong shiten për 7.5 milionë dollarë

Gjërat personale të astronautit të njohur Neil Armstrong, njeriu i parë që shkeli në Hënë, u shitën në një ankand për 7.5 milionë dollarë.

Shtëpia e ankandit Heritage në Dallas njoftoi se me çmimin më të lartë prej 468,000 dollarësh, u shit shenja e identifikimit të Armstrongut nga moduli hënor Apolo 11.

Një pjesë e helikës dhe një pjesë e krahut të aeroplanit të vëllezërve Wright u shit për 275,000 dollarë, raporton AP, transmeton kd.

Veshja e Armstrongut që barti në misionin e vitit 1966 u shit për 109.375 dollarë.

Përveç kësaj, në një ankand të veçantë, helmeta e artë e John Glennit, amerikani i parë që fluturoi jashtë Tokës, u shit për 46,250 dollarë./ KultPlus.com