“Përmes lentes të leximit”, ekspozitë fotografike mbi magjinë e leximit

“Përmes lentes të leximit” është një ekspozitë fotografike, e cila synon të sjellë në vëmendje rëndësinë e leximit për brezin e ri përmes lenteve të aparatit fotografik.

Fotografitë janë letra artistike të printuara bardh e zi në përmasa të ndryshme. Fotografi Dauti prezanton magjinë e të lexuarit përmes objektivit të aparatit të tij. Protagonistët janë njerëz të zakonshëm të cilët bashkohen në një proces të përbashkët, atë të leximit, të vjetër sa vetë koha. Çdo individ e përjeton procesin në mënyrë unike duke u lidhur me pjesët më intime të shpirtit të tij.

Në një kohë kur të rinjtë, përveç teksteve shkollore, janë kryesisht të fokusuar te pajisjet elektronike, kjo ekspozitë vjen si një ftesë për të sfiduar trendet e momentit dhe për t’u rikthyer te leximi i librave.

Një event kulturor ku kombinohen forma të shumta arti si fotografia, muzika, leximi i poezive nga Ema Andrea, librat në rafte dhe ekspozita virtuale për ata që do ta ndjekin virtualisht.

Ky event kulturor synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e leximit tek të rinjtë dhe përfshirjen e tyre aktive në aktivitete kulturore që lënë gjurmë dhe gjenerojnë angazhim dhe veprim në shoqëri.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në datat 26-27 nëntor në ambientet e shtëpisë muze “Ismail Kadare” dhe Qendrës Kulturore “Tulla”.

Fotografitë e ekspozitës janë përzgjedhur pa kohë dhe pa fytyrë për të treguar se leximi është njëkohësisht një zakon sa i vjetër dhe aktual. Ato përfaqësojnë virtytin e leximit si një proces që lejon kontaktin me pjesën më të pastër të shpirtit. Në ekspozitë, fotografitë ndryshojnë në ide dhe mesazhe. Çdo vizitor mund të gjejë diçka për të nxitur një emocion. /atsh /KultPlus.com

BKK kremton 78 vjetorin e saj dhe një vit tjetër të suksesshëm përmes katër faktorëve vendimtarë

Uranik Emini

Kur bëhet fjalë për t’u dhënë njerëzve material të besueshëm, bibliotekat janë thelbësore. Ato mbështesin dhe stimulojnë marrjen e informacionit përmes të mësuarit. Ka shumë libra që mund të lexojnë dhe të zgjerojnë njohuritë e tyre. Për më tepër, shumëllojshmëria është aq e gjerë sa shumica e njerëzve gjejnë atë që kërkojnë dhe një vend që zakonisht ngjall kujtime të këndshme është biblioteka. Ndërkaq, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka shënuar sot 78-vjetorin e themelimit, duke shënuar një vit të veçantë dhe me shumë përmirësime në fushën e bibliotekave të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës ka vazhduar që të dhurojë përkrahje të madhe për BKK-në, derisa veprimtarinë e sotme e bëjnë të veçantë katër faktorë kyç.

Duke filluar nga akti i nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet BBK-së dhe organizatës “FLOSK”, që ofron bashkëpunim për dixhitalizimin e fondeve të BKK-së. Më pas, duke shënuar edhe ditën kombëtare të vetëdijesimit të bibliotekave që vjen prej programit Erasmus+, veprimtari që organizohet bashkë që nga viti 2017 mes Bibliotekës dhe Universitetit të Prishtinës.

Në këtë ditë, gjithashtu është bërë edhe akti nismëtar i pranimit të kodit të librave të ndërmarrjes botuese “Rilindja” në BKK nga drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Si çështje e fundit është përfshirë edhe dhënia e mirënjohjeve për njerëzit që kontribuuan në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajrakut e mori fjalën, duke treguar rrugëtimin e BKK-së ndër vite dhe përpjekjet e tyre për të përmirësuar këtë fushë.

“Sot ne po kremtojmë 78 vjetorin e themelimit të Bibliotekës në një kremtim dhe aktivitet të veçantë së bashku me MKRS-në dhe Rektoratin e UP-së. Biblioteka ka një datë që është e njohur si datë e themelimit të saj, pikërisht nëntori i vitit 1944 kur nis punën në Prizren me një koleksion të vogël të librave dhe më pas vijon të bëjë jetën e saj duke u rritur e zhvilluar gjatë 78 vjetëve të historisë, në një fond bibliotekar që tashmë ka  biblioteka dhe këto koleksione që po pasurohen e që janë pjesë e trashëgimisë 78 vjeçare është dashur shumë punë e kujdes i të gjitha gjeneratave. Ne po mundohemi të bëjmë atë që është në mandatin e BKK-së, që është i gjerë dhe që është përfshirës në fushën e zhvillimit bibliotekar, mbledhjes dhe ruajtjes së trashëgimisë nder shkrimore, të shtypur, botuese dhe asaj gojore në ngritjen e cilësisë së shërbimeve”, thotë ai.

Tutje, Gajraku gjithashtu shton se gjatë këtij viti BKK-ja është pasuruar me 2439 tituj të rinj.

“Në kuadër të punës praktike dhe zhvillimit të koleksionit, biblioteka gjatë këtij viti përmes politikave të blerjes, ekzemplarëve të detyrueshëm dhe dhuratës është pasuruar me 2439 tituj apo 8381 ekzemplarë. BKK ka pasuruar gjatë këtij viti 9 biblioteka shkollore me 1518 tituj”.

Mes tjerash, gjatë fjalimit të tij drejtori i BKK-së, njoftoi se do të verifikohen të gjitha dëmet që janë bërë kësaj biblioteke në ekzemplarët e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Me vendim të qeverisë së Kosovës, për dokumentimin dhe vlerësimin e dëmeve të trashëgimisë kulturore të shkaktuara nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit, BKK e cila gjatë viteve 90-ta ka pasur humbje të mëdha të fondit të saj është duke e verifikuar të  gjitha librat fizikë të reporterit dhe do të nxjerrë statistika dhe koleksione. Verifikimit do t’i nënshtrohen të gjitha librat dhe së shpejti do të kemi një raport të detajuar me të gjitha dëmet që janë shkaktuar”, thotë drejtori, duke përshëndetur të pranishmit dhe duke i uruar 78 vjetorin.

Për një fjalë rasti u ftua edhe Feim Hoxha, zëvendësues i Sekretariatit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Kam kënaqësinë sot në përvjetorin e kësaj sot në këtë përvjetor të Bibliotekës që në emër të Ministrit Hajrulla Çeku të ju përshëndes dhe të ju them se asnjëherë nuk ka qenë më i madh përkushtimit për të ndihmuar bibliotekat e në këtë rast në mënyrë të veçantë BKK-në. Kjo datë është përkushtimi për të krijuar bashkë dhe për të ri konfirmuar rolin e Bibliotekave në vendin tonë, të ndërtuar mbi themelet që nga vitet 1944. Në mbështetjen që ajo merr në përmbushjen e misionit të saj, si institucioni bibliotekar qendror në Kosovë dhe si qendër e inovacionit bibliotekar në nivel kombëtar”.

Hoxha thotë se biblioteka, apo përkatësisht informacioni është një faktor vendimtar në zhvillimin kombëtar të vendit.

”Derisa vazhdon të mbizotëron pikëpamja se bibliotekat janë jo më tepër se depozitarë e librit të së kaluarës, duhet të thuhet zëshëm për rolin thelbësor të bibliotekës si institucion arsimor, edukativ e kulturor. Biblioteka, përkatësisht informacion është një faktor vendimtar në zhvillimin kombëtar. Në shekullin e XIX, institucionet udhëheqëse duhet ta njohin këtë faktor dhe të ndihmojnë në ofrimin e kushteve të duhura për zhvillim të mëtejshëm”.

Ai gjithashtu tregon se BKK së shpejti do të rinovohet, derisa tanimë janë në fazën e hartimit të projektit për renovim.

“Qeveria e Kosovës, ashtu siç edhe ka përkrahur shumë projekte për bibliotekën e kulturën në përgjithësi, do të vazhdojë që të përkrahë zhvillimin e bibliotekave. Tanimë jemi në fazën e vlerësimit të ofertave për hartimin projektit të renovimit të tërësishëm të objektit të BKK-së, i cili do t’i paraprijë pastaj fazës së renovimit. Ne konsiderojmë se me renovimin e tërësishëm të BKK-së, do të krijohen kushtet adekuate për stafin e bibliotekës dhe gjithashtu do të kemi një ambient adekuat në standarde ndërkombëtare për ruajtjen e materialeve bibliotekare”, tha ai.

Qerim Qerimi në fjalimin e tij të parë si rektor i Universitetit të Prishtinës, u shpreh i lumtur që biblioteka vazhdon të jetë burim ekzistencial i dijës.

“Jam i privilegjuar që kam mundësinë që t’ju drejtohem në një ditë kaq emblematike për librin siç është Dita e Bibliotekës dhe njëkohësisht dita kombëtare e vetëdijesimit për bibliotekave në Kosovë. Këto dy ngjarje të çmueshme për institucionin e librit. Dita e sotme paraqet fjalimin tim të parë në cilësinë e rektorit të UP-së dhe nuk do të mund të gjeja një moment më të mirë për një fjalë të parë zyrtare se sa një ditë sikurse që është kjo. Biblioteka është burim ekzistencial i dijës, kjo mbetet e vlefshme edhe në kohën kur biblioteka po transformohet në drejtime të ndryshme, sidomos në terma digjitale”.

Qerimi thotë se biblioteka mbetet vend i pazëvendësueshëm për studentët dhe studiuesit e Kosovës.

“Sigurisht ajo nuk është vetëm një institucion ku takohen njerëzit, por është kulturë dhe kujdestare e rëndësishme kombëtare, institucionale etj. Biblioteka mbetet vend i pazëvendësueshëm për studentët dhe studiuesit tanë. Vetëdijesimi për rëndësinë e bibliotekës duhet të vazhdojë të rritet. Universiteti i Prishtinës për të gjashtin vit me radhë po e promovon ngritjen e vetëdijes për bibliotekat në Kosovë. Jemi duke punuar së bashku me partnerët tanë nga vende të ndryshme që të rrisim cilësinë e shërbimeve në bibliotekat universitare duke synuar modernizimin e tyre përmes zhvillimit të personelit dhe reformimit të shërbimeve që ofrohen”.

Rektori bëri thirrje që të mbrohet prona intelektuale (dokumentet, librat dhe të gjitha koleksionet që janë trashëguar) dhe t’i përdorin ato në mënyrat që lartësojnë vlerën e kërkimit dhe cilësinë e mësimit. “Nëse nuk të pëlqen të lexosh, ti nuk e ke gjetur librin e duhur”, prandaj mos ndaloni së kërkuari atë. Ju dëshiroj suksese të përzemërta në realizimin e aspiratave tuaja, sidomos ato që lidhen me librin”, përfundoi ai.

Arben Limani në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, njoftoi më tepër rreth aktit nismëtar të fondit të librave të Ndërmarrjes Botuese “Rilindja” në BKK.

“Nuk është e zakonshme që drejtori i t’i drejtohet ndonjë evenimenti të tillë por jam shumë i lumtur që në rastin e shënimit të Ditës së Bibliotekës të ju njoftoj se bordi i drejtorëve të AKP-së si administratorë të ndërmarrjes shoqërore të shtëpisë botuese “Rilindja” pas kërkesës së BKK-së dhe me qëllim të kontributit në përmirësimin e gjendjes së bibliotekave të Kosovës të dhurojë një fond të caktuar, konkretisht rreth 430 pako të librave shkollorë. E gjithë kjo për t’iu dalë në ndihmë sado pak në pasurimin e fondit të librave dhe shtimin e koleksionit të BKK-së, si dhe duke ditur se ajo do t’i vë në funksion të mirëfillta në përmirësimin e bibliotekave në Kosovë në përgjithësi. Uroj që ky kontribut të ndikojë në lexuesit e vegjël, shpresoj që të në ardhmen të kemi bashkëpunime të tilla.  

Pas përfundimit të dhënies së mirënjohjeve, në Hollin e Ekspozitës është hapur ekspozita “Percjeptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” (periodiku britanik dhe amerikan gjatë fundshekullit të XIX dhe fillimshekullit të XX) të kuruar nga Sean Pessin, derisa kjo është dhuruar nga endra për Studime të Shqiptare në Londër. /KultPlus.com

“Vështrimi mbrapa” për të risjellë veprat që vulosin përsosmërinë e artistit Prelvukaj

Uranik Emini

“Detajet e bëjnë përsosmërinë, dhe përsosmëria nuk është një detaj.”

Detajet, janë në thelb fishekzjarrët në përfundim të një ngjarjeje; janë ato që mahnitin dhe u bëjnë përshtypje shikuesve të një vepre arti. Mbrëmë në ambientet e Paper Gallery ka gjallëruar fryma e një artisti madhështor sikurse Musë Prelvukaj, një artist i cili me mendjen e tij krijon art përmes “figuracionit të transformueshëm”, shkruan KultPlus.

Në një dhomë të vogël për nga madhësia, por të çmueshme për nga sasia e veprave që gjindeshin aty, njerëzit po mblidheshin për të pritur edhe hapjen e ekspozitës “Retrospektivë”. 

Musë Prelvukaj i përket gjeneratës së parë që diplomoi në Akademinë e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës dhe këtë e vërejmë më së miri në teknikat e vizatimeve të ekspozuara. Përmes shprehjes së gjallë të vijave, dramaticitetit dhe elementeve analitike me shkronja dhe simbole artisti krijon figracione kompozicjonale të ndryshme të cilat e formojnë një imazh në tërësi.

Artisti u shpreh se ka nderin e veçantë që të paraqitet me këto punime përpara publikut dhe shprehi falënderime për “Paper Gallery” që ia ofroi këtë mundësi.

“Këtu të pranishëm kemi shumë artistë të rinj të cilët në të ardhmën mund të jenë pjesë e këtij vendi. Gazi më inkurajoi pasi kjo ekspozitë pas një viti do të bëjë edhe një udhëtim elektronik dhe pas tre viteve do të jetë edhe si katalog. Për mua do të jetë shumë e rëndësishme, pasi jam adhurues i dokumentacionit.

Ai shpjegon se në këtë ekspozitë janë të paraqitura vepra të para të tij dhe për këtë arsye e ka marr emrin kështu.

“Në këtë ekspozitë janë disa punime të mia të parat nëpër ekspozita të tjera, prandaj edhe e kam quajtur “retrospektivë”, derisa punimin ma të vjetër këtu e kam një afishe të vitit 1972, atëherë kur në lëndën “Elementet e Artit”, e kemi marrë si temë romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”.

Punimet e tij, sipas Prelvukajt, kanë disa faza nëpër të cilat kalojnë, derisa ai thotë se është një adhurues i figuracionit.

“Punimet e mia i kanë disa faza, disa cikle, derisa unë personalisht jam adhurues i figuracionit, jo ashtu se si e shoh, por si e ndiej, e bëj një transformim. Kam motive nga vendlindja, por edhe nga pjesa urbane. U mundova që ndjenjat e mia t’ia ofroj publikut të gjërë dhe besoj që ai do të jetë më i merituari që t’i vlerësojë punimet”.

Në anën tjetër, Gaz Ejupi, si drejtor i Paper Gallery, njofton se qëllimi i tyre është promovimi i artit bashkëkohor.

“Paper Gallery ka filluar në vitin 2022 me qëllim që të promovojë artin bashkëkohor në mënyra dhe mediume të ndryshme të cilat kanë impakt në gjeneratat e reja që synon këtë art. Paper Gallery i ka dy programe, njëri që ka çdo 3 muaj ekspozita dhe tjetra që quhet “projects” që mbahet çdo muaj. Në këtë rast e kemi nderin që të kemi mysafir artistin e profesorin Musë Prelvukaj. Ai ka qenë personi që më ka njoftuar me Akademinë e Arteve, teknikat e grafikës, ku edhe kam filluar aty dhe vazhdoj të kontribouj”.

Artistja e njohur, Zake Prelvukaj, thotë për KultPlus se Musa është shumë i veçantë në stilin e tij.

“Musa ka qenë shumë para meje, por çdo vijë që ai ka punuar ka krijuar një ndjesi të jashtëzakonshme te unë. Ai ka qenë i butë dhe si një profesor për mua, gjithashtu asnjëherë nuk ka qenë temperament i rëndë, duke më thënë se po ia prek punimet, sa isha si fëmijë, ose diçka të ngjashme. Ndonjëherë mendoj se është shumë mirë që artisti si Musa të jetë fanatik për një figuracioni krijues, e jo figuracion statik. Pra, të ketë një figuracion kreativ e ta ruajë kohën”.

Ajo na rikthen në kohë edhe momentet e vështira që profesori ka pasur gjatë viteve të 90-ta, duke treguar se arti rikthehet te artisti.

“Musa natyrisht që i ka pasur edhe krizat e veta, unë isha shumë e rë në atë kohë e ajo krizë filloi ta thyej pak, por prapë se prapë një gjë e tillë nuk ndodhi. Musën e thirrë arti. Ai gjithmonë thotë se arti vlen, e nuk ka art të keq, por sipas tij arti është i mirë dhe sigurisht mund të jetë edhe art briliant. Ai është detajist e detajet që ai i ka janë shumë interesante, pasi i ka të krijuara nga mendja e tij dhe për këtë arsye ne quhemi krijues”, thotë ajo.

Derisa, në fund profesoresha Prelvukaj, beson fuqishëm që arti i Musës duhet të jetë i pranishëm edhe në Muzetë e ardhshëm të Kosovës, për të dëshmuar se ne kemi art të mirëfillt, si Kosovë.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një muaj. /KultPlus.com

Tri ekspozita në Prishtinë që mund t’i vizitoni këtë vikend

Ministria e Kulturës ka njoftuar publikun për tri ekspozita që mund ti vizitoni në vikend, përcjell KultPlus.

Duke filluar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, Galeria e Ministrisë së Kulturës e deri te Muzeu i Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

“Në Galerinë Kombëtare të Kosovës është e hapur ekspozita personale “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” e artistit Jeton Gusia kuruar nga Blerta Hoçia. Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here fragmente imazhesh arketipike si idile të pikturuara të përditshmërisë rilindin, duke u shfaqur me thjeshtësinë e jetës së jetuar.

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës mund të shihni ekspozitën “Monumenti i Lules së Parë”, nga Astrit Ismaili, kuruar nga Donjetë Murati. “Monumenti i Lules së Parë” prezanton punët e Astrit Ismailit që ndërlidhën me transformimin. Monumenti i luleve, kthehet në metaforë, njejtë si udha e saj në mes të errësirës së thellë. Kur mund të përcaktojmë një moment të caktuar transformimi?

Në Muzeun e Burgut të Prishtinës gjatë ditës së shtunë mund të vizitoni ekspozitën “Burgu i Idealit”, e cila sjell tekste historike, fotografi, ilustrime, video materiale e intervista me rrëfime, krijimtari artistike të burgut si piktura e vjersha nga ish të burgosurit, emrat e mbi 9000 të ish të burgosurve politik shqiptarë në këtë dhe burgje të tjera të Kosovës”, thuhet në postimin e MKRS. /KultPlus.com

“Autostrada Hangar”, ekspozita  që do të paraqes Hangarin në tre periudha

“Autostrada Hangar”, hapësira për edukim, prodhim dhe ekspozitë në ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren) po vazhdon aktivitetet për publikun e gjerë me hapjen e ekspozitës së radhës të titulluar “Tregimi i Autostrada Hangar”, përcjellë KultPlus.

“Pas suksesit të hapjes së hapësirës multi-funksionale me aktivitete të shumta publike, ne si Autostrada Biennale jemi angazhuar që ta ndajmë me publikun përvojën tonë të krijimit të institucionit të artit bashkëkohor “Autostrada Hangar””, thuhet në njoftim.

Duke e parë që ka interes shumë të madh të audiencave lokale dhe ndërkombëtare për tu njoftuar me procesin e krijimit të hapësirës dhe programeve, organizatorët e kanë parë si shumë të nevojshme organizimin e kësaj ekspozite e cila e paraqet Hangarin në tre periudha “Si ka qenë” Si është transformuar” dhe “Si do të zhvillohet në të ardhmen”.

Andaj në këtë event, organizatorët do të ndajnë me juve procesin e këtij transformimi dhe të festojnë së bashku suksesin e saj.

Hapja e ekspozitës “Tregimi i Autostrada Hangar” do të mbahet me datën 12 Nëntor 2022, e shtune, nga ora 20:00.

Ekspozita përkrahet nga: GIZ dhe ITP, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit. / KultPlus.com

Jeton Gusia vjen me ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës

“Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” është ekspozita e radhës që do të zërë vend në ambientet e Galerisë Kombëtarë të Kosovës.

Ekspozita personale e autorit Jeton Gusia e që është kuruar nga Blerta Hoçia, paraqet një atmosferë të paqtë ku mbizotërojnë tonet e ngrohta të tokës, të kafta, të verdha, rozë, diku të ndritshme por më shumë të pista, ngjyrat përzihen me dheun që e dominon pikturën e që ngrihet deri në qiell me anë të gjetheve të pemëve edhe ato prej dheu dhe pluhuri.
Midis shtëpisë dhe ekskavatorit; një tension i fshehur, një duel i brendshëm.
Në të vërtetë i pikturuar nuk është një përbindësh i hekurt por një gërmadhë e pamundësuar tashmë ta gërryej dheun e të hapë themele. E shtrirë, me kockat që formojnë zgavrën e kraharorit të një kafshe të stërmadhe.
Ndërkohë, shtëpia rozë merr trajtat e të gjitha shtëpive dhe njerëzve që e banojnë, të heshtur dhe pasivë në pranimin e kohës, të dheut dhe të dritëhijeve lozonjare të prodhuara nga loja e gjetheve me diellin.

Peizazhet urbane, jeta rurale, pjesë nga aktivitete të përditshmërisë, në pishina, në qendra masazhi, në autobus, në mensën e qendrës tregtare; janë copëza dite që e përbëjnë të jetuarit në tërësinë e vet, një botë e vogël e treguar në imtësi, një botë e duruar edhe kur është dhunshme edhe kur një tension nën lëkurë duket se do ta plasarisë telajon e bashkë me të edhe pikturën.

Duke imituar gjestin dhe formën piktorike të artistit edhe shikimi i punëve në ekspozitë ofrohet në terr, si në hyrjen e një miniere, ku avancimi në brendësinë e galerisë nëntokësore nënkupton pakësimin e dritës që vjen nga jashtë. Kjo mund të shërbejë si një metaforë kuptimplotë ku humbja e dritës së ndërgjegjes shkëmbehet me fitimin e errësirës ose aftësinë për të avancuar më në brendësi të të panjohurave që nuk mundet ti ofrojë vetëdija.
Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here fragmente imazhesh arketipike si idile të pikturuara të përditshmërisë rilindin, duke u shfaqur me thjeshtësinë e jetës së jetuar. Si për të thënë se të vërtetat thelbësore, kuptimet e çmuara gjenden aty para nesh në pamjen e një skene të rëndomtë me personazhet e panumërta që e popullojnë, ku secili subjekt është kuintesenca e asaj që përfaqëson.

Piktura e Jeton Gusisë është gjithmonë pak e largët e në mënyrë të natyrshme merr këndvështrimin që njihet si bird eye për shkak të rrafshtësisë por edhe plotësisë së vizionit. Ai liston detajet me dëlirësinë e fëmijës në pazarin e kerreve, ku njerëzit janë të renditur njëjtë me këpucët shumëngjyrëshe, çantat, kafshët në kafazë, radiot, veglat muzikore e orenditë e panumërta të përditshmërisë kapitaliste ballkanase. Larg pretendimeve dhe temave politike apo atyre që u jepet njëfarë peshe historike, artisti ka krijuar një mikrokosmos të tematikave por edhe problematikave vetjake e shoqërore me punë që prekin të gjitha sferat e të jetuarit, si komunikacioni, qentë në strehimore, periferia, ndërtimet, vendet e kënaqësisë, pjesë nga jeta e fshatit, punëtorët, fabrika etj.

Ekspozita hapet nesër, më 08 nëntor, në ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Pesë luanë ikin nga ekspozita në kopshtin zoologjik të Sidneit

Pesë luanë kanë shkaktuar një emergjencë të shkurtër në një kopsht zoologjik australian pasi u arratisën nga rrethimi i tyre, përcjell KultPlus.

Një i rritur dhe katër këlyshë – u panë jashtë ekspozitës së tyre në kopshtin zoologjik Taronga të Sidneit rreth orës 6:30 me kohën lokale të mërkurën.

Kopshti zoologjik u mbyll për pak kohë, derisa luanët u siguruan që janë rikthyer. Gjithashtu, u njoftua se nuk ka asnjë të lënduar, por gjithashtu as edhe shpjegim për arratisjen e tyre.

Por drejtori ekzekutiv i kopshtit zoologjik Simon Duffy e quajti atë një “incident të rëndësishëm” që do të hetohej tutje.

Ai tha për mediat lokale se luanët kishin hyrë në një zonë të vogël “ngjitur” me ekspozitën e tyre – rreth 100 metra nga ku të ftuarit po qëndronin në kopshtin zoologjik gjatë natës. Kopshti zoologjik kryesor ishte i mbyllur në atë kohë.

“Luanët në asnjë moment nuk dolën nga ajo zonë [në afërsi] ose nuk dolën nga kopshti zoologjik Taronga,” tha ai.

Duffy shtoi se zona e vogël mbrohej nga një gardh prej gjashtë metrash që përdoret zakonisht për të mbajtur njerëzit në një distancë të sigurt dhe i gjithë kopshti zoologjik ishte i rrethuar nga një gardh rrethues.

Stafi u përgjigj shpejt për të zhvendosur të gjithë njerëzit në vend në vende të sigurta, sipas drejtorit.

“Ekspozita e luanit do të qëndrojë e mbyllur deri në inspektime të mëtejshme për t’u siguruar që është “100% e sigurt”, shtoi Duffy.

Arratisjet e kafshëve në kopshtet zoologjike Australiane janë të rralla.

Në vitin 2009, një luaneshë iku nga mbyllja e saj në kopshtin zoologjik Mogo, në jug të Sidneit, dhe u qëllua për vdekje për shkak të rrezikut që përbënte për publikun. /KultPlus.com

Homazh për kujtesën kolektive do të shfaqet në një ekspozitë artistike nga Arianit Beqiri

Uranik Emini

Një ekspozitë arti ndihmon për të sjellë në realitet ato emocione të fshehura në thelbin e shpirtit, përpara njerëzve që i admirojnë dhe i kuptojnë ato. Pra, në thelb, arti i paraqitur në një ekspozitë është një mënyrë komunikimi për të shprehur emocionet e ndjenjat në një mënyrë tjetër, shkruan KultPlus.

Pas një vepre arti të varur në muret e një shtëpie, ka një rrugë, një histori. Një afat kohor që fillon me konceptimin e artistit dhe përfundon me vendimin e galerisë për ta ekspozuar dhe për ta parë publiku.

Një gjë të tillë do ta bëjë edhe artisti nga Kosova, Arianit Beqiri, i cili do të mbajë një ekspozitë personale në Hamburg të Gjermanisë, ku do të prezantojë 9 punime në “Atelier so & Hamburg Kunstgalerie” më 23 shtator.

Beqiri, në një intervistë për KultPlus, ka dhënë detaje të reja sa i përket ekspozitës së tij dhe me temën që ai do të paraqitet aty.

“Mbase nuk mund të vërejmë objekte e kujtime përreth nesh asnjëherë deri atëherë kur ato nuk janë më mes nesh”.

Më tej ai bën të ditur se do të prezantohet me 5 piktura dhe 4 instalacione, ndërsa do të ketë vepra që në thelb flasin për homazhin ndaj kujtesës kolektive.

“Do të ketë piktura dhe instalacione. Janë gjithësej 5 piktura dhe 4 instalacione. Homazh për memorien kolektive. Për atë që na krijon kujtime e ndjenja. Homazh për objektet që na kanë krijuar kujtime e që dora e neoliberalizmit i ka shkatërruar. Homazh për traditat tona që i komercializuam. Homazh për traditat tona që i shitëm për hekër. Homazh për shkatërrimin e qyteteve tona nga ndërtimet paleje”.

Beqiri bën të ditur se kjo ekspozitë do të jetë e hapur për një muaj dhe të gjithë të interesuarit për blerjen e veprave të tij mund ta bëjnë këtë.

Edgar Degas ka thënë se arti nuk është ajo që shihni, por ajo që shohin të tjerët, njësoj po pret edhe Beqiri për të gjithë vizitorët në këtë ekspozitë, të shohin të gjithë punën e veprat e tij nga afër. /KultPlus.com

GKK “rifreskohet” nga Manifesta 14, derisa përmes arkivit rikthen thesaret e saj të paçmuara

Uranik Emini

Arti pamor, kultura dhe edukimi paraqiten në një vijë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila si thesar për kombin, shërben si një institucion ku njerëzit mund të vijnë për të parë nga afër ekspozita speciale dhe programe të tjera publike, të gjitha pa pagesë. Galeria Kombëtare e Kosovës, e themeluar në vitin 1979 më 2 shkurt, si institucioni më i shquar në vend ka mision, vizion dhe vlera të rimenduara që synojnë të nderojnë të kaluarën e vendit, t’i përgjigjen të tashmes dhe të frymëzojnë brezat e ardhshëm me një gjuhë të përbashkët, shkruan KultPlus.

Për herë të parë në historinë e saj disa vjeçare, GKK ka hapur një ekspozitë ku paraqet edhe arkivin e saj, me materiale që datojnë nga viti 1960 e tutje, duke rikujtuar e vënë në pah vlerat e pakrahasueshme që kanë sjellë ndër vite artistët nga vendi më i ri në Evropë.

Si në shumë hapësira të tjera publike, edhe GKK është “pushtuar” me vepra të artistëve vendorë e ndërkombëtarë, në kuadër të “Manifesta 14”, e cila synim ka që të rikthejë hapësirat publike te qytetarët, por edhe përmes institucioneve sikurse Galeria, të arrijë që të futet në zemrën e mendjen e secilit, për të rikujtuar se arti është diçka që të bën të marrësh frymë me një lloj tjetër lumturie.

Duke filluar nga artistja e huaj, Selma Selman me veprën e saj “You have no idea”, GKK hap këtë ekspozitë, duke përcjellur mesazhin e artistes, e cila ka të bëjë me atë se njerëzit nuk e dinë se kush është ajo, nuk e dinë për praninë ose mungesën e dhimbjes në jetën e saj dhe tutje zbulon edhe fuqinë e dinamikën e empatisë, duke hedhur dyshime mbi përshtatshmërinë e saj si bazë për takimin politik.

Diversitet i veprave

Grupi artistik “HAVEIT” kishte performuar para disa ditëve performancën e tyre me gota, që në thelb tentojnë të paraqesin gratë dhe menyrën se si ato nuk janë të “denja” për të bërë pazarin e mëngjesit me shportën plot gota.

Duke vazhduar tutje në sallën tjetër, kukulla gjigante paraqiten në sytë e vizitorëve, të cilat sipas artistit Dardan Zhegrova, janë një formë e lashtë e rrefimtarisë që kanë udhëtuar përgjatë rrugëve të ndryshme nga Azia në Evropë. Zhegrova, i cili si fëmijë është rritur në frymën e teatrit “Dodona”, teatri i kukullave në Prishtinës, tenton të mbështetet në historinë e pasur me kukullat e tij të mëdha me dy fytyra.

Në mesin e disa veprave në GKK, është edhe pjesa e artistes së huaj Alevtina Kakhidze, me veprën “Pushtimi”, e cila vjen nga Kieve dhe jeton në Muziçi. Ajo e përshkruan veten si artiste dhe kopshtare, derisa si pjesë e ekspozitës janë “bimët”, dhe gjatë dekadës së fundit një pjesë e madhe e hulumtimit të saj është fokusar në vëzhgimin e botës bimore. Ajo thekson se “bimët” në habitatet e veta dhe të huaja, duke trajtuar tema si pushtimi, dominimi dhe përkatësia.

Valentina Bonizzi, nga Milani, e cila jeton në Tiranë, ka prezantuar veprën e saj “Homazhe Kafkës”, vepër që tregon një video të inçizuar në një vend dhe paraqitet rrëfimi i një personi, që mbetet, pambarisht në portat e ligjit, duke pritur t’i jepet qasje, por pa ardhur në një përfundim të tillë. Ashtu si Kafka, Bonizzi reflekton po aq mbi zërin që njerëzit kanë përpara ligjit sa mbi shkallën në të cilën ata e përdorin atë.

Mes shumë ekspozitave, veprave të ndryshme, diversitetit të artistëve, si pjesë e padiskuteshme e artit, Galeria e hapi edhe arkivin e saj. Arkivi mbledh, ruan dhe vë në dispozicion dokumentacione në lidhje me të kaluarën, duke përfshirë veprat e disa prej artistëve më të mëdhenj në histori të Kosovës.

“Thesaret e fshehura” të Galerisë

Një rezervuar i jashtëzakonshëm i krijuesve shqiptarë, dalin nga arkivi sikurse “thesare të fshehura”. Koleksioni i veprave të Galerisë Kombëtare të Kosovës, padyshim paraqet vetëm majën e një ajsbergu.

Vëzhguesi i ekspozitave, Xhevat Rrahimi, njoftoj për KultPlus se “Manifesta 14” është një vlerë e shtuar për Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe jo vetëm, duke njoftuar se kanë qenë më shumë se 1 mijë vizitorë që nga hapja e ekspozitave.

Arkivi si thesar i paçmueshëm

“Është hera e parë që arkivi ka dalë si ekspozitë. Në arkivin që e kem na është një thesar i paçmuar që e ruajmë me vite të tëra. Por, nuk mund të them se mund t’i ruajmë si duhet, për shkak të kushteve si janë. Edhe pse niveli i kushteve nga Ministria nuk është në gjendje të mirë, ne shpresojmë që në të ardhmën të bëjmë kushte edhe më të mira”.

Pjesë e (pa)ndashme e Galerisë – arkivi

“Ideja e Ministrisë për një Muze Bashkëkohor daton që nga paslufta, si ide, por ende nuk është e realizueshme. Edhe ne e mirëpresim realizimin e muzeut të artit bashkëkohor, por thesarin e Galerisë, mendoj se më së miri e ruan vetë Galeria dhe njerëzit kompetentë këtu”.

Vizitorët besnik – pjesë e përhershme e Galerisë

“Mund të them që “Manifesta 14″ ia ka shtuar një vlerë Galerisë, por ne i kemi vizitorët e tillë që nuk na braktisin asnjëherë. Kemi vizitorë edhe të nivelit ndërkombëtarë edhe vendorë”.

Kritiku amerikan i artit, Jerry Saltz, thotë se veprat e artit shpesh zgjasin përgjithmonë, ose thuajse shumë gjatë. Por vetë ekspozitat, veçanërisht ekspozitat e galerive, janë si lulet; ato lulëzojnë dhe më pas vdesin, pastaj ekzistojnë vetëm si kujtime, ose të shtypura në revista dhe libra, njësoj sikurse në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku vepra të ndryshme të Lirije Bulliqit, Nusret Salihamixhiqit, Muslim Mulliqit, Ibrahim Kodrës, Gjelosh Gjokajt e shumë artistëve të tjerë, jetojnë brenda mureve të objektit dhe si të tilla, gjithnjë e lënë “aromën” e tyre magjike e të paharrueshme, njësoj si veprat që kanë lënë pas vetes. /KultPlus.com

Ekspozita “On reading” e fotografit Steve McCurry në COD

Ekspozita “On reading” e fotografit me famë botërore Steve McCurry e hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri do të mund të vizitohet deri më 31 korrik.

“Kjo ekspozitë sjell për herë të parë në Shqipëri, shkrepjet më shprehëse të fotografit me famë botërore Steve McCurry dhe këto janë ditët e fundit kur mund të shohim, ndjejmë magjinë dhe kolorin e fotove të tij”, thotë pedagogu I fotografisë Albes Fusha.

Në hyrjen e albumit “On reading” fotografi Steve McCurry përmend faktin që inspirimi i erdhi nga vepra e fotografit të madh hungarez André Kertész duke pohuar që disa nga fotot më intriguese të mjeshtrit hungarez ishin pikërisht imazhet e njerëzve që lexonin.

Nga një punë kolosale anembanë botës McCurry arriti që për gjatë 40 viteve të fundit, t’i japë jetë një koleksioni imazhesh, që tregojnë njerëz të zhytur në magjinë e leximit.

Kjo ekspozitë ka ardhur në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, që së bashku me sponsorë të tjerë, mbështetën ardhjen e saj në Shqipëri, në kuadër të Tirana European Youth Capital./ atsh / KultPlus.com

Puna kreative e përkushtimi i profesorëve u gërshetuan në ekspozitën e veprave artistike të studentëve

Me rastin e ekspozitës së fundivitit akademik 2021-2022, në Fakultetin e Arteve, tradicionalisht bëhen vizitat në klasa, ku edhe u ekspozuan veprat artistike, punimet dhe detyrat e studentëve të realizuara gjatë këtij viti akademik.

Nga vizitorët e shumtë u vlerësua suksesi i studentëve të cilët u prezantuan me një punë kreative dhe bashkëkohore gjithashtu përkushtimi dhe puna e profesorëve gjatë këtij vitit akademik.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në fillim të vitit të ri akademik.

Disa momente nga puna në klasën e Nudos dhe Piktures-Dega Art Konceptual dhe Mediat e Reja me studentë dhe profesoreshën Majlinda Kelmendi

Me studentet e Piktures

RINOR DAUTI   “GJUHA INTERNACIONALE “

 150X100  

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

RINOR DAUTI   “GJUHA INTERNACIONALE “

 150X100  

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Urë në ujra të trubullta mundë të jet gjuha fakti se pa gjuhë internacionale bashkollore nuk mundësh ta japësh maksimumin në profesjonin apo aktivitetet që I zhvillon të paktën nga provoja ime personale ,dhe ne këtë form jam munduar ta paraqes pak a shumë edhe permes gjuhës së shenjave.

LEONITA MUJA

•PROJECT 2505

•Teknika ; Mixed Media

* Dimensionet 100×150 2021

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Koncepti: Ideja se koha nuk ka rëndësi në këtë qytet. Pse do t’ju interesonte koha kur dielli është zëvendësuar prej kohësh nga fuqia e madhe e Neo City? Ideja që ju vareni nga skaji dhe shikoni se si bota dridhet poshtë këmbëve tuaja, ka shfaqur këtë ekran nga dritarja e project 2504, ku kishte dëshiruar ta kishte si peizazh të flinte me te, të zgjohej me te, i zgjonte një lloj nostaligjie e së kaluares ku vetëm project 2505 mundet t’a përshkruaj.

Studente: Arjeta Bislimi

Titulli i veprës: The feelings in sky

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Teknika: Piktura “The feelingns in sky” ka teknikë të kombinuar kryesisht është njëdimensionale , madhësia  e saj është 1.60 x 1.10. E punuar me ngjyrë akrilik dhe flamaster.

 Koncepti

Vepra the feelings in sky paraqet jetën tonë emocionale të cilën e përjetojmë  në përditshmëri.

Duke përfshirë si emocionet negative ashtu  edhe ato pozitive.

Doresa Zulfaj

Dimensioni 150/180 

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Ngjyrat: AKRILIK

Titulli: “Mess”

Pershkrimi: Kjo pikturë është nisur me qëllimin që artistja të tregojë inspirimin e saj të ndërlidhur me gjendjen emocionale që është dukshme e shprehur në ngjyra dhe në format e paraqitura.

Krenare Sylejmani 

IN COLORS

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Nje pikture ne te cilen sipas meje eshte e paraqitur vete jeta njerzore , duke e shprehur perms ngjyrave dhe formave zvarritjen e njerzve neper kohe /KultPlus.com

Me studentë të vitit të katërt të Fakultetit të Arteve Nudo të Universitetit të Prishtinës

Sot hapet ekspozita “Thurrje Kosovare”, kushtuar grave krijuese kosovare brenda dhe jashtë Kosovës

Sot do të hapet ekspozita “Thurrje Kosovare”, kushtuar grave krijuese kosovare brenda dhe jashtë Kosovës, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen në Galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndërkaq emrat e artisteve që do të iu paraqiten veprat e tyre, janë: Alije Vokshi, Alketa Xhafa-Mripa, Arta Agani, Argenita Fetahu, Arjeta Mala, Arlinda Hajrullahu, Blerta Syla-Surroi, Eliza Hoxha, Fitore Berisha, Haveit, Kaltrina Hoda, Lala Meredith-Vula, Laura Sllamniku-Kryeziu, Lyra-Zajmi, Magbule Xhemaili, Marigona Ademi, Mjellma Goranci-Firizi, Shqipe Kamberi, Teuta Alaj-Pula, Valdeta Veliu-Vuçitërna, Violeta Xhaferi, Zake Prelvukaj dhe Zana Ramadani.

Hapja e ekspozitës fillon nga ora 19:30. / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Mati në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Bashkinë e Matit prezantoi sot ekspozitën “Mati në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror”.

Me rastin e 100-vjetorit të caktimit të Burrelit si qendër administrative e krahinës së Matit, DPA-ja ka shfaqur për publikun materiale arkivore me datë origjine që prej 1920-1944, foto të qytetit dhe të godinave të institucioneve lokale. Të pranishëm në aktivitet ishin drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka, drejtori i Trajnimeve dhe i Inspektimeve në DPA, Endrit Musaj, si edhe kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj.

Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim, qenë vendimi me vlerë administrative për Burrelin, përshëndetja e shpalljes së Monarkisë prej Pleqësisë së katundeve, pamje nga festimet e zyrtarizimit të Mbretërisë etj.

Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërendesat në veprimtarinë e DPA-së. /KultPlus.com

Hapet ekspozita “Immersive Shevchenko” për të ndihmuar me fonde popullin ukrainas

Vitin e kaluar, Valeriy Kostyuk ndihmoi në hapjen e një ekspozite gjithëpërfshirëse kushtuar artistit ukrainas të shekullit të 19-të Taras Shevchenko. Ishte menduar të ishte një festë e tre dekadave të pavarësisë së Ukrainës, një kauzë që Shevchenko, një piktor dhe artist, u mbështet me forcë gjatë jetës së tij.

Vetëm gjatë ditës së sotme, më 15 mars, “Shevchenko Immersive: Shpirti i Ukrainës” është planifikuar të prekë në gjashtë qytete të SHBA, duke përfshirë Bostonin dhe gjashtë qytete tjera të mëdha.

Taras Shevchenko ishte poet, artist dhe një  figurë politike ukrainase e shekullit të XIX, i cili punoi për të promovuar kulturën, historinë dhe gjuhën unike të Ukrainës në një kohë kur ajo ishte pjesë e Perandorisë Ruse.

Ekspozita e titulluar ‘Shevchenko Immersive: Soul of Ukraine’ ka si qëllim të prezantojë botën me një artist që njihet dhe nderohet në vendin e tij të lindjes. Veprat e  tij zakonisht shfaqen në Kiev, por ato janë sjellë këtu për t’i mbrojtur nga shkatërrimi.

“Immersive Shevchenko” do të shfaqë interpretime të më shumë se 200 veprave të artit, sipas faqes së internetit të ekspozitës.

Të ardhurat e biletave të ekspozitës do të shkojnë  për të ndihmuar Ukrainën. Ekspozita u hap fillimisht në Odesa për të festuar 30 – vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës vitin e kaluar. /KultPlus.com

Nesër hapet ekspozita ‘Dialog në errësirë’ nga Driton Hajredini në GKK

Artisti Driton Hajredini do të hap ekspozitën e tij “Dialog në errësirë”, më 15 mars në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë është e kuruar nga Shkëlzen Maliqi, derisa do të jetë e hapur nga 15 marsi e deri më 5 prill.

Hapja e ekspozitës do të bëhet me fillim nga ora 19:00.

Në anën tjetër, pas kësaj date do të jepet edhe në orarin e rregullt nga ora 10:00-18:00, çdo të martë deri të dielën. /KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘8 cepat’ nga Drilon Shoshi, Prelvukaj: Driloni është një artist që premton për artin tonë

Uranik Emini

Arti, historia, shkenca, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja pushtuan hapësirat e KultPlus Caffe Gallery kur edhe artisti, Drilon Shoshi, bëri hapjen e ekspozitës së tij të titulluar “8 cepat”, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë, veprat paraqiteshin mbi artin i cili bazohet në simbole dhe figura që datojnë shekuj më parë, sikurse që është ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij.

Poashtu në veprat e Shoshit është e dukshme inspirimi nga Emblema e Gjergj Kastriotit, yllit zanafillor me 8 cepa, portave të vjetra shqiptare, ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun e derdhur të shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme, pastaj trekëndëshat, hëna, dielli, sikurse edhe ngjyra e zezë, që sipas autorit është ngjyrë që u shton vetëbesim dhe fuqi.

Familjarët, miqtë dhe dashamirët e artit po prisnin me padurim hapjen e kësaj ekspozite, që ngërthente në vete një lloj arti që nuk jemi mësuar ta hasim në çdo cep të rrugës.

E hapjen e kësaj ekzposite e bëri drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila në radhë të parë pati një falënderim të veçantë për të gjithë të pranishmit, derisa i uroi suksese edhe artistit Shoshi.

“Kjo është ekspozita e dytë personale e Drilonit, derisa ne i urojmë suksese për punën e tij të madhe që ka bërë ndër vite. Do të vazhdojmë mbështetjen e artistëve të rinj”, tha fillimisht Pajaziti, duke i ofruar fjalën edhe artistit në fjalë.

Pas saj, ishte pikërisht artisti Shoshi që mori fjalën.

“Nuk dua ta zgjas këtë fjalim, por dua të falënderoj secilin prej jush që ka gjetur kohë dhe ka ardhur në ekspozitën time të dytë, derisa ndjehem shumë i lumtur që puna ime po vlerësohet”, tha ai.

Ndërkaq, kuratori i kësaj ekspozite, Ilir Muharremi, duke i uruar mirëseardhje të pranishmëve, njoftoi se ftesën për të qenë kurator e pranoi me gjithë kënaqësi.

“Kur artistët e rinj ballafaqohen me ekspozitat e para, është shumë e vështirë sesa të katërtat ose të pestat. Driloni është shumë i guximshëm në temat që i trajton, sidomos Dielli i Prometeut, e cila paraqet në vete një histori të thellë. Simboli kryesor i artistit është dielli, dhe ka të bëjë me historinë në përgjithësi. Sot, dielli është burimi kryesor i gjallesave në tokë. Driloni paraqitet me 10 punime, me teknikën akrilik, po ashtu edhe me simbolin e portës herë duket e hapur dhe herë duket e mbyllur. Në një far forme arti është intravers, shumë personal, shumë “egoist” për shijen e artistit”, tha Muharremi.

Kuratori në fund u shpreh shumë optimist për të ardhmen e artistit.

Në mesin e pjesëmarrësve që morën fjalën ishte edhe artistja, Zake Prelvukaj, e cila lavdëroi punën e artistit duke shtuar se e ardhmja e tij është e sigurt.

“Driloni është ardhur si artist i përgatitur, ka ushtruar paraprakisht çka është ngjyra, prekjen e ngjyrës, zbërthimin e saj dhe një përgatitje të veçantë. Mirëpo, unë po e them dhe ju keni me qenë të bindur që Driloni veç në këto punime që i ka të mira, ka me qenë edhe një tranzicion që do të ecë dhe është në kërkim të shtresimit të vetë, i cili e detyron me kalu në një dimension tjetër. Ai është një njeri që gjithë dijet e veta i merr, por edhe e mundon vetëvetën ngapak.”, u shpreh Prelvukaj, duke falënderuar gjithë të pranishmit aty.

Në mesin e të pranishmëve në këtë ekspozitë, rastësisht qëlloi të ishte i pranishëm edhe një gazetar spanjoll, Juan Manuel Montero, i cili njihet për dashurinë e tij për artin dhe sidomos për Kosovën.

“Nuk kam qenë këtu që nga 2019, por jam i lumtur dhe ndonjëherë ndjehem në siklet se si ka njerëz nga Kosova që flasin gjuhën spanjishte kaq mirë. Një qytet e vend kaq i mirë”, tha ai.

Ekspozita ‘8 cepat’ do të qëndrojë e hapur për dy javë. Pikturat janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit duhet të kontaktojnë artistin për t’i blerë. /KultPlus.com

“Një udhëtim në Japoni”, ekspozitë fotografie në Galerinë e Artit

Galeria e Artit në Tiranë, hapësira më e re dedikuar artit dhe artistëve në kryeqytet, mikpriti një ekspozitë fotografie realizuar nga fotografë profesionistë japonezë dhe studentë shqiptarë që studiojnë në Japoni.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ambasadori i Japonisë në Tiranë, Takada Mitsuyuki vizituan ekspozitën e çelur me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“‘Një udhëtim në Japoni’ me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Japonisë, që shpresojmë të ngrihet në të tjera nivele bashkëpunimi”, tha Margariti.

Ministrja Margariti dhe ambasadori Mitsuyuki diskutuan po ashtu edhe për projektet e ardhshme për promovimin e artit dhe kulturës të të dy vendeve./ KultPlus.com

Eroll Murati së shpejti sjell ekspozitën e radhës: Do të jetë më konceptuale se herën e kaluar

Uranik Emini

Përmes ekspozitave të realizuara vitet e fundit, skulptori Eroll Murati me shumë sukses ka arritur që të marrë vëmendje ndërkombëtare e madje ekspozitat e tij të prekin shumë njerëz, shkruan KultPlus.

Veçantia dhe paraqitja e mesazhit në formën më të mirë të duhur ka rezultuar që puna e Muratit të marrë vëmendje ndërkombëtare, derisa ky i fundit po punon edhe në ekspozitën e radhës.

Në një prononcim për KultPlus, Murati ka njoftuar se aktualisht është duke punuar në një ekspozitë të re, të cilën pritet ta sjellë këtë vit.

“Ka me qenë diçka më konceptuale se herën e kaluar”, ka thënë ai për KultPlus.

Sipas tij, artin gjithmonë mundohet ta konceptojë për hapësira publike, pasi nuk punon në art minimalist.

“Edhe ekspozita e radhës do të paraqitet në hapësirë publike, për shkak se jemi lodhur pak a shumë nga pjesa e galerive, por edhe puna ime bazohet pothuajse gjithnjë në hapësira publike”.

Murati tutje njoftoi se akoma është duke punuar mbi temën, derisa sapo të kompletojë gjithçka që ai ka planifikuar do ta shfaq edhe ekspozitën e tij të radhës.

Ekspozita e tij e fundit “Më gjeni”, e cila ishte shfaqur në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, kishte marrë vëmendje ndërkombëtare, duke u publikuar edhe në gazeta të huaja siç është The Atlantic. /KultPlus.com

Murati në të kaluarën ka ekspozuar një sërë ekspozitash që trajtojnë tema që prekin shoqërinë në thelb, madje ky është edhe synimi kryesor i autorit.

Eroll Murati ka qenë pjesëmarrësh në aktivitete të ndryshme kulturore që përfshinin ekspozita personale poashtu edhe kolektive. / KultPlus.com

Eroll Murati me ekspozitë në Tiranë: Do të paraqes artin modern në hapësirë publike

Skulptori Eroll Murati do të prezantojë ekspozitën e tij të radhës në qytetin e madh të Tiranës, kur edhe do ta shfaq skulpturën e tij në hapësirë, shkruan KultPlus.

Murati, i cili këtë vit mori vëmendje të madhe ndërkombëtare me skulpturën e tij për të pagjeturit e luftës që e shfaqi në Prishtinës, do të vazhdojë ekspeditën e tij në Tiranë, sigurisht me skulpturën e radhës.

Në një prononcim për KultPlus, Murati ka njoftuar se do të bëjë një ekspozitë në Tiranë me titull “Skulptura në hapësirë”.

“Kjo ekspozitë ka qenë edhe në Prishtinë para dy viteve, por tani po e dërgoj edhe në Tiranë që të përcjelli më shumë mesazhin e kësaj skulpture”, tha ai.

Tutje, Murati na njoftoi edhe me detajet e kësaj skulpture, duke thënë se do të paraqes artin modern në hapësirë publike.

“Në këtë ekspozitë dua që njerëzit të shohin artin në hapësirë publike, hapësira të hapura. Jam munduar që përmes artit në formë moderne dhe me materiale të ndryshme të paraqes esencën dhe kuptimin e kësaj skulpture që do ta paraqes nëser në Tiranë”, ka thënë Murati.

Ekspozita e tij do të hapet më 6 dhjetor në Tiranë, derisa do të jetë e hapur deri më 12 dhjetor. /KultPlus.com

No description available.

Mbyllet gara, pikturat e nxënësve me temë kundër trafikimit me njerëz në ekspozitë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka organizuar sot ceremoninë përmbyllëse të garës nacionale për pikturën më të mirë në nivel të arsimit të mesëm të ulët me temë kundër trafikimit me njerëz.

Me këtë rast, në objektin e MAShT është hapur edhe ekspozita me punime të nxënësve që kanë marrë pjesë në këtë garë dhe do të jetë e hapur për një muaj.

Nagavci tha se përmes kësaj ekspozite përveç që po promovohet talenti i fëmijëve po jepet edhe një mesazh shumë i rëndësishëm kundër trafikimit me njerëz.

Naim Muja, nga Ministria e Punëve të Brendshme, tha se fitues janë të gjithë nxënësit që kanë marrë pjesë në këtë garë, teksa tha se si institucione po i bashkërendojnë aktivitetet në parandalimin e trafikimit me njerëz.

Ndërsa, Fehmi Gjata, nga Policia e Kosovës, tha se Policia prioritet të angazhimit e ka organizimin e aktiviteteve parandaluese. /KultPlus.com

3 artistë ndajnë çmimin vjetor të Ekspozitës Tradicionale vjetore të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës

Dje është hapur Ekspozita Tradicionale vjeotre e Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në përfundimin e kësaj ekspozite u bë edhe ndarja e çmimit vjetor, ku disa artistë e ndanë së bashku këtë çmim.

Artistët Zake Prelvukaj, Isa Alimisa dhe Burim Myftiu u dekoruan me Çmimin Vjetor të Ekspozitës Tradicionale vjetore të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës.

Hapjen e kësaj ekspozite që përfshiu piktura nga më të ndryshmet e bëri kryetari i AVVK-së, artisti Kamuran Goranci.

Në këtë ekspozitë morrën pjesë edhe disa nga artistët sikurse Fatmir Krypa, Luan Mulliqi, Bardha Buza, Faik Krasniqi, Kamuran Goranci, Agron Mulliqi, Trific Tomislav, Musë Prelvukaj, Naim Spahiu, Muhamet Ahmeti Metis, Sabri Behrami, Fehmi Hoxha Feho, Mjellma Goranci Firzi, Refki Gollopeni, Shkurte Ramushi, Pranvera Sylejmani, Lebibe Topalli dhe shumë të tjerë. /KultPlus.com

No photo description available.

Down Syndrome Kosova hap ekspozitën shitëse ‘Bota përmes syve të mi’

Organizata për Arsim, Kulturë dhe Demokratizim “Plus” në bashkëpunim me Shoqatën Down Syndrome Kosova kanë hapur sot ekspozitën shitëse “Bota përmes syve të mi”.

Ekspozita përmban fotografi të realizuara nga të rinjtë, anëtarë të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në kuadër të programit të trajnimit për fotografi të realizuar.

Të gjitha mjetet e grumbulluara do t’i dedikohen Shoqatës Down Syndrome Kosova për zhvillimin e mëtutjeshëm profesional të të rinjve.

Ekspozita shitëse me fotografi të transferuara në dru është mbështetur nga Caritas Kosova në kuadër të projektit “SOCIETIES 2 – Mbështetja për Organizatat e Shoqërisë Civile në fuqizimin e shkathtësive teknike, përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe standardet e BE-së në Ballkanin Perëndimor”. /KultPlus.com