Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku kanë vizituar artistin Xhevdet Xhafa, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ndau një bisedë të shkurtër që e zhvilloi me artistin.
– “Je mplak pak”, m’tha
– “Edhe ti”, ia ktheva.
Kështu filloi biseda jonë me të qeshura të shumta e me vrojtime nga e kaluara, veprat e artit dhe punët tona ditore, me artistin e madh Xhevdet Xhafa dhe me Ministrin e Kulturës, Hajrullaun”, shkruan i pari i ekzekutivit. /KultPlus.com
Sonte në Prizren ka filluar festivali i filmit dokumentar të metrazhit të shkurtër, ‘Dokufest’, përcjell KultPlus.
Në një postim në Facebook, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se ‘Dokufest’ është një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore, ku për nëntë ditë qytetarët dhe vizitorët e shumtë do të kenë mundësi të shijojnë programin e pasur me filma dokumentarë e të metrazhit të shkurtër.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e ministrit Çeku:
Prizreni nga sonte hap dyert për Dokufestin, ngjarjen më të madhe të artit e filmit në vend.
Një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Europën Juglindore tashmë është formësuar në institucion të krijimtarisë dhe edukimit artistik, me të cilin krenohemi të gjithë.
Përgjatë nëntë ditëve, qytetarët dhe vizitorët e shumtë do të kenë mundësi të shijojnë programin e pasur me filma dokumentarë e të metrazhit të shkurtër, në 12 hapësira të ndryshme brenda qytetit, kinematë e hapura, ekspozitat e programet e edukimit.
Mbështetja shtetërore institucionale për këtë edicion ishte më e larta ndonjëherë, ndërsa kthimi në ekonomi siç ndodhi me bienalen Manifesta pritet të jetë po ashtu më i larti ndonjëherë.
Ju ftoj të jeni pjesë e kësaj feste të artit, të shihni filma të jashtëzakonshëm dhe të përjetoni emocione unike nëpër kinematë e festivalit e magjinë e qytetit të Prizrenit./KultPlus.com
“I pabesi” dhe “Heshtja vret” janë dy filma që tashmë janë ndaluar të shfaqen në Luginë të Preshevës, dhe këta filma tashmë janë duke u trajtuar edhe nga sistemi i drejtësisë të atjeshme, me pretekstin se këta dy filma kanë përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, shkruan KultPlus.
Të dy filmat janë realizuar me skenar të Shkëlqim Islamit dhe regji të Musa Isufit e që janë realizuar me mbështetje nga Qeveria e Kosovës, për mbështetje për Luginën e Preshevës.
Ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku ka pritë sot në takim producentin dhe aktorin Gani Veseli dhe regjisorin e këtyre dy filmave Musa Isufi, duke shtuar se këta dy filma së shpejti do të kenë premierën në Prishtinë.
Më poshtë është njoftimi i plotë i ministrit Çeku.
Sot pata kënaqësinë t’i pres në ministri producentin e aktorin Gani Veseli dhe regjisorin Musa Isufi, dy filmat e të cilëve pushteti autokratik në Serbi nuk lejon të shfaqen në Luginën e Preshevës.
Filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” që janë financuar nga Qeveria e Kosovës si pjesë e mbështetjes për Luginën, së shpejti do të kenë premierën e tyre në Prishtinë./ KultPlus.com
Ministri Çeku ka takuar drejtoren për zhvillim të arteve në Këshillin e Arteve të Irlandës Veriore, Gilly Campbell e cila është në Kosovë për të dhënë ekspertizën e saj në fushën e artit.
Campbell ka qenë pjesë e punëtorisë me ekipin punues për hartimin e Ligjit për Art dhe Kulturë, me ç’rast janë fokusuar tek formimi i Këshillit Kombëtar të Arteve në Kosovë, modeli i Irlandës dhe krahasimi i tyre.
Bashkë me ministrin kanë vizituar Galerinë Kombëtare të Kosovës, ndërsa kanë diskutuar për punën e këshillit iniciues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, blerjen e veprave të artit dhe përvojat e shteteve të tjera.
Në takim ishin të pranishëm edhe Peter Brown, drejtor i përgjithshëm i British Council për Ballkanin Perendimor, Majlinda Mazelliu, zëvendësdrejtore e British Council për Ballkanin Perëndimor dhe drejtore për Kosovë dhe Shqipëri, po ashtu Alisa Gojani, u.d drejtore në GKK dhe Renea Behluli, kryesuese e këshillit drejtues, GKK./ KultPlus.com
Ministri Çeku, bashkë me zëvendësministren e MASHT-it, Edona Maloku, dhe me ambasadorin Ylber Kryeziu, takuan ministrin e edukimit në Portugali, Joao Costa.
Pjesë e diskutimeve ishte edukimi artistik e kulturor për të rinjtë, shkëmbimet e përvojave dhe programeve të edukimit mes Kosovës dhe Portugalisë./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të shoqëruar nga delegacioni i MKRS dhe MPJ, mbrëmë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Lisbon të Portugalisë, ishin pjesë e aktiviteteve hapëse të Javës Kulturore të Kosovës.
11 vepra të reja iu shtuan ekspozitës së ambasadës teksa këndi i bibliotekës u hap dhe u mbush me tituj kosovarë. Gjatë bisedës me pjesëtarë të diasporës, ministri Çeku rikonfirmoi përkrahjen e shtetit për mbështetje të artit dhe artistëve, duke krijuar mundësi të reja të promovimit të tyre edhe jasht kufijve./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku së fundmi nëpërmjet një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ka treguar arritjet në trashëgimi, kulturë e sport, përgjatë vitit 2022, shkruan KultPlus.
Më poshtë gjeni të plotë arritjet e shënuara si dhe videon e publikuar:
“Lajmet për shkatërrimin e monumenteve kanë qenë pothuajse të përjavshme. U pat normalizuar shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë. Kjo nuk ndodh më. Sot, kemi restaurime në gjithë vendin, plane të menaxhimit, inspektoritate e ligjshmëri, punësim dhe shërbim ndaj komunitetit. Muzetë e Kosovës po funksionalizohen, kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz po merr vëmendjen e merituar shtetërore. Deri para pak vitesh Qeveria as që mërzitej për gjendjen e institucioneve të kulturës dhe për pozitën e artistit. Brenda më pak se dy vitesh, ka pasur veprime që nuk janë ndërmarr asnjëherë më parë. Ndërtesat e kulturës po rinovohen, hapësira të reja për artistët po krijohen, pagat e performuesve janë të dinjitetshme, po vazhdon blerja e veprave nga artistët vendorë, fondi për librin është gjashtëfishuar, ndërsa mbështetja përmes granteve vetëm në vitin 2022 ka qenë mbi 4 milionë euro, e paprecedentë në historinë e pas luftës. Institucionet e kulturës u patën lënë me buxhete të mjerueshme, përveç rritjes së konsiderueshme të mbështetjes financiare. Filmin e shpallëm prioritet shtetëror, ndërsa Teatri, Filharmonia, Baleti e Shota me program në gjithë Kosovën e salla përplot me publik. Operën e themeluam, në proces është themelimi i Muzeut i Artit Bashkëkohor dhe së shpejti Instituti Kulturor i Kosovës. Qendra të reja të kulturës dhe të rinisë në qytete e fshatra, mundësi shtesa për zhvillimin e talentit rinor të Kosovës. Përveç që sportin e patën lënë pa financim adekuat, zyrtarët e partive politike merrnin pozita udhëheqëse në Komitet Olimpik, federata e klube. Për më pak se dy vite, kemi shumëfishuar mbështetjen financiare për sportin dhe sot kemi programe zhvillimore të sportit, sportin në shkolla, programe për fëmijë dhe shëndetin e tyre, ngjarje ndërkombëtare e sportive në vendin tonë. Po e zbatojmë procesin e licencimit për standarde të qeverisjes së mirë, po e ndryshojmë ligjin e sportit, dhe për herë të parë Kosova po bëhet me strategji afatgjate për zhvillimin e sportit. Edhe infrastrukturën e sportit e patën lënë në mjerim, ndërsa ne përveç që po i mbyllim projektet e mbetura përgjysmë, kemi nisur edhe projektet të reja për konsolidimin e infrastrukturës sportive në vend. Puna jonë nuk do të ndalet, reformat tona do të vazhdojnë të sjellin rezultate të prekshme për artistin e sportistin, për të rinjtë tanë.”
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku së fundmi ka takuar ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, përcjell KultPlus.
Ata kanë ndarë së bashku vizionin për bashkëpunimin kulturor bilateral si dhe janë dakorduar për nisjen e bashkëpunimit në trashëgimi kulturore dhe muzetë.
“Kënaqësi të takoja dhe të ndajmë vizionin e përbashkët për bashkëpunimin kulturor bilateral, me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.
Diskutuam për marrëveshjet aktuale, atë për bashkëprodhim të filmave dhe në fushën e arkivave, ndërsa u dakorduam për nisjen e bashkëpunimit në trashëgimi kulturore dhe muzetë”, thuhet në njoftimin e tij. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se UEFA ka konfirmuar përkrahjen për futbollin e Kosovës, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, shefi i MKRS-së, ka njoftuar se është takuar nga kryetari i shtëpisë së futbollit evropian, Aleksander Ceferin.
Postimi i plotë:
UEFA konfirmon përkrahjen për futbollin e Kosovës
Sot bashkë me Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në selinë e UEFA-së në Nyon të Zvicrës u pritëm nga Kryetari i shtëpisë europiane të futbollit, Aleksander Čeferin. Kryetarit të UEFA-së ia shpalosëm planin investiv pesë vjeçar për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.
Plani investiv që bën bashkë Ministrinë e Sportit, FFK-në dhe komunat përkatëse, parasheh përmbyllje të projekteve aktuale, renovime dhe stadiume të reja futbolli. Nga Kryetari Čeferin morëm zotimin për mbështetje financiare dhe profesionale për realizimin me kohë dhe cilësor të planit pesë vjeçar të infrastrukturës së futbollit”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, e ka mirëpritur dënimin e dytë të FIFA-s ndaj Serbisë.
Në llogarinë e tij në Facebook, Çeku ka shkruar se shovinizmi serb nuk kalon.
“Dënimi i parë para pak javësh për banerin skandaloz me thirrje për gjenocid. Dhe sot, dënimi i dytë për fyerjet e ekipit dhe tifozëve ndaj shqiptarëve. Të dy rastet zyrtarisht të nisura nga Federata e Futbollit e Kosovës, me mbështetje të gjerë publike e institucionale”.
FIFA të premten e dënoi Federatën serbe me 50 mijë franga për thirrjet fyese të tifozëve në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Në ndeshjen e Kupës së Botës në Katar, huliganët serbë kanë fyer vazhdimisht Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën, dy lojtarët shqiptarë të Zvicrës. Zvicra kishte fituar 3:2 dhe kishte dërguar Serbinë në shtëpi./ KultPlus.com
Përmes ndërhyrjeve konservuese është shpëtuar ndërtesa e Kinemasë së parë të qytetit të Prizrenit, duke e kthyer në jetë, të gatshme për shfrytëzim nga komuniteti.
“Plot punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, thuhet tutje në postimin e ministrit Hajrulla Çeku. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se është shtuar dhe një hapësirë e sportit në shërbim të komunitetit, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka ndarë edhe disa fotografi nga punimet në palestrën e sportit të gjimnazit të Pejës.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Edhe një hapësirë e sportit në shërbim të komunitetit. Kanë përfunduar punimet në palestrën e sportit të gjimnazit të Pejës. Përveç nga nxënësit e shkollës, palestra po shfrytëzohet edhe nga sportistët e qytetit.
Klubi i basketbollit Peja po i mban stërvitjet në këtë sallë, ndërsa me 29 dhjetor pret Hapoelin e Izraelit në Pejë, në kuadër të Ligës Ballkanike. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se pas restaurimit, shtëpia e piktorit, Hamdi Bardhi, në Prizren tanimë funksionon, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka ndarë edhe disa fotografi nga pjesa e shtëpisë së restauruar.
Postimi i plotë:
“Shtëpia e piktorit Hamdi Bardhi në Prizren ishte në prag të rrënimit. Pas restaurimit, monumenti pret të ketë funksion. Edhe një punë e mirë, trashëgimia jonë në shërbim të komunitetit, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka përmbyllur vitin me një koncert të mrekullueshëm, shkruan KultPlus.
Për këtë ka shkruar edhe Ministri Hajrulla Çeku, i cili ka vlerësuar mbrëmjen si shumë të suksesshëm, njësoj sikurse gjithë vitin e Filharmonisë së Kosovës
Postimi i plotë:
“Filharmonia e Kosovës me koncertin përmbyllës të një viti të jashtëzakonshëm pune.
Interpretim i mrekullueshëm, në drejtimin e mjeshtrit bullgar Svilen Simeonov dhe me paraqitjen e violinistes virtuoze Sihana Badivuku, një repertor nga Straussi deri tek kolonat zanore të filmave ikonikë të kompozuar nga mjeshtri italian Ennio Morricone”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Më 15 dhjetor është mbajtur premiera e kompozitorit italian Giuseppe Verdi “La Traviata” nga Opera e Kosovës, ndërsa më 17 dhjetor u bajt edhe repriza, shkruan KultPlus.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se Opera e Kosovës dëshmoi potencialin dhe cilësinë operistike.
Postimi i plotë:
“Dy net, full house, 1500 bileta të shitura, mbi 150 performues në skenë, duartrokitje 15-minutëshe. “La Traviata” e Verdit nga Opera e Kosovës dëshmi e potencialit dhe cilësisë operistike. Urime të gjithëve për këtë moment historik.
Shfaqja transmetohet më 2 janar 2023 në RTK”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka nënshkruar licencën për Federatën e Mundjes dhe Federatën e Triathlonit, përcjell KultPlus.
Njoftimi është bërë përmes një postimi në faqen zyrtarë të MKRS-së.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka nënshkruar licencat e radhës për federatat sportive sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave.
Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, ministri Çeku i ka dorëzuar zyrtarisht licencën për ushtrimin e veprimtarisë kryetarit të Federatës së Mundjes, Naim Muja dhe kryetarit të Federatës së Triathlonit, Vedat Tërmkolli.
Përgëzime për të dy Federatat dhe suksese në veprimtarinë e tyre./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar pas incidentit që ndodhi sonte në finalen e Superkupës, në ndeshjen mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës, shkruan KultPlus.
Ai ka dënuar sulmin ndaj policëve në këtë ndeshje duke i cilësuar si veprime të turpshme dhe të papranueshme.
Në vijim gjeni postimin e plotë të ministrit Çeku:
Në një periudhë aspak të lehtë për shtetin tonë për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës, lëndimi i policëve në një ndeshje basketbolli është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm.
Sporti nuk është luftë. Palestrat dhe fushat e sportit nuk janë për “trimat” që kanë problem me vetëpërmbajtjen. Për fajin e disave, jemi duke pësuar të gjithë, është duke pësuar sporti i Kosovës. Grupet e tifozëve, në emër të mbështetjes së klubeve të tyre të zemrës, janë duke e shkatërruar shpirtin sportiv dhe duke i shndërruar palestrat dhe fushat e sportit në ambiente të pasigurta për qyterarët sportdashës.
Ndeshjet e sportit janë momente argëtimi për familjet tona, për të gjitha grupmoshat pa dallim. Huliganizmi i disave është shndërruar në tmerrin e prindërve që duan të shijojnë sportin bashkë më fëmijët e tyre.
Këshilli për parandalimin e dhunës në kuadër të Ministrisë së Sportit rregullisht ka trajtuar rastet e dhunës në sport, duke i proceduar ato në institucionet relevante. Prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës duhet të jenë më efektive në dhënien e dënimeve për huliganët.
Edhe federatat e sportit duhet të vazhdojnë me veprime dhe vendime të ashpra, pa asnjë kompromis ndaj dhunës. Ministria e Sportit, paralelisht me veprimet e tjera, do të jetë e detyruar të zbatojë edhe veprime radikale për prezencën e tifozëve në palestra dhe fusha të sportit.
Këshilli për parandalimin e dhunës në sport do të mbledhet nesër në mëngjes për të trajtuar dhunën e shfaqur në ndeshjen e sontme të basketbollit mes Prishtinës dhe Trepçës.
Policëve të Kosovës dhe të lënduarve të tjerë u dëshiroj shërim të shpejtë./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka pranuar së fundmi shumë mesazhe fyese dhe kërcënesue nga Serbia, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka thënë se këto mesazhe kanë ardhur nga momenti kur ai ka publikuar veprimin shovinist të Serbisë.
Postimi i plotë:
“Përgjatë dy ditëve të fundit kam pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022.
Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor.
Një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare. Reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s. Besojmë që Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se është inauguruar fillimi i restaurimit të ndërtesës ku do të funksionojë Qendra Kulturore Hebraike në Kosovë, shkruan KultPlus.
Filluan punimet restauruese në ndërtesën e Qendrës Kulturore Hebraike, projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës.
Në Prizren për të inauguruar këto punime sot ishin Ministri Hajrulla Çeku, ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv, ambasadori gjerman, Joern Rohde, shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Michael Davenport, zëvendësambasadorja e SHBA, Alyson Grunder, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.
Qendra Kulturore Hebraike do të vendoset në ndërtesën e ish Hotel Shumadija, aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.
Projekti i revitalizimit është hartuar nga Komuniteti Hebraik në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. Paralelisht me ndërhyrjet revitalizuese, jemi në koordinim me Komunitetin Hebraik në Kosovë dhe shtetin e Izraelit, për të ndërmarrë hapat për zhvillimin e projektit të hulumtimit për ndërtimin e narrativës së ekspozitës mbi historinë e Komunitetit Hebraik në Kosovë, ekspozitë kjo e cila do të prezantohet në hapësirat e kësaj Qendre. /KultPlus.com
Mbrëmë Ambasada e Francës në Kosovë ka prezantuar edicionin e 22-të – të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë. Kjo ngjarje e organizuar në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës Belgjikës dhe Aleancën Franceze të Prishtinës, ka mbledhur një numër të lartë të artdashësve që kanë mbushur plot sallën e Kino Armatës me rastin e hapjes zyrtare që filloi fiks në orën 18:30, shkruan KultPlus.
Festivali këtë vit do shtrihet në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë. Në të njëjtën kohë me festivalin është duke u zhvilluar edhe “LA SEMAINE DU GOÛT”, java e shijes, dhe trajtimi i gastronomisë “në stilin francez” dhe për këtë aktivitet nga Franca ka ardhur shefi i kuzhinës, Chef Christophe dhe asistentja e tij Nathalie Vuitton.
Ata do të jenë çdo ditë në Institutin për aftësim profesionale KTC–së dhe në Espace FRANCE “le Vieux Lyon” ku do të mbajnë trajnime në fushën e kulinarisë.
Në ndërkohë, për programin e Festivalit të Filmit Frankofon dhe rëndësinë e Frankofonisë në Kosovë, të pranishëm ishin ambasadori i Francës, Olivier Guérot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe përfaqësues nga përfaqësitë diplomatike të Zvicrës dhe Belgjikës.
Fillimisht, ministri I Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se veprimtaria e vazhdueshme në kulturë, ka shënuar një rritje të dukshme të aktiviteteve në shumë nivele.
“Kjo javë ka qenë shumë e suksesshme dhe tradicionalisht ka bërë bashkë profesionistë, artistë të profilit kinematografik. Çdo program i ka dhënë Kosovës mundësinë që të njohë më mirë kulturën franceze, përmes kinemasë dhe arteve të tjera. Ky program i shkëlqyer me aktivitete të ndryshme është një rast që zhvillon shkëmbimin e kulturës. Veprimtaria e vazhdueshme në kulturë këtë vit ka shënuar intensifikimin e aktiviteteve në shumë nivele. Këtë vit ne nënshkruam marrëveshjen e bashkëprodhimit të filmit, duke hapur efektivisht marrëdhëniet e mëtejshme në fushën e kinemasë. Unë besoj se shkëmbimi ynë kulturor ndërmjet institucioneve është shembulli më i mirë se si po zhvillohen operacionet tona”, thotë Çeku.
Ndërsa, Ambasadori i Francës, Olivier Guérot ka thënë se Frankofonia nuk ka të bëjë vetëm me Francën apo vendet evropiane frankofone, por shtrihet edhe më gjerë, duke përfshirë një kinematografi të larmishme.
“Sonte jemi mbledhur për të festuar për kinematografinë. Dua të ju jap dy mesazhe shumë të shkurtra. Kinemaja është një mjet shprehës kulturor që krijon ëndrra, bashkon emocione nëpërmjet së qeshurës por kinemaja është gjithashtu një industri kreative e cila krijon edhe vende pune. Në anën tjetër, industria e filmit përshkon standardet tona kulturore, krijon një formë të kulturës tonë dhe për shkak se është një industri krijuese nuk duhet t’i lehet hapësirë për monopol. Kinemaja amerikane ka krijuar vepra të jashtëzakonshme dhe do t’i vazhdojë t’i prodhojë, por ekonomia ka nevojë për konkurrencë dhe kultura ka nevojë për diversitet. Frankofonia është një hapësirë diversiteti, një diversitet i brendshëm sepse Frankofonia nuk ka të bëjë vetëm me vendet evropiane frankofone, por shtrihet në pesë kontinente, treqind milionë folës dhe përfshin një kinematografi të larmishme”, thotë Guérot.
Tutje, fjalën e morën edhe përfaqësues nga përfaqësitë diplomatike të Zvicrës dhe Belgjikës.
“Ashtu si në vitet e kaluara, jam i nderuar të marr pjesë në nisjen e Javës së Frankofonisë që përmban një program të tillë. Kam kënaqësinë të konstatoj që Festivali i Filmit Frankofon ashtu sikurse Java e Frankofonisë që mbahet çdo ditë në mars, tashmë janë ngjarje të pashmangshme që kontribuojnë në skenën e pasur kulturore, duke marr parasysh që janë zhvilluar në Kosovë gjatë disa viteve të fundit. Në Zvicër, gjuhësia është një pjesë integrale e identitetit tonë. Dy të tretat e popullsisë përdorin më shumë se një gjuhë, të paktën një herë në javë. Popullsia e huaj që jeton në Zvicër gjithashtu kontribuon në shumë gjuhë. Kur flasim për këtë, gjuha shqipe është gjuha e gjashtë më e folur në Zvicër. Promovimi i gjuhës frënge, që është gjuha kryesore e folur nga 23% e popullsisë, është padyshim shumë e rëndësishme për ne. Në këtë rrugëtim, Frankofonia shkon përtej gjuhës frënge dhe është me të vërtetë një platformë e jashtëzakonshme e promovimit të vlerave të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe inkurajimit të bashkëpunimit të ri”, ka thënë përfaqësuesi nga Zvicra, Thomas Kolly.
Po ashtu, përfaqësuesi nga Belgjika, Julien Sassel është shprehur tejet i lumtur që aktivitetet belge janë pjesë e këtij edicioni.
“Jemi të lumtur që kemi mundësinë të përfshijmë aktivitetet belge në këto aktivitete. Këto përpjekje janë gjithashtu të lidhura me një projekt të Javës Belge, ende në zhvillim, që do të synojë të nxjerr në pah diversitetin kulturor të vendit tonë, të shprehur në gjermanisht, frëngjisht apo holandisht. Deri atëherë, ju uroj një mbrëmje të shkëlqyer”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Dino De Bruxelles nga Ambasada e Francës ka thënë se nga dita e djeshme e deri të dielën, të gjithë do të duhet të jenë të dedikuar ndaj të menduarit për dashurinë.
Ai po ashtu prezantoi premierën e filmit “France” nga regjisori francez Bruno Dumont, i publikuar në vitin 2021 dhe përshkruan jetën e një gazetareje, ylli televiziv, e kapur në një spirale ngjarjesh që do ta çojnë në rënien e saj.
“France” është një film komedi-dramë i vitit 2021, shkruar dhe drejtuar nga Bruno Dumont. Në të luajnë Léa Seydoux, Blanche Gardin, Benjamin Biolay, Emanuele Arioli, Juliane Köhler, Gaëtan Amiel, Jewad Zemmar dhe Marc Bettinelli.
Filmi ndjek jetën e një gazetareje televizive, e kapur në një spirale ngjarjesh që do ta çojnë në rënien e saj. Midis dramës dhe komedisë, Franca kërkon të krahasojë krizën intime dhe publike të një gruaje të re me një portret të Francës bashkëkohore.
Filmi pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Kanë më 15 korrik 2021. U publikua në Francë më 25 gusht 2021 nga ARP Selection.
Filmi synohet veçanërisht të jetë një satirë e trajtimit të informacionit nga kanalet televizive. France de Meurs është një gazetare yll në një stacion televiziv privat francez.
Fama e saj, mënyra e saj e konceptimit të raporteve dhe programeve, si dhe një zinxhir ngjarjesh personale, do të shkaktojnë një dyshim total të karrierës së saj në media dhe do ta kthejnë jetën e saj përmbys, përveç përpjekjeve të saj me sulmet e panikut dhe ankthin.
Kujtojmë se Festivali i Filmit Frankofon do të zgjasë deri më 20 nëntor dhe tema e filmave për këtë edicion është “AMOUR TOUJOURS”, një ilustrim i përsosur i këtyre 22 viteve takimesh romantike me Artin e 7-të.
Të gjitha informatat mbi shfaqjen e filmave dhe vendet i gjeni KËTU. Hyrja për të gjithë filmat është falas.
Gjithashtu, vizita e Ambasadorit të Francës në Institutin e Trajnimit Profesional të KTC-së dhe në Espace FRANCE “le Vieux Lyon” në Fushë Kosovë, do të mbahet ditën e premte, më 18 nëntor, në orën 11:00. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku së fundmi ka marrë pjesë në Samitin e Rinisë të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të kancelarisë federale të Republikës së Austrisë, përcjell KultPlus.
Ai pati rastin që të iu drejtohet 200 të rinjve që përfaqësojnë organizata jo-qeveritare nga e gjithë Austria, në ngjarjen përmbyllëse të Vitit Europian të Rinisë 2022.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Dy ditë produktive pune në Vjenë
Me ftesë të kancelarisë federale të Republikës së Austrisë, mora pjesë në Samitin e Rinisë të Ballkanit Perëndimor. Gjatë vizitës pata takime me Ministren e BE-se dhe Kushtetutës së Austrisë, znj. Karoline Etdstadler dhe Sekretaren Austriake të Shtetit për Rini, Claudia Plakolm. Në fund, pata rastin t’u drejtohem 200 të rinjve që përfaqësojnë organizata jo-qeveritare nga e gjithë Austria, në ngjarjen përmbyllëse të Vitit Europian të Rinisë 2022. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është shperhur se bashkëpunimi kulturor me Francën ka marrë një tjetër diemzion me vizitën gjashtë-ditore të përfaqësuesve të rajonit Hauts-de-France në Kosovë shkruan KultPlus.
Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:
Bashkëpunimi kulturor ndërkombëtar me shtetin e Francës, mori një dimension të ri dhe dinamikë të shtuar me vizitën gjashtë ditore të përfaqësuesve të rajonit Hauts-de-France në Kosovë. 🇽🇰🇫🇷
Profesionistë të fushës së kulturës dhe trashëgimisë kulturore nga Franca, kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e institucioneve dhe skenës së pavarur dhe kanë zhvilluar vizita në asete të trashëgimisë kulturore me potencial për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.
Bashkëpunimi kulturor i nisur me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëprodhim kinematografik, dhe projektet e zhvilluara në fushën e arkeologjisë, do të vazhdojë me hapa tjerë konkret, në veçanti duke nxitur bashkëpunimin nga fusha e artit bashkëkohor, muzeologjisë dhe kinematografisë.
Vizita filloi me Konferencën për Politikat publike në Francë, ku u prezantua përvoja franceze e zhvillimit të politikave kulturore. Ditët në vijim delegacionet zhvilluan takime dhe vizita në institucionet e arsimit të lartë në Prishtinë dhe Prizren, me akterët e skenës së pavarur kulturore, për të vazhduar në lokacionet e Bienales Nomade Manifesta 14, Kalanë e Novobërdës dhe shfaqjen në teatrin ODA, për të shijuar jetën e pasur kulturore në Kosovë./ KultPlus.com
Mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është shpalosur ekspozita e Akil Dashevcit.
Përmes ekspozitës së tij të parë “Ngjyrat e dashura të Akilit”, ai ka sjell vepra të shkëlqyeshme artistike.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tutje ka njoftuar se Qeveria e Kosovës po punon vazhdimisht për të mundësuar sa më shumë aktivitet dhe integrim shoqëror për personat me aftësi të kufizuara. / KultPlus.com