Lin, fshati piktoresk shqiptar

Lini është një fshat i bukur piktoresk buzë liqenit të Pogradecit, me shtëpitë e vogla ngritura puqazi njëra-tjetrës me shpinë nga kodra.

Fshati zgjon kuriozitetin e çdo udhëtari apo turisti që udhëton në rrugën Qafë Thanë – Pogradec

Në pjesën më të madhe të këtyre shtëpive, sidomos natën, dëgjohet llokoçitja e valëve të liqenit, lopatat e varkëtarëve dhe zëri i pulëbardhave.

Hapet Këndi Arkivor në Pogradec

Në bibliotekën e qytetit të Pogradecit u hap Këndi Arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Ky kënd është një hapësirë për të lexuar, studiuar dhe punuar, e hapur për akademikët, studentët dhe për publikun e gjerë të qytetit të Pogradecit, njësoj sikur të ishin në sallën e studimit në Tiranë, sepse teknologjia e informacionit, dhe procedurat e ngritura tashmë nga DPA mundësojnë këtë lehtësi qasjeje në dokumente arkivore.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli përuruan Këndin Arkivor Pogradec të DPA-së.

Gjatë fjalës së tij, Bido tregoi se kjo nismë është një projekt madhor që ka për qëllim hapjen e 100 sallave të tilla studimi në të gjithë hapësirat shqiptare.

“Ne i përqendruam arkivat dhe bëmë pastaj gjithë pjesën tjetër, shërbimin e delokalizuar, në mënyrë që ky shërbim i delokalizuar të shkojë në çdo qytet të mundshëm, kudo ku ka një sallë biblioteke, që studiuesi vjen. Në atë sallë studimi ku studiuesi vjen nuk sheh vetëm librin por edhe dokumentin, kështu që na duhej partneri lokal”, tha Bido.

Falë bashkëpunimit me DPA, siç u shpreh kryebashkiaku Xhakolli, kjo nismë do t’i vijë në ndihmë studiuesve por edhe të gjithë qytetarëve të Pogradecit.

“Ky është një projekt i rëndësishëm për qytetarët por edhe i institucionin”, tha Ilir Xhakolli.

Këndi Arkivor Pogradec është hapësira më e re e krijuar nga DPA pas hapjes së Këndit Arkivor në Gjirokastër, Shkup dhe Prishtinë. / KultPlus.com

Fillon Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec

Në Pogradec nis të dielën edicioni i 10-të i Festivalit Ballkanik për filmin dhe kulinarinë, në kushtet e masave të mbrojtjes ndaj covid-19.

Pogradeci ka hapur dyert për të mikpritur regjisorë, producentë dhe aktorë nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Qyteti bregliqenor do të jetë për një javë nga data 13-17 shtator kryeqendra e kinematografisë ballkanike.

Eventi, i cili tashmë është kthyer në traditë, por që këtë vit do të zhvillohet në masat e respektimit të protokolleve të sigurisë ndaj covid-19, synon evidentimin e arritjeve të kinemasë bashkëkohore ballkanase si dhe krijimin e hapësirave për të ndërvepruar midis kineastëve.

Më tepër se 40 filma artistikë dhe dokumentarë, të producentëve dhe regjisorëve të afirmuar dhe të rinj do të shfaqen për publikun pogradecar dhe turistët në kinemanë e qytetit.

Ndërsa pjesë e Festivalit do të jetë edhe gatimet apo kulinaria tradicionale e Pogradecit që shquhet për shije dhe receta të veçanta. /atsh/ KultPlus.com

Bienalja e karikaturës, sjell artistë nga 50 vende të botës në Pogradec

Artistë nga 50 vende të botës janë pjesë e fazës së parë të biennales ndërkombëtare të Karikaturës që do të mbahet në muajin shtator në Pogradec. Bujar Kapexhiu, pret që ky aktivitet ndërkombëtar t’i japë nxitje kësaj gjinie arti edhe në Shqipëri.

300 punime nga artistë nga 50 vende të botës u  bënë pjesë e garës për bienalen e parë të karrikaturës që do të mbahet në Pogradec!

Juria ka përzgjedhur 120 më të mirat që do të prezantohen në muajin shtator fillimisht në qytetin buzë liqenit dhe më pas në të gjithë Shqipërinë.

“Për mua është një kënaqësi që të organizojmë këtë aktivitet që do të sjellë prurjet më të fundit të karikaturës në botë. Pogradeci është përfaqësuesi i Shqipërisë i karikaturës në botë.”

Artisti, Bujar Kapexhiu si pjesë e jurisë pret që festivali të rizgjojë gjininë e karikaturës edhe në Shqipëri.

“Kjo është hera e parë që krijohet një festival ndërkombëtar i karikaturës në Shqipëri dhe fillon në Pogradec. Ne jemi përballë një përgjegjësi për të zgjedhur fituesit. Hapja e bienales dhe ekspozitës do të bëhet në shtator dhe do të jepen edhe çmimet ndërkombëtare.”

Tematika e karikaturave  të prezantuara është e shumëllojtë duke nisur nga probleme të  mprehta të gadishullit ballkanik, por edhe problemeve te ndryshme te para në planin global.

Bienalja e karikaturës dhe ditët e humorit “Niko Nikolla” do të kurorëzohen më 18-20 shtator. /Ora News /KultPlus.com

Natyrë si “e pikturuar”, Pogradeci, ky destinacion turistik që duhet shijuar në çdo stinë

Në Pogradec nuk të pret vetëm natyra e bukur dhe turizmi familjar, por edhe një botë plot aventura dhe histori.

Pogradeci dhe rrethinat e tij, ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa Liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Pogradeci ofron shumë mundësi për turizëm ujor, malor dhe historik. Gjithashtu edhe kuzhina dhe kulinaria pogradecare është shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme nga vizitorët shqiptarë dhe të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi një video me pamje nga Pogradeci për promovimin e qytetit në juglindje të vendit, që mbledh rreth vetes mijëra turistë në çdo stinë të vitit.

“Pogradeci, ky destinacion turistik që duhet shijuar. Aty gjen njerëz mikpritës e të buzëqeshur, peizazhe fantastike, atraksione që duhen shijuar”, – tha Klosi.

Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.

Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Ndërsa burimet e Drilonit që ndodhen rrëzë kodrave afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci kanë një pamje të pakrahasueshme.

Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund të bllokut gëlqeror, duke vazhduar më pas rrjedhjen në liqenin e Ohrit. Uji vjen nga liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3 /sek. Zona është e rrethuar me bimësi të dendur.

Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si Kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan.
Kjo ndërtesë e vogël prej guri, mbuluar me plloça është me vlera unikale përsa i përket dy kupolave të vogla në anën lindore dhe murit shumë të veçantë pikturuar me afreske në pjesën e brendshme të tij. Edhe pse afresket janë dëmtuar, vizitorët përseri mund të admirojnë misterin dhe bukurinë e shenjtorëve pikturuar në muret e tij.

Një tjetër kishë është ajo e Shën Marenës në veri të fshatit Llenge, zonë e Pogradecit, me një pamje dominuese në majë të malit mbi lumin Shkumbin. Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qendrore e kishës me një ikonostas druri 6 m të gjerë dhe 4 m të lartë. Ikonostasi është gdhendur me motive luleje. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpataraku.

Qyteti i Liqenit, Pogradeci, është qyteti elitar i Shqipërisë i cili vizitohet në të katër stinët./atsh / KultPlus.com

Mokra, destiancioni turistik mes pafundësive të bukurive natyrore dhe historike

Bukuritë e Mokrës janë të pafundme. Mokra është një nga 76 fshatrat më të bukur të rrethit të Pogradecit. Mes mijëra përrenjve, qindra fshatrave, dhjetëra liqeneve, krahina e mullinjve nga fshati Kozici në Shkumbin të lë pa frymë.

Natyra bujare nuk i ka kursyer asgjë Mokrës. Njerëz punëtorë, të dashur, mikpritës i gjen në çdo fshat të Mokrës. Pozita gjeografike pranë liqenit të Ohrit dhe kushtet klimaterike, e kanë favorizuar këtë krahinë që të popullohet që në kohët antike.

Fshatrat ‘flasin’ për shekuj histori, për sakrifica, e legjenda të rralla.Nga varret ilire të Selcës, rruga Egnatia, Gurët e Nuses, Ura e Golikut, e deri tek liqenet mahnitëse të Lukovës mbi Bishnicë, liqenet e Shën Marenës, Liqenet e Lenies. Mokra të qetëson shpirtin dhe mendjen.

“2 orë nga Tirana të presin pafundësi me bukuri dhe histori. Eja në Mokër”, është ftesa që bashkia Pogradec, i bën të gjithë qytetarëve, që këtë vit të vizitojnë dhe të kalojnë pushimet në fshatin me bukuri të veçanta. / atsh/ KultPlus.com

Pogradeci në vitet ’80, publikohet koleksioni i rrallë i fotografive

Bashkia e Pogradecit sjell një koleksion të rrallë fotosh, të viteve  ’80 të qytetit Pogradecit që shtrihet në bregun e liqenit të Ohrit.

Foto i përkasin një periudhe 30 – 40 viteve më parë ku spikat pamja e liqenit dhe bukuritë  natyrore që identifikojnë qytetin e Pogradecit.

Fotot janë të fiksuara nga aparati i mjeshtrit Kristaq Sotiri dhe janë publikuar sot nga bashkia e Pogradecit, si një aset i veçantë nga koleksioni i këtij fotografi. /atsh/ KultPlus.com