”Festa dell’Anatra”, festivali i traditës së kulinarisë arbëreshe

“Festa dell’Anatra” është një nga aktivitetet më të rëndësishme tradicionale që mbahet çdo shtator tek Arbëreshët e Pievetta-s dhe Bosco Tosca-s. Kryefjala e këtij aktiviteti të përvitshëm janë traditat gastronomike të përcjella ndër shekuj.

Në këtë festival flijohen rreth 500 rosa dhe pata, të cilat serviren me pjatën simbolike të përbërë nga orizi dhe mielli i përzier me mish të pjekur.

Pjesë e këtij aktiviteti në vitet e shkuara janë bërë me qindra e mijëra qytetarë arbëreshë, por dhe italianë, të cilët shijojnë gatimet tradicionale.

Festa përmbyllet me një pjatë tjetër, të marrë po nga traditat e lashta shqiptare, që quhet “Torta con l’Afari”, një pastë e vogël e përbërë nga drithëra të varfëra të ngjashme me grurin, elbin dhe me çokollatë. / KultPlus.com

Sot 532 vjetori i themelimit të ‘Horës Arbëreshe’

Sot shënohet dita e themelimit të ngulimit arbëresh në Siçili, “Piana degli Albanesi” ose siç thuhet në arbërisht “Hora e Arbëreshëvet”.

Kjo komunë u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh nga viset shqiptare, kryesisht nga Himara, të cilët e braktisën vendlindjen për shkak të luftës. Në kërkim të lirisë, ata u vendosën përtej detit Adriatik, në Itali.

Çdo 30 gusht përkujtohet si një ngjarje e shënuar për këtë komunitet. Festimet e parashikuara për t’u zhvilluar sot, sipas njoftimit zyrtar në faqen e komunës “Piana degli Albanesi”, janë shtyrë për muajin nëntor, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë dhe duke vlerësuar shëndetin si elementin parësor të qytetarëve.

Sipas kryetarit të kësaj komune, Z. Rosario Petta, festimet e sotme do të kufizohen vetëm në liturgjinë hyjnore të së dielës, ndërsa në fund të muajit nëntor 2020 pritet të mbahen manifestime me rastin e 532-vjetorit të themelimit të kësaj vatre shqiptare në Itali. / KultPlus.com

Kultura arbëreshe pjesë e guidave turistike italiane

Në udhëzuesin e ri të Komunës së Civita-s, për promovimin turistik të saj, zënë vend të rëndësishëm elementet e kulturës materiale dhe jomateriale arbëreshe, të cilat u ofrohen turistëve si asete me vlera të veçanta.

Ky botim i ri informues, që drejtohet nga kryetari i komunës Alessandro Tocci, është realizuar në kuadër të projektit:

“Të kujtojme të shkuarën për një të ardhme më të mirë”. Civita që ndryshe quhet edhe “vendi i shkëmbinjve”, në udhët drejt bukurive natyrore të tij ka shumë qetësi, që imponohet edhe nga “heshtja e gurëve antikë”, ka potenciale të mëdha turistike që lidhen me historinë, vlerat artistike dhe me traditat, zakonet, ngjyrat, gatimet, mëyrën e jetesës së banorëve të tij arbëreshë, transmeton KultPlus.

Vitet e fundit kjo zonë ka patur shumë vizitorë, dhe në udhëzuesin e ri janë përfshirë intinerare të shumta turistike, fakte historike, kalendari i festave popullore, emërtimet e traditës fetare, e deri tek veçoritë e ushqimit dhe verës. Historia e komunitetit arbëresh që e popullon zonën, u “flet” vizitorëve edhe nëpërmjet arkitekturës karakteristike të shtëpive prej guri, të cilat krijojnë një stil të fortë mesjetar.

Shtatë nga këta banesa njihen me emrin “Case Kodra” (shtëpitë Kodra), të ashtuquajtura në kujtim të artistit shqiptar Ibrahim Kodra, i cili i përfshiu në punimet e tij artistike në disa tablo të njohura. / KultPlus.com