Nuk guxova ta këpus një trëndafil në kopshtet e Alhambras e ta sjell mbi varrin tënd, nanë në ditën e lindjes tënde. Parajsë qenka këtu, ujë, dritë e aromë lulesh. Ti pushon e qetë në parajsën tënde. Turistat bëjnë foto për ta përjetësuar ketë bukuri. Asgjë nuk përjetësohet, Asgjë, askush, nuk është i përjetshëm. Trëndafilat vyshken, kujtimet treten, njerëzit humbin, lënë të gjallët të sillën me telefona në dorë duke fotografuar vende e vetën e duke kërkuar parajsën mbi tokë. / KultPlus.com
Oh! kurrë mos e fyeni ju një grua që bie! E di dot sa ka hequr? Sa ka vojtur urie? Sa net si ferr ka gdhirë në ankth e drithërim? Virtytin kur ua tund Mjerimi me tërbim, E kush nga ne s’ka parë të tillë gra të mjera Si rreken që të mbahen, me ngulm, me duar të ndera? Sikundër buzë degës shohim varur tek ndrin Një pikë shiu si lot, kur dielli vetëtin, Q’e tundin tok me pemën e që dridhet, po mbahet, Perlë, pa rënë akoma, dhe baltë, passi ndahet!
Fajin e kemi ne. Ti kamës! Ari yt! Po uji i pastër gjindet dhe aty në llom të ndyt. Dhe që kjo pikë loti të dalë nga ka rarë, Të bëhet prapë perlë me atë shkëlqim’n e parë, Mjafton – Ja kështu rihet e ngrihet, passi bie – Një rreze djelli ose një rreze dashurie!
“T’ isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë. Të çelnja në pranverë dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime. T’isha një lule vjollce në mes të ferrave. Të qëndroja e fshehur, e pa dukur dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjëve. Prej frike, të larguar prej njerzis do t’më këputnin, do të dhurohesha te njeri–tjetri për shënjë kujtimi.”
Musine Kokalari u lind më 10 shkurt të vitit 1917 në Adanë të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në gusht të vitit 1983. Musine Kokalari përfaqëson disidenten e parë shqiptare. Vdiq e vetme dhe u varros vetëm nga varrmihësit. / KultPlus.com
Rini, thueja kangës ma të bukur që di! Thueja kangës sate që të vlon në gji. Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull… Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu… Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi Kumbi i zanit të përplaset për qiellë dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili E na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote! Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote./KultPlus.com
At Gjergj Fishta — fragmente të përzgjedhura nga poema “Shqypnia e lirë”
Jo, po: a s’desht djalli Shqypni? Jo, po: a s’desht hasmi Shqyptar? Qe, pra sod po ka Shqypni; Qe, pra sod po ka Shqyptar. Jo, po: ka Shqypni, per Zotin! Ka shqyptarë, qi n’çark agzotin Ata e bajn p’r’i kurrgjasend.
•••
Kqyrë Europa n’mend habitun, Edhe besë nuk don me e xanun, Se kta djelm n’Shqypni janë rritun, Se kta besen e kan dhanun – Gjallë ke shpija mos me kthye, Nji herë hasmin per pa e thye, Per pa e shty perdhuni m’cak.
•••
M’kambë, pra, nipa t’Gjergj Kastriotit, Me lidhë besë e armët me njeshë! Kem’ nji Atdhe edhe na n’ditë t’sotit: Kem’ Shqypnin na Rregjineshë, Per Shqypni na të jetojm; Gjallë Shqypnin na mos t’a lshojm: N’mend t’a kem per jetë e mot.
Po, por ndolli se vjen dita, Qi me faj Shqypnin e darni, Qi e Liris u erret drita Edhe me t’huej Atdhen e mvarni A per pare a marrí tjera, Si nder kohë, qi shkuen, atëhera, U marroftë i Madhi Zot!
•••
“Po, nëse ndodh me ardh ajo ditë, Që me faj Shqipërinë e përçani, Që Lirisë i vjen fundi, Edhe me ndihmën e të huajve atdheun e shkatërroni, Ose për lek, ose për sende të tjera, Siç ka ndodhur ca herë në histori të kombeve, Atëherë mbaroftë vullneti Zotit për me pas një Shqipëri të lirë!”/KultPlus.com
Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendohu. Përpara se të kritikosh, prit. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqësh dorë, përpiqu./KultPlus.com
Përktheu: Anton Papleka Nëpër të gjitha dyert ti më ike Në të gjitha shkretëtirat më le
Në agim të kërkova dhe në mesditë të humba Kudo që vajta ti nuk qe gjëkundi Kush mund ta përshkruajë Saharanë e një dhome pa ty Turmën e të dielës ku s’të ngjan askush Një ditë më të zbrazët se moli që zgjatet në det Heshtjen ku të thërras e ti nuk më përgjigjesh
Ti më le dhe njëherësh pranë meje ke mbetur Më le gjithkund më ike nga sytë Nga zemra e ëndrrave Më le si një frazë e mbetur përgjysmë Si një send i hedhur rastësisht si një karrige Si një vend pushimi në të dalë të verës Si një kartolinë e harruar në sirtar Çdo gjest më shkëput nga ti Si një gjethe që bie nga pema Vështrimi yt mbi mua të gjorin Qe një psherëtimë ku unë mungoja Si nuk t’u dhimbs hija jote që te këmbët rrinte./KultPlus.com
Jam shkëputur e kam ikur shumë herë Nga vendi im për në vende të largët, Për një mot, për shumë vjet, përgjithënjë… Dhe jam kthyer rishtas e rishtas Në çerdhen time, Nën qiellin tonë të lehtë, Në ajrin e tejdukshëm.
Se malli i madh më digjte Më hiqte në plëngun tim Te varret e gjyshërgjyshërve.
Por kësaj here – më falni, Do ik e s’do kthehem më: – Ku? ku? Në vendin e heshtjes së përherèshmejetshme, Ku s’ka dhimbje e ankthe, Por gjumë harrese dhe qetësi të katërciptë…
Fëmijë, Mos bëni gjëmë, Po ngazëllohi, se prehem Pas netesh pa gjumë. Tani pushuan të gjitha dhembjet Dhe ankthet.
Jam mirë Dhe qetë I parafjetur Përngaherë.
…U nginja nga të lehtët e qiellit, Nga ajri i tejdukshëm Dhe dua Peshën e rëndë të dheut Dhe mugëtirën e heshtjes. Qofshi shëndoshë, Të lumtur!/KultPlus.com
Nuk kalon nji natë e n’andërr porsi zgjandërr e shof nanën këtu përbri; me krye vjerrte, me lot për sy rri tue shfry njat idhnim që don me e gri Ndejun m’duket prap te votra ku me motra n’dritë t’kandilit qepte e arnote por njat gaz ka që i shndritte kur goditte petkat e djalit e shendote Kqyr njat vend ku n’mbramje rrishe kur nuk kishe fije idhnimi nëpër ftyrë e ngurron, si t’kenke gurit e, pshtetë murit lot’ i dalin rrkaje tuj kqyrë “T’kishe dekë ma mirë, o i mjerë – thotë sa herë, – Afër nanës qe t’desh e t’ruejti; t’kishe mbyllë me duer te mia këtu te shpia njata sy qe mordja shuejti Afër vorrit tand nan-shkreta porsi bleta ishte sjellun tue gjimue e n’at bar qe kishte qitë për gjithë ditë ndonji lule kish kerkue…” …E mandej, si del nji krue tue bumue rreth e rreth prej brijes s’malit rrkaj i ulen lot’ per rrudha – Nuk asht udha nanë, m’u idhnue per t’zeza t’djalit Kur n’kët shekull n’drit’ e qite kur e rrite me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh) “Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke, bir n’kët dhe nana jote a shqiptaria Mend e zemër për të shkriji e përtriji nam e lavd kur t’i vijë dita” Mbas fjalësh t’tua përherë shkova e t’ndigjova: shqiptarin’ nuk e korrita./KultPlus.com
Poezi e shkruar nga William Shakespeare Përktheu: Fan Noli
Kur isha i ri kisha dashuri, ah dashuri, E kisha zëmrën plot me lumtëri, Me nuse e me dasm’ e me kurorë, Isha si dash me brir’ e me këmborë, Po e pabesa pleqëri më theu, ah më theu, Me pançën e me thonjtë më mbërtheu, Më çthuri, m’arratisi në kurbete, ah kurbete, Në male, në shkëmbinj, në pronj e dete. Një bel, një bel, një kaz’m e një lopatë, ah lopatë, Dhe një savan i gjërë dhe i gjatë; Një grop’ e thellë dhe përsipër baltë, ah moj baltë, Kështu e do kjo mysafir’ e naltë./KultpPlus.com
Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal. Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina. Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina, Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t’u fal.
E si shkon me hap të matur, më pushton një dhëmshuri: Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës s’ate, T’i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.
Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim, Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote. Të të shtroj nga dhëmbja ime një çudi prej pikash lotë, Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.
Të m’a shkelish hije- letë! të m’a shkelish mes për mes! Të të shoh si më lëkundesh me sy fjetur e fatuar, Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar, E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes. / KultPlus.com
Amanet ju le nëse nuk pritoni të ma shkruani emrin në rërën e detit, dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj. Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar dhe arena e kafazit të jetë e hapur.
Përmendore nuk dua! Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop vendoseni afër kokës sime. / KultPlus.com
Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia: Në oborr u tha në fillim një dardhë, U shterr dhe pusi i madh tek avllia Ku kishte koliben qeni i bardhë. Dhe vdiqën njëri pas tjetrit
Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna; Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna. Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë, Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë, Që thonë: “Ende ky gjallë”
Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët, Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë! Kur gripi më zë i ngrenë veshët Dhë bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?/KultPlus.com
Njeriut asgjë nuk iu dhurua përfare As forca as brishtësia as dhe zemra e vet Hija e tij krahëhapur një kryqi i ngjet Kur e gjurmon lumturinë gjendet në rrëmet
Jeta e tij një ndarje e kotë edhe vrastare Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë Jeta e tij ngjason me ushtarët pa pajime Që kush e di ç’fat i përplas në këtë prag Edhe pse aq herët u zgjuan sot në ag Tani sillen të ngeshëm në ditën që u vag Mos derdhni pikë loti Po thoni Jeta ime Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
O dashuri e bukur brenga ime e çmuar Të ruaj thellë vetes si një zog flatrathyer Dhe ata që na shohin kur kalojmë rrëmbyer Pëshpërisin gjithë ato fjalë që kam ngërthyer Për sytë e tu të mëdhenj e që tash janë shuar Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Tashmë u bë vonë të mësojmë ç’është jeta Përkryer zemrat tona qajnë nëpër natë Këngën të këndohet e ndih një dhimbje e gjatë S’dridhet tel kitare pa lotë e përgjëratë Shpirtin e përmbytin vetëm dallgët e vërteta Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Dashuri që nuk kapit nuk ka kurrkund në botë Nuk ka kurrkund dashuri që vuajtjesh s’të flak Nuk ka kurrkund dashuri që nuk sëmbon e mpak Pa ty edhe atdheun do ta doja më pak Nuk ka dashuri që gjallon pa derdhur lotë Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë Atë veç ne të dy e kemi ndjerë/KultPlus.com
Një burrë i kthehet botës nga nëntoka i stepur, syhaptë, në rrebeshin e papritmësisë pa ombrellë, me një pallto që e bën më klasike pamjen duke shkelë mbi lulet që puthen me polen sheh qiellin, i vjen era gjeth hibiskusi, pendohet për gabimet, për të pathënat, me faqet e zhytura në ujë që nuk ka kush t`ia shtrydhë, se ai nuk sheh kah dritarja ime.
Ky është babai im në shi.
Të lagura janë rrudhat e tij të gjeografishme një tis i shpejtë i vetëtimës e lëkundë prej vendit statik nëse nuk largohet, shtylla e rrymës do ta godasë i bën dritë fytyra, i mbyllen kapilarët e syve të gjelbër i ftohti ia dridhë këmbët, një bletë e qulltë pin prej flokëve të tij poshtë një druri, i kërrusur, babai im dembel ka ikë prej varrezave i peshon përmbi një kovë me jetë të zbehtë, se jeta është një rrugë e vërshuar rrëke.
Ky është babai im në shi.
Një poezi e tija, më e ndjerë se kjo, në xhepin e brendshëm të setrës ia rëndon gjoksin, më shumë se dy stentat e vjetëruara pikëlon Zoti i vuajtur, e babai qëndron i heshtur, i humbur unë urrej filmat që planifikuam, po nuk i pamë kurrë bashkë tre fëmijë i ka të gjallë, dy të vdekur, një grua që ka humbur shpresën mund të mendojë se e kanë harruar, veç shiu s’e lan harresën unë s’e hap dot këtë xham, ta thërras, t`i them se ka kohë që e presim.
Ky është babai im në shi.
A durohet kjo dhimbje? A është ky fati ynë, baballarët e mbetur pezull? policët, zjarrëfikësit, vetura e emergjencës, dikush duhet të ndërhyjë unë nuk mundem, se kjo banesë e mallkuar nuk reagon ndaj jashtësisë mund ta sillni te unë, ose kthejeni në shtratin e tij të fundit një frymë e shkulë me rrënjë kalldrëmi babai qan për mua, unë qaj për të, shihet mraz furie ky është njeriu im i paprekshëm, në një shi të madh vetmie.
(“Babai im në shi” është poezia fituese e çmimit të tretë në konkursin letrar ‘Muza e Agimit’ 2023). / KultPlus.com
Përdita ime e mungueme, dëshirë që ma prapton pritjen, si n’pritjen e ngjizjes tande mbrenda meje dikur.
Ashtu po e mas kohën me shikimin dikah herë përtej, matanë, e herë qiellit përpjetë
Ka net kur, mbërthye n’këmishën tande gjithë gritha t’mallit, mundohem me ia krijue vetes do andrra, me e zhba nji çast, me zor me i hapë retë me bërryla e mos me i lanë me na e zanë dritën n’pritë.
E t’mshefi… herë mbas magjes, herë mbas bunarit, herë mbas shpinës s’nanës mbrapa diellit ndojherë…
T’i qet nana nji palë krahë shpinës e t’vërvis dikah e mbarue kur ketë katrahura, kthehem për dore t’kapi, në gji t’shtrëngoj. e ta shoh rritën, burrnimin ta shoh me sy përditë.
Zot! Po qysh mujte aq gjakftohtë me e pa atë dramë? Qysh mujte me ma shtrenjtue kaq shumë biletën e lirisë?
T’pati thurë nana çorapë prej leshi t’murrmë mos me t’nirthë kambët dimnit. Tash, sa herë aviten dimnat, marrohem prej tyne. Qenka dashtë që nana n’vend t’çorapëve me të pasë thurë nji tjetër nafakë me lesh t’bardhë për mu’ për ty.
Nanës, bir t’paça, Nji shenjë veç, ma ço aman! Se sot e atë ditë veç frymës tande i lutem e i falem, sot e atë ditë përditë agjinoj për erën tande, flokun, fjalën lojën, shtatin, dorën tande. Ah!
Veç ajo dorë mundet me m’i mshelë sytë e me m’përcjellë në tjetrën anë. / KultPlus.com
Një pikturë e tmerrshme më kapi në krah Me hijen e saj mbuloi çdo gjë Rridhja në agoni Si e kuqja, me trupin tim Shpirti ma ndjeu një ankth
Në mesnatë gjumi më la E keqja u nda I riu diell, më zgjoi nga ëndrra E ndjeva në frymën e mëngjesit Çdo gjë ishte e bukur Ishte e ndritshme
Në këmbë Me shpirt Me forcë E sfidoja hijen Tërhiqja kufijtë e saj, Për të hapur krahët Për t’fluturuar lart Për të ndjekur dritën e kaltër Për të gjetur ajër
Me shpresë, me dritë
E ngrita penelin, Për botën e re u nisa Për t’ndjekur dritën Harruar hijen, zgjuar me këngë T’fluturoj lart Të ndiej lirinë në zemrën time prap Krijoj një botë të ndritshme përjetë. / KultPlus.com
Dhe Zoti me bëri femër, me floke të gjata, sy, hundë dhe gojë femre. Me linja dhe kurba dhe valëzime të buta dhe me gërmoi brenda, më bëri një prerje të qenieve njerëzore. Endi me delikatesë nervat e mia dhe i balancoi me kujdes numrin e hormoneve të mia. Kompozoi gjakun tim dhe më injektoi me të që të vadiste të gjithë trupin tim ; lindën kështu idetë, ëndrrat instiktet. Të gjitha që krijoi butësisht gdhendur me frymë dhe zhbiruar me dashuri, janë mijëra gjërat që më bëjnë femër çdo ditë për të cilat zgjohem krenare çdo mëngjes dhe bekoj seksin tim./KultPlus.com