Trupa e Shkodrës sjell në Eksperimental dramën “Kandili i Argjandit” të Martin Camajt

Drama “Kandili i Argjandit”, shkruar nga Martin Camaj dhe vënë në skenë nga regjisori shkodran, Fatbardh Smaja erdhi për publikun nga trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Një vepër që përcjell jo pak mesazhe për publikun. Në dramë interpretojnë Nana- Rita Gjeka; Leka -Jozef Shiroka; Besa- Merita Smaja; shkrimtari- Agron Dizdari; Dora-Eliona Shkreli; Prendi- Enver Hyseni; Njeriu i huaj- Nikolin Ferketa; Katundari- Simon Shkreli. Si aktore Rita Gjeka vlerëson jo pak dramën dhe mesazhin që përcjell përmes saj Martin Camaj.

“Ne mendojmë vetëm me shkelë tjetrin, por Camaj nuk shkelet dot. Martin Camaj është super aktual dhe sot me verën e tij”, pohon mes të tjerave aktorja Rita Gjeka njëkohësisht dhe drejtorie e teatrit “Migjeni” në Shkodër.

Aktorja Rita Gjeka risjell sërish në vëmendje punën e regjisorit Smaja për veprën. “Bardhi me besoi rolin e nënës dhe vazhdimisht më thoshte: Është një nënë me N të madhe dhe është e vërtetë, sepse personazhi im është aq kompleks sa gjatë punës kam pasur shumë kontradikta me veten, shumë dyshime, shumë frikë, por me Bardhin mbi krye mendoj se ja kam dalë”, vijon aktorja.

Në vepër aktorja Merita Smaja pohon se ka qenë një nga projektet për të cilin është punuar jo pak nga artistët dhe regjisori Smaja, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta në kohën kur premiera erdhi në teatër. “Flasim për Martin Camaj, për një poet i cili si dramaturg pak është lançuar në Shqipëri. Por më vjen keq që më parë u vu në Tiranë, sepse erdh si një vepër që nuk tingëllon gëgnisht. Me trupën e teatrit tonë vepra ka marr vlerësime. Ka qenë projekt i Fatbardhit, i cili e deshti shumë dhe e punoi me gjithë shpirt, pavarësisht se nuk e pa fundin, nuk pa shfaqjen por ai jetoi me të. Që kur bëri zgjedhjen e veprës ai tha është vepra ime unike dhe më e dashur. Vërtetë që ndodhi ashtu si tha ai”, pohon aktorja Merita Smaja.

Më tej aktorja tregon se edhe pse e shkruar në vitin 1945 vepra i flet shumë dhe kohës sot. “Një vepër që i thotë shumë publikut, sepse nuk është shkruar shumë për atë periudhë pas çlirimit. Ajo që ndodhi me familjet pasura shqiptare pas çlirimit, të cilët u ndjenë nën trysninë e një pushteti diktatorial që i bëri të ndjeheshin jo vetëm keq, por të fuste dhe në grindje midis një familje. Kjo ndodh kur diktati është i madh dhe dhuna po ashtu”, tregon aktorja Smaja për veprën që mbrëmë erdhi në skenën e Tiranës.

Drama

“Kandili i Argjandit” është një dramë social-politike që mund të vetëkuptohet arsyeja pse i ka munguar lexuesit dhe spektatorit gjatë periudhës së diktatorit, por nuk mund të justifikohet tërësisht arsyeja e mungesës së saj në skenë për dy dekada. Ama vlen për t’u theksuar se regjisori Smaja pati mprehtësinë e duhur që, pikërisht në këtë situatë aspak shpresëdhënëse për spektatorin, të sjellë dritën e “Kandilit të Argjandit” në kohën më të volitshme të tij. “Kandili, dritëpërҫuesi i një jete të dalë nga errësira e kohës së territ e tmerrit, na jep tabllonë e frustrimit psikologjik që kanë kaluar mijëra familje shqiptare në periudhën e parë të vendosjes së regjimit komunist. Drama u shkruajt rreth viteve ’50, por tingëllon e afërt në kohë edhe pas kaq dekadash” thotë studiuesi Behar Gjoka. Arsyet sociale dhe politike duket sikur po përsëriten Fatbardh Smaja i solli publikut dramën e Camajt. Ai e plotësoi misionin e tij. Camaj dhe Smaja e thanë të vetën me dritën që sollën përmes “Kandilit të Argjandit”. (Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com

Sakrifica për një shfaqje, aktori i TKK-së tregon për lëndimet që i shkakton shfaqja “Bordel Ballkan” (FOTO)

Dje Aktorët Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, anuluan shfaqjen ‘Bordel Ballkan’, duke u futur kështu në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre drejtuar MKRS-së, shkruan KultPlus.

Kësisoj mbrëmë njëri ndër aktorët e kësaj trupe Armend Baloku, shpalosi nëpërmjet rrjetit social Facebook, disa fotografi që tregojnë lëndimet që ka pasur gjatë shfaqjes ‘Bordel Ballkan’. Me këto fotografi dhe me një mbishkrim Armend Baloku, ka treguar se pagat që kanë aktorët e këtij teatri janë të mjerueshme, duke pasur parasysh punën që bëhet.

“Foto ne vazhdim tregojne demtimet qe i kam pasur nga shfaqja e fundit ne Teatrin Kombetar. Keto demtime i kam cdo here pas shfaqjes “Bordel Ballkan”. Nuk kam pushim as te shtuneve e as te dieleve. Po ashtu nuk kam pushim as diteve qe shteti yne ka feste. Prova mbaje qe nga mengjesi e deri naten vone. #proteste #mbeshtetjeperteatrin #mbeshtetjeperaktoret”, ka shkruar Baloku.

Që nga sot e deri në 9 ditët e ardhshme repertori i TKK-së, do të vazhdoj ashtu siç ka qenë ndërsa pas 10 ditësh nëse nuk plotësohen kërkesat e aktorëve, atëherë ata kanë thënë se do ta përshkallëzohet situata dhe do të bllokohet i gjithë repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com



‘55 Shades Of Gay’ shkon në Tiranë

Më datë 18 tetor me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar në Tiranë shfaqjet ‘55 Shades Of Gay’, një performancë teatrore e Qendrës Multimedia nga Prishtina, shkruan KultPlus.

Me tekst të Jeton Neziraj e regji nga Blerta Neziraj, shfaqja sjellë në kastën e aktorëve Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj dhe Luan Durmishi (vokal). Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao.

Hyrja do të jetë gratisë por megjithatë organizatorët sygjerojnë që publiku të rezervon ulëset në numrin: 042223022.

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’ [kazaliste.hr], sjell sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim], pyetja që shtron shfaqja është:
a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?
Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbas udhëzimeve të BE-së.

55 shades of gay është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.

Kjo shfaqje është financuar nga The Olof Palme International Center dhe Goethe Institute.

Menaxhere e skenës: Lendita Idrizi / Ass. e produksionit: Verona Koxha / Drejtor teknik: Denis Berisha / Ndriçimi: Mursel Bekteshi./ KultPlus.com

Dino Mustafiq rikthehet në Tiranë, përzgjedh aktorët për shfaqjen “Nëna e fëmija”

Regjisori i njohur boshnjak Dino Mustafiq është rikthyer sërish në Tiranë, pas suksesit me veprën “Equus” që u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar.

Nën shoqërinë e Ema Andreas, Mustafiq ka dëgjuar intepretimet e aktorëve meshkuj që hynë në audicion për një rol në shfaqjen “Nëna e fëmija”, e Jon Fosse që do të vihet në skenë nga Dino Mustafiq. Dukej një numër i madh djemsh nën moshën 25 vjeç të interesuar për këtë rol.

Në këtë audicion u përzgjodh aktori Matia Llupa. Tulla – Culture Center do të presë ‘Nëna e fëemija’ të Fosse, me regji të Dino Mustafiq në fund të muajit tetor.

Vepra do të mbështetet nga Fondacioni M.A.M.I lindur në Bosnjë, me origjinë shqiptare, Dino Mustafiq, e ka lidhur jetën herët me skenën. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, dhe është drejtor i një festivali ndërkombëtar teatror MESS, që mbahet në Sarajevë prej gati 20 vitesh. Në skenën e Teatrit Kombëtar ai solli pak muaj më parë një nga veprat më të vështira të Peter Shaffer.

Vendosja në skenë e veprës së Peter Shaffer nuk është hera e parë e bashkëpunimit të regjisorit Mustafiq me teatrot shqiptare.

Me Teatrin shqiptar në Shkup ka ngjitur në skenë shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës ka ngjitur në skenë veprën teatrore “Rock’N’Roll”. Po ashtu, sërish në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup, ka sjellë shfaqjen “Opera për tre grosh”. “Nëna e fëmija” e dramaturgut norvegjez Fosse është ngjitur më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, nën regjinë e Bekim Lumit. Drama trajton një temë universal, që është ajo e abortit dhe braktisjes së fëmijës, përmes katër personazheve. Një djalë kthehet tek e ëma pas më shumë se 20 vjetësh në kërkim të arsyes për braktisjen e tij. / KultPlus.com

“Dikur ishim skllevër të okupuar, tashmë jemi vetëm skllevër”

Para 3 muajsh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u dha premiera e shfaqjes ‘Aventurat e reja të Don Kishotit’ me regji të Dino Mustafic. Ky regjisor i cili sjellë gjithmonë inskenime interesante e mjaft të fuqishme, edhe atëherë në institucionin kulturor më të lartë në vend TKK, dha një premierë të fuqishme e cila ngriti publikun në këmbë nga tri monologët që kishin për detyrë t’i shkruanin vetë aktorët që kishin personazhet kryesore në këtë projekt.

Kësisoj sot aktori Armend Smajli, i cili kishte personazhin e Don Kishotit të mesëm, publikoi në rrjetin e tij social Facebook, monologun që kishte shkruar vetë për këtë shfaqje. Armendi, monologun se çfarë do të thoshte një ‘Don Kishot’ i zakonshëm i këtij vendi përveç që e ka shkruar me shumë emocion, ai edhe e pati interpretuar me po kaq emocion në dërrasat e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Para 3 muajsh në Teatër Kombëtar kisha shfaqjen “Aventurat e reja të Don Kishotit”. Regjisori i shfaqjes Dino Mustafiç më dha për detyrë që ta shkruajë vetë një monolog se çfarë do të thoshte një “Don Kishot” i zakonshëm i këtij vendi. Për ata që nuk kanë pas dhe nuk kanë mundësi me e pa shfaqjen po e ndajë monologun këtu edhe me ju”, ka shkruar Smajli.

KultPlus, po e sjellë këtë monolog për lexuesit e vet, pa ndërhyrje në tekst të shkruar nga aktori:

…as edhe njē herë nuk dëgjuam njē shpërthim dashurie apo shpërthim humanizmi dreqi e marrtë, vetëm një bombë aty e shpërthim atje, krizë andej e luftë këndej. E dimë si është lufta. E kemi provuar edhe ne dikur. Na thonin që ishte luftë për liri, luftë për paqe por me kohë kuptuam se liria nuk qenka vetëm heqja e tytës.
Dikur ishim skllevër të okupuar, tashmë jemi vetëm skllevër.
Ndasi e madhe shoqërore, pabarazi, papunsi, shkelje e të drejtave të puntorëve, fëmijëve, grave. Shkollim e shendëtsi për faqe të zezë, krim e korrupsion, politizim i skajshëm për të gjetur një vend pune.
Shëmti në rrugë, shëmti në arkitekturë, shëmti në lumenjë, shëmti në parqe e shëmti në ajër. Turp, shëmti.

E sa herë ua theme këto, cinikët më thonë; O Don Kishot ti je I çmendur, ëndërrimtar, desperados.
E si t’mos çmendëm kur shohë që gratë mendojnë a të bejnë fëmijë apo jo se skllavo pronari i saj e përjashton nga puna sapo të merr vesh që ajo është shtatzënë. Si të mos çmendēm kur shohë që edhe në paqe njerëzit ikin nga vendi i tyre për t’kërkuar një copë bukë e dinjitet.
Si të mos çmendem kur shohë që avancimet e profesorëve të universitetit bëhën me dyer tē mbyllura e më publikime të punimeve të tyre të rrejshme.
Si të mos çmendëm kur shohë kapadaiun që në mes të rrugës hapë xhamin e xhipit të zi dhe blen mallboro nga fëmiu që shetë duhan në rrugē gjersa femiu i tijë n’Xhip lozë me Iphone 10.
Si të mos çmendëm kur në shkollë mësuesi nuk jep mësim por rrahë e nxënësi në vend se të mesojë rrahë.
Sigurisht se çmendëm, çmendëm kur shohë që pleqtë e plakat mezi rrojnë me atë penzion t’mutit I cili s’ju del as për rrymë e ujë e lerë më për barna.
Si t’mos çmendëm kur vajzës 3 vjeç i shembët objekti mbi të dhe vdes!
Heeej vajza ka vdekë, ka vdekë vajza 3 vjeç. Ka vdekë Xheneta Gashi. Nuk është më.
E bashkë me të kemi vdekur edhe shumë prej nesh. Ne që nuk kemi kërkuar llogari por kemi vazhduar të pimë kafe e të vëzhgojme nga largë kur është kërkuar përgjegjësi nga të papërgjegjëshmit.

Vetëm pak…

Oh, cinikët vazhdimisht më përshpërisin diçka sa herë që revoltohëm.
Oh, po po, e di se ka edhe gjëra pozitive dhe të bukura në këtë vend. Sigurisht qē ka. Por ato as që kam ndër mend t’ua themë. Për gjërat e bukura flisni ju, ju që mbani fajin kryesorë për këto shëmtit që ua thash.

Pse mos ju erdhëm në shtëpitë e juaja për t’ju thënë; Ju lutëm zgjohuni, ejani na udhëhiqni, na qevërisni, na shërbeni? Jo, vetë u zgjuat e na thatë se po deshironi të jeni shërbetorē të mirë. Prandaj nga unë mos pritni lavde por shërbeni, shërbeni sepse vetë kështu kërkuat, shërbeni nanën ua qifsha.
Poo i çmendur jam. Unë duhet të jem i çmendur, se kjo botë nuk do të egzistonte po t’mos kishte njerëz të çmendur si unë e si disa prej jush. Ua them këto sepse e di që Don Kishot nuk jam vetëm unë ketu, jemi më shumë sesa dëgjohemi.

Miq të mi, aman mos zgjidhni heshtjën e frikën karrshi shtypësve, se heshtja, frika nga pasojat i frymëzon edhe më shumë cinikët dhe shtypësit, e kjo na shëndrron në skllevër të diciplinuar. Hiqeni nga mendja juaj heshtjën, frikēn nga pasojat e shtypësve.
Ky rrugëtim është i zorshëm, shpeshëherë edhe jo pragmatik, i kotë për cinikët.
Sigurisht se do të humbasim ndonjë round, ndoshta edhe mē shumë rounde, por mos refuzoni të perpiqeni, mos refuzoni të endërroni.

Kjo botë mbase është përjetësisht e pandreqshme, por i përjetshëm është edhe ideali për ta ndrequr atë!

(Foto nga shfaqja: Jetmir Idrizi)

Duke trajtuar fatet e njerëzve që ikin, regjisori Kushtrim Bekteshi hapë sezonin në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren

Sarandë Selimi

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, qysh më 27 gusht kanë nis provat për shfaqjen e re e cila njëherësh edhe do të hapë sezonin në këtë institucion. ‘Ata që ikin’ me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje.

Për të folur më shumë rreth tekstit, inskenimit dhe punës që është bërë deri më tani, për KultPlus, foli regjisori Kushtrim Bekteshi.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, tha për fillim regjisori Bekteshi, duke vazhduar tutje të flas për përrallën e kësaj drame.

Ai tregoi se drama trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli, për të cilin regjisori Bekteshi, tha se ka një konsideratë shumë të lartë dhe ndjehet i nderuar që ka pranuar të jetë në ekipin e shfaqjes së tij.

“Jam shumë i kënaqur si po zhvillohet procesi i provave. Është hera e dytë që punoj në këtë teatër dhe shumicën e aktorëve i njoh shumë mirë, prandaj edhe kënaqësia e bashkëpunimit është po e njëjta si para dy vitesh. Bile mund të them se tani aktorët e këtij teatri i kam gjetur në kondicion edhe më të mirë, e kjo falë angazhimeve të vazhdueshme që kanë pasur në shumë shfaqje të suksesshme që janë realizuar në këtë teatër. Me pjesën tjetër të aktorëve, me të cilët po bashkëpunoj për herë të parë, ndjej të njëjtën frymë të bashkëpunimit kreativ, të njëjtën energji pozitive dhe elasticitet interpretues. Gjitha këto më japin një siguri se procesi i përgatitjes se shfaqjes do të rrjedh pa komplikime dhe besoj se produkti final do të rezultojë i suksesshëm”, theksoi regjisori Kushtim Bekteshi, ku poashtu tregoi edhe për pjesën tjetër të ekipit.

“Kostumografe është Samka Ferri, me të cilën është jo vetëm kënaqësi, por edhe privilegj të bashkëpunosh. Është shfaqja e katërt që bashkëpunoj me Samkën dhe besoj se do të bashkëpunojmë edhe në shumë shfaqje tjera. Ndërsa skenograf është Mentor Berisha, një skenograf i ri dhe tejet kreativ, me të cilin po bashkëpunoj për herë të dytë”, tha ai.

‘Ata që ikin’, pritet të dalë me premierë në fund të muajit tetor në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren./ KultPlus.com