Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal. Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë. Mos u kthe pas. Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë. Asgjë mos thuaj. Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua. Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time. Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim. Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë. Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.
Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes. Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas. Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë. E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj. Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com
Sa qesh’ fëmijë s’mujta kurrsesi me e kuptue pse gjyshja vente në gjoks nji copë sapun ermirë… E mbështillte sapunin si ferishten në djep dhe e fuste mes cicave të mëdha, pa dashtë me ia ditë për brohorimat e grave që parakalonin me kazma ndër duer. Sa qesh’ fëmijë admiroja kostumin e zi të martesës që im atë e veshte në çdo festë a mort, tue mendue se ai kostum mbartte magji e prandaj ruhej me aq kujdes në raftin ku t’i shponte hundët naftalina. Sa qesh’ fëmijë imagjinoja se tana fustanet e grave janë prej basme me lule dalëboje si i vetëm fustan veror i nanës që lahej, terej e hekurosej përditë…
Si t’ia baj me tanë këto kujtime, malli jem, tash që fotografitë bardhezi më janë shkapërnda mbi prehën… / KultPlus.com
zemër s’po guxoj të mendoj në ty se veç të qeshurën tënde po ta mendoj kah krahu im i djathtë dhe shikimin me bisht të syrit që fluturon vrik si vremç i trembur posa vëren se është parë më bën të nisem këmbë për në botën tjetër atje ku sigurt ti do të vish
Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi, nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti. Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni, malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.
N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë, si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë, m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë, m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.
As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë, s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë. Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë, do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.
Nëpër troje ku punën kam hedhë, emra trimash mbush pagëzimi, por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet. Emrin e trimit e mban dhe amfibi.
Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj, dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë, kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë. Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.
Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët, u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej. Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.
Se shumësia juej në trishtim të shkurtër ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe. E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët, ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.
Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte, në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli. N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte, Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri. /KultPlus.com
Shumë njerëz ka qethur berberi në jetën e gjatë Atje në floktoren e kthesës së rrugës “Naimi”, Shumë vdiqën fatmirë a të ngratë, Shumë u vranë, u burgosën dhe jetën u mori mërgimi.
Qethi djaj e fisnikë e kusarë dhe mjaft deputetë, Dijetarë e memurë, kapterë e plot gjeneralë, Presidentë të shkuar e të ardhshëm, dramaturgë e poetë, Kardiologë e xherahë e dentistë që shkulin dhëmbë e dhëmballë.
Ah, nga gjithë mullarët me koka, ç’na mbetën! Po të bënte berberi një album nga kokët e qethura, Sigurisht, do t’i hapej një nam i madh tërë jetën Si poetit të shquar në librin me vjersha të zgjedhura:
“Ja, ky flok i takonte filan presidenti, Filan presidenti që vdiq, a mbaroi i burgosur. Këto balluke i mbante kusari i madh i qytetit, Ndërsa ato më tutje i kishte një pusht i brengosur”.
Kështu do lexonim të zgjedhurat flokë si libër Nga vetitë e prodhimit të leshit në kokat shqiptare. Lere, lere! Berberi vërtet do bënte një Bibël, Po të kishte në kokën e tij dy-tri pare.
Koha është të duhemi, të kesh besim në mua kur të them: Trime, të kem besim në ty kur më thua: Trim. Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite, shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt, një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim, nga frëngjia me ditë më peshove, me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës, se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime, ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari! Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ, kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh, i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme. Në fund të livadhit të kositur a po sheh: ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë. Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës, do ta ndez llambën në kullë, do ta hedh farën në tokën e re. Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve e të rënat të forta i kishe. Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete. Koha është të duhemi. /KultPlus.com
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet, Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt, Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert, Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë, Nëse këmbët t’i njom vesa, nëse mbetesh pa sandale, Nëse perlat të këputen nga xherdani, mos ki dert. Eja mbi bar me hapa të shpejtë.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell? Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre. Kafshët të trembura nisen vrap në stane. A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era. E kush do ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur? Se sytë i ke më të zi se retë e shiut? Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert? Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre. Është vonë; qielli u bë terr nga retë. Eja ashtu si je, mos u vono me tualet.
Ti qave dhe më the me zë të ulët Se unë të trajtoja si prostitutë. Atëhere lotëve të tu s’ua vura veshin, Te desha, pa e ditur se të desha.
Një mëngjes të beftë kur u gdhiva Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk, Ahere e kuptova ç’kisha humbur, Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.
Më rrëzëllinte si smerald mërzija, Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re. Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja secila m’e bukur se tjetra qe.
Se ish i tillë ky koleksion bizhush Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht, Që njëqindfish etjen për jetën shtonte, Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.
O të humbur shqipëtar Seç qenkeni për të qarë! Për të qar’ e për të sharë, Për të shar’ e për të vrarë! Armiqtë mbë dhé ju hodhnë, Dhe ju shtypnë sa u lodhnë! Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë Ju gdhendnë edhe ju rropnë. As bukë, as brekë s’ju lanë, Ju punoni, ata hanë! Nuk ju lan’ as pakë nderë Q’e kini pasur përherë. As nder, as turp, as gjak s’kini Unji kryet dhe po rrini. I duroni vet armiqtë; Prisni vdekjen apo vdiqtë? Shërbëtorë t’Anadollit, Kleçk e lodra të Stambollit. Në mos u shove fare, Ndizu, zemra shqipëtare! O shqipëtarë barkzbrazur, Fustançjerr’ e këmbëzbathur Zemërohuni një herë, Mprehni kordhët për të prerë, Mprehni kordh’ e mprehni pallë Të ju ndritin yj mi ballë, Ti frikësoni zuzarët Ç’i shuan shqipëtarët, E në vend tuaj të rroni Si të doni e si të thoni!
Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse Andej nga Kosova në fshatrat e thella, Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe Si valë e flamurit tek shpella.
Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra, Ku Rrjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj. Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura, po veç si qëmoti me kuaj.
Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë, Me pluhur mbi velo të vinte nusja e nipit tek unë, me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.
Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët Në vatrën time të vjetër sa përralla, Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër, Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,
Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë, Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta; Këto pasaporta s’te lënë të marrësh nuse me kalë, As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…
Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur Në fshatarat e thella andej nga Kosova, Se s’desha të shkoja në tjetren botë me buzë të plasur, Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja.
Poezi nga Maya Angelou Përktheu: Majlinda Bashllari
Gratë e bukura sfiliten të gjejnë sekretin e sharmit tim. Ngase s’jam e bukur ndoshta, e as ndonje trup modeleje nuk kam dhe kur këto ua them atyre mendojnë se tallem. Them se – është në gjatësinë e krahëve, në përdredhjen e vitheve të mia, në ritmin e hapave, në formën e bukur të buzëve… Jam jashtëzakonisht grua! Një grua fenomenale Jam unë.
Kur hyj në një dhomë, aq qetë sa s’e merrni me mend dhe një burri i afrohem, – të gjithë shtangin a bien në gjunjë dhe sulen drejt meje – Një koshere e gëzueshme bletësh. Them se – është prej zjarrit që më digjet në sy dhe vezullimit të bardhë të dhëmbëve, lëkundja e belit ndoshta dhe hareja e këmbëve. Oh, jam jashtëzakonisht grua Një grua fenomenale Kjo jam unë.
Vetë burrat, sa herë janë habitur Ç’gjë i tërheq drejt meje… Përpiqen kaq shumë, por s’munden t’i afrohen dot të fshehtës sime. Edhe kur vetë ua rrefej prapë s’dinë ta prekin… Them vjen prej harkut të thellë të shpinës, nga dielli i buzëqeshjes sime, përhedhja e gjoksit, a ndoshta, nga hijeshia e stilit Oh, jam kaq e jashtëzakonshme Një grua e mrekullueshme Jam unë
Tani e kuptoni, se përse nuk kam nevojë të tund kokën, të klith a të lëviz më kot, a të flas me zë të lartë. Nëse shihni që përmes kaloj me krenari të thellë… Shijomëni! Ju thashë, pra – është në kërcitjen e takave të mia, valëzimin e flokut, në cipën e shndritshme të dores, në etjen për njeriun – Sepse jam e jashtëzakonshme, Grua fenomenale – Kjo jam unë.
Kur nana më fali bluzën blu, Mu duk që bota u ndal, e buzëqeshi veç për mu. E thurrun me fije ngjyrë të qielltë, Mi dha krahët. Mora e nxjerra një fije peri, T’ia tamanis trupit të njomë, N’te s’kish mbet kurgja pos plakjes, E prapë mu duk tojë, e zojë.
Kur nana më fali bluzën blu, E mora me e veshë, Gëzimi i njëjtë si ditën e parë të shkollës. Kur isha para shoqeve të klasës, Bluza blu Që mu duk se e ndali botën të buzëqesh veç për mu, S’ish gja tjetër veçse lesh fukarallëku, Në të cilin po gjalloja, E po e arrnoja, Po sikurse bluzën blu. / KultPlus.com
Sepse shpresë s’majë m’u kthy apet
Sepse shpresë s’majë
Sepse shpresë s’majë m’u kthy
Dhuntitë e kti dhe qëllimet e ati m’i pasë kâjë
Un ma s’msyjë me msy, gjanav t’tilla i graht
(Pse shqiponjës t’plaktë i duhet me’j hapë kraht?)
Pse un duhët me vajtu
Fuqinë e zhdukt t’sundimit t’rëndomtë?
Sepse shpresë s’majë me njoftë
Madhninë e brishtë t’nji ore t’padyshimt
Sepse un s’menoj
Sepse un e di qi un s’duhët me ditë
T’vetmën fuqi t’s’vërtetës t’përkoht
Sepse unë s’muj me pi
Atje, ku behari, dhe pranvera rrjedhë, sepse atje nuk ka
asgja apet
Sepse un e di qi koha është gjithher kohë
Dhe vendi është përher dhe veç ven
Dhe çka osht e tashme osht e tashme veç për nji kohë
Dhe veç për ni ven
Un gzohna qi senet jon qysh jon dhe
Un-i em ftyrës t’bekume moh i bjen
Dhe moh i bjen zanit
Sepse shpresë s’majë m’u kthy apet
Prandaj gzohna, tuj pasë diçka me maru najsen
me t’cilën m’u gzu.
Dhe i lutna Zotit mbi ne me lshu mshirën e vet
Dhe lutna qi un t’muj me’j harru
Kto sene qi me veten aq shumë i boj muhabet
Kaq shum shpjegim
Sepse shpresë s’majë m’u kthy apet
Le t’dhojnë xhevap kto fjalë
Për atë qi osht bo, mos m’u bo mo
Ishalla gjykimi për neve s’do t’jet aq i ranë
Lutu për ne mkatarët tash dhe n’orën e dekës tonë
Lutu për ne tash dhe n’orën e dekës tonë.
II
Zojë, tre leoparda t’bardhë u ulën nër ni dru t’dullisë
N’freskun e ditës, tuj u rrasë dej n’fun t’tërrpisë
me kamtë e mia zemrën tem mëlçinë tem dhe me at qi ish
kon përmbajtë rreth’i thatë i kafkës tem. Dhe Zoti tha
A duhët kto eshna me rrnu? A duhët kto
Eshna me rrnu? Dhe ajo me t’cilën ishin përmbajtë
Eshnat e mia (që tashmë ishte e thame) tha kujisshëm:
Për shkak t’mirsisë t’ksaj Zoje
Dhe për shkak të dashnisë t’saj, dhe për shkak
Se ajo neron Virgjinën nër t’menduem,
Ne shndrrijmë me shkëlqim. Dhe unë qi jom ktu shtihavshëm
tu ja ofru veprat e mia harresës, dhe dashninë tem
Për breznitë e shkretinës dhe frytit t’pocërrkës.
Osht kjo qi i shnoshë
Lukthdhimtë e mija telat e syve t’mi dhe racionet e patretshme
Qi Leopardët refuzojnë. Zoja është tërhjekë
në ni fustanellë t’bardhë, n’soditje, në ni fustanellë t’bardhë.
Leje bardhninë e eshnav me’j la fajet ndaj harrimit.
Nuk ka jetë ën to. Sikur që jam i harrumë
dhe do të mun’ t’harrohem, ksisoj do t’mun t’harroj
ksisoj devotshëm, i përqëndrumë n’qëllim. Dhe Zoti i dha
Profeci erës, erës vetëm erës sepse vetëm
Era do të ngonte. Dhe eshnat knunë kujisshëm
Me barrën e nji karcylli, tuj thanë
Zojë e heshtjeve
E qetë dhe shqetsume
E çkyme dhe ma e plota
Drandofill i kujtesës
Drandofill i harresës
E shūme dhe jetdhanse
E merakosun qetsindjellse
I vetmi drandofill
Osht tani bashqja
Ku krejt dashnitë marojnë
Jepju fun mundimev
t’dashnisë t’paknaqun
Fundi i pafundsisë
T’udhtimeve pa fund
Konkluza i t’gjithës qi
osht e konkludushme
T’folun i pafjalë dhe
Fjalë e asni t’folmje
Hiri koftë për Nanën
Për Bashqën
Ku e gjith dashnia maron.
Nër drunin e dullisë eshnat knunë, t’çkepta dhe vezulluse
Na jem t’knaqun me kon t’çkept, ne i bojmë shumë pak t’mira njoni
tjetrit.
Nër drunin në freskun e ditës, me bekimin e zallit,
Tuj harru vetveten dhe njani tjetrin, t’bashkumë
N’qetsinë e shkretinës. Kjo është toka qi ju
duhet ta dani me short. Dhe as m’u da as m’u bashku
s’kan rëndsi. Kjo është toka. Na e kemi hisën tonë.
III
N’kthsën e parë t’shkallarës s’dytë
U kthva dhe kqyra poshtë
E njejti karm i parmakut t’kthytë
Nër dahin e ajrit t’ndytë
Tuj luftu me dreqin e shkallve qi e vesh
t’shpresës dhe t’dëshprimit ftyrën e lytë.
N’kthesën e dytë t’shkallarës s’dytë i lashë
ato m’u shtramu, tu u kthy përposht;
S’kish ftyra tjera dhe shkalla ish e terravt
E lagt, nofullore, si goja e ni plaku t’përjargt, e pamundshme m’u ndreqë tash
Ose gërrmazi i dhomzumë i ni peshkaqeni t’vjetravt
N’kthesën e parë t’shkallarës t’tretë
Ish ni dritare e mshelt si fryt fiqi
Dhe përtej lulzimit t’murrizit dhe ni skene livadhizëse
Vesht kaltër e blertë, figura shpërfillse
Tuj e shiju majin me ni fyll antik
Floku i lulzumë osht i omël, floku i kaftë mbi gojë lulzon,
Jorgavan dhe flokbrunë;
Zbavitja, muzika e fyllit, ndalimet dhe hapat e mēnës
në katin e tretë ushtunë,
tuj u fashitë, tuj u fashitë; përtej shpresës dhe dëshprimit kjo furtunë
katin e tretë e nxunë.
Zotynë, un s’jom i denjë
Zotynë, un s’jom i denjë
por veç fjalën e thom.
IV
Kush eci n’mes vjollës dhe vjollcës
Kush eci udhës s’midisshme
T’nuancav t’ndryshme të s’blertës t’larmishme
Tuj shku ën t’bardhë dhe n’t’kaltërt, n’ngjyrën e Marisë,
Për sene triviale tuj bisedu
Në injoracën dhe dijën e vujtjes s’përjetsisë
Që vlizë n’mes tjerve gjat ecjes s’tyne,
Kush atherë i boni t’forta burimet dhe t’freskta pranverat kush i ka maru
E boni taze gurin e thatë dhe e boni t’fortë ranën
n’kaltrinë e zhabinës, t’kaltrën e ngjyrave t’Marisë
Sovegna vos
Ktu jon vjetë që kalun n’mes, tuj heshë’
larg violat dhe fyllat, tuj ndreqë
Atë që lëvizë ën kohë mes gjumit dhe zgjimit, veshë
T’bardhën dritë t’palume, t’preme për te, t’palume.
Vitat e ri ecin, tuj ndreqë
Përmes nji reje t’shndritshme t’lotve, vjetë, tuj ndreqë
me ni varg t’ri rimat e lashta. Jepi shpengim
Kohës. Jepi shpengim
Vizionin e palëqitun në t’naltin andrrim
Përdersa njibrijshat e xhevahirt tërhiqen prej qerrës t’prarume t’xhenazev
Motra e heshtun e mlume ën t’bardhën e t’kaltrën
Mes bërshenve, mas zotit t’bashqës,
Fylli i s’cillit osht i pafrymë, e pshtetë krytë bon me shejë por s’e flet
ni fjalë.
Por burimi dulë dhe zogu knoj
Jepi shpengim kohës, liro andrrën
Isharetin e fjalës t’padëgjume, t’pafolt
Dej sa era t’I shkunë mijra pëshprimat prej bërshenit
Dhe mas ksaj, mërgimin tonë
V
Nëse fjala e humbun ka hupë, nëse fjala e qitun osht qitë
Nëse e padëgjumja, e pafolta
Fjalë s’osht folë, s’osht ngu:
Hala e pafolta fjalë, e padëgjumja Fjalë,
Fjalë pa asni fjalë, Fjala mrena
Botës dhe për botën;
Dhe dritat shndritën ën terr dhe
Kundrejt Fjalës bota e paqetë hala sillët
përreth qendrës t’Fjalës s’heshtun.
O njerzt e mi, çka j’u kom bo juve.
Ku duhët fjala m’u gjetë, ku do t’kumbon
Fjala? Jo ktu, nuk ka heshtje t’mjaftushme
E as ën deti e n’ishuj, as
n’kontinent, n’shkretinë ose n’tokën me shi,
Sepse ata qi ecin n’errsinë
Edhe nëpër ditë e edhe nëpër natë
Koha e duhun e as vendi i duhun nuk jon ktu
Asni vend me pshtu për ata qi i shmangen ftyrës
Asni kohë m’u gzu për ata qi ecin mes zhurmës dhe e mohojnë
zanin
A do t’lutet e mbulumja motër për
Ata qi ecin nëpër errsinë, qi ju dojnë juve dhe ju kundërshtojnë juve,
Ata qi jon t’çkymë ën bri mes stinës dhe stinës,
kohës dhe kohës, n’mes
Orës dhe orës, fjalës dhe fjalës, fuqisë dhe fuqisë, ata qi presin
N’errsinë? A do t’lutet e mbulumja motër
Për fmitë ën derë
Qi s’do t’shkojnë ma tej, dhe s’mund t’luten:
Lutu për ata qi i don dhe i kundërshton
O njerzt e mi, çka j’u kom bo juve.
A do t’lutet e mbulumja motër në mes t’hollve
drunj t’bërshanës për ata qi e ofendojnë ate
Dhe janë t’tmerrumë e s’mujnë t’dorzohen
Dhe pranojnë para botës dhe mohojnë n’mes gurve
N’shkretinën e fundit para t’fundëmve gurë t’kaltërt
N’shkretinën ën bashqe bashqën ën shkretinë
t’thatsirës, tuj pshty prej goje farat e mollës t’vyshkt
Tuj u mëdysh me humbjen ose fitmin
N’kalimin e shkurtë ku andrrat bojnë kalimin
Muzgu i andërrkalimev n’mes lindjes dhe deksë
ndonse un s’du me’j dashtë kto sene (Falëm o Zotynë)
Prej dritarës t’gjanë drejt bregut gurnor
Velat e bardha hala flutrojnë drejt detit, flutrojnë drejt detsë
Kraht e pathymë
Dhe zemra e humbun ronohet dhe i jep zemër vetit
N’jargovanin e humbun dhe n’zanat e humbun t’detit
Dhe shpirti i dobt gutët m’u rrebelu
Sepse shufra e artë e përkulne dhe era e humbun e detit
Ngarendin m’u kfjellë
Kajtja e thllanzës dhe i pikaloshes sjellë
Dhe syni i verbumë i bon kreatyrë
Format boshe n’mes t’fildishtav dyrë
Dhe era përtrinë shijën e krypës t’tokës ranore.
Kjo osht vakti i tensionit mes dekës dhe t’lemit
Vendi i vetmisë ku tri andrra kalojnë
N’mes gurve qi kaltrojnë
Por kur zanat e shkunt prej drunit t’bërshenit zhduken
Leje tjetrin bërshen m’u shkunë dhe m’u përgjigjë.
E bekumja motër, e shejta nanë, shpirti i burimit, shpirti
i bashqës,
Mos lejo qi na me turpnu veten me rren
Na mso m’u kujdesë dhe mos m’u kujdesë
Msona m’u ul hala
Madje edhe n’mes ktyne gurve,
Paqja jonë koftë nër dëshrimin e tij
dhe madje edhe n’mes ktyne gurve
Motër, nanë
dhe shpirti i lumit, i detit shpirt i bardhë
Mos lejo qi na m’u nda.
Ne do të jemi të vetëdijshëm për shenjtërinë tonë
Që piqet ndërsa përsosemi
Pejzat dhe qendrat lëndore,
Degëzat dhe gjethet hyjnore
Rrënjët tona, rrënjët e bukura
Sepse ato janë poshtë sipërfaqes,
Së hijeshisë sonë.
Jepna kënaqësinë e keqardhjes;
Lotët tanë duken më të mençur
Se qeshjet nëpër ajër;
Ne do të jemi të vetëdijshëm për hyjninë tonë
Kur koha të vijë,
Të paturpëruar, por jo me kënaqësi,
Bashkë me dhembshuritë tona besnike.
Ne do të lidhemi tek një etje finale.
Duke pritur për një zog që t’na thotë,
‘Kam ardhur t’ju ngre lart, t’ja u pres rrënjët
Pastaj do fluturojmë me flatra të shtrira
Dhe ta shtjellim ajrin,
Duke çarë lart në qiellin blu;
Ne do të jemi të vetëdijshëm Për një vend të ri Që do shfaqet në një re mbi kokat tona; Ne do të jemi të vetëdijshëm për të madhen shenjtëri; Dhe një të prekshme urtësi. /KultPlus.com
Sot është 100-vjetori i lindjes së Zef Zorbës, që padyshim është një prej poetëve më të rëndësishëm të letrave shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, shkruan KultPlus.
Zef
Zorba ka qenë poet, regjisor dhe përkthyes i shquar.
Poezia
e tij është e veçantë, dhe si e tillë ka ngjallë interesimin e studiuesve.
Zorba është autor i vëllimit poetik “Buzë të ngrira në gaz” që iu botua pas
vdekjes, në vitin 1994.
Me
këtë vëllim, Zorba është çmuar si poet i veçantë që është përfaqësues i
modernizmit dhe hermetizmit.
“Buzë
të ngrira në gaz” është shqiptim poetik i lartë, fryt i një kohe absurde që
shfaq ironinë tragjike për të bëmat e atij shteti të asaj kohe, në një shoqëri
të ndaluar dhe të shkëputur nga bota.
Qendra
Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese ‘Princi’, dhe
vajzat e poetit, ishte përgatitur të organizonte sot, një konferencë shkencore,
ku Zorba do të shpalosej i plotë nën zërin e studiuesve…
Por
situata e krijuar me virusin Korona e ka shtyrë këtë konferencë për një kohë
tjetër.
Këtë
100-vjetor, sipas botueses Irena Buzi do të botohet vepra gjithëpërfshirëse e
Zorbës.
Së
shpejti do të botohet Vepra I: POEZIA, si dhe studime mbi veprën e tij. Libri
“Vepra I: POEZIA”, është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, përfshihen
krijimet e poetit, ku janë poezitë e botuara në vëllimin poetik “Buzë të ngrira
në gaz”.
Këtij vëllimi i janë shtuar edhe disa poezi të panjohura deri më tani. Në pjesën e dytë përfshihen përkthimet e Zorbës nga vepra poetike e autorëve italianë të 900-ës, që ende nuk e kanë parë dritën e botimit. /KultPlus.com
Së pari buka e gojës Pastaj uji i pijshëm Tabletat e bardha të gjumit Pak ofshamë shpirti Dhe vetmia e ngujuar Me plot vetëbesim Deri në ditën tjetër Durimi sipas zakonit Gjysma e fjalëve të pathëna Shtrydhen si limon i verdhë Mbi mendimet e ngrira Aty ku është e panjohura Asnjë puthje e ëmbël Asnjë ëndërr e bukur Asnjë kënaqësi e gufuar Dhoma me plot optimizëm Tek sillet në vetminë e vet Vetëm një gotë dëshpërim Pak ofshamë shpirti Derisa të na zë gjumi Kur shuhet frika Së pari buka e gojës Pastaj uji i pijshëm Mjaftojnë për jetën
Fëmijët luajnë luftërash. S’ndodh të luajnë paqesh se të rriturit luftojnë ngaherë, ti bën “pau” e qesh; ushtari i shtie një tjetër njeriu dhe ky nuk qesh më. Kështu e ka lufta. Një tjetër lojë duhet shpikur: t’i japim botës gaz të mos qajë më. Paqe do të thotë që jo çdokujt t’i pëlqejë e njëjta lojë, që lodrat e tua i pëlqejnë edhe fëmijëve të tjerë që s’para kanë të tilla, se ti ke shumë të tilla, që vizatimet e fëmijëve të tjerë nuk janë shkarravina; që mami që ke ti nuk është vetëm jotja; që gjithë fëmijët i ke shokë. Dhe paqe do të thotë mos kesh uri mos kesh ftohtë mos kesh frikë.
Këto ditë u botua dhe doli në qarkullim në Borås të Mbretësisë së Bashkuar të Suedisë, Antologji poetike-Dikt antologi,”Vargje poetike nga Viskan-Poetiska verser från Viskan” përmbledhje poezisë të poetëve nga mbarë rruzulli tokësor pjesëmarrës në Festivalin e IX Nderkombëtar të poezisë ”Sofra poetike Borås 2020”, në botim të Redaksise së revistës Dituria nga Borås i Suedisë, një revistë letrare me renome dhe zë në 15 vitet e fundit në mërgatë, me botimet e shumta letrare të autorëve shqiptar dhe atorëve të ndryshëm nga vende të ndryshme.
Libri ka 162 faqe i punuar për mrekulli nga grupi punues për organzimin e Festivalit të IX të Poezisë në Borås, në të cilën Antologji janë përmbledhurë poezitë e mbi 90 poetëve të cilët kanë dergua punimet e tyre për në këtë Festival.
Një titull sa embëltik dhe karakteristikë i Antologjisë,”Vargje poetike nga Viskan-Poetiska verser från Viskan”, e Viskan është një ndër lumenjët që përshkon gjërë e gjatë qytetin turistik Borås, qytetin industrial ku shekuj më parë lindi industria e vektarisë dhe e bëri këtë qytet të njohur në mbar botën. Pak infomacione per luminë Viskan se ja vlen për atë bukir që ka dhe hjeshin që i jep këtij vendi.
Viskan është njëri prej katër lumenjve kryesore që derdhen në Halland. Viskan është i gjatë 142 kilometra, dhe ka një prurje mesatare të ujit prej 34 metër kub në sekondë në stacionin e furnizimit me ujë të Årsbro. Viskan se bashku me disa lokalitet jep rezervate të bukura natyrore. Në bashkinë Borås janë Mölarp, Kreshtat e Ryas dhe rezervati natyror Tranhult. Transporti mbi Viskan është i pamundurë për shkak të një numri ujvarësh, dhe rrjedhës së ujit.
Në këtë Antologji poetike janë përmbledhurë poezi të poetëve nga vende të ndryshme të botës në nëntë gjuhë, shqipe, suedeze, arabe, ceke, tigrinja, boshnjake, bullgare, maqedone, greke.
Libri fillon me punimet e poetes së re shqiptare që jeton dhe vepron në qytetin Göeteborg të Suedisë Yllka Sheqiri dhe në mbrendi ngërthen poezi në gjuhët e permendura të radhitura në mënyrë fantastike nga përpiluesit e Antologjisë, duke përdorurë poezitë në dy gjuhë në gjuhën amtare dhe në gjuhë suedeze e ku përfundon me poezitë e poetës së njohur came me punë dhe banim në Londër të Anglisë Nexhmije Hasani.
Kish poet me vlerë në letersinë suedeze si Louise Halvardsson, Anna Dagerman, Brtita Stenberg, në gjuhën shqipe Bahtir Latifi, Rizash Shqiri, Bajram Muharemi, Anxhela Ziso, Sokol Demaku, Ibrahim Abedini, Xhevriej Kurteshi Nimani, Adem Pllavci, Remzi Basha, Teuta Haziri, Shpend Rrukiqi me banim në Suedi, poetët afagan Azizullah Nehefta dhe Zalmay Kaveh, ate arab Zahra Hassan, bulgare Sveza Daceva, Rada Dobrianova, ceke Jana Witthed, suedezet Louise Harvaldsson, Henrik Memirsson, Anna Degerman, Britta Stenberg, Arvid Svene, Mali i zi Hajredin Kovaci, Rada Mugosha, boshnjak Selvera Shabanovic, Nermina Mustagrudic, Liljana Koci, Shqiperi Thomaidha Tanuci, Arjan Kalce, Viron Kona, Bashkim Saliasi, Vilhelme Vranari, Emrie Krosi, Farida Ramadani, Alba Huta, Merita Kuci, Mark Simoni, Fatbardha Behri Kaci, Vjollca Alija, Gladiola Jorbus, Lulezime Kryemadhi, Mihal Gjergji, Rozeta Kreste, Trendafille Molla Baja, Elvireta Kanina, Trendafille Malshi, Vaso Papaj, Suela Aliu, Ndue Dragusha, Anila Kodra Kotroci, Diana Celepia, Kadri Tarelli, Armendia Qyqja, Enertin Dheskali, Kujtim Mateli, Kosovë Agim Desku, Selvije Rama Ahmeti, Selvete Avdullahi, Drita Kosumi, Agim Desku, Migena Arllati, Emine Ymeri, Kimete Osmani Beqiri, Sadbere Gagica, Gjermani Have Lipja Osmani, Zvicer Besnik Camaj, Ardita Lajci Gecaj, Greqi Dhurata Lezo, Dimtra Klaudia Zoga, Marjana Sulejmani, Lumturie Drenica, Rovena Shuteriqi, Bardha Mance, Vivein Horieti, Maqedoni e Veriut Nazlije Miftari, Rrahimi Gani, Naser Miftari, Arlinda baftiu, Itali, Lavdije Karrametaj-Zalli, Mimoza Gjetaj, Seiti Pezaku Vladi, Belgjikë Bajame Hoxha Celiku, Norvegji Emine Hoti, Turqi Shpresa Zurnaqi, Angli Nexhmija Hasani.
Ky është viti i nënetë i mbajtjes së Festivalit Ndërkombëtar të poezise ne Boråsa të Suedisë organizuar me mjaft sukes nga Qendra Kulturore shqiptare ”Migjeni” dhe botim i i nentë i Abtologjisë së poezise së Festivalit, cka jep me kuptue se me të vertetë kjo shoqatë kulturore prezenton me dinjitet kulturën traditën dhe gjuhën shqipe në mërgatë ku ka arritur që të grumbulloj poetë nga vende të ndryshme të botës dhe të jenë pjesë e një eventi që zë vend me rëndësi në jetën kulöturore të qytetit suedez Borås dhe më gjerë në atë regjion, për cka këtë vit ishte edhe mbështetja e plotë e organeve të kulturës të regjionit dhe vet qytetit Borås.
Këtu thonë se edhe në të ardhmen do vazhdohet me ketë tempo të prezentimit të gjuhës dhe kulturës shqipe ne Skandinavi, në veriun e largët ku shumë pak është berë deri me tani në ketë drejtim, por si duket këta do jeneë ata të cilët poezin shqipe, novelen shqiupe , libri shqip do e prezentojnë në menyrë tåe denjeë te lexuesi sudez ashtu si ajo e meriton. /KultPlus.com