Shitësi i flijave mbulon bustin e Skënderbeut në Gjilan (FOTO)

Njëherë ka ndodhur që të mbulohet busti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut i vendosur në qendër të Tiranës, duke ngjallur irritim dhe reagime pafund në rrjetet sociale.

Nuk dihej nëse ka qenë thjeshtë një rastësi, prej ndonjë rikonstruksioni nga ana e bashkisë, apo ka qenë e qëllimshme, pas qëndrimeve të njohura nga ana e besimtarëve myslimanë për faljen e tyre përballë heroit kombëtar.

Por, një ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe sot në qytetin e Gjilanit.

Busti i heroit tonë, i cili është i vendosur në qendër të Gjilanit, u mbulua me mbulesë të zezë.

Kalimtarët pohojnë së një gjë të tillë e bëri shitësi i flijave.

“Derisa po kalonim me kerr udhës pranë selisë së kryetarit të komunës së Gjilanit, pamë se si njëri nga të rinjtë i cili po përgatiste tezgën ku duhej të shiste fli, me një mbulese (nuk e kemi të qartë se çfarë ishte saktësisht ajo), mbuloi bustin e Skënderbeut dhe e la ashtu, derisa ne pas një gjiro që bëmë dhe kur u kthyem andej, pamë se bustit ende i rrinte mbulesa mbi krye, pastaj intervenuam dhe ia hoqëm mbulesën”, pohojnë qytetarët, duke treguar tutje se nuk e dini nëse një gjë e tillë është bërë me qëllim apo thjeshtë nga moskujdesi.

Ata tutje konsiderojnë që sido që të jetë, ai gjest ndaj një figure legjendare kombëtare është i turpshëm dhe përplot jo respekt.

“Sidomos në këto kohëra kur është ngritë fushatë e të pafytyrëve kundër figurës së Gjergj Kastriotit, kjo gjë mund të merr konotacion të padëshirueshëm”, thonë qytetarët. / KultPlus.com

“Kosova, kantoni i 27-të i Zvicrës”, gazetari zviceran i mahnitur nga festa në Gjilan (VIDEO)

Gjithçka të përkujton sikurse në Langstrasse të Cyrihut, ku pas përfundimit të ndeshjes filloi festa, fishekzjarrët nuk kishin të ndalur.

Në Kosovë, i njohur edhe si “kantoni i 27-të i Zvicrës” – tifozët shqiptarë të futbollit e kanë festuar fitoren e Kombëtares zvicerane kundër serbëve. Gazetari zviceran i “Aargauer Zeitumg” dhe bashkëkombësja jonë Melani Alilaj, kanë raportuar nga festa e qytetarëve të Gjilanit, nga vendlindja e shënuesit të golit të fitores, Xherdan Shaqiri.

Me fishkëllimën përfundimtare të referit në ndeshjen Zvicër-Serbi, tifozët jo vetëm që brohoritën në Cyrih, Bernë apo Gjenevë. Tifozët e futbollit ishin të çuditshëm edhe në Gjilanin e Kosovës. Pak para përfundimit të ndeshjes, Xherdan Shaqiri shënoi golin e fitores. Duhet ta dini se: Gjilani është vendlindja e ndërkombëtarit zviceran me prejardhje shqiptare. Në vitin 2014, qyteti e shpalli birin e tij të famshëm, qytetar nderi.

“Jemi duke festuar për zviceranët”, thotë një grua e stërlumtur në rrugët e Gjilanit. Veturat i bien borisë, njerëzit këndojnë. Qyteti i Gjilanit i ka tejkaluar të gjithë kufijtë. Rruga kryesore është e bllokuar. Një tifoz mban trikonë e Shaqirit. Shaqa ishte lojtari i ndeshjes.

Gjithçka të përkujton sikurse në Langstrasse të Cyrihut, ku pas përfundimit të ndeshjes filloi festa, fishekzjarrët nuk kishin të ndalur, transmeton Albinfo.ch.

Në Gjilan, Festa Shabani i dërgoi Zvicrës një mesazh urimi në gjuhën shqipe: “Urime nga Gjilani. Ju urojmë nga Kosova. Urime për Zvicrën”.

Ironikisht, mu këta dy lojtarë të cilët vazhdimisht ishin fishkëllyer nga tifozët serbë, deficitin nga pjesa e parë e kthyen në një fitore zvicerane: Përveç Shaqirit, edhe Granit Xhaka. Ishte një ndeshje e nxehtë që pritej në Kupën e Botës në Rusi.

Ndeshjet e futbollit midis Zvicrës dhe Serbisë, që para disa vitesh janë ndezur emocionalisht. Kjo ka ndodhur për shkak të lojtarëve kombëtarë zviceranë me origjinë shqiptare të Kosovës: Xhaka, Shaqiri, apo Behrami. Arsyeja: Serbia refuzon ta njohë ish-krahinën e saj si një shtet të pavarur.

Sikurse Xhaka, po ashtu edhe Shaqiri kanë festuar me duart e tyre të kryqëzuara mbi njëra-tjetrën, duke aluduar në shqiponjën dykrenare. Është shpendi heraldik i shqiptarëve. Reagimi i Shaqirit ndaj fishkëllimave të serbëve? “Kjo nuk ka të bëjë me politikën, por me futbollin,” ka thënë pas pak kohe Shaqiri para kamerave.

Bile edhe Xhaka është distancuar nga politika: “Gjesti ishte për njerëzit që gjithmonë më mbështetën, nuk u drejtua kundër kundërshtarit”.

Në rrjetet sociale, festimet e golave ​​të Xhakës dhe Shaqirit tashmë po bëjnë xhiro. Kosovarët janë krenarë për heronjtë e tyre të futbollit. Shenjën e shqiponjës do të gjeni me të madhe.

Trajneri kombëtar zviceran Vladimir Petkoviq u përpoq të mbajë distancën e tij nga debati politik. “Ne e ndajmë sportin nga politika. Unë e mbaj këtë qëndrim njësoj sikurse ekipi dhe lojtarët. Ne jemi neutral në, dhe jashtë fushës së gjelbër”. Por pastaj ai e ngriti gishtin e tij paralajmërues drejtuar mediave dhe tha me ironi: “Unë jam mirënjohës që u derdh gaz në zjarr”.

Trajneri serb Mladen Krstajiq nuk ka dashur të diskutojë rreth festës së golit të fitores të zviceranëve. “Unë nuk jam një njeri që merret me këtë. Unë jam një sportist dhe i tillë do të mbetem”.

Nga ana tjetër, Shaqiri ka marrë gjithashtu një paraqitje ikonografike: atë të italianit Balotelli.

“Mollëkuqet” e Gjilanit përfaqësojnë Kosovën në Bjellorusi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim përfaqësuesen e qendrës kulturore “Mollëkuqet”, Arta Haziri Nuhiu, e cila së bashku me katër talentet na Gjilani, Edisa Ahmeti, Ilda Nuhiu, Valenta Selimi dhe Yllka Dema, do të nisen për në Minsk të Bjellorusisë për ta përfaqësuar Kosovën në festivalin ndërkombëtar të muzikës “Lemari”.

Kryetari Haziri, pasi u ka uruar suksese në këtë festival, ka thënë se ky është shembulli më i mirë i talenteve që ka Gjilani në këtë dhe disa fusha tjera.

“Unë ju uroj shumë suksese dhe shpresoj shumë që do ta në bëni krenarë të gjithëve me rezultatet e arritura. Mbështetjen e Komunës do ta keni në vazhdimësi”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, drejtoresha e qendrës kulturore “Mollëkuqet”, Arta Haziri Nuhiu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e madhe që i ka dhënë festivalit “Mollëkuqet”.

“Do ta bëjmë të pamundurën që ta përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrë sa më dinjitetshme dhe të rikthehemi me trofe të fituar nga ky event i madh ndërkombëtar, ku Kosova për herë të parë po merr pjesë. Më 17 prill do të jetë nata finale dhe besojmë që do ta bëjmë krenar vendin tonë”, ka thënë Haziri Nuhiu.

Në këtë takim, suksese i kanë uruar talenteve të Gjilanit edhe kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini dhe drejtoresha e Arsimit, Majlinda Hoxha./ KultPlus.com

Rotarakët e rinj dorëzojnë librat me alfabetin “brail” për fëmijët e verbër

Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi – Emini, ka inkurajuar të rinjtë për iniciativa të tilla.

Me mbështetjen e Komunës së Gjilanit dhe me iniciativë të “Rotary Club Anamorava”, përkatësisht rotarakët e rinj, i kanë dorëzuar sot Bibliotekës së Qytetit libra me alfabetin “brail”, dedikuar personave me mungesë në të pamur.

Rotarakët e rinj tash e një kohë përmes aktiviteteve të ndryshme kanë grumbulluar mjete, për t’i sjellë në Bibliotekën e Gjilanit librat me alfabet brail, projekt ky që u mbështet nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, UNICEF-Innovation Lab Kosovo dhe biznese të ndryshme nga Gjilani. Ky projekt u vlerësua si i mirëseardhur dhe i veçantë nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi – Emini, e cila, duke i inkurajuar të rinjtë për iniciativa të tilla, tha se do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Në këto momente patjetër se është e vështirë të gjinden edhe fjalët e veçanta. E vlerësoj edhe aktivizimin e nxënësve për të qenë në krahë të fëmijëve me mungesë të të pamurit. Komuna e Gjilanit dhe kryetari Lutfi Haziri patjetër që gjithmonë i ka mbështetur dhe do të vazhdoj tutje të jetë në krahë të aktiviteteve të tilla. Ju konfirmojmë edhe njëherë mbështetjen tonë në çdo aspekt dhe i mirëpresim gjithmonë këto çështje të tilla që kanë të bëjnë me të rinjtë e sidomos me fëmijët në veçanti”, ka thënë kryesuesja e kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini.

Kurse nga ana e tij, Zijadin Hasani, kryetar i Rotary Club Gjilani, tha se ky klub do i mbështet gjithmonë Rotarakët e rinj, duke i falënderuar ata dhe mentorin Muhamet Halili, i cili, sipas tij, i ka dhënë përkrahje dhe mban gjallë këtë klub.

Ndërsa, Kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, e vlerësoi nevojë të domosdoshme këtë ekzemplar me libra, të cilat mundësojnë komunikim dhe edukim për fëmijët./ KultPlus.com

Sonte në Gjilan nis “Talia e Flakës”, 6 shfaqje nga të gjitha trojet shqiptare

Festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës” ndër vite ka mbledhur më së shumti shikues në manifestimin “Flaka e Janarit”.

Edhe sivjet në këtë festival do të marrin pjesë teatro nga të gjitha trevat shqiptare, kurse organizatori është përpjekur që të sjellë në Gjilan shfaqjet më të mira, me autorë shqiptarë.

Bashkim Nexhipi, koordinator i “Flakës së Janarit 2018”, ka thënë se kështu, në natën e parë, më 22 janar, që është edhe mbrëmje hapëse, të parët do të paraqiten vendasit, Teatri i Gjilanit, i cili do të japë shfaqjen “Një natë në hotel” me tekst të Muharrem Shahiqit, me dramatizim të Agush Mulliqit e në regji të Bashkim Ramadanit.

Në mbrëmjen e dytë do të jepet shfaqja “Kosovatrans” e Teatrit “Agush Ramadani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit.

Teatri Shqiptar i Shkupit, në mbrëmjen e tretë të festivalit do të jap shfaqjen “G” të autorit Gjergj Fishta me dramatizim dhe regji të Sulejman Rushitit.

Regjisori Milto Kutali, i cili më herët kishte realizuar shfaqje edhe në Gjilan, kësaj radhe do të sjellë shfaqjen nga Shqipëria “Rrno për me tregue”, të cilën e pati shkruar At Zef Pllumi.

Teatri nga Prishtina “Dodona” do të paraqitet me shfaqjen “Portreti i pakryer”, të autorit Besim Rexhaj e regjinë e së cilës e ka bërë Elmaze Nura.

Festivalin do ta përmbyll shfaqja “Në dorë të fatit…” e Teatrit “Petro Marko” nga Vlora, tekstin e së cilës e ka bërë Ledian Gjeçi, kurse regjia është e Arben Kumbaro.

Të gjitha shfaqjet do të nisin me fillim në ora 19:00.​/ KultPlus.com

“Një natë në hotel”, premiera që nis Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan

Të hënën, më 22 janar, në teatrin e qytetit të Gjilanit, nisë Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në kuadër të “Flaka e Janarit”, shkruan KultPlus.

“Talia e Flakës” nis me premierën e shfaqjes “Një natë në hotel” e autorit Muharrem Shahiqi, rishkruar nga Agush Mulliqi e me regji të Bashkim Ramadanit.

Kjo shfaqje do ta bëjë hapjen e festivalit të dramës shqipe që do të zgjatë deri më 26 janar.

Shfaqja është e zhanrit komedi dhe është rishkruar dhe përshtatur duke trajtuar problematikat aktuale, ku një hotel është privatizuar nga një politikan, por jo në emër të tij. Gjithçka zbulohet kur ndodh një keqkuptim mes pronarit dhe një aplikante që kërkon të punësohet, ku përmes shantazhit ajo ia zë vendin e punës recepsionistit. Në një lëmsh të vërtetë korrupsioni, ku përfshihen edhe mysafirët e hotelit, arrihet një marrëveshje ku të gjithë pranojnë të korruptohen.

Shfaqja vjen nëpërmjet lojës së aktorëve: Ernest Zymberi, Gani Rrahman, Safete Mustafa Baftiu, Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Avni Shkodra, Ramadan Kurti, Naser Zymberi, Tringa Hasani. Skenografia: Burim Arifi dhe Blendina Xhema, kostumografia: Valdete Mustafa, muzika: Florim Gagica dhe dritat: Fatmir Halili.

“Një natë në hotel” vjen nesër në Teatrin e Qytetit të Gjilanit me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

“Foto Flaka” mbledh fotografët nga të gjitha trojet shqiptare

“Foto Flaka”, manifestim përcjellës në kuadër të “Flakës së Janarit 2018”, ka mbledhur fotografë nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët i kanë ekspozuar fotografitë e tyre në Teatrin e Gjilanit dhe aty vizitorët do të mund t’i shohin deri në përfundimin e manifestimit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Burim Baftiu, organizator, ka thënë se “Foto Flaka” do të qëndrojë e hapur prej 20 deri më 27 janar, kur do të ndahet çmimi për fotografinë më të mirë dhe filmin më të mirë.

Sipas tij, të ekspozuara janë 36 fotografi, të gjitha me format të njëjtë, në mesin e 70 fotografëve të ndryshëm që i kanë dërguar ato, por që organizatori ka vendosur që t’i printojë 36 prej tyre.

Baftiu, thotë se edhe sivjet nuk ka pasur ndonjë temë të caktuar, por ka bërë me dije se fotografitë janë me motive të ndryshme.

“Motivet janë të llojllojshme, peizazhe, portrete, laramani motivesh. Fotografitë janë të formatit të njëjtë, ato fotografët i kanë dërguar në formë elektronike dhe organizatori i ka printuar dhe janë vendosur në ambientin e caktuar”, ka thënë Baftiu, duke shtuar se do të zgjidhet vetëm fotografia më e mirë.​/ KultPlus.com

Sonte ndezet flakadani i “Flakës së Janarit 2018”

Sot më 11 janar nis manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”, shkruan KultPlus.

Ky manifestim i cili sivjet i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Skënderbeut dhe 50-vjetorit të demonstratave për Flamur, nis sot në ora 10:00 me homazhe para varrezave duke vazhduar në orën 17:00 me Ndezjen e Flakadanit të “Flakës së Janarit 2018” para Teatrit të Qytetit të Gjilanit.

“Miq, nesër fillojmë me aktivitetet maratonike të manifestimit shumëkultutor mbarëkombëtar, “Flaka e Janarit 2018”, që sivjet i kushtohet heroit të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Përmes vlerave kulturore, ne i nderojmë heronjtë e dëshmorët tanë, të cilët i bëjnë roje lirisë së Kosovës. Ju ftoj të bëheni pjesë!”, ka shkruar mbrëmë në rrjetin social Facebook, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.

Në vijim po sjellim programin e plotë të “Flakës së Janarit 2018”:

Vigan Nuza hapë në Gjilan ekspozitën “Hope”

Gjilani do të jetë nikoqir i Ekspozitës së Fotografisë “Hope”, me autor Vigan Nuza. Këtë e bëri të ditur organizatori i këtij eventi kulturor, Qëndrim Kqiku.

Sipas tij, më 9 nëntor, në Galerinë e Qytetit në Gjilan, me fillim nga ora 19:00, do të hapet Ekspozita e Fotografisë “Hope”, me autor Vigan Nuza.

Falë angazhimit të menaxherit të këtij projekti, Qëndrim Kqikut, adhuruesit e fotografisë mund të marrin pjesë në këtë ekspozitë, që do të hapet më 9 nëntor dhe do të qëndrojë e hapur për 2 ditë me radhë.

“Ekspozita në fjalë, e një autori të dëshmuar si Vigan Nuza, ka për temë shpresën për liberalizimin e vizave, që do të paraqitet para publikut artdashës përmes 20 fotografive klasike bardhë e zi”, ka thënë Kqiku.

Sipas tij, shpresa e liberalizimit të vizave është shpresë e çdo qytetari kosovar, por gjithsesi edhe atij gjilanas. Ai ka ftuar të gjithë, të vizitojnë këtë ekspozitë./ KultPlus.com

Gjilani inauguron objektin gjigant të Bibliotekës sipas standardeve europiane

Komuna e Gjilanit ka inauguruar sot objektin gjigant të Bibliotekës Regjionale “Fan S. Noli”, i cili është ndërtuar sipas standardeve europiane me financim të Komisionit Europian në vlerë prej 2.3 milionë euro.

Në ceremoninë e inauguruimit ka marrë pjesë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, Riccardo Serri, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Europiane në kuadër të Zyrës së BE’së në Kosovë, sikurse edhe përfaqësues të institucioneve tjera.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi ka falënderuar Komisionin Europian për financimin e objektit të Bibliotekës, ka folur edhe për problemet që e ka gjetur këtë projekt me të marrë mandatin e kryetarit.

“Administrata e kaluar e ka nisur këtë projekt, por unë e kam gjetur të ndalur. Kemi arritur me komunikim të vazhdueshëm me Zyrën e BE’së që t’i tejkalojmë problemet e kohës dhe operatori i ri ka arritur që ta përfundoj në afat rekord”, tha Haziri.

Kryetari Haziri tha se ky objekt, i cili ka mbi 3200 metra katrorë, do të jetë një mundësi e madhe për dashamirët e librit, nxënësit dhe studentët.

“Studentët e Universitetit “Kadri Zeka”, nxënësit, qytetarët, dashamirët e librit e të kulturës, do të kenë mundësi, hapësirë dhe kushte jashtëzakonisht të mira. Ky objekt me standarde europiane, do të jetë i nxënies së dijes dhe leximit të librave. Poashtu, edhe biblioteka elektronike do të jetë ajo që do t’i shërbej të rinjve e të rejave. Tradicionalisht, biblioteka “Fan S. Noli” ka qenë e vendosur në hapësirën e teatrit dhe tashmë ajo hapësirë i kthehet këtij institucioni. Ky flamur dhe këta yje të BE’së do të ruhen në Gjilan me respekt maksimal për sa të jetë jeta”, pohoi Haziri.

Ndërsa, Riccardo Serri, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Europiane në kuadër të Zyres së BE’së në Kosovë, theksoi se ndihet i nderuar që po e inauguron këtë objekt.

“Është kënaqësi e madhe që ta inaguroj këtë hapësirë këtu. Kjo është një shenjë se ne po përpiqemi të kontribuojmë në arsimin dhe qasjen në informacion në Kosovë. I falënderoj të gjitha palët që kanë kontribuar në këtë ndërtim, MAPL, Komunën e Gjilanit, kryetarin, mbikëqyrësit dhe kompaninë e kontraktuar. Uroj që qytetarët e Gjilanit të përfitojnë plotësisht dhe të lexojnë sa më shumë libra”, tha Serri.

Ndryshe, përveç ndërtimit të bibliotekës, Komisioni Europian ka mbështetur Gjilanin edhe në ndërtimin e parkut në lagjen “Dardania” dhe programin për bashkëpunim ndërkufitar me Komunën e Çairit, ku kanë përfituar zejtarët, përderisa KE është financues edhe i hapjes së vendkalimit ndërkufitar Stanqiq-Bellanoc. / KultPlus.com

Vjen edicioni i dytë i Multi-Cult Fest

Multi-Cult Fest rikthehet me edicionin e dytë, i cili do të mbahet më 29 shtator, në Teatrin e qytetit në Gjilan, duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

“Multi-Cult Fest” është një festival që synon të rrisë shkëmbimin kulturor ndërmjet të rinjve me prejardhje të ndryshme etnike në Kosovë, duke ju ofruar mundësi për të bashkëvepruar dhe komunikuar përmes artit. Ajo çfarë e veçon këtë festival është promovimi i multikulturalizmit në Republikën e Kosovës, duke ndihmuar thellimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet të rinjve që vijnë nga komunitetet e ndryshme.

Edicioni i parë i Multi-Cult Fest ishte i financuar nga Bashkimi Evropian – përmes skemës së grandeve nga Culture for All – dhe targetonte vetëm të rinjtë e shkollave të mesme nga komunitetet serb, turk dhe rom së bashku me të rinjtë kosovar të rajonit të Gjilanit. Ndërsa, këtë edicion Multi-Cult Fest përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Gjilanit, ku në programin performues do të ketë grupe profesionale nga e gjithë Kosova që vijnë nga komunitetet e lartë cekura.

Këtë edicion programi i Multi-Cult Fest do të ketë performancë me këngë dhe valle, pikturim dhe promovim të ushqimit tradicional.

Festivali i parë i këtij lloji në rajonin e Anamoravës.

Multi-Cult Fest implementohet nga organizata jo-qeveritare KAND – Center For Social and Cultural Development./ KultPlus.com

Komuna e Gjilanit shpallë konkurs për drejtor të Teatrit të Qytetit

Komuna e Gjilanit ka shpallur konkurs publik për drejtor të Teatrit të Qytetit, shkruan KultPlus.

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës të moshës madhore të cilët kanë zotësi të plotë për të vepruar dhe i plotësojnë kushtet në aspektin e kualifikimit dhe shkathtësive të kërkuara me konkurs.

Shërbimi Civil i Kosovës ofron mundësi të barabarta të punësimit për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe i mirëpret aplikacionet nga të gjithë personat e gjinisë mashkullore dhe femërore nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Komunitetet jo shumicë dhe pjesëtarët e tyre kanë drejtë përfaqësimi proporcional në organet e shërbimit civil të administratës publike si në nivel qendror njashtu edhe atë lokal.

Qëllimi i vendit të punës-angazhimit: Menaxhimi dhe promovimi i teatrit:

Detyrat dhe përgjegjësitë :

bën menaxhimin financiar,administrativ,teknik dhe promovues të teatrit;
zbaton vendimet e Këshillit drejtues të teatrit;
propozon organizimin e brendshëm të teatrit tek Këshilli drejtues;
përfaqëson teatrin brenda dhe jashtë vendit;
propozon buxhetin vjetor para Këshillit drejtues;
kërkon, aplikon dhe negocion për marrjen e donacioneve;
mbikëqyrë të hyrat dhe shpenzimet buxhetore si dhe të donacioneve;
negocion dhe nënshkruan kontratat dhe marrëveshjet me artistë të pavarur dhe me palë tjera;
menaxhon mirëmbajtjen dhe sigurimin e ndërtesës së teatrit;
menaxhon bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;;
për punën e tij i përgjigjet Këshillit drejtues të teatrit;
kryen edhe punë tjera të përcaktuara me ligj dhe statut të teatrit;

KUSHTET:

diplomë universiteti nga fusha e teatrit ose lëmi të përafërta të kulturës;
të ketë 5 vite përvojë pune profesionale;
njohuri të punës me kompjuter, Word, Excel;
të ketë shkathtësi të mira menaxhuese, komunikuese dhe ndër njerëzore dhe të jetë i gatshëm të punoj me orar fleksibil të punës dhe në grupe;
të ketë aftësi të mira për ruajtjen dhe zhvillimin e kontakteve brenda dhe jashtë teatrit.

Rregullimi i mandatit: bazuar në nenin 13 paragrafi 3 të Ligjit për Teatrot nr. 04/L-106, mandati i Drejtorit të përgjithshëm të teatrit është 4 (katër) vite me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat.

Çdo kandidat (aplikues) për pozitën e lartcekur duhet t’i kompletoj dhe dorëzoj dokumentacionin e domosdoshëm (foto kopje) si vijon :

dëshmi të kualifikimit shkollorë në fotokopje e noterizuar, e nëse kandidati e ka kryer shkollimin jashtë Republikës së Kosovës diploma duhet të jetë e nostrifikuar në MASHT.
dëshmi mbi përvojën e punës dhe trajnimet e kryera
dokumentin e identifikimit;
certifikata që nuk është nën hetime

Aplikacionet merren, dhe të plotësuara dorëzohen në arkivin qendror të Komunës së Gjilanit, përkatësisht në Qendrën për Shërbim të Qytetarëve
Afati i aplikimit është 15 ditë, nga dita e shpalljes publike të konkursit në mjetet e informimit publik, Web faqen komunale dhe tabelën e shpalljeve publike.
Aplikacionet e dorëzuara pas afatit të paraparë nuk pranohen, kurse ato të mangëta refuzohen.
Vetëm kandidatët e përzgjedhur në listën e shkurtër do të kontaktohen përmes tel ose email të cilin duhet shënuar në aplikacion. / KultPlus.com