Gjetjet e para të studimit të fizibilitetit drejt Menaxhimit të Integruar të Qendrës Historike të Prishtinës, janë duke u diskutuar nga përfaqësues të MKRS-së dhe MMPHI, Kuvendit të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe OJQ-ve.
Anëtarët e grupit punues po shqyrtojnë analizën mbi gjendjen aktuale të Qendrës nga perspektiva e strukturës urbane, kornizës ligjore dhe kufijve të qendrës historike.
Projekti “Studimi i fizibilitetit dhe plani i menaxhimit për qendrën historike të Prishtinës” synon të integrojë trashëgiminë kulturore në një zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës për të ardhmen e kryeqytetit.
Ai financohet nga MKRS dhe mbështetet nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë. / KultPlus.com
Artistët si: Afrim Hajrullahu, Afrim Spahiu, Agim Balaj, Agron Blakçori, Agron Mulliqi, Alban Muja, Alban Nuhiu, Albe Hamiti, Albulen Neziri, Altin Krasniqi, Anmansa Petroviç, Arbana Hajredinaj, Arben Llapashtica, Arbnor Karaliti, Argenita Fetahu, Armend Nimani, Artan Hajrullahu, Arton Behrami, Avni Demiri, Astrit Ismaili, Avni Rudaku, Bedri Haziraj, Biljana Veselinova Komoni, Blerta Hashani, Brilant Milazimi, Burim Myftiu, Dardan Zhegrova, Dion Zeqiri, Daors Hoxha, Doruntina Kastrati, Driton Hajredini, Enesa Xheladini, Enver Hoxhaj, Erblina Karaliti, Esat Valla, Eshref Qahili, Fatmir Jusufi, Fatmir Mustafa, Faton Mazreku, Fidan Bejtullahu, Fikrete Misini, Gëzim Brestovci, Haki Xhakli, Hazir Reka, Hekuran Sokoli, Haveit, Redon Kikaj, Hysni Krasniqi, Ilir Balaj, Jakup Ferri, Jehon Gallapeni, Jeton Gusia, Jetullah Sylejmani, Kaltrina Hoda, Liridona Gjuka Bogu, Lorik Sylejmani, Luan Bajraktari, Lulzim Zeqiri, Mal Myrtaj, Mehmet Behluli, Mehmed Vokshi, Mimoza Sahiti, Nevruz Musa, Nexhmi Bardhi, Nimon Lokaj, Remzi Limani, Renea Begolli, Rexhep Ferri, Rrezartë Bajrami, Roland Masurica, Rron Qena, Sali Musliu, Shkamb Jaka, Shyqri Nimani, Urtina Hoxha, Valdrin Thaqi, Violeta Xhaferi, Yll Xhaferi, Zana Begolli dhe Zeni Ballazhi, kanë qenë personazhet kryesorë të koleksionit të veprave të artit të blera për 300 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me anë të thirrjes publike të vitit 2022, shkruan KultPlus.
Afro 80 vepra kanë mbizotëruar në dy katet e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Me tematika, teknika e gjendje të ndryshme, pikturat kanë shpërfaqur një horizont të gjerë e të llojllojshëm të artistëve, veprat e të cilëve kanë ardhur në mënyrë të veçantë. Muri i bardhë poshtë, e ai i zi në katin e dytë, ka qenë element kyç që ka treguar qartazi se artistët kosovarë janë në gjendje të jenë unik në stilin dhe paraqitjen e tyre. Të pranishmit, qenë ata që mbushën gjithsej galerinë, duke filluar nga ora 19:00. Nuk pati hapje zyrtare e as katalogë për të pranishmit, por kjo nuk i ndali ata që të shijojnë secilin cep që ishte mbushur me ngjyrë.
Me tone të ngrohta, shpesh edhe të zbehta, kanë qenë ngjyrat që kanë dominuar dukshëm në secilën vepër. Me përmasa të ndryshme, pikturat kanë portretizuar shpesh atë që është shfaqur në titull. “Dita e Shën Valentinit”, “Intrusive Rocks”, “Dritarja e Gjergjit”, “Loja”, “Oksimoron”, “Futbolli”, “Karllo O Hajn”, “Artisti”, “Heshtja”, “Cirku”, “Në shesh”, “Etja”, “Skenderbeu”, “HUMAN”, janë titujt që shpërfaqën gjithë atë se çka ishte ngjyrosur në pikturë, nëpërmjet mendjes artistike të tyre.
Ndërkohë nëntë veprat si: “Pa titull”, “Hapësira në kohë”, “The big ship”, “Kalldërëmi i Prizrenit”, “Kthimi”, “Melodia e ngjyrosur”, “Definition”, “Kallinjët” dhe “Pishat e Deçanit”, kanë përçuar një atmosferë krejtësisht mallëngjyese. Një qetësi absolute kaplonte shpirtin njerëzor kur fokusi vinte mbi këto piktura. Preciziteti, emocioni dhe situatat e ndryshme të “rrëzuara” në këto nëntë piktura ishin ato që ranë në sy më së shumti, e që njëkohësisht kaplonin mendjen. Po ashtu, pikërisht në këto copa arti, këmbët e të pranishmëve ndaleshin pakëz më shumë se sa koha e zakonshme, prej tridhjetepesë sekondash.
Tutje në vazhdim, përpos instalacioneve, video-instalacioneve, skulpturave dhe fotografive me motive që shpalosnin një dhimbje të thellë dhe përjetime të rralla, ishte edhe piktura e artistit Alban Muja ajo që tregonte mesazhin se gratë vazhdojnë ende të luftojnë për të drejtën e tyre në pronë, brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë. Emërtimi ‘Brotherhood’ çoi direkt tek pranimi se djemve u premtohet shtëpia e paraardhësve të tyre.
Komunikimi i veprave me audiencë qe e lirshme, e kuptueshme por ndonjëherë edhe konfuze. Ndonëse, ekspozimi i veprave nuk ishte bërë në formën më të mirë të mundshme, hapësira në të dy katet me gjithë grumbullin që posedonte, shfaqi një anë të dukshme të këtyre artistëve që me punën e tyre po dëshmojnë vazhdimisht se pasioni, dashuria dhe përkushtimi ndaj artit pamor, për ta është primare.
Artisti Fidan Bejtuallahu për KultPlus ka potencuar konceptin e veprës “Melodia e ngjyrosur”.
“Duke jetuar në kryefjalë të melodisë vdes një e keqe dhe një e mirë në detin e kaosit. Mbretëresha (melodia e ngjyrosur) bërtet – më lëshoni këtu – në një natë filmi e ndjekur apo imagjinon një melodi e cila i kujton një ngjarje, ose me herët kishte pas një harresë sepse kishte shpresuar veten në një barkë të peshkimit e rrethuar me melodi qetësuese. Vonë kjo e gjitha, nё tetorin e peshkimit, për të mos u kthyer më kurrë dhe për ta ndaluar një kimikal prej fishekzjarri në qiellin e mbrëmjes, jep një tingull melodie të ngjyrosur, por në ditën tjetër kthehet në jë mjegull të dendur – një melodi e dashuruar pas perëndimit; shkon në oborrin e kompozimeve – mё shumë se njësoj dhe ushqehet në datëlindjen e saj qё vjen poshtë reve të shoqeve të saj, të cilat vijnë pasi kanë pushuar në paqe, por në një të hëne të vetmuar mëngjesi ato vijnë të ngjurosin një tingull që nuk jep melodi”, ka thënë ai.
Kujtojmë se koleksioni i veprave të artit i blerë nga MKRS në vitin 2022, do të jetë i hapur për publikun deri më 15 Janar 2023. / KultPlus.com
Nesër duke filluar nga ora 19:00, Galeria Kombëtare e Kosovës do të prezantojë koleksionin e veprave të artit të blera nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me anë të thirrjes publike të vitit 2022, përcjell KultPlus.
Koleksioni do të jetë i hapur për publikun deri me 15 Janar 2023.
Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, përmes një ekspozite do ta bëjë prezantimin e koleksionit të veprave të artit të blera me anë të thirrjes publike të vitit 2022.
Hapja e ekspozitës do të bëhet më 20 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Koleksioni do të jetë i hapur për publikun deri më 15 janar të vitit 2023, njofton Klan Kosova.
Janë gjithsej veprat e 82 artistëve që janë përzgjedhur nga komisioni i MKRS-së për pasurimin e fondit publik të artit në Kosovë.
Më poshtë i gjeni emrat e artistëve, veprat e të cilëve do të ekspozohen në GKK:
Në mbledhjen e 113-të të Qeverisë së Kosovës është miratuar Projektligji për Kinematografinë dhe Koncept-dokumenti për Rininë.
Projektligji për Kinematografinë rregullon veprimtarin, organizimin, financimin, prodhimtarinë, distribuimin dhe shfaqjen e veprave filmike. Synim ka inkurajimin e krijimtarisë, promovimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë kinematografike. Projektligji në fjalë e shpall veprimtarinë kinematografike në Republikën e Kosovës si fushë të interesit të veçantë publik.
Ndërsa koncept-dokumenti për Rininë rekomandon avancimin dhe fuqizimin e rinisë në Kosovë.
Ministri Çeku, pas mbledhjes së Qeverisë në një konferencë për media, ka thënë se të dy vendimet e miratuara janë shumë të rëndësishme për kulturën dhe për rininë. Projektligji për Kinematografinë, sipas tij, parasheh tërheqjen e investimeve të huaj në film, e Koncept-dokumenti për Rininë i hapë rrugën një reforme të plotë për rininë dhe zhvillimin e saj./ KultPlus.com
Është pasuruar lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme nga shteti, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në Facebook.
Në vijim gjeni postimin e plotë:
Në bazë të Ligjit Nr.02/L-088 për Trashëgimi Kulturore, në pajtueshmëri me Nenet 3 dhe 4, listës së trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme iu shtuan edhe 19 asete të reja.
Asetet të cilat janë marrë nën mbrojtje të përkohshme i takojnë trashëgimisë arkitekturore dhe asaj shpirtërore dhe janë këto:
• Kroi i fshatit në Istog
• Ndërtesa e ish Pallatit te Shtypit “Rilindja”- Salla e shtypshkronjës, Prishtinë
• Materniteti “Nënë Tereza”, Prishtinë
• Shtëpi Banimi – (Shtëpia e zjarrit) Hysë Popova, Podujevë
• Kulla e Hamit Berishes, Harilaq, Fushë Kosovë
• Shtëpia-Kullë e lsmet Xhemailit, Keçekollë, Prishtinë
• Xhamia e Vjetër, Orllan, Podujevë
• Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha”, Prizren
• Hani i familjes Zaimi, Prizren
• Bodrumi i Vjetër, Suharekë
• Kompleksi i Familjes Kodra, Çadrak, Suharekë
• Ndërtesa e Selisë sëPartive Politike, Mitrovicë
• Ndërtesa e Turist Kosovës, Mitrovicë
• Kulla e Shaban Lushtakut, Mitrovicë
• Xhamia në fshatin Abri, Skenderaj
• Xhamia ne fshatin Burojë, Skenderaj
• Mbathtorja e Agës Xhelë, Pogragjë, Gjilan
• Shkolla e vjetër në Kokaj, Gjilan
• Shtëpia e ldriz Feratit, Çelik, Gjilan
Gjithmonë në harmoni me Konventat ndërkombëtare, qëllimi i mbrojtjes së ndërtesës është definimi profesional i vlerave dhe rëndësisë që ka, si dhe transmetimi i tyre tek brezat e ardhshëm./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku priti në takim Yuliia Hnat, Alex Fisher, Kateryna Iakovlenko dhe Kateryna Botanova, përfaqësues nga fusha e kulturës dhe artit nga Ukraina.
Bashkë diskutuan për zhvillimet aktuale në vendin tonë sa i përket kulturës, ngritjen artistike pas luftës dhe si mund të ndihmojë përvoja e Kosovës Ukrainën. Gjithashtu ndër të tjera u fol për ndikimin dhe organizimin e bienales Manifesta në Prishtinë, bienale kjo që pritet të mbahet në Ukrainë në vitin 2028 dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ministri Çeku shprehu keqardhje për situatën e rëndë në Ukrainë, po ashtu mbështetjen dhe solidaritetin e vendit tonë me këtë shtet.
Delegacioni nga Ukraina po qëndronin në Kosovë në kuadër të Konferencës së Asociacionit Ndërkombëtar të Bienaleve që u mbajt në Prishtinë si pjesë e Manifesta 14./KultPlus.com
Me këtë ligj rregullohet veprimtaria, organizimi, financimi, prodhimtaria, distribuimi dhe shfaqja e veprave filmike në vend dhe jashtë vendit, inkurajimi i krijimtarisë, promovimi, mbrojtja, ruajtja dhe studimi i trashëgimisë kinematografike, zhvillimi, mbështetja, edukimi përmes filmit, promovimi dhe ruajtja e krijimtarisë kinematografike, përmes krijimit të kushteve për prodhimin e veprave filmike vendore dhe bashkëprodhimeve ndërkombëtare. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit rendit për vitin 2022 ndër prioritetet programore ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e kuadrove në fushat të kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Theks të veçantë ka edukimi artistik i të rinjve, mbështetja e hulumtimeve, kërkimeve dhe prezentimeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe edukimi profesional në fushën e menaxhimit dhe mjekësisë sportive.
Të drejtë aplikimi në thirrjen publike për mbështetje financiare studimore kanë individët që dëshmojnë se programi studimor është i profilizuar në fushat specifike të kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Për aplikim dhe detajet tjera rreth thirrjes gjeni bashkëngjitur linkun:
Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se “Mitrovica Guitar Days” po sjell në qytetin e Mitrovicës artistë, kitaristë të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe vendorë, koncerte dhe master klasa nga kitaristë të jashtëzakonshëm, shkruan KultPlus.
MKRS thotë se festivali u hap me performancën e mrekullueshme të kitaristit me renome botërore, Aniello Desiderio i cili për publikun nga Kosova ofroi një program të pasur artistik.
Të pranishëm në mbrëmjen e parë ishin, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, drejtoresha për kulturë në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Alison Grunder, drejtori i festivalit, Erhan Mujka, studentë, artistë dhe shumë artdashës.
“Festivali që mbështetet nga Ministria e Kulturës do të qëndrojë i hapur deri me 12 tetor dhe në kuadër të tij do të organizohen masterclasses nga kitaristë me renome botërore, si dhe do të ketë punëtori, prezantime dhe koncerte të tjera”, thuhet në njoftimin e tyre. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se është hedhur një hap para drejt shpalljes së konkursit ndërkombëtar për Hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, përcjell KultPlus.
Në mbledhjen e gjashtë të komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz u miratua hulumtimi shumë-sektorial për konceptin, vizionin dhe bazat e Master Planit për këtë kompleks.
Në këtë studim përcaktohen vizioni, objektivat e përgjithshme dhe qëllimet e veçanta, duke përfshirë rezultatet e pritura, kriteret e vlerësimit, vlerat e trashëgimisë kulturore, dhe udhëzimet për hartim të Master Planit sipas atributeve të zonave të caktuara./ KultPlus.com
Sot në Prishtinë u mbyll punëtoria dy ditore ku u prezantuan Draftet e Koncept dokumentit për sportin dhe Strategjisë shtetërore për sportin.
Në këtë diskutim pjesëmarrës ishin përfaqësues të komunitetit të sportit, përfaqësues të institucioneve të nivelit qendror e lokal dhe akterë tjerë njohës të kësaj fushe.
Koncept-dokumenti për sportin parasheh bazën analitike për ndryshimet e domosdoshme në legjislacionin dhe politikat përcjellëse të sportit dhe sektorëve ndërlidhës, ndërsa Strategjia shtetërore për sportin parasheh një vizion afatgjatë për zhvillimin e sportit.
Në hartimin e këtyre dokumenteve janë angazhuar zyrtarë të administratës shtetërore në dy nivelet e qeverisjes, ekspertë vendorë e të jashtëm, federatat e organizatat e sportit dhe palët e tjera relevante.
Ministri Çeku falenderoi të gjitha palët për angazhimin dhe punën e deri tanishme ndërsa u bëri thirrje që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre deri në finalizim të këtyre dy dokumenteve me rëndësi të madhe për fushën e sportit.
Synimi është që të dyja dokumentet të finalizohen brenda këtij viti dhe të dërgohen për miratim në qeveri dhe kuvend./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës organizon ngjarje përkujtimore për 16 vjetorin e ndarjes nga jeta të artistit Muharrem Qena, transmeton KultPlus.
Aktiviteti do të mbahet sonte më 25 shtator nga ora 19:00 në Qendrën e Kulturës Alternative, Defy Them.
Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist.
Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoj shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, bën të ditur se janë publikuar rezultatet e projekteve individuale përfituese në thirrjen publike “Fondi i Mobilitetit 2022” në sport, rini, art dhe trashëgimi kulturore.
Bashkangjitur gjeni listën e përfituesve: KËTU. /KultPlus.com
Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë përmes një ceremonie do të bëjnë dorëzim/pranimin e Platformës Rinore të Kosovës.
Platforma “One-Stop-Shop” e quajtur “Rinia e Kosovës” është platformë miqësore për të rinjtë, e cila u mundëson të rinjve qasje në informacion rreth mundësive për arsimim, punësim apo angazhime të ngjashme qytetare. Platforma në fjalë, e cila është e para e këtij lloji në mbarë Kosovën, është rezultat i një bashkëpunimi pozitiv dhe të frytshëm ndërmjet Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe OJQ-së “LENS”.
Mjeti u vlerësua shumë nga përdoruesit dhe u përditësua rregullisht me një larmi të gjerë mundësish të lidhura me të rinjtë. Për të rritur më tej pronësinë e institucioneve publike mbi mjetet digjitale që avancojnë pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të publikut, duke promovuar njëkohësisht qëndrueshmërinë e tyre afatgjatë, Misioni i OSBE-së në Kosovë ia dorëzon platformën MKRS-së.
Për të festuar mjetet digjitale si mundësuese të ndryshimeve pozitive sociale dhe avancimeve demokratike, duke ripërtërirë së bashku përkushtimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe MKRS-së për avancim kuptimplotë të vlerave demokratike, ngjarja organizohet simbolikisht në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ceremonia do të mbahet sot, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, me fillim në ora 10:30. / KultPlus.com
Në kuadër të “Ditëve të Nënë Terezës” që po organizohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në 25 vjetorin e kalimit në amshim të Shën Nënë Terezës, sot nga ora 12:00 mbahet aktivitet edukues për fëmijë, në shtëpinë e Drane Bojaxhiut dhe shkollën e fshatit.
Aktiviteti mbahet në Novosellën e epërme, Gjakovë. / KultPlus.com
Një hap përpara drejt përcaktimit të metodologjisë për ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prishtinës.
Grupi kryesor i punës diskutoi sot metodologjinë për studimin e fizibilitetit për Qendrën Historike të Prishtinës të propozuar nga eksperti Italian i Trashëgimisë Kulturore, përfshirë aktivitetet e planifikuara në zbatim të saj dhe koordinimin për punën e përbashkët përpara.
Duke përfshirë të gjithë hisedarët dhe akterët relevantë, fizibiliteti dhe plani i menaxhimit do të përcaktojnë ruajtjen, mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prishtinës, një zonë me vlerë të trashëgimisë për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme.
Ky studim do të analizojë fuqitë e ndryshimit nga aspektet kulturore, mjedisore dhe socio-ekonomike dhe do të mundësojë mbrojtjen, përmirësimin dhe zhvillimin e koordinuar. Plani do të identifikojë qëllimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrës dhe do të zhvillojë strategji dhe veprime inovative, gjithnjë duke u bazuar në legjislaturën lokale e ndërkombëtare si dhe konventat dhe praktikat më të mira botërore.
Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zbatohet nga UN-Habitat-i në Kosovë, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, dhe synon të integrojë trashëgiminë kulturore në planifikimi hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës. / KultPlus.com
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, në parkun e Ministrisë së Kulturës, shfaqet filmi “Ferdonija”.
Ky film rrëfen përjetimet e zonjës Ferdonije, gruas që ka mbetur pa burrin dhe djemtë e saj, të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. I xhiruar në një periudhë prej dy vitesh filmi tregon emocionet, mendimet, vështirësitë dhe vuajtjet e Ferdonijes, të reflektuara nga realiteti i zhdukjes me dhunë të gjithë familjes së saj nga forcat serbe.
Filmin e ndoqën ministri Çeku, deputetja Arjeta Fejza, po ashtu shumë qytetarë e filmdashës.
“Ferdonija” do të vazhdoj të transmetohet deri në orën 22:00. / KultPlus.com
MKRS ka bërë thirrje që në këtë vikend të vizitohet Muzeu i Burgut të Prishtinës, më saktësisht ekspozitën “Burgun e Idealit”.
Shihni ekspozitën që rrëfen historinë, shtypjen e idesë për liri, rrëfimet dhe rezistencën e të burgosurve politik të vendit, që tani po tregohen dhe ndjehen në një mënyrë të veçantë, brenda njërit prej objekteve ku ndodhën keqtrajtimet.
Ekspozita “Burgu i Idealit” sjell tekste historike, fotografi, ilustrime, video materiale e intervista me rrëfime, krijimtari artistike të burgut si piktura e vjersha nga ish të burgosurit, emrat e mbi 9000 të ish të burgosurve politik shqiptar në këtë dhe burgje të tjera të Kosovës.
Ekspozitën mund ta vizitoni pa pagesë nga e marta deri të dielën, nga ora 10:00-19:00. / KultPlus.com