Çelet ekspozita për ‘shkelësit e kufirit’ gjatë komunizmit, Sula: Kodi Penal ndryshoi, vrasjet vazhduan

13 mijë e 600 shqiptarë janë arratisur nga Shqipëria në vitët 1944-1990 sipas të dhënave të mbledhura në dokumentet ish Sigurimit të shtetit. Një ekspozitë të çelur për ata që shkelnin kufirin, kujton detyrimet e shtetit për të gjetur eshtrat e atyre që u vranë në kufi dhe nuk kanë varr .

Ndërsa Europa kremtonte fitoren ndaj nazizmit, në 8 maj të vitit 1990, Presidiumi i Kuvendit Popullor, miratoi ndryshime në kodin penal, sipas të cilit kalimi i kufijve nuk përbënte tradhëti ndaj Atdheut.
“Pas ndryshimeve të Kodit Penal, Ministria e Brendshme nuk lëshoi asnjë urdhër për ndalimin e hapjes së zjarrit, por kërkoi zbatim në kushte të reja të rregullave të mëparshme. Vrasjet në kufi vazhduan.

Janë 13 mijë e 600 persona që sipas dokumenteve të Sigurimit janë arratisur nga Shqipëria nga 1944 deri në 1990 pa llogaritur ata që ikën me ambasadat apo me anijet. Këta janë pa rënë sistemi akoma. Ka ikje nga Gjirokastra, Saranda, Korça, Kukësi, Vlora, Dibra, Tropoja, Tirana, Erseka, Pogradeci, e Puka”, tha Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH.

Deklaratat e kryetares së Autoritetit të Dosjeve u bënë në çeljen e ekspozitës me dokumente mbi “Shkelësit e kufirit” në Jug të vendit, ndërsa u bë me dije se në Ersekë do të ngrihet një memorial për ata që u vranë në përpjekje për t’u arratisur dhe nismën për shtegun e lirisë në kujtim të tyre. Një prej të arratisurve nga vendi, Ethem Fezollari, ndau historinë e tij.

“Unë jam arratisur bashkë me familjen. Jam pjesëtar i familjes me 16 veta që u arratisëm nga liqeni i Pogradecit me një mushama të improvizuar me dërrasa që u bë si varkë.Ne morëm përsipër të iknim. Ishte më e ëmbël vkekja se të jetoje në kushtet e tmerrit”, tha Fezollari.

Dhjetra shqiptarë janë vrarë gajët diktaturës ndërsa përpiqeshin të arratiseshin. Në të shumtën e rasteve trupat e tyre janë varrosur në vende të panjohura dhe familjet ende i kërkojnë./ balkanweb/KultPlus.com

‘Tirana në llogore’, çelet ekspozita në kuadër të 79-vjetorit të çlirimit

Me rastin e 79-vjetorit të çlirimit të Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës dhe me Muzeun Historik Kombëtar (MHK), paraqiti ekspozitën “Tirana në llogore”.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në mjediset e MHK-së, qenë të pranishëm nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Ardi Seferi, drejtuesi i Trajnimeve dhe i Inspektimeve në DPA, dr. Endrit Musaj, përfaqësues të pushtetit vendor lokal, studiues, mësues, qytetarë dhe nxënës të shkollave publike të kryeqytetit. 

Publiku pati mundësinë të shihte nga afër dokumente dhe fotografi të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), mbi Tiranën nën thundrën e pushtuesve nazi-fashistë, mbi qëndresën për liri, mbi rolin e britanikëve në Shqipëri dhe mbi pasojat e pushtimit.

Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim ishin foto të Durrësit në nisje të pushtimit fashist, më 7 prill 1939; informacion mbi ditët e para të pushtimit, si edhe mbi dërgimin e kurorës shqiptare drejt mbretit Viktor Emanuel III; foto nga ceremonia e dorëzimit të flamurit shqiptar pranë trupave italiane; letër që dëshmon dëmtimin e Muzeut Arkeologjik nga pala italiane gjatë pushtimit (Leon Rey drejtuar Presidentit të Akademisë së Arteve të Bukura në Paris); kujtimet e Mehdi Frashërit për periudhën para dhe pas pushtimit italian; informacion nga Legata Italiane mbi kërkesën e palëve britanike dhe franceze që Shqipëria të bëhej pjesë e një pakti ballkanik; informacion për vizitën e konsullit gjerman pranë misionit ushtarak gjerman në Tiranë (1940) dhe formimi i qeverisë Mitrovica (bisedime parlamentare 04.11.43) etj. 

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të organizimeve të parashikuara për kremtimin e përvjetorit të çlirimit të Tiranës. Ekspozita e përgatitur nga DPA-ja do të qëndrojë e hapur për të interesuarit  deri në javën e ardhshme./atsh/KultPlus.com