‘Profa që t’ka ngucë e ka venin n’burg, jo n’shkollë’, grafitet e aktivisteve në muret e Gjilanit

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, sonte ka zhvilluar një aksion simbolik me grafite në muret e qytetit të Gjilanit, me shkrime feministe që e kundërshtojnë dhunën e shumëfishtë̈ ndaj vajzave dhe grave në Gjilan, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka shkruar se përmes denoncimit të patriarkalitetit si sistem i cili i dhunon vajzat dhe gratë, janë dhënë mesazhe se rezistenca e përbashkët do të vazhdojë.

“Përmes denoncimit të patriarkalitetit si sistem i cili i dhunon vajzat dhe gratë përmes dominimit burrëror dhe mirëmbajtjes së strukturave shtypëse, aktivistet gjilanase dhe Kolektivi dhanë mesazhe që rezistenca e përbashkët do të vazhdojë, deri sa të ketë siguri dhe drejtësi për të gjitha vajzat dhe gratë”, thuhet ndër të tjera në postimin e tyre.

Kujtojmë se aktivitete të tilla janë mbajtur edhe në qytetin e Deçanit, Mitrovicës dhe Lipjanit. / KultPlus.com

Sonte, muret e Gjilanit u mbushën me shkrime feministe që e kundërshtojnë dhunën e shumëfishtë ndaj vajzave dhe…

Posted by Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist on Wednesday, June 16, 2021

Lutfi Haziri i dorëzon çmimin “Qytetar Nderi i Gjilanit” gazetarit të njohur, Marin Mema

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë sot çmimin “Qytetar Nderi i Gjilanit”, për gazetarin Marin Mema, për kontributin e dhënë në rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, e në veçanti për angazhimin dhe kontributin e tij në shërbim të atdheut dhe kombit në përgjithësi, përcjell KultPlus.

Kryetari Haziri ka falënderuar kuvendarët e Gjilanit që votuan unanimisht për nismën e tij, në mbledhjen e të enjtes.

“Me votimin e Kuvendit të Komunës dhe në prani të shkëlqesisë së tij, ambasadorit të Shqipërisë në Kosovës, Qemajl Minxhozi, në prezencë të nënkryetarit të Bujanocit dhe udhëheqësve më të lartë institucional e regjional të Gjilanit, sot e ndaj çmimin në emër të të gjithë qytetarëve të Gjilanit, në vlerësim të punës dhe angazhimit që Marin Mema ka dhënë me punën e tij, e cila është mbarëshqiptare edhe përtej kufijve administrativë e politikë. Emri i Marinit tashmë përpos të një gazetari hulumtues, është emër i një patrioti që kalon përmasat e kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Haziri duke shtuar tutje se Mema ka forcuar lidhjen tonë dhe ka faktuar prezencën tonë dhe shpërndarjen tonë të farës shqiptare me qenie, kulturë, prezencë dhe gjuhë. Gjilani është i vendosur në pikën kufitare mbrojtëse të shumicës shqiptare.

Ai më tej ka folur për fatin e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë të drejtave të tyre civile në Kosovë dhe të drejtave politike në Serbi.

“Gjilani vazhdon kontributin e vet për mbështetje të shqiptarëve në Kosovën Lindore, por njëkohësisht edhe të angazhimit për t’i sjellë Gjilanit figura të ndritura sikur Marini, i cili radhitet në mesin e emrave të shquar për ne, si Beqir Musliu, Bob Dole, presidenti Ilir Meta e të tjerë”, ka thënë ai.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se Gjilani i dha çmimin “Qytetar Nderi”, gazetarit që tashmë është i të gjithë neve kudo që jemi në Ballkan, Evropë dhe në botë.

“Ai me punën e tij ka zbardhur rolin tonë që kishim në të kaluarën dhe atë që kemi edhe sot. Marini është nga çdo trevë e shqiptarëve dhe jo vetëm kaq. Vepra e tij e ka ofruar atë në mesin e secilit prej nesh, në lagjen, familjen dhe qytetin tonë. Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, Asambleja Komunale dhe qytetarët e Gjilanit e më gjerë, kanë bërë diçka shumë të madhe për Marin Memën”, tha mes tjerash, ambasadori Minxhozi.

Ndërsa, gazetari i njohur shqiptar, Marin Mema, ka thënë se ky çmim dhe ky organizim është një kënaqësi dhe moment shumë i veçantë për të.

“Sot dhe gjithnjë e më shumë po dëshmojmë se dimë të afrohemi, por e ardhmja duhet të na ofrojë edhe më shumë. Duhet të çrrënjosen jo kufijtë mes nesh, por problemet që kemi e që janë gjera që gjithmonë na kanë mbajtur larg. T’i lëmë mëritë, përçarjet e konfliktet e të gjejmë rrugët e përbashkëta për të ecur bashkë në një rrugë që na përket. Pa të kaluarën, pa patriotizmin dhe pa historinë e ndritur që kemi, ne nuk ngremë dot, jo shtëpinë, por do ta quaja kështjellën e shqiptarisë. Është e nevojshme që ne të kuptojmë sakrificën që kanë bërë shqiptarët e mëdhenj e deri në sakrificën e luftës së Kosovës, ne kishim sakrifica të mëdha të prirë nga një luftë e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe sot kemi një betejë të madhe atë të rrugëtimit të sigurtë brenda tokave shqiptare me frymën dhe pasurinë e vendit tonë”, ka thënë mes tjerash Mema.

Gjithashtu, në këtë takim ka folur nënkryetari i Bujanocit, Shqiprim Arifi, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri për vlerësimin që bënë për personalitetet e veçanta dhe meritore, sikur që edhe përkushtimin e vazhdueshëm që kryetari i Gjilanit ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën Lindore.

Ndryshe, asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit me shumicë absolute kanë votuar të enjten për nismën e kryetarit Haziri për ta shpallur ‘Qytetar Nderi’ gazetarin e njohur shqiptar, Marin Mema. / KultPlus.com

Në Gjilan hapet ekspozita ‘Ne jemi pranvera’, ju dedikohet grave të dëshmorëve

Në Gjilan është hapur ekspozita “Ne jemi pranvera”, e cila i është dedikuar grave të dëshmorëve.

Kjo ekspozitë është përgatitur nga nxënësit e shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati”, Gjilan.

Në këtë ekspozitë mori pjesë Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili e vlerësoi lartë rolin e grave të dëshmorëve, duke i cilësuar ato si heroinat e kombit.

“Kur i shohim gratë dhe nënat e dëshmorëve, këto heroina të kombit, neve na japin vullnet për me punu më mirë dhe më drejtë. Ju uroj 8 marsin grave të dëshmorëve dhe të gjitha nënave tona. Zoti ju dashtë shëndet, të mira dhe begati në familjet tuaja. Faleminderit nxënësve të shkollës së artit pamor për këtë ekspozitë fantastike”, ka thënë Ismajli.

Kurse, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Gjilan, Rashit Ymeri, falënderoi Komunën e Gjilanit për organizimin e këtyre aktiviteteve./ KultPlus.com

Hapet ekspozita e skulpturave monumentale në Gjilan

Në Gjilan është hapur të premten ekspozita e skulpturave monumentale, të propozuara nga artistët nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, përcjellë KultPlus.

“Gjilani i kthehet monumenteve artistike sipas karakteristikave që i ka. Duke qenë qytet i paqes i dekoruar nga Parlamenti Europian me diplomën e paqes dhe tolerancës, ne do ta vendosim simbolin e paqes, jemi qytet i bashkatdhetarëve dhe nuk mund të mos e kemi monumentin e tyre, pastaj simoboli i Heroinës së Qytetit etj”, tha në hapje të ekspozitës kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Me këtë rast, Haziri tha se do të vazhdojmë të punojnë e ndërtojnë veprat monumentale në kujtim të heronjve dhe dëshmorëve sepse ata na mësuan se si fitohet liria.

“Me rastin e shënimit të 23-vjetorit tri ditëve të bardha të kryengritjes së familjes Jashari, ne në Gjilan tradicionalisht organizojmë aktivitete kulturore e përkujtimore. Qytetarët e Gjilanit e Anamoravës historikisht ishin në rreshtin e madh të kryengritësve për lirinë e shqiptarëve. Këtë vit do ta kthejmë Kadri Zekën në bronz, do të vazhdojmë me Ramiz Cërnicën, sikur që do të vendosen bustet e nacionalçlirimtarëve dhe nacionaldemokratëve. Ne në Gjilan do të vazhdojmë të punojmë e ndërtojmë veprat tona në kujtim të heronjve dhe dëshmorëve sepse ata na mësuan se si fitohet liria”, shtoi Haziri.

Më pas, Haziri ka pritur në takim artistët e trevave shqiptare, duke i vlerësuar si të jashtëzakonshme vepra e tyre artistike.

Ndërkohë, Drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, tha se është shumë e kënaqur me propozimet e artistëve, të cilat do t’i vlerësojë komisioni profesional.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 mars dhe artdashësit do të kenë mundësinë t’i paraqesin impresionet në librin e mendimeve, në galerinë e qytetit. / KultPlus.com

Haziri për “Flakën e Janarit”: Heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria

Në Gjilan ka nisur zyrtarisht edicioni jubilar i 30-të i manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit 2021”.

Manifestimin e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se pikërisht tri dekada më parë nisi rrugëtimin “Flaka e Janarit”, ndërsa nga ky vit ky manifestim hyn në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe vendoset në kalendarin kombëtar të aktiviteteve.

Ai ka thënë se heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë, se si kryengritet për të drejta e për liri. 

“Të vazhdojmë bashkë, pa dallime, për një qëllim, për një atdhe, për një komb e një flamur, sepse edhe hapin e fundit na duhet ta bëjmë bashkë dhe atë hap nuk duhet ndalë për ta çuar vendin përpara”, ka thënë Haziri. 

Ndërsa, Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve që sollën lirinë, duke shtuar se ky manifestim mbledh artistë nga të gjitha trevat shqiptare, është manifestim i vlerave, andaj duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë. 

Për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, të cilit i është kushtuar manifestimi i sivjetmë, ka folur atdhetari Bejtullah Tahiri, i cili ka thënë se ndër vite kjo datë e ka gjetur në Zagreb, Shqipëri e Zvicër, por gjithnjë është shënuar në mënyrë dinjitoze. Që nga vrasja tinëzare e heronjve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla shpirtërisht gjenden në zemrat e çdo shqiptari. 

“Kadri Zeka u brumos me ide patriotike që nga rinia, ai bashkëpunoi me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe si studentë pati veprimtari në lëvizjen për çlirim, derisa në mërgim pos që publikoi në revista të ndryshme, ai se bashkë me vëllezërit Gërvalla bëri përpjekjet për bashkim të lëvizjes së shkapërderdhur  në mërgim si dhe për pavarësimin e klubeve shqiptare në mërgim”, tha Tahiri, duke shtuar se pas demonstratave të vitit 1981, ai organizoi demonstrata në Evropë, internacionalizoi çështjen e Kosovës në botë. Ai dha shembullin më të mirë për bashkim. 

“Vrasje e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë tek populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri. 

Në emër të familjes së Kadri Zekës, ka folur Izmi Zeka, që tha se u bënë 39 vjet kur ranë Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, 37 vjet kur ranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe kur vite e vite kur ranë shumë heronj duke dëshmuar se Gjilani dhe Anamorava ishte qendër e veprimtarisë patriotike në Anamoravë. 

“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë vetën tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Zeka. 

Në manifestimin jubilar, janë nderuar familja e heroit Kadri Zeka për kontributin për lirinë e shqiptarëve, dy nga themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku, post-mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik u nderua Beqir Musliu si dhe Filarmonia e Kosovës. /express/ KultPlus.com

Komuna e Gjilanit organizon koncert për nder të bashkatdhetarëve

Drejtoria për Kulturë Rni dhe Sport në Gjilan, në shenjë falenderimi për bashkatadhetarët, organizon konceret më datë 6 janar në teatrin e qytetit në Gjilan, duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

Programi u dedikohet të gjithë bashkatdhetarëve, kudo që ndodhen në Kosovë. Kështu Komuna e Gjilanit ka vendosur që të shprehë mirënjohjen dhe falenderime për secilin prej tyre.

‘Shpresojmë që fillimisht, të keni fat dhe shëndet në familjet tuaja dhe urojmë që ky viti i ri, deri në kohën e muajve të mërgatës që organizohet çdo vit të na gjej të lirë, pa pandemi duke na lënë hapësirë që të ju presim me program dhe festë si gjithmonë.

Urojmë të kaloni sa më mirë pranë familjeve tuaja dhe kujdesuni për vete.

Programi do të jetë me publik, mirëpo me numër të kufizuar duke shfrytëzuar vetëm 30% të sallës dhe gjithashtu do të jepet edhe LIVE përmes mediave tona lokale ku do të mund ta përcillni secili nga shtëpitë tuaja!
Ju faleminderit e shihemi në muajt e mërgatës!
‘, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Komunës së Gjilanit. / KultPlus.com

Në Gjilan u organizua koncert në nderim të qytetarëve që humbën betejën me COVID-19

Në Gjilan sot është mbajtur koncerti “Requiem of Hope” nga ClassiKos, në nderim të 93 qytearëve të Gjilanit që humbën betejën me COVID-19.

Koncerti është mbajtur nën organizimin e Zyrës së Kryetarit të Gjilanit dhe duke respektuar masat anti-Covid.

Para se të niste koncerti, në emër të kryetarit Lutfi Haziri, ka folur drejtoresha e Kulturës në Gjilan, Deniza Limani.

“Sonte bëjmë homazh për 93 qytetarët tanë të cilët e humbën betejën me virusin, i cili e ka gjunjëzuar botën dhe Kosovën. Është emocion për me dalë me folë këtu, sepse edhe unë e kam humbur një anëtare të familjes sime. Falëënderoj shumë grupin e Klasicos që janë sonte me ne, sikurse që i falënderoj qytetarët prezëntë sonte”, tha Limani, derisa ka falënderuar mantelbardhët për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë gjithë kohës së pandemisë.

ClassiKos sollën një koncert të permasave më ndryshe të muzikes serioze, ku u interpretuan vepra madhështore nga Moxart, R.Dhomi, C.Zadeja, T. Albinoni dhe A.Peterson te cilat u performuan nga profesionistët e Gjilanit: Orkestrina dhe Kori nën udheheqjen artistike të Burhan Azizi me dirigjente Florentina Rushiti – Bajrami dhe në piano Ndriqim Bajrami.

Secila vepër e sjellur në skene, ishte e përmbushur me shumë emocion. Nje lidhje e pa përshkruar mes thjeshtësisë së melodisë dhe interpretuesve ku shprehej kontrasti i mprehtë mes të bukures dhe dhimbjes.

Ndryshe, në skenë për secilën jetë të humbur nga ky virus ishte ndezur nga një qiri./ KultPlus.com

Luanit në resortin e Gjilanit, tash e një vit s’po i dalin në ndihmë institucionet

Që nga koha kur është bërë e ditur se po mbahet një luan në mënyrë ilegale në një resort në Gjilan ka pasur reagime të shumta. Mirëpo edhe sot pas një viti nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e institucioneve përkatëse, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook, Fondacioni për të Drejtat e kafshëve ka reaguar sërish duke thënë se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk po i kryen detyrat e veta për të mundësuar transferimin e luanit.

Ky është reagimi i kësaj organizate në faqen zyrtare Facebook:

Sot bëhen 1 vit prej kur është zbuluar mbajtja ilegale e luanit në resortin “Maja e Zezë” në Gjilan.

Edhe pse është konstatuar se luani është kontrabanduar në Kosovë dhe është konfiskuar në fillim të këtij viti, luani vazhdon të qëndrojë i mbyllur në të njëjtin vend, peng i mosangazhimit të institucioneve.

Organizata FOUR PAËS International ka ofruar strehim për luanin në një nga qendrat e saj të shpëtimit, mirëpo deri më tani Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk po i kryen detyrat e veta për të mundësuar transferimin e luanit, përkundër faktit që kemi tentuar disa herë të kontaktojmë direkt edhe Ministrin, z. Blerim Kuçi.

Përmes këtij postimi, i bëjmë thirrje përsëri Ministrit Kuçi dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë, të angazhohen seriozisht në këtë qështje dhe luanit t’i mundësohet transferimi sa më shpejtë që është e mundur./ KultPlus.com

Rrënohet ish-objekti i “Kombinatit të Duhanit” në Gjilan

Gjiganti gjilanas, i njohur dikur si “Kombinati i Duhanit”, ka nisur të rrënohet në tërësi.

Ditën e djeshme ka filluar të rrënohet fabrika më e madhe prodhuese e duhanit ‘Kombinati i Duhanit” në Gjilan, e cila ishte shitur nëpërmjet ankandit publik.

Fabrika në qytetin e Gjilanit e njohur në tregun, si ‘Kombinatit të Duhanit, sot ka filluar të rrënohet, në foto shihet se më nuk do të ekzistojë siç njihet ‘Kombinati i Duhanit’. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi përkrahje maksimale projektit rinor në Gjilan



Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ishte sot në Gjilan në aktivitetin e organizuar nga Organizata Joqeveritare “Rinia Studentore Kadri Zeka” mbështetur nga MKRS përmes thirrjes publike për mbështetje të projekteve rinore.

Organizata në fjalë është implementuese e projektit “S’duhani” i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare tek të rinjtë kundër duhan pirjes. I gjithë ky projekt po implementohet përmes një morie aktivitetesh atraktive në vazhdën e muajit të rinisë dhe të aktiviteteve të parapara për muajin e rinisë.

Ministrja Dumoshi u shpreh tepër e lumtur që përmes thirrjes publike për rininë kanë mbështetur rreth 32 projekte rinore, në vlerë prej 100 mijë euro.

“Jemi duke punuar intenzivisht për projektligjin për rininë, dhe përmes tij do ta rrisim moshën si dhe do ta forcojmë komponentin e njohjes së punës vullnetare” theksoi ministrja.

Përmes këtij projekti synohet objektivi i ndërgjegjësimit qytetar ndaj shprehive të dëmshme si dhe ngritja e vetëdijes tek të rinjtë për një ambient sa më të shëndetshëm.

Rinia është një nga dikasteret kyçe të ministrisë dhe nga fushat më me prioritet për mbështetje institucionale, prandaj edhe vëmendja e saj si ministre është maksimale për ngritjen e kapaciteteve rinore. / KultPlus.com

Inaugurohet shtatorja e heroit Abdullah Tahiri

Në qytetin e Gjilanit është inauguruar shtatorja e heroit Abdullah Tahiri.

Aty para shumë qytetarëve u çmua veprimtaria atdhetare e heroit Tahiri.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se Abdullah Tahiri ishte njeri i guximit që ka dhënë gjithçka për atdheun.

“Si njëri, si protestues si veprimtar, si kryengritës e i burgosur i luftës, e në fund edhe si dëshmor dhe hero”.

Fjalë të mëdha për Abdullah Tahirin shprehu edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Si student ka pasur mospajtime, duke vazhduar si kryengritës deri në fillimet e luftës. Por, po ashtu duke e përmbyllur kapitullin e tij për liri me rënien e tij”.

E ndërkaq ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi tha se Abdullah Tahiri ishte i pari në demonstrata dhe lëvizje politike.

“Tregoi që Kosova po merrte një pamje tjetër të angazhimit për liri dhe pavarësi të vendit. Abdullahu nuk ishte njëri nga ata, por ishte i pari. I pari në demonstrata i pari në lëvizje politike”.

E, djali i Abdullahit, Iliri kërkoi unitet për t’i tejkaluar sfidat që i ka Kosova.

“Sfidat që i kemi përpara janë sfida që vetëm të bashkuar dhe unik mund t’i kapërcejmë”.

Pjesë e kësaj ceremonie ishin qytetarë të shumtë, përkundër pandemisë Covid-19, distanca sociale dhe bartja e maskave nuk u respektua.

Komuna e Gjilanit nderon artistët Adriana Matoshi dhe Fatmir Spahiu si “Personalitete të vitit”

Komuna e Gjilanit, përkatësisht, kryetari Haziri, vlerësoi dhe nderoi si “Personalitete të vitit” dy prej artistëve më të mirë gjilanas të cilët me kontributin, angazhimin dhe sukseset e tyre, arritën të marrin vëmendje e çmime ndërkombëtare në fushen e artit, kulturës e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Ditë më parë aktorja Adriana Matoshi u shpërblye me çmim si aktorja më e mirë në Festivalin e Francës “See A Paris”, për rolin e saj në filmin “Nëntori i Ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës. /KultPlus.com

Nënshkruhet memorandumi, Gjilani do të bëhet me stadium të kategorisë së katërt

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të plotësimit të infrastrukturës fizike sportive, po vazhdon me investimet e saj. Investimi i radhës është në Gjilan në shumën prej 4,6 milion euro, në rindërtimin e stadiumit të qytetit.

Përkitazi, për këtë projekt kapital, në kabinetin e ministres Vlora Dumoshi sot ajo dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare të projektit “Rikonstruktimi i Stadiumit të Gjilanit, Kategoria e IV”, projekt i cili do të implementohet gjatë viteve 2020-2022.

Sipas memorandumit, obligimet financiare 100% i merr përsipër MKRS-ja dhe cakton organin mbikëqyrës të realizimit të projektit, ndërsa Komuna e Gjilanit do t’i zhvillojë procedurat e prokurimit dhe të dyja bashkë, MKRS-ja dhe Komuna, do të kujdesen për implementimin e projektit.

Përpos memorandumit, në takimin e zhvilluar mes ministres Dumoshi dhe kryetarit të Gjilanit, Haziri, u bisedua edhe për projektet tjera të përbashkëta që kanë MKRS-ja dhe Komuna, që pritet të realizohen në Komunën e Gjilanit.

Ministrja Dumoshi tha se nëpërmjet këtij memorandumi që kanë nënshkruar sot, i është hapur rrugë standardizimit të stadiumit të qytetit të Gjilanit konform kritereve evropiane.

“Që nga marrja e detyrës, jam interesuar që të shqyrtoj projektet sipas prioriteteve dhe duke pasur parasysh këtë fakt, kemi marrë përsipër të iniciojmë projektin për të cilin nënshkruam sot memorandumin me kryetarin e Gjilanit, Lufti Haziri, e që do të konkretizojë me një stadium të mrekullueshëm të qytetit. Si MKRS, ndjehemi jashtëzakonisht të kënaqur që po u mundësojmë një hapësirë moderne e me standarde sportistëve të Komunës së Gjilanit,” u shpreh ndër të tjera ministrja.

Ndërkaq, kryetari Haziri e falënderoi ministren për përkrahjen ndaj komunës që udhëheq ai dhe u shpreh se vazhdimisht MKRS-ja dhe komuna e Gjilanit kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer duke rezultuar me investime që kanë qenë në dobi të qytetarëve të Komunës së Gjilanit. / KultPlus.com

Sheqerie Buqaj dhe Xhevdet Doda, aktorët më të mirë në Festivalin “Talia e Flakës 2020”

Në Teatrin e Qytetit të Gjilanit u përmbyll Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, që mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2020”, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ndërsa juria vlerësuese në përbërje: Agim Selimi, regjisor, Visar Krusha dramaturg dhe Ekrem Sopi regjisor, i kanë vlerësuar prurjet e këtij edicioni dhe kanë ndarë çmimet e parapara për këtë Festival.


Në mesin e shumë çmimeve, u ndanë edhe për aktorin dhe aktoren më të mirë.

Çmimi “Aktorja më e mirë e Festivalit”, i takoi aktores Sheqerie Buqaj, për rolin në shfaqjen “Shkamat”, ndërkaq Çmimi “Aktori më i mirë i Festivalit”, i takoi aktorit Xhevdet Doda, për rolin në shfaqjen “Shkamat’, shkruan KultPlus.com


Kujtojmë se Çmimin “Shfaqja më e mirë e Festivalit” e mori shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit. /KultPlus.com

Nuk udhëtonin kurrë bashkë, babai tregon se dy vëllezërit frikësoheshin se mos vdisnin në aksident

I druheshin të iknin të dy nga kjo jetë dhe të linin pas familjet e tyre që jetojnë mes kushteve të vështira në fshatin Livoç i Epërm në Gjilan të Kosovës. Por fatkeqësisht tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, i mori të dy bashkë.

Është kjo historia e trishtë e Isës dhe Shemsedinit, dy vëllezërve nga Kosova që vdekja i mori nën rrënojat e Hotel “Tropikal” në Durrës, aty ku kishin pasur vetëm kujtime të gëzueshme. Familja Abazi kishte rreth 15 vjet që pushimet e verës i kalonte në këtë hotel në Durrës. Më 25 nëntor, një natë para tërmetit, vëllai i madh, 32-vjeçari Shemsedini, kishte marrë me vete edhe të voglin, Isain, 29 vjeç.

Isai kishte mbetur i papunë dhe për të mos e lënë vetëm, vëllezërit guxuan të bëjnë të parin udhëtim të gjatë, të dy në të njëjtën makinë. Babai na tregon se frika më e madhe e djemve të tij që nuk i ka më pranë vetes, ishte të vdisnin të dy në ndonjë aksident, e për këtë arsye asnjëherë nuk kishin udhëtuar bashkë. Por fati deshi që ata të shuhen në krahët e njëri-tjetrit duke lënë pas dhimbjen e papërshkueshme tek nëna, babai, nuset, dhe 6 të vegjlit e tyre. Familja i kishte drejtuar sytë nga dy djemtë të cilët punonin mekanikë, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse ata kishin marrë rrugën në Durrës, për punë.

Dy djem mjaft të lidhur me familjen, çka e tregon edhe një telefonatë që i kanë bërë në mbrëmje babait të tyre për ta qetësuar se janë mirë: Tani po flemë! Pas këtij mesazhi ata nuk u zgjuan më kurrë! Tërmeti i së martë në 03:54 i zuri në gjumë në dhomën e hotelit, teksa pas orësh të tëra u nxorën të pajetë nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Nga Tiranë në Livoçin e Epërm, na çoi një mision i veçantë. Një biznesmen në Tiranë me origjinë nga Vlora, i cili dëshiron të mos e shuajë gjestin e bamirësisë duke e bërë publik emrin, me të dëgjuar në lajme historinë e trishtë të familjes Abazi dhe jetesën e tyre të vështirë, vendosi të dhurojë 6 mijë euro, nga 1 mijë euro për 6 të vegjlit që humbën baballarët në një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore që preku Shqipërinë.

“Mirë motër mirë ardhsh”, na thotë në telefon teksa nisemi nga kryeqyteti, djali i xhaxhait të Isa dhe Shemsedinit, Sabri Abazi. Dhimbja e madhe, nuk ua kishte zhdukur respektin, e as pas pritjes dhe përcjelljes së mijëra personave që vinin për ngushëllim.

Babain e Isës dhe Shemsedinit e takojmë në çadrat jashtë shtëpisë aty ku me mijëra njerëz, të njohur e të panjohur të tyre kanë shkuar të shprehin ngushëllimet. Pyet nëse ne të Shqipërisë jemi mirë, nëse kemi pasur të lënduar apo jetë të humbura. Në mesin e kësaj tragjedie nuk harron mikpritjen dhe zemërgjerësinë.

Babai nuk duket i lëkundur nga fatkeqësitë që e kanë zënë këtë familje. Vite më parë i ishte shuar një tjetër djalë, por ai qëndron i fortë…mundohet të mos lëshojë lot, dhe t’i japë shpresë bashkëshortes së tij dhe nuseve të dy djemve që tashmë duhet të rrisin të vetmet 6 fëmijë.

Me zemrën e prekur nga gjesti human i një vëllai shqiptar siç babai shprehet, na çon tek nuset e djemve për t’ia dorëzuar atyre paratë për fëmijët. Ato ndodhen ulur krah njëra-tjetrës në çadrën tjetër hapur jashtë shtëpisë së familjes Abazi, ku ndodhen vetëm gra. Në krye qëndron nëna e vëllezërve Abazi, e ulur në një divan me nuset. Dhimbjen në shpirt e kanë aq të madhe saqë duket se i mungon forca për të nxjerrë lot. I shohim të veshura me shami të bardhë, ndërsa asnjë nga gratë e tjera nuk është veshur me të zeza.

Bashkëshortet e Isa dhe Shemsedin Abazi dhe nëna e tyre

Familja Abazi janë muslimanë. Vdekja për ta , sado e vështirë qoftë, është vullnet i Zotit, i cili duhet pranuar dhe përballur. I themi se vimë nga Tiranë së bashku me zemrën e madhe të një njeriu të panjohur për ta që dëshiron të lehtësojë sadopak dhimbjen e tyre duke u siguruar të paktën se fëmijët do ta kalojnë dimrin pa u munguar gjë. Nuk mund t’i mbajnë lotët teksa thonë vetëm: Allahu jua shpërbleftë! Zoti ju ndihmoftë.

Bashkë me vlerën monetare, në dorë mbanin edhe një arushë. Ishte dëshirë e një vajze të vogël, vetëm 7 vjeç, për t’ia dhuruar bashkëmoshatarëve të saj të vegjël, sapo dëgjoi se disa fëmijë nuk i kishin më pranë vetes baballarët e tyre, për shkak se ata kishin shkuar shumë larg (pa pasur zemër t’i tregojmë se tërmeti tragjik i 26 nëntorit që edhe ajo ndjeu dhe përjetoi, ka bërë që dhjetëra njerëz të humbin jetën nën gërmadha).  Teksa i tregojmë për këtë vogëlushe, shohim teksa në faqet e nënës së Isës dhe Shemsedinit rrjedhin lot, duke marrë pranë vetes arushin, një njëbrirësh rozë, dhe vështrimin e mban në emrin e vajzës së vogël të shkruar në të.

Djali i vogël i familjes, Isai, më 28 nëntor do të festonte ditëlindjen. Babai ia ka blerë edhe dhuratën, teksa ky është momenti i vetëm kur e shohim të përlotur. Kthen sytë mënjanë të mos e tregojë veten, dhe fillon të rrëfejë kujtimet që ka me djemtë nga hoteli i pushimeve të verës që tashmë u kthye në tragjedi për familjen. “Për 10-15 vjet kemi bërë pushimet familjarisht tek Hotel Tropikal. Por këtë verë nuk ma bënte zemra të shkoja, mendova për situatën ekonomike, nuk doja t’i shpenzoja djemtë, dhe nuk shkova. Isa më 30 nëntor kishte ditëlindjen, ja kam blerë edhe dhuratën. Më telefonuan para se të flinin, dhe më uruan natën e mirë. I pyeta a jeni mirë? Mirë thanë, kemi gjetur edhe materialet (të punës)”, na tregon babai.

Aty takojmë edhe Sabriun, i cili humbi djemtë e xhaxhait në këtë tragjedi. Është rritur me Isain dhe Shemsedinin në këtë lagje të varfër të Livoçit.

“Jemi rrit bashkë si vëllezër. Ka qenë dhimbje e papërshkueshme për ne. Derisa kam shkuar vet tu shoh fytyrat me pastru xhenazen s’kam mundur ta besoj. Tërmeti i zuri në gjumë”, thotë ai mes lotëve.

Na tregon se vëllai i tij ishte shkëmbyer në kufi me Isën dhe Shemsedinin. Ai kthehej nga Shqipëria për në Kosovë, dhe ata shkonin për në Durrës. Edhe ai kishte qenë në hotel  “Tropikal”.

Sabri Abazi, kushëriri i vëllezërve që vdiqën nga tërmeti

Me të marrë lajmin e kobshëm, vëllai i Sabriut, i cili është ushtar, ka shkuar vetë pranë gërmadhave për të kërkuar me shpresën se do të mund të nxirrte gjallë dy kushërinjtë e tij.

“Vëllai im ka qëndruar katër ditë atje. Pas 4 ditëve u nis. Në kufi janë takuar. Ku po shkon Shems e Is? Po shkojmë në Durrës në Tropikal, me punu. Pastaj e ka marrë në telefon një shokë prej Durrësit. I njihte një më një ku janë dhomat. Ka kërkuar 27 orë nën rrënoja derisa e ka gjetur edhe trupin e  dytë të pajetë, Shemsedinin”, na tregon Sabriu, teksa thotë se çfarë tragjedie do të ishte nëse ky tërmet do të kishte rënë në verë, ku gjithë fisi pushonte në këtë hotel.

“Allahu i madh, me pas ndodh në korrik e gusht, nga 50 vetë të familjes ne shkojmë atje, nip e dajë, ka mund me qenë katastrofë. Allahi i ndihmoftë edhe ata vëllezër e motra që janë atje”, thotë Sabri Abazi.

Siç e di tradita, kryefamiljari Abazi na përcjell të largohemi teksa tashmë kishte rënë nata. “Nuk do jua harrojmë…Me të ardhur në Tiranë, do ju takojmë”.

Fotoja e Isa dhe Shemsedin Abazi vendosur në hyrjen e rrugicës së banesës së familjes Abazi ku vetëm ditën që ne i vizituam (29 nëntor) kishin pritur 5 mijë vetë për ngushëllim

Në mes të kësaj tragjedie, Shqipëria dhe Kosova treguan se janë një përmes solidaritetit të treguar nga vëllezërit tanë përtej kufirit. Edhe në pikën e përbashkët kufitare në Morinë e sheh këtë. Efektivët e kufirit sapo shohin targat e Shqipërisë, pyetja e parë që drejtojnë është: A keni shpëtuar të gjithë nga tërmeti? Të gjithë e dinë tragjedinë e familjes Abazi dhe sapo i tregojmë se po shkojmë të ndihmojmë 4 fëmijët e Shemsedinit dhe dy të vegjlit e Isait, njëzëri thonë: Zoti ju ndihmoftë! / Literalmedia / KultPlus.com

Do t’ju shpëtojë Zoti, kështu u fliste Rugova në Gjilan të prekurve nga tërmeti i vitit 2002

Më 24 prill 2002, Gjilanin e goditi një tërmet me fuqi mbi 5 ballë të shkallës Rihter. Të nesërmen, këtë qytet e vizitoi presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili pos që premtoi ndihmën e institucioneve në përballimin e gjendjes, njëkohësisht i ngushëlloi të dëmtuarit duke iu thënë se kjo është prej Zotit.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e njoftoi presidentin Rugova me pasojat e tërmetit, i cili la një të vdekur, që ishte humbja më e madhe, mbi 100 të lënduar si dhe dëme të konsiderueshme materiale.

“Mbi 7 mijë banorë jetojnë nën tenda, ndërsa rreth 80 për qind e qytetarëve të kësaj komune nuk kanë guxim të kthehen nëpër shtëpitë e veta, nga frika e dridhjeve të reja, të cilat po vazhdojnë për çdo ditë”, kishte thënë Haziri.

Pasi i ka shprehur keqardhje kryetarit të Komunës për këtë fatkeqësi natyrore, presidenti Rugova ka thënë se kjo është prej Zotit dhe ajo që vjen prej Zotit është më lehtë e përballueshme.

“Të lënduarit Zoti i shpëtoftë dhe do t`i shpëtojë”.

Presidenti Rugova, i përcjellë nga kryetari Haziri dhe komandanti i SHPK-së Sheremet Ahemti, vizitoi zonat më të dëmtuara dhe kaloi nëpër qendrën e qytetit për t’u njohur drejtpërdrejt me pasojat e tërmetit.

Po ashtu presidenti vizitoi qytetarët e vendosur në tenda, si dhe spitalin e qytetit, që nuk po i zinte brenda gjithë të lënduarit, të cilëve u dëshiroi shërim të shpejtë.

Presidenti Rugova e lavdëroi punën e spitalit të Gjilanit, duke thënë se ekipet e tij kanë bërë punë të mrekullueshme.

Po ashtu, punë të mirë kanë bërë edhe institucionet e tjera, si policia, TMK-ja, KFOR-i, UNMIK-u dhe kjo është edhe një fakt se ne po forcohemi, po forcohen institucionet e Kosovës dhe duhet të jemi të gatshëm për çdo rast, u shpreh presidenti.

I pyetur sesi e vlerëson reagimin e shpejtë të TMK-së, presidenti Rugova tha se punën e tyre e çmon shumë pozitive dhe të shkëlqyeshme dhe për këtë punë ata edhe janë, jo vetëm për raste të luftës, por edhe në raste të rregullta, për ndërtim, për ndihmë të qytetarëve, për rastet që vijnë nga zoti dhe të këqijat e tjera.

Presidenti Rugova tha se tani ndihmat duhet të orientohen nga Gjilani për kapërcimin e gjendjes.

“Natyrisht do të shikojmë se çka mund të bëjmë nga buxheti i Kosovës”, tha presidenti Rugova në Gjilan, pas tërmetit, i cili e goditi këtë qytet dhe rrethinën e tij./MediaFokus/ KultPlus.com

Djali që humbi babanë në tërmetin e 2002-tës në Gjilan: Ku ishit atëherë, apo ndoshta atëherë nuk ekzistonte like, për t’i bërë marketing vetes



Tërmeti që në vitin 2002 goditi qytetin e Gjilanit, la një person të vdekur, derisa pati edhe shumë pasoja materiale.

Djali i burrit që vdiq vite më parë në Gjilan, ka bërë një postim prekës, duke kujtuar kohën e atëhershme.

Gyner Muja, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ka kaluar nëpër sfidat që momentalisht kanë banorët e Shqipërisë.

Ai shton se është i kënaqur që sheh njerëzit duke ndihmuar popullin pas tërmetit shkatërrues në Durrës.

Megjithatë, Muja ka kujtuar edhe se në vitin kur kishte ndodhur tragjedia në Gjilan, biznesmenë, politikanë, e këngëtarë nuk i dolën në ndihmë të prekurve, e as familjes së tij. Ai tutje, ka thënë se kishte mbetur pa u shkolluar, derisa, ishte detyruar që të punonte qysh në moshë të re për të siguruar jetesën.

Gyner Muja ka shkruar se në vitin 2002 ishte organizuar edhe një koncert bamirësie për familjen, por, thotë se të hollat e mbledhura nuk ju ishin dorëzuar asnjëherë.

Postimi i plotë i Gyner Muja:

I gezuar apo i hidheruar?

Termeti dikur ne Kosove e tani ne Shqiperi. Nuk jam i sigurt me kete shkrim se eshte koha adekuate te shkruaj apo jo,por i bindur ne mirkuptimin tuaj te pakten per te besuar se ne diqka te tille kam kaluar dhe une.
I kenaqur, madje i perlotur nga gezimi me ato qe po shohe keto dit popullim tim te organizuar ne maksimum per ti dalur ne ndihme popullit ne shqiperi te prekur nga termeti qe ndodhi pak dite me pare ne Durres.
I merzitur shum me jetet qe mori ky termet i kobshem,madje duke shuar edhe familje e duke shkatruar gjithqka qe kishin para vetes.
Ndihmat po vazhdojn qdo dit,qdo moment pa asnje dyshim bravo bravo. Mirpo mund te ju pyes ju biznesmen, politikan, vipa, kengetar etj eti ku ishit ju ne 2002 kur Gjilani u perfshi nga termeti, sa i dolet ndihme vendit dhe qytetarve tuaj. Nuk keni pas nevoj me pagu as taksen prej 5 eurove, as me hargju derivate per furgona, madje as me kalu ndonje kufi
Per ju qe keni harruar ne termetin e 2002 ishte vetem nje viktime (BABI IM) te me falni ku ishit ju. Apo ndoshta ateher nuk egzistonke Like, folloë, sponsored,facebook e instagram per ti be marketing vetes.
Faleminderit qe fale ( ndihmes ) tuaj une mbeta mbes 2 deshirave SHKOLLIM APO PUNE. Faleminderit per (ndihmen) tuaj qe une ne vend se te shkollohesha e te mbaja mendjen te mesimi une u desh te kujdesesha per kameren timen qe mbaja nen bank qe pas mesimit te shkoja ne pune.
Faleminderit edhe atyre qe perdoren foton time u ulur ne lagjen time kur isha duke pritur te dergoja Babin tim per ne varreza ata organizuan koncert bamiresije per familjen time e qe ne fund as ata e as ato para nuk i kemi par kurre.
PER FUND VAZHDONI NDIHMONI BASHK ME JU DHE UNE. E MOS HARRONI SE NE SHQIPERI ISHIN EDYE DY DJEM NGA GJILANI QE U VARROSEN SOT.

Tërmeti me i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit më datë 24 prill 2002, kur një person humbi jetën dhe u shënuan dëme të mëdha materiale me Magnituda 5.7 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 8 ballë të Merkalit./ KultPlus.com

Elza Zymberi prezantohet me ekspozitë personale

 Në shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zhegër të Gjilanit, është hapur ekspozita personale e Elza Zymberit, nxënëse e klasës së nëntë të kësaj shkolle. Mbi 80 punime të ndryshme të ekspozuara në këtë ekspozitë, të bëra nga dora e kësaj filloristeje të talentuar kanë zgjuar kureshtjen e dashamirëve të artit, të cilët kanë vlerësuar, se nëse kjo nxënëse të orientohet në këtë fushë, në shkollimin e mëtutjeshëm.

I pranishëm në këtë ekspozitë, ishte edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), në Gjilan, Nazim Gagica i cila ka thënë se ndihet i kënaqur që po merr pjesë në një ekspozitë të tillë të një nxënëse e cila po e shpalosë talentin e saj dhe DKA-ja do të mbështetë përherë ngjarje të tilla.

Në shenjë mirënjohje, në emër të DKA-së, Gagica i ka dhënë një mirënjohje piktores së re, Elza Zymberit me dëshirën që ajo të bëhet një piktore me emër me të cilën do të krenohet kjo anë dhe Gjilani.

Drejtori i shkollës Rrahman Agushi, duke vlerësuar lartë praninë e artdashësve në këtë ekspozitë, ka thënë se për shkollën është shumë e rëndësishme kjo ngjarje kulturore.

Vet autorja e punimeve të ekspozuara, Elza Zymberi është shprehur e lumtur që iu është jetësuar dëshira e saj për të ekspozuar punën që ka bërë deri më tani në këtë drejtim.

Duke falënderua të gjithë të pranishmit që e nderuan me pjesëmarrje ajo ka veçuar drejtorin e DKA-së, Nazim Gagicën, arsimtarin e saj, Valdrin Bajramin, drejtues të shkollës, por edhe mysafirë nga shkolla e artit pamor e të tjerë, si: Rasim Vllasaliu, Gëzim Brestovci, Magbule Xhemaili e të tjerë,  për inkurajimin dhe përkrahjen që po ia bëjnë asaj.

Më këtë rast, ajo ka dhuruar një pikturë, me portretin e heroit Agim Ramadani, për arsimtarin Valdrin Bajramin,  në shenjë nderimi për përkrahjen e vazhdueshme profesionale.

Përndryshe,  ekspozita me punimet personale të Elza Zymberit do të qëndrojë e hapur për një javë ditë, që nxënësit dhe të interesuarit të tjerë të mund ta vizitojnë, për ta parë nga afër talentin dhe kreativitetin e kësaj nxënëse e cila synon rrugëtimin e saj në këtë fushë. /Gjilani.Info/ KultPlus.com

Gjilani promovon “Teatrin Magjik të Fëmijëve”

Me super shfaqjen “Fortnite dhe Super Gjyshja”, është promovuar sot “Teatri Magjik i Fëmijëve”, i cili do të funksionojë si skenë e veçantë në kuadër të Teatrit të Gjilanit, por që u dedikohet ekskluzivisht shfaqjeve e programeve për fëmijë.

Hapja e “Teatrit Magjik të Fëmijëve” është përcjellë me një rekord të shitjes së biletave prej mbi 300 sosh, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka uruar hapjen e teatrit për fëmijë, duke thënë se kjo është bërë realitet falë punës dhe angazhimit të jashtëzakonshëm të drejtorit të teatrit, Erson Zymberi e trupës teatrale.

“Hapja e Teatrin Magjik është lajm i jashtëzakonshëm për kulturën në Gjilan, për fëmijët, arsimtarët e prindërit. Jam jashtëzakonisht i lumtur që është arritur të bëhet kjo. Ky qytet ka kulturë teatrale dhe po ndihem shumë mirë që do t’i edukoj brezat e ri. E uroj drejtorin e teatrit dhe stafin për këtë arritje dhe ua konfirmoj mbështetjen e Komunës në vazhdimësi”, ka thënë Haziri.

Idea dhe koncepti i shfaqjes “Fortnite dhe Super Gjyshja” është bërë nga Bekim Korça, ndërkaq kanë luajtur: Mejreme Berisha, Njomëza Kalaveshi dhe Avni Shkodra.

Shfaqjet e fëmijëve do jepen çdo të shtunë në ora 12:00, në teatrin e qytetit./KultPlus.com

“Fortnite & Super Gjyshja” hap perdet e Teatrit Magjik të Fëmijëve në Gjilan

Teatri i Qytetit të Gjilanit hap perdet e Teatrit Magjik të Fëmijëve, si skenë dhe teatër i krijuar ekskluzivisht për më të vegjëlit, me premierën e shfaqjes “Fortnite & Super Gjyshja”, shkruan KultPlus.

“Fortnite & Super Gjyshja” është inspiruar nga tregimet fantastike të fëmijëve dhe kjo shfaqje do ta rezervojë çdo të shtunë, orën 12:00, këtë termin në të cilin Teatri Magjik i Fëmijëve, do të sjellë shfaqjet vetëm për fëmijë në Gjilan.

“Ju mirëpresim juve prindër dhe juve fëmijë të dashur, këtë të shtunë dhe pastaj çdo të shtunë, në ora 12:00 për të parë shfaqjen “Fortnite & Super Gjyshja”. 2 fëmijë, një lojë shumë aktuale bashkë me pasojat e saj dhe një Super Gjyshe”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Qytetit të Gjilanit.

Shfaqja vjen me ide dhe koncept nga Bekim Korça ndërsa luajnë aktorët: Mejreme Berisha Avni Shkodra dhe Njomëza Kalaveshi. E shtunë (10 nëntor ) në ora 12:00./ KultPlus.com

Emri i ëmbëltores në respekt të liderit të Egjiptit

Hasan Azizi nuk është shtetas i Egjiptit. Nuk e ka vizituar asnjëherë këtë vend e as ka ndonjë histori familjare e afariste me të. Por dyqanit të tij këtu e 58 vjet më parë ia ka lënë emrin “Egipat–Egjipti”.

Me këtë emër ai ka krijuar lidhje tjetër emocionale që nga koha kur shteti me më ndikim në kontinentin e Afrikës drejtohej nga Gamal Abdel Nasser, shkruan sot “Koha Ditore”. Adhurimi për të ishte i motivuar edhe nga fakti se ai ishte mik me liderin komunist të ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, për të cilin po ashtu ruan respektin e madh.

Tash 87-vjeçar, Azizi rrëfen historinë e atyre që i quan “kohëra të vjetra”, e edhe të zanatit të tij, nisur nga viti 1960. Flet me ëndje për liderët e kohës, sidomos të atyre vendeve që ishin bërë bashkë në Lëvizjen e të Painkuadruarve dhe konsideroheshin vende mike të Jugosllavisë.

Beson edhe sot se ata ishin liberalë e paqësorë dhe për këtë gëzonin mbështetjen e madhe të popujve të tyre. Meqë ishin të tillë, Azizi thotë se ata nuk kanë pranuar të rreshtohen as në anën e Bashkimit Sovjetik e as të SHBA-së, që ishin përfshirë në Luftën e Ftoftë.

“Kur është miqësu Tita me Naserin ka qenë kënaqësi e madhe. U bamë fuqia e tretë në botë. Për atë ia kam lanë emrin e dyqanit “Egipat”, edhe pse kurrë s’jam kanë në Egjipt. E kam dasht Titën, sepse ai nuk ka ba dallime në njerëz. Për shembull – kam mujt me i thanë dikujt se nuk e kryej një punë nëse nuk asht e shkrume në ligj prej tij. Edhe aso kohe askush nuk ka mujt mem detyru me bo diçka që nuk asht e shkrume dhe e bazume. Për mendimin tem, ai u kan liberal”, shprehet ai./ KultPlus.com

Shtatëmbëdhjetë objekte të pabanuara në Gjilan rrezikojnë të shemben

Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit e Komunës së Gjilanit ka konstatuar disa objekte që gjenden në lagjen “Dheu i Bardhë”, përkatësisht në rrugën “Abdullah Presheva”, e që paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.

Në bazë të vlerësimit, të cilin e ka paraqitur Drejtoria tashti u është dhënë afat kohor prej 15 ditësh pronarëve që të marrin masat për rrënimin e objekteve dhe heqjen e mbeturinave, ndryshe Drejtoria e Inspektoratit do të marrë një vendim, ku edhe do të rrënohen objektet në fjalë.

Ndërkaq, Komuna ka identifikuar 17 troje ku gjenden objektet, të cilat paraqesin rrezik, ku edhe është i përqendruar komuniteti rom. Për këtë problematikë ishte diskutuar edhe në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi vjet, ku ishte paraqitur si shqetësim gjendja në rrugën “Abdulla Presheva”, ku pos rrezikshmërisë nga shembja e objekteve të pabanuara, tjetër shqetësim ishin edhe mbeturinat, të cilat hidheshin në atë pjesë.

Drejtori i Inspektoratit në Gjilan, Nevzad Rushiti, thotë se kanë kontaktuar me një pjesë të pronarëve, kurse me ata që nuk gjenden në Kosovë do të bisedojnë përfaqësuesit e komunitetit rom.

Ramadan Rexhepi, fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Ars Clubin “Beqir Musliu”, ka mbajtur sot ceremoninë e dorëzimit të çmimit letrar për fituesin Ramadan Rexhepi, që është me prejardhje nga Presheva, i cili ka krijimtari letrare për më shumë se pesë dekada në mërgim.

Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky çmim dhe aktivitete të shumta kulturore Gjilanit i bëjnë nderë dhe e forcojnë edhe më shumë themelin e një kryeqendre të madhe të artit, kulturës dhe vlerave kulturore në përgjithësi, sikur që është Gjilani.

“Është nderë i veçantë që sot ndajmë çmimin e 12 me radhë duke na bërë nderë të gjithë neve. Ka shumë dekada që fituesi i sotëm i këtij çmimi nuk ka qenë në Gjilan. Mbi 50 vjet duke vepruar e krijuar në mërgim, ai na vjen sot sikur në ëndrra dhe na shpalos moment interesante që kishte me Rexhep Elmazin dhe me shumë figura të shquara që tashmë janë të përmasave kombëtare. Është romancieri i parë është një figurë që krijimtarisë letrare ia kushton gjithë kohën. Ky është vargu që neve të gjithëve na ka mësuar se si fitohet liria, si flijohet për liri dhe se si duhet ndërtuar shtetin. Ndjehem krenar që çmimin e vitit 2018, po ia dorëzoj poetit Ramadan Rexhepi”, ka thënë Haziri.

“Shkrimtari Rexhepi është kthyer si një njeri i madh, për të marrë një çmim të vogël që ndajmë ne, por që bartë emrin e një shkrimtari me vlera të larta profesionale e kombëtare Beqir Musliu”, shtoi Haziri.

Gjithashtu, Haziri ka thënë se Gjilani dhe Anamorava nuk është e plotë në këtë Kosovë të ngushtë, nëse nuk arrin t’i sublimoj kërkesat e shqiptarëve të Kosovës Lindore për bashkimin me Kosovën.

Kurse, Sabit Rrustemi udhëheqës i Ars Clubit “Beqir Musliu”, ka thënë se është krenari që ky çmim i është dhënë figurave të shquara të letërsisë së Gjilanit dhe Kosovës. Ky vendim është marrë me unanimitet të plotë nga juria profesionale.

Për figurën e tij kanë folur edhe shkrimtarë e studiues të letërsisë, kurse vet autori Ramadan Rexhepi, ka thënë se ky është një çmim i veçantë sepse po kthehet në Gjilan me një mikpritje të jashtëzakonshme e cila, siç ka thënë ai, i jep kurajo dhe energji për të punuar edhe më tutje.

Rexhepi ka bërë një ecje të shpejtë nëpër të gjithë historinë e tij e cila kishte nisur që nga vendlindja, pastaj angazhimi i tij në gazetën “Rilindja”, angazhimi i tij shumë i madh në shoqata të ndryshme shqiptare në Suedi, në revista dhe puna e gjatë të cilën ai e kishte bërë si pedagog e mësimdhënës në Suedi, gjithmonë me qëllimin e tij të madh për të shkruar e për të botuar shqip.

Bashkërisht Haziri, Rexhepi dhe të gjithë pjesëmarrësit kanë vendosur fotografinë e fituesit në këndin e fituesve të këtij çmimi në Teatrin e Qytetit.

Juria profesionale për përzgjedhjen e fituesit të çmimit letrar “Beqir Musliu” ishte e kryesuar nga prof.Dr. Labinot Berisha, shkrimtari, Emin Azemi dhe udhëheqësi i Ars Clubit “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi./KultPlus.com

Në Gjilan mbahet edicioni i parë i festivali Angros

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me “Balkan Union”, këtë vit prezantojnë festivalin veror “ANGROS” i cili po mbahet me 3, 4 dhe 5 gusht 2018.

Organizatorët kanë thënë se emri i këtij festivali “Angros” ishte emri i lumit Morava në antikitet.

“Ky festival është një iniciativë e nxitur nga nevoja për aktivitete rekreative dhe edukative gjatë muajve të verës kur qyteti i Gjilanit ka ardhjen e qytetarëve të saj nga diaspora, pastaj kthimi i studentëve nëpër shtëpitë e tyre dhe mysafirë të ndryshëm që japin një gjallëri të madhe dhe dinamikë jetës në Gjilan”, kanë thënë përgjegjësit nga festivali Angros.

Këtë vit mbahet edicioni i parë dhe ka një program mjaft të pasur me grupe të ndryshme muzikore dhe DJ, kuzhinë tradicionale dhe aktivitete e lojëra tjera interesante për vizitorët.

Si një ndër ngjarjet më të mëdha në qytet, festivali është kujdesur për të gjitha detajet në mënyrë që vizitorët të kenë rehati dhe siguri – ndërsa shijojnë aktivitetet dhe produktet më të mira të vendit.

Në aspektin kulturor festivali “Angros”, është kujdesur që të pasqyroj autenticitetin dhe atributet unike të qytetit – përfshi edhe artistë të ndryshëm të vendit me prezantime dhe veprat e tyre.

Kjo mënyrë e ekspozimit të vlerave të qytetit përballë bashkatdhetarëve dhe në bashkëpunim me rininë gjilanase siguron që vlerat tona të promovohen edhe tek diaspora dhe kështu të kontribuojmë në bashkëpunim artistik e kulturor edhe me potencialin tonë në Evropë.

Hapja e festivalit gjatë ditës së djeshme kishte në vete ekspozitën, pastaj zumba dance, bende të ndryshme muzikore nga Gjilani, Kosova e Shqipëria.

Dita e sotme është përcjellë me ushqime tradicionale, pastaj organizimi i punëtorisë në fushën e Artit dhe riciklimit, në fushën e fotografisë, pastaj stand up comedy nga aktori Avni Shkodra, Tanju Şerif, Dagg X base, Lilac, Leke dhe Toton nga Kosova.

Ndërsa, dita e nesërme 5 gusht pos tjerash ka edhe yoga, ushqimi tradicional, vazhdimi i punës së punëtorive, poezi dhe përmbyllja e festivalit./ KultPlus.com